Çdo njeri, gjatë jetës, e shkruan vetë historinë e tij. Ky është një përfundim i nxjerrë nga jeta, i cili nuk ka nevojë të vërtetohet. Disa, me punën dhe sjelljen e tyre, lënë gjurmë të pashlyera dhe të prasmit përpiqen t’u ngjajnë, teksa ka të tjerë që, gjatë jetës, vegjetojnë e kalojnë pa u ndier. Për këta nuk kujtohet njeri t’u bëjë jehonë bëmave apo gjëmave që lënë pas.
Xhulian Petraq Popa ishte e mbeti një njeri i veçantë. Tek ai njeri, aftësitë profesionale, niveli kulturor dhe edukata e shëndoshë ishin të pleksura bukur me njëra-tjetrën dhe përbënin një unitet të shëndoshë. Thjeshtësia e atij njeriu, dashamirësia dhe ndershmëria e tij nuk njihnin kufi. Detyra e tij e shturmanit fluturues nuk njihet aq shumë nga njerëzit, jo vetëm në kohën kur jetoi Xhuli, por dhe sot është disi e mjegullt. Të dhëna të shumta na bëjnë me dije se kemi të bëjmë me një rast të veçantë, unikal në llojin e vet. Nuk ka asnjë anë të "errët" në historinë e atij njeriu, i cili na iku shpejt, sikur dikush na e rrëmbeu, se i duhej.
Veç aftësive të shumta që dëftoi në punë e në jetë, të cilat, po t’i marrësh një nga një, të mrekullojnë, Xhulian Popa do të mbahet mend dhe për pamjen e tij të jashtme, për uniformën e tij të pastër e të hekurosur që e kishin zili shumë shokë. Xhuliani i mirë nuk jeton më; zemra e tij pushoi së rrahuri në vitin 2004, nga një atak kardiak. Ai ka lënë 1 djalë dhe 2 vajza të denjë për atë baba të pashoq. Pasardhësit e Xhulian Popës, me edukatën e shëndoshë që kanë marrë nga prindërit e tyre, veçohen, kudo ku punojnë e jetojnë, për vlerat që bartin e për sjelljen shembullore që kanë. Kësisoj, Xhuli jeton e do të jetojë në gjurmët që na ka lënë pas e në tiparet që u ka mëkuar pinjollëve të tij.
Historia na mëson se njerëzit e mirë nuk harrohen, por kujtohen e kërkohen. Kjo ngjan, sot, më tepër se kurrë, nisur nga fakti se mirësia te njerëzit, edhe pse nuk është sosur, ndeshet rrallë e më rrallë.
Opinion për shturmanin fluturues të klasit të dytë: Xhulian Petraq Popa.
Sqaroj, qysh në fillim, se klasi i shturmanëve fluturues jepej, ndryshe nga ata të tokës, sipas kushteve në të cilat fluturonte ekipazhi, në përbërje të të cilit ai ishte. E theksova këtë për të vetmin fakt se, individualisht, Xhuliani bënte pjesë në elitën e shturmanëve, të cilët, rëndom, i kemi quajtur "Inteligjencia e ajrit". Xhuliani (Xhuli, siç i thonim ne, shokët e tij) u lind në qytetin e Elbasanit, në vitin 1938, në një familje intelektualësh, atdhetarësh, me traditë e mendtarësh të shquar.
Babai i tij, Petraqi, ishte mjek me reputacion, në qytetin e Elbasanit e më gjerë. Xhuli, qysh se ishte fëmijë, u shqua ndër shokët e moshës për inteligjencë dhe si kapacitet mendor. Pas shkollës së mesme, në gusht të vitit 1958, në përbërje të një grupi djemsh të zgjedhur, ai u nis për në Bashkimin Sovjetik, për t’u bërë shturman fluturues. Fillimisht shkoi në shkollën e aviacionit, në Shadrinsk, ku kaloi procesin teorik e, pas një viti, u sistemua në Krasnodar, ku fluturoi në aeroplanët e transportit ajror Li-2, në rolin e shturmanit. Shokë të tij ishin: Enver Muca; Flamur Dede (ndjesë pastë); Llazi Rrapi (ndjesë pastë); Besnik Hashorva (ndjesë pastë); Perlat Lako; Mentor Rrugija (ndjesë pastë); Petrika Kostani; Viktor Vangjeli; Jorgaq Cipi (ndjesë pastë); Sabri Çiku; Spiro Moçka; Ivzi Minxha; Kozma Sinjari (ndjesë pastë); Ylber Laknori (ndjesë pastë) dhe Jorgo Tabaku (ndjesë pastë).
Ishin një grup djemsh të gëzuar, të shkathët e të talentuar, të cilët patën fate të ndryshme e morën udhë jo të njëjta në jetë.
Në fund të shtatorit 1961, kur studentët e aviacionit u përzunë, dhunshëm, nga Bashkimi Sovjetik, Xhuliani u kthye në Atdhe dhe, në atë fundvit, lundroi për në Kinë, me anijen oqeanike "Durrësi", në atë lundrim sfilitës, i cili vazhdoi 56 ditë, për t’u bërë pilot. Ai dhe shokët e tij u sistemuan në Mançuri, në qytetin Çin Xhou, në shkollën e tretë të aviacionit ushtarak kinez. Në këtë shkollë, Xhulian Popa kreu fluturime me aeroplanin Jak 18-U dhe, kur shokët e tij kaluan në avionët Mig-15, Xhuli u deklarua i paaftë si pilot (ishte hipertonik) dhe u kthye, para shokëve, në Shqipëri. Ai u titullua oficer dhe u emërua navigator drejtimi, në Vendkomandën Qendrore të Ushtrisë. Pas tri vitesh, ai u transferua në vendkomandën e Regjimentit të Qytetit "Stalin" e, më pas, u caktua pedagog i lëndës së aviodrejtimit, në Shkollën e Lartë të Aviacionit, në Vlorë.
Në muajin shkurt 1972, me një grup aviatorësh u specializua në Kinë, për të fluturuar në rolin e shturmanit fluturues, në aeroplanin IL-14 qeveritar. Punoi në këtë avion (në avionin e parë, me numër anësor 1509) derisa doli në pension të plotë. E kam njohur së afërmi, në shkollë, kur ishim studentë e, më vonë, në punë të përbashkët si navigatorë e në role të tjera. Ruaj për të mbresa mjaft të mira, si specialist aviacioni kompetent dhe si njeri i përkryer. Mund të them, pa mëdyshje, se Xhulian Popa ishte shturmani fluturues dhe aeronavigatori tokësor më i kualifikuar e shumë i përkushtuar në detyrë.
Ai pyetej e u jepte udhë çështjeve më të vështira të profesionit të tij. Xhuli ishte njeri me horizont e tepër kompetent. Si njeri, mund të pohoj, me plot gojën e pa lëkundje, se Xhulian Popa ishte model i njeriut të përkryer, për t’u ndjekur. I zgjuar, mendtar i rrallë, i qetë, tejet i ndershëm e me moral të lartë; i çiltër, deri në naivitet (besonte shumë Xhuli), i dashur e i shkuar me shokët, i thjeshtë e i papërtuar për të ndihmuar të tjerët, i edukuar e i kulturuar, lexonte e dinte shumë, shquhej për horizont e largpamësi. I këndshëm në bisedë e i thellë në gjykim.
Ai nuk ia fuste kot asnjëherë. Xhuli bënte pjesë tek ata pak njerëz, të cilët nuk dinë të shajnë e të përgojojnë të tjerët. Kur dikush kapërcente normat njerëzore të sjelljes, Xhuli reagonte kundër. Fjala më e rëndë fyese që dilte nga goja e tij, kur ishte tejet i inatosur me një veprim të paarsyeshëm apo me një njeri të mbrapshtë, ishte: "kafshë"!
Paraqitja e jashtme e tij të bënte të turpëroheshe. Uniformën e mbante të rregullt, të pastër e të hekurosur. Në çdo kohë, Xhulin e shikoje të rruar e të qethur, me ato mustaqe "spic", të cilat i shkonin për shtat fytyrës së tij të hijshme. Përdorte dhe i kishte qejf të gjitha llojet e parfumeve. Ishte kënaqësi të qëndroje në shoqërinë e tij të pastër e të painteres.
Xhulian Popa u nda nga jeta, papritur, thuajse si nga një aksident, në moshë të re, më 2 dhjetor 2004, nga një atak kardiak. E njoha nga afër e u bëra shok me të në situata të vështira, kur ndodheshim larg Atdheut e njerëzve të dashur e kur iu gjendëm njëri-tjetrit. U puqëm në disa pika të përbashkëta dhe e kuptonim njëri-tjetrin, ndaj u lidhëm e ndamë së bashku halle e paudhësi të kohës e të profesionit të vështirë. Xhulian Popa u bë, për mua, dhe jo vetëm, një shtyllë e fortë, ku mbështetesha, pa merak, dhe një burim frymëzimi i pashtershëm.
Tani Xhuli nuk është më midis shokëve dhe familjarëve të tij, që e donin dhe e respektonin aq shumë, por rron e do të rrojë, përjetë, kujtimi i tij i ndritur! — I paharruar qoftë kujtimi i atij njeriu të rrallë! — T’i rrojnë ata që ka lënë pas e i ngjafshin, në çdo drejtim!
Një hobi i Xhulit
Në fundvitin 1961, lundronim për në Kinë. Ne, studentët, në kuvertën e anijes oqeanike "Durrësi", e cila e bënte këtë lundrim të gjatë, për herë të parë, na veshën me kominoshe blu, si detarë e na inkuadruan në ekipazhin e anijes, që të dukeshim si ata. Si rregull, anija ndalonte në çdo port, për t’u furnizuar. Marinarët zbrisnin në port; ne, jo.
Nuk kishim as leje, as valutë. Në portin e Adenit, atëherë bazë ushtarake britanike, anija ndaloi e detarët zbritën. Ne i vështronim me kërshëri e me xhelozi. Shumë shpejt, mbi kuvertën e anijes sonë vërshuan tregtarë ambulantë vendas, me tezgat portative plot me mallra të imëta. Xhuli mbante në dorë një orë të markës "Superatlantik", të shtrenjtë e të rrallë në Shqipërinë e asaj kohe.
Mirëpo Xhuli ishte "qejfli" orësh. Atij i pëlqeu një orë e bukur, e prodhimit anglez e iu lut tregtarit ta ndërronte me orën e tij të shtrenjtë. Kur pa markën e orës, të cilën e njihte mirë, tregtari, pa e bërë dysh, ia rrëmbeu Xhulit nga dora e i zgjati orën më të bukur që kishte në tezgë. Xhuli vuri orën e re në dorë e, gjithë qejf, shkoi në kupe (dhomë fjetjeje) ku bëhej ekspozimi i mallrave që kishin blerë detarët. I kapardisur, se kishte bërë një këmbim me leverdi, Xhuli u dëftoi bashkudhëtarëve orën.
Marinarët, të cilët ishin "ujqër" në kësi punësh, i thanë: "Ta paska hedhur qeni; kjo orë mjaft e bukur i ka pjesët prej letre!" E pati gati përgjigjen shoku ynë: "Punë e madhe, — tha Xhuli, — në portin më të afërt do ta ndërroj orën me një tjetër, akoma më të bukur!" Kështu ngjau vërtet. Në Kolombo ndodhi i njëjti avaz dhe Xhuli përsëriti të njëjtin veprim.
Kur mbërritëm në Kinë, na dëftuan të tjera rregulla.
P.S.: Ditët e fundit shkova në familjen e Xhulian Popës, për të marrë një foto të tij. Gjeta një mjedis e njerëz fisnikë, si Xhuli. U ndjeva mirë që tradita e mirë vazhdon. U emocionova shumë, por më duhej të mos bija në sy, kur mësova se djalit të Bardhylit i kishin vënë emrin e gjyshit: Xhulian! E urova me shpirt vogëlushin: "U bëfsh i mirë si gjyshi i rrallë që ke pasur dhe e paç jetën të gjatë!" Mora me vete ndjesinë se "Tek ka rrjedhur, do pikojë!" Sa mirë që fisnikëria transmetohet nga brezi në brez e nuk humbet kurrë.
Tiranë, më 21 shkurt 2013
Përgatiti Niazi Nelaj, sipas kujtimeve vetjake




Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.