Komisari i mençur, Tafil Niazi Agaj: Pilot helikopteri i klasit të dytë, Dëshmor i Atdheut

Tafili u lind në fshatin Komar të rrethit malor të Tepelenës, më 10 janar të vitit 1950.Ai ishte fëmija i parë i familjes të përbërë nga 5 motra e 2 vëllezër. Familja dhe te afërmit e Tafilit, u lidhën ngushtë e qysh në fillim me Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, duke u bërë pjesë aktive e saj.Pushtimi fashist i vendit, më 7 prill të vitit 1939, preku thellë ndjenjat atdhetare të familjes, fisit dhe rrethit miqësor e shoqëror të Niazi Agajt.

Që në fenijëri,Tafili veçohej nga bashkëmoshatarët, në mëhallë e në fshatin e lindjes, përnga zgjuarsia natyrale, shkathtësia dhe shpirtmirësia.Tek djali, akoma i parritur, ishin të prekshme dëshirat dhe interesat për të përftuar sa më shumë dije, nga shkolla e  nga jeta. Tafili, qyshse ishte i mitur, aq sa mundej e si i vinte pë doresh, i vinte në ndihmë nënës dhe babait, duke treguar dashuri për punën dhe interes për botën që e rrethonte. Siç duket, si vella i madh i atyre 6 femijeve dhe djali i parë i familjes, e ndiente përgjegjësinë që kish për vëllanë dhe motrat më të brishtë.

Mësimet e para, Tafil Agaj, i mori në fshatin e lindjes, në Komar të Tepelenës dhe ne qytetin Jugor të Pashait të Janinës, mes njerëzve të zgjuar e trima dhe të etur për dije.Ai, duke dëftuar interesa për t’u arsimuar, me punë këmbengulëse, u bë nxënësi më i mirë i klasaës dhe i shkolles, si në fshatin ku u lind dhe në Gjimnazin e Tepelenës.Tafili kishte synime të qarta për ta parë veten në radhët e të arsimuarve dhe dëshironte të bëhej një njeri me kulturë të gjerë, i pajisur me dije shkencore.

Shkollën e mesme Tafil Agaj e kreu ne qytetin  Verior të Shkodrës, në degën e veterinarisë. Edhe në këtë shkollë,vazhduan e u ravijëzuan më qartë kërkesat vetjake të tij, ku binte në sy prirja për t’u thelluar në përmbajtjen shkencore të mësimeve që përmbante programi shkollor. I paplotsuar me ato që mësonte sipas programit,Tafili studionte literaturë, jashtë shkollore, me synimin e qartë për të përthithur sa më tepër dije e kulturë. Siç më dëftoi ish bashkënxënësi tij, i shkollës së mesme, i moshuari Fadil Velaj, nga Ballabani i rrethit të Përmetit: ” kur përgjigjej në mësim Tafili, ne, të klasës së tij dhe mesuesit tanë, mbeteshim  “gojëhapët” nga përgjigja e tij me njohuri të thella e të sakta, që kishte djali nga Komari i Tepelenës”.Profili i veterinarit dhe kufizimet programore të shkollës, nuk e kënaqnin interesin kulturor të Tafil Agajt. Me qëllim që të plotsonte  kërkesat e tij intelektuale, e për të studiuar shkencë të mirëfilltë, ai, aq sa e lejonte pjekuria e moshës, i hodhi sytë nga aviacioni,  ku mësohej e aplikohej shkencë egzakte, mbi dukuritë ajrore, të cilat, ai i kishte për zemër.

Në vitin 1968 ( në vjeshtë ), me vullnet të plotë, ndoshta dhe pa e pleqëruar me prindërit, Tafil Agaj dhe shoket e tij: Osman Kushta; Shpëtim Baxhaj; Janaq Jorgji; Llazar Ndini; Veledin Resuli; Petrika Mita; Klement Aliko; Riza Lahi; Ylli Sinaj etj. u ul në auditorët e Shkollës së Lartë të Aviacionit, në Vlorë.Tafil Agaj e kishte ndarë mendjen = do të bëhej pilot. Si më parë, edhe në këtë shkollë, tek i riu Tafil Agaj spikatën e u shumuan kërkesat për t’u thelluar në literaturën shkencore të profilit. Në Shkollën e Lartë të Aviacionit, Tafili gjeti kushte të përshtatshme për të studiuar , në mënyrë të thelluar.

Ai vijoi të ishte në radhët e para të djemve që mësonin për t’u bërë pilotë, me horizont e aftësi praktike.Ia ” rrëmbente” nga goja spjegimin dhe argumentimin e domosdoshmrisë të veprimeve, në tokë e në ajër, instruktorit të tij të parë, capkeni trim dhe i shkathet Roland Permeti. Intuita e zhvilluar, mendjemprehtësia dhe logjika e shëndoshë së bashku me shkathtësinë tipike të Tafilit, nuk vonuan të jepnin efektet pozitive edhe në procesin e përvetësimit të elementëve të fluturimit.Ai kishte aftësinë për t’i kapur shpejt e për t’i përvetësuar qendrueshëm proceset që ndodhin në aeroplan, në tokë e në ajër. Kësisoj, Tafili orientohej lehtë me situatën ajrore dhe u jepte zgjidhje të pranueshme kërkesave të detyrave që shtronte instruktori dhe instruksionet përkatëse të fluturimit. Tafili nuk ishte një regjistrues i rëndomtë veprimesh por, duke bërë analizë të thelluar, depërtonte në brendësi të dukurisë ajrore. Kjo i jepte atij mundësine të ishte më larg premisave dhe ngjarjeve të papëlqyera dhe të vepronte, në çdo rast, me imiciativë e me kompetencë shkencore.

Në vitin 1970, Tafil Agaj dhe shokët e tij të grupit, ata që ishin të piketuar për t’u bërë pilotë helikopteri,kryen kalimin, në helikopterin Mi-4, i cili, siç dihet nuk ngjan me aeroplanin, edhe pse të dy janë aparate fluturues. Ishte me fat Tafili që veçoritë e shfrytëzimit të helikopterit i mësoi mes mjeshtërve të medhenj të fluturimit në helikopter, si: Lulo Musai  (Spahaj ); Ndue Logu; Hetem Mehmeti; Selman Meçe; Manush Kreshpa; Sejdo Kamberi etj. Instruktor të teknikës së pilotimit ishte babaxhani, kokëplotë, toleranti me shpirt të madh, i paharruari Vangjel Vangjel Postoli( ndjesë pastë). Tafil Agaj, njëherazi mësoi mjaft nga korifejtë e njohjes dhe të shfrytëzimit teknik të helikopterit, Mi-4, si Andon Koroveshi; Tajar Ramadani; Vebi Punavija; Naltor SHehu; Petrit Levanaj ; Dajlan Birce; Fatmir Karaboja; Gaqo Rrapi, etj. mësoi prej tyre, veçoritë e shfrytëzimit të makinës luftarake, në tokë e në ajër, mbasi ishte me prirje të theksuara, për të mësuar, në mënyrë të thelluar! Fluturinet me helikopterin Mi-4, së bashku me grupin e studenteve të tjerë për pilotë ku bënte pjesë Tafili, u zhvilluan në fushën me dimensione “gjigande” të Shtoit, në rrethinat e Shkodres.Më 14 shtator të vitit 1970, Tafili dhe shokët e tij të grupit, u diplomuan pilotë në helikopterin e mesëm- Mi-4 dhe u titulluan oficerë, me gradën e nëntogerit.

Tafil Agaj, u rrit, në moshë e në profesion dhe u maturua duke qenë efektiv i Regjimentit të Helikopterëve, në Farkë, mes kuadrove drejtues të aftë profesionalisht e metodiste të dalluar, të sjellshëm e të kulturuar dhe në shoqërinë e kolegëve të rrallë, si për nga aftësitë profesionale dhe nga shkalla e edukatës e kulturës. Shokë të afërt të tij ishin pilotët me interesa të gjëra, si: Veledin Resuli ( ndjesë pastë); Shpëtim Baxhaj; Osman Kushta; Janaq Jorgji; Sinan Çela ( ndjesë pastë), etj  si dhe në shoqëri të ngushtë me Vangjel Vangjel Postoli ( ndjesë pastë), i cili iu bë Tafilit si vëlla e si mik i afërt, i çiltër. Në shoqërinë e djemve të tillë, të cilët ishin, njëri më i mirë se tjetri, Tafil Agaj kishte çfarë të mësonte dhe mësoi mjaft, prej tyre. Në një mjedis “ pjellor”, i rrethuar nga dashuria e dashamirësia e shokëve dhe eprorëve, me vullnetin dhe këmbënguljen që ishin tipare esenciale të tij, Tafil Agaj , dita –ditës zhvilloi e ngjiti aftësitë profesionale , duke u bërë “mjeshtër” i shfrytëzimit të helikopterit Mi-4, si pilot i talentuar dhe u poq e u kompletua me dije , në fushën teorike, e u shndërrua në një mësues dijeshumë e metodëmirë, në fushën e edukimit.

Idhull i tij ishte beratasi ” shpirtmadh ” e me pervojë të gjatë në lëmën e pilotimit të helikopterëve,Vangjel Postoli. Prej Vangjel Postolit, Tafili mësoi mjaft, jo vetëm se ishte kërkues dhe i përvetësonte shpejt përvojat e “ komandantit” të tij, por dhe për faktin se Vangjeli i jepte shumë iniciativë, “vartësit”. Në përbërje të ekipazhit organik, me të cilin fluturonte shpesh Tafili, ishte përmetari fjalëpakë e mjaft i sjellshëm, i matur e i qetë , pilotin Agim Qesaraku.Dëshira dhe përpjekjet këmbëngulëse të Tafilit, për t’u thelluar në studimin e literaturës artistike, tekniko-shkencore dhe politike, e formuan atë si një njeri me horizont e kulturë bashkëkohore. Me horizontin e gjër që kish dhe me bagazhin e dijeve, në të gjitha fushat e jetës, thuajse në të gjithë konkurset që zhvilloheshin; bazë regjimenti apo bazë aviacioni  aviacioni e më gjerë, Tafil Agaj, ishte jo vetëm i pranishëm, por ai, plot aftësi e kompetencë, luante rolin e ” violinës së parë”. Siç më deftoi piloti në pension, Agim Qesaraku, i cili, ka meritë të veçantë, në këtë rrëfim, Tafili kishte shkrim me kaligrafi të pashme, për t’u patur zili. Agimi më dëftoi dhe  një fletore, personale të Tafilit, e cila mban datësinë e para 30 vjetëve të cilën Agimi e ka mblojtur me kujdes e dashuri  të veçantë, si një kujtim i bukur, nga shoku i tij i  mirë e i paharruar.

Tafil Agaj u ngjit në detyrë, si pilot e si kuadër, me meritë e shkallë- shkallë, deri në funksionin e nderuar të komisarit të skuadriles së tretë, në Regjimentin e Helikopterëve falë   cilësive vetjake që ai shfaqte përditë e vazhdimisht. Ai u bë njëri nga pilotët më në zë të regjimentit dhe një njeri, të cilit i zinte vend fjala e i kishte lezet kuvendi. I takoi të punonte me njerëz të komunikueshëm, të edukuat e të kulturuar dhe me vullnet për të punuar , me përkushtim, por ai , kishte në skuadrilen që drejtonte edhe tipa “të vështir”, të cilëve ” ua hante zemrën ” me fjalën e ngrohtë, e cila ” ngjiste” e ishte bërë si melhem.

Vlerat e tij të veçanta dhe pjekuria si pilot e si kuadër,shpirti i tij human, u vunë në provë serioze, në mjaft raste, kur ekipazhet e helikopterëve u thirrën për t’u shkuar në ndihmë njerëzve që kishin rënë në fatkeqësi natyrore e u rrezikohej jeta dhe pasuria. Në përbërje të ekipazheve të ndryshëm, ku shpesh ishte në rolin e komandantit të ekipazhit, Tafil Agaj, me helikopterin e tij, u gjend, në mjaft fshatra e qendra të banuara në çdo cep të Shqipërisë, ku çonte shumë shpresë e dhuronte shpëtim. Në Vilë të Kukësit; në Lurë; në Dukagjin; në malësitë e Pukës e gjetkë, zhurma e helikopterit të Tafilit, në disa raste fatkeqe, çoi kujdesin që dëftohej për njeriun dhe pasurinë e tij, në atë kohë. Edhe pse djalit nga Komari, të ndodhurit ne nevojë nuk ia dinin emrin, puna e tij e vështirë por plot pasion dhe sakrificat e shumta, që bëri Tafili dhe kolegët e tij, ia rritën emrin dhe ia shtuan famen Regjimentit të Helikoptereve. Zhurma e helikopterit u bë e dashur dhe shpresëndjellëse , anë e mbanë vendit.

E kam njohur nga afër e në punë të përbashkët gjatë një periudhë 10 vjeçare.Për të formuluar këtë opinion bisedova e tërhoqa mendime nga mjaft bashkëkohës, shokë e miq dhe familjarë të Tafilit. Nuk gjeta , asnjë njeri, i cili e ka njohur Tafilin të thosh një fjalë të keqe, për atë njeri. Ai, çdo lavdërim e fjalë të mirë e meritonte. Do të shtoja se, sido që të shprehemi e çfarëdo fjale të mire të themi, për figurën e tij të ndritur, jam i sigurt se diçka do të mbetej pa thënë. Tek Tafil Agaj qëndronin për bukuri, në harmoni me njëra-tjetrën, prane e pranë: zgjuarsia natyrale; mendjemprehtësia; thellësia e mendimit; zemra e mire; iniciativa e veteveprimi; gjykimi i pjekur e i pavarur; dashamirësia dhe sedra për së mbari.Zemrën e kishte plot zjarr e fjalën të ëmbël, si mjaltë, Tafil Agaj. Në gjykimin e punëve e të veprimeve te njerëzve, Tafili, nuk nxitohej por i  peshonte gjërat me kandarin e paanësisë. Bindjeve të tij dhe logjikës të shëndoshë në argumentimin e gjërave, ishte e vështirë tu bëje ballë. Tafil Agaj, vërtet ishte tolerant por nuk bënte lëshime në parim. Ai ” nuk të hapte udhë, lehtë”! Keto tipare pozitive, ia rritnin autoritetin e ia shtonin dashurinë, tek njerëzit me të cilët ai punonte. Çiltërsia dhe drejtësia që tregonte, bënë të mundur që Tafil Agaj, me dhimbsurinë e tij të rrallë, ngjitej në lartësinë e një ” tribuni “, në repart e në mjediset ku banonte dhe të ishte një bashkëshort, prind, vëlla e bir i denjë i atyre njerëzve të mirë që ndikuan në forminin e tij.

Tafil Agaj, në çdo rast e për çdo gjykim, përpara vinte logjikën e shëndoshë; jo pasionin apo interesin e çastit. Kësisoj, ai, siç thonë në këto anë: “nuk vinte qerren përpara buajve”. Tafil Agaj ishte sedërmadh. Ai i dëshironte arritjet e repartit që drejtonte dhe  mbronte ato , me këmbëngulje. Tipar që e veçonte nga mjft të tjerë, ishte guximi për t’u ndeshur, me këdo, për të vërtetën. Ai ishte nga ata njerëz që “ të shikojnë në sy” dhe kanë kurajon ti thonë të vërtetat, siç janë, pa iu dridhur qerpiku e pa u merakosur se ndokujt nuk i shkonte për shtat çiltërsia e tij. Nuk i hidhte kurrë “ poshtë njerëzit me të cilët punonte Tafil Agaj”. Veç, kur tjetri bënte gabim, nuk e linte pa ia vënë në dukje atë, veçmas, jo në sy të të tjerëve, që ta fyente. Kështu , Tafili u bë edukator i kualifikuar e ” i ngjiste fjala”. Pastërtia e shpirtit te tij u kishte mbyllur udhën hakmarrjes, mëllefeve, zemërimit e nxitimit .

Tafili njihte dhe respektonte traditat e mira të popullit tonë dhe ishte një atdhetar i zjarrtë. Ai kishte zë të ëmbël dhe këndonte, me pasion e bukur këngën labçe dhe këngët e trevave të tjera të vendit tonë. Në buzët e tij kishte lezet,fjala dhe kënga.Shpirti human dhe dashuria e pakufishme për tjetrin u shpalosën,  dukshëm dhe në ngjarjen e 22 nëntorit të vitit 1989, kur ai dha jetën, për t’u shkuar në ndihmë të aksidentuarve në fshatin Kudhës të Himares. Tafil Agaj, ky komisar zemërzjarr e fjalëshpatë, u nda nga jeta, në kulmin e pjekurisë, si njeri e si specialist i fluturimit duke lënë pas një emër të mirë, i cili do të kujtohet, në jetë të jetëve. Eruditin gojëmjaltë e të përkushtuar do ta kujtojnë fëmijët, bashkëshortja , vëllai , motrat, shokët e punës e të jetës dhe të gjithë sa e njohën atë njeri të mirë.

I paharruar qoftë, në jetë të jetëve kujtimi i tij i ndritur!

Një shaka e këndshme, nga jeta e “ heroit të rrëfimit”: Sipas të thënave të shokut të tij të klasës, ingjenierit te minierave, Adem Malasi:

Citoj: ” Në vitet e shkollës shtatëvjeçare, në qytetin e Tepelenës, me Tafilin ishim në të njëjtën klasë. Tafili ishte nxënësi më i mirë i klasës dhe i shkollës.Ai ishte i pari i klasës dhe me i dalluari  në shkollën tonë.Në të gjitha lëndët, dijet e tij ishin absolute.Lëndën e Gjuhës Shqip dhe letersinë, në atë kohë i drejtonte mësues Krenari, nga fshati Luzat i Tepelenës.Nole,  i thonim, me përkëdhelje. Tafili e donte shumë letërsinë dhe e studionte atë në mënyrë të thelluar. E ngrinte në dërrasë të zezë, mësues Nolja, e Tafili jepte gjithnjë përgjigje shumë të mirë. Për habinë tonë dhe të vetë Tafilit, mësuesi ynë i nderuar, e vlerësonte shokun tonë të mirë, me notë negative:dysh – i thonte ai!Tavolina e mësuesit, ku ndodhej regjistri ishte larg nxënësve e ne nuk shikonim dot, notën që shënonte Nolja , në regjistër.Kështu vepronte mësues Krenari, sa herë e ngrinte Tafilin, në mësim. Turfullonte Tafili,me veten e tij, për arsye se e dinte si ishte përgjigjur, por kurrë nuk u ankua për padrejtësi.Krahasonim përgjigjet tona me ato të shokut tonë dhe vlerësimin e mësuesit dhe skuqeshim nga turpi. Ku ne e ku Tafili? Këtë e kishte vënë re dhe shoku ynë, por nuk ndihej.

Në fund të vitit mësimor, u nxorrën notat përfundimtare e u ndanë dëftesat . Mbetëm pa frymë e na shkëlqyen sytë, kur mësues Krenari lexoi vlerësimin . Ai deklaroi:” Tafil Agaj, vlerësohet me notën “5 me yll” !Habia që na goditi fillimisht, u shndërrua në gëzim e kenaqësi edhe pse e dinim të vërtetën. Edhe ne, kështu e kishim vlerësuar shokun tonë brilant! Dikush nga shokët, me zë të ulët pëshpëriti: ” Vajti haka tek i zoti” ! Qeshëm të gjithë. Ia thamë dhe Noles. qeshi dhe ai!

Në Tiranë, më 30 prill 2014.

Përgatiti Niazi Nelaj

2 thoughts on “Komisari i mençur, Tafil Niazi Agaj: Pilot helikopteri i klasit të dytë, Dëshmor i Atdheut”

  1. I , NDERUARI NJAZI , KORIGJOJE , PAK GABIMIN TEKNIK ,QE KE BERE , PER TAFIL AGAIN . NE RADHE TE PARE , KA QEN KURSANT , ME INSTRUKTOR , ROLAND PERMETIN DHE JO ME AHMET KAMBERIN , E DYTA , SIMBAS PRETENDIMEVE TE TAFILIT , AI ISHTE NGA BUZI TEPELENES . GRUPI I TIJ KA QENE . MANE BULLUTI , NGA KELCYRA E PERMETIT , GARITO VITO , NGA TOPOVA E GJIROKASTRES , TAFIL AGAJ , NGA BUZI TEPELENES DHE FATMIR KERTALLI , NGA SHIJAKU .
    ME RESPEKT , ISHI ROLAND , PANDELI , PERMETI .

    1. Pershendetje Roland, kam korrigjuar faktin qe ti keqene instruktori i tij e jo Ahmet Kamberi. Per te tjerat , mendoj se nuk ia vlen fare te behet korrigjim. Fshati Komar , eshte atje ku ka qene, mot e jete dhe Buzi , ka qene lokalitet ku perfshihej dhe Komari. Sa per shoket e grupit fluturues , mendoj se nuk ia vlen te besh korrigjim. Nese ndonjeri kembengul qe ti dale emti , po e bej , per hatrin e tij. Te fala

Comments are closed.