Të nderuar pjesëmarrës, në këtë ceremoni lamtumire! Po ndahemi, përgjithmonë, nga një njeri shumë i nderuar, nga i miri Fadil Nexhip Lelaj.
Çdo ndarje nga jeta, le mjaft dhimbje e brenga, pas. Ato nuk i ngjajnë njëra-tjetrës e përjetohen në forma e me intensitete të ndryshëm. Por dhimbja mbetet dhimbje. Tek ata që e ndiejnë më tepër, ajo është më e thellë e zgjat më shumë, në kohë. Të ndierin Fadil Lelaj, e donin dhe e nderonin gjithë sa e njihnin. Se i tillë ishte Ai. Fadili i kish bërë vend vetes e kish lënë gjurmë, kudo ku shkeli e kudo ku shërbeu, në mbrojtje të Atdheut. Tiparet e rralla humane dhe jeta aktive që përcolli mbeten mbresëlënëse dhe frymëzuese.
I lindur në një familje të varfër fshatare me tradita atdhetarie të spikatur, në Kuç të Kurveleshit, më 14 janar të vitit 1942, Fadili u rrit e u mëkua me ndjenja të forta Atdhetarie shqiptare e me ndjenjë komunitare. Në Shkollën “ Skënderbej”ku mësoi 5 vjet, Ai ishte i pari i klasës dhe e përfundoi shkollimin me “ medalje ari”.Vijoi Akademinë ku përgatiteshin inxhenjerë llokacioni , në Harkov ( BS), por, një urdhër mizor, e ktheu në Atdhe, pa përfunduar shkollën , duke ia prerë ëndrrën , në mes.
Zemërimi i “ shefave kapriçiozë”, e dërgoi ushtar, në ishullin e Sazanit. Kur u doli inati “ shefave inatçinj”, Fadili hyri në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, ku u diplomua teknik aeroplani. I emëruar në Regjimentin e Rinasit, Fadili u njoh si menaxher i dy aeroplanëve Mig-19 PM. Më Pas kreu një specializim, në Kinë, për shfrytëzimin e avionëve të sofistikuar të kohës Mig-21.
Bazuar në tiparet e tij të qënësishme, mes të cilave shëndrinte besnikëria, rregullsia dhe aftësia organizuese e drejtuese, Ai u caktua të menaxhonte materialet teknike, shumë të kushtueshme të aviacionit. Edhe “ qumësht dallëndyshe” gjeje në depot teknike që kish nën kujdes Fadili por jashtë tyre nuk dilte asgjë, jashtë rregullit. Fadil Lelaj do të mbahet mends si një menaxher i aftë e me dorë të shtrënguar.
Mosha e tretë nuk i erdhi siç do ta donte e siç e meritonte. Ai u përball me fatkeqësi, të cilat i ranë mbi supe njëra pas tjetrës. Karakteri i fortë burrëror dhe formimi i plotë si njeri, bënë të mundur ti vështronte në sy fatkeqësitë e të fitonte, mbi to.Shokët i donte shumë dhe ata “linin kokën” për të. Lumturohej, i ndritnin sytë e gjallërohej, sa herë i vinin shokët, për ta parë, kur Ai lëvizte me vështirësi.
Në çdo rast, në ditë të mira e në të tjera të vështira Fadili ndjeu nga afër, të ngrohtë ekurajondjellëse kujdesin dhe dorën e vëllezërve : Shaqirit e në veçanti të Fatmirit, i cili iu bë Fadilit, nënë e babë.
- Na le shpejt e kur nuk e pritnim largimin tënd, o shoku ynë i mirë Fadfil!
- Të qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë!
- Ipaharruar qoftë kujtimi i të mirit Fadil Nexhip Lelaj!
- Për të nderuar kujtimin e tij, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje!
- Ti rrojnë fëmijët dhe gjithë sa la pas!
Formuloi dhe mbajti Niazi Nelaj, shok i tij.
Në Tiranë, më 10 korrik 2017