Të nderuar pjesëmarrës, në këtë ceremoni mortore. Prania juaj i bën nder këtij burri, nga i cili po ndahemi për jetë, por sejcili prej jush, i bën nder, në radhë të parë vetes. Në emër të Shoqatës së Aviatorëve dhe shokëve të tij të afërt, ju shpreh mirenjohje dhe respekt të thellë! Humbjen e ndjejmë të gjithë. Atë e përjetojnë, në veçanti vajzat e tij si drita, bashkëshortja e rrallë Dalëndyshja, të afërmit, miqtë e shokët e shumtë që bëri Zija Memi, gjat gjithë jetës aktive. Disa, në pamundësi të vinin, më porositën tju shpreh ngushëllime shokësh, familjes dhe të afërmve të tij.
Zijai u lind në Sasaj të rrethit të Srandës, në vitin 1940. Ai u rrit bonjak; buza e tij nuk e artikuloi dot fjalën baba. I ati I Zijait, Shyqua, doli partizan dhe ra dëshmor i Atdheut, në luftën për liri. Jeta e Zijait mund të krahasohet me fluturimin e një zgalemi, në furtunë. Ai, kohët e fundit mori një plagë, të rëndë e të papritur, të cilën e pëtjetoi keq dhe iku nga kjo botë, me kokën pas. Nëna labe, e rriti Zijanë dhe fëmijët e tjerë, me sakrifica të panumërta. Ajo, si trime e burrëreshë e rrallë, u mëkoi pinjollëve të saj, jo vetëm qumështin e gjirit por dhe tipare të rralla njerëzore e atdhetarie. Trualli ku u rrit e u edukua Zijai ishte nga ata vende ku trimëria ka bërë folenë.
Pas shkollës së mesme, Zijai u bë pilot, në shkollën e aeronautikës , në Bashkimin Sovjetik e në Kinë. Ai, fillimisht shërbeu në Regjimentin e Rinasit, ku fluturoi përkrah e nën drejtimin e “divave” të aviacionit, si: Niko Hoxha; Kosta Neço Dede; Anastas Ngjela; Lulo Musai ( Spahaj); Gëzdar Veipi; Çobo Skënderi etj. Me shumë dëshirë e aftësi, Zijai u nësoi udhët e qiellit pilotëve cilësorë: Luto Sadikaj; Vangjel Koroveshi etj. Dashuria e tij për lundrimin ajror e për avionin ishin të papara. Me shpirt të madh, e me përkushtim të rrallë, Zija Memi nuk iu nda kurrë planit të fluturimeve, por këmbëngulte e grindej me drejtuesit dhe me mjekun që të fluturonte, domosdo. Me tregues të lartë, Zijai përfundoi studimet në Degën e Filosofisë të Universitetit të Tiranës e u bë një edukator gojëmbël e shpirt mirë. Më tepër se fjala, Zijait i ngjiste shëmbulli, i cili i rrinte bukur në shtat. Me vullnet e këmbëngulje dhe me optimizëm u përball me sëmundjen e gjatë e të rëndë, por jeta ka disa limite e sot, po ndahemi prej tij, me hidhërim. Zija Memin nuk mund ta harrojnë vajzat që la pas; Kozeta dhe Albana; bashkëshortja e rrallë Dallëndyshja, miqtë e shokët e tij dhe kushdo që e njohu atë “ëngjëll”, në punë të përbashkët e kudo! Kemi çfarë ti kujtojmë e dimë përse të krenohemi me njerinë e mirë Zija Shyqo Memi. Ai ishte dhe mbeti model i thjeshtësisë dhe i humanizmit. Dashuria dhe respekti që kishte ai burrë, për njerëzit të emociononin e të bënin të skuqeshe.
Në nderim të figurës së tij të pastër, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje!
I paharruar qoftë kujtimi i tij; ti rrojnë ata që ka lënë pas!
Në Tiranë, më 6 qershor 2016
Shkroi Niazi Nelaj; shok i afert i Zija Memit