Koloneli peshonte me peshore farmacisti

Kam patur fatin e mirë dhe privilegjin e madh të kontrollohem , jo një herë, në fluturim, nga Babai i Aviacionit Shqiptar-i paharruari Niko Selman Hoxha.E kuptoj; kam qenë me fat, prandaj ndihem i privilegjuar. Emocionet më fillonin qyshse merrja vesh se do të fluturoja, kontroll, me kolonelin në kabinën e dytë.Mirëpo ai, veçse ishte i talentuar në profesion, ishte dhe “ shpirt njeriu “, si qënje humane. Kur kryeja detyrën në ajër, sipas ushtrimit, koloneli qendronte i qetë, vrojtonte por nuk më ndërhynte, siç bënte ndonjë kontrollues tjetër i bezdisur.Ai më linte të veproja e nuk përzihej në punët e mija. Madje nuk më fliste as nëpërmjet radios së brendshme S.P.U.

Kontrolli i teknikes se pilotimit 1

Kontrolli i teknikës së pilotimit nënshkruar nga koloneli

 

Është e njohur trimëria, guximi, iniciativa dhe talenti i tij, në fluturim. Dua të theksoj se Niko Hoxha, kur kontrollonte një pilot, në ajër, e lejonte atë, të vepronte siç dinte e siç mundej me besimin e plotë se ndonjë shmangje të mundëshme, ai mund ta riparonte lehtë. Prandaj, kapej lehtë pas komandave të aeroplanit dhe të paralajmëronte për shmangjen, me një të tundur të ruçkës apo me një lëvizje të pedaleve.

Kontrolli i teknikes se pilotimit 2

Kontrolli i teknikës së pilotimit që nuk u arrit të nënshkruhej nga koloneli

Sa për vlerësimin e fluturimit, koloneli peshonte me peshoren e farmacistit. Ai i jepte hakun pilotit që kontrollonte. Kur çmonte elementët e fluturimit, Niko Hoxha gjykonte me objektivitet e paanësi. Ai i vinte pikat mbi “I” dhe nuk linte shteg për keqkuptime e keqinterpretime. E besonim e nuk e kundërshtonte dot njeri, në ato që thosh. Jo për autoritetin e padiskutueshëm e të merituarqë kish, por për kompetencën dhe saktësinë me të cilat gjykonte. E kishim idhull dhe e shikonim në dritë të syrit. Donim ti ngjanim e donte të na jepte krahë. Prandaj e donim dhe e respektonim si rrallë kë.