Nuk e paskam të lehtë të shkruaj për njerëz, me vlera krijimtarie si Ai. Qoftë dhe për ti bërë një urim, me rastin e ditëlindjes. Më 1 prill të këtij viti, miku im-Zeqir Cama, mbush 66 vjeç. Për një njeri të zakonshëm, nuk janë pak. Por, kur bëhet fjalë për një krijues cilësor, siç është Zequa ynë, kam ndjesinë se koha ka rrjedhur më shpejt nga ritmi i zakonshëm i saj. Për njerëzit e letrave, jeta lipset të matet jo me vite, por me krijimtarinë që na dhurojnë. Krijimtaria e mikut tim, Zeqir Cama, ka ardhur e begatë, si në lëmën e poezisë dhe në atë të prozës. Delli poetik nuk u ndahet shkrimeve të tij. Proza e Zeqirit, nuk qendron asnjë çap, prapa poezisë të tij, e cila është e ndjerë, në të gjithë kualitetet.
E them këtë, jo i nisur nga librat e shumtë të tij që kam lexuar por nga njohja e drejtpërdrejtë që kam me atë Njeri. Kam qenë me fat që kam punuar, së bashku me mentarin Zeqir Cama, në të njëjtën punë e në të njëjtin profil; në punën me njerëzit. Pa e tepruar e pa glorifikime ( të cilat ai nuk i honeps dot), dua të rendit disa vlera që kam pikasur tek miku im i mirë. Mprehtësia, zgjuarsia, logjika e shëndoshë, thjeshtësia dhe përkushtimi, janë disa nga “ medaljet” që i rrinë varur e hijeshojnë portretin e tij. I palodhur në punë, një njeri që i “ hanë duart” për punë, një krijues, të cilit i pjell mendja e di të kapë anën kryesore të gjësë, Zeqir Cama, në përfundimet që nxjerr, dëfton udhën nga duhet shkuar ; pa shitmendje. Puna që del nga ajo mendje, flet vetë e nuk ka nevojë për reklamë. Nuk e pashë kurrë mikun tim të kapardisej me atë që prodhonte koka e tij.
Në opinionin tim, Zeqir Cama i përngjan atij “ kalit” i cili di të ecë shtruar ( revan), me trok e me galop. Edhe kur nuk e shikon, nga zhurma e ecjes së tij, e kupton se kush po kalon. Do të dëshiroja të shkruaja shumë, për vlerat e atij njeriu por, kaq e kam çapin. I thjeshtë e i qartë është miku im, siç është e tillë, vetë jeta. Dashuria e Zeqirit për Fushëbardhën, fshatin që e lindi dhe e rriti me përkëdheljen e erës së dëlirë të asaj rrëzëmali, është e veçantë.Ujët e ftohtë e jetëdhënës që buron nga Ferrëza e nga Burimi i Bellajve, me të cilin është freskuar Zeqiri , që në vogëli , kanë lënë gjurmë të pashlyera në portretin e tij. Po të provonte dikush të përqasej jo me dashamirësi ndaj fshatit të tij ; Zeqir Cama, me siguri, do ti hidhej në grykë. Rrënjët e tij, në atë truall janë të thella e degëshumë. Si ata rrepe shekullorë, tek Rrapi i Zhurit ku mblidhen, kuvendojnë, luajnëme letra e domino, burrat e fshatit, pinë raki të fortë e hanë mish qëngji, të pjekur në hell, ata njerëz fisnikë që duket sikur jane varur nga mali.
Sa herë shkon në Fushëbardhë, Zequa , me mallin e mërgimtarit e me dashurinë e pamatë, për atë truall e për ata njerëz, të cilët u ngjajnë kreshnikëve të atyre anëve, ulet, me të dashurit, nën hijen e freskët të atyre rrepeve të lashtë, e “ rrokullis” ndonjë gotë nga “uji i tërbuar” dhe e shijon një hise mish nga bagëtitë që rriten me barin e atij guri. Kësisoj, miku im lehtëson disi barrën e mallit që e përvëlon, për trojet e të parëve.
Zeqir Cama është një talent dhe kapacitet . Ai “e tjerr” bisedën sipas vendit dhe kuvendit. Miku im, di të flasë, nga pozicione elitare, me fjalë të zgjedhura, me “ maja” të krijimtarisë letrare si i Madhi Ismail Kadare dhe i paaritshmi Dritëro Agolli; si dhe ulet “ shesh- besh” e kuvendon “ vënçe” me çobanë që kanë zbritur nga mali, me kërrabë në dorë e me balon,pranë që i qendron roja, me gjuhën përjashta. Ai “ blen” nga ata që e kanë mënçurinë të kapshme , që në fjalën e parë, por dhe nga barinjtë, mençuria e të cilëve është “ e mblojtur”. Më bën të ndihem mirë, por dhe të skuqem, lidhja e shëndoshë e Zeqir Camës me shokët. Edhe pse ka zënë mjaft shokë të rinj, Zeqir Cama, nuk e harron “ bukën e vjetër”, sado larg e ka degdisur halli e çfrëdo situate ka përjetuar. Kohët e fundit, Ai, erdhi nga Kanadaja e akullt e, me mallin e pashteruar për të tijët, nuk i harroi shokët e miqtë . Më telefonoi e më ftoi për një kafe, të cilën e pimë, me kënaqësi.
Miku im, Zeqir Cama, është kundërshtar, deri në bezdi, i pompozitetit, glorifikimit dhe pseudo madhështisë. Si një gurëskalitës sy e mendjemprehtë, Ai, me takt e mirësjellje, pa prekur e ofenduar bashkbiseduesin, di të afrohet e të ndihmojë,të orientojë, pse jo dhe të mësojë, si ta paraqesësh realitetin, siç vjen, pa zbukurime e shtrembërime. Këtë gjë e kam ndjerë vetë e për këtë i jam mirënjohës, mikut tim.
Në këtë përvjetor të ditëlindjes,i uroj mikut tim të rrallë, shumë vite të tjerë jetë e krijimtari të dobishme e të arrirë, në lëmën e letrave, shumë shëndet dhe suksese në jetë!