U lind në fshatin me histori të Valikardës, rrethi i Dibrës, në vitin 1942, në një familje fisnike-atdhetare. Babai dhe nëna e tij rritën shumë fëmijë, me problemet e kohës dhe edukuan tek ata dashurinë për njëri-tjetrin dhe për vendin e të parëve.
Në ograjat, mbi fshat, tok me tufën e qengjave, prapa xha Sulejmanit dhe të tijve, Ahmeti, qysh në vegjëli u brumos me tiparet e një malësori fisnik. I pastër në karakter, si ujët e atyre bjeshkëve; i çiltër e i lehtë, si era e freskët e malit, mbi fshat; i zgjuar e mentar, siç janë malësorët tanë, vrojtues i rrallë e fjalëpak, me një bagazh të vyer tiparesh të njerëzishme, në vjeshtën e vitit 1955, ende i parritur, Ahmeti zbriti në Tiranë e u sistemua në shkollën ushtarake "Skënderbej". Kjo shkollë ishte "elitë" e nxori ushtarakë me vlerë. Në këtë mjedis, Ahmeti u rrit e u burrërua dhe u pajis me ndjenjën e rregullit, të disiplinës, me vullnet e vetëpërmbajtje, me frymë komuniteti dhe shkëlqeu në mësime.
Më 26 gusht të vitit 1960, me një aeroplan Tu-104, së bashku me 35 djem të zgjedhur, nga Shqipëria, Ahmeti, së bashku me Bashkim Kozelin; Fadil Nenaj (Braho) dhe Mustafa Gjokutaj, u nis për në Bashkimin Sovjetik, për t’u bërë pilot. Nëna dhe babai, me shpirt, i uruan: "Të priftë e mbara, bir!" Dhe mbarë i shkoi! Në shkollën sovjetike të aviacionit, në qytetin e Batajskut, ai fluturoi në avionët Jak-18 A. Sapo përfundoi programin e fluturimeve, me një vendim ogurzi të Sovjetit Suprem, Ahmeti dhe shokët e tij u përzunë nga shkolla e nga Bashkimi Sovjetik e u kthyen në Shqipëri. I ati, kur Ahmeti ndodhej larg, u sëmur rëndë e zuri shtratin. Fotografinë e djalit të larguar e mbajti nën jastëk dhe shpresonte se do ta shikonte atë, sa ishte gjallë.
Por kjo nuk ndodhi.
U çel shkolla e aviacionit, në Vlorë dhe Ahmeti, së bashku me 16 shokë, nisi fluturimet. Fillimisht në avionët Jak-18U e më pas në MIG-15 BIS. Instruktor i tij ishte Mahmut Hysa.
Në pranverën e vitit 1964, Ahmeti u emërua pilot gjuajtës-bombardues, në regjimentin e Rinasit, ku fluturoi në avionët mig-17F dhe bëri kalimin në MIG-19 s. Për nevoja organike, në vitin 1967 u caktua instruktor, në skuadriljen reaktive të shkollës, ku punoi, në detyra të ndryshme, deri zv. komandant skuadriljeje, 22 vjet me radhë, si asnjë tjetër. Ishte në detyra të larta, në skuadrilje dhe bënte edhe detyrën e instruktorit. Me teknikë pilotimi të pastër, atij iu njoh e drejta për të kolauduar avionët që dilnin nga remonti. I lidhur ngushtë me detyrën, disa vite radhazi, i mohoi vetes të drejtën për të gëzuar me familjarët e tij dhe për t’u ndodhur në raste fatkeqe.
Disa nga studentët që nxori Ahmeti u bënë drejtues të reparteve dhe të aviacionit, si njësi. Studentët e tij mbushën repartet e aviacionit. Disa morën dhenë, por instruktorin e tyre të mirë, nuk e harrojnë. Me qetësi olimpike e urtësi të paparë, me shumë vullnet e durim, me kompetencë e nivel shkencor, Ahmeti ua zbërthente teorikisht e ua tregonte praktikisht, studentëve elementet e fluturimit. Urimi i nënës e ndoqi pas Ahmetin e i shërbeu si hajmali. Ai e pati jetën të gjatë në aviacion e sot gëzon shëndet të plotë, në pension. Vitet e fundit aktive, Ahmeti i kaloi në fluturim, në avionët An-2, ku shfaqi të njëjtat veti e virtyte. I uroj jetë të gjatë e shëndet të plotë!
Kur Ahmeti u fut në shkollën "Skënderbej", njëri nga "shefat", si të gjithë rishtarët, e pyeti djalin nga Valikarda për identitetin. Ahmeti u përgjigj se quhej Ahmet dhe mbiemrin e kishte Zogu. U mendua pak "shefi", nuk i pëlqeu mbiemri dhe e vazhdoi pyetjen: "Po emrin e babait, si e ke?" Dhe djali, me çiltërsinë e një fëmije, u përgjigj: "Sulejman!"
Atëherë, i tha "shefi": "Këtu, në shkollë do të të flasim Ahmet Sulejmani." Kështu e njohin shokët dhe më gjerë, Ahmetin tonë flori!
Pas viteve '90 e njohën Ahmetin me mbiemrin e vërtetë: Zogu!
Shkrova si shumë, për Ahmet Zogun, për dy arsye: E kam shok të mirë, prej më se 50 vitesh dhe se ai ka qenë instruktor, në aeroplanët reaktivë, në shkollën e aviacionit, për 22 vjet, d.m.th. më shumë se kushdo tjetër. Mund të matet vetëm me Kostandin Sadikun, legjendë të Pishës!




Te lumte NJAZI NELAJ qe ke shkruar per njeriun me modest e punetor sa askush nga ne. Ju perqafoj fort te dyve, o shoket e mij te vyer!