Kur hyn në një repart aviacioni, ai që nuk ka qenë më parë, vështron disa gjëra, të cilat nuk i ka përjetuar më parë. Atij i krijohen ndjesi të tjera nga sa është mësuar të vështrojë. Bëhet fjalë për pastërti, rregull, disiplinë e të tjerë njerëz; në pamje e në sjellje. Sapo të hyjë në komunikim me një aviator (nuk dua ta kufizoj gjeografinë e termit vetëm tek fluturakët, por e shtrij më gjërë, tek të gjithë ata që kontribuojnë për realizimin me sukses të fluturimit), rishtarit i bën përshtypje edukata e bashkbiseduesit, sjellja e kulturuar, horizonti, korrektësia dhe dashamirësia e tij.
Pa u orvatur ti futem analizës të kësaj dukurie tipike, më jepet mundësia të nënvizoj disa çaste që mendoj se ia vlejnë dhe që e bëjnë të mundur këtë qendrim të tyre, i cili është tejet i njerëzishëm.
Ështe i mirënjohur fakti se njerëzit e ajrit; si ata që fluturojnë dhe të tjerë, të cilët, me punën e tyre u japin siguri fluturimeve, lexojnë mjaft e vazhdimisht. Po çfarë lexojnë ata? Mendoj se në vend të parë qendron literatura tekniko-shkencore. Aeroplani, në lëvizjen që bën, duke çarë ajrin, u nënshtrohet disa ligjeve e ligjësive specifike, të cilët e bëjnë të mundur këtë dhe që kanë karakter objektiv. Duhet thënë se edhe teknika tokësore, e cila siguron fluturimet, ciladoqoftë ajo, u nënshtrohet, gjithashtu këtyre ligjeve, ndikimi i të cilëve është i lidhur ngushtë e ndikon drejtpërdrejt në proceset teknologjike që zhvillohen; në tokë e në ajër. Kësisoj, fizikës; kimisë; aerodinamikës; matematikës e shkencave të tjera, nuk i shpëtojnë dot, si ata që çohen në ajër dhe të tjerët, të cilët, me punën e tyre i venë dijenitë, në funksion të detyrës ajrore.
Nëpërmjet studimit të thelluar të literaturës tekniko-shkencore, aviatorët mësojnë : përse e si duhen respektuar kërkesat e ligjeve të shkencës e teknikës ; njihen me rregullat e shfrytëzimit të mjeteve fluturuese, në tokë e në qiell; njihen me sferën dhe kufijtë e mundshëm të veprimit të tyre; si dhe me “ zonën e ndaluar “, ku nuk mund të futet as mendja ; as duart e njeriut.Kësisoj, studimi i literaturës, nuk behet thjeshtë për stoli , por u hap atyre horizonte e i kulturon, dhe e bën mendjen e tyre të hapët .Një njeri i ditur; i cili zotëron ligjet e shkencës e të teknikës dhe vepron në pajtueshmëri me to, mesiguri që bën më pak gabime e shmangje dhe ka forcë parandaluese të shtuar. Njeriu me dijeni të thella është më pak i predispozuar( jo i imunizuar) për të bërë gabime, i përjeton, ndieshëm dukuritë që ndodhin në aeroplan ; madje është në gjendje të parashikojë e të parandalojë shmangiet e mundëshme, ashtu sikundër del me më pak kosto nga situatat e mundshme, të padëshiruara. Të paktën, këtë na dëfton përvoja disavjeçare e shfrytëzimit të avionëve, në vendin tonë.
Puna drejt thellimit në literaturë, për t’u njohur me të rejat në lëmën e shkencës e të teknikës së aviacionit, duke kapërcyer ato që shkruhen në instruksione e rregullore, të cilat, për hir të së vërtetës janë të bazuara në shkencë, në repartet e aviacionit nuk i lihet rastësisë e vullnetarizmit; as nuk realizohet, në praktikë, spontaneisht. Le ti referohemi praktikës sonë: Udhëheqësi i fluturimeve përzgjidhet nga pilotët më me përvojë e më kompetentë të atij reparti e mjedisi pune. Kur analizon një fluturim normal apo një gabim njerëzor, ai, detyrimisht duhet të dijë më shumë nga ata që e dëgjojnë. Këtë gjë, ai e realizon mbi bazën e ballafaqimit me kërkesat e ligjeve të shkencës e të teknikës ajrore. Në këtë proçes nuk bëht vetëm ballafaqim por, duke rrahur mendimet, njerëzit për ftojnë nga njëri-tjetri, sqarohen, aftësohen dhe kulturohen.
Por, aviatorët, nuk janë njerëz të njëanshëm e nuk kufizohen vetëm me studimin e thelluar të literaturës tekniko-shkencore. Njerëzit që shërbejnë në repartet e aviacionit, kanë dëshirë e “ uri” të paparë, për të lexuar dhe literaturë artistike. Librat artistikë, aviatorët i përpinin, sapo dilnin në qarkullim. Bibliotekat e reparteve të aviacionit janë mjaft të pasura në literaturë artistike, siç janë të tilla dhe në librat tekniko-shkencore. Por, në shtëpitë e njerëzve të ajrit, bibliotekat vetjake, pa e absolutizuar gjënë janë plot me libra të tillë, të cilët, ose janë lexuar nga pronarët e tyre, ose presin radhën. Nuk janë të paktë ata që me bibliotekat e tyre të pasura, kanë konkurruar, apo garojnë me dinjitet, me bibliotekat e lagjeve, sa i takon shfrytëzimit të librit. Në një bibliotekë familjare psh. Janë të regjistruar më se 120 anëtarë, kryesisht fëmijë por jo vetëm. Mbi një bllok xhepi, modest, pronari i bibliotekës vetjake,me më tepër se 2000 vëllime, shënon ata që marrin libra, për të lexuar dhe kthimin e tyre. Të lexuarit sistematik të librave, nga autorë vendas r të huaj, nuk ka kaluar tangent në jetën e aviatorëve. Në biseda e në takime të lira, të rastësishme, aviatorët , kuvendojnë me njëri-tjetrin mbi vlerat e librave e të autorëve të tyre. Për aviatorët, janë të preferuar si autorët klasikë dhe ata aktualë, përfshi dhe ata që shkruajnë libra “ limonadë”, për të “ shtyrë” kohën e lirë.
Kur ndodhesh mes aviatorëve e dëgjon kuvendimin e tyre, për librat e rinj që kanë lexuar, nuk do të dëgjosh “ kodra pas bregut”, por do të ndeshesh me një logjikë të shëndoshëe me një gjuhë të pastër e të pasur dhe të mirëartikuluar. Fjalori që ata përdorin nuk është i rëndomtë, por me kulturë e me një sjellje dashamirëse, e cila, doemos është refleks, në jetë e leximit të begatë. Lidhja e ngushtë dhe respekti që kanë njerëzit e aviacionit me njëri –tjetrin dhe me të tjerët ka në bazë, veç të tjerave edhe kulturën e të lexuarit. Faktorë kryesorë që bëjnë të mundur arritjen e kohezionit mes aviatorëve, janë, natyrisht, vështirësitë e profesionit; të qëndruarit së bashku, me shoqi-shoqin, për shumë kohë, kushtet e jetesës dhe vështirësitë që kalojnë, etj. Por dhe të lexuarit e shumtë nuk është pa gjë.
Kohët e fundit, lidhja e njerëzve, me librin, sikur është zbehur disi. Të tjerë mjete bashkëkohore komunikimi e njohje, po marrin më tepër terren. Sido që të jenë ata, përftimi nga shfrytëzimi i mjeteve elektronike, nuk mund të zëvendësojë leximin e librit. Njerëzit që lexojnë, mund të dallohen, pa vështirësi, qysh në kontaktin e parë me ta.Kur bisedon me një lexues të rregullt, nuk ka si të mos shquash lirshmërinë, bagazhin e dijeve, gjuhën e pastër, artikulimin e qartë etj . etj. vlera të cilat ti hedh në shesh bashkbiseduesi. Nuk do të rrekem të spjegoj përparësitë e të lexuarit; të tjerë ,para meje e kanë bërë saktë e me kompetencë shkencore këtrë gjë. Desha vetëm të nënvizoj faktin se ai që lexon , nuk e ka shkuar kohën kot, por ka përftuar prej saj, si në dobi të vetes dhe të shoqërisë, në tërësi.
Pas demokratizimit të jetës së vendit, në veçanti, në këto kohët e fundit, po del në evidencë një “vërshim” gjithfarësh shkrimesh, nga njerëzit e aviacionit. Shkrimet e tyre i ndeshim në faqet e shtypit të shkruar dhe në libra të veçantë.Edhe disa që me vështirësi diskutonin në format e edukimit të detyruar, kanë shkruar e po shkruajnë libra. E them që në fillim de kjo punë është mjaft dobiprurëse. Vendin kryesor e zenë shkrimet autobiografike. Kanë çfarë të shkruajnë e të dëftojnë, veteranët që kanë kaluar një jetë të tërë, në fluturim apo në “llogoret” e tjera afër me fluturimin e në shërbim të tij. Dikush, bën pyetjen: përse tani? Unë e kundërshtoj këtë logjikë dashakeqe. Sa gjëra me vlerë, nga puna gjithë pasion e përkushtim e këtyre njerëzve të veçantë, në vite, qëndrojnë të strukura në një dollapë, në një raft, në një valixhe apo në arkiva? Ato nuk duhet të “ flenë” e të na ikin, së bashku me ata që i kanë kryer por ia vlen të bëhen pronë e njerëzve të thjeshtë , të njihen me to, ata që nuk i dinë dhe të mësojnë prej tyre, ata që duan të mësojnë. Mjafton të them respektin dhe mirënjohjen time për ata teknikë aeroplanësh, si Qirjako Trebicka; Novruz Koçileri; Nexhip Nanushi ; Ismail Harizaj; Misto Bulku;Hiqmet Memoajdinaj; Rexhep Zenelaj; Ali Shehu; Sali Meta; Thoma Mërtiri; Yzedin Koci e dhjetra të tjerë, të cilët, edhe pse me pak shkolle kur u lindi nevoja të ngrinin mepatjetër avionët në ajër e “miqtë”tanë na kishin shpallur bllokadë; i lidhën tubot e smjesit e të lëngjeve të tjerë, me “ushkurë” dhe i ngritën avionët, të sigurtë, në ajër.Pistat e aerodromeve tane nuk heshtën, siç do të dëshironin furnizuesit tanë dashakeq. Tani që kanë kaluar shumë vite, kjo mund të ngjajë si përrallë, por ne, të gjithë së bashku e sejcili veç e veç, lipset t’u përulemi atyre njerëzve të përkushtuar e me një militantizëm jo të shtirur.
Sot kanë mprehur lapsin e po shkruajnë dhe disa, të cilët, deri tani kanë qenë “ në hije” e nuk janë ndierë ; jo se nuk dinin. Unë u them këtyre mentarëve të vonuar : “ U lumtë mendja dhe pena “! Veç të mirave, askush nuk pëson ndonjë gjë të keqe, nga shkrimet e tuaja. Është fakt, se çdo njeri që ka punuar, në repartet e aviacionit, në çdo profil e shkallë hierarkie, ka një përvojë, të vetën e cila nuk ngjan me eksperiencën e të tjerëve. Përse të lemë që këto vlera ti mbulojë pluhuri i harresës e të mos i dinë të tjerët.
Dikur, ata që shkruanin në gjini të ndryshme, numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Sot, të shkruarit ka fituar qytetarinë në të gjithë profesionet dhe autorët jAnë mjaft të shumtë në numër. Mes autorëve të dikurshëm kishte dhe një lloj specializimi. Shumëkush që lexonte, e dinte se Petraq Qafzezi shkruante tregime, skenarë filmash, novela e të tjerë shkrime, në prozë. Shkrimtari i mirëfilltë Llazar Çuçi, me profesion pilot, ka shkruar mjaft, në prozë dhe poeti Zeqir Cama na ka dhënë mjaft poezi të ndiera, me tematikë, të larmishme dhe jo vetëm nga jeta e aviatorëve. Piloti Agron Daci, tentoi dhe shkrojti një roman, kushtuar jetës në aviacion etj. Më vonë, vendin e njëanshmërisë në shkrime e zuri larmia dhe aviatorët u ulën e shkruan në gjini të ndryshme, të cilat janë “ binjake “e njëra-tjetrën. Proza e Zeqir Camajt psh, nuk mbetet asnjë hap pas, poezisë të tij brilante. Shkrimtari Çobo Skënderi, pilot i klasit të parë, njëri nga më prodhimtarët e fushës së letrave, në aviacion, ka lëvruar në fushën e prozës, poezisë , publicistikës, e në përkthimet e autorëve klasikë botërorë. Më pas doli në skenë poligloti Riza Lahi, i cili na la një larmi shkrimesh, në poezi, në prozë, bëri mjaft përkthime të vështira e cilësore dhe lëvroi një publicistikë, gjithëfarëshe. Deri sa ndodhën ndryshimet demokratike në vendin tonë, shkrimet kanë qenë “ “pronësi”, kryesisht e pilotëve.NJë padrejtësi e kohës. Kjo është njëanshmëri e padëmshme por jo aq e pranueshme. Po sot? Shkrimet kanë fituar jo vetëm një gjeografi të paparë por dhe larmishmëria e tyre nuk mund të ketë të sharë.
Shkrimet enciklopedike dhe biografike të Qirjako Dhimës;shkrimet biografike të Agustin Gjinaj; lëvrimi i prozës së gjatë nga Petro Dudi; Shkrimet plot fritë të Agim Bacellit; Seria e librave që i bëjnë jehonë shërbimit inxhenjero-teknik nga “ bleta punëshumë” Xhevair Shega etj, na dëshmojnë për një larmi e cilësi të re. Njëanëshmërinë e shkrimeve e kanë “ thyer” botimet e mjaft veteranëve të aviacionit. Mes tyre spikatin shkrim e pilotit Sami Guzina;navigatorit tokësor- Agim Ismailit;mjekut të aviacionit- Lulzim Bilbilit ;pilotit- Hamza Kocit;specialistit- Fillota Korunit;pilotit të klasit të parë -Thanas Gjiknuri pilotit- Serafin Shegani; teknikut-Julqesar Goga; inxhenierit- Servet Tusha; etj . etj. Perveç këtyre, mjaft shkrime publicistike, në organet e shtypit të shkruar, nga pena të ndryshme, ia kanë shtuar vlerat krijimtrisë letrare të aviatoreve. U thye akulli se shkrimet janë punë vetëm e pilotëve.
Në mjaft nga shkrimet e kohëve të fundit , bie në sy orvajtja për të shkruar biografinë e vet ose të njerëzve të afërt të autorit tëtyre.Mirë bëjnë që shkruajnë, edhe kësisoj. Shpesh, në shkrimet biografike të njerëzve gjen diçka, të cilën nuk e gjen asgjëkundi. Dikush ka pretendime për cilësinë e shkrimevenë ballafaqim me rregullat e të shkruarit , sipas drejtshkrimit apo ku ta di unë se çfarë.. Punë e madhe! Ai që ka diçka për të thënë, le ta thotë, mos ta mbajë përbrenda.Një fjalë e hershme tiranse thotë:” Më mirë puno kot sa të rrish, kot”! Fati i shkrimeve është i njohur . Lexuesi e ka në dorë atë. Po e tërhoqi shkrimi dhe ka diçka për të mësuarprej tij, e lexon, me ëndje; në të kundërt, e le mënjanë, që ta mbulojë pluhuri; pra e ndëshkon me harrim. Futja e emrave të rinj në aradhën e njerëzve të letrave i ka dhënë frymënarrje më të gjerë shkrimeve dhe e ka bërë më interesante krijimtarinë letrare. Ngjarje të veçanta, akte heroike, pajisja me teknikë të re,kryerja e detyrave të vështira dhe për herë të parë etj . etj . janë bërë burim frymëzimi për të shkruar e pasqyruar atë që ka ngjarë apo që pritet të ngjajë. Rënja heroike, në krye të detyrës e dukagjinasit Ndue Mëhill Logu, në Regjimentin e Helikoiptereve zgjoi muzën e një ushtari nga Petreshi, i cili shkrojti me shumë pathos për komisarin e tij hero. Akti heroik i pilotit të ri Bilal Sina, bëri të vërshojnë kapacitetet letrare të mjaft kuadrove e ushtarëve etj. Ulja e detyruar e pilotit serb, Bozhidar, nga pilotet tanë : Mahmut Hysa; Gezdar Veipi e Koço Biku, u dha krahë mjaft shkrimeve, në organet e shtypit të shkruar dhei vendosi ata në vendin e merituar, në Muzeun e Aviacionit.
Në radhët e kuadrove të aviacionit, të priofileve të ndryshëm, ka egzistuar një dëshirë e zjarrtë , për të nxënë, më tepër nga sa ishte “ porcioni” i përcaktuar, me rregulla strikt i literaturës tekniko-shkencore, i lidhur ngushtësisht me profesionin e tyre.Dhjetra të rinj, të talentuar e “të uritur” për më tepër dije e kulturë, u ulën në auditorët e Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe të filjaleve të tij; jo për t’u pajisur me një diplomë e për të justifikuar vendin e punës, por, për të fituar dije shkencore të qëndrueshme . Të shumtë ishin ata, të cilët vijuan e përfunduan studimet në degë të inxhinierisë mekanike; elektrike dhe në shkencat politike e shoqërore. Po të bënim evidencë, lista, mesiguri do të dilte e gjatë. Në këto radhë do të mjaftohem me përmendjen e disave syresh. Perikli Teta; Muhamet Horieti; Thoma Ngreci ; Xhevair Shega; Zihni Kamberi ; Spartak Andoni; Thoma Vesho; Sinan Alimerko ; Halil Bello; Kastriot Hodaj; Dhimitër Shapka; Muharrem Noka ; Guri Pashaj; Jaho Nazaj; Fatmir Karaboja; Tajar Ramadani;Shuaip Malo; Skender Loli; Turabi Halili ; etj. u bënë inxhenjerët mekanikë që drejtuan sherbimet imxhenjero-teknike të aviacionit, me kompetencë e dijeni shkencoreduke e bërë më efektiv e jetëgjatë këtë shërbim. Në degët e inxhenjerisë u futën dhe disa pilotë, si Qirjako Dhima, në Qytetin “ Stalin”; Ramo Mejdiaj; Albert Shkurti e Nustret Bilani, në Tiranë të cilët përfunduan fakultetin e inxhenjerisë elektrike, me tregues bindës etj. Disa ndoqën studimet në filjalin e Shkodrës etj.
Të tjerë kuadro u qasën tek shkenca të tjera politike e shoqërore, si Luan Jaupi; Zeqir Cama; Stillo Mëlica; Ylli Beluli; Bardhosh Hasanaj; Delo Isufi ( Seraj); Zija Memi; Zydi Meçaj; Novruz Duraj; Niazi Nelaj etj .të cilët perfunduan fakultetet përkatës. Nuk përfshihen, në këta kontigjente, kuadrot e shumtë që përfunduan Akademinë Ushtarake si: Bardhyl Taçi; Koço Biku; Nikollë Dudi ; Servet Murati; Ndue Logu; Jorgo Tabaku; Vangjel Postoli ; Enver Taho; Hetem Mehmeti;Anastas Ngjela ; Mahmut Hysa; Gëzdar Veipi ; Surri Barbullushi,Pandeli Prifti etj. Dhjetra të tjerë, u ulën në auditorët e Shkollës së Lartë të Partisë, apo të tjerë që përfunduan kursin e lartë të filozofisë etj.
Disa kuadro, të profilit inxhenjero-teknik, të cilët shërbenin ne hallka të ndryshme të reparteve të aviacionit, por që nuk e kishin arsimin që kërkonte vendi i punës, mezi prtën kohën që të futeshin në shkollë të lartë. Ylber Hashorva, pas përfundimit te Filjalit të Inxhinierisë Mekanike, në Berat, u vendos në detyrën e kryeingjenierit të regjimentit; Qemal Koni, u vendos në detyrën e inxhenierit të skuadriles; Engjëll Muhaj dhe Halil Bello u emëruan pedagogë në Shkollën e Lartë të Aviacionit; Shyqyri Shahaj, u emërua drejtues në Uzinën e Aviacionit etj. Kësaj kategorie i përkasin dhe : Vebi Punavija; Vasil Çapeqi; Azem Lamaj; Esheref Aliaj; Farudin Bardhi; Molotov Skëndaj; Musa Vokshi; Vladimir Palla etj.
Kontigjentet e kuadrove të aviacionit, të profileve të ndryshëm, të cilët erdhën nga shkollat e larta të Bashkimit Sovjetik, pas prishjes së marrëdhënieve mes dy shteteve,të cilët, e kishin përfunduar apo e kishin lënë në mes arsimimin e larte, si : Stefan Kagjini; Razip Shyti; Hajrulla Jubani; Bashkim Gjoliku; Yzeir Lame; Muamer Alite; Foto Lako etj. u plotsuan me ata që dolën nga shkolla jonë e lartë e, së bashku u dhanë udhë problemeve të shumta që shtroi përpara koha. Dhe cila kohë? Kur resurset ishin mjaft të kufizuar e detyra shtrohej të arrinim nivelet më të përparuar.
Njerëzit që kanë shërbyer e shërbejnë në aviacion, të çdo profili e specialiteti, nuk janë robër të profesionit; as të “ fandaksur” pas letërsisë artistike. Ata përjetojnë, aktivisht pulsin e kohës, ndjekin me vemendje zhvillimin e ngjarjeve dhe janë të etur, të mësojnë diçka më tepër për ato që ndodhin rreth tyre. Pilotët, teknikët, specialistët e çdo lloji, në çdo detyrë e post që mbajnë, vërtet janë njerëz të zakonshëm e nuk dallojnë nga të tjerët në pamje por kokën e kanë plot dhe mendojnë me realizëm, objektivisht e në mënyrë të pavarur. Nga pozicioni i punës që kam kryer, për mjaft kohë, më është krijuar mundësia të gjendem pranë çështjeve të botës kulturore të aviatorëve . E theksoj, pa mëdyshje e me kompetencë se ata duan të dinë dhe përfshihen, me dëshirë në informacionet bashkëkohore, si në ato të programuara dhe jashtë tyre.
Siç dihet, në repertet e aviacionit, në kohën për të cilën bëhet fjalë, organizohej, një herë në javë, përgatitje marksiste- leniniste, me kuadrot dhe dy herë në javë ushtarët zhvillonin punë politike. Programi ishte i përcaktuar nga lart e baza, nuk mund ti bënte ndryshime. Edhe në këta kushte, kur nuk inkurajohej iniciativa nga poshtë, në biseda të lira e në takime spontane, njerëzit shfaqnin mendime e shpalosnin, natyrisht me drojë, mendime e bënin propozime interesante, për të gjallëruar format e edukimit, me elementë të rinj, të paparë deri atëherë. Në këta takime e në bisedat që arrihej të bëheshin, komunistët, kuadrot dhe të rinjtë,në ato që thoshin, linin të kuptohej se në proçesin e edukimit ideo-politik kishte ngushtësi, cektësi e uniformitet. Interesat kulturore, politike, shkencore dhe shoqërore të njerëzve ishin më të gjera e më të larmishme nga sa e kufizonin këtë programet e hierarkisë. Informacionet politike, psh. ishin bërë tepër amorfe e nuk ngjallnin interes. Ato, në të shumtën e herës ishin një përsëritje e thjeshtë e atyre që shkruanin gazetat e kontrolluara. Edhe format e edukimit të komunistëve e kuadrove, për nga tematika e njëllojtë nga viti në vit, dhe për nga trajtimi strikt i çështjeve që shtroheshin, pa debat e mendime ndryshe i shndërronin orët e edukimit në një kohë të painteres, ku më së shumti njerëzit mërziteshin e vegjetonin.
Duhet pranuar, se edhe në ata kushte, mendimi progresiv i njerëzve bënte një lloj presioni, për të thyer “ kornizat” e për ta bërë më të larmishëm edukimin ideopolitik. Kërkohej të futeshin forma të reja edukimi, të cilat mund të ishin më efektive e dobiprurëse. Duke vepruar me kujdes e maturi, pa kaluar në aventurizëm, u tentua të thyheshin” kornizat “ e të afrohej më shumë me detyrat,përgatitja ideore, politike dhe psikologjike e njerëzve. Për ta bërë këtë, sytë u hodhën nga terreni, ku gjendeshin rezerva, deriatëherë të fjetura, të cilat e dhanë efektivitetin pa u vonuar. Qysh në tentativat e para, doli se njerëzit kërkonin të dinin, shumë më tepër se programet zyrtare. Atyre u interesonte të mësonin mbi zhvillimet, në vend e në botë në fusha të ndryshme të jetës. Në këtë vështrim, mjafton t’i referohemi praktikës që u ndoq në Regjimentin e Helikopterëve, ( të cilin e njoh më mirë) në vitet 1983-1992.
Në këtë repart, në bashkpunim me terenin jo vetëm u përthye skematizmi në edukimin ideopolitik por u arritën veprimtari interesante, të larmishme dhe jo monotone. Informacionin politik psh, nuk e drejtonin më kuadro te repartit, si më parë, por , sipas një programi të hartuar duke tërhequr mendimin e njerëzve, u ftuan specialistë të terrenit, të cilët u folën njerëzve, për arritjet dhe problemet e sektorëve që drejtonin.Se ata që vinin në repart nga terreni ishin specialistë të mirëfilltë e drejtues sektorësh. Kësisoj, efektivat jo vetëm mësonin ato që u interesonin, por dhe e kalonin kohën në mënyrë të këndshme e relaksuese. Atë informacion që njerëzit e merrnin në më pak se 2 orë, nga goja e një specialisti, një lexues i rregullt nuk mund ta grumbullojë, edhe duke lexuar një muajtë tërë. Specialisti që ngarkohej për të zhvilluar informacionin, në mënyrë paraprake njihej me interesat e auditorit dhe kohënqë do të kishte në dispozicion për të folur e nivelin e atyre që do ta dëgjonin.
Po të zbresim më konkretisht, mund të pohoj se me mjaft interes ka qenë informacioni i zhvilluar për çështje të energjitikës, prej njërit nga specialistët më në zë të fushës- Llazar Papajorgji. Mjaft të interesuar ishin pjesëmarrësit në informacionet politike, me objekt politikën e jashtme të vendit tonë, referuar nga specialistët e njohur të fushës: Shaban Murati; Mirosh Sako; Ajet Simixhi; Xhemil Simixhi etj.Informacionet politike, me tematike te larmishme e interesante , kishin vazhdimesi . Ata ishin të shtrirë gjatë gjithë vitit dhe nuk ishin asnjëherë të njëjtë. Në këta informacione vërshonin të dhëna nga më të ndryshmet si nga bujqësia, hidroenergjitika;historia; letërsia; sporti ; arti etj etj.
Shtysë të mirë i dhanë gëzimit dhe argëtimit të efektivave të regjimentit veprimtaritë kulturore e artistike me pjesëmarrjen e disa ansambleve amatore e profesioniste, si ansambli “ Labëria”, me vallet e gjalla e burrërore si ajo e grupit të Vranishtit; këngët polifonike etj. etj. Bisedat me karakter politik, në zbërthim të direktivave e vendimeve të kohës, zhvilluar nga studiues e personalitete të kohës si Fatos Nano; Leontiev Çuçi; Frederik Nosi ; Spiro Dede; Fatri Sinani etj. e thyen monotoninë e temave ideo-politike. Kuadrot e repartit pritën me interes e dëgjuan, me vemendje bisedën që zhvilloi zootekniku Illo Foto, nga Ministria e Bujqësisë apo një bisedë, e cila dukej si pa interespor që rezultoi mjaft e dobishme, për nga informacioni që solli, nga agronomi i mbrojtjes së bimëve, Andrea Çeku. N ga takimet e bisedat me specialistë të terrenit, u bë e qartë se nuk ka fushë të jetës për të cilën të mos kenë interesa njerëzit që shërbjnë në aviacion.
Mund të ngjajë si paradoks,kur e sjellim në kujtesë tani që kanë kalur shumë vite, por takimi i efektivave me njerëz të kulturës e të artit madje dhe me sportisë cilësorë si hedhësi i çekiçit Ajet Toska apo me balerinën e parë Albana Sulejmani e me balerinin cilësor Ilir kerni etj, ishin tepër mbresëlënëse. Interes të veçantë e kënaqësi tepër të madhe solli takimi me Artistin e Popullit, të paarritshmin Kadri Roshi . Xha Kadriu, me gojëtarinë e rrallë të tij, e me elokuencën e paparë, i la me “ gojë hapët “ pjesëmarrësit në takim. Në këtë repart, takimet me artistë të preferuar kanë patur vazhdimësi. Në takimet me Yllka Mujon; Ema Ndoin; Merita Zoton; Gëzim Rudin; Ema Andrean; Kliti Roshin etj, jo vetëm kanë qenë të vazhdueshëm, por dhe kanë sjellë dhe mjaft mjaft gjallëri e larmi në jetën kulturore-artistike të efektivave.
Ishte kthyer në një traditë të mirë prania e krijuesve, në muajin e letersisë dhe të arteve, i cili organizohej në muajin tetor të çdo viti. Në një rast, ishte i ftuar shkrimtari i madh Ismail Kadare.Për ditën e takimit ramë dakort menjëherë; vështirësia ishte për të përcaktuar orën. Na interesonte ta zhvillonim takimin, në orën e informacionit politik, që përkonte me orën 08.oo. Mirëpo, në këtë orë, pas punës që bën tërë natën, Ai flinte. I erdhëm në takim dhe e lamë bisedën, në orën 13.oo, kur edhe njerëzit i kishin vënë punët, në vijë.Erdhi shkrimtari i shquar, u ngjit në presidiumin embledhjes dhe iu drejtua sallës: “ Kush ja pyetje, të çdo lloji qoftë, le ta bëjë e unë do të përgjigjem”! Ashtu u bë e njerëzit morën informacionin që donin. Pas bisedës, u ngjitëm në katin e dytë, në një zyrë, ku kishim shtruar një koktejl, modest. Ismaili nuk shquhet për përorim pijesh të forta ndonëse i njeh ato, për bukuri. Kur shijoi rakinë shumëgradëshe të rrushit , të bërë vetë, bëri një shaka, të lidhur me pijet alkoolike.” Kur pi wiski, në dimër , ai të ngroh; kur e pi në dimër- të freskon. Rakinë, po e pive , në çdo kohë të merr mendjen ; wiski ta kthjellon mendjen”. Ipëlqeu molla “ golt”, të cilën e lëvdoi dhe e shijoi.
Disi tjetër ishte takimi që u zhvillua me tëmadhin Dritëro Agolli. Dritëroi është më popullor e mjaft i këndshëm në kuvendim me njerëzit. Ai erdhi në repart, së bashku me mikun e tij të ngushtë, pijedashësin Sabri Godo, i cili, në atë kohë, ishte, gjithashtu nga shkrimtarët më në zë të vendit tonë. Njerëzit që ishin grumbulluar në sallë i kërkuan Dritëroit të fliste për rolin dhe vendin e poezisë, në letësinë shqipe.Bëri sikur u mendua pak, i moshuari plot humor dhe, si u “ shtrydh” mirë e mirë, kur e kishte sajuar shakanë e radhës, u drejtua nga xha Sabriu dhe i tha,gjithë seriozitet: “Poezia është si një pus i thellë;u kthye nga miku i tij e i tha: “je futur ndonjëherë në pus , ti Sabri”? U befasua vartësi i tij e, pa u menduar gjatë u përgjigj: “Jo, nuk jam futur”! E mori përsëri fjalën Dritëroi e zbërtheu domethënien e atij përcaktimi enigmatik. Plasi gazi, në sallën plot e përplot me njerëz, kur shkrimtari i madh, e krahasoi poezinë, me pusin e thellë të cilit nuk i duket fundi.
E ngjitëm lart, Dritëroin, sipas traditës, për ta qerasur. Atje e priste një shishe me raki të fortë moskati, të cilën shkrimtari pijedashës e kishte shumë për zemër dhe rrush vreshti i varietetit shesh, i zi, i sapokëputur nga vreshti i fermës. Po vështronim njëri-tjetrin e ngrinim supet . U ndodhëm ngushtë për meze. Dikush mori guximin dhe e pyeti Dritëroin; në kofidencë:” Me çfarë do ta shoqërosh rakinë, ne nuk kemi sajuar meze mishi”? Njeriu i letrave, nuk e pati të vështirë të përgjigjej thjesht e prerë:” Do ta pi me babanë e saj ; me rrush”! Xha Sabriu, i cili, gjithashtu nuk të falte kur kishte përpara shishen me atë “ ujë të tërbuar”, miratoi, me kokë, përgjigjen e shokut dhe eprorit të tiJ , ecila, siç duket ia kënaqi oreksin. Me shumë kënaqësi dhe dobi kaloi dhe ai takim interesant me këta dy “ diva” të letrave shqip.
Shumëkush ka përjetuar, në repartet e aviacionit një jetë kulturore dhe artistike, dinamike, rrjedhojë e botës së pasur të vetë këtyre njerëzve të ditur e të gëzuar. Grupet artistike diletante, në çdo repart aviacioni, ishin permanente dhe kishin shtrirje gjithëvjetore.Në radhët e aviatorëve, qysh në vitet e formimit të aviacionit shqiptar e në vazhdimësi kanë dhënë kontribute me vlerë mjaft këngëtarë ; disa syresh me njohje e preferencë kombëtare. Nuk bëhet fjaslë për masivitetin që morën grupet artistike por për disa individë të spikatur, me mjaft vlerë. Zëri i rrallë i tenorit Astrit Mersini dhe ai i Minush Karalliut, u dëgjuan, deri në festivalet kombëtare të këngës së lehtë. Bukur e me zë tenori, këndoi piloti dëshmor i Atdheut, Hektor Lako; i qartë e i bukur ishte zëri i pilotit Salih Dibra; fuqishëm buçiste kënga e Avni Shkozës; Muhamet Farkës;Sotiraq Tankës; Vasil Micit; Matrasov Gramos;Luan Sinës; Besnik Hashorvës etj. etj. Të krijohet ndjesia sikur njerëzit që shërbejnë në aviacion janë të prerë edhe me metrin e artistit. A nuk e verteton hipotezën, arti i të madhit Aleksandër Moisiu, i pasuar nga të tjerë metodistë artistikë dhe aktorë diletantë por me prirje artistike si Ndoc Selimaj ; Maliq Tonuzi; Enver Muça ;Guri Panariti etj. humori i karikaturistit Kaso Petroshati dhe shakatë me kripë të Fazlli Begës etj . etj.
Në të mirë të këtij argumenti është dhe prirja e disa njerëzve të aviacionit për të luajtur në instrumentë muzikorë. Fizarmonika e Bilal Josës , “na ka mbajtur gjallë” në ditët e mallit të shtuar për Atdheun dhe në kohën kur ishim me banim në hotelin e beqarëve, në Rinas. Dashuria dhe prirja për artin, shprehej fuqishëm në artet figurative. Llazar Çuçi, nuk ishte vetëm prozator dhe poet i mirë por dhe një piktor, me vlera. Qazim Krasniqi, Perikli Teta e mjaft të tjerë kanë bërë një dizenjim të paparë. Guri Panariti,Fejzi Murati, Agron Nushi etj. u bënë metodistë të dalluar në organizimin e grupeve artistike, pa kryer ndonje shkollë të posaçme. Fotografët e shtëpive të oficerëve: Pëllumb Makashi; Bardh Bylyku; Vasil Depa etj, dëshmuan talent e njohuri të thella, si dhe punuan me krujimtari e shpirt artisti.
Kapitulli i sporteve është ndoshta njëra nga pikat kulmore ku u shfaqën vrullshëm prirjet rinore të aviatorëve. Kur studionin për t’u bërë pilotë, në shkollën sovjetike të aviacionit “ Valerij Çkallov” të qytetit të Borisoglebsit, studentët shqiptarë: Mahmut Hysa; Gezdar Veipi; Çobo Skënderi,Agim Spahiu; AgimVodopi etj, merrnin pjesë në ekipin e qytetit i cili konkurronte neë kategorinë e dytë të kampionatit sovjetik të futbollit. Nuk mbeteshin pas tyre, studentët, për pilotë të shkollës së Batajskut. Studenti për pilot helikopteri Mikel Janku, u bë portier i ekipit të mirënjohur të “Partizanit” dhe atij të kombëtares së futbollit. Dajlan Birçe, kur ishte student për teknik, në Harkov, luante me ekipin e parë të qytetit dhe luante në stadiumin : “ Avangard”, i cili, tani ka marrë emrin “Metalnik”.Ai, kur u kthye në Atdhe, u aktivizua me ekipin e “ Partizanit” e me atë të “ Flamurtarit”. Agim Nanaj,gjithashtu pilot helikopteri, shquhej në përdorimin e topit e u federua në ekipin e “Flamurtarit”; Luto Sadikaj dhe Myzafer Zaho, qysh kur ishin skënderbegas, luanin futboll, në formacionin e parë të ekipit të të rinjve të “Partizanit”. Hysen Birçe, drejtues i përgatitjes fizike , në regjimentin e Rinasit, ka luajtur me ekipin e “ Kastriotit “ të Krujës, etj. Për qejfin e vet, kanë luajtur bukur, futboll Roland Sofroni;Muhamet Horieti’; Fazlli Begaj etj. Nuk ishin larg, ata që merreshin me volejboll, basketboll, ping-pong, shah etj. Masar Aga, qysh në vitet e parë, pas çlirimit të vendit, ishte njëri nga sportistët më në zë,të vendit, në volejboll e në atletikë. Vasil Trasha, Sokrat Prifti;Bardhosh Hasani; Stillo Mëlica; Fazlli Begaj; Thanas Gjiknuri; Gezdar Veipi ; Ramo Mejdiaj,Riza Lahi, Vladimir Treska, Aqif Sula, Albert Shkurti, etj, luanin me mençuri lojën e shahut.
Nuk mund të mos përmendet aktivizimi i aviatorëve në atletikën e lehtë e të rëndë. Bardhyl Lubonja, u bë njëri nga hedhësit më të mirë të çekiçit, në vend. Sabri Toçi, me shumë vullnet e me talent, u bë atlet cilësor, në fushën e hedhjes së çekiçit, i federuar me ekipin e “ Partizanit. Pas tij u mor me kete vegël Bardhyl Lubonja. Masar Aga, mbajti rekordin në kërcim së gjati e së larti, për një kohë të gjatë.Emocione na shkakton fakti që mjeku i aviacionit, Shkëlzen Kokomiri, në Ballkaniadën e vitit 1946, përfaqësoi Shqipërinë , në vrapimin e 100 metrave. Alqiviadh Dede, Tajar Ramadani e Petrit Bebeçi ishin gjimnastë të kualifikuar. Dhori Zhezha e Niazi Nelaj, në kohën kur studionin për pilotë, në shkollën e Batajskut, plotsonin kompleksin e ushtrimeve në vegla speciale, në një kohë kur, shokët e tyre të grupit dhe mjaft të grupeve të tjerë, nuk afroheshin në këto vegla. Sherif Hajnaj ( Bracki) ishte në shifra të niveleve të lartë në kërcimin e stekës.Të njëjtën gë mund të themi dhe për Shyqyri Alushin, i cili, me shumë vullnet, por dhe me aftësi e talent, u rendit ndër basketbollistët më të mirë të ekipit të “Dinamos” etj. Pas kthimit nga studimet në Kinë, disa aviatorë, si Mentor Rrugia; Perlat Lako ; Jorgo Tabaku;Guri Merkaj ; Besnik Shahi etj. u dalluan në lojën e ping-pongut, për shkathtësi e” sy të mprehtë”. Të tjerë , si Dajlan Birçe , luanin ping-pong cilësor , qysh në Bashkimin Sovjetik.
Bota e pasur e aviatorëve, nuk mund të ketë kuptim, pa kontributin e mentarëve të fushës së letrave. Janë të shumtë ata që provuan të shkruajnë, në gjini të ndryshme. Kjo çështje nuk shënon ndonjë datë të caktuar, pavarësisht se një fillim e ka. Ja vlen të kujtojmë punën plot përkushtim e saktësi të shkrimtarit pilot Llazar Çuçi i cili e nisi krijimtarine letrare, me disa shkrime modeste, te shkurtër e, duke shkruar vazhdimisht, i frymëzuar nga jeta dhe bëmat e shokëve të tij të profesionit, na ka lënë një trashëgimi letrare me vlerë. Llazari ka meritë të padiskutueshme, për faktin se ka përshkruar me vërtetësi historike dhe me art jetën dhe prerjen e saj të thuajse të gjithë dëshmorëve të aviacionit. Shkrimet e tij kanë frymëzim e janë të besueshëm. Ata janëtë vërtetë për arsye se ngjasojnë me jetën vetë.
Ishte student për pilot, shkrimtari Petraq Qafzezi, kur, me droje kaloi nga shënimet sporadike që mbante në blloqet e xhepit në shkrime të gjatë e cilësorë, në të cilët shpaloset art e kulturë të shkruari. Herët, qysh në fëmijëri e ka nisur veprimtarinë krijuese letrare, poeti, shkrimtari dhe dramaturgu i njohur Bashkim Kozeli. Rritja në moshë, krahas pjekurisë të talentit të tij krijues, e pozicionoi autorin e mjaft shkrimeve në gjini të ndryshme tek dramaturgjia, ku, siç duket e gjeti veten. Për nga shumëllojshmëria dhe nga begatia e prodhimtarisë letrare, shkrimtari, poeti, publicisti dhe përkthyesi i talentuar Çobo Skënderi, e ka pasuruar gjeografinë e shkrimeve në mjaft gjini ku spikat një art i veçantë të shkruari. Ndonëse u nda nga jeta, në një kohë kur duhet të jetonte, për të gëzuar nivelin e pjekurisë dhe begatisë letrare që arriti, poligloti, shkrimtari, poeti, publicisti, përkthyesi dhe mentari i përkushtuar Riza Lahi, na la mjaft libra, shumë nga të cilët i bëjnë jehonë jetës dhe heroizmit të njerëzve që kanë shërbyer në aviacion. Nuk mund të mos çmohet përpjekja e pilotit cilësor Agron Daci, i cili, përvojën e tij në udhët e ajrit, na e la të lëvruar në gjininë e romanit, në librin e parëdhe të vetëm të tij : “ Në avrat e qiellit”. Me memorjen, dhunti e natyrës mëmë, Mateo Baba, njëri nga të pesëdhjetë studentët e parë që shkoi në Jugosllavi, për tu bërë pilot, ka shkrojtur një libër mbi historinë e aviacionit shqiptar. Prodhimtari të begatë ka njeriu i aviacionit Vangjel Kasapi, i cili e njeh mirë jetën e aviatorëve dhe ka bërë punë serioze për pasqyrimin e saj.
Të shkruarit nuk mund të jetë pronë e një katergorie të caktuar njerëzish. Nuk pretendoj se them ndonjë gjë tyë re. Ajo që dua të theksoj është fakti që në shkrimet e aviatorëve kemi larmi e gjeografi. Nëse piloti Qirjako Dhima, ka shkruar e po shkruan libra biografikë dhe encilklopedikë; inxhenjeri Xhevair Shega, në librat e tij u bën jehonë përpjekjeve të pakrahasueshme të efektivave të shërbimit inxhenjero-teknik, për t’u dhënë udhë problemeve të vështirë e të panjohur në teknikën ajrore, në kushtet e resurseve të kufizuar. Në këtë aradhë mund të futet dhe specialisti i aviacionit, për armatim, Fillota Koruni, i cili ka fiksuar çështje me rëndësi jetike, për aviacionin tonë, siç është problemi i përsosjes të pajisjeve dhe i përmirësimit të teknologjisë në lëmën e armatimit e në veçanti të katapultimit.
Ja vlen të nënvizohet një dukuri interesante. Shkrimet janë provokuar e kanë vërshuar, sa herë ka ndodhur ndonjë dukuri e pazakontë. U ul aeroplani jugosllav me pilot Bozhidarin, nga pilotët tanë : Mahmut Hysa; Gëzdar Veipi e Koço Biku dhe vërshuan shkrimet kushtuar kësaj ngjarje. Kreu uljen e detyruar piloti i ri Bilal Sina dhe nuk kishin të sosur shkrimet që i bënë jehonë këtij akti heroik. U prit sa të kryente aktin heroik piloti nga Brashta e Dukagjinit Ndue Mëhill Logu që të zgjohej muza e një ushtari, nga Petreshi i Elbasanit, i cili prirjen për t’u bërë poet e shfaqi me shumë forcë e talent në rastin e mësipërm. Sami Guzina, pilot helikopteri, ka kohë që lëvron në gjininë e poezisë e të prozës , por ngjarjet tronditëse i kanë dhënë shtysë krijimtarisë të tij letrare, etj.
Në praktikë gjallon një dukuri disi e çuditshme. Në vitet e transformimeve demokratike të jetës së vendit, kanë vërshuar, deri në befasi, mjaft shkrime, prodhim i mendjeve të aviatorëve, të cilat, më parë egzistonine diku “ flinin”, por nuk ishin shpalosur. Koha e pruri që tërë ai bagazh dijesh e talenti për të shkruar të dilte nga skutat ku ishte ndrydhur e të lulëzonte, siç po e shikojmë. Shumica e shkrimeve pasqyrojnë biografinë e autorit të tyre dhe, dikush, me “xhelozi të pashpallur” deklaron, si mohues i pabindur se shkrimet kanë këtë e atë mangësi, se dikush nuk ia vlen ta lexosh, etj . etj. Gjepura. Nuk mund të ketë shkrim që ti kënaqë të gjithë. Edhe nëse dikush, i cili provon, e në shkrim na servir jetën e tij, kjo, besoj, nuk i prish punë askujt.Ai që e lexon, le të marrë atë që i hyn në punë dhe të tillë, besoj se ka, në çdo shkrim. Sa më tepër shkrime të dalin në dritë, aq më e lehtë bëhet puna për seleksionimin e tyre. E them këtë mbasi, në shkrimet e kohëve të fundit, krahas disave që janë të dobët por jo të pavlerë, ka dhe shkrime si përpjekjet për të hartuar enciklopedinë e aviacionit tonë, ku në ballë të përpjekjeve qëndron veterani i aviacionit ishpiloti Qirjako Dhima, të cilat duhen përgëzuar. Ndoshta ia vlen të inkurajohen përpjekjet e Serafin Sheganit,Agim Ismailit,Hamza Kocit,Julqesar Gogës,Nestor Dhaskalit, shkrimet cilësore të Flamur Pupës etj. etj. të cilët pasqyrojnë anë të veçanta të jetës në aviacion. Në skenën e të shkruarit koha po nxjerr talente, si Agim Bacelli e ndonjë tjetër, në shkrimet e të cilëve, po të thellohet lexuesi, do të gjejë “ perla” të vërteta. Nuk bëhet fjalë për të “ përkëdhelur “ njërin e tjetrin por për ti dhënë sejcilit atë që i përket.
Të emocionon fakti kur mëson se aviatorët, në kohë të ndryshme,kanë shfaqur prirje të rralla, në fushën e përvetësimit të gjuhëve të huaja. Kjo nuk është një fjalë goje; as një konsideratë individuale. Ka një gjë që duhet thënë, madje me forcë. Aviatorët, si dhe kolegët e tyre të të njëjtit status, dalloheshin jo vetëm për mësimin e gjuhës së huaj por dhe për artikulimin, bukur e saktë të tëfolurit. Studenti Apollon Baçe psh. Ishte poliglot. Ai zotëronte mjaft mirë gjuhet: Rusisht;Gjermanisht; Anglisht; Italisht dhe Shqip. Më ka mbetur në mendje e nuk mund ta harroj, një diskutim të Mikel Jankut, në vitin 1960, në qytetin e Batajskut, kur ai ishte student për pilot. Nuk u habitëm vetëm ne , bashkatdhetarët e tij, me bukurinë e të folurit të Mikelit, por ca më shumë bënë të habiturin vendasit; të cilët pëlqyen zërin e qartë, fjalët e sakta, elokuencën e artikulimit të fjalëve dhe diskutimi u duartrokit nga më se 500 pjesëmarrës në atë aktivitet.
Sa bukur e flisnin Gjuhën Ruse, aviatorët: Dhori Simaku; Apollon Baçe; Fredi Tashko; Tajar Ramadani; Azbi Seranaj; Bardhosh Hasanaj;Ilija Marjani; Vaso Pesha; Andrea Toli etj. etj. Ka një lloj prirje, për të mësuar gjuhët e huaja, tek shqiptarët, në përgjithësi e tek aviatorët, në veçanti. Studenti Thoma Ngreci, i cili ishte në proçes mësimor, për teknik avioni, në Krasnodar, iu fut mësimit të gjuhës spanjolle, mbasi e përvetësoi, për bukuri rusishten. Studenti Spiro Moçka, kur ishte dërguar për të mësuar pilotimin, në Kinë, pas deklarimit i paaftë për të fluturuar, iu fut mësimit të gjuhës të vështirë kineze dhe lexonte lirshëm gazetën qendrore :” Jen Min Ji Bao”. Të mos flasim për studentët të deklaruar të paaftë për të fluturuar, të cilët iu përfillën punës për t’u bërë përkthyes të gjuhes kineze . Ata ishin: Sherif Hajnaj (Bracki); Enver Muça dhe Flamur Dede. Aleksandër Kola, e mësoi, si autodidakt, gjuhën angleze dhe atë italiane e u bë një përkthyes, me vlerë, etj. Çobo Skënderi, përktheu, nga gjuha ruse, lirikat e famëmadhit Sergej Jesenin, ashtu si Riza Lahi, shqipëroi “ perlat “ e letërsisë botërore, poezitë e Rumiut, etj. Dikush mund tëthotë se kjo është dhunti! Dakort, edhe ashtu është, por, po ata dhjetra aviatorë, të cilët, për arsye të ndryshme kanë emigruar në vende të tjerë, jo vetëm janë përshtatur shpejt , dhe kanë lënë gjurmë në fushën e krijimtarisë letrare dhe artistike. Vullneti dhe këmbëngulja janë armët e tyre të sigurta të progresit.
Bota e pasur e njerëzve të aviacionitu pasurua e u bë interesante kur përthithi mirësinë e pamatë të njerëzve të terrenit. Disa veprimtari të përbashkëta, njohëse dhe argëtuese sollën, jo vetëm njohjen reciproke mes pjesëmarrësve, por rritën dhe nivelin kulturor, e cila u reflektua në mënyrën e sjelljes së njerëzve; në punë e jashtë saj. Kuadrot e reparteve të aviacionit, duke shpërndarë përvojën e çmuar të lidhjeve të ngushta mes efektivave të regjimentit të Qytetit “ Stalin” edhe në repartet e tjerë të aviacionit e ngritën mjaft stekën. Hyrjet e daljet në familjet e njëri-tjetrit, si në gëzime dhe në mort, mbrëmjet e përbashkëta dhe vizitat në raste të veçanta festive, bënë të forcohet njohja e ndërsjelltë dhe lidhjet mes njerëzve, si dhe të “zbuten” shpirtrat e tyre. Vitet e fundit, përvoja është pasuruar me elementë të rinj, të cilët i përgjigjen kohës e sjellin më tepër dobi. Gjithsesi, në elemenet e rinj, diçka nuk ka ndryshuar por në çdo kohë mbetet një konstantee shkon në rritje. Është fjala për anën njerëzore, e cila mbetet tipari i brendshëm i njeriut dhe i ka rrënjët në shpirtin human të aviatorëve. Gjykojeni vetë: a është e drejtë që këtë pasuri shoqërore, të rrallë, këtë aset kombëtar, me vlerë, të braktiset dhe, tok me të, të zhduket vetë aviacioni ynë ciësor?
Pasi e “përpiva” me një frymë këtë shkrim brilant të Niazi Nelaj, u mundova më kot ti bëj një vlerësim ashtu siç e meriton pasi mendja nuk mundi dot ta shprehë atë që ndjeu shpirti! Por sidoqoftë, s’mund të rrij dot pa shkruar një, BRAVO, me gërma të mëdha dhe pa e falenderuar autorin me gjithë shpirt duke i uruar që të na dhurojë përsëri kënaqëi të tilla në të ardhmen.
Gjëja e parë që më erdhi në mendje kur lexoja pasqyrimin real të botës së pasur shpirtërore të aviatorëve shqiptarë, ishte ajo që më bëri të kuptoj se sa pakë e paskam njohur Jetën Shpirtërore të Aviatorëve, megjithëse me shumë prej tyre unë kam qënë shok, bashkëkohës dhe bashkëvuajtës në Llogoren Luftarake.
Për këtë informacion me kaq vlera dhe të shkruar kaq bukur, lus të gjej kohën e duhur e të shkruaj dy fjalë jo vetëm falenderuese që rrjedhin nga mirënjoja ime për autorin e talentuar por edhe për të dhënë edhe disa nga kujtimet e mija në lidhje me disa detaje që jep i nderuari Niazi, si psh në romanin e të ndjerit Agron Daci, unë kam qënë konsulnet i tij dhe përkrahësi më i zjarrtë që ta botonte që kur e shkrojti por disa persona me pushtet në Tiranë e penguan dhe sabotuan atë botim. Etj.
I dashur Niazi, një falenderim zemre keni nga unë. Do dëshiroja shumë që ky falnderim të bëhej edhe në emër të atyre që s’kanë mundësinë t’ju lexojnë dhe shkruajnë apo edhe më keq që nuk jetojnë më.
Falenderim edhe për përmëndjen me respekt të emrit tim të vogël.
Përqafime, Agimi
BOTA E PASUR E AVIATORËVE
15/04/2015 NIAZI NELAJ
Kur hyn në një repart aviacioni, ai që nuk ka qenë më parë, vështron disa gjëra, të cilat nuk i ka përjetuar më parë. Atij i krijohen ndjesi të tjera nga sa është mësuar të vështrojë. Bëhet fjalë për pastërti, rregull, disiplinë e të tjerë njerëz; në pamje e në sjellje. Sapo të hyjë në komunikim me një aviator ( nuk dua ta kufizoj gjeografinë e termit vetëm tek fluturakët, por e shtrij më gjërë, tek të gjithë ata që kontribuojnë për realizimin me sukses të fluturimit), rishtarit i bën përshtypje edukata e bashkbiseduesit, sjellja e kulturuar, horizonti, korrektësia dhe dashamirësia e tij. Pa u orvatur ti futem analizës të kësaj dukurie tipike, më jepet mundësia të nënvizoj disa çaste që mendoj se ia vlejnë dhe që e bëjnë të mundur këtë qendrim të tyre, i cili është tejet i njerëzishëm.

Në Tiranë, më 8 prill 2015
Përgatiti Niazi Nelaj