Përkushtim i merituar

Një kujtim i largët më vjen i mjegulluar,  nga koha e gjatë që ka kaluar dhe nga mosha e avancuar që përjetoj, si dëshmi  të atyre viteve të lavdishëm dhe i bëmave të atyre njerëzve të veçantë që nuk duhen harruar. Në këtë togkujtimesh mbresat që më ka lënë një njeri, i cili, nuk ishte si  gjithë të tjerët,  më nxiti të rrëmbej penën e të shkruaj këtë shkrim, si “lapidar” të mosharrimit.  Bëhet fjalë për të paharruarin Andrea Kule ( Ndrekën), i cili, gjykuar nga vlerat që shpalosi gjatë jetës aktive dhe më pas, nuk mund të harrohet. Prandaj, jomëkot e kam titulluar shkrimin, sido që është:” Përkushtim i merituar”.

Jeta e njeriut,vërtet ka disa caqe kohorë, por, për njeriun e mirë nuk egzistojnë kufij në kohë.  Ai, me portretin, punën dhe sjelljen e tij le gjurmë në kohë e ato trokasin në vite e më gjatë, duke mbjellë mosharrimin e tij. Kur bëmat janë të fiksuara  dhe bëhen pronë e të prasmëve, vlera e tyre vjen duke u shtuar. Ngacmimi që më erdhi kur kujtova jetën e “heroit” të këtij rrëfimi është aq i fuqishëm sa i kapërcen kufijtë kohorë e vjen i freskët në ditët tona. Paçka se koha në punë të përbashkët, me Andrea Kulen ka qenë e pakët ( gjithsejt 3 vjet) dhe e shtrirë në vitet e largët 1963-1966, disa tipare të qënësishme të personalitetit të tij, janë ngulitur aq thellë në kujtesën time sa nuk mund të gjendet forcë për ti nxjerrë andej. Me njëri-tjetrin nuk na lidhte fluturimi i përbashkët, mbasi Andrea nuk ishte pilot; as sigurimi i fluturimeve, me teknikë ajrore, mbasi detyrat ishin të ndara; por, fluturimi, si një veprimtari komplekse ku ndërthuren mjaft faktorë e aktorë të profesioneve të ndryshëm, na bashkonte në një “ kor” të përbashkët.

Aeroplanëve u shërbenin një grup teknikësh e specialistesh cilësorë, të cilët e menaxhonin shërbimin inxhenjero-teknik, me njohuri e kompetencë. Fluturuesit, në grup e veç e veç, duke shpalosur tipare të njohura burrërie e aftësi të spikatura, u jepnin jetë përpjekjeve të gjithë atyre njerëzve që merrnin pjesë në ditën ( natën ) kur zhvilloheshin fluturime. Andrea Kule, drejtonte  një sektor jetik, me vlera të pamata,  Grupin e Radiodritës, shërbimi i të cilit nuk mund të nënvleftësohet, as nuk mund të anëkalohet. Pa mbulimin e fluturimeve me mjete radioteknike, as që mund të konceptohet zhvillimi i tyre i suksesshëm. Këto mjete dhe efektivi që i menaxhonte ato ishin në vartësi të Andrea Kules. Grupi që komandohej nga Andrea, nuk kishte vetëm emrin të bukur= radiodritë por sidomos të paçmuara ishin vlerat që i jepte veprimtarisë kryesore të Regjimentit- fluturimeve.

Po çfarë mjetesh dispononte Grupi i Radiodritës?  Në përbërje të këtij Grupi ishte prurësi i largët, i vendosur në krah të qytetit të Fushëkrujës ( në Anameras), në distancë rreth 4 km. larg fundit të pistës të aerodromit të Rinasit. Radiostacioni prurës, emetonte në hapësirë sinjal , i cili shkonte në aparaturat përkatëse të vendosura në aeroplan, transformohej në tregues  dhe piloti, në ajër, mbi bazën e tregimit të instrumentëve, vendoste drejtimin e nevojshëm për të shkuar në aerodromin e uljes. Shigjeta e verdhë në instrumentin e kabinës së avionit, në treguesin me emër ARK-5 ishte bërë orientim i qartë dhe shpresëdhënës për atë që ndodhej në ajër, në të gjithë kushtet e kohës e të motit. Në distancë rreth1 km, nga fundi i pistës, ndodhej prurësi i afërt, i cili ishte vendosur në bregun Verior të lumit të Tërkuzës. Në kompleksin e tij, hynte dhe pelengatori, i cili përcakton vendndodhjen e aeroplanit në ajër dhe i dëfton pilotit drejtimin që duhet të marrë, për t’u kthyer në aerodromin e uljes. Në kompleksin e mjeteve radioteknike të aviacionit hynte stacioni i “ uljes qorre”, i cili emërtohej :  RSP-5, dhe që përfaqëson një lloj llokatori me ndihmën e të cilit piloti vjen në ulje pasive.  Grupi i radiodritës ka në përbërje dhe projektorët e afrimit e ata të ndriçimit të pistës  si dhe dritat anësore te aerodromit.  Të gjithë këta mjete, në kohën për të cilën bëhet fjalë, ishin të sofistikuar. Funksionimi i tyre ishte i bazuar në kritere shkencorë të cilët kërkohej ti njihnin përdoruesit e tyre. Mjerisht niveli teorik i atyre që i menaxhonin këto mjete, aso kohe linte për të dëshiruar dhe Andrea Kule, të cilin e brente përbrënda sedra dhe ndjenja e përgjegjësisë për detyrën, ishte i detyruar të bënte kompensimin e “firove”, sepse funksionimi i tyre duhet të bëhej në sinhron me njëri- tjetrin.

Pamjaftueshmëria e njohurive të thella teoriko-shkencore të atyre që menaxhonin mjetet e këtij sektori  ishte, ndoshta vështirësia më e madhe me të cilën ndeshej e duhet të përballonte komandant Andrea, por nuk ishte e vetëmja. Grupi i radiodritës dhe disa sektorë të tjerë të shërbimit, ishin kthyer në  “strehë vorfnore”,në të cilët mbaheshin disa vende vakantë për të sistemuar kuadro që deklaroheshin të paaftë, kryesisht për shkaqe shëndetësore, si të papërshtatshëm për detyrat që kryenin; nënoficerët, të cilët ishin drejtues të pikave të veçanta të grupit, të cilët, së shumti  ishin me arsim shtatëvjeçar. Ushtarët e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, në shumicë ishin pa asnjë klasë shkollë e nuk dinin të shkruanin e të lexonin. Kjo përbërje heterogjene dhe me nivel të ulët, ia shtonte barrën Andreas, i cili, i kontrollonte ata, vazhdimisht gjatë kohës kur aparaturat punonin.

E kam parë, me sytë e mi Ndrekën, si vraponte, në ditën ( natën) e fluturimeve; sa në njërën pikë, në tjetrën, qullë në djersë e me frymëmarrje të shpeshtuar, për të parë nga afër, funksionimin e aparaturave dhe menaxhimin e tyre. Kjo nuk kishte të bënte me ndonjë “klimë” mosbesimi, mes tij dhe vartësve, por e kishte emrin ndjenjë e lartë përgjegjësie për detyrën. E them që në krye të herës se sektori që drejtonte Ndreka, asnjëherë nuk u bë pengesë për realizimin e programit të përgatitjes ajrore. Prandaj, kur, kolonel Nikoja ( ndjesë pastë), lëshonte në ajër raketën e kuqe sinjalizuese, si shënjë e mbylljes të fluturimeve, Andrean e vështroja të gëzuar e të lumturuar dhe mes përqafimeve të vartësve të tij. Ishte gëzimi i ligjshëm i fitores. Asnjeri nuk  merrte guximin ti thosh Andreas :  “rezultati që arritëm është për meritë të punës tënde”, mbasi ai e kishte të gatshme përgjigjen:  “Gëzimi i punës së përbashkët, na e zbardhi faqen”!  Dhe këtu nuk përfundonte puna e tij. Ai njeri nuk largohej kurrë nga aerodromi pa i lënë në gatishmëti të plotë, të gjithë mjetet dhe pa siguruar njerëzit. I fundit nga të gjithë vartësit, i lodhur e i dërmuar, nga puna e pamatë,ai drejtohej për në familje, me ndjenjën e kënaqësisë në shpirt e me krenarinë e fitimtarit. Tipike, për atë burrë ishte se problemet e punës nuk i bënte objekt bisede, në familje  e në shoqërinë e ngushtë.

Më sipër folëm për nivele të ulët profesionalë të efektivave të grupit dhe për paaftësi profesionale. Nëse arsimi i mesëm, në ata vite ishte stoli për nënoficerët dhe ushtarët; arsimi i lartë, konsiderohej “ lux” edhe për oficerët. Nuk bëhet fjalë për një menaxhim të rëndomtë, i cili, ishte rrjedhojë e praktiçizmit të njerëzve, por binte në sy vështirësia e tyre  për të depërtuar në fushën e konceptimit e të interpretimit të dukurive në teknikën e sofistikuar. Mirëpo, ky ishte një problem serioz, i cili ndikonte drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e punëve në grup. Nuk bëhet fjalë vetëm për Regjimentin e Rinasit, i cili u bë “ porta” kryesore e forcës ajrore që mbronte kryeqytetin e vendit por dhe sigurimi, me mjete i uljes dhe ngritjes të aeroplanëve të linjave ajrore civile, si dhe për repartet e tjerë të aviacionit.

Nëse nuk u bë e saktë vendosja dhe sistemimi i  agregatëve në vendet e caktuar dhe saktësia në tregimin e instrumentëve matës  nuk ishte  ajo që duhej, fajin e ka vetëm mungesa e njohurive të nevojshme, për të mbajtur parasysh, efektin malor, efektin detar, efektin e natës etj . etj. në përcaktimin e vendeve të  objekteve të radiodritës. Duhet thënë se edhe përvoja praktike, nuk ishte ajo që pritej; shkaqet, dihen. Lëkundjet në tregimin e instrumentëve të kabinës të aeroplanit, këtë kishin burim kryesor. Në fakt, kjo ishte fusha më e gjerë e bashkëpunimit mes efektivit fluturues dhe atij të radiodritës e ndërlidhjes.

Për të dhënë një tablo më të plotëtë asaj pune plot ngarkesë fizike, intelektuale dhe psikologjike që kryente komandanti i grupit të radiodritës, patjetër na duhet ti referohemi karakterit në tërësi dhe disa tipareve të veçanta të personalitetit të tij. Ndoshta nuk është kategorike, por, me sa di unë, jo çdo njeri, mund ta bënte këtë detyrë e cila kishte nevojë për përkushtimin dhe vlerat e Andrea Kule s. Nuk di nga tja nis më parë; tek ai njeri çdo gjë ishte në vendin e vet e i jepte dritë personalitetit të tij. Kur pyeta një pilot veteran, për Ndrekën, ai nuk ngurroi të më thotë:” Pyet  kë të duash për Andrea Kulen, ata që e kanë njohur atë, vetëm fjalë të mira kanë për të thënë; se i tillë ishte”! Bashkohem, pa rezerva me mendimin e atij mentari zemërmirë. Le tja nis nga më e thjeshta, nga ajo që është në sy të të gjithëve; nga personaliteti i tij. Andrea Kule, ishte njeri me personalitet të spikatur. Kryefjalë e gjithë tipareve të tij ishte pastërtia e figurës morale. Kjo pikë, ndoshta ishte njëra nga nyjet e takimit që na afroi me njëri-tjetrin.

Andrea Kule, ishte i afrueshëm; Atij i puqeshin telat me cilindo. Ndreka ishte fjalëpakë. Ai, vërtet fliste pak, por, kur e merrte fjalën  Andrea, ata që ishin të pranishëm ( auditori), bëheshin sy e veshë.  U xixëllonin sytë e u ndrintefytyra  vartësve, kur fliste komandanti i tyre. Ndodhte kështu, për shkakun e vetëm se Ndreka nxirrte nga goja fjalë të menduara mirë dhe se vartësit gjenin në ligjëratën e komandantit, veten e tyre, detyrat që duhet të kryenin. Andrea Kule mërzitej shumë kur dikush i binte problemit rreth e rrotull e nuk futej drejt e në temë. Ai ishte kundërshatr i fjalimeve të gjata e pa bukë. Ndreka ishte dhe kundërshtar i përdorimit të fjalorit banal në bashkëbisedim dhe nuk përgojonte kurrë të tjerët. Ndodhte dhe ndonjë rast, kur mes shokësh, në rrethe të ngushtë, biseda rridhte jashtë shinave të preferuara nga Andrea dhe ai, pa u kuptuar, me shumë takt e njerëzi,  shmangej e nuk bëhej pjesëtar.  Në fjalorin e tij nuk kishin vend fjalët banale dhe brambullitjet e kota; kur fliste Ai, “ngulte gozhdë” e nuk ia fuste kot.

Gjuha që zotëronte  komunikimin e Andrea Kules  me kolegët, me vartësit dhe me eprorët, në repart, ishte tepër korrekte dhe e njerëzishme, kurse në komunitetin ku banonte, sundonte afrimi dhe  dashamirësia. Kur u njoha me Ndrekën, Ai ishte i martuar e kishte fëmijë. Në ato kohë, oficerët, në veçanti fluturuesit, lidhnin martesë në moshën 23-25 vjeç. Sipas mentalitetit të atyre viteve, djemtë qe e kapërcenin kufirin e të 25 viteve, të pamartuar,quheshin  “ të mbetur” e futeshin  në kategorinë e“ xhaxhallarëve”… Andrea erdhi në qytezën e Valiasit, nga Qyteti “ Stalin” ku banonte së bashku me familjen. Atje, Ndreka, kishte bërë emër të mirë, e shquhej për sjellje korrekte e me dashamirësi , në tërë komunitetin e ushtarakëve dhe familjeve të tyre. Rolin pozitiv si gjiton i preferuar e i gjendur, Ai e vijoi dhe në vendbanimin e ri, në Valias, ku përbërja e familjeve ishte tepër heterogjene. Roli i padiskutueshëm i Ndrekës, si kryefamiljar dhe sjallja qytetare e familjes së tij ishin faktor kohezioni e paqe.

Mirësinë që rrezatonte Andrea dhe familja e tij, nuk e “ shijuan “ vetëm gjitonët  me shtëpi pranë tij, si  Veliko Ferraj me të cilin kishte më tepër hyrje-dalje, por dhe banorët e tjerë të qytezës, si familjet e: Niko Hoxhës; Peço Polenës; Nasi Kitës;  Hajrulla Jubanit;  Nuredin Bejlerit;  Eljaz Krajës;  Lulzim Bilbilit; Ahmet Banës;  Anastas Ngjelës etj. etj. Andrea Kule ishte një bashkëshort shëmbullor dhe një prind i përkushtuar. Dorën e tij të ngrohtë dhe kujdesin e veçantë atëror, e ndjenë pesë fëmijët që u rritën dhe u edukuan për së mbari, nga mendjendrituri Andrea Kule dhe dinjitarja Zoicë, të cilët kishin formuar një çerdhe  të qetë e të lumtur.

Andrea Kule, ishte një kuadër ( oficer) i kompletuar e me reputacion që i kapërcente caqet e grupit, të repartit e më gjerë. Niveli i lartë kulturor dhe edukata qytetare, sjellja korrekte e dashamirëse, prirja drejt së resë e plot tipare të tjera pozitive reflektonin në çdo hap të jetës e të veprimtarisë të tij. Ai ishte i drejtë e i ndershëm dhe  nuk ta përtonte kur bëhej fjalë për të thënë një të vërtetë apo për ta mbrojtur atë me çdo kusht. Ndreka ngjante me një peshore që i jep cilitdo atë që i përket. Ai nuk dinte të mbante njeri nën sqetull, por, me kurajo  ta thosh hapët  mendimin, pa marrë perasysh si do ta prisje. Po të përpiqesha të sjell para jush gjithë sa kam parë tek Andrea Kule, ndoshta do të bëhesha monoton e i bezdisshëm; më mirë le tu referohemi opinioneve të disave prej atyre që kanë punuar e jetuar, pranë Andrea Kules. Kam bindje se opinionet e tyre  thonë më tepër se mijëra fjalë.

Ndreka, nuk ishte njeri i zakonshëm.  E veçanta e tij ishte enrgjia pozitive, e brendshme  e cila rezultoi e pashterëshme. Në kuptimin e mirë të fjalës, Andrea Kule ishte i papërmbajtshëm. Me rritjen në moshë erdhi pjekuria mendore e tij  por, energjia pozitive nuk shterroi; përkundrazi,  Ai u bë më aktiv dhe i drejtuar. Vajzat e tij rrëfejnë, se, në familje, Andreas nuk i rrinin duart. Atij i zinte dora çdo punë, deri tek riparimi i kukullave të tyre. Se mos kjo ishte vetëm në shtëpi? Po në regjiment, ku fusha e veprimit dhe mundësitë ishin më të shumta? Ndrekës, ia priste mendja e ia zinte dora, çdo punë. Mbaj mend, se, në Regjiment, Andrean nuk e zinte vendi. Ai ishte vazhdimisht në lëvizje e në veprim. E vështroja si thuajse vraponte, nga njëra pikë në tjetrën e nga njëri agregat, tek një i dytë; e kështu, me radhë, ai mbulonte gjithë grupin që kishte në vartësi. Dhe nuk shkonte për të shëtitur apo për t’u dukur që ishte në krye të detyrës.  Ai  vrojtonte, me kujdes si punonin mjetet teknike dhe si i menaxhonin ato vartësit e tij.

I jap të drejtë në ato që bënte, Andreas.  Mjetet teknike që dispononte Grupi ishin të destinacioneve të ndryshëm, në konstruksion dhe si princip pune. Ndreka, i cili i njihte mjetet, thuajse në përsosmëri, nuk ngurronte të përballej me çdo parregullsi të tyre, e cila, gjente shprehje në lëkundjet e dëftimit të instrumentëve që ka piloti ,në kabinën e avionit. Efektivin që menaxhonte këta mjete, siç e kemi përmendur dhe më sipër, Ndreka e kishte të qartë që ishte me nivele e aftësi nga më të pabesueshmet. Kësisoj, me ndërgjegje të plotë;  Andrea Kule, sakrifikonte nga vetja dhe nga familja e tij, për të kompensuar paditurinë dhe paaftësinë e vartësve.

Çamaroku trazovaç, Ai Ndreka i vogël “ piçiruk” siç e pegëzuan kur u organizua në Brigatën partizane,sedërmadhi Ndrekë, kur të rriturit e familjes, hapën tokë të re, në lëndinë, nuk e përballonte dot punën e rëndë me kazmë e me vegla të tjera për të çelur tokë të re, për të dhënë edhe ai kontribut për familjen, aq sa mundej. Ai, për ekuivalencë,  hodhi në sup kryqin e rëndë, të argjendtë të Kishës së Shën Gjergjit dhe shkoi  fshat më fshat e shtëpi më shtëpi, për të mbledhur ndihma. Paratë që i takonin, Ndreka ia linte babait të tij, mbi tavolinë, për të përmirësuar disi jetesën e familjes edhe në ata kushte mjerimi.

Kur përfundoi shkollën e fshatit, me tregues mjaft cilësore ( në dëftesën e tij kishte vetëm nota “1” e cila ishte më e larta në atë sistem arsimor dhe kur, nuk mund të shkonte në shkollë tjetër, më të lartë, siç dëshironte, mbasi lufta i mbylli shkollat; Ndreka, i cili, nuk mund të qendronte duarkryq, kur vështronte si rropateshin të tijët për të siguruar mbijetesën, u fut në punë, shërbëtor; fillimisht në Manastirin e Ardenicës e më pas në shtëpinë e bukur me dy kate të një të kamuri, në Fier. Në atë familje, Ndreka bëri çdo punë të rëndomtë, deri tek detyrat e shtëpisë të të birit të pronarit.

Po të mos bezdiseni, mund të vijoj të rrëfej, gjatë në këtë linjë, por mendoj se edhe kaq “ dritë “ sa është hedhur, mjafton për të rrefyer ato që nevojiten, lidhur me energjinë pozitive të Andrea Kules, të cilën ai nuk e mbajti për vete. Andrea Kule, akoma i parritur përjetoi tejlodhjen, aventurën,shfrytëzimin e egër dhe makutërinë e pronarëve, në veçanti grave të tyre; por dhe zgjuarsinë, pjekurinë dhe aftësinë e tij, për ti kthyer ato, në mësime , për jetën.

U mundova të gjeja e të intervistoja disa nga bashkëpunëtorët më të lashtë të Andrea Kules; ata me të cilët ai e ngriti grupin e radiodritës, si në Qytetin “ Stalin” dhe në Rinas dhe me të cilët ka përjetuar situata nga më të ndryshmet , pozitive dhe negative, por, për fatin tim te keq, mjaft prej tyre janë larguar nga jeta. Pyeta e kë nuk pyeta, për të pasqyruar një opinion më të gjerë e më të plotë, për heroin e këtij rrëfimi. Opinionet e tyre, siç mi kanë thënë do tua servir, më poshtë dhe me saktësi. Ajo që më lumturon, pa masë, është fakti se të gjithë opinionet që më kanë dhënë, në takime teta-tetë apo nëpërmjet telefonatave, ngjajnë me njëra-tjetrën dhe janë si mendimi im, për Ndrekën. Le ti referohemi vetëm një fakti:

  1. Naun Kule, njeri i letrave dhe kryetar i shoqatës atdhetare- kulturore “ Myzeqeja”, në librin shkruar kohët e fundit nënvizon dëshirën e madhe që vlonte e vlon në gjokset e myzeqarëve, për të marrë anën e progresit. Mes të tjerash, ai, në faqen 11, të librit Mësonjëtorja e parë shqipe në Myzeqe”, shkruan: “… Vitet e Luftës dhe ato të pasçlirimit të Shqipërisë rrëfyen, gjithashtu, se popullsia e kësaj krahine ( Myzeqesë NN) është e prirur dhe gjithmonë e gatshme të përqafojë dhe të bëjë pjesë të qënies së vet çdo gjë të re që sjell koha dhe zhvillimet bashkëkohore, afër dhe larg saj…”.

A nuk është tipik rasti i “Heroit” të këtij rrëfimi i cili nuk është një “asksident” e rastësi , por një vijë sjellje që përshkon tërë jetën aktive të tij. Me etje për dituri, Ndreka vijoi e përfundoi mësimet në shkollën e fshatit  Libofshë dhe luajti rol të ndjeshëm në krye të rinisë të fshatit që përqafoi idetë e Luftës Çlirimtare. Po rrjeshtimi në radhët e partizanëve dhe , menjëherë pas çlirimit të vendit, u ul në bangat e shkollës ushtarake “ Skënderbej” e më pas, vijimi i studimeve në bashkimin Sovjetik , ku mësoi teorinë dhe shfrytëzimin e një teknike të sofistikuar?  Kur u emërua komandant grupi, “ heroi” ynë, nuk qendroi në një cep e të kënaqej me punën e aparaturave të reja, të sofistikuara, por ua mësoi atë vartësve të pashkolluar.

Andrea Kule, e ktheu grupin e radiodritës në një shkollë të mirëfilltë, ku mësohej, jo vetëm teoria dhe praktika e shfrytëzimit të një teknike të re, por aty, mësohej dhe shkrim e këndim. Shëmbulli i ushtar Dedës, nga Fushëarrësi, i cili erdhi të kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak, por nuk kishte asnjë klasë shkollë e ishte plotësisht analfabet, nuk është sajesë, por një ngjarje e përjetuar. Deda, mbasi kaloi në “ shkollën “ e komandant Andreaas, pas një viti këmbente letra me të tijët dhe u bë çentralist i grupit. Po sa Dedë të tjerë kanë mësuar shkrim e këndim , në “ auditorët” e shkollës të Andrea Kules?

I pakënaqur me nivelin e arritur dhe duke e hedhur vështrimin tek perspektiva, Ndreka, jo i nisur nga synime karrieriste por për të marrë më tepër njohuri shkencore, për Artin Ushtarak, në moshë të pjekur, kreu Akademinë Ushtarake  ku shtoi njohuritë për shkencën e të drejtuarit. Më poshtë po ju sjell, disa opinione, të njerëzve të ndryshëm  të cilët e kujtojnë Andrea Kulen, sikur ta kishin aktualisht mes tyre. Opinionet e tyre, janë të pasqyruara me vërtetësi e origjinalitet. Vetëm opinioni im, m’u duk i “ngushtë” për portretin e atij” kollosi” të shërbimit radioteknik të aviacionit. Për fatin tim të keq, mjaft bashkëkohës dhe kolegë të Ndrekës janë ndarë nga jeta ose janë në pamundësi fizike për të shprehur atë që ndiejnë. I qetë e i lumturuar që kam mundur të “ vjel” të dhëna të mjaftueshme për të “ gatuar” rrëfimin që kam konceptuar, I lutem lexuesit të bëjë durim, për të mësuar mendimet që ruhen për një njeri të mirë; nga njerëzit e mirë:

Opinione dhe kujtime, për një njeri, i cili nuk duhet harruar.

  • Naun Kule, Kryetar i Shoqatës Atdhetare –kulturore “ Myzeqeja” :  “… Në Libofshë janë dy fise me të njëjtin mbiemër ( Kule). Ata, denbabaden kanë qënë me ara pranë e me shtëpi përballë; në të dyja anët e rrugës kryesore të fshatit, por nuk janë në lidhje gjaku , me njëri-tjetrin. Fisi nga rrjedh Andrea, e ka patur mbiemrin Çuko. Ndrekën e njoh, që kur ishim fëmijë. Në fshatin tonë të përbashkët, në atë kohë popullsia ishte autoktone dhe ne e njihnim njëri-tjetrin. Andrea ishte më i rritur nga unë e ka qenë djalë çapkën. Babai i Andreas quhej Vangjel; në fshat i thërrisnin Ngjelo. Ndreka ishte i prasmi i vëllezërve dhe disi i ndryshëm nga të tjerët.

Vëllaii madh i Andreas quhej Nikollë; pas tij erdhën në jetë: Sotiri; Spirua dhe Panajoti; Ndreka ishte më i vogli i tyre. Panajoti ishte ushtarak i zoti. Ai shërbeu në armën e tankeve. Bashkëshortja e Andreas, Zoica, është motër e Palit ; bijë nga Ndrekallarët. Ajo është me profesion arsimtar. Të dyja familjet, si ajo e Andreas dhe e Zoicës, ishin atdhetarë të njohur e me ndikim të fuqishëm në fshat. Siç, thonë në anët tona, ato gjetën njëra-tjetrën, sipas sloganit : “ Ngjan miqësia pa bëhet”! Tre vëllezër të Zoicës, ranë dëshmorë, në Luftën Nacionalçlirimtare. Andrea mori atë që donte dhe kjo ishte një risi në Libofshën e atyre viteve. Ai theu koncepte e përmbysi mentalitete, edhe me këtë hap. Kur u fejua, Andrea me Zoicën, ai ishte oficer dhe erdhi në fshat, me grada; shkëlqente, i tëri. Në fëmijëri , Ndreka ishte mjaft i shkathët e çapkën i madh; ndoshta dhe pak rrebel.

  • Simon Bici, veteran, ish koleg i Andrea Kules, në Qytetin “ Stalin” dhe në Rinas: “… Andrean e kam njohur prej vitit 1954, derisa u nda nga jeta. Kur shkuam për specializim, në qytetin Harkov të Bashkimit Sovjetik, ku qëndruam një vit, Andrean e kishim përgjegjës të grupit të kursantëve. Që në fillim të njohjes e të punës së përbashkët, vura re, tek Ndreka një njeri mjaft të mirë. Ai na u bë mik e shok dhe na ndohmonte për përvetësimin e programit teorik e praktik të specializimit. Ishte mjaft i aftë; i qetë dhe shumë komunikues, me shokët dhe me pedagogët.

Në vitin 1955, së bashku shkuam në Regjimentin “ Peza” të Qytetit “ Stalin, i cili sapo ishte formuar dhe ishte në proçesin e organizimit e të kompletimit, me tekikë luftarake dhe me efektivin përkatës që do ti menaxhonte ato. Andrea  u  emërua komandant i Grupit të Radiodritës. Pas nesh, ia mbërritën, nga uzinat sovjetike të aviacionit, mjetet radioteknike tokësore. Makineritë i montuam  brënda dy javësh, me ndihmën e specialistëve sovjetikë të aviacionit. Andrea qëndroi komandant grupi, në Regjimentin e Qytetit “Stalin”, derisa u çel Regjimenti i Rinasit. Në vitin 1964, kur unë u transferova në Rinas, e gjeta në detyrën e komandantit të Grupit të Radiodritës e unë u emërova zëvëndës i tij.  Andrea kryente dhe detyrën e zëvëndëskomandantit të regjimentit, për mjetet tokësore. Komandant regjimenti ishte i paharruari, kolonel – Niko Hoxha.  Ndreka ishte i aftë, i edukuar e i kulturuar;  për të, në regjiment, njerëzit flisnin vetëm fjalë të mira. Ai ishte i dashur dhe i respektonte njerëzit.  Unë e doja dhe e nderoja shumë.

Mbasi doli në pension, takoheshim herë pas here në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë. E ruajtëm miqësinë që kishim, prej kohësh. Andrea Kule, e donte dhe e mirëmbante uniformën ushtarake. Rrallë e vështroja  të vishej me uniformë qytetare. Ai, me njerëzit komunikonte mjaft mirë dhe duke qenë i aftë e i zoti në profesion, u qëndronte pranë e i ndihmonte vartësit, për t’u aftësuar në profesion. Ndrekën e kisha komandantin tim të parë e nuk e harroj sa të jem në jetë. E kujtoj me respekt dhe uroj të mos harrohet kurrë, ai njeri i mirë!

3.Robert Marko, veteran i aviacionit, ish pilot, njëri nga kolegët e Andrea Kules: “… Andrea Kule, ishte një njeri  shumë i mirë. E kam njohur në punë të përbashkët, në Regjimentin e Rinasit. Ai ishte në detyrën e komandantit të grupit të radiodritës. Dihet, aerodromet janë objekte të rëndësisë të veçantë. Kur punohej për ndërtimin e Aerodromit të Rinasit, u dërguan në Bashkimin Sovjetik disa oficerë, për t’u specializuar në profile të ndryshëm  (pilotë, teknikë, specialistë etj.) Mes tyre, ishte dhe Andrea Kule,ose siç i theshnjiim ne, Ndreka. Ai u specializua për menaxhimin  e aparaturave të sofistikuara që realizojnë sigurimin e fluturimeve, ditën dhe natën, në kushte të ndryshëm të motit.

Mjetet  kryesore të grupit të radiodritës ishin: Prurësi i largët; prurësi i afërt; Pelengatori; llokatori; projektorët e afrimit e të ndriçimit, dritat anësore të pistës etj. Andrea ishte mjeshtër i njohjes dhe i shfrytëzimit të këtyre mjeteve; si pjesë materiale  dhe si funksion.  Andrea Kule nuk ishte personalitet vetëm në çështjet e profesionit ; ai ishte dhe një njohës mjaft i mirë i botës së njerëzve. Ndikimi i tij edukativ i kapercente kufijtë e mirësjelljes; Ai ishte dhe një mësues i mirëfilltë, me sens pozitiv e me shpirt njeriu. Një rast, i cili nuk ishte i vetmi, na e ilustron këtë ide.

Në grup na erdhi një ushtar nga Fushë-Arrësi , të cilin e quanin Dedë. Ky Deda, si mjaft bashkëmoshatarë të tij, nuk dinte të shkruante e të lexonte, mbasi nuk kishte shkuar asnjë ditë në shkollë. Ai ishte plotësisht analfabet. Në qafë mbante të varur një qese ku kishte futur disa të holla, të cilat do ti konsumonte për të blerë nusen.  Ajo që bëri Andrea Kule, për edukimin dhe formimin për së mbari të këtij adoleshenti, i kapërcente kufijtë e humanizmit. Përkushtimi i tij, si në të gjithë praktikën e punës,ishte për tu ndjekur nga të gjithë drejtuesit e sektorëve. Andrea i bleu Dedës një Abetare, një fletore dhe një laps, dhe nisi mësimin me të për ta bërë të arsimuar. Ai e ktheu grupin në një shkollë, ku mësohej shkrim e lexim, në Gjuhën Shqip. Brenda një viti,  Deda,  jo vetëm  mësoi të shkruajë e të lexojë dhe i dërgonte letra, të shkruara nga dora e tij, familjes dhe të dashurve, por u kualifikua dhe u vendos në detyrën e çentralistit të grupit.

I paparë ishte veprimi tjetër i Andreas.  Ai, e mori Dedën, në makinë dhe, së bashku me të shkoi në një arkë kursimi, në rrugën e “ Durrësit”. I hapi ushtarit një librezë kursimi që të grumbullonte paratë, të cilat, në qesen që ai mbante në qafë, mund të bëheshin  pre e grabitjes. Rasti tepër human e atëror i Andreas bëri bujë, në regjiment e më gjerë dhe u ndoq nga mjaft drejtues sektorësh që kishin në efektivat e tyre, ushtarë si Deda.

I tillë ishte Andrea Kule. Ai nuk mund të harrohet, mbasi të paharrueshme janë bëmat e tij. Korrektësia në detyrë, ishte “ binjake” me Andrea  Kulen. Ai e kishte mëndjen tek detyra dhe e hante meraku, për realizimin sa më mirë të funksionit që kishte grupi, në shërbim të sigurimit të fluturimeve. Meraku kryesor i tij lidhej me ndjeshmërinë e lartë që kish për të dalë faqebardhë, në ditën ( natën) e fluturimeve. Kur koloneli lëshonte në ajër raketën e kuqe, si shënjë e përfundimit të ditës ( natës) të flutuirimeve, Ndreka gëzohej dhe entusiazmohej së tepërni e na përqafonte, me radhë. Ai, gjatë gjithë kohës ishte në lëvizje. Ai vraponte: Sa tek prurësii afërt, tek pelengatori, tek projektorët dhe tek ndriçimi i pistës, me merakun se mos kishin dëmtuar kabllin, kafshët që qarkullonin nëpër aerodrom. Meraku i shtohej, kur mendonte se ata që menaxhonin mjetet e sofistikuara nuk ishin aq kompetentë, për t’u dhënë udhë problemeve që mund të lindnin. Atë që bënte ai, nuk e bënte asanjeri; prandaj mbetet një shëmbull që duhet ndjekur  dhe i paharruar!

  1. Çobo Skënderi, veteran i aviacionit, pilot i klasit të parë: “… Andrea Kule, ishte një oficer “ brilant”. Në çdo anë të personalitetit të tij, Ai njeri, ndriçonte e lëshonte dritë. I urtë, i mënçur, i zgjuar, i shkathët,  i ndershëm,  i përkushtuar;  e çfarë mund të thuash, për Andrea Kulen, si njeri e si kuadër  me nivel të lartë. Ai dallohej për edukatë të shëndoshë e intelekt të shkallës sipërore.  Më linte përshtypje atdhetaria e lartë e tij. Andrea e donte shumë vendlindjen dhe krenohej që ishte nga Libofsha.  Kur e pyesnin : “ nga je? Ai, me krenari përgjigjej: “ Jam myzeqar, nga Libofsha”!  Nuk linte rast ti “ikte nga dora”, pa e shfrytëzuar për të vajtur në fshatin e tij të lindjes, në Libofshën e mirënjohur, për të takuar njerëzit e tij të origjinës. E kujtoj si njërin nga njerëzit më të mirë që kam njohur, në jetë. Ndihem i lumturuar që pinjollët i kanë ngjarë.

 

  1. Mustafa Çiçi, veteran i aviacionit, pilot i klasit të dytë, bashkëkohës i Andrea Kules: “… Andrean e kam njohur në Rinas, kur fluturoja me aeroplanët reaktivë, të tipit MIG 17 F. Andrea, në atë kohë ishte komandant i grupit të radiodritës, të cilin e bëri model, në regjiment dhe në aviacion. Tek Andrea njoha një njeri mjaft të njerëzishëm. Ai ishte një punëtor i palodhur, i aftë e njëri nga oficerët me nivelin më të lartë.

Tipar i dallueshëm i tij ishte komunikimi i ëmbël, si me vartësit dhe me kolegët  e me eprorët.  Nuk bënte dallim në sjellje, nëse njerëzit që e rrethonin ishin të grupit që komandonte apo të tjerë. Tek Andrea njoha një oficer shëmbëllor dhe një familjar të rregullt. Në punë nuk të falte dhe ishte mjaft i lidhur me detyrën.

Në kujtesën time, Andrea Kule, kishte qëndrim konstant, si ndaj detyrës dhe ndaj shoqërisë në tërësi. Thjeshtësia e tij të bënte të skuqeshe  dhe komunikimi me të të bënte me turp. Seç kish një lloj sjellje njerëzore, e cila të tërhiqtee bënte  ta ndiqje dhe të shtynte përpara.

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij; ti rrojnë fëmijët!
  1. Pëllumb Ismaili, veteran i aviacionit, specialist i radiodritës, vartës dhe koleg i Andrea Kules: “… Andrea Kulen e kam njohur, në muajin korrik të vitit 1961. Në atë kohë, Ai ishte në detyrën e komandantit të radiodritës, në Regjimentin e Aviacionit “ Peza” të Qytetit “ Stalin”. Regjimenti sapo ishte formuar e ishte në hapat e parë të jetës. Zjente puna për kompletimin me mjete teknike të sofistikuara dhe për organizimin e punëve. Sapo isha kthyer nga studimet në Bashkimin Sovjetik, ku u përgatita për shfrytëzimin e teknikës së radiodritës, së bashku me Ali Islamin e me Ilmi Hoxhën. Të tre mbanim në supe spaletat e kapterit të parë.

Në  ato ditë, në Regjimentin e Qytetit “ Stalin”, me specialistët e radiodritës, zhvillohej një seminar. Merrnin pjesë: Andrea Kule; Simon Bici; Dhimitër Zaka; Sihat Kanani; Foto Lako etj. Shfrytëzuam një pushim mes seancave  dhe u afruam, për t’u takuar e për t’u njohur me kolegët e ardhshëm. U paraqitëm, me nderim e me formulën e njohur, sipas rregullit ushtarak. Simon Bici, iu drejtua Andreas: “ Andrea, kanë ardhur tre kursantë nga Bashkimi Sovjetik, ku kanë studiuar  për shfrytëzimin e mjeteve radioteknike të aviacionit. T’u bëjmë një program specializimi ku të mësojnë menaxhimin e mjeteve  dhe ti caktojmë nëpër vndet ku do të shërbejnë”. “ Jo, Simon, tha , prerë , Andrea; më parë të prezantohemi me ta e të mësojmë kush e nga janë, pastaj shikojmë e bëjmë”!  Ashtu bëmë; u prezantuam, me radhë.

Në atë takim ishte i pranishëm dhe Fahri Bubësi, pilot i klasit të parë, me detyrë zëvendëskomandant i regjimentit. Ishin dhe të tjerë pilotë, teknikë e specialistë të aviacionit,  emrat e të cilëve nuk më kujtohen. Aty për aty, Andrea u shpreh: ” … Këta mund ti marrim në Regjimentin e Rinasit, ku kemi nevojë dhe  vendet i kemi bosh. Na ka ardhur teknikë e re, nga uzinat sovjetike të aviacionit, të cilat i kemi në arka, të pahapura. Na ka ardhur dhe një aparaturë e re, e sofistikuar, e cila quhet RSP-5 ose Sistemi i Uljes “ Qorre” që shërben për kryerjen e uljes pasive, nga pilotët”.

Duke shkuar për të drekuar, Andrea më pyeti: “ Nga je dhe kë ke në familje”?  U pergjigja se jam nga Kolonja  dhe se jam rritur jetim. Kam një vëlla, Agimin, i cili studion për pilot, në Bashkimin Sovjetik. “ A ke njeri në Tiranë dhe a dëshiron të shkosh në kryeqytet”? Unë ushtar jam e do të shkoj ku të jetë nevoja, qe përgjigja ime. Vura re që i pëlqeu përgjigja ime dhe miratoi, me kokë. Shoku im, Ali Islami, kur mësoi se do të shkonimnë Rinas, u bë me fletë. Ai kishte familjen në Tiranë dhe ky njoftim e lumturoi pa masë.

Andrea, me shpenzimet e tij,  na çoi të drekonim, në Urën Vajgurore, tek lokali i njohur i Lilit,  i cili, në atë kohë frekuentohej dëndur nga kuadrot e repartit të aviacionit. Gjatë drekimit, Andrea, në koefidencë na njoftoi se në Rinas, ka ardhur nga Bashkimi Sovjtik një aparaturë speciale e cila përdoret për të realizuar uljen qorre  nga pilotët, natën dhe në kushte të vështirë. Aparaturën nuk e kemi hapur, akoma;  tani që do të vini ju, do ta hapim e do ta vemë në punë. Pastaj na njoftoi se “ që nesër do të vini në Rinas, së bashku me mua”. Tek Andrea Kule, pashë një oficer me sjellje, si shok ; ashtu siç e ëndërroja komandandantin tim dhe mendova:  “ Ah, sikur ta kem komandant këtë njeri”!

Erdhëm në Rinas, siç na premtoi  komandant  Andrea. Në regjiment iu nënshtruam një kursi tremuajor kualifikimi, me program të hartuar nga Andrea  në bashkëpunim me Niko Hoxhën dhe të tjerë. Andrea Kulen e kishim pedagog. Ai i drejtonte personalisht mësimet tona. Ndodhte kjo, për shkakun e thjeshtë se Andrea ishte më kompetenti për ato që mësuam. Para se të nisnim nga specializimi, na prezantoi tek komandanti hijerëndë por , me shpirt njeriu, tek koloneli Niko Hoxha. Në praninë tonë, Andrea i tha kolonelit: “ Do ti bëjmë oficerë  këta, shoku kolonel “ ! Nikoja e miratoi, me kokë.

Andrea Kule e organizoi dhe e drejtoi  zhvillimin e programit të kursit tonë të kualifikimit, me kompetencë e me aftësi të rralla profesionale. Ai kishte jo vetëm njohuri të thella teorike por ishte dhe me  njohuri në fushën e pedagogjisë.

Si gjatë zhvillimit të kursit dhe më pas, gjat gjithë kohës që kam patur fatin të punoj pranë Andreas, tek Ai kam gjetur një edukator të formuar mirë, me edukatë e sjellje të përkryer, si qytetar e si ushtarak. Ndreka komunikonte njerëzishëm, si me vartësit dhe me kolegët e tij. Në raportet me shefat, Ai ishte tepër korrekt. Me sjelljen e tij “ të ëmbël”, Ndreka, sikur të hipnotizonte e të bënte për vete. Plot tre muaj vazhdoi kursi ynë. Andrea  nuk mjaftohej me mësimet që na jepte në orarin e zakonshëm të punës, por qëndronte pranë nesh edhe jashtë orarit; ditën dhe natën. Nuk mjaftoi që na mësoi përdorimin e një teknike të sofistikuar, e cila u vu në funksion, për herë të parë në vendin tonë dhe na aftësoi për të menaxhuar mjetet tokësore të sigurimit të fluturimeve, por, si një prind i kujdesshëm, interesohej: ku e si studionim, ku e si ushqeheshim, ku e si flinim, si silleshim nëpër repart  etj. Ai e kishte merak komunikimin dhe kujdesej që edhe ne,  si  ai  vetë, të komunikonim njerëzishëm me të tjerët.

Andrea Kule, nuk e ngatërronte detyrën me shoqërinë. Aq sa këmbëngulës e me tolerancë zero ishte në raportet për shkak të detyrës, aq i thjeshtë e dashamirës ishte në raportet shoqërorë.

Më 30 dhjetor të vitit 1961 mbasi kishim kryer kursin e kualifikimit, u graduam nëntogerë dhe morëm detyrën. Me rastin e gradimit tonë, në Grupin e Radiodritës u organizua, mbështetur në forcat e veta, një festë e paparë. Në atë festë tonën, kishte të ftuar nga Qyteti “ Stalin”; nga Vlora dhe nga Mbrojtja Kundërajrore e Shtetit. Gëzimi dhe hareja që përjetova në atë festë,më janë ngulitur thellë në kujtesë e nuk mund ti harroj.

Si një fill i artë e përshkonte sjelljen e tij, ndershmëria dhe paanësia. Andrea Kule ishte i drejtë në gjykim dhe nuk mbante asnjeri  nën sqetull. Ai, vërtet të trajtonte si të barabartë e të bënte shok e mik, por, kur gaboje, ti  thosh në sy të gjitha të vertetat dhe faqe kolegëve. Për gabimet që lejoje, Ndreka të merrte “ erzin”. Por nuk të shiste kurrë. Kur i duhej të raportonte në instancat më lart, ai, një pjesë të gabimeve i merrte mbi  vete. Kjo lloj sjellje, e veçantë i bënte për vete njerëzit, aq sa ishin të shumëtë në grup, ata që betoheshin për kokën e tij.

Gjykimi objektiv  dhe  i  paanshëm i Andrea Kules , duke e vënë theksin jo tek ndëshkimi, si nevojë për ta ndrequr atë që bënte gabim, por tek karakteri edukativ i ndëshkimit. Motivi nga nisej Andrea, lidhur me këtë çështje ishte : “.. nuk zgjidhet çështja me marrjen e një mase ndëshkimore ndaj fajtorit; me vlerë është që ai të kuptojë se ka bërë faj dhe të korrigjohet…”! kësisoj, mendonte Andrea, fajtori do të bindet për atë që ka bërë e do të të dojë më shumë. Praktika i dha të drejtë këtij qëndrimi të tij.

Në Regjimentin e Rinasit, së bashku me Andrean, shërbeva 5 vjet. Falë kontributit të Ndrekës, u bëra specialist i radiodritës, i aftë për të shërbyer në çdo repart të aviacionit. Një ditë, duke punuar për likujdimin e një defekti teknik, Andrea, i kënaqur nga cilësia e punës, më tha: “ E vështron, Pëllumb; nga një hiç, arrite të bëhesh specialist i aftë, në shërbimin e radiodritës”! Mësova se Andrea Kule, nuk kishte lënë gurë pa lëvizur, me vajtje në zyrat e Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, për të siguruar gradimin tonë. ”… kjo që u arrit, është rezultat i punës tuaj”, i thashë komandantit tim. “… Jo, tha ai, kjo është rezultat i punës tuaj të sforcuar”! Nuk mund ta kundërshtoja.

U hap aerodromi fushor i Shtoit, në afërsi të qytetit të Shkodrës. Me propozimin e komandant Andrea Kules, u emërova në atë pikë. Pas gjashtë muajsh, në Shtoj erdhi Andrea. Ai u emërua komandant i batalionit të aerodromit. Në detyrën e shefit të shtabit të atij batalioni, u emërua Surri ( Musa) Barbullushi. Më ngarkuan detyrën e specialistit të mjeteve radioteknike të aerodromit.  Përgjigjesha për uljen dhe ngritjen e aeroplanëve të çdp tipi.

Andrea ishte organizatori kryesor.  Ai i bëri ndryshimet që priteshin.  Fillimisht, Ndreka  gjeti në aerodromin e Shtoit, një kasolle me kashtë dhe, brenda një kohe rekord u arrit të ngrihen godinat, klasat, e u sistemua fusha për uljen dhe ngritjen e aeroplanëve, përfshi dhe të atyre reaktivë  Mig-17 F. Në Çdo drejtim dukej mendja dhe dora e AndreA Kules, si drejtues dhe si specialist. Në inspektimet vjetore që organizoheshin nga komanda eprore, batalioni i aerodromit që drejtohej nga Andrea Kule, zinte vend nderi.  Por, asnjëherë  Ai  njeri  nuk evidenconte veten  si protagonist. “ E kemi  bërë  bashkë,  çdo gjë”,  thosh Ndreka, në çdo rast, kur punët i kishim përfunduar.

Në Shkodër qëndruam 8 vite së bashku. Edhe në  në Valias, ishim afër me shtëpi e kishim hyrje-dalje  tek  njëri-tjetri.  Në ndonjë rast, kur  i  shkoja në shtëpi  për vizitë,  i drejtohesha : “ Shoku komandant”!  Andrea,  brofte në këmbë e më thosh, prerë: “ A.a, jo  kështu Pëllumb;  këtu jemi shokë e miq dhe nuk flasim me ofiqe”!  Në fakt, Ai më trajtonte sikur të isha vëllai i tij. Kësisoj, Ndreka nuk sillej vetëm me mua por me të gjithë vartësit e tij. Isha i sapomartuar e Andrea m’u gjend afër,  me këshilla,  si vëlla më i madh e si prind me dinjitet.

Andrea Kule, shquhej si një familjar i mirë. Në familjen e tij, kur hidhej për diskutim një problem,  Andrea,  pavarësisht  se  ishte  kryefamiljar, fliste i fundit, mbasi kishte dëgjuar gjykimin  e  bashkëshortes  dhe  të  fëmijëve. Kisha  shkuar shpesh  në  atë  familje  e nuk kisha vënë re, asgjë që nuk shkonte.

Ndreka,  shpesh  harronte  punën  që  kishte  bërë  vetë  dhe  çmonte  shumë  punën  e  të tjerëve. Ai  ishte  baba  për  tu  marrë admiruar e  bashkëshort  i  përkryer.  Prej tij dhe prej asaj familje,  për t’u patur zili, kam  mësuar  shumë.  Për mua,  Andrea  Kule mbetet një vëlla i dytë,  e këtë  nuk  do  ta harroj sa  të jem gjallë. Ndihma që më ka dhënë, në profesion e në familje më bën ti jem shumë mirënjohës, Atij, Zoicës fisnike,  vajzave dhe Bujarit.  Familjen e Andrea Kules, e kam patur dhe e kam burim frymëzimi e pikë referimi.

  • Uroj të jetë i përjetshëm kujtimi i  tij;  ti  rrojnë  fëmijët  dhe  gjithë sa ka lënë pas!

Pëllumb Ismaili, në Tiranë, më 18 gusht 2017.

  1. Bardhyl T Lubonja, veteran i  aviacionit, pilot  i  klasit të dytë,  me banim  aktual,  në Boston: “ E kam njohur Ndrekën, kur isha pilot,në Rinas dhe më vonë kur kalova në detyrë tjetër. Më ka lënë mbresa niveli i tij i lart,  përkushtimi  në  detyrë  dhe  sjellja  korrekte dhe “ e butë” me njerëzit. Andrea,  në  sektorin  ku shërbente,  merrej shumë,  me edukimin e diferencuar  të  vartësve. Vartësit  i  kish me nivele të ndryshëm dhe Ai  ishte i detyruar të ndërtonte punë të veçantë  me ta,  sipas kërkesave dhe veçorive të tyre.  Disa ushtarë, vinin në grup me zero nivel arsimor. Andrea Kule,  e ktheu Grupin e Radiodritës në mësonjëtore. Apo nuk ishte elokuent në komunikim.  Rasti  i  një  ushtari  i  cili quhej Dedë, të cilin e kam njohur, nuk ishte i vetmi.  Kujtoj me sa pasion e me takt punonte Ndreka për t’u mësuar shkrim e këndim të pashkollëve.

Zhvillonim mblrdhje të ndryshme dhe analiza pune, të përbashkëta, në shtabin e Regjimentit. Si nuk e dëgjova, qoftë dhe një herë atë njeri , të ngrinte zërin.  Ai fliste qetë, pa  pasion e pa bërtitur. Kësisoj e kuptonin më mirë bashkëbiseduesit. Andrea ishte i qetë e i vemendshëm. Thjeshtësia dhe korrektësia e atij njeriu ishin impresionuese  dhe ngjallnin respekt.  E ruaj në kujtesë si një oficer “ model”, i cili rrezatonte vetëm mirësi.

  • Ipaharruar qoftë kujtimi i atij njeriu të mirë!

Marrë nëpërmjet telefonit, nga Bardhyl T Lubonja, me banim në Boston.

  1. Viktor Jano, veteran i aviacionit, nderlidhës; me banim në Masaçustec : “… Ndrekën e kam njohur në Rinas, kur ai ishte komandant i Grupit të Radiodritës e unë shef ndërlidhje. Andrea përfaqësonte një myzeqar të mirë e babaxhan. Ai bëri specializim, në Kinë për mjetet radioteknike të aviacionit. Ruaj kujtime shumë të mira për atë njeri.
  2. Ahmet Sakaj, veteran i aviacionit, ish komandant i batalionit të mbrojtjes së aerodromit, në Rinas: “… Andra Kulen e kam njohur në punë të përbashkët. Puna për sigurimin e aerodromit na liidhte mjaft. Kompensonim e altrnoheshim me njëri-tjetrin, kur zhvillojeshin fluturime dhe vazhdimisht. Andrea ishte njeri i “ Shkëlqyer”! Ai ishte mjaft i afrueshëm me njerëzit dhe sejcilit i jepte hakun.  Ndreka, ato që kish, ti thoshte në sy e drejtpërdrejt , gjë që nuk linte shkas për keqkuptime e keqinterpretime. Ishte mjaft i përgatitur e i aftë; e zotëronte shumë mirë profesionin e ishte kompetent.

Komandant Andrea, asnjëherë nuk krijoi shqetësime për komandën, për shkak të punës së tij apo asaj të vartësve. Grupi i Radiodritës, përherë ka qenë në nivele të përparuar dhe e merrnim për shëmbull.

  1. Dhori Nasi Zhezha, veteran i aviacionit, pilot i klasit të dytë, fluturues në të gjithë tipat e parkut të avionëve të vendit tonë, myzeqar : “ … E kam njohur Andrea Kulen, kur fluturoja në Rinas, në vitet 1963-1966 e më pas. Ai kryente detyrën e komandantit të Grupit të Radiodritës të regjimentit  e  unë, atë të pilotit. Si myzeqarë e si me karaktere të njëjtë u afruam e u miqësuam shpejt. Ndreka shquhej, për thjeshtësi, zgjuarsi  dhe pjekuri. Ai përfaqësonte një myzeqar tipik, me vlera të shumta. Në detyrë ishte autoritar dhe punët  që i përkisnin, i zotëronte më së miri. Detyrën që i ishte ngarkuar e kryente me aftësi e ishte adapt, për të.  Ndreka kish dhe një tipar, të cilin nuk e ndeshim dëndur;  Ai të dëgjonte me vemendje e të çmonte për ato që thoshje; më tepër blinte, se sa shiste. Kjo ia shtonte vlerat në sytë e të tjerëve.

Nuk kishte burrë t’i kthente fjalën Andrea Kules; ato që thosh Ai ishin të menduara mirë e të zbatueshme. Fliste sikur të kishte ardhur dje nga Libofsha. E folura e tij ishte si nënbuzë, me fjalë të llastuara dhe krijohej përshtypja  sikur ishte belbër. Ligjërata e tij, ishte e pëlqyer e Ai i bënte njerëzit për vete, me punën, me sjelljen, pse jo dhe me fjalën e tij të mënçur.

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij, ti rrojnë të prasmit!

Jetëshkrimi:

Për të shkruar jetëshkrimin e “ heroit” të këtij rrëfimi,  Andrea  Vangjel  Kules, ishin të mjaftueshme kujtimet që ai, vetë,  ka hedhur në letër,  kur ishte në  jetë,  me disa saktësime që më sygjeroi bashkëshortja e tij fisnike, Zoica e Ndrekallarëve dhe fëmijët.  Por,  duke shfletuar me vemendje  intervistat e të intervistuarve;  opinionet e atyre që pata mundësinë ti intervistoja, ndihem i lumturuar kur mendoj se i paskam rënë në të;  paskam  gjetur  pikërisht njerëzit që kanë njohur,në imtësi  tiparet  e Ndrekës  e kanë pohuar  atë që dinin e që ndjenin. Mund të kisha tentuar dhe intervista të tjera  për  të thithur më shumë opinione nga  bashkëkohësit  e  tij  por konkludova se edhe kaq “ dritë” sa është hedhur për idhullin tim, e kompleton karakterin e atij “mbinjeriu”, i cili vraponte  thuajse gjatë  gjithë  ditës  së  punës e nuk dinte të ndalej.  Lumturia ime merr  krahë  kur gjej se mendimet e mija përkojnë me ato të atyre që pyeta.

Andrea Kule u lind në fshatin Libofshë të krahinës së Myzeqesë, nga dy prindër autoktonë, të cilët, kishin rrënjë në ata troje ku natyra është piktoreske dhe prodhimtaria e begatë. Vetë Libofsha dhe banorët e saj zemërmirë,  janë ndodhur me fat që Zoti u dha “ strehë”, në atë vend të bekuar, e sidomos të rrethuar nga fqinjë dashamirës e me nivel të ngritur arsimor e kulturor, me të cilët, dhanë e morën, jo thjeshtë grurë e misër por atë që ishte më e dobishme për ta.  Gjitonë kulturorë të Libofshës  në të gjitha kohët janë ndodhur :  Ardenica e mirënjohur  me kompleksin e mrekullueshëm arkitekulturor të Manastirit me të njëjtin emër;  Kolkondasi, me shkollën dhe me Manastirin e tij  dhe lidhjet e ngushta me Beratin, si kryeqytet i trevës.  Ky fakt pati ndikim pozitiv në jetën e fshatit Libofshë, si  dhe në tërë Myzeqenë.

Për ditëlindjen e Andrea Kules ka patur hamendësi e kundërshti.  Asnjeri nuk mund të na dëftojë një datë të saktë, edhe pse Ndreka ishte i krishterë( ortodoks)  dhe lindja e tij duhet të ishte e fiksuar në regjistrat kalendarikë  e në qitapin ( librin) e priftit të kishës, në të cilën, familja e tij ishte praktikante. Por, për fat të keq, vitet e trazuar të Luftës së Dytë Botërore e shtrinë shkatërrimin edhe  mbi  regjistrat e gjendjes civile dhe në dokumente të tjerë, të ngjashëm. Këtë ia konfirmoi Ndrekës edhe nëpunësja e gjendjes civile, shoqje e tij e klasës, kur ai shkoi për të mësuar të vërtetën, në korrik të vitit 1948, pas më tepër se 4 vite nga largimi i tij nga Libofsha. Vajza i pohoi  në kofidencë, Ndrekës se: “… Regjistrat e kohës së Zogut,  janë djegur dhe në vitin 1945 u hapën regjistra të rinj; prandaj asnjë ditëlindje nuk është e saktë”.  Të gjitha janë nxjerrë nga pohimet e gjitonëve më të moshuar, kur ata i ka pyetur ofiqari i gjendjes civile pohoi vajza. E njëjta histori, si në fshatin tim, kur u hapën regjistrat e gjendjes civile dhe ditëlindjen time e përcaktoi dajo Sulua, kushëri i parë i nënës.

Andrea, për të mësuar ditën e lindjes, iu drejtua të atit, por ai, i tha:” Më mirë pyet  tëtëmë, se ajo e di më të saktë”! Dhe ndreka,  iu drejtua nënës,  Zarikës, e cila e solli në jetë dhe kujtesën e kishte të freskët. Andrea iu lut nënës ti hiqte brengën që e mundonte dhe ti rrëfente, cila nga të trija ditëlindjet ishte e saktë. ( Ndreka ishte njeri me tri ditëlindje: 30 nëntor 1928; 13 janar 1929 dhe 10 shkurt 1929. Cila është e vërtetë? Këtë e dëftoi  Nënë Zarika,  qetë-qetë e me vetësiguri.

Sipas rrëfimeve të Nënë Zarikës: “… Andrea është lindur në një ditë kreshme, në muajin e Shën- Ndreut. Atë ditë, u bashkua qielli me tokën.  Aq shi i dëndur binte. Sikur zbrisnin litarë nga qielli. Vetëtinte e bubullinte nga të gjitha anët.Luvgjitë ( kuçedrat), ishin ngritur nga këneta e Tërbufit dhe bënin ligjin e qiejve… ëngjëjt ulërinin nëpër qiell dhe bënin luftë kundër luvgjive. Ndreka u lind në mëngjes. Dhimbjet e lindjes më kishin filluar natën. Ishte ditë e Shën –Ndreut, prandaj djalit i vumë emrin  Andrea. Shtëpia ku unë ndodhesha ( shtëpia e prindërve të Andreas), fuste ujë nga të gjitha anët e lagështia ishte e pranishme kudo. Në rolin e mamisë ishte gjyshja e Ndrekës ( nëna e Vangjelit). Ajo ishte mjaft e moshuar, me një këmbë në varr dhe lëvizte me vështirësi  edhe  në kohë të mirë.  Në rolin e mamisë, ajo bëri përgatitjet e nevojshme, për të pritur fëmijën dhe për të lehtësuar lindjen. Mbasi u shkëput nga barku i nënës, Ndreka nisi të qante  me të madhe, sikur e kishin pickuar grerëzat. Gjyshja, nëpër atë furtunë,  vuri një thes në kokë,  të bërë si cakul dhe doli nga dera e shtëpisë.  Kur u kthye  pas pak, ajo mbante në krah një vandak me kashtë. Djalin e mbështolli me disa shpërgënj   (pelena) të vjetra dhe e vendosi në njërën nga qoshetë e shtëpisë, përballë vatrës ku digjej, me prush e me flakë një goxha kërcu i thatë vidhi. Mua më shtroi kashtë, në qoshen tjetër e më ndihmoi të shtrihem sipër saj. ( Ky ishte një rit i lashtë i krishterë, sipas të cilit imitohej lindja e Jezu Krishtit, nga Maria, në një grazhd, në Betlehem ). Ardhja në jetë e Andreas, solli gëzim, në familje e në fis. Ishin shtuar me një djalë. Por jo të gjithë familjarët  u gëzuan. Ndreka ishte i fundit i fëmijëve dhe të shtëpisë donin që ai të ishte vajzë. Prandaj, Vangjeli, babai i tij, vari buzët, sikur ti kishte ngrënë gomari  bukën dhe nuk erdhi as tek unë lehona, për të më parë…”. dhe më tej , nëna vijon rrëfimin:

“Fëmija i sapolindur duhej të pagëzohej ( kjo ishte normë) në Kishë; të paktën tetë ditë pas ardhjes në jetë. Mirëpo, këtë rit fetar ortodoks, dikush duhet ta inicionte. I takonte Vangjelit, babait të djalit, ta bënte këtë hap. Një ditë, në shtëpinë tonë erdhi babai i Vangjelit.  Ai e qortoi të birin, me fjalët: “ … Ngjelo, ky djalë që na fali Zoti e do një emër… apo do ta lemë turk ( kupto musliman NN)? Vangjelit nuk ia mbante të kundërshtonte babanë e tij autoritar; ndaj i kërkoi atij ti dëftonte, çfarë duhej bërë. Në ato e sipër, në shtëpi hyri Trushi, vëllai i gjyshit. Babai i Ngjelos e bëri me dije të vëllanë se ditën e dielë të radhës, do të pagëzohej djali që ishte lindur ato ditë. Gjyshi, të cilit nuk ia kthente fjalën njeri, urdhëroi  vëllanë e tij më të ri në moshë, Mitrushin, të shkonte në Karavasta e të zinte peshk. “… Pagëzimi, i tha vëllait Gjyshi i Madh, nuk bëhet vetëm me fasule…”!

Mitrushi, bëri siç e urdhëroi vëllai; mori pelën e u nis për në Karavasta ku kishte një baxhanak. Të nesërmen, Mitrushi u kthye në Libofshë me hejbet plot me peshk. Kësisoj, pagëzimi i pritshëm i djalit të sapolindur, u sigurua dhe me gjellë të shijëshme, me peshk nga Karavastaja. Në ato kohë të vështira, peshku i Karavastasë, ishte  gjella e parë e preferuar. Në të njëjtën ditë me rishtarin e Vangjelit, u bë dhe pagëzimi i vajzës së Ndinit. Të dy fëmijët ishin lindur në të njëjtën ditë. Babai i vajzës, Ndini, erdhi tek Ngjelua e mori 3-4 kg peshk për pagëzimin e së bijës. Kështu, edhe në sofrën e pagëzimit që shtroi  Ndini, u shtua menyja me një gjellë të shijëshme, me peshk nga i Karavastasë. Meqënëse djali u lind në ditën e Shën- Ndreut, ai u quajt Andrea.  Vangjeli dhe të tijët, ata që rezultuan qejfmbetur nga ardhja në jetë e djalit, dita ditës u familjarizuan me krijesën e pafajshme dhe bënë korrigjimet e nevojshme në mentalitetin e tyre buzëvarur. Ndreka, ndërkohë po rritej e zbukurohej vazhdimisht , me një shëndet të plotë e, tek ai vihej re një zhvillim i paparë.

Andrea Kule, fëmijërinë e herëshme e përcolli në shtëpinë e prindërve, aty ku u lind, pranë nënë  Zarikës, baba Ngjelos dhe vëllezërve më të rritur. Motra, në atë familje të ngushtë, nuk kish. Si të gjithë bashkëmoshatarët,  por më çamarok se ata, për shkak se ishte pekul e në shtëpi nuk ia prishnin qejfin, tek Ndreka, zuri vend shpejt, shkathtësia dhe disa huqe çapkënërie.  Ai ishte natyralisht i zgjuar e faqekuq. Tipi i tij i hedhur dhe shkathtësia  e favorizonin të ishte në ballë të moshatarëve, në lojërat që organizonin fëmijët.  Ndreka, shpesh, në lojë, merrte pozicionin e liderit të grupit të fëmijëve.  Shokët e donin për të parë dhe ai nuk e kundërshtonte këtë.  Kuptohet, me këtë status dhe me zhvillimin që mori, Ndreka, si mjaft të tjerë,  nuk mundi t’u shmangej përapësive të moshës dhe të kohës që përjetoi. Në lojërat e preferuara të moshës së tij, më të preferuarat ishin:  cingli; dërrakthi; kalaja dibrançe; syllambyllazi, hobeja ; garat e vrapimit në natyrë; rrëshqitja në llucë etj. Shpesh , fëmijët e moshës së tij imitonin përgatitjen e mullinjve me erë , me disa barishte të forta dhe vraponin kundra erës  etj.

Ishin vite të vështirë, jo vetëm për Ndrekën dhe familjen e tij, por për shumicën e myzeqarëve dhe të mbarë shqiptarëve. Fshatarët ishin në kufijtë e mbijetesës dhe me vështirësi siguronin bukën e gojës. Asnjë fshatari  nuk i shkonte mendja për teprime në mënyrën e të jetuarit dhe për lux, ama dëshira e zjarrtë për t’u arsimuar vlonte fuqishëm në zemrat e myzeqarëve. Nuk qe rastësi çelja e shkollës së parë shqipe në Libofshë, në vitin 1908. Pas Libofshës, era e shkollimit fryu në të gjithë Myzeqenë e u përhap, siç përhapet një epidemi gripi,  por, në krye të valles qëndroi Libofsha.

Kur mbushi moshën për të hyrë në shkollën fillore ( 7 vjeç), Ndreka u regjistrua, nxënës, në klasën e parë të shkollës së fshatit.  Mësuesi i tij i parë ishte Rrapi Mërtiri. Mësues Rrapi ishte njeri i mirë, i përkushtuar për t’u mësuar fëmijëve, shkrim e këndim dhe  gjithë çka varej prej tij. Ai sillej mirë me fëmijët arsimdashës të fshatit Libofshë dhe ishte i ndershëm e i dejtë. Edhe fëmijët e donin mësues Rrapin, pavarësisht se kur bënin gabime, ai nuk i falte por i rrihte ata. Mënyrat e ndëshkimit të nxënësve ishin të ndryshme. Më të preferuarat  ishin: të goditurat me pëllëmbë e me shkelma; goditja me thupra, qëndrimi me një këmbë përpara klasës, me fytyrë nga dërrasa  e zezë dhe, kur mësuesi mbante bastun- goditja me bastun.

Ndreka ishte natyrë e zgjuar dhe me vullnet të paparë për t’u shkolluar. Pas hyrjes në klasën e parë, Ai  çamarok që nuk linte dy gurë bashkë, sikur u tjetërsua. Në klasë Ai qëndronte i qetë e nuk trazonte bashkënxënësit  por ishte i përkushtuar ndaj mësimeve.  Ndonëse ishte shtatshkurtëre topolak,  mësues Rrapi e caktoi Ndrekën në një bangë të rrjeshtit të tretë;  pas rrjeshtit të bangave ku uleshin vajzat. Përpara tij, ulej një vajzë nga fisi i Dhamanjakëve.

Një ditë, mësues Rrapi, u dha nxënësve detyrën për të formuar figura, me beze me ngjyrë, duke i prerë ato me gërshërë. Mirëpo, në klasë, më tepër se  gjysma e nxënësve nuk kishin gërshërë. Shkaku ishte se gërshërët kushtonin shumë dhe duheshin 4 kokrra vezë, për të blerë një palë gërshërë të atilla. Ndreka i kërkoi vajzës së Dhamanjakëve  gërshërën dhe, me mjetin e saj , Ai bëri detyrën që u dha mësues Rrapi. Mbasi përmbushi detyrën, Ndreka ia ktheu sërisht gërshërën vajzës. Atë ditë, ajo nuk u ndie, por të nesërmen u ankua tek mësuesi se gjoja Ndreka nuk ia kishte kthyer veglën.  Mësues Rrapi, e ndëshkoi Ndrekën me disa shpulla, apo siç thoshin nxënësit e asaj kohe,  i dha disa “petulla”. Ky lloj ndëshkimi vijoi disa ditë me radhë. Ndrekës i vinte inat, mbasi Ai nuk përvetësonte gjënë e tjetrit dhe në familjen ku ishte rritur, asnjeri nuk “kishte dorë”. Kushedi sa do të kishte vazhduar ai ndëshkim  i pa të drejtë, nëse  mësues  Rrapi  nuk do të qe transferuar në shkollën e fshatit Divjakë.

Mësues Rrapin e zëvëndësoi një mësues tjetër,  të cilin e quanin Sik Laska.  Ai ishte kushëri i parë i babait të Ndrekës, prandaj ky e quante mësuesin e ri dajë Siku. Se dajë e kishte, tamam. Ky mësues Siku, nuk banonte në Libofshë; fshati i tij ishte Vana, e cila ndodhej rreth një orë larg Libofshës dhe dajë Siku,  vinte në shkollë e kthehej në shtëpi,  çdo ditë, i hipur mbi një pelë të bukur e të shkathët. Në ditën që mësuesit zëvëndësuan njëri-tjetrin, vajza e Dhamanjakëve  me të cilën Ndreka “u ngatërrua” për punën e gërshërëve donte të pajtohej me Ndrekën e i dhuroi atij një laps. Mirëpo Ndreka, i vendosur në të tijën dhe sedërmadh, në vend që të pajtohej,  e goditi me grusht vajzë e asaj i shpërtheu gjaku, në fytyrë. Në këtë rrëmujë të shkaktuar nga nipi i tij, e gjeti klasën dajë Siku. Autori i rrëmujës, ai që kishte bërë prapësinë, rrinte si i bukuri shejtan dhe  në pamje të krijonte idenë se nuk kishte të bënte me zënkën dhe rrëmujën që erdhi pas saj.

Mësues Siku , gjithashtu i rrihte nxënësit,se rrahja , aso kohe ishte në modë, por ai nuk nxitohej për të marrë vendime. Dajë Siku, më parë grumbullonte të dhëna , përcaktonte fajtorin e pastaj kalonte në ndëshkimin e tij , siç ishte në traditë. Mësues Siku nuk mbante njeri me hatër e nuk i bënte lëshime as nipit të tij , djalit të Ngjelos.  Nxënësit, edhe pse mësues Siku i rrihte, si i mëparshmi , këtë nuk e kishin marrë inat , mbasi Siku i rrihte , pa hatër.Favorizimi më i madh që i bënte Ndrekës ishte kur daj Siku e dërgonte Atë, në shtëpinë e tij , për ti transmetuar të shoqes se për drekë do të kishte mysafirë. Nuk harronte ti njoftonte Ndrekës se edhe ai duhet të qëndronte në gostinë e pritshme.

Në ndonjë rast, Siku e dërgonte Ndrekën , ti shpinte pelën , në fshat. Pela e mësuesit , gjat orëve të mësimit, ushqehej me bar në livadhin e shkollës ose rreth saj. Një ditë, kur daj Siku e dërgoi Ndrekën që ti çonte pelën në Vana, e porositi djalin çamarok, të mos i hipte , pelës , por ta merrte për dore, mbasi ajo ishte xanxare. Mirëpo Ndreka nuk e morri parasysh këshillën e dajë Sikut , dhe i hipi pelës. Pas kësaj ndodhi një aventurë gazmore , prej së cilës Ndreka doli “ pa lagur” , falë zgjuarsisë dhe shkathtësisë të tij. Çfarë ndodhi atë ditë?

Kur u largua nga shkolla , Ndreka e mori pelën e dajë Sikut , për dore, derisa “ humbi” nga sytë e mësuesit. Tek një kërcu në anë të udhës kryesore të fashatit, e cila ndante mespërmes pazarin, Ndreka, vuri këmbën në yzengjinë që varej dhe e shaloi pelën. Sapo i hipi djali, pela , sikur ta kishte  pickuar miza,kërceu përpjetë e nisi një vrap me galop, mes përmes pazarit. Ishte ditë e mërkurrë , dhe fshatarët kishin zbritur në Pazar , për të shitur e për të blerë mallrat që mundnin e ato që u nevojiteshin. Kur panë pelën e njohur të mësuesit në atë galop të papërmbajtur dhe sipër saj , të bërë njësh me lelenë e pelës, çamarokun e njohur , të birin e Ngjelo Kules, mjerëzit ndalonin, vështronin atë skemë makabre dhe i pëshpërisnin njëri-tjetrit: “ Kush është ky i çmëndur” ? Dhe kur mësonin se hipisti ishte Ndreka, qetësoheshin e thoshin: “ Ai ia del se është i prapë”! Aventura e Ndrekës mbi pelën e mësuesit përfuncdoi pa ndonjë dëm; djalin e zbriti nga pela xha Kristua , kurse daj Siku nuk e mësoi kurrë atë që ndodhi.

Mësues Siku erdhi në shkollën e Libofshës me emrin Sik e u largua prej andej, m emrin Anastas. Edhe mbiemrin , ai e ndryshoi. Më parë e thërrisnin  Sik Laçka; më pas ai u bë i njohur dhe si Anastas Ikonomi. Në dokumentet e shkollës, ai firmoste  Sik Laska , kurse në ato shtetërore, njihej me siglën- Anastas Ikonomi. Një gjë e rrallë, mësuesi i Libofshës mbante dy emrae dy mbiemra.

Gjashtëmujori i parë i vitit 1944 e gjeti familjen e Vangjel Kules, në ditë të hallit. Rezerva e bereqetit po sosej. Në hambar, të binte miu , bëhejk thërrime. Në grazhdare nuk gjendej asnjë kalli misër. Në shtëpi nuk ndodhej asnjë dorë miell sa për të bërë harapash. Tre djemtë e rritur të Ngjelos që ishin partizanë: Nikolli; Soriri dhe Spirua, pas operacionit të dimrit , u kthyen nga malet e Skraparit, të rraskapitur e të mërzitur. Papunësia dhe fukarallëku i skajshëm ishin ulur këmbëkryq , në vatrat e myzeqarëve. Libofsha dhe banorët e saj nuk bënin përjashtim. Në Libofshë, situata ishte tepër e nderë dhe e nxehtë. Krerët e Ballit Kombëtar, synonin të vrisnin Nikollin e ardhur në fshat, nga mali. Ata  duke bërë këtë vrasje  në mes të fshatit, kishin për qëllim të terrorizonin banorët, por Nikollin e shpëtoi një gjiton. Ballist. Ishpartizani Nikollë Kule e pagoi vetëm me një rrahje spektakolare.

Të tre vëllezërit e Ndrekës, erdhën nga mali, njëri pas tjetrit.  Ata ishin, të tre partizanë, por, mes tyre Spirua ishte komunist nga më të flaktët.  Ndreka, për herë të parë pa yllin e kuq partizan, si simbol i luftës çlirimtare, në kapelen e Spiros e u ngazëllye. Më të rriturit e shtëpisë, tre partizanët të cilëve iu bashkua dhe Joti, morën kazmat dhe veglat e tjera të punës dhe hapën tokë të re, me sipërfaqe rreth 1 ha, në lëndinë, në vendin e quajtur Rrahe. Ata menduan të mos  qëndronin thjeshtë  vrojtues të atij mjerimi që gjetën në familje  e duarlidhur,  por i  gjetën vetes punë përsa  kohë do të ndodheshin në fshat.

Ndreka, i cili ishte tepër i vogël e nuk mund të përdorte veglat e mësipërme, në këtë aksion familjar, gjeti një udhë tjetër për ti ardhur në ndihmë familjes e cila kalonte ditë të vështira. Ai, hodhi në sup kryqin e rëndë prej argjendi të kishës së Shën Gjergjit, me ndihmën e Papa Thanas Kondakçiut, nga Vërrija  dhe, në shoqërinë e Lekë Filipit, burrit më shtashkurtër të fshatit Libofshë, të cilin e tallnin të gjithë, por ai nuk e bënte qejfin qeder. Ndreka kreu një tjetër aksion, interesant e me fitim. Andrea, në shoqërinë e Lekës, shkoi fshat më fshat  e trokiti shtëpi më shtëpi, me kryqin në krah, ku kërkoi e mori  ndihmën tradicionale e cila konsistonte në 2-3 vezë, për çdo familje, sipas dëshirës dhe mundësisë.

Vezët që grumbulloheshin në një kanistër, të cilën e mbante Leka, herë pas here i çonin në dyqan dhe i shkëmbenin me para. Paratë që fitonin i mbante Ndreka, në një qese prej doku. Ai dhe shoqëruesi  i  tij, nuk i numëronin kurrë paratë e fituara por e kishin të qartë se brenda shumës, ishte dhe pjesa e tyre e fitimit. Ndreka,  pjesën e fitimit ia çonte Ngjelos. Ai ia linte ato mbi tavolinë babait e largohej sërisht, i kënaqur se edhe ai kishte dhënë ndihmesën e tij modeste , por të çmuar për mirëqënien e familjes dhe nuk kishte mbetur prapa vëllezërve më të rritur. Ndreka ishte i pasionuar pas riteve fetare. Ai kishte mësuar disa lutje dhe i citonte ato, në çdo rast, në Gjuhën  Shqipe dhe në greqisht. Kjo u pëlqente besimtarëve, të cilët, me vullnet të lirë jepnin ndihma për kishën dhe për predikuesin e lutjeve fetare, Ndrekën.

Një ditë, në fshatin  Fier – Seman, kur shkoi për të kërkuar ndihma,  në oborrin e një shtëpie të bukur  me dy kate, Ndreka  u ndesh me një qen zinxhiri të egër. Ai e goditi kafshën me një dru në kokë dhe doli fitimttar mbi egërsinë e qenit. Nga kjo ndeshje, vetë djali kuptoi se tashmë ishte rritur e burrëruar dhe kishte fituar atë që nuk e gjen në udhë – trimërinë, e cila  u bë bashkëudhëtare e tij, gjatë gjithë jetës.

Puna e shërbëtorit- punë poshtëruese në shërbim të të pashpirtëve.

Në muajin qershor të vitit 1942, Andrea Kule, përfundoi mësimet e klasës së pestë të shkollës së fashatit Libofshë, me të gjitha notat- njësha.  Nota njësh ishte më e larta në vlerësimin e dijenive që merrnin në shkollë nxënësit, në ata vite.  Shkollën e përfundoi , djali i prasëm i xha Ngjelos, po ku do të shkonte?  Në fshat, shkollë më të lartë nuk kishte; edhe në ato fshatra  ku ishin gjendja e luftës i mbylli gradualisht ato. Ndrekën, si tërë moshatarët e tij, i priste vetëm  puna e loparit. Po të ndodhte kjo, djali i zgjuar e i shkathët i Vangjelit, Andrea, ashtu si shokët e tij, do të “ humbiste “  nëpër ato mezhda,  pas lopëve e pas bravareve.

Një ditë, në shtëpinë e Vangjel Kules  hyri  mësues  Sabit Kurti, i cili e njihte mirë Ndrekën. Në  atë ditë, në shtëpi u ndodh dhe vëllai i madh i Andreas- Nikolli.  Mësuesi, me dashamirësi  u  tha burrave të kësaj familje:  “ Ndreka  ka  përfunduar mësimet e klasës së pestë me njësha;  nxënës  të  tillë  janë të pakët ;  nuk duhet ta lemë të “ humbasë” këtë djalë ; mos e  çoni bari lopësh; djali është për shkollë…”!  Pas tij, fjalën e mori Nikolli.  Ai, në esencë  tha: “ Ju falenderojmë z. Sabit e ju mbetemi borxhlinj,  për tërë jetën ,  për këtë kujdes që po tregoni për Ndrekën tonë!  Shkolla të hap sytë dhe ne do të bëjmë çmos  për ta dërguar Ndrekën në shkollë”!  Burrat u ndanë, pa konkluduar.

Në vitin 1943, të gjithë nivelet e shkollave u mbyllën. Ishte kohë lufte. Shpresat e Ndrekës për të vijuar shkollën, u fikën, si flluskë sapuni. Në shtëpinë e Vangjel Kules, trokiti bashkëfshatari  Naun Prifti.  Ai punonte në Manastirin e Ardenicës. Me lejen e të atit, Nauni e çoi Ndrekën në Manastir ku Ai iu nënshtrua një torture të vërtetë. Në Manastir, ekonomati i tij Luc Bozo, i cili, për hir të së vërtetës nuk i pëlqeu fare Ndrekës, e urdhëroi djalin  të lante, me leckë, balkonin e katit të dytë të Manastirit, i cili ishte 100 m i gjatë e rreth 4 m, i gjerë. Punoi  Andrea, për larjen e dhogave të balkonit të Manastirit derisa e çuan në shtëpinë  e Luc Bozos, në Fier, në gjendje të fikëti.

Shtëpia e Luc Bozos, në Fier ishte një vilë e bukur; me dy kate dhe me oborr. Çifti kishte lindur dy fëmijë; më i madhi quhaj Arqile; ai ishte nxënës në shkollën fillore , por “ Nuk mbushte mirë” për mësimet e moshës së tij. Detyrat , Ndreka, në këtë shtëpi,  i merrte, si rregull, nga e zonja e shtëpisë.  Ajo ishte një grua e pashpirt. Nuk kishte të ngopur e nuk kënaqej kurrë zonja, me punët e Ndrekës. Sjellja e saj prej egërsire e mërziti shpejt Andrean dhe ai këtë e shfaqte, atje ku duhej ( në familje) dhe me kujdes e me zgjuarsi edhe mes të tijëve. Çfarë punësh nuk i ngarkonte zonja Ndrekës?  Ajo i jepte urdhër:  “… fshi e laj dhomat dhe oborrin; ço bukën në furrë; në kthim, kalo nga dyqani e bli harxhet e ditës;  kur të kthehesh në shtëpi jepi një shtupë  çimentove se të çajnë mizat. Familja e “ zotnisë” kishte dy fëmijë; të dy djem. I madhi ishte nxënës i shkollës fillore. Kur Ndreka, i lodhur e i raskapitur nga punët e shumta të ditës  mezi priste  të shtrihej  për tu shlodhur e për të fjetur, Arqilea ( djali i madh i “ zotnisë” ) i kërkonte të bënte detyrat e shtëpisë se nuk ishte i aftë  për  ta bërë vetë këtë punë. Andrea  i  tha Arqilesë se i kishte harruar, por djali i pronarit këmbënguli dhe Ndreka  ishte i detyruar të vepronte sipas urdhrave të kanakarit të Luc Bozos.

Kur merrej me të birin, zonja nuk i bërtiste Ndrekës, mbasi pa ndihmën e tij, Arqilea do të ngelej në klasë. Puna e shërbëtorit në shtëpinë e Luc Bozos, si në të gjitha shtëpitë e të kamurve, ishte mjaft e rëndë dhe poshtëruese. Andrea Kule e supertonte keq këtë gjendje por ishte i detyruar ti bënte ballë, me vuajtje fizike dhe me ngarkesë negative shpirtërore. Meqënëse, Ndreka ishte i zgjuar , i përparuar në mësime dhe  elokuent  kur spjegonte  mësimet dhe djali i pronarit i kuptonte lehtë mësimet, ai u përmirësua në mësime dhe kaloi klasën, por prindërit e tij e anëkaluan ndihmesën e Ndrekës. Nuk e ulnin kollaj hundën pronarët.

Veprimtaria revolucionare.

Idetë komuniste dhe domosdoshmëria e luftës së armatosur për të shporrur pushtuesit u përhapën shpejt në Myzeqe dhe u përqafuan nga çdo njeri e nga çdo familje atdhetare myzeqare. Familja  biologjike e Vangjel Kules  u hodh tërësisht  në anën e çlirimtarëve dhe nxorri tre djem  ( Nikolli; Sotiri dhe Spirua) –partizanë.  I katërti,  Andrea, edhe pse ishte ende në bangat e shkollës, u përfshi në lëvizjen çlirimtare.  Fillimisht, Ai u aktivizua  në grupin edukativ, i cili drejtohej nga Sefer Sanxhaktari.  Më pas, Ndreka u përfshi në organizime të tjera të Lëvizjes Nacionalçlirimtare  dhe e rriti frymën përparimtare.

Trakti i parë komunist në Libofshë u hodh nga Loni Dhamo, i cili, më parë kishte qenë anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës.  Në grupin edukativ ku bënte pjesë Andrea Kule, i cili u  formua në qershor të vitit 1942, Andrea u caktua përgjegjës. Në përbërje të grupit ishin:

  • Andrea Kule;
  • Ahmet Koprencka;
  • Vasil Doko;
  • Llazi Nako;
  • Seit Qafa.

Grupi edukativ mblidhej një herë në muaj. Aty, pjesëtarët njiheshin me situatën e brendshme dhe të jashtme;  lexohej  Statuti;  mësohej  Internacionalja  Komuniste dhe merreshin udhëzime për të kryer aksione revolucionare sabotimi.   Aksionet që mund të kryente grupi edukativ ishin ato të njësiteve guerile të mëvonëshme.  Ato konsistonin në prerjen e telave të telefonëve në linjat:  Libofshë- Divjakë;  Libofshë – Bubullimë dhe veprime të tjera, në dobi të Luftës Nacionalçlirimtare. Pjesëtarët e grupit i bënin aksionet, me guxim e energji pozitive, por, pas kryerjes së tyre me sukses, nuk dinin të mbulonin atë që bënë dhe mbeteshin të “ zbuluar” përpara armikut që i gjurmonte.

Një ditë grupi ku bënte pjesë Ndreka,  preu linjën telefonike që lidhte Libofshën me Divjakën. Aksioni u krye me sukses, por, pas kryerjes së tij,  të rinjtë qëndruan pranë shtyllës telefonike të cilës i ishin prerë telat dhe, me telat e këputur kishin pleksur një kurorë, të cilën e kishin vënë pranë shtyllës. Kaloi aty pranë një ballist,  i pa e mendoi se diçka kishin bërë por edhe ai nuk ishte i zoti për ti çuar aksionistët, në xhandarmëri.

Kur Andrea ishte në shkollë, u formua grupi i rinisë, me nxënës të shkollës e me të rinj të tjerë. Me votim të hapët, Ndrekën e zgjodhën përgjegjës . Kishin të drejtë ata që e zgjodhën përgjegjës, mbasi Ai ishte mjaft i zgjuar e i shkathët dhe të rinjtë kishin besim tek drejtimi i tij. Në grup, të rinjtë mësonin të këndonin këngë atdhetare dhe kjo periudhë formimi shërbeu si “tramplinë” për një hap më të madh; për t’u futur në “udhën e malit”.  Ndrekës i pëlqente të këndonte por nuk kishte veshë muzike, as zë të ëmbël. Disa terma që ishin futur rishtaz në zhargonin e komunikimit, të rinjtë e grupit nuk i kuptonin. Më të rriturit dhe ata që i dinin, ua spjegonin atyre.

Andrea, tek i cili bënë vend shpejt idetë e luftës çlirimtare  dhe qënja e tij në krye të grupit të edukimit si dhe aksionet luftarake që kryente grupi nuk e  “mbushte” temperamentin e djalit të vogël të Ngjelos.  Ai “ digjej” nga dëshira e zjarrtë për t’u bashkuar me partizanët. Ishte koha kur në fshatin  Shegas po formohej batalioni partizan i rinisë. Më 26 shtator, Ndreka u nis për në Lushnje dhe ra në kontakt me batalionin që po formohej. Luftëtari i parë që takoi Ndreka, të cilin  e pyeti për batalionin, u ndodh i caktuari komandant i atij formacioni luftarak.  Kërkesës së Ndrekës për t’u regjistruar  partizan, komandanti iu përgjigj  menjëherë dhe pozitivisht.  Kështu, adoleshenti   “shpuzë” nga Libofsha, me gjak atdhetari në damarë, u bë partizan. Ëndrra e tij e kahershme u bë realitet. Ai u bë efektiv i togës së dytë të kompanisë së parë, të Batalionit të Rinisë.

Formacionet partizane, nuk ishin “ ujë i ndënjur” por përrenj malorë që zbrisnin me utërimë e merrnin me vete, ujërat që u gjenin  udhës . Ato përuroheshin me aksion luftarak. Të nesërmen e formimit, batalioni u nis për udhë, me detyrë luftarake. Ishte koha kur trupat gjermane po tërhiqeshin nga vendi ynë. Gjatë tërheqjes për në Veri, ato shkatërronin urat dhe rrugët lidhëse. Gjermanët hodhën në erë urën e Mbrostarit në Fier, urën e Rrogozhinës, mbi Shkumbin, urën mbi lumin Mat, atë në Lezhë e urën në Shkodër. Batalioni i Rinisë, kishte detyrën luftarake të futej i pari, në qytetet që linin gjermanët. Kështu ngjau në qytetin e Kavajës, në atë të Durrësit e gjetkë.

Në Shkodër, kompania e tretë ku bënte pjesë Ndreka, u caktua të banonte në shtëpinë e Gjon Marka Gjonit. Ajo ishte një shtëpi me përmasa të mëdha, shumë e bukur, me oborr të madh, e rrethuar nga një mur i lartë, i ngritur me gurë lumi. Skuadra ku bënte pjesë Ndreka kishte një komandant të cilin e quanin Koço. Ky komandant Koçua ishte trim e i zoti për të luftuar por ishte analfabet e nuk dinte, as të shkruante; as të lexonte. Skuadra partizane ku bënte pjesë Ndreka,  natën, patrullonte nëpër rrugët e qytetit; ditën kontrollonte dokumentet e atyre që qarkullonin nëpër qytet. Ishte muaji dhjetor e bënte shumë ftohët. Myzeqarët, të mësuar në klimë të “ butë” e ndjenin më shumë të ftohtin e dhjetorit. Frynte një erë që “të thante” fytyrën, duart dhe këmbët. Vendasit, asaj ere i thoshin Shirokë. Një ditë, Andreas i rastisi të patrullonte së bashku me një vajzë; me Netën. Vetë Ndreka, në kujtimet e tij, për këtë rast shkruan: “ Ishja i mbathur me sandale, rripat e të cilave ishin të këputura. Nuk i ndjeja  këmbët që ishin të mijat, nga të ftohtit. Tërhiqesha zvarrë, nga sedra e nga turpi. Vajza partizane me të cilën isha në patrullim, e kuptoi  hallin tim e më çoi tek një këpucar, i cili m’i rregulloi rripat, por të ftohtit e ndjeja njëlloj”.

Një ditë, duke kontrolluar dokumentet e kalimtarëve, u erdhi  radha dy burrave, të cilët ishin të veshur mirë. Në kontrollin e dokumenteve, së bashku me mua ishte dhe komandanti i skuadrës, Koçua analfabet. Kur u afruan dy burrat të veshur mirë. Koçua i urdhëroi ata të dëftonin dokumentet. Ata nuk kishin letërnjoftimi por nxorrën dy vertetime për të dëftuar identitetin e tyre. Ajo që ngjau më pas është sa qesharake, aq dhe për të ardhur keq. Vertetimet  e dy burrave, i mori në dorë vetë komandanti i skuadrës, i cili po i mbante kokëposhtë.  Dy burrat që e kuptuan si ishte puna, vunë buzën në gas. Koçon kjo e tërboi fare e nisi të bërtiste. Ndreka që dinte të lexonte, me takt , i ndërhyri  komandantit të skuadrës e arriti ta qetësonte. Rezultoi se dy burrat të veshur me rroba civile, të mira, ishin bashkëpunëtorët tanë dhe vepronin në terren.

Pas qëndrimit në Shkodër, në palcë të dimrit, Batalioni i Rinisë u çvendos  në Hot në një zonë e cila ishte si një traplinë për t’u hedhur në Shqipërinë e Veriut.  Në Hot, batalioni u stacionua 3 ditë  (netë), gjithmonë me detyra luftarake konkrete. Pikërisht, në ditën e katërt, batalioni  mori udhën drejt Veriut. Ishte mesi  i  dimrit. Frynte erë e ftohtë e binte borë. Ngjitja për në Rrapshë Starje i lodhi mjaft partizanët. Të përpjetës së lodhëshme iu shtua dhe era e njohur e Rrapshës, e cila, siç dëftojnë të moshuarit, ta zbërthen xhaketën edhe sikur ta kesh të kopsitur. Në Rrapshë Starje, partizanët do të donin të qëndronin pak, sa për të rregulluar frymëmarrjen, por detyra e kërkonte të zbrisnin Leqet e Hotit e të rrugëtonin nëpër shtartin e bukur të lumit të Cenit, ku lugina është e ngushtë dhe e zhveshur e në të dyja anët rrethonet nga hone malesh të lartë e të thepisur.

Batalioni,  zbriste Leqet e Hotit në kollonë, kur, pa mbërritur në fundin e luginës të Cenit,  në një vend të zhveshur, batalioni, në marshim u godit nga forcat nacionaliste të Prengë Calit. Batalioni u zu ngushtë dhe u pozicionua me ngutësi për të luftuar.  Ata që sulmonin ishin në kushte natyrale më të favorshme ( ishin më lart) dhe gjendeshin në kushtet e epërsisë taktike.  Partizanët, në atë luftim, lanë mjaft të vrarë e të plagosur. Ata nuk patën kohë e mundësi, as të tërhiqnin të plagosurit nga fusha e betejës.  “Piçiruku”, ( kështu e thërrisnin partizanin Andrea Kule, në batalion) luftonte në gjunjë, jo si shokët,  në pozicion luftimi të shtrirë. Komandanti i skuadrës,  Koço analfabeti , e kritikoi partizan Ndrekën dhe ky u shtri, si të tjerët.

Në fshatrat e Kelmendit, formacioni partizan, u stacionua disa ditë.  Për të “marrë frymë”, pas atij luftimi të vështirë dhe për të vendosur rendin e ri në fshatrat ku shkelnin.  Burrat, në të gjithë fshatrat e Kelmendit, ishin larguar; në shtëpi  kishin mbetur gra, fëmijë dhe të moshuar që nuk mund të lëviznin. Ushqime, në çdo fshat kishte me bollëk. Partizanët, të uritur, “kur ranë” në ushqime , “e zgjeruan rripin e pantallonave”.  Ata  ranë në ushqim e hëngrën për të zëvëndësuar mungesën e ushqimeve të disa ditëve . Ishte dhënë urdhër për djegjen e shtëpive të atyre që kishin ikur në mal, me nacionalistët.  Ky veprim krijoi një situatë terrori në atë trevë dhe banorët na vështronin të frikësuar.  Andrea Kule, ato ditë ishte zgjedhur organizator i rinisë për kompaninë. Ai, së bashku me 5 partizanë u srehua në një familje malësori. Gratë dhe fëmijët, i vështronin ata, të frikësuar.  Kishin frikë se mos u digjnin shtëpinë. Ndërkohë Andrea, me autoritetin e organizatorit të rinisë të kompanisë dhe me shpirtin e tij të mirë, ndërhyri që të mos digjej një shtëpi.

Një ditë, kur Brigata ndodhej në Vukël, për të dhënë udhëzime të reja organizative dhe për të vënë detyra operative, para partizanëve shkoi  Ndreko Rino, drejtues i formacioneve partizane.  Ai lexoi urdhrin e Komandës së Përgjithshme, sipas të cilit, ndalohej djegja e shtëpive të malësorëve. Përhapja e këtij urdhri shkaktoi një situatë tjetër tek vendasit dhe për partizanët. Batalioni i Rinisë, qëndroi në malësinë e Vermoshit, dy javë.  Në vitin 1945, disa muaj pas çlirimit të Shqipërisë, Batalioni i Rinisë zbriti, në Hot. Kapitullimi i Gjermanisë Naziste, më 9 maj të vitit 1945 e gjeti Batalionin në fshatin Bajzë të Shkodrës. Atë ditë plasi pushka partizane sikur të ishte luftë e vërtetë. Gëzimi i partizanëve nuk kishte kufi.  Kishte dalë me fitore koalicioni antifashist, anëtar i të cilit ishte dhe vendi  ynë. Ndrdeka, atë ditë, nga ngazëllimi shkrepi në ajër- 6 fishekë.

Më 12 maj të vitit 1945, batalioni i Rinisë dhe brigata ku ai bënte pjesë, morën urdhër për të marshuar drejt Korçës.  Në fshatin Vodicë, tashmë të çliruar, Andreas iu ngarkua një detyrë e re, disi tjetër nga ato që kishte kryer gjatë luftës. Si më i shkolluar, pavarësisht se në moshë ishte akoma i parritur dhe partizanët e thërrisnin “ piçiruk”, Ai duhet të bënte mësuesin. Shumica e partizanëve ishin analfabetë dhe formimi i Ushtrisë Popullore që pritej kërkonte drejtues dhe efektivë që të dinin shkrim  e këndim, si hap i parë drejt shkollimit të tyre. Kësisoj, Ndreka u bë mësues ( pa diplomë). Në kursin kundër analfabetizmit , në atë njësi  ishin 32 partizanë, të cilët Ndreka i ndau në dy turne. Me një pjsë të tyre punonte para dite e me të tjerët , pas dite.  Për infarstrukturë asqë mund të pretendohej. Si klasë shërbeu hija e disa pemëve, për mjete didaktike, shfrytëzoheshin kushtet natyrorë që ofronte Vodica dhe treva përqark saj.

Ajo që duhet nënvizuar, në këtë rast është rregulli dhe vemendja e pjesëmarrësve në këta kurse. Disiplina partizane funksiononte dhe në këta mjedise mësimorë. Partizanët pjesëmarrës në kurset kundër analfabetizmit e vështronin Ndrekë “ piçirukun” si Perëndi dhe ishin tepër ekzigjentë ndaj kërkesave të tij. “Mësuesi” me seriozitetin më të madh,  u drejtohej partizanëve,  me respekt dhe ishte tepër i përkushtuar tju transmetonte atyre dijet e nevojshme. Me disa syresh, Ndreka mbajti lidhje miqësie për shunë kohë dhe e kujtonin njëri-tjetrin me respekt.

Një ditë “ mësues Ndrekën” e thirrën në komandën e Brigatës partizane.  Atë e njoftuan se duhet të nisej për në Tiranë, mbasi do të futej në shkollën e kadetëve,  e cila, do të çelej  së afërmi.  Gëzimi që përjetoi  Andrea atë ditë, mund të përfytyrohet por është vështirë të përshkruhet. Ai kishte ëndërruar gjithë jetën për të shkuar në shkollë dhe ja,  papritur, aty në Vodicën e largët kishte zbritur një lajm që e lumturoi “ piçirukun”, nga qielli. Andrea Kule , më së fundi do të nisej për në shkollë. Gëzimi  nuk mbeti  vetëm tek Andrea  i  xha  Ngjelos,  por u përhap me shpejtësi tek të gjithë partizanët e pranishëm.  Gëzuan ata që mësuan prej Ndrekës shkrim e këndim dhe më të moshuarit partizanë;  të gjithë sa e njihnin Ndrekën, gëzuan prej këtij njoftimi.  Në rrugëtimin për në Tiranë, Ndreka nuk ishte i vetëm. Partizanë të tjerë si ai,  të vegjël në moshë e me shkollë shtatëvjeçare të përfunduar, do të uleshin në bangat e Shkollës së Kedetëve.  Rrugën për në Tiranë,  edhe pse ajo kalonte male, fusha e përrenj të shumtë dhe në këmbë  zgjati  rreth 5 ditë ( netë), Ndreka nuk e ndjeu fare. Ai kishte ndjenjën e gëzimit në gji se do të fillonte një shkollë të re, më të lartë, të cilën e kishte ëndërruar,  gjatë.

Në muajin nëntor të vitit 1945, Andrea Kule dhe shokët e tij partizanë, nisën vitin e parë të shkollës së Kadetëve ( shkollë e mesme ushtarake), në mjediset e Spitalit të Traumës, në Laprakë. Fillimisht djemtë e ardhur nga udhë e gjatë, i çuan në banjë, për t’u larë dhe sapo dilnin nga banjat, kujdestari i pajiste  me të brendshme të lara,  me çorape e këpucë dhe me pantallona e me xhaketa. Uniforma ishte mjaft e bukur. Pantallonat ishin të gjata; në vendin ku qepen, anash, kishin  shiritë të kuq. Xhaketa, në jakë mbante simbolin e flamurit të kombit. Në bustinë ( kapele) shëndriste një yll i kuq, me pesë cepa, simbol i komunizmit.  Në atë kohë shkolla e mesme ushtarake, mbante emrin:  Shkolla e Kadetëve. Nxënësit e parë ishin kryesisht ishpartizanë, por kishin ardhur dhe të tjerë , nga të gjitha trevat e vendit.

Kadetët,  me t’u organizuar dhe mbasi u pajisën me uniformë, u njohën me kuadrot drejtues të shkollës.  Komandant i shkollës ishte oficeri Vangjel Doga. Ai ishte një oficer shumë elegant e i shkathët. Vangjeli  kishte studiuar në Itali, në akademi ushtarake dhe ishte ushtarak “ model”. Ai vishte vazhdimisht pantallona kilota dhe mbathte çisme; prapa çismeve, mbante mamuze, për kuajt. Siç duket, në ushtrinë italiane kishte qenë pjesë e kavalierisë.  Gjatë viteve të Luftës Nacionalçlirimtare Vangjeli u lidh me partizanët e u bë luftëtar i saj. Komisar i shkollës ishte Leusari, nga rrethi i Përmetit- Koço Lako, një burrë shtatlartë, pak i kërrusur; edhe ky ishpartizan.  Komandant toge,  për ishpartizanët ishte oficeri i rreptë nga Luma- Tahsin Spahiu. Ai kishte qenë oficer edhe në Ushtrinë Mbretërore dhe ishte mjaft i përgatitur.

Kadetët që erdhën nga mali,  ishin kryesisht nga fshati dhe dinin të ushqeheshin,së  shumti me lugë, ose hanin me dorë. Në shkollë ata mësuan të hanë edhe me pirunë e me thikë.  Oficerët që drejtonin përgatitjen e kadetëve, u mësonin atyre dhe përdorimin e pirunit e të thikës. Pikërisht,  lidhur me këtë çështje, në shkollë ndodhi një mosmarrëveshje. Komandanti i togës, Tahsin Spahiu ishte në shërbimin e oficerit të rojas.  Atë ditë ai i çoi kadetët në mensë dhe vetë hipi mbi një tavolinë, nga ku nisi të demonstrojë përdorimin e thikës e të pirunit. Para se të niste mësimin, komandanti i togës mbajti një fjalim moralizues ku evokonte vlerat e oficerit. Sipas tij, oficerit.mund ti takojë të shoqërohet e të hajë në shoqërinë e njerëzve  të sferave të larta ,  prandaj duhet të dijë të hajë me thikë e me pirun, me kulturë,  jo si derrat kur i nxjerrim nga koteci.  Këto fjalë u ranë rëndë kadetëve, të cilët ishin sedërlinj.  Njëri nga kadetët,  hipi mbi tavolinë,  siç bëri komandanti i togës  dhe i revoltuar, tha: “ Nuk kemi nevojë për këshillat tuaja.  Ne nuk jemi burgjezë, por revolucionarë. Nuk jemi si derrat në kotec”!

Kaq u desh që atmosfera  inkandeshente të merrte zjarr. Plasi zhurma, rrëmuja dhe shamataja, e cila  shpejt mori përmasat e një greve. Oficer Tahsini u mbyll në zyrë. Disa kadetë u nisën për në zyrën e tij por shokët nuk i lejuan të shkonin atje.  Ra borija për të shkuar në mbledhje. Në mbledhje erdhi komandanti i batalionit Miço Kola, ish partizan i njohur. Ai i vuri kadetët në rrjesht dhe vetë u vu në krye të rrjeshtit. Me hap rrjeshtor, kadetët me në krye komandant  Miço Kolën, bënë tri xhiro rreth oborrit të shkollës. Të nesërmen, në klasën  ku  ndodhi  rrëmuja  vajti komandanti  i shkollës- Vangjel Doga.  Ai, në esencë, u tha kadetëve: “ Nuk jemi  më  në luftën partizane,  por tashmë jemi kthyer në ushtri  të rregullt. Për ne ka ligje dhe rregullore, të cilat duhet ti zbatojmë. Në ushtri nuk ka demokraci”, etj. etj.  Pas tij foli komisari  Koço Lako.  Ky, si komisar, e zbuti disi tonin e tha: “ Detyra e kadetëve është të mësojnë dhe të dalin me rezultare të mira”!

Kadetët hynë në klasë dhe qëndruan në pritje të ardhjes të profesorit. Ishte ora e parë e mësimit e zhvillohej  matematikë.  Profesori  i  matematikës ishte i moshuar por i mbajtur mirë.  Ai  çalonte dhe  për të qarkulluar përdorte një bastun.  Sapo hyri në klasë, kadetët u ngritën në këmbë, por, ai,pa u prezantuar nisi të spjegonte mësimin.  Profesori  ishte tepër serioz. Si kur erdhi dhe kur u largua nga klasa, nuk i përshëndeti  kadetët dhe la tek ata përshtypjen e një fodulli.  Në orën e dytë të mësismit,  zhvillohej letërsi.  Edhe këtë lëndë e drejtonte një mësues i moshuar i cili quhej Llazar Eftimiu.  Ai kishte përkthyer Gavroshin;  Kozetën etj,  dhe kishte shkruar një roman, të clin e kishte titulluar : Mirushja.  Mësues i Gjuhës Italiane ishte Hysni Alimerko, nga fshati Tërbaç i rrethit të Vlorës. Më vonë,  atë e arrestuan për veprimtari armiqësore.  Interesant:  Të gjithë pedagogët e vjetër, me kalimin e kohës u futën në burg.  Edhe komandanti i togës, luriani i rreptë  u burgos.  Pedagogët e vjetër,  të cilët kishin studiuar në shkolla jashtë vendit, në Perëndim, ishin kompetentë të lëndës që drejtonin dhe ishin të pakorruptueshëm.  Kishte kadetë nga qyteti i Tiranës, familjet e të cilëve ishin gjitonë me ta, por pedagogët nuk u bënin favore e nuk i mbanin me hatër fëmijët e tyre.

Andrea Ngjelo Kule, nga jeta  në shkollën e Kadetëve ishte mjaft i kënaqur. Ai, dita-ditës u familjarizua me jetën në shkollë dhe me atë regjim të posaçëm. Atij i pëlqente mjaft gjimnastika në vegla,  të cilën e ushtronte me ëndje.  Më 10 korrik 1946, në përvjetorin e formimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, datë që u pranua si ditë e formimit të Ushtrisë Popullore, u bë një parakalim madhështor dhe disa veprimtari  fizkulturore- sportive spektakolare. Shkolla e Kadetëve, e cila kishte marrë emrin e famëmadhit “ Skënderbej” mori pjesë aktivisht në manifestimet që u bënë dhe zuri vendin e nderit.  Andrea  Kule, demonstroi  forcë, teknikë të lartë, elegancë dhe dinamizëm, në ushtrimet  gjimnastikore.  Ia vlen ta themi  se hobi për gjimnastikën, Ndrekës nuk iu largua as në moshë të madhe.  Ai ushtrohej, sidomos në ushtrimet individuale të   tokës sikur në rininë e tij. Habiteshin pinjollët e tij, kur e vështronin babanë të bënte vetrikalen, dhe kishin drojë se mos  Ai, ndrydhte kyçet apo mos thyente ndonjë kockë.

Festën e 10 korrikut,  “skënderbegasit” mezi e pritnin. Pas asaj lodhje gjatë gjithë muajit qershor si muaj provimesh,  kur,  gjatë e pas provimeve  stërvitja  vazhdonte, dy herë në ditë, me intensitet,  ata, do të merrnin pjesë në manifestim e pastaj do të niseshin me leje. Kënaqësi  të  madhe ndjenin nxënësit e kësaj shkolle, pas stërvitjes.  Kur ishin tërë  djersë,  ata  shkonin në lumin e Tërkuzës, për t’u larë,  ku  hidheshin, me kokë, nga  një  lartësi  e  madhe.  Ata  shkriftoheshin, hiqnin  djersën dhe e ndjenin  veten  më  të freskët, për provat e pasditës.

Në fund të qershorit 1946, skënderbegasit, morën rrogën e parë ( 250 lekë).  Andrea, meqënëse ishte shumë i dhënë pas filmit, i ruante paratë për të shkuar në kinema,  në ditët kur kishin dalje të lirë. Hobin për të parë filma, Ndreka mundi tua futë në gjak dhe vajzave, të cilat i çonte herë pas here për të parë filmat e rinj.  Andreas i pëlqenin, në veçanti  filmat historikë dhe ata komikë. Ai dinte përmendësh  disa   komedi të  Shekspirit.

Kur u bë me një dorë para, Ndreka, nisi të mësonte biçikletën, tek fusha e zezë, në Shallvare. Për drejtues kishte  Vasil Dokon, i cili e kishte mësuar më parë ngarjen e biçikletës.  Mirëpo një ditë, kur Ndreka mendonte se e përvetësoi  ngarjen e biçikletës, ia tha truri e doli jashtë fushës  së zezë e u ngjit në të përpjetën  që të çon tek Pallati i Brigatave. U ngjit si u ngjit në malore, por, kur zbriti,  mjeti me dy rrota mori vrull dhe  Ndreka nuk dinte ta ndalonte.  Për fatin e tij të mirë, në anë të udhës ishte një kanal i pastër e “ çiklisti ynë”, përfundoi në kanal, megjithë mjetin.  Nga ajo ngjarje, “heroi” ynë nuk u nda pa gjë. Ai pësoi dy “goditje”: U deformua rrota  parë e biçikletës dhe Ndrekës iu grisën pantallonat e reja, aq keq,  sa i dukeshin brekët e bardha te skënderbegasit.  Për fat, një burrë që u ndodh në anë të udhës, e ndihmoi Ndrekën të dilte nga kanali dhe i drejtoi, me  shkelm, rrotën e deformuar. Ndreka, me turp, mori  biçikletën për dore dhe  e çoi atë atje tek e mori. Duke ecur shtrembër e rrugicave, se mos i vështronin njerëzit brekët, hyri tek një rrobaqepës afër kinemasë “ 17 nëntori”.  Kadeti  iu lut atij ti riparonte pantallonat. Fillimisht rrobaqepësi nuk pranoi, por pas lutjeve këmbëngulëse të adoleshentit gojëtar, i riparoi ato aq bukur sa nuk dalloheshin fare. Ndreka nxorri një dollar e donte ta shpërblente, për shërbimin mjeshtri n. Mjeshtri, me një tironçe të qartë e me fjalor tipik vendas  iu përgjigj djalit: “ tojbe stafrullah; unë me tmor pare ty? Mos e dhëntë Zoti! Nuk e bona për pare , por e bana për sevap; për shpirtin tem. Vre ko’: Ik e të majtë shnetja, mos më ja mo për ksi gjonash, vre rrugën”! Djali u përshëndet me mjeshtrin dhe e mbajti vrapin në shkollën “ Skënderbej”.

Në Shkollën  “ Skënderbej “ në të gjitha vitet,  Ndreka, nuk e kishte të vështirë  të mësuarit;  Ai,  jo vetëm që ishte i pari i klasës,  por me elokuencë u spjegonte shokëve të klasës, pjesët e vështira të mësimeve.  Andrea kishte kohë të lirë për të lexuar dhe e vazhdoi , me dëshirë të madhe hobin e kahershëm, për të lexuar libra  jashtë shkollorë. Ai lexonte që kur ishte në fshat, në shkollën fillore. Librat i sillte Spirua, i cili ishte shërbëtor në një falilje të kamur, e cila kishte, në bibliotekën e familjes mjaft libra. Spirua i lexonte vetë e ia jepte të vëllait ( Ndrekës)  për  ti  lexuar. Ndreka lexonte edhe udhës duke rrezikuar të binte në kanal. Bënin habi  bashkëfshatarët kur e vështronin djalin e vogël të Ngjelos që lexonte udhës dhe komentonin sipas të tyres.

Ndreka, jo vetëm që lexonte me dëshirë çdo libër që i binte në dorë, por kujdesej shumë për librin. Kur u nis për në Tiranë, Ai i paketoi librat e tij;  i lidhi  ato me zhukë dhe e luti nënën ti ruante në dhomën e saj.  Në një rast,  Ndreka i futi dëngjet me libra në arë, e harroi vendin ku i kishte futur;  kur i kërkoi, mezi i gjeti.  Kur Joti ( vëllai i Ngjelos)  mori shtëpi në Tiranë, Ndreka, me pëlqimin e xhaxhait, i solli dëngjet me libra në  shtëpinë e tij, në Tiranë, por ato humbën, pa nam e pa nishan dhe kur i zoti i tyre u kthye nga Bashkimi Sovjetik, nuk i gjeti.  U dëshpërua mjaft, i  riu Andrea Kule, për humbjen e këtij “ thesari”, të cilin Ai e çmonte shumë.

Andrea  lexonte shumë dhe ato që gjente në libra i reflektonte në karakter e në jetë.  Erudizmi  i  tij  dhe  elokuenca ishin për t’u ndjekur nga të gjithë. Pasionin për librin, Ai nuk e paksoi as kur u moshua, madje as atëherë kur qarkullonte me ndihmën e një bastuni.  Kur kalonte pranë ndonjë librarie,  Ndreka nuk ngurronte  të hynte brenda saj e nuk dilte pa një libër në dorë.  Herë pas here, Ai blinte libra të rinj dhe biblioteka e tij u bë e pasur, në ekzemplarë e në mendjen e tij u shtua “ begatia”. Dashuria e tij për librin, u transmetua tek ata që la pas, të cilët, gjithashtu dinë të çmojnë vlerat e një libri. E them plot gojën se miku im i dikurshëm ( ndjesë pastë),  në qytetet ku jetoi, e në përgjithësi kudo ku kalonte, nuk njihte banakierë e kamerierë,  por librarë e libra.  Le të kthehemi tek rrëfimi për jetën e tij artistike dhe tek mësimi i teknikës luftarake që shfrytëzoi :

Në vitin 1947 komanda e Shkollës, “ Skënderbej”, me 12 nxënësit më të talentuar e të shquar në mësime,  organizoi një shfaqje artistike. Për vënjen në skenë të pjesës, ndihmuan disa aktorë në zë të Teatrit Popullor.  Shfaqja u dha në Kinemanë e Brigatave, në prani të Ministrit të Arsimit – Sejfulla Malëshova.  Ajo u pëlqye mjaft e u shfaq dhe në disa reparte të ushtrisë. Në atë shfaqje, Ndreka luante një rol të dorës së dytë; atë të një xhandari, rol, të cilin “ e qau”.  Me talentin dhe aftësitë e tij interpretuese, kjo shfaqje e bëri  Ndrekën të njohur, jo vetëm në shkollë. Ishte intelekti i tij që e bënte të lehtë përvetësimin e rolit.  Në pushimet e verës, si të gjithë nxënësit e Shkollës “ Skënderbej”, Ndreka vajti në Libofshë,  pranë familjes dhe të afërmve.  Ai, me disa bashkëmoshatarë, vinte përqark fshatit, disa herë në ditë dhe bënte qyfyre me  ta.  Një ditë, shokut të tij Mehmet Jeshili,  i ra ndërmend të bënin një mbasdite dëfrimi, në oborrin e shkollës së fshatit dhe të jepnin shfaqjen ku aktivizohej me rol te dorës së dytë shoku i tyre Ndreka. Mendimin e Metit e përkrahu dhe shoku i tyre Vasil Doko.  Ai pyeti Ndrekën: “ Si thua ti, Ndrekë”? Ndreka nuk ia prishi shokut dhe,  u tha; u bë. Të nesërmen nisi puna për të përgatitur shfaqjen. Ndreka shkurtoi skenarin dhe ndau rolet. Për të kompletuar trupën “ artistike”,  duheshin dhe  dy djem e një vajzë.   Djemmtë u gjetën; i pari ishte Elmaz Qerushi,  po vajza? Hajde tu mbushësh mendjen fshatarëve të Libofshës, tha  Ndreka!  U gjet një zgjidhje , e cila nuk kaloi pa bereqet.

Thoma Kule, kushëri i Andreas, ishte kryetar i Këshillit popullor të fshatit.  Ai e njihte gjendjen e fshatit, si në pëllëmbë të dorës. Shkojmë në shtëpinë e Ndrekallarëve,  i tha ai kushëririt të tij, Andreas. Në rrugë, pranë shtëpisë të tij, ata takuan Pal Ndrekën, i cili, kishte një vajzë adoleshente me moshë rreth 14 vjeçe. Thomai dhe Andrea, i dëftuan planin Palit e i paraqitën kërkesën për të bijën. Pali e pëlqeu idenë e ra dakort në parim por nuk e dha fjalën; “ duhet të pyes vajzën”- u tha ai bashkbiseduesve seriozë.  Ky Pal Ndreka,  burrë i shtruar,  i urtë,  i qetë, me logjikë të fortë e mjaft i sjellshëm,  gjykoi me gjakftohtësi dhe kishte besim në ndershmërinë e dy kushërinjve që i shkuan. Ai u ngjit në shtëpi  dhe, pas pak u kthye, së bashku me vajzën.  Ndrekës i mbetën sytë tek vajza e Palit, të cilën e vështronte për herë të parë.  Ajo ishte adoleshente, rreth të katërmbëdhjetave, por, për nga pamja, dikej më e vogël  por ishte një “ perri” e vërtetë. Vajza ishte imcake nga shtati dhe në trupin e saj, sapo kishin nisur të buisnin hiret e vajzërisë të herëshme.  Pubertiteti kishte lënë gjurmë të patheksuara, tek ajo krijesë e brishtë. Tipari i veçantë që i tërhoqi vemendjen dhe e bëri për vete Ndrekën,  gjithashtu adoleshent,  ishte butësia fëmijërore e saj.  Me atë fytyrë të badhë, pak të zbehtë, ajo dëshmonte se nuk e kishte parë dielli. Vajza kishte veshur një fustan basme, me lule të vogla si manushaqe; flokët i kishte të verdhë , me onde, të cilët i binin mbi supe.  Sytë e saj të vegjël e të thellë, kishin ngjyrën e detit, me reflekse reshë. Pamja e tyre i jepte  hijeshi e freski, fytyrës së saj dhe, në terësi ajo vajzë, e cila i mori mendjen Andreas që në takimin e parë, ishte gjithë nur. Brishtësia e saj dhe pafajësia, binin në sy, në ecjen e çlirët, në qendrimin e natyrshëm, në bisedë e më pas në kuvendim. Babai i mirë, nxorri nga shtëpia, të mirën bijë, e cila nuk kishte folur kurrë me burra jo të gjakut. Ai e dinte se me kë kish të bënte. Vajza e tij , gjithashtu e dinte se ishte në “ besën” e të atit dhe të njohurve të tij.

U përshëndetën e u prezantuan.  Vajza e Palit quhej Zoicë. Ndreka, e “fotografoi” portretin e asaj vajze, i cili nuk iu nda nga sytë e mendjes, tërë jetën. Nuk i shkonte fare në mendje, myzeqarit Andrea Kule, se nga ai takim i parë, i rastësishëm, do të lindëte një dashuri e madhe, në të dy krahët, e cila përfundoi  me fejesë e me martesë dhe me ardhjen në jetë të pesë fëmijëve, si yje. Ndrekës i pëlqeu  Zoica,  por dhe ajo,  në mendje e në shpirt, në heshtje,  diçka ndjeu për atë deli djalë, i cili jo vetëm që nuk kishte të sharë.  Për të realizuar qëllimin e vajtjes tek shtëpia e Palit, dy të rinjtë u ulën pranë njëri-tjetrit dhe biseduan për shfaqjen e pritshme. Ndreka i diktoi vajzës pjesën e saj të tekstit dhe e porositi ta mësonte përmendësh atë dhe, të nesërmen të shkonte në shkollën e fshatit, për të bërë prova.  Zoica i mirëpriti, fjalët e djalit dhe, me ndjenjën e një vajze të moshës së saj  u shty drejt shkollës, siç duket, jo vetëm për të bërë provat por dhe për të parë atë çapkënin  që ia prishi mendjen.  Shfaqja u realizua e u pëlqye;  dy të rinjtë u lidhën përjetësisht dhe besnikërisht me njëri-tjetrin.

Në muajin gusht të vitit 1948, skënderbegasit i çuan për të bërë pushimet në qytetin e Pogradecit. Në një mbledhje rutinë të organizatës –bazë të Partisë të Shkollës “ Skënderbej”, ku ishte  i  ftuar dhe Ndreka, u bë propozimi për ta pranuar Andrea Kulen në Partinë e Punës.  Me unanimitet, Ndreka, i  mirënjohur për karakterin, sjelljen dhe tiparet e tij, u pranua, anëtar i Partisë së Punës të Shqipërisë. Detyra të reja dolën për adoleshentin  Andrea Vangjel  Kule,  i cili ishte akoma në bangat e shkollës.

Në shtator të atij viti, rinisën mësimet. Nuk kaloi as një javë nga fillimi i mësimeve dhe Andrean, së bashku me disa shokë,  i  njoftuan apo më mirë të themi, i urdhëruan:  “… Ndërpritni  mësimet dhe bëhuni gati për të shkuar, për studime, në Bashkimin Sovjetik…”. Në ushtri; urdhri është urdhër;  ai nuk diskutohet,  por zbatohet.  Kështu vepruan dhe skënderbegasit e piketuar për të dalë jashtë shtetit.  Djemtë e mbanin disi “të fshehtë” gëzimin që u vlonte përbrenda.  Ata u nënshtruan testeve dhe analizave mjekësore, në  Spitalin  e  Përgjithshëm  Ushtarak  ku, Ndreka, doli i aftë e i shëndetshëm.  Në  grupin  që  do  të  nisej  për atë udhë të largët, bënin pjesë  22  kandidatura;  nga këta,  10  vetë  do  të  shkonin  në  Borisoglebsk,  për  të  mësuar  aeronautikë  dhe  12  të  tjerë  do  të  shkonin  në  qytetin  Gorki  për  të  përvetësuar  artilierinë  kundërajrore.

Kandidaturat  për  studentë  pritën  gjatë, për t’u nisur për në Bashkimin Sovjetik.  Mësimet  u ndërprenë  në  muajin  tetor  të  vitit  1948 dhe  nisja  u realizua  në  muajin  mars  të  vitit 1949. Siç dihet, pritja  e  gjatë  është  e  mërzitshme  dhe  nxënësit  ishin , siç thuhet:  “ as  në  qiell; as  në tokë”.  Megjithtë, kandidaturat   e  kishin ndarë  mëndjen   për  t’u  nisur  e  me  të  tyret  ishin  ndarë.

Fluturimi nga Tirana , në Moskë.

Grupi i ushtarakëve që do të shkonte në Bashkimin Sovjetik,  për studime,  u nis nga Tirana,  në një ditë  të  bukur  marsi  të  vitit 1949. Rrugëtimi  u  krye  nëpërmjet lundrmit ajror, me  një  aeroplan transporti  të  prodhimit  sovjetik,  të  tipit IL-14,  me  dy  motorrë, me helikë. Moti  ishte  i  qetë,  pa erë e pa re,  një  mot  i  bukur  pranveror  shqiptar.  Aeroplani u  ul  në  aerodromin  e  qytetit të Lvovit,  për  t’u  furnizuar  por  ushtarakët  shqiptarë nuk  zbritën  nga  aeroplani.  Pas  një  ore, në të ngrysur, aeroplani  u ngrit nga Lvovi  e pas marrjes të lartësisë, mori drejtimin për në Moskë.  Të gjithë  fluturonin   për  herë  të  parë  dhe  e  supertuan  për  mrekulli  atë  lundrim  ajror. Pjesëmarrësit  kishin   kuriozitetin  për  të  parë  metropolin  sovjetik  me bukuritë e tij. Moska, në ata vite,  simbolizonte  qëndresën  heroike  të koalicionit anifashist,  në  Luftën  e  Dytë  Botërore dhe  kryeqytetin  e  kampit  socialist.

Në  aeroportin  e  Moskës, i  cili  ndodhet  25 km  nga  qëndra e metropolit,  kandidatët  për  studentë  i  priti  dhe  i  mirëseardhi  atasheu  ushtarak  i  vendit  tonë  në  Bashkimin Sovjetik- Vasil Skorovoti.  Ai ishte trupmadh,  ngjante me një atlet dhe ishte tepër simpatik.  Atasheu  usahtarak,  siç duket,  i familjarizuar vetë me klimën e Moskës,  i  hipi ushtarakët që sapo erdhën nga Shqipëria, në një kamion ushtarak, të mbuluar me tendë mushamaje.  Bënte shumë ftohtë.  Temperaturat e ajrit, atë ditë arritën – 29 gradë celsius.  Ushtarakët tanë, të pamësuar me temperatura të tilla,  dridheshin e kafshonin gjuhën, nga kërcitja e dhëmbëve.  Këmbët dhe duart nuk i ndjenin që ishin të tyre dhe ishin bërë kallkan.  Ata ishin të veshur me rroba jo të nxehta dhe në këmbë kishin mbathur çorape e këpucë  gjysma.  Kur tanët mbërritën në qendër të qytetit,  i pari u hodh nga kamioni, përgjegjësi i grupit,  togeri Kiço Janku, i cili,  duke rënë nuk ruajti drejtpeshimin dhe u ngul në asfalt, me hundë.  Kiçua nuk qe i vetmi shqiptar që pati të tillë fat.  Ndodhia  gazmore shkaktoi të qeshura, me lot  mes ushtarakëve shqiptarë.

Diku  në  qendër të kryeqytetit sovjetik, ushtarakët e sapoardhur nga Shqipëria hynë në një sallon të mgrohtë dhe prej aty u futën në banjë, ku u lanë e u veshën me uniformë të re të kursantit sovjetik. Pas banjës, kursantët shqiptarë i çuan në një restorant ku konsumuan ushqimin e vaktit të radhës.

Për të shoqëruar kursantët;  nga  Moska, në Gorki, në kryeqytet kishte mbërritur një kapiten i Ushtrisë të Kuqe. Asnjeri nga kandidatët nuk e zotëronte Gjuhën Ruse. U ndie vështirësia për të komunikuar. Rolin e përkthyesit e mori përsipër Ndreka, i cili ishte diçka më i përparuar nga shokët edhe në drejtim të gjuhës.

Kapiteni u propozoi kursantëve të dilnin nëpër Moskë, deri në orën e nisjes së trenit për në Gorki. Nën drejtimin e kapitenit sovjetik, djemtë nga vendi ynë shëtitën nëpër Moskë, shëtitje të cilën ata  e kishin ëndërruar, prej kohësh.  Ata, panë Sheshin e Kuq;  Kremlinin;  Maozoleun e Leninit;  lumin e Moskës dhe objekte të tjerë të bukur e me histori. Bënte ftohët dhe tanët po mërdhinin, në atë acar të pazakonshëm për ta.  Kapiteni  e kuptoi këtë dhe i çoi kursantët që shoqëronte në metro, ku, siç dihet, ka kontrast temperature, nga siperfaqja. Kapiteni,  për ti ngrohur disi kursantët, i qerasi ata me çaj të nxehtë.

Në orën 20.00 të asaj dite,  grupi i kursantëve që do të rrugëtonte drejt qytetit të Gorkit,  zuri vend në trenin e linjës. Rrugëtimi do të kryhej me udhë të hekurt.  Në stacionn e trenit, në Gorki, për të pritur e për të shoqëruar kursantët shqiptarë, kishte dalë një major i Ushtrisë të Kuqe, i cili kishte me vete dhe një autobus ushtarak.  Mbasi u sistemuan në shkollë, djemtë dolën në qytet dhe u mahnitën nga bukuritë e qytetit në breg të lumit Vollga.  Andrea Kule, si lexues sistematik , nëpër libra kishte lexuar shumë për qytetin dhe për shkrimtarin e shquar Maksim Gorki.  Rasti e pruri ta vështronte nga afër e ta shkelte atë qytet, i cili ishte ngulitur në fantazinë e djaloshit, si diçka e paarritshme. Në breg të lumit Vollga, në një vend të dukshëm, ishte ngritur një monumnt madhështor i pilotit legjendar sovjetik, heroit të Luftës së Dytë  Botërore  dhe  i  kohës  pas  saj, Valeri Çkallov.

Kursantët shqiptarë, ishin tipa të zgjuar natyralisht dhe të predispozuar për të studiuar por ndjenin vështirësinë e të komunikuarit në gjuhën e vendasve.  Në muajt e parë të shkollës, kursantët nga Shqipëria, mësuan pjesët materiale dhe përdorimin luftarak të topit kundërajror të kalibrit 37 mm. Ata, në grup, e përvetësuan armën me vlerësimin : “ Shumë mirë”  dhe komisioni që i mori në provim, i lejoi të bënin qitje, me top.

Pas zhvillimit të qitjeve me top, në fundin e gushtit të vitit 1949, grupi i kursantëve nga Shqipëria shkoi  për  të  pushuar  në  Kosterjev;  një qytet i vogël, në afërsi të Moskës.  Krahina me të njëjtin emër, pëdorej si  poligon i qitjeve me artilieri kundpërajrore, që nga koha e Carit. Në atë vendfushim kishte reparte nga të gjitha hapsirat e Bashkimit Sovjetik. Toga e kursantëve shqiptarë mbante numërin : 64. Në kompletimin e togës bënin pjesë 4 topa të kalibrit 37 mm; dmth një bateri e tërë kundërajrore.

Shqiptarët dolën në poligonin e qitjes dhe prisnin radhën për të zhvilluar qitje me të katër topat kundërajrorë.  Çasti erdhi.  Numërorët dhe komanduesit e topave,  kishin vendosur të dhënat dhe ishin në pritje  të shfaqjes të objektit ajror, të cilin do të qëllonin.  Zbuluesi ajror i baterisë, pikasi aeroplanin dhe pas tij konusin  të tërhequr nga një kavo çeliku.  Me urdhër, bateria bëri qitje me të katër topat. Të katër topat e goditën objektin;  madje, një predhë këputi kabllin .  Qitja u vlerësua me notën “ shkëlqyeshëm” ! Edhe  sikur një goditje të kishte marrë shënja, i njëjti vlerësim do të bëhej për qitjen.  Ata që u ndodhën në pilogon dhe drejtuesit  e lartë, u habitën me këtë preçizion, i cili niste nga zemra e çdo kursanti shqiptar. Një gëzim i papërshkruar i pushtoi , kursantët nga Shqipëreia. Përqafimet nuk kishin të sosur.

Në radhët e atyre që kishin kompetencë të vlerësonin qitjen, kishte dhe skeptikë. U tha se ky lloj rezultati ishte një rastësi.  Prandaj u urdhërua të bëhej një tjetër qitje provë. Pas dy orësh, u përsërit qitja. Të pranishmit u habitën kur shqiptarët dhanë të njëjtin rezultat= “ shkëlqyeshëm”.  Edhe vetë vlerësuesit nuk kishin çfarë të thonin.  Pedagogët u shtrënguan duart kursantëve; kursantët rusë bënë të njëjtën gjë. Edhe vetë gjenerali ( komandanti i shkollës) shkoi në poligonin e qitjes dhe u shtrëngoi dorën tanëve. Toga e shqiptarëve u çmua si më e mira në shkollën e artilierisë të Gorkit. Kursantët , me gëzimin e fitores në zemër u kthyen në shkollë.

Muaji gusht i vitit 1949 ishte muaj provimesh, për kursantët shqiptarë.  Në provime, ata e ruajtën nivelin e arritur. Ata dolën “ shumë mirë”, në të gjitha lëndët . Shkolla e artilierisë kundërajrore, ishte çelur në qytetin e Gorkit, pas fitores të Revolucionit Socialist të Tetorit.  Komanda  eprore ( ajo që e kishte kompetencë), vendosi ta transferonte këtë shkollë, nga Gorki në Odesë. Kursantëve iu deshën plot tri ditë për të ngarkuar pajisjet e kabineteve dhe çdo gjë që kishte të bënte me mësimin,  në trenat, me të cilët do të rrugëtonin.  Të lodhur e të raskapitur, kursantët shtruan në vagon, në shesh,  dyshekët e u shtrinë sipër tyre,  për të pushuar e për të fjetur. Rrugëtimi me hekurudhë, zgjati plot tetë ditë.  Kursantët shqiptarë kaluan sipërfaqe të pamata të pyllëzuara, fusha të stolisura nga dora e njeriut por nuk panë asnjë kodër.

Shkolla e Odesës  ndodhej 3 km, larg qëndrës së qytetit.  Në odesë, kursantët shqiptarë, vrojtuan dhe u mahnitën me bukuritë e atij qyteti port.  Ata panë ngrehina të bukura, me dritare të mëdha, që ngjanin me Kremlinin, me kullë sëhati e me yll sipër. Kursantët shqiptarë u vendosën në katin e tretë të godinës të bukur, për të cilën thuhej se ishte e dyta në qytet, për nga bukuria, pas teatrit të operas e baletit.  Mjaft banorë u habitën e thanë: “ Si ka mundësi që në një godinë kaq të bukur të vendosen kursantë”?

Qyteti i Odesës  nuk  kishte një qendër të vetme.  Stacioni i trenit, i ndërtuar në fushën Kulikov, aty ku zhvilloheshin paradat tokësore, në dukje, ngjante si shesh kryesor i atij qyteti. Nga sheshi Kulikov, merrnin udhë katër bulevarde të gjerë e të drejtë. Parku Shevçenko, i madh e i bukur, të krijonte idenë se ai ishte sheshi  kryesor i qytetit. Në periferi, qyteti rrethohej nga kodra të gjelbëruara. Odesa ka një plazh të madh, të bukur e të pastër i cili quhet Arkadia.  Kur e vështroje plot me njerëz, një njeriu që shkonte për herë të parë në atë qytet port, i lindëte ideja se aty ishte dyndur i gjithë qyteti.  Vendasit e preferonin dhe e shfrytëzonin rëndshëm plazhin.  Dikur, në kohë të lashta, në Odesë kanë jetuar shqiptarë. Ata quheshin arnautë. Edhe në vitet ’50 e më pas, madje dhe në ditët tona, në atë qytet, ndesh rrugë me emrin : “ Rruga e arnautëve”.

Në gusht të vitit 1951, kursantët dhanë provimet e vitit të dytë dhe, sipas rregullit, duhet të vinin, për të pushuar, në Shqipëri.  Për shkaqe kryesisht ekonomike, ata u urdhëruan të pushonin në Odesë.  Ushqeheshin e flinin në shkollë; ditën e kalonin në plazh dhe në mbrëmje shkonin në veprimtaritë argëtuese që organizoheshin, në qytet,  ku vendin kryesor e zinin vallëzimet.  Kursantët ishin të rinj, dhe midis ndonjërit  e vajzave të bukura e çapkëne sovjetike, lindi dhe ndonjë roman dashurie.  Andrea Kule, në atë kohë ishte i fejuar me të bukurën Zoicë, të cilën e kishte shumë kolometra larg por me mendje e me zemër jetonte me imazhin e saj.  Sytë e bukur bojëqielli,  fytyra e pafajshme gati fëminore,  kaçurrelat e verdha që i binin mbi supe, e shoqëronin  Ndrekën në çdo çast e në çdo veprimtari.  Ai, duke e patur mendjen tek Ajo brishtësi e praruar, digjej, si prushi i mbuluar nga avra e dashurisë të sinqertë dhe shtynte ditët e shpresonte se shkolla do të përfundonte  një ditë e Ai do të bashkohej me atë që donte.

Më 1 shtator të vitit 1951, kursantët nisën zbatimin e programit mësimor  të vitit të tretë. Një ditë, në klasën e Ndrekës hyri komandanti i shkollës. Qeveria shqiptare, kishte kërkuar, për nevoja të mbrojtjes të vendit, që kursantët të përfundonin sa më parë programin dhe të ktheheshin në Atdhe, oficerë. Komanda e shkollës rishikoi programimin dhe u shtoi atyre 2 orë mësim, çdo ditë. Intendenca e shkollës u mori masën kursantëve për uniformën e oficerit dhe pas 10 ditësh veshjet ishin gati. Kursantët u veshën me uniformën e oficerit; pa grada. Të gëzuar e në kulmin e kënaqësisë, oficerët e rinj, mezi pritnin të niseshin për tu kthyer në Atdhe. Ëndrra e tyre disavjeçare, më në fund u realizua; ata ishin bërë të aftë e të denjë për misionin e forcimit të mbrojtjes së vendit të tyre.

Kthimi në Atdhe.

Në fund të marsit të vitit 1952, kursantët ishin titulluar oficerë, kishin veshur uniformën e re dhe u nisën në udhë ujore, nga Odesa, për në Durrës.  Lundrimi u realizua me anijen e udhëtarëve “ Pjetri i Madh”.  Kjo anije ishte më e madhja dhe më e bukura në Bashkimin Sovjetik. Ajo ishte anija personale e Adolf Hitlerit, të cilën bashkimi Sovjetik, pas fitores mbi fashizmin e kishte marrë nga Gjermania, si reparacion . Ishte lundrimi i parë i këtij destinacioni që kryente kjo anije, me urdhër personal të Josif Stalinit.  Në Tiranë, ato ditë do të çelte punimet Kongresi i Katërt i Partisë të Punës, dhe me anijen “ Pjetri i Madh “do të lundronin delegacionet që do të merrnin pjesë në atë kongres. Nga statusi i delegacioneve të partive mike, përftuan dhe oficerët e sapotitulluar.  Ata hanin katër herë në ditë dhe,  pas çdo vakti pinin kafe. Anija e përshkoi rrugën ujore për 7 ditë ( netë).

Më 27 mars 1952 anija “ Pjetri i Madh” u ankorua në portin e Durrësit.  Oficerët e rinj  i çuan drejt e në doganë.  Ata iu nënshtruan një kontrolli të imët, sikur të ishin kontrabandistë.  Pas kalimit të  kontrollit doganor, djemtë u nisën me një kamion ushtarak, për në Tiranë. Në kryeqytet, ata  u pritën në zyrat e komandës të artilierisë.  Spirua, vëllai i Ndrekës,  i priti oficerët dhe i çoi në klubin e Ministrisë Brendshme, i cili, në atë kohë ishte nga klubet më të mirë të Tiranës.  Në klub, Ndreka takoi Haxhi Lleshin, të cilin e kishte ndihmuar  dikur, në Odesë, duke i shërbyer si  përkthyes, kur ai donte të blinte disa fjalorë diplomatikë. Haxhi Lleshi, u ngrit nga vendi  ku ishte ulur dhe i takoi , me radhe vëllezërit e Ndrekës, të cilët kishin ardhur në Tiranë për të pritur Andrean.

2 maj 1952. Oficerët e rinj u paraqitën në Ministrinë e Mbrojtjes.  Ata u futën në një sallë takimesh dhe pritën disa minuta. Në sallë hyri Ministri i Mbrojtjes- Beqir Balluku.  Ai i takoi të gjithë oficerët e rinj;  një nga një e u uroi suksese në detyrat ku do të caktoheshin.  Me urdhër Nr.203, datë 1 prill 1952, nënshkruar nga gjeneral kolonel Enver Hoxha, të gjithë oficerët e rinj u graduan nëntogerë dhe u emëruan në detyra.  Andrea Kule u emërua komandant i togës së zjarrit në baterinë e topave të kalibrit 76 m.m, në Regjimentin Kundër Ajror të Tiranës ( Sauk).

Në muajin gusht të vitit 1952, Ndreka u emërua komandant i togës së zbulimit dhe instrumentëve, në Shkollën e nënoficerëve. Në togë ishin 63 kursantë.  Pas 7 muajsh, ata u morën në provim e u graduan : kapterë; reshterë dhe tetarë.  30% të kursantëve ishin me shkollë të mesme.  Lënda më e mërzitshme ishte shkolla e shënjimit.

Në prill të vitit 1953, Regjimenti kundërajror doli në fushim, në Karpan të Kavajës, ku do të zhvilloheshin  qitjet me top. Ndreka i parapriu këtij fushimi. Ai organizoi  përgatitjen e fushës ku do të ulej aereoplani që do të tërhiqte shënjën. Në kabinën e avionit ishte piloti Bajram Hitaj. Pas uljes, avioni devijoi nga drejtimi, u përplas dhe u shkatërrua. Për të parë gjendjen, në vend, pas disa orësh u ulën dy drejtuesit e Aviacionit Shqiptar- Niko Hoxha dhe Edip Ohri.  Më pas, në Karpan u bënë punime për të përmirësuar infrastrukturën e u ndërtuan banesa, për strehimin e familjeve të oficerëve, por, për atë që vuri, i pari piketat ( për Andrea Kulen), nuk u kujtua njeri.

Dasma

Zoica ishte e vetmja dashuri e Andrea Vangjel Kules.  Edhe në çastet e fundit të jetës, dora e Andreas ishte e mbështetur tek dora e Zoicës.  Mbi shtratin e … me duar njëra mbi tjetrën, Zoica, me lotët që i rridhnin çurkë, i këndonte bashkëshortit besnik këngën plot kuptim: “ O i vogël o partizan”! Sytë e Andreas ishin të ngulur tek sytë e saj të bukur, tek ata sy që nuk i kishte parë të trishtuar, edhe në çaste tepër të vështirë të jetës bashkëshortore.  Vështrimet e tyre të kryqëzuar  nuk kishin të ngopur, së vrojtuari  njëri tjetrin,  deri në frymëmarrjen e fundit të Ndrekës.  Dashuri ka patur e do të ketë, pambarim;  përbetime e përgjërime për besnikëri të përjetshme , gjithashtu; por lidhje të tilla, që i rezistojnë çdo situate kaq besnikërisht them se nuk janë të shumta. Lidhja mes Zoicës dhe Andreas  ishte njëri nga modelet më të spikatur të lidhjeve mes bashkëshorëve model.

Kurorëzimi me martesë i asaj fejese që u shpall në prill të vitit 1952, u realizua më 17 korrik 1953, në Libofshë.  Dasma u bë në shtëpinë e prindërve të Ndrekës, mbasi ai  vetë,  në atë kohë nuk kishte, as shtëpi; as katandi.  Ftesat për dasmë u përgatitën nga Qerim Sanxhaku, i cili dispononte dhe përdorte mirë një makinë shkrimi.  Ajo dasmë do të mbahet mend gjatë,  jo vetëm se ishte në tabanin vendas dhe sipas riteve pagane të lashtë,  por dhe për pastërtinë dhe rregullsinë e të gjithë riteve që u zbatuan në atë ngjarje të gëzuar.

Dasma nisi me darkën e Jançes. Kjo ishte një ceremoni e lashtë pagane. I këndohej gatimit të bukës, me mjaltë e me qumësht. Ky rit pagan i dasmës myzeqare konsiston:  Dy fëmijë;  një vajzë e një djalë, nën mbikqyrjen e një gruaje të moshuar, gatuanin tre kuleçë.  Kuleçët piqeshin në shpuzë  dhe ishin të gatuar me mjaltë e me qumësht.  Kuleçët piqeshin në shpuzë. Në  krye të vatrës qëndronte një djalë, i pajisur me një hark e me shigjetë. Kur zbuloheshin kuleçët e pjekur, ai shënjonte kulaçin e  zbuluar.  Kur shigjeta ngulej në kulaç, vajza e shkulte atë dhe kulaçin e shpuar e vinte në çarkje  (tepsi e madhe).  Kështu veprohej për të tre kuleçët.  Kuleçët ndaheshin në copa dhe u jepeshin dasmorëve, si qerasje.  Para se të futnin në gojë copën e kulaçit, uronin: “ Të trashëgohen”!  Në darkën e Jançes, merrnin pjesë burra,  gra,  të moshuar dhe të rinj.  Ata këndonin e hidhnin valle myzeqare duke e “tundur “ atë shtëpi.

Dasma përfundoi e nusja e re u vendos në shtëpinë e dhëndrrit.  Tri ditë pas përfundimit të dasmës, Andrea u nis për në Tiranë.  Atij i mbaronte leja që i kishte dhënë komanda, për t’u martuar e duhhet të paraqitej në detyrë.  Ndreka u nis pëpr në Tiranë kurse Zoica qëndroi në Libofshë. Ky ishte një paradoks i asaj kohe.  Në atë kohë, Zoica zhvillonte mësim, në kuadrin e luftës kundër analfabetizmit, në rrethinat e Libofshës. Kjo ndodhi, nuk e zbehu aspak lidhjen e shënjtë mes  dy bashkëshortëve të betuar për besnikëri reciproke dhe përkrahje ndaj njëri-tjetrit.  Ajo  dasmë pati rrjedhoja pozitive, jo vetëm për Libofshën.  Analiza, me mendje të ftohtë,  na çon në përfundimin se ajo  lidhjes dashurore,  pati vlera, në disa plane. Martesa mes dy të rinjve nga Libofsha ishte një akt emancipimi, me ndikim në jetën e fshatit, sidomos në marrëdhëniet mes të rejave me të rinjtë. Zhvillimi i dasmës në taban; lidhja e qëndrueshme mes dy familjeve të të njëjtit fshat dhe mes dy të rinjve, që u dashuruan pa ndonjë njohje paraprake, gëzimi i pamatë që u derdh në ato ditë, janë vetëm disa  nga  vlerat pozitive, të cilat nuk duhen harruar.

Në muajin qershor të vitit 1954, Ndreka u emërua kaomandant i baterisë kundërajrore.  Ishte shkalla e tretë e hierarkisë ushtarake. Brenda një kohe reletivisht të shkurtër,  falë vlerave ku vallen e hiqte aftësia profesionale dhe përkushtimi në detyrë, Andrea Kule, kishte bërë një progres të merituar në hierarki.  Më datën 10 të atij muaji, Ndrekën e thirrën me urgjencë në Drerjtorinë e Kuadrit të Ministrisë Mbrojtjes ku i komunikuan se do të nisej për studime,  jashtë shtetit,  prandaj duhej një fotografi e tij.  Njoftimi i ishte bërë me vonesë Ndrekës e ai ishte i fundit, por e rikuperoi kohën e humbur dhe  mbas 1 ore e solli fotografinë atje ku duhej. Të nesërmen,  në postabllokun e Ministrisë Mbrojtjes ishin grumbulluar një turmë oficerësh të profileve të ndryshëm si artilierë; aviatorë; ndërlidhës etj. Nuk u komunikua ku do të shkonin e përse do të studionin.

Më 17 korrik të vitit 1954,  oficerët zunë vend në anijen “ Transilvania” dhe në orën 17.00 të asaj dite, u nisën në rrugë detare, nga porti i Durrësit, në drejtim të Odesës.  Më 25 korrik të vitit 1954, grupi i oficerëve mbërriti në portin e Odesës. Ndreka e njihte qytetin dhe gjuhën që flitej, mbasi aty kishte përcjellë, tre vjet,  shkollën e oficerëve të artilierisë kundërajrore.  Të nesërmen, në oborrin e shkollës, oficerët i rrjeshtoi nënkolonel Niko Hoxha, në atë kohë, me detyrë komandant i Skuadriles të aviacionit, me qendër në Laprakë.  Ai lexoi urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha, mbi formimin e regjimentit të parë të aviacionit shqiptar, me qendër në Qytetin “ Stalin”, me komandant  Niko Hoxhën.  Në atë urdhër theksohej se  komandant i grupit të radiodritës, në atë repart, caktohej  Andrea Kule; zëvëndës i tij – Dhimitër Zaka dhe shef i ndërlidhjes- Namik Abazi. Në urdhër  citoheshin  dhe 16 vartësit e Andrea Kules.

Andrea Kule dhe ata që do të specializoheshin për grupin e radiodritës,  më 26 korrik të vitit 1954, kur qytetin e Odesës e kishte mbuluar errësira, u nisën me tren, për në qytetin e Harkovit ( Ukrainë). Shkolla ku ata u sistemuan e do të studionin një vit, quhej: “ Shkolla e lartë e perfeksionimit të oficerëve të aviacionit”.  Ndrekës i pëlqeu fakti që do të mësonte e më pas do të kryente drejtimin e aeroplanëve nga toka, ndaj iu përfill punës për të përftuar sa më shumë njohuri, teorike dhe praktike.  Në atë grup, Andrea ishte përgjegjës dhe i ndihmoi pjesëmarrësit, në mësime,  edhe për shkak të gjuhës ruse, të cilën e zotëronte në nivele të përparuar.  Pas një viti, pjesëmarrësit dhanë provimet,  e më në fund puna e tyre u vlerësua . Përgjegjësi i grupit, Ndreka, u nderua me medaljen:  “ Aviator i dalluar”!

Më 10 korrik të vitit 1955,  grupi i radiodritës u nis me tren,  për në Odesë dhe prej  andej,  me anijen që shkuan, më 17 korrik të vitit 1955, u kthyen  në portin e Durrësit.  Ndreka u paraqit në detyrën e re,  fillimisht në Komandën e Mbrojtjes Kundërajrore, tek komandanti Sotir Filto dhe tek komandanti i aviacionit – Edip Ohri.  Ata e dërguan të paraqitej në Regjimentin “ Peza” të Qytetit “ Stalin” ku e priti komandanti i Regjimentit, Niko Hoxha.  Nikoja e priti mirë Ndrekën;  e prezantoi me përbërjen dhe gjendjen e grupit të radiodritës dhe i sygjeroi se gjendja në grup nuk ishte e mirë; ajo duhej stabilizuar dhe i kërkoi të vihej sa më parë në funksion grupi, në mënyrë që regjimenti të niste fluturimet natën, për të kapur kohën e humbur dhe planin e fluturimeve, në të cilin të cilin ishin formuar defiçite.

Mbas dy javësh punë intensive, me orë të zgjatura,  duke dhënë shëmbullin vetjak, Grupi i radiodritës, në përbërje të plotë, si efektiv e si mjete, u vu në gatishmëri teknike, dhe ishte i gatshëm për të drejtuar fluturimet në të gjithë kushtet e kohës e të motit. Andrea i raportoi gatishmërinë komandant Niko Hoxhës  dhe nisën fluturimet,  natën në kushte të thjeshtë të motit.  I pari u çua në ajër, me një aeroplan reaktiv të tipit Mig-15 Bis piloti Fahri Bubësi, i cili, në atë kohë mbante postin e zëvëndëskomandantit të Regjimentit “ Peza”.  Ai raportoi nga ajri se mjetet radioteknike funksionojnë  sipas standartit dhe se dëftuesit e tyre në kabinën e avionit janë të qëndrueshëm.  Atë natë u fluturua deri në orën 02.00, pas mesnate dhe nga ana e grupit të radiodritës nuk pati asnjë problem që të pengonte. Kjo ishte prova e parë; “ prova e zjarrit”, për Andrean dhe për grupin që drejtonte. Pas marrjes të udhëzimeve, u vendos ndriçimi i aerodromit, në njërën anë të brezit të betonuar ,  ku ngriheshin e uleshin aeroplanët si dhe u vendosën projektorët e afrimit dhe ata të uljes.  Në përfundim të fluturimeve,  komandantin dhe efektivat e radiodritës i përgëzoi Komandanti i Aviacionit, ai i Regjimentit dhe shefat e tjerë kryesorë të repartit. Në çdo ditë ( natë) fluturimi Grupit  të radiodritës i jepej, relativisht pak kohë për t’u përgatitur dhe njerëzve u duhej të punonin jashtë orarit të zakonshëm.  Shëmbullin e jepte, përherë  Andrea  Kule.  U kryen shumë fluturime dhe Grupi i siguroi ato pa as më të voglën shmangje e asnjëherë nuk u bë pengesë.

Në vitin 1956, në Ushtrinë Popullore u bënë disa ndryshime në strukturë. U formuan njësi e reparte të rinj, të cilët i dhanë ushtrisë një frymëmarrje më të gjerë dhe ajo u kompletua me specialitete që i duheshin. Kështu u formuan reparte speciale, si : Aviacioni;  Flota Luftarake –Detare; nëndetëset; raketat kundërajrore; xhenjua etj.  Organizimi dhe drejtimi i tyre nuk ishin të lehta, për shkak se mungonte përvoja luftarake.  Prandaj, Ministri i Mbrojtjes- Beqir Balluku emëroni, në krye të tyre gjeneralët më të zotë, më të aftë dhe që kishin dhënë prova, si në luftë dhe pas saj.

 

Komandant i Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit u emërua gjenerali Hito Çako, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH . Flitej se Ai ishte shumë i rreptë, por korrekt e i drejtë në gjykim. Një ditë, Ai dha alarm në Regjimentin “ Peza” dhe efektivat u paraqitën në postet  luftarake, në kohën e caktuar.  Siç shkruan Andrea në kujtimet e tij: “ Iu paraqita, ndonëse nuk e njihja.  Gjenerali ishte në dhomën e drejtimit.  Mbaja gradën e togerit dhe, kur i raportova, nuk ma vari. Në këmbë i qëndronin, në pozicion “ gatitu”: Niko Hoxha;  Babaçe Faiku;  Rushit Dervishi etj, të gjithë me gradë major e sipër. Hito Çako, e mori Ndrekën për ndonjë oficer të rëndomtë të Vendkomandës. Të nesërmen, në krye të një grupi  Ai erdhi për kontroll, në Regjiment.  Ata që bënin pjesë në grupin e kontrollit, nuk lanë mjedis e mjet pa kontrolluar me imtësi.  Për fat të keq, atë ditë Ndreka nuk ndodhej në repart dhe komandanti i batalionit të mbrojtjes të aerodromit,  mjetet e të cilit kishin mangësi,  këtë mungesë e shfrytëzoi keq,  duke thënë se ato ishin të Andrea Kules.  Kështu iu raportua dhe gjeneralit.

Dy ditë pas përfundimit të kontrollit, Ndrekën e thirrën në Tiranë, në zyrën e gjeneralit, për të dhënë sqjarime.  Në krye të tavolinës qëndronte Hito Çako e në krah të tij – këshilltari sovjetik, koloneli  Fatushenko. Komuniukimi ishte në rusisht që të kuptonte  këshilltari. Kur i erdhi radha për të raportuar, Andrean nuk e la gjenerali të fliste për të sqaruar atë keqkuptim.  Ai ia preu fjalën në mes, disa herë  Ndrekës dhe i bënte vetë konkluzionet.  Mes të dyve u zhvillua një dialog, disi me gjuhë të ashpër e me tone fyese.  Po përpiqem t’ua paraqes, me vërtetësi këtë dialog, siç e ka përshkruar vetë Andrea, në kujtimet e tij:

Gjenerali:  “ Çfarë thua ? mor toger merhumi…  gjithë ato makina të qelbura në park, të cilat i ka mbuluar pluhuri  e ishin si mall pa zot, të kujt janë? Të mijat”?

Andrea Kule¨”… Jo, shoku gjeneral;  nuk është evërtetë! Ju kanë keqinformuar.  Në Grupin që drejtoj, nuk ka makina të pista.  Ne kemi në park vetëm 4 projektorë, të vendosur mbi makina Zis-150 dhe të ngritur ,në tako”.

Gjenerali:  “ … Ulu në vend!  i pacipë;  kërkon të mbulosh mutin me shurrë… i pashë vetë, me sy  e ti po na flet kodra pas bregut.  Do të të çoj tek ministri, more vesh apo jo? Nuk dua të të dëgjoj më…”!

Andrea Kule: “ … Si urdhëron! Shoku gjeneral!  E mora vesh por makinat e pista nuk kanë qenë të mijat.  Ju duhet ti verifikoni raportimet që ju kanë bërë…”!

Gjenerali: “ Ulu në vend!  i padisiplinuar”!

Në pushim, Ndreka qëndronte në një qoshe, mënjanë shokëve, mjaft i brengosur.  Ai e ndjente veten të pafajshëm dhe duhet të përballej me një informacion të pasaktë.  Kolonel  Kiço Janko, Komandant i Artilierisë Kundërajrore, shok shkolle i Andreas, i hodhi këtij dorën mbi sup dhe e këshilloi të bënte autokritikë.  Ndreka e falenderoi shokun e klasës për këshillën dhe vijoi në të tijën, mbasi kishte bindje se mbronte një të vërtetë.

Kur u kthyen në Regjimentin e Qytetit “ Stalin”,  Andrea mblodhi oficerët e grupit dhe  i bëri me dije për verejtjet e ekipit të kontrollit.  Pas 2 ditësh,  në Regjiment ia behu një ekip ndihme e kontrolli,  i kryesuar nga Sotir Filto, që kryente detyrën e shefit të shtabit të Mbrojtjes Kundërajrore.  Rezultoi se makinat e grupit që drejtonte Andrea Kule ishin të pastra. Kështu iu raportua gjeneralit, por ai erdhi vetë në Regjiment për të vertetuar ato që iu raportuan.  Siç rrëfen vetë Andrea, në kujtimet që ka lënë:

“ …Sapo hyri në repart,  gjenerali  kërkoi  ta shoqëroja në çdo pikë të radiodritës. Në objektet e grupit që ndodheshin në aerodrom e në periferi të tij, vajtja e gjeneralit ishte relativisht më e lehtë. Shkuam tek prurësi i afërt  ( 1 km larg nga fundi i pistës) e më tej duhet të shkonim në prurësin e largët, i cili ndodhej 4 km larg. Bashkudhëtari më pyeti, nëse shkonte makina atje? Jo iu përgjigja! Atëherë do të shkojmë në këmbë, tha ai.  Ashtu bëmë;  unë përpara e ai pas meje, nëpër ato baltovina,  bëmë 2 orë udhë,  në këmbë, pa shkëmbyer asnjë fjalë me njëri-tjetrin.  Sapo mbërritëm tek prurësi i largët, shefi i stacionit, Isuf Ymeri, dha komandën : “ gatitu”! Nderoi ushtarakisht dhe nisi të raportonte gjëndjen e stacionit.  Gjenerali, i kënaqur nga sa pa deri atëherë,  urdhëroi:  “Qetësohuni ”! dhe fjalët e para që nxorri nga goja qenë: “ Radiodrita mbaka erë reparti  “Shëmbullor”; kudo pamë rregull e pastërti”!

Mbasi  pa stacionin dhe mjedisin përqark tij, ku të zinte syri, rrugica të shtruara me gurë lumi;  anash tyre plisa të gjelbëruar;  lule dimri kudo dhe anët të lyera me gëlqere,  e shoqërova në një kasolle,  e cila ishte kuzhina e pikës radioteknike.  Nga brenda, kasollja ishte e lyer me gëlqere dhe e pastër. Mbi një tavolinë të thjeshtë druri ishte vendosur një pandispanjë e sapo nxjerrë nga furri dhe e sheqerosur.  Kur e pa atë rregullsi, gjenerali pyeti : “ Po kjo”?  dhe mori thikën,  preu një copë dhe e futi në gojë.  Me sa kuptova,  gatimi i pëlqeu.  Ndërkohë që ai provonte ëmbëlsirën , mendoja: “ Bo- bo më mori dreqi, si nuk pata mundësi ti njoftoja  paraprakisht njerëzit për ardhjen e gjeneralit.  Ai tha vetëm “ Ju lumtë”! E mua më “ shkriu gjaku”.  Qysh prej asaj dite, gjenerali  ndryshoi  opinion, u kënaq,  dhe në kthim e më pas, nisëm të bisedonim sikur të njiheshim prej kohësh.

Pas këtyre verifikimeve të nevojshme, u bënë konkluzione të tjera e u dhanë masa të ndryshme për ata që përgjigjeshin për mangësitë e lejuara.  Në çdo rast, Andrea Kule vetëm lavdërohej , për punë të mirë.  Në konkluzionet që bëri, gjenerali, mes të tjerash theksoi:  “ … Toger Andrea  Kule nuk punon për t’u dukur, si disa të tjerë.  Ai është punëtor kokëulur, por ama, nuk nënshtrohet nga presionet e shefave, pavarësisht se cilët janë ata…” Vajti haka tek i zoti”!  Mendova dhe lavdërimet më shtuan përkushtimin dhe ndjenjën e përgjegjësisë në detyrë.  Gjatë gjithë veprimtarisë, Grupi i Radiodritës  i siguroi fluturimet, me cilësi e dinjitet.  Jo vetëm kaq.  Gjenerali Hito Çako, pas atij inspektimi e vuri Andrea Kulen në listën e miqve të tij.  Ai nuk harronte kurrë ta uronte  Ndrekën me rastin e ditëlindjes dhe në ndonjë rast i dërgoi dhuratë.  Natyrisht, dhutarat ishin libra me karakter atdhetar, si:  “ Lulet e verës” dhe “ Histori e Skënderbeut” etj.  Për Hiton, Ndreka thoshte se ishte burrë fjalëmbajtur.  Ai e ndihmoi Andrea Kulen në raste delikate siç qe dhënja e autorizimit për shtëpi, në Shkodër e në Tiranë e në raste të tjerë.  Karakteri i fortë e i pastër, aftësitë profesionale dhe guximi, ishin disa tipare që ia imponuan respektin gjeneralit, për togerin.

Mbasi ishte “thyer” viti 1957, Komandanti i Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit, e dërgoi Andrea Kulen, me një mision tepër sekret dhe me vlerë. Ai duhet të caktonte vendet ku do të stacionoheshin mjetet radioteknike, në aerodromin që po ndërtohej, në Rinas, ti shënonte ato në një hartë të shkallës 1; 25000 dhe tia dorzonte vetëm atij.  Andrea e zbatoi detyrën, me cilësi, Ai u bë i pari aviator që shkeli në Rinas, para se të përfundonte brezi  i  betonuar dhe u kthye në krye të Grupit të Radiodritës, në Qytetin Stalin.  Piketat që vendosi Andrea, u çmuan me vlerë e tepër të sakta, si nga specialistët sovjetikë që pasuan dhe nga ata amerikanë që erdhën në vendin tonë, pas shndërrimeve demokratike të vendit.  Besoj se është etepërt të komentohet saktësia, horizonti dhe largpamësia e Andrea Kules, edhe në këtë rast.

Në fund të muajit tetor 1957, me një urdhër të veçantë,  Andrean e emëruan Komandant të Repartit 1800, në Rinas.  Kuptohet,  në detyrën e tij,  si specialist kompetent i radiodrites.  Ndreka  gjeti  në Rinas, një aerodrom të pa përfunduar, për ndërtimin e të cilit punonin të burgosur politikë, në kushtet e rrethimit me tela me gjemba, të monitoruar nga roja të armatosur me mitralozë nga kullat e vrojtimit.  Ushtarët dhe oficerët e grupit u vendosën nëpër baraka dhe mjetet e sofistikuara, nën çadra.  Kështu e kaloi atë dimër Grupi i Radiodritës, i cili mbijetoi  e u vu në gatishmëri, në përpjekje me vështirësitë e rritjes.  Drejtues, frymëzues dhe shëmbull që ndiqej nga vartësit ishte oficeri nga Libofsha e Fierit, Andrea Vangjel Kule.

Në portin detar të Durrësit, kishin mbërritur disa mjete të sofistikuara, nga uzinat sovjetike të aviacionit.  Destinacioni i tyre fundor ishte Grupi i Radiodritës,  në Rinas.  Ato duhet të viheshin në funksion të fluturimeve në kushte të ndryshme të kohës e të motit.  Sipas rregullit, i takonte Andrea Kules,  si komandant grupi dhe si specialist i mirëfilltë ti tërhiqte ato e ti vendoste në vendet e parashikuara.  Andrea, me një grup specialistësh nga më të mirët dhe me shoferë të zgjedhur, i mori në dorëzim mjetet, të cilat ishin të plumbosura e të furnizuara me karburant; i solli në Rinas e i vendosi nëpër vendet e piketuara.

Në muajin qershor të vitit 1959, kur në aerodromin e Rinasit ishte ndërtuar vetëm brezi kryesor i betonuar, erdhi për vizitë në vendin tonë Zhukovi, Ministër i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik,  me një aeroplan TU-104.  Përgjegjësi e paparë,  të cilën Ndreka,  e ndjeu thellë dhe,  në krye të efektivit që drejtonte,  bëri sigurimin e fluturimit me mjete tokësore.  Pas katër ditësh, Zhukovi u largua nga vendi ynë dhe Andrea u ndje i lehtësuar.  Edhe në këtë rast ai përftoi një përvojë me vlerë për sigurimin e fluturimeve me mjete tokësore radioteknike.

Siç vinte në dukje Andrea, oficeri i ngjan një shtegtari,  i cili, sapo ngre çadrën në një vend, i thonë se duhet ta çvendosë në një vend tjetër,  ai vetëm nderon e thotë: “ Siurdhëron”! Harxhet i paguajnë fëmijët, dhe bashkëshortja. Tipike  është rruga që ka përshkuar Andrea Kule.  Sapo u martua,  Ai u urdhërua të shkonte në Qytetin “ Stalin”, në detyrën e lartë të Komandantit të Grupit të Radiodritës.  Pa u stabilizuar mirë atje, Ai u urdhërua të shkojë në Regjimentin e Rinasit, në detyrë paralele dhe të merrte familjen, nga Tirana, e të sistemohej në qytezën e Valiasit  që po ngrihej.  Pa u ambientuar me mjedisin në Valias, u çel aerodromi rezervë i Shtoit dhe Andrea Kules, i ra “ llotaria”, të shkonte në atë pikë, me ngritje në detyrë , por me familjen larg vendit të punës.  Përsëri në Rinas, në detyrën e mëparshme,  dhe me peripecitë e transferimit të familjes.  Mbeti me plaçka në krah Andrea Kule, si mjaft oficerë të tjerë.  Fëmijët përshkuan etapat e rritjes natyrale,  në  rrethe shoqërorë të ndryshëm.  Zoica, më tepër pa punë edhe pse ishte mësuese. Nga  transferimet e shpeshtë edhe pajisjet e shtëpisë nuk patën ndonjë dobi; përkundrazi.  Kur i pyesnin bashkëmoshatarët, vajzat  e Andreas, ku është babi?  Ato  me çiltësi përgjigjeshin:  Është në punë;  është i transferuar, apo është në shkollë.  Vetëm në familje,  nuk gjendej Ndreka; kudo mund të ishte.

Në krye të Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit u ndryshuan titullarët. Në vend të Hito Çakos, komandant u vendos gjeneral Arif Hasko. U bënë dhe ndr yshime të tjerë. Çdo komandant, kishte huqet e tij.  Arifi, me të ardhur në krye të MKA-së, sipas përvojës sovjetike, propozoi të ngrihej një qytezë me familjet e ushtarakëve të Rinasit, në vendin e quajtur Valias. Ministri i Mbrojtjes , Beqir Balluku, dha pëlqimin e menjëherë e urdhëroi të niste ndërtimi i 6 banesave të para, dykatëshe.  U tha;  u bë.

Në pallatet e parë u strehuan familjet e oficerëve që erdhën nga Qyteti “ Stalin dhe  të tjerë familjet e të cilëve banobin në Tiranë. Qyteza mori jetë shpejt dhe në të gumëzhinë “ cicërrimat” e fëmijëve dhe puna plot përkushtim e amvisave, në kushte mjaft të vështira jetese e furnizimi.  Andrea Kule, si njeri me principe të larta dhe tepër korrekt, e solli familjen, nga Tirana, në Valias,  duke u bërë shëmbull për të tjerët.  Me qëllim që të çtensionohet disi shkrimi, mendoj të fut këtu një përshkrim të jetës që bëhej në qytezën e Valiasait, në vitet e parë, i cili ka të vërteta brenda e jo hamendësime.

Një shaka me të vërteta brenda.

Qyteza ushtarake e Valiasit,  u ndërtua, sipas modelit të vendbanimeve të familjeve të ushtarakëve sovjetikë,  pranë reparteve ku shërbenin oficerët.  Një grup rikonicioni,  në përbërje të të cilit ishin ushtarakë të lartë në hierarki e me një barrë grada mbi supe,  por me pak njohuri, në fushën e urbanistikës,  kërkesave sociologjike dhe të ndërtimit,  kur panë midis aerodromit të Rinasit dhe qëndrës së banuar të Kamzës,  një fushë të mbjellë me jonxhë,  e cila gjelbëronte dhe ishte e sheshtë,  i propozuan Ministrit të Mbrojtjes,  që,  pikërisht aty të ngrihej,  me urgjencë një qytezë ku të strehoheshin familjet e aviatotëve e të artilierëve kumdërajrorë ( Aerodromi ,  aso kohe kishte 2 regjimente dhe një batalion këmbësorie).  Ushtarakët e lartë gjykuan se kësisoj oficerët do të  ishin më pranë repartit dhe shkalla e gatishmërisë  luftarake  do  të  rritej.  Kjo ndodhi në prag të viteve ’60 të një shekulli më parë. Në këndvështrimin e strategut ushtarak,  ideja nuk ishte e keqe,  por e keqja  erdhi  pas saj.

Nuk vonoi shumë nga dalja e urdhrit të Ministrit të Mbrojtjes dhe “mbinë” si kërpudhat pas shiut, gjashtë pallatet e parë. Të tjerë u ndërtuan, brenda vitit pasardhës. Banesat u ndërtuan me tulla të kuqe,  me çati,  të mbuluar me tjegulla,  me 2 e me 3 kate.  Në atë hapësirë urbane,  pranë fshatit shekullor të Valiasit, nuk ishin parë të tillë ndërtime.  Pallatet formuan një katror gjigand,  me rrugica brenda që lidhnin banesat njëra me tjetrën, të cilat të lyera nga jashtë që ta bënin gizili nga rruga. Baborët e parë të saj ishin familjarë të ushtarakëve që u transferuan nga Qyteti “ Stalin” në Rinas, e më vonë familje që banonin në Tiranë.  Shëmbullin e dha,  i pari, komandanti i regjimentit të aviacionit,  koloneli  Niko Hoxha.  Më pas,  në atë vend u ngrit një pus i madh e i thellë,  i cili zbriste minatorë,  në thellësi të e nëntokës,  për të shfrytëzuar vendburimin e njohur qymyrguror të Fushës së Tiranës.

Dalëngadalë,  vendin e oficerëve dhe familjeve të tyre e zunë familjarët e minatorëve.  Pas katastrofës ajrore  të 25 nëntorit 1965, në fund të aerodromit,  në sy të aviatorëve e  të banorëve të pellgut,  ku humbi jetën komandanti i Regjimenti të Aviacionit, piloti i klasit të parë, trimi i rrallë, kolonel Niko Hoxha,  familjet e ushtarakëve, të vrarë psikologjikisht,  u shpërngulën në Tiranë;  disa në lagjen “ Ali Demi” e disa të tjerë në Laprakë. Në vend të tyre,  në qytezën e Valiasit,  u sistemuan familjet e minatorëve të qymyrgurit.

Përbërja e familjeve të ushtarakëve që populluan qytezën e Valiasit ishte heterogjene. Disa erdhën nga Qyteti “ Stalin”;  të tjerë kishin banuar në qytetin e Tiranës;  pati dhe nga treva të tjera,  si dhe të sapomartuar.  U mblodhën në të njëjtin vend e në lidhje bashkëjetese,  mentalitete,  psikologji, tradita e zakone të ndryshme,  të cilat, në disa raste binin ndesh me njëra-tjetrën.  Për të qënë i vërtetë,  më duhet të pohoj se familjet që erdhën nga Qyteti “ Stalin” ishin më kompakte e me mosmarrëveshje të sheshuara.  Të tjerat,  bagazhin që sollën me vete,  e hodhën në shesh e aty ndodhi “çudia”.

Më duhet të theksoj fort se kushtet e jetesës të familjarëve,  në atë qytezë ishin tejet të vështirë. Mjafton të përmend faktin se uji i pijëshëm,  për familjet vinte nga Tirana, me një autobot me kapacitet 4 tonë;  2 herë në ditë.  Kur mbërrinte autoboti i ujit,  nga Tirana, banorët e qytezës ushtarake ishin në alarm të vërtetë.  Ata, “pa arbitrim”, zhvillonin “garën e gjymave dhe të kusive që mbanin ujë”.  Kjo ndodhte çdo ditë madje dy herë në ditë.  Garën e kryesonte Fidarija ( ndjesë pastë);  bashkëshorte e  kapitenit të parë- Ahmet Bana ( ndjesë pastë), e cila komandonte turmën, nfalë  trupit të bëshëm dhe gojëtarisë me fjalë rruge.  Nuk mund të bëhet fjalë për egzistencën në atë qytezë të institucioneve kulturore si kinema apo shkollë;  as për qëndër shendetësore,  postë telegrafë,  polici,  shtëpi lindje  etj.  Fëmijët shkonin në shkollë,  në Kamzë ( 4 km larg),  nëpër baltovina  e  nëpër  shi dhe  në  verë mes pluhurit,  nëpërmjet një rruge të paasfaltuar.  Nga bashkëshortet e oficerëve, vetëm ndonjëra që “ kishte lerë me këmishë”, mund të kishte fatin të sistemohej në ndonjë punë.

Por, jo çdo gjë, në atë mjedis ishte me ngjyra të errëta.  Jeta e qytezës gëlonte,  si kudo   dhe popullata e saj shtohej parreshtur prej lindjeve të reja.  Familjet që erdhën nga Qyteti “ Stalin” prunë me vete atë kohezion që ishte formuar mes banorëve,  për të cilin kishte meritë të veçantë i Madhi Niko Hoxha dhe të tjerë korifej të profesionit të fluturuesit dhe të aviatorëve, në tërësi.  Lidhjet e shëndosha mes familjeve të ushtarakëve,  çiltërsia në marrëdhënjet mes tyre dhe komunikimi me ngjyra dashamirësie,  ishin disa karakteristika tipike, të cilat u përhapën shpejt  e i dhanë jetë- jetës në atë qytezë.

Në qytezë,  banorët u integruan shpejt njëri me tjetrin,  për shkak të të qënurit në të njëjtin vend e për arsyen se kryefamiljarët shërbenin në të njëjtin repart.  Mes familjeve,  kishte vizita  të ndërsjellta,  nëpër shtëpitë e shoqi –shoqit dhe bëheshin veprimtari  festive të përbashkëta. Shëmbulli i Niko Hoxhës; Peço Polenës dhe titullarëve të tjerë ishte i pazëvëndësueshëm.  Familjarët e ushtarakëve,  i pleksën traditat e trevës nga erdhën,  me ato të atyre që gjetën në trevën vendase dhe  me kërkesat e kohës.  Vajtje- ardhjet  tek njëri-tjetri,  në raste gëzimesh  e në hidhërime ishin bërë norma të detyrueshme.  Ato,  vërtet ishin vizita kortezie,  por brenda tyre, nuk ishte e vështirë të pikasje lidhje të ngushta shpirtërore.  Ajo që do t’u dëftoj më poshtë ka të bëjë pikërisht me njërën nga këto vizita kortezie:

Në familjen e Ahmet Banës,  kish  ardhur në jetë një fëmijë.  Gëzimi i kaloi kufijtë e familjes Bana, madje dhe të babanar ëve e të devollinjve.  Gëzuan të afërmit,  njerëzit e një gjaku por u gëzuan dhe gjitonët.  Sipas traditës,  familjarët e qytezës,  kur shtohej një familje, vraponin për ta uruar atë,  në familje.  Të parët ishin ata të shkallës,  por dhe vartësit,  jo për servilizëm por si shënjë dashamirësie. Oficeri H. në lidhje hierarkie me të zotin e shtëpisë,  së bashku me bashkëshorten ,  sapo doli lehona nga shtëpia e lindjes,  i shkuan për ta uruar, Ahmetin dhe Fidarijen. Gruaja e H. Mori një pako llokume 50 lekëshe,  e mbështolli me një gazetë dhe e vuri nën sqetull.  H.  sipas traditës burrërore të trevës, përpara,  me barkun të “ derdhur” e me tespie në dorë  dhe e shoqja prapa,  çifti zemërmirë,  i vajti,  për qokë shefit, në shtëpi.  Sapo trokiti dera,  Ahmeti,  vrapoi ta hapte dhe kur pa vartësin me të shoqen,  doemos që u gëzua.

U bënë qerasjet sipas traditës, fillimisht me raki e më pas,  me kafe, të shoqëruar me diçka të ëmbël.  Bashkëshortja e H. e vendosi pakon me llokume,  në tabaka,  në pritje të veprimit që do të bënte  i shoqi.  Mirëpo H. Ishte i pirë dhe gota e rakisë prej mani që i serviri e zonja e shtëpisë , e turbulloi më tepër.  Ai futi dorën në xhep e nxorri prej andej një kartmonedhë 1000 lekëshe, nga ato me minator, të cilën e la në tabaka.  E shoqja, kur pa atë që ngjau, kafshoi buzën,  po ku e kapte  sinjalin kuptimplotë të së shoqes  i piri H.  Ahmeti,  si devolli i zgjuar,  vuri buzën në gas dhe e mori kartmonedhën,  e vendosi  tek vendi  ku vendosej ora e tavolinës, në bufe.  Mbaroi qoka dhe H. së bashku me gruan , u kthyen në shtëpinë e tyre.  Nisi zënka, për atë të djallosur kartmonedhë. H. kërkonte nëpër xhepa dhe këmbëngulte se e kish lënë në shtëpi. Bashkëshortja , që e kish parë skenën, dëftonte të vërtetën.  Kur i doli rakia, H. u kujtua që kishte qenë për qokë tek Ahmeti.  E shoqja diçka i pëshpëriti në vesh dhe H. me turp, trokiti sërish në derën e Ahmetit.  Devolliu fisnik, i cili e kuptoi “ ku flinte lepuri”, me shaka,  e priti vartësin që bënte sikur kërkonte nëpër xhepa e i tha: “ Atë që kërkon,  e ke harruar këtu, ta kam mblojtur, dhe i dëftoi kartmonedhën  me prerje 1000  lekëshe”. H., i  skuqur nga turpi, mori kartmonedhën,  e futi në xhep dhe doli. Që atëhere kanë kaluar shumë vite.  Protagonistët janë ndarë nga jeta, por ndodhia dëftohet si barcaletë.  Mes dy familjeve,  marrëdhëniet nuk u tronditën e ata vijuan gjitoninë si më parë.

Si njeri punëtor e me origjinë nga fshati,  Andrea Kule,  edhe në Valias, prapa pallatit ku banonte,  me gjitonë Veliko Ferrën, etj,  bëri një kopësht, në të cilin mbolli perime gjithëfarëshe,  sipas stinës. Shumëkush që i kishte “ duart të lidhura”, e vështronte punën e Ndrekës me një lloj xhelozie të pashprehur.  Ndreka,  i cili ua dinte vlerën perimeve të freskëta ,  e shfrytëzoi  mrekullisht edhe këtë mundësi që iu paraqit,  jo për të konkuruar,  por për nevojat jetike të familjes së tij dhe për të mbushur kohën.

Në janar të vitit 1964, Andrea shkoi në Shkollën e Aviacionit,  në Vlorë,  ku iu nënshtrua një programi teorik,  i cili ishte i vlefshëm për t’u graduar dhe zëvëndësonte Akademinë e Aviacionit, e cila nuk egzistonte në vendin tonë. Oficerët pjesëmarrës, banonin në hotelin e oficerëve dhe një herë në javë vinin pranë familjeve me një aeroplan AN-2.  Më 16 korrik 1964 oficerët iu nënshtruan provimit  e u kthyen në repartet nga ku kishin  shkuar në atë kurs.

Pas kryerjes të kursit,  Andrean e transferuan në Shkodër,  me detyrë komandant i pikës që shërbente si aerodrom rezervë.  Në pikën e Shtoit,  të cilën e ngriti nga fillimi,  Ndreka shërbeu, plot 8 vjet, me përkushtim, si ai e me dinjitet.  Familja e Ndrekës, në Shkodër, në qendër të qytetit ku u stabilizua mirë . Zoica punonte mësuese në shkollën  “ Ali Laçaj”, vajzat mësonin dhe Andrea punonte,  jo si oficer qe ishte por si një “ buldozer”,  në çdo punë që paraqitej.  Ai drejtoi me organizim e me dinjitet,  aksionin që u shpall,  për mjbjelljen e patates,  duke u bërë pikë referimi për ushtrinë e më gjerë.

Ishin vitet e ndikimit kinez në jetën tonë. Sipas modelit kinez,  mbetjet e qytetit të shkodrës, transportoheshin në ndërmarrjen bujqësore të Shtoit ku shërbenin për të plehëruar perimet.  Një karrocier,  me karrocën e tij,  brenda të cilës,  kishte vendosur një fuçi e mbushte atë me fekale, në qytet,  të cilat i çonte në ndërmarrje.  Puna e tij ishte e normuar.  Një ditë, në kuadrin e kritikës së hapur,  për këdo, u zhvillua mbledhja e kolektivit të fermës.  I deleguari, i  inkurajoi  pjesëmarrësit që të kritikonin hapët  e  me kurajo,  këdo . Karrocieri ynë,  duke marrë shkas nga thirrja e të deleguarit, u ngrit e tha: ” Drejtorin e kena shumë të mirë;  shpirt njeriu e kena drejtorin;  ai na gjendet pranë e na ndihmon kur kemi nevojë, por mua më ka ngrënë dy fuçi me mut”.  Plasi gazi e u prish mbledhja. E etiketuan karrocierin si  të pasjellshëm ,  por,  në fund të fundit ,  ai ishte niveli i tij.

Në kohën kur Andrea mendonte se koha dhe ai vetë  ishin  në akord;” ia prishi planet” Akademija Ushtarake. Duke parë perspektivën dhe aftësitë e Andreas,  u  mendua që Ai  të shkonte në Akademinë Ushtarake “ Mehmet Shehu”, për tu kualifikuar më tej.  Dy vjet në akademi, Ndreka i  përballoi pa vështirësi.  Ai u diplomua me vlerësimin “ Shkëlqyer, me shkronja të arta”. Koha nuk i kishte shkuar dëm.  Ai mësoi si të hidhte situarën në hartë,   të organizonte e të drejtonte  një rikonicion dhe si të formulonte një urdhër luftarak.

Pas Akademisë, Ndreka u dërgua sërish në pikën e Shtoit por,  pa mbushur javën, i doli urdhri për tu kthyer në Regjimentin e Rinasit.  Familjen e kishte në Shkodër; vetë banonte në hotelin e beqarëve, në Rinas. Më  17 korrik të vitit 1971, në orën  22.00, Andrea mori njoftimin se  Zoica kishte lindur djalë.  E prisnin dhe e dëshironin,  pa masë,  në familjen e Andreas me 4 vajza,  lindjen e djalit, i cili erdhi në jetë, pas 15 vitesh nga lindja e vajzës së katërt.  Andrea e mbajti vrapin në shtëpinë e lindjes,  për të takuar Zoicën e për ta falenderuar që e bëri me djalë. Zemra i rrihte fort e lumturia i kishte pushtuar gjithë qënien.  Nga hutimi, Ai  harroi ti jepte dhuratën asaj që  priti djalin.  Kur u kthye në familje, Andrea i gjeti të katër vajzat,  zgjuar.  Ato,  kishin  mësuar për ardhjen në jetë të vëllait,  ishin lumturuar aq  shumë sa u iku gjumi.  Atë natë, në atë çerdhe të shënjtë, nuk pati gjumë. Ndreka dhe vajzat festuan, si mundën, veç  gëzimi dhe lumturia e tyre, nuk mund të rrëfehen me fjalë.

Emrin e djalit nuk e patën të vështirë, mbasi kishin kohë që e prisnin dhe e kishin menduar.  Me iniciativën e Mirës dhe në akord me të gjithë pjesëtarët e familjes,  i sapoardhuri në jetë u quajt Bujar.  Në shtëpinë e re, në Tiranë, surpriza më e madhe ishte hyrja e Bujarit, për herë të parë.  Bujari e pati këmbën të mbarë e i solli fat asaj shtëpie.

Në vitin 1972, Andrea Kule, në përbërje të një delegacioni qeveritar i cili i përkiste Ministtrisë të Telekomunikacioneve, shkoi në Kinë.  Delegacioni ,  ndoqi itinerarin: Tiranë- Romë- Kajro- Karaçi- Rangun- Kolombo- Shang Hai.  Andrea, në përbërje të delegacionit qeveritar, qëndroi një muaj.  Kudo u prit mirë, me nderime e respekt.  Me qeverinë Kineze u firmos marrëveshja,  sipas të cilës, Kina do të furnizonte vendin tonë me pajisje  të radiodritës,  falas,  për aerodromin e Rinasit.  Fundi i tetorit 1972, e gjeti Andrean, në Rinas. Në aeropotrt, atë e priti vëllai i madh i tij Nikolli. Deri sa doli në pension, në vitin 1980, Andrea qendroi në Regjimentin e Rinasit, në funksione të ndryshëm , deri zëvëndëskomandant i regjimentit.

Pensionit ai iu gëzua kryesisht në gjirin e familjes.  Zoica dhe të pesë fëmijët,  njëri më i mirë se tjetri, e donin shumë Ndrekën dhe bënë çmos për tja bërë sa më të lehtë e të gëzuar jetën, në këtë segment të saj.  Por jeta intensive dhe me ndjenjë, e kishte lodhur së tepërmi zemrën e tij e ajo, pavarësisht nga ndërhyrja e kualifikuar,  nuk mundi të përballojë ,  atë që nuk do ta donim.  Më 31 tetor të vitit 2016, Andrea Vangjel Kule, u nda nga jeta, i rrethuar nga bashkëshortja fisnike Zoica dhe nga fëmijët.  Një javë para këtij fataliteti,  Ai shkoi për të marrë pensionin e muajit të fundit dhe në udhën e kthimit për në familje, shëtiti, me taksinë që pajtoi thuajse të gjithë Tiranën.  Sikur ta ndjente atë që do të pasonte por kurrë nuk e dha veten,  as në kohën e fikjes,  përpara bashkëshortes dhe fëmijëve.

Të nesërmen, më i nëntor të vitit 2016, trupi i pajetë i Ndrekës,  u përcoll, mes lotëve të hidhërimit, nga  shumë shokë e miq, nga fëmijët,  dhe nga  bashkëshortja fisnike, në banesën e fundit, në Sharrë, nën një proçesion fetar ortodoks, sipas kërkesës të Zoicës.

Epilog

Kanë qenë të shumtë njerëzit si  Andrea Kule, të cilët kanë shërbyer në aviacion  e kanë lënë gjurmë të pashlyera në historinë e kësaj arme të dashur për shqiptarët.  Disa syresh kanë fluturuar,  e,  në udhën e rritjes, duke rënë në krye të detyrës e kanë mbuluar veten me lavdi. Të tjerë dinjitarë kanë bërë që arritjet të pasojnë njëra – tjetrën dhe me guxim, trimëri e me shqiptarizëm, kanë përballuar sfidat e profesionit e të kohës kur jetuan.  Disa janë ndarë nga jeta, sipas ligjit të madh të kohës;  të tjerë janë në jetë  e mund  ti dëftojnë vetë bëmat e tyre.  Në jetën e efektivave dhe të reparteve  të aviacionit ka patur dhe të tjerë “ heronj”, të cilët u kanë vënë mendjen dhe gjoksin punëve të vështira,  plot sakrifica e kufizime,  për të mbajtur  në gatishmëri avionët, mjetet dhe pajisjet që sigurojnë fluturimet.

Njëri nga më të aftët, më të përkushtuarit  e më të sakrificës  ishte Andrea Vangjel Kule, protagonisti i këtij rrëfimi. Ka diçka të veçantë në jetën dhe veprimtarinë aktive të tij.  Ajo që të tërheq e të gozhdon pas kujtimit të tij është figura e pastër, ngado që ta vështrosh.  Është në nderin dhe në dinjitetin tonë  ta fiksojmë këtë figurë të ndritur që i shërbeu,  pa rezerva çështjes së madhe të mbrojtjes të Atdheut. Të tillë njerëz kthehen në lokomotiva që i çojnë punët përpara.

Koha shkon e brezat venë e vijnë.  Disa “ harrohen”, padrejtësisht e të tjerë ngrihen mbi lavdinë e tyre.  Andrea Vangjel Kule, ishte nga ata njerëz, i cili, nguli në profesionin e tij, piketa  që nuk shkulen lehtë e koha nuk ka forcë për ti zhbërë ato që bëri Ai. Ndaj Andrea Vangjel Kule  mbetet i pavdekshëm e përherë midis nesh.  I lumi ai që e ka futur veten në aradhën e të përjetshmëve!

Le të shërbejë dhe ky jetëshkrim i merituar, si një “ lapidar” kujtese  për të mos harruar atë që nuk mund të harrohet!

  • Të rrojë në shekuj kujtimi i tij i ndritur!
  • E paçin jetën të gjatë tërë ata që ka lënë pas, ata që  i donte dhe e donin aq shumë!

Shkroi  Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë,

gusht- shtator 2017.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

3 thoughts on “Përkushtim i merituar”

  1. Zoto Niazi Nelaj, faleminderit per kete pershkrim plot ndjenje qe keni bere per babain tim Andrea Vangjel Kule.
    Me njohe me nje pjese te jetes se tij qe une nuk e kam jetuar.
    Ajo jete qe ai bente mbasi na kishte pershendetur dhe kishte terhequr deren pas vetes per te shkuar ne pune me uniformen ushtarake dhe hecjen energjike.
    Faleminderit per kete detyre qe i keni vene vehtes tuaj per te folur per Heroin tim, babin tim por qe ju tregoni se nuk eshte vetem i imi por dhe i shume te tjereve te cilet e njohen ate ne rrugen e veshtire te jetes e te punes.
    Eshte nder per mua qe jam bija e tij .
    Ju uroj jete te gjate, shendet .
    Faleminderit per kete pune te madhe qe po beni duke folur per Aviacionin Shqiptar qe nuk mund te ekzistonte pa heronjte, baballaret tane, qe shpesh dhane jeten duke punuar ne kushte te veshtira dhe shpesh absurde.

  2. Faleminderit Niazi për gjithëçka shkruan për Andrea Kulen, këtë bir të denjë të Myzeqesë sonë. Andrea bënë pjesë në atë “armatë” prej dhjetra myzeqarësh, që njëri më i mirë se tjetri, kanë dhenë një kontribut të madh në armën e lavdishme të Aviacionit Luftarak Shqiptar. Na ke bërë borxhli. Të uroj jetë të gjatë dhe prodhimtari të bollshme.

  3. Ju falenderoj Zoteri per kete shkrim kaq te bukur. Jane shume te cmuara keto kujtime per ne brezat e rinj per te mesuar sado pake nga jeta qe kane bere gjysherit tane. Dhe kur degjon pastaj vetem fjale te bukura, te bejn te ndihesh edhe me krenar. Ju falenderoj!

Comments are closed.