Sa mirë e bëmë! Takohemi rrallë e për mall; por takohemi. Bëhet fjalë për ata që kanë mbetur në jetë. Siç u bënë njoftimet e shokëve, jo pa vështirësi u takuam më 2 tetor 2016, në Tiranë, tek “partizani i panjohur”. Zgjodhëm orën 11.00, të gjysmës së parë të ditës, jo pa qëllim. Dikush erdhi nga rrethet, të tjerë, edhe pse banojnë në kryeqytet, me zor ngrihen, në mëngjes. Mosha e tretë që po përjetojmë, na ka bërë përtacë. Nuk kemi qënë të tillë e kjo gjë, kur e kujtojmë, na ligështon. Përcaktuam si ditë të takimit, fillimin e muajit tetor 2016, nisur nga fakti se moti, në këto ditë nuk është freskuar shumë, përkundrazi, temperaturat janë më të larta nga praktika disavjeçare. Gjykuam dhe se më vonë do të nisin rreshjet e shiut, të cilat e bëjnë më të vështirë qarkullimin e njerëzve të moshës tonë. Kemi dhe një shkak tjetër, “ të fortë”: Shoku ynë, Fadil Nenaj ( Braho), në ditët që vijnë do të shtegtojë, larg, jashtë shtetit, si vizitor.
Me vështirësi u bashkuam me njëri-tjetrin, edhe pse vendtakimi ishte i qartë e në një vend i dukshëm. Pritëm shoku – shokun. Rrapo Kodheli, kishte ardhur i pari, edhe pse banon në Ballësh. Rrapon e kemi patur dikur përgjegjës të grupit por, për fat të keq, ai u shkëput nga ne dhe u largua nga aviacioni e nga ushtria duke ndjeku një udhë tjetër në jetë. Nuk na është ndarë përgjegjësi ynë, por ka ardhur në të gjithë takimet që kemi bërë. Edhe kësaj here, “ shefi” ynë, udhëhoqi me shëmbullin vetjak. Shkova në vendin e takimit, disa minuta më parë, për të takuar një mikun tim.
Në orën e caktuar, pra më 11.00, në takim erdhën shokët:
- Rrapo Kodheli;
- Sherif Hajnaj ( Braski );
- Fadil Nenaj ( Braho );
- Vangjel Baba;
- Zyhdi Meçe;
- Petraq Koroveshi;
- Bashkim Kozeli;
- Agim Ismaili;
- Surri Barbullushi;
- Ahmet Sulejmani ;
- Niazi Nelaj;
- Jorgaq Bahshevani;
- Petraq Papaanasyasi.
U takuam me njëri-tjetrin, me mall. Pas përqafimeve, nisën interesimet për jetën e sejcilit, nga takimi i mëparshëm. Shoku ynë i grupit, Petraq Koroveshi, të cilin, eruditi Riza Lahi, dikur e vlerësoi si “ Marubi i aviacionit”, me një aparat të kohës, fotografoi e filmoi shokët; së bashku dhe veç e veç. Dikush nga shokët tanë pyeti: Do të pimë kafe apo do të drekojmë? U dëgjuan mjaft zëra: “ Çfarë kafeje, ne, sot, do të drekojmë, së bashku e kështu do të jemi më gjatë pranë njëri-tjetrit. I dhamë të drejtë shokut tonë, mentar. U tha; u bë. Përzgjodhëm si vend drekimi restorantin “ Gjergj Leka”, i cili ndodhet në zonën e ashtuquajtur : “ Tregu Çam” dhe është pranë shtëpisë të shokut tonë të grupit, parashutistit Nevruz Duraj, i cili, kohët e fundit nuk ka qenë në kondicion të mirë fizik. Për këtë arsye, Nokja ( kështu i kemi thënë dikur), nuk ka marrë pjesë në takimet e mëparëshme. Kemi drekuar dhe herë tjetër në atë restorant dhe shokëve u ka pëlqyer; gatimi e shërbimi, prandaj propozova të drekojmë atje.
Shoku ynë, Petraq Papaanastasi, i cili u shkëput nga grupi, sapo përfundoi programin e fluturimeve në aeroplanin Mig -15 e u lirua nga ushtria, i ka mbajtur lidhjet me shokët e shkollës. Mirëpo, sot, me të mësuar vendin ku do të drejkonim tha: “ Unë, tje nuk vij” por nuk solli ndonjë argument. Ai gjeti e shfrytëzoi rastin të shkëputej nga shokët e nuk erdhi në drekë. Nuk erdhi as shoku ynë Jorgaq Bahshevani, i cili kishte një përvjetor përkujtimi. Me shokët u bashkua dhe Nokja, dhe të dymbëdhjetë shkuam në restorantin pranë, për të drekuar.
Tavolina, ishte përgatitur e ne zumë vend, sipas dëshirës. Kuptohet, preferencat nuk mund të injorohen; ato, edhe në këtë rast funksionuan. Kujtuam ditën e parë, 26 gushtin e vitit të largët 1960, kur u nisëm, nga Rinasi, për në Bashkimin Sovjetik. Atëherë, në grupin tonë ishin 36 djem tetëmbëdhjetvjeçarë; disa nga të cilët ishin pa vënë brisk në faqe. Atë ditë, në mëngjes, me një aeroplan transporti të tipit TU-104, të prodhimit sovjetik, u ngritëm nga aerodromi ushtarak i Rinasit, dhe pas gati 2 orësh zbritëm në aeroportin moskovit të Sheremeyjevos. Në mbrëmje, me një tren të linjave të Jugut, rrugëtuam, 48 orë, për në qytetin Rostov mbi Don i cili i përket Kaukazit të Veriut. Mbasi lamë trenin, me një autobus ushtarak, me turi, shkuam 8 km, në Lindje, në qytetin e Batajskut, ku u sistemuam në aviogorodok. Do të studionim për t’u bërë pilotë gjuajtës-bombardues. Disa do të fluturonin në helikopterë e disa të tjerë në aeroplanët bombardues të kohës.
Pasi përshëndetëm e përqafuam shoku-shokun, filluam të vrojtonim ndryshimet që kishte pësuar sejcili, nga koha kur studionim së bashku, në të njëjtin auditor dhe kur fluturonim në të njëjtën skuadrile, me aeroplanin mësimor me helikë Jak-18A. Të gjithë ishim zbardhur e fishkur. Kemi hyrë në ujë e disa prej nesh kanë mbetur kokëzbathur. Mosha ka bërë të sajën dhe ka lënë gjurmë të dukshme në portretet tona. Vrojtonim, me dashamirësi njëri-tjetrin dhe, pa të keq, i pëshpëritnim shokut që kishte zënë vend pranë: “ Sa qenka plakur, ky” ! Ky tjetri paska mbetur tullac dhe fytyra i është bërë si fund me pala korenti! Etj. Një gjë është e vërtetë: Të gjithë “kemi hyrë në ujë”, nga mosha e nga hallet. Bardhësia na ka mbuluar flokët. Por, ata që erdhën në këtë takim, duhet pranuar se, me gjithse janë në moshën e tretë, janë vitalë, lëvizin lirshëm dhe mendimin e kanë të kthjellët.
Sapo zumë vend, sejcili sipas dëshirës dhe afërsisë në shoëri, nisëm bisedën, mes njëri-tjetrit, ashtu siç ishim të ulur. Biseda na tërhoqi aq, sa nuk e vumë re kamerierin që na erdhi pranë. Ai ishte një djalë i ri, i shkathët, elegant, me trup mesatar, i veshur me pantallona e zeza; këmishë të bardhë, jelek vishnje, me një fletëmeny të zezë, në dorë. Kur e pikasëm, sejcili porositi, për të ngrënë e për të pirë, atë që dëshironte.
Para se të shkonim në lokal, kisha biseduar, për kushtet dhe kërkesat tona, me kamerierin dhe me menaxheren e restorantit, një grua topolake, me moshë rreth të pesëdhjetave.Të dy më mirëkuptuan, kur u thashë se shokët e mi kanë qenë pilotë, janë të mirëushqyer e të moshuar dhe duan të konsumojnë ushqime të pastra, të gatuara me shijë e pa yndyrë të tepruar apo me pak kripë. Nisëm drekimin. Në restorant nuk ishim të vetmit. Në një tavolinë tjetër, pak më tej, ishin përgatitur vendet për më shumë njerëz, të cilët pritej të vinin, për të drekuar, si ne.
Në sallë u krijua një lloj zhurme. Zhurmuesit ishim ne. Thuajse të gjithë bisedonim me tone të ngritur. Shkaku i vetëm ishte ngaqë e kemi të ulët shkallën e dëgjimit. Kjo është e natyrshme dhe justifikohet, me moshën dhe qënjen për shumë kohë nën ndikimin e zhurmës të motorrëve të aeroplanëve. Dikush nuk mundi të komunikonte as me ndihmën e aparatit të dëgjimit. Më fort, nga të gjithë fliste Nokja. Ai,kur fliste, gati bërtiste. Kur e krahasoj shokun tim me kondicionin e tij fizik të disa viteve më parë ve re sa shumë ka ndryshuar.
Ushqimet dhe pijet na erdhën, siç i porositëm. Pijet u konsumuan, me pakicë e asnjeri nuk e teproi. Tiparet karakteristike të moshës u shfaqën dalëngadalë. Në një kazan “ zjejmë të gjithë”. Sejcili synonte të fliste sa më shumë. Dëftonim episode nga jeta jonë e viteve “të artë” të rinisë tonë. Gojëtarisë të shokëve u mungonte kapardisja dhe shitmendja, si karakteristikë dalluese e moshës së tretë. Kemi qenë së bashku, në fjetinë, në mensë, në të njëjtin auditor, kemi fluturuar në të njëjtin start, në rrjesht e kudo nuk ndaheshim nga njëri-tjetri, si fëmijët e kopshtit , rë cilët i përcjell edukatorja e ata lëvizin të kapur pas njëri-tjetrit dhe nuk kemi çfarë të shtojmë nga ato që kanë ngjarë e që i dimë të gjithë. E njohim shoku-shokun, si i thonë fjalës, me dhëmbë e me dhëmballë. Kemi qënë e jemi miq e shokë të mirë, dhe nuk mundemi ti shesim mend njëri-tjetrit.
Në vitin 1960, e nisëm aventurën nga i njëjti start; jeta bëri shkallëzimin e domosdoshëm. Nga grupi ynë, ata që patën fatin të fluturojnë më gjatë, ecën më shpejt se shokët e tjerë dhe u ngjitën, si në profesion dhe në karrierë. Myzeqari Dhori Nasi Zhezha, i cili fluturoi, thuajse në të gjithë tipat e aeroplanëve të parkut tonë, u ngjit, me meritë, deri në detyrën e komandantit të Regjimentit të Zadrimës. Devolliu, i urtë si një nuse e mirë, i cili është pagëzuar me nofkën: “ Truri i aviacionit”, për mjaft vite kreu detyrën e kryenavigatorit të aviacionit dhe fluturoi, gjithashtu, në të gjithë tipat e aeroplanëve. Korçari Bardhyl Tom Lubonja kapi majat e aviacionit e u bë pilot i elitës dhe fluturoi edhe me aeroplanin më të sofistikuar të kohës Mig-21. Myzeqari Pandeli Miti Lëngu, më i riu i grupit tonë, siç ishte guximtar në jetën e përditshme; ashtu u shfaq dhe në fluturim. Nuk iu nda Pandushka, aeroplanit Mig-19S, me të cilin kteu mjaft detyra taktike të vështira, në pozicione të ndryshëm si drejtues, deri në atë të komandantit të skuadriles.
Bahri Daut Meshau ( Përmeti ), njëri nga pilotët më jetëgjatë në aeroplasnët reaktivë, në detyrën e kryenavigatorit të Shkollës së Lartë të Aviacionit ka dhënë kontribut me vlerë për përgatitjen e pilotëve. Sefedin Hasan Tomçini ( ndjesë pastë), ra, në krye të detyrës e u shpall “ Dëshmor i Aviacionit), kur ishte në detyrën e komisarit të skuadriles të pajisur me aeroplanë supersonikë Mig- 19S. Në Grupin e studentëve për pilotë të Batajskut, ishin dhe pilotët Adem Mahmut Çeça ( ndjesë pastë); Roland Mandi Sofroni, Petraq Koroveshi e ndonjë tjetër, të cilët u rritën shpejt, nëprofesion, u bënë shtyllë për kualifikimin e pilotëve të rinj. Plot 23 vite, radhazi, shërbeu, me devotshmëri të lartë e aftësi profesionale të spikatura, në detyrën e mjeshtrit të fluturimit, dibrani Ahmet Sulejman Zogu, i cili, u mësoi si fluturohet, ndoshta shumicës të pilotëve që u diplomuan në Shkollën e Lrtë të Aviacionit. Si rrallëkush, Ahmetit iu zbardh koka e e i ranë flokët, në Poro, ku ndonëse ishte në detyra drejtuese, në mjaft raste kryente rolin e instruktorit të thjeeshtë të fluturimit. Është në nderin e grupit që, sot, pas 56 vitesh kemi midis nesh, këta e të tjerë asete të aviacionit shqiptar, të cilët nderohen dhe respektohen nga komuniteti i aviatorëve.
Sapo nisi dreka; pa fjalime pompoze e fare thjeshtë, kujtuam e mbajtëm një minutë heshtje, për shokët tanë të grupit të Batajskut, që janë ndarë nga jeta. Kujtuam e nderuam: Djaloshin këngëtar , nga Tirana- Minush Karalliun; dibranin e shkathët e hokatar- Sefedin Tomçinin; djalin nga Kuçi i Kurveleshit, i cili , kur fliste, të bënte të mbaje mesin,me duar, nga mënyra si dëftonte gjërat, me shumë humor – Mustafa Gjokutaj; gjigandin nga malësia e Krrabës- Adem Çeça; mendjendriturin nga Korça – Roland Sofroni; birin e Lopësit – Lutfi Islamaj; tironsin autokton – Petrit Shima; beratasin “ shpuzë” – Thanas Papa; bregdetasin e “shtruar”- Stillo Mëlica dhe elbasanasin me ngjyrë – Agron Balashi. U befasuam nga fakti se sot, në krahasim me takimin e mëparshëm, jemi mbledhur më pak shokë. Saktësuam se Bardhyl Tom Lubonja; Pandeli Miti Lëngu dhe Koço Biku , aktualisht ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhori Zhezha; Sazan Abibi, Xhevair Musta; Vaso Pesha dhe Vangjel Koçi, nuk janë në kondicion të përshtatshëm fizik; Bahri Meshau ( Përmeti) nuk mundi të merrte pjesë, për shkaqe familjare.
Nuk mund të mos përmendet lidhja e gjatë e disa shokëve, si Rrapo Kodheli; Sherif Hajnaj ( Braski) dhe Zydi Meçaj, të cilët edhe pse u larguan nga fluturimi qyshse ishin studentë dhe ndoqën profile të tjerë, në jetë, nuk na janë ndarë, por kanë marrë pjesë në çdo takim. Ata e ndiejnë veten studentë për pilotë, si atëherë dhe kjo ua rrit vlerat në sytë tanë. Nuk është vetëm takimi, si ky i sotmi që na mban të lidhur. Mesnesh nuk kanë të sosur telefonatat dhe takimet bilaterale.
Bëmë dhe ndonjë shaka, me kripë. Petraq Koroveshi, i pagëzuar, nga eruditi Riza Lahi ( ndjesë pastë) si “ Marubi i aviacionit”, me mjaft dëshirë, iu përfill punës për të fiksuar çaste nga ai takim, i cili ka vlera historike, duke pasqyruar, “ tkurrjen” e grupit dhe evoluimin e sejcilit prej nesh. Në kuadrin e shakasë mes shokësh, Petraqin e caktuam operator; Bashkim Kozelin e caktuam në rolin e skenaristit, dhe autorin e këtyre radhëve, e caktuam të bënte rolin e tellallit. U ngrita nga vendi dhe imitova tellallin, siç më kujtoht, kur bërtiste në një film shqiptar, me fjalët: “ O milet! Dëgjoni e mbani vesh…”. Plasi gazi! Hëngrëm, pimë, u shmallëm me njëri-tjetrin e pas gati 3 orësh u shpërndamë, me premtimin se takime të tillë do të jenë më të shpeshtë, mbasi jemi të bindur se kësisoj gjindemi më pranë njëri-tjetrit. Nuk lamë ndonjë ditë por shënjat dëftojnë për një takim të afërt. Sherifi na ftoi të shkojmë në Voskopojë, ku ai banon, për të festuar 75 vjetorin e lindjes së tij.
Tiranë, më 2 tetor 2016
Shkroi Niazi Nelaj