Mustafa Hajdar Çiçi, pilot ushtarak i klasit të dytë, sot, mbush 80 vjec. I uroj mikut tim të kahershëm shumë vite të tjerë jetë, të shëndetshme, të gëzuar e të lumtur, të begatë dhe aktive, në fushën e krijimtarisë letrare dhe të na sjellë sa më tepër kujtime!
Jeta e një njeriu është e veçantë dhe interesante. Jetët nuk i ngjajnë njëra-tjetrës. Këtu qëndron bukuria e saj. Në fund të fundit , jeta është fat. Kur fluturon mbi 30 vjet, dhe gjatë kësaj kohe çerdhen e ke ngritur, atje lart, në ajër, mosha 80 vjeçare është një privilegj i madh.
Lumë si ata që e kanë këtë. Në praktikë, i kemi jo aq të shumtë në numër ata që kanë ushtruar profesionin e vështirë të pilotit dhe i kapërcejnë të tetëdhjetat.Mustafa Hajdar Çiçi është njëri syresh. Ai erdhi në jetë, në një natë të shkurtit të vitit 1935. Data shënonte 25, por për rrethanat që iu krijuan foshnjes të sapolindur, në dokumente është fiksuar data 21 dhe kjo festohet, sot e kësaj dite. Mustafai u lind në Libohovë të rrethit të Gjirokastrës, në një familje të thjeshtë qytetare. I ardhur në jetë nga dy prindër: Hajrija, me kombësi turke dhe i ati, Hajdari, me kombësi e shtetësi shqiptare. Mustafai ishte i prasmi i tre fëmijëve që lindi çifti: Hajrije dhe Hajdar Çiçi. Papritur, kur Mustafai ishte vetëm 6 muajsh, largohet nga jeta babai i tij, në moshë të re dhe për Mustafanë e dy fëmijët e tjerë të çiftit, nisi një jetë tjetër, mjaft e vështirë. Nënë Hajries,i ra barra e rëndë për të rritur dhe edukuar tre femijë jetimë, në kushtet e asaj kohe, të cilat dihen.
Qysh në fëmijëri, Mustafai karakterizohej si një djalë i qetë, mjaft i qetë, i zgjuar e i dëgjueshëm. Si më i vogli i familjes, atij i takoi të rropatej, se bashku me të tijët, të cilët, për hir të së vërtetës, iu gjendën, në përpjekjet për të përballuar jetën, e cila u tregua e padrejtë me të, pas largimit të babait nga kjo jetë.
Mësimet e para, Mustafai i mori në vendlindje, në Libohovë, e cila njihet, jo vetëm si vendi i burrave trima, por dhe për kulturën e lashtë. Pasi mori mësimet e shkollës fillore, akoma i parritur, Mustafai dhe familja e tij u shpërngulën në Tiranë ku gjeti kushte e mundësi më të mira për t’u shkolluar. Duke mësuar në shkollë e duke punuar në punë të rëndomta, djali i vogël i familjes Çiçi, Mustafai, kapi moshën e adoleshentit të maturuar dhe u fut në udhën e fluturimeve.
Në vjeshtën e vitit 1956, kur akoma nuk kishte vënë brisk në faqe, jetimi 19 vjecar Mustafa Hajdar Çiçi, së bashku me 6 shokë të moshës së tij, u nis për në shkollën sovjetike të aviacionit me emrin e pilotit legjendë: “Valerij Çkallov”, të qytetit të Borisoglebsit, në qarkun e Voronezhit ( BS). Shokë grupi të Mustafait ishin:Dalip Shabanaj;Kostandin Sadikaj;Kapo Selmanaj;Avdi Gjonmemaj; Nehar Jazexhiu dhe Naun Todo.
Shkolla me emrin ” Çkallov”, e mirënjohur, në hapësirat sovjetike dhe më gjerë, ku ishin përgatitur, tradicionalisht pilotë të kapaciteteve të njohur, pjesëmarrës aktivë, në formacionet sovjetike ajrore gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kishin kaluar në auditorët e në startet e saj disa pilotë të shquar shqiptarë, ishte një institucion shkollor i konsoliduar e me reputacion. Atje kerkesat në lëmi e teorisë e në praktikën fluturuese ishin të larta. Studentët nga Shqipëria, ata të grupit ku bënte pjesë Mustafa Çiçi, ashtu si pararendësit e tyre, në vite, në profesion,u ndeshën me vështirësi të shumta sa i takon moszotërimit të Gjuhës Ruse dhe horizontit kulturor e shkencor, në fushën e aeronautikës. Me vullnetin karakteristik e me deshirën e zjarrtë për të mësuar, ata kapërcyen veshtirësitë e rritjes, dhe , në pranverën e vitit 1957, pas kryerjes , me sukses të proçesit teorik, ishin të gatshëm për të fluturuar.
Gjatë këtij viti, djemtë shqiptarë të grupit të Mustafa Çiçit fluturuan në aeroplanin e lehtë mësimor, me helikë të tipit Jak-18A. Pas përfundimit, me sukses të programit të fluturimeve në këtë tip avioni, me synimin për t’u bërë pilotë gjuajtës-bombardues në aeroplanët reaktivë Mig 15 Bis.Pas një përgatitje teorike, në vitin 1958 dhe 1959, grupi i studentëve të këtij komuniteti, për dy vite me radhë, fluturoi në aeroplanët Mig-15; sparkë dhe luftarak, duke plotsuar programin e plotë të përdorimit luftarak të aeroplanit Mig-15 Bis. U shkoi shkolla 4 vjet studenteve te grupit te Mustafait.
Gjat kohës që grupi nisi fluturimet në avionin reaktiv; dy shokë të tyre: studentët Nehar Jazexhi e Naum Todo, u shkëputën nga grupi dhe vijuan fluturimet në avionët me helike, me synimin për t’u bërë instruktorë të teknikës së pilotimit. Mustafa Çicçi, me qetësinë e tij olimpike dhe me tiparet e nje djali të urtë, të dëgjueshëm, të matur, me zgjuarsi natyrale dhe me mësimet që i kishte diktuar statusi i jetimit, ishte mjaft serioz dhe i përkushtuar në çështjet e fluturimit.
Ai i kishte vënë vetes detyrën të shfrytëzonte shansin që i dha jeta; të bëhej pilot cilësor, siç u bë. Edukata e shëndoshë dhe sjellja e kulturuar që kishte marrë në familje, falë ndikimit të fuqishëm të s’ëmës dhe rrethit familjar e shoqëror, bënë të mundur që Mustafai të integrohej shpejt në komunitetin e studentëve e të bëhej mik e shok, për kokë, me ta. Ai, qysh në fluturimet e para, me instruktorin në kabinën e dytë, spikati për kapjen shpejt dhe përvetësimin qëndrueshëm të elementëve të fluturimit. Jo vetëm që shfaqi aftësi e prirje të mira për t’u bërë pilot kualitativ por ishte vazhdimisht në kërkim të njohurive të thella teorike të cilat i përvetësonte me dëshirë.
23 tetori i vitit 1959 e solli, Mustafa Çiçin dhe shoket e tij te grupit, ne Atdhe. Ata kishin përfunduar, plotesisht programin teorik e atë praktik; ishin diplomuar pilotë gjuajtës- bombardues, të aftë për t’u rrjeshtuar, në formacionin e pilotëve shqiptarë, në të vetmin regjiment luftarak që kishte vendi ynë, në Regjimentin ” Peza” te dislokuar ne Qytetin ” Stalin”. Ata, fillimisht u emëruan pilotë shoqërues, në skuadrilen, komandant i se ciles ishte kolonjari- Koco Andoni.
Fluturoi në aerodromin e Qytetit ” Stalin”, në aeroplanët Mig-15 Bis, deri në shkurt të vitit 1962, kohë kur në aerodromin e Rinasit, u formua Regjimenti i Tretë i aviacionit, me dy skuadrile. Njëra, e para. ishte e pajisur me 12 aeroplanë supersonikë, të armatosur me 4 raketa të drejtuara, ajër- ajër, të tipit Mig-19PM dhe tjetra me 12 aeroplanë parazanorë të tipit Mig-17 F. Komandant regjimenti ishte lavdimadhi Niko Hoxha. Mustafai u caktua në skuadrilen e dytë, Të Këtij tegjimenti, ku komandant skuadrile, ishte talenti i rrallë; “akrobati i ajrit”- Kosta Neço Dede, nga Vunoi. Në këtë skuadrile, Mustafai fluturoi, në detyra të ndryshme ajrore, në rolin e komandantit të çiftit të avionëve.
Në vitin 1963, u çel SHkolla e Lartë e Aviacionit, në Vlorë. Një grup studentësh,16 vetë, të cilëve u ishte ndërprerë programi e ishin përzënë, dhunshëm, nga Shkolla Sovjetike e Batajskut ( BS), nisën fluturimet në avionët Mig-15 Bis. Mustafai, së bashku me Mahmut Hysën, nga Regjimenti i Rinasit dhe me Bardhosh Hasanin e Azbi Seranaj, nga ai i Qytetit ” Stalin”, u përzgjodhën për të kryer detyrën e instruktorit të teknikës së pilotimit. Ishte një detyrë e vështirë e me përgjegjësi të madhe. Do ti jepnin Atdheut ktahë e djemve të zgjedhur- profesionin e pilotit. Kriteret bazë të përzgjedhjes ishin: pastërtia individuale, në teknikën e pilotimit; niveli i lartë teorik, karakteri dhe tiparet e tij, aftësia për t’u transmetuar studentëve ato që dinin vetë dhe tipare të tjera pozitive që ishin të pranishme , tek këta pilotë.
Musatafa Çiçi, kishte, në anën e tij, saktesinë në fluturim, qetësinë, maturinë në gjykim, objektivitetin në vlerësim dhe të tjera cilësi të nevojshme të karakterit. E ve theksin fort në çështjen e ndershmërisë e të drejtësisë, si karakteristika dalluese të libohovitit serioz e dinjitoz. Mjafton të them se studenti i tij Koço Biku, i cili, veç aftesive të spikatura që kishte, falë dhe mësimeve që mori nga mësuesi i tij Mustafa Çiçi arriti në ato maja që dihen. Kështu mund të them dhe për studentët e tjerë të grupit të Mustafa Çiçit: Roland Sofroni; Thanas Papa e Stillo Melica, të cilët mbajtën barrë të rënda në zgjidhjen e detyrave ajrore.
Siç dëfton vetë Mustafai; ai nuk e harron dot sjelljen shumë dashamirëse, respektin e veçantë dhe dashurinë që ushqenin studentët e mësipërm, për instruktorin e tyre. Por, qasja e studentëve ndaj instruktorit, shpërblehej, me të njëjtën monedhë, nga ky i fundit. Mustafa Çiçi i donte shumë studentët dhe ishte tepër i përkushtuar, që t’u jepte atyre maksimumin e njohurive profesionale dhe shëmbullin e edukatës qytetare. I kishte shokë dhe nxënës ndaj kishte druajtje, në raporte me ta. Ndoshta do të kem rast, të ndalem, posaçërisht, për rolin e Mustafa Çiçit si instruktor i teknikës së pilotimit, në Poro. Në këtë shkrim modest, do të cek vetëm një rast tipik, ku ka shpërthyer dashuria e tij, për nxënësin.
Mustafai ndodhej me leje dhe, siç ndodhte rëndom, studentët e tij i merrte në “ kujdestari” një instruktor tjetër. Për arsye se kishte shfaqur lëkundje, në pilotim, studentin e tij, Stillo Mëlica ( ndjesë pastë) nuk e kishin planifikuar të fluturonte, atë ditë.Atë mëngjes, u kthye Mustafai, nga Tirana, ku kishte familjen dhe e mbajti vrapin në start, atje ku zhvilloheshin fluturime.Mes grumbullit të njerëzve, ai kërkoi, me sy, studentët e tij. I shkuan sytë tek Stillua, i cili, ishte strukur, pas një makine lëshimi dhe po qëndronte, mendueshëm e me një dozë pakënaqësie. Iu afrua dhe e pyeti: përse rrinte ashtu? Nuk më kanë planifikuar të ngrihem në ajër – qe përgjigja e Stillos. “ Do të fluturosh, i tha Mustafai dhe, e ngriti në ajër, studentin e tij, me sparkë e më pas i dha mundësi të fluturonte me luftarak. U bë pilot, stillo Mëlica ( ndjesë pastë) dhe fluturoi, deri në aeroplanët qeveritarë. Njerëzillëku i Mustafait fitoi mbi snobizmin.
Në fund të vitit 1964,Pas përfundimit të programit të fluturimeve me studentët, Mustafa Çiçi, u kthye, përsëri, në Regjimentin e Rinasit ku vazhdoi fluturimet në avionët Mig 17-F. Kam qenë i pranishëm, në një situatë ajrore të vështirë ku u vunë në provë aftësitë profeionale, karakteri i qëndrueshëm dhe qetësia, në ajër e Mustafa Çiçit. Ai, kthehej, në ulje, nga një detyrë, e cila, kishte zgjatur mjaft. Me sa mbaj mend, Mustafai kishte kryer një fluturim për artilierinë kundërajrore. Këto fluturime, si rregull, e kishin vazhdueshmërinë rreth 40 minuta. Kur erdhi mbi aerodrom, Mustafai e gjeti atë, të mbuluar nga mjergulla karakteristike, për atë luginë. Shënjat e uljes nuk dukeshin dhe ulja e avionit ishte thuajse e pamundur. Erdhi, mbi start, Mustafai dhe kaloi, dy-tri herë, në “ rreth të dytë”. Ishim në përgatitje për fluturim dhe, të gjithë “ kokat” e fluturimit, përfshi Niko Hoxhën, po vrojtonim. Duke vlerësuar situatën, mjeshtri i drejtimit të fluturimeve, kolonjari Haki Jupasi, mori një makinë e u nis drejt stacionit nga ku bëhej drejtimi i fluturimeve. Niko Hoxha, pyeti Kosta Deden dhe Lulo Musanë: Kush është në ajër? Mustafa Çiçi, u përgjigjën ata, në një zë. Ulet ai, ulet, tha Niko Hoxha,dhe Mustafai erdhi në ulje, si “ I madh”.
Në fund të vitit 1965, pas katastrofës ajrore që ndodhi në Rinas,ku u aksidentua, me vdekje, koloneli i famshëm Niko Hoxha, në radhët e pilotëve kaloi një ” stuhi” e paparë përjashtimesh e kufizimesh, për shkaqe shëndetësore, nga e drejta e fluturimit në avionët reaktivë. Mustafai u deklarua i aftë për të fluturuar në avionët me helikë, përfshi helikopterin Mi-4 .
Ai, me vullnetarizëm, në kohën kur u krijua, Regjimenti i Helikopterëve, bëri kalinmin në helikopterin Mi-4 dhe duke u bere mjeshtër i shfrytëzimit të tij, shërbeu, në atë regjiment, derisa doli në pension të plotë, sipas ligjeve të shtetit. . Mustafai fluturoi në kushte të ndryshme të kohës e të motit, mori pjesë në disa aksione të rëndësishëm shpëtimi dhe luajti një rol bazik në përgatitjen e lpilotëve te rinj. Duke qënë në detyrën e komisarit të skuadriles e të grupit ajror,Mustafa Çiçi, jo vetëm gjeti veten në këto detyra të rëndësishme e të vështira por dha dhe një shëmbull të gjallë, si mund të jetë një pilot jetëgjatë e pa premisa, kur është i kompletuar ; teorikisht e nga ana opraktike.
Pas daljes në pension, Mustafa Çiçi, i cili gjithë jetën është mësuar të punojë, nukmund të qendrojë ,pa punë e të shtyjë kohën kafeneve apo bilardove por i është përfillur punës për të hedhur në letër kujtimet e tij të vyera, nga jeta në aviacion e me gjërë. Si tip që në çdo rast ka marrë anën e së resë, Mustafai e ka renditur veten me njerëzit që qëmtojnë e krijojnë, me tendencë për ta paraqitur , me vërtetësi jetën reale.Ai , me përpjekje vetjake, me shumë vullnet e dëshirë u pershtatet shpejt shpejt zhvillimeve dhe ka përvetësuar shpejt teknologjinë e re.
Kur e takon, për herë të parë atë njeri, Mustafai të le përshtypjen e një njeriu të zakonshëm, të veshur me shijë, që ecën i kujdesur, serioz e me trupin drejt, me një vështrim të vemendshëm.Në dukje të jep idenë e një njeriu të plogësht e të qetë.Kur ulesh e bisedon shtruar, me të,bashkbiseduesi mbetet i befasuar nga logjika e shëndoshë në gjykimin e problemit, nga analiza e detajuar e shterruese dhe nga fjalët e kursyera të tij, të cilat, “ ngulin gozhdë trari”, siç themi në anët tona.Sytë e tij të qetë dhe biseda e shtruar, me “ zemër në dorë”, shprehin mirësinë e pamatë të atij shpirti, të pastër.
Kohët e fundit, në kuadrin e 80 vjetorit të lindjes, të mikut tim, bëra përpjekje për të marrë opinione nga shokët e tij të grupit dhe nga të tjerë që e kanë njohur atë,në udhën e gjatë. E dini çfarë më ndodhi? Ua them unë: Këdo që pyeta, sikur ta kishin berë me fjalë, më dëftuan gjëra, disa nga të cilat i dija, se kam jetuar e punuar me të, por më bënë medije dhe për anë të veçanta të tij. Kësisoj nuk e pata shumë të vështirë për të shkruar këto radhë, natyrisht , të kursyera. Ndihma e paçmuar e së bijës, Rudianës, e cila, bën për babanë e saj të mirë, ndoshta jo siç bëjnë vajzat për prindërit e tyre, por diçka më tepër, ka qenë e pallogaritshme. I uroj Mustafa Çiçit, këtij njeriu të rrallë, të jetojë gjatë, të jetë mirë me shëndet dhe të gezojë lumturinë familjare që ka ngritur vetë.
Pak relaks edhe pse ngjarja ka ngjarë shumë vite më parë: Rusët janë të njohur për batutat e tyre dhe ironizimin e ndodhive, të cilat i formulojnë e i këndojnë me kitarë, ne formën e çastushkave. Siç ndodh rëndom, tek ne, me bejtet. Kur grupi i studentëve shqiptarë për pilotë, ku bënte pjesë Mustafa Çiçi, një vrojtues i kujdesshëm vendas, duke studiuar karakteret dhe tiparet fizike të tanëve, koncentroi mendimin për sejcilin syresh, kesisoj: 1) Kapo Selmanaj, futej tek ” të fortë.t” Ai ishte mjaft i zhvilluar fizikisht dhe trupin e kishte tërë muskuj, por nuk merrej me sport. Këtij ” të forti” ai i vuri nofkën: ” Samij silnij” që do të thotë : më i forti. Studenti Dalip Shabanaj, ndjesë pastë, ishte flokërënë, para kohe dhe rusi e kishte etiketuar:” Samij umnij”, që do të thotë: ” Më i dituri”. Studenti Avdi Gjonmemaj, ishte finok e nuk thoshte : ” hopa”, pa kaluar kanalin. Këtij, mentari i huaj i kishte vënë nofkën: ” Samij hitri”, që do të thotë: ” Më hilanjosi”. Mori një kitarë burri i huaj, u ul në një qoshe dhe kendoi (recitoi) apo, quajeni si të doni: Samij silnij – Selmanaj; samij umnij- Shabanaj; Samij hitrij- Gjonmemaj. U gajasën autorët dhe spektatorët, me këtë shaka, tërë kripë. Por, kënga humoristike u këndua nga brezi në brez dhe arriti deri këtu. Mustafa Çiçin, nuk e futi mentari në këtë kuplet . Mustafai ishte me intelekt të zhvilluar e me figurë , aq të pastër sa nuk e nxinte asnjë nga këta formate. Më falni për bezdinë! Ju respektoj!
Shkruar nga Niazi Nelaj
Në Tiranë, më 21 shkurt 2015
Faleminderit shume , qofsh i nderuar. Mustafa Cici