Kushtuar pilotit ushtarak të klasit të dytë Bilal Murat Josa; guximtarit që la gjurmë në fluturim.

Dy fjalë, në vend të hyrjes

Sa herë jam përfillur për të shkruar diçka për shokët e mi, të cilët janë në jetë, jam prapsur, nga droja se mos koha sjell ndonjë ndryshim të papritur. Një mik im, dashamirës e i mençur, më sugjeroi: "Po ti, përse shkruan vetëm për ata që janë ndarë nga jeta? Po të gjallët, a nuk kanë bëmat e tyre, të cilat duhen bërë të njohura për të gjithë? Apo nuk janë të njohur, për ty?" Sa të drejtë i jap, atij miku të nderuar e me shpirt të mirë!

Në procesin e reflektimit, gjykova: kur një njeriu si Bilal Murat Josa, "i këndohet kënga kur është në jetë"; nuk është e vështirë të kuptosh se ai dikush është e diçka ka bërë. Bilali, jo vetëm ka qenë dikushi, por gjurmët e punës së tij, në rritjen profesionale të pilotëve, mbeten të pashlyera. Ato përbëjnë një përvojë të vyer, e cila ka nevojë të studiohet e të përgjithësohet, pavarësisht se kohët erdhën të tilla, kur aviacionit tonë nuk i ka mbetur as nam; as nishan.

Më ka mbetur në mendje e dua ta ndaj me ju, një shprehje tipike të njërit nga asetet e aviacionit tonë, pilotit fjalëpak e talentshumë, Petrit Bebeçi, i cili, kur shkuam në shtëpinë e Bilalit, për ta parë e për ta intervistuar, përballë heshtjes së Bilalit, i cili nuk flet kurrë për vete edhe kur e pyet drejtpërdrejt, por e kalon bisedën serioze në shaka; Petriti, i cili ka fluturuar shumë e në detyra të vështira, me Bilalin, duke njohur mirë vlerat e tij si pilot bëmëmadh, më tha: "Për ato që ka bërë ai njeri, si pilot i tipave të sofistikuar të avionëve dhe detyrave të vështira që ka zgjidhur, Bilal Josa, e meriton të renditet në çmimin ‘Gines!’"

Pyeta shumë bashkëkohës të Bilalit, njerëz që kanë punuar, së bashku me Bilal Josën dhe kanë mësuar prej tij, si Bardhyl Lubonjën; Petraq Koroveshin; Fadil Nenaj (Braho); Agim Bacelli; Zeqir Cama; Bashkim Kozeli e mjaft të tjerë, opinionet e të cilëve, për Bilalin do t’i pasqyroj, me besnikëri, në këtë shkrim e ata më siguruan se: "Përveçse ka qenë pilot i cilësive të rralla, Bilal Josa ka qenë dhe një drejtues, me shpirt njeriu. Atë, për vlerat e spikatura, e donin dhe e respektonin, të gjithë sa e njihnin dhe se gjurmët që ka lënë Bilali, në aviacion, nuk mund të shlyhen lehtë; historia do të flasë për të e njerëzit që nuk e kanë njohur, do të kenë mundësi të mësojnë, qoftë dhe diçka minimale nga bëmat e tij".

I lexoj e u kthehem vazhdimisht opinioneve të shokëve dhe them, me vete: "Bilali fluturoi, në avionë me helikë e në ata reaktivë; përvetësoi aeroplanët reaktivë parazanorë e u bë mjeshtër i përdorimit të avionëve mbizanorë, në një periudhë kohe, kur në aviacion fluturonin ‘diva’ si Niko Hoxha; Haki Jupasi; Fari Bubësi; Babaçe Faiku; Lulo Musai; Anastas Ngjela; Mahmut Hysa; Kosta Neco Dede; Gezdar Veipi etj. etj. dhe në kohën e brezit të ri, kur ishin vitalë dhe efektivë talente të spikatura si: Bardhyl Lubonja; Koço Biku; Andrea Toli; Dhori Zhezha; Dhimitraq Robo; Petrit Bebeci; Bardhyl Brinja; Vangjel Koroveshi; Agron Daci; Guri Merkaj etj. etj. Kjo tablo u përket vetëm pilotëve efektivë të Regjimentit të Rinasit. Por Bilali nuk ishte i shquar vetëm mes pilotëve të regjimentit të tij; ai ishte i tillë në të gjithë aviacionin shqiptar. Më habit vetëm një fakt: Bilali ka shkëlqyer, jo në vakum, por kur fluturonin akrobatë të ajrit, trima e të mençur, guximtarë të paparë që luanin me aeroplanin sikur të ishte një lodër fëmijësh. Përfytyroni një bashkësi yjesh ku njëri prej tyre shëndrit më tepër se shokët e së njëjtës madhësi e largësi. I tillë mbeti Bilal Murat Josa, si ‘ylli Polar’ që udhëheq vallen e ‘Kashtës së Kumtrit!’ Çfarë e bëri Bilalin të shquhej mes këtyre ‘divave?’"

Zgjuarsia natyrale e tij ishte faktor bazë; trimërinë e kishte të trashëguar, syrin e mprehtë e kishte dhuratë nga Ija; shkathtësinë, fizikun e fortë dhe vendosmërinë, nga shoqëria. Këto, po se po, por Bilal Josa kishte një intuitë të çuditshme dhe fantazi tepër të zhvilluar. Atij i "pillte" mendja, aty për aty, duke gjetur shtigje e rrugëdalje, nga situata të ndërlikuara e të vështira.

Në qitjet me aeroplan p.sh. Bilali i ndante predhat, një nga një. Teorikisht, vështirë se përshkruhet diku; praktikisht ai e realizonte, më së miri. Aq e vërtetë është kjo, sa, në një qitje, siç dëfton Petrit Bebeçi, udhëheqësi i poligonit, më i miri i udhëheqësve të fluturimit, Haki Jupasi, kur pa që Bilali i ndante predhat një nga një e nuk po e përfundonte qitjen, i tha: "Ik tani, se na mërzite", dhe e largoi atë nga poligoni! I linduri për të fluturuar, Bilal Murat Josa, i tillë ishte dhe në jetë.

Më kujtohet, sa shpejt dhe drejt reagoi atë 16 shtator të vitit 1961, në trenin e linjës Krasnodar – Moskë, kur në stacionin e qytetit të Voronezhit, punonjësit e trenit e nisën makinën, para kohe, e ne mbetëm të varur në kangjella duke u rrezikuar të mbeteshim atje. Bilali, i cili ndodhej në kupenë e vet, kur pa katrahurën në stacion, e frenoi, dy herë radhazi, në mënyrë avari, trenin dhe na krijoi mundësinë e "artë" të ngjiteshim në tren.

Dikush, nga ata me të cilët kam biseduar për Bilalin, bën të habiturin e thotë: "Bilali luante rrallë me top dhe nuk merrej shumë me fizkulturë, por fizikun e kishte sikur të qe ndonjë blint". Nuk ka asgjë për t’u habitur. Në fëmijërinë dhe në adoleshencën e tij, përfshi dhe vitet që kaloi në shkollën e mesme, Bilal Josa ishte nga ata djem që jo vetëm nuk linte dy gurë bashkë, por, çdo ditë bënte disa dhjetëra kilometra vrap dhe qindra herë hipte e zbriste nëpër pemë, duke kapërcyer mure e gjerdhe kopshtesh.

Nëse bashkëmoshatarët e tij, kur luanin, e kishin "zgjedhur" Bilalin të parë dhe ai ishte kthyer në mbrojtës të tyre, kjo bëhej e mundur falë atij fiziku të formuar e asaj shkathtësie, të cilën e kishin zili, të gjithë shokët e tij. Bilali kishte një avantazh të madh, ndaj të tjerëve; ai nuk pinte duhan e nuk i mbahej fryma. Bilal Josa, jo pak është përfolur si përdorues konstant i pijeve të forta.

Në këtë mes ka diçka të vërtetë, të cilën, për hir të së vërtetës nuk duhet ta hiperbolizojmë e ta kthejmë në tiparin kryesor të tij. Siç shkruan, poeti i njohur Zaqir Cama, në opinionin dërguar me këtë rast: "... Bilali e kishte qejf atë farmak, por nuk ishte qylaxhi. E kishim për nder të pinim me Bilalin, se na kënaqte!"

Kështu thotë dhe parashutisti guximtar – Fadil Nenaj (Braho), i cili ka qenë shumë shok me Bilalin: Fadili, në një bisedë intime, më tha: "E kam pasur shok të ngushtë dhe kam qëndruar afër tij. Bilali e përdorte pijen dhe unë e kisha për zemër atë...". Nuk e ka të pabazuar populli ynë thënien: "Kali i kuq, e ka një huq!"

Ky ishte huqi i vetëm i Bilal Josës dhe për këtë shkak, ai u privua nga e drejta për të pilotuar, në një kohë kur ishte, ndoshta në kulmin e pjekurisë, si njeri e si pilot. Siç është vepruar dhe me mjaft të tjerë, shpata, preu, padrejtësisht, një degë të fortë, e cila u përgatit e u kalit me vështirësi e mundime të panumërta, si në shkollat e huaja dhe në vendin tonë.

Nuk mund ta shmangim prirjen e Bilal Josës për të bërë më të mirën, me ndonjë vogëlimë si kjo, e cila mund të "zdrugohet". Po t’i referohemi Bilalit njeri, nuk do ta kemi të vështirë të arrijmë në përfundimin se, pavarësisht nga shfaqja e jashtme, shpirti i Bilalit është "i butë", zemra e tij është "e gjerë" dhe interesat e tij i kapërcejnë kufijtë e një profesioni, sido që është zanat trimash. Bilali, në shpirt është një artist i vërtetë.

Ai i ka rënë fizarmonikës cilësisht e vazhdimisht dhe ka kënduar bukur. Nuk kishte asnjë detyrim t’i binte fizarmonikës Bilali; këtë ai e bënte për qejfin e tij e të shokëve që kishte pranë. Kush më shumë se Bilali njihte psikologjinë, mentalitetin dhe kërkesat e veçanta të vartësve? Sa i gjerë ka qenë ai komandant skuadrile, kur ishte fjala për të ndihmuar vartësit që të kalonin vështirësitë e t’u gjendeshin pranë të afërmve që vuanin.

Kur bëhet fjalë për dimensionin human të Bilal Josës, më mirë nga unë, mund të thonë ish-vartësit e tij. Njëri syresh, njeriu i letrave shqip, ekselenti Agim Bacelli, i cili, si njeri i racës sonë (në profesion), dikur vartës i Bilalit, me shumë respekt për heroin e këtij shkrimi, shkruan realisht e pa teprime. Nuk besoj t’i mbetet qejfi shkrimtarit të ekuilibruar e mendjehapët, po ta citoj, në këtë shkrim modest. Ja si shkruan Agimi, për atë periudhë, kur ishte efektiv i skuadriles që komandohej prej Bilalit: "Një ditë, më thirri e më tha: ‘Agim, shko, një javë, në shtëpi, në Korçë dhe kujdesu, për nënën që e ke të sëmurë!’ Ngela shumë i habitur. Ku e dinte ai, një të vërtetë?!

E kundërshtova, mbasi nëna ishte bërë më mirë. ‘Ore Lal! (kështu drejtohej me afinitet Bilali), a e di ti që urdhri, zbatohet një herë, pastaj raportohet, për kundërshtime!’ Qesha dhe i thashë të më dëftonte si e dinte ai që kisha pasur nënën të sëmurë.

‘Kur të kthehesh, ik tani, nisu!’ E unë shkova...".

Bilal Josa ishte mjaft i njerëzishëm në raportet me vartësit. Këtë nuk mund ta kufizoj në një rast të vetëm. Ai e kishte bërë vijë sjelljeje qasjen e njeriut të mirë dhe besonte shumë tek vartësit e tij. Këtu ka një gjë, e cila nuk meriton ta kalosh në sipërfaqe, as ta anëkalosh: Beson shumë, jo ai që është naiv e leshko, por ai që është i drejtë, i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë, siç është Bilal Josa. Siç më dëftoi një ish-vartës i tij; një ditë, njëri nga vartësit, mbasi piu mirë e mirë, me Bilalin, në konfidencë, i kërkoi leje komandantit të shkonte disa ditë pranë familjes biologjike, larg Rinasit e Tiranës, për të parë të tijtë. Bilali, i besoi vartësit të tij dhe i dha leje.

Kur u kthye në zyrë, komandant Bilali pyeti shefin e stërvitjes dhe pa grafikun e gatishmërisë. Vartësi "hileqar", nuk e kishte bërë me dije komandantin e tij të skuadriles, për faktin që ishte i planifikuar me shërbim. Kur u njoh me situatën, Bilali, qeshi e tha: "Ma punoi kodoshi!"

Por vartësi i tij, tashmë "kishte çarë ferrën!" Duhet të shkruaj se Bilal Josa, nuk mbante inat, asnjeri, por kërkonte nga shokët dhe vartësit e tij të qaseshin ndaj tij, me atë sjellje që ai u ofronte atyre. Fakti që gjatë karrierës së gjatë, të komandantit të skuadriles së parë, nuk dënoi asnjeri, nuk është në anën e liberalizmit, por në atë të humanizmit.

Humanizmi i Bilal Josës, as nis e as mbaron këtu. Le t’i referohemi praktikës jetësore të tij, lidhjeve të shëndosha familjare. Së bashku me Engjëllushen, Engjëll, Bilali lindi e rriti 2 djem: Gentin dhe Arditin; njëri më i mirë se tjetri. Bashkëshortja e tij kaloi një situatë të rëndë shëndetësore dhe Bilali, jo vetëm iu ndodh pranë, në çastet kritike për jetën, por, duke e ndihmuar konkretisht dhe ia lehtësoi situatën në familje dhe sot, ajo ndihet mirë. A nuk mjaftojnë sikur vetëm këto, për të dëftuar dimensionin human të Bilal Josës? Po të mos mjaftojnë këto, ju them dhe diçka tjetër: Bilali ka qenë gjahtar i pasionuar.

Gjahu e ndihmoi atë, të mbante kondicionin fizik dhe e relaksonte. E kishte hobi Bilali gjahun, jo nevojë ekonomike. Një mik i tij i familjes, dikur i fali një qen gjahu, të cilin e quanin Rolf. Ky qen, ishte i plakur e i rënë nga vakti.

Ai, dikur u sëmur e Bilali i shërbente sikur ta kishte fëmijë. Pastaj mori një tjetër qen gjahu, të cilit Bardhi Lubonja i vuri emrin Xhimi. Edhe për këtë, Bilali u kujdes, si për një njeri të afërt. Me këtë dua të them se, në botën e tij, kishin hyrë kafshët shtëpiake e ai kujdesej shumë për to, dhe kur?

Në një kohë kur në vendin tonë nuk i shkonte asnjeriu në mendje të kujdesej për kafshët. Po për njerëzit, në veçanti për vartësit e tij? E dëshmoj, po të doni, me fakte konkrete se Bilal Josa, jepte dhe shpirtin për ata që e meritonin dashurinë e tij. Bilal Josa, si të gjithë ne, nuk është hyjnor, por njeri, veç një njeri i veçantë, me dinjitet e shpirt njeriu. Sot ai ndodhet disi i izoluar, e nuk del nga shtëpia, për shkaqe shëndetësore, por nuk ndihet kurrsesi i braktisur e i vetmuar dhe nuk ankohet për gjithë prapësitë që janë thurur prapa shpinës së tij. Përveç të tijve, Bilalin e vizitojnë e i telefonojnë mjaft shokë e miq, nga çdo anë e vendit tonë dhe e botës mbarë, si shenjë e respektit dhe dashurisë që kanë për njeriun e mirë Bilal Josa.

I telefonoj herë pas here; e pyes për shëndetin dhe ecurinë e sëmundjes e ai, gjithmonë me të qeshur e me humor më përgjigjet tërë optimizëm. Nuk ankon asnjëherë. Në një telefonatë të ditëve të fundit, kur e pyeta, nëse e vizitojnë shokët e dikurshëm, ai më bëri me dije se i kishte shkuar: "Petraqi; Petriti dhe E. Bajraktari. Shpesh flas në telefon me Nestorin, më tha dhe më telefonon Bardhi Luvonja, nga Bostoni etj".

E kam merak, ta them me patjetër se, Bilal Josa, nuk erdhi rastësisht në aviacion. Ai kishte gjithë kualitetet e nevojshme për t’u bërë pilot dhe u bë i tillë, madje nga më të mirët. Ai e hoqi vallen tok me shokët e në krye të tyre. Bilali, si mjaft të tjerë mbetet një "aset" i rrallë e i veçantë, në radhën e protagonistëve fluturakë. Pa e glorifikuar, kur përshkruajmë një kapacitet të tillë, është e nevojshme të ruhemi nga të dyja mundësitë; si nga nihilizimi dhe nga hiperbolizimi. Të dy janë të dëmshëm e të panevojshëm.

Puna e Bilalit ka gojë e flet. Ata që e kanë njohur, e dinë mirë dhe e kanë parë me sytë e tyre këtë. Detyra jonë, me të gjitha mundësitë e me se të na vijë përdoresh, është t’i gdhendim, në shkrime e në kujtime këta njerëz, të cilët nuk na vijnë në çdo kohë, t’i vendosim ata në majat që meritojnë, aty ku e kanë renditur veten. Historia është një dhe e paanshme; ajo nuk duron të pavërteta. I lumi ai që i dëfton ato, siç kanë ngjarë në jetë!

Më duhet ta përfundoj këtë hyrje, të shkurtër, me fjalët e poetit tonë të talentuar Zeqir Cama, i cili e ka njohur drejtpërdrejt Bilalin, dhe shkruan: "Bilali ka një figurë komplekse. Ai ishte njëri nga ata që dilte jashtë rrymës e nuk qe për tufën që ecte përpara me kokën të ulur..."

Bilal Josa, ka kohë që nuk ngrihet në ajër. Tani ai ka hyrë në moshën e tretë dhe po pleqëron kohën, "i ngujuar". Jehona e bëmave të tij ka vijuar edhe pas largimit të tij nga udhët e qiellit. Disa, me dashamirësi, dhe të nxitur, ndoshta nga dashuria dhe respekti që ruajnë për të, të tjerë që duan ta përjetësojnë talentin e tij të rrallë etj. Por, mund të gjenden dhe nga ata që i kanë thurur e i thurin lëvdata, të pabazuara në realitet konkret, por në fantazinë e tyre. Kuptohet, ata që nuk e njohin ajrin, sajojnë ndodhi e veprime nga më fantastiket e më të pabesueshmet, nisur nga motivi për ta paraqitur "heroin" e tyre si të paarritshëm, bëmat e tij si të pakapshme. I dëftojnë bukur, i zbukurojnë e i hiperbolizojnë gjërat, deri në kufijtë e legjendës.

Këta dashamirë të cilët e mendojnë "heroin" e tyre si të mbinatyrshëm e të veçantë, edhe në fluturimin dhe kanë mendimin se akrobacitë, në ajër janë tabu e nuk mund të kryhen nga njerëz të zakonshëm. Nuk përjashtohet mundësia që, të tillë njerëz, mund ta kenë merakun tek vetja, duke menduar se po dëftuan gjëra të pazakonta, i japin "pikë" vetes. Prandaj, kur u thua njerëzve të tillë se: "Kam qenë pilot"; të vështrojnë, nga koka tek këmbët, me kureshtje e të "hapin udhë".

Bilali, si "hero" me kontribute të shquara në aviacion, mund të renditet, pa mëdyshje, mes pilotëve "Asë" të aviacionit shqiptar. Një ndodhi e jetuar, që do t’ju rrëfej më poshtë, dëshmon për ndjenjën e përgjegjësisë së atij komandanti për detyrën dhe, në të njëjtën kohë, na përqas, me aftësitë e tij të rralla profesionale. Pas kaq vitesh, rrëfimi mund të shëmbëllejë, quajeni si të doni, por në vitet e largëta kur Bilal Josa komandonte Skuadrilen e parë të Regjimentit të Rinasit, ajo ka ndodhur vërtet. Po çfarë ka ngjarë? Regjimenti i Rinasit fluturonte natën, në kushte të thjeshta të motit. Skuadrilen e Parë e komandonte Bilal Josa dhe ajo ishte e përfshirë në plantabelën e fluturimeve.

Bilali ishte caktuar të bënte fluturimin kontroll të kushteve, meteorologjike, me një aeroplan dyvendësh (sparkë). Një oficer, efektiv i Skuadriles së Bilalit, ishte i fiksuar për të dalë, çdo ditë në Tiranë, më tepër pa leje sa me leje, pavarësisht nga detyra që zgjidhte skuadrilja e tij, atë ditë. Këtë hobi të tij, Bilali e dinte dhe përpiqej ta evitonte.

Oficeri A.B. atë ditë nuk ishte i planifikuar për të marrë pjesë në fluturim. Jashtë plantabelës ishte dhe shoku i tij i skuadriles, oficeri P.V. Ky, i fundit, këmbëngulte, të dilnin në Tiranë dhe, kur pa që Bilali u ngrit në ajër, me avionin dyvendësh, i tha shokut: "Shkojmë në hotelin e beqarëve, vishemi civilë dhe nisemi, në këmbë, deri në Kamëz." (Aso kohe autobusi urban shkonte deri në Kamëz dhe segmentin Rinas-Kamëz, oficerët e bënin në këmbë). U nisën për në Tiranë, të dy oficerët "rebelë". Mendonin se nuk i kishte vënë re asnjeri dhe po ecnin, në qejfin e tyre. Pa mbërritur në Kamëz, u dha, pas tyre makina Gaz-69, e komandës së regjimentit. Shoferi Asim Mullaimeri, u tha, miqësisht e me buzëqeshjen tipike të tij, oficerëve: "... Hajdeni në repart se ju kërkon komandant Bilali!"

U habitën oficerët, nga fakti; si kishte mundur t’i shquante vartësit e tij, piloti Bilal Josa, duke qenë në ajër, në fluturim, me një avion dyvendësh? I tillë ishte piloti Bilal Josa, një fluturak i rrallë, në duart e të cilit avioni ngjante si një lodër fëmijësh. Besoj, komentin, e bën çdo njeri, në vetminë e tij.

Autori

Bilal Josa ne BS

Jetëshkrimi i Bilal Josës= talent, guxim dhe sfida.\

Më 25 qershor të vitit 1938, familja me 6 fëmijë e Fatimes dhe e Murat Josës, nga Tirana, u shtua me një djalë. U gëzua, shumë, Ija, xha Murati, gjithë fisi dhe fëmijët më të rritur të asaj familjeje: Aishja; Aliu; Hatixheja; Ikbalja; Shyqyriu dhe Hamiti. Emrin, çunit që erdhi në jetë ia vunë Bilal.

Pas tij, çifti i paraardhësve lindi vetëm një vajzë – Dean. Sipas gojëdhënës, të parët e fisit Josa, në kohë që nuk mbahen mend, kanë zbritur në Tiranë, nga Buali. Me kalimin e viteve, kjo familje, si dhe gjitonët e tyre, u përshtat me kushtet e reja të jetesës dhe bëri për vete traditat dhe zakonet e trevës. Të parët e familjes Josa, Fatimja dhe xha Murati, e ngritën çerdhen në një vend pranë xhamisë së Sherifit, në Tiranë. Bilali, qysh se i mitur bënte dallim nga fëmijët e tjerë të çiftit.

Ai ishte më i lëvizur e mjaft trazovaç. Ai, me shkathtësinë dhe lëvizshmërinë karakteristike, nuk linte dy gurë bashkë. Në çdo orë të ditës atë e shikoje duke u kacavjerrë mbi muret e avllive apo majë pemëve të familjes së tij dhe të gjitonëve. Bilali ishte një fëmijë shumë kurioz.

Ai donte të vrojtonte e të prekte, me dorë çdo send e të gjitha objektet që i shfaqeshin përpara. Sytë i kishte të mprehtë; thua se ia kishte marrë hua shqiponjës. Syve të tij, për nga mprehtësia nuk ia dilte njeri. Çdo lëvizje e send që kalonte përpara tij, ishte e pamundur të mos ishte në fushën e të parit të atyre syve, të mprehtë e disi dinakë. Sapo vinte re se porta e oborrit të shtëpisë së Murat Josës ishte harruar pak hapët, ai vraponte, si i tërbuar për tek gjitonët, për të luajtur me moshatarët e tij, apo për të bërë ndonjë prapësi të radhës e të moshës.

Fëmijërinë, Bilali e kaloi në Tiranë, pranë prindërve dhe motrave e vëllezërve të shumtë. Mësimet shtatëvjeçare i mori në shkollën "Kosova", e cila ndodhej në rrugën që të çon nga Tirana, në Elbasan, në vitet 1945-1952. Si në shkollë dhe jashtë saj, Bilal Josa njihej si fëmijë i lëvizshëm, sedërli, deri në inatçor, veç jo ngatërrestar e grindavec.

Kur mësonte në shkollën "Kosova", në lojërat fëminore, shokët e moshës kishin tek Bilali një lider dhe mbrojtës të sigurt. Djemtë e mëhallëve fqinje, kur vinin re se në grupin kundërshtar ishte dhe Bilali, i matnin mirë forcat dhe dëftoheshin më të rezervuar. Shkollën e mesme, çapkëni i Ijes e kreu në gjimnazin e njohur "Qemal Stafa", në vitet 1953-1957.

Ky gjimnaz, në atë kohë, por dhe më pas, gjatë gjithë ekzistencës së tij është renditur mes shkollave të mesme "elitë" të vendit tonë. Në vitet e gjimnazit, Bilali përthithi mjaft dijeni për botën dhe jetën. Gjatë adoleshencës së parë, "pekuli i Ijes" erdh e u bë një djalë i fuqishëm, i pashëm e plot shëndet.

Në lojërat me shokët e moshës, në veçanti në ato me top, në rrugicat e pashtruara të mëhallës apo në oborrin e shkollës, Bilali shquhej, për forcë fizike, rezistencë, guxim e veprime të shkathëta. Në lojë ishte tepër rezistent, driblonte shpejt dhe gjuante fort e shënonte, me lehtësi. Loja e futbollit, të cilën e kishte mjaft për zemër, kapërcimi i mureve të avllive e gjerdheve të kopshteve, kacavjerrjet nëpër pemë dhe ushqimi i shëndetshëm që i jepte Ija e dhimbsur e bënë Bilalin, të fortë, sikur të ishte prej hekuri, shëndetplotë e të shkathët, tipare të cilat i vlejtën në detyrën delikate që zgjodhi, e i ruajti ato, gjatë gjithë jetës aktive. Edhe sot, kur Bilali është në moshën e tretë, ai lexon pa ndihmën e syzeve të miopisë dhe ka një kujtesë për t’u pasur zili.

Djaloshi tiranas, me trup pak nën mesataren por të ngjeshur mirë e muskuloz, i zgjuar e i pashëm, tek i cili rinia, kishte derdhur, pa kursim gjithë "nektarin" e asaj moshe shpërthyese, në vjeshtën e vitit 1957, u rreshtua në radhët e studentëve për pilotë, në shkollën e aviacionit, e cila, fillimisht u çel në përbërje të Skuadriles së vetme luftarake, në aerodromin e Laprakës, në Tiranë. Duke u futur në këtë udhë, prindërit e Bilalit dhe të afërmit e tij menduan se, në radhët e pilotëve, prirjet e tij, të renditura më sipër, do të frenoheshin e do të kontrolloheshin më lehtë. Bilali ishte futur në udhët e qiellit, atje ku do të ishte "foleja" e tij, për mjaft kohë. Shokë të tij u bënë: Lili Laçka; Skënder Kanina; Llazar Çupa (ndjesë pastë); Thanas Naçi (ndjesë pastë); Pandi Buci (ndjesë pastë); Vasil Kromidha (ndjesë pastë); Astrit Mersini (ndjesë pastë); Nestor Dhaskali; Agron Galanxhi (ndjesë pastë); Aristotel Poga; Vangjel Nakuçi; Avenir Aleksi; Luan Sinaj; Burhan Nurja, etj. Kur fluturonte në aerodromin e Laprakës dhe në fushën e Shijakut, me avionin e lehtë mësimor Jak-18 U, Bilali kishte instruktor të teknikës së pilotimit, Petrit Majlindin, njërin nga pilotët që kishte ardhur nga radhët e ish-partizanëve. Siç thotë vetë Bilali, instruktori i tij: "Ai që më dha mësimet e para, ishte njeri i respektuar dhe i trajtonte njerëzit, me respekt".

Në atë kohë, Skuadrilja luftarake e Tiranës komandohej nga famëmadhi Peço Polena, i cili kishte çarë, i pari qiellin shqiptar, me aeroplan luftarak shqiptar, më 24 prill 1951. Shef shtabi ishte piloti trim Pertef Myftari, bëmat trimërore të të cilit janë të njohura si në kohën kur ishte partizan dhe më vonë, kur studionte për pilot, në shkollën jugosllave të aviacionit, kur ai mbrojti identitetin shqiptar dhe nderin e flamurit kombëtar. Shkolla e aviacionit ishte formuar brenda Skuadriles luftarake të Laprakës dhe kishte për komandant, njërin nga themeluesit e aviacionit shqiptar, Areteo Konomin. Instruktorë të tjerë të teknikës së pilotimit ishin: Agim Spahiu; Hektor Lako; Flamur Mickaj; Refit Jazoj etj. Shok grupi, në nënndarjen si fluturues, Bilali kishte Nestor Dhaskalin etj.

Në aerodromin e Laprakës, në atë kohë fluturohej mbi kryeqytet, pa respektuar masat e parrezikshmërisë së fluturimit. Kthesa e katërt gjatë fluturimit në "rreth", plotësohej, në lartësi të vogël, mbi ngrehinat e "Bllokut", ku banonin udhëheqësit e lartë të partisë e të shtetit. Fluturimet e shpeshta me studentët për pilotë, në lartësi të vogla e zhurma shurdhuese që vazhdonte gjatë, u bënë të bezdisshme për "shefat", të cilët, një ditë, urdhëruan që shkolla e aviacionit (efektivi dhe aeroplanët, si dhe baza materiale e nevojshme) të zhvendosej në fushën e blertë të Shijakut, e cila kishte kryer funksionet e aerodromit ushtarak, në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ku ishin dislokuar trupa ushtarake të aviacionit italian.

Viti 1958, nga pranvera deri në vjeshtë, kaloi si kaloi në fushën e Shijakut, me fluturime në rreth e në zonë dhe në detyra të tjera ajrore. Në vjeshtën e vitit 1958, grupi i djemve që mësonin për pilotë u nis për në Bashkimin Sovjetik, ku do të vijonin shkollën e nisur në Shqipëri dhe do të bëheshin pilotë. Në një ditë vjeshtë, të vitit 1958, grupi i studentëve ku bënte pjesë Bilali, u nis, nga porti i Durrësit, me anijen sovjetike "Bjelloostrov", për në atë të Odesës (Bashkimi Sovjetik). Lundrimi zgjati 4 ditë dhe, në Odesë, djemtë nga Shqipëria fjetën një natë në shkollën e kadetëve "Nahimov". Të nesërmen, studentët për pilotë u ndanë në dy nëngrupe: njëri u nis, me tren, për në qytetin e Pugaçovit, në Siberi, ku do të përgatitej për t’u bërë pilotë helikopteri; tjetri, u nis për në qytetin Borisoglebsk, në shkollën e aviacionit që mban emrin e pilotit legjendar sovjetik "Valerij Çkallov" dhe do të përgatitej për t’u bërë pilotë gjuajtës-bombardues. Në grupin e studentëve që shkuan në Borisoglebsk, qarku i Voronezhit, bënte pjesë dhe tiranasi Bilal Murat Josa.

Shkolla e aviacionit sovjetik e qytetit të Borisoglebsit kishte fituar famë të merituar, si njëra nga shkollat më të mira të aeronautikës, në hapësirat sovjetike. Emrin sinjifikativ të legjendës së njohur botërisht, pilotit që theu tabu e bëri të pabërën, Valerij Çkallovit, ajo shkollë e kishte merituar dhe e mbante me nder, prej shumë vitesh. Disa breza pilotësh shqiptarë, mes të cilëve: Gëzdar Veipi; Çobo Skënderi; Mahmut Hysa; Halit Bulku; Sokrat Prifti; Kostandin Sadikaj; Azbi Seranaj; Bardhosh Hasanaj; Qirjako Dhima; Sokrat Basha; Agim Vodopi etj., kaluan nga ajo "portë".

Në këtë shkollë, ishte instruktor i teknikës së pilotimit, majori Glinka, njëri nga heronjtë e Bashkimit Sovjetik, pjesëmarrës në betejat ajrore, kundër hitlerianëve, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shkolla, në vite ishte konsoliduar, si në çështjet teorike dhe në ato të fluturimit. Pedagogët që drejtonin lëndët teorike ishin në nivele shkencëtarësh dhe kishin fituar përvojë të pasur, si metodistë. Kabinetet e mësimeve teorike ishin të kompletuara me bazën e nevojshme materiale për argumentimin dhe konkretizimin e problemeve teorike.

Në nivele shkencëtarësh të mirëfilltë ishin pedagogët: Shollohov, i cili kishte doktoraturën për çështje ndërkombëtare; Jahovjeckij – specialist për teorinë e fluturimit dhe bombardimin me avion; Tomsko – shkencëtar i aeronautikës; Koniev – pedagog cilësor, i cili drejtonte lëndën e konstruksionit e të teorisë së motorëve etj.

Instruktorët e teknikës së pilotimit shquheshin për teknikë pilotimi individuale të përkryer dhe kishin akumuluar e dëftonin, si metodistë të mirë, elementet e fluturimit, në ajër. Ata ishin mjaft të kujdesshëm e të duruar në çështjen e zbërthimit dhe të argumentimit të elementeve të veçanta të evolucionit të avionit, në ajër, duke pasur parasysh punën e vështirë me studentë të huaj, të cilëve, u shtoheshin mosnjohja e gjuhës dhe terminologjisë së aviacionit. Instruktorë cilësorë e jetëgjatë në punën me shqiptarët ishin: majori Sozin; pilotët: Dokuçajev; Uljanov; Semjonov; Diumin; Tkaçenko; Glinka (Hero i Bashkimit Sovjetik) etj. Duhet thënë se studentët shqiptarë që përgatiteshin për t’u bërë pilotë, në rrethet akademike të shkollës, në startet e fluturimit dhe në mjediset shoqërore, ishin të preferuar, madje dhe "të përkëdhelur". Me studentët shqiptarë, pedagogët dhe instruktorët e fluturimit, e gjenin shpejt gjuhën e përbashkët.

Në grupin e studentëve nga Shqipëria, në të cilin bënte pjesë Bilal Josa, në tërësi, bënin pjesë djem të zgjuar, çapkënë e të sjellshëm. Ata dalloheshin si përvetësues të shpejtë dhe artikulues të qartë të gjuhës ruse; kapnin shpejt e përvetësonin qëndrueshëm çdo detaj që u dëftonte instruktori, në ajër dhe ishin guximtarë e nga ata që e dashurojnë profesionin e pilotit. Korrektësia dhe sjellja me edukatë e dinjitet e adoleshentëve të ardhur nga Shqipëria, nga viti në vit kishte bërë vend e kishte lënë gjurmë në botën e vendasve. Bilal Josa, ishte njëri nga studentët e grupit ku bënte pjesë, i cili, me tiparet e karakterit të çiltër e me shkathtësinë e shfaqur në detyrë e në jetë, fitoi shpejt simpatinë dhe dashamirësinë e pedagogëve të teorisë dhe instruktorëve të teknikës së pilotimit. Humori i tij i ëmbël, shakatë e tij, gjithë "kripë", pëlqeheshin, nga shokët dhe mësuesit e tij. Loja e futbollit, në të cilën Bilali shfaqej si lider i ekipit, ishte një pikë takimi bazike për afrimin e tanëve me vendasit.

Mjafton të themi se instruktori i teknikës së pilotimit Diumin, për njëfarë kohe ishte portier i ekipit të futbollit të studentëve nga Shqipëria, ekip, në të cilin luante dhe Bilali.

Në auditorët e shkollës së aviacionit, në Borisoglebsk, Bilali dhe shokët e tij mësuan, me baza më të shëndosha aerodinamikën dhe lëndët e tjera të teorisë që lidhen me fluturimet kurse në pranverën e vitit 1959, studentët për pilotë dhe instruktorët e tyre, dolën në startet e fluturimit. Një vit më parë, kur grupi ishte në shkollën shqiptare të aviacionit, kishte fluturuar në aerodromin e Laprakës dhe në atë të Shijakut, në aeroplanët e lehtë mësimorë, me helikë, të tipit Jak-18U, me rrotë në bisht. Në Borisoglebsk, ata fluturuan në avionin Jak-18 A, i cili ishte një avion më i avancuar, krahasimisht me tipin paraardhës. Instruktori i fluturimit Nikollai Bogaçov dhe kolegët e tij, i përgatitën studentët, me kualitetet e nevojshme të praktikës së fluturimit, për të kaluar, në vitin pasardhës, në avionët reaktivë. Vjeshta e vitit 1959 e çoi Bilal Josën dhe shokët e tij të grupit, në Jug, në qytetin e Krasnodarit ku u transferua një pjesë e shkollës së Borisoglebsit. Gjatë dimrit, studentët kryen përgatitjen e nevojshme teorike për të mësuar veçoritë e shfrytëzimit të aeroplanit reaktiv Mig-17, në tokë e në ajër.

Pranvera e vitit 1960, i nxori studentët për pilotë të grupit të Bilalit, në startet e fluturimit, të aerodromit të Kushovskës, të qytetit me të njëjtin emër, i cili gjendet rreth 50 km, në Jug – Jug- Lindje të qytetit disamilionësh të Rostovit mbi Don.

Në Kushovskaja, grupi ku bënte pjesë Bilal Josa, fluturoi në avionët reaktivë Mig 17, në vitin 1960, ku mësuan teknikën individuale të pilotimit dhe në vitin 1961, kur përvetësuan elementet e përdorimit luftarak të aeroplanit Mig-17. Instruktor i teknikës së pilotimit, në këtë tip aeroplani ishte ukrainasi Nikolla Zadjerihin dhe kolegët e tij. Në muajin shtator të vitit 1961, kohë kur grupi i studentëve për pilotë kishte përfunduar programin e përdorimit luftarak të avionit Mig-17 dhe tërë programin trevjeçar të shkollës së aviacionit, mbasi u ishin nënshtruar dhe provimeve përkatëse, me një urdhër ogurzi e të papërgjegjshëm, grupi ku ishte Bilali dhe të gjithë studentët shqiptarë të aviacionit, u përzunë, me dhunë, nga Bashkimi Sovjetik, dhe më 16 shtator të vitit 1961, u kthyen në Atdhe. Bilal Josa, jo vetëm për shkak të profesionit burrëror që zgjodhi, por, dhe me trimërinë në gjen, në rrugën me tren, për të shkuar nga Krasnodari, në Moskë, ku i priste një aeroplan transporti i tipit Tu-104, ngritja e të cilit në ajër, nuk kishte tolerancë në kohë, në qytetin e Voronezhit, kreu një akt të theksuar Atdhetar, duke shpëtuar nga raprezaljet e policisë vendase një grup studentësh që vinte nga Batajsku e u bashkua me ata që erdhën nga Krasnodari, në Rostov mbi Don. Rasti është shkruar dhe në shkrime të mëparshme, por ajo që duhet theksuar në këtë rast ka të bëjë me qëndrimin e tij aktiv, të pjekur e me reflekse të forta. Ai, duke qenë në kupenë e tij, me shokë që i kishte për zemër, kur vuri re bashkatdhetarët e tij studentë, të varur në kangjellat e stacionit të kyçur të trenit, frenoi, avari, dy herë me radhë trenin, duke u dhënë mundësi atyre djemve të rinj, të ngjiteshin në tren, duke evituar një rast fatkeq për ta, po të ishte nisur treni e ata të mbeteshin në tokë.

Pas lejes së zakonshme, njëmuajore, mbasi u takua e u çmall me të tijtë, Bilali dhe kolegët, tashmë të diplomuar pilotë e të titulluar oficerë, u paraqitën në Regjimentin "Peza" të Qytetit "Stalin" i cili, në atë kohë komandohej nga kolonel Niko Hoxha, njëri nga ata që vunë gurët e themelit në ngrehinën e aviacionit shqiptar. Grupi i pilotëve të rinj, në përbërje të të cilit ishte Bilali, u caktua në detyrën e pilotit shoqërues dhe nisi fluturimet në avionët Mig-15; ditën, në kushte të thjeshta të motit. Ata e kishin përfunduar programin teorik dhe atë praktik të shkollës sovjetike të aviacionit, por koha e mbrapshtë që pasoi atë fundverë të vitit 1961, nuk lejoi të vinin në Shqipëri dokumentet përkatëse. Bilali ishte student i nivelit mbi mesataren e grupit, por kur u titullua oficer, i dhanë gradën më të ulët, atë të nëntogerit dhe iu nënshtrua, së bashku me shokët, testeve përkatëse të fluturimit.

Në pranverën e vitit 1962, mbërritën në aerodromin e Rinasit 12 aeroplanë reaktivë gjuajtës-bombardues Mig 17F. Mbi bazën e dy tipave të avionëve (12 avionë Mig-19 PM e 12 të tjerë Mig-17F), u formua Regjimenti i aviacionit, me qendër në aerodromin me të njëjtin emër, në Rinas. Komandant i regjimentit u emërua kolonel Niko Hoxha, i cili u transferua, nga Regjimenti i Qytetit "Stalin", në atë të Rinasit. Së bashku me kolonelin, u transferuan, në Rinas edhe pilotët që erdhën nga Bashkimi Sovjetik, disa muaj më parë, me program të përfunduar.

Së bashku me Bilal Josën, nga Regjimenti i Qytetit "Stalin" erdhën, në Rinas, pilotët: Astrit Mersini; Vasil Kromidha; Nestor Dhaskali; Sokrat Basha; Skënder Kanina; Llazar Çupa dhe Mustafa Çiçi. Në këtë kohë, krahas skuadriles ekzistuese, të pajisur me 12 aeroplanë Mig-19 PM, u formua dhe Skuadrilja e dytë, e cila u kompletua me 12 aeroplanë Mig-17F. Për shkak të plotësimit të nevojave organike, pilotët: Kosta Neço Dede; Gëzdar Veipi; Çobo Skënderi e Bajazit Jaho, u transferuan, nga skuadrilja e parë, ku fluturonin në Mig 19 P M, në skuadrilen e dytë; në detyra drejtuese.

Në këtë skuadrile, u sistemuan dhe pilotët: Mustafa Çiçi; Skënder Kanina e Llazar Çupa, të cilët, gjithashtu u caktuan në detyra drejtuese. Për shkaqe pune, pilotët: Bardhyl Taçi e Vasil Xoxi Andoni, u transferuan në Regjimentin e Qytetit "Stalin", kurse Haki Jupasi, si ekspert në çështjet e fluturimit u komandua në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, ku ndihej nevoja e organizimit të stërvitjes ajrore, me studentët. Në Regjimentin e Rinasit, në skuadrilen e parë, lindi nevoja e plotësimit të ekipazheve dhe çifteve, me pilotë të rinj. Avionë mësimorë të tipit Mig 19, aso kohe nuk kishte. Komandanti i regjimentit, i paharruari Niko Hoxha, e dha vetë shembullin, i pari.

Ai, pas një përgatitjeje të detajuar, mbasi u njoh me veçoritë e shfrytëzimit të aeroplanit Mig-19 PM dhe u konsultua me ata që fluturonin në këtë tip avioni, një ditë u çua në ajër, duke thyer tabu e duke dëftuar, me vepra konkrete, se fluturimi në këtë tip, pa pasur avion mësimor ishte i mundshëm. Pas tij, u organizua një grup kalimi, me pilotët e rinj: Serafin Shegani; Bilal Josa; Astrit Mersini; Nestor Dhaskali e Vasil Kromidha, të cilët u bënë, më pas bërthama e skuadriles gjuajtës – kapës të pajisur me aeroplanë Mig -19 PM. Ky grup kalimi, e realizoi fluturimin e parë, në avionët gjuajtës-kapës mbizanorë të pajisur me katër raketa të drejtuara ajër-ajër, në kushtet e vendit tonë, pa avion mësimor.

Në dallim nga kolegët e tyre, të cilët, në vitet 1959 dhe 1960, për të përvetësuar tipin e dhënë të avionit të ri dhe për të bërë qitjet me raketa të drejtuara, morën udhën e gjatë, shkuan në shkretëtirat e hapësirave sovjetike, të brigjeve të Kaspikut. Puna e tyre, në kushte të reja, u çmua si zotësi, talent dhe trimëri, nga hallkat e larta të partisë e të shtetit dhe nga efektivi i regjimentit e më gjerë.

Në Regjimentin e Rinasit, duke qenë efektiv i skuadriles së parë, Bilali, fluturoi, njëkohësisht në dy tipa avionësh, jo të njëjtë; në ata parazanorë e në ata mbizanorë. Aeroplani mbizanor Mig-19 PM, kishte veçori shfrytëzimi dhe kryente pilotim vetëm në planin horizontal, kurse avioni parazanor Mig-17F, kryente edhe pilotim vertikal. Kjo praktikë pune ndiqej me të gjithë pilotët që fluturonin me aeroplanët Mig 19PM, për efekt të rritjes së shkallës së kualifikimit të pilotëve në pilotim dhe për t’i angazhuar ata në gatishmërinë roja, ku qëndronin katër aeroplanë të tipit Mig-17F. Bilal Josën e gjeta, në Regjimentin e Aviacionit të Rinasit pilot. Ai fluturonte në të dy tipat e avionëve dhe në të dyja skuadrilet. Bilali, së bashku me kolegët e tjerë ishin të rreshtuar në Skuadrilen e Parë.

Si pilot i ri, i sapoardhur në regjiment; kisha dëgjuar për një Bilal Josa, i cili ishte i talentuar në pilotimin e avionit dhe trim i rrallë. Kisha dëshirë ta njihja nga afër e ta shikoja atë njeri, i cili, pa na njohur, na shpëtoi nga telashet, me policinë sovjetike, në trenin që shkonte në Moskë, në atë shtator të vështirë të vitit 1961, kur u gjendëm të befasuar, në stacionin e trenit të qytetit të Voronezhit. Fati e solli, jo vetëm të ishim në të njëjtin regjiment e të fluturonim, së bashku, por, rastësia na çoi të ishim gjitonë të mirë, derë për derë, në katin e tretë të hotelit të ri të beqarëve. Bilali, në vitin 1963 ishte beqar dhe banonte në të njëjtën dhomë, me Astrit Mersinin (ndjesë pastë), njëri nga pilotët e grupit të Bilalit që bëri kalimin në aeroplanët Mig-19 PM, në Rinas, së bashku me Bilalin. Unë banoja në dhomën fqinjë, së bashku me shokun tim të shkollës, djalin për së mbari Ahmet Sulejman Zogu, nga fshati Valikardë i rrethit të Dibrës. Të dyja dhomat tona i kishin dritaret dhe balkonët, me vështrim nga Lindja, andej nga dukej pista e betonuar e aerodromit, si në pëllëmbë të dorës.

Jetonim, të katër, në harmoni e mirëkuptim me njëri-tjetrin. Bilali, i binte fizarmonikës, në çdo orë të ditës (natës) dhe shoku i tij i dhomës, Astrit Mersini (ndjesë pastë), i cili kishte zë të fortë e timbër të bukur, këndonte. Këndonte dhe Bilali, duke i rënë veglës muzikore, por zëri i tenorit Astrit Mersini (ndjesë pastë) prevalonte zërin e Bilalit. Duke bërë "aheng", orë e pa orë, me muzikë e këngë të kohës, nga repertori i këngëtarëve italianë: Adriano Çelentano; Pipino Dikapri; Mina; Vilma Goriç; Milva; Katerina Kazeli; Domeniko Madunio, dhe këngëtarëve tanë, më në zë, si Mentor Xhemali; Gaqo Çako; Avni Mula; Ibrahim Tukiçi; të madhes Vaçe Zela; Fitnete Rexhës; Anita Takes; Besnik Taraneshit; Justina Alisë etj. Një praktikë e tillë në veçanti një ditë para fluturimeve krijonte njëfarë bezdie, të cilën e zgjidhnim me mirëkuptim. Për shkak të detyrimit që kishim për të bërë regjim, në ditën para fluturimit, Bilali dhe shoku i tij i dhomës, të cilët e kuptonin mirë domosdoshmërinë e regjimit të pilotit, donin s’donin, e ndërprisnin ahengun. Këtë gjë e kërkonte dhe komandant Gëzdari, i cili banonte, i vetëm, një dhomë më tej.

Më mbahet mend kur, në korridor, përpara derës së dhomës ku banonin: Bilali dhe Astriti, ishte një komodinë e thjeshtë prej druri. Nga ato që vendoseshin në kompletin e dhomës së fjetjes. Sipër asaj komodine, qëndronte vazhdimisht një libër voluminoz, i shkruar në shqip ose në rusisht. Fillimisht, atje qëndronte libri "Pylli Rus" dhe më pas, libri i Dostojevskit - "Idioti". Të gjithë sa kalonin në atë korridor i cili lidhte 7 dhoma gjumi, bënin të habiturin, me faktin se të dy shokët; si Bilali dhe Astriti, ishin nga ata që u dhimbte koka nga të lexuarit. Habia më e madhe lidhej me faktin se librat, ditë për ditë bëheshin më të hollë.

Në fakt, fletët e tyre përfundonin në fund të korridorit, ku "faleshin" të gjithë banorët e katit.

Ky nuk ishte i vetmi "qyfyr" i Bilalit. Një tjetër ndodhi e këndshme me Bilalin ngjau kur ishim të gatshëm, në mjedisin e gatishmërisë roja, në skajin Jugor të aerodromit të Rinasit, në një ngrehinë njëkatëshe, të mbuluar me tjegulla të kuqe, në përbërje të së cilës ishin 2 dhoma; njëra për të pushuar, të veshur me uniformë fluturimi; tjetra për të ngrënë. Mjediset i kishim të përbashkëta, 2 pilotët dhe 2 teknikët e avionëve. Ushtarët e shërbimit qëndronin në mjedise të veçanta. Qëndronim së bashku, mjaft orë dhe, si mjet argëtimi përveç një radioje të zakonshme, e cila qëndronte vazhdimisht nën rrymë dhe me frekuencë maksimale, të "salduar" tek stacionet italiane, na mbanin gjallë shakatë e Bilalit, të cilat i pëlqenim e mezi i prisnim. Ishte kënaqësi e madhe të bëje shërbim roja, në aerodrom, me Bilal Josën.

Ishte i lumtur ai që ishte në shoqërinë e tij. Një ditë, në gatishmëri erdhi një gjeneral, i cili kishte funksione të larta në sistemin e Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit. Ky gjenerali, na kishte një "huq" të keq: ai, kur vinte për kontroll, të cilin, rëndom e quanim inspektim, para se të shikonte stërvitjen, gatishmërinë, kushtet e jetesës, pamjen e jashtme të efektivit dhe çështje të tjera me peshë, bënte një xhiro nga ferrat.

Për fatin tonë të keq, mjediset e asaj gatishmërie nuk kishin vende sanitare dhe njerëzit, i kryenin nevojat vetjake ku të mundnin. I gatshëm, atë ditë u ndodh Bilali. Gjenerali e pyeti: "Ku dilni jashtë kur jeni të gatshëm?" Bilali, si njeri i shakasë me kripë, nuk po përgjigjej me zë, por, duke lëkundur kokën, andej nga ishin ferrat më të dendura, e më të zhvilluara, pasojë e plehërimit organik, i la të kuptonte shefit se, nevojat vetjake i kryenim në natyrë. Derisa u ndërtua një mjedis i ri, për çiftin roja, në skajin Verior të aerodromit, gjendja vazhdoi si më parë.

Një herë tjetër, kur jashtë binte shi e këpucët i kishim me baltë, Bilali "sajoi" një numër tjetër humori. Me këpucët tërë baltë, ai qëndroi vertikalisht mbi supet e njërit nga shokët tanë dhe me këpucët e tij, la gjurmë në tavanin e gatishmërisë, sikur të kishte ecur një njeri, kokëposhtë. Për dreq, në befasi u duk komisari i njësisë kundërajrore, një gjeneral i moshuar, luftëtar i vjetër i luftërave çlirimtare, duke kaluar për në repart, u ndal tek ngrehina e gatishmërisë e hyri brenda. E mori dhe ai "kusurin". Komisari i lartë hyri në dhomën ku qëndronin të gatshmit e i shkuan sytë, tek shenjat e gjurmëve, në tavan. Vuri njërën dorë, mbi sy, siç bënte zakonisht kur habitej dhe pyeti komandantin e gatishmërisë: "Heuk, po kjo, si ka ndodhur?"

Bilali, i cili dëgjonte ato që thoshte "shefi i madh", nuk ndihej, por qëndronte si indiferent e bënte të paditurin. Kur dikush i shpjegoi gjeneralit, si kishte ngjarë, ai, përsëri i habitur tha: "Allah; Allah; çfarë nuk bën vaki, në këtë botë"; i hipi makinës e iku, duke marrë me vete këtë shaka të këndshme të Bilal Josës.

Ditët më të bukura për Bilal Josën ishin ato kur organizoheshin fluturime. Ai, në ajër, në kabinën e avionit, ndihej si në shtëpinë e tij; "zot e fuqiplotë". Lodronte Bilal Josa me avionin dhe, në çdo fluturim "i pillte" mendja diçka të paparë. Të ishe shoqërues i Bilal Josës, sidomos në "luftim ajror" duhet t’i bëje llogaritë tamam e ta shtrëngoje fort prapanicën. Të mbaheshe në formacion luftarak, prapa Bilalit – udhëheqës çifti, nuk ishte gjë e lehtë.

Megjithatë, ai ishte tepër skrupuloz për të siguruar parrezikshmërinë e fluturimit dhe i linte shoqëruesit më shumë hapësirë e mundësi për të dëftuar aftësitë e tij të veçanta. Kur ishte "fushata" e qitjeve dhe bombardimeve me avion, e cila ishte e përqendruar kryesisht në muajin gusht të çdo viti, për Bilal Josën, ishte kohë feste. Ai, ishte një qitës i talentuar e me rezultate të paarritshme, jo vetëm në Regjimentin e Rinasit. Të gjithë ata që ndodheshin në poligon dhe e vështronin qitjen e tij, habiteshin si i ndante predhat një nga një e si arrinte rezultate lakmuese, duke sulmuar objektin me kënd të vogël, kur dihet se këndi i madh, në sulm, siguron probabilitet më të madh goditjesh. Njohja ime e afërt me Bilalin është diçka e lashtë dhe daton vitet ’60 të shekullit të kaluar, por, kur intervistova zëvendësin e tij, pilotin veteran Petraq Koroveshi, ai, për Bilalin, më dëftoi: "E njoha, për herë të parë Bilal Josën, në kohën kur u transferova në Regjimentin e Rinasit. Bilali ka qenë një pilot i ‘shkëlqyer’; mbante klasin e dytë të pilotit ushtarak.

Ai ishte njëri nga pilotët më të spikatur të Regjimentit të Rinasit. Bilal Josa ka drejtuar, për shumë kohë Skuadrilen e Parë të regjimentit, duke gëzuar një respekt të veçantë, të merituar, nga gjithë efektivi pilot dhe nga ai teknik, specialist e ushtar.

Bilal Josën e kishe, gjithmonë në krye të detyrave të vështira. Kur jepej urdhër për të kapur një objekt ajror natën, në muzg apo në agim, ai ishte i pari që futej në kabinën e avionit luftarak e çohej në ajër (natyrisht, me urdhër). Bilali ishte pilot mjaft i përgatitur dhe zotëronte teknikë pilotimi të përsosur. Bilal Josa, do të mbahet mend si njëri nga qitësit më të talentuar të brezit të tij. Kam qenë bashkëkohës dhe ndihmës i tij, në rrjedhën e disa viteve.

Së bashku me Bilalin, kam kryer detyra të ndryshme, stërvitore e luftarake, në sfondin taktik. Jam krenar që kam bashkëpunuar me të e u jemi përgjigjur cilësisht detyrave që na janë ngarkuar. Tipar karakteristik i Bilal Josës ishte rigoroziteti në përgatitjen për fluturim dhe në ajër.

Ai ‘nuk të falte’ kur bëhej fjalë për stërvitjen ajrore. Në çdo rast, Bilal Josa printe me shembullin vetjak dhe nuk thoshte: ‘bëni si them unë e mos bëni si bëj unë’. I saktë, tepër korrekt e rezultativ, njohës i mirë dhe zbatues i përpiktë i kërkesave që sigurojnë parrezikshmërinë e fluturimit. Nga dora e Bilalit, dolën mjaft pilotë cilësorë, të cilët mbushën repartet e aviacionit, dhe u dalluan, si mjeshtër të pilotimit. Bilal Josa fluturoi në të gjithë tipat e aeroplanëve, duke e nisur me avionin Jak-18 U; Jak 18-A; Mig 15; Mig 17; Mig 17 F; Mig 19S; Mig 19 PM dhe në më të sofistikuarin Mig-21. Bilali mbahet mend si njëri nga instruktorët më në zë të regjimentit të Rinasit.

I uroj Bilalit, shëndet e jetë të gjatë dhe gëzime, në familjen e tij". Opinioni i Petraq Koroveshit mban datën 1 maj 2015.

Nuk është i vetmi piloti në pension Petraq Koroveshi, i cili mendon kësisoj për Bilal Josën. Kam pyetur shumë bashkëkohës e kolegë të tij, e më kanë folur me superlativa, për të. Historia, kur është e mbështetur në fakte e në ndodhi konkrete, është tepër kokëfortë e nuk të fal. Po t’i referohemi asaj, nuk do ta kemi të vështirë të hedhim dritë, mbi bëmat e njërit nga pilotët më cilësorë të vendit. Koha dhe detyrat ajrore, në kushte të reja, kërkonin që aviacioni ynë luftarak, në fund të dhjetëvjeçarit të gjashtë të shekullit të njëzetë të pajisej me aeroplanë të rinj, më të sofistikuar, të tipit gjuajtës-bombardues, me shpejtësi mbi 2000 km/orë e që fluturonin në lartësi mbi 20000 m. Si më i përshtatshmi, për kushtet tona u çmua avioni Mig-21, të cilin e dispononte aviacioni kinez dhe, pilotët e këtij vendi kishin fituar përvojën e nevojshme, për të fluturuar e për të kryer detyra luftarake, me këtë tip avioni. Për të bërë kalimin në avionin Mig -21, në Kinë, u përzgjodhën pilotë me të dhëna fluturuese të spikatura, me përvojë fluturimi në tipa të tjerë dhe me moshë variabile.

Për këtë qëllim, u dërguan në Kinë, pilotët:

  • Anastas Ngjela, pilot i klasit të parë – përgjegjës i grupit;
  • Mahmut Hysa, pilot i klasit të parë;
  • Gëzdar Veipi, pilot i klasit të parë;
  • Serafin Shegani, pilot i klasit të dytë;
  • Bilal Josa, pilot i klasit të dytë;
  • Andrea Toli, pilot i klasit të dytë;
  • Bardhyl Lubonja, pilot i klasit të dytë;
  • Agron Daci, pilot i klasit të dytë;
  • Koço Biku, pilot i klasit të dytë;
  • Dhori Zhezha, pilot i klasit të dytë;
  • Petrit Bebeçi, pilot i klasit të dytë;
  • Vangjel Koroveshi, pilot i klasit të dytë.

Me qëllim që të ruhej fshehtësia e vajtjes së pilotëve nga Shqipëria, në Kinë, në një kohë kur në botë zhvillohej "luftë e ftohtë", grupi i kuadrove u nda në dy nëngrupe. Njëri u nis nga Rinasi, në datën 20 shtator të vitit 1969; tjetri, pas një jave, më 27 shtator të po atij viti. Grupet e oficerëve fluturues, ndoqën rrugëkalimin ajror: nga aeroporti i Rinasit, nëpërmjet Karaçit, me ndalesat e nevojshme, për furnizimin e avionit të linjës pakistaneze ajrore PIA dhe mbërritën në aeroportin e Pekinit, pas 23 orësh. Një fluturim i gjatë, e i mërzitshëm, nga monotonia.

Në Kinë, pilotët e kalimit kryen një program të posaçëm, sipas rregullave e normave të vendasve. Disa pilotë, si Anastas Ngjela; Gëzdar Veipi; Mahmut Hysa; Serafin Shegani dhe Bilal Josa, fluturuan edhe natën. Siç më dëftoi vetë Bilali, instruktorët dhe drejtuesit kinezë të bazës ajrore ku bëmë kalimin, u habitën me cilësinë e rrallë fluturuese të më të rinjve të grupit: Petrit Bebeçit dhe Vangjel Koroveshi, të cilët ishin, jo vetëm të rinj në moshë e në stazh, por ishin dhe me pak orë fluturim, në aeroplanët mbizanorë. Ata e nisën kalimin kur kishin vetëm 45 orë në avionët supersonikë, teksa vetë kinezët, përfshiheshin në grupet e kalimit mbasi të kishin fluturuar, në këta tipa avionësh, jo më pak se 500 orë. Ky ndryshim në raportin e orëve të fluturimit tek tanët, kompensohej me cilësinë e lartë fluturuese të djemve nga Shqipëria.

Ashtu si në fluturimet e tij, në Shqipëri, edhe gjatë kalimit në një aeroplan të kohës, në Kinë, Bilal Josa, dëftoi shkallë të lartë në teknikën e pilotimit, shpalosi guxim e iniciativë dhe la gjurmë, në atë lukuni fluturakësh të vendit të madh, pritës. Kësisoj, me vepra e qëndrime të qenësishme, Bilali, si dhe më parë, i zbardhi faqen vetes, shokëve të grupit dhe gjithë kolegëve që e pritnin në Shqipëri. Shokët e tij që ishin në të njëjtin grup, dëshmojnë se Bilalin, në çdo hap e për çdo rast e kishim në ballë të situatave. Me pjekurinë teknike e me sjellje shembullore, ai, faktoi se e dashuronte, tej mase, profesionin e pilotit dhe aeroplanin. Me dëshirën e mirë për të përvetësuar teknikën e re, të sofistikuar, Bilali iu përfill punës teorike dhe asaj praktike, për të kapur çdo detaj që e bënte aeroplanin Mig-21, shumë efektiv, në kushtet e vendit tonë. E pati disi të vështirë të përshtatej me gjuhën; me të ushqyerit dhe me mënyrën e jetesës, por, me tiparet e veçanta të tij, me fantazi e me pjekuri, ai u bë shpejt një pikë referimi, si pilot i rrallë dhe, me humorin e tij të këndshëm u kthye në njeriun që relaksonte, frymëzonte e kënaqte shokët e grupit.

Kjo u pa qartë, pas ardhjes së tij, në gjirin e regjimentit të Rinasit, ku u rrit si pilot me klasë të lartë. Bilali, edhe pse fluturonte në avionët Mig-21, nuk iu nda gjuajtës-bombarduesit, me dy motorë reaktivë RD-9B, të tipit Mig 19-S. Më 24 prill të vitit 1971, me rastin e njëzetvjetorit të formimit të aviacionit shqiptar, në Regjimentin e Rinasit u organizua një paradë ajrore. Dita ishte e bukur, me diell e me temperatura normale, sipas stinës. Parakaluan nga ajri thuajse të gjithë tipat e avionëve që dispononte aviacioni ynë. Helikopterët Mi-4 dëftuan uljen e desantëve, nga lartësitë shumë të vogla, nga pozicioni "varje"; avionët e transportit An-2 hodhën desantë ajrorë, nga lartësia 800 m; aeroplanët mësimorë me helikë Tip-61 (një kopje e avionit Jak-18A) parakaluan në formacion, duke pasur një flamur kombëtar, i cili valëvitej në ajër, nga kabina e dytë e aeroplanit të udhëheqësit të formacionit; avionët reaktivë të tipave të ndryshëm, parakaluan në formacion luftarak, zhurmshëm mbi aerodrom; pati dhe elementë të përdorimit luftarak të avionëve, të cilët u kryen me cilësi, nga pilotë të zgjedhur. E them që në fillim se ajo paradë ajrore, për nga pjesëmarrja, precizioni dhe vështirësitë, mund të çmohet si një nga arritjet më të mëdha, të aviacionit tonë dhe e papërsëritshme.

Në atë paradë ajrore, për herë të parë fluturoi, mbi tribunë një pesëshe aeroplanësh të sofistikuar të tipit Mig-21, në formacion të ngushtuar (paradë), të pilotuar nga pilotë "ustallarë", të cilët e kishin bërë kalimin në këtë tip, në Kinë.

Bilal Josës, si mjeshtër i madh në qitjet me avion, i ra lotaria të kryente qitje, me një aeroplan Mig-19 S, nga një figurë vertikale pilotimi, në lartësi të vogël, me dalje nga sulmi, rrafsh me tokën, kundër një maketi që përfaqësonte një tank, me përmasa të zakonshme, i cili ishte vendosur, në hapësirën e gjelbër, mes stacionit RSB-5 dhe rrugës lidhëse që të çonte nga pista ku uleshin e ngriheshin avionët, tek pozicioni teknik i regjimentit. Bilali duhet të godiste shenjën, me një akrobaci, nga figura vertikale e petlasë (lakut), me zjarr, dhe të bënte asgjësimin e shenjës, me breshërinë e parë. U përzgjodh Bilali, për ta bërë këtë "spektakël", për shkakun e vetëm se ai kishte teknikë pilotimi të pastër, ishte guximtar "kokëkrisur" dhe "nuk të falte, në qitje". Pavarësisht se fluturonte në një aeroplan tjetër, më të sofistikuar, Bilalit iu ngarkua detyra për të shpalosur një qitje luftarake, me shkallë të lartë vështirësie, me aeroplan Mig -19S.

Komanda e regjimentit dhe ajo e aviacionit e caktuan Bilalin, jo vetëm se ai ishte bërë mjeshtër i madh në këtë disiplinë, por dhe për faktin e thjeshtë se Bilal Josa i kishte provuar e i kishte "kaluar nëpër duar" të gjitha detyrat ajrore, kishte siguri e jepte siguri, se detyra do të kryhej me sukses të plotë, siç ndodhi në të vërtetë. Nuk ishte e lehtë të bëje atë tregim përpara udhëheqjes së partisë e të shtetit, në atë kohë. Përvoja, nuk i mungonte Bilalit, as kurajua për të marrë përsipër detyra të vështira. Bilali është nga ata njerëz që të shikon drejt në sy, si burri-burrin dhe me një buzëqeshje të çiltër, e sinqeritet të dukshëm, të bën ta duash e ta respektosh. Ishte rritur, së bashku me arritjet e aviacionit e i kishte kaluar shkallët një nga një, si në një shkollë të mirëfilltë. Ndoshta nuk është aq i gjetur krahasimi që do të bëj, por më ngjason se Bilali i takon asaj race njerëzore e cila e kërkon rrezikun e nuk i trembet atij.

Ai ka gjithë shkathtësinë, zgjuarsinë, mençurinë dhe guximin për t’u përballur. Bilali nuk ka asgjë të përbashkët me ata profesionistët e rëndomtë, të cilët e mësojnë mjeshtërinë, e një profesioni të caktuar, në moshë të madhe, dhe tërhiqen zvarrë pas shokëve. Jo, Bilali printe, ai ishte në ballë të shokëve; si në vegjëli dhe kur u bë burrë. E çmoi seriozitetin e çastit solemn Bilal Josa dhe u qas ndaj detyrës me tërë seriozitetin dhe saktësinë që kërkohej.

Në tribunën e improvizuar, me këtë rast, në hotelin e beqarëve, kishin zënë vend udhëheqësit e partisë e të shtetit, përfshi E. Hoxhën; M. Shehun; H. Kapon; B. Ballukun; R. Alinë etj. Me një manovër të përkryer, në lartësi mjaft të vogël dhe sidomos me precizionin e goditjes, Bilal Josa, edhe në këtë rast, duke shkatërruar objektin e improvizuar në tokë, me sulmin e parë, nderoi veten dhe aviacionin mbarë. Kur vuri re se shenja u asgjësua me sulmin e parë dhe, prej saj mbeti një pirg me mbeturina, E. Hoxha tha: "Po të futi në shënjestër ky; të ndan në dysh!" Pasi zbriti nga avioni e shkoi pranë tribunës, Bilalin e përqafuan dhe e falënderuan të gjithë udhëheqësit.

Bilal Josa, me aftësitë e tij të rralla, u bë piloti që përfaqësonte regjimentin e Rinasit, në çdo garë që zhvillohej mes reparteve të aviacionit në qitje e bombardime dhe, kur bëhej tregim teknike e në raste festash apo kur vinin delegacione të huaja Bilalin e shikoje si përfaqësues të aviacionit shqiptar. Në detyrën e komandantit të skuadriles së parë, e cila ishte e pajisur me avionë supersonikë Mig-19 S, Bilali përgatiti shumë pilotë për të fluturuar në kushte të vështira të motit dhe natën, në kushte të thjeshta, si dhe i bëri të gatshëm për të kaluar në avionin e sofistikuar Mig-21. Si rrallëkush, ai, në rolin e instruktorit të teknikës së pilotimit, i përgatiti vartësit fluturues, me kërkesa të larta dhe me ndjenjën e zbatimit të kërkesave të instruksioneve e rregulloreve të aviacionit. Viti 1971, solli ndryshime të rëndësishme në jetën vetjake të Bilal Josës.

Kur sapo kishte mbushur 33 vjeç, Bilali lidhi martesë me tiranasen Engjëllushe Çizmja, një vajzë e "shkëlqyer", nga një familje fisnikësh, ku ishin 7 motra. Engjëllushja ishte punonjëse e Uzinës Elektroteknike të Radiolokacionit, në pozicionin e teknikut të mesëm elektrik. Pamja e jashtme, karakteri dhe sjellja "model" e vajzës tiranase, nga një familje tradicionale kryeqytetase, e tërhoqën heroin e këtij rrëfimi, i cili, edhe i ndikuar nga familjarët e tij dhe nga shokët, u bind të lidhte martesë me Engjëllushen, lidhje e cila rezultoi të ishte e qëndrueshme dhe jetëgjatë. Familja e re, e krijuar mbi baza të shëndosha u shtua me dy djem, me Gentin dhe me Arditin. Të dy, së bashku me Engjëllushen, Bilali, diti të rritë e të edukojë, për së mbari dy djemtë e tyre, si qytetarë të mirë e të lidhur ngushtë me trungun. Modelin që duhet të ndiqnin, ata e kishin, si tek babai dhe tek nëna e tyre.

Bilali, edhe pse krijoi një çerdhe të re, nuk i ndërpreu lidhjet me motrat, vëllezërit dhe Ijen fisnike, Fatimen e Murat Josës.

Do të ishte e tepërt, po të shkruaja unë, për lidhjet familjare të Bilalit, me të tijtë. Si qytetar i Tironës, i rritur me dashurinë dhe respektin për njerëzit, i formësuar me frymën e dashurisë dhe të përkrahjes për njerëzit e një gjaku, Bilali, diti të sillej, me çdo njeri, siç e meritonte. Këtë frymë dashamirësie, ai e shpalosi, jo vetëm në jetën familjare dhe në komunitetin ku banonte, por e shtriu dhe në skuadrilen e parë të Regjimentit të Rinasit, që drejtonte. Do të flas me gjuhën e njërit nga shokët e tij më të ngushtë e jetëgjatë, parashutistit të klasit të Parë, trimit Fadil Nenaj (Braho), i cili, kur e pyeta për Bilalin, nuk ngurroi të pohonte se: "... nuk them si pilot, se ai ishte më i miri, nga kolegët e tij.

Për këtë jam nostalgjik, për Bilal Josën. Për mua, ai ishte njeriu më i mirë në regjiment. I donte të gjithë; si pilotët dhe teknikët e specialistët, dhe ushtarët. Jo vetëm për ata të skuadriles së parë, ku ishte komandant, por të gjithë regjimentit. Prandaj e donin dhe e respektonin të gjithë ata që ishin në marrëdhënie vartësie me të dhe gjithë regjimenti. Aso kohe isha me detyrë shef i shërbimit parashutist të regjimentit të Rinasit, i rreshtuar organikisht në shtab.

Nëse e donin, të gjithë Bilalin, madje edhe punonjësit civilë, me të cilët nuk kishte lidhje pune, kjo ndodhte falë zotësisë së tij si ‘nderi i repartit’ dhe për faktin se ai njeri nuk i ‘binte në qafë’, askujt. Nuk ishte tip indiferent, nga ata që kërkojnë të bjerë shi vetëm në arën e tij, por ishte dhe është mjaft dashamirës. Rinasi mburrej që kishte një Bilal Josë.

Ai ishte piloti më i mirë që kishte Shqipëria e asaj kohe. Në çdo detyrë taktike, me shkallë të lartë vështirësie, ku duhej mjeshtëri në pilotim dhe iniciativë e vetëveprim, përherë dërgonin Bilalin e ai kthehej nga detyra faqebardhë. Kisha vënë re se Bilali gëzonte respekt, jo vetëm brenda llojit (aviacionit), por dhe jashtë tij.

Bilali kishte një rreth familjar të përsosur. Vëllezërit e tij ishin të ‘shkëlqyer’; marrëdhëniet mes pinjollëve të Ijes dhe xha Muratit, ishin nga ato lidhje të forta, e përkrahje të ndërsjelltë, siç i kanë tiranasit e traditës. Vëllezërit e Bilalit, njihnin, me emër e kishin marrëdhënie të shëndosha, me shokët e vëllait të tyre pilot. Njëri nga vëllezërit e Bilalit, Shyqyriu, ishte mjek pediatër, i njohur.

Në një rast, kur kisha të sëmurë djalin, jo vetëm m’u gjend pranë e më ndihmoi, por më bëri dhe një nder të cilin zor se ta ofron njeri, sot. Ai, jo vetëm që i shërbeu dhe e shëroi djalin, por, kur djali u përmirësua e unë doja ta nxirrja nga spitali, më tha: ‘Djali, tani është mirë, por unë do ta mbaj edhe disa ditë, në observacion për të parë ecurinë e mëtejshme, të tij’, dhe e mbajti, derisa im bir u rikuperua plotësisht. Bilal Josa ka pasur një nënë të mrekullueshme; një nënë tipike tiranase, mjaft të dhimbsur e të përkushtuar. Bilalin, si djalin e fundit të saj, e kishte ‘pekul’ e duke ditur dhe vështirësitë e rreziqet e profesionit të tij, interesohej shumë për të.

Kur shkova një ditë në shtëpi të Ijes e cila ndodhej në rrugën ‘Budi’, përballë ish-dispanserisë ajo, meqenëse i dinte lidhjet e mia me të birin dhe kishte mësuar se unë drejtoja sektorin e parashutave, i cili është një domosdoshmëri, e lidhur ngushtë me pilotin dhe njëra nga garancitë e parrezikshmërisë, më priti në kuzhinën e familjes prindërore të Bilalit, mbasi më qerasi, sipas traditës, më ftoi të dilnim në oborr. Shtëpia e Murat Josës ishte njëkatëshe, e mbuluar me tjegulla të kuqe. Një oborr, i madh, me hije rrushi dhe një kopsht të madh, ku binin në sy dy fiq, të cilët po piqeshin dhe pemë të tjera. Kopshti rrethohej nga një mur guri, ndërtuar me gurë lumi, me lartësi rreth 150 cm. Zumë vend, mbi disa stola druri, nën hijen e fikut. Ija propozoi të mblidhte fiq e të na qeraste me ta, por unë e ndalova.

E shikoja për herë të parë nënën e Bilalit, Fatimen e Murat Josës. Një grua tiranase e traditës. Ishte e shëndetshme, me fytyrë bardhoshe, me një të folur tipike, tironse, e veshur me të zeza; në kokë mbante një burdulluk, të bardhë, të cilit, vendasit i thonë marhamon. Fjala e saj ishte e kujdesshme, por e kuptimtë. Siç duket, Bilali i kishte folur për raportet tona.

Ajo m’u afrua e më tha: ‘Çuno, o Fadilo, tmorsha t’keqen Ija, n’gjoje Nonën tate: Vreje, me kujdes çunin tem, Bilalin, se e kom kimetli; k’to qerët jon n’telha!’ Mirëpo Bilali e ruante veten, vetë; ai ishte i zoti e trim.

Fizikun, Bilal Josa e kishte mjaft të fortë. Ai i ngjante një shkëmbi dhe luante shumë mirë futboll; edhe pse e kishte operuar, 2 herë gjurin. Gjuajtjet e tij ishin shumë të forta dhe këmbët i kishte si hekur. Ai bënte shumë shaka dhe të gjithë kënaqeshim me qyfyret e tij. Shpesh, kur ishim në qetësi, na vinte Bilali, pranë, pa u ndier dhe na trembte. ‘Makina, makina – thoshte ai, u shkeli makina’ e ne trembeshim, duke parë pozicionin tonë edhe pse makinën nuk e shikonim gjëkund. Edhe kur u fejua me Engjëllushen, kur ajo kishte blerë disa pasta, për t’i çuar në shtëpinë e të fejuarit, përpara hotel ‘Dajtit’, Bilali, papritur bërtiti: ‘Makina’, dhe e fejuara e tij u tremb aq shumë, sa i ranë pastat në trotuar.

E pinim ndonjë gotë fërnetë, në mëngjes, të shoqëruar me kafe, kur pritnim autobusin e familjarëve, për të shkuar në Rinas. Këtë e bënim, sikur të ishte një rit, çdo mëngjes, me përjashtim të ditëve kur Bilali kishte fluturim. Kur ishte sezoni i fiqve, Bilali, sillte ndonjë kokërr fiku, nga bahçja e tij. Ditën para e atë kur do të fluturonte, ai e kishte ‘të shenjtë’ e nuk vinte pije të forta në gojë.

Pas fluturimit, ‘e vazhdonim lojën’ atje ku e kishim lënë. Bilali, i binte bukur fizarmonikës dhe kitarës. Ai këndonte bukur. Këngët e tij të preferuara ishin ato të Adriano Çelentanos. Përpiqesha ta ndihmoja në këngë, por, zëri im, aspak melodioz ia prishte këngën e ai më bërtiste. Natyrisht, si shok e me dashamirësi.

Është shumë e vërtetë ajo që thotë Koroveshi; se Bilal Josa, para çdo detyre ajrore bënte përgatitje të detajuar, sikur të ishte pilot fillestar. Ai nuk bënte dallim, nëse një detyrë ajrore ishte e thjeshtë apo komplekse". Kështu e përfundon rrëfimin parashutisti cilësor e trim i rrallë, Fadil Nenaj (Braho), në datën 1 maj 2015.

Kur ishte për të përvetësuar veçoritë e shfrytëzimit, në tokë e në ajër të aeroplanit Mig-21, Bilali u lidh ngushtë, me shoqëri të shëndoshë, me pilotin virtuoz, por të pafat, Bardhyl Lubonja. Si Bilali dhe Bardhyli, kishin një gjë, themelore, të përbashkët: Dashurinë për fluturimin dhe për avionin e, në çdo rast kishin shpalosur vlera të qenësishme. Bardhyli ka mjaft kujtime të bukura, nga jeta e përbashkët, me Bilalin, në ajër e nga banimi në një dhomë të hotelit të beqarëve, në Rinas. Të ndodhur në të njëjtin profesion e në të njëjtin regjiment, ata kanë ndarë çaste gëzimi, suksesi e humori, serioziteti dhe ndonjë "dështim", nëse mund ta quajmë të tillë. Ja si e kujton Bardhi, jetën me Bilal Josën, ndonëse, për shkaqe banale, ashtu si dhe Bilali, Bardhi u largua herët nga fluturimi, dhe tani jeton larg, përtej oqeanit, në Bostonin tradicionalisht dashamirës për shqiptarët: "Bilal Josën, e pashë, për herë të parë në muajin shtator të vitit 1960, në qytetin sovjetik të Krasnodarit. Aso kohe, Bilali dhe shokët e tij të grupit, fluturonin në aerodromin e Kushovskajas, në aeroplanët reaktivë Mig-17.

Në Aviogorodok (qyteza e aviacionit), zhvillohej një ndeshje futbolli. Bilali bënte pjesë në ekipin futbollistik të studentëve shqiptarë. Ai luante në ‘sulm’; kishte manovrim të shkathët dhe godiste fort e shënonte. Bilali ishte futbollist ‘i shkëlqyer!’ Shokë grupi të tij ishin: Astrit Mersini (ndjesë pastë); Gëzim Picari; Iljaz Kelo (ndjesë pastë); Lili Laçka; Llazar Çupa (ndjesë pastë); Skënder Kanina; Nestor Dhaskali; Pandi Buci (ndjesë pastë); Sokrat Basha (ndjesë pastë); Thanas Naçi (ndjesë pastë); Vasil Kromidha (ndjesë pastë); etj.

Në vitin 1963, kisha përfunduar Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, ku u titullova pilot gjuajtës-bombardues, në aeroplanët Mig 15 Bis. Dhe, në pranverën e vitit pasardhës, 1964 u emërova pilot, shoqërues, në Regjimentin e Rinasit. Atë kohë, Bilal Josa ishte i rreshtuar në skuadrilen e Parë të Regjimentit dhe fluturonte në aeroplanët gjuajtës – kapës, mbizanorë Mig -19 PM.

Për efekte stërvitjeje dhe gatishmërie, Bilali fluturonte, me program të rregullt, edhe me avionët Mig 17F, të Skuadriles së Dytë, me të cilët fluturoja dhe unë e shokët e mi të grupit. Kësisoj, shpesh kryenim detyra ajrore, të përbashkëta dhe bënim gatishmëri roja, së bashku. Në punë e sipër u njohëm e u lidhëm më mirë; si fluturues dhe si shokë. Bilali është mjaft njerëzor; i komunikueshëm, me një humor të këndshëm dhe përhap veç mirësi. Kishte raste, ne që nuk e dinim: ‘Ç’do të thotë: Mig-19 PM?’ e pyesnim e ai, me të qeshur na përgjigjej: ‘Punë muti’. Ndoshta kishte parasysh faktin se ai tip avioni, nuk bënte manovër vertikale dhe Bilali, si ‘akrobat’ që ishte, donte të ‘shkrifte kockat’, duke bërë akrobaci, në ajër.

Le t’i lëmë shakatë në vendin e tyre e t’i qëndrojmë problemit, seriozisht; për mua, tek Bilal Josa kam parë njërin nga pilotët më të talentuar e më të saktë, në të gjithë treguesit e fluturimit. Këtë e kam vënë re, me sytë e mi dhe e kam përjetuar live, duke qenë nxënës dhe shoqërues i tij, në ajër. Si njeri, për të mund të thuash fjalë nga më të mirat. Figura e tij ishte e pastër dhe rrezatonte pozitivitet.

Në këtë kuptim, kur njeriu kërkon të përshkruajë figurën e tij, e ka të vështirë të përcaktojë, çfarë duhet të thotë e çfarë duhet të lërë, pa thënë. Bilali ka natyrë të veçantë e komplekse dhe është njeri i rrallë.

Po të përpiqeshe të bëje portretin fizik të atij mjeshtri të madh të pilotimit; patjetër, të parën do të shkruaje për shkathtësinë e tij. Ai ishte më energjiku dhe binte në sy të shokëve të tij ‘qullacë’. Fill pas tyre do të rendisja: thjeshtësinë; zgjuarsinë; mprehtësinë; syçeltësinë; humorin dhe njerëzillëkun. Bilal Josa ishte dhe mbeti shok e mik i mirë, i të gjithëve; si në kohën kur ai ishte pilot i thjeshtë dhe kur u ngrit, me meritë, në përgjegjësinë me përgjegjësi të komandantit të Skuadriles së Parë.

Ai ishte mjaft i dhënë pas shoqërisë. Ishte një privilegj i madh, po të kishe shok e mik Bilal Josën. Kur të fuste në rrethin e shënjestrës Bilali, në qitje, asgjësimi ishte i sigurt; por, kur të fuste në shoqërinë e tij, e ishe bërë me një mik të mirë, siç ishte Bilali, nga zemra e tij nuk dilje kollaj. Kalimi i Bilalit, nga njëri tip aeroplani, në tjetrin, deri tek më i sofistikuari i kohës; Migu 21 F, ishte ngjitje e një shkalle, në fushën e specialitetit, por nuk shoqërohej kurrë dhe me vërshimin e mendjemadhësisë e të distancimit nga njerëzit. Bilal Josa, ishte e mbeti modeli i njeriut të thjeshtë e të paqtë.

Vlerë më vete, e pakrahasueshme me njerëz të profesionit të tij mbetet bota e brendshme e pasur e tij, ku gjallonin, së bashku talenti për të fluturuar dhe dhuntia për të qenë një artist, në shpirt. Personaliteti i tij lëkundej mes një fluturuesi të lindur dhe një artisti të talentuar. Bilali, me virtuozitet luante në fizarmonikën e tij dhe po aq bukur këndonte. Të dyja prirjet, si loja me fizarmonikë dhe fluturimi, sikur ishin të përkundura në një djep, nga dora e dhimbsur e nënë Fatimes. Jetonim pranë e pranë, në hotelin e beqarëve, në Rinas, e nuk u ndamë asnjëherë nga njëri-tjetri. Nuk e pashë kurrë, të pinte cigare, të luante me letra (bixhoz) apo të bënte pjesë në grupin e shahistëve të fandaksur.

Ai, gdhihej e ngrysej, me fizarmonikë në sup ose me instruksionin e teknikës së pilotimit, në dorë. Këto ishin Kurani dhe Bibla e tij. Jetuam kohë të arta, së bashku, të ulur, gjatë, në kolltukët e rehatshëm të korridorit të madh, në katin e tretë të hotelit të beqarëve, në Rinas. Bilali luante në fizarmonikë e këndonte, në shoqërinë e shokut të tij të dhomës, pilotit – Astrit Halim Mersini (ndjesë pastë). Këndonim dhe ne, të tjerët, natyrisht, me raste, por zëri i Astritit, prevalonte mbi të gjithë zërat tanë, për nga tonaliteti dhe ngjyrat. Astriti ishte një tenor i mirëfilltë.

Banonim në dhoma me dy pilotë. Në dhomat me balkone që ‘vështronin’ nga Lindja, nga ku dukej, si në pëllëmbë të dorës, aerodromi dhe pajisjet e tij, pilotët ishin të sistemuar kësisoj: Ahmet Sulejman Zogu, me Niazi Nelaj; Bilal Josa, me Astrit Mersinin (ndjesë pastë); Gëzdar Veipi, si më i rrituri në moshë (ai ishte beqar i madh), banonte në dhomë më vete; Vasil Kromidha, banonte me Skënder Dushën. Ky, edhe pse nuk ishte pilot, ngaqë kishte jetuar për shumë kohë me pilotë, për nga mentaliteti dhe psikologjia, ishte i afërt me ne. Në anën tjetër, andej nga ishte Perëndimi e dukej qyteti modest i Vorës, në dhomat e katit të tretë, siç më kujtohet, në njërën anë, banonte Koço Biku me Roland Sofronin; Bardhyl T. Lubonja, me Nazmi Dautaj; Mustafa Gjokutaj me Jorgaq Bahshevanin etj. Vendosja ishte bërë, me zgjedhje, sipas shoqërisë. Bilali, me lojën e tij virtuoze me fizarmonikë dhe me këngët që këndonim, së bashku, ku ai merrte rolin e protagonistit, në gjuhën tonë, në rusisht e në italisht, na nxirrte mërzinë e ‘na mbante gjallë’.

Në stinën e verës, kur moti nxehej dhe temperaturat e ajrit bëheshin të padurueshme, me iniciativën e Bilalit, sajonim një lojë të këndshme, duke vënë në përdorim kovat me ujë. Vërtet loja ishte disi e ‘rëndomtë’ e jo aq e bukur, neve na pëlqente e na jepte kënaqësi dhe e miratonim, me vullnet të lirë, prandaj e ushtronim, me kënaqësi. Kjo lojë ishte fare e thjeshtë dhe konsistonte: Ai që banonte në katin më të lartë, hidhte kovën me ujë të freskët, mbi kokën e atij që banonte një kat më poshtë, i cili, kish dalë në balkon, nga vapa, ose ishte ulur, poshtë, tek shkallaret e hotelit, të cilat ishin në katin përdhes. Bilali, si më i shkathëti, e si iniciator i kësaj loje, kishte marrë, me meritë, rolin e ‘Dollibashit’.

Ai, shpesh, ngjitej në tarracën e hotelit dhe, prej andej, i lagte të gjithë ata që dilnin në balkonet e kateve më poshtë. Unë dhe tekniku i avionit 238, i ndjeri Perikli Teta, për t’u ruajtur nga të lagurit, shpesh vishnim mushamatë e shiut të oficerit. Në këtë lojë merrnim pjesë të gjithë e shkriheshim në gaz. Vetëm Gëzdari e Çobua, si më seriozët, nuk afroheshin në këtë lojë. Mahmut Hysa (ndjesë pastë), jo vetëm që ishte tepër aktiv e shkrihej së qeshuri por, siç luante futboll, me këmbë të zbathura, ashtu bariste (shëtiste) dhe nëpër korridorin e hotelit, deri në fund të tij. Halit Bulku; Skënder Dusha; Thoma Mërtiri e ndonjë tjetër, shpesh bëheshin objekt sulmesh dhe ‘binin viktimë’ të kësaj loje gazmore.

Në lojën tonë, disa herë bashkohej dhe i ndjeri Petraq (Peço) Polena, i cili ishte Shef i Shtabit të Regjimentit. Është fjala për pilotin e parë shqiptar, i cili u ngrit në ajër, mbi qiellin e Tiranës, më 24 prill të vitit 1951, me një aeroplan luftarak shqiptar dhe, prej asaj dite, kjo datë konsiderohet festë e aviacionit luftarak shqiptar. Bilal Josa nuk ishte vetëm pilot i shquar e artist i madh në shpirt e në jetë, por dhe një gjahtar pasionant.

Pas hotelit të beqarëve, në anën Perëndimore të territorit të repartit, deri në breg të lumit të Lanës, vendi ishte i mbuluar nga shkurre e pemë si ferra, driza, akacie, ligustra etj. Në këto hapësira, pas kohës normale të punës dhe në ditë pushimi Bilali dilte për të gjuajtur, lepuj e shpendë të egër. Jo rrallë, ‘grupit të gjahtarëve’ u bashkohesha, unë, Viktor Nikolla, Halit Bulku, etj. Në ndonjë rast, merrte pjesë dhe gjahtari me emër e me pasion, nënkoloneli Petraq (Peço) Polena. Bilali, me çifte në krah e me pajisjet e gjahut të ngjeshura, pas trupit, në eskortën e tij të gjahut mbante dy qen (langonj). Njëri prej tyre ishte Rolfi plak; i racës: Setter irlandez dhe më i riu, Xhimi, me përkatësi racore Border kollie, e njohur për vlerat si langonj. Të dy ishin qen të zgjuar dhe mësonin nga njëri-tjetri. Edhe në anën Lindore të aerodromit, andej nga gjendet fshati Qerekë, kishte vende të përshtatshme për të gjuajtur.

Sidoqoftë, gjahtarët tanë, kur dilnin për të gjuajtur, nuk ktheheshin duarbosh. Ata gjuanin sipas stinëve dhe kafshë e shpendë të lejuar.

Në një ditë gjuetie, kur eskortës sonë i ishte bashkuar piloti i klasit të parë Halit Bulku, nga Ndroqi, kur po ktheheshim në hotel, të lodhur e të dërrmuar, prej ecjes së gjatë (vetëm Bilali nuk lodhej), Haliti, i rëndë në trup, po tërhiqte këmbët zvarrë. Ai, për habinë tonë, kapelen e pilotit, e kishte vënë në kokë mbrapsht (me stemë nga prapa). Peço Polena, i njohur për humorin e tij të hollë, kur pa këtë ‘xhevahir’, iu drejtua Halitit, me fjalët: ‘Përse e ke kthyer kapelen në të kundërt?’ Haliti, sikur e pati gati përgjigjen: ‘Që shpendët e egër të kujtojnë se ne po ikim, e nuk kemi ndërmend t’i vrasim!’ Qeshëm, me lot, me këtë ‘xhevahir’ që nxori shoku ynë, nga goja. Shakaja e Halitit, na e hoqi lodhjen, si me dorë.

Xhimi, si qen gjahu i racës së zgjedhur, ka lënë gjurmë në praktikën e gjahut të Bilal Josës dhe shoqëruesve të tij. Kur e solli Bilali, për herë të parë në repart, qenushi ishte i vogël, disa muajsh. Ai më pyeti, shoqërisht: Si t’ia vëmë emrin qenushit? Unë, pa u menduar shumë theksova emrin: Xhimi, e kështu i mbeti emri, i cili nuk është tjetër, veç kapistall. U bëra ‘nun’, në një rast të pazakontë. Xhimi, me kohë u ‘specializua’ si langua për të gjuajtur shpendë të egër.

Një ditë, kishim mbyllur gatishmërinë roja dhe po shkonim drejt hotelit. Ishte muzg. Në hapësirën mes vendqëndrimit të aeroplanëve dhe rrugës që e ndan atë nga godinat e skuadrileve, ishte një parcelë, e mbjellë me misër. Xhimi, në fshehtësi e pa u ndier, u fut në misër e doli prej andej me një zog bufi, në gojë. Duke kapërcyer kanalin, atij i ra nga goja shpendi i cili tentoi të ikte. Xhimi, i prekur në sedër, u sul, furishëm, pa lejen e të zotit, e kapi shpendin dhe erdhi pranë nesh, duke u tundur.

Qenit me emrin Xhimi, nga fëmijëria i kishte mbetur një fobi. Ai nuk i donte njerëzit që rrugëtonin të hipur, mbi biçikleta. E kishte pësuar, i gjori, prandaj ‘i frynte kosit!’ Kur ishte i vogël, 4-5 muajsh, në vapë; Xhimi ishte shtrirë e flinte, për shtatë palë qejfe, nën hijen e një kumbulle, nga ato që ishin mbjellë në të dyja anët e rrugës, me kanale në të dyja anët, përgjatë fushës së futbollit. Kaloi një punëtor nga ata që pastrojnë pistën, i hipur mbi biçikletë dhe e shkeli. U lebetit Xhimi i vogël e nisi të kuiste me të madhe, nga dhimbjet.

Bilali, i cili e donte shumë qenushin dhe kujdesej mjaft për të, u ndodh pranë vendit të ngjarjes dhe i shkoi, në çast, në ndihmë. Ai, e mori qenin në duar, e çoi për ta mjekuar dhe u kujdes për të, derisa Xhimi u shërua. Prandaj, sa herë ndeshej, ballë për ballë, me njerëz të hipur mbi biçikletë, Xhimi ndërronte udhë.

Ka dhe një ndodhi të rrallë, në jetën e Xhimit, si qen gjahu i Bilal Josës. Ishte koha kur Bilali fluturonte në aeroplanët Mig-19 PM. Fluturohej, ditën, në kushte të thjeshta të motit, në rrugëkalim, në lartësi të mesme. Bilali kishte radhën të çohej në ajër, në cilësinë e udhëheqësit të çiftit, me shoqërues pilotin Agron Daci (ndjesë pastë). Nuk gjeti kujt t’ia linte Xhimin dhe nxitimthi, kur vuri në kokë shlemafonin, me rrjetë, në torbën e kapelës së pilotit, vendosi qenushin, të cilin e mori, në ajër. Fluturonim në rrugëkalim, në lartësi të mesme e me shpejtësi normale.

Formacioni ishte normal e përmasat (distanca dhe intervali, mes avionëve) ishin ato të rekomanduarat. Në një çast të caktuar, Bilali i bëri shenjë, me dorë, pilotit shoqërues, Agron Dacit (ndjesë pastë), që të afrohej dhe, kur ai zuri vend në formacion paradë, i tha të vështronte në kabinën e avionit të tij. U mundua shoqëruesi të dallonte diçka, në kabinën e udhëheqësit të formacionit, por nuk mundi. Atëherë Bilali e udhëzoi shoqëruesin e tij, përsëri me dorë, të afrohej akoma më tepër e të qëndronte diçka më lart. Mbasi e bëri dhe këtë e forcoi vrojtimin e kabinës së avionit përpara tij ku dallonte qartë instrumentet e teknikës së pilotimit, Agroni u befasua kur vuri re, në kabinën e avionit udhëheqës, çantën prej mushamaje të shlemafonit, brenda të cilës lëvizte një kokë e zezë, me gjuhë të nxjerrë jashtë e me veshë të varur. Ishte Xhimi.

Ai kishte fluturuar, në një aeroplan gjuajtës – kapës mbizanor, në lartësi mesatare, për një kohë të gjatë, pa përdorimin e oksigjenit. Prandaj qenushi ishte disi i tulatur. Humori dhe shakatë e Bilal Josës, nuk kanë, as të dëftuar e të mbaruar!

Ai kishte aftësinë t’i improvizonte shakatë, në vend e në çast. E tillë ishte ‘krijimtaria’ me autor Bilal Josën, në vitet 1968-1969. Në startin e Veriut të aerodromit të Rinasit, ishte në proces, ndërtimi i godinës së gatishmërisë së re.

Në të njëjtën kohë, shërbimi roja organizohej në godinën e vjetër, në anën Jugore të aerodromit. Në një ditë me shi, rruga që të çonte në ngrehinën e gatishmërisë, ishte me baltë të hollë (llucë). Bilali u zbath, lyeu këmbët me baltë të hollë, na bëri shenjë ta ngrinim hopa, që këmbët të mos fshiheshin nga balta dhe na tha ta ulnim në tavolinën ku luhej shah, e cila ishte më e lartë nga të tjerat. Mbi tavolinë, ai bëri vertikalen dhe, me ndihmën tonë, kokëposhtë, nisi të shëtisë, nga dritarja, tek dera, duke lënë, qartë gjurmët, mbi tavan.

Pas një jave, në repart erdhi një ekip nga Mbrojtja Kundërajrore e Shtetit; për kontroll e inspektim. Ekipi kryesohej, nga gjeneralmajori Sejdin Avdiaj, me origjinë nga Veriu, i njohur për humorin e tij, të këndshëm. Kur vuri re gjurmët e këmbëve, mbi tavan; gjenerali vuri njërën dorë, mbi vetull, siç bënte përherë, zgurdulloi sytë çakërr dhe bërtiti: ‘Bre, bre, bre, çfarë po më vështrojnë sytë? E pabesueshme! Si ka mundësi, bre burra, që oficerët tanë të ecin nëpër tavan, si majmunë?’ Nguli këmbë gjenerali, të mësonte si kishte ndodhur dhe Haki Jupasi, në atë kohë Komandant i Regjimentit, ia dëftoi.

U gajasëm ne që e dinim; qeshi me lot dhe gjenerali i nderuar e ata që e shoqëronin.

Bilali njihej si përdorues i pijeve të forta, por jo në ditët e fluturimit. Për këtë çështje ka shkruar më sipër parashutisti Fadil Nenaj (Braho). Tjetër gjë dua të them: Në Kinë, kur Bilali, me një grup shokësh, shkuan për të kaluar në avionët Mig-21F, Bilali shkëlqeu, në të gjitha elementet e fluturimit. Vendasit, të kënaqur me një fluturim të tij, në çift, aeroplanësh Mig 21F, në lartësinë 12500 m, mbi nivelin e detit, me numër M=1,7. Me këtë rast, organizatorët kinezë të kalimit, të kënaqur nga paraqitja luftarake e çiftit, me pilotë nga Shqipëria, e falënderuan, publikisht Bilalin dhe shoqëruesin e tij. Komanda e bazës, një ditë organizoi një banket, për nderin tonë.

Piloti Andrea Toli (ndjesë pastë), në përfundim të banketit, kishte çuar në dhomën e fjetjes, ku ishte i sistemuar me Serafin Sheganin, një shishe me raki, e cila u kishte tepruar. Asnjëri prej tyre nuk e preferonte alkoolin. Kjo i ra në vesh Bilalit, i cili, me shkathtësinë karakteristike, hapi dritaren e dhomës ku flinin dy shokët e tij, hyri brenda e mori shishen me raki e doli andej nga hyri.

Por, la dritaren të hapët e shokët u plevitosën nga të ftohtit e stinës. Bilal Murat Josën, e kam pasur dhe e kam shok të mirë. Shoqëria jonë u lind e u kalit në situata të vështira, kur kërkohej shumë iniciativë, talent, guxim e trimëri, të cilat, Bilali i kish me tepri.

Ai ishte i lindur për të fluturuar dhe talenti i tij u ngjit, në zenith. Por, arritjet e Bilalit dhe tiparet e tij të qenësishme, prej titani babaxhan, u vranë sytë e u prishën gjumin, disa karrieristëve, zemërzinj e me shpirt prej skllavi, të cilët dinin të bënin mirë disa punë të tjera, mbi e nën rrogoz, përveç fluturimit, ku ata ndiheshin inferiorë, në krahasim me Bilal Josën. Iu qepën Bilalit mëkatarët dhe e larguan nga fluturimi, dikur, në vitin 1980. Ishte koha kur Bilal Josa ishte në kulmin e fuqisë fizike e morale, dhe kur talenti i tij si pilot njohu majat më të larta. Kam bindjen e patundur se ai vendim partiak, i pabazuar në realitete konkrete, por në dëshira qëllimkëqija e në kurthe. Nuk më ndahet nga mendja se ky ka qenë e mbetet një krim i shëmtuar e një gjëmë e madhe, jo vetëm për Bilal Josën.

Si mund të veçohet nga fluturimi, një vlerë kaq e madhe; një ‘Div’ i aviacionit tonë; një i lindur për të fluturuar?

Nënat heroina shqiptare, kur lindnin djem, gëzonin e lumturoheshin. Ku ta dinte Fatimja e Murat Josës, se duke lindur Bilalin, nuk solli në jetë një djalë, dosido, por një legjendë; jehona e bëmave të të cilit nuk do të shterrë kurrë!" Në Quncy (Mançester, U.S.A), më 7 qershor 2015; nga Bardhyl T. Lubonja. Detyrat ajrore që ka zgjidhur Bilal Josa, gjatë karrierës si pilot luftarak i klasit të lartë, kanë qenë të shumta, të shumëllojta e me shkallë të lartë vështirësie. Jo më kot regjimenti i Rinasit mburrej që kishte në radhët e tij një Bilal Josë.

Në detyrat e vështira ajrore që ka zgjidhur, Bilali ka pasur thuajse vazhdimisht, në krah, një talent tjetër; Petrit Bebeçin, i cili flet me terma pakrahasimorë për cilësinë fluturuese të Bilal Josës. Respektin dhe dashurinë për këtë "As" të padiskutueshëm të aviacionit shqiptar, Petriti, me thjeshtësi, por me vërtetësi, e shpalos, kësisoj opinionin vetjak për heroin e këtij shkrimi: "Kur isha student për pilot, në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, për Bilal Josën, si pilot i shquar, i cili, aso kohe fluturonte në aeroplanët e sofistikuar, Mig-19PM e se si na dukej. Nuk e kisha parë ndonjëherë e nuk e kisha takuar atë njeri, bëmat ajrore të të cilit na i dëftonin instruktorët tanë të fluturimit.

Më datën 1 dhjetor, të vitit 1966, tetë nga të njëzet studentët e grupit ku bëja pjesë, mbasi u diplomuam pilotë gjuajtës-bombardues e u titulluam oficerë u emëruam në Regjimentin e Aviacionit, në Rinas. Ishim prodhim i Shkollës Shqiptare të Aviacionit, të përgatitur 100% në auditorët dhe në startet shqiptare. Na caktuan të fluturonim në aerodromin e Rinasit, në përbërje të regjimentit përkatës të aviacionit. Qysh në ditën e parë, komanda e njësisë bëri prezantimin tonë. Nisëm të fluturonim, në aeroplanët parazanorë Mig-17F. Në startet e fluturimit, kur ishim grumbulluar, së bashku, e njoha nga afër Bilalin.

Ishte fillimi i njohjes sonë. Më tepër më ra në sy loja e tij e futbollit, ku mund, jo vetëm ta vështroja, por dhe ta prekja, madje dhe të përplasesha, me të. Bilal Josa, luante futboll, si një profesionist i vërtetë. Kush provonte të përplasej me të, ndeshej me një copë beton.

Në ato vite, pilotët beqarë banonin në hotelin e oficerëve të regjimentit. Kësisoj e kalonim gjithë kohën, si kur dilnim për fluturim, në start, dhe në kohën e lirë pas punës, së bashku. Shpesh, formonim dy ekipe dhe plekseshim në lojë futbolli, e cila ishte mjaft e preferuar nga të rinjtë e asaj kohe. Bilali, kur luanim futboll, dilte mbi të tjerët. Ai ishte tepër rezistent dhe kishte shkathtësi e manovronte vrullshëm; me top e pa top. Goditjet e tij në portë ishin të forta e përfundonin në rrjetë.

Kur nisëm të fluturonim, sipas programit, Bilal Josën e njoha, më mirë. Bilali ishte nga ata pilotë, të rrallë, i cili, na tërhiqte vëmendjen, veçanërisht për profilin e bukur të uljeve që kryente. Gomat e aeroplanit me të cilin ulej Bilali, kur preknin në sipërfaqen e betonuar të brezit të uljes, asnjëherë nuk lëshonin tym.

Kjo ndodhte rrallëherë në atë aerodrom. Tek Bilali ishte karakteristikë dalluese. Aftësitë fluturuese të tij, dilnin në evidencë, sidomos kur kryheshin ‘luftime ajrore’, kapje e sulme tipike dhe qitje e bombardime, nga ajri. Në një rast, isha ndihmës i udhëheqësit të poligonit. Qitjet dhe bombardimet i drejtonte piloti i klasit të parë, Edip Ohri. Mbi poligonin e qitje-bombardimeve u shfaq Bilal Josa, me një aeroplan superzanor të tipit Mig-19 S. Bilali sulmoi objektin me kënd të vogël sulmi (më të vogël nga ai që rekomandohej në instruksionet përkatëse) dhe udhëheqësi i poligonit, kur e pa, manovrën e tij tha: ‘Ky, me këtë kënd të vogël sulmi, nuk do të ketë rezultat; predhat do të shpërndahen e nuk do të shkojnë në objektiv!’

Bilali, bëri zjarr, vetëm me një predhë, e cila goditi flamurin, në qendër të shenjës dhe e rrëzoi atë. Pas sulmit të parë, Bilali sulmoi dhe 4-5 herë, po me shkrepje një nga një. Të gjitha predhat goditën brenda kufijve të shenjës. Udhëheqësi i poligonit, kur pa se qitja e Bilalit nuk kishte të sosur, e urdhëroi atë të kthehej në aerodrom.

Të them të vërtetën, si pilot i ri që isha, më habiti fakti që Bilali i ndante predhat një nga një. Pyesja veten: Si është e mundur kjo, kur tempi i qitjes së topit 40 m/m është 14 të shtëna (predha) në sekondë? Kur u mbyllën fluturimet, e takova Bilalin dhe e pyeta; si e realizonte ndarjen e predhave, një nga një?

Ai qeshi, por nuk ma dëftoi. U përpoqa të vë mendjen në punë dhe arrita në një përfundim logjik: Bilali ishte gjahtar profesionist dhe i binte fizarmonikës, në mënyrë fantastike. Gishtat e dorës së Bilalit ishin me ndjeshmëri mjaft të madhe. Prandaj ai, ishte i specializuar, deri në perfeksion, për prekjen e sustës që komandon hapjen e zjarrit, në të qindtën e sekondës.

Thjeshtësia ishte tipar tjetër karakteristik i Bilal Josës. Na trajtonte si të barabartë, pavarësisht se ishte 7 vjet më i moshuar se ne, rishtarët dhe ishte mësuesi ynë, në çështjet e fluturimit. Pavarësisht se ishte i shkolluar në Bashkimin Sovjetik dhe në rolin e instruktorit, fluturonte në të gjitha kushtet e motit, Bilal Josa i kishte fshirë kufijtë e hierarkisë ushtarake dhe na trajtonte si shokë të kahershëm. Me Bilal Josën, e thellova njohjen gjatë kohës kur, të dy shkuam në Kinë, për të mësuar avionin e ri Mig-21, në vitet 1969-1970. Aty, në portretin e Bilal Josës, pashë diçka interesante.

Në dukje, ai paraqitej, sikur nuk para e vriste mendjen për ngritjen e nivelit teorik; në të vërtetë nuk rezultonte, ashtu. Kur u njohëm me konstruksionin e avionit Mig-21 të cilin do ta mësonim, kujtoj si Bilali u afrua tek konusi i avionit dhe tërë kërshëri, u mbështet pas tij, vrojtoi kanalin e futjes së ajrit, në motor, mori qëndrim serioz e deklaroi: ‘Po ky nuk është aeroplan, por një raketë e mirëfilltë!’ Më lanë mbresë këto fjalë të tij dhe, së bashku me shokët e grupit të kalimit u përfillëm për të mësuar çdo detaj, në teori e në praktikë, në mënyrë që të ishim të aftë për shfrytëzimin e kësaj makine ajrore të sofistikuar, të panjohur, deri atëherë, në Shqipëri.

Kjo bëhej e domosdoshme dhe për faktin se aeroplani Mig-21 nuk kishte sparkë (avion dyvendësh).

Mësimet teorike, në Kinë, zhvilloheshin në gjuhën ruse. Kjo ishte një vështirësi më shumë për mua dhe për Vangjel Koroveshin që ishim pilotë të ‘markës shqiptare’ e nuk e zotëronim atë gjuhë. U bindëm se shfrytëzimi me rendiment e cilësi i aeroplanit të ri, të tipit Mig-21, kërkonte përgatitje të lartë teorike e njohuri të thella shkencore. Bilal Josa, edhe në këtë drejtim, printe me shembullin vetjak. Pilotët që mbanin klasin e parë e të dytë, në Kinë, fluturuan me sukses të plotë edhe natën, në një kohë kur kishin fluturuar në avionin e ri, vetëm 7 orë.

Spektakolare ishin qitjet me aeroplan, kundër shenjave tokësore, me top e me raketa ajër-tokë, në një poligon pranë aerodromit të stërvitjes. Në këto disiplina, Bilal Josa dhe shokët e tij ishin në ‘fushën e tyre’ dhe dëftuan aftësi të rralla profesionale. Pilotët kinezë, me tërë atë bagazh, në fushën e fluturimeve, kur panë treguesit e lartë cilësorë të pilotëve shqiptarë, pranuan, me sinqeritet se ishin ata që kishin mësuar nga mjeshtëria në fluturim e tanëve.

U kthyem nga Kina, në Regjimentin e Rinasit. Në pozicionet nga ku u nisëm. Aeroplanët e rinj, Mig-21, mbërritën në vendin tonë një vit më vonë. Iu rikthyem fluturimeve me aeroplanin Mig-19 S. Bilal Josa u emërua komandant i skuadriles së parë e unë, për një vit, isha shoqëruesi i tij. Të fluturoje, shoqërues i Bilal Josës, nuk ishte gjë e lehtë.

Kur kryenim ‘luftime ajrore’, si kulm i përgatitjes luftarake, Bilali, i çonte shpejtësitë afër të skajshmes, dhe pilotonte me mbingarkesa të larta. Natyrisht, duke ruajtur kufijtë e parrezikshmërisë së fluturimit. Mbajtja e pozicionit në çift, pas Bilalit, ishte mjaft e vështirë. Fluturimet kositëse dhe ato në gryka e qafa malesh, ku rrezikshmëria është iminente, ma shtonin shumë adrenalinën.

Ardhja dhe montimi i avionëve Mig-21, më ndanë nga Bilali. Bilali u caktua komandant i skuadriles së parë dhe fluturonte në aeroplanët Mig-19 S, por, në të njëjtën kohë kish të drejtë të fluturonte dhe në aeroplanët Mig-21. Këtë të drejtë, në Rinas e kishin vetëm 4 pilotë. Natyrisht, më të kualifikuarit, ata që kryenin detyrën e instruktorit dhe që përzgjidhnin elementet që do t’i nënshtroheshin kalimit në tipa më të sofistikuar, siç ishte Migu-21.

Më 24 prill, të vitit 1971, me rastin e 20-vjetorit të krijimit të aviacionit luftarak, në paradën ajrore që u zhvillua në aerodromin e Rinasit, Bilal Josa dhe kolegu i tij, piloti i talentuar Serafin Shegani, u caktuan të qëllonin, me topa e me raketa ajër-tokë, përpara udhëheqjes më të lartë të partisë e të shtetit, nga figura vertikale pilotimi. Ky veprim, me karakter të theksuar luftarak, ndoshta shënoi kulmin e përgatitjes luftarake dhe shkallën më të lartë të kualifikimit të pilotëve. Si gjatë përgatitjes dhe në ditën e festës ku, të dy pilotët realizuan, me precizion të lartë, u shkrua një faqe e re lavdie në historinë e aviacionit tonë luftarak. Bilal Josa, siç e kishte karakteristikë vetjake, qëlloi e goditi objektin, me sulmin (breshërinë) e parë.

Si shoqërues i Bilal Josës, jam ngritur, më se një herë nga pozicioni ‘roja në aerodrom’, i gatishmërisë Nr.1. Nga rastet e kësaj natyre, njëri më ka mbetur në mendje. Bilali ishte ‘hequr’ nga fluturimi, për shkaqe shëndetësore e unë isha me rrufë (ftohje të rrugëve të sipërme respirative). U dha ‘njëshi’, si shkalla më e lartë e gatishmërisë luftarake në aerodrom. U dha urdhër e u çuan në ajër 3 çifte aeroplanësh. U bënë 6 aeroplanë, në ajër.

Vendkomanda Qendrore e Ushtrisë, urdhëroi të ngrihej dhe çifti i katërt. Pilotët ndodheshin në fund të aerodromit. Pranë avionëve që u nxorën, me ngut, ishte Bilali dhe unë. Zilja e alarmit binte pareshtur. U futëm në kabinat e avionëve dhe, me urdhër, u ngritëm në ajër. Na u dha urdhri të qëndronim në patrullim, mbi Tiranë, në lartësinë 12000 m. Kur duhet të humbisnim lartësi, për t’u ulur, në aerodrom, po të mos ishte Bilali, përpara meje, dhe po të mos e humbisnim lartësinë ‘butë-butë’ – me siguri do të më ishte çarë membrana e veshit e do t’i kisha lënë lamtumirën fluturimit.

Bilal Josa, si pilot luftarak, për mua qëndronte në majat më të larta të mjeshtërisë së pilotimit. Prandaj, atij, pa diskutim i takon vendi i nderit në aradhën e pilotëve të shquar të vendit tonë. Po të shohim sjelljen e tij në shoqëri, vlerat, me siguri shtohen e janë të njohura nga ata që kanë punuar nën komandën e tij apo që janë ndodhur pranë. Është detyrë e tyre, dhe njëkohësisht në nderin e atyre që e kanë njohur Bilal Josën, në veçanti ata që kanë ndier ‘dorën’ e tij, të shkruajnë e të dëftojnë ato që dinë për të. Kisha kohë që nuk e kisha takuar. Bilali është i bllokuar nga menisku, në të dy gjunjët e nuk del nga shtëpia.

Vendosa t’i shkoj për ta parë, në shtëpinë e tij, së bashku me tim bir. Na priti, me përzemërsi së bashku me bashkëshorten e tij të rrallë; Lushkën. E kishte marrë malli e u gëzua shumë. Kishim llogaritur të qëndronim atje rreth 30 minuta; kur pamë orën, rezultoi se kishim biseduar, së bashku 4 orë e nuk e ndiem fare. Kujtuam e sollëm në mend kohët e arta kur kemi punuar bashkë dhe shokët e përbashkët, ata që jetojnë e të tjerët që nuk janë në jetë.

Pyesim njëri-tjetrin, si është x e si mund të përcaktohet y? Shpesh kam dëgjuar të thonë: ‘Ai është njësh!’ Sa shumë do t’i shkonte për shtat Bilal Josës ky përcaktim. Bilal Josa, me të vërtetë është ‘njësh’, në aviacion dhe vendin e tij nuk mund ta zërë njeri. I uroj Bilal Josës shëndet e jetë të gjatë!" Në Tiranë, më 24 maj 2015 opinion nga piloti në pension Petrit Sado Bebeçi

Jemi mësuar të themi, për të justifikuar të keqen: "Mos të paftë syri i keq!" Bilalin e pa "syri i keq", madje, jo një herë dhe ai u përgojua. Vlerat esenciale të atij piloti të rrallë, kaluan në plan të dytë dhe "zilia", "keqdashja", "smira", "zemërligësia", "pathellimi", "mosdija" e ku e di unë çfarë emër t’i vë kësaj dukurie negative; e ndëshkuan Bilal Josën, kur ai ishte në majë të trajektores dhe po ngjitej, lart, në specialitet e në karrierë. U gjykua, mbi bazën e moralit "Falsiv" e me logjikën e një profani dhe u vendos të largohej nga fluturimi e nga ushtria, një vlerë e rrallë e aviacionit dhe e vendit tonë. Ruaj opinionin se një veprim i nxituar, si ai me Bilalin, gjithnjë sjell rrjedhoja të dëmshme. Dëmin, në këtë rast nuk e paguan, as partiakët profanë të profesionit, as ata komandues që më kot krekoseshin, se ishin dikushi, por e pagoi profesioni i pilotit, i cili humbi një "aset" të rrallë, që nuk na vjen gjithnjë.

Bilal Josa, me pikëllim u nda nga avioni, nga skuadrilja e tij e dashur dhe nga fluturimi; u largua dhe nga ushtria. Ai, nuk u ankua kurrë, edhe pse ishte e është i bindur se e kanë "ngrënë prapa krahëve" të pabesët, ata që nuk kanë burrërinë të të shikojnë drejt, në sy, por merren me përgojimin e të tjerëve dhe, duke shfrytëzuar rrethanat, janë të specializuar për të të bërë vetëm keq. Doli në pension Bilal Josa, e u largua nga regjimenti i Rinasit, por koka i mbeti pas.

Kur vështronte, me sytë e mendjes, udhën nga ka kaluar, ligështohet e merr inat, por shoqërinë e njeh dhe e respekton; ashtu siç është i lidhur ngushtë, me familjen dhe të tijtë.

Gjatë kohës që ishte në pension, por lëvizte, e takoja shpesh, dhe sa herë takoheshim, ai bënte shaka, nga ato që di të bëjë Bilali. Si dikur, kur ishim fqinjë, në fluturim dhe me banim, nëpërmjet shakasë, Bilali, në konfidencë, edhe më "shante". E kuptoja nëntekstin e fjalëve të tij. Nëpërmjet "sharjeve" ai më këshillonte të mbetesha njeri e mos i bëja keq njeriu. E kam pasur dhe e kam idhull Bilal Josën; prej tij kam mësuar shumë e i jam mirënjohës, përjetë. Çdo njeri, kur gjykohet një tjetër, është mirë të ketë opinion të pavarur; ndryshe, subjektivizmi e njëanshmëria, nuk vonojnë.

Bilali, si dhe më parë, në sytë e shoqërisë mbetet një vlerë më vete, dhe i pazëvendësueshëm. Dashuria dhe respekti për këtë kapacitet në fushën e aeronautikës dhe si njeri, shpalosen, në veçanti, tani që Bilal Josa, për shkaqe shëndetësore, nuk mund të dalë, por qëndron "i ngujuar", në shtëpi. Shokët dhe miqtë e shumtë, i shkojnë, në shtëpi, ulen e bisedojnë me të, kujtojnë ata që nuk janë më në jetë si: Astrit Mersimin; Vasil Kromidhën; Llazar Çupën; Thanas Naçin; Sokrat Bashën; Pandi Bucin dhe më të rinjtë si Luto Sadikun; Idriz Hoxhën; Vasil Nonin; Sefedin Tomçinin; Bego Hoxhën etj. Bilali, si dikur, i pret e i përcjell shokët e miqtë e tij, me dashuri e buzëqeshje, duke u dhuruar, mirësi nga mirësia e tij e pamatë.

  • I uroj heroit tonë, njeriut të mirë e pilotit të papërsëritshëm Bilal Murat Josës, shëndet e jetë të gjatë!

Në këtë shkrim, u përpoqa të hedh disa kujtime e opinione, të cilat, gjithsesi mbeten vetjake dhe përfaqësojnë vetëm një pjesë nga mendimi i përgjithshëm që ka hedhur rrënjë në ndërgjegjen e njerëzve, për të papërsëritshmin, talent të rrallë. Ftoj, këdo që e ka një opinion, për të, të shkruajë e të rrëfejë, si e ka njohur ai Bilalin, dhe çfarë mendon për të. Nuk bëhet fjalë për konkurs, por për të thënë të pathënat e të panjohurat për njerëz të tillë, të cilët vijnë rrallë në jetë e futen kaq vrullshëm në histori.

Në Tiranë, më 24 maj 2015

Përgatiti Niazi Nelaj