Rrapo ëndërrimtari nuk e harron “ bukën e vjetër”

( Historia e një ëndrre të parealizuar)

Një emër jo aq i njohur e aspak i komentuar në Aviacionin Shqiptar.  Kontributi i tij si fluturues ka diçka të veçantë; ndoshta të pa përsëritshëm. Ai nisi të lundrojë nëpër qiell, në vitet -1960 dhe 1961,pjesërisht në Shqipëri e pjesërisht jashtë vendit, atëherë, kur fluturuesit në vendin tonë numëroheshin me gishta. E nisi dhe e rifilloi, me shumë dëshirë fluturimin por, udhës u zhgënjye, për shkaqe që nuk vareshin prej tij.  Aviatorët e shumtë të pas këtyre viteve, nuk e njohin Rrapon, mbasi nuk kanë qenë pranë tij; ata që e kanë njohur, në atë kohë, mundet edhe ta kenë harruar  dhe asnjeri nuk ka shkruar për të. Me sa duket, ata që merren me këtë punë, kanë qenë mjaft të ngarkuar e nuk u ka premtuar koha të merren dhe me kontribute  afatshkurtër. Gjithsesi, kjo shënon një mangësi, e cila, kërkon tjetër qasje; pse jo dhe korrigjim.

Në këto që po shkruaj, kam një merak: Njeriu, në çdo profesion që kryen, jep atë e aq sa mundet, por mundi i tij nuk duhet të humbasë. Opinioni im është i tillë: në çdo rast e për çdo punë, ai që ka derdhur djersë, aq sa ka mundur, nuk është e mundur ti ketë bërë të gjitha gjërat, keq. Detyra e  studiuesit të mbarë është të qëmtojë e të evidentojë, mes miellit që ka në magje, ajkën e tij dhe me të të bëjë ato prodhime, që i përshtaten. Mes krundeve, ka dhe ajkë e cila duhet veçuar si e tillë. Në të kundërt, do të rrëshqasim në barazitarizëm e në uniformitet. Zotësi është të gjesh atë që është pozitive edhe kur më pak pozitivet e kanë “mbytur “ e i kanë zënë frymën.

Kjo monografi, sido që është, bën fjalë për jetën e një njeriu të mirë, i cili, me ëndrra  për të kapur maja  në shkencën e aeronautikës, i nisi me vullnet e vrull rinor, fluturimet, por u detyrua të largohet prej tyre, për shkaqe banale dhe të dyshimta. Mendoj se për të duhet shkruar, edhe pse pak kohë u ngjit në hapësirë, por për faktin se ato janë gjurmët e tij e nuk i ngjiten një tjetri. Le ti japim Qesarit atë që është e tij. Rrapua ka meritën e pamohueshme se nuk na është ndarë, edhe pse mbeti  jashtë radhëve të aviatorëve, jo për një kohë të shkurtër por për rreth 60 vite me radhë. Ky durim e kjo vazhdimësi, nuk ka të bëjë vetëm me një nostalgji të thjeshtë. Qëndrimi i tij flet shumë, edhe pa fjalë të zgjedhura.

Meqënëse është i panjohur deri në kufijtë e anonimatit, po e nis rrëfimin me një paraaqitje të shkurtër të portretit dhe vlerave të tij. vlerat që do të numëroj janë të vëreta, autoktone të tij e ja vlen të njihen. Tashmë janë vite të shkuar, pa ndonjë rëndësi aktuale, për pensionistin Rrapo, të cilat duhet të mbeten gjurmë, si gjurmët që la “ heroi” i këtij rrëfimi , në qiellin e Atdheut e në atë të një vendi tjetër. Po kush është Rrapo Kodheli e cilat janë vlerat e tij?

Që në fillim, e them, plot gojën, se Rrapo Kodheli është pinjoll i një familje të kamur, nga Kodhelajt e Cakranit. Ndoshta kemi të bëjmë me një rast të rrallë, po të kemi parasysh se ai u përzgjodh për t’u bërë pilot, jo në vitet e parë, pas çlirimit të vendit por në vitin 1959-1960, kur gjërat kishin zënë vendin e tyre. Njëherazi , dua ti mëshoj fort një fakti tjetër domethënës: Rrapo Kodheli, është fisnik, nga rrënja dhe fisnikëria e trashëguar prej tij, ka një vazhdë e nuk është diçka rastësore apo aksidentale në jetën e tij. Këtë do ta spjegoj kur ti vijë radha.

Portreti i Rrapos është portret i një djali i cili rrjedh nga një  familje e kamur, i rritur mes të mirave dhe është ushqyer, si i thonë: me majë parazi ( lexo : me ajkën e gjësë).  Me shtatlartësi  rreth 175 cm; faqekuq e shëndetplotë, duke gjykuar nga pak të dhëna, mund të konkudohet për prejardhjen e tij. Balli i tij i lartë, dëfton jo vetëm krenari por dhe fisnikëri, e cila është shfaqur në çdo hap të jetës së tij. Me fytyurë të rregullt, me dy sy të zinj, me vetulla normale, të bashkuara në mes, me hundën pak të zgjatur e me majë, në seriozitetin që përshkon fytyrën e tij dhe me buzëqeshjen simpatike, disi të kursyer, pa bërë fjalë për tipare të tjera me vlerë të tij, menjëherë krijohet ndjesia se kemi të bejmë me një njeri që e ka kokën plot dhe nuk e hedh hapin, pa llogaritur ku do të arrijë.

Flokët e tij të dëndur, të zinj, veshja me sqimë dhe mbajtja pastër e petkave që vesh, janë stoli të tjera që i rrinë bukur në shtat atij njeriu. Por, tek fisniku Rrapo Kodheli, janë disa vlera të tjera që e bëjnë atë të veçantë e gjurmëlënës. Ai është mjaft i vemendshëm, i zgjuar e vrojtues symprehtë. Rrapua, nuk nxitohet kurrë për të folur, ai nuk thotë “ hopa”, pa kaluar kanalin dhe nuk shtiret e nuk e reklamon veten apo punën e tij. Më ka lënë mbresë të thellë fakti që tek Rrapo Kodheli, kam gjetur një shok e mik të rrallë, të besës e të sigurtë. Fisnikëria e tij, edukimi i shëndoshë që ka marrë në familje, në shkollë e në shoqëri, vihen re, pa ndonjë këmbëngulje e përqëndrim të veçantë. Me një frymë komunitare të theksuar, Rrapua, duke qëndruar mes shokëve përpiqej të mos e veçonte veten nga të tjerët, edhe pse ishte e është i veçantë.

Një njeri që nuk di të vetëlëvdohet apo të shesë mend. Interesant: me një të parë, pa u futur në të fshehtat e karakterit të tij, nuk ishte e vështirë të dalloje një njeri që bënte përpjekje të vazhdueshme dhe serioze për të qenë në pararojë, veç, kur bëhej klasifikimi, ai dilte mbi shokët duke u futur në radhët e më të mirëve, siç nxjerr nëndetësja periskopin, mbi ujë. Thjeshtësia e tij të bënte me turp.

Në portretin e Rrapo Kodhelit, shëndrit një tipar i rrallë, i cili pasqyron fisnikërinë e tij. Rrapo Kodheli është shumë bujar dhe human. Ai është i dashur e i shkuar me shokët, i thjeshtë e i thellë në mendime, ndonëse  të linte ndjesinë e një të ngathëti e indiferenti. Në fakt, nuk ishte ashtu; Rrapo Kodheli, “qëndrën e rëndesës” e kishte dhe e ka tek vështrimi i mprehtë e kritik ndaj dukurive. Ai  është më shumë vrojtues sa veprues. Kjo krijon ndjesi të rremë, sikur kemi të bëjmë me një njeri indiferent të cilit i mungon fryma e aksionit. Humanizmi i tij gjen shprehje konkrete në praktikën e jetës së tij . Rrapua, para se të kujdesej për vete, interesohej, të ndiheshin mirë shokët e tij.

Jeta e vuri disa herë përpara vështirësive serioze  Rrapon, por ai, në çdo rast shpalosi pjekuri dhe zemërbardhësi, shpirt të madh dhe e renditi  veten mes  atyre që dinë të bëjnë skrifica, si askush tjetër. Vendimi i pjekur, vizionar  e i vendosur i tij, për të mbledhur rreth vetes, për të rritur dhe edukuar fëmijët e mitur, të mbetur bonjakë, pas aksidentimit me largim nga jeta të të birit 40 vjeçar, ndoshta është një provë tjetër e fisnikërisë të tij dhe e shpirtit të gjërë human që buron nga geni i shtuar ei forcuar nga përvoja e jetës. Egoizmi, përgojimi i të tjerëve, tarafet, mëritë dhe individualizmi, janë tëhuaja për Rrapo Kodhelin. Ai ka patur e ka frymë ballafaqimi dhe është me kurajo për ti thënë kujtdo, të vërtetat, ballazi  me emrin që kanë.

Ndershmëria dhe drejtësia në gjykimin e problemeve, janë tipare të tjera të qënësishme të portretit të tij interesant. Rrapua, cilitdo njeriu i jep hakun e nuk mban njeri nën sqetull. Për atë, të gjithë janë të njëjtë, si njerëz, prandaj duhen çmuar e duhen nderuar sipas kontributit që japin për shoqërinë. Në këtë kuptim, pa mëdyshje mund të pohoj se Rrapo Kodheli, në gjykimin dhe në vlerësimin e dukurive dhe të njerëzve është një “peshore” e saktë.

Rrapo Kodheli u lind në mëhallën Kodhelaj të fshatit Cakran, të rrethit të Fierit më 1 mars të vitit 1940. Të dy prindërit e tij: Nënë Nekija dhe baba Xheviti ishin fshatarë autoktonë, me origjinë të pastër shqiptare. Familja e tyre ishte e kamur; njëra nga dyert e pasura dhe fisnike të fshatit, e ndjerë dhe në krahinën e Mallakastrës të cilës i përkiste. Shtëpia  e tyre me mure guri e me dy kate, ndodhej në faqe të malit, thuajse pranë majës së tij. Godina e familjes kishte dhe një kat përdhes (bincë), ku mblidheshin zakonisht yzmeqarët dhe përdorej si depo.

Oborri i madh i shtëpisë ishte i rrethuar nga mure guri me lartësi rreth 3m, i mbuluar me pllaka guri të mëdha e dukej si kala. Porta nëpërmjet të cilës hynin njerëzit dhe kafshët e ngarkesës ishte e madhe, me dy kanata prej druri, e gjerë sa mund të futej kafsha e ngarkuar, me dmekë, me të lashta apo me bar, kashtë, lëpushka apo me dru zjarri.  Në dyja anët e portës, e cila mbulohej nga një strehë, me çati, kollonat ishin të suvatuara. Në të dyja anët e portës ishin dy sofatë guri, të mbuluar me pllaka, ku shkarkoheshin barrët e drithit, koshat me ullinj e barrë të tjera.  Sofatët shërbenin dhe për t’u ulur gratë e burrat; për të pushuar, për të kuvenduar apo për të luajtur bixhoz. Se në fshatin Cakran,në atë kohë bixhozin e luanin dhe gratë.

Në oborrin me përmasa të mëdha  të asaj shtëpie, vegjetonin 4 rrënjë arrë; 6 rrënjë bajame, disa kumbulla të egra dhe disa rrënjë fiq. Gjithashtu në oborr ishte vendosur e funksiononte një makinë për shtypjen dhe për shtrydhjen e ullinjve  dhe për nxjerrjen e vajit të cilën e menaxhonte një yzmeqar.

Pronat e familjes të xha xhevitit ishin kryesisht ullishtë. Në pronësi të familjes ishin rreth 300 rrënjë ullinj, të butë, të destinacionit për të nxjerrë vaj. Familja dispononte dhe toka arë; në fushë e në arishta. Në pronësi të saj ishin 4 ha tokë buke, në Frashia e cila ndodhet në fushën e Cakranit; 3 ha. në Shtratëza dhe 4 ha të tjerë në vendin e quajtur Beza. Të 11 hektarët e tokës, në pronësi, punoheshin dhe menaxhoheshin nga 3 yzmeqarë. Në ullishtën e familjes, punonin dhe 2 yzmeqarë të tjerë. Familja kishte dhe 300 krerë të dhirta, të cilat i mbarështonte një çoban ( yzmeqar), i cili, i mbante bagëtitë, në stanin e ngritur posaçërisht për këtë qëllim, në vendin e quajtur Haridhka. 200 krerë të tjera, po të dhirta mbarështoheshin në Malin e Cakranit, po nën drejtimin e një yzmeqari. Kopesë të bagëtive të imëta dhe punëve të tjera në shërbim të familjes  u shërbenin 1 kalë ngarkese dhe 3 mushka, për të cilat, gjithashtu kujdesej një kafshar (yzmeqar). Për punimin e tokës arë, familja  mbarështonte 5 pendë qe parmende. Lopë, në pronësi, ajo familje nuk mbante. Tokat arë zakonishte mbilleshin me misër e me grurë dhe me kultura të tjera të arave dhe për bostan.

Nga martesa e Nënë Nekijes me xha Xhevitin lindën tre djem: Rrapua; Jonuzi  dhe Qemali; vajzë, çifti nuk solli në jetë. Ky ishte i vetmi merak i çiftit në fjalë. E them ketë, për shkakun e vetëm se djemtë, përfshi Rrapon, nuk u sollën asnjë shqtësim prindërve, me sjelljen e tyre.

Shtëpia e Xhevit Kodhelit, duke shfrytëzuar statusin e fshatarit të kamur dhe ndikimin që kishte në Cakran e në rrethina, u kthye në  bazë të mirënjohur të Luftës Nacionalçlirimtre të popullit shqiptar. Në odat e saj, bënin mbledhje e bisedohej për nevojën e luftës, pa kompromis kundër okupatorëve dhe tradhëtarëve. Në këto mjedise kishin punuar e kishin kaluar natën, jo një herë, eksponentë të njohur të Partisë Komuniste dhe luftëtrë të paepur të Luftës Çlirimtare, si  Hysni Kapo; Mehmet Shehu etj. Bodrumi i konakut ishte plot me armë e me municione lufte. Partizanë nga fshati Cakran e nga krahina vinin herë pas here  për t’u furnizuar me materiale luftarake.

Një ngjarje kulmore ishte formimi i celulës të Partisë Komuniste për fshatin Cakran, në shtëpinë e Xhevit Kodhelit , në muajin Nëntor të vitit 1942. Themeltarë të kësaj celule ishin 7 vetë. Fillimisht u anëtarësuan: Xhevit Kodheli; Faik Ahmeti; Hasan Alimerko; Selman Haxhiu; Ferro Fetahu; Dano Feçorri etj. Ishte në strategjinë e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe meritë e saj, tërheqja në radhët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të njerëzve të kamur e me ndikim në trevën ku ata jetonin.

Për shkak të lidhjeve të ngushta e të rolit aktiv të xha Xhevitit, në Operacionin e Qershorit të vitit 1943, shtëpia e tij u dogj e u bë shkrumb e hi, me laçkë e me plaçkë dhe nuk u ndërtua më kurrë. Familjes Kodheli, nuk i mbetën nga djegja fashiste, as petkat që shërbenin për të fjetur pjesëtarët e saj.  Ajo, për të jetuar e për të qenë larg epiqendrës të raprezaljeve, u vendos në fshatin Gorishovë ku u strehua tek gjyshi nga nëna.

Si luftëtar aktiv kundër pushtimit fashist dhe për çlirimin e vendit, pas çlirimit, me Vendim të Pre sidiumit të Kuvendit Popullor, Xhevit Kodheli u dekorua me urdhra e medalje trimërie si Medalja e Kujtimit; Medalja e Çlirimit; Medalja “Ylli i Kuq” dhe Medalja e Trimërisë. Aty ku ngrihej shtëpia e tij, pas çlirimit, u vendos një pllakë përkujtimore, në të cilën shkruhet: “ Shtëpia e Xhevit Kodhelit  ka qenë bazë e Luftës Nacionalçlirimtare” dhe është firmosur nga Kryetari i asaj kohe i Kuvendit Popullor- Haxhi Lleshi. Në shtëpinë e Xhevit Kodhelit, në Cakran, pikërisht atje ku u formua celula e parë e Partisë Komuniste të fshatit, kanë kaluar natën drejtuesit e Luftës Nacionalçlirimtare të zonës së Mallakastrës Hysni Kapo e Mehmet Shehu etj. Ishte e sigurt shtëpia e Xhevit Kodhelit, prandaj u përzgjodh për të qenë bazë e Luftës Nacionalçlirimtare.

Në këtë pikë, mendoj se ia vlen të ndalemi. Kontributet në Luftën Nacionalçlirimtare kanë qenë të ndryshme. Dikush la parmendën e hodhi në sup një dyfek, me pak fishekë; një i dytë la gruan dhe fëmijët në vatër e doli malit për liri; shumica ishin të rinj, mjaft prej tyre të parritur por u rrjeshtuan me këpmbënguljen e tyre në radhët e luftëtarëve. Po të rëmosh në historitë personale të ishpartizanëve, do të gjesh, mesiguri një larmi rastesh të pangjashëm. Por, tek Xhevit Kodheli , nga Cakrani, si tek mjaft shqiptarë të sërës së tij, kontributi në të mirë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare ishte i veçantë. Ai vuri në dispozicion të Luftës çlirimtare gjithë pasurinë dhe shtëpinë e tij. Kur e gjykojmë pas kaq vjetësh këtë ndodhi, dikujt i duket si përrallë, të tjerët mendojnë se kemi të bejmë me një propagandë të moshuarish e ku ta di unë çfarë interpretimesh, spekulojnë. Po ta vështrojmë me objektivitet e gjakftohtësi, mund të arrijmë në përfundimin se kemi të bejmë me një rast mjaft burrëror e trimëror; mbi të gjitha me një atdhetari të pastër.

Fëmijëria e Rrapo Kodhelit, u përcoll në fshatin e lindjes, mes moshatarëve të tij. Prejardhja  e kamur e tij, nuk e pengonte Rrapon, të shoqërohej me bashkëmoshatrët e tij dhe ta ndjente veten mirë mes tyre. Fiziku i tij u zhvillua shpejt dhe shëndetplot  siç ishte, Ai luante njëlloj si shokët e nuk e ndjente veten, “ djalë beu”. Ndoshta, që në moshë të hershme u ngulit tek djali i madh i xha Xhevitit, ndjesia komunitare, e cila u shtua më pas, me rritjen e moshës. Si dhe fëmijët e tjerë, Rrapua merrte pjesë në të gjitha lodrat e moshës së tij. Ai përfshihej, në lodrën dërrakthi, topagropthi, syllambyllazi, me cingëla, dokthi, kala dibrançe; ngrinte gracka e zinte zogj, ngrinte leqe e kapte kafshë pylli etj. Meqënëse ullishta rreth shtëpisë, bënte të afroheshin mëllënjat, me atë mishin e shijëshëm të tyre. Rrapua ishte i dhënë shumë pas zënjes, me gracka të mëllenjave. Ai nuk ishte nevojtar për mishin e tyre të shijëshëm, por këtë e bente për hobi e si sport.

Shkollën fillore, Rrapo Kodheli e kreu në fshatin e lindjes, në Cakran të rrethit të Fierit, me mësues Zalo Qerimin. Ishte nxënës shumë i mirë, i urtë e i sjellshëm. Ai ishte i vemendshëm në klasë dhe ndiqte me vemendje ato që thoshte mësuesi i tij. Shokë fëmijërie, rrjedhimisht dhe shokë shkolle, Rrapua kishte: Lavdoshin; Drinin dhe Hamzanë. Pas përfundimit me tregues shumë të mirë të shkollës fillore familja e Rrapos u çvendos në Rroskovec dhe djali i xha Xhevitit, u fut në klasën e pestë të shkollës shtatëvjeçare të atij qyteti. Si dhe në shkollën fillore, Ai vazhdoi të kishte tregues mjaft të mirë në mësime. Shokë të tij, gjatë viteve të shkollës shtatëvjeçare ishin : Hekurani; Adushi; Ilmiu etj. Fakti që babai i tij ishte kryetar i lokalitetit të Rroskovecit, nuk përbënte ndonjë epërsi për djalin e tij, i cili nuk e vinte veten mbi shokët.

Edhe në vendbanimin e ri, në Rroskovec, megjithse Rrapua ishte djali i te parit të komunitetit, nuk e ndjente veten mbi shokët por në radhë me ta. Si përfitim, ai pati vetëm të drejtën e sistemimit në konviktin e shkollës së mesme profesionale të Teknikumit Bujqësor të Fierit, në degën e agronomisë. E nisi shkollën e mesme, në vitin 1953 dhe e përfundoi atë, në verën e vitit 1957. Në të katër vitet e shkollës së mesme, Rrapua u dallua si në mësime dhe për disiplinë të lartë e të vetëdijëshme. Në përfundim u diplomua agronomi i mesëm, i specializuar për kultivimin e kulturave të arave.

Pas shkollës së mesme, Ai provoi frytet e punës drejtpërdrejt në prodhim, në Ndërmarrjen Bujqësore të Rroskovecit , në detyrën e agronomit të mesëm të fushës. Iri në moshë e në profesion Rrapo Kodheli provoi disa të vërteta, të thëna e të njohura, të cilat u bënë postulate për agronomin e sapodiplomuar. Ai pa në praktikë vështirësinë e të qendruarit gjithë ditën në “syrin e diellit” dhe çdo të thotë: “ Pluhuri është pudër  e shiu parfum”, për agronomin; një slogan i përdorur nga specialistët e hershëm të bujqësisë. Rrapoja punoi në këtë ndërmarrje plot një vit, derisa mbushi moshën ligjore për tu mobilizuar në radhët e sherbimit të detyrueshëm ushtarak. Si djalë i zgjuar e me konstruksion trupor të mirë, Atij iu plotsua dëshira e iu dha mundësia për t’u bërë pilot, profesion të cilin e ëndërronte nga fëmijëria.

Rasti e pruri shansin në derën e Rrapo Kodhelit. Në fund të muajit nëntor të vitit 1959, Ai mori udhën për në Tiranë. Me njëgrup shokësh ( 6 shokë të moshës së tij), të cilët nuk i kishte njohur më parë, u paraqit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe prej andej, shoki në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, në Laprakë, ku iu nënshtrua analizave  dhe testeve mjekësore të kohës e më në fund, doli para një komisioni ushtarako-mjekësor. Shokë të grupit ku bënte pjesë Rrapo Kodheli ishin: Bahri Meshau  (Përmeti); Stillo Mëlica; Bardhyl Lubonja; Koço Biku; Lutfi Islamaj; Thanas Papa, etj. Këta, u deklaruan të aftë për t’u futur në udhët e qiellit, në cilësinë e kursantit për pilotë, dhe shkuan në “Shkollën” e aviacionit , e cila ishte çelur një vit më parë, me këmbënguljen dhe në kujdestarinë e të Madhit Niko Hoxha, brenda Regjimentit “ Peza”, të cilin ai drejtonte.

Më 2 Nëntor të vitit 1959, me një autobus ushtarak, me turi, në të cilin ishin kandidatët për pilotë dhe disa të tjerë, për teknikë e specialistë, udhëtuan drejt Qytetit “ Stalin” ku do të kryenin  “shkollën” e aviacionit. Përgjegjës  i grupeve ishte Thanas Gjiknuri, i cili do të rezultonte  komandant i shkollës dhe komandat i skuadriles mësimore të pajisur me aeroplanë Jak-18 A. Në Regjimentin  “Peza”, një vit më parë ishte sistemuar dhe fluturonte  një grup tjetër djemsh “ azganë”, të cilët kishin përfunduar stërvitjen ajrore me aeroplanin fillestar dhe po përgatiteshin për të kaluar në aeroplanët reaktivë të tipit Mig-15. Në  atë grup, për fat të keq, disa talente, si Divin Abazaj; Bilush Imeraj; Muço Muçaj, Raif Hoxha, Lirim Kokona , Shuaip Nure etj. etj. nuk e patën fatin të gëzonin bukuritë dhe kurthet e profesionit të pilotit, por u shmangën nga udha që nisën me shumë dëshirë, nga një mendje e paarrirë e nga një dorë e mbrapshtë që firmosi largimin e tyre .

Ja si e kujton kursanti i të njëjtit grup kandidatësh për t’u bërë pilotë, veterani i aviacionit shqiptar, Bardhyl T K. Lubonja: “…Rrapoja është njëri nga shokët e mi, më të vjetër e shumë të mirë. Me Rrapon, njihemi prej muajit nëntor të vitit 1959, në Skuadrilen e Tiranës. Atje u mblodhëm një grup djemsh 17-18 vjeçarë, kandidatë për t’u bërë pilotë . Të gjithë iu nënshtruam kontrolleve dhe analizave mjekësore, në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, në Tiranë.Dolëm të aftë për të flutururuar 16 vetë. Pas disa ditësh, të gjithë ( edhe ata që nuk dolën të aftë për pilotë), me një autobus  të tipit “ Gaz Molotov”, u nisëm për në Kuçovë ( Qyteti “ Stalin”) të shoqëruar nga kapiteni i parë- Flamur Mickaj. Ai do të ishte dhe komandanti ynë i skuadriles, kur fluturuam me avionët Jak-18A.

… Që në fillim, pashë ne Rrapoja një shok mjaft të sjellshëm, të edukuar shëndetshëm dhe serioz… Me Rrapon mësuam teorinë dhe praktikën e fluturimit, me Jak-18A, në Kuçovë ( Qyteti “ Stalin”)… Në kohën e lirë, si të rinj që ishim, luanim sportet, si Futboll, basketboll, gjimnastikë etj. Në “ qytetin sportiv”, pranë fjetinës ishte një kalë gjimnastikor, të cilin, me stërvitje, arritëm ta kapërcenim  të gjithë. Gjithashtu, pranë ishte dhe një rrotë vagoni, të cilin e ngrinim. Kishte prej nesh nga ata që filluan ta ngrinin dhe me një dorë… Me Rrapon, shpesh, kur dilnim në “ liridalje, në Kuçovë apo në Berat, shkonjim në kinema. Në atë kohë, në qarkullim ishin mjaft filma të prodhimit sovjetik… Për arsye që dihen… ne shkuam në shkollën e aviacionit, në Batajsk ( ish Bashkimi Sovjetik). Atje, Rrapo Kodheli u emërua nga komanda e skuadriles; si komandant grupi ( starshina). Si komandant i grupit të kursantëve, ai ishte sa shok e miqësor, aq dhe serioz e korrekt, me ne. E kuptonim dhe e ndihmonim atë, për ta kryer detyrën sa më mirë. Mbasi u kthyem nga  Bashkimi Sovjetik dhe shpresuam të vazhdonim shkollën në Kinë; një urdhër i dytë bëri të rihapej shkolla e aviacionit, në Vlorë. Rrapon dhe disa të tjerë, i nxorrën të paaftë për të fluturuar. Pas asaj që ndodhi, me largimin e tij jashtë ushtrisë, unë lidhem me Rrapon, shpesh, në telefon dhe në Skype. Rrapoja ka qenë e mbetet një njeri fisnik,  me zemër të madhe. Në çdo drejtim ai na jep një model që duhet ndjekur. Pas daljes në pension, ai punon, vullnetarisht në një organizatë bamirësie.  Ai është një burrë, baba, vjehërr e gjysh “ shëmbullor”, për t’u patur zili. I uroj jetë të gjatë, shëndet të plotë, gëzim e lumturi në familje, mes mbesave e nipërve të shumtë e të denjë…”! ( Marrë me mesazh, nga Bostoni , më 12 qershor 2017).

Në Regjimentin “Peza”, ku shkoi për të mësuar fluturimin, Rrapua dhe shokët e tij të grupit, u sistemuan, për të jetuar në Repartin e Aviacionit, të dislokuar në Urën Vajgurore, në një fjetinë me vete dhe në mensën ku ushqeheshin, së bashku kursantët e të dy grupeve dhe instruktorët fluturues të tyre. Rrapua, u përshtat relativisht më shpejt se shokët, me regjimin e “kazermës”, i cili, ishte i rëndë. Përshtatja e shpejtë e tij, lidhej me faktin që ai, në shkollën e mesme Bujqësore, në Fier, katër vite radhazi kishte jetuar në konvikt, regjimi ditor i të cilit, ngjante mjaft me atë të repartit ushtarak ku Ai  u sistemua. Gjumi me orar, ushqimi i njëllojtë dhe në kohën e caktuar, dalja e lirë e menaxhuar dhe studimi i detyruar, u përballuan nga “ heroi “ i këtij rrëfimi, falë edukatës së shëndoshë familjare që kishte dhe tipit të tij mjaft të sjellshëm, të duruar e korrekt.

Në asnjë rast, Rrapo Kodheli nuk i solli telashe, komandës së repartit dhe drejtuesve të Shkollës së Aviacionit, brenda tij. Përgjegjësi i grupit të kursantëve, përmetari Bahri Meshau, e kishte Rrapon njërën nga shtyllat e forta ku mbeshtetej  për zbatimin e disiplinës ushtarake dhe të asaj teknike, si dhe për të patur rregull e harmoni në grup. Nisur nga tiparet e Rrapos, të cilat, në tërësi ishin si të tijat, Bahriu i ofroi miqësi “ heroit “ tonë, e cila dita- ditës u shtua e u forcua dhe funksionon, sot e kësaj dite, kur kanë kaluar rreth 60 vjet jetë, pjesërisht së bashku e kryesisht larg njëri-tjetrit. Në këtë çështje, vertetohet rishtaz thënja e mënçur e popullit se “ ngjan miqësia pa bëhet”! Rrapo Kodheli, shokë e miq të rinj ka bërë me shumicë gjatë udhës së gjatë të jetës, por shoqërinë që përjetoi në radhët e aviatorëve të ardhshëm e në tërësi në mjedisin e fluturuesve, nuk e harroi dot. Dhe kishte arsye për këtë. Ku më ngushtë se midis kursantëve për pilotë të së njëjtës moshë ( 18 vjeçare) njerëzit i dëftojnë njëri-tjetrit edhe “ zorrët e barkut”. Më bie ndërmend një rasti, kur isha në Kinë. Fluturonim me Mig-15 Bis dhe në fluturimin e parë në pilotazh, në kthesën luftarake më mbuloi kreni ( këndi i animit). Nuk mbaj mend si dola por këtë gafë timen nuk ia thashë as instruktorit. Ama shokut tim të grupit, Dhori Zhezhës, ia thashë e u çlirova. Por nuk është ky i vetmi shkak; Rrapo Kodheli, gjat kohës që ishte në kursin e pilotëve, rrethohej nga njerëz të zgjedhur e rigorozisht të pastër,në karakter. Si të thuash, ai gjeti veten, mes fluturuesve dhe këtë ai nuk mund ta heqë nga mendja.  Nuk kam të drejtë të paragjykoj asnjeri e asnjë grup shoqëror, por e them me bindje se shoqëria mes aviatorëve nuk ngjan me të tjerat; ajo është e veçantë.

Gjatë përgatitjes teorike, e cila u zhvillua në klasat mësimore të Regjimentit “ Peza”, të cilat mbanin vulën e literaturës dhe të metodave sovjetike të përgatitjes të pilotëve, Rrapua u shqua për vemendje, disiplinë të shëndoshë dhe interesim për t’u thelluar në çështjet teorike. Ndoshta kushtet e të mësuarit dhe baza materiale për konkretizimin e çështjeve teorike, nuk ishin perfekte, por, gjithsesi i plotsonin kriteret e pranuara, të cilat ishin të kopjuara nga vendi ku kishin mësuar, mësuesit e teorisë dhe ata të praktikës. Rrapua dhe shokët e tij , u futën në proçesin praktik “të armatosur” me njohuri të mjaftueshme, mbi lundrimin ajror, navigimin ajror dhe pjesët materiale.

Në pranverën e vitit 1959, në brezin jeshil të aerodronit të Qytetit “ Stalin”, pas hedhjes tradicionale me parashutë dhe dyjavorit të përgatitjes në tokë, me instruktorin e fluturimit, myzeqarin tepër rigoroz Naun Todo, Rrapua dhe shokët e tij të kursit, dolën në startin e fluturimit dhe nisën udhën e vështirë të ajrit. Për meritë të Naunit, i cili, nuk falte asnjë lloj shmangje nga parametrat e caktuar  dhe si konkretizim i përgatitjes të gjithëanëshme të vetë Rrapos, periudha e vozitjes ( fluturimet me instruktorin në kabinën e dytë), fluturimet vozitëse në rreth, u kryen pa ndonjë shmangje të theksuar. Rrapua, ishte një “kopjac” i madh i instruktorit të tij, të cilit “ ia vidhte” veprimet, të cilët i kryente, me përkushtim e përpikëri.

Fluturoi, suksesshëm, Rrapo Kodheli, me ngritje e ulje në fushën e blertë të aerodromit të Qytetit “ Stalin”, deri në mesin e muajit korrik të vitit 1960. Kishte kaluar, si shokët e grupit : Bahri Meshau  (Përmeti); Bardhyl Lubonja; Koço Biku; Stillo Mëlica ( ndjesë pastë); Lutfi Islamaj ( ndjesë pastë); Thanas Papa ( ndjesë pastë); Agim Ismaili; Surri Barbullushi; Sazan Abibi; Vaso Pesha etj. – plot 20 vetë, fluturimet në rreth e në zonë ( pilotazh), dhe, kur kishte plotsuar rreth 50 orë fluturim, një ngjarje e papritur ia preu ëndrrën, në mes. Çfarë kish ngjarë që u ndërprenë fluturimet e u mbyll ai shteg që mezi u hap, për t’u bërë pilotë, në vendin tonë?

Në aerodromin fushor të Poros, ku fluturohej nga grupi paraardhës i kursantëve për pilotë, stërvitja ajrore kryhej me aeroplanë reaktivë Mig-15 të të dy varianteve ( mësimor e luftarakë), ndodhi një katastrofë ajrore ku gjeti vdekjen kursanti Jovan Kacorri. Kjo ngjarje e rëndë  u pasua nga një tjetër ngjarje e jashtzakonshme ajrore-nga braktisja e avionit luftarak, duke u hedhur me katapultë, nga kursanti Petraq Qafëzezi, i cili, fatmirësisht, u ul në tokë, me parashutë. Shkolla e Aviacionit, e çelur me shumë përkushtim e  vendosmëri dhe me këmbënguljen e guximtarit dhe iniciatorit të rrallë- Niko Hoxha, u mbyll, përfundimisht.

Ishin kohë të vështira. Marrëdhëniet mes vendit tonë dhe atij të sovjetëve, për shkaqe ideologjike morën rrokullimën; lidhjet mes dy partive respektive u prishën; ato u shtrinë dhe në fushën e marrëdhënieve ndërshtetërore. Të dy grupet e kursantëve, si ata që fluturonin me Mig-15 dhe ata që fluturonin me Jak-18 A, më 24 gusht  të atij viti, me një aeroplan sovjetik TU-104, fluturuan nga aerodromi i Rinasit, në atë Sheremetjevo, të Moskës. Grupi ku bënte pjesë Rrapua, u bë i madh; ai u shtua me kandidatë të tjerë ( plot 36 vetë), të cilët kishin dalë nga Shkolla e Mesme Ushtarake  “Skënderbej” ( 4 vetë) dhe 12 të tjerë të ardhur nga shkollat e mesme civile të vendit. Të gjithë u përfshinë në të njëjtën skuadrile mësimore dhe nisën studimet në qytetin e Batajskut, qarku i Rostovit mbi Don, në rajonin e Kaukazit të Veriut.

Rrapo Kodheli, me tipare komunitare të spikatura dhe i mësuar në regjimin e jetesës  të kursantit për pilot, u përshtat shpejt me shokët dhe me jetën e re, në kushte mjaft të mira për studim e jetesë, të cilat ndryshonin mjaft, natyrisht për mirë, krahasuar me ato që la në Urën Vajgurore. Në muajt e dimrit të vitit 1960, pas kohës 6 mujore të mësimit të Gjuhës Ruse, nën drejtimin e një gruaje,  “model” – Ninës, e cila shquhej për taktin dhe sjelljen e saj qytetare, dhe për horizont e kulturë. Ai kaloi , të përsëritur dhe programin teorik  dhe  në pranverën e vitit 1961, më 12 prill, u hodh me parashutë. Rrapo Kodheli  nuk e kishte për herë të parë, hedhjen me parashutë, ndonëse, emocionet e hedhjes ishin të pranishme, madje të shtuara. Ai, në hedhjen e dytë, nuk shkonte drejt së panjohurës, siç ndodhi në të parën, por, tash më Ai kishte “ përvojën “ vetjake dhe i dinte etapat e hedhjes dhe të zbritjes në tokë, me shpejtësi vertikale 6 m/sek.

Pranvera e vitit 1961, krahas vështirësive që buronin nga të qënit larg Atsheut e pamundësisë për të komunikuar me të tijët, solli dhe disa kënaqësi. U lëshua Juri Gagarin, në orbitë e u kthye suksesshëm në tokë;  Rrapua kish zënë shoqëri më të gjerë, si  me kolegë nga Shqipëria dhe me qytetarë sovjetikë ; zotëronte më mirë Gjuhën Ruse dhe rinisi fluturimet, me avionët Jak-18A. U ndanë grupet e fluturimit. Rrapua ishte në të njëjtin gup, me Surri Barbullushin, nga Shkodra ; me Bahri Meshaun ( Përmeti), nga Bubësi dhe me Thanas Papën ( ndjesë pastë), nga Berati. Instruktor i tyre ishte gjeorgjiani Çemezov, një pilot me përvojë e, siç thonë rëndom tek ne: “shpirt njeriu”. Ashtu si në vendin tonë edhe në hapsirën e një vendi tjetër, Rrapo Kodheli, shpalosi vlerat që bartëte në vetvete ku , mbi gjitha dëshirat e tij, prevalonte ajo për t’u bërë pilot.  Kursanti Rrapo i përcolli, ushtrimet, një nga një e me cilësi dhe , nuk lejoi asnjë premisë për ngjarje të jashtzakonshme apo shmangje nga rregullat e caktuara.

Në personalitetin e Kursantit Rrapo Kodheli, kishte lënë gjurmë të ndieshme, tradita dhe mentaliteti që kishte ushqyer familja e tij fisnike. Ai ishte shok i mirë me Bardhyl Tom K. Lubonjën, me Bahri Meshaun  (Përmeti) e me të tjerë dhe sillej mjaft korrekt me të gjithë djemtë e grupit. Por Ai e shtriu shoqërinë e u miqësua dhe me vendas,mes të cilëve, binte në sy, miqësia e tij e ngushtë, me Zhenjën, djalin plangprishës të Kolonelit Vollkov, i cili ishte pilot i klaasit të parë dhe kish marrë pjesë në betejat ajrore të aviacionit sovjetik, kundër atij gjerman në Luftën e Dytë Botërore. Babai i Zhenjës  mbante titullin e lartë të Heroit të Bashkimit Sovjetik dhe ishte në detyrën e Komandantit të Regjimentit të Batajskut. Ishte, sjellja e mirë, edukata e shëndoshë dhe thjeshtësia e tij, si tipare të qënësishme që e afronin dhe e miqësonin Rrapon, me këta njerëz me veçori në formimin e tyre.

Në anët tona, dikur thoshin: “ Buzë e plasur, nuk qesh kurrë”! Kështu ngjau dhe me Rrapon e jo vetëm me atë. Më 14 shtator të vitit 1961, kur Rrapua dhe shokët e tij të grupit, kishin përcjellë programin e fluturimeve e do të jepnin provimin përfundimtar, para se të kalonin në një tip tjetër avioni, në vazhdën e të mësuarit të lundrimit ajror; një ngajrje e papritur e tronditëse, ndryshoi rrjedhën e gjërave. Një urdhër nga komanda e lartë, në formë ultimative pezulloi pëtgatitjen e studentëve shqiptarë , për pilotë dhe e nisi grupin e Rrapos, në Shqipëri, duke ndërprerë rrugën e nisur të kualifikimit. Me ngutësi, sikur të kishim të bënim me një stafetë, studentët kaluan  nga njëri mjet transporti në tjetrin dhe  në mëngjesin e 16 shtatorit 1961, një grup i madh syresh të përzënë  nga Batajsku, nga Kushovskaja e nga Krasnodari , u ngjitën në një aeroplan transporti TU-104,në aeroportin  Sheremetjevo dhe  pas  gati 2 orësh, zbritën në aerodromin ushtarako-civil të Rinasit. Përsëri pengesë për “ heroin” tonë, sërish plane të mbetur në letër. Atij i duhej të riniste fluturimet, me program tjetër e me instruktor fluturimi të ri. Kushtet e jetesës e të stërvitjes, siç do ti renditim më poshtë, ishin jo si ato që la pas, në Batajskun aziatik.

Në fillimet e vitit 1962, u rihap shkolla e aviacionit. Them u rihap, për arsye se kjo shkollë , ndonëse ishte në kuadrin e regjimentit “ Peza”, kësaj here, ajo u çvendos e u formësua  në Vlorë. Kontigjentet e parë të kursantëve për pilotë, teknikë e specialistë ishin studentët që u përzunë brutalisht, nga Bashkimi Sovjetik, të grupuar sipas specialiteteve të ngushtë dhe të shtresëzuar, sipas shkallës së kulifikimit. Rrzapos i përkiste të riniste fluturimet, aty ku i kishte lënë, së bashku me shokët e grupit. Në muajt e fundit të vitit 1961, grupi e kursantëve për pilotë u end nëpër Tiranë, nga njëri lokal në tjetrin dhe për jetesë u sistemua tek “ garnizoni” i  “Rrapit të Treshit” në të ashtuquajturin hotel i Ministrit të Mbrojtjes. Në atë kohë, po ti kërkoje kursantët në fjalë, nuk ishte e vështirë ti gjeje e ti takoje. Ata, së shumti, mbasditeve endeshin në xhiron e madhe, që bëhej, nga monumenti  i Skënderbeut dri tek godina e Universitetit të Tiranës, ose në birrarinë tek sëhati, në qendër të metropolit. Ata i dalloje lehtësisht, për shkak të aksesorëve që mbanin në kapele e në uniformë dhe nga mënyra e të ecurit, të kapardisur.

Kjo gjendeje nuk vazhdoi shumë në kohë. Komanda eprore, i vendosi kursantët në kushte kazerme, për fjetje e ushqim dhe përgatiti një program të shkurtër stërvitor. Prograni ishte i ngjeshur me përgatitje fizike dhe rrjeshtore, sa për të mbushur kohën e tyre. Ta themi troç, ky regjim i mërziti mjaft kursantët të cilët, të vetmen shpresë kishin premtimin se në pranverën e vitit 1962 do të nisnin fluturimet, me aeroplanët Mig-15, në aerodromin fushor, me tapet ranor të Poros. Me qëllim që të rikujtonin shprehitë e të fluturuarit, grupi i kursantëve për pilotë u çvendos në Skuadrilen e Transportit ( në aerodromin e Laprakës) ku iu nënshtruan një programi teorik rifreskues, i cili ishte larg kushteve që lanë pas, në Batajsk. Mirëpo peripecitë nuk kishin të sosur. Komanda e Aviacionit dhe ajo e shkollës, u duk sikur e mbajtën fjalën e dhënë; grupi i kursantëve për pilotë ku bënte pjesë Rrapua, vërtet u shpërngul  në Poro, por, për habi të tyre, në vend që të nisnin lundrimin ajror me aeroplanët Mig-15, atyre u desh të nisnin përgatitje dhe të merrnin kontrollet e nevojshme në ajër, me instruktorin në kabinën e dytë, për të rikujtuar shprehitë në ajër, pas asaj ndërprerje të gjatë.

Ajo që ndodhi më pas, ishte akoma më e paparashikuar dhe befasuese, për “heroin” e këtij rrëfimi. Shkolla e Aviacionit ishte në hapat e parë. Kuadrot drejtues të saj u mblodhën nga më të mirët e reparteve. Instruktorët e fluturimit u përzgjodhën mbi bazën e kritereve të shëndoshë. Ata ishin të ardhur nga shkolla sovjetike e aviacionit dhe kishin përvojë të mjaftueshme për të zhvilluar mësimin  fluturimeve . Problemi më serioz, ishte mungesa e teknikës fluturuese ( aeroplanëve) , të cilët, në ata vite, nuk prodhoheshin e nuk riparoheshin në vend. Kanali i importit nga shteti sovjetik u mbyll e doli në plan të parë zbatimi i parimit të mbështtjes në forcat e veta. Kursantët që u kthyen nga Bashkimi Sovjetik ishin të shumtë në numër e për t’u bërë pilotë, nuk mjaftonin avionët, as instruktorët e fluturimit.

Një valë spastrimesh bëri të largoheshin mjaft kursantë nga rruga e të mësuarit për të fluturuar. Mes tyre kishte nga ata, të cilët ishin të pasionuar pas fluturimit dhe ishin, jo vetëm shëndoshë e mirë por dhe  në startet e fluturimit kishin manifestuar dëshirë të madhe dhe cilësi. Si rrugë më e justifikueshme dhe më pak e kritikueshme u gjet ajo e deklarimit të paaftë për të fluturuar nga ana shëndetësore. Për këtë qëllim u vu në lëvizje komisioni ushtarako-mjekësor i aviacionit, i cili  “preu” koka që nuk duheshin prerë. Mes tyre, mund të numëroj: Rrapo Kodhelin; Minush Karalliun; Bashkim Kozelin ; Vaso Leko Peshën; Fadil Nenaj ( (Braho) etj.

Rrapo Kodheli u bë njëri nga “ kurbanët” e kësaj “ masakre”.  Ai ra viktimë e sinqeritetit të karakterit të tij. Kur ishte i mitur, si mjaft fëmijë, duke luajtur me moshatarët, kishte pësuar një çarje në kokë. Këtë ia tha komisionit dhe mjekët, duke fërkuar duart se u erdhi gjahu në shteg, pa u thelluar në çështjen ( i tillë ishte niveli i mjekësisë), e delklaroi të paaftë për të fluturuar Rrapo hallemadhin. Nuk iu ndanë kusuret, kursantit të pasionuar e me nivel. Ky vendim i vuri vulën karrierës dhe ëndrrave të djaloshit për të çarë ajrin, me krahë metalikë. I propozuan të vijonte shkollën për t’u bërë teknik aeroplanësh, ofertë të cilën ai nuk e pranoi, prandaj e liruan nga ushtria.

Është e kuptueshme: Rrapos nuk i erdhi aspak mirë. E nisi dy herë rrugëtimin drejt qiellit e nuk u sos dot . Ishte mjaft i ri, vetëm 21 vjeç  e i duhej të endej, me zemër të thyer, për të gjetur udhën e jetës. Karrierën në ushtri e kishte me dëshirë të madhe dhe i shkonte kostumi i oficerit, për shtat madje do të mirëpritej në rrethet shoqërore e miqësore të familjes së tij, por ai parapëlqente të behej pilot e kjo, në rrethanat që u krijuan, praktikisht rezultoi i pamundur. Duke shfrytëzuar pozitën shoqërore dhe tiparet vetjake të tij, mbi bazën e treguesve cilësorë të arritur në shkollën e mesme, Rrapos iu akordua e drejta e studimit, në Institutin  e Lartë Bujqësor, në Tiranë, nëdegën e agronomisë ku u dilomua agronom i lartë.

Po ti hedhësh një sy librezës së punës të Rrapo Kodhelit, do të lerë mbresë, lëvizja e tij, nga një qendër pune në tjetrën e nga një funksion organik në tjetrin. Gjithnjë brenda profesionit të agrononit ose në degë të tjera të lidhura me të. Mozaiku i lëvizjeve të Rrapo Kodhelit, pas largimit nga ushtria i përngjet një trungu nga i cili dalin llastarë  të shumtë, të dimensioneve te ndryshëm, që  ushqejnë, në fund të fundit, të njëjtin trung, agronominë.

Ku nuik u ndie ndikimi pozitiv i punës të Rrapo Kodhelit për mëkëmbjen e kooperativave bujqësore, të cilat ishin në hapat e parë të jetës apo në ndërmarrjet bujqësore shtetërore, të cilat kishin uri për mendimin e kualifikuar të specialistit. Shtatë vjet,  Ai ia kushtoi punës si kryeagronom në Kooperativën Bujqësore të Fratarit, në rrethin e Fierit; tre vjet drejtoi punët në Stacionin e Makinave e Traktorëve  të Rroskovecit;  pesë vjet punoi në sektorin e serave ku mbilleshin domate, në Ballësh; katër vjet kreu detyrën e kryeagronomit, në SMT-në e Ballshit; tetë vjet, si kryeagronom , në Hekal; gjashtë vjet ishte përgjegjës sektori në Aranitas ; pesë vjet zëvëndëskryetar i bashkisë, në Ballësh dhe pesë vjet të tjerë kryetar i Bashkisë të Ballshit ( Subjekti : Partia Socialiste e Shqipërisë).

Në vitin 2004, kur sapo kishte mbushur moshën 64 vjeç,  Rrapo Kodheli doli në pension, në qytetin e Ballshit, ku është banor prej vitit 1992. Në pension, Ai doli  formalisht mbasi jeta aktive e tij vijoi e vazhdon sot e kësaj dite. Kjo është çështje geni dhe karakteri. Një njeri, i cili është mësuar me punë, nuk mund të “ shkrehet” aq lehtë e të bjerë në pasivitet. Rrapo Kodheli i përket një rrace tjetër njerëzore. Atij i hanë duart për punë dhe nuk e ka përbuzur asnjëherë atë.  Jeta e atij njeriu ka qenë punë dhe ai nuk mund ta konceptojë veten e tij  duarlidhur. Sa fusha e mundësi të pashterrshme ofron jeta edhe kur e ke plotsuar moshën ligjore për të dalë në pension. Për “ heroin tonë”, dalja në pension ishte si një ndërrim stafete, në një garë vrapimi.

Vjeshta e parë ( shtatori) i vitit 1969 në jetën private të Rrapo Kodhelit, solli një ndryshim cilësor. Ai dhe Emine Karafili, një arsimtare simpatike nga Hekali, kurorëzuan me martesë, dashurinë mes tyre dhe fejesën e shpallur botërisht. Dasma u bë në një të shtunë e në një të  të dielë, në të dyja shtëpitë, me këngë e me valle dhe me shumë gëzim. Ishte një dasmë e pritshme; çifti i ri e kishte paralajmëruar lidhjen martesore,me dashurinë e tyre, të cilën e dinin të gjithë ata që i rrethonin. Rrapua , gjoja si rastësisht, herë pas here, kalonte nga shkolla ku jepte mësim Emineja, për të parë të përzgjedhurën e tij. Por Ai kishte dhe një shans të cilin e shfrytëzonte “mjeshtërisht”; familjet respektive njiheshin me njëra-tjetrën dhe Rrapua shkonte në shtëpinë atërore të së fejuarës, lirshëm.

Rrapua nuk ishte konservator, as fanatik. I rritur në një familje të fisme dhe tradicionale Ai donte të kënaqte të tijët dhe opinionin shoqëror që e njihte atë, prej vitesh dhe që i dinin lidhjet e tij dashurore me Eminenë. Nuk mund të thuhet se Rrapua  bëri realitet një thënie të lashtë se “ … dhe gruan merre nga fshati yt”! Njohja e ndërsjelltë dhe pëlqimi apo tërheqja fizike, përveç faktorëve të tjerë të qënësishëm, ishin disa shtysa që  i çuan dy të dashuruarit në Altarin e Martesës.

Ishin vite të disa ndryshimeve, në mentalitetin e njerëzve dhe në mënyrën e jetesës të tyre. Rrapua dhe Emineja, ndonëse e kishin “ gatuar” vetë këtë gëzim, ishin shumë të lumturuar por jo të shfrenuar në gëzimin e tyre të natyrshëm. Ata, të dy, respektuan disa norma morale, që sundonin në mjediset ku banonin. Në dasmën etyre, kishte shumë gëzim e lumturi, por rregullat, sipas traditës, u respektuan, një më një. Mishi i pjekur në hell , kundërmoi mëhallët respektive; rakia u derdh si lumë e dasma qëndroi e ngritur një javë rrjesht.

Nusja, nuk u vesh me të bardha, por me një kostum të qepur sipas trupit, me masë e model të pëlqyer. Për të marrë nusen, në shtëpinë e babait të Eminesë, shkoi një taksi dhe një kamion ku dasmorët, disa në eufori nga pija e të tjerë nga gëzimi, burra e gra, mbushën karrocerinë, me shami në duar të cilat i valëvitnin në ajër e me këngë  në buzë. Sipas traditës shumëvjeçare, disa dasmorë, të moshës së re  që dispononin armë, me leje, herë pas here, përshëndesnin dasmorët dhe tërë krahinën, me të shtëna armësh.

Nga lidhja martesore mes Eminesë dhe Rrapos, në muajin prill të vitit 1970 erdhi në jetë fëmija i parë. Ai ishte i seksit mashkull dhe pruri shumë gëzim në të dyja familjet nga Hekali i Mallakastrës. Për tiu pëegjigjur dëshirave të familjeve  dhe fisit të tyre, djali mori emrin Eduard.  Siç e diktonte tradita, Rrapua, pas kësaj lindje, kapardisej se kishte siguruar pasardhësin. Pas pesë vitesh, në vitin 1975, familja në fjalë u shtua me një vajzë, e cila u rrit shpejt, e u martua në Vlorë dhe në vitin 1991 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Çikago, ku banon aktualisht, së bashku me bashkëshortin vlonjat dhe dy fëmijët ( djalë e vajzë).  Në vitin 1979 familja e Rrapos u shtua dhe me një vajzë tjetër, e cila, mbasi përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës, për histori dhe arkeologji, u martua në Durrës  dhe u shtua me një vajzë. Ajo banon në Durrës dhe punon në Tiranë, në Ministrinë e kulturës.

Vitet kaluan shpejt e Rrapua iu gëzua  dasmës së të birit, i cili e shtoi fmiljen dhe me një djalë, i cili u quajt Kidi dhe me një vajzë, e cila u quajt Sibora. Nusja e tij, me arsim të lartëe me profilin mësuese, bazuar në vlerat që përfaqësonte, u vendos në punë në profilin e saj , në qytetin e Ballëshit. Dukej sikur çdo gjë shkonte për bukuri dhe familja e Rrapo Kodhelit, tashmë e shtuar, jetonte kohë të gëzuara e të lumtura. Harmonia në familje ishte produkt i karakterit fisnik dhe sjelljes të qytetëruar të Eminesë, Rrapos, djalit dhe nuses së tij e cila, si sojlleshë u përshtat shpejt, me pjesëtarët e familjes së re. Lindja e dy fëmijëve,  geni dhe formimi i saj nuk u shoqërua me kërkesa të pamundura e me tendenca për të dalë më vete. Pa nënvlerësuar rolin e zonjës Emine, duhet theksuar roli i veçantë i fjalës melhem të Rrapos, i cili, ishte mjaft i logjikshëm e tolerant në menaxhimin  punëve të asaj familje.

Por, kur të gjithë banorët e Ballshit e më gjerë e dëftonin familjen e Rrapo Kodhelit si model i bashkëjetesës e mirëkuptimit mes anëtarëve të saj dhe kur çdo gjë shkonte si në vaj,në muajin dhjetor të vitit 2010, kur vetë Rrapua ishte në pension të plotë, ndodhi ajo që nuk duhet kujtuar: Djali i vetëm i Eminesë dhe i Rrapos,Eduardi, në moshën 40 vjeç, i martuar , me dy fëmijë të mitur në shtëpi, u aksidentua e humbi jetën. Një situatë tepër e rëndë u krijua, papritur në atë familje të lakmuar. Hidhërimi mbuloi jo vetëm familjet e fiset respektive, por ky njoftim , “ helmoi”, gjithë të njohurit dhe dashamirët e asaj familje.

Situatës tepër të rëndë që u krijua, i vuri gjoksin Emineja  burrereshë, Rrapua i paepur dhe nusja e djalit, e cila, në këtë situatë të rëndë pikëllimi, shpalosi vlerat morale të saj dhe të familjes të origjinës. Jeni të lutur, lexues të nderuar, ta përfytyroni veten, qoftë dhe për disa minuta, në petkun e asaj gruaje të re, e cila mbeti, e ve në moshën e lulëzimit, me dy bonjakë të parritur. Fjalët spjeguese janë tepër të varfëra, e të pafuqishme, sido që ti zgjedhësh, për të dëftuar përmasat e asaj tragjedie.

Mbi trishtimin dhe hidhërimin që pllakosi  ndarja nga jeta e një djali të ri, i cili la pas dy fëmijë të parritur, u ngrit, si gjigand, bashkëshortja e të ndjerit, vendimi i nënës nuse, për të rritur dy fëmijët që i la burri, pavarësisht moshës të saj të re. Vendimi i saj i pjekur  e i pakritikueshëm, u përkrah nga të dyja anët dhe nga gjithë sa e mësuan atë. Por, ai vendim prej një të pjekuri e të vuajturi, nuk ishte pa pasoja. Rritja e dy fëmijëve jetimë nuk është si në një telenovelë nga këto që vështrojmë rëndom. Bërja e tij realitet kërkoi të shtonte përgjegjësinë dhe veprimin konkret, nëna e fëmijëve, Emineja dhe Rrapua, i cili mbeti kryefamiljar i një familje tashmë të “ gjymtuar”.

Nuk mund ta mbyll këtë rrëfim, sidoqë të pritet, pa iu riikthyer edhe një herë çështjes që të bën të drithërohesh, të vendimit fisnik të asaj nëne të re. Në të shkuarën e largët por dhe në kohët që kam përjetuar, kam parë gra të moshës së saj, të cilat kanë mbetur të veja, akoma pa i çelur të gjitha bo hçet e luleve. Ato që ishin sojllesha e buronin nga një gen fisnikërie, jo nga titujt që shiteshin e bliheshin, por që buronin nga një shtrat i natyrshëm, në ditën e shtatë, pas gjëmës, merrnin vendimin që mori kjo grua, lidhnin në kokë shaminë e zezë e u përkushtoheshin mirërritjes dhe mirëedukimit të fëmijëve që u kishte lënë burri.

Natyrisht, bëhet fjalë për një kohë të shkuar, kur psikologjia e familjes patriarkale ishte e pranishme kudo dhe kur mentaliteti i saj, shumë herë konservator kishte fuqi vepruese. Por ndodhia tragjike që ngjau në familjen e Rrapo Kodhelit, i takon vitit 2010, pra kohëve moderne. Nëse u mor i njëjti vendim nga një grua trimëreshë, si bashkëshortja e djalit të ndjerë të Rrapos, kemi përsëritjen e të njëjtës dukuri pozitive, në kushte të tjera. Dikush, kur bën analizën e kësaj dukurie të rrallë, spekulon me fjalën nënë. E them me bindje se përveç ndjesisë të nënës, i cili, domosdo është i pranishëm edhe në këtë rast, për të marrë atë vendim të rrallë, kemi të bëjmë me çështje të brendshme, të karakterit të saj, si burrëria, trimëria, qëndrueshmëria, gatishmëria për të bërë sakrifica të papara, për hir të fëmijëve, por dhe me shpirtin e saj si det dhe me mirësinë që përshkon gjithë qenien e “ heroinës” tonë.

Roli i Rrapos, në këtë çështje, padyshim  ka qenë e mbetet vendimtar e i rrallë. Një karakter i butë, me dhimbsuri  e durim si ai i Rrapo Kodhelit, është garancia më e mirë që ka siguruar atë kohezion në familjen e tij, pas gjëmës që ndodhi. Rrapo Kodheli, duke shpalosur fisnikërinë e origjinës dhe shpirtin e tij të mirë, vendosi të heqë dorë nga disa “ privilegje “ të moshës e iu përfill një pune të vështirë, plot privacione e mundime. Karakteristikë e veçantë e qëndrimit të tij është se Ai, çdo veprim në dobi të nipit dhe mbesës, i ka bërë e i bën me dëshirë të plotë e pa u mërzitur. Gjyshërit dhe gjyshet janë të kujdesshëm, të ndjeshëm, toletantë dhe rigorozë por në rastin e Rrapo Kodhelit, këto vlera morale ngrihen në fuqi të shumëfishtë. Ka motive të shëndoshë që e bëjnë të mundur këtë vijë sjellje, e cila nuk shtrihet në një kohë të kufizuar por zgjat. Do të mundohem ta zbërthej, këtë ide; lexuesi i nderuar është i lutur të më durojë.

Nëna dhe babai, i vumë emtin Rrapo. Në traditën e trevës, ky emër presupozon që fëmija i lindur të jetë jetëgjatë, si rrapi, i cili është dru shekullor. Sikur ta dinin dhe ta dëshironin një jetëgjatësi  të tillë tek djali i tyre ata njerëz të mirë, kur e hodhën këtë hap. Siç u rrokullisën ngjarjet, në jetën e Rrapo Kodhelit, u futën disa fatkeqësi serioze e ai, me tiparet e tij u bëri ballë.  Ndarja e të birit të vetëm, nga jeta dhe lënja pas e dy bonjakëve, mbetet një plagë e pambyllur, për të prasmit dhe për Rrapon vetë. Kush është besimtar, le ta besojë; ata që nuk besojnë, le ta gjykojnë sipas aftësive dhe mënyrës së tyre. Dua të bedoj se në këtë rast kemi të bëjmë me një ekuilibër perfekt të natyrës, e cila të merr diçka dhe vetë e bën kompensimin me diçka tjetër.

Ndarja nga jeta, në moshë fare të re e të birit ishte një goditje e rëndë për “ heroin “ e këtij rrëfimi, por ai, tek vështron të rriten, dita –ditës; dy “ yje” si di “dy ëngjëj”, jo vetëm që gëzon e i gufon zemra nga gëzimi e krenaria, por tek ata dy, të cilët po i rrit me gjithë përkujdeset dhe u ka plotsuar çdo dëshirë, tek i vështron si hedhin shtat e hijeshohen, i del përpara imazhi i të birit e shmallet me të. Rrapua është njeri i sakrificës e besëmbajtur. Ai dhe bashkëshortja e tij, jo vetëm u ofruan fëmijëve të djalit dhe bashkëshortes të tij, strehëzën e tyre, por dhe u kujdesën e kujdesen, vazhdimisht që ata, të ndihen të barabartë me moshatarët e tyre.

Mendoj se nuk është e udhës të përshkruaj tërë atë kujdes që bëhet nga ajo familje, për të mos lënë asgjë mangut filizave të pafajshëm. Veç ta vrojtosh gjyshin e kujdesshëm si i shoqëron bonjakët, në shkollë, si i bëjnë së bashku detyrat e shtëpisë e si mësojnë, si shëtit me ta, si u blen lodrat që pëlqejnë, si nuk harron kurrë t’u festojë me dinjitet ditëlindjet dhe festat e tjera, fetare e pagane, si u blejnë dhurata e veshje të dëshiruara, si interesohet e komunikon me mësueset dhe  edukatoret e tyre etj.

Mund të them, me kompetencë e me sa e njoh Rrapon, prej shumë vitesh, se aktivizimi vullnetar  tij, pas daljes në pension, si kryetar i këshillit të jetimëve për rrethin e Fierit, është një lloj refleksioni i personalitetit të tij human, për të ndihmuar ata që ndihen në kushte si pinjollët e tij. Ky besoj ka qenë dhe lejtmotivi i vizitave të tij në mjaft vende  si Bullgaria; Maqedonia; Kosova; Mali i Zi; Polonia; Sllovakia; Çekia; Italia; Greqia; Anglia; Rusia; Austria; Zvicra; Hungaria etj. Interesimi i parë i tij në këta vende, është : marrja e përvojës specifike të çdo vendi për trajtimin e jetimëve.

Njeriu i mirë Rrapo Kodheli, edhe pse kemi rreth 60 vite që jemi ndarë, asnjëherë nuk ka munguar në takimet e grupit që kemi bërë, periodikisht. Ai, në pjesëmarrje fizikisht në këta takime dhe nëpërmjet telefonatave dhe komunikimit në mjete sociale, mban lidhje të rregullta me shokët e shkollës, pavarësisht nga koha që shkon e mosha që avancon. Nuk është thjesht çështje nostalgjie; më shumë ka brenda mirësinë e shpirtit të tij. I uroj jetë të gjatë, shumë të gjatë, për ta shpalosur plotësisht mirësinë që ka në shpirt!

Shkroi Niazi Nelaj , shok grupi i Rrapo Kodhelit.

Në Tiranë, maj-qershor 2017

 

 

 

 

 

3 thoughts on “Rrapo ëndërrimtari nuk e harron “ bukën e vjetër””

  1. Niazi,faleminderit shume per kenaqesine qe njeva duke lexuar per shokun tone Rrapo Kodhelin. E lexova menjehere sot 21 Qershor 2017. E ke shkruar shkelqyshem,ashtu si eshte edhe vete Rrapo.
    Vihet re,se cilesia eshte gjithmon ne ngritje. J’u urojme shendet dhe gjith te mirat ty,gruas,femijve dhe gjith te dashurit tuaj…

  2. Falë penës së palodhur dhe bujare të publicistit Niazi Nelajt unë po mësoj shumë gjëra që nuk i kam ditur nga arma e dashur që na rriti dhe burrëroj; Arma E Aviacionit Shqiptar.
    Portret pas portreti po shpalosen disa personazhe që kanë qënë në harresë dhe për këtë ndjej krenari dhe mirënjohje që doli nga gjiri jonë kjo Penë e Artë e Niaziut.
    Do t’i lutesha autorit të mos e ndalë vrullin dhe ta mbajë lart talentin e dashurinë për atë armë dhe ata aviatorë që i dhanë shumë Atdheut dhe nuk u mërzitën kur morën pak apo aspak shpërblm…
    Faleminderiot Niazi Nelaj

Comments are closed.