( Monografi kushtuar Tajar Arap Ramadani (Skëndaj).
Kontributet e njerëzve, për çuarjen e punëve përpara, nuk janë të njëjtë. Kjo çështje nuk ka të bëjë aq me pozicionin që mban individi në hierarkinë ushtarake sa me aftësitë organizative e drejtuese që lidhen me nivelin dhe horizontin e tij, por dhe me përkushtimin e tij në detyrë.
Kur këtyre tipareve me vlerë u shtohet arsimimi, shkalla e kualifikimit, kultura, edukata dhe gjuha e komunikimit me njerëzit edhe shanset për më mirë janë më të garantuara. Në shkrimet e derisotme, nuk është ai ekuilibër që kërkohet lidhur me vendin që zënë specialistë të profileve të ndryshëm në kontributet e tyre për zhvillimin e lundrimit ajror, i cili shpresoj të korrigjohet e të ndreqet, pas këtej. Për teknikët dhe specialistët e aviacionit, për ata që përfaqësojnë njërën nga dy shtyllat e themelit, të cilët kanë mbajtur e mbajnë mbi vete peshën e rëndë e shumë të vështirë të lundrimit ajror mendoj se është shkruar më pak edhe pse meritojnë më tepër.
Nuk pretendoj për meakulpa, por nja dy fjalë që lidhen me shkaqet që më kanë përtuar, do ti them, çiltas. Nëse kam evidencuar vlerat e disa fluturuesve, kryesisht pilotë të rënë në krye të detyrës, apo për disa të tjerë që kanë dhënë shumë e janë fikur pa bujë e pa zhurmë, kjo, në një farë mase është e justifikuar, (gjithnjë sipas mendimit tim). I përkas rracës të pilotëve dhe kam mendimin se këtë profesion e njoh më mirë dhe e kam më për zemër. Ata që janë ndarë nga jeta, pavarësisht se në ç’mënyrë, nuk e kanë mundësinë të propagandojnë bëmat apo të justifikojnë mangësitë ashtu sikundër nuk janë në gjendje të mbrohen kur dikush i sulmon me të padrejtë apo kur, ca më keq, kërkon të shtrëmbërojë e të përvetësojë atë që nuk është e tij. Nuk ndihem mirë kur lexoj disa shkrime, nga ata që dinë të shkruajnë dhe në shkrimet e tyre, i atribuojnë vetes, gjëra që nuk i kanë patur asnjëherë.
Nuk jam kundër shkrimeve. Le të shkruajnë, pa kufi, ata që i kanë mundësitë. Edhe për vete, le të shkruajnë se kështu fiksohet përvoja individuale e sejcilit e cila ka vlera të pamata dhe nuk ngjan me përvojën e tjetrit, veç ato që shkruan të jenë të vërteta dhe “ pronë e tij”. Të shkruajnë ato që dinë, mesiguri, jo ato që kanë dëgjuar apo të bëjnë hamendësira. I mëshoj fort kësaj çështje, nisur nga mundësia që, në çdo shkrim egziston rreziku i rënies në subjektivizëm i cili nuk është pa kufi. Kur subjektivizmi është aksidental e i paqëllimshëm, edhe mund të justifikohet, por kur bëhet me qëllim që të denigrohet tjetri, kjo është tjetër gjë. Subjektivizëm, madje i rrafinuar është dhe kur një fakt , të cilin nuk të pëlqen, e anëkalon e nuk e përmend, siç ka ngjarë rëndom kohët e fundit.
Jeta na paraqitet e larmishme dhe bota e njerëzve, na vjen përpara syve, herë e pasur, e herë e shteruar. Ajo që do t’ju rrëfej bën fjalë për një njeri të profilit teknik tek i cili janë të gërshetuara aq bukur vetë qënja njeri, në kuptimin e vërtetë e të plotë të fjalës, me të qënit specialist i kualifikuar e i përkushtuar. Është mjaft e vështirë të gjesh një njeri që ti ketë të harmonizuar të gjithë këta faktorë. Tek Tajar Arap Ramadani ( Skëndaj ) qëndrojnë bukur në shtat, si një kostum i prerë e i qepur, me merak, nga një mjeshtër i rrallë, mjaft tipare të njerëzishme të gërshetuara me prirje e aftësi profesionale . Këto ia kam pikasur vetë, në punë të përbashkët e për një kohë të gjatë; mi kanë thënë dhe ata që e kanë njohur, të tillë, të cilët do tua paraqes, më vonë të thëna mota-mo, nga goja e tyre; siç i kanë thënë.
Tajari nuk u lind kryeinxhenjer, por u bë i tillë, me shumë punë intelektuale dhe me përpjekje të vazhdueshme praktike. Ai vuri mbi baza të shëndosha, shkencore një shërbim të tërë, jetik, për jetën e aviacionit dhe shqelmoi, me guxim e flaku tej, nga çdo skutë, praktiçizmin e rëndomtë që i kishte zënë frymën shërbimit ingjeniero-teknik të armës. Kush e njohu Tajarin, në punë të përbashkët, u mrekullua me tiparet e tij të rralla, dhe me intuitën shkencore të pashoqe. Të tjerat, le tua lëmë ti thonë vetë, kolegët, miqtë e tij më të afërt dhe tërë ata që e kanë ndjerë efektivitetin e logjikës së tij të shëndoshë dhe punës së papërtuar, me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe me aftësi profesionale e organizative. Dhe të mbajmë parasysh se vetë Tajari është kundra çdo përmëndje të meritave të tij të shumta, të cilat janë shfaqur hapët e përpara syve të të gjithëve. Qëndrimi i tij kam bindje se i kapërcen kufijtë e modestisë. Puna e tij “ka gojë e flet” vetë; ajo është zhvilluar në dritën e diellit.
Tajari u lind në fshatin Vranisht, të rrethit të Vlorës, më 13 mars të vitit 1941, në një familje autoktone, vendase, me ekonomi të varfër por me tradita atdhetarie të spikatura. Familja dhe të afërmit e tij, në të gjitha kohët, janë shquar për ndjenja të rralla atdhetarie dhe për frymë kryengritëse. Babai i tij quhej Arap; ai ishte ngulur në trojet e të parëve të tij, në vendin e quajtur : Grpoa e Vranishjote; aty ku u lind e u mëkëmb dhe “heroi” ynë. Xha Arapi ishte blegtor i rrallë, nga ata që radhiteshin në sërën e esnafëve të këtij profesioni. Ai menaxhonte një tufë dhensh, në përbërje të së cilës, numëri varionte rreth të treqint krerëve. Dhëntë e xha Arapit, shquheshin mes bravareve të shumta të fshatit, për nga përmasat e trupit, për nga prodhimtaria dhe për pastërtinë e rracës . Dhëntë e Arap Skëndos, në stinën e thatë veronin në malin e fshatit Vranisht, të quajtur Mesimeri kurse në dimër shtegtonin në vërri ( Babicë). Nëna e Tajarit, Haxhireja vërtet ishte shtëpiake, si gjithë gratë e fshatit, por ajo luante rol aktiv në menaxhimin e të leshtave, si brenda shtëpisë dhe jashtë saj, në krah të bashkëshortit.
Nga lidhja martesore e Haxhiresë me Arap Skëndon erdhën në jetë tri çupa e pesë djem. Ata ishin: Ferzileti; Pestrova dhe Mjaftonia, të seksit femëror dhe Tajari; Memua; Mimini ; Dervishi dhe Lavdoshi – të seksit mashkull. Të lindur e të rritur në një familje me ekonomi të varfër dhe në ata vite të vështirë, të tetë fëmijët e asaj familje, që në fëmijërinë e herëshme, u mëkuan , krahaas qumështit të nënës , me dashurinë për trojet e të parëve dhe me ndjesinë komunitare, të cilat i shpalosën kudo ku i kërkoi detyra e ku i shpuri fati. Tajari çeli serinë e lindjeve dhe, siç thonë në ato anë, ishte “ buka e parë”, gjë që nënkupton : të parin e fëmijëve.
Fëmijëria, Tajarit i erdhi e mbarë. Ai i përcolli vitet e mëkëmbjes, në fshatin e tij, aty ku u lind, në Vranishtin malor; pranë prindërve dhe në mes të motrave e vëllezërve që erdhën në jetë njëri pas tjetrit. Si i pari i fëmijëve, Tajari u bë dhe pekuli i asaj familje. Fëmija shëndetmirë e topolak, sapo nisi të çapitej, bridhte nëpër avllinë e madhe të shtëpisë dykatëshe të Arap Skëndos, të shtruar me pllaka guri të paniveluar, ku herë rrëzohej e prap ngrihej, nën monitorimin e Nënë Haxhiresë, e cila e kishte merak djalin e parë dhe me çfarëdo pune të merrej, nuk e ndante nga sytë vocërrakun e saj trupngjeshur. Merakun më të madh, Nëna e ndjeshme e kish se mos i biri, dilte jashtë portës së madhe të oborrit, me dy kanata të gjërë sa të hynte me lehtësi kali i ngarkuar me shkarpa apo me vandakë bari. Po të arrinte të dilte jashtë portës së oborrit, Tajarin nuk e pengonte gjë të bridhte nëpër rrugën jashtë portës, e cila ishte e pasigurtë, nga dëmi që mund të bënin kafshët grabitqare të shtëpisë dhe kafshët e ngarkesës që qarkullonin në atë hapësirë.
Banesa e Arap Skëndos ishte një ngrehinë me dy seksione e me dy kate; me çati, e mbuluar me pllaka guri. Të dy seksionet, me nga një dhomë lart e me katua poshtë ishin në shërbim të familjes. Njerëzit banonin lartë, në odën e shtruar me dhogë; në katua strehoheshin bagëtitë dhe kuajt. Njëra nga odat ishte me tavan e në të priteshin miqtë e largët e me peshë të familjes. Ajo ishte, vazhdimisht e shtruar me anje; mesje; me shilte e me jastëkë, e gatshme për të pritur miqtë e shumtë të asaj shtëpie. Banesa e familjes, me mure guri ishte e ndërtuar rreth vitit 1900, nga të parët e Tajarit.
Oborri i madh i shtëpisë, në të cilin nuk kishte pemë, rrethohej nga një mur i lartë guri, rreth 2 m, i mbuluar me pllaka guri. Porta e jashtme, sipër, kishte një hark prej gurësh të gdhendur; përpara saj, në të dy krahët, ndodheshin dy sofatë me gurë tëtrashë, sipër të cilëve ishin disa pllaka guri, si kapakë. Mbi sofatët e gurit, sidomos në stinën e verës, mbasditeve, uleshin, gjitonë e gjitone për të biseduar problemet që i shqetësonin ose për t’u dhënë udhë gjërave që kërkonin gjykim më të gjerë.
Në bahçen para e pas shtëpisë vegjetonin pemë frutore: ftonj; shegë; fiq; dardhë; kumbulla etj. Arat e familjes ndodheshin në vendin e quajtur Gropa; tek Përroi i Kroit; tek Ara e Abaze,tek Ledhet e thanëve e gjetkë. Të gjitha arat, me përjashtim të këtyre të fundit ishin nën ujë dhe prodhimtaria e tyre ishte e sigurt; prodhimet e të vonave nuk dëmtoheshin nga thatësira e verës. Veç tokës arë, familja dispononte dhe sipërfaqe kullotë, në malin e Mesimerit, në të cilat kullosnin dhentë. Në stinën e thatë, familja çvendosej, nga fshati, në stan, ku kalonte verën. Stan i thënçin, se paraardhësit e Tajarit, kishin ngritur një banesë me dy kate , me odë e me katua, si ajo që kishin në mëhallë. Kur afrohej stina e ftohtë e në mal, kullota për delet paksohej, para se të niste bora, xha Arapi i shpërngulte dhentë, nga mali, në Xhyerinë ku klima ishte më e butë dhe gjelbërimi ishte i pranishëm edhe në dimër. Arat, xha Arapi i mbarështonte vetë, ashtu si dhe arat i punonte vetë, me një pendë qe.
Dera e Arap Skëndos, në Vranisht, ishte mikpritëse dhe e hapur, në çdo kohë për miq të familjes dhe të afërm të saj, të cilët hynin e dilnin pambarimisht në atë derë. Në vitin 1908, në odën me tavan të banesës të xha Arapit, kishte bujtur, 3 netë, plaku i Vlorës Ismail Qemali dhe ata që e shoqëronin në atë rrugëtim historik, nëpër Shqipëri. Miqtë e shtrenjtë gjetën strehë e jatak në atë konak, mbasi aty kishte më shumë siguri e pastërti. I gjithë fisi i Skëndajve ishte “ fanatik” në çështjen e ruajtjes të tërësisë tokësore dhe me prirje të theksuara atdhetarie. Në çdo familje të fisit, kryebisedë ishte çështja e luftës për mëvetësi e pavarësi kombëtare. Me këtë frymë u brumos dhe Tajari, protagonisti i këtij rrëfimi modest.
Në fëmijëri, Tajari, provoi të gjitha lodrat e kohës e të moshës të parritur. Ai, tok me shokët e moshës, luante me cingëla; dërrakthi; topa-gropthi; kolxhel; syllambyllazi; kala dibrançe dhe futboll, me topa lecke, të bërë vetë. Të gjithë shokët e tij ishin zbatharakë e ashtu luanin me top. Qënja i zbathur, herë pas here, shkaktonte në këmbët e tij, plagë, nga goditja me gurët dhe shpesh shputat e këmbëve ishin plot me gjëmba të bardhë të cilët e kishin dhimbjen të hidhur. Shokë fëmijërie, Tajari kishte: Hodo Hodaj; Memisha Jonuzi; Novruz Hallko; Shaban Xhebro; Feim Xhebro; Mikado Shakohoxha; Niko Shkurti ; Ilmi Demo; Esat Ribi, etj. Këta ishin shokë të Tajarit dhe kur ai përcolli mësimet e para, në shkollën fillore të fshatit, të cilën e nisi në vitin 1947, kur Tajari nuk i kiishte mbushur të shtatë vjeçët. Mësues Xhevit Duka, i cili, më vonë u shpall: “ Mësues i Merituar”, ishte ai që i mësoi shokut tim shkrim e këndim. Tajari kishte intelekt e zgjuarsi natyrale, prandaj, mësuesi e pranoi në klasën e parë, diçka, para se të mbushte moshën ligjore. Në vitet e shkollës fillore, edhe pse natyralisht i zgjuar, Tajari nuk shquhej në mësime. Ai nuk ishte i pari i klasës por as i fundit.
Në pushimet e verës e në ato të dimrit dhe në ditët kur nuk zhvilloheshin mësime, së bashku me bashkëmoshatarët, Tajari merrte pjesë në “ gjueti”. Së bashku me shokët, në grup dhe veç tyre, Ai ngrinte gracka për të kapur shpendë dhe leqe, për të zënë grabitqarë të pyllit. Në ndonjë rast, ata, vetë ktheheshin në grabitqarë, kur kapërcenin mure e gjerdhe, për të grabitur fruta dhe misra nga bahçet e gjitonëve. Në këto veprimtari “ zbavitëse”, Tajari, zakonisht mbetej i fundit; Atë e kapnin pronarët e rritur dhe e rrihnin. Punët ndryshuan kur Tajari përfundoi shkollën fillore dhe nisi mësimet në shkollën shatëvjeçare. Mësimet e shkollës shtatëvjeçare, Tajari i nisi në Vranisht e i përfundoi në Tiranë. Ky kapërxim, u kthye në një shans të madh, për djalin nga Vranishti i Vlorës, i cili i ndryshoi, për të mirë jetën shokut tim.
Më duhet të ndalem fort në këtë sjellje të të afërmit të Tajarit, i cili nuk është thjesht një akt human por dhe një bujari e papërsëritshme, por mendoj se vetë lexuesi ka mundësi të depërtojë vetë në brendinë e kësaj dukurie pozitive. Në kushtet e sotme, kur oportunizmi dhe komercializmi i kanë zënë vendin njerzillëkut më ngjan jashtë kohe të predikosh atë që nuk mund të përsëritet. Dhe të mendojmë se në ata vite, buka ishte me triskë dhe në fuqi , ishte sistemi i triskëtimit.
Në ata vite, kur Tajari erdhi nga Vranishti, në Tiranë, sipas një rregulli të pashkruar, nxënësit regjistroheshin e i vazhdonin mësimet në shkollën që ndodhej më pranë shtëpisë. Tajari i vazhdoi e i përfundoi mësimet e shtatëvjeçares, në shkollën : “ 11 Janari “, sot, shkolla : “ Edit Durham”; në Tiranë të Re. Le të ndalemi pak tek fjalët e Tajarit, sipas të cilit: “ Shaqir Hasanaj ( ndjesë pastë), i ndryshoi rrjedhën e jetës”!
Në analizë të fundit, dukuria që ngjau me Tajarin, duhet llogaritur si një gjendje e re sociale e tij. Ndodhia ka të bëjë me një kapërcim, drejt progresit, në jetën e djalit të parritur që la fshatin malor, diku në Jug të vendit dhe një mënyrë jetese e nisi një jetë tjetër, me standarte të rinj jetese. Mjafton të theksojmë faktin se heroi “ i këtij shkrimi, Tajar Arap Skëndaj ( më duhet ti përdor të dy mbiemrat , mbasi diçka simbolizojnë), la fshatin me kusuret e asaj kohe dhe erdhi në metropolin zhurmëshumë. Tirana e asaj kohe, edhe pse me kushte më të varfëra krahasuar me simotrat, ishte një qytet, ku gumëzhinte jeta; nëpër rrugë qarkullonin më tepër njerëz, ata ishin të veshur më mirë dhe ushqeheshin me të tjerë standarte. Rrugët, ishin të gjëra e të drejta; banorët ecnin, silleshin e komunikonin me njëri-tjetrin tjetërsoj. Në Tiranë, Tajari gjeti të tjera kushte, si në banesën e kushëririt që iu bë strehë e jatak dhe në shkollë e në qytet. Kudo ku shkelte e me cilindo që bisedonte, Ai mësonte diçka të re e më të mirë.
Së bashku me rritjen trupore e me pjekjen intelektuale dhe me mënçurimin e tij, Tajari u njoh me mjaft shokë e shoqe, të cilët rridhnin nga familje me origjinë të ndryshme e bartnin mentalitete e psikologji jo të njëjtë. Ardhja në Tiranë dhe të mësuarit në shkollën : “ 11 Janari”, i shërbeu shokut tim për të përcjellë një periudhë kohore të domosdoshme përgatitore, apo, si të thuash, si një “ tramplinë”, për të marrë vrull e për të hedhur hapin e madh në jetë, futjen në Shkollën e Mesme Ushtarake “ Skënderbej”.
Pas përfundimit të mësimeve të shkollës shtatëvjeçare, me tregues cilësorë “ mjaft të mirë”, në vjeshtën e parë të vitit 1955, Tajari u pranua në vitin e parë ( gjimnaz) të Shkollës së Mesme Ushtarake “ Skënderbej”, në Tiranë. Në këtë shkolle, e cila, aso kohe bënte pjesë në “ elitën” e shkollave të mesme të vendit, Tajari mësoi shumëçka. Në shkollë mbretëronte një regjim rigoroz ditor dhe disiplinor. Aty, jetesa dhe të mësuarit ishin të progranuara e të organizuara, të cilat ia linin vendin njëra-tjetrës. Në të gjitha veprimtaritë ditore të skënderbegasve, rregulli dhe disiplina ishin primare. Rregulli niste nga zgjimi, deri në pushimin e mbrëmjes. Djemtë ushqeheshin në orar; çoheshin nga gjumi dhe binin për të fjetur, në orar; mësimi niste me bori e përfundonte në orën e caktuar; rregulli i brendshëm mbahej nga vetë skënderbegasit dhe veprimet jashtë mjediseve të mbyllura, kryheshin me rrjesht e me këngë rrjeshtore. Skënderbegasit ishin të pajisur me uniformë mjaft të bukur për dalje të lirë; ajo duhej mbajtur e rregullt, e paastër dhe e hekurosur. Në çdo hap, ishte karakteristike fryma komunitare.
Në shkollën “ Skënderbej”, kushtet për të jetuar e për të mësuar ishin tejet të pëlqyeshme. Skënderbegasit bënin jetë aktive e merrnin pjesë gjallërisht në veprimtaritë kulturore, artistike dhe sportive; sipas prirjeve dhe dëshirës. Tajari, me vullnet të fortë e me këmbëngulje, kushtet e favorshme që gjeti në atë shkollë i shfrytëzoi me dobi dhe krahas rritjes, formoi trup të fuqishëm, muskuloz e të zhdërvjellët. Prirja e tij për t’u ushtruar fizikisht, rrjedhojë e genit dhe e kushteve që gjeti në shkollë, bënë që tek adoleshenti Tajar Ramadani të marrë krahë prirja për t’u ushtruar në gjimnastikë. Ai, dita –ditës bëri “ hobi” gjimnastikën në vegla dhe ushtrimet e lira. Prirjet e tij drejt gjimnastikës u dukën qysh në fillimet e tij në shkollën “ Skënderbej”. Në monitorimin e të mirënjohurit Bejkush Birçe, të cilin Tajari e kishte mësues fizkulture, në përfundim të vitit të parë të gjimnazit, Ai kapi kategorinë e dytë sportive dhe, në gjimnastikë përfaqësonte ekipin e “ Partizanit”.
Në Shkollën e Mesme Ushtarake “ Skënderbej”, Tajari kishte pika të forta referimi. Mësuesit ishin të përzgjedhur, të kualifikuar e me shpirt të mirë. Por, Tajari kishte dhe një shoqëri për së mbari. Shokë të afërt të tij ishin: Dhiogjen Gjergji; Rustem Sharkaj; Shaban Xhebraj; Asqei Kapaj; Theofillo Gjoka; Sotiraq Gjylameti; Aleks Mero; Taqo Aleksi, etj. Në shkollë, Skënderbegasit përcillnin mjaft lëndë të ndryshme, por Tajari, jo të gjitha lëndët i kishte njëlloj për zemër. Ai pëlqente më shumë lëndët shoqërore, ndonëse nuk i përçmonte lëndët egzakte.
Në vitin 1956, familja e Arap Skëndos, u shpërngul, nga Vranishti, në Risili. Në vendbanimin e ri, familja Skëndaj gjeti kushte më të mira për të jetuar dhe fshati ndodhej më pranë qytetit të Vlorës ku jeta zjente e tregu ishte më i gjallëruar. Në atë kohë, njerëzit, kur zgjidhnin vendbanimin, zakonisht niseshin nga motivi: “ Pranë detit ose afër Mbretit “! Xha Arapi dhe të tijët, përzgjodhën afërsinë me detin. Motivi nxitës i kësaj mendësie mori krahë dhe në kohët moderne kur, lukuni fshatarësh, u varën nga trojet dhe populluan qytete, duke u dhënë përparësi qyteteve të mëdhenj, si Tirana; Vlora; Shkodra; Durrësi; Elbasani; Fieri ; Saranda etj. ku synonin një jetë më të mirë.
Babai i Tajarit, Arap Skëndaj ishte blegtor me përvojë, në çështjen e mbarështimit të dhenve. Ai radhitej me esnafët e këtij profesioni. Si anëtar i kooperativës bujqësore të Risilisë me përvojë në mbarështimin e deles, Ai u caktua në detyrën e brigadierit të blegtorisë, për shkakun e vetëm se njihte në detaje kërkesat e veçanta të gjësë të gjallë. Bagëtitë e imëta të tufës që mbarështonte xha Arapi, në stinën e dimrit qëndronin në Babicë, kurse stinën e nxehtë e përcillnin në malet e krahinës të Korçës ku flladi dhe freskia kanë folenë.
Tajari, kur shkonte me pushime, pas shpërnguljes të familjes së tij, e mbante vrapin në Risili, ku kishte familjen e në të rrallë shkonte në Vranisht, për të parë e për t’u shmallur me të tijët dhe me shokët e fëmijërisë, të cilët ishin rritur, si Ai.
Në verën e vitit 1958, Tajari kishte përfunduar mësimet e klasit të tretë gjimnaz, në Shkollën “Skënderbej”. Adoleshenti me fizik të mirëformuar, me trup tërë muskuj, i shëndetshëm në çdo pikëvështrim, mbasi kaloi nëpër sitën e komisionit shëndetësor ushtarak ku u deklarua i aftë, me anijen sovjetike “ Bjelloostrov”, u nis nga porti detar i Durrësit për në atë të Odesës ( Bashkimi Sovjetik), për studime, në fushën e aeronautikës. Anija ngriti spirancën e u nis në lundrim, mbasditën e 7 gushtit të vitit 1958, në të errur. Anija ishte e destinacionit për të transportuar pasagjerë. Ajo ishte e pajisur me dhoma për fjetje dhe me mjedise ushqimi e argëtimi. Së bashku me kandidatët tanë për studentë ushtarakë, në atë rrugë ujore, lundronin dhe disa turistë sovjetikë, mes të cilëve, shumica ishin të seksit femër.
Bashkëudhëtarë të Tajarit, në atë lundrim historik ishin: Petrit Levanaj; Naltor Shehu; Qazim Krasniqi ( Muslia), ndjesë pastë; Stefan Sallaku; Ilija Marjani ( ndjesë pastë); Fatmir Babameto; Sami Sokoli (ndjesë pastë); Dajlan Birçe; Qani Topollaj ( ndjesë pastë); Jemin Nanaj ( ndjesë pastë); Thoma Ngreci ( ndjesë pastë); Gaqo Rapi ; Dhori Simaku ; Fitim Hamzai dhe Apollon Baçe. Me disa syresh, Tajari njihej që nga Shkolla Ushtarake “ Skënderbej” kurse me ata që vinin nga jeta civile, të cilët përbënin shumicën, Ai u njoh kur u veshën me uniformën e kursantit shqiptar, në punëtorinë ushtarake, në Tiranë.
Në uniformën ushtarake të kursantëve binin në sy çismet, pantallonat kilota, xhaketa e hapët dhe kapelja me strehë, sipas shëmbëlltyrës të uniformës tëkursantit gjitharmësh të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, “ Enver Hoxha”, në Tiranë. Kur u nisën për udhë, moti ishte i bukur dhe deti i qetë. Mëngjesi i 8 gushtit të vitit 1958, djemtë tanë i gjeti në portin detar të Pireut ( Greqi). Anija u akostua e qëndroi vetëm një orë; aq kohë sa i duhej për t’u furnizuar. Adoleshentët shqiptarë dolën në kuvertën e anijes dhe vrojtuan qytetin, aq sa kishin fushëpamje. Pas Pireut, anija përshkoi Ngushticën e Bosforit, me shpejtësi të paksuar e djemtë panë Çanakalanë dhe atë pjesë të Stambollit që dukej nga vija e lundrimit.
Në portin bullgar të Varnës, grupi i studentëve tashmë i konsoliduar, qëndroi një natë. Ata e kaluan natën në anijen “ Bjelloostrov”. Djemtë nga vendi ynë patën mundësi të shijonin bukuritë mahnitëse të qytetit të trëndafilëve. Gjatë shëtitjeve nëpër qytet, ata u befasuan kur dëgjuan disa fjalë e shprehje, në një shqipe të vjetër. Nga kurreshhtja u afruan dhe i pyetën artikuluesit e fjalëve shqip. Ata ishin punëtorë porti ( dokerë ) me origjinë nga treva e Korçës. Nga dialogu që zhvilluan me ta, studentët kuptuan vetëm një fjalë: nuku; nuku e shprehur në komutacion negativ. Pas Varnës, anija ndaloi në portin rumun të Kostancës, ku ushtarakët tanë shëtitën e vështruan ato bukuri të rralla, duke përftuar dhe nga statusi i turistëve sovjetikë me të cilët lundronin.
Pas shtatë ditëve nga nisja prej portit të Durrësit, anija “ Bjelloostrov” u akustua në portin detar të Odesës, i cili ndodhet në Gadishullin e Krimesë. Pasagjerët zbritën në tokë e vijuan programin e tyre. Studentët nga Shqipëria, të cilët do të vijonin rrugëtimin me tren, për në qytetin e Harkovit ku ndodhej shkolla e aviacionit, e kaluan natën e parë në tokën sovjetike, në një shkollë ushtarake këmbësorie ku sundonin: Rregulli, pastërtia dhe disiplina e rreptë ushtarake. Në Odesë, ata donin të shëtisnin për të vështruar bukuritë e qytetit, por ishin në mëdyshje. Nuk donin të largoheshin nga shkolla ku ishin sistemuar, nga droja se mos humbisnin orientimin e ngatërroheshin nëpër atë qytet madhështor. Duke avancuar në thellësinë e atyre rrugëve të drejta, të pastra e plot me kalimtarë, ata piketonin disa orientues tipikë të cilët i ndihmuan për t’u kthyer në shkollën e këmbësorisë. Ndërtimet e banesave dhe të institucioneve, ishin tjetërsoj nga ato që kishin lënë në vendin e tyre. Ngrehinat ishin të suvatuara, të lyera me bojë të bardhë dhe shkëlqenin. Ishte gusht dhe qytetarët e Odesës, për të shmangur vapën, kishin vërshuar në plazhin e bukur, por tanëve nuk u premtonte koha për ti shijuar ato bukuri, natyrale dhe të krijuara nga dora e njeriut.
Të nesërmen, grupi shqiptar i studentëve u nis për në Veri. Do të shkonin në qytetin ukrainas të Harkovit , ku ndodhej shkolla ku do të studionin. Rrugën e hekurt e përshkuan me një tren të pajisur me kupe për fjetje. Treni me të cilin rrugëtuan djemtë tanë ishte me naftë, por në atë kohë kishin nisur të qarkullonin trenat elektrikë. Në stacionin e trenit, në Harkov, tanët i priti një oficer i Ushtrisë Sovjetike. Ai quhej Sokolov dhe mbante gradën e majorit. Majori i shoqëroi studentët, të cilët u sistemuan në një autobus ushtarak në ngjyrë bari, me turi, deri në shkollën e aviacionit, e cila ndodhej në vendin e quajtur Hollodnije Gori (lexo: Male të ftohtë); në Veri të qytetit të Harkovit. Shkolla ishte me katër kate dhe me një hyrje kryesore. Në çdo kat kishte një destinacion ( kabinetet mësimorë, biblioteka; mjediset e përdorimit të përbashkët si mensa, fjetina dhoma e kulturës , hidrosanitaret, etj. etj.). Mjediset e shkollës, si ato për shkollim dhe për jetesë ishin adeguate.
Më 1 shtator të vitit 1958, në një grup të përbashkët, studentët shqiptarë nisën “ betejën “ e arsimimit, në shkencën e aeronautikës. Programi mësimor nisi me Gjuhën Ruse, pa të cilën studentët do ta kishin të vështirë orientimin në mësimet e tjerë. Pedagoge e Gjuhës Ruse ishte një grua, me moshë rreth të pesëdhjetave, e cila rridhte nga çifutët armenë, me emrin Tamara. Ajo jepte mësim gjuhe, në Universitetin e Harkovit dhe në Shkollën e Aviacionit. Pedagogja kishte nivel mjaft të lartë dhe metodë të mirë mësimdhënie. Nga natyra ishte e qetë dhe mjaft dashamirëse. Interesant ishte fakti se të njëjtën lëndë; Gjuhën Ruse e drejtonte dhe një pedagog i moshuar, nënkolonel në pension, i cili ishte akademik dhe kishte metodë të përparuar. Mësimi i Gjuhës Ruse zgjati 6 muaj. Pas kësaj kohe, studentët, krahas lëndëve bazë, 2-3 herë në javë, ushtroheshin dhe në mësimin e gjuhës.
Ia vlen të theksohet se kabinetet mësimorë, në shkollën e aviacionit ishin funksionalë, si ata në universitet. Auditorët ishin të mëdhenj, të pajisur me literaturën e nevojshme, me skema, makete dhe laboratorë shkencorë. Pedagogët ishin në nivele shkencorë të lartë dhe zotëronin metodë të përparuar mësimdhënie. Tamara Grigorievna dhe Krasilçikov, drejtonin mësimin e Gjuhës Ruse; Davidov, ishte kompetent në fushën e teorisë e të konstruksioneve të motorrëve të aviacionit; pedagogët Titov dhe Shaposhnikov, gjithashtu ishin në nivele akademiku , drejtonin mësimin e konstruksionit të helikopterëve. Një major, me shpirt njeriu, mjaft i komunikueshëm me shqiptarët, drejtonte, me kërkesë e me takt përgatitjen fizike. Tajari zuri miqësi me pedagogun e fizkulturës, i favorizuar dhe nga fakti se mbante kategorinë e dytë në gjimnastikë. Një ditë, pedagogu i përgatitjes fizike e çoi Tajarin në palestrën ku bënte stërvitje kampioni i botës në gjimnastikë, rusi Boris Shahlin. Palestra nuk kishte shumë komoditet por ishte e pajisur me të gjitha veglat e nevojshme. Pas kësaj vajtje në atë palestër, ku ishin veglat e domosdoshme për të ushtruar gjimnastikën, Tajari e kaloi qëndrën e vemendjes tek studimet e specialitetit dhe u distancua nga gjimnastika.
Drejtues i proçesit mësimor, në shkollë ishte Koloneli Sokolov. Ai i shoqëronte studentët, në çdo veprimtari e për çdo rast. Edhe në pushimet e dimrit të vitit 1958-1959, koloneli Sokolov i shoqëroi studentët kur ata shkuan për të pushuar, në pikën turistike të Çugunjevit, në mes të pyllit, në breg të lumit Severnij Donjec ( lexo Donjeci i Veriut). Në kohën kur studentët tanë ishin në proçes mësimor, visheshin me uniformën e kursantit sovjetik, kurse kur dilnin në qytet, në dalje të lirë, ata vishnin uniformën e kursantit shqiptar, e cila, ishte shëmbëlltyrë e uniformës të kursantëve të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “ Enver Hoxha”. Dalje të lirë, studentët nga vendi ynë kishin, ditën e shtunë; mbasdite dhe të dielave, para e pas dite. Dita e hënë ishte “e zymët” dhe quhej: “E hëna e zezë”. Në atë ditë, studentët ngriheshin në mësim, me dëshirë dhe pedagogët e kishin “dorën më të lirë”. Lëndët bazë, me të cilat e nisën programin mësimor tanët ishin: Matematika; fizika; kimia dhe si lëndë që nuk u ndanë asnjëherë ishin përgatitja fizike dhe ajo rrjeshtore. Në përgatitjen fizike, Tajari , si gjimnast cilësor, nuk e pati të vështirë, por dhe në rrjeshtore, ku mësimin e drejtonte një kapiten i dytë me shfaqje liberale, i cili bënte lëshime, nuk e ndjeu vështirësinë.
Të shtunave dhe të dielave, mbasdite, në sheshe të posaçëm të qytetit, organizoheshin mbrëmje vallzimi ku studentët 18 vjeçarë nga vendi ynë vërshonin me dëshirë të madhe, në grupe, dhe ishin tepër aktivë në këto veprimtari relaksuese. Tajar Ramadani, “natyrë e qetë”, i urtë, i edukuar dhe i vetëpërmbajtur binte në sy për fisnikërinë dhe ndershmërinë e tij. Ai, me personalitetin e tij imponues, në tërësi ishte faktor stabilizimi dhe në ndonjë rast edhe frenues ndaj teprimeve.
Qyteti i Harkovit ku ndodhej shkolla e aviacionit, në ata vite llogaritej ndër qytetet e mëdhenj e me peshë në hapsirat e Bashkimit Sovjetik. Qytetit i jepnin gjallëri, qarkullimi i njerëzve, lëvizja e tramvajeve dhe trolejbuzëve dhe punëtoria që punonte në uzinat e traktorëve, me zinxhirë. Uzina kryesore prodhonte rreth 100 traktorë me zinxhirë, të disa varianteve, në 24 orë.
Me qëllim që të përcaktonte nivelin e të ardhurve dhe për të hartuar programin mësimor, stafi drejtues i shkollës, fillimisht bëri një testim të djemve shqiptarë, në lëndët që kishin përcjellë në gjimnaz. Pyetjet nisnin nga më të thjeshtat e vështirësoheshin, deri tek diferencialet dhe integralet. Për hir të së vërtetës, niveli i studentëve linte për të dëshiruar.
Deri në janar të vitit 1959 studentët tanë u përgatitën në një grup të përbashkët; më pas ata u ndanë në grupe, sipas specialitetit. Tetë vetë, konkretisht: Tajar Ramadani; Thoma Ngreci ( ndjesë pastë); Petrit Levanaj; Naltor Shehu; Gaqo Rrapi ( ndjesë pastë); Jemin Nanaj ( ndjesë pastë); Dajlan Birçe dhe Apollon Baçe, që në fillim, u caktuan të mësonin për menaxhimin e helikopterit. Qazim Krasniqi ( ndjesë pastë); do të mësonte menaxhimin e aeroplanit IL-14; Qani Topollaj ( ndjesë pastë)- u caktua për të shfrytëzuar aereoplanin IL-28; Stefan Sallaku; Ilija Marjani ( ndjesë pastë); Fatmir Babameto- u caktuan të përgatiteshin si radistë dhe Dhori Simaku e Sami Sokoli, u caktuan në rolin e studentit që mësonte armatimin e avionëve. Tajari u caktua përgjegjës i nëngrupit që mësonte menaxhimin e helikopterëve.
Në të dy vitet e shkollës, në Harkov, Tajari ishte vazhdimisht në ballë të grupit e në tabelë të nderit. Rezultatet e tij në mësime dhe sjellja , në shkollë e jashtë saj ishin impresionuese. Shokë të afërt të Tajarit ishin: Petrit Levanaj; Thoma Ngreci dhe Naltor Shehu. Me këta, miqësinë , Ai e ruajti gjatë, e ajo vijon dhe në ditët e sotme. Kjo miqësi jetëgjatë dëshmon për themele të shëndosha të lidhjeve mes tyre, ku rolin primar e ka luajtur Tajari, me karakterin e tij dhe me tipare të tjera që të imponojnë respekt. Nëngrupi i specialistëve, kishte përgjegjës të mirin Sami Sokoli ( ndjesë pastë). Duhet thënë se gjat gjithë jetës studentore, të dy nëngrupet u shquan për nivel të lartë përvetësimi dhe për vullnetin e shprehur lidhur me përvetësimin e shkencës përkatëse. Pa frikë mund të pohoj se ky ka qenë njëri nga grupet më kompaktë e më mbresëlënës nga studentët që kanë mësuar në Bashkimin Sovjetik. Roli pozitiv i Tajarit, në të gjithë “rrugëtimin” e grupit ka qenë primar.
Pas përfundimit të vitit të dytë, grupi i studentëve shqiptarë që mësonin në Harkov, shkoi me pushime në Shqipëri. Ata rrugëtuan me një aeroplan transporti, të prodhimit sovjetik, të tipit TU-104, si në vajtje dhe në kthim. Pushimet verore zgjatën 1 muaj, në gusht 1960. Tajari e mbajti vrapin në Risili, ku kishte familjen dhe te tijët. Ai nuk u përtua të shkonte dhe në familjen e kushëririt që e strehoi në vitet e shkollës shtatëvjeçare, i cili i ndryshoi jetën, për ta falenderuar atë e për ti shprehur mirënjohje. Marredhëniet me këtë familje, Tajari i vazhdoi edhe pas largimit nga jeta të kushëririr, madje i ruan edhe sot. Kjo është dëshmi tjetër që na dëfton për besnikërinë dhe mirënjohjen e “ heroit” të këtij rrëfimi.
Vitin e tretë të shkollës Tajari dhe shokët e tij e përcolli në Shkollën e aviacionit të Krasnodarit, në Jug të Bashkimit Sovjetik, ku u përqëndruan studentë të profileve të ndryshëm që studionin aeronautikë dhe që deri atëherë kishin studiuar në qytete të tjerë si Harkovi, Shadrinsku, Borisoglebsi dhe disa të ardhur nga Shqipëria, pas mbylljes të shkollës së aviacionit, rrjedhojë e dy ngjarjeve të rënda ajrore, me kursantët, në Poro, gjatë verës të vitit 1960. Në shkollën e Kradnodarit, studionin dhe të rinj nga vende të ndryshëm të Europës Lindore, nga Indokina, madje dhe nga Kuba. Studentët shqiptarë, ishin më afër me kubanët, sa i takon psikologjisë, mentalitetit dhe sjelljes.
Viti i tretë i shkollës, për Tajarin dhe shokët që përbënin nëngrupin ku ai bënte pjesë, ishte tërësisht në fushën e studimeve për menaxhimin e helikopterit. Pas çarjes që ndodhi në raportet mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, të cilat u ndjenë fuqishëm në fushën e mbrojtjes, ndryshuan planet për pajisjen e Ushtrisë tonë me helikopterë të sofistikuar, kundër nendetëseve dhe studentët shqiptarë e kthyen fytyrën, të detyruar, nga helikopteri Mi-4, i cili ishte dukur në hapsirat shqiptare prej vitit 1957 dhe ishte akkumuluar një farë përvojë në shfrytëzimin e tij.
Meqënëse, deri sa ndodhën ndryshimet, programet mësimorë parashikonin fluturimin e studentëve në rolin e teknikut të bortit, në helikopterin e pajisur me raketa ajër-tokë dhe mund t’u duhej, që në situata të ndryshme ta braktisnin makinën ajrore, studentët e nëngrupit të Tajarit, në pranverën e vitit 1961, u hodhën me parashutë, nga lartësia 800 m, me një aeroplan An-2, mbi aerodromin e Krasnodarit.
Në të tre vitet e shkollës, si në Harkov dhe në Krasnodar tek Tajar Ramadani “ shpërthyen” aftësitë dhe prirjet intelektuale. Ai, jo vetëm që përthithte, me ëndje tërë informacionin shkencor që merrte nga përogrami mësimor, por thellohej në njohuritë shkencore, duke shfrytëzuar kushtet e favorshme dhe literaturën shkencore të bibliotekës të pasur të shkollës. Në shkollën e Krasnodarit, Tajari, jo vetëm që ishte vazhdimisht në “tabelën e nderit”, por, në përfundim të shkollës u vleresua si studenti me i mire shqiptar. Portreti i tij, me përmasa “ gjigande” dhe rezultatet e shkollës, u reklamuan në mjediset mësimore të institucionit arsimor.
Njohuritë e thella teorike, dhe praktika cilësore që kreu të cilat u pasuruan më tej, gjatë kryerjes të detyrave në vendin tonë, dhe më pas, përfundimi i studimeve universitare, në Tiranë, në degën e ingjenierisë mekanike, u bënë shtrat i ngrohtë për aftësitë dhe kompetencën e rrallë të tij.
Në shtator të vitit 1961, Tajari dhe shokët e tij, u kthyen në Tiranë. Tajari qëndroi në dispozicion ( në pritje) të urdhrit të emërimit në detyrë nga Komanda e Aviacionit, e cila, në atë kohë ishte pranë Komandës të Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit. Me sa duket, edhe në ato kushte emergjence, për kapacitetin dhe aftësitë e Tajarit, kërkohej një vend pune i përshtatshëm. Ku më mirë se në Shkollën e rihapur të Aviacionit, ku do të përgatiteshin kuadrot e ardhshëm të aviacionit tonë: pilotë, teknikë dhe specialistë, mund të “çliroheshin” bagazhi intelektual dhe aftësitë praktike të ish studentit të “shkëlqyer “ të shkollës së aviacionit të Harkovit e të Krasnodarit? Dhe, pikërisht në muajin prill të vitit 1962, Tajar Ramadani u emërua teknik katërshe në Skuadrilen me helikë të Shkollës së Aviacionit, në Vlorë ku gjendja teknike linte mjaft për të dëshiruar.
Kjo skuadrile, ishte e pajisur me aeroplanë të lehtë me helikë, të tipit Jak -18, përpara së cilës kishte dalë detyra delikate dhe emergjente për përgatitjen e pilotëve të rinj të grupit që kishte ndërprerë fluturimet, në aerodromin e Batajskut, të cilët kishin kohë ( rreth 6 muaj ) pa fluturuar dhe kjo ndërprerje, ndikonte negativisht në shprehitë e tyre fluturuese. Në këtë skuadrile, Tajari u ribashkua me shokun e tij të ngushtë të shkollës, me të paharruarin Thoma Ngreci, i cili, si Tajari, kishte akkumuluar njohuri të thella teorike dhe praktike, për shfrytëzimin e makinave ajrore të pajisur me motorrë me pistonë. Të dy shokët e ngushtë u emëruan në detyrën e teknikut të katërshes dhe morën përsipër të ringjallnin teknikisht avionet Jak-18, me resurse të plotsuar e të braktisur në një cep të shkollës.
Vlera e punës të kësaj skuadrile; si e instruktorëve të teknikës së pilotimit dhe e teknikëve e specialistëve që menaxhonin këta aeroplanë të sajuar me pjesë të mbledhura, as nuk mund të matet, as nuk mund të thuhet me fjalë. Mjafton të përmend se ai që çohej në ajër, ndihej “ngrohtë” kur kishte garancinë teknike se avioni i tij ishte i sigurt e fluturimi do të plotsohej pa telashe. Këtë siguri, e garantonin vetëm menaxherët mendjendritur e duarartë të shërbimit inxhenjero-teknik të skuadriles, ku veçohej roli dhe puna plot fantazi e Tajarit dhe shokut e kolegut të tij, Thoma Ngreci (ndjesë pastë).
Ishte koha kur Aviacioni Shqiptar përjetonte kushtet e rënda të izolimit dhe kishte “ uri” për pilotë, teknikë e specialistë, të zotë për të marrë në duar punët e mëdha e të vështira të shkencës së fluturimeve. Të kthyerit nga shkolla sovjetike e aviacionit, pa përfunduar programet, duhet të rifillonin proçesin e të mësuarit, pa vonesë dhe mundësisht aty ku e kishin ndërprerë. Koha nuk priste; çdo vonesë do të ishte e mbarsur me probleme serioze, sidomos për shprehitë e pilotimit. Në Shkollën e Aviacionit, ndodheshin disa aeroplanë Jak-18, të braktisur, të lënë si hedhurinë, me resurse të përfunduar e pa garanci teknike. Vënja e tyre në gatishmëri për tu çuar në ajër ishte emergjencë imediate. Tajari dhe Thomai ( ndjesë pastë), iu përfillën punës, në krye të ekipit.
Duhet theksuar fort se ishte fat që në krye të shërbimit teknik, në hallkat katërshe ku realizohet puna, u vunë dy njerëz të aftë e të përkushtuar, dy shokë të ngushtë, të lidhur me njëri-tjetrin që nga koha e shkollës dhe që ia njihnin shoku-shokut, vlerat dhe aftësitë. Avionët Jak-18 të variantit: Jak-18 A dhe Jak-18 i thjeshtë, ishin lënë për rikupero ( pjesë këmbimi), në depo, që prej kohës kur u mbyll shkolla e aviacionit, në gusht të vitit 1960, pas mgjarjeve të rënda ajrore, të cilat ndodhën me kursantët për pilotë, në aerodromin e Poros.
Të dy shokët dhe vartësit e tyre, iu përfillën punës për të vënë në gatishmëri teknike, disa avionë, të cilët u çmuan si “ më të mirët”. Vetëm motorrët, si “ zemra e pilotit”, ishin brenda kushteve teknike; pjesët e tjera materiale, ishin të sajuara, nga pjesë të përdorura ose nga pjesë të marra “hua” nga aeroplanë, të cilët nuk mund të çoheshin në ajër. U gërshetua bukur, guximi dhe trimëria e atyre që mësonin fluturimin dhe instruktorëve të tyre, me vlerat e thella teorike dhe fantazinë e efektivit inxhenjero-teknik të skuadriles, ku në krye të valles ishin dy shokët e afërt: Tajari dhe Thomai (ndjesë pastë).
Një nyje e fortë dhe e qëndrueshme e suksesit ishte besimi i ndërsjelltë pilot- teknik. Kur pilotët e ardhshëm dhe instruktorët e tyre vështronin si përfilleshin në punë e si shkriheshin, në detyrë, me orë të tëra dhe me kohë të zgjatur teknikët dhe mekanikët e përkushtuar, ata merrnin zemër e u shtohej besimi se fluturimi do të shkonte mbarë. Në atë kohë dhe me ata avionë, fluturimet kryheshin me disa kufizime, në shpejtësi e në manovër, të cilat i dinë mirë ata që i kanë përjetuar, megjithatë fluturohej e programi i fluturimeve, me gjithë mangësitë, kursantët që mësonin për pilotë, e zbutën efektin negativ të kohës së gjatë, pa u ngritur në ajër.
Në Shkollën e Aviacionit, Tajari shërbeu deri në fillim të vitit 1966, kur Ai u transferua në Skuadrilen e Tiranës, e cila mbante numërin konvencional: Reparti Ushtarak Nr. 5818. Tajarin, bazuar në vlerat që bartëte, të cilat u shpalosën kur ai ishte në detyrën e teknikut të katërshes, e sollën në Tiranë, me qëllim që të shërbente në aeroplanët e transportit IL – 14, por, rregulli i pashkruar i “bërrylave”, e la të priste, derisa u përfshi në formacionin e Regjimentit të Helikopterëve MI-4, i cili, fillimisht u skedua në letër e u plotsua me kuadro të profileve të ndryshëm të ardhur nga Shkolla e Aviacionit dhe nga repartet analogë. Para se të mbërrinin në vendin tonë tri skuadrile me helikopterë MI-4, nga uzinat kineze, pilotët e shumtë dhe teknikët e specialistët shfrytëzonin ata pak helikopterë që erdhën në Shqipëri, në vitin 1957, nga Bashkimi Sovjetik.
Tajari, fillimisht u emërua zëvëndëskryeingjenier i regjimentit. Kryeingjenier dhe shef i shërbimit ingjeniero- teknik ishte korçari Andon Koroveshi. Regjimenti i Helikopterëve, e nisi jetën, thuajse nga e para. Si specialist i mirëfilltë, me njohuri e shprehi praktike për t’u patur zili, përpara kësaj situate, Tajari nuk mund të rrinte duarkryq. Ai u përfill për të kryer punët më të ngutshme, të domosdoshme për fillimet e një njësie luftarake si Regjimenti i Helikopterëve. Të ardhurit nga Shkolla e Aviacionit dhe të tjerë nga repartet, edhe pse ishin të diplomuar si teknikë, njohuritë për helikopterët i kishin të pakta. Ata dinin shumë për aeroplanët gjuajtës- bombardues, por helikopteri ka veçori, të cilat duhen njohur e duhen respektuar, në praktikë, si nga pilotët dhe nga teknikët e specialistët.
Para së gjithash kërkohej literaturë, skema e makete. Ato ishin në Gjuhën Ruse dhe efektivat nuk mund ti përvetësonin. Tajari, si njohës i përkryer i Gjuhës Ruse, së bashku me shokun e tij të afërt, gjirokastritin Naltor Shehu e të tjerë shokë, iu përfill punës, me seriozitet e me orë të zgjatura, për të përkthyer e për të daktilografuar, konstruksionin e helikopterit, instruksionin e shfrytëzimit të helikopterit dhe konstruksionin e motorroit Ash-82 V, të cilët i lidhi, në formë libri, që të ishin sa më të përdorshëm. Pastaj, duke shfrytëzuar aftësitë e të tjerëve, për të vizatuar, Tajari, drejtoi punën për bërjen e skemave dhe maketeve, që i shërbyen konkretizimit të lëndëve. Për përgatitjen e skemave. Luajtën rol oficerët : Thoma Prifti e Islam Azizaj, si tëtalentuar e të përkushtuar. Veç këtyre, Tajari u vu në krye të kurseve të kualifikimit e të rikualifikimit të kuadrove të profilit pilot dhe teknik , me qëllim që ata të njiheshin me veçoritë e shfrytëzimit të helikopterit MI – 4. Mjaft grupe kuadrosh të profilit teknik që kaluan në “ sitën” e inxhenjer Tajarit, i cili, pas largimit të Andon Koroveshit, u emërua kryeinxhenjer i regjimentit, morën përsipër kryerjen e detyrave delikate të sigurimit të detyrave ajrore të shumta e të vështira.
Nëse do të bëja përpjekje për të bërë një përcaktim, për të cilin nuk jam kompetent, do të theksoja: Lulo Musai ( Spahaj) ndjesë pastë, ka meritën e madhe të ngritjes, organizimit dhe të futjes në udhën e rritjes të Regjimenti të Helikopterëve; nëse Hetem Mehmeti, me këmbëngulje e iniciativë të guximshme, deri në kokëfortësi , u mësoi pilotëve teknikën e pilotimit dhe e nxorri helikopterin nga aerodromi , duke u dhënë krahë detyrave të vështira, atje ku e kërkonte nevoja; Tajar Ramadani ka meritën e pakontestueshme të mbajtjes mbi supe të barrës së rëndë të gatishmërisë teknike, për t’u përgjigjur në kohë e cilësisht, detyrave të shumta e të vështira ajrore. Duke marrë pozicionin e gjyqtarit në këto përcaktime dhe me një gjuhë disi kategorike vetëm dua të nënvizoj atë rol të pashoq që kanë luajtur njerëzit e mësipërm, të cilët, e kryen veprimtarinë në një terren “ pjellor” dhe u bënë “lokomotivë” të zhvillimit dhe e përparimit të regjimentit. Pa pretenduar se thëniet e mija janë kategorike, i bindur se pesha më e saktë është historia, them se të paktën, deri tani, historia e ka mbështetur këtë konkluzion të paanshëm.
Fjalët e mira dhe vlerësimet pozitive, Tajar Ramadani i ka të merituara. Çfarëdo që të thuash e të shkruash për atë njeri, nuk të shkon dëm. Për të qënë i saktë në ato që po shkruaj, duke iu referuar opinioneve të shokëve që kanë shërbyer me të dhe që e njohin më mirë, po ti shkoja në një fill, ato që më thanë ata, në variantin më të shkurtër, do të rezultonte: Dy ” kolona” e mbajnë personalitetin e tij, siç mban sistemi kockor, trupin e njeriut. E para ( sipas meje) është ndershmëria dhe, së dyti; të qënit i drejtë, ekzigjent e largpamës. Do të shtoja se tiparet e njerëzishme të Tajar Ramadanit, janë thesari ( lexo pasuria) më i madh i tij. Prej tyre e kanë rrjedhën gjithë të tjerat. Sikur të bënin pjesë në një kor, të gjithë sa pyeta, më thanë: “ Për kë pyet? Për Tajar Ramadanin; Ai është i pashoq; shkruaj çfarë të duash për të; brenda je” !
Mirë e ka miku im i mënçur por nuk qënka e lehtë kur vjen puna për ti renditur gjërat. Kë të përzgjedhësh në mes të atij togu të madh vlerash që ka Tajari, si njeri e si kapacitet shkencor. E shprehur në mënyrë figurative, Tajarin mund ta krahasoj me një mur të lartë, të cilit, po ti heqësh një tullë, i prishet ekuilibri, hijeshija dhe i paksohet kapaciteti mbajtës. Në optikën time, mjafton që ti radhit vlerat, pavarësisht se në mënyrë kaotike.
Tajari është i ndershëm në të gjitha poret dhe në të gjithë jetëgjatësinë e tij. Ai, dorës i thotë dorë e këmbës –këmbë; në kuptimin që i jep Qesarit atë që është e tij. Bazuar në këtë vlerë të karakterit të tij, në ndershmërinë, pa kufi, Tajari, jo vetëm përcolli për shumë kohë detyrën e kryeingjenierit të Regjimentit të Helikopterëve, por ishte i përzgjedhur, nga më dinjitozët, në organet drejtuese të partisë, në regjiment e në njësi. Po të monitorosh një ditë pune të Tajarit ( e kam fjalën për kohën kur ai punonte në teknikë), mesiguri nuk do të të shpëtojë fakti që ai e shfrytëzon kohën në mënyrë racionale e nuk e le atë të shkojë kot. Tajari është nga ata njerëz që i gjen punë vetes e nuk pret ta caktojnë të tjerët në punë. I lidhur ngushtë me detyrën, Atë nuk e nxinte vendi e nuk mund të largohej nga regjimenti, pa e lënë teknikën ajrore në gatishmëri të plotë për tu çuar në ajër. E kam parë si punonte me orë të zgjatura dhe sa i brengosur ishte kur, konkludohej me vështirësi për të përcaktuar një defekt në helikopter. Ç do njeri që e ka njohur nga afër dhe që ka punuar pranë tij, mepatjetër që ka pikasur se kryeingjenier Tajari, nuk mbante njeri nën sqetull, për Atë drejtues, ishte i mirë ai që punonte mirë, pa bërë dallime e pa u bërë lëshime as shokëve të tij më të ngushtë. Tajari i thosh gjërat me emrin e tyre, pa bërë elozhe e pa glorifikime. Ai është kurajoz dhe guximtar, nga ata njerëz që i thonë gjërat hapët e me emrin e tyre.
Kryeingjenieri i regjimentit kishte gjetur një mënyrë origjinale, të tijën, për të përkrahur, më të dobëtit e më të pazotët. Tajari e kishte metodë pune tu gjendej pranë teknikëve që kishin më tepër nevojë. E cili prej tyre nuk e ndjeu dorën dhe mendjen e atij kapaciteti shkencor? Për këtë tipar të tij “bën gojë” i gjithë Regjimenti i Helikopterëve dhe koha që ka kaluar, as vitet që vijnë, nuk e zhbëjnë dot. Kështu e kuptonte “ heroi” i këtij shkrimi mbajtjen nënë sqetull. Mund të dëshmoj, me përgjegjësi se Tajar Ramadani, në punë e në jetë është mbështetur fort tek elementët pozitivë, si në karakter dhe në profesion. Tajari çmonte shumë kapacitetin intelektual, horizontin dhe përkushtimin në punë të Fatmir Karabojës ( ndjesë pastë); njohuritë teorike dhe përvojën praktike të Jemin Nanajt; bazohej shumë tek përvoja shumëvjeçare e Naltor Shehut, si mjeshtër i madh i shfrytëzimit të helikopterit MI-4; çmonte përvojën e Dajlan Birçes, Petrit Levanajt dhe Gaqo Rrapit ( ndjesë pastë). Nuk mund të anëkalonte zgjuarsinë, intuitën dhe shkathtësinë e Shuaip Malos, Nazmi Sutit, Gjergji Vangjelit, Masar Lëngos, Spiro Mihollarit, ndershmërinë e Ibrahim Kapllanit, Seit Shehut, Shaban Hasimit e Reshit Shkallës etj; disiplinën e lartë e të ndërgjegjshme në punë të Thoma Priftit etj.
Konsultat, tërheqja e mendimit të vartësve dhe mbajtja parassysh e tyre, zinin vend qëndror në metodën e punës të Tajarit. Ai i pyeste vartësit, për punët në teknikë dhe për defektet, i dëgjonte me vemendje mendimet e tyre, të cilat nxitnin fantazinë dhe logjikën e shëndoshë të kryeingjenierit kompetent.
Le të kalojmë në jetën vetjake të tij; pa prekur privatësinë. Në vitin 1964, mbi bazën e njohjes e të pëlqimit, Tajari u lidh me fisniken Dudë Karafil Canodemaj, nga Vranishti i Vlorës. Kur u njoh me të, Tajari shërbente në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë në detyrën e teknikut të katërshes kurse ajo ishte nxënëse, në Shkollën Pedagogjike, në Vlorë. Martesa mes tyre u realizua në verën e vitit 1967, kur Tajari ishte në detyrë zëvëndëskryeingjenier i Regjimentit të Helikopterëve dhe Dudia e kishte përfunduar shkollën pedagogjike e ishte diplomuar mësuese. Dasma u bë në Risili. Nusja u mor me taksi dhe me autobus, e veshur me kostum. Në dasëm, u konsumua mjaft mish i pjekur berri dhe raki e fortë; buçiti kënga labçe e u tund dheu nga vallet e kënduara të kësaj treve. Tajari vajti vetë për të marrë nusen; bashkëfshatarë nga Vranishti, dhe të afërm të dhëndrrit, ishin në karvanin e krushqve. Muajin e “mjaltit”, çifti i ri e përcolli në shtëpinë e pushimit të ushtarakëve, në Durrës; 21 ditë. Ditët e akorduara për këtë qëllim, çifti i ndërpreu, për ti dhënë kohë vajtjes së tyre në Vranisht, fshat, të cilin Tajari e ka dashur dhe e do, pa masë. Për Tajar Ramadanin, e vetmja dashuri në jetë ka qënë ajo lidhje “e shënjtë” me Dudinë.
Çifti i sapomartuar, kaloi nëpër një kalvar të gjatë e shëtiti nga banesa në banesë, deri sa u stabilizua në banesën që i dha Regjimenti, në rrugën “ Ferid Xhajko” etj. Fëmija i parë, Fatosi, u luind në vitin 1968, kur çifti banonte në një dhomë; fëmija i dytë ishte vajzë, Elda; ajo u lind në vitin 1973. Çifti Dudë e Tajar Ramadani, kanë sjellë në jetë dhe kanë rritur e edukuar dy fëmijë të mrekullueshëm, siç janë dhe vetë: Të edukuar, të qytetëruar dhe të shkolluar; shëmbëll në bllok, në lagje e në shoqëri. Ajo çerdhe e “ shënjtë” që u formua nga martesa e çiftit në fjalë jo vetëm që nuk ka përbërë kurrë problem, për komunitetin ku jeton, por ka shërbyer si pikë referimi, e është marrë si shëmbull i mirë.
Tajar Ramadani është modest e nuk pranon, kurrsesi të flasësh mirë për të. Nuk bëhet fjalë për vetëlëvdata nga ana e tij. Edhe kur e intervistova për të bërë këtë shkrim, Ai, më porositi, jo një herë: “ Këtë mos e shkruaj, e atë mos e thuaj”! Modestia e tij të bën me turp, sidomos në një kohë kur po ndeshim çudira e vetëlëvdata të paskrupullta. Modestia e tij bënte beli ( dilte në pah), jo vetëm në jetën e përditshme por sidomos kur fuste duart, i pari, në teknikë dhe vinte në përdorim mëmndjen e tij pjellore për të konkluduar. Aq i thjeshtë është ai njeri, sa rrallëkush e dinte ku e kishte zyrën, mbasi ishte vazhdimisht në terren e në lëvizje dhe nuk i ndahej vendqëndrimit të helikopterëve. Atje ku nuk shkonin mirë punët, aty ku kishte defekt teknik, aty e gjëje Tajarin, jo duke dhënë urdhra, por me llërë përveshur e i menduar, për të gjetur shkaqet e defektit e për ta likuiduar atë.
Nuk e them kot që Tajar Ramadani njihet si një organizator i shkëlqyer i punëve në teknikë. Ai ia di radhën punës dhe njeh rregullin e përparësisë. Horizonti i thellë dhe dijet shkencore, të cilat nuk i kishte për stoli, por i vinte në praktikë, me fantazi e intuitë, i jepnin mundësi kryeingjenierit të Regjimentit, “ta kapte demin, për brirësh” dhe të gjente “ku flinte lepuri”. I bindur se pozicioni i kryeinxhenjerit dhe koha kërkonte që ai të ishte me arsim të lartë teknik, duke qenë në detyrë, Tajari, pa shkëputje nga puna, sakrifikoi shumë dhe përfundoi studimet në Fakultetin e Ingjinierisë Mekanike, të universitetit të Tiranës. Diplomën e Inxhenjerit mekanik, Tajari nuk e përdori kurrë si stoli apo për të thënë “ unë jam me shkollë prandaj dëgjomëni mua”, por i shërbeu si premisë për të depërtuar në brendësi të dukurive që ndodhin në helikopter; në tokë e në fluturim. Prandaj, kur analizohej një e metë teknike, të pranishmit e kthenin fytyrën nga Tajari, jo për tu konfirmuar, por për të konkluduar e për të mësuar. Në këtë linjë ishte dhe specializimi i tij, 2.5 muaj, në Francë, në vitin1985, kur vajti për të përvetësuar helikopterin e kohës, AS- 350.
Shpirti i sakrificës dhe gatishmëria për të dhënë nga vetja, ishin jo vetëm shprehje e karakterit të tij, por dhe një gatishmëri e paparë njerëzore, për të qenë kurdoherë në dispozicion të detyrës. Ai njeri, nuk thosh kurrë : “ bëni kështu e veproni ashtu”, por i pari hidhej në aksion e kërkonte, me të drejtë morale që vartësit ta ndiqnin pas. Një njeri i lidhur ngushtë me punën e me repartin, aq sa në ndonjë rast, “ harronte të shkonte në shtëpi”. Mungesën e tij në familje, si kryefamiljar i saj, e plotsonte bashkëshortja besnike, Duda, e cila ka meritë të veçantë, si për edukimin e fëmijëve dhe për të shtuar praninë e asaj “ çerdheje” fisnikësh , në komunitetin ku jetonte. Besoj se është e tepërt të them se ndershmëria e Tajarit, dukej, ndjeshëm, dhe në një drejtim tjetër, jo të parëndësishëm. Tajari nuk kishte as shënjën më të vogël të korrupsionit e të kompromentimit por, edhe kur uleshim shoqërisht, si kavalier i njohur, Tajari shpejtonte të bënte likujdimin e llogarisë, i pari. Kjo ia rriti personalitetin kryeingjinierit, në sytë e njerëzve, të cilët e dëgjonin dhe e besonin në ato që thosh. Në Regjimentin e Helikopterëve, nuk mund të pretendohet se ka patur pastërti absolute karakteresh. Ndonjëri, madje dhe nga shokët e afërt të Tajarit, manifestonte vese, por Ai, në çdo rast, ka shërbyer si amortizator e faktor frenimi ndaj së keqes.
Personaliteti i Tajar Ramadanit bëhet më i qartë e më i plotë, po të mbajmë parasysh faktin se Ai është i rregullt, i qetë, i matur, njeh kufirin ku ndahen e mira nga e keqja dhe është i ekuilibruar, ka gjykim të thellë; nuk di e nuk do të bëjë keq, nuk përdor fjalor banal dhe nuk e njeh gjuhën e rëndomtë. Tajari është nga ajo kategori njerëzish të mirë, i cili vështron punën e tij e nuk përgojon të tjerët; thashethemexhinjtë dhe servilët janë inati i tij. Ai ka dhe një tipar dallues, të cilin nuk e kanë shumë drejtues: Tajari nuk e shet vartësin dhe shokun, e kjo ia shton vlerat në sytë e njerëzve. Edhe kur të gjen në gabim e të kritikon, Ai drejtues , me kulturë dhe edukatë të shëndoshë, nuk e ngre kurrë zërin e nuk të fyen, por të mëson. Prandaj e duan të gjithë ata që e njohin.
Një tjetër tipar i tij, i cili nuk mund të anashkalohet është bujaria dhe mikpritja. Tajari, si në familje dhe në shoqëri, është bujar . Bujaria e tij buron nga shpirti e nuk është fasadë. Ai është tepër mikpritës dhe dashamirësia ia “ndrin ballin”. Kush ka patur lidhje të ngushta e i ka shkuar në familje Tajarit, mesiguri që ka vënë re se Ai dhe bashkëshortja e tij fisnike, Duda, të bëhen “ kurban” me dashurinë që të transmetojnë dhe me mirësinë që kanë në shpirt. Ky tipar i tyre është transmetuar dhe tek pasardhësit, të cilët janë shëmbull, në çdo drejtim.
Po të vazhdoj me të tillë vlerësime pozitive, të cilët, tek shoku im i mirë janë me tepri, shkrimi do të ishte pa fund. Ndoshta është më e udhës tua lemë vendin vlerësimit të disa shokëve të tij, të cilët kanë bërë emër, në regjiment e në aviacion:
- Naltor Shehu, shok i afërt i Tajarit, prej shumë kohësh dhe aktualisht: “… Tajari është njeri i mirë, nga të gjitha anët. E kam patur dhe e kam, shok të ngushtë. Kemi qënë në të njëjtin grup ( klasë), që nga viti 1958, kur shkuam në Harkov ( Bashkimi Sovjetik), deri më sot. Ishim një grup shumë i mirë dhe e kemi ruajtur shoqërinë. Shokë të ngushtë, Tajari ka patur : Naltor Shehun, Petrit Levanajn dhe Thoma Ngrecin ( ndjesë pastë).
Tajari është i thjeshtë, zemërbardhë e i shoqërisë. Kur shoku ndodhet në rrezik, Ai i gjendet pranë dhe e ndihmon. Tajari është njeri i respektuar dhe i respekton të tjerët. Ai i njeh e i zbaton kufijtë e mirësjelljes. Në familje e në shoqëri, Ai është bujar dhe mikëpritës. Profesionalisht është mjaft i përgatitur, si nga ana teorike dhe nga ajo praktike. Kudo ku ka shërbyer, Tajari ka dhënë kontribute me vlerë. Helikopterin MI-4 e njeh mjaft mirë dhe në punë ka intuitë e fantazi. Është shumë operativ e i përkushtuar në detyrë. Shoqërinë e vjetër nuk e harron!
- Petrit Levanaj, shok i afërt i Tajar Ramadanit: “… Tajarin e kam njohur nga data 7 gusht e vitit 1958, kur shkonim në Bashkimin Sovjetik, me anijen “ Bielloostrov” dhe shoqërinë e vazhdojmë edhe sot e kësaj dite. U nisëm në lundrim, nga porti detar i Durrësit, në një mbasdite, në të errur. Ishte anije për pasagjerë, me dhoma për të fjetur, sejcili më vete. Së bashku me ne, lundronin dhe mjaft femra sovjetike, të cilat bënin turizëm.
Unë nuk kam qenë skënderbegas dhe me Tajarin u njoha kur po pajiseshim me uniformë ushtarake, në Punëtorinë Ushtarake, në Tiranë. Veshja jonë ishte me kostum, me pantallona kilota e me çisme, me këmishë e me kollaro dhe me kapele me strehë gjithëarmëshe.
Në atë anije, në të njëjtin grup lundronim për në shkollën sovjetike të aviacionit, në Harkov ( B.S.), në rolin e kandidatit për studentë: Petrit Levanaj; Tajar Ramafani; Qazim Krasniqi (Muslia ), ndjesë pastë; Stefan Sallaku; Ilija Marjani ( ndjesë pastë); Sami Sokoli ( ndjesë pastë); Dajlan Birçe; Qani Topollaj ( ndjesë pastë); Thoma Ngreci ( ndjesë pastë); Naltor Shehu; Gaqo Rrapi ( ndjesë pastë); Jemin Nanaj ( ndjesë pastë) dhe Apollon Baçe.
Ndaluam në Pire, një orë, aq kohë sa nevojitej për tu furnizuar anija. Dolëm në kuvertë e pamë atë pamje magjike që na shfaqej përpara, megjithse e kufizuar mpër shkak të pozicionit që kishim në atë kalatë. Më tej, anija kaloi nëpër ngushticën e Bosforit , me shpejtësi të zvogëluar e ne pamë Çanakalanë dhe pjesërisht Stambollin. Në portin bullgar të Varnas, i cili është cilësuar: “ qytet i trëndafilëve”, fjetëm një natë, në anije. Dolëm në qytet dhe në port takuam disa dokerë, me origjinë nga Korça, të cilët komunikonin me një shqipe të vjetër. Kuptuam vetëm fjalët : Nuku- nuku, në një shqipëtim vështirësisht të kuptueshëm. Varna ishte mjaft e bukur. Jo më kot e kanë cilësuar atë: “qytet i trendafilëve”. Në qytetin bregdetar të Kostancës ( Rumani), dolëm nëpër qytet. Ishte vapë e rumunët ishin në plazh. Ne, të veshur me uniformë të mbyllur, vetëm sa “ kullotëm sytë”.
Pas shtatë ditë ( netë) lundrim, në datën 15 gusht 1958, mbërritëm në qytetin sovjetik të Odesës. Atë natë fjetëm në një uçilishe ( shkollë e mesme ushtarake ) ku përgatiteshin oficerë këmbësorie. Dolëm në qytet, me grupe të vegjël, sipas shoqërisë, por nuk u larguam nga shkolla ku do të kalonim natën, nga droja se mos humbisnim orientimin. Në çdo cep rruge, caktonim një orientues karakteristik, që të mund të ktheheshim andej nga kishim ardhur. Na lanë ndjesi të mirë, ngrehinat e bukura, të suvatuara nga jashtë e të lyera. Mbresa na lanë dhe rrugët e drejta e të gjëra dhe plazhi i bukur detar, ku pamë dyndje njerëzish.
Të nesërmen e asaj dite, zunë vend në një tren me naftë, i cili ishte i pajisur me kupe për të fjetur. Në atë kohë, në hapësirat sovjetike, lëviznin dhe trena elekrtikë. Në qytetin e Harkovit ( Ukrainë), na priti një oficer i Ushtrisë Sovjetike, i cili mbante gradën e majorit dhe quhej : Sokolov. Me një autobus ushtarak, ngjyrë bari, me turi, shkuam në shkollën e aviacionit, e cila ndodhj në Veri të qytetit, në vendin e quajtur Hollodnije Gori ( lexo: male të ftohtë). Majori Sokolov nuk na u nda as kur shkuam për të pushuar, në Çugunjev, në mes të pyllit, në breg të lumit : Sjevernij Donjec ( lexo: Donjeci i Veriut).
Shkolla jonë ishte e madhe, me katër kate dhe me një portë të madhe hyrëse. Ndërtesat që formonin shkollën, ishin të vendosura në formë drejtkëndëshi, me një portë të vetme. Në të katër katet e shkollës ishin të gjithë mjediset ; për të mësuar, për të jetuar e për t’u argëtuar; të ndarë në kate. Gjashtë muajt e parë të shkollës, e cila nisi në datën 1shtator të vitit 1958, mësuam Gjuhën Ruse. Asnjëri nga ne nuk fliste e nuk kuptonte rusisht, edhe pse kishim të gjithë arsim të mesëm dhe në atë kohë Gjuha Ruse, në shkollat e mesme ishte e detyrueshme. Mësimin e Gjuhës Ruse, e drejtonte një grua, e cila jepte mësim edhe në Universitetin e Harkovit. Ajo ishte me nivel të lartë dhe kishte metodë bashkëkohore mësimdhënie. Tamara, ishte me moshe rreth të pesëdhjetave, mjaft serioze dhe dashamirëse, me origjinë nga çifutët e Armenisë.
Mësimin e gjuhës e vazhduam dhe më pas, por vetëm 2-3 herë në javë. Kabinetet mësimorë ishin të bollshëm e të kompletuar, njëlloj si auditorët e universitetit. Ata ishin të pajisur me literaturën e nevojshme, me skema e makete dhe me gjithë bazën materiale të nevojshme për të konkretizuar mësimet.
Fillimisht, lëndët bazë, me të cilat i nisëm mësimet ishin: Matematika, fizika, kimia, përgatitja fizike dhe ajo rrjeshtore. Kur nisëm të kuptonim rusisht, na u shtua n lëndët: Teoria e fluturimeve; teoria e motorrit; konstruksioni i motorrit dhe konstruksioni i helikopterit.
Qyteti i Harkovit ku ishte shkolla jonë ishte i madh e i bukur. Vizituam uzinën e traktorëve ku, në 24 orë prodhoheshin 80-100 traktorë me zinxhirë të destinacioneve të ndryshëm. Në qytet qarkullonte tramvaji dhe trolejbuzët. Në ditët e shtuna, mbasdite dhe të dielave, para e mbasdite, dilnim në qytet, me liridalje. Dita e hënë quhej: “e hëna e zezë”! Pedagogët, të hënave, si rregull, na pyesnin , me dashje. Në qytet, në sheshe të posaçëm, të shtunave mbasdite dhe të dielave, në të njëjtën kohë, organizoheshin mbasdite vallëzimi . Ne merrnim pjesë në to, qëndronim pak e ktheheshim në shkollë.
Tajari, si kur ishte në shkollë dhe më pas, shquhej nga ne të tjerët. Ai, në shkollë ishte i rregullt e i vullnetshëm në mësime. Në shoqëri është gojëëmbël, me të gjithë. Ai nuk prishte qejf, si me shokët dhe me pedagogët. Dallohej për rregull e disiplinë, për korrektesë e i matur në gjykime. Shquhej sidomos në gjimnastikë dhe ishte mjaft aktiv në të gjithë elementët e përgatitjes fizike. Që në atë kohë, Tajari shquhej në vglat gjimnastikore; bënte diellin , kipin etj. Ai ishte “ Njësh” edhe në gjimnastikë.
Kur u diplomua teknik helikopteri dhe u gradua toger, në muajin gusht të vitit 1961, Tajari u kthye në Shqipëri. Mbasi qëndroi disa muaj në dispozicion, në muajin shkurt të vitit 1962, Tajari u emërua në detyrën e teknikut të katërshes, në skuadrilen me helikë të Shkollës së Aviacionit, në Vlorë, e cila sapo ishte rihapur. Ai u rikthye në helikopoter, në pranverën e vitit 1967, kur u formua Regjimenti i Helikopterëve. Fillimisht, u caktua në detyrën e zëvëndësktyeingj enierit të regjimenti dhe më pas në atë të kryeingjenierit.
Tajar Ramadani, gjatë gjithë jetës aktive, si mjeshtër në profesion, mbeti i rregullt, i disiplinuar, kompetent, kërkues, pa tolerancë në çështjet teknike e në jetë. Ai nuk i ndante çështjet teknike në “ të vogla “ e në “ të mëdha” por i çmonte, të gjitha dhe bënte analiza të thella për çdo shfaqje apo dukuri , që kur lindëte.
Tajar Ramadani, dinte të bënte dallimin mes shoqërisë dhe detyrës, sillej mirë e me korrektesë me të gjithë. Përkushtimi i tij i pazakontë në detyrë, shfaqej dhe në mënyrën si e transmetonte profesionin tek ata që kishin vështirësi për ti kapur gjërat. Nuk dinte ti bënte keq njeriu e nuk dinte ta ngrinte zërin, edhe kur të gjente në gabim. Tajari ka qenë i dashur e irespektuar, nga të gjithë. Ai nuk lëshonte kurrë fjalë të pamatura por kish takt, në marrëdhënie me vartësit dhe me eprorët. Të rinjtë në profesion i ndihmonte, të dobëtit i kishte pikë të dobët. Tajarit nuk ia gjëje shokun për shpirt sakrifice. Ai nuk largohej nga rparti, pa likuiduar parregullsitë që shfaqeshin tek helikopterë të veçantë. Nuk e kishte ndjesinë e krahinarizmit, por sillej njëlloj me të gjithë, me edukatë, kulturë dhe pjekuri.
Shokun tim të ngushtë e njoh dhe në jetën familjare. Ai është një bashkëshort e prind “shëmbullor”. Si vajzën dhe djalin i ka edukuar e formuar si vetja. Të dy janë me arsim të lartë dhe dallohen për edukatë e sjellje qytetare.
Tajari nuk merret me thashetheme e nuk përgojon njeri. Ai nuk është nxitës i grindjeve dhe nuk ka cmirë, por është zemërgjerë e shpirtmirë. Tajari “ nuk të jep” dhe është gojëkyçur. Gëzon shëndet të mirë, është i shkathët e i zhdërvjellët, si në rini dhe lëviz shumë. Nuk mban njeri nën sqetull, urren servilizmin dhe nuk i shikon dot me sy ata që bëjnë lajka. I uroj jetë të gjatë dhe e shoqëroftë gëzimi, gjatë gjithë jetës, siç ka shpirtin.
- Nustret Bilani, ingjenier mekanik, pilot, shok i Tajarit: “… Është gjë e bukur dhe një detyrim shoqëroR, të përshkruash figurën e shokut tënd, të cilin e njeh prej më se 50 vitesh, në punë e në jetë.
Tajar Ramadanin e njoh nga viti 1964 kur nisa Shkollën e Aviacionit. Rrethanat bënë që, pas disa vitesh të gjendeshim në të “ njëjtën llogore”, në Regjimentin e Helikopterëve, në Farkë. Fjalëpak e punëshumë, Tajari gëzonte dashurinë dhe respektin e të gjithëve, në regjiment. E donin njerëzit, për arsye se Ai, vazhdimisht gjendej pranë tyre, pranë teknikës helikopter, pavarësisht nga koha e nga moti. Niveli i lartë profesional, të qënit i rregullt e i disiplinuar, njeri i punës e jo i fjalëve boshe, kërkues , njeri me takt e dashamirës, ishin disa piketa që e bënin Tajarin njeri të dashur e të mirëpritur, nga të gjithë, edhe kur të kritikonte për çështje pune. Atij njeriu nuk i zëmërohej askush. Karakteri i tij kërkues dhe me sytë nga e reja, bënë të mundur që edhe kur ishte në detyrën e kryeingjenierit të regjimentit dhe u bë me fëmijë, kur e ndjeu veten “ ngushtë”, në kuptimin se dijenitë e tij shkencore i dukeshin të pamjaftueshme për tu dhënë udhë problemeve të ndërlikuara teknike, A,i në moshë të pjekur nisi studimet e inxhenjerisë mekanike, në Universitetin e Tiranës, pa shkëputje nga puna dhe ia doli me sukses.
Kam patur fatin ta kisha pranë edhe gjatë kohës që vijonte studimet, në të njëjtin fakultet me mua dhe të shumtën e kohës studionim bashkë. Më pëlqente dëshira dhe këmbëngulja e tij, për tu futur në çdo skutë të dijeve shkencore. Ai studionte me orë të zgjatura; kishte raste, deri në 12 orë në ditë, duke qëndruar pingul mbi libra. Përfitova mjaft nga durimi, këmbëngulja dhe nga metoda e tij e të studiuarit.
Tek Ai njeri , pashë një drejtues shërbimi me kërkesa të larta, ndaj vetes e ndaj vartësve, një kuadër i cili ishte vazhdimisht pranë punës e mes njerëzve që i shërbenin teknikës ajrore. Tajarin e veçoj nga të tjerët, për shpirtin e sakrificës dhe përkushtimin që kishte në punë. Ai njeri e bënte natën ditë e nuk largohej nga vëndqëndrimi i helikopterëve, pa verifikuar gatishmërinë e çdo maqine fluturuese për tu çuar në ajër. Kur komunikonte me njerëzit, Tajarin nuk e pashë kurrë të ngrinte zërin e të urdhëronte, me tone të ashpër. Ai dallohet për fjalën e ëmbël, shpirtin e pastër dhe si një burim mirësie. Edukata e shëndoshë qytetare, kultura e punës dhe thellësia e mendimit, gjykimi i qetë e i paanshëm, janë disa tipare të tij. Zyra e tij ishte vendqëndrimi i helikopterëve; vendi i tij ishte mes njerëzve që menaxhonin helikopterët të cilët i mblidheshin “ si bleta lules”, për të mësuar diçka e për të gjetur udhën e zgjidhjes të parregullsive.
Nuk mund të le pa thënë se Tajar Ramadani është njeri me interesa dhe vështrim përpara. Ai është një lexues i rregullt, jo vetëm i literaturës tekniko-shkencore por dhe asaj politike dhe artistike; njohuritë e tij në këto fusha , të bejnë të skuqesh.
Kujdes e vemendje të veçantë, Tajari i kushtonte familjes e në veçanti mirërritjes dhe edukimit për së mbari të dy fëmijëve, të cilët janë “dy yje” që shkëlqejnë. Ndihem mirë që kam një shok të tillë, prej më se 50 vitesh. Kur diskutonim për dukuri e çështje të ndryshme, të çdo sfere qofshin, tek Tajari dalloja forcë mendimi, gjykim të qetë, propozime të dobishme e të gjetura , për ndreqjen e mangësive.
Përmbledhtas: kështu e kam njohur dhe e njoh shokun dhe mikun tim të mirë Tajar Arap Ramadanin, të cilit i uroj shëndet e jetë të gjatë e aktive…!
- Vebi Punavija, ish inxhenjer skuadrile, koleg dhe vartës i Tajar Arap Ramadanit: “… Tajarin e njohnga viti 1955, kur ishim në Shkollën e Mesme Ushtarake “ Skënderbej”, në Tiranë. Në atë kohë ishim në të njëjtin vit , por në klasa paralele. Që në ditën e parë të shkollës, tek Tajari pashë një djalë të mirëedukuar e shumë të sjellshëm.
Në vitin 1966, Tajari ishte me shërbim në Vlorë; me detyrë teknik katërshe , në Skuadrilen e aeroplanëve me helikë, të Shkollës së Aviacionit, së bashku me shokun e tij të afërt Thoma Ngreci.
Në fund të vitit 1967, në kohën kur u formua Regjimenti i Helikopterëve, në Farkë, Ai u caktua në detyrën e zëvëndëskryeingjenierit të repartit. Shef i shërbimit inxhenjero-telknik dhe kryeinxhenjer i regjimentit ishte Andon Koroveshi. Pas daljes në pension të Andonit , Tajari e zëvëndësoi atë në detyrën e kryeingjenierit, detyrë të cilën e kreu, me nder, deri në vitin 1992, kur doli në rezervë.
Tajar Arap Ramadani është i veçantë. Së bashku, kemi patur marrëdhënie pune dhe familjare. Ai, në marrëdhënie me njerëzit është njerëzor e shpërfaq virtyte të larta. Kur përfilleshim për të diskutuar një problem, Ai të dëgjonte deri ne fund; pastaj fliste, bënte konkluzionet e diskutimit dhe vendoste. Tajari është besnik e fjalëmbajtur; Ai nuk merret me llafe të kota por vështron punën. Kam qënë vartës i tij dhe shok, në të njëjtën kohë, por nuk më bënte lëshime; Ai më kërkonte llogari, njëlloj si të tjerëve. Kështu vepronte dhe me shokët e tij të shkollës; me Dajlanin; me Petritin; me naltorin; me Gaqon dhe me të gjithë shokët e shkollës, të cilët i kishte patur në të njëjtën klasë, në Harkov e në Krasnodar.
Në punën e Tajar Ramadanit, binte në sy , talenti i tij si organizator e drejtues i rrallë i punëve në teknikën fluturuese. Njohuritë e thella shkencore, fantazia dhe intuita teknike e zhvilluar, vullneti dhe këmbëngulja për tu shkuar gjërave deri në fund, bënin që aftësitë drejtuese të tij të ishin nga më të përsosurat. Janë të rrallë njerëzit si Tajari, me atë vullnet e përkushtim dhe me të atillë ndjenjë përgjegjësie për detyrën. Tajari nuk nënvleftësonte, as nuk anëkalonte edhe dukuritë më të vogla negative, që në shfaqjet e para, pa e lënë çështjen “ të majisej”. Ai ka vullnetin dhe durimin për tu shkuar gjërave, deri nëfund. Konsultën me teknikët e me specialistët , Tajar Ramadani e kishte metodë pune, dhe jo formalisht. Në punë e në jetë, Tajari ishte mjaft konkret . Ai i njihte mirë vartësit e tij, dinte prirjet dhe aftësitë e tyre, u qëndronte më pranë, atyre që paraqitnin dobësi në punë.
Karakteristikë dhe e veçantë, në praktikën e punës të Tajar Ramadanit ishte mbështetja tek elementi pozitiv. Ai përkrahte dhe mbështeste mendimin e më të përparuarve, teksa u gjendej vazhdimisht pranë dhe ndihmonte ata që qëndronin prapa shokëve. Ata që e kishin kokën plot dhe mendjen e mbanin tek mbarëvajtja e punëve, Tajari i kishte për zemër dhe mbështetej fort në përvojën e tyre. Meritë të veçantë ka Tajar Ramadani, në çështjen delikate të v endosjes dhe ruajtjes të disiplinës tekniko- shkencore. Roli i tij për mbajtjen në gatishmëri të helikopterëve MI-4 është i paparë e i pakrahasueshëm. Tajari ishte i përparuar në mendime dhe merrte anën e të resë.
- Seit Shehu, teknik treshe, vartës i Tajar Ramadanit: “ …Tajar Ramadanin e kam njohur, në punë të përbashkët, për një kohë të gjatë, derisa doli në lirim, nga Ushtria. E kam njohur si një punëtor të palodhur; të aftë, korrekt e me kërkesë llogarie të fortë. Ai ishte mjaft i lidhur me njerëzit, të cilët e donin dhe e respektonin, dhe Tajari ua shpërblente me të njëjtën “ monedhë”. Tajari ishte i papërtuar dhe tepër rigoroz; për çështjet teknike nuk të falte. Ndërhyrjet e tij ishin me takt e me mirësjellje. Kur të gjente në gabim, të këshillonte, pa ngritur zërin. Kur të gjente në gabim, Ai të këshillonte; kur e meritoje të fliste edhe rëndë, por prej tij, askujt nuk i mbetej hatri, sepse Tajari kishte intuitë teknike të zhvilluar dhe vinte mendjen në punë, jo pasionin për punën. Tajari gjykonte thellë e nuk merrej me thashetheme, nuk përgojonte njeri e nuk pajtohej me servilizmin dhe përunjjen. Me njerëzit ishte i hapët dhe fliste pa dorashka; në veçanti kur bëhej fjalë për punë teknike.
Karakteristikë e Tajar Ramadanit ishte sjellja mjaft e mirë me vartësit dhe qendrimi pranë tyre; për ti ndihmuar e për tu kërkuar llogari për punën. Ai mbështetej tek elementi pozitiv dhe inkurajonte të përparuarit dhe guximtarët. Tajari ta jepte zanatin dhe kishte predispozicion për të ndihmuar të dobëtit. Ai nuk mbante njeri nën sqetull; për të ishin të gjithë njëlloj. Sido që të kritikonte kur bëje gabime dhe të fliste ashpër, Tajar Ramadani nuk të mbante mëri e “nuk të shiste”. Edhe pse kishte mbaruar shkollë të lartë, nuk dallonte nga vartësit mbasi ai i fuste duart i pari në teknikë, pa përtuar e pa patur ndot të përlyhj me vajra e me graso.
Tajari nuk ishte inatçi e nuk të mbante mëri dhe për të ishte e panjohur hakmarrja. Tajari i jepte hakun kujtdo sipas meritave, jo sipas rrethanave shoqërore me personin; kërkesën e llogarisë e kishte të njëllojtë për të gjithë. Një njeri pa vese, i cili e kishte mendjen tek puna; e donte shumë punën në teknikë dhe ishte i përkushtuar e me sedër të madhe, për ti parë helikopterët MI-4, përherë të gatshëm për tu çuar në ajër. Lëvizte mjaft nëpër repart e kishte situatën në dorë dhe i rrinte punës mbi kokë.
– Uroj ta ketë jetën të gjatë, të gëzuar e të qetë!
6) Mustafa Cici, pilot, i klasit të dytë, bashkëkohës i Tajarit: “… Tajari është njeri “ Nobël”! Ai është njeri i punës; organizator i “ shkëlqyer”; në marrëdhënie me njerëzit është shumë korrekt dhe dashamirës. Kështu ishte me cilindo nga efektivat, jo vetëm me një pjesë të tyre. Tajari i njeh mjaft mirë problemet teknike dhe, me horizont e intuitë shkencore u futet atyre në thelb. Ai i orientonte vartësit të bënin punët e nevojshme e nuk i linte ata të vërtiteshin kot e të “ humbisnin” në cikërrima.
Tajar Ramadani, duke njohur tipin tim, më ka ndihmuar për të zënë pozicionin e duhur në funksionin që mbaja. E kam parë nga afër gatishmërinë e tij për të ndihmuar të tjerët. Këdo që ishte nevojtar për ta ndihmuar, Ai i gjendej pranë dhe e ndihmonte. Ruaj respekt për atë njeri të thjeshtë e dashamirë, të cilit nuk i gjendet shoku. Tajari është njeri i ditur dhe mjaft i mirë në shpirt.
- E përshëndes, e falenderoj për atë që ka bërë, për mua e për të tjerët; i uroj gjithë të mirat!
- Ibrahim Kapllani, ish teknik treshe, koleg dhe vartës i Tajar Ramadanit: “ … Tajarin e njoh nga viti 1969 e në vazhdim… Ai është mjaft korrekt, i thjeshtë e nuk e reklamon punën që bën. Tajar Ramadani është vetëvetja. Më ka lënë mbresa, në veçanti komunikimi i njerëzishëm dhe të folurit hapët, me njerëzit. Ai njeri, ka si veçori se i përgjigjet së mirës me të mirë. Në punë e në jetë është korrekt, i qetë, dashamirë, jo inatçi e zëmërak. Tajari është njeri me vullnet e këmbëngulës për tu shkuar punëve deri në fund. Tajari flet pak, por thotë shumë, në ato pak fjalë. Është konçiz në ato që thotë, nuk merret me thashetheme e nuk përgojon njeri. Përgojimi i të tjerëve nuk është në natyrën e tij.
Tajari i njeh mirë njerëzit me të cilët punon, di, në hollësi tiparet e karakterit të tyre, aftësitë, prirjet, kapacitetet dhe pikat e dobëta të tyre. Njerëzit i peshon e i çmon siç janë, pa paragjykime e pa stereotipe. Kur bisedon me njerëzit është i hapët dhe ka guximin për ti thënë gjërat në sy e me emrin që kanë. Mban qëndrim autokritik dhe njeh gabimet e tij; mirëpret verejtjet e të tjerëve. Ai urren servilizmin e nuk është konformist. Nuk mban njeri nën sqetull; është i drejtë e i ndershëm “ ke Zoti”! E kujtoj si u gjendej në ndihmë nevojtarëve, kishte prirje për tu qëndruar më pranë jugorëve.
Kur ndodheshim së bashku, në kolektiv, shfaqej si kavalier e nuk i duronte qelepirxhinjtë. Në detyrë i kishte fshirë kufijtë e hierarkisë e nuk mbante distancë me vartësit. Tajari ka shpirt praktik dhe kërkon zgjidhje sa më të kuptueshme e më të pranueshme. Me vartësit mban marrëdhënie të ngrohta e të çiltra por kishte raste të besimit të tepruar tek ndonjëri. Shpirtin, kur ishte në funksionin e kryeingjenierit të regjimentit e kishte në vendqëndrimin e helikopterëve dhe lëvizte shumë nëpër repart; Ai ishte mjaft operativ. Atyre që kishin paraqitur dobësi në punë, u qëndronte pranë e i ndihmonte të orientoheshin drejt. Me horizontin shkencor e me intuitën që ka, u jepte udhë edhe problemeve më të vështirë teknike. Tajari ka forcën e analizës e të depërtimit në thellësi të dukurive teknike. Tipar dallues i tij është thjeshtësia dhe marrja e mendimit të vartësve. Tajar Ramadani është në të njëjtën kohë mësues dhe nxënës i mirë. Konsultat me vartësit zinin vend kryesor në metodën e tij të punës. Në gjykimin e gjërave, Ai mbështetej tek elementi pozitiv e tek ata me përvojë të gjatë në punë. I donte shumë njerëzit dhe punonte për ti bërë ata, si vetja.
- Vangjel Nakuçi, pilot i klasit të dytë, ish komisar i Regjimentit të Helikopterëve: “ … Tajar Ramadanin e njoh prej shumë kohësh, që prej vitit 1961, kur, së bashku ishim kursantë në Bashkimin Sovjetik. Ndonëse ishte i ri në atë kohë, Tajari dallohej prej shokëve për këmbëngulje e vendosmëri, në drejtim të përvetësimit të thellë të njohurive teorike e të proçeseve praktike në helikopterin MI-4. Dijenitë që fitoi në shkollë, Atij i shërbyen si një fillim i mbarë për drejtimin e shërbimit ingjeniero-teknik të aviacionit helikopter. Më vonë, me përvojën dhe horizontin që fitoi, ky shërbim u kthye në qëllim dhe kënaqësi, për jetën e tij.
Tajari, hap pas hapi, duke mësuar; në udhën e jetës, u rrit e u bë njëri nga inxhenjerët më të mirë, të regjimentit e të aviacionit. Ai, me kompetencë, u jepte udhë shkencërisht çështjeve të ndërlikuara të teknikës ajrore që kishim në shfrytëzim. Tajar Ramadani, i papërtuar e me pasionin që e karakterizon, në çdo orë të ditës ( natës), gjendej pranë menaxherëve të helikopterëve, merrte pjesë aktive për likujdimin e mangësive teknike; e thoshte fjalën me kompetencë e ajo dëgjohej e merrej parasysh . Në marrëdhënie me vartësit, Tajari ishte mjaft i afërt dhe kjo afërsi e bënte atë më të dashur e më të pranueshëm, mes tyre.
Tajari ishte drejtues i lartë i sektorit ingjeniero-teknik dhe fjala e tij e mençur e me horizont peshonte rëndë në praktikën e organizimit e të drejtimit të proçeseve të punës. Ritmin e lartë të punës, Ai e ruajti edhe pas daljes në pension. Angazhimi i tij në punë të ndryshme ndikoi fuqishëm për rritjen e mirëqënies të familjes së tij – model.
-I uroj Tajar Ramadanit jetë të gjatë, të gëzuar e të lumturuar!
Mund të kisha pyetur dhe të tjerë njerëz që kanë punuar pranë tij; jam i bindur se me cilindo që të bisedoja për Tajar Ramadanin, do të shprehnin vetëm opinione pozitive, si këto që ju paraqita. Njëherazi, kam bindjen se vetë Tajari, si njeri modest, nuk do ti mirëpresë fjalët e mira që u thanë për të. Kjo është punë e tij, por ato që thanë shokët janë vetëm një e vërtetë, me vlerën e aksiomës.
E pilog .
Tajar Arap Ramadani, për gati 50 vjet, mbajti mbi supe barrën e rëndë të drejtuesit të shërbimit ingjeniero-teknik të Regjimentit të Helikopterëve MI-4, me disiplinë shkencore dhe me ekzigjencë të pandodhur më parë. Duke marrë pozicionin e gjyqtarit në këtë çështje dhe me një gjuhë disi kategorike, vetëm dua të theksoj atë rol të pashoq që ka luajtur ai njeri i jashtzakonshëm, i cili u shndërrua në lokomotivë të zhvillimit e të përparimit të shërbimit inxhenjero-teknik, në repart e më gjërë. Nuk pretendoj të them gjëra të pathëna por, vetëm pohoj një të vërtetë, të cilën e kam prekur dhe jo vetëm në një rast. Historia është gjykatësi më i drejtë e më i paanshëm; në rastin tonë, ajo është në anën e Tajarit e , mesiguri që do ta thotë fjalën.
Të vlerësuarit me objektivitet e paanësi, i jep kryeingjenierit, atë që i përket vetëm atij; cmira, xhelozia e sëmurë, subjektivizmat gjithëfarëshe për këtë çështje, vetëm sa shkaktojnë çoroditje , paqartësi e amulli. Tajar Ramadani është njëri nga specialistët më të njohur e të mirënjohur: kokëplotë e vazhdimisht në kërkim të së resë progresive; Ai përherë është radhitur në anën e së resë përparimtare për të cilën ka këmbëngulur vazhdimisht. Mirë e ka thënë tekniku i helikopterëve MI-4, veterani Viron Troqe, me banim në Amerikën e Veriut, i cili, kur e pyeta për shefin e tij të dikurshëm, me pak fjalë dëftoi një histori të tërë gati 50 vjeçare. Mes vlerësimeve të tjera, Vironi theksoi: “… Po të ishte e mundur të bëhej një klasifikim i specialistëve të aviacionit, Tajarin do ta rrjeshtoja në pesë të parët e dhjetshes së parë…”.
Të tillë përcaktim, sipas opinionit tim, e ka shkruar vetë kryeinxhenjeri i Regjimentit të Helikopterëve me personalitetin e tij kompleks dhe të kompletuar. Tajari, në Regjimentin e Helikopterëve, ku shërbeu, gjatë, “ka ngulur piketa” të cilat nuk i lëkund dot, as koha; as njerëzit, sido që të ndodhë. Ato janë të vlefshme dhe për shërbimet ingjeniero-teknike të reparteve të tjerë të aviacionit. Jetëgjatësia e tyre, ka të bëjë me parimet bazë shkencore ku bazohen, mbi të cilat është ndërtuar dhe funksionon vetë teknika ajrore. Puna në teknikë, kontrolli, përgatitja e mjetit ajror për të fluturuar, likuidimi i defekteve, analizat etj, janë proçese të bazuar në shkencë, prandaj, në zbatimin e tyre nuk mund të lejohet liberalizëm e dilentatizëm. Jashtë normave shkencore dhe rregulloreve e instruksioneve teknike, gatishmëria e mjeteve fluturuese është e pamundur.
Në mes të vitit 1992, pa plotsuar moshën për të dalë në pension pleqërie, Tajar Arap Ramadani, me gradën e nënkolonelit mbi supe dhe me një barrë eksperiencë, u nxorr në rezervë. Ai u largua nga Regjimenti i Helikopterëve por mendjen “ e la atje”. Nostalgjia për helikopterin MI-4 dhe për menaxherët e tyre, të cilët i kishte e i ka, mjaft për zemër, vazhdon, sot e kësaj dite. Tajari u largua nga “ foleja” që ngriti nga e para, me shumë sakrifica, të cilën e ngriti në lartësitë që meritonte dhe e bëri të njohur e të kërkuar në të gjithë vendin, por aktivitetin nuk e ndërpreu, për asnjë çast. Kudo ku shkeli këmba e tij, si këtu në Shqipëri, ku Ai u rrit e u moshua dhe në Greqi, pas nxjerrjes në rezervë ku punoi gati 10 vjet, nostalgjia për Farkën dhe për ata me të cilët punoi e u rrit mes tyre, e shoqëroi kudo.
Tajar Ramadani nuk mund të qendrojë në një cep, i tërhequr e të bëjë vrojtuesoin. Ai është rritur me punë dhe “ i hanë duart për punë”. Tajari ia gjen vetes punën e nuk pret ta aktivizojë dikush, Ai është vazhdimisht në kërkim e në aplikim; përshtatshmëria e tij është fantastike. Si kur banonte në Athinë dhe kohët e fundit, kur banon në Vlorë, Tajari duke ushtruar tregtarin e vogël, po kontribuon, ndjeshëm për rritjen e nivelit të jetesës të familjes së tij, e cila është për tu patur zili. Ai është i rrethuar nga të tijët, nga miq e shokë të shumtë, të cilët e duan shumë e nuk e harrojnë. Rrallë gjen njerëz të moshës së tij të ketë atë vitalitet e të tillë përkushtim. Gjuha Ruse dhe Gjuha Greke, të cilat i zotëron, si me shkrim dhe me të folur, i vijnë në ndihmë për zbatimin e punëve të mira që bën.
- I dëshiroj e i uroj mikut tim të mirë: Jetë të gjatë e mos pastë pleqëri për atë “gjeni” !
Shkroi Niazi Nelaj, shok i Tajarit
Në Tiranë: shtator- tetor 2017
Shkrim shume I mire per nje njeri dhe inxhinier model. I uroj Tajarit shendet dhe lumturi ne kete moshen tone te pleqerise.
Nderim per Zotin Tajar Arap Ramadani , heroin e ketij shkrimi dhe nderim per Zotin Niazi Nelaj per kete shkrim te bukur, te paster e te qarte.