Mustua

 

?????????????
?????????????

Kur morëm udhën për në Moskë, më 26 gusht të vitit 1960, me një aeroplan të tipit Tu-104, nga aerodromi ushtarak i Rinasit, në bordin e aeroplanit ishin mjaft adoleshentë që u drejtoheshim shkollave sovjetike, per t’u bërë oficerë, në specialitete të ndryshëm. 36 djem, mbasi kishim kaluar në sitën e testeve ushtarako-mjekësore të kohës, shkuam në shkollën e aviacionit, në qytetin e Batajskut, qarku i Rostovit mbi Don. E kishim ndarë mendjen , për t’u bërë pilotë. Mes nesh që qëndronim disi të drojtur, ndoshta si pasojë e ndarjes me tanët; nga rrugëtimi ajror, të cilin e provonim për herë të parë apo ngaqë po shkonim larg, në dhe të huaj , 4 djem veçoheshin nga të tjerët. Ata ishin ish “ skënderbegas”; të katër me gjimnaz të përfunduar.

Po të gërmojmë në listat e asaj kohe, do të gjejmë identitetet e tyre të cilët, edhe pse të paktë mes asaj mase studentësh të larmishëm do të lexojmë emrat e : Ahmet Sulejman Zogut, nga Valikarda e Dibrës; Bashkim Dervish Kozeli, nga Kozeli i Kolonjës; Fadil Nexhip Nenaj ( Braho), me origjinë nga Gjirokastra dhe Mustafa Bajram Gjokutaj, nga Kuçi i Kurveleshit. Mes grupit tonë, të shumtë në numër, ata nuk u shkrinë, si kripa në ujë, por ruajtën identitetin e i dhanë tonin jetës së grupit. Çdo njeri që përpiqej të vrojtonte grupin t onë, nuk e kishte të vështirë të shquante “ ishskënderbegasit” të cilët, në çdo rast “ dilnin mbi ujë”.

Po çfarë e mundësonte që ata të shquheshin mes nesh? Para së gjithash, ata dalloheshin nga mënyra si ecnin. Ata gjatë kohës kur mësonin në shkollën ushtarake “ Skënderbej” ishin “përpunuar”; ishin të zhdërvjellët;ecnin të lirshëm e të kapardisur; uleshin lehtë-lehtë, si pupël, qëndronin drejt kur uleshin e nuk lejonin që trupi i tyre të dukej i gërmuqur; dinin ta mbanin të pastër e të rregullt uniformën, e cila u qendronte bukur në trup. Vështrimi i tyre i mprehtë e tejshpues krijonte përshtypjen e njerëzve të zgjuar e të shkathët.Ata e njihnin rregullin e disiplinën ushtarake dhe ishin rritur me to. Karakteristikë dalluese ishte lidhja e ngushtë me njëri-tjetrin dhe miqësia e çiltër që ishte vendosur mes tyre.
Gjykuar nga këta pozicione, mund të arrihet në përfundimin se, të katër djemtë azganë, të ardhur nga Shkolla Ushtarake “ Skënderbej”, shpejt u bënë pjesa jonë e pandashme dhe, në një farë mënyre, morën rolin e liderit, në kuptimin e pikës së referimit. Ata u bënë udhëheqje, për sjelljen tonë. Ndonëse ata kishin mjaft tipare të përbashkëta , sejcili prej tyre kishte identitetin dhe integritetin e vet. Ahmeti: i urtë;i qetë; i sjellshëm; fjalëpak; i “ shkëlqyer” në mësime, dashamirës e i shkuar , me të gjithë.Bashkimi: Botë më vete.I zhytur në labirintet e poezisë shquhej për zgjuarsi e shkathtësi , për kapjen në kohë të problemeve. Fadili: Njeri serioz, kurajoz, sqimëtar,tip sportiv e me dashamirësi dhe Mustua, brenda të cilit fshihej një botë tejet e pasur e interesante. Ai, emrin e plotë e kishte Mustafa, por, ne, me përkëdheli e shkurt e thërrisnim Musto, siç e quanin dikur, në shkollën “ Skënderbej”.

Mustua me shoket e grupit

Mustua, në trup nuk ishte “ gjigand” por mesatar; i ngjeshur, muskuloz e i shëndetshëm. Konstruksioni dhe shëndeti i tij, ishin si ata që kërkohen për pilotët. Nuk ishte e lehtë të depërtoje në botën e tij të brendshme, edhe pse, në karakter ish i çiltër. Mustua shfaqej dalëngadalë, si ajo nëndetësja kur del nga uji. Ai nuk shquhej për shkathtësi e sportivitet por kishte disa vlera të rralla. “Pasuritë” e Mustafa Gjokutës ishin:Zgjuarsia, mençuria , të qënit tip i shoqërueshëm, mprehtësia dhe reflektimi i shpejtë, vështrimi i mprehtë e depërtues. Mustua” ta blinte mendjen e të peshonte”, me një të parë, si një psikolog i mirë. E veçanta e Mustos, ajo që e dallonte edhe mes, shokëve të tij “ishskënderbegas” ishte të qënit gaztor e njeri me humor të pëlqyeshëm.E donim dhe e respektonim, të gjithë. Ndoshta dhe për shkak të humorit të tij, apo kryesisht, nisur nga sjellja me dashamirësi. Pinte shumë duhan dhe e zgjidhte të fortë. Sytë e tij të kaftë ishin shumë vrojtues e reflektonin zgjuarsi. Balli i lartë e flokët të rëna, përpara, dëshmonin fisnikërinë e tij që nga burimi. Mustua ishte një tregimtar i përkryer.
Në netët kur nuk na flihej e mezi na merrte gjumi, Mustua, me rrëfimet e tij, të larmishme, na vinte në gjumë. Na tërhiqnin rrëfimet e tij e ne e dëgjomim, me gojën hapët e veshët ngrehtë. Ai na dëftonte, me humor, ndodhitë e shkollës ushtarake “ Skënderbej”; jetesën, personelin, kuadrot dhe qyfyret që bënin, ai e shokët e tij. I kam të ngulitura, sot e kësaj dite rrëfimet me humor të këndshëm të Mustos. Mustua ishte kurajoz. Kur e gjykonte se e kishte të drejtë mendimin, ai ngulte këmbë për ta mbrojtur atë, përballë kujtdo njeriu.

E dëshironim shumë humorin dhe mënyrën si rrëfente shoku ynë. Rrëfimet e tij ishin të ngrohta, na përshtateshin sipas moshës dhe origjimes, na dukej sikur ishim në familje, pranë tanëve, na vinin të ngrohta, prindërore dhe na krijonin ndjesine se preknim një copë Shqipëri. E them, krenari e nostalgji përzier se isha me fat që u ndodha mes atij kolektivi të rrallë, ku dashuria për njëri –tjetrin ishte si ajo e të rinjve të asaj kohe, pa asnjë fare interesi e paragjykimi . Prandaj arrij në përfundimin logjik se Mustafa Gjokutaj, kur ishim larg vatrave tona, na u bë “ jatak” e ne, të gjithë, ndiheshim ngrohtë, nën të.
Në vitet e fundit, një ditë, pasi ishte bërë një festë përkujtimore në shkollën “ Skëndebej”, një ishskënderbegas, kur më pa në rrugë, më ndaloi e tha: “Nuk të pashë dje, ku ishe, në festën e shkollës”? Me çiltersi i thashë: “Po unë nuk kam qenë skënderbegas, ato që di për atë institucion, m’i ka thënë Mustafa Gjokutaj. Tjetri bëri të habiturin.

Në rrëfimet e Mustos, shquaje , me lehtësi të folurën labçe, artikulimin efjalëve, vënçe, me një llastim karakteristik e më një fjalor të pasur. Nga goja e Mustafa Gjokutaj dilnin vetëm fjalë të mënçura e të gjetura. Ai, kur rrëfente, të linte përshtypjen sikur sapo kishte zbritur nga stani.
Në Batajsk, kur studionim për t’u bërë pilotë, u lidhëm aq shumë me Muston, sa nuk na dalloje lehtë, kush kish qenë skënderbegas e kush jo. Ishte aftësia e pazakontë e tij, që na afronte e na bënte të “shkriheshim” nga shakatë që bënte. Edhe kur ndonjë shaka e tij dukej e rëndë ; e “ lyer” me humorin e Mustos, nuk lëndonte njeri. Ndonjë herë na kaplonte mërzitia. Qeshnim me shakatë e tij dhe e harronim objektin e mërzitisë. Mustua kishte aftësi të veçanta për ta transformuar gjendjen amorfe të shokëve, në një gaz, i cili nuk mbaronte kurrë.

Në mësimet teorike, Mustua nuk shkëlqente. Ai ishte pak “ dembel” e përtonte të shfletonte . Por, kur u erdhi radha e fluturimeve, pamë tjetër Mustafa. Siç duket , këtu ai ra në fushën e tij dhe shpërtheu bota e tij, me aftësi të padukura deri atëherë. Sikur ishte i prerë për të fluturuar, ai djalë. Shpejt i shpalosi prirjet dhe aftësitë, “ të fshehura “ brenda qënjes së tij interesante. Ai u rendit në vendin që meritoi; mes më të përparuarve të grupit të studentëve për pilotë të Batajskut.

Dikush, mund të mendojë se kemi të bëjmë me një rast të rrallë, në të cilin nuk përkon niveli teorik me aftësitë praktike. Si rregull, ato shkojnë paralel, por ka raste, si ky që po ju paraqesim, kur ato nuk përkojnë. Mundet të jetë ashtu, por, nga sa e njoh unë, shokun tim, ai ishte mjaft i zgjuar e i mprehtë dhe i aftë për të menaxhuar “ pasurinë” mendore të tij. E kishte bezdi Mustua të merrej me teorira. Edhe kur ishte gjimnazist, në shkollën ushtarake “ Skënderbej”, siç më rrëfeu një shoku i tij, kur bënin provim në matematike, kushëriri i tij Fadil Leli, nxënës i “ shkëlqyer”, përgatiste dy fletë ; njërës i vinte emrin e Mustos. Mësuesi i matematikës, Cinxua, i cili e dinte kapacitetin e Mustos, dhe e kuptonte lojën që luhej, nuk i vinte Mustos notë më të lartë se shtata. Cinxua ishte i saktë e i rreptë por Muston e donte dhe e çmonte shumë edhe për humorin e tij.
Në Batajsk, Mustua kish shoqëri me të gjithë dhe të gjithë e donim . Më ngushtë ai u lidh me Pandeli Lëngun, me Zydi Meçen etj, pa llogaritur ishskënderbegasit. Punët rrodhën mbrapsht e Mustua dhe shokët e tij, nuk e përfunduan shkollën e aviacionit në Bashkimin Sovjetik, por në muajin shtator të vitit 1961, ai dhe shokët e tij, u përzunë, me dhunë, nga ajo shkollë e u kthyen në Atdhe. Mustua dhe 16 të tjerë u diplomuan pilotë, në shkollën e aviacionit, në Vlorë, në vjeshtën e vitit 1963 dhe në pranverën e vitit 1964, vetë i njëmbëdhjetë, u emëruan pilotë gjuajtës – bombardues, në Regjimentin e Rinasit, ku komandonte, piloti guximtar, kolonel Niko Hoxha.

Në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, ku mësoi përdorimin e aeroplanit reaktiv Mig-15, në aerodromin e Pishëporos, mësimet e fluturimit, Mustua i mori nga i talentuari Azbi Seranaj. Në grupin e instruktorëve pilotë që përgatitën grupin e studentëve të kthyer nga Batajsku bënte pjesë dhe “ heroi” i gjallë, piloti nga Maminasi Mahmut Hysa. Ushqeheshin në të njëjtën mensë: studentët dhe instruktorët e tyre. Në racionin ditor, ata ushqeheshin me mish qëngji, të pjekur. Instruktorëve, për ti respektuar, u jepnin kokën e qëngjit. Mustua, të cilit, si lab, i shkonte “ goja lëng” kur shikonte tjetrin që hante kokën e qëngjit, e cila i pëlqente shumë, një ditë iu drejtua instruktorMahmutit,e, me shkaka i tha : “ Çfarë ha, o instruktor Hysa, qëngji ,tek brirët ka krimba” ! Kaq u desh dhe Mahmuti nuk e pranoi më kokën e qëngjit. E hante Mustua, me kënaqësi. Kërmën, e kishte shumë për zemër Musto Labi.
Sikur të mos i mjaftonte kjo; nje ditë , kur “ shëtiste “ me shokët, pa atë që priste e ripte qingjat , kufomat e të cilëve i varte tek trungu i një pishe dhe të brendshmet i flakte , në pyll; Mustua , më tepër, i prirë nga geni i tij, si nga Kuçi i Kurveleshit që ish, u tha shokëve: Bardhyl Lubonja e Sefedin Tomçinit, nga Dibra. ” Gjynah që i flakin këto të brendshmet, ato janë ë shijëshme, po të behen kukurec”! Ai dhe Bardhi, nisën të bënin kukurec. Mustua e mbante, të varur, e Bardhi e plekste . Bardhi kish parë, babanë dhe vëllanë, dikur, në Korçë kur bënin kukurec dhe e mbante mend. E piqnin kukurecin, në sobën e Pishëporos dhe dilnin në Vlorë, shkonin në restorant “ Sazani” e pinin, me mezetë e veta. Një ditë , në shoqërinë e tyre, ishte shkodrani Surri Barbullushi. E provoi kukurecin e Mustos dhe i shijoi. Kërkoi të bëhej pjesëtar i grupit të kukurecit. Mustoja, i dha detyrën të pastronte të brendshmet dhe Surriu, me mirësinë karakteristike të tij, u fut “ në valle”.

Në Regjimentin e Rinasit, Mustua dhe shokët e tij u caktuan në Skuadrilen e dytë, ku ishte komandant Kosta Neço Dede, njëri nga pilotët më të zotë të aviacionit shqiptar. Aty, gjatë dy viteve Mustua u stërvit në aeeroplanët gjuajtës-bombardues Mig-17 F. Ai u shqua për teknikë pilotimi të spikatur dhe u piketua për t’u avancuar në aeroplanë më të sofistikuar. Viti 1966, ishte vit me fat, për Muston. Ai bëri kalimin, në aerodromin e Rinasit, në aeroplanët supersonikë Mig-19 S ku pati tregues në rritje.E nisi kalimin, fillimisht duke sqaruar veçoritë e avionit të ri , në klasë e , në pranverë të vitit 1966, nisi praktikën fluturuese, pa avion dyvendësh.

1966 Rinas Mig-19

Në kohën kur Mustua punonte për rritjen e aftësive profesionale dhe kur akoma nuk e kish përvojën e nevojshme praktike , për pilotimin e avionit supersonik Mig 19S, në një ditë vjeshte të atij viti, në një fluturim rutinë në zonë, duke u stërvitur , në dtejtim të përvetësimit të pilotazhit, në rrafshin vertikal, në rajonin e Zonës së pilotimit me numër 2 të aerodromit të Rinasit, mbi Çermë të Lushnjës, ndodhi ajo që nuk pritej e vështirë të konceptohet. Aeroplani Mig 19 S, në një kompleks vertikal, pa dëshirën e pilotit, ra në një pozicion të panjohur e të padëshiruar, të cilin pilotët e quajnë shtopor. Si rregull, kur aeroplani reaktiv, bie në të tillë pozicion të vështirë , nga i cili, piloti nuk mund ta nxjerrë aeroplanin, makina luftarake, duhet braktisur, duke u hedhur me katapultë. Lartësia në të cilën Mustua, pilotonte -4500m,ishte e pamjaftueshme për ta nxjerrë aeroplanin nga ai pozicion i vështirë, edhe sikur të mendosh se kushtet e tjerë ishin idealë. Prandaj është taksativ katapultimi në raste e në aeroplanë të tillë, si rruga e vetme për të shpëtuar jetën.
Mustua, kur pa se aeroplani, të cilin ai pilotonte, nuk u bindej komandave ( veprimeve ) të tij, I raportoi udhëheqësit të fluturimeve, në aerodrom, se në Zonën 2, në lartësinë 4000m.aeroplani i tij kishte rënë në shtopor. Një situatë mjaft e rëndë , nga ato që pilotët i quajnë : “Rast i jatzakonshëm”. Kërkohej ndërhyrje e shpejtë dhe e saktë. Rasti fatkeq kish trokitur, aeroplani duhej braktisur. Për fat të mirë, në mikrofon ishte i madhi Haki Jupasi; njëri nga talentet e rrallë të aviacionit shqiptar, në fushën e pilotimit, i cili kish dhe disa tipare të veçanta si drejtues i fluturimeve. Hakiu e çmoi shpejt dhe realisht situatën e krijuar, në ajër, i dha Mustos urdhër të prerë : “ Hidhu me katapultë” ! Urdhrin, e brktisjes së avionit e pasoi me udhëzimin:” Merr pozën e katapultimit; mblidh këmbët”! Mund të themi, pa mëdyshje se këto fjalë “të arta “ të Haki Jupasit, i cili shquhej për qetësi, saktësi, kompetencë profesionale dhe syçeltësi, e shpëtuan Muston, nga katastrofa e sigurtë e mbarsur me rrezikun për jetën e tij. Kur u bënë analizat e ngjarjes dhe Mustua dëgjoi inçizimin; ai dhe të tjerët , nuk e njohën zërin e transformuar të tij, nën efektin e situatës që u krijua në disa të dhjeta të sekondës. Në një rast të tillë, tejet të rëndë fitoi qendrueshmëria, burrëria, gjakftohtësia dhe saktësia në veprime e Mustos. Ai nuk ra në panik por përcaktoi , me saktësi pozicionin ku kishte rënë ; raportoi : shkurte saktë dhe kreu veprimet e vetme që mund të kryheshin në atë situatë- katapultoi.

Mustua katapultoi. Për fatin e tij të mirë mekanizmat që hapin parashutën funksionuan normalisht e Mustua takoi me tokën, në arat e punuara rishtaz të sektorit të Çermës. Zhveshi parashutën, mënjanoi kokoren dhe u ul mbi një plis e ndezi cigaren. Ai e pinte rëndshëm duhanin. Në këtë rast fatkeq, cigarja i erdhi në ndihmë; si shok e si ngushëllim. Udhëheqësi i fluturimeve në aerodrom, Haki Jupasi, urdhëroi njërin nga pilotët që ndodheshin në ajër, në atë çast, të shkonte mbi Çermë e të vrojtonte. Piloti raportoi : “nuk shikoj asnjë shënjë jete”! Pilotët e helikopterit që shkuan, pas pak , në venin e ngjarjes, pa u ulur në tokë raportuan:” Shikojmë një gjë të bardhë, të hapur( ishte parashuta), një gjë të errët që nuk lëviz( ishte piloti) dhe një gropë nga e cila del tym i zi”. Një shpresë jete lindi tek stafi që drejtonte fluturimet. Ndërkohë Ia behën njerëzit që punonin aty pranë. Ata ishin stalliere të kompleksit të gjedhëve , aty pranë. Në duar mbanin cfurqe , me grepa hekuri , nga ata që u jepnin zaire lopëve. Dy syresh kishin në dorë kova me qumësht. Kujtuan se kishin të benin me ndonjë pilot të huaj. Kur i pikasi Mustua , u foli, shqip, jo pa humor:” Nuk dua qumësht , jo , por më jepni duhan”! Loparët nxorrën nga xhepat cigare , nga paketa t etyre dhe ia drejtuan Mustos , i cili e mdezi cigaren , parreshtur , me zjarrin e njëri-tjetrit , derisa erdhën shokët dhe e morën , me helikopter. Punonjësit prisnin të shikonin ndonjë gjigand , për nga trupi dhe kur panë Muston me trup mesatar, pa kërkuar spjegime, e përqafuan atë, si vëllanë e tyre.
Me një helikopter Mi-4, Muston e morën dshe e çuan, tek shokët, në aerodrom. Ata ishin në ankth, për fatin e shokut të tyre, të dashur. E pritën si hero, me të gjitha nderet që i takonin. Përpara mensës së pilotëve, kur një helikopter e solli Muston dhe ata që shkuan për ta marrë, pilotët që u ndodhën aty, pa u dhënë njeri komandë , formuan dy rrjeshta , mes të cilëve kaloi Mustua “ hero”! E përqafuan dhe e uruan , të gjithë pjesëmarrësit, mes tyre dhe kamerierja , Selime Caushi , e cila na ishte bërë si nënë. Mustafa Gjokutaj kishte kaluar një test të rrallë trimërie; ai kishte braktisur aeroplanin supersonik në një situatë të vështirë shtopori. Pas analizave që u bënë, Mustafa Gjokutaj, edhe pse ishte fort i ri në moshë, për atë që i ndodhi, situatë në të cilën mund të bierë çdo pilot, nuk u lejua të fluturonte më, në aeroplanët reaktivë. Mustua u caktua në Regjimentin e Helikopterëve Mi-4, ku shërbeu me devotshmëri dhe, me aftësi, e arriti në detyrën e lartë të zëvëndëskomandantit të Skuadriles. U nda nga jeta, më 22 dhjetor të vitit 1987, në Tiranë.

Me rastin e këtij përvjetori, e kujtoj, me mall e me respekt shokun tim të mirë dhe uroj të jetë i përjetshëm kujtimi i tij!

Shkroi Niazi Nelaj, shok grupi i Mustafa Gjokutës.

Në Tiranë, më 16 tetor 2015