Piloti legjendë që bëri histori

Mbresa dhe kujtime nga jeta e pilotit të talentuar tragjasiot, kolonelit të aviacionit Niko Selman Hoxha, rënë në krye të detyrës, më 20 nëntor të vitit 1965, në aerodromin ushtarak të Rinasit, në një qitje luftarake, me aeroplan reaktiv MIG-17 F, përpara efektivëve të regjimentit dhe disa kuadrove ushtarakë akademistë.

Mbresat dhe kujtimet janë mbledhur nga Niazi Xhevit Nelaj, në qershor – korrik 2012, në Vlorë, Tiranë, Voskopojë, etj, në takime me njerëzit dhe në biseda telefonike, deri në Bostonin e largët. Çdo takim dhe bisedë me bashkëkohës të Niko Hoxhës dhe të afërm të tij ka gjetur pasqyrim në material, me besnikëri e autenticitet.

Monografia pasqyron vetëm një pjesë të jetës të heroit, atë pjesë e cila lidhet me aviacionin e me fluturimin e nuk shtrihet në sfera të tjera të jetës shumëplanëshe të njeriut që i dha shtysë disiplinës dhe stërvitjes ushtarake e ajrore.

Niko Selman Hoxha, siç ishte i rregullt, i disiplinuar e tepër korrekt, në repart, dallohej dhe për një regjim shembullor në jetë. Ai nuk banonte në repart e nuk ushqehej në mensën cilësore të pilotëve por, në familje, falë përkushtimit dhe mirëmenaxhimit që i bënte situatës e shoqja, Jolanda, regjimit të tij nuk i mungonte asgjë. Ky shkrim nuk përfshin as jetën në familje të Nikos, nuk prek kujdesin e tij për djemtë, Valerin dhe Sashën, të cilët i la ende të parritur, por që sa qe gjallë i rrethoi me shumë kujdes e dashuri prindërore. Të tjerë shkrime që do të pasojnë, me siguri do të hedhin dritë dhe mbi ato anë të jetës së Niko Hoxhës të cilat në këtë monografi kanë mbetur disi në hije.
Autori
————-
Po mbushen 48 vjet nga dita kur u nda nga jeta, aksidentalisht dhe heroikisht, në krye të detyrës, piloti i talentuar, nga Tragjasi i Vlorës, njëri nga themeluesit dhe organizatorët më të përkushtuar të aviacionit luftarak shqiptar, piloti i klasit të parë, koloneli i aviacionit Niko Selman Hoxha. E shtuna e fundit e nëntorit të vitit të largët 1965, kur kalendari ditor shënonte 20, në orën 10, në fundin Jugor të aerodromit ushtarak të Rinasit (sot aeroporti “Nënë Tereza”), në prani të efektivëve të regjimentit dhe disa oficerëve të Akademisë Ushtarake “Mehmet Shehu “, ndodhi ajo që nuk besohej, ngjarja e rëndë ajrore, e cila përfundoi me katastrofë. Në atë katastrofë ajrore, “u shua” jeta e njërit nga pionierët e aviacionit shqiptar, trimi i çartur, Niko Selman Hoxha. Mjaft vite kanë shkuar e të tjerë do të rrjedhin. Koha e gjatë që ka kaluar dhe disa njerëz, jo dashamirë, janë munduar të hedhin harrim mbi këtë histori njerëzore, duke bërë të paditurin. Një gjë duhet pranuar e thënë hapur: Nëse dikush, ca më keq për ata që e kanë njohur ose kanë punuar nga afër me kolonelin e tani ngrenë supet, me shpresën se mund ta anashkalojnë ngjarjen, unë u them: Kot e keni, në skutat më të thella të ndërgjegjes tuaj, diku, e mbrojtur, me kujdes e maturi ruhet diçka nga jeta dhe bëmat e atij heroi, me vlera e përmasa të pakrahasueshme.

Pak e kam njohur atë “div“ të aviacionit shqiptar. Së bashku e nën drejtimin e Niko Hoxhës kam punuar e fluturuar, gjithë – gjithë tre vjet. Kjo kohë, edhe pse e kufizuar, ka qenë e plotë për të më frymëzuar e tunduar, për të hedhur në letër gjithçka di e kam dëgjuar për atë njeri “të madh”, me përmasa që nuk mund të maten. Do të shkruaj thjeshtë e çiltër, siç e kam njohur e atë çka di unë për atë njeri, i cili qysh nga formimi e deri sa dha jetën, në krye të detyrës, u bë “lokomotiva “e aviacionit të vendit tonë. Ideja për të shkruar diçka për figurën e Niko Hoxhës, më ka vluar e më ka ngacmuar prej kohësh por, siç duket tani erdhi koha për ta bërë realitet këtë ëndërr në sirtar.

Nuk jam biograf e nuk marr përsipër të pasqyroj çdo gjë, fije e për pe, siç ka rrjedhur, në jetën e atij njeriu legjendë, pilotit të rrallë, komandantit të lindur, kërkues por tepër njerëzor, por do të shkruaj, patjetër. Do të shkruaj, jo me talentin e shkrimtarit, të cilin nuk e kam, por me inatin dhe kokfortësinë e të moshuarit, i nxitur nga qëllimi i mirë, për të gdhendur e përjetësuar figurën e atij njeriu të veçantë, i cili, erdhi në jetë, kur na duhej, por, mjerisht, na iku shpejt e kur nuk duhej të na ikte. Inatin e kam të madh e nuk më del kollaj. Jo me të gjithë botën, se nuk ia dal dot, por me një pjesë të saj. Më shumë më ngacmon fakti që disa “pseudoshkrimtarë” apo, siç e thotë populli: ”palo shkrimtarë” të cilët, në shkrimet e paguara, sikur të merrnin një biçikletë, me qera, i thurin vetes apo njerëzve të tyre, lavde apo atribute të pamerituara. Ca më keq kur ndonjë mjeran rreket për të bërë të tijën gjënë e tjetrit. Nuk më mbetet tjetër veç ti ngushëlloj e ti ndjej këta qaramanë bukëshkalë.

Shpresoj shumë se në udhën time nuk do të jem i vetëm. Një aradhe e tërë bashkëkohësish të kolonelit: pilotë, teknikë, specialistë, ushtarë e punonjës të aviacionit, të cilët janë ende të gjallë, diçka dinë e me siguri duan të rrëfejnë për heroin tonë, si njeri, i veçantë, si ushtarak i rrallë e si pilot i talentuar. Koha e gjatë që ka kaluar, prej ndarjes së Niko Hoxhës, nga jeta, nuk mund ti justifikojë, ca më tepër nuk mund ti nderojë ata që ngrenë supet e thonë: ”Pse të merremi me këtë ngjarje të largët, pse të merremi me të shkuarën, kur kemi halle plot”? Që kemi shumë halle e nuk i shikojmë të vihen në udhën e zgjidhjes, kjo është e vërtetë, por, për hir të tyre nuk duhet ti futemi tjetrit ne pjesë. Ajo që i takon Niko Hoxhës, le t’ia atribuojmë atij, se të tjerëve ajo nuk u ngjit. Ndonjërit që problemet shëndetësore ia ka mpirë trurin i qahet halli; por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për atë, i cili ka drojë të dalë publikisht, nga frika se mos do të ketë pasoja. E kam bindje të palëkundur se askush nuk e le dot mënjanë figurën e ndritur të Niko Hoxhës. Pluhuri i harresës mund të bjerë e të mbulojë këdo, veç atë njeri kurrsesi. Niko Hoxha e ka gdhendur me figurën dhe me punën e tij historinë e aviacionit shqiptar dhe portretin e tij. Përkushtimi i pashembullt i tij në detyrë, iniciativa e paparë si fluturues, e më në fund, rënia heroikisht, në krye të detyrës, në një kohë kur jeta e tij na duhej aq shumë, janë vlera të rralla e pika kulmore ku do të synojnë ushtarakët e çdo kohe. Shpresoj shumë në rrëfimet e shokëve të mi e të komandantit, gjithë atyre që kanë jetuar e punuar pranë tij. Të tillë ka mjaft e besoj do të më gjenden.

E ndiej veten borxhli, ndoshta dhe me faj, për atë që nuk e kam thënë më parë fjalën për kolonelin. Nuk shfajësohem dot, po të them se kam pritur radhën, mbasi të tjerë kanë mësuar me të në të njëjtën shkollë, kanë marrë pjesë në luftë e më pas në betejën e madhe për të ngritur aviacionin shqiptar, nga themelet. Gjithsesi, jam i bindur se, edhe me atë njohje që kam për atë njeri, i cili na iku papritur, kur na duhej, Niko Hoxha na u bë “jatak”, ”nënë e babë”, shok e vëlla dhe mësues, si ai. Kam mësuar aq shumë prej tij, jam “rritur“ përkrah tij, kam marrë krahë, nga krahët e tij, jam frymëzuar nga guximi e trimëria e tij, kam fluturuar e kam luajtur me të, jam kënaqur e lumturuar kur ai ishte i tillë, duke parë sukseset tona, më ka befasuar me shakatë plot “kripë“ që bënte dhe nga të qeshurat me lot, të tij, kur tregonte ndodhi nga jeta në repart e më gjerë. Kolonelin e kam parë si fluturonte me kurajë e guxim të patreguar; e, më në fund, e pashë dhe si “u shua”, siç e mbyllin jetën trimat, heroikisht e të mbuluar me lavdi. Për këto e të tjera tipare njerëzore që frymëzojnë do të shkruaj; siç di unë të shkruaj e siç më vjen në kujtesë ai “zgalem”, i cili erdhi e na iku aq shpejt, papritur e pa u besuar syve.

Meritë të veçantë, të cilën asnjeri nuk mund ta verë në diskutim, komandant Niko Hoxha ka dhe për faktin se ai jetoi e shërbeu në aviacionin tonë në ata vite të vështirë, si rrallë në ndonjë vend tjetër, kur aviacionit tonë luftarak i duhej të çohej në këmbë e të çapitej nëpër shtigje të pashkelur. Koloneli trim e legjendar, me kurajo e guxim, e mori për dore këtë “fëmijë” të mbarë, i dëftoi udhën e nderit dhe e ngjiti në ato maja, të cilat qenë ndoshta më të lartat e kohës, duke kapërcyer vështirësitë e rritjes, të cilat buronin dhe nga mungesa e traditës fluturuese, vendase. I përkushtuar ndaj detyrës ushtarake, në shkallën më të lartë të mundshme, me dashuri të pashoqe për ushtrinë, repartin, disiplinën e rregullin, tok me to fluturimin e aeroplanin, nëpërmjet udhëheqjes kudo e kurdoherë, me shembullin e tij, tipare që e shoqëruan kolonelin gjatë gjithë karrierës së tij ushtarake, deri sa, më në fund “e vulosi”, me jetën e tij të re, pa mbushur 39 vjeç. Niko Hoxha ra, në krye të detyrës, në një fluturim tregues, me qitje reale, në një kohë kur jeta e tij e re ishte aq e shtrenjtë për brezin e ri të pilotëve dhe për të gjithë efektivët e armës së aviacionit luftarak shqiptar. Komandanti i regjimentit u vra përpara syve tanë, në fund të aerodromit, kur po kryente një qitje luftarake – treguese, me aeroplan, duke i prirë formacionit me katër aeroplanë reaktivë MIG – 17 F. Siç tha, ato ditë Beqir Balluku (në atë kohë Ministër i Mbrojtjes) “Niko, edhe me vrasjen e tij, mësoi: si të mos vriten pilotët”.

Niko Hoxha, ishte e mbetet hero. Një hero i veçantë e i merituar. Koloneli ishte mjaft i nderuar e i respektuar, sa qe i gjallë e mbetet po aq i kujtuar edhe pas kaq shumë vitesh që kanë kaluar. Nikon e kam parë, për herë të parë, një të shtunë, aty nga mesi i qershorit të vitit 1963. Kisha përfunduar studimet, për pilot, në Kinë, së bashku me shokët: Dhori Zhezha, Adem Ceça, Andrea Toli e Bashkim Agolli dhe ishim emëruar pilotë gjuajtës-bombardues në regjimentin e aviacionit, në Rinas. Komandat regjimenti ishte koloneli i aviacionit, i paharruari Niko Selman Hoxha. Pas pushimit njëmujor pranë familjeve, u paraqitëm në repart. Nuk ishim të pajisur me uniformë ushtarake, ndaj visheshim me kominoshe e mbathnim këpucë të lehta; në kokë vendosnim një kapele ushtarake, me shënjën e aviacionit sipër. Atë të shtunë regjimenti i Rinasit kishte organizuar fluturime të ndryshme. Efektivët e regjimentit, pjesëmarrës në fluturim, ishin grumbulluar në Zonën Nr. 1 e cila ndodhej në skajin Verior të aerodromit. Aeroplanët ishin rreshtuar përbri njëri-tjetrit, të gatshëm për t’iu bindur komandave të pilotëve, për t’u çuar në ajër. Binte një vesë shi. Aq sa për të ndaluar zhvillimin e fluturimeve. Efektivat kishin dalë për të fluturuar dhe ishin në pritje të përmirësimit të kushteve atmosferike.

Unë dhe shokët e mi, të veshur me kominoshe e këpucë të lehta, me kapele ushtarake në kokë shkonim drejt vendit ku ishte grumbulluar efektivi. Përpara sheshit ku aso kohe parkoheshin avionët civilë, të huaj, të cilët uleshin në aerodrom, ne u bashkuam me një grup oficerësh të repartit, të cilët kishin të njëjtën rrugë, me ne. Në atë grup ishte dhe shefi i shtabit të regjimentit, nënkoloneli nga Korça, Peço Polena. Peço Polena mbante titullin e pilotit ushtarak të klasit të parë, por, për shkaqe shëndetësore i ishte hequr e drejta e fluturimit e ishte kthyer ne shef shtabi. Ai ishte piloti i parë shqiptar i cili u ngrit me aeroplan luftarak, për herë të parë mbi qiellin e Tiranës, më 24 prill të vitit 1951. Kjo ditë u shpall dita e krijimit të aviacionit luftarak shqiptar e u festua në këtë datë për shumë vite. Shefi i shtabit të regjimentit ishte trupvogël, i shkurtër e thatim, me qime të kuqërremtë e faqe të kuqe, me rremba.

Peço, në rrethet shoqërore njihej si përdorues i rregullt i pijeve alkoolike dhe si qejfli bixhozi. Si njeri e si kuadër Peço Polena njihej si shpirtmirë e babaxhan. Kur më pa që kisha hapur çadrën e shiut, duke qenë i veshur ushtarak, nënkoloneli vuri duart në mes e “u shkri së qeshuri”. Nuk ma dinte emrin por, me shaka m’u drejtua, me fjalët: ”Deri më sot nuk kisha parë oficer, me çadër të hapur”. Më turpëroi shefi i shtabit. Oficerët që e shoqëronin dhe shokët e mi qeshën me pamjen time e me shakanë e shefit.
Ndërkohë që efektivët ishin në pritje të përmirësimit të kushteve të motit, kolonel Niko Hoxha ndodhej tek makina e udhëheqësit të fluturimeve, në anën Lindore të brezit ku ngrihen aeroplanët. Ai, gjithashtu ishte në pritje të përmirësimit të motit, i gatshëm për të dhënë udhëzimet, para fluturimit me qëllim që ta njihte efektivin me veçoritë e punës në atë ditë fluturimi. Me një aeroplan MIG-17F, atë ditë, komandanti kishte bërë “zbulimin e kohës “dhe e kishte të freskët informacionin qe do t’u përcillte pilotëve. Kur shiu pushoi e moti u qartësua, efektivat e regjimentit, oficerë e ushtarë u rreshtuan, sipas nënreparteve e shërbimeve, përpara aeroplanëve. Avionët që do të ngriheshin në ajër atë ditë ishin të përzier : MiG-19 PM; MiG-17 F dhe Mig 15 Bis (mësimorë). Të tre tipat e avionëve do të fluturonin në të njëjtën ditë. Në fillim do të fluturonin aeroplanët më të sofistikuarit, gjuajtësit supersonikë reaktivë, të pajisur me lokatorë dhe raketa të drejtuara ajër-ajër. Pas tyre do të ngriheshin në ajër aeroplanët e tipave të tjerë. Aty e pashë, për herë të parë kolonel Niko Hoxhën. Portreti i atij njeriu të jashtëzakonshëm, m’u ngulit thellë në mendje e nuk m’u shua nga kujtesa edhe pse kanë kaluar shumë vite. Sot, pas gati 50 vitesh, kujtoj, sikur ta kisha parë dje, figurën e tij interesante.

Koloneli qëndronte i vetëm, përballë regjimentit të rreshtuar, krenar, i rregullt e mjaft elegant. Ai ishte 36 vjeç, në atë kohë e mua 20 vjeçarit më dukej “i madh“ në moshë. E kam të fiksuar atë trup të gjatë e të rregullt, prej atleti, me shpatulla të gjëra e me këmbë të gjata, me mustaqe të rregullta dhe i veshur me uniformë fluturimi (çizme të shkurtra, pantallona kilota, bluzë lëkure dhe kokore piloti në kokë). Të gjitha prej lëkure, bojë kafetë errët. Kokoren (shlemafonin) me rrjetë e kishte të zbërthyer tek tokëza. Dy kordonë i vareshin prej tij. Njeri syresh përfundonte me një kokë metalike, të bardhë, e cila shërbente si nyjë lidhëse e kufjes së kokores me aparatin e radios të trupit të aeroplanit.

Koloneli, me detyrë komandant regjimenti qëndronte, i vetëm, përballë efektivëve, në vartësi të tij, që do të merrnin pjesë në fluturimet e asaj dite. Hijerëndë, me trup azgan, me pamjen e një njeriu kompetent, i cili di çfarë flet, me një vështrim të rreptë shqiponje, simpatik në të tërë qenien e tij, me lëvizje të shkathëta e të sigurta, me atë veshje të bukur, e cila i shkonte aq shumë për shtat. Të tillë e pashë dhe e fiksova Niko Hoxhën qysh në prezantimin e parë dhe i tillë mbeti ai në përfytyrimin tim edhe pas kaq kohësh. Regjimenti ishte i rreshtuar, sipas nënreparteve që e përbënin, përbri njëri-tjetrit. Në krye qëndronin kuadrot e shtabit të regjimentit, të prirë nga nënkoloneli trupimët Peço Polena. Të gjithë të veshur me uniformë ushtarake, të rregullt, të pastër e të hekurosur. Oficerëve të shtabit të regjimentit u shkëlqenin çizmet prej lëkure, brenda të cilave futeshin pantallonat kilota e sipër tyre ndriste gjimnastorka dhe një rrip krahëqafë. Në jakën e gjimnastorkës zbardhte qaforja e bardhë, e qepur me merak e hijeshi. Në kokë, çdo oficer mbante kapelën e aviacionit, me ato shenja metalike të verdha, që simbolizonin krahët të shtrirë të një zogu. Pas shtabit të regjimentit ishte rreshtuar katërshja (zvena) e parë, e komanduar nga komandanti i skuadriljes së dytë, kapiteni i parë Kosta Neço Dede, pilot i talentuar, një vuniot mjaft i zgjuar e shumë i shkathët. Pas saj ishte katërshja e dytë, me komandant pilotin nga Progonati, kapitenin e dytë, Çobo Ibro Skënderi dhe e mbyllte skuadriljen katërshja e tretë, me komandant pilotin Bajazit Qani Jaho, kapiten i dytë, nga Dunavati i Gjirokastrës. Katërshet ishin vendosur pranë njëra-tjetrës, veç e veç.

Midis pilotëve, teknikëve dhe specialistëve të së njëjtës katërshe nuk kishte hapësirë bosh. Ata dalloheshin vetëm nga uniforma që kishin veshur. Pilotët ishin të veshur me uniformë fluturimi, si ajo e komandantit të regjimentit. Në kokë mbanin kapelën e oficerit me shenjat dalluese të amës së aviacionit dhe në dorë, secili prej tyre mbante një si çantë prej mushamaje, brenda së cilës kishte vendosur kokoren e pilotit. Teknikët dhe specialistët ishin të veshur me kominoshe doku. Të njëjtën veshje kishin dhe ushtarët mekanikë aeroplani. Të ndryshme nga oficerët kishin kapelat. Në fund të rreshtit qëndronte efektivi i ndërlidhjes e ai i radiodritës dhe e mbyllte rreshtin efektivi i prapavijës. Në krye të rreshtimit qëndronte një njeri, i veshur me uniformë oficeri, në supet e të cilit dallohej grada e majorit dhe kapelën e kishte të ndryshme nga ajo e oficerëve aviatorë. Oficeri ishte nga Vithkuqi i Korçës dhe quhej Nasi Kita. Ai nuk ishte as pilot, as teknik apo specialist i aviacionit, por kishte ardhur nga repartet e këmbësorisë. Në sytë tanë, edhe pse na ishte prezantuar se kryente një detyrë partie mjaft të rëndësishme, atë të zëvendëskomandantit të regjimentit, për punë politike, ky njeri, nuk na “ngjiste”. Prania e tij në përbërje të regjimentit të aviatorëve, na krijonte atë shijen e keqe, sikur, një dhi gjendej në mes të deleve. Nuk e shpjegoj dot këtë ndjesi. Ndoshta kjo lidhej me specialitetin tonë, të veçantë, apo buronte nga fakti që pilotët kishin nivel tjetër, krahasuar me oficerët që nuk kishin specialitetin tonë. Diku, në shtab, i ngatërruar mes rreshtave, qëndronte një oficer, ndoshta me gradën e majorit. Portreti i këtij oficeri ishte paksa i veçantë. Me trup e moshë mesatare, i mbushur e i zgjuar, çalash, në dukje shakaxhi por në përmbajtje qylaxhi, afrohej e largohej si hije, u bënte lajka të gjithëve dhe të gjithë i raportonte. Nuk dua të përdor ndonjë fjalë tjetër, më të rëndë, edhe pse sigurimsi e meritonte atë. Kur takohej me ne, pilotët e rinj, mbasi të jepte dorën, sllogani i tij ishte: ”E kam thënë një fjalë të mirë, për ty”. Qëllimi ishte të të rrëmbente ndonjë dopio fërneti. Funksionin me të cilin ushqehej ai njeri e kishte shef i sigurimit të shtetit. Çdo njeri përpiqej ti shmangej e të mos ballafaqohej me të.

E zgjata ca, me këtë hyrje, tip ekspozeje, por nuk kam nga t’ia mbaj. Kështu më vijnë kujtimet edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite. Fliste Niko Hoxha e regjimenti përballë tij “nuk pipëtinte”. Komandanti, me një aeroplan luftarak të tipit MIG-17 F, mbasi kishte bërë kontrollin, në ajër të kushteve të motit, jepte udhëzimet, si duhej vepruar, në çdo çast e vend. Siç kujton piloti veteran Çobo Skënder i: “Niko Hoxha e bënte vetë “obljotin” (zbulimin e kohës) dhe e bënte në mënyrë të përsosur. Kur ulej në tokë e na jepte udhëzimet, para fluturimit, Niko sqaronte, në detaje kushtet e fluturimit, në “sistemë“ e në ulje, duke na dhënë informacion të plotë, ku kishte lëkundje ajri, ku kishte shkarkime e pilotët duhet të mbyllnin radion, sa metra ishte shtresa e poshtme e reve dhe shtresëzimet e reve gjatë marshrutës (rrugës ajrore), si ishte era dhe influenca e saj, në ajër e në ulje, etj”. Koloneli fliste qartë, bukur, rrjedhshëm, me një shqipe të pastër e të pasur, me kompetencë e njohuri shkencore e në një dialekt Jugor, të theksuar, me zë melodioz të ëmbël. Udhëzimet e tij, në këtë rast, ishin konçize e të sakta. Koha, deri sa aeroplanët do të ngriheshin në ajër, ishte e kufizuar (disa minuta) dhe komandanti synonte t’u zinte vartësve sa më pak nga koha e çmuar e tyre. Kjo, gjithashtu ishte një vlerë e pakontestueshme e kolonelit.

Ishim të rinj, njëzetvjeçarë, siç qe i tillë vetë regjimenti, i cili u formua para një viti. Po e shikoja Niko Hoxhën, për herë të parë. Nuk e shikoja, por e “përpija “, me sy. Disa tipare e vlera, të veçanta të tij m’u rrënjosën thellë në mendje e nuk mund të shkulen, prej kohës që kalon. Para së gjithash, më bëri përshtypje ai trup, i gjatë, i rregullt e shumë elegant. I kishte lezet uniforma e fluturimit që kishte veshur. Komandanti qëndronte në këmbë, i mbështetur fort në të dyja këmbët, pak të hapura, me një krenari të natyrshme e seriozitet që i shkonte. Efektivët e regjimentit, të rreshtuar, përpara tij dëgjonin, me ëndje dhe sikur përpinin çdo fjalë e udhëzim që dilte prej gojës të atij burri. Koloneli nuk merrte poza kapadaiu e shitmendësi, por fliste thjeshtë, qartë e kursyer. Fjalët i kishte të pakta por të zgjedhura. Çdo fjalë e tij “ngulte gozhdë“, ishte në kohën e duhur dhe transmetohej tek vartësit me ëmbëlsi. Vangjel Koçi, një oficer veteran, i cili e nisi shkollën për pilot në Bashkimin Sovjetik në vitin 1960 dhe e sosi për sinoptikan në Shqipëri, pak ka jetuar e punuar me Niko Hoxhën, por zëri i tij i veçantë i ka mbetur në mendje. Kur bisedova, me shokun tim, në Voskopojë, ai më tha : “Niko Hoxha fliste bukur, fjala e tij melodioze i ngjante këngës së bilbilit“. Sa e ndjerë është konsiderata e këtij njeriu të thjeshtë, shumë të zgjuar e me burrëri!

Zëri i kolonelit, ishte ndoshta njëra nga vlerat më të spikatura të atij njeriu, të papërsëritshëm. Ta kishte ënda të dëgjoje të folurën e tij. E dëgjoje e të bënte për vete ai timbër, i qartë, i fortë, i kthjellët, si ujë burimi, i kuptueshëm nga të gjithë ata që e dëgjonin, konçiz e melodioz. Ja si e kujton piloti Serafin Shegani këtë vlerë të komandant Niko Hoxha: ”Në hyrje të viteve ’60, të shekullit të kaluar, unë dhe shokët e mi fluturonim në aerodromin e qytetit “Stalin”. Kur ndodheshim në ajër, shpesh kalonim radion, në kanalin e punës të aerodromit të Rinasit, vetëm për të dëgjuar zërin e bukur të Niko Hoxhës, i cili ishte në drejtimin e fluturimeve të regjimentit që drejtonte”. E kam dëgjuar sa e sa herë atë zë të veçantë, kur isha në tokë e në ajër, jam mrekulluar prej tij dhe në këtë drejtim, them se kam qenë i privilegjuar. Timbrin e ëmbël, melodicitetin, ngrohtësinë dhe butësinë, si mëndafsh kinez, të asaj të folure, nuk mund ti harroj kurrsesi. Edhe pas kaq vitesh, në çaste qetësie apo në gjumë, më bëhet sikur po dëgjoj zërin e dashur të kolonelit, i cili nuk është në jetë prej shumë vitesh. Prandaj e them fort se zëri i Niko Hoxhës, më ka ardhur në kufje i veçantë, me qartësi e ëmbëlsi të pashoqe. Po çfarë kishte të veçantë, në zërin e atij burri? Po përpiqem të rendis disa vlera, i bindur se nuk mund ti sjell të gjitha, në këtë shkrim modest. E them këtë mbasi vlerat e zërit të kolonelit, në specifikën e detyrës të udhëheqësit të fluturimeve, ndoshta janë unike dhe vështirësisht të përsëritshme. Kush e ka dëgjuar atë zë, nëpërmjet kufjeve të shlemafonit vështirë se mund ta harrojë e ta krahasojë ëmbëlsinë, qetësinë, qartësinë, saktësinë dhe autenticitetin që të transmetonte. Koloneli u fliste pilotëve, sidomos atyre që ndodheshin në ajër, me qetësi e butë-butë. Është i njohur slogani që përdoret në mjedise shëndetësore se “qetësia shëron”. Kjo është më se e vërtetë. Por, në rastin tonë, kur komunikon udhëheqësi i fluturimit, me pilotin, në ajër, vlera e qetësisë shumëfishohet e bëhet, në ndonjë rast, shpëtimtar. Është e sigurtë që zëri i Niko Hoxhës ,kur u shkonte pilotëve në nevojë, në kufje, i ndihmonte ata për të dalë nga situata e nga rreziku. Koloneli ishte pilot ushtarak i klasit të parë. Ai mbante shkallën më të lartë të kualifikimit, si pilot dhe qëndronte, thuajse vazhdimisht në rolin e udhëheqësit të fluturimeve.

Niko Hoxha kishte mbi supe një bagazh të madh fluturimesh, në aeroplanë të tipave të ndryshëm e në kushte të motit me shkallë të lartë vështirësie. Koloneli fluturonte me aeroplanët reaktivë MIG-15 Bis; MiG-17 F dhe me gjuajtësit kapës supersonikë, me raketa ajër-ajër MiG-19 PM, ditën, në kushte të thjeshta të motit, ditën, në re, natën, në kushte të thjeshta dhe natën, në re. Para se të fluturonte në aeroplanë reaktivë, komandanti kishte kaluar nga shkolla e aviacionit me helikë, ku kishte fluturuar me avionë gjuajtës dhe bombardues të tipave të ndryshëm. Me ajrin dhe avionët, koloneli ishte njohur qysh pas Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavi, më vonë në Bashkimin Sovjetik e së fundi në Shqipëri. Gjatë karrierës si pilot, komandanti, me siguri do të jetë ndodhur në situata të vështira ajrore, të cilat i ka kapërcyer falë vlerave të spikatura të karakterit dhe si pilot. Kësisoj, kur merrte në dorë mikrofonin e udhëheqësit të fluturimeve, Niko Hoxha, kishte çfarë t’u thoshte e dinte si ti orientonte pilotët që kishin nevojë për ndihmën e tij.

Kur komunikonte me pilotët, koloneli bëhej më serioz, orientohej shpejt me situatat që përjetonin pilotët në ajër, merrte vendim, sa hap e mbyll sytë dhe ndërhynte shpejt e me takt, duke i thënë pilotit në nevojë fjalë të sakta, të zgjedhura mirë, falë reflekseve të shpejta që kishte individualisht. Por, vetëm këto ishin të pamjaftueshme nëse koloneli nuk do të ndiqte, me syçeltësi e hap pas hapi çdo fluturim. Niko Hoxha i njihte, në detaje karakteristikat individuale të pilotëve që drejtonte dhe e thoshte fjalën, në kohën e duhur e me saktësi, sipas situatës ajrore. Këshillat e Niko Hoxhës “të merrnin për dore“ e të ndihmonin për të dalë nga situata. Koloneli ishte pilot kurajoz dhe me vullnet të rrallë e këmbëngulje donte të fluturonte në të gjithë tipat e aeroplanëve që dispononte regjimenti. Në rrugë autodidakte, pa kaluar në kurse të posaçme, komandant Niko përvetësoi fluturimin në aeroplanët reaktivë MIG-17 F dhe MIG-19 PM. Pozicioni i udhëheqësit të fluturimeve, në aviacion është i veçantë e delikat. Ia vlen ti kthehem një herë tjetër, në mënyrë të posaçme. Niko Hoxha ishte ndoshta nga më të përkryerit udhëheqës fluturimi që ka njohur aviacioni shqiptar. Zëri i ngrohtë i tij, sillte “ngrohtësi “e “siguri” në kabinën e avionit që ndodhej në ajër. Kur komunikonte me kolonelin, pilotit i dukej sikur e kishte atë, aty pranë, në kabinë dhe sikur po e plotësonin fluturimin së bashku. Niko Hoxha nuk e hidhte fjalën “dëm” por e thoshte atë me kompetencë e përgjegjësi dhe pilotët kishin besim në orientimet e tij. Kjo ishte e provuar në praktikë, jo në një rast. Komandant Niko jepte orientime të sakta për pilotët në ajër, nuk bënte zhurmë në radio, të cilat sjellin vetëm çoroditje e amulli. Fjala e ngrohtë e Nikos, të ngrohte e të bënte optimist. E kisha dëgjuar me dhjetëra herë kur u ndërhynte pilotëve për ti ndihmuar dhe isha mrekulluar nga ai zë karakteristik. Në një rast e provova dhe tek vetja ime.

Në një ditë fluturimi, mbi aerodromin e Rinasit po ushtrohesha në “luftim ajror”, në çift avionësh. Në formacion, i pari ishte kolegu Llazar Cupa e pas tij fluturoja unë. Detyra ime ishte ti futesha ”në bisht“ të parit e t’a sulmoja, duke e filmuar. Koloneli, në cilësinë e udhëheqësit të fluturimeve, na vrojtonte nga poshtë. Isha pilot i ri e po kënaqesha duke u mbajtur në formacion, në çift kurse detyra ishte të sulmoja. Komandantit nuk i pëlqeu fluturimi im, mori mikrofonin dhe ndërhyri, me kujdes: “75, futu në bisht e sulmo, se u bëre satelit”! E dëgjova e u përpoqa të korrigjoj gabimin. Komunikimi me zë të ëmbël i kolonelit me pilotin në ajër, nuk shkaktonte alarme shqetësim, tek ky i fundit por e qetësonte atë e i jepte kurajo, për të vepruar drejt. Nuk mund të numërohen rastet kur komandanti u është gjendur pranë vartësve të ndodhur në vështirësi e i ka ndihmuar ata për të dalë nga situata.

Ndoshta nuk do ta kisha nisur tani këtë shkrim-portret, për heroin tonë po të mos më kishte ardhur në kohë nxitja nga një grua labe, fisnike dhe burrërore, me prejardhje nga paraardhësit e Niko Hoxhës, nga Tragjasi. Gruaja që më nxiti e ka emrin Nurhan. Një emër interesant, madje pak i çuditshëm e i rrallë. Ajo është mbesë e Niko Hoxhës, bijë nga Xhuvelët e Tragjasit. Aty nga mesi i qershorit të këtij viti shkova për pushime, në Vlorë dhe u sistemova me gjithë familjen në një vilë, në Ujë të Ftohtë. Ishte shtëpia e Nurhanës dhe burrit të saj, Lavdoshit. Gruaja e zgjuar labe, kishte marrë informacion për profesionin tim të dikurshëm dhe një ditë, natyrshëm më pyeti: Pilot ke qenë ti? Po, pohova unë, disi i papërqendruar në bisedë. Kam pasur dajën pilot unë, ndoshta e ke njohur tha gruaja. Si e kishte emrin, e pyeta unë. Niko Hoxha, tha ajo. Mornica më shkuan në trup dhe mendja më çoi në ato vite të largët ’60 të shekullit të kaluar. Shpejt e mblodha veten e i’u drejtova bashkëbisedueses e cila vetiu kishte marrë një pamje solemne, pak të trishtuar. Niko Selman Hoxha, nga Tragjasi, i thashë. Gruaja zgurdulloi sytë e tha: Si, e paske njohur. Kur i thashë se me Niko Selman Hoxhën, kam punuar dikur, ajo u tjetërsua nga gëzimi e krenaria që kishte takuar një njeri, i cili kishte punuar me dajën e saj të ndjerë. Pak nga pak biseda jonë u gjallërua e mbesa 60 vjeçare e komandantit tim nisi të më tregojë për jetën e heroit, në fëmijërinë e tij. Kur ishte gjallë e ëma, i kishte lënë Nurhanës një amanet, të cilin, si me drojë, por gjithmonë krenare e pak me nostalgji, ma besoi këtë intimitet të saj. “Kur të takosh shokë të Nikos, i kishte thënë e ëma Nurhanës, të mi mbash në pëllëmbë të dorës” dhe e kishte vënë në Be, në atë Be, të cilën ajo nuk e zinte kollaj në gojë: “Për kockat e Nikos“ ishte betuar plaka e Xhuvelëve, para ndarjes nga jeta.

Me rrëfimet e saj, për jetën e kolonelit, fëmijë e adoleshent, Nurhana, e thjeshtë por kapedane më futi në hullinë e të shkruarit për heroin, duke më dhënë një nxitje të fortë që ti përvishem një pune të vështirë për kapacitetet e mija dhe për shëndetin aktual. Mendova, në vetminë time; “Nuk qenkam fare pa fat”! Pas Nurhanës, piloti në pension Bahri Meshau, të cilin e kam shok prej më se 50 vitesh, më foli për kolonelin e më çoi në shtëpinë e pensionistit ish pilot Guri Merkaj, në Vlorë. Guri ka qenë njëri nga pilotët më të dalluar në aviacionin tonë, në vitet ’60 të shekullit të kaluar, por, pas një sëmundje të rëndë, kohët e fundit ka mbetur plotësisht i verbër. I shkuam në shtëpi shokut tonë e i folëm. Bahrinë e njohu kurse mua jo. I kujtova se dikur kemi punuar së bashku instruktorë të pilotimit, në aerodromin fushor të Pishporos, madje i kujtova dhe studentët e kolegët, por Guri ma kishte harruar zërin. Prej mjaft kohësh nuk jemi parë, as nuk jemi dëgjuar. Pastaj i kujtova një detaj nga fluturimet e tij në aerodromin e Rinasit, ku Guri ulej shpesh tek kthesa e aeroportit civil dhe vendi ku preknin betonin rrotat e avionit MIG-19 PM, të cilin e drejtonte Guri, u “pagëzua”: “T-ja e Gurit”. Pas këtij detaji, shoku im u kujtua, u çua në këmbë e bërtiti:” Njazi, më ke bërë një surprizë të bukur, nuk të prisja sot, të më vije në shtëpi”. Piloti i moshuar u gëzua.

Biseduam, lirshëm e për probleme të ndryshme, në atë zagushi që të merrte frymën, në dhomën ku qëndronte Guri, atë ditë vere, të nxehtë, nën monitorimin e djalit të djalit, adoleshent. E pyeta shokun tim, nëse i kujtohej kolonel Niko Hoxha dhe ai, mbasi mori një pozicion më të kujdesshëm e solemn, u bë më serioz, “krojti“ zërin e tha: “Niko Hoxha ishte njeri i besës e i fjalës së mbajtur. E mbaj mend si një komandant të zotin e burrë tamam. Në fluturim, ne, të rinjve na jepte iniciativë. Atë që thoshte, Niko Hoxha e bënte. Po-në e kishte Po dhe Jo-në e kishte Jo. Bënte shaka e qeshte me lot, kur vartësit e tij bënin shaka me të”. Rrëfimin e çiltër, për kolonelin që u vra përpara syve tanë, piloti pensionist Guri Merkaj, e përfundoi me një psherëtimë, të thellë. Ai shqiptoi:” Burra si ai nuk vijnë kollaj në këtë vend.”

U çmalla me shokun tim, pas kaq vitesh dhe u largova prej tij me një ndjenjë lehtësimi në shpirt, duke marrë me vete një entuziazëm e frymëzim të pazakontë. E bëra mendjen “top”: Do ti futem, vendosmërisht punës për të shkruar këtë portret heroi. Duke ecur nëpër Vlorë, së bashku me Bahri Meshaun, duke soditur këtë qytet, të cilin e kam parë si është rritur e si ka ndryshuar, në kohë të ndryshme dhe si po shëmtohet së fundi, në kokë më “trokitën” lloj-lloj mbresash e episodesh, nga jeta dhe puna e përbashkët si fluturues, me Gurin, dikur në Rinas e më pas në Pishporo e në reparte të tjerë të aviacionit. Në pranverën e vitit 1966, kur ishim në një kurs metodik për instruktorë të pilotimit, Guri shkroi në bllokun tim, me të dhëna për konstruksionin dhe mënyrën e shfrytëzimit të aeroplanit MIG-15, me një shkrim të qartë e të bukur:
“Njazi, Dallgët e jetës na bashkuan e ato, prapë na ndanë. Po t’a lë këtë shënim që ta kesh si kujtim nga unë, shoku yt i paharruar – Guri Merkaj. E ruajta bllokun, gjatë, si relike të çmuar, por për fatin tim të keq, ai diku mbeti, udhës, e unë nuk e disponoj atë. Uniforma, në trupin e atij ushtaraku të lindur, shkëlqente. I kishte lezet uniforma ushtarake atij që ishte i lindur për të drejtuar repartin, si në ajër Edhe në tokë. Niko Hoxha, në pamje të parë të krijonte përshtypjen e një atleti e gjimnasti, plot talent. Çdo gjë në qenien e tij më dukej e përkryer, si e bërë nga një dorë artisti.

Fytyra fisnike e kolonelit ishte e bukur, bojëgruri. Niko kishte sy të mëdhenj, bojëkafe. Vetullat i kishte të theksuara, por jo “kaleshe”. Ballin të lartë, flokët bojëkafe, me një cullufe, të cilën, pëlqente ta mbante poshtë strehës së kapelës, të anuar në të majtë. Koloneli mbante mustaqe. Ndoshta për të “maskuar” hundën, me përmasa disi më të mëdha se zakonisht. Mustaqet e Nikos, ngjyrëgruri, në çdo kohë ishin të rregullta, të pastra, të prera bukur e i jepnin hijeshi fytyrës simpatike të tij. Ai pinte shumë duhan, në të dyja brimat e hundës, mustaqet e Nikos ishin të zverdhura nga nikotina. Fytyra e Niko Hoxhës ishte e bukur, kur qeshte dhe bëhej po aq simpatike, kur bëhej serioz. Pamja e jashtme e kolonelit ishte shprehje e kulturës dhe dashurisë të tij për ushtrinë, rregullin e disiplinën dhe tregonte respekt për njerëzit me të cilët punonte.

Bisedova me 85 vjeçarin Bajram Hitaj, i cili ka qenë pilot i të vetmit aeroplan bombardues shqiptar IL-28. Kur e pyeta, kur dhe si e ka njohur ai Niko Hoxhën, Batja (kështu e thërrisnim dikur), me seriozitetin karakteristik tha: “Niko Hoxha ishte i lindur për ushtarak. Atij i kishte dhënë zoti të gjitha bukuritë e një komandanti dhe oficeri brilant”. E dëgjoja Batjen dhe sillja ndërmend, si e shikonim kolonelin, në dritë të syrit, e vrojtonim atë e nuk ngopeshim duke e soditur atë portret ushtaraku, sikur të ishte qëndisur nga një dorë mjeshtërore. Komandant Niko, vinte shpesh për të na parë si e zhvillonim përgatitjen fizike, ne pilotët e rinj. Një ditë po ushtroheshim në vegla gjimnastikore, nën drejtimin e instruktorit përkatës. Ishim radhitur pranë hekurit gjimnastikor. Më erdhi radha e tentova të ngjitesha lart. Kërceva por nuk e kapa dot veglën. Koloneli, siç bënte zakonisht në të tillë raste, vuri duart në bel, qeshi me të madhe e tha: “Po ti nëntoger, çe ke këtë bark gjenerali”? U turpërova e që atë ditë nisa të ushtrohesha intensivisht, nëpërmjet ushtrimeve e veglave speciale, për të ulur barkun tim.

T’ju them të drejtën, pa mburrka, kur iu futa punës për të shkruar këtë monografi, nuk më shkonte mendja që do ta kisha kaq të vështirë. E mora me lehtësi këtë punë por nuk më doli e tillë. Tani që jam “futur në ujë” e po mësoj “si notohet”, e kuptova se “i paskam hyrë detit, në këmbë”. Këtë nuk e them për tu justifikuar, për vështirësitë që më kanë dalë rrugës por për të theksuar një gjë: Vetitë dhe virtytet e atij njeriu “të mbinatyrshëm”, janë aq të shumta e të ndryshme sa, nuk gjendet tregimtar e s’ka tregim që ti nxëre brenda. Kohët e fundit, me qëllim që të mësoja diçka më tepër për jetën dhe aktivitetin e kolonelit 39 vjeçar, i cili rrojti pak, por “paq”, u takova e bisedova me mjaft njerëz, të profesioneve të ndryshëm, nga ata që kanë qenë pranë, kanë punuar me të ose kanë qenë bashkudhëtarë të komandantit trim, Niko Selman Hoxha. U takova jo me pak por me rreth 35 njerëz e ata më numëruan aq shumë gjëra, të thëna e të pathëna, saqë kur matem për ti hedhur në këtë tregim, zhytem në to e nuk di kë të marr e kë të lë, pasi secili nga rrëfimet ka vlera më vete.

Diku më sipër, në këtë shkrim, duke menduar se i jepja heroit diçka nga ajo që meritonte, e quajta atë “div”, një ofiq ky plotësisht i justifikuar. Por, kur fola me shokët, 85 vjeçari Haki Jupasi, kolonjar, pilot i klasit të parë, me një kolonjarçe të llastuar më tha:” çne, bre “div”, ai ishte “luan“, se me luanin ngjante”. Nuk e pata kurajon, as argumentin për ta kundërshtuar komandant Hakiun. Piloti Cobo Skënderi, edhe ai me klasin e parë të pilotit, bashkëkohës i Niko Hoxhës dhe njohës i mirë i tij, si për ti shtuar diçka asaj figure të ndritur tha: “Niko Hoxha mund të krahasohej vetëm me një “Zgalem”. As këtë nuk pata dëshirë ta kundërshtoja, se më erdhi pas midesë. Cobo është njeri i letrave dhe ka shkruar për kolonelin. Mirë ka bërë, çdo njeri prej nesh që e kemi njohur komandantin kemi detyrimin për ta përjetësuar figurën e tij edhe nëpërmjet shkrimeve. Për kolonelin, thuaj çdo epitet pozitiv e ai ka për të ngjitur, se i tillë ishte ai njeri. Niko Hoxha “na u gjend“ kur na duhej aq shumë e me qëndrimin e tij na u bë “nënë”,”babë”, “vëlla”,”motër” e shok i mirë. Zemra e tij “e bardhë” e bujare ishte aq e madhe sa kishte hapësirë për të gjithë ata që e meritojnë ta kenë dashurinë e tij. Koloneli dinte të përshtatej, sipas moshave, profesioneve, krahinave e niveleve të njerëzve. Nuk e teproj po të shkruaj se komandanti, me njerzillëkun e dashamirësinë e tij u përshtatej edhe huqeve të njerëzve, jo tekave të disave apo prapësive të tyre.

Niko Hoxha gëzohej e lumturohej, pa masë, kur pilotët që ai komandonte fluturonin mirë dhe kur punët i shkonin për mbarë. Jo vetëm pse në këta raste shikonte të materializuar mundin dhe djersën e tij, punën vetëmohuese që bënte, por dhe për shkak të shpirtit të gjerë e zemrës së bardhë që kishte. I shndrinte nuri e bëhej shend e verë kur punët i shkonin mbroth. Më vjen në mend, i freskët, një rast. Në vjeshtën e vitit 1963, kur pilotët e rinj fluturonin për të marrë klasin e tretë të pilotit, në një ditë fluturimi ndodhi diçka për t’u harruar. Ishte konditë “sine qua non“ fluturimi në formacion skuadrilje (12 aeroplanë ), në lartësinë 10.000m nga niveli i detit. Në ajër u ngrit formacioni i parë, i cili doli në lartësinë e caktuar. Dymbëdhjetë vija të bardha, paralel e pranë njëra – tjetrës, zbukuruan hijshëm atë qiell, të kaltër vjeshte. Koloneli, zbriti nga makina e udhëheqësit të fluturimeve, doli në lëndinën e gjelbër të aerodromit, vështronte lart, kënaqej me atë pamje që të magjepste dhe gëzonte e qeshte, si fëmijë. Hera herës përplaste duar e këmbë dhe nuk zinte vend. Pas pak, në ajër u ngrit skuadrilja e radhës, në formacionin e të cilës bëja pjesë dhe unë. Do të ndiqnim të njëjtën rrugë ajrore e do të plotësonim të njëjtën detyrë. Në lartësinë 7.000m kur më duhej të takoja forsazhin, me qëllim që ti jepja motorit të avionit fuqi shtesë, mekanizmi nuk funksionoi. Aeroplani që drejtoja unë mbeti pas avionëve para meje dhe formacioni “u shkërmoq”. Nuk mbërritëm të bashkuar në lartësinë e caktuar 10.000 m por mbërritëm një nga një. Koloneli, i cili na vrojtonte nga toka, kur pa “katrahurën “që qullosëm ne, u mërzit shumë, vuri duart në bel, si shenjë pakënaqësie dhe tha: ”Buza e plasur nuk qesh kurrë”!

Pasionin për fluturimin dhe dashurinë për ajrin, komandanti e shfaqte dukshëm e çiltër. Kur nuk fluturonte, për shkaqe që nuk vareshin prej tij, nuk guxonte ti dilte njeri përpara Niko Hoxhës, i cili në këtë rast “nxinte” e “sterronte”. Por fytyra e tij çelej e bëhej “behar”, kur ngrihej në ajër. Motoja e kolonelit ishte: “Pilot është ai që ngrihet në ajër e fluturon”. Dhe këtë nuk e thoshte si slogan, sa për t’u mbushur mendjen vartësve dhe kolegëve por e vinte në jetë praktikisht. Pilotët, sidomos e shikonin Niko Hoxhën në dritë të syrit. Komandant Nikon e shikoje gjithë ditën e çdo ditë, nëpër aerodrom, me shlemafon në dorë, duke “gjuajtur “kushtet meteorologjike, të cilat jo gjithmonë favorizonin fluturimet. Siç kujton pensionisti Gëzdar Veipi, pilot i klasit të parë: “ne e morëm klasin e parë të pilotit, me vendosmërinë e Niko Hoxhës. Çdo ditë prisnim kohën, në aerodrom, me shlemafon në dorë, që të kapnim “retë e mira”, jo “retë agresive”.

Jo vetëm kaq. Disa nga pilotët që fluturonin për të marrë klasin e parë, në vitet ’60 ishin familjarë e banonin në Tiranë (në qytetin e Tiranës). Niko Hoxha, duke qëndruar tërë ditën nëpër aerodrom, në pritje të kushteve të përshtatshëm për të fluturuar, kur e vinte re këtë, sidomos kur kushtet ishin të përshtatshëm për të fluturuar për të marrë klasin e parë (natën, në re), shkonte në çdo shtëpi, me makinë e i grumbullonte pilotët. Mbasi u bënte një përgatitje të shkurtër, sa për t’u rikujtuar shprehitë e këtij lloj fluturimi, së bashku me ta realizonte detyrën ajrore. Në grupin e pilotëve që fluturonin për klasë të parë, në vitin 1964 bënin pjesë: Anastas Ngjela, Lulo Musai, Kosta Dede, Gezdar Veipi, Cobo Skënderi, Mahmut Hysa (Uku), Halit Bulku dhe Bajazit Jaho. Po kthehesha nga Tirana, kur u ul piloti i fundit, atë natë. Me një grup shokësh, beqarë, u ndodhëm në fundin Jugor të aerodromit të Rinasit. U mrekulluam kur pamë si u ndriçua e llamburiti qielli mbi aerodrom, nga raketat sinjalizuese që zbrazi udhëheqësi i fluturimeve, Niko Hoxha. Ai, nga gëzimi që ndjeu kur pilotët e grupit që plotësuan programin e klasit të parë, kishin realizuar një objektiv madhor, i zbrazi të gjitha raketat sinjalizuese, të cilat ndodheshin rreth tij. Kishte përse të gëzonte e të krenohej koloneli. Me këmbënguljen dhe përkushtimin e tij të paparë, Niko Hoxha e kishte shtyrë mjaft përpara çështjen madhore të kualifikimit të pilotëve. Mbasi “mbylli” natën e fluturimit, komandanti, mblodhi pilotët, jo për t’u bërë vërejtjet për zhvillimin e fluturimeve, siç bënte zakonisht por i çoi ata në bufenë e aeroportit civil, ku i qerasi, me shpenzimet e tij. I tillë ishte koloneli, me pasionin dhe përkushtimin e tij të rrallë, në shërbim të rritjes së mjeshtërisë të pilotimit.

Nga vlerësimet e shumta të shokëve dhe bashkëkohësve të kolonelit, u përpoqa të veçoj disa, ato që m’u dukën më të spikatura e që na japin një pamje më të qartë të cilësive të tij. Nga biseda që pata me veteranin Bajram Hitaj mësova se: “Si pilot, Niko ishte trim e guximtar. Ai ishte njeri i besës, tolerant e dashamirës. Nuk mbante mëri e nuk e njihte hakmarrjen“. Batja rrëfeu dhe një rast, nga marrëdhëniet e tij me kolonelin.” Në një rast, kur po bënim shikim rreshtor, unë nuk e kisha aq të bardhë këmishën; Niko më bëri vërejtje, por pa dashje më ofendoi. Iu kundërvura me thënien: ”Shoku major, për këtë ofendim, unë ndahem me vrasje”. Kaq duhej, shikimi rreshtor u prish e njerëzit u shpërndanë. Komandanti vajti në zyrë e ndezi një cigare. Ai dërgoi një oficer, e më thirri. Shkova në zyrë e iu paraqita ushtarakisht. Koloneli, u ngrit, në këmbë e më tha: Unë, për këtë mund të bëj autokritikë, para rreshtit, por ti, Bajram Hitaj, me këtë që më bëre, më ke dhënë një mësim të madh, për tërë jetën, si ushtarak. E lamë me kaq; dolëm në shkallë, ndezëm nga një cigare dhe shtabi na pa të pajtuar. Pas kësaj, nuk më mbajti mëri. ”

Koloneli i donte aq shumë aviacionin dhe fluturimin edhe për arsyen e thjeshtë se ai, vetë, e themeloi, e organizoi dhe e drejtoi aviacionin shqiptar, qysh nga fillimet e tij. Në vitin 1951 Niko Hoxha, organizoi në aerodromin e Laprakës, skuadriljen e parë të aviacionit shqiptar, me aeroplanë të mbetur nga Lufta e Dytë Botërore dhe mblodhi e futi në fluturim pilotë të shkollave të ndryshme, të kthyer nga Jugosllavia e nga Bashkimi Sovjetik. Për meritë të Niko Hoxhës u formua, u organizua dhe u vu në udhë të mbarë stërvitja ajrore e regjimentit të aviacionit gjuajtës-bombardues në qytetin “Stalin“, në vitin 1954. Me iniciativën dhe këmbënguljen e kolonelit u çel, e para shkollë për pilotë, në vitin 1958, me dy skuadrilje; njerën me helikë e tjetrën me aeroplanë reaktivë MIG-15. Ja si e kujton hapjen e shkollës së parë të aviacionit shqiptar, ish kursanti i kësaj shkolle, veterani Bahri Meshau, nga Bubësi i Përmetit: “Niko Hoxha ishte i lindur për ushtarak. Si komandant, të vlerësonte siç e meritoje dhe nuk të shiste, në asnjë rrethanë. Niko shkonte shpesh, pasditeve, tek ushtarët, e ata i mblidheshin atij, si bleta luleve. Ditëve të diela, kur të tjerët bënin pushim, qëndronte 2-3 orë, me pilotët e gatshëm e bisedonte me ta. Në vitin 1960, kur Niko Hoxha ishte komandant i regjimentit në qytetin “Stalin” kishte në vartësi dy skuadrilje, të cilat mësonin kursantë për pilotë, njërën në Pishporo, tjetrën në qytetin “Stalin”. Koloneli shkonte tek të dyja skuadriljet, jo për ti parë, por për të fluturuar, me instruktorët dhe me kursantët. Ai nuk të ofendonte kurrë, edhe kur të gjente në gabim. Me shaka, dikujt i thoshte: “qurrash”, ose “i ke brekët nëpër këmbë”. Me kursantët sillej mirë, si shok. Një tjetër pilot veteran, Bardhyl Lubonja, i cili sot jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më telefonoi nga Bostoni e më tha: “Kam qenë kursant, për pilot, në vitin 1960, në qytetin “Stalin“ e Niko Hoxha, mbasi më kontrolloi në ajër, u bind që unë mund ta drejtoja i vetëm aeroplanin, firmosi e unë u ngrita vetëm, në ajër, për herë të parë. Komandanti ndiqte vazhdimisht aktivitetet tona sportive. Në regjimentin e Rinasit na vinte shpesh pasditeve, veshur me një kostum sportiv, me ngjyrë të verdhë dhe luante lojëra të ndryshme, së bashku me ne pilotët e rinj beqarë”.

Në jetën e shkurtër të Niko Hoxhës, si komandant ushtarak e si pilot, spikatin disa momente në të cilët ai është shfaqur protagonist e ka vepruar si lider i vërtetë. Pa iniciativën e tij nuk do të ishte çelur e rihapur, pas një ndërprerje, as shkolla e aviacionit që përgatiti pilotë. Pikërisht me vendosmërinë dhe këmbënguljen e Kolonelit, dhe me kompetencën e nën përgjegjësinë e tij, si pilot guximtar e i kualifikuar u mundësua rifillimi i fluturimeve në aerodromin fushor të Pishporos, në verën e vitit 1960, pas katastrofës ajrore ku gjeti vdekjen kursanti nga Boboshtica Jovan Kaçori. Komandant Niko u gëzua shumë kur rifilluan fluturimet me kursantët, pas asaj traume që kaluan por u dëshpërua mjaft kur, në ditën e parë të këtij rifillimi, kursanti për pilot Petraq Qafëzezi, nga Kolonja, në një fluturim pilotazhi, në zonë, ra në një pozicion të vështirë e për pasojë braktisi aeroplanin me katapultë. Pas kësaj ngjarje e cila ishte e jashtëzakonshme dhe e mbarsur me rreziqe për jetën e pilotit (avioni i braktisur prej tij u shkatërrua plotësisht nga përplasja me tokën), shkolla e aviacionit u mbyll e kursantët u dërguan për të vijuar stërvitjen ajrore në Bashkimin Sovjetik. Kjo ishte një goditje e madhe për aviacionin shqiptar, i cili po mëkëmbej dhe për vetë kolonelin që e kishte aq për zemër.

Në vitin 1958, kur koloneli ishte komandant i regjimentit të aviacionit, në qytetin “Stalin”, një grup pilotësh, më të përparuarit, dërguan në Bashkimin Sovjetik, për të përvetësuar aeroplanin supersonik, me dy motorë reaktivë, të pajisur me raketa të drejtuara ajër-ajër, MiG-19 PM. Ky avion, për kohën ishte nga më të sofistikuarit. Grupit të pilotëve nga Shqipëria që shkuan për specializim u takoi të përballeshin e të kapërcenin, më tepër me guxim e kurajë sa me nivele e shkallë kualifikimi disa vështirësi të rritjes, të cilat nuk i kishin kolegët e tyre të vendeve të tjera, të Lindjes. Niko Hoxhës, edhe ne ketë rast i takoi të mbante mbi supe, një barrë të rendë. Ai përzgjodhi, me shumë kujdes e përgjegjësi listën e pilotëve që do të bënin kalimin në avionin e ri dhe me pilotët që mbetën në regjiment i duhej të siguronte gatishmërinë luftarake dhe të punonte për rritjen e nivelit dhe të aftësive të tyre. Koloneli programoi, organizoi e drejtoi, personalisht stërvitjen ajrore të pilotëve të mbetur dhe brenda vitit (kohë në të cilën grupi i pilotëve të kualifikimit ndodhej në Bashkimin Sovjetik) arriti me ta nivelet më të përparuar të regjimentit. Kësisoj, Niko Hoxha, i njohur për iniciativë e kompetence, u ndesh me më të vështirën dhe e mposhti atë, duke thyer njëherazi koncepte e prirje frenuese.

Nëse lexuesi më lejon, do të shpreh një opinion disi të avancuar. Niko Hoxha, duke bërë trimërinë e radhës, kaloi “provën e zjarrit” kur u çua në ajër me një aeroplan reaktiv të furnizuar me karburant të prodhuar në uzinat shqiptare. Fitorja në këtë rast matej me rritjen e autonomisë të aviacionit tonë. Fluturimet, tashmë nuk do të vareshin nga importi i karburantit, prej Bashkimit Sovjetik, avionët do të ngriheshin në ajër falë cilësive të larta të karburantit tonë i cili ishte edhe më i sigurtë.

Vlerë më vete përbën iniciativa dhe këmbëngulja e komandantit për kualifikimin e pilotëve. Ndoshta nuk do të kishim në Shqipëri pilotë të klasit të parë, pa praninë e këtyre vlerave, të cilat ishin të mishëruara tek koloneli ynë trim. Dy grupe pilotësh u programuan dhe realizuan fluturimet për të marrë klasin e parë të pilotit ushtarak. Njëri nga grupet e piloteve që morën klasin e parë ishte në Qytetin “Stalin” dhe tjetri, në aerodromin e vështirë të Rinasit. Nuk është e rastit, që, në të dy rastet, komandant regjimenti ishte komandant Niko. Pas tij, edhe pse kuadrot drejtues të reparteve ishin në nivele të përparuar e cilësitë e pilotëve, pak kishin ndryshuar, askush nuk e mori iniciativën të organizonte fluturime për klasin e parë të pilotit. Rënia e kolonelit, në krye të detyrës, në një moshë pjekurie e frenoi e i solli dëm të madh luftës për kualifikimin e pilotëve. Një pilot apo një grup pilotësh i futen udhës së vështirë të kualifikimit profesional kur shikojnë që janë të prirë nga gjigandë të tillë, si Niko Hoxha, tek i cili ishin si të qepura fort me njëra – tjetrën trimëria, guximi, shpirti nismëtar, këmbëngulja, vendosmëria dhe sidomos udhëheqja me shembullin vetjak. Kur këtyre cilësive u shtohet dhe aftësia e rrallë organizuese e drejtuese, siç ishin të mëshiruara tek koloneli, atëherë arritjet janë të sigurta e kualifikimi i pilotëve rritet paprerë. Niko Hoxha, me besim tek të rinjtë, me kurajë, përfshiu në grupin e kualifikimit për të përvetësuar avionin e sofistikuar MIG-19 PM, pilotë të sapoardhur nga shkolla e aviacionit si Guri Merkaj, Agron Daci, Besnik Shahi e Andrea Toli. Vështirësia e kësaj pune qëndronte në faktin se ata nuk kishin numrin e orëve të nevojshme në ajër për të mundësuar kalimin në aeroplanë më të modernizuar.

Komandant Niko Hoxha, nuk ishte mik vetëm i pilotëve, por ai donte, respektonte e u qëndronte afër dhe teknikëve, specialistëve dhe ushtarëve, të cilëve u qante hallet e i ndihmonte për të kaluar vështirësitë, pa fodullëk e pa qibër. Tekniku i aviacionit, pensionisti Sulo Gorica, njëri nga teknikët që ka shfrytëzuar më gjatë avionët modernë MIG-19 PM, madje ka qenë dhe teknik i aeroplanit me të cilin fluturonte shpesh koloneli, në një bisedë telefonike, më tha: “. . . Niko vinte në aerodrom shpejt, kur ne nuk i kishim hapur ende avionët. Na gjente duke punuar e na thoshte, me shaka: ”Akoma nuk i keni hapur avionët, ju gjumashë?”. Vendoste për të fluturuar atë ditë dhe organizonte punën, për të zbatuar detyrën e ditës. Pinte shumë duhan. I pëlqenin cigaret “Partizani”, nga të shtrenjtët. Kur pushonim, më thërriste e unë i afrohesha, me drojë, por ai më çlironte nga emocionet, duke më rrëfyer histori e ngjarje interesante, me humor, shtruar e me gjuhë të pastër. Pinim duhan, të dy dhe bisedonim, si shokë të mirë “. Në të njëjtin “akord” ishte dhe inxhinieri i aviacionit, pensionisti Xhevair Shega. “Kur ndodheshim në “start”, e prisnim radhën e fluturimeve të natës, ose ishim në pritje të përmirësimit të kushteve të motit – kujton Xhevairi – Niko qendronte me teknikët e specialistet e aviacionit, në “zonën” e parë. . . bënte biseda të lira e interesante me ne dhe na trajtonte si të barabartë”. Janë të panumërt episodet që rrëfejnë njerëzit, të cilët kanë punuar e jetuar në kohën e Niko Hoxhës, ose që kanë qenë pranë tij. Edhe nga ky fakt i thjeshtë, më jepet mundësia të arrij në përfundimin se koloneli Niko Hoxha, me punën dhe sjelljen e tij u kthye në një pikë referimi, ose siç më tha veterani i aviacionit, piloti i klasit të parë Çobo Skënderi;” Niko Hoxha ishte fati i aviacionit shqiptar”. Është kjo arsyeja që më bëri të ndihem ngushtë në përzgjedhjen e tërë atyre “perlave” që dëgjova këto ditë, për kolonelin. Kë të zë e kë të lë? Njëri rrëfim është më i bukur se tjetri; zaten “perlat” njëlloj janë të bukura.

Më bëri goxha përshtypje rrëfimi i gjatë e plot fakte interesante i Osman Bozhiqit, specialistit të aviacionit, i cili e mban mend veten, gjithë jetën, me kaçavidë në dorë, duke pyetur pilotët që uleshin nga ajri për gjendjen teknike të avionit “të tyre”. Osmani, prej kohësh e ka dëgjimin të dobët. Zhurmat e motorëve të aeroplanëve reaktivë që ka shfrytëzuar, për një kohë të gjatë, ndoshta kanë ndikimin e tyre në këtë histori. Për të biseduar e për t’u marrë vesh, me zë të lartë, shfrytëzuam një bilardo, pa klientë, në Tiranë të Re. Midis shumë fakteve, Osmani nënvizoi: “. . . Koloneli kishte respekt për njeriun. . . Ai të kritikonte për të zbatuar detyrat, jo për çështje personale. . . secilit i jepte atë që i takonte. Niko Hoxha ishte pasqyrë e ndritur, në të gjithë drejtimet. . . Niko i respektonte njëlloj si pilotët ashtu edhe teknikët e specialistët. Niko, si pilot fluturonte me të gjithë avionët MIG 15 Bis që dispononte regjimenti (bëhet fjalë për parkun e avionëve që kishte regjimenti i aviacionit në qytetin “Stalin”, në vitet 1954 – 1961) dhe nuk kishte një aeroplan të caktuar, si dikush. . . atë që dinte vetë, Niko ua jepte, me mish e me shpirt, gjithë pilotëve të tjerë. Kur ishte komandant Niko Hoxha, në qytetin “Stalin”, kishte fluturime ditën, natën, në re, në të gjithë kushtet e motit. Buçiste regjimenti, nga zhurma e avionëve dhe nga puna e njerëzve në tokë. I gjithë aerodromi ishte në lëvizje e gumëzhinte, si koshere bletësh”.

Kur them se Niko Hoxha “eka marrë për dore “aviacionin shqiptar, këtë përfundim nuk e kam fare të pabazuar. Po të kisha aftësinë dhe mundësinë praktike për ti “qepur” në një të gjitha rrëfimet dhe kujtimet e aviatorëve, me të cilët jam takuar e kam biseduar këto ditë, me siguri do të ma përligjnin këtë përfundim. Gëzdar Veipi, një nga pilotët më cilësorë të aviacionit shqiptar, e ka dashur shumë dhe e ka patur idhull Niko Hoxhën (se mos vetëm ai), duke më rrëfyer për punën e përbashkët të tij, me kolonelin, më tha: “. . . Ai e ndiqte stërvitjen hap pas hapi. Niko kishte aftësinë për ta kapur problemin dhe merrte vendim shpejt, në kohën e duhur. Nivelin teorik e kishte të mirë, qëndronte më lart nga kolegët e tij. . . ”. Sikur ta kishin bërë me fjalë ,të njëjtën gjë më rrëfeu dhe piloti në pension Serafin Shegani, njëri nga pilotët më jetëgjatë në aeroplanët supersonikë MiG-19. Duke u përpjekur të portretizojë cilësitë luftarake të kolonelit, Serafini, me një shqipe letrare, të llastuar me theks pogradecari, vuri në dukje: “. . . Pa kontributin e Nikos, nuk do të kishte marrë atë zhvillim aviacioni shqiptar. Karakteristikë e veçantë e Niko Hoxhës ishte udhëheqja kudo e kurdoherë me shembullin personal. . . . Ai ishte në ballë të aksionit të fluturimit. Niko kishte dëshirë dhe e realizonte, të ndodhej në formacionet luftarake ku zgjidheshin detyra ajrore taktike. Donte të fluturonte në të gjithë tipat e avionëve që dispononte regjimenti. Nuk linte njeri ti dilte përpara Niko Hoxha”. Edhe pa e thënë me fjalë, kuptohet serioziteti me të cilin i çmonte komandanti detyrat ajrore, të cilat ishin më të vështirat e më delikatet. Sedërli i madh ishte koloneli ynë i dashur.

Kolonel Niko Hoxha ishte njeri me kulturë të gjerë dhe dëshmonte aftësi të rralla organizative e drejtuese. Këto, shtojmë dhe guximin e iniciativën, të marra së bashku e vinin atë në krye të punëve e në ballë të situatave. Niko Hoxha, njëherazi ishte dhe një metodist mjaft i mirë. Ai e drejtoi aviacionin shqiptar në disa etapa të vështira e delikate. Në prag të viteve ’50 të shekullit të kaluar, kolonel Niko (atëherë mbante gradën e majorit të aviacionit) u vu në krye të punëve për organizimin dhe kompletimin e repartit të parë të aviacionit shqiptar, në Laprakë. Ai grumbulloi, në një skuadrilje, pilotët “e mbledhur“ e i futi ata në procesin e një stërvitje ajrore të bazuar në njohuri shkencore. Me vështirësi koloneli realizoi kalimin e këtyre pilotëve në aeroplanët e lehtë, me helikë, të tipit JAK-9 P, i cili, për hir të së vërtetës ishte mjaft tekanjoz, sidomos në ulje.

Kur në vendin tonë erdhi teknika fluturuese reaktive MIG-15 Bis, kolonelit iu desh të vihej në krye të një aksioni tjetër, jo dhe aq të lehtë. Pilotët dhe teknikët e specialistet duhet të përvetësonin shfrytëzimin, në tokë e në ajër të një teknike të re, të panjohur deri atëherë. Ishte e vështirë teknika e re MiG-15 Bis për shkak të teknologjisë të avancuar, mbi të cilën ishte bazuar projektimi dhe realizimi i saj. Kolonelit iu besua ngritja e të parit regjiment aviacioni, të pajisur me aeroplanë reaktivë. Nuk ishte e lehtë të organizoje e drejtoje një regjiment të ri, me pilotë, teknikë e specialiste të shkollave e niveleve të ndryshëm, të kthyer nga Jugosllavia e të ardhur nga Bashkimi Sovjetik, disa nga të cilët nuk ishin pa probleme. Më pas kolonelit i takoi “ti vinte shpatullat” procesit të përballimit të bllokadës që na bënë sovjetikët, e cila, në aviacion pati ndikime të fuqishme. Në ato kushte të vështirë, Niko Hoxha u vu në krye të punëve për të sjellë në Shqipëri, për herë të parë aeroplanët modernë, të shpejtësive mbizanore, të pajisur me armatim të sofistikuar MIG-19 PM. Piloti në pension Roland Sofroni, i cili ka drejtuar disa grupe kalimi në avionët MIG-19 S, edhe pse u tregua diçka i rezervuar për të dhënë opinione, përmes “dritares“që i lejon gjendja shëndetësore, kur erdhi fjala për të kujtuar kolonelin tha: “Niko Hoxha, si komandant, të jepte atë që meritoje. Ai nuk ta hante hakun. Niko kishte njohuri teorike dhe taktike mjaft të mira. Kur zbërthente e shpjegonte veprimet taktike dhe elementët e fluturimit, ishte i saktë. Si udhëheqës fluturimi, Niko Hoxha ishte i përsosur e gjakftohtë. . . Ai ishte dhe një metodist shumë i mirë”.

Iniciativa, guximi dhe trimëria e pilotit, janë ata elementë të domosdoshëm, të cilët vendosin suksesin e fluturimit. Koloneli i mishëronte më së miri këto cilësi dhe duke qenë i tillë, ai, jo vetëm ua doli me sukses detyrave të vështira ajrore, por hera herës, duke rrezikuar nga vetja, sfidoi edhe kushtet e motit e doli fitimtar mbi to. Piloti Çobo Skënderi më tregoi një rast të kësaj natyre: “Një natë – tregon Çobo – fluturonte regjimenti i Rinasit. Nata ishte e errët e shikimi horizontal mjaft i dobët. Enver Hoxha, i telefonoi Beqir Ballukut (në atë kohë Ministër i Mbrojtjes) dhe e pyeti: “kush fluturon sonte”. “Fluturon Rinasi “, u përgjigj Beqir Balluku. Më tej Enver Hoxha vazhdoi: “dal në balkon, me sy hapët –”xëc”, mbyll sytë – prapë “xëc”. “Këtë e di Niko Hoxha, u përgjigj Ministri i Mbrojtjes. Ndërhyri Enveri: “Qenka i jashtëzakonshëm”! Dhe Beqiri u përgjigj :” Ashtu është, shoku Komandant “(Enver Hoxha ishte Komandant Suprem i Forcave të Armatosura). I tillë ishte koloneli, i veçantë, jo si gjithë të tjerët. Këtë avantazh të tij e njihnin dhe e pranonin dhe në udhëheqjen e lartë të partisë e të shtetit shqiptar. Niko Hoxha ishte një prijës legjendar, i lindur për të qenë në ballë, jo në bisht të situatave. Koloneli ishte trim dhe trimat i donte e i respektonte. Si ushtarak, komandant Niko ishte mjaft i rregullt, i rreptë, i drejtë e i urtë. Disa specifika të teknikës së pilotimit, të cilat paraqiteshin të vështira në zbatim, ai i provonte vetë, më parë, në ajër, pastaj ua vinte detyrë vartësve. I tillë ishte fluturimi dhe ulja e aeroplanit, nga kthesa e katërt, me motor të fikur. Dikush nga pilotët, i cili e kishte vrojtuar me kujdes këtë manovër të komandanti dhe kishte pikasur “hilenë”, një ditë guxoi e i tha :” Shoku kolonel, përse vjen tek kthesa e katërt në lartësinë 900 metra e me profil të thellë kurse ne vijmë në lartësinë 400 metra dhe e kemi profilin normal”? Komandanti, më pa vrenjtur dhe reagoi ndaj pyetjes time: “E pastaj”? Përfitova nga rrethana që ishte ulur dhe mora guximin e u shpreha: “Ti vjen në ulje me motor të fikur”! I kisha rënë në të. Niko reagoi menjëherë dhe miqësisht – shtoi Çobo Skënderi- “Rregullorja e ka, të tjerët (pilotët e shteteve të tjerë) e bëjnë, po ne, shqiptarët, përse të mos ta provojmë”? mund të themi, pa patur frikë se mos gabojmë se koloneli sakrifikonte e rrezikonte, duke provuar më parë vetë, manovrat e reja, pastaj ua mësonte atyre që kishte në vartësi. Komandant Niko Hoxha ishte pilot trim, sedërmadh dhe ka mundësi të jetë vrarë nga sedra me motiv për të mbajtur fjalën e dhënë. Se atë që e thoshte, ai burrë e bënte. Veterani Koço Andoni, një nga pionierët e aviacionit shqiptar, kur bisedova me të, në një kohë e vend të papërshtatshëm për moshën dhe shëndetin e tij (në rrugë, në këmbë, në mes të vapës të këtij korriku), mbasi më numëroi mjaft cilësi të mira të Niko Hoxhës, si pilot e si komandant theksoi: “Atë ditë (bëhet fjalë për ditën e ngjarjes së jashtëzakonshme), nuk kishte përse të bënte qitje vetë Niko. Çdo pilot që të caktohej mund ta realizonte qitjen, me sukses, por ai si sedërli që ishte donte të kthente në vepër atë që u kishte thënë me fjalë oficerëve të Akademisë Ushtarake”. Nuk kanë të sosur vlerësimet për kolonelin tonë, për heroin e dashuruar pas ajrit, Niko Selman Hoxha. Ata që do të marrin mundimin ta lexojnë këtë shkrim, besoj do të më mirëkuptojnë e do të më ndiejnëq ë nuk kam mundur ti shkruaj gjithë çka më thanë shokët e të gjitha ato që më urdhëron zemra ime. I sigurt se shumë të tjerë, dashamirë të aviacionit e vlerësues të veprës që na la pas koloneli, me penë “më të hollë” do ta plotësojnë boshllëkun që kam lënë unë, në këtë drejtim.

Pritni pak, kam dhe disa të pathëna, nuk u kam rrëfyer më kryesoren; Niko Hoxhën – njeri. Zaten, siç thotë një fjalë e urtë e popullit tonë : “ëmbëlsira, në fund”. E thënë ndryshe Niko Hoxha ishte njeri ; jo perëndi. Shtoj, pa merak se do të më kritikojnë se koloneli ishte njeri, i njerëzishëm, jo i bezdisshëm. E njerëzishmja e atij burri shfaqej dukshëm në çdo hap e në të gjithë jetën e tij. Komandanti sakrifikonte nga vetja, për të ndihmuar të tjerët. Koloneli i njihte, nga afër, jo vetëm pilotët, për të cilët ushqente një dashuri e kujdes të pamat, por dhe kuadrot e tjerë, ushtarët, punonjësit civilë e këdo që ishte pranë tij.

Si psikolog i mirë, Niko Hoxha dinte të depërtonte tek bota e vartësve dhe tek hallet e njerëzve dhe vihej aktivisht ne funksion të zgjidhjes së tyre. Ai ishte zemërmirë dhe dashamirë. ” Një ushtar, nga Veriu i vendit, qëndronte veç nga shokët, i mërzitur, i menduar e shpesh i hutuar. Siç tregon Gezdar Veipi, koloneli, e vuri re këtë dhe me terezi, natyrshëm iu afrua djaloshit, u ul pranë tij, si rastësisht e ia nisi një bisede të lirë, me të, siç dinte të futej në bisedë Niko. Ushtari i hapi zemrën komandantit e i tregoi shkakun e mërzitisë të tij. Njëzetvjeçari kishte rënë në dashuri, me një vajzë, në fshatin e tij por familjet nuk e kishin miratuar martesën e dy të dashuruarve. Të nesërmen e asaj dite, koloneli, mori ushtarin në makinën e repartit dhe së bashku me të udhëtoi drejt malësisë. Takoi familjarët e të rinjve dhe të tjerë njerëz të cilëve u dëgjohej fjala, në fshat, arriti marrëveshjen, e la ushtarin disa ditë në familje dhe u kthye i gëzuar në repart. Pas disa ditësh, ushtari u kthye nga leja “i tjetërsuar”. Se mos është i vetmi rast ky? Niko Hoxha i “peshonte” hallet e njerëzve me peshoren e logjikës së shëndoshë e me zemrën e drithëruar të një prindi të dhimbsur.

Në vitet ’60 të shekullit të kaluar, në regjimentin e aviacionit të qytetit “Stalin”, u krijua një situatë e vështirë për strehimin e familjeve të oficerëve dhe punonjësve të repartit. Regjimenti ishte i ri dhe kuadrot që e përbënin ishin me moshë të re. Shumë prej tyre ishin martuar rishtas e kërkonin shtëpi. Në ato vite ishte në “modë” strehimi i familjeve në hyrje të përbashkët. Në këto raste dy familje merrnin nga një dhomë dhe shfrytëzonin së bashku kuzhinën. Komanda e regjimentit ishte në hall të madh, kujt t’ia prishte e kujt t’ia ndreqte? Të gjithë ishin hallexhinj.

Tekniku i aeroplanëve, pensionisti Ismail Harizaj, e kujton kështu këtë situatë: “Në dispozicion të komandës së regjimentit u vu një banesë prej një dhomë e gjysmë kuzhine; ajo duhej ndarë. Kërkesë për strehim kishin bërë 25 kuadro dhe punonjës. Kuptohet sa të vështirë e kishte komanda e regjimentit ta ndante këtë kontingjent. Niko Hoxha trokiti në çdo familje të atyre që kishin bërë kërkesë. Për të parë, nga afër ku e si jetonin oficerët dhe familjet e tyre. Erdhi dhe në shtëpinë time. Pa motrën, të rritur e më pyeti: ”Po këtë, çfarë e ke”?” Eshtë motra, i thashë, e kam në ngarkim”. U afrua tek tenxherja me gjellë, që po vlonte, hapi kapakun dhe pyeti gruan time: ”Çfarë i ke bërë Ismailit, për të ngrënë?” Këtë sondazh komandanti e bëri në çdo familje. U ndanë shtëpitë dhe u vendos që atë sipërfaqe banimi ta merrja unë. U gëzova unë, gëzuan dhe anëtarët e tjerë të familjes. Më në fund do të merrnim frymë pak më lirë. Në mbledhjen ku u shpall vendimi i komandës, dikush nga hallexhinjtë, si puna ime, reagoi kundra, me shpirt, i dhashë të drejtë. Niko e dëgjoi, u mendua pak dhe tha: “Kur të flerë djali yt me nusen, ti mund të mbulosh kokën, që të mos ta shikosh, por motra e Ismailit nuk e bën dot këtë gjë”. E bindi argumenti oficerin ankimtar e ai, pas kësaj nuk u ndie më. Ndodhte që ndonjë avion të kishte defekt. Punonim me orë të zgjatura për likuidimin e defektit, pa shkuar në familje, as për të ngrënë. Niko qëndronte aty, tok me ne, sa të likuidohej defekti teknik . Për të na krijuar lehtësi neve teknikëve e specialistëve që punonim, dërgonte makinën e repartit shtëpi më shtëpi e na sillte ushqimin“. Ndoshta atij njeriu, i cili i kishte në shkallën më të lartë, si kujdesin për njerëzit dhe kërkesën e llogarisë për zbatimin e detyrave, mund ti shkonte bukur për shtat përcaktimi: ”njerëzor, i rreptë”.

Koloneli i përcillte situatat, me korrektesë e ishte rigoroz në vendimet që merrte. Kur ishte fjala për të zbatuar rregulloret ushtarake e ato teknike Niko Hoxha nuk të falte. Kur ai ishte ulur, me të mund të bisedoje lirshëm, si shok, ama, sapo ngrihej në këmbë, ai shndërrohej në zgalem e me të mund të komunikoje vetëm me “urdhëro”! “si urdhëron”, me gjuhën e rregulloreve. Pensionisti Pajtim Elmazi, i cili, në vitet 1962-1965 ka kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në regjimentin e Rinasit dhe e ka njohur kolonelin nga pozitat e ushtarit kujton: ”një të hënë, si në çdo ditë të tillë të javës, regjimenti ishte në shikim rreshtor. Komandanti bënte kontroll personalisht, duke kaluar nga nënreparti në repart. Kur erdhi përpara meje, urdhëroi: “ushtar (nuk ma dinte emrin), dy hapa para!”. Përmenda mbiemrin, u paraqita ushtarakisht dhe zbatova urdhrin e tij, dola dy hapa përpara shokëve. Urdhrat nga koloneli s’kishin të sosur.” Gjimnastorkë zbërthe!” ishte urdhri që pasoi. E zbatova urdhrin përsëri dhe koloneli pa qaforen time të bardhë. Vura re një kënaqësi të lehtë në sytë e tij. Pastaj më dha urdhër të heq këpucën e majtë e më pas të hap çantën e shpinës. I pa e i gjeti të gjitha pajisjet individuale të mijat në rregull, i erdhi mirë që unë isha konform rregullores së disiplinës dhe aty për aty i dha urdhër komandantit tim: “dërgoje ushtarin shtatë ditë, me leje shpërblim, pranë familjes!” U hutova por më zuri veshi përgjigjen e prerë të komandantit tim: “si urdhëron shoku komandant i regjimentit!”. Kjo që ndodhi, më ngrohu e më gëzoi. Nuk e di përse mendova se e kisha rregulluar me kolonelin, vajta në familje e u ktheva në kohë. Por fati nuk më ndihmoi në një rast tjetër. Nuk thonë kot se dardha e ka bishtin prapa.

Pa kaluar shumë kohë, koloneli erdhi në thirrjen e mbrëmjes, të cilën e bënim çdo natë. U bë apeli. Unë, së bashku me disa shokë kishim shkuar për të parë një film, në repartin fqinjë. U lexua emri e unë nuk isha aty. M’i thërrisni, urdhëroi koloneli e ne u gjendëm përpara tij, si të zënë në faj. Më njohu dhe urdhëroi komandantin tim: “Jepi shtatë ditë ndalim disiplinor”. Më hoqën kapelën, rripin e mesit, lidhëset e këpucëve e më çuan në dhomën e izolimit, e cila ndodhej në truprojë. Duhet të flija mbi disa dërrasa, pa shtrojë e pa mbulojë. E kisha për herë të parë, nuk më zuri gjumi. Pas mesnate erdhi koloneli, më gjeti zgjuar e më pyeti: “po ti melun, përse nuk fle?” Nuk i fola por tregova me kokë kushtet. Ai urdhëroi oficerin e rojës të më çonte në fjetinë, në krevatin tim. Nga të dyja ndodhitë mësova shumë. Komandant Niko, siç i zbatonte vetë rregulloret, kërkonte që dhe vartësit e tij të bënin të njëjtën gjë”.

Me Niko Hoxhën, asnjeri nuk mund të bënte kompromis, në kurriz të rregulloreve. Për Niko Hoxhën, motoja e punës ishte: ”Bëni si bëj unë e hajde ta bëjmë së bashku”. Hipokrizinë dhe servilizmin, koloneli nuk i njihte, gjithashtu as punën për t’u dukur. Mburravecët dhe “kaposhët kokëboshë” Niko Hoxha i kishte inat. Piloti veteran nga Starja e Kolonjës Haki Jupasi, kur flet për ekzigjencën e Nikos ndaj disiplinës ushtarake dhe asaj teknike kujton: “Në marrëdhënie në repart, me Nikon mund të komunikoje vetëm me :”urdhëro” e “si urdhëron”. Në mjedise shoqërore, ai të bëhej shoku më i afërt. Niko, me tregimet e tij të pashtershme bëhej qendra e muhabetit”. Më kujtohet fare mirë kur koloneli vinte pasditeve në repart, për të luajtur volejboll, sport të cilin e kishte shumë për zemër. Komandanti ishte shtatlartë e i shkathët. Kishte qejf të gjuante dhe parakrahu i tij, kur çohej për të gjuajtur topin, dilte mbi rrjetë. Kishte qejf që në ekipin e tij të ishte Kosta Dede, Anastas Ngjela, Sulo Gorica e të tjerë truplartë, si ai. Koloneli luante dhe futboll. Në Valias, ku banonte së bashku me familjen, ai bënte pjesë në ekipin e qytezës dhe luante kundër ekipit të fermës së Kamzës. Ai, në lojë ishte tepër korrekt e i thjeshtë e nuk e dalloje dot nga lojtarët e tjerë. E kujtoj dhe si futej mes oficerëve e ushtarëve të regjimentit për të mbledhur misrin që kishte mbjellë në aerodrom ekonomia ndihmëse e regjimentit.

Niko Hoxha kishte shoqëri të gjerë e kudo, por atë nuk e shikoje kurrë të qëndronte klubeve, të ulur pranë gotës me alkool, me orë të tëra, si të tjerë. Koloneli nuk ishte as lamash, as qelepirxhi. Tek ai “gjella ishte me kripë dhe kripa me karar”. Siç e kujton kolonelin veterani i aviacionit Osman Bozhiqi “Me Niko Hoxhën kam punuar në një repart e në të njëjtin aerodrom, por afërsi nuk kemi patur. Hierarkia ushtarake na kishte distancuar. Por Nikon e kishe në familje, si në gëzime dhe në raste fatkeqe. Ai nuk vinte re nëse shkonte për vizitë në familjen e një ushtari, punëtori, kapteri, nëntogeri apo më lart. Për atë, të gjithë ishin të njëllojtë. Çdo njeriu i gjendej pranë dhe e ndihmonte me gjithë shpirt “. Më tej Osmani theksoi:” Kur të gjente në gabim, Niko Hoxha nuk të bërtiste kurrë, në rrugë por të thërriste në zyrë, veç të tjerëve, ti thoshte ato që kishte, në fytyrë e të kërkonte llogari. Ai secilit i jepte hakun”.

Kolonel Niko Hoxha kishte një zakon të veçantë, të cilin nuk e praktikonin të tjerët. Në ditë feste e në gëzime, ai ftonte në familjen e tij, kuadro të ndryshëm, natyrisht, të dalluar, për të drekuar apo darkuar, së bashku me ta. Kjo praktikë, jo vetëm e afronte atë me njerëzit por ata, me këtë rast çliroheshin nga ajo tendosje e nga ai stres që përjetonin gjatë gjithë kohës në repart. Kjo falë mjedisit që u krijonte Niko Hoxha të ftuarve të tij. Me rastin e Vitit të Ri 1960, komandant Niko ftoi në familjen e tij, në qytetin “Stalin”, dy oficerë të rinj, pilotin Kapo Selmanaj dhe teknikun Xhevair Shega. Këtë ndodhi të rrallë, në jetën e tij, Xhevairi na e sjell kështu: “Niko doli tek porta e shtëpisë e na priti me buzëqeshje të çiltër. Ishte i veshur me uniformë civile. Neve na pëlqente ta shikonim të veshur me uniformë ushtarake, se ajo i shkonte më bukur trupit të tij azgan. Gjatë gjithë drekës na krijoi një mjedis të gëzuar e gazmor. Ishte mjaft i këndshëm. U shkri duke bërë shaka me Kapon, të cilin e njihte familjarisht. Që të mos ndihesha i mënjanuar, Niko i ruante vetë ekuilibrat. Meqenëse unë jam Kuçiot e ai kishte qenë në fshatin tim, në kohën e luftës, kur ishte partizan, bënte shaka dhe me mua e i kishte lezet humori që bënte me ne të rinjtë”. Në një rast tjetër, kur erdhi komandant i regjimentit të aviacionit në Rinas, Koloneli ftoi për drekë, në shtëpinë e tij dy nga pilotët më të dalluar të vitit. Ishte 1 janari i vitit 1964. Shansi atë ditë ishte me pilotët Anastas Ngjela e Çobo Skënderi. Ja si e kujton atë ditë Çobo Skënderi: “Dreka jepej në shtëpinë e tij, në Valias. Këtë nuk e bënte asnjeri. Unë kam qenë drejtues në repartet e aviacionit, por nuk e kam bërë këtë gjë. Atë ditë, në drekën e shtruar nga kolonel Niko Hoxha. . . ishte i pranishëm edhe vjehrri i tij, gjenerali Spiro Moisiu, ish komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë.

Niko Hoxha, me mençurinë dhe me shpirtin e tij të gjere, si “melhem” që shëronte plagët e të gjithëve. Fjala e mençur e Nikos e thënë ëmbël, në një dialekt të gjuhës Labe, të kulluar, nuk i linte “plagët “e atyre që kishte në vartësi apo thjesht të atyre që ndodheshin pranë tij, të mahiteshin por i shëronte e i përmirësonte. Ai njeri nuk e hidhte dëm, kollaj, fjalën. Fjala e kolonelit “ngjiste”, nuk “griste”.

Në qershor të vitit 1964, kur po ngrihesha, në formacion çift, me cilësinë e komandantit të formacionit, në aerodromin e Rinasit, me aeroplanin MIG-17 F, me numër anësor 227, ndërpreva ngritjen dhe si rrjedhojë e veprimeve të ngathëta, për uljen e shpejtësisë, përfundova, në një kanal kullues, në fund të brezit të sigurisë, së bashku me avionin që pilotoja. Fati im bëri që ngjarja e jashtëzakonshme të mos përfundonte në katastrofë. Siç doli nga analizat e mëvonshme, përvoja e pakët si fluturues dhe përgatitja e pamjaftueshme, në detaje, për atë detyrë ajrore, bënë atë që unë të lejoja gabime të rënda, të cilat për pak sa nuk më kushtuan jetën. Qëndrova në spital, një muaj dhe një muaj tjetër pushova në Konvaleshencën e Ushtrisë. Pas kësaj veprimtarie rehabilituese, u ktheva në repart. Atë kohë isha beqar e banoja në hotel. Një ditë koloneli erdhi në dhomën time e më gjeti aty, të vetëm. Siç e kërkonte disiplina ushtarake e siç ishte në edukatën time, u ngrita në këmbë dhe e përshëndeta “mysafirin” tim. Më befasoi e më mrekulloi sjellja e komandant Nikos. Ai, me një buzëqeshje të ëmbël e me ton mjaft shoqëror, më tha: “Niazi, gëzohem që të shikoj shëndoshë e mirë”! U gjallërova, dola nga gjendja emotive që më shkaktoi ardhja e atij “gjigandi njerëzor “dhe si i zënë në faj i ktheva përshëndetjen. Nga mënyra si mu drejtua e si më përshëndeti, koloneli më bëri me dije se nuk më kishte marrë inat e nuk më mbante mëri ,edhe pse kisha dëmtuar rëndë një aeroplan, për riparimin e të cilit u deshën 10 ditë e netë punë intensive nga forcat inxhiniero-teknike të regjimentit, nën drejtimin e tij. Për këto e të tjera cilësi të rralla me të cilat ishte gatuar koloneli, të cilat shfaqeshin çdo ditë e vazhdimisht, Niko Hoxhën e donin dhe e respektonin gjithë sa e njihnin atë njeri. Le ta shprehim këtë konsideratë me fjalët e një specialisti të thjeshtë, i cili ka punuar gjatë nën drejtimin e komandant Nikos, në regjimentin e qytetit “Stalin”. Osmani, në një bisedë mes shokësh të hershëm, më tha:” Niko Hoxha ishte njeri për së mbari. Atë e kishte gatuar zoti me të gjitha të mirat. Me njerëz të tillë hidhesh edhe në zjarr po të jetë nevoja”.

Me të dëgjuar e kam, por nuk mund ta mbaj për vete një veprim tepër human të komandantit të regjimentit të qytetit “Stalin”, Niko Hoxhës, në vitet e largët ’50 të shekullit të kaluar. Ajo që do t’u tregoj, ka të bëjë me kujdesin dhe dashurinë njerëzore të kolonelit për vartësit, pavarësisht nëse ishin pilotë, teknikë, specialistë apo të tjerë njerëz që punonin pranë tij. Ndodhinë e hershme, dikush e rrëfen si të jetuar, ndonjë tjetri ia ka ënda ta dëftejë si barsoletë. Punë e tyre, nuk u futem në pjesë. Ajo që dua të theksoj me forcë, ka të bëjë me atë shpirt human e dashuri të pamat të atij njeriu, për njerëzit. Ishte koha kur mjaft kuadro, të profileve të ndryshëm ishin në moshë optimale për të krijuar familje, por jo të gjithëve u kishte buzëqeshur fati. Një pilot i ri, i suksesshëm në detyrë e tepër simpatik, në pamjen e jashtme, ishte në siklet e nuk po “ngjiste” kollaj për t’u lidhur seriozisht me ndonjë vajzë. Kuptohet, profesioni dhe pozita shoqërore e tij, bënin që djali ynë simpatik të mos ishte fare pa pretendime lidhur me cilësitë e vajzës që synonte ta bënte nuse. Por, kandidati për dhëndër, për hir të së vërtetës nuk ishte pa të meta. Ai ishte flokërënë, e kishte kokën “zbathur”. Vajzat, kur e shikonin me kapelë në kokë, i afroheshin e miqësoheshin me të, por me ta parë pa kapelë, dmth, ta themi me fjalë më të përdorura, kur i shikonin “tullën”, largoheshin prej tij, sikur të kishte sëmundje ngjitëse. Hall i madh e kishte gjetur kolegun tonë. Kishte bërë disa herë tentativa, por kishte dalë “bosh”. Telashi nuk kishte mbetur vetëm tek ai, e vuante i gjithë efektivi i regjimentit të qytetit “Stalin “, e përjetonte i shqetësuar edhe koloneli. E mendoi thellë “gjënë” komandant Niko dhe e gjeti zgjidhjen. E thirri pilotin beqar, në zyrë e i tha: “Do të nisesh me leje, shko ku të duash e ktheu kur të kesh kryer punë, por në repart dua të të shikoj të më vish, me nuse”. Oficeri zbatoi urdhrin e komandantit dhe e gjeti nusen. Në këtë rast, si përherë koloneli gjykoi e veproi si prind i mirë. Ka të ngjarë që mbasi të kenë kaluar shumë vite të tjerë e brezi i Nikosa po ne, nxënësit e tij të mos jemi më në jetë, edhe rrëfimet tona, ashtu do të tregohen, si barsoleta e si anekdota.

Pak biografi
E kam thënë qysh në krye të herës se nuk jam biograf dhe se e kam mjaft të vështirë të hedh në letër tërë ato gjëra që duhet thënë për atë gjigand të aviacionit shqiptar. Të afërm, bashkëkohës të Nikos dhe njerëz të thjeshtë që kanë jetuar pranë tij, më kanë dhënë një ndihmë të vyer për ta bërë këtë punë. Mund të themi se pa një përshkrim të shkurtër biografik të heroit dhe jetës së tij, doemos që do të ishte e paplotë kjo “monografi” modeste. “Udhëtimin” tim, për këto radhë e nisa nga Vlora, vendlindja e heroit tonë. Krejt rastësisht, në gjysmën e qershorit të këtij viti, shkova për pushime e u vendosa në shtëpinë e mbesës të Niko Hoxhës, gjashtëdhjetëvjeçares Nurhan. Një emër i rrallë, mjaft domethënës e i rrallë njëkohësisht. Ajo është e bija e Sinan Xhuvelit, nga Tragjasi i Vlorës. Nënën e saj, koloneli e kishte vajzë xhaxhai, por, meqenëse ajo ishte rritur në shtëpinë e Selman Hoxhës, Niko e ka trajtuar si motër.

Nurhana u lumturua kur mësoi se unë kam qenë pilot dhe më rrëfeu gjëra që unë nuk i dija, për fëmijërinë dhe adoleshencën e heroit tonë, të cilin ajo, në çdo rast e quante dajë. Gruaja fisnike labe, më emocionoi e më impresionoi mjaft, kur më rrëfeu një të fshehtë të saj, të cilën ajo e ruante me fanatizëm. Rrëfimi i saj ka të bëjë me një amanet qe i ka lënë e ëma, para se të largohej nga jeta. ”Po të takosh shokë të Nikos, i kishte thënë e ëma, do ti mbash në pëllëmbë të dorës”. Një obligim i qenësishëm ky për Nurhanën por dhe një detyrim i madh për mua që kam vendosur të shkruaj diçka për kolonelin. Kjo shtysë më nevojitej për të nisur nga puna dhe ajo më erdhi papritur. Në ditët që pasuan, me ngutësi shkrova diçka për heroin dhe ia lexova fisnikes labe, burrit të saj, Bardhoshit dhe djalit të tyre njëzetvjeçar, Oltit. Teksa lexoja atë pjesë të shkrimit, në prani të tre miqve të mi të rinj, vura re se Nurhana u bë “sy e veshë”, Bardhoshi tregohej disi i mënjanuar por jo i pa interesuar. Nuk bëhet fjalë për djalin e tyre, i cili vetëm sa ka dëgjuar për dajën e nënës së tij. I dhashë fjalën asaj gruaje kapedane se do ta shpejtoj shkrimin kushtuar dajës së saj dhe se një kopje të tij do t’ia përcjell patjetër.

Niko Hoxha u lind në fshatin Tragjas të rrethit të Vlorës, në vitin 1926, nga dy prindër vendas. Familja e Selman Hoxhës dhe e nënë Havasë, në Tragjas, ishte nga familjet më të kamura e më me influencë, në fshat e në rrethina. Babai i Nikos, Selman Hoxha ishte nacionalist dhe patriot i njohur. Shtëpia ku u lind e kaloi fëmijërinë Niko Hoxha ishte një godinë e madhe, dykatëshe, me avlli të lartë e me një portë me harqe,me dy sofatë të mëdhenj, e cila ndodhej midis Orikumit të sotëm dhe fshatit Tragjas. Shtëpia e Selman Hoxhës ishte më e dukshmja në fshat dhe njihej si “Derë e Madhe”. Në atë familje gjenin strehë dhe miqësi, hynin e dilnin shumë shokë, miq e dashamirë, nga e gjithë treva. Selmani, babai i Nikos ishte burrë i zgjuar, i mençur e mjaft autoritar. Fjala dhe mendimi i Selman Hoxhës, dëgjohej e çmohej mjaft në kuvendin e burrave. Niko Hoxha, u rrit në një familje të kamur, me pekule. Që në fëmijërinë e hershme të tij, spikati zgjuarsia dhe shkathtësia e tij, e pazakonte. Me trupin që u lidh mirë e me atë shtat të hedhur, Niko, që kur ishte i vogël ,shquhej, për zgjuarsi e shkathtësi në lojërat fëminore që organizonin moshatarët e tij. Mes të mirave që gëzonte në familje, u formua e u kalit shpirtmirësia e tij dhe sedra, pa teka e heroit tonë të ardhshëm. Nënë Havaja e la të parritur të birin dhe Selmani u martua me një grua tjetër. Kushtet, në atë familje, për Nikon, akoma të pa rritur dhe për dy motrat e tij, Merjemen dhe Burbuqen si dhe për vëllanë e sëmurë, Ilminë u vështirësuan shumë. Ilmiu ishte i sëmurë nga veremi e u nda shpejt nga jeta. Pas tij u mbyt në det e motra, Merjemja, e cila ishte epileptike. Niko ishte fëmija i madh i familjes dhe tashmë i mbeti barra të kujdesej dhe për të motrën me aftësi të kufiUara, Burbuqen. Idalluar në mësime dhe i shëndetshëm, Niko u sistemua në shkollën Normale të Elbasanit kurse motrën, Burbuqen, që të mos ia linte barrë njerkës, e çoi në azile.

Në shkollën Normale të Elbasanit, Niko Hoxha nuk banonte në konvikt si nxënësit e tjerë, por me shpenzimet e familjes kishte zënë një shtëpi me qira. ”Xhepi“ i Selman Hoxhës e mbante qiranë e shtëpisë së të birit. Në shkollën Normale të Elbasanit Niko Hoxha hodhi shtat, u forcua e u burrërua dhe u formua me një edukatë të shëndoshë e me kulturë të gjerë, të cilat i manifestoi kudo e kurdoherë.

Personaliteti i spikatur i tij, u formësua e u shfaq pikërisht aty, në Normalen e Elbasanit. Qysh në rininë e hershme të Nikos student, u duk qartë pozicionimi politik i tij. I mbrujtur si atdhetar i flaktë që nga “rrënja”, Niko Hoxha, si mjaft moshatarë të tij, u prek e u fye rëndë nga pushtimi fashist i vendit. Ai shumë shpejt ra në kontakt me idetë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ishte pjesëmarrës aktiv në rrethet studentore, përparimtare të kohës, duke u bërë promotori i lëvizjes antifashiste të studentëve të shkollës Normale. Siç më tha piloti veteran Gezdar Riza Veipi, i cili e ka dashur dhe e ka respektuar shumë Niko Hoxhën: “Niko Hoxha ishte “ujk” i lëvizjes studentore në shkollën “Normale” të Elbasanit. Ai ishte agjitator i mirë e vihej në krye të protestave të studentëve kundër pushtimit fashist”.
Veprimtaria antifashiste e Niko Hoxhës shpejt ra në sy të pushtuesve e për atë u bë i pamundur qëndrimi i mëtejshëm në atë shkollë. Në rastin më të përshtatshëm, Niko, me shokë e shoqe, si ai, doli partizan e u rreshtua në Brigadën e 5 të Sulmuese ku u caktua përgjegjës rinie. Në aksionet luftarake të njësiteve ku mori pjesë, tek Niko Hoxha, i ri, spikati trimëria, guximi dhe papërmbajtja. Urrejtja që ushqente për pushtuesit dhe vala e luftës që e rrëmbeu e bënë atë një luftëtar të paepur dhe të gatshëm për të bërë sakrificën më sublime për çlirimin e Atdheut. Nëse në drejtim të tij bëhej ndonjë kritikë nga bashkëluftëtarët ajo kishte të bënte me papërnbajtjen e tij në aksione. Niko Hoxha luftonte në këmbë dhe e priste plumbin e armikut në ballë. Shokët dhe komandantët e tij i rekomandonin që kur hidhej në sulm të përdorte manovra, si shokët, jo të shkonte përpara, drejt e në këmbë.

Pas çlirimit të vendit, një pjesë e luftëtarëve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare u dërguan për të studiuar, në shkolla të ndryshme ushtarake, në Jugosllavi e në Bashkimin Sovjetik. Ish partizanët që e kishin shkelur territorin e vendit, me një pushkë në krah, duke ndjekur okupatorin dhe veglat e tij, këmba këmbës, tani që Atdheu ishte i çliruar, duhet të merrnin në duar topa, aeroplanë, tanke, anije e mjete të tjera luftarake, të kohës. Ishte koha kur Ushtria Popullore, e dalë nga lufta partizane duhej riorganizuar e pajisur me teknikë luftarake që tu përgjigjej situatave dhe detyrave të reja. Djemtë e popullit, edhe pse të pashkolluar ose me pak shkollë, por të vendosur e me zemër të zjarrtë, shprehën dëshirën dhe u ulën në bankat e auditorëve të huaj, me vendosmërinë për të përvetësuar shkencën dhe teknikën ushtarake, e cila deri atëherë nuk u kishte shkuar as në mendje. Me ndjenjën e përgjegjësisë për detyrat dhe me bekimin e familjeve të tyre adoleshentët të dalë nga lufta si fitimtare iu përveshën punës për të përvetësuar dijet e përparuara shkencore të kohës. Djemtë më të shkolluar, më të zhvilluarit fizikisht e ata me intelekt më të dukshëm u nisën udhëve të vështira të qiellit. Kjo ishte një fushë e vështirë dhe e panjohur deri atëherë në vendin tonë. Doemos, të parët që u futën në këto shtigje të panjohura ishin normalistët e Elbasanit dhe vërsnikët e tyre. Kuptohet, teknika e përparuar kërkonte dhe dije më shumë e përkushtim më të madh. Mes tyre u shquan djemtë azganë të Normales së Elbasanit “Niko Hoxha, Edip Ohri, Fari Bubësi etj dhe trimi i çartur nga Armeni i Vlorës Babaçe Imeri (Faiku).

Në udhën e qiellit u nisën dhe djem të tjerë, ish partizanë, të cilët edhe pse nuk e kishin nivelin arsimor të shokëve, ishin të provuar në sheshin e luftës për guxim e trimëri dhe e kishin syrin “me çika “. Se pilot nuk bëhesh dot po të mos jesh trim. Guximi dhe trimëria janë bashkudhëtarë të pilotit.

Nuk është vendi, as koha për të bërë evidencë, as klasifikime vlerash, veç një gjë e dua ta theksoj, madje me forcë të madhe. Djali “si shqiponjë”, nga Tragjasi i Vlorës, Niko Selman Hoxha, qysh në fillim u shqua për nivele mbi ata të shokëve të grupit, në të gjithë drejtimet. Grupin e djemve që do të studionin për aviatorë, mes të cilëve ishte dhe Niko i dërguan në shkollën e aviacionit të Pançevos, në Jugosllavi. Në shkollë ,Niko Hoxha dhe kolegët e tij përvetësuan teorinë e fluturimit dhe teknikën e pilotimit në aeroplanë me helikë të Luftës së Dytë Botërore. Në përfundim të shkollës, në aerodromin e Pançevos, Niko Hoxha u titullua oficer dhe u pajis me diplomën e pilotit. Pas prishjes së marrëdhënieve midis vendit tonë dhe Jugosllavisë, në vitin 1948, Niko Hoxha dhe shokët e tij u shpërngulën për t’u kualifikuar në aeroplanë të tjerë, në Bashkimin Sovjetik. Nikos i takoi të shkonte në Shkollën e Aviacionit të qytetit të Engelsit ku do të fluturonte në aeroplanët bombardues, me helikë PE-2. Më 12 mars të vitit 1948, Niko Hoxha, me gradën e kapitenit të dytë, ndodhej në qytetin Engels, ku nisi programin e kualifikimit.

Bashkëkohësi i Nikos, piloti në pension Bajram Hitaj, nga Kuçi i Kurveleshit, e kujton kështu atë kohë: “. . . Niko na u bë, brenda një kohe të shkurtër, shok, vëlla, prind dhe mësues. Na rrinte afër, na mësonte dhe na edukonte për jetën; se ne nuk dinim shumë gjëra. Na ndihmonte në mësime, se nuk dinim asnjë fjalë rusisht. . . na mësonte dhe si të silleshim. Qëndruam së bashku 1 vit. Ai u kthye në Shqipëri e më vonë vajti në Akademinë e Aviacionit, në Moskë, e cila ishte shkollë ku përgatiteshin drejtuesit e armëve e shërbimeve të ushtrisë. ”Gjatë vitit 1951, Niko Hoxha dhe kolegu i tij Edip Ohri, studionin në Akademinë e drejtimit të aviacionit, në Moskë. Duke ndjekur studimet akademike, në Moskë, të dy shkuan në aerodromin e qytetit të Novosibirskut (BS), ku bënë kalimin në aeroplanët gjuajtës, me helikë JAK-9P, me të cilët do të furnizohej, së shpejti, aviacioni shqiptar.

Në dallim nga kolegu i tij, Niko Hoxha ishte mjaft i apasionuar pas mësimeve teorike dhe fluturimeve praktike. Ai përpiqej të mësonte sa më shumë gjëra dhe në detaje. Kur ishte fjala për të mësuar teorinë dhe praktikën, Niko Hoxhën e dalloje menjëherë, nga përkushtimi, serioziteti dhe ekzigjenca që tregonte. Bajram Hitaj, njëri nga pilotët shqiptarë, i cili, aso kohe studionte në qytetin e Novosibirskut dhe fluturonte në aerodromin e atij qyteti e kujton kështu vajtjen e Niko Hoxhës, në aerodromin e tyre, për të kaluar në aeroplanin JAK-9P: ”. . . Kur erdhi tek ne, kërkonte të mësonte sa më shumë nga eksperienca jonë. Na pyeste për çdo gjë që dinim ne. Niko na thoshte: “më mësoni, amani!”. I tillë ishte Niko Hoxha, ekzigjent dhe modest. Deri atëherë Niko kishte fluturuar në aeroplanët PE-2, UTB-2 dhe në TU-2. Do të përvetësonte edhe aeroplanin tekanjoz JAK-9P.

Para se të dërgohej në Akademinë Komanduese, në Moskë, Niko Hoxha ishte emëruar komandant i skuadriljes me helikë, në aerodromin e Laprakës në Tiranë. Me shumë dëshirë e aftësi, ai grumbulloi pilotët dhe aeroplanët që kishin ardhur nga vende e shkolla të ndryshme dhe me ta organizoi një skuadrilje. Lexuesit të më falin për krahasimin, por mund të them se ky konglomerat avionësh e njerëzish ngjante me një thes me miell, të cilin mullisi e ka mbushur nga barrë të ndryshme. Me cilësitë individuale të tij, Niko Hoxha ia doli e fitoi edhe këtë sfidë të kohës. Përpjekjet e Niko Hoxhës e të kolegëve të tij u kurorëzuan me sukses, me ngritjen mbi qiellin e Tiranës, të aeroplanit të parë luftarak të aviacionit shqiptar, të pilotuar nga piloti i talentuar, me shumë kulturë Peço Polena, nga Korça. Pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Komandimit, në Moskë, në vitin 1952, Niko Hoxha u emërua komandant i skuadriljes të vetme në vendin tonë, të pajisur me aeroplanë gjuajtës, me helikë, të tipit JAK-9P. Në atë kohë, Niko Hoxha mbante gradën e kapitenit të parë; shpejt u gradua major. Komisar i skuadriljes u caktua kolegu i Nikos – piloti Edip Ohri. Zëvendëskomandant u emërua labi trim, me trup shtatshkurtër por i ngjeshur, Babaçe Faiku dhe shef shtabi, përmetari nga Bubësi, piloti i talentuar Fari Bubësi. Një zgjedhje e gjetur, Tre ish normalistë u ngarkuan për të drejtuar aviacionin e sapoformuar të Shqipërisë. Detyrat e rritjes ishin sa të vështira aq të panjohura. Niko Hoxha i përballoi ato me përkushtim, kompetencë, iniciativë e guxim. Trimërinë, ai burrë e kishte bashkëshoqëruese, në çdo rast e në çdo situatë.

Siç më rrëfeu Batja, i cili e ka njohur Niko Hoxhën për një kohë të gjatë:” Niko Hoxha ishte edukator e pedagog i shkëlqyer, në tokë. Në ajër ishte instruktor i mirë dhe ta diktonte mësimin e avionit me moton: ”hajde ta bëjmë bashkë e bëje vetë. . . Ai të korrigjonte me kompetencë”.

Viti 1954 solli edhe në Shqipëri “erën “e aviacionit reaktiv. Pilotët më me përvojë por dhe më me perspektivë, u dërguan në aerodromin e Groznit, në Bashkimin Sovjetik, për të përvetësuar avionin luftarak, MIG-15 BIS, i cili ishte i pajisur me një motor reaktiv. Po dilte në skenë një teknikë e re ajrore, aeroplanë me një teknologji më të avancuar, e cila mund të shfrytëzohej me kompetencë vetëm nga njerëz kompetentë, të pajisur me njohuri shkencore. Në grupin e pilotëve që u dërguan në Grozni, për kualifikim, nuk mund të mos ishte piloti guximtar e me njohuri shkencore Niko Selman Hoxha. Ai dhe kolegët e tij : Edip Ohri, Fari Bubësi, Peço Polena, Haki Jupasi, Vasil Trasha e Masar Aga studiuan dhe fluturuan, plot 9 muaj në aerodromin e Groznit (BS), deri sa përvetësuan tipin e ri të avionit, Migun 15 BIS. Kontingjenti i parë i avionëve të këtij tipi erdhi në vendin tonë, në muajin shkurt të vitit 1955, me anijen sovjetike “Obi”. Aeroplanët u montuan në aerodromin e Laprakës, në Tiranë, nga teknikë sovjetikë, të uzinës që i kishte prodhuar dhe u transportuan, me anë të ajrit, të pilotuar nga pilotë sovjetikë, në aerodromin e sapondërtuar të qytetit “Stalin”. Më pas erdhën, me të njëjtën anije, aeroplanët e skuadriljes së dytë. Këta u montuan në aerodromin e Laprakës dhe u ribazuan në aerodromin e qytetit “Stalin “nga pilotët shqiptarë që studiuan në Grozni. Ribazimi u krye më 16 qershor 1955. Atë vit, Niko Hoxha u emërua komandant i Regjimentit të parë të aviacionit gjuajtës-bombardues të qytetit “Stalin”, i cili sapo u pajis me aeroplanët reaktivë MIG-15BIS. Me talentin si organizator, me iniciativën dhe kurajën që e karakterizonin, Niko Hoxha përballoi me guxim e trimëri, dhe me mençuri vështirësitë e rritjes duke kompaktësuar e drejtuar një regjiment, të paparë, në lartësi që erdhën në ngjitje të vazhdueshme. Meritë e pakontestueshme për të ishte përfshirja në programin e fluturimeve e disa pilotëve, të cilët nuk kishin mundur, për arsye të ndryshme, kryesisht të karakterit subjektiv, të përvetësonin aeroplanin me helikë JAK-9P. Disa syresh si Goxho Kondi, Petrit Majlindi, Zebo Durmishi e ndonjë tjetër, edhe pse u ndihmuan e u përkrahën fuqimisht nga komandanti, nuk mundën të ecin me hapin e shokëve dhe praktika e fluturimit i nxori jashtë rreshtit të pilotëve reaktivë. Të tjerë pilotë si Koço Andoni, Tomorr Avdia, Lulo Musai e Kosta Dede, të cilët u përkushtuan më tepër dhe treguan aftësi të mira fluturimi, e kapërcyen “barrierën” e vështirësive dhe u ngjitën nga tipi në tip në aeroplanët me të sofistikuar të kohës e u bënë kuadro drejtues, me emër, në reparte të ndryshëm të aviacionit.

Shpejt erdhi viti 1958. Aviacionit të ri shqiptar i nevojiteshin aeroplanë të sofistikuar luftarakë, të përafërt në mos më të avancuar nga avionët që dispononin fqinjët tanë jodashamirë. Një grup pilotësh, nga regjimenti i aviacionit të qytetit “Stalin”, të cilët, deri atëherë fluturonin në avionët MIG-15BIS, u dërguan në stepat e Rusisë për të përvetësuar MiG-19PM, i cili ishte nga teknikat më të përparuara ajrore të kohës. U desh të vihej në provë edhe një herë iniciativa dhe guximi i Niko Hoxhës, për të përzgjedhur pilotët që do të bënin kalimin në këta avionë. Përzgjedhja ishte e vështirë për faktin se, në atë kohë, asnjëri nga pilotët tanë që do të shkonin për të fluturuar në avionët MIG-19 PM të destinacionit gjuajtës-kapës, i pajisur me lokatorë e i armatosur me raketa ajër-ajër, të drejtuara, nuk i plotësonin testet që kërkoheshin për këtë tip avioni. Koloneli, me përgjegjësi përzgjodhi pilotët më të përparuar të regjimentit, me qëllim që në shkollën ku do të shkonin, djemtë tanë të mos ndiheshin keq dhe prestigji i ushtrisë e i vendit tonë të mos ulej, në sytë e kolegëve të tyre, nga vende të tjerë të Lindjes. Në fakt, pilotët shqiptarë të grupit të kalimit në avionët superzanorë MIG-19PM, treguesve kualitativë që kishin kolegët e tyre u kundërvunë vlerat individuale dhe kolektive të njerëzve të guximshëm e kurajozë dhe dolën, në disa drejtime, më mirë nga kolegët e tyre.

Gjatë kohës që një pjesë e pilotëve të Regjimentit të aviacionit të qytetit “Stalin” ishin duke fluturuar mbi stepat e Rusisë, Niko Hoxhës i duhej që në Shqipëri ku terreni dhe kushtet e motit ishin jo si në hapësirat e pamata të Rusisë, ti përvishej një pune “titanike”, në mënyrë që pilotët e mbetur në regjiment, të përgatiteshin në nivele të atillë që t’u përgjigjeshin detyrave të kohës, duke fluturuar në aeroplanët gjuajtës-bombardues MIG-15BIS. Siç pohojnë bashkëkohësit e komandantit, pilotët që mbetën në regjiment, kur kolegët e tyre u kthyen nga perfeksionimi, i gjetën me nivele më të lartë nga sa kishin ata vetë. Edhe në këtë çështje, merita e kolonelit ishte e padiskutueshme.

Pa iniciativën dhe vendosmërinë e kolonelit, ndoshta nuk do të ishte hapur e para shkollë aviacioni, në vendin tonë, për përgatitjen e pilotëve, si në vitin 1958 dhe pas ngjarjeve të hidhura të vitit 1960 ashtu si nuk do të qe rihapur kjo shkollë, pas ndërprerjes të marrëdhënieve miqësore mes vendit tonë dhe Bashkimit Sovjetik, në vitin 1963, kur mjaft kursantë që ndërprenë programin ajror në Bashkimin Sovjetik, u kthyen në Atdhe. Iniciativa, guximi dhe përkushtimi i komandant Niko Hoxhës, ishin të pranishëm dhe vendimtarë, në çdo rast. Portreti i kolonelit i përfshinte këto cilësi të rralla por të domosdoshme për një drejtues aviacioni, si ai.

Në pranverën e vitit 1962 u formua regjimenti i aviacionit gjuajtës-bombardues, në aerodromin e Rinasit. Aeroplanëve gjuajtës-kapës MIG-19 PM iu shtua një skuadrilje, me 12 avionë MIG-17 F. Niko Hoxha, tashmë i sprovuar për aftësitë e tij organizative dhe i pajisur me një eksperiencë me vlerë, u emërua Komandant i këtij regjimenti, në afërsi e në mbrojtje të kryeqytetit. Kolonel Niko Selman Hoxha, e organizoi dhe e drejtoi edhe këtë regjiment, siç dinte ai dhe, me dashurinë që kishte për fluturimin dhe me pasionin për të synuar drejt majave më të larta, e ngriti lart lavdinë e armës së tij të dashur, deri sa i vulosi përpjekjet, për të kapur më të mirën, me jetën e tij, në moshën 39 vjeçare, në të shtunën e datës 20 nëntor 1965, rreth orës 10.00.

Ne vend të prologut
Niko Selman Hoxha erdhi në jetë si “fat” për aviacionin shqiptar. Koloneli shërbeu në armën e aviacionit në një kohë të vështirë, të mbushur me sfida e kufizime. Falë cilësive të rralla individuale me të cilat ishte gatuar komandant Niko, ai sfidoi vështirësitë e rritjes dhe doli fitimtar mbi to. Koloneli u kthye në një legjendë, bëmat e tij do të rrëfehen brez pas brezi e do të jenë burim frymëzimi, për ata që do të vijnë. Nëse ndonjëri nga bashkëkohësit e Niko Hoxhës nuk ka shkruar për jetën e heroit dhe e ka të vështirë ta përmendë këtë jetë brilante, s’na mbetet tjetër veç ti qajmë hallin e ta ndiejmë. Kushedi si e ka hallin mjerani. Koha e gjatë që ka kaluar, ndoshta ka patur ndikimin e vet për ta mjegulluar ngjarjen por kurrsesi nuk justifikohet harrimi i protagonistit. Niko Hoxha do të mbetet i paharruar mbasi edhe po heshtën disa njerëz, jeta e tij do të flasë vetë. Aktualisht bashkëkohësit e Nikos janë të moshuar dhe për disa prej tyre problemet shëndetësore e kanë bërë të tyren, por midis kthjellimeve, ata duhet të kujtohen vetë ose t’i zgjojnë të tjerët, për të treguar vlerat e kolonelit. Dikujt i qahet halli se është ndodhur në pozicione nga ku nuk ka mundur ta vrojtojë gjithë shkëlqimin e komandant Nikos, ose, të tjerë e kanë të vështirë të shkruajnë e të pohojnë, për arsye partiake. Nuk ma do mendja të ketë njerëz që nuk duan të shkruajnë, nisur nga frika se mos i paragjykojnë se po rrëmojnë në të shkuarën. Le të marrin pak zemër, e të mendojnë se vlera e të shkuarës rritet me avancimin e viteve. Të merresh me ata që kanë bërë histori e janë kthyer në legjendë është diçka më tepër se atdhetari. Nuk ma pranon logjika se mund të ketë dhe nga ata që llogaritin përfitime materiale nga kjo punë. Nuk dua ti paragjykoj njerëzit. Një fjalë e urtë na kujton se ”i zoti e di se ku i pikon çatia”. Ndoshta është më e udhës ta lemë në gjykimin e ndërgjegjes së secilit. Ndokush nuk di si të shkruajë, një tjetër është i kapur nga problemet shëndetësore, etj. Pa u munduar të bëj atë që jep udhëzime, mund t’u thosha atyre që dinë e duan të dëftojnë për kolonelin, le të shfrytëzojnë çastet e kthjellimit e të hedhin në letër aq e ashtu si i dinë gjërat. Nuk ka rëndësi nëse gjuha është e rrjedhshme apo jo, rëndësi ka fakti, ngjarja, e thënë me vërtetësi, jo me dyshime e mjegullime.

Kur nisa të shkruaj këto radhë, nuk më vajti mendja për të bërë lajm, as për të prekur ndjenjat e njerëzve por për të shpalosur vlerat e një njeriu, i cili erdhi e u bë fati i aviacionit shqiptar. Pra, dua të kujtoj atë që nuk mund të harrohet. Të më falin ata që do ta lexojnë këtë shkrim për glorifikimin e ndonjë fakti apo për pasionin që përshkon rreshtat, por të më besojnë se kam arsye. Si për të gjithë ata që kanë punuar e jetuar pranë kolonelit, edhe për mua, Niko Hoxha ka qenë idhull, burim i pashtershëm frymëzimi dhe një shembull që duhet ndjekur. Ndaj them gojëplot se këto radhë nuk i kam shkruar me penë por me zemër. Me qëllim që t’u jepja lexuesve sa më shumë fakte e prova të tipareve të kolonelit, u takova e bisedova me më shumë se 35 persona, të moshave, profileve e niveleve të ndryshëm, në Vlorë, Tiranë, Voskopojë, si dhe në biseda telefonike me përtej oqeanit. Bëra mirë që thitha mendimet e tyre të vyera. Mësova gjëra që nuk i dija.

Përgjithësisht me të gjithë sa bisedova, emëruesi i përbashkët është po ai: Niko Hoxha ishte trim, guximtar, organizator i talentuar rigoroz e këmbëngulës, iniciator e i përparuar, i kulturuar, i rreptë por tepër njerëzor. Po të mundohesh ti përmbledhësh këto tipare, do të konkludosh në atë që më tha piloti i verbër Guri Merkaj, në vlorë, se “Niko Hoxha ishte burrë, tamam”. Thëniet e njerëzve ma përforcuan bindjen se Niko Hoxha ishte e mbetet një hero shumëdimensional, i cili nuk mund të harrohet. Sa mirë e tha këtë bashkëkohësi i Niko Hoxhës, veterani i aviacionit Haki Jupasi se: ”Sa më shumë kalon koha, kujtimi dhe dashuria për atë njeri shtohet. Se koha e harron njerinë por Nikon nuk e kujtojnë vetëm ata që punuan e jetuan me të por dhe të gjithë brezat e pastajmë të aviacionit, se ai la mbresa dhe ato transmetohen, nga brezi në brez”.

Veterani nga Ftera, Skënder Sherif Dusha, i cili ka punuar një jetë të tërë pranë Kolonelit u shpreh: ”Ai ishte burrëror, prandaj kuadrot dhe ushtarët jepnin edhe jetën, për të. . . . Ndodhi ajo që nuk e prisnim; koloneli preku tokën me babishkë (një thikë duralumini që vendoset tek fundi i trupit të avionit që të mos dëmtohet gjatë uljeve të renda të pilotit). Pas asaj që ndodhi, më ka dhembur koka një muaj me radhë. Ajo goditje “bum” tek bugaroku (ledhi), në fund të aerodromit më trokiste vazhdimisht në vesh”.

Piloti në pension Gezdar Riza Veipi, njëri nga pilotët adhurues të kolonelit, e kujton kështu komandant Nikon: “Nikon e kanë ngritur njerëzit që kanë punuar me të, por ai ngriti veten, në radhë të parë. Ne e morëm klasin e parë të pilotit falë vendosmërisë të Niko Hoxhës”. Ushtari i asaj periudhe Pajtim Elmazi, më foli për kolonelin si për babanë e tij. Pajtimi, mes të tjerash kujton :”Komandant Niko Hoxha kishte lindur i tillë. Si ushtarak ishte i prerë. Armën e aviacionit e donte me shpirt e ishte i apasionuar tërësisht pas saj. Koloneli nuk ngopej kurrë me sukseset që arrinte në punën e tij. Punonte, natë e ditë që të mos ndodhte asnjë defekt i vogël në teknikë dhe ishte i palodhur në punë. Niko Hoxha ishte i përkushtuar tërësisht me repartin, me ushtarin, me oficerin, me punonjësin civil dhe me teknikën. Atje e kishte mendjen, zemrën dhe shpirtin ai njeri. E kujtoj me një respekt të paharruar këtë komandant trim e legjendar të Ushtrisë sonë e në veçanti të aviacionit shqiptar”. Çobo Skënderi, një pilot tjetër i klasit të parë, duke më treguar për bëmat e kolonelit, me një gjuhë letrare e të rrjedhshme theksoi: “Komandant Niko Hoxha ishte i vetmi komandant regjimenti që futi për klasin e parë dy grupe pilotësh, njërin në regjimentin e qytetit “Stalin“ dhe tjetrin në atë të Rinasit. Pas tij, asnjeri nuk u kujtua e nuk e mori iniciativën për të shtyrë përpara kualifikimin e pilotëve për klasin e parë. Niko Hoxha, vetë mbante titullin e lartë: ”Pilot Ushtarak i Klasit të Parë”. Ishte koha kur “vuanim” për kamerdare frenimi. Për të dalë nga situata, bëmë aksion e mblodhëm kamerdare të vjetra, të përdorura, të cilat i nxorëm nga rrëzat ku i kishim futur, i pastruam e i vendosëm në avionë. U ngrit në ajër vetë koloneli. Realizoi uljen dhe frenoi pas saj. Kur doli nga kabina e avionit, ne, teknikët e specialistët vrapuam me fletoren e vërejtjeve në dorë, për ti marrë opinionin komandantit, si ia doli me frenimin, pas uljes. Ai kishte mbetur i kënaqur nga puna jonë e na falenderoi, tregon Osmani. Niko Hoxha ishte guximtar në fluturim dhe interesohej shumë për njerëzit që kishte rreth vetes”. Rastësisht takova Alfredin, të birin e Ahmet e Fidarie Banaj, me të cilët Niko Hoxha banonte në Valias. Kur u nda nga jeta koloneli, Fredi ishte 9 vjeç por e mbante mend mirë atë njeri të veçantë. Pyetjes time, si e mban mend komandant Nikon, Fredi, shofer taksie, fare lirshëm iu përgjigj: ”Niko Hoxha ishte goxha burrë. Në pamje të jashtme ngjante me Stalinin dhe ishte shumë serioz e autoritar. Një ditë, ne fëmijët e shkollës, po shkonim në Kamzë, në këmbë, nëpër baltovina. Komandanti na pa, ndaloi GAZ-in 69, na ndaloi e na pyeti, ku po shkoni ju? Në shkollë u përgjigjëm, njëzëri. Po pse në Kamzë shtoi koloneli? Ne, si të ishte për fajin tonë u përgjigjëm: Po nuk ka shkollë në Valias, o xhaxhi Niko. Atëherë Ai, në formë urdhri tha: Mos shkoni më në shkollë se do ta ndërtojmë në Valias. U tha e u bë. Kështu bënte koloneli. Pas pak kohësh u ngrit shkolla e re në Valias e ne nxënësit e asaj kohe shpëtuam nga rrugëtimi rreth 40 minuta, për të shkuar në shkollë. Kështu veproi dhe për ndërtimin e kinemasë në Valias. I dëgjohej zëri Niko Hoxhës e ishte kompetent” – e përfundoi kujtimin Fredi Bana.

Vlerat e kolonelit si komandant e si pilot i theksoi dhe veterani i aviacionit, njëri nga drejtuesit e shkollëas së lartë të aviacionit, piloti Bahri Meshau, nga Bubësi i Përmetit. Bahriu, mes emocioneve që përciellin kujtimet e largëtae kujton kështu kolonelin:” Niko Hoxha ishte i lindur për ushtarak. Si komandant, të vlerësonte siç e meritoje. S’ka komandant që t’i mbledhë ushtarët mbasditeve e të qendrojë në shoqërinë e tyre, siç bënte ai”. Bahriu e njeh kolonelin nga viti 1959 kur ai ishte kursant për pilot dhe koloneli komandonte edhe skuadriljet që nxirrnin pilotë të rinj. Mjaft rrëfime nga puna e Niko Hoxhës, si pilot e si drejtues i aviacionit, më solli i moshuari Sulo Gorica, i cili ka shfrytëzuar për shumë kohë avionët supersonikë MIG-19 PM ; madje ka qenë dhe teknik i aeroplanit me të cilin i pëlqente të fluturonte shpesh koloneli. Opinioni i Sulo Goricës për nikon rrjedh qetë e lirshëm fare. ” Niko Hoxha ta impononte respektin. Ai kishte besim të tepruer tek tekniku e tek aeroplani. Më kujtohet mirë kur fluturoi në aeroplanët mbizanorë MIG-19 PM, pa kurs të posaçëm. Nganjëherë i ndërhyja, për lëshimin e motorrit dhe për probleme të tjera teknike, por ai nuk kishte qejf t’i ndërhyje por donte t’i dilte zot vetes, edhe në këtë drejtim”.

Po të kisha mundësi për të takuar dhe të tjerëbashkëkohës të Niko Hoxhës, jam i sigurtë se edhe opinionet e tyre, të tilla do të ishin, se koloneli ishte NJë e i pakrahasueshëm. Gjigandi me emrin Niko Selman Hoxha, na erdhi në aviacion, si për fatin tonë; punoi, drejtoi, sakrifikoi e u flijua për lartësimin e armës së aviacionit. Edonim ta kishim mes nesh, më gjatë; mbasi kloneli kishte ç’farë të na jepte e të na mësonte, por, papritur na iku, fluturoi si era, sikur të kishte ardhur nga ndonjë planet tjetër, në një vizitë kortezije. Mirë e tha veterani Osman Bozhiqi:” Vrasja e Niko Hoxhësishte një goditje e rëndë për aviacionin tonë”. Bashkohem me këtë mendim dhe me opinionin e pilotit të verbër Guri Merkaj, i cili, i përmalluar, duke psherëtirë, më tha:” Eh, Njazinjerëz si koloneli nuk vijnë më “. Ka një detaj i cili na ngushëllon disi. Niko Selman Hoxha, nuk u shua në shtrat, duke lënguar nga një sëmundje e gjatë, por ra në fushën e betejës, si hero, në krye të detyrës e përpara syve tanë. Vdekja, në krye të detyrës, në sheshin e burrave, e kolonelit që e donim e na donte aq shumë, nuk na solli vetëm hidhërim, por na dha dhe një mësimtë vlefshëm. Siç tha Beqir Balluku, me këtë rast:”. . . Niko u vra. . . për t’u treguar juve se po të shkelësh rregullin e disiplinën ; vritesh. . . ”. Ministri i Mbrojtjes i asaj kohe, ma do mendja kishte parasysh respektimin e parametrave teknikë të fluturimit, si shkencë, jashtë të cilëve nuk mund të dalë asnjeri, pavarësisht nga shkalla e kualifikimit të tij.
Do t’u kthehem përsëri atyre që nuk kanë marrë mundimin të shkruajnë për heroin tonë si pilot i apasionuar pas profesionit dhe si organizator i talentuar. Të më besojnë se nuk i kam inat, as nuk i mbaj mëri. Në fund të fundit gjithsejcili bën, aq sa mundet e atë që di ; jashtë natyrës së tij, njeriu nuk del dot.
AJO E SHTUNë, E MALLKUAR.
Ditët e javës janë njëlloj. Ato vijnë njëra pas tjetrës, për të sjellë ndryshimet e mundëshme. Herë për të mirë e rrallë për të keq. Por, e keqja që na solli ajo e shtunë, ishte me përmasa të mëdha e na lëndoi shumë. Kush më shumë e kush më pak, të gjithë e ndjemë këtë humbje. Prandaj e kam quajtur :” E shtunë e mallkuar”. Kush nuk e nëmi atë ditë të 20 nëntorit të vitit 1965e cila, siç nxinte e sterronte, nga retë e ngarkuara me shi, papritur na rrëmbeu shokun e mikun tonë të shtrenjtë, Niko Selman Hoxhën, i cili u bë si ai ylli që ndriçon dynjane. koloneli u shua, siç bien e shuhen duke ndriçuar, meteorët. Unda nga jeta një ushtar i përjetshëm i kësaj toke, u fik një shkëndijë ecila ndezi zjarrin e madh të progresit në aviacion, pushoi së rrahuri një zemër e madhe, e cila duhej të rrihte gjatë, për të mirën e këtij vendi. Shumë sy u përlotën atë ditë e shumë zemra u lënduan. Ngjante sikur u shkrehën qiejt. Nënat dhe motrat labe, e shprehën brengën nëpërmjet të qarës me ligje, poetët thurën vargje e populli ngriti këngë. Lavdinë dhe nderimin që i takonte për së gjalli, Niko Hoxha e mori dhe nëpërmjet përcjelljes dinjitoze, siç e meritonte ai burrë. Ata qe e panë ndodhinë e hidhur, si ç e pashë dhe vetë, mesiguri që e kanë të regjistruar në kujtesë atë skemë makabre, dhe besoj e shfletojnë sa herë i merr malli për komandantin.
DY FJALë PëR KRONIKëN E ASAJ DITE
Zemra nuk ma do t’i shkruaj këto radhë e ta sjell në kujtesë atë skenë tronditëse por s’kam çfarë të bëj, duhet” ti ve kokë” këtij rrëfimi të gjatë. 20nëntori i vitit 1965 do të kujtohet e do të komentohet gjatë, në mjediset e aviatorëve e dashamirëve të aviacionit. Atë fundviti, disa pilotë të regjimentit të Rinasit, për arsye nga më të ndryshmet, nuk e kishin realizuar plotësisht grafikun e sulmeve nga ajri, kundër shënjave në tokë. Atyre u kishte mbetur pa u realizuar, kujt një e dikujt dy fluturime të këtij karakteri. Niko Hoxha kishte të pa kryer një fluturim, në teren malor. Fluturimet me qitje, atë ditë, përgjithësisht ishin të planifikuara për në poligonin malor të Krujës, i cili gjendej në lartësinë rreth 500metra mbi nivelin e detit. Për të realizuar qitjen në këtë poligon, sipas kërkesave, të rregullores që menaxhonte fluturimet e këtij karakteri, pilotit i duheshin 1ooo metra mbi sipërfaqen e shënjës ku do të bënte qitje. Atë të shtunë retë, shtresa e poshtme e tyre ishte në lartësinë rreth 1000 metra, gjë që nuk e lejonte qitjen në poligonin malor të Krujës. Në ditët e shkuara koloneli kishte zhvilluar një leksion, me oficerët e Akademisë Ushtarake “Mehmet Shehu “në Tiranë, lidhur me përdorimin luftarak të aviacionit dhe u kishte dhënë fjalën akademistëve se, në të ardhmen e afërt do tua demonstronte në praktikë atë që u tha me fjalë. Dhe kur e jepte fjalën Niko Hoxha, e bënte realitet, me shëmbullin vetjak.
Për të mbajtur fjalën e dhënë, meqënëse atë ditë retë nuk lejonin qitje në poligonin malor të Krujës, komandanti i regjimentitNiko Hoxha urdhëroi vartësit të përgatisnin një poligonfushor, në pjesën rezervë të aerodromit të Rinasit, në skajin Jugor të tij. Plantabela e asaj dite u orientua nga qitjet në terren fushor, në poligonin e improvizuar. Për këtë qëllim, në lëndinën e gjelbër, në fund të pistës u vizatua një rreth, me gëlqere të bardhë, me rreze 20 metra. Sipas përkatësisë, ata që e kishin për detyrë bënë sigurimin e zonës, me roja të armatosur. Për të mos lejuar lëvizjen e njerëzve dhe të gjësë të gjallë, aty ku do të bëhej qitje, me aeroplan. Me organizimin e fluturimeve, koloneli u angazhua personalisht. Ai orientoi akademistët të vendoseshinsipër ledhit që ndante aerodromin nga parcela me misër, matanë kanalit kullues, si vendi më i lartë nga ku dukeshin më qartë manovrat e pilotëve që do të bënin qitje. Mori, në rolin e shoferit, makinën ku qendronte udhëheqësi i fluturimeve dhe e vendosi atë pranë baterisë kundërajrore, e cila mbulonte aerodromin. Urdhëroi pilotët e katërshes së avionëve që do të bënin qitje, të cilën do ta udhëhiqte vetë, të futeshin në gabinë, të hapnin radion e të qendronin në përgjim për të marrë urdhrat për tu çuar në ajër. Udhëheqës i fluturimeve, në aerodrom ishte majori Haki Jupasi, pilot i klasit të parë, me detyrë zëvëndëskomandant i regjimentit, për fluturim.
Katërshja e avionëve që do të tregonte qitjen, u ngrit në ajër, me drejtimin Jugor, 176 gradë. Ngritja u realizua me çifte avionësh të tipit MIG-17 F, të prodhimit kinez. Pas shkëputjes nga toka, në fluturim të drejtë formacioni u kompaktësua, duke formuar një zvenë ( katërshe avionësh ), me distancë e interval të ngushtuar. Formacionin në ajër e udhëhiqte komandanti i regjimentit, koloneli Niko Hoxha, me aeroplanin me numër anësor 211, të cilin e menaxhonte djali nga Maminasi i rrethit të Durrësit, Hysen Domi. Kolonelin e shoqëronte piloti i ri nga Sasajt e Sarandës, Zija Shyqo Memi. Cifti n e dytë e printe vunjoti Kosta Neço Dede, pilot i klasit të parë dhe, në fund të formacionit ishte tiranasi trim, mjëri nga pilotët më rezultativë të regjimentit ,në qitje kundër shënjave tokësore, Bilal Murat Josja.
Katërshja e avionëve, doli mbi aerodrom në lartësinë që e lejonte shtresa e poshtme e reve dhe bëri një kalim demonstrativ, në lartësi të ulët, mbi shënjë. Në momentin e duhur, me komandën e udhëheqësit të formacionit, të katër pilotët lëshuan raketat e sinjalizimit të bordit, si shënjë që improvizonte lëshimin e bombave dhe kaluan në marrje lartësie, një nga një, me rrotullim të majtë, mbi fshatrat Valias e Qerekëpër të ndërtuar manovrën e sulmit kundër shënjës në tokë. Aeroplani që drejtohej nga Niko Hoxha, i pari në formacion, mbasi bëri një manovër “të thellë”, doli tek kthesa e katërt, atje ku nis sulmi, më afër shënjës që do të godiste dhe u fut në pikiatë, me kënd më të thellë ,nga ai që rekomandohet në literaturën përkatëse të aviacionit. Koloneli realizoi qitjen, me predha luftarake dhe nisi ta “nxjerrë “aeroplanin, nga pikjata, me një temp më të ngadaltë se ai që nevojitej, në këtë rast. Kur avionitij fluturonte rrafsh m tokën, mbi kokat e atyre që vrojtonin fluturimin, koloneli i kishte dhënë avionit pozicionin që i duhet për të prekur tokën, por në këtë rast shpejtësia progresive e tij ishte afërsisht 700 km/orë. Me këtë shpejtësi, avioni preku tokën, me bobishkë ( një thikë duralumini e vendosur në fund të trupit, nga poshtë, me qëllim që të mos dëmtohet avioni në ulje të rënda). Prekja e avionit me tokën shkaktoi veprim të kundërt. Pamë si kërceu lart avioni, kaloi kanalin e, më tej shpërtheu, me flakë, duke rrëshqitur ne arën me misër të vjelë. Copat e aeroplanit, me flakë, të ndara në tri pjesë i gjetëm në mes të parcelës. Katapulta e aeroplanit kishte plasur, e kishte nxjerrë kolonelin jashte aeroplanit dhe e kishte hedhur djathtas. Në drejtim të avionit që po digjej, vrapuam, me shpresën se, mbase e gjenim të gjallë. Nuk u besonim syve, edhe pse ngjarja ndodhi përpara syve tanë. Hipur në një avion MIG-17 F qendroja në zonën 1, i gatshëmqë, me komandën e udhëheqësit të fluturimit, të lëshoja motorrin e avionit e të ngrihesha në ajër për të realizuar ushtrimin e qitjes që më kishte mbetur nga plani vjetor i fluturimeve. Makinën që lëshon motorrin e kisha të takuar pas nyjes ku kabllot elektrikë të makinës (APA ) bashkohen me nyjen elektrike të bordit të avionit. Shlemafonin e kisha të veshur e radion, në funksion normal pune. Nëpërmjet radios dhe me sy vrojtoja e dëgjoja çfarë po ndodhte përqark meje, siç bën, në të tillë raste çdo pilot, kur pret radhën për t’u çuar në ajër. Endoqa manovrën e pilotëve dhe e pashë me sy, nga gabina e avionit ku ishja ulur, atë që ngjau me kolonelin. E pashë e u llahtarisa. Tjetër emër nuk mund t’i vesh asaj që më panë sytë. Vetëtimthi u zgjidha nga rripat me të cilët ishja mbërthyer pas gabinës së avionit, zbrita nga avioni, hipa në makinën e lëshimit dhe u nisa, me shpejtësinë që nxjerrajo makinë speciale, në drejtim të avionit që po digjej. Si unë, bënë të njëjtën gjë edhe njerëzit e tjerë, të cilët u ndodhën në zonën Nr 1e në të gjithë aerodromin. Turma nerëzish u sulën nga Valiasi ku banonin familjet e oficerëve të regjimentit dhe punonjës të rastësishëm të fermës e të kooperativave bujqësore përqark, për të shkuar tek vndi i ngjarjes. Ndoshta ishja nga të parët që kalova kanalin e gjerë, në fund të aerodromit e u hodha në parcelën matanë. Piloti Bashkim Agolli, trupvogël mbeti në kanal dhe ishte duke u mbytur; shoku i tij, piloti nga Kllojka e Tiranës, ADEM Ceça, një gjigand nga trupi, e kapi prej zverkut Nipçen ( kështu e thërrisnim me shaka Bashkim Agollin) dhe e nxorri matanë. Të gjithëvraponin, si të mundnin e mesa fuqi kishin. Për të parë nga afër atë që po digjej e çfarë kishte mbetur prej saj. Avioni i Nikos, pas shpërthimit, u nda në tri pjesë dhe sejcila prej tyre rrëshqiti, në patcelë duke lënë pas një gjutmë flake e tymi, bashkë. Ndoshta ishja nga të parët që shkova pranë trupit të pilotit që po digjej. Po të doni. më besoni: edhe pas kaq vitesh, nuk më vjen mirë të përmend e të pajtohem me atë vrasje, edhe pse jam dëshmitar okular i saj. Nuk e mbaj mend kë kisha pranë; të gjithë ishim të shokuar. Nuk u besonim syve ; na dukej sikur ishim në një ëndërr të keqe. Thonë që ëndrra më e gjatë vazhdon vetëm disa sekonda ,ne mezi prisnim të mbaronte kjo ëndërr e llahtarshme e të mbërrinim tek trupi i tij. Duke vrapuar, në çmendurinë time, kërkoja me sy trupin e kolonelit. E gjeta, mes flakëve, në gjuhëzën e djathtë të asaj flake të kobshme. Po digjej, së bashku me mbeturinat e avionit të tij. Trupi i tij, i gjatë e i mbushur, ishte anuar djathtas. Dukej sikur ishte mbështetur në krahun e djathtë e po qendronte “në brinjë”. Cismja e këmbës së majtë, prej lëkure, tek qafa, ishte djegur. Pantallonat kilota, gjithashtu prej lëkure, tek pulpa e këmbës së majtë ishin djegur. Po digjej mishi i këmbës së majtë, tek pulpa. Fytyra e bukur ishte shtypur por nuk ishte shpërbërë, njihej që ishte koloneli. Pas veshit të majtë ,nga vena karotite, një currilë gjaku dilte në atmosferë, si shatrivan. Koloneli, siç duket ishte ndarë nga jeta që në goditjen e parë. Kot rrekeshim të besonim në një mrekulli. Kur pashë këmbën e majtë që po digjej, instinktivisht, nën efektin e gjendjes së shokut dhe i shtyrë nga ndjenja humane për ti ardhur në ndihmë atij që vuan, doja ti fikja flakën, nga këmba. Nuk e shikoja dot atë qënje që po përcëllohej. Doja ta fikja por mendja nuk më funksiononte për të gjetur ndonjë mjet rrethanor, siç ishte dheu i lagur. Gjeta më për kollaj ta fikja me dorë. Vura dorën mbi mishin e këmbës qe po digjej e ai m’u ngjit pas dorës. Kushedi sa do tëmë ketë dhembur ajo djegjepor unë nuk e ndjeva. I SHTE SHUMë Më E MADHE DJAGJA Që NDJEVA Në ZEMëR. në Të TILLë GJENDJE ISHIN Të GJITHë AHOKëT E MI, JO VETëM PILOTëT. Një oficer sigurimi, i cili gulçonte nga vrapi, po përpiqej të mbërrinte në vendin e ngjarjes. Me një zë autoritar e me ton urdhërues, sigurimsi na bërtiti: “Ju pilotët, largohuni manjëherë prej këtej”. Ja donte puna dhe e kishin urdhëruar shefat e tij për të thënë kështu, “derëzinë”. Siç e gjykoj pas kaq kohësh, ai oficer sigurimi (nuk ia mbaj mend emrin), si gjithë rraca e tij, me servilizëm e arrogancë njëherazi, me këtë mënyrë i bënte shërbimin e nevojshëm tagjisë me të cilën ushqehej.
Na urdhëruan të futeshim në kinemanë e regjimentit, e aty, pas 15-20 minutash erdhi Ministri i Brendshëm, KadriAzbiu, i cili u mundua të na sqaronte, të na qtësonte e të na jepte kurajë, por binte në sy inkopetenca e tij për të depërtuar në thelbin e ngjarjes. Kotqë ishim në sallën e kinemasë mbasi nuk dëgjonim asgjë nga ato që thoshte shtetari i lartë. Ne ishim aty vetëm si trup, se mendjen e kishim tek ndodhia. Na qante zemra e na kishte lajthitur mendja. Siç thonë në anët tona: “Thika na kishte shkuar në palcë”. Në ato çaste, thoshja me vete:”Inshallah nuk ka vdekur ai tribun e zgalem, lajmëtar i asaj që po vinte”. Kot rrekesha të besoja në mrekullinë; gjëma kishte ndodhur. Koloneli, u përcpll, me nderime, siç e meritonte, për në banesën e tij të fundit. Ai u varros, me një ceremoni funebre, me lule e fjalime të zjarrta, në varrezat e Sharrës, në parcelën e parë, rrëzë murit rrethues, pranë bashkëluftëtarit e kolegut të tij të ndjerë, nënkolonelit Peço Polena.
Ato ditë piloti Cobo Ibro Skënderi, i cili e donte dhe e respektonte shumë Niko Hoxhën, shkrojti vaegjet :
Këtu prehet një ushtar ,
Mëi thjeshti, ndër të thjeshtët ,
NJë pilot shumë guximtar ,
Komandanti më modest,
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
Këto vargje, të gjetura, kushtuar figurës të atij trimi, u gdhendën, në pllakën e kokës së varrit dhe vendi ku u prejt për shumë kohë koloneli, u kthye në një “faltore “e në vend pelegrinazhipër ata që e kanë dashur dhe e duan, me zemër kolonelin dhe aviacionintonë. Vite më vonë varri i NIKO Hoxhës u transferua në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, së bashku me shokët dhe vartësit e tij, të cilët patën të njëjtin fat e fund. Nikon e pamë me sy si ra e si ndodhi, por mjaft të tjerë që ranë, nuk u panë. Sejcili nga të rënët e aviacionit ka vënë jetën e tij, gjënë më të shtrenjtë që ka njeriu, në shërbim të lartësimit të armës.
Ngjarja e rëndë ku humbi jetën njëri nga pionierët e aviacionit, trimi i çartur Niko Selman Hoxha, bëri shumë bujë e shkaktoi mjaft keqardhje e trishtim. Por pati dhe reflektime pozitive. Pilotët e kapërcyen pikëllimin me kurajon dhe burrërinë që u kishte “mëkuar “vetë Niko. U bënë analiza e u zhvilluan provime teoriko-praktikedhe jeta rrodhi siç di të rrjedhë ajo. Në formatë ndryshme u shpreh hidhërimi i njerëzve e u shfaq sentimentalizmi i tyre. Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare, kur mori njoftim mbi vdekjen heroike të pilotit Niko Hoxha, shkrojti:
Shumë e doje këtë tokë.
Shpesh i afroheshe me të tmerrshmen shpejtësi,
NJë ditë, aq shumë iu afrove ,
Sa, ajo zgjati dorën e të mori në gji.
Me këto vargje, shkrimtari i madh, sikur i ka vënë vulën opinionit të kohës, për Niko Hoxhën.
Populli ynë e ka në gen nderimin për trimat. Tepelenasit, në vazhdën e traditës, e shprehën me këngë konsidratën dhe hidhërimin. NJë gjë është e qartë: Po zurevend në këngët e popullit, me siguri, dikush je. Kënga elegji e tepelenasve jeoifuqishëm në ato ditë:
Shqipëria ra në zi,
Lajmëron Radio Tirana:
Ka ndodhur një tragjedi,
Komandanti aviacionit,
I njohur për trimëri,
Fluturoi kart, në qiell,
Së bashku me shokët e tij,
I gjallë më nuk u ktheve ,
Avionin nuk e lëshove,
Po vdiqe bashkë me të.
Vargjet dhe thënjet që lidhen me heroizmin e Niko Hoxhëse i bëjnë jehonë aktit heroik të tij dhe janë në shërbim të përjetësimit të tij. Gjërat rrodhën në shtratin e tyre e jeta vazhdoi si më parë. Njerëzit dolën nga kllapia e iu përfillën punëve, mjaft nga nxënësit e KOLONELITu rritën, në moshë e në profesion ; disa u bëmë dhe drejtues e kuadro me përvojë. Është në nderin e sejcilit, ta kthejë kokën prapa e të lexojë, pa emocione tërë veprën e tribunit tonë Niko Selman Hoxha. Gurët e themelit që vendosi koloneli 50 vjet më parë, lidhur me përgatitjen e pilotëve e të avionëve, për fluturim, nivelet që la ai, të cilët u ngjitën më lart nga nxënësit e tij, pavarësisht nga ndryshimet që kanë ndodhur, në teknikë e teknologji, mbeten pika referimi, për të sotmen e të ardhmen.
Koha bëri të sajën e tribuni mbeti atje, tek ajo misërishte e korrur, përtej pistës së Rinasit ; disa nga bashkëkohësit dhe ata që mësoi koloneli, tashmë janë moshuar, aq sa duhet të mendohen një copë herë, pa mezi të të thonë diçka të saktë për heroin por jehona e veprës së tij na vjen, e freskët, si ndonjë fllad që na ledhaton e na kujtonedhe pse koha që ka kaluar është e gjatë. Pas ngjarjes u nxorrën përfundime e u shtruan detyra, për të shëndoshur gjendjen, shkrojtën gazetat e kohës e u përshtatën referate, një bust i kolonelit u vendos në qendër të repartit dhe regjimenti i Rinasit mori emrin Niko Hoxha, dikur ja hoqën atë e prap ja dhanë etj refleksione të njerëzve sipas koniunkturave politike. Nuk e kam aftësinë të gjykoj atë që është gjykuar një herë, ca më pak ti heq koren plagës që është përtharë por, ndonjë rezervë e kam e atë nuk e mbaj për vete. Në aviacion kanë ndodhur ngjarje të rënd a ,të cilat në disa raste kanë përfunduar me katastrofë. E tillë është natyra e punës, i tillë është profesioni i veçantë i pilotit. Ndaj njerëzit, kur kalon ndonjë avion sipër, instinktivisht ngrenë kokën e duan ta vështrojnë. Kjo dukuri, i kalon caqet e nostalgjisë që kanë njerëzit për ajrin dhe avionin, por janë dhe një nderim që u bëhet atyre që çajnë qiejt, duke rrezikuar jetën. Po të lexosh konkluzionet e ngjarjeve ajrore, pa parë emrin e pilotit fatkeq, të neverit përfundimi, të më falni për fjalën, vulgare, se :”shkaqet janë njerëzore”. Dhe kështu i vihet kapaku ngjarjes, sipas slloganit të hershëm:” I GJALLI ME Të GJALLëT; I VDEKURI ME TëVDEKURIT”. Në një vështrim rrëshqitës konkluzioni mbi shkaqet njerëzore mund të jetë i drejtë por më duket nuk shkon për të gjithë rastet. Eshtë paaftësia e njerëzve që nuk depërtojnë në thellësi të dukurisë për të shkuar tek e vërteta. Pa marrë pozicione moralisti e pa e futur veten në rdhën e atyre sentimentalëve që venë pasionin para logjikës, e them me bindje se, për Niko Hoxhën, slogani i mësipërm nuk shkon. Kolonel Niko Selman Hoxha ishte e mbetet një hero, me gërmë të madhe. Vepra e tij ka gojë e flet. Jehona e saj, siç na ka ardhur deri në ditët tona, mesiguri do tu përcillet dhe brezave që vijnë, nderimi për atë njeri nuk mund të ketë të shterrur. Koha kalon, disa i le në hije, ose i harron, vepra e Niko Hoxhës do të ngrihet lart e më lart, siç ndodh me tribunët.

 

5 thoughts on “Piloti legjendë që bëri histori”

  1. Jam mesues ne Valias dhe kete vit shkolla jone mbush 70 vjet. I interesuar te di me shume per jeten dhe veprimtarine e niko Hoxhes, emer te cilin e mban shkolla jone dhe ndihemi krenar te falendroi shume per materialin qe hlet per jeten e heroit Niko Hoxha. Brezat kane nevoje per rifreskim te kujtimeve, por edhe ne te vjetrit nuk duhet ti leme ne harrese. Te pershendes dhe me lejen tende dua qe nje pjese nga shkrimi juaj qe bene fjale per jeten e Nikos ne Valias dua ta vendos ne librin tim qe po pergatis per kete 70 vjetor.
    Nese ke ndonje material qe kane shkruar bashkohesit per Nikon ne shtypin e kohes do t’u isha shume mirenjohes qe dhe ju te beheni pjese e librit “Historiku i shkolles, Valias” Ju pershendes dhe ju falenderoi perzemersishte.
    adresa ime e Emailit: dobrusha54@gmail.com

    1. I nderuar, me vjen mire qe i lexon e i pelqen shkrimet e mija. Shkrimi monografi , per Niko Hoxhen, babain e aviacionit shqiptar , e kam shkruar te parin ne radhen e shkrimeve. Eshte opinioni im , i konsultuar me mjaft bashkekohes te tij. E kam shkruar me zemer , jo me pene. Niko Hoxha ka qene idhulli im. Doja ti ngjaja por nuk e arrija dot; e kisha zili. Jam shume i nderuar , qe shkrimi im , qofte dhe pjeserisht te zere vend ne librin tuaj , ne kete pervjetor te shkolles. Kujdes: Kronika eshte e vertete dhe mjaft emra jane reale. Ndonje emer e kam hequr , per shkaqe etike , jo per arsye frike. Mund te marresh cfare te duash e sa ta gjykosh te arsyeshme , vetem kam keto pretendime: 1) Te shkruhet motamo, sic eshte ne shkrim dhe 2) Te dale si reference. Nuk disponoj materiale te bashkekohesve te tij dhe kete , besoj e sqaroj , ne shkrim . Respekt!

  2. Z Niazi te falenderoj nga thellesia e zemres per mirekuptimin dhe te jam mjafte mirenjohes qe ju me mirekuptuar. Kam 10 vjet qe punoje ne shkollen e Valiasit dhe “nje ze i brendshem me therret” qe te shkruaj dicka per shkollen dhe njerezit qe punuan dhe punojne ne ate treve. Nuk dua te bezdis, por per Heroin Niko Hoxha shkolla jone disponon pak material, kurse kujtimet tuaja jane nje thesar jo vetem per banoret e Valiasit, por per gjithe popullin shqiptar. Njerez si Nikoja lindin rralle dhe historia nuk duhet ti lere ne hije. Prandaj une po mundohem qe ti sjell sado pak kontributin tim lexuesit qe te njohi historine e e njerezve te medhenje sikunder eshte dhe koloneli. Shume faleminderit per mirekuptimin dhe nese eshe e mundur te takohemi ndonje dite kur ju ta shikoni te arsyshme (mundesishte te shtune dhe te diel cfaredo ore qofte) Me shume respekte Bashkim Saliasi. Tel 0692428820
    PS. Po per Isuf Zyber Nelin a keni njohje te veprimtaris se tij me qe mbakeni mbiemrin e tij.

  3. E lexova me kersheri;nje shkrim qe e prisja sepse partizani i vogel Niko Hoxha ishte me i ndjeshem se rralle kush per endrrat eTij,sikurse edhe bashkeluftetareve te vet ..Qysh ne femini kam degjuar me kureshtje per Nikon dhe enderroja te behesha pilot sikurse Ai ,Porse komandant Nikua iku papritmas,ne kulmin e vrullit e ne moshe te re; iku si éra dhe une nuk arrita dot endren qe te sherbeja nen urdhrat e me mesimet e ketij trimi e talenti frymezues,i cili ngriti me pasion aviacionin luftarak,rriti,edukoi e mesoi nje plejade te tere aviatoresh te niveleve boterore.Niko Hoxha rà ne krye te detyres bashke me pasionin e shembullin e rralle,porse Ai i la Atdheut vlera me deshmi kokeforta:aviacionin qe vete ngriti me vetmohim,i la virtytet-simbol Atedhetarizmi frymen,shembullin simbol i bindjes. Koloneli deshmor i la Atdheut te reshtuar plejaden me aviatore qe do te ecnin ne gjurmet e Tij bashkeluftetaret,zevendesat pasues ,koleget e devotshem:Babace Faiku,Fari Bubsi,Lulo Musai,Koço Andoni, Cobo Skenderi,,Bardhosh Hasani,AnastasNgjela,Bardhyl Taci,Elmaz Hasamataj,Hasan Shytin, Bahriun,Bajramin,Bajazitin,Markon,,Kocon,Qirjakon,Budjonin,Telon,Petritin dhe sa e sa pasues te denje brezash.Vepra e Nikos tone,sikurse edhe e deshmoreve te Atdheut jane e mbeten ne kujtesen time te sintetizuara me virtytet e larta njerezore te ketij fisniku tragjasjot…
    Lavdi e nderim heroikut,Kolonel Nikos,gjithe te reneve per Atedheun e lirite!

  4. Urimet e mija më të mira për këtë monografi brilante kushtuar Heroit Niko Hoxha. Respekte dhe falenderim për ty Niazi.

Comments are closed.