Çdo njeri, gjatë jetës e shkruan vetë historinë e tij. Ky është një përfundim, i nxjerë nga jeta,i cili nuk ka nevojë të vertetohet. Disa, me punën dhe sjelljen e tyre, lenë gjurmë të pashlyera dhe të prasmit përpiqen tu ngjajnë, teksa ka të tjerë që, gjatë jetës vegjetojnë e kalojnë pa u ndierë. Për këta nuk kujtohet njeri t’u bëjë jehonë bëmave apo gjëmave që lënë pas.
Xhulian Petraq Popa, ishte e mbeti një njeri i veçantë. Tek ai njeri, aftësitë profesionale, niveli kulturor dhe edukata e shëndodhë, ishin të pleksura, bukur, me njëra-tjetrën dhe përbënin një unitet të shëndoshë. Thjeshtësia e atij njeriu, dashamirësia dhe ndershmëria e tij, nuk njihnin kufi.Detyra e tij e shturmanit fluturues, nuk njihet aq shumë nga njerëzit, jo vetëm në kohën kur jetoi Xhuli , por dhe sot është disi e mjergullt. Të dhëna të shumta na bëjnë me dije se kemi të bëjmë me një rast të veçantë, unikal në llojin e vet. Nuk ka, asnjë anë të “ errët”, në historinë e atij njeriu, i cili na iku shpejt, sikur dikush na e rrëmbeu, se i duhej.
Veç aftësive të shumta që dëftoi, në punë e në jetë, të cilat, po ti marrësh një nga një, të mrekullojnë, Xhulian Popa do mbahet mend dhe për pamjen e tij të jashteme, për uniformen e tij të pastër e të hekurosur që e kishin zili shumë shokë. Xhuliani i mirë nuk jeton më, zemra e tij pushoi së rrahuri në vitin 2004, nga një atak kardiak.Ai ka lenë 1 djalë dhe 2 vajza të denjë,për atë baba të pashoq. Pasardhësit e Xhulian Popës, me edukatën e shëndoshë që kanë marrë nga prindërit e tyre, veçohen, kudo ku punojnë e jetojnë, për vlerat që bartin e për sjelljen shëmbullore që kanë. Kësisoj, Xhuli, jeton e do te jetojë, në gjurmët që na ka lënë pas e në tiparet që u ka mëkuar pinjollëve të tij. Historia na mëson se njerëzit e mirë, nuk harrohen, por kujtohen e kërkohen. Kjo ngjan,sot,më tepër se kurrë, nisur nga fakti se mirësia tek njerëzit, edhe pse nuk është sosur, ndeshet rrallë e më rrallë.
Xhulian Petraq Popa,shturman fluturues e klasit te dytë.
Opinion,për shturmanin fluturues të klasit të dytë : Xhulian Petraq Popa. Sqaroj, qysh në fillim se klasi i shturmanëve fluturues jepej, ndryshe nga ata të tokës, sipas kushteve në të cilët fluturonte ekipazhi, në përbërje të të cilit ai ishte. E theksova këtë për të vetmin fakt se, individualisht, XHuliani bënte pjesë në elitën e shturmanëve, të cilët, rëndom i kemi quajtur: ” Inteligjencia e ajrit”.
XHuliani ( XHuli, sic i thonim ne, shokët e tij), u lind në qytetin e Elbasanit, në vitin 1938, në një familje intelektualësh, atdhetarë, me traditë e mentarë të shquar. Babai i tij, Petraqi, ishte mjek me reputacion, në qytetin e Elbasanit e më gjerë. XHuli, qyshse ishte femijë, u shqua nder shokët e moshës, për inteligjencie dhe si kapacitet mendor.Pas shkollës së mesme, në gusht të vitit 1958, në përbërje të një grupi djemsh, të zgjedhur, ai u nis për në Bashkimin Sovjetik, për t’u bërë shturman fluturues. Fillimisht shkoi në shkollën e aviacionit, në SHadrinsk, ku kaloi procesin teorik e , pas një viti u sistemua ne Krasnodar, ku fluturoi në aerplanët e transportit ajror Li-2, në rolin e shturmanit. Shokë të tij, ishin: Enver Muca; Flamur Dede ( ndjesë pastë );LLazi Rrapi ( ndjesë pastë );Besnik Hashorva ( ndjesë pastë); Perlat Lako;Mentor Rrugija( ndjesë pastë);Petrika Kostani; Viktor Vangjeli; Jorgaq Cipi (ndjesë pastë); Sabri Çiku; Spiro Moçka; Ivzi Minxha; Kozma Sinjari ( ndjesë pastë );Ylber Laknori ( ndjesë pastë ) dhe Jorgo Tabaku ( ndjesë pastë). Ishin një grup djemsh të gëzuar , të shkathët e të talentuar, të cilët patën fate të ndryshëm e morën udhë jo të njëjta në jetë.
Në fund të shtatorit 1961, kur studentët e aviacionit u përzunë, dhunshëm, nga Bashkimi Sovjetik, XHuliani u kthye në Atdhe dhe, në atë fundviti lundroi për në Kinë, me anijen oqeanike “Durresi”, në atë lundrim sfilitës, i cili vazhdoi 56 ditë, për t’u bërë pilot. Ai dhe shokët e tij u sistemuan në Mançuri, në qytetin Çin XHou, në shkollën e tretë të aviacionit ushtarak kinez. Në këtë shkollë, XHulian Popa kreu fluturime me aeroplanin Jak 18-U dhe kur shokët e tij kaluan në avionët Mig -15, XHuli u deklarua i paaftë,si pilot ( ishte hipertonik) dhe u kthye, para shokëve, në SHqiperi. Ai u titullua oficer dhe u emërua navigator drejtimi, në Vendkomandën Qendrore të Ushtrisë. Pas tre vitesh, ai u transferua në vendkomanden e Regjimentit te Qytetit “Stalin” e, më pas u caktua pedagog,i lëndës së aviodrejtimit, në Shkollën e Lartë të Aviacionit, në Vlorë.
Në muajin shkurt 1972, me një grup aviatorësh u specializua në Kinë, për të fluturuar në rolin e shturmanit fluturues, në aeroplanin IL-14, qeveritar.Punoi në këtë avion ( në avionin e parë, me numër anësor- 1509 ) derisa doli në pension të plotë. E kam njohur së afërmi, në shkollë, kur ishim studentë e, më vonë, në punë të përbashkët si novigatorë e në role të tjerë. Ruaj për të mbresa mjaft të mira, si specialist aviacioni kompetent dhe si njeri i përkryer. Mund të them, pa mëdyshje se XHulian Popa ishte shturmani fluturues dhe aeronavigatori tokësor, më i kualifikuar e shumë i përkushtuar në detyrë. Ai pyetej e u jepte udhë çështjeve më të vështira të profesionit te tij. XHuli ishte njeri me horizont e tepër kompetent . Si njeri, mund të pohoj, plot gojën e pa lëkundje, se XHulian Popa, ishte model i njeriut të përkryer, për t’u ndjekur.I zgjuar, mendtar i rrallë, i qetë, tejet i ndershëm e me moral të lartë; i çiltër, deri në naivitet ( besonte shumë XHuli), i dashur e i shkuar me shokët, i thjeshtë e i papërtuar për të ndihmuar të tjerët,i edukuar e i kulturuar, lexonte e dinte shumë,shquhej për horizont e largpamësi.I këndshëm në bisedë e i thellë në gjykim.Ai, nuk ia fuste kot, asnjëherë. XHuli bënte pjesë tek ata pak njerëz, të cilët nuk dinë të shajnë e të përgojojnë të tjerët. Kur dikush kapërcente normat njerëzore të sjelljes, XHuli reagonte kundër. Fjala më e rëndë fyese që dilte nga goja e tij, kur ishte tejet i inatosur me një veprim të paarsyeshëm apo me një njeri të mbrapshtë, ishte: ” kafshë”!
Paraqitja e jashtme e tij , të bënte të turpëroheshe. Uniformën e mbante të rregullt, të pastër e të hekurosur. Në çdo kohë, Xhulin e shikoje të rruar e të qethur, me ato mustaqe ” spic”, të cilat i shkonin për shtat fytyrës së tij të hijëshme. Përdorte dhe i kishte qejf të gjithë llojet e parfumeve. Ishte kënaqësi të qëndroje në shoqerinë e tij të pastër e të painteres. Xhulian Popa u nda nga jeta, papritur, thuajse si nga një aksident, në moshë te re, më 2 dhjetor 2004, nga një atak kardiak.E njoha nga afër e u bëra shok me të në situata të vështira , kur ndodheshim larg Atdheut e njerëzve të dashur e kur iu gjendëm njëri-tjetrit. U puqëm në disa pika të përbashkëta dhe e kuptonim njëri-tjetrin ndaj u lidhëm e ndamë së bashku halle e paudhësi, të kohës e të profesionit të vështirë. Xhulian Popa u bë , për mua , dhe jo vetëm, një shtyllë e fortë, ku mbeshtetesha, pa merak dhe një burim frymëzimi i pashtershëm. Tani Xhuli nuk është më midis shokëve dhe familjarëve të tij , që e donin dhe e respektonin aq shumë, por rron e do të rrojë , përjetë , kujtimi i tij i ndritur!
-I paharruar qoftë kujtimi i atij njeriu të rrallë!
-Ti rrojnë ata që ka lënë pas e i ngjafshin,në çdo drejtim!
Një hobi e XHulit: Në fundvitin 1961, lundronim për në Kinë. Ne, studentëve,në kuvertën e anijes oqeanike “ Durrësi”, e cila e bente kete lundrim të gjatë , për herë të parë, na veshën me kominoshe blu, si detarë e na inkuadruan në ekipazhin e anijes, që të dukeshim si ata.Si rregull, anija ndalonte në çdo port, për t’u furnizuar. Marinarët zbrisnin në port; ne,jo. Nuk kishim as leje , as volutë. Në portin e Adenit, atëherë bazë ushtarake britanike, anija ndaloi e detarët zbritën. Ne i vështronim me kërshëri e me xhelozi. Shumë shpejt, mbi kuvertën e anijes tonë vërshuan tregtarë ambulantët vendas, me tezgat portative plot me mallra te imët. XHuli mbante në dorë nje orë të markës “Superatlantik “, të shtrenjtë e të rrallë në Shqipërinë e asaj kohe. Mirëpo Xhuli ishte ” qejfli ” orësh. Atij i pëlqeu një orë, e bukur, e prodhimit anglez e iu lut tregtarit ta ndërronte me orën e tij të shtrenjtë. Kur pa markën e orës, të cilën e njihte mirë, tregtari, pa e bërë dysh, ia rrëmbeu XHulit nga dora e i zgjati orën më te bukur që kishte në tezgë. Xhuli, vuri orën e re në dorë e, gjithë qejf shkoi në kupe (dhomë fjetje) ku bëhej ekspozimi i mallrave që kishin blerë detarët. I kapardisur, se kishte bërë një këmbim me leverdi, Xhuli u dëftoi bashkudhëtarëve orën. Marinarët, të cilët ishin ” ujqër” në kësi punësh, i thanë: ” Ta paska hedhur, qeni, kjo orë mjaft e bukur, i ka pjesët prej letre”! E pati gati përgjigjen shoku ynë: ” Punë e madhe, tha XHuli, në portin më te afërt do ta ndërroj orën, me një tjetër, akoma më të bukur”!Kështu ngjau vërtet . Në Kolombo, ndodhi i njëjti avaz dhe XHuli përsëriti të njëjtin veprim . Kur mberritëm në Kinë, na dëftuan të tjera rregulla.
Ps: Ditet e fundit shkova ne familjen e XHulian Popes , per te marre nje foto te tij. GJeta nje mjedis e njerez fisnike , si XHuli. U ndjeva mire qe tradita e mire vazhdon. U emocionova shume , por me duhej te mos bija ne sy , kur mesova se djalit te Bardhylit i kishin vene emrin e gjyshit: XHulian!E urova , me shpirt vogelushin: ” U befsh i mire si gjyshi i rralle qe ke patur dhe e pac jeten te gjate”! Mora me vete ndjesine se : Tek ka rrjedhur ; do pikoje”! Sa mire qe fisnikeria transmetohet, nga brezi, në brez e nuk humbet , kurrë.
Tiranë, më 21 shkurt 2013
Përgatiti Niazi Nelaj, sipas kujtimeve vetjake