Homazh

Në aviacion ka pasur mjaft talente, jo vetëm në fluturim e në teknikën fluturuese, por dhe në fusha të tjera të jetës, siç është fusha e letrave. Ndoshta kjo ka të bëjë me faktin se njerëzit që rekrutohen për të shërbyer në aviacion kalojnë nëpër disa filtra e përzgjidhen nga më të aftit.

Llazar Çyçi, nga Myzeqeja, shok grupi i pilotëve të njohur: Sokrat Prifti; Salih Dibra; Hamdi Arapi; Daut Xhaferri etj, ishte jo vetëm pilot me kërkesa, korrekt dhe serioz, por dhe njeri në mos i pari shkrimtar, i cili ka shkruar rreth 10 libra; ishte dhe piktor i mirë. Ai nuk është më në jetë; ka kohë që ka marrë udhën pa kthim, por rrojnë e do të rrojnë bëmat e tij.

Llazarin e kam njohur mirë, nga afër dhe për një kohë të gjatë. Kam pasur shansin të mësoj prej tij, në veçanti për t'u përmbajtur në çdo situatë dhe për qetësinë "olimpike" që zotëronte.

Llazari rreshtohet me aviacionistët më të lashtë. Shokë të tij të afërt, në Skuadrilën e Transportit ishin: Zebo Durmishaj; Refit Jazoj; Manush Kreshpa; Daut Xhaferri; Stefanaq Stratoberda; Sulo Gorica etj. etj. Llazari, Zebon, jo vetëm e kishte shumë shok, por dinte çdo detaj të jetës së tij dhe njihte çdo huq të shokut tim.

Një ditë, kur më të lashtët në Skuadrilë ishin të mbledhur, tek stolat nën dafina, Llazari shfrytëzoi rastin dhe i tha Zebos, katër vargje të shkurtra, të cilat pasqyronin përafërsisht, gjithë karrierën e tij në ushtri (në aviacion). Vargjet që recitoi Llazari ishin:

"... Qyl u gdhive;
Qyl u ngryse;
Qyl e kalove gjithë jetën;
Qyl e mbushe, plot kuletën..."

Nuk i pëlqeu mënyra e recitimit dhe i tha shokut të tij Daut Xhaferri, i cili ishte çam: "Daut, merre këtë vjershën, mësoje përmendësh dhe do ta interpretosh, përpara shokëve, me theks çam!" Ashtu bëri Dauti i bindur e i mirë dhe kur ishin të mbledhur shokët, Dauti doli disa hapa përpara dhe, me seriozitet lexoi:

"... Qil u gdhive;
Qil u ngrise;
Qil e kalove gjithë jetën;
Qil e mbushe plot kuletën!..."

Plasi e qeshura dhe duartrokitjet miqësisht. Zebua nuk u ndie por duartrokiti, si ne.

I paharruar qoftë i papërsëritshmi Lazar Çyçi!

Të rrojnë e ta kujtojnë të prasmit!