Fati, atë mëngjes, nuk ishte me komisarin!
Luto Refat Sadikaj futet në aradhën e pilotëve “elitë” të aviacionit shqiptar të të gjitha kohëve. Ai ishte njëri nga pilotët e grupit të parë që u përgatit, që nga fillimi, në shkollën tonë të aviacionit, në Vlorë. Pra, Luto Sadikaj është “prodhim vendi” njëqind për qind. Jo vetëm kaq. Luto Sadikaj, “u gatua” e u perfeksionua deri në avionët e sofistikuar të kohës Mig-21, në aerodromet shqiptarë, me instruktorë vendas, sipas kursit të përgatitjes luftarake dhe rregulloreve shqiptare të aviacionit, në kushtet kur limitet pakësoheshin vazhdimisht dhe pa patur avionë dyvendësh. Ndoshta kemi të bëjmë me një rast unikal, në historinë botërore të aviacionit luftarak.
Luto u lind në fshatin Çorrush të Mallakastrës, më 1 shkurt të vitit 1944. Kur u lind Luto, ishte palcë dimri e vendi ndodhej nën pushtimin e egër të nazistëve gjermanë. Fshati Çorrush, si çerdhe e luftës për liri, kishte pësuar mjaft dëme e shkatërrim nga hakmarrja e pushtuesve. Familja e Seit Sadikaj, luftëtar i çetave shqiptare që luftuan në Vlorë, në vitin 1920, si mjaft familje të tjera kishte përjetuar presione e terror, për shkak se katër djem të saj ishin partizanë.
Familja e origjinës të Lutos i përkiste shtresës së varfër të fshatarëve të Çorrushit e të Mallakastrës. Ajo kullandrisej me atë pak mall e gjë (dhen, dhi e një lopë), të cilat i kishin shpëtuar babëzisë të pushtuesve të huaj e bashkëpunëtorëve të tyre, në atë operacion rrënues kundër asaj treve atdhetare. Nën përkundjet në djepin prej druri, djali i mitur i xha Refatit, së bashku me ninullat që i këndonte nënë Bejlerja, të cilat ishin me tone e theks luftarak, dëgjoi dhe krismat e armëve që i prishnin gjumin. Ai u rrit e u burrërua, u bë një “asllan” i vërtetë, siç ka dhe emrin mëhalla ku kaloi fëmijërinë e hershme. Sapo u ngrit në këmbë, qysh në hapat e parë, Luto topolak u veçua si një djalë i shëndetshëm, i pashëm, i fuqishëm, i dashur, i sjellshëm, i dashur e me zemër të mirë.
Fëmijërinë, deri sa mbushi moshën 5 vjeç, Luto Sadikaj e kaloi në fshatin e tij të lindjes, në Çorrush të Mallakastrës. Trualli ku ai u rrit ishte tejet atdhetar e liridashës. Shtëpitë dhe kasollet e fshatarëve të varfër ishin shndërruar në “kështjella” të luftës për liri. Banorët kishin bërë të tyren parrullën e luftës Nacionalçlirimtare: ”Vdekje fashizmit; liri popullit”. Ky mjedis, e rriti djalin e dytë të xha Refatit, jo me pekule, por mes vështirësive të kohës. Luto i vogël, i kapur pas cepit të fustanit prej santine të nënë Bejleres, priste e përcillte bagëtitë e imëta dhe lopën e vetme të shtëpisë, me qumështin e të cilave, ushqehej familja e tyre. Luton e kaliti era e freskët e Bregut të Asllane dhe e gjithë kurrizit që të çonte nga Maja e Dokes, Caushajt, Hadërajt, Asllanajt, Varfajt e Shullëjasit e cila frynte nga ana e anës dhe ngrinte përpjetë, sikur donte ti shkulte dërrasat e çative e tufat e kashtës, me të cilat ishin thurur kulmet e kasolleve të banimit e të bagëtive. Meratë ku kullosnin bagëtitë e Asllanajve ishin në të dyja anët e kurrizit, sidomos në anën Lindore, ku ndodhet Margëlliçi, ku ishin arat e Sadikajve. Edhe miqësitë e krushqitë, Asllanajt dhe Sadikajt i bënin me fshatarët e Kalivaçit fqinjë, me të cilët u puqeshin “telat”.
Shtëpia me katua e Seit Sadikaj, në katin e sipërm, çdo natë, kthehej në një çerdhe që gumëzhinte, si koshere bletësh, ku hynin e dilnin dhe furnizoheshin me ushqime e municione partizanë, nga Çorrushi e nga fshatrat përqark e ku ziente fjala atdhetare. Me dashurinë për ata troje e me respektin për më të rriturit e familjes e të fisit dhe më gjerë u mëkua, qysh në vegjëli, djali topolak i Sadikajve i cili, trashëgoi nga të parët veti e virtyte të spikatura atdhetarie dhe u formua me një fizik të zhvilluar e të mbarë e me ndjenja njerëzore, dashamirësie.
Luto ishte djali i dytë i familjes, pas vëllait të madh, Sadikut. Pas tij lindën: Uljanova; Sofia; Agroni; Tatjana e më i vogli, Astriti. Familja e xha Refatit, pas përfundimit të Luftës Nacional çlirimtare e çlirimit të vendit, në prag të viteve ’50 të shekullit të njëzetë, me shtatë fëmijë u vendos në Tiranë. Ajo u sistemua, në një banesë të thjeshtë, në rrugën e Kavajës. Ishin vite të vështirë, pas shkatërrimeve që solli lufta dhe familja i përballoi vështirësitë e jetës në kryeqytet, me vështirësi. Viti 1951 e çoi xha Refatin dhe familjen e tij, në Burrel. Një mjedis tjetër, të tjera tradita e zakone, vështirësitë ekonomike dhe ngushtësia në familje u shtuan. Familja e shtuar me anëtarë të rinj, i përballoi vështirësitë e jetës, me pagën e xha Refatit, si oficer dhe me nikoqirllëkun e nënë Bejleres, e cila ishte një grua e nënë mjaft e përkushtuar, për fëmijët, familjen dhe burrin e saj.
Në Burrel, Luto Sadikaj, kreu mësimet e shkollës fillore dhe pjesërisht të asaj shtatë vjeçare. Në çdo klasë ishte i dalluar e, në fund të vitit, drejtoria e shpërblente me fletëlavdërimi. Shikonte prindërit që rropateshin në punë, për të përballuar jetën dhe Luto, akoma i parritur, meqenëse ishte djali i dytë i familjes, si njeri me shpirt të mirë, ndjente përgjegjësinë, për të kontribuar sadopak që të lehtësonte barrën e prindërve të tij. Siç më rrëfeu i vëllai, Sadiku: ”akoma i parritur, bazuar në fizikun e tij të zhvilluar, i cili “buiste” çdo ditë, Luto Sadikaj, vullnetarisht mori përsipër detyrën e druvarit të familjes. Ai gjeti e sistemoi të gjitha veglat e punës që i duhen një druvari për të kryer detyrat e tij. Në shtëpinë tonë, gjeje vare prej hekuri, sëpatë, sharrë, pyka metalike etj, për të çarë drutë e zjarrit. Ai çante, çdo ditë rreth 1 metër kub dru e nuk na linte të merrnim asnjë copë. Synonte të çante, gjithë stivën druve, prej lisi, që kishte familja jonë. Veglat e tij të punës, ai, gjithashtu i mbante vazhdimisht të pastruara e të vajosura, gati për punë. Si drutë, Luto nuk na lejonte as të preknim me dorë veglat e punës”.
Në vitin 1957, kur familja e Refat Sadikaj u transferua nga Burreli në Tiranë, Luto ishte 13 vjeç. Ai kreu dy vite të shkollës shtatëvjeçare dhe, në vitin 1969, në jetën e tij ndodhi një ndryshim cilësor. Në vjeshtën e atij viti, djali me trup të zhvilluar e të ngjeshur u fut në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë. Nuk thonë më kot: ”tek ka rrjedhur do të pikojë”! Djali i dytë i xha Refatit do të bëhej oficer. Ajo familje luftëtarësh atdhetarë nuk mund të kuptohej pa një mbrojtës të këtyre trojeve, me shkollë e kulturë ushtarake. E kishte në kokë një projekt, luftëtari i regjur Refat Seit Sadikaj, për të siguruar vazhdimin e traditës të familjes e fisit të tij. Planin që kishte zënë vend në kokën e tij, e mbante të fshehtë; atë e dinte vetëm Belerja, e cila, siç kishte emrin, ishte dhe në shpirt. Njërin nga djemtë, Sadikun, ai do ta bënte pilot. I vinin në mend ish partizanit ato situata, kur ai dhe shokët e tij, i drejtonin pushkët e vjetra, kundër aeroplanëve fashistë, të cilët qarkullonin lirisht mbi pozicionet e partizanëve dhe largoheshin për në bazat e tyre, të pa ndëshkuar. Sadiku ishte djali i madh i familjes, ose, siç thuhet rëndom në Çorrush e rrethina, ai ishte “buka e parë”. Ai u dërgua në shkollën sovjetike të aviacionit, për të mësuar teorinë dhe praktikën e fluturimeve.
Për fat të keq, një ditë, kur Sadiku dhe shokët e tij të grupit kishin dalë në start (aerodrom), për të fluturuar, një aeroplan, i cili devijoi nga drejtimi i uljes, goditi, në këmbë dhe aksidentoi Sadikun, deri në atë shkallë sa ai u deklarua i paaftë për t’u bërë pilot e kaloi në një profil tjetër, i lidhur ngushtë me fluturimin. ”dështoi “plani oficerit Refat Sadikaj, por ai nuk u iu dorëzua fatit; e kishte menduar variantin rezervë. Por i duhej të priste e të bënte durim sa të rritej djali i dytë i familjes Lutua i cili kishte të dhëna të mira, për t’u bërë pilot.
Në muajin gusht të vitit 1959, djali i dytë i xha Refatit, Luto Sadikaj, u ul në bankat e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë. Iu bë zemra mal e i ndritën sytë partizanit të regjur kur pa të birin të veshur me uniformën e bukur të skënderbegasit dhe me kapelën me yll të kuq, në ballë. Me padurim ai priste ta shikonte të birin mbi aeroplan. Një zë i brendshëm i pëshpëriste: “Duro, or burrë se ëndrra jote nuk është fikur. Prit sa të rritet e të burrërohet Luto e pilotin do ta kesh në familje”! Kështu mendonte xha Refati dhe shpresonte se një ditë do ta shikonte të birin, në ajër, shaluar mbi kalin prej duralumini, zot i hapsirave qiellore të Shqipërisë. Dhe nuk u zhgënjye. Ja si e dëfton ndodhinë, Petrit Bebeçi, shoku i afërt i Lutos, që nga shkolla ushtarake “Skënderbej” deri sa Luto ra heroikisht, në krye të detyrës:
“Me Luton u njoha më 15 gusht të vitit 1959, në Tiranë. Atë vit, pritej të vinin në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”350 nxënës. Nga qyteti i Tiranës ishim 10 vetë. Të gjithë vinim nga familje ushtarakësh që kishin marrë pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare, partizanë. Dita e parë, e paraqitjes në shkollë ishte tejet e lodhshme. Të dhjetë duhet të përgatitnim fjetinat për 350 nxënës. Ishim 13-14 vjeçarë. Shikonim, me vëmendje njëri-tjetrin, të veshur me uniformën e bukur të “skënderbegasit” dhe shoku që kishim përballë, çuditërisht, na dukej më i vogël se vetja. Më datën 1 shtator të atij viti nisëm ditën e parë të shkollës. Ishim një vit më të rritur e kishim hyrë në gjimnaz. Kjo na gëzonte e ndiheshim të përkëdhelur. Na duhej të familjarizoheshim me jetën e përbashkët dhe me regjimin e kazermës.
Ishim në një shkollë ushtarake ku çdo veprim kryhej, me rregull e me orar. Regjimi ditor ishte: 6 orë mësim, në klasë. Në orën 14. 00 hanim drekën. Pas drekës kishim 2 orë kohë të lirë. Në orët 16. 00-20. 00, bënim studim, të detyruar, për t’u përgatitur për mësimet e të nesërmes. Në orën 21. 00 shtriheshim, për të fjetur. Edhe kjo ishte e detyrueshme, mbasi, të nesërmen do të çoheshim në orën: 05. 30 dhe ishim të detyruar të dilnim nga fjetina brenda 3 minutave. Derisa e bëmë tonin këtë veprim dhe e kryenim sipas kërkesave, kujdestari na prapësonte, disa herë, radhazi. Në territorin e shkollës, të gjitha lëvizjet duhet ti bënim me hap rreshtor e me këngë. Ishim ende të parritur dhe ky regjim jetese, na lodhte e na mërziste. Na shkoi në mendje, jo një herë, ta braktisnim shkollën por prapësoheshim nga vendimi, për hir të krenarisë vetjake dhe respektit që kishim për prindërit tanë.
Me Luton u afrova dhe e forcuam miqësinë, kur ai nisi të merrej me futboll e unë bëja pjesë në ekipin e gjimnasteve të shkollës. Luto Sadikaj, shpejt u bë pjesëtar i ekipit të futbollit të të rinjve të “Partizanit”. Që në fgillim më ra në sy vullneti i tij i rrallë. Në mbrëmje, kur bëheshim gati për t’u shtrirë, Luto kryente nga 100 ulje-ngritje, në çdo këmbë. Ky veprim i forcoi muskujt e kombeve e i shtoi forcën goditëse të topit të futbollit. Në mesditë, në kohën e “lirë”, Luto Sadikaj ushtrohej në vegla gjimnastikore. Kësisoj ai formoi një trup tërë muskuj, të fortë e të shkathët e u bë sulmuesi i majtë, potent i ekipit të futbollit të të rinjve të “Partizanit”, me një goditje fantastike të topit. Me mësime dhe me sport, i kaluam, jo keq katër vitet e shkollës “Skënderbej”, e cila, në atë kohë ishte ndër gjimnazet më në zë të vendit. Shkolla na shërbeu për të rritur aftësitë si sportistë cilësorë dhe na pajisi me dije, në disa fusha. Veç lëndëve të përgjithshme, aty mësuam nga letërsia botërore, psikologjia, astronomia, u njohëm me shprehitë mbi automobilizmin, punën me dru e me metal dhe kalitëm fizikun, nëpërmjet përgatitjes ushtarake. Mësuesit tanë ishin nga më të përgatiturit e më kompetentët e vendit. ”Filtrat”, në çdo klasë ishin të fortë; kalonin klasën ata që e meritonin. Mjafton të përmendim se nga 350 nxënës që nisën mësimet në vitin e parë, u liruan, me dëftesë mature 170 “Skënderbegas”. Të tjerët “shteruan” udhës.
Dhamë provimet e maturës dhe kaluam nëpër disa teste, me qëllim që të përcaktohej ardhmëria e secilit. Nga këto analiza, ku vendin e parë e zinin analizat mjekësore e ato psiko-fizike, 10 nxënës u piketuan për të shkuar në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, ku do të përgatiteshin për pilotë. Luto Sadikaj dhe unë përfshiheshim në këtë grup. Një autobus ushtarak, na priste tek dera e shkollës. Nga Vlora kishte ardhur për të na shoqëruar një pilot i vjetër i cili kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe kishte qenë partizan. Piloti që do të na shoqëronte ishte i pashëm, i shkathët dhe uniforma që kishte veshur i shkonte për bukuri.
Kishim zënë vend në autobus e prisnim të niseshim. Shoqëruesi ynë, nuk di përse na lexoi një citat të J. V. Stalinit, sipas të cilit: ”Pilot do të thotë: koncentrim vullneti, karakteri dhe aftësie, për të shkuar në rrezik. . . ”. Mbasi na tha citatin, piloti na u drejtua me fjalët: ”Kush e pranon këtë alternativë, le të vijë; ai që nuk e pranon, mund të zbresë nga autobusi”! Me Luton isha ulur pranë; pamë njëri-tjetrin, në sy. ”Unë po zbres, tha Luto, se më ka kërkuar ekipi i të rriturve të “Partizanit”! Më tej, ai shtoi: ”Nga familja ime, asnjeri nuk e di që unë do të shkoj për t’u bërë pilot”! Si të duash, i thashë; por ja, do të luash futboll 10-15 vjet, po pastaj? Edhe unë që ushtrohem në gjimnastikë, do ta le atë. Atje ku do të shkojmë nuk ka vend të përshtatshëm për t’u stërvitur. Lutos, nga fjala ime iu kthye mendja e ne u nisëm, për t’u bërë pilotë gjuajtës.
Kushtet e jetesës e të mësimit, në Shkollën e Aviacionit ishin më të vështira. Nëse ne i përballuam ato me sukses, kjo falë kalitjes që kishim bërë në shkollën “Skënderbej”. Na bënte mjaft përshtypje fakti që qysh në fillim, sapo nisëm mësimet, në shkollë e jashtë saj flitej vetëm për vështirësi e rreziqe. Dëgjonim të flitej e përflitej për braktisje të aeroplanit me parashutë, për raketa, topa e bomba etj. etj. elementë me rrezikshmëri të lartë.
Pas përgatitjes teorike tetë mujore ku mësuam lëndë të ndryshme, të cilat synonin njohjen e anës konstruktive dhe shfrytëzimin, në tokë e në ajër të aeroplanit mësimor, fillestar, me helikë Jak-18A, pastaj kaluam, nga auditorët në startet e fluturimit. Ishim kursi i parë që do ta nisnim e do ta përfundonim shkollën e aviacionit, në profilin e pilotit, këtu, në vendin tonë. Deri atëherë pilotët ishin përgatitur e ishin specializuar në shkollën sovjetike e në atë kineze të aviacionit. Të gjithë ishim adoleshentë. Instruktorët tanë, të teorisë e të fluturimit, sidomos këta të fundit, ishin në moshë të re, si ne. Në grupin e studentëve që fluturuan në aeroplanin me helikë, fillimisht ishim 25 vetë; pesë nga të cilët nuk e fituan të drejtën për të vazhduar më tej.
Në vitin 1965, kaluam në aeroplanin reaktiv Mig 15 Bis. Ishte një aeroplan i bukur, serioz e me të dhëna taktiko-teknike të kohës. Edhe ne ishim rritur e nuk ishim më fillestarë. Si në mësimet teorike, në kabinete dhe në fushën e blertë ku kryem praktikën fluturuese dëftuam, si grup, tregues të mirë cilësorë. Luto Sadikaj, ishte në grupin e përparuar të studentëve për pilotë. Ai “zhytej” në literaturë, studionte me vullnet e këmbëngulje dhe në mënyrë të thelluar. Ngrihej nga librat vetëm kur dikush prej nesh e thërriste për të luajtur me top, nga ullishta. Shkonim në ullishtë e luanim futboll, fshehurazi, mbasi në shkollë nuk na lejonin, nga droja se mos dëmtoheshim, pa dashje- fizikisht.
Në vitin e fundit të shkollës së aviacionit, që përkon me vitin kalendarik 1966, Luto u shqua mes nesh, në elementët e përdorimit luftarak të aeroplanit Mig-15 Bis. Vlerat e tij si pilot cilësor, qenë kriteri bazë për emërimin e tij pilot gjuajtës-bombardues, në Regjimentin e Aviacionit, në Rinas. Aty Luto, fillimisht fluturoi në aeroplanët reaktivë parazanorë Mig-17F, me parashikim që, shpejt të kalonte në ata mbizanorë Mig-19S. Luto Refat Sadikaj ishte nga ata djem këmbëngulës në aviacion, me vullnet të rrallë që synonte progresin e shpejtë në profesionin e pilotit. Fiziku i zhvilluar ishte në anën e tij. Ai u përball e fitoi me kalimin, në të njëjtën kohë, në dy aeroplanë reaktivë: Në Mig-17F dhe në mbizanorin Mig-19S. Kjo ishte e pangjarë dhe e paparë në vendin tonë. Ndodhia në fjalë i përket vitit 1968, kur Luto Sadikaj dhe tre të tjerë u përzgjodhën e u shquan mes tetë pilotëve të grupit të tij.
Në vitin 1969, në vendin tonë nisën të qarkullonin fjalë se aviacioni shqiptar do të pajisej me aeroplanë të sofistikuar të tipit Mig-21. Frynte era e modernizimit të mëtejshëm të flotës ushtarake- ajrore të vendit, me aeroplanë të kohës. Aeroplanët në fjalë do të merreshin në Kinën e largët. Me qëllim që të përvetësohej, ky tip i ri aeroplani, me veçori shfrytëzimi, u dërguan në vendin aziaztik një grup pilotësh, nga më të përparuarit dhe një grup teknikësh e specialistësh, gjithashtu me të dhëna e kualitete të përshtatshme. Në grupin e pilotëve, tre vetë ishin më të rinj në moshë e me më pak orë fluturimi nga pjesa kryesore e shokëve. Mes tyre bënte pjesë dhe Luto Sadikaj. Çuditërisht, në çastet e fundit, para nisjes, një urdhër nga lart e spostoi Luton nga lista e, në vend të tij u caktua një pilot me përvojë më të gjatë fluturuese. Ky spostim nuk kishte të bënte ne aftësitë fluturuese të Lutos, të cilat ishin në nivele nga më të lartat por, ashtu u gjykua nga ata që e kishin në kompetencë. Të përzgjedhurit nga grupi ynë (Vangjel Koroveshi, Luto Sadikaj, Petrit Bebeçi) qëndronin, krahasimesh më lartë nga disa më me përvojë, sa u takon shprehive në ajër.
Në muajin janar të vitit 1971, në qiellin shqiptar, u panë, për herë të parë siluetat e aeroplanëve mbizanorë Mig-21, të cilët, dita-ditës fituan statusin e “Zotëve të qiellit tonë” e u bënë “krenaria” e forcave ajrore të vendit tonë. Më 1 Maj të atij viti (1971), mbi tribunën e festës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, parakaluan nga ajri 5 shigjeta, në formacion parade. Ishin migët 21, të pilotuar nga pilotë shqiptarë. Ata që i vrojtuan, përjetuan një bukuri të paparë dhe ndjemë një krenari e kënaqësi të ligjshme. Forca ajrore e vendit ishte fuqizuar me aeroplanët luftarakë më të sofistikuar të kohës. Shpresat e atyre që nuk na donin të mirën ishin bërë pluhur e hi. Viti pasardhës, 1972 shënoi përgatitje intensive për kualifikimin e pilotëve që kaluan në avionët Mig-21, në Kinë dhe, paralelisht u punua, me një grup pilotësh me perspektivë, për të kaluar në këtë tip avioni, këtu, në vendin tonë, në aerodromin e Rinasit. Kjo ishte një punë, e cila kryhej për herë të parë. U përzgjodhën pilotë të rinj, me moshë22-23 vjeç, të cilët dalloheshin për teknikë pilotimi të lartë dhe që ishin me perspektivë të qartë.
Aso kohe piloti Luto Refat Sadikaj, fluturonte në aeroplanët mbizanorë gjuajtës- bombardues Mig 19S, ditën, në kushte të thjeshta të motit. Synohej të merrte klasin e dytë të pilotit ushtarak. Me vullnetin dhe këmbënguljen karakteristike të tij, Luto Sadikaj u përfshi në grupin e pilotëve të kalimit në avionët Mig-21, së bashku me shokët e tij: Dhimitër Robo (Dëshmor i Atdheut); Klement Aliko; Musa Kame dhe Kujtim Kryekurti. Instruktor i tyre ishte njëri nga pilotët më në zë të vendit, Gëzdar Veipi. Luto Sadikaj, edhe në këtë rast shkëlqeu e u bë shembull për kolegët, si në teori dhe në fluturim. Spikatën, e shkëlqyen me forcë, talenti dhe aftësitë e tij, të rralla.
Luto Sadikaj ishte një pilot me teknikë pilotimi të lartë e të qëndrueshme. Ai ishte i tillë, jo vetëm kur çdo gjë, në ajër shkonte për mbarë por dhe kur gjendej përpara të papriturave e prapësive. Madje, në raste të tillë vihej në provë seriozisht personaliteti dhe vlerat e vërteta të pilotit. Ngjarjet e veçanta në ajër, në jetën e një piloti vërtet ndodhin rrallë, por kur ato duken në jetën e pilotit, venë në provë talentin dhe vlerat e tij. Për fat të keq, në jetën fluturuese të Luto Sadikaj, të papriturat kanë pasuar njëra-tjetrën. Në një fluturim me avionin Mig-21, kur ai ishte ngritur, nga aerodromi i Rinasit, natën, në kushte të thjeshta meteorologjike, kur kishte arritur lartësinë 100m dhe i kishte mbledhur rrotat e flatrat, normalisht. Luto dëgjoi se zhurma që depërtonte ë kabinën ku ndodhej, papritur ndryshoi. Fanari i kabinës së avionit po çohej përpjetë. Me fizikun e tij të kalitur e me krahët tërë muskuj, ai u mundua ta ulte fanarin dhe ti fuste kunjat ne fole, që, më pas të fiksonte ganxhën e fanarit, por, me një dorë kjo ishte praktikisht e pamundur. Avioni, me dorën tjetër duhej drejtuar. Avioni, në regjimin e marrjes së lartësisë, po shtonte shpejtësinë dhe forca ngritëse u rrit, deri në atë shkallë sa rrymat e fuqishme të ajrit e shkëputën fanarin nga avioni. Pilotimi i mëtejshëm i aeroplanit u bë tejet i vështirë. Thuajse i pamundur. Në avionin Mig-21, për shkak të konstruksionit, avioni, pas shkëputjes së fanarit, nuk e mbron pilotin, nga rrymat e fuqishme të ajrit. Lutos i mbetej vetëm të mbronte kokën, me anë të xhamit të blinduar, mbi kokë, i cili e mbron pilotin nga predhat. Por, edhe ky xham është i vendosur 30cm, më larg fytyrës së pilotit, krahasuar me avionët paraardhës. Zhurma e rrymave të ajrit, mbyste atë të motorit dhe krijonin përpara syve një perde, të bardhë.
Forcat që veprojnë në aeroplan tentonin ta nxirrnin Luton nga kabina e avionit. Shpejtësia e fluturimit lëkundej nga 300 km/orë, që është shpejtësi minimale, deri në 1000 km/orë. Zhurmat kishin bllokuar radiokëmbimin mes pilotit në ajër dhe udhëheqësit të fluturimeve, në tokë. Piloti u mundua të vendoste shpejtësinë progresive të avionit 500-600 km/orë por e gjeti të vështirë. Lëshoi rrotat. Avioni nisi të fluturonte qëndrueshëm. Falë vlerave të rralla, si njeri e si pilot, Luto Sadikaj ia doli ta ulte aeroplanin, pa fanar, në aerodromin e ngritjes, në parametra normalë. Duke iu referuar tipareve të Lutos, mund të them se atë e favorizuan: aftësitë e larta tekniko-profesionale, guximi dhe trimëria, qëndrueshmëria përballë të papriturave dhe burrëria, të cilat i dhanë mundësinë për të dalë faqebardhë. Pas uljes, kur ai tentoi të lëshonte parashutën e frenimit, rrymat e ajrit ia përplasën dorën prapa. Mbasi ndaloi avionin, fiku motorin, zgjidhi rripat e doli nga kabina. Nuk zbriti nga shkalla por u hodh, nga ajo lartësi, pa pritur t’i afronin shkallën. E pamë të shpërfytyruar; sytë i mbante të mbyllur. ”Më duket sikur kam rërë, në sy”- më tha, kur e pritëm dhe e uruam që u kthye shëndoshë e mirë.
Mes përqafimeve të shokëve, dikush e pyeti: ”Çfarë të shkoi në mendje, në ata çaste”? në atë çast fatlum, për të e për ne shokët e tij, na tha: ”M’u kujtua vetëm Gresa, vajza e madhe; në vend të aviohorizontit (instrumenti qendror e më kryesori, në dërrasën e instrumenteve), më shfaqej fytyra e saj”. Raste të ngjashëm me këtë të Lutos janë të rrallë, e zakonisht përfundojnë me katastrofë ajrore. Luto Sadikaj i mbijetoi situatës e doli fitimtar mbi të; e solli avionin shumëmilionësh në tokë dhe ruajti gjënë më të shtrenjtë – jetën e tij. Akti që kreu Luto Sadikaj ishte heroik, por jo i vetmi.
Në një rast tjetër, kur fluturonte me avionin Mig-21, në aerodromin e Gjadrit, Luto Sadikaj, poërballoi një situatë mjaft të rëndë ajrore. Fluturonte ditën, në kushte të thjeshta të motit. Detyrën e kishte të arrinte shpejtësinë e fluturimit, sa dy herë atë të zërit, në lartësinë 13000 m. Manovra, për marrjen e lartësisë dhe për kapjen e shpejtësisë të caktuar, ndërtohej sipas një skeme, e cila kalonte larg qendrave të banuara. Për të shmangur efektet shkatërruese që shkakton goditja, pas kalimit të barrierës së zërit. Kur shpejtësia e avionit që drejtonte Luto, arriti 1920 km/orë (M=1. 8), motori i aeroplanit ndryshoi zhurmën. Ai nisi të punonte në mënyrë të paqëndrueshme. Sipas rregullit, piloti Luto Sadikaj, i raportoi, nëpërmjet radios, udhëheqësit të fluturimeve, në tokë. Ai e udhëzoi, të zvogëlonte shpejtësinë e fluturimit, nëpërmjet stakimit të forsazhit, i cili çliron fuqi motorikë shtesë. Luto veproi, menjëherë por avioni, në pak sekonda nisi të lëkundej rreth boshtit horizontal. Koka e Lutos u godit fort, pas fanarit, në pjesën e sipërme e piloti u trullos. Edhe pse në kokë kishte skafandër, në fanar mbeti shenjë e dukshme. Shpejtësia e aeroplanit rritej, vazhdimisht; ajo kaloi 2150 km/orë. Forsazhi nuk u stakua dhe avioni shkonte drejt shkatërrimit. Ishim në aerodrom dhe ndiqnim situatën ajrore, nëpërmjet radiokëmbimit të piloti në ajër me udhëheqësin e fluturimeve dhe vrojtonim vijën e inversit. U krijua një situatë e frikshme e ne u shqetësuam mjaft. Qetësia na u rikthye vetëm kur pamë që shoku ynë e “bëri zap” atë “bishë të tërbuar”.
Pas zbritjes normale, në tokë, disa ditë radhazi, aeroplanit që paraqiti defektin e mësipërm iu bënë kontrolle të imëta, në të gjithë sistemet dhe agregatët. Tekniku i aeroplanëve, mendjendrituri e duararti Gani Villa, vuri re që konusi ishte vendosur mbrapsht. Gabimin e kishin lejuar specialistët e uzinës të origjinës të avionit, të cilët bënë riparimin e mesëm të këtij tipi, në kushtet e ofiçinës dhe nuk lejuan provën në ajër të avionit të riparuar. I njihnim mirë vlerat e Luto Sadikaj, si njeri e si pilot, ndaj na u përforcua bindja, se atë defekt, me natyrë mjaft të rrezikshme, vetëm ai mund ta përballonte. Ajo që i ndodhi Lutos, nuk favoriz00nte as braktisjen e aeroplanit nëpërmjet katapultimit, për arsye se shpejtësia e fluturimit dhe lartësia në të cilën ndodhej avioni ishin tej të rekomanduarave.
Luto Sadikaj ishte i çiltër, në marrëdhënie me kolegët dhe me vartësit. Pas çdo fluturimi, ai ulej mes tyre dhe analizonte në detaje çdo ndodhi apo shmangie nga parametrat. Duke shpërfaqur çiltërisht mangësitë e lejuara, ai bëhej shembull i mirë e burim frymëzimi, për efektivat e regjimentit e më gjerë. Ai e jepte shembullin vetjak edhe duke fluturuar, në avionët Mig 21, së bashku me kolegët e tij të skuadriljes së tretë, duke qenë në detyrën e komisarit të regjimentit. Luto merrte pjesë në të gjitha detyrat, sipas programit e nuk kishte rast që ti shmangej fluturimeve, por i kërkonte ato. Në këtë tip avioni, prej vitit 1974, kur ra, në krye të detyrës Dhimitraq Robo (Dëshmor i Atdheut), nuk kishte ndodhur asnjë premisë për ngjarje të jashtëzakonshme.
Teknikët e aeroplanëve dhe specialistët e aviacionit, ishin me nivel e aftësi të lakmueshme profesionale. Ata freskoheshin, herë pas here, me më të rinj, nga prurjet e Akademisëtë Aviacionit. Mosha e teknikëve dhe pilotëve të skuadriljes së tretë ishte e re dhe mes tyre ishin vendosur marrëdhënie vëllazërore, të besimit të ndërsjelltë. Ata ishin miq të mirë me njëri-tjetrin, jo vetëm brendapërbrenda repartit.
Më 29 mars të vitit 1982, në ditën kur regjimenti i Gjadrit kishte dalë për të fluturuar ditën, në kushte të thjeshta të motit, me detyrë praktikimin e pilotëve për të kapur e sulmuar shenjat ajrore, Luto erdhi në start (vendi ku qëndrojnë, përcillen e priten aeroplanët), pak kohë para se të nisnin fluturimet. Detyra e Komisarit të Regjimentit, përveç fluturimeve, si të gjithë pilotët, e obligonte Luton me detyra të tjera, nga më të ndryshmet, të natyrës jofluturuese. Isha vartës i tij por e kisha dhe shok e mik, për kokë. Jo kur u bashkuam në Regjimentin e Gjadrit, por qysh prej vitit 1959, kur shkuam në Shkollën Ushtarake “Skenderbej”. Flisja hapët me të e me dashamirësinë e mikut të mirë. Para se të ngjitej në avion, i thashë, shoqërisht e me të qeshur: ”Herë tjetër nuk do të të lejoj të fluturosh, po nuk respektove regjimin ditor të pilotit”! Ai m’u përgjigj, po me ton dashamirës: ”Po, do të bëj siç bën ti që le çdo gjë, para fluturimit dhe përgatitesh sikur të jesh pilot i thjeshtë. Se për të fluturuar kemi ardhur, që prej vitit 1959; jo për pozita”! Para se të futej në kabinën e aeroplanit Mig-21, me numër anësor 108, tekniku i avionit, i raportoi sipas rregullit, mbi gatishmërinë e mjetit ajror dhe e ndihmoi të sistemohej në kabinë dhe të lidhej. Nuk m’u durua. U ngjita mbi shkallë dhe ndoqa veprimet e të dyve. Ç do veprim i tyre ishte i saktë e sipas radhës.
Piloti Luto Sadikaj, lëshoi motorin e aeroplanit dhe provoi, me ngarkesë sistemet e tij. Mbasi u bind mbi rregullsinë e tyre, ai firmosi në fletën e kontrollit, të cilën ia zgjati teknikut. I rashë lehtë sipër kaskës e i urova, me fjalë e me zemër: ”Fluturim të mbarë”! Pashë që u mbyll fanari i kabinës dhe zbrita nga shkallët. Atëherë Luto i mori leje udhëheqësit të fluturimeve dhe lëshoi frenat e avioni i tij lëvizi përpara, për të dalë në brezin e ngritjes. Tekniku i aeroplanit, unë dhe gjithësi u ndodhën në start, nderuam, siç veprohet zakonisht në këtë çast solemn. Objekti ajror, të cilin do të kapte e sulmonte Luto, ishte i të njëjtit tip dhe ishte ngritur në ajër 5 minuta më parë.
Në brezin e ngritjes, piloti Luto Sadikaj, vendosi aeroplanin drejt, në qendër të pistës, e ndali atë dhe bëri kontrollin përfundimtar që motori të jepte fuqinë 100% dhe komandat e avionit, të cilat lëviznin lirshëm. Lëshoi frenat e nisi të shtojë fuqinë motorike, deri në maksimum. E shoqëruam, me sy, ngritjen dhe dëgjuam punën e rregullt të motorit, sipas zhurmës, të cilën e njihnim. Aeroplani u shkëput nga toka, në vendin e caktuar e me kënd normal. Ajo që ngjau më pas ishte fatale dhe pa rrugëdalje.
Kur aeroplani 108 ishte në lartësinë 4-5m, dëgjuam një shpërthim të fuqishëm në motorin e avionit dhe avioni nuk po largohej nga toka. Piloti tentoi të merrte lartësi, por fuqia motorike ishte e pamjaftueshme e avioni nuk u bindej veprimeve të pilotit. E merrnim me mend domethënien e asaj zhurme të pazakontë prandaj u shqetësuam tepër dhe dhamë alarmin. U nisën, me shpejtësi, për në skajin Verior të aerodromit, makina zjarrfikëse; autoambulanca dhe makina e gatshme, e cila vihet ne levizje, në rastet avari. Luto Sadikaj ishte përballë një defekti të rëndë e në situatë kritike, ku rrugëdalja ishte e kufizuar. Ai, me reflekse të shpejtë vendosi të ulte avionin drejtpërdrejt, përpara, në brezin e ngritjes. Shpejtësia e aeroplanit, në atë çast ishte 380-400 km/orë dhe avioni preku tokën 150m, mbasi kishte lënë prapa pistën. Avioni kaloi brezin jeshil, i cili është i gjatë 500m i gjatë, kaloi dhe brezin me rërë që është brez sigurimi dhe shërben për frenimin e avionit, doli jashtë përmasave të aerodromit të Gjadrit dhe ndaloi pranë ledhit të lumit Gjadër, në pozicion gjysmë të përmbysur.
Në vendin ku ndaloi avioni, shkuan, për ndihmë, të parët, dy fshatarë gjadras. Luto, i ngujuar në kabinën e avionit, u bëri shenjë fshatarëve, që të thyenin fanarin e bllokuar, por ata nuk mundën ta bënin këtë gjë, me veglat që u ndodhën në duar, rastësisht. Duke e ditur rrezikun, në atë situatë të rëndë për jetën e tij, Luto Sadikaj, si njeri me shpirt e zemër të madhe, u bëri shenjë dy gjadrasve të largoheshin, shpejt, dhe. . . pas 29 sekondash, ose pas 60 sekondave nga fillimi i lëvizjes për t’u ngritur, aeroplani Mig-21, me pilotin në kabinë, shpërtheu.
Kështu ra, në krye të detyrës komisari i Regjimentit të Gjadrit, piloti i talentuar Luto Refat Sadikaj; një prind e bashkëshort i përkushtuar, tepër korrekt; një njeri i thjeshtë; nga më të thjeshtët që kam njohur në jetë. Ai nuk iu nda pasionit të tij, për fluturimin por ngrihej, në çdo rast e për çdo detyrë, sikur të ishte djalë i ri dhe kryente të gjitha detyrat e programit te fluturimeve, me avionët Mig-21”.
Më vjen mirë të theksoj se piloti i lindur, Petrit Sado Bebeçi, në vazhdimësi, nga viti 1959, deri sa vdekja e Lutos i ndau, para kohe, të dy janë veçuar, si shokë, miq e pilotë të talentuar. Siç e ka njohur Petriti, Luton, nuk besoj ta kenë njohur atë, as të tijtë, ngatë cilët ai është shkëputur herët. Atë ditë kur ndodhi gjëma e madhe, Petrit Bebeçi ishte në detyrën e komandantit të skuadriljes, në regjimentin e Gjadrit. Petriti ndjente një detyrim të dyfishtë për të ndihmuar Luton; si vartës dhe si shok i lashtë i tij. Petriti ishte njëri nga specialistët më në zë të fluturimit. Ai njihej si njëri nga specialistët e shfrytëzimit të aeroplanit të sofistikuar Mig-21. Prandaj e ndjente si obligim për tiu gjendur pranë, në çdo çast Lutos e ta asistonte me ndihmesë të kualifikuar fluturuese. Mendimin e kualifikuar të Petritit, Luto Sadikaj e dëgjonte dhe e mbante parasysh.
Shoqëria dhe miqësia mes dy pilotëve cilësorë lindi në auditorët dhe në fjetinat e Shkollës së Mesme Uashtarake “Skënderbej”; hodhi shtat në vitet e Shkollës së Aviacionit, në Vlorë; u çimentua, vit pas viti gjatë jetës e punës së përbashkët në repartet e aviacionit e i dha frytet në Gjadër, kur ata fluturonin, të dy në aeroplanët mbizanorë Mig -21, në Skuadrilen e trete te regjimentit. Petrit Bebeçi dhe Luto Sadikaj ishin e ndiheshin si vëllezër.
Le ti hedhim një vështrim të shkurtër jetës dhe karrierës, si pilot të Luto Refat Sadikaj, prej vitit 1964, kur ai hyri në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, derisa u nda nga jeta, në atëfluturim fatkeq, të datës 29 mars të vitit 1982:
Në vitin 1964, Luto Sadikaj nisi udhën për t’u bërë pilot, në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë. Fillimisht Luto nisi të fluturonte me aeroplanët e lehtë mësimore, me helikë të tipit Jak-18A. Instruktor të teknikës së pilotimit kishte devollinë “babaxhan” Admir Fllaga, i cili kishte kryer shkollën sovjetike të aviacionit. Admiri, i kompletuar, si nga ana teorike dhe nga ajo praktike, ishte bërë njëri nga instruktorët specialistë, më të mirë të llojit të tij. Ai zotëronte një teknikë pilotimi të pastër e i mësoi Lutos të fshehtat e ajrit dhe vështirësitë që duhet të kapërcente në jetën si pilot.
Duke u futur në hullitë e lundrimit në ajër, ditë pas dite, adoleshenti Luto Refat Sadikaj, u bind në vërtetësinë e thënieve të Stalinit, në atë citat që u tha, para nisjes për në Vlorë, ai veterani i aviacionit, i veshur me uniformën e bukur të aviatorit. Instruktor Admiri u kënaq kur pa se në listën e studentëve të grupit të tij, bënte pjesë dhe Luto Sadikaj. I kishte vrojtuar e studiuar instruktori syçelët i teknikës së pilotimit, studentët, qyshse erdhën në auditorët e shkollës së aviacionit. Madje Luto Sadikaj ishte “gjigand” dhe trupi i tij binte në sy, menjëherë. Mbasi u prezantuan, nga komanda e shkollës, instruktorët dhe studentët u njohën me njëri-tjetrin, më nga afër. Admiri pa tek Luto një djalë të shëndetshëm, të fuqishëm, të shkathët, të zgjuar e të qeshur. Thellimi i njohjes, e bëri me dije instruktor Admirin për veçoritë e karakterit e sjelljen e Lutos. Luto manifestonte, frymë komunitare, dashuri e respekt për shokët, dashamirësi, korrektesë e edukate qytetare. Ai ishte mjaft i edukuar e i kulturuar dhe me disiplinë të fortë e të vetëdijëshme. Djaloshi i ardhur nga Shkolla e Mesme Ushtarke “Skënderbe j”dëftoi se e kishte marrë seriozisht udhën e ajrit. Ai e donte shumë aeroplanin dhe fluturimin. Mbasi e “shijoi “ajrin, dhe u dashurua pas tij, mezi priste të nesërmen, për t’u ngjitur rishtaz në lartësi. Siç dëfton instruktor Admiri, Luto Sadikaj, arriti tregues cilësorë, në teori e në praktikë. Ngaqë e donte mjaft aeroplanin, iu fut njohjes së tij në detaje dhe kishte etje të mësonte, sa më parë elementët e fluturimit. Luto kishte bindje mbi domosdoshmërinë e kryerjes me përpikëri të elementëve të fluturimit, të cilët i kapte e i përvetësonte shpejt dhe ishte “fanatik”për kryerjen e çdo elementi, me disiplinë shkencore. Njihte mjaft mirë rastet e veçanta që mund të ndodhin në fluturim dhe i përshkruante ata, me vërtetësi e rigorozitet. Duke i njohur në detaje rastet e jashtzakonshme, Luto Sadikaj, jo vetëm që nuk e njihte frikën por kishte dëshirë ti ndeshte ato në praktikën e fluturimit.
Në vitin e tretë të shkollës së aviacionit, kur fluturonte për përvetësimin e elementëve të përdorimit luftarak, të aeroplanit Mig-15 Bis, instruktor fluturimi ishte piloti nga Sasajt, Zija Shyqo Memi. Të dy të çiltër, të dy njerëz të urtë, të cilët u morën vesh, për bukuri, me njëri-tjetrin dhe e realizuan programin cilësisht. Shokë të grupit të studentëve për pilotë, në kohën kur Luto Sadiku fluturonte në Pishëporo, me aeroplanët Mig-15 ishin: Petrit Bebeçi; Vangjel Koroveshi; Sabri Toçi; Dhimitër Vasho; Delo Isufi (Seraj); Sali Peçi; Flamur Pupa; Isa Arapi; Lutfi Jaho; Stiljan Tanka; Rafail Bulgareci; Lutfi Hysenaj; Bilal Sinaj; Hetem Alia; ; Azis Alla; Eqerem Tuga dhe Skënder Mesiti. Mund të them, pa mëdyshje, se Luto Refat Sadikaj ishte balli i grupit, në 20 djemtë e përzgjedhur për t’u bërë pilotë, në çdo drejtim.
Djali adoleshent me origjinë nga Çorrushi i Mallakastrës veçohej nga shokët, për nga tiparet e karakterit e figurën e tij të pastër. Edukata e shëndoshë dhe kultura e të sjellurit, binin në sy qysh në takimin e parë me të. Me fizik të zhvilluar e të kalitur mirë, natyralisht i zgjuar, i qetë, i mënçur, trim i çartur, tepër korrekt e dashamirës, i shoqërueshëm e i vemendshëm ndaj të tjerëve, me vullnetin dhe këmbënguljen e tij për t’u futur në të fshehtat e profesionit të pilotit dhe me prirjen për të depërtuar në drejtim të njohjes së të papriturave, të benin me turp. Ai merrte anën e të resë dhe ishte i prerë për të ecur me kohën. Në gen, Luto Sadikaj kishte interesimin për të mësuar e interpretuar çdo dukuri, që shfaqej rendom në jetën e përditshme.
Pas përfundimit, me tregues të lartë, të shkollës së aviacionit, në fundvitin 1966 Luto Refat Sadikaj, u diplomua pilot gjuajtës-bombardues dhe u titullua oficer. Ai u emërua në Regjimentin e Aviacionit, në Rinas, afër kryeqytetit, fillimisht në funksionin e komandantit të ekipazhit. Brenda vitit 1967, Luto iu përfill punës për të fluturuar, njëkohësisht, në dy tipa aeroplanësh, të ndryshëm nga njëri-tjetri; në Mig-17F dhe në Mig -19 S. Ndoshta ky është një rast unik në historinë e aviacionit tonë. Nuk e kishte shkallën e klasifikimit; as përvojën si fluturues dhe sasinë e orëve të nevojshme, për të kaluar në avionët mbizanorë, por kishte, në anën e tij: Vullnetin e palëkundur, këmbënguljen (jo kokëfortësinë) dhe një teknikë pilotimi të përkryer, për stazhin e pakët që kishte si pilot. Këto e justifikonin dhe e bënin të mundur kalimin, para kohe në këtë tip aeroplani, te sofistikuar të kohës. Ia vlen të theksohet se Luto Sadikaj dhe kolegët e tij të grupit të kalimit, e realizuan kalimin këtu, në Shqipëri, në aerodromin e Rinasit, pa patur në shfrytëzim aeroplanë dyvendësh. Instruktor i teknikës së pilotimit, i cili u mësoi veçoritë e shfrytëzimit të aeroplanit të ri, ishte korçari simpatik, i shkathët e me teknikë pilotimi, për t’u patur zili; Roland Mandi Sofroni.
Ishte grupi i parë i pilotëve që kryenin kalimin në aeroplanin mbizanor Mig-19 S, në kushtet tona, të cilat nuk ngjanin me ato të aleatëve tanë Europiano-lindorë. Shokë grupi të Lutos, në këtë kalim ishin: BegoHoxha, ndjesë pastë; Sabri Toçi, ndjesë pastë dhe Alqiviadh Dede. Kalimi u krye në kohë rekord dhe me tregues të lartë. Forca goditëse e aviacionit tonë u shtua me talente të rinj.
Kur orët e fluturimit, për çdo pilot, për shkak të mungesës së motoresurseve kishin filluar të reduktoheshin ndjeshëm, Luto Sadikaj. bëri kalimin në aeroplanin më të sofistikuar të kohës, gjuajtës-bombarduesin me shpejtësi më se dy herë shpejtësinë e zërit, në Migun-21. Edhe kalimi në avionët Mig-21, u krye në Shqipëri, dhe pikërisht në aerodromin e Rinasit. Instruktor të teknikës së pilotimit, kishte pilotin e talentuar nga Picari i Gjirokastrës, Gezdar Riza Veipi. Shokë grupi, në atë kalim, i cili bëhej, për herë të parë në vendin tonë, Luto Sadikaj kishte: Dhimitër Robon, ndjesë pastë; Klement Alikon; Musa Kamen dhe Kujtim Kryekurtin. Kësisoj, Luto Refat Sadikaj mund të quhet, me plot gojën si pilot 24 karat, puro shqiptar. Fluturimet, në tërësi, pilotit Luto Sadikaj i shkuan mbarë. Ai e përballoi ngarkesën dhe sakrificat, me tiparet e tij të qënësishme, me përgatitjen e spikatur dhe me cilësitë fluturuese të nivelit të lartë. Mirëpo ajri, nuk ti dëfton kollaj të gjitha të fshehtat që mblon brenda vetes. Ai, në disa raste shfaqet, befasisht, dhe rrezikshëm, me prapësitë e tij dhe e ve në provë serioze pilotin. Një të tillë i rezervoi Luto Refat Sadikaj në shtator të vitit 1973. Ja si ndodhi:
Regjimenti i Rinasit fluturonte natën, në kushte të thjeshta të motit, sipas planit vjetor të fluturimeve. Ngriheshin në ajër, në të njëjtin aerodrom, aeroplanët Mig-19S dhe ata Mig-21. Luto fluturonte në avionët Mig-21. Pas kalimit të avionit në regjimin e marrjes së lartësisë, avioni Mig-21, me të cilin fluturonte Luto Sadikaj, në ajër, papritur iu shkëput fanari i kabinës e piloti mbeti i pambrojtur në pjesën e fytyrës. Rrymat e fuqishme të ajrit, nuk e lejonin Luton, as për të parë dërrasën e instrumentëve, ku janë vendosur orientuesit kryesorë të cilët bëjnë të mundur pilotimin e avionit. Instrumentët e pilotimit dhe ata të novigacionit e të kontrollit të sistemeve, u ç’akorduan plotësisht. Zhurmat nuk lejonin të realizohej radiondërlidhja e pilotit në ajër, me udhëheqësin e fluturimeve, në aerodrom.
Siç dëfton i vëllai i Lutos, Sadiku, njeri i aviacionit, ”Lutua nuk dinte ku ndodhej, u përkul përpara, për të minimizuar efektin negativ të rrymave të ajrit dhe dorezën e komandimit e mbajti me këmbë. Fluturonte kuturu. Ai u befasua kur dalloi dy drita, në kabibën e avionit. Mendoi se shikonte dritat e pistës por ishte i gabuar. Udhëheqësi i fluturimeve, për ti ardhur në ndihmë pilotit, që ndodhej në fatkeqësi, drejtoi lart, dy projektorët e uljes. Më pas, Luto vuri re dritat e aerodromit, lëshoi rrotat dhe erdhi në ulje të përpiktë, siç dinte të ulej ai. Shokët e pritën, të entusiazmuar dhe e përqafuan, të përlotur, duke e uruar për atë mrekulli që bëri. Autoritetet shtetërore të kohës i thanë: Ke bërë detyrën”. Kjo sjellje e padenjë preku, jo vetëm sedrën e pilotit Luto Sadikaj, i cili sakrifikoi jetën, për të shpëtuar avionin, por fyeu dhe kolegët e tij, të cilët e kishin Luton, “idhull të tyre”.
Rasti i pazakontë që i ndodhi Luto Sadikaj është i rrallë, ndoshta unik, për atë kohë. Sipas literaturës teknike dhe instruksioneve përkatëse të kohës, kur pilotit që fluturon me avionin Mig-21 i shkëputet fanari i kabinës, në ajër, ai, detyrimisht duhet të braktisë avionin, me katapultë e të shpëtojë jetën e tij. Luto Refat Sadikaj, ishte trim, me fletë e nuk e ndoqi këtë rrugë. Ai e donte shumë avionin e fluturimin por, braktisjen e aeroplanit, trimi i çartur Luto Sadikaj e çmonte si paburrëri, si braktisje e shokut në situatë të rëndë ajrore dhe një bishtim ndaj rrezikut. Prandaj piloti Luto Sadikaj vendosi, në çast, (punë sekondash) të qendronte në kabinën me fanar të shkëputur, deri në pikën e fundit të karburantit. Ai nuk zgjodhi udhën që i rekomandonin instruksionet, edhe pse e dinte mirë këtë. Pas kaq kohësh, njerëzit janë të lirë ta gjykojnë veprimin, me mendje të ftohtë e në kushte komode, por në situatën kritike në të cilën u ndodh ai deli djalë, kur i rrezikohej jeta, veprimi që bëri rezultoi fatlum e Luto u kthye në aerodrom, me fitore, mbi rrezikun iminent që i kanosej. Një qendrim të tillë, burrëror e me trimëri të rrallë, mund ta mbajë vetëm një pilot me vlerat fluturuese dhe njerëzore si Luto Refat Sadikaj.
Në atë kohë Luto Sadikaj ishte i martuar, me një grua model, kapedanedhe fisnike, si Margarita. Ai e donte shumë të shoqen dhe vajzën e tyre Gresën e cila, në miturinë e saj, e kishte ndjerë dshurinë e pamatë prindërore të babait të saj të dhimbsur. Çifti Sadikaj, në atë kohë banonte në Tiranë, në lagjen (Laprakë), në të njëjtën banesë me familjet e pilotëve: Koço Biku; Sefedin Tomçini; Roland Sofroni; Bajazit Jaho; Mahmut Hysa etj. ”Kur i ndodhi shkëputja e fanarit, në ajër- dëfton i vëllai më i madh, Sadiku, siç i kishte thënë Luto, ”Përpara më dilte fytyra e Gresës; prania e saj, në kabinë, më shtynte të luftoja, deri në pikën e fundit të karburantit. Përpara syve më dilte Rita, bashkëshortja ime “Zonjë e madhe”, babai dhe nëna që mezi më kishin rritur. Pra, në atë situatë të rrezikshme, në ajër nuk isha i vetëme më duhej të qendroja edhe për ata”.
Mjaft njerëzishëm e ka spjeguar rastin, mjeku i aviacionit Lulzim Bilbili, i cili, atë natë kryesonte ekipin që bënte sigurimin shëndetësor të fluturimeve. Ai, në librin e tij, shkruan: ”. . . rrymat e ajrit i shponin fytyrën, si gozhdë. Instrumentët e avionit u çakorduan dhe ai (piloti), nuk shikonte shpejtësinë, lartësinë, xhirot. Dobët dëgjohej zëri i udhëheqësit të fluturimeve. Luto u trondit. Ç’duhej bërë? Të hidhej? Po avioni, ku do të binte? Iu fanit dashuria për të shoqen dhe për vajzat dhe, instinktivisht pëshpëriti: ”O shpirt i babit”! Dhe vendosi: ”Nuk do të hidhem, edhe në kundërshtim me instruksionin, bëri ulje të detyruar, në aerodrom; pa syza mbrojtëse. E çuam në hotel; i dolën shokët; e uruan dhe e përqafuan. Sytë i kishte të kuq. Si të mbushur me gjak. Fytyrën e kishte të kuqe në blu (cianotike). I tha mjekut: ”Më duket sikur sytë i kam të mbushur me rërë”! Pyetjes: Përse nuk u hodhe? Ai iu përgjigj, shkurt: ”Keqardhja për aeroplanin dhe dashuria e madhe, për vajzën e madhe, Gresën”!Kur shkoi në familje, Luto, si prind i dhimbsur, me botë të madhe e shpirt të ndjeshëm, shkoi tek shtrati ku flinte “ëngjëlli”i tij, Gresa, e puthi vajzën dhe mbi faqen e vogëlushes, tok me afshin e dashurisë prindërore, ranë dy pika lot, nga sytë e babait të dhimbsur.
Kur u hap aerodromi i Gjadrit, në fushën e Zadrimës, Luto Sadikaj, ishte, nga të parët e transferoi familjen e re, në qytetin e Lezhës, së bashku me Gëzdar Veipin; Petrit Bebeçin; Hamza Koçin; Klement Alikon; Ilija Marjanin etj. Siç mç rrëfeu Gëzdar Veipi, njëri nga pilotët e elitës të aviacionit të aviacionit shqiptar: ”Luto Sadikaj ishte djalë i mirë, i fortë fizikisht dhe fluturonte shumë mirë. Ai kaloi në aeroplanin Mig-21, këtu, në Rinas, së bashku me Dhimitër Robon; Klement Alikon; Musa Kamen dhe Kujtim Kryekurtin. Ishte grupi i parë i pilotëve që kaluan në avionin Mig-21, në vend. . . . Isha instruktori i tyre i fluturimit.
Dhe Gëzdari e çvendos rrëfimin e tij, në kohë, duke dëftuar kalvarin e rrugëtimit nga Rinasi, ku fluturonin, për në Lezhë, ku i pritnin familjet e tyre. ”. . . Pas fluturimeve në Rinas, udhëtonim, së bashku, me një autobus ushtarak, për në Lezhe, për të shkuar pranë familjeve. Gjatë rrugëtimit, Luto na dëftente për rastin kur iu shkëput fanari i avionit, në fluturim natën. Aq me ndjenjë e përshkruante atë rast fatkeq, sa, kur dëftente, i rrudhej balli e i kullonin djersë. Ndodhinë e përshkruante me saktësi e ndjenjë, sikur të kishte ngjarë një ditë më parë. . . . Kur u vra Luto Sadikaj, isha në ajër. Fluturoja në aerodromin e Rinasit e nuk u ndodha atje”.
Në çdo shkallë e në të gjitha hallkat që përshkoi, deri në detyrën e komisarit të regjimentit, Luto Refat Sadikaj u shqua për vullnet, këmbëngulje e shpirt sakrifice. Ai, nuk ishte vetëm një pilot i rrallë por dhe një futbollist e volejbollist cilësor. Kur afrohej njeriu, tek fusha ku luhej futboll, mes shokesh, Luto sadikaj shquhej lehtësisht. Trupi i tij i formuar mirë, me muskuj e i fuqishëm, gjuajtja e fortë me këmbën e majtë dhe rezistenca e tij ishin faktorët që bënin ta zgjidhnin, të parin në shortet që hidheshin dhe ai përfshihej përherë në ekipin fitues. Ai ishte bazë e ekipit dhe protagonist, në lojë.
Bindshëm e përshkruan këtë anë të personalitetit të Lutos, piloti cilësor e njeriu i mirë Myzafer Zaho, i cili ka qenë shok i afërt i tij dhe e ka ndjekur, me kujdes ecurinë profesionale të heroit të këtij shkrimi. Siç kujton Myzaferi; “Ishte futbolli që na bashkoi me Luton. Fillimisht, u njohëm, kur të dy ishim në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, në vitin 1960. Si dhe Luto, luaja ffutboll, me ekipin e të rinjve të “Partizanit”. Si tiranas që luanim mirë futboll, u inkuadruam në këtë ekip, së bashku me Foto Andonin, ndjesë pastë, me Neptun Bajkon e me të tjerë djem, të moshës tonë. Në shkollë e në ekipin e të rinjve të “Partizanit”qendruam, së bashku, 3 vjet. Luto Sadikaj ishte i fuqishëm dhe luante futboll, fort e ishte rezultativ. Ekipi i të rinjve të “Partizanit”kishte interes, tek ai, mbasi roli i Lutos, në ekip ishte i ndjeshëm. Në biseda të lira flisnim për Tiranën; qytetin tonë të përbashkët dhe për Çorrushin, fshatin ku ai kishte kaluar fëmijërinë e herëshme. Kur isha në maturë, më foli për aviacionin.
Luto Sadikaj dhe Bego Hoxha ndikuan fort, tek unë që të futesha në udhët e qiellit. Begua, të cilin e kisha kushëri dhe e dëgjoja, një ditë më tha: ”Mos shko në vend tjetër, ti do të behesh pilot”!Dhe ashtu u bëra. Edhe kur vinim në Tiranë, pranë familjeve tona, takoheshim, të tre dhe qendronim gjatë, në shoqërinë e njëri-tjetrit. . . . Kur Luto ishte me shërbim, në Gjadër, vinte në Tiranë, shpesh, tek të tijët. Përsëri qendronim, së bashku dhe bisedonim për tema nga më të ndryshmet. . . . E kisha ndër shokët më të ngushtë nga studentët e grupit para meje. . . . Ai merrte pjesë në çdo aktivitet sportiv dhe i jepte tonin aktivitetit. Fiziku i zhvilluar e trupi i fuqishëm e favorizonin këtë. Luto Sadikaj ishte mjaft i sigurtë në punët që bënte. Punonte, pa hile dhe sinqeriteti i tij ishte i dukshëm. Ai ishte mjaft njerëzor; i thjeshtë dhe familjar i rregullt. Përkushtimi i Lutos për familjen ishte i rrallë. Dashuria e tij për të bijën, Gresën, ishte, ndoshta një model i mirë i dashurisë të babait, për të bijën. Kur luante futboll, Luto Sadikaj ishte i papëmbajtur dhe nuk e “mbante “dot njeri. Gjuante fort e saktë, në veçanti me këmbën e majtë. Me këmbën të zbathur, Luto godiste më mirë se sa me këpucë mbathur.
Kur ishte me pushime në konvaleshencën e ushtrisë, në Durrës, trajneri i athershëm i ekipit të ““Partizanit”, i mirënjohuri Bejkush Birçe, e aktivizonte Luton për të stërvitur, çdo ditë, nga 30 minuta, portierin e ekipit – Perlat Musta. E dinte Bejkushi që Luto kishte goditje të fortë dhe gjuante me preçizion, prandaj e aktivizonte dhe e luste të gjuante zbathur. . . . Një ditë, ekipi i futbollit të Regjimentit të Gjadrit, luante futboll kundër ekipit të regjimentit të Rinasit. Ishim shokë, por, në rastin konktret luanim kundër njëri-tjetrit. Luto Sadikaj, edhe kur luante, ishte sedërmadh. Fitoren e dëshironte të ishte në anën e tij por vetëm me drejtësi. Në ekipin e Gjadrit, Luto ishte lider. Në atë lojë, arbitri akordoi penallti, në të mirë të ekipit të Gjadrit. Luto rrëmbeu topin dhe e vendosi tek pika e 11 metërshit. Do ta gjuante vetë dhe hoqi këpucën e këmbës së majtë. (Zbathur ai gjuante më fort dhe saktë). Arbitri e pa e kundërshtoi. Arsyetimi i kundershtimit ishte se nuk e lejonte rregullorja. Luto këmbënguli për të gjuajtur, i zbathur. Si kundërshtar i ekipit të Lutos, unëç isha në anën e arbitrit. Po, ku pyeste Luto Sadikaj? Ai e gjuajti penalltinë, i zbathur dhe shënoi.
Myzaferi e kujton lidhjen me Luto Sadikaj si një shoqëri të pastër, pa interes, si një lidhje kolegësh, ku ndikimi ishte i ndërsjelltë. Siç thekson Myzoja, vlerat e Luto Sadikaj, si njeri e si pilot ishin të dukshme e të prekshme. Ai, i ngjiti hallkat e hierarkisë ushtarake, një nga një e u emërua komisar i regjimentit të ri të Gjadrit. Komandant i këtij Regjimenti, ishte piloti i rrallë, nga Fieri- Dhori Nasi Zhezha. Të dy, ata ishin një çift i rrallë; i paparë: dy shokë; miq e kolegë të mirë. Fluturonin në aeroplanin e sofistikuar Mig-21, te cilit nuk i ndaheshin, asnjëherë. Luto ishte komisar e i duhej të merrej me tërë gamën e problemeve të efektivit të regjimentit (natyrisht, nga këndvështrimi i punës së tij) e kjo i jepte ngarkesë të madhe; ai nuk shmangej nga detyra si fluturues por merrte pjesë në çdo detyrë e në çdo ushtrim të programit vjetor të stërvitjes ajrore. Kur dilte në start Migu-21, Luto Sadikaj ndodhej aty, mes efektivave e në ballë të tyre, i gatshëm për të prirë me shëmbullin vetjak; jo me fjalë, por me fluturim.
Sedra profesionale e spikatur, tiparet e formësuara të një piloti luftarak dhe karakteri i tij i veçantë, i cili buronte nga geni dhe nga edukta që ai kishte marrë, e shtynin Luto Sadikaj të ndodhej atje ku vështirësitë ishin më të shumta e rreziku-iminent. Mirëpo të papriturat dhd kurthet që ngrinin pritat qiellore, nuk iu ndanë komisarit trim Luto Sadikaj. Ai, si sedërmadh që ishte, sikur e kërkonte shw sonte ta sfidonte rrezikun, jo ta anashkalonte atë. Luto ishte pilot i kompletuar. Ai e zotëronte deri në skutat më të fshefta elementët e teorisë të fluturimeve, njihte në detaje konstruksionet dhe proçeset teknologjike të shfrytëzimit të teknikës ajrore; guximi, trimëria dhe qendresa në situata të rënda ajrore, ishin bërë si shtojcë e fizikut të tij prej “gjigandi”; të gjitha, së toku përbënin garanci dhe e miklonin të dilte në ballë të aksionit të fluturimit.
Mjaft i vështirë ishte rasti kur Luto Sadikaj, një ditë, kur fluturonte me avion superzanor Mig-21, i cili kishte dalë nga një riparim të mesëm, i kryer në kushtet e ofiçinës së regjimentit, nga një ekip specialistësh, ardhur nga uzina e origjinës. Atë ditë Luto u ngrit, në ajër, për të kapur shpejtësinë sa dy herë atë të zërit. Siç dëfton kolegu e miku i tij i afërt Petrit Bebeçi; në lartësinë 13000m, kur shpejtësia e aeroplanit arriti 1920 km/orë (M=1. 8), në motor nisi një punë e mbytur (pompazh) dhe motori, as avioni, nuk komandoheshin. Piloti vepronte e ato nuk reagonin. Luto Sadikaj, doli nga ajo situatë kritike ajrore, falë cilkësisë të tij si pilot klasi, i mësuar me kapërcimin e situatave të tilla ajrore, ku jeta e tij ishte vënë në “peshore”jo një herë të vetme.
Mirëpo prapësitëdhe të papriturat ajrore, për Luto Sadikaj, nuk kishin të sosur. Fluturimi, të cilit ai nuk i ndahej, ajri, të cilin e kishte bërë mik dhe e donte shume vazhdonin ti ngrinin kurthe e “taraba”. Kurthet dhe të papriturat që kishte kapërcyer deri atëherë, më 29 mars të vitit 1982 në jetën e Luto Sadikaj erdhën disi ndryshe. Atë mëngjes, fati nuk ishte në anën e komisarit të regjimentit, por kundër tij. Ishte ditë fluturimi e zakonshme. Luto Sadikaj, do të ngrihej, në ajër, me avionin Mig-21, me numër anësor 108, për të kryer një kapje ajrore, të pasuar nga sulme tipike, kundër një objekti ajror (avion i te njejtit tip), i cili ishte ngritur, në ajër 5 minuta para tij. Luto, me avionin e tij, doli në brezin e ngritjes (siç e përshkruan me saktësi e vërtetësi Petrit Bebeçi), por, pak pas shkëputjes nga toka, në një çast kur nuk kishte rrugëdalje tjetër, Lutos i ndodhi ajo, të cilën ai nuk do tja uronte asnjeriut. Një tufë pulëbardhash kishin shtegtuar nga anë e anës, sikur të kishin bujtur në këtë luginë, enkas, për të prurë aty, atë gjëmë.
Pulëbardhat, atë mëngjes fluturonin, të çakërdisura, pranë tokës, në përpjekje për të gjetur ushqim në ugaret e sapopluguar. Arat e pluguara e kishin vënë mes tyre brezin e betonuar ku ngrihen e ulen avionët. Në kohën kur avioni i Lutos, ishte në çastet e shkëputjes normale, nga toka, disa pulëbardha u shkëputën nga tufa e hynë në kanalin e thithjes te motorit te avionit 108. Motori i këtij avioni, ndryshe nga paraardhësit e tij, nuk i ka kanalet e thithjes të mbrojtur nga rjetë metalike që të mos lejonte futjen e shpendëve të egra në motor. Në rastin e migëve 21, shpendët të çoroditura, pas futjes në kanalin e hyrjes, kanë ndeshur në lopatat e turbinës, të cilat rrotullohen me shpejtësi marramendëse, kanë shkaktuar thyerje të tyre dhe, për pasojë kanë shkaktuar pompazh. Në këta kushte fuqia motorike ka rënë ndjeshëm e avioni nuk mund të vazhdonte të ngjitej, përkundrazi.
Ata që ndiqnin, me sy ngritjen e komisarit, panë një flakë jehile, në të verdhë, e cila pështolli trupin e avionit, dëgjuan një zhurmë të mbytur të motorit, jo si zhurma që ishin mësuar të dëgjonin. Piloti Luto Sadikaj, me përvojë të gjatë në fluturime dhe guximtar i rralle, me veprime energjike tentoi të largohej nga toka e të kalonte në marrje lartësie, por avioni nuk i bindej. Fuqia motorike, nuk mjaftonte për këtë punë. Kur pa që avioni i tij tentonte të shkonte drejt tokës dhe vuri re se brezi i betonuar kishte mbetur pas, me reflekse të zhvilluara, veproi shpejt për ta ulur avionin drejtpërdrejt përpara, në brezin jeshil, i cili shërben si rezervë. Brezi jeshil është i gjatë 500m dhe me gjërësinë e brezit të betonuar dhe atij rezervë, anash. Rrotat e avionit me numër anësor 108, prekën tokën 150m, mbasi ai kishte fluturuar sipër lëndinës. Frenimin e avionit nuk e bëri as brezi i sigurisë me rërë dhe ai ndali, vetëm pranë bregores së lumit të Gjadrit, afër një togu me shtëpi, në pozicion gjysmë të përmbysur.
Luto Sadikaju mundua të hapte fanarin e kabinës por të dhjeta kunjat që bëjnë sigurimin e tij, ishin të futura, në fole dhe ishin të deformuara nga goditja që pësoi avioni. Ganxha që siguron fanarin ishte e bllokuar. Dy fshatarë nga Gjadri, të cilët e kishin vrojtuar atë skenë makabre, i shkuan pilotit në ndihmë. Luto, me shënja, u transmetoi mesazhin për të shkallmuar fanarin. U munduan dy gjadrasit, me mjetet që u ndodhën pranë, për të bërë siç u tha piloti në nevojë, por nuk qe e mundur. Koha nuk priste. Luto e kishte të qartë prognozën e ngjarjeve, ndaj u tha (përsëri me shënja) fshatarëve që të largoheshin prej avionit, sa më parë. Pas disa sekondash, nga largimi i tyre avioni shpërtheu, e u mbulua nga flaka. Piloti Luto Sadikaj, një “div”i vërtetë, në të gjithë treguesit, u nda nga jeta.
Ia vlen të ndalemi, në mënyrë të veçantë për të sqaruar këtë çast. Kur themi që Luto Sadikaj ishte njeri me botë e me shpirt të madh. Kjo është një fjalë goje. Po ti referohemi vetëm aktit të tij, tejet njerëzor, në çastet e fundit të jetës, kur u sugjeroi dy fshatarëve të largoheshin nga avioni, sa më parë, sejcili mund të arrije, lehtësisht në përfundimin logjik, se ai, me jetën e tij, mbrojti jetën e dy të panjohurve që i shkuan në ndihmë. Këtë veprim më se human, mund ta kryejë vetëm një njeri i përkushtuar, i cili kishte marrë përsipër misionin e shënjtë, për të mbrojtur jetën e Atdheut e të çdo njeriu të veçantë. Mjetet kundrazjarrit dhe ato të shpëtimit mbërritën shpejt, por shpëtimi i jetës së pilotit ishtei pamundur. Shpërthimi i karburantit dhe i predhave, bënë të vetën. Trupi i pajetë i komisarit u transportua në ambulancën e repartit e më pas në spitalin e qytetit të Lezhës. Më tej, atëe çuan në familje, në Lezhë, ku iu bënë ndrimet që i takonin.
Luto Refat Sadikaj ishte njëri nga pilotët e elitës, të regjimentit e të aviacionit shqiptar, një prind e bashkëshort shëmbullor dhe një qytetar i devotshëm, me shpirt human. Ai ishte i zgjedhur, anëtar i Këshillit Popullor të qytetit të Lezhës; bashkëqytetarët e donin dhe e respektonin. Shpirti i tij human ishte i njkohur, në qytet e më gjerë. Ai, shpesh, u falte te vobektëve veshje e sende nga të tijat e nga të familjes së tij. Një i sëmurë, i cili e kishte parë Luton kur luante futboll dhe kishte përftuar veshje, nga bamirësia e tij, kur u përcoll Luto, i pajetë, iu bshkua proçesionit, me lotë në sy. . . . Një i moshuar, nga fshatrat e Kashnjetit, i cili kishte të birin, ushtar, në regjiment, kur shkoi për ngushëllim në familjen e Luto Sadikut, u shpreh: “. . . Komisarin, as e kam njoft; as e kam taku, por, siç më ka diftu im bir e siç kam ni të flitet në Lezhë, burra të tillë janë të rrallë e nuk qahen. . . ”. Homazhe e ngushëllim e u bënë dhe në familjen e xha Refatit, Në Tiranë. Morën pjesë mjaft shokë, kolegë, miq e dashamirë të komisarit, qytetarë të moshave e profesioneve të ndryshëm, të ardhur nga rrethet dhe nga treva heroike e Mallakastrës.
Këto hollësi nuk i solla në këtë shkrim, për të prekur sentimentet e atyre që do ta lexojnë, por për të përforcuar vlerat morale, popullaritetin që gëzonte në atë trevë komisari Luto Sadikaj dhe sa njerëzi kishte në portretin e atij njeriu të veçantë.
Përcjellja ekomisarit të Regjimentit të Gjadrit, Luto Refat Sadikaj, u krye, të nesërmen e vrasjes së tij, në datën 30 mars të vitit 1982, në varrezat publike të Sharrës, në Tiranë. Me një vendim të posaçëm të qeverisë; Luto Refat Sadikaj u shpall: ”Dëshmor i Atdheut”dhe eshtrat e tij u vendosën në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, në një parcelë të veçantë, prehen pilotët që kanë rënë, në krye të detyrës.
Rënja, në krye të detyrës, e komisarit të Regjimentit të Gjadrit, në një ditë me diell, atje, në fund të brezit të betonuar, në sy të njerëzve që e vrojtonin fluturimin e tij, doemos e shokoi efektivin e regjimentit. Dhimbjen e kësaj gjëme e ndjenë të gjithë efektivat por pilotët e patën disi më pranë. Me kolegët, Luto ishte rritur e, me vullnet të përbashkët kishin përballuar sfidat e rritjes.
Siç veprohet, rëndom, në këta raste, u ndërprenë fluturimet; u bënë analiza e u dhanë provime dhe u bë përgatitje plotsuese, e posaçme. Shkaku i katastrofës ishte i dukshëm e i pranueshëm dhe nuk linte shkak për mëdyshje e interpretime boshe. Mbasi u studiua përvoja botëroreu morën disa masa organizative për të parandaluar futjen e shpendëve në zonën ku zhvilloheshin fluturime, sidomos në ngritje e nëulje. Në botë, përvoja nuk mungonte. Shpendët ishin bërë shkaktarë për bllokimin dhe shkretimin e disa aerodromeve. Me pilotët u zhvilluan mësime e trenazhe plotsuese dhe u pasurua me elementë të rinj, instruksioni i shfrytëzimit të aerodromit të Gjadrit.
Amullia që erdhi vetiu, pas gjëmës, dhe një farë plogështie që u duk tek efektivat, ”u shkundën”e njerëzit “e mblodhën veten”, kur nisën fluturimet, rreth dy javëve më pas. . Komanda e regjimentit, në këtë çështje nuk u nxitua. U kalua nga elementët e thjeshtë, tek ata të ndërlikuarit. Fillimisht, u ngritën në ajër drejtuesit e regjimentit, me avionë dyvendësh, e më pas me ata luftarakë. Prinë me shembullin vetjak, komandanti i regjimentit, Dhori Nasi Zhezha dhe talenti i lindur Petrit Sado Bebeçi e, pas tyre, pilotët e tjerë. Gumëzhitja e turbinave dhe qarkullimi i aeroplanëve, siç bën gjaku kur qarkullon në rrëmba, i dhanë regjimentit gjallërinë dhe jetën e mëparshme. Trishtimi, gradualisht u largua nga pamja e njerëzve të atij garnizoni. Njerëzit e të gjithë profileve, me këtë rast dëftuan shumë shqiptari. Bëhet fjalë për burrëri; vendosmëri e shpirt sakrifice. Pse jo dhe aftësi profesionale.
Në këtë “ndërmarrje”të vështirë, Komiteti i Partisë dhe Komanda e Aviacionit i qendruan pranë efektivit të Regjimentit të Gjadrit dhe ndihmuan, konkretisht, nëpërmjet specialistëve, për të dalë nga amullia e trishtimi i ditëve të para, pas katastrofës ajrore. Shkaku i gjëmës ishte i jashtëm e i dukshëm, por analizat nxorrën në evidencë edhe disa të meta e dobësi, në organizimin dhe zhvillimin e ditës(natës) së fluturimeve. Më tepër u vu theksi tek përgatitja e të gjithë pilotëve, në mënyrë të detajuar, për çdo fluturim dhe për sigurimin e aerodromit, në të gjithë elementët e ruajtjes së tij. Dua të nënvizoj dhe një fakt, i cili, pavarësisht se nuk ishte shkak për ngjarjen, lidhej, larg e larg, me ngarkesën e pazakontë të komisarit, si punëtor që përgjigjej për edukimin e njerëzve dhe, në të njëjtën kohë fluturonte. Komisari që fluturon, lipset të përgatitet, për fluturim njëlloj si pilotët e tjerë. Mund të ndodhë që, gjat kohës së përgatitjes, për fluturim, ti duhet të bisedojë me një oficer i cili, ka mosmarrëveshje me familjen; ose mund ti duhet të merret me një ushtar, që rri i vetmuar, ngaqë në fshat, ka një të dashur, por familja e saj nuk bie dakort të martohet me të. Ka dhe raste kur komisarit, në proçesin e përgatitjes i kujtohet se një ushtar ka nënën, të sëmurë, në malsi e i duhet të shkojë në shtëpi, për ta parë, në palcë të dimrit, mes peripecive të rrugëtimit etj. Këto espostojnë komisarin nga përgatitja për fluturim ddhe e degdisin, sa në një anë, në anën tjetër.
Luto Refat Sadikaj, ishte komisar i Regjimentit të Gjadrit. Një detyrë tejet e rëndësishme e me vlera. Por dhe me përgjegjësi të madhe. Thënë pa dorashka, pozicioni i komisarit, si njeri që merrej e përgjigjej për edukimin e njerëzve ishte tejet i larmishëm e i vështirë. Atij i duhej të merrej me çdo gjë që kishte lidhje me jetesën e efektivave dhe me kërkesat e tyre, jetësore, nga lidhëset e këpucëve, mënyra e veshjes dhe e paraqitjes, sjellja, komunikimi, prirjet e veçoritë e formimit, karakteret e tyre, deri tek aftësitë intelektuale dhe hobet e sejcilit individ.
Detyra e komisar Lutos, bëhej më e vështirë për disa faktorë të veçantë. Në piramidën e ngrehinës, në vijën vertikale të komandës, në çdo hallkë, nisur nga komandanti i ekipazhit, deri në majë të piramidës, tek komandanti i regjimentit kishte persona përgjegjës që ndiqnin dhe organizonin punën, kurse nëvijën e komisarit, kjo nuk egzistonte. Luto, si gjithë komisarët e tjerë të regjimenteve të aviacionit ishte pilot. Ai e kishte pasion të veçantë fluturimin e nuk i ndahej, jo vetëm realizimit të planit vjetor të stë rvitjes ajrore. Mirëpo fluturimi; çdo fluturim, kërkon përgatitje të detajuar për çdo element, gjë që kërkon kohë.
Terreni ku operonte Luto Sadikaj kishte disa veçori. Ai ishte i detyruar të njihte, nga afër e të mbante parasysh karakteristikat dhe veçoritë e banorëve të zonës. Zadrima, Kashnjeti, malësia e Ungreit dhe Rrila, Kakariqi e vende të tjerë nga ku mobilizoheshin ushtarët e regjimentit, nuk janë si fshatrat e rrethit të Tiranës, Krujës, Beratit etj, ku ai kishte punuar. Për të ndërtuar punë ideopolitike me efekte, sipas kërkesave të veçanta të njerëzve, para së gjithash kërkohej njohja dhe mbajtja parasysh e tyre.
Regjimenti i Gjadrit, është “pjellë”e dy regjimenteve te tjerë: E atij të Qytetit “Stalin”dhe të Rinasit. Nga këta dy regjimente “nënë”, u përzgjodhën për në Gjadër efektivat që kishin shkallë kualifikimi më të lartë dhe teknika me moshë më të re. Kishte arsye që u ndoq kjo rrugë, e cila rezultoi e drejtë. Regjimenti që u krijua rishtaz, ishte në terren të vështirë e u ngrit nga e para. Vetëm faktorin erë, të përmendim, lidhur me ndikimin negativ, tek fluturimet, besoj është e qartë. Në duhet të shtoj se niveli i kuadrove që populluan regjimentin e Gjadrit ishte relativisht i lartë. Puna me këtë kategori njerëzish kërkonte domosdo ti përgjigjej një nivel i lartë i komisarit, gjë që kërkonte punë individuale, për rritjen e nivelit, nga Luto Sadikaj.
Në praktikë, në atë kohë, janë vertetuar raste kur komisari, e kishte të vështirë të gjente pozicionin që i takonte e kthehej në një dublant të komandantit. Luto Sadikaj ishte me intelekt të zhvilluar dhe e kuptonte këtë, prandaj sakrifikonte mjaft, për t’u ngjitur në nivelin ekërkesave. Ndoshta, në atë kohë, duhej e mund të mendohej për tja lehtësuar ngarkesën e pazakontë të komisarit; nëveçanti kur bëhej fjalë për një komisar fluturues, siç ishte Luto Sadikaj.
Ndarja nga jeta, në atë katastrofë ajrore e pilotit komisar Luto Sadikaj ishte një humbje e pamatë për të gjithë. Vdekjen e tij e ndjeu, para së gjithash familja e tij: Bashkëshortja kapedane Margarita, vajzat Gresa dhe Eni, të cilat ai i donte shumë, prindërit: Bejlere e Refat Sadikaj; vëllezërit e motrat, shokët e miqtë e shumtë, të tij e të familjes Sadikaj, gjithë sa e njohën atë njeri të veçantë. Se Luto Sadikaj nuk ishte një person dosido por një personalitet, të cilit i pihej dollia qysh me gjallje. Humbjen e tij e ndjeu Regjimenti i Gjadrit, aviacioni e ushtria; dhimbja që la pas hidhëroi mjaft njerëz e “bëri shteg”.
Kanë kaluar mjaft kohë, nga ajo ndarje tragjike por, kujtimi i Luto Sadikaj nuk mund të shuhet kurrë. Ata që la pas: Bashkëshorten; dy vajzat; vëllezërit e motrat, mbesat dhe nipërit e shumtë, shokët, miqtë, kolegët, gjithë sa e njohën e punuan me atë djalë “flori”, kanë çfarë të kujtojnë nga jeta dhe vepra e tij e ndritur. Kjo monografi, kushtuar jetës dhe aktivitetit të tij, le të jetë një kontribut më shumë, në ngrehinën e kujtimit të përjetshëm të tij.
-Lavdi, përjetë kujtimit të atij “deli djali” i cili u “fik” në lulen e moshës e në kulmin e pjekurisë profesionale, si talent i rrallë!
– I ndrittë shpirti e u prehtë në paqe!
Nga Niazi Nelaj dhe Petrit Bebeçi
NJE KOMISAR FLUTURUES..POR DHE NJE NJEI I RRALLE ME ZEMER TE MADHE, ZORE SE GJEJE NJE TE METE SADO TE VOGEL TEK ai NJERI I MADHE i ndrifte shpirti atje ku eshte..