Category Archives: Njerëz

Zeqir Cama: Një urim për ditëlindje

Nuk e paskam të lehtë  të shkruaj për njerëz, me vlera krijimtarie si Ai. Qoftë dhe për ti bërë një urim, me rastin e ditëlindjes. Më 1 prill të këtij viti, miku im-Zeqir Cama, mbush 66 vjeç. Për një njeri të zakonshëm, nuk janë pak. Por, kur bëhet fjalë për një krijues cilësor, siç është Zequa ynë, kam ndjesinë se koha ka rrjedhur më shpejt nga ritmi i zakonshëm i saj. Për njerëzit e letrave, jeta lipset të matet jo me vite, por me krijimtarinë që na dhurojnë. Krijimtaria e mikut tim, Zeqir Cama, ka ardhur e begatë, si në lëmën e poezisë dhe në atë të prozës. Delli poetik nuk u ndahet shkrimeve të tij. Proza e Zeqirit, nuk qendron asnjë çap, prapa poezisë të tij, e cila është e ndjerë, në të gjithë kualitetet. Lexo të plotë

Komisari i mençur, Tafil Niazi Agaj: Pilot helikopteri i klasit të dytë, Dëshmor i Atdheut

Tafili u lind në fshatin Komar të rrethit malor të Tepelenës, më 10 janar të vitit 1950.Ai ishte fëmija i parë i familjes të përbërë nga 5 motra e 2 vëllezër. Familja dhe te afërmit e Tafilit, u lidhën ngushtë e qysh në fillim me Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, duke u bërë pjesë aktive e saj.Pushtimi fashist i vendit, më 7 prill të vitit 1939, preku thellë ndjenjat atdhetare të familjes, fisit dhe rrethit miqësor e shoqëror të Niazi Agajt. Lexo të plotë

Njeriu që ta rrëmbente punën nga dora

Është fjala për një njeri, specialist i mirëfilltë në fushën e aeronautikës me kontribute të jashtzakonshëm në aviacionin shqiptar, sa i takon përgatitjes te pilotëve. Emrin e tij e dinë gjithë ata që kanë kaluar nga startet e shkollës së lartë të aviacionit dhe janë diplomuar pilotë,puro shqiptarë. Të gjithë ata që e njohin Kostandin Sadikaj, i heqin kapelen, atij burri, për punën e jashtzakonshme që ka bërë, për shumë vite, në kabinën e aeroplanit dhe për karakterin e sjelljen e tij të pakritikueshme.

Kostandini, sot mbushi 80 vjec. Nuk mjafton vetëm urimi:  “ ta ketë jetën të gjatë”, në këtë përvjetor , i cili , sikur nuk më ngjan me përvjetorë të tjerë.. Me nje urim, sido të jetë ai, nuk besoj të shprehet ajo mirenjohje, e pakufishme që ruajnë, specialistët e ndryshëm , fluturues e jo fluturues, ata qe kane kaluar nga dera e ” shtrungës ” së tij, të nderuar,  të cilët vërshuan e mbushën radhët e reparteve të aviacionit.

Kostandini i takon brezit të pilotëve që është vendosur në ” mesin e artë ” të prurjeve të pasluftës së dytë botërore. Ai u bë pilot gjuajtës- bombardues, në Shkollen sovjetike te aviacionit, të qytetit të Borisoglebsit, qarku i Voronezhit, në ish Bashkimin Sovjetik. Shkolla ku studioi Kostandini, mbante emrin e pilotit të lavdishëm të viteve ’30, të shekullit të kaluar- “ Heroit të Bashkimit Sovjtik”- Valerij Çkallov. Në atë shkollë jepnin mësim pedagogë në nivele akademikësh dhe u mësonin fluturimin studentëve për pilotë,instruktorë me përvojë, mjeshtër të fluturimit si Safronov, Glinka etj. Shokë grupi të Kostandinit ishin: Mustafa Çiçi; Kapo Selmanaj ; Dalip Shabanaj; Avdi Gjonmemaj; Naun Todo dhe Nehar Jazexhi.

Katër vjet i vazhduan studimet, për pilotë, djemtë nga Shqipëria, të ardhur në këtë shkollë të ndierë në hapsirat sovjetike , për të mësuar aeronautikën, Kosta dhe shokët e tij të grupit. Atje fluturuan, në startet dhe pistat  e shkollës së Borisoglebskit, studentët shqiptarë, në avionët e lehtë mësimorë, me helikë- Jak-18A dhe më pas, në ata reaktive; Mig-15, në të dy variantet; fillimisht në sparkë, me instruktorin në kabinën e dytë e , më pas , në avionët luftarakë të këtij tipi- Mig-15 Bis.

E nisën shkollën për pilotë, në vjeshtën e vitit 1956 dhe e perfunduan atë në fundvitin 1959. Në shkollë, kostandini dhe shokët e tij të grupit, plotsuan programin e plotë të fluturimeve, sipas Kursit të përgatitjes së pilotëve gjuajtës-bombardues, përfshirë dhe përdorimin luftarak (kapjet, sulmet tipike, luftimin ajror, qitjet me top dhe bombardimet) me aeroplanin Mig-15 Bis. Në përfundim  të shkollës, ata udiplomuan pilotë gjuajtës- bombardues.

Në fundvitin 1959 pilotët e sapoardhur në Atdhe, u titulluan oficerë, me gradën e nëntogerit dhe u emëruan në të vetmin regjiment luftarak që kishte aso kohe vendi ynë, në Qytetin ” Stalin”. Ata u bënë pjesë e skuadriles ku komandonte piloti me pervoje, kolonjari Koço Andoni. Kostandini, dallohej ndër shokët e tij, për teknikë pilotimi të pastër, metodikë dhe aftësi për t’u transmetuar të tjerëve,ato që dinte vetë, prandaj u përzgjodh për të qenë instruktor i teknikës së pilotimit, në Shkollën e Aviacionit. Me kthimin e detyruar, nga shkollat sovjetike të aviacionit të stiudentëve për pilotë, kryesisht të grupit të Batajskut, në shtator të vitit 1961, një grup pilotësh, të regjimentit ” Peza”, të Qytetit ” Stalin”, ku ishte efektiv Kostandini, nisën përgatitjen për të fluturuar nga kabina e dytë, në rolin e instruktorit.

Koleget e tyre Sokrat Prifti; Agim Spahiu; Hamdi Arapi etj, kishin qenë instruktorë, me grupin e studentëve ku ndodhi katastrofa ajrore e Jovan Kacorrit, e cila u bë shkak për mbylljen e shkollës tonë të aviacionit. Por, kur u kthyen, të detyruar, pa përfunduar programin, studentët, për shkak të numërit të madh të tyre, rilindi nevoja e u krijua mundësia për të nisur serish fluturimet, në shkollë. Kësisoj u formua skuadrilja e tretë e regjimentit dhe Kostandini u caktua instruktor; së bashku me Salih Dibrën, Sokrat Priftin; Telo Dedin; Fazlli Begën etj. Fluturimet,  në stinën e lagësht zhvilloheshin në aerodromin e betonuar të Qytetit “Stalin”, kurse në verë, kur stina ishte e thate, eshelloni tokësor dhe ai ajror shpërnguleshin në Poro. Ne vitin 1963, kur në Poro fluturuan djemtë e grupit te Koço Bikut; Bardhyl Lubonjës; Roland Sofronit; Petraq Koroveshit; Bahri Përmetit; Stillo Mëlicës etj. Kosta ishte zv/komandant i skuadriles. Instruktorë të teknikës së pilotimit ishin: Mustafa Çici; Mahmut Hysa; Bardhosh Hasanaj; Azbi Seranaj dhe komandant i skuadriles – Salih Dibra.

E kam njohur Kostandinin nga afër, në punë të përbashkët.E kam patur shok, koleg, mësues,frymëzues dhe kritik dashamirës. Nëse mund të qepeshin, e të formonim një varg, të vetëm, me fjalët e mira që meriton Kostandini, them se vargu do të ishte i pafund. Po të mundja, këtë gjë do ta bëja, me shumë dëshirë për Kostandin Sadikaj. Një miku im, kur lexoi opinionin tim, për Kostën, shfaqi rezerva për njohjen time me të. Ai ka të drejtë, mbasi ka punuar më gjatë me Kostën. Por unë, mund të provoj se edhe aq sa kam punuar unë me atë njeri, është plotësisht kohë e mjaftueshme, për të thënë, me kurajo, ato gjëra që kam pikasur në portretin e tij. Nuk thonë mëkot në anët tona se : “ Dita e mirë duket që në mëngjes”. Kush e njeh më mirë Kostandin Sadikaj, është i lutur të shkruajë e të dëftojë ato që di.

Po i mëshoj fort një cilësie e cila bën beli e nuk ka nevojë për komente. Kostandini është njeri i punës, jo i fjalëve pa bukë. Me këtë dua të theksoj, e përsëris, të theksoj, se punët e shumta e të vështira  në skuadrilen reaktive të shkollës së aviacionit, ku ishte kostandini zëvëndës komandant dhe që nga viti 1975 deri në kohen kur doli në pension ishte komandant të gjitha punët i  bente ai dhe mbanin firmën e tij. Aftësitë teknike, organizuese e drejtuese  të Kostandin Sadikaj , ishin të dukshme , të kapshme  mbasi veprimet ai i kryente ne sy të të gjithëve.Në ajër, Kostandini ishte absolut. Pastërtia e tij në pilotim të bënte të skuqeshe. Ai i  ngjiste shigjetat, kur ishte fjala për të dëftuar një figurë pilotazhi apo një kompleks figurash.

Nuk e teproj, aspak, po të them se Kosta, ishte një metodist i rrallë. Ai nuk të linte të largoheshe nga përgatitja për fluturim, ai njeri, pa  ti zbërthyer e argumentuar të gjithë elementët e ushtrimit që do të plotsoje në ajër, një nga një e në tërësi. Kosta kishte një veçori, të cilën rrallë e gjen tek të tjerët. Ai ia transmetonte studentit, thuajse 100% të atyre që dinte vetë. Kjo është dhunti, tek njeriu, ajo nuk mësohet në shkollë apo me të thëna.Këtë dhunti të çmuar, Kostandin Sadiku e zoteronte në perfeksion.

Tek Kostandin Sadiku kam parë një pilot, i cili, në çdo punë e për çdo rast udhehiqte, me shembullin vetjak. Jo se nuk i dinte ai njeri pehlivanlleqet dhe shkeljet e disiplinës ajrore që mund të lejonte një pilot, kur ishte në kryerjen e detyrës ajrore. Por Kostandin Sadikaj, gjithnjë mbante parasysh se ishte mësues dhe, si i tille e kishte të qartë detyrën për të qenë model , ose pasqyrë , tek nxënësi i tij. Kostandini kishte kuptuar se detyra e tij ishte tu mësonte nxënësve anën më të mirë të çështjes; në rastin tonë- të fluturimit.

Kostandin Sadikaj ishte kundërshtar i papajtueshëm me megalomaninë. Ai nuk e duronte dot  kapardisjen, autoritetin falso e të tjera vese që e cënojnë figurën e një piloti.  Ai gëzonte respektin e të gjithë atyre që mësonte dhe të vartësve, në tërësi. Autoriteti i tij ishte i padiskutueshëm, por ai ishte  nje autoritet tjeter, i vullnetshëm, jo i imponuar. Autoriteti i Kostës kishte në themel qëndrimin e tij dinjitoz; figurën e tij të pastër. Çdo njeri ka huqet dhe veset e tij. Eshtë mirë të mos i ketë ato; por kjo nuk bëhet me urdhër. Nëse do të kërkoje një njeri të pastër në karakter; pa izma e vese të këqija, ky ishte, pa frikë se mos turpërohesh; Kostandin Sadikaj. Udhëheqja me shëmbullin vetjak ishte tipari dallues i tij. I përpiktë në zbatimin e kërkesave të instruksioneve e rregulloreve ushtarake e të fluturimit; njeri i sakrificës dhe i shkrirë me masën. Kostandin Sadikaj është modeli i njeriut të edukuar, të kulturuar e të qytetëruar. Po të doni polemizojmë:Jam i gatshëm në çdo kohë, ta bëj këtë. Më gjeni një tjetër pilot, instruktor, që të ketë rezistuar aq gjatë në kushtet e fluturimeve e të jetesës në aerodromin fushor te Poros? Unë e them , me kompetencë seata janë të rrallë.Po te pyesësh në repartet e aviacionit, ( e kam fjalën për të kaluarën se e tashmja nuk ngjan me të ), pilotët do të të rrefejnë se ata  i ka mësuar për të fluturuar Kostandin Sadikaj dhe Ahmet Zogu.

Thjeshtesia, është një tipar tjetër i qënësishëm i Kostandin Sadikaj. Shikoni sa interesante  është kjo çëeshtje: Kush nga ju e ka ditur qe Kosta, sot kishte ditelindjen? Mesiguri askush. Po përse ngjet kështu? Se Kostandin Sadikaj është njeri i punës dhe nuk ka nevojë ti bëjë reklamë vetes. Ai vështron punën dhe puna flet për atë. Dua të ve në dukje dhe nje tipar tjetër të tij; vetem mos u bezdisni nga fakti se problemi është folur e përfolur dëndur. Kosta e donte shumë avionin dhe fluturimin. Ai e kishte bërë moto të punës së tij, mësimin që na dhanë instruktorët e fluturimit , dikur, të cilët nënvizonin se : ” Aeroplani nuk të njeh; qofsh ti kush të duash; ai të kërkon të jesh korrekt me zbatimin e ligjeve të shkencës së fluturimit dhe kërkesave të rregulloreve e instruksioneve.Kush e ka njohur Kostën, në praktikë, mesiguri ka parë tek ai një “shtojcë” të instruksionit të teknikës së pilotimit. Nuk të falte Kosta, kur bëhej fjalë për të zbatuar një rregull. I lumtë për vullnetin, këmbënguljen dhe durimin që ka. Në përfundim, mund të them se: tek Kostandin Sadikaj kam parë një mësues, me M të madhe, i cili ia kushtoi jetën aviacionit reaktiv, në ato kushte të vecanta, tejet të vështirë, për të mësuar, siç duhet djemtë e zgjedhur të popullit, të cilëve u ishte besuar të ngjiteshin  në lartësitë e qiellit tonë!

Kostandin Sadikaj, sot mbushi 80 vjec. Ka fluturuar gjatë, në aeroplanët reaktivë, në detyrën e vështirë të instruktorit dhe është ndarë me detyrën, për shkaqe thjeshtë fizike, i nderuar e i respektuar nga të gjithë ata që e njohin. Uroj, nga zemra, që Kostandin Sadikaj të jetojë gjatë, sa të dojë vetë e sa të duan të tijët! Rëndësi ka shëndeti dhe vitaliteti, por dhe begatia, nuk është pa gjë. Kostandini  i mençur, siç edukoi e kaliti breza të tërë pilotësh, ka edukuar me së miri femijët e tij, të cilët janë të nderuar e të respektuar në komunitetet ku jetojnë. Rasti i Kostandin Sadikaj mund të jetë unik, jo vetëm tek ne, por dhe më gjerë. Lavdia u takon atyre që u bënë shtrat për t’u ngjitur, në lartesitë e njohura, të paimagjinuara më parë!

Shkurt 2015

Punoi Niazi Nelaj

Urim Petrit Bebecit, me rastin e ditëlindjes

Emrin nuk e zgjedhim vetë; atë e kemi dhuratë nga ata qe i duam e na duan shumë. Më së shumti, janë prindërit ata që e zgjedhin emrin tonë. Emri, siç thonë rëndom në trevën e Korçës, është kapistall. Por nuk është pa gjë, çdo emër ka simbolikën e vet dhe është domethënes.

Partizani i regjur Sado Bebeçi, i vuri djalit një emër zogu; e quajti atë Petrit. Petrit e donte të birin xha Sadua ; ti ngjante atij shpendit të egër, mjaft i zgjuar e i mprehtë dhe i shkathët. Dhe nuk u gabua ; Petrit Bebeçi i ngjau emrit që mban.
Sa herë urojmë dikë, fjalët e mira nuk i kursejmë, por i derdhim, si lumë. Mirë bëjmë, se njeriu i mirë e do një fjalë të mirë, me qëllim që të ndihet mirë. Disa herë urimi del nga zemra e është i bazuar në realitete të dukshme e të prekshme. Ka dhe raste, në të cilët, fjalët e mira dalin për inercion; ndjekin gjurmët e rutinës. Ditëlindja e Petrit Bebeçit nuk ngjan me të tjerat; ajo është e veçantë, në llojin e vet, siç është i tillë vetë Petriti.

Petrit Bebeçi, erdhi në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, për t’u bërë pilot. Ai kishte kryer Shkollën e Mesme Ushtarake “ Skënderbej”, një nga gjimnazet më të mirë të vendit, ku ishte formuar, kalitur e burrëruar, në vazhdën e traditave të familjes e fisit, nën një disiplinë e rregull, të fortë ushtarak; me tiparet e një djaloshi që i shkëlqenin sytë e i vlonte, si zjarr, atdhetaria. Petriti trashëgoi nga të parët vlera të spikatura dashurie, për vendin dhe kishte në gen guximin, trimërinë dhe përkushtimin për t’u vënë në roja të trojeve amëtare.
Në shkollën e pilotëve, ku Petriti u fut në hullinë e fluturimeve, ai u gjend mes një grupi djemsh të përkryer, shumica e të cilëve, vinin nga “ shtrunga” e shkollës “ Skënderbej”, me të cilët ai njihej prej kohësh e kishte shoqëri. Instruktor i teknikës së pilotimit, në avionët reaktivë, ishte “ Divi” Guri Merkaj. 19 shokët e grupit të tij ishin njëri më i mirë se tjetri. Luto Sadikaj ( ndjesë pastë); Vangjel Koroveshi ( ndjesë pastë); Sabri Toçi ( ndjesë pastë); Stiljan Tanka ( ndjesë pastë ); Bego Hoxha (ndjesë pastë); Dhimitër Vasho ( ndjesë pastë); Alqiviadh Dede; Isa Arapi; Hetem Aliaj; Lutfi Jaho; Flamur Pupa; Lutfi Hyseni ( ndjesë pastë) etj.

Petrit Bebeçi u diplomua pilot gjuajtës-bombardues, me të dhëna shpresëdhënëse, për perspektivën e tij të afërt. Në Regjimentin e Rinasit, ku ai u emërua, në fundvitin 1966, Petriti gjeti një mjedis të favorshëm e shkëlqeu, si fluturues, me të ardhme . Ishte “ me fat” djali i Sado Bebeçit, se, në atë kohë, në Rinas fluturonin disa nga “korfejtë” e aviacionit shqiptar si Haki Jupasi ( ndjesë pastë); Agron Daci ( ndjesë pastë); Mahmut Hysa ( ndjesë pastë); Andrea Toli ( ndjesë pastë); Roland Sofroni ( ndjesë pastë); Bilal Josa; Bardhyl Lubonja; Gezdar Veipi; Halit Bulku; Nestor Dhaskali; Dhori Zhezha etj.

Në gjurmët e sipas shëmbullit të tyre, Petriti u formua e u poq, si pilot klasi dhe kaloi, nga njëri tip avioni, në tjetrin, deri në më të sofistikuarin e kohës Migun 21F. Me çeljen e Regjimentit të ri të aviacionit, në Gjadër, Petrit Bebeçi u ndodh në krah të komandantit të Regjimentit të sapoformuar, së bashku me një grup djemsh të talentuar që fluturonin, si ai, në avionët Mig-21F. Duke qenë në detyrën e komandantit të skuadriles së tretë dhe në atë të zëvendëskomandantit të regjimentit, për fluturim, Petriti, si specialist i mirëfilltë i fluturimit, si në Regjimentin e Gjadrit dhe në atë të Rinasit ka dhënë kontribute me vlerë, në lëmën e ngritjes profesionale.

Pas daljes në pension, mes peripecive të pabazuara në realitete konkrete, Petriti nuk rreshti së kontribuari në të mirë të familjes biologjike dhe për aviacionin, në tërësi. Kur është në pension, njeriu ka tjetër mënyrë të jetuari e të menduari; ndjesitë e tij nuk janë më si më parë. Kush e njeh nga afër Petrit Bebeçin, mesiguri e ka vënë re se ai e ka mendjen tek avioni e në fluturim. Siç duket, ai nuk është “ i ngopur”me ajrin e tashmë, për shkak të moshës, u referohet kujtimeve të kohëve që nuk vijnë më.

E shikoj të jetë aktiv në takime e në mbledhje përkujtimore.Po shkruan përvojën e tij dhe të shokëve, në çështjet e të fluturuarit. Mirë bën që shkruan, mbasi ka çfarë të dëftojë dhe ato që dëfton ai janë të jetuara; jo të dëgjuara. Më emocionon fakti që i biri, Ditjoni, edhe pse nuk e ka patur fatin të fluturonte si i ati, me faqen që menaxhon në facebok, kushtuar aviacionit ushtarak, po i bën një shërbim të pallogaritshëm fiksimit dhe propagandimit të vlerave heroike të kësaj arme të dashur të popullit tonë.
-Me rastin e ditëlindjes, ndihem i privilegjuar, të uroj, këtë “ aset” të eronautikës shqiptare për jetë të gjatë e të gëzuar, vetjake dhe në familje!

Në Tiranë, më 30 maj 2015

Niazi Nelaj

Jovan Llazi Kaçorri, kursant për pilot, dëshmor i atdheut

Jovani u lind në fshatin Boboshticë të rrethit të Korçës, më 5 mars të vitit 1938 , në një familje të njohur për atdhetari e traditë. Ai erdhi në jetë nga dy prindër të thjeshtë , me jetë familjare të rregullt ku mes fëmijëve të shumtë sundonte edukata e shëndoshë , lidhje të forta mes tyre , te afermve dhe miqve e shokëve të shumtë dhe marredhënje tepër korrekte e dashamirëse me fqinjët.Familja e Jovanit , si shumë boboshticarë spikatnin për edukatë të shëndoshë e kulturë qytetare.Jovani , erdhi në jetë si fëmija i gjashtë i familjes; pas Elisabetës; Dhimitrullës; Vangjelisë; Todit dhe Vasilikës. Pas tij , u lind Gaqua , si për të shënuar mbylljen e lindjeve të çiftit  Llazar e Guçe Kacorri. Llazi doli partizan dhe femijet e shumtë i mbeten nënë Guçes , për rritje dhe edukim.  Fëmijët e mëkëmbur , nënë Guçja , si për ti ardhur në ndihmë te shoqit partizan , i aktivizoi për të shpërndarë trakte e komunikata . Jovani , aso kohe ishte ende i mitur  e ishte i lumtur të qendronte pranë nënës. Në lojërat me moshatarët dhe në ngjitjen nëpër pemët e shumta të fshatit e për kapërcimin e gjerdheve që ndanin kopshtet , Jovani shfaqi  zgjuarsi natyrale dhe shkathtësi fizike  si dhe tipare të tjera që paralajmëronin të ardhmen e tij. Lexo të plotë

Sherifi, nostalgjiku i përjetshëm i fluturimve

Studentet per pilote ne Batajsk

Bëhet fjalë për një njeri, të prerë për t’u bërë pilot, të cilin, fati nuk e lejoi të prekte ëndrrën

Sherif Çelo Hajnaj ( Bracki), u lind në Patos të Vjetër, më 16 prill të vitit 1942, nga dy prindër, me origjinë nga vise të ndryshëm të vendit. Babai i tij- Çelo Shako Hajnaj ( Bracki), me origjinë nga fshati Brataj i rrrethit të Vlorës, u fut “ dhëndërr brenda “ në familjen e Rabijes, nga Rerësi i rrethit të Fierit. Çifti i sapomartuar : Rabije e Çelo Hajnaj ( Bracki ) u shtua, brenda pak vitesh me plot 8 fëmijë. Xha Çelua, burrë me haber e reputacion, nuk mund të vazhdonte të ishte “i vetëm”, në atë derë. Sherifi erdhi në jetë, i pari fëmijë i familjes që u shtua, me shpejtësi.Pas tij, erdhën në jetë: motra Bahrije; Shakua dhe binjkja e tij – Natasha; Sazani; Vjollca; Gjergji dhe, më në fund Drita. Lexo të plotë

Çapkëni i Ijes, i lindur për të fluturuar, “ pushtoi” shtigjet e qiellit

Bilal Josa

Kushtuar pilotit ushtarak të klasit të dytë Bilal Murat Josa; guximtarit që la gjurmë në fluturim.

Dy fjalë, në vend të hyrjes
Sa herë jam përfillur për të shkruar diçka për shokët e mi, të cilët janë në jetë, jam prapsur, nga droja se mos koha sjell ndonjë ndryshim të papritur. Një miku im, dashamirës e i mençur, më sygjeroi : ”Po ti, përse shkruan vetëm për ata që janë ndarë nga jeta? Po të gjallët,a nuk kanë bëmat e tyre, të cilat duhen bërë të njohura për të gjithë”? Apo nuk janë të njohur, për ty? Sa të drejtë i jap, atij miku të nderuar e me shpirt të mirë! Në proçesin e reflektimit, gjykova: kur një njeriu si Bilal Murat Josa, “ i këndohet kënga kur është në jetë”; nuk është e vështirë të kuptosh se ai dikush është e diçka ka bërë. Bilali, jo vetëm ka qenë dikushi, por gjurmët e punës së tij, në rritjen profesionale të pilotëve, mbeten të pashlyera . Ato përbëjnë një përvojë të vyer, e cila ka nevojë të studiohet e të përgjithësohet, pavarësisht se kohët erdhën të tilla, kur aviacionit tonë nuk i ka mbetur as nam; as nishan. Lexo të plotë

Xhulian Petraq Popa – Shturman fluturues i klasit të dytë

Xhulian Petraq Popa

Çdo njeri, gjatë jetës e shkruan vetë historinë e tij. Ky është një përfundim, i nxjerë nga jeta,i cili nuk ka nevojë të vertetohet. Disa, me punën dhe sjelljen e tyre, lenë gjurmë të pashlyera dhe të prasmit përpiqen tu ngjajnë, teksa ka të tjerë që, gjatë jetës vegjetojnë e kalojnë pa u ndierë. Për këta nuk kujtohet njeri t’u bëjë jehonë bëmave apo gjëmave që lënë pas. Lexo të plotë

Një copëz historie

mig19PM

Shkrim, kushtuar dymbëdhjetë pilotëve që kryen kalimin, të parët, në aeroplanët superzanorë, gjuajtës-kapës- Mig-19PM, të pajisur me raketa të drejtuara ajër-ajër

Dekada e fundit e viteve ‘5o të shekullit të shkuar njihet si periudhë e kalimit të aviacionit të vendeve të Traktatit të Varshavës, nga aeroplanët me shpejtësi parazanore në atë mbizanore. Koha shtroi detyrën e pajisjes të reparteve të aviacionit të mbrojtjes kundërajrore me aeroplanë gjuajtës-kapës të kompletuar me mjete goditëse të sofistikuar, të cilët lejonin interceptimin dhe goditjen e shkelësve të hapsirës ajrore, në kushte të vështirë të motit, sidomos, natën, në e mbi re, në lartësi stratosferike, me shpejtësi fluturimi, sipër asaj të zërit, në largësi të ndieshme. Lexo të plotë