Rrëfimin tim për heroin e këtij shkrimi do ta nis thjeshtë, siç ishte e tillë jeta e tij, e cila u soll ashpër me mikun tim të mirë. Guriu u lind në fshatin Armen të rrethit të Vlorës, më 25 mars të vitit 1939, në një familje tejet të farfër. Babai i Guriut, Demiri punonte yzmeqar, derë më derë, për të nxjerrë bukën e gojës për familjen e tij, me punën e argatit, në arat e bashkëfshatarëve. I martuar me Feruzenë, kujdestaren e asaj çikë ekonomie mjerane, xha Demiri pruri në jetë dy fëmijë: motrën – Tufane dhe Gurinë. Familja e Demir Merkaj, në Armen të Vlorës jetonte nëvarfëri të thellë.
Guriu i vogël, kur ishte në shkollën shtatëvjeçare të fshatit, në pushimet e verës punonte yzmeqar, si i ati duke u angzhuar për ruajtjen e lopëve dhe bravareve të fshatit, për një copë bukë misri, me qepë e me një botile me dhallë të thartuar në torbë. Kjo ishte paga për djaloshin fukara nga Aremeni. Pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Demirit, vështirësitë për të përballuar jetesën, për familjen Merkaj u shtuan. Në vitin 1949, familja e Guriut u shpërngul nga fshati, mbasi nuk kishte mbështetje e u vendos në qytetin e Vlorës, në një banesë me qera. Nënë Feruzes, tashmë kryefamiljare, me dy jetimë për të ushqyer, iu desh të hynte në punë shteti, për të mbledhur qepë deti. Familja e Guriut erdhi në Vlorë, kur bashkëmoshatarët e tij kishin nisur vitin shkollor gjashtë muaj më parë e ai nuk e kapte dot ritmin e tyre. Kësisoj Guriu ende fëmijë u detyrua të shkonte pas nënës, për ta ndihmuar atë në punën e rëndë në mënyrë që ajo të plotsonte normën ditore e të dy të ushqenin veten dhe motrën.
Në vitin 1955 Guriu përfundoi mësimet e shkollës shtatëvjeçaredhe u paraqit në zyrën e punës, për të kërkuar punë, si nxënës, ku mund të merrte zanat e të fitonte diçka për të ndihmuar familjen. Kur ishte në shkollë, në një orë mësimi, kur ishte duke u përgjigjur Guriu, në klasën e tij u ndodh shefi i seksionit të arsimit të rrethit të Vlorës-Eqerem Kallfa. Shtetari, i kënaqur nga përgjigja e djaloshit, e kishte porositur Gurinë që, kur të mbaronte shkollën shtatëvjeçaare, të paraqitej tek ai, për të përfituar bursë shteti, në ndonjë shkollë të mirë. Mirëpo Guriu nuk e ndoqi këshillën e shefit dhe, kur mbaroi shkollën shtatëvjeçare, me qëllim që të fitonte diçka duke mësuar u paraqit në zyrat e punës. Aty u ndodh shefi premtues i cili e njohu nxënësin e dalluar dhe e ftoi në zyrën e tij. Kur u paraqit tek ai, shtetari i ofroi djalit një letër të bardhë dhe një laps e i diktoi të shkruante: “Unë jam një djalë i mirë nga Armeni”! U mrekullua Eqerem Kallfa nga shkrimi mjaft i bukur i Guriut dhe e pyetinxënësin e dalluar: “ Ku do të shkosh mor djalë? Ti e paske dhe shrimin mjaft të bukur”! U zu ngushtë Guriu nga pyetja e shefit e nuk dinte si të përgjigjej. Në këto kushte, shefi zemërmirë i arsimit, përsëri, me dashamirësi e orientoi heroin tonë të shkonte në minierën e Selenicës, ku do të mësonte për t’u bërë teknik i mesëm miniere dhe do të paguhej me 1000 lekë, në muaj. Nuk ishte ofertë e keqe, kjo, për jetimin nga Armeni, i cili kishte problem edhe sigurimin e bukës së gojës. E pranoi ofertën që iu paraqit, Guriu dhe nisi mësimet në shkollën profesionale, në minierën e Selenicës. Nuk rezultoi me fat djaloshi dhe kur ai ishte në vitin e dytë të shkollës, ajo degë u mbyll. Gurinë e çuan në minierën e Memaliajt, në shkollën profesionale për t’u bërë punëtor i kualifikuar i nëntokës ( minator). E përfundoi shkollën dhe nisi nga puna e minatorit, por, nën tokë Guriut nuk i eci shëndeti, prandaj kërkoi të dilte në sipërfaqe. Mes peripecive dhe kundërshtive të punëdhënësve, Guriu u largua nga miniera e Memaliajt e u sistemua në stacionin e makinave e traktorëve, në Vlorë, në detyrën e ndihmëstraktoristit.
Vjeshta e vitit 1958 e mobilizoi Gurin 19 vjeçar në radhët e shërbimit të detyrueshëm ushtasrak, në bazën detare të Pashalimanit. Atij i takoi shansi të kryente shkollën e instruksionit të marinës, ku do të mësonte për t’u shërbyer motorrëve të anijes. Siç e kujton Guriu: ” Ishim në klasë e më njoftuan se duhet të vishja uniformën e dsaljes së lirë dhe të shkoja me urgjencë në Tiranë. Do të nisesha për jashtë shtetit. Mendova se një e mirë më kishte zbritur nga qielli dhe shpejtova proçesin e nisjes”. Më 18 gusht të vitit 1959, ne një grup adoleshentësh, në përbërje të të cilit ishim 40 djem, na përcollën për në udhën ujore, për të shkuar në Harkov ( Ukrainë), dy hierarkë të lartë ushtarakë: Hetem Gjinushi e Teme Sejko, nga porti i Vlorës. Në grupin tonë bënin pjesë: Perikli Teta; Muhamet Horieti; Hasan Islami; Minella Adhami; Agim Asqeriu; Viktor Jani; Viktor Nikolla; Pali Totoni; Ahmet Selvija; Abdurrahman Pilkati etj. Në qytetin e Harkovit, do të studionim në shkollën sovjetike të aviacionit, ku përgatiteshin teknikë e specialistë të aviacionit. Në fjetinë kishja pranë gjirokastritin Agim Asqeriu. Gjitoni im, me krevat pranë, kishte vënë re se unë, natën, në gjumë lëvizja këmbët e duart-kujton Guriu. Një ditë, gjirokastriti e kishte pyetur Gurinë: ”Përse lëviz, ashtu, këmbët dhe duart, në gjumë”? Me çiltërsinë e adoleshentit Guriu ishte përgjigjur: ” Më duket sikur po ngas aeroplanin”! Në të vërtetë Guriu nuk ia kishte fare idenë për aeroplanët dhe për fluturimin e tyre. Siç dëfton vetë Guri Merkaj; ” kishja shumë dëshirë të bëhesha pilot dhe nuk di si më lindi kjo ide”dhe vijon: ” Fati më erdhi në ndihmë”! Nga grupi i studentëve që mësonin për t’u bërë pilotë, në shkollën e aviacionit sovjetik të qytetit të Borisoglebsit, e cila mbante emrin e lavdimadhit “Valeri Çkallov”, tre studentë ishin deklaruar të paaftë e duheshin zëvëndësuar. Komanda e shkollës na u drejtua neve, studenteve te profilit teknik dhe dolën vullnetarë tre vetë: Besnik Varvarica; Nazmi Dautaj dhe unë.
Më datën 1 maj të vitit 1960, të tre, shkuam në qytetin e Borisoglebsit, ku nisëm mësimet që i takonin grupit të pilotëve. Ishim me gjashtë muaj vonesë. Për të kapur hapin e shokëve, na u desh të sforcoheshim mjaft dhe ia arritëm. U bashkuam në një grup me ata qe gjetëm në shkollën e pilotëve ku bënin pjesë: Harilla Rjepi; Vangjel Llazari; Vangjel Baba; Lutfi Mishkeri; Niko Lubonja; Andrea Toli; Bashkim Agolli; Luan Milori; Dhimo Masati; Skënder Shahini; Selman Habilaj; Agron Daci; Besnik Shahaj etj. Në muajin maj të vitit 1960, mbasi kishim kryer programin teorik, kaluam në aerodromin fushor të qytetit të Batajskut ku do të kryenim praktikën fluturuese. Fluturuam në atë aerodrom, në avionët e lehtë mësimorë Jak-18A, deri në vjeshtën e atij viti. Pas kësaj etape, kaluam në qytetin e Krasnodarit, më në Jug, ku ishte qendra e shkollës së aviacionit, për të mësuar teorinë e aeroplanëve reaktivë. Në pranverë të vitit 1961, nisëm fluturimet me aeroplanin Mig 17, në aerodromin e Kushofkës. Atë vit, studentët për pilotë të grupit ku bënte pjesë Guri Merkaj, kryen në avionët Mig-17 programin e fluturimeve vetjake të studentit. Por, ende pa përfunduar programin e fluturimeve, ashtu si kolegët e tyre që fluturonin në aerodrome të tjerë, me një ultimatium të zi, Gurin dhe shokët e tij i larguan nga territoret sovjetike, si “ persona non grata”!
16 shtatori i vitit 1961 i solli studentët për pilotë dhe bashkëkombësit e tyre, i solli në Tiranë. Pas një qendrimi të shkurtër në vendlindje, studentët e grupit ku bënte pjesë Guri Merkaj, në rrugë detare u nisën për në Kinë, ku u sistemuan në qytetin Gao Mi. Pas një përgatitje teorike përshtatëse, studentët për pilotë nisën fluturimet e përdorimit luftarak te avionit gjuajtës-bombardues Mig 15- Bis. Kësisoj kaloi viti 1962.
Në janar të vitit 1963, Guri Merkaj; Agron Daci dhe Besnik Shahaj, u titulluan oficerë e u emëruan pilotë, në Regjimentin e sapoformuar te aviacionitnë Rinas. Komandant i regjimentit ishte i lavdishmi, kolonel Niko Selman Hoxha. Ata u caktuan në Skuadrilen e dytë të regjimentit ku ishte komandant piloti i talentuar, nga Vonoi, kapiteni i pare Kosta Neço Dede. Guriu u caktua në katershen qe drejtohej nga piloti mendjendritur, kapiteni i dytë Çobo Skënderi, nga Progonati. Ata, të tre fluturuan dhe “ shkëlqyen” në përdorimin luftarak të aeroplanit gjuajtës –bombardues Mig 17F, Në të gjithë ushtrimet e kursit të përgatitjes të pilotit. Në një ditë fluturimi, komandanti i regjimentit, i paharruari Niko Hoxha, i tha Haki Jupasit, i cili, atë ditë drejtonte fluturimet, ti mbante, mbi aerodrom, pilotët Guri Merkaj dhe Agron Daci, të cilët do rtë kryenin pilotazh vertikal, me avionë të vetmuar. I gjithë regjimenti i kishte sytë tek pilotimi i pilotëve rishtarë të shkollës kineze të aviacionit. Të dy pilotët e kryen detyrën që u ngarkua, me nivel të lartë, por, më i përpiktë në veprime ishte Guri Merkaj. U kënaq koloneli dhe të gjithë ata që e vrojtuan pilotazhin e tyre, nga toka. Ndoshta kjo paraqitje cilësore e të dy pilotëve të shkollës kineze të aviacionit vulosi përfundimisht idenë e kolomelit për ti përfshirë, këta dhe shokune tyre të grupit Besnik Isuf Shahaj, nga Shijaku, në grupin e kalimit në avionin e sofistikuar Mig 19 PM, i cili, në atë kohë kryhej pa avion dyvendësh. ” Fluturimin provim, para se të ngrihesha në ajër me Mig 19 PM, kujton Guriu- e kreva me kolonelin. Ai më kishte lëshuar në fluturime vetëm edhe në avionin Mig 17 F, një vit më parë”.
Më datën 1 prill të vitit 1965, në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë kërkoheshin pilotë instruktorë të teknikës së pilotimit. Komandanti i Regjimentit –Niko Hoxha më bëri thirrje të shkoja e unë nuk refuzova. Kishja shumë dëshirë të vazhdoja fluturimet në avionin supersonik por dhe nuk mund ti ktheja fjalën atij burri, i cili ishte njëri nga pionierët e aviacionit shqiptar dhe drejtues i rrallë, me autoritet të padiskutueshëm. Në Shkollën e Aviacionit më caktuan t’u mësoja teknikën e pilotimit në aeroplanët Mig-15 studentëve: Sabri Toçi, ndjesë pastë, ( Dëshmor i Atdheut); Stiljan Tanka, ndjesë pastë, ( Dëshmor i Atdheut); Petrit Bebeçi e Lutfi Jaho. Ky, i fundit ishte caktuar përgjegjës i grupit të fluturimit. Atë vit, kolegë të Gurit në detyrën e vështirë të instruktorit ishin: Nestor Dhaskali; Mustafa Çiçi; Telo Dedi; Nikollë Dudi; Kostandin Sadiku dhe Salih Dibra – (komandat skuadrile). Gjatë vitit stërvitor 1965, studentët për pilotëkryen detyra ajrore të pilotimit individual kurse në vitin pasardhës bënë përdorimin luftarak të gjuajtës-bombarduesit të frontit Mig-15 Bis. Kur ishte në përfundim të programit të fluturimeve të përdorimit luftarak, studenti për pilot –Lutfi Jaho kreu një akt heroik, i cili nuk u propagandua sa e si duhet. Pas kthimit nga fluturimi në rrugëkalim, i ndjekur nga shoku i tij i grupit- Petrit Bebeçi, i cili praktikohej për ta sulmuar në rrafshin horizontal, kur Lutfiu ishte futur në “rreth”, madje kishte leshuar edhe rrotat e mori leje për t’u ulur, në lartësinë 500m. papritur iu fik turbina. Ishte mbaruar rezerva e karburantit në avion. Tiparet vetjake të studentit dhe puna këmbëngulëse, plot pasion e kërkesë e instruktorit, bënë të mundur që Lutfi Jaho, sikur të ishte pilot me përvojë të gjatë në fluturim, veproi, me iniciativë, kompetencë e qetësi dhe e uli avionin Mig-15 Bis, në skolinat e kripores të Akërnisë. Lartësia e fluturimit, nuk e lejonte ate të ulej në aerodrom, i cili ndodhej fare pranë. Studenti, falë uljes cilësore, nuk pësoi asgjë dhe disa shtypje e deformime të avionit u riparuan brenda ditës. Të nesërmen, Guri Merkaj, me guximin që e karakterizonte, pavarësisht nga ndodhia, u ngrit në ajër me atë aeroplan duke hedhur dritë mbi shkakun e saj. Në fund të vitit 1966, të katër studentët që përgatiti Guriu, u diplomuan pilotë gjuajtës – bombardues e u titulluan oficerë dhe u emëruan në repartet e aviacionit. Deri në vitin 1974, Guri Merkaj fluturoi si instruktor, në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, me aeroplanët reaktivë Mig-15. Ai u mësoi teknikën e pilotimit e i bëri pilotë gjuahjtës-bombardues, disa pilotëve, të disa brezave ku mund të përmendim: Budjon Tollkuçin; Roland Përmetin; Beqir Barxhën; Lefter Yzon, i cili doli i paaftë e u bë mjek aviacioni; Maksim Gjerazin, ndjesë pastë; Vangjel Kitën; Mithat Gjinin; Petrit Dashin; Albert Kecon etj.
Gjatë punës së instruktorit të fluturimit, Guri Merkaj u veçua për njohuri të thella teorike dhe për aftësi të rralla fluturuese. Kërkesa e lartë e llogarisë, pastërtia dhe saktësia në kryerjen e detyrave ajrore, tregimi i elementëve të fluturimit me durim e qetësi, komunikimi me studentin, në tokë e nëp ajër, me zë të qartë, e të pastër – ishin disa tipare të cdomosdoshme, të cilat i mishëronte instruktor Guri. Siç dëftojnë studentët që ai ka mësuar, Guri Merkaj “i ngjiste shigjetat në pilotim e nuk të falte të devijoje edhe një km/orë shpejtësi apo një të ndarë lartësie, në instrument”. Petrit Bebeçi, njëri nga studentët “ brilantë” të kurseve të parë të pilotëve, në Shkollën e Aviacionit në Vlorë e më pas pilot cilësor, i cili e njeh për “ mjeshtër” Gurin, kur flet për instruktorin e tij të dikurshëm, nuk mund të lerë pa vënë në dukje ato vlera të qënësishme dhe të domosdoshme, të cilat Guriu i bartëte vetë por dhe për aftësinë e tij të veçantë për tua transmetuar ato studentëve të tij, rishtarë në çështje të fluturimit. Petrit Bebeçi, njëri nga pilotët më cilësorë të vendit, i cili fluturoi dhe në aeroplanët më të sofistikuar Mig-21 dhe u ngjit, me meritë e aftësi, në nivelet më të lartë të fluturimit e të karrierës si ushtarak, e kujton kësisoj instruktorin e tij të viteve të largët 1965-1966, kur ishte student i Gurit:
“Kishim përfunduar programin e fluturimeve në aeroplanët e lehtë mësimorë me helikë Tip -61 ( variant kinez i avionit Jak-18A) dhe përgatitjen teorike të aeroplanëve reaktivë Mig-15. Në shkollën tonë të aviacionit, na erdhën instruktorët e teknikës së pilotimit në këta avionë gjuajtës-bombardues. Nuk e njihja e nuk e kisha parë ndonjëherë Gurin. Të rrjeshtuar përpara shkollës, instruktorët e ardhshëm na i prezantoi Babaçe Faiku, komandant i Shkollës së Aviacionit. Në grupin e fluturimit ku do të ishte instruktor Guri Merkaj bënin pjesë: Sabri Toçi ( dëshmor); Stiljan Tanka ( dëshmor); Lutfi Jaho dhe unë. Instruktori ynë ishte me shtat mesatar, i mbushur e i bëshëm, me trup të lidhur e me një zë të qartë, kumbues. Edhe kur qeshte, zëri i tij kumbonte dhe e qeshura ishte me zemër; jo e shtirur. Shpejt mësuam se Guri Merkaj kishte fluturuar në aeroplanët supersonikë Mig-19PM dhe vinte tek ne nga Regjimenti i Rinasit. U ndjemë mirë kur i mësuam këto gjëra dhe nisëm të krenoheshim me instruktorin tonë. Së bshku nisëm përgatitjen në tokë, e cila vazhdoi rreth një muaj. Instruktori ynë, Guriu, dinte edhe hollësitë më të vogla mbi prirjet tona si fluturues dhe për nivelin tonë teorik. Kishim vetëm një rezervë. Druheshim se mos duke fluturuar në një aeroplan më të përparuar, instruktori ynë do ta nënvleftësonte teorinë e aeroplanit Mig 15. Shpejt u zhgënjyem. Niveli teorik i Guriut e prevalonte nivelin tonë. Këtë e vumë re, qartë kur instruktori ynë na mbante me orë të tëra, për të zbërthyer e argumentuar teorikisht çdo detaj dhe element të fluturimit. Kësisoj, me ndihmën e tij, ne mbushëm edhe ndonjë boshllëk që ishte formuar nga studimi në katedra. Studentët e grupeve të tjerë nuk linin rast pa na e përmendur, me të qeshur e me shpoti faktin se qëndronim gjatë duke zbërthyer e argumentuar probleme të ndryshme teorike. Mirëpo puna e instruktor Guriut me ne ishte e veçantë, tepër e lodhëshme e me kërkesë të fortë llogarie. Ai na mbante gjatë, dhe na kërkonte mjaft, deri sa të mësonim përmendësh kabinën e avionit. Këmbëngulte të dinim e të gjenim, me sytë mbyllur, vendndodhjen e çdo instrumenti e çelsi që komandonte sisteme e nyje të veçantë. Dhe nuk ishin të paktë por disa qindra të tillë. Instruktori ynë “ i rreptë”ngulte këmbë që ne, me sytë të mbyllur të dëftonim me gisht jo vetëm pozicionin e çdo instrumenti por dhe tregimin e tij në madhësi të ndryshme. Kur na përshkruante e na zbërthente rastet e veçantë dhe veprimet e pilotit në çdo rast, për të dalë nga situata të rënda ajrore, Guri Merkaj bëhej më tepër serioz e në fytyrë i hipte një nur i bukur melankolie. Ai kishte bindjen se nuk ka situatë nga e cila të mos dalë një pilot i përgatitur e trim. Porosia e tij e veçantë në këtë rast ishte të njihnim mirë, në të gjithë shfaqjen e jashtme natyrën e parregullsisë në fluturim. Po të kapet në kohë dukuria, na jepte porosi instruktori ynë i mirë është më e lehtë të ndërhyjë piloti për të rikuperuar gjendjen, sado i rëndë të jetë defekti. Vetëm se piloti duhet të veprojë me qetësi, maturi, e saktësi.
Guri Merkaj e vinte theksin tek parandalimi i ngjarjeve të veçanta. Kësisoj ai nuk ishte as ndjellakeq; as fatalist. Instruktori ynë, bazuar në përvojën vetjake dhe komunitare kishte bindje të palëkundur se teknika dhe teknologjia sido të avancuara të jenë; kanë nevojë për përmirësim. Nga kjo ligjësi e përgjithshme nuk mund të bëjë përjashtim as aviacioni. Jo më kot, në aviacion parregullsitë i kanë “ pagëzuar “ me termin: “ngjarje të jashtzakonshme”. Ai na dëftonte dhe rrugët si duhet vepruar, në çdo rast për të fituar mbi çdo parregullsi. Njohja në detaje e natyrës të çdo dukurie, zotërimi teorik i proçesit dhe veprimi në kohë e me efikasitet nga piloti, janë disa udhë që garantojnë suksesin.
Ngjarja e jashtzakonshme që i ndodhi studentit të Gurit – Lutfi Jaho, vertetoi pa mëdyshje drejtësinë e këmbënguljes të Gurit tek njohja e rasteve të veçanta. Pas përfundimit të Shkollës së Aviacionit, ne u stervitëm në reparte të ndryshëm të aviacionit; fluturuam nga njëri tip avioni në tjetrin u rritëm profesionalisht e në hierarki, u poqëm e u burrëruam përmes sakrificash, por teorisë nuk i “shpëtuam” dot, sado lart u ngjitëm. Duke e çmuar këtë si një “ aksiomë”, në vite, i jam mirënjohës instruktorit tim –Guri Merkaj, i cili këmbëngulte tek argumentimi teoriki çdo dukurie ajrore. Instruktori ynë, në pilotim e kishte “dorën të lehtë”. Ai “ i ngjiste” shigjetat e instrumentëve në treguesit sipas kërkesave të instruksioneve dhe rregulloreve të fluturimit. Guri Merkaj ishte nga ata instruktorë që nuk i ndante veprimet e sakta me komandat gjatë pilotimit, me dëftimin, me atë zë kumbues, të qartë e të pastër, të çdo veprimi që duhet të kryejë studenti, me avionin, në ajër. Zëri i tij, me atë timbër që kumbonte qartë në kufjet tona, na jepte shtysë e na bënte optimistë. Qetësia e tij në ajër të ngjallte siguri e besim tek vetja. Në ajër ishte mjaft rigoroz e nuk lëvizte asnjë fije peri nga detyra e ditës dhe nga ushtrimi që duhet të plotsonim. Nuk guxoja ti kërkoja të më dëftonte ndonjë figurë që nuk parashikohej në kursin e përgatitjes, mbasi Guri ishte tepër “ fanatik” në detyrë. Ky shëmbëll i mirë i tij më ka vlejtur gjatë gjithë jetës si fluturues. Në vitin e dytë të fluturimeve në avionin Mig-15, ne studentët për pilotë kryem detyra të përdorimit luftarak të avionit. Të tilla ishin: Kapjet; sulmet tipike ajrore; luftimet ajrore; fluturimet në përbërje të formacionit të avionëve; qitjet kundër shënjave tokësore etj.
Në çdo detyrë të këtij lloji, të cilat, për hir të së vërtetës ishin relativisht më të vështira nga ato të vitit të shkuar; spikati, me forcë niveli i ngritur profesional, këmbëngulja dhe serioziteti i instruktorit tonë për të kryer me përpikëri çdo element fluturimi. Nuk e kishte për zemër instruktori ynë që, për shkaqe të ndryshëm, ne, studentët e grupit të tij të fluturimit, të fluturonim me të tjerë, instruktorë apo pilotë të skuadriles. Si për ta justifikuar këtë mendësi, ai, me të qeshur thoshte: “ Ndryshon dora”! Për pasojë, Guri Merkaj, në rolin e instruktorit kishte ditë fluturimi në të cilat kryente deri 8 ngritje, në zonë, në pilotazh vertikal ose 24 “ rrathë”, në atë zheg vape, kur edhe ushqimin, shpesh e konsumonte, pa dalë nga kabina e avionit, në kohën kur bëhej furnizimi apo kur zëvendësonin njëri-tjetrin, studentët, në “ start”. Nuk më hiqet nga mendja ajo skenë e trishtë kur ndërroheshim, në “start” dhe nxitonim, sikur të ishim në garë, për ti çuar instruktorit tonë stomnën me ujë, që ai të njomte buzën apo të lagte kokën që i kullonte djersë. Përkushtimi i Gurit në detyrë dhe shpirti i tij i sakrificës që vinim re tek ai njeri, na e shtuan ndjenjën e respektit dhe dashurinë për të. Shëmbulli i tij na bindi se piloti është njeri i profesionit të vështirë e i sakrificave njerëzore të panumërta.
Kujtime të ndiera ruan për instruktorin e tij studenti i dikurdshëm i grupit të Gurit – Lutfi Jaho. Në një intervistë të kohëve të fundit, Lutfiu u shpreh: ” Burrë si Guri Merkaj, unë nuk kam njohur, në jetë. Ai na shikonte dhe kujdesej për ne, studentët, si për fëmijët e tij. Na vështronte që ta konsumonim të tërë ushqimin, si në mensë dhe në “start”. Edhe kur shtriheshim për të pushuar, nuk largohej nga fjetina, pa na marrë gjumi. Guri Merkaj mbetet një njeri i nderuar e i respektuar. Kur u ngrita në përgjegjësi e detyra e pruri të isha në një detyrë më të lartë se Guri, ai i plotsonte me shumë korrektesë e në kohe detyrat që i jepja, si komandant i kurseve. Nga kjo më vinte turp dhe më duhej të isha tepër i kujdesshëm në raportet e punës, me të”.
Rodhën vitet e Guri Merkaj nuk e kishte më atë vitalitet e shkathtësi të kohës rinore. Mirëpo detyra e instruktorit të fluturimeve kërkon energji e rini. Prandaj, në vitin 1975, Guri, së bashku me pilotin Vasil Kromidha, ndjesë pastë, shkoi në Kinë, për të përvetësuar shfrytëzimin e aeroplanit të mesëm bombardue IL-28. Rikualifikimi në këtë tip avioni nuk i priu instruktor Gurit. Pa nisur nga fluturimet, ai u sëmur nga zemra e u shtrua në spital, ku qendroi 20 ditë. Pas terapisë, një komision mjekësh, specialistë e ndaluan Gurinë nga fluturimi, për gjashtë muaj e ai u detyrua të kthehet në Atdhe. Pas rrjedhjes të kohës së caktuar një komision tjetër me mjekë specialistë vendas i hoqën Gurit të drejtën e pilotimit në çdo tip aeroplani. Komanda e Shkollës së Lartë të Aviacionit, bazuar në vlerat e tij, e emëroi Guri Maerkajn në detyrën e komandantit të kurseve ku dhe doli, në pension pleqërie, si pilot, në vitin 1989. Statusin e pensionistit fluturues Guri Merkaj e gëzon aktualisht në Vlorë ku ka banimin e përhershëm.
Diçka për jetën vetjake dhe profesionale të instruktorit Guri Demir Merkaj
Në vitin 1958, Guri u martua me Dudinë. Nga lidhja e tyre u lindën katër fëmijë; dy vajza: Fejzija e Rajmonda dhe dy djem: Alberti e Agimi. Nuk qe fat që kjo lidhje e shëndoshë ta kishte jetën të gjatë. Në vitin 2012, pas një sëmundje të rëndë, u nda nga jeta, bahkëshortja e Guriut, nëna e katër fëmijëve – Dudia. Ditë të vështira erdhën për njerinë e mirë Guri Demir Merkaj. Errësirës së përjetshme që i kishte sjellë verbimi i viteve të fundit iu shtua mungesa e njeriut të zemrës. Por Guri Merkaj i përket aradhës të njefrëzve të fortë. Ai është i fortë, siç ka dhe emrin. Instruktori gjurmëmirë Guri Demir Merkaj, po pëeballet, me dinjitet e burrëri me fatkeqësitë që e kanë pllakosur. Nën kujdestarinë tërë vemendje të adoleshentit simpatik, Klodianit 16 vjeçar, i cili është djalë i djalit të Guriut dhe nën përkushtimin ndaj tij të familjarëve dinjitozë që e rrethojnë, Guri po e përballon me optimizëm jetën, sido që u tregua e ashpër me të. Kolegët e tij të dikurshëm, ata me shpirt human e dashamirët e Gurit, duke e nxjerrë herë pas here nga ai mjedis ku qendron “ i mbyllur në të errët”, për një shëtitje apo për një kafe, me shoqërinë që i ofrojnë ia kanë lehtësuar brengëne ia kanë përmirësuar jetën. Punën dhe personalitetin e tij e çmojnë, i madh e i vogël, në mjediset ku banon; u ndjemë mirë kur e vumë re këtë dhe dëgjuam vetëm fjalë të mira, të merituara për mikun tonë. Redspekti që kanë njerëzit, për Guri Merkaj, nuk është mëshirë për një fatkeq por nderim e mirënjohje, për jetën dhe bëmat e tij, në dobi të shoqërisë. Ditët e fundit pata rastin ta takoj Gurinë, së bashku me ishstudentin e tij Lutfi Jaho, në Vlorë, në kafeterinë e mikut të tij, Baçit.
Pimë kafe dhe nga një teke raki e biseduam, kujtuam, e çfarë të kujtonim më parë? Jo pa qëllim e pyeta mikun tim të kahershëm e të mirë: ” Guro, atë ka marrë malli, për aeroplanin dhe për fluturimin”?Nuk u përgjigj menjëherë miku im. Ai u mendua pak, mori frymë thellë, hoqi në zemër, pastaj lëshoi një psherëtimë, sikur ta kishte me tërë botën dhe me atë zërin e tij tipik, me timbër të fortë e të qartë tha: ”E e e h, mor Niazi, sikur ta dish çfarë ka në shpirtin tim të vrarë. Të veja dhe një herë pranë atij “ pëllumbi të bardhë” pa do ta puthja, kudo, që nga rrotat deri tek maja e kilit. Sikur ta shaloja edhe një herë atë kalë “ xanxar”, dhe le të disja”! Këto fjalë dithëruese më tha ishpiloti i elitës Guri Demir Merkaj, në atë buzëmbrëmje të 7 shtatorit të vitit 2014, në kafeterinë e Baçit, pranë vendbanimit të tij. Erdhi Klodiani, i cili e do shumë gjyshin e tij të mirë dhe e shoaëroi për në banesë, siç bën sa herë Guriu del me shokët. U ndava nga miku im me një ndjenjë të dyfishtë; i lumturuar që u tkova me të dhe i keqardhur që ai takim u mbyll aq shpejt.
E tillë është jeta; disa i përkëdhel kur me të tjerë sillet me ashpërsi. Por njerëzit vijnë në jetë për ta gëzuar jetën e për të thithur prej saj gjithë sa meritojnë. Disa bëjnë diçka e janë dikushi; të tjerë nuk janë as mish, as peshk, një takëm tërhiqen zvarrë, pas shokëve e megjithatë jetojnë. Guri Merkaj u takon të parëve. Ai bëri gjithëçka mund të bënte një njeri që i do njerëzit dhe e respekton punën, prandaj meriton respekt e dashuri.
I urojmë pilotit të shquar Guri Demir Merkaj, shëndet e jetë të gjatë, sa të dojë vetë e sa të dëshirojnë ata që e duan!
Vlorë dhe Tiranë, më 10 shtator 2014
Niazi Nelaj dhe Petrit Bebeçi
Te lumte Njazi dhe Petrit per gjithcka keni shkruaj per Guri Merkaj Me mire askush nuk do ja kishte bêre portretin Bej te fala nga mua po me mbajti mend
Miqesia e njerezve te qiellit eshte e veçante, gati hyjnore.
E pershkruar me ndjenje jeta e nje njeriu qe u ngrit qe nga nen-toka deri ne qiell,eshte nje sherbim per brezat.Respekte per shkrimin.
Te nderuarin Guri Merko edhe une e kam patur komandant kursesh dhe ruaj respekt te vecante per te si njeri e edukator zemergjere e babaxhan.Pas studimeve kur vazhdova te punoj ne shkolle me rinine, Guri Merkon e kisha si nje pervoje te vyer per urtesine e maturine e tij dhe gjate gjithe jetes time ushtarake ne te gjitha repartet e aviacionit, nuk kam takuar nje njeri te dyte me cilesit e Gurit.