Çobani bonjak u ngjit në “majë të malit”

(Monografi, kushtuar  pilotit ushtarak të klasit të parë- Çobo Hibro Skënderi)

Jetët nuk i ngjajnë njëra-tjetrës. Dallimet mes tyre bëjnë të veçantën; atë që quajmë interesante. Niset njeriu për udhë të gjatë e, diku synon të arrijë, por nuk soset dot e nuk e arrin atë që kërkon. Njeriu, sado i mënçur e i zgjuar të jetë, nuk  mund të parashikojë  ato që do ti ngjajnë udhës. Nuk kanë thënë mëkot të parët  tanë se:  “ atë që sjell sëhati, nuk e sjell dot moti”. Është fjala për befasinë, apo për ato të papritura që ngajnë sa hap e mbyll sytë. Të papriturat kanë diçka të përbashkët me aksidentet. Askush nuk i dëshiron ato, por jo gjithnjë  mund ti parandalojë apo ti shmangë. Ca më pak kur kemi të bëjmë me  paudhësi e zëmërligësi njerëzore.

Në fshatin tim, dikur, kur nëmnin dikë, të cilin nuk e donin por nuk e shmangnin dot nga “udha”, e mallëkonin: “ E gjeç nga mos e pandehsh”! Gjithnjë mbetemi tek të papriturat. Ajo që do tju rrëfej, më poshtë, bën fjalë për një rast tipik, kur rrufeja ka shkrepur në qiell pa re e ka bërë “gjëmën”.

Në aviacionin tonë, që nga formimi, deri sa u katandis siç e vështrojmë e ligështohemi, kanë shërbyer breza të tërë pilotë, teknikë e specialistë të niveleve të ndryshëm. Ata që kanë shërbyer në këtë armë, kanë patur shkallë jo të njëjtë kualifikimi. Pilotët e klasit të parë, pa bërë evidencë, mund të numërohen me gishta. Aktualisht  janë në jetë, vetëm dy të tillë. Bëhet fjalë për ata që janë të çertifikuar, jo për ata që i atribuojnë vetes, merita të stisura. Aktualisht, kemi  mes nesh, pilotë të lkasit të parë: Çobo Skënderin  dhe Halit Bulkun; shokë të një grupi fluturues e miq jetëgjatë. Ata dhe kolegët e tyre të ndjerë, janë ngjitur në majë të piramidës si fluturues, mbasi kanë përshkuar udhën e gjatë e të vështirë të klasifikimit, sipas një programi të orientuar drejt, me kërkesa rigorozisht shkencore e të menduar mirë.

Në këtë shkrim modest do të bëj përçapje, për të pasqyruar, me vërtetësi  jetën e trazuar të njërit prej tyre : Çobo Skënderit, i cili bën pjesë në aradhën e atyre që mund të etiketohen, me të drejtë si “ fajtorë pa faj”. Rrugëtimi i tij, në jetë i përngjan  kalimit nëpër një monopat, në terren të thyer malor, të cilit i del përpara, papritur,  një gur, i madh,  i rrokullisur nga gremina, e i pret udhën papritur e pakujtuar duke e penguar të shkojë drejt objektivit që i ka vënë vetes.

Çobo Skënderi u lind më 22 prill të vitit 1934, në fshatin malor të Progonatit , i cili i përket krahinës të Kurveleshit të Sipërm, njerëzit e të cilit shquhen për dashuri të pamatë ndaj Mëmëdheut dhe me tipare  luftarake, në të gjitha kohët. Ata, mbi të gjitha,  aspirojnë lirinë dhe drejtësinë. Babai i Çobos- Hibroja, ishte çoban, me dele ,kurse e ëma – Zalua ishte shtëpiake. Sipas traditës vendase, Ajo ishte çobaneshë, dhe i gjendej burrit  pranë, në çdo proçes të mbarështimit të bagëtive të tufës  së familjes. Çobua erdhi i pari fëmijë i familjes dhe djalë. “Gëzuan qepra e qoromidhe”, siç thonin aso kohe, në ato anë. Nënë Zalua dhe Baba Hibrua e kishin gëzimin e parë, si fryt i lidhjes së tyre tradicionale. Në shtatzaninë e parë, si kandidate për t’u bërë nënë, me droje e në vetminë e saj, larg syve e veshëve kurreshtarë, Nëna e Çobos, tek përkëdhelte barkun që rritej çdo ditë, i këndonte fëmijës që mezi priste ninulla dhe e uronte: “ Ardhsh i mbarë”! Mbante një jetë njeriu, brenda jetës së saj. Kur Ajo ndërpriste ninullën, fetusi e gjuante me shkelma ( dmth, e luste nënën, të vazhdonte, “dialogun” që kish nisur me fëmijën e pritshëm).

Trualli ku u lind e hodhi shtat Çobua ishte i fortë; si ata gurë mali, mbi të cilët vrapoi, pas dhenve heroi i këtij rrëfimi. Pinjollët e paraardhësve lavdiplotë të atyre anëve, trashëguan nga të parët e tyre tipare burrërore dhe njerëzore, të cilat i kanë shpalosur kudo e në çdo kohë. I tillë u formësua e mbeti, tërë jetën  Çobo Hibro Skënderi, shtatshkurtëri  topolak, me fjalë melhem e gojëmjaltë.

Më 2 prill të vitit 1943, kur familja përgatitej për të dalë në stan, Nënë Zalua, e sëmurë rëndë me plevit, ra  në shtratin e vdekjes e ndërroi  jetë. Mungesa e mjekut dhe e medikamenteve  me efektivitet, nuk bënë të mundur parandalimin dhe shëndoshjen e të sëmurës, tek sa mjekimet tradicionale, nuk dhanë rezultatet që priteshin. Në atë kohë lufte, Çobua ishte ende i parritur dhe e përjetoi dhimbshëm këtë fatkeqësi të pakrahasueshme.

I mbetur bonjak nga e ëma, akoma i parritur, Çobua, duke u çapitur pas të atit, në kullotat ku veronin dhentë,në malin mbi Progonat, në Sheshin e Eshtrave, në Filimara, në Qafën e Marinit, në Dukëprift e gjetkë, në atë terren plot me gurë stërralli, të cilët e pengonin të ecte nxitimthi pas bravareve por herë rrëzohej e përsëri ngrihej, nuk iu nda babait, madje iu afrua më tepër, për të kompensuar mungesën e dashurisë që merrte nga e ndjera Nënë.

Në stinën e thatë, familja e Çobos, si gjithë familjet e bashkëfshatarëve, “braktisnin” shtëpitë që kishin në fshat e veronin, në mal, ku “ mblidheshin”, në stan, teksa dhëntë e tyre  mërzenin nën tendë e në vathë. Në mal, familjarët, ushqeheshin  kryesisht me prodhimet e stanit, aty flinin e aty jetonin. Nga shtëpia u sillnin bukë misri të pjekur në ponicë ose të përgatitur me ujë të valë, ndonjë byrek me lakra të egra apo me gjizë, ndonjë qumështor, harapash me gjalpë apo , kur ishte e mundur, me të brendshme berri e ushqime të tjera. Bulmeti, si ushqim bazë, nuk mungonte kurrë.

Çobua u rrit, mes frymës aromatike të deleve të cilat ushqeheshin me trëndelinë e me bar mali alpin. Era  e freskët e malit, e pasur me oksigjen dhe aroma e salepit dhe e sherebelit, i mbushnin mushkëritë e tij me aromën e luleve të malit. Në natyrën e atyre anëve edhe djersitja është një dukuri e rrallë. Në stinën me lagështi, kur moti  ftohej, babai i Çobos, i bashkonte dhentë me ato të kushërinjve dhe shtegtonte në Vërri, në kullotat  e Gjirekut ( Delvinë) e gjetkë. Çobua i mitur nuk mund ti ndiqte bagëtitë e familjes, në të tilla  largësi ndaj mblidhej, në fshat, në shtëpinë e tij. Për të kujdesej gjyshja ( nëna e babait) e cila, lëvizte me vështirësi, e mpakur nga vitet dhe motra e madhe, Gëzimja, e cila mësoi mjaft prej saj edhe pse ishte vetëm 2 vjeçe më e vogël nga i vëllai.

Jeta e çobanit, në mal i mësoi Çobos shumëçka. Në përpjekjet e tij të para për të njohur jetesën e çobanit dhe fjetjen në mal, në stan, ai mësoi  të përballet me kushtet e veçanta atmosferike, ku e veçantë ishte freskia e malit, por dhe me faktorë të tjerë si rrebeshi, vetëtima, bubullima etj. Në shpatin e Malit të Progonatit, kur Çobua shkonte pas dhënve, në kullotë, i rastisi të shikonte një ujk, i cili u kacafyt me qënin e stanit e u përzu, dhunshëm nga kopeja. Djali i parritur i xha Hibros, u ambientua me lëvizjen, nga njëri  vend në tjetrin, në kushtet e errësirës të natës dhe kur egërsirat lëviznin lirisht në ato anë. Kësisoj Çobua nuk  e njohu frikën dhe nuk kishte drojë të qarkullonte, i vetëm, në orë të ndryshme të ditës e të natës dhe në mot variabël, në hapësirat ku qarkullonin bagëtitë që kish në mbarështim.

Çobanët, në netët  e muajve të thatë, nga prilli në fund të shtatorit, e kalonin natën në mal, mes bagëtive. E fjetura në mal, nuk ishte  gjë e lehtë. Për shtresë shfrytëzohej ndonjë shkurre dhe jo rrallë, vendin e dyshekut e zinte një pllakë guri. Si mbulesë e çobanit, zakonisht përdorej sharku  (brruci), së bashku me kompletin e vet- llabanen . Xha Hibrua, babai i Çobos, pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes, gjykonte si detyrë imediate ta mbështillte të birin me sharkun e tij. Madje, atij i dukej sikur kësisoj plotsonte kujdesin që i mungonte  djalit bonjak. Ai duke i lënë më tepër shark, për t’u mbuluar të birit, teksa , për vete, bënte si bënte, si i rritur, duke e lënë njërin krah të pambuluar. Kështu ai ndihej në “paqe” me veten . Kjo përkujdesje e të atit, për Çobon ishte e ndieshme dhe e prekshme por nuk plotsonte atë që i mungonte djalit- dashurinë dhe përkujdesjen e nënës. Se dashuria e nënës ka tjetër shijë e jeta e fëmijës në barkun e nënës, që nga ngjizja, është, në fakt jetë brenda jetës. Prandaj ndjesia, në të dy skajet e jetës ka tjetër shijë.

Siç dihet, nëna ka të tjerë raporte me fëmijën e saj. Është e tepërt të përsëritet se fetusi, qyshse është në barkun e nënës, hyn në lidhje me të; jo thjesht për çështjen e të ushqyerit por është provuar se komunikon me nënën, në forma të ndryshme, kryesisht me anën e ndjesisë. Kur fëmija shkëputet nga trupi i nënës, ka të tjera ndjesi, nga të dy dhe dashuria mes tyre merr të tjera përmasa. Zakonisht, fjala e parë që artikulon fëmija është tingulli: Ma…; kur fëmija nuk është në kondicion të mirë fizik, i pari njeri që e ve re këtë, është nëna. Ajo, vetëm me buzët e saj, të vendosura  mbi ballin e të voglit, e kupton nëse bebi ka temperaturë apo diçka tjetër. Po të ushqyerit nga vetja, me qumështin e gjirit, a nuk është një lidhje e fortë mes tyre? Kështu dhe kur rritet njeriu; në raste fatkeqe, ose kur vuan; “ o nënë, thotë”. Sa herë duhet ta ketë artikuluar Çobua, këtë togfjalësh? Dhe jo vetëm ai. Prandaj mund të themi se raporti që ndërthuret mes nënës dhe fëmijës, nuk mund të zëvendësohet me asnjë tjetër.

Me kalimin e kohës, Çobua e ndiente më tepër mungesën e nënës dhe e kërkonte atë. Hera herës, kur çonte dhentë në kullotë, pa i thënë babait, shkëputej, siç le qengji kopenë, e zbriste në shtëpi, me shpresë se do të gjente nënën. Trokiste në derë, por shtangej  kur atë e hapte motra e madhe – Gëzimja , teksa gjyshja përgatiste diçka  për të ngrënë, pranë vatrës. I dëshpëruar e turivarur nga zhgënjimi që pësonte, djali bonjak ngjitej përpjetë, në stan, duke fishkëlluar, me një bohçe në dorë, ku ishte ushqimi për babanë.

Kishte raste në të cilët, pas çdo kthese këmbëmali apo në ndonjë përrua ku shpinte dhentë për të pirë ujë, shpresonte so do ti dilte përpara nëna ; si Hirushja në përralla. Kur u rrit e i kuptonte ato që kishin ngjarë, ai kuptoi kotësinë e shpresëmbajtjes për të gjetur nënën. Nëna e tij kish shtegëtuar larg e pa kthim. Çobon e ka munduar gjat gjithë jetës, mospasja e një imazhi të qartë, për tiparet e fytyrës të njeriut më të dashur. I thanë se e ëma ishte mjaft punëtore dhe se shtëpia e oborri i tyre shëndrinte nga puna e duarve të saj, por ai nuk e përfytyroi kurrë portretin e saj dhe tiparet e asaj fytyre të dashur. Sipas të thënave, të të afërmve dhe gjitonëve të familjes, Çobua tentoi ta vizatonte, në mendje,  atë, por nuk iu afrua të vërtetës dhe mbeti në kufijtë e hamendësisë e të mjegullimit.

Arat e xha Hibros ishin në Dashe, në Dukëprift, në Filimare e në Sheshin e Eshtrave. Familja e tij, i punonte e i mbillte vetë arat, me një parmendë druri dhe me një pendë qe. Ngrehina e familjes, e ndërtuar rreth vitit 1884, deri sa u shkatërrua, në vitin 1914, ishte me dy kate, me dy sofatë tek porta, të cilët mbuloheshin nga një strehë, e veshur me pllaka guri të bardhë. Shtëpia ndodhej në rrëzë të kodrës së Shullërit e ishte e ngritur nga mure guri, të bardhë. Muri ishte i lidhur me llaç gëlqere, pa breza druri, e i pa suvatuar, nga jashtë. Çatia e shtëpisë ishte e mbuluar me pllaka guri, të bardhë, të rënda. Dera eshtëpisë ishte me hark guri të gdhendur, kurse pragu i saj ishte prej mermeri. Në të dy sofatet me pllakë guri përsipër, luanin burrat e fisit lojëra të ndryshme, kryesisht me letra bixhozi.

Në të dy katet e konakut banonin familjarë. Ngrehina nuk kish katua për gjënë e gjallë. Dhomat ishin pa  tavan. Njëra nga dhomat ishte e shtruar me dysheme dhoge; tjetra – me pllaka guri. Një oborr i madh, i shtruar me pllaka guri  rrethohej nga një mur guri  rreth 2 m i lartë, sipër të cilit ishin vendosur pllaka guri gëlqeror. Në oborrin e shtëpisë ishte një kumbull e egër. Në bahçen pas shtëpisë  vegjetonin 6 rrënjë qershi; 2 prej tyre piqeshin në fund të majit; 2 të tjera, arrinin pjekjen  rreth datës 10 qershor e të tjerat, mund të konsumoheshin, në fund të muajit korrik. Në bahçen e familjes, gjithashtu vegjetonin 2 rrënjë arrë me trup e kurorë të azdisur.

Gjitonë të Hibros, ishin dy vëllezër të babait të tij: Rrapoja  dhe Xhemali. Ngjitur me shtëpinë e tij ishte ngrehina e Haxhiajve, Roshajve e Çunajve, me të cilët kishin marrëdhënie mjaft dashamirëse. Një mur i ndante nga dajot. Shok të ngushtë, që nga fëmijëria, Çobua kish Agim Shehun. Por shoqëri të ngushtë kishin mes njëra-tjetrës nënat e tyre. Nëna e Agimit ishte nga Golëmi, por shoqëria e saj me nënën e Çobos, ishin emocionuese. Ato flinin, me radhë: një javë, në shtëpinë e xha Hibros, një javë tjetër në shtëpinë e xha Ydajetit, babait të Agimit. Çobua rrëfen dhe për një lidhje gjaku me Asim Zenelin, të cilin ai e ka njohur, nga afër, në vitin 1937, kur ai erdhi nga Italia, ku studionte , në akademi, e u martua me një bukuroshe të rrallë. Edhe vetë Asimi ishte mjaft i pashëm. Në dasmën e tij, babai, sipas zakonit, çoi një goxha dash, të lyer në kurriz, me bojë të kuqe. Më mori para duarve Asimi, më puthi e më dha disa monedha, dëfton Çobua.

Lodrat e fëmijërisë që luante Çobo Skënderi, ishin ato të bashkëmoshatarëve të tij. Më e preferuara prej tyre ishte lodra me dërrasa, me cingëla, dokthi, kala dibrançe, me kërcatëse, ngrinte gracka  për të zënë thëllëza e pëllumba të egër, por nuk ngrinte leqe. Fëmijët e moshës së tij, kishin dhe një lojë tjetër të preferuar, e cila ishte  si një “epidemi” që përfshin tërë fëmijët e fshatit; vajtjen pas prindërve, me bagëti, në mal. Deri në vitin 1945, Çobua ishte çoban, pas çobanit, me dhen në mal. Pas largimit të babait të tij, në polici, në atë vit, bagëtitë i mori për ruajtje Rrapua. Çobua i vogël, si ndihmës i çobanit, i ngiste dhëntë me qumësht , që ti milte Rrapua e më pas ai mësoi ti milte  edhe vetë.

Kur iku i ati nga fshati, Çobua 11 vjeçar, mbeti i vetëm, në stan, me 50 krerë dhen e me 10 -të dhi. Ai i ruante vetë bagëtitë, ditë e natë dhe i milte, i ndihmuar nga motra  Gëzime. Ai  ndërtoi, në vendin e quajtur Shullë, tendën dhe shtrungën. Tënda, edhe sot njihet si tënda e Çobos. Në këtë moshë, sipas modelit të babait të tij, Çobua provoi, për herë të parë të zinte djathë të njomë në napë, madje, i ra rasti të therte një qingj, lëkurën e të cilit e preu në disa vende dhe gjyshja, kompetente e bëri poste.

Shkollimi i Çobos ka qenë një odise e vërtetë. Ai  kaloi nga klasa në klasë e nga shkolla në shkollë, derisa, në qershor të vitit 1947, u pranua në shtëpinë e fëmijëve, në Tiranë e më pas në konviktin e shtetit në Ujë të Ftohtë, në Vlorë dhe në Shkollën Normale të Elbasanit ku përfundoi klasën e parë të shkollës së mesme. Në konvikt e në shkollë ai u njoh e u miqësua me mjaft shoqe e shokë, nga treva të ndryshme të vendit. Në të njëjtën klasë  kishte dhe  bashkëmoshatarin nga Kuçi i Kurveleshit të Poshtëm, Çelo Gjokutaj, me të cilin u lidh me  miqësi, e cila u shndërrua në një lidhje të qendrueshme martesore, me të mortën e Çelos, Farfurinë e cila rezultoi jetëgjatë.

Në vitin shkollor 1950-1951, Çobua nisi mësimet në Shkollën e Mesme ushtarake “ Skënderbej”, në Tiranë, e cila ishte çelur, menjëherë pas çlirimit të vendit dhe e kishte selinë në Laprake; atje ku sot është spitali i traumës.  Në vitet e shkollës së mesme ushtarake “ Skënderbej”,Çobo Skënderi i përcolli në shoqërinë e djemve të sjellshëm e të edukuar : Manush Kreshpa dhe vëllanë e tij – Luterin; Mahmut Hysa; Gëzdar Veipi; Halit Bulku; Muamer Halite; Ramadan Ramadani; Sandri Sokoli etj. Shoqëri më të ngushtë ai kishte me kaniniotin Manush Kreshpa ( ndjesë pastë).

Në mësime, Çobua renditej me nxënësit më të përparuar e në sjellje, me më të edukuarit. Ai kish prirje pas lëndëve shoqërore, ku vendin e parë ia kushtonte letërsisë. Çobua, pa nënvleftësuar lëndët egzakte, vemendjen kryesore ia kushtonte leximit dhe shkrimeve. Ai nisi të shkruante poezi, që në moshën 15 vjeç,  e cila i përket adoleshencës së parë. Vjershën e parë, ai ia kushtoi një gruaje, nga fisi i Hilajve, e cila quhej Nazife Hila . Ajo grua, tipike labe, e veshur me të zeza,  këndonte e hidhte valle, me gra, në sheshin, tek rrapi, ku këndonte me zë të lartë e bënte thirrje për të shkuar në luftë kundër okupatorit fashist. Teksti i këngës së saj ishte:

“… Ngrihi burra, ngrihi djem;

Se fashizmi shpirtkatran;

Ditë e natë na jep helm;

Që të zhduket kombi, mbarë…”.

Po kjo grua, në vitin 1952, me këngë e me valle tek rrapi, bënte thirrje për të shkuar vullnetarë, për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë. Për të Ç obua shkroi vjershën e parë. Të dytën e shkroi, kushtuar Asim Zenelit; të tretën për Mustafa Matohitin dhe të katërtën, për Memo Meton. Nga dita kur Çobua shkroi poezinë e parë, në vitin 1950, deri më sot, kur po shkon drejt të tetëdhjetepesave, nuk ka rreshtur së shkruari: poezi, prozë, ka përkthyer e përshtatur disa shkrimtarë e poetë klasikë rusë, mes të cilëve më pranë zemrës ka patur Pushkinin e Madh, Jeseninin, Lermontovin, etj. Libri i njohur – Demoni, është i përkthyer prej tij. Ndoshta është e tepërt ta nënvizoj por mendoj se ia vlen të thuhet se përkthimi nuk është gjë e lehtë, në veçanti kur bëhet fjalë për “ gjigandë “ të letërsisë botërore. Prirjet për të shkruar në vargje e në prozë, kultura e gjerë dhe njohuritë e thella në lëmin e letërsisë, mesiguri i kanë ardhur në ndihmë Çobos për të bërë përkthime cilësore. Sot  ai numëron më se 15 libra të botuar, veç shkrimeve, të cilët akoma nuk e kanë parë dritën e botimit.

Punën e vështirë të çobanit, Çobo Skënderi e ka “ shijuar” dhe në “derë të huaj”. Në vitet e vështirë të luftës 1943-1944, babai i Çobos u detyrua të bashkojë dhentë me vjehrrin e motrës së Gëzdar Veipit, në Picar të Gjirokastrës, i cili quhej Dalip Sejko. Vetë Dalipi, në atë kohë, ishte me dhen, larg shtëpisë, në Qestorat të Gjirokastrës dhe bonjaku i Hibros, në shtëpinë e mikut të shtëpisë, ruante 4 lopë të Dalipit. Ai i kulloste ato, gjithë ditën, në brigjet e Picarit dhe, në mbrëmje i kthente në katua. Familja e Dalip Sejkos, e trajtoi bonjakun e Hibros, gati një vit, si djalin e shtëpisë dhe ai e përjetoi këndshëm  ngrohtësinë e sjelljes së tyre.

Kur u diplomua pilot e u kthye nga shkolla sovjetike e aviacionit, Çobua pilot, efektiv i Regjimentit të Qytetit “ Stalin”, në një fluturim rutinë në zonë, kur udhëheqësi i fluturimeve i dha “ zonën” e pilotimit mbi Zharzë, ai devijoi nga rrugëkalimi dhe shkoi në Picar, ku fluturoi ulët mbi shtëpinë e Dalip Sejkos, të cilës i theu qoromidhet. Më tej, Çobua kaloi mbi Progonat, po në lartësi të vogël e me shumë zhurmë dhe bëri perra-perra, dhëntë e dhitë e fshatarëve. Babai i Gëzdarit, i lavdishmi Riza Veipi, i cili u njoh me këtë “ akrobaci të ndaluar” të mikut të të birit ia tha këtë Gëzdarit, i cili, si shok i afërt i Çobos, nuk ngurroi ti bënte kritikë kolegut. Në atë vit, fluturimin e parë në zonë (pilotim), Çobua e spostoi në Vlorë, ku fluturoi ulët mbi konviktin  ku kishte mësuar dikur, në pallatet e Ushtrisë Italiane, në Ujë të Ftohtë. Këta dy fluturime me thyerje të rregullores së fluturimeve, i shërbyen pilotit të ri Çobo Skënderi, si shënjë mirënjohje , për të mirën që kishte marrë prej tyre.

Le të kthehemi tek vijimi i mësimeve në shkollën e mesme, në institucionin mësimor ushtarak, në atë që është quajtur fidanishte e ushtrisë, në Shkollën “ Skënderbej”, ku “ heroi “ i këtij shkrimi u rrit e u burrërua dhe u formësua me të gjithë kualitetet fizike e intelektuale të cilët i shërbyen, më vonë, në jetën e tij si aviator. “Vlaga” që Ai përthithi në bankat, laboratorët, palestrrën, këndet e veglave gjimnastikore dhe regjimi i rreptë ditor e disiplina ushtarake, i kanë shërbyer gjat gjithë jetës; i vlejne edhe sot, kur ai përcjell moshën e katërt e gjërat , siç dihet nuk janë si më parë. Kalitja e tij fizike, aktivizimi në lojën e futbollit, të cilën, aso kohe, skënderbegasit  e luanin prapa shkolllës, aktivizimi i Ç obos në rolin e mesfushorit të fuqishëm e me shumë frymë, ka qenë determinante në vazhdimësinë e mëtejshme të një fiziku të formuar mirë.

Shokë të Çobos, në shkollën “ Skënderbej” ishin: Manush Kreshpa dhe vëllai i tij – Luteri; Gëzdar Veipi; Mahmut Hysa ; Aleksandër Sokoli; Muamer Alite; Ramadan Ramadani; Halit Bulku etj. Shok më të afërt, në klasë e në shkollë, ai kishte kaniniotin besnik- Manush Kreshpa ( ndjesë pastë). Afërsia e tij me Manushin, nuk ishte çështje krahinarizmi, por përputhje mentalitetesh e karakteresh. Siç rezultioi më pas, ata, të dy e vijuan miqësinë e tyre edhe për shkak të profesionit të pilotit që zgjodhën, në jetë. Ndoshta ka ndikuar fuqishëm dhe të qënit në të njëjtën klasë, teksa, të tjerët ishin në klasa të njëjta, por paralele.

Pas përfundimit të mësimeve në Shkollën e Mesme Ushtarake “ Skënderbej” dhe kalimit me sukses të “ tarabës”, në komisionin ushtarako mjekësor, Çobua dhe disa bashkënxënës të tij, u klasifikuan të aftë për t’u bërë pilotë gjuajtës-bombardues dhe u nisën për në Bashkimin Sovjetik, ku do të studionin në shkollën sovjetike të aviacionit. Shokë grupi të tij, në atë rrugëtim ujor 11 ditor ishin: Gëzdar Veipi; Halit Bulku; Bajazit Joho; Mahmut Hysa; Selman Meçe; Manush Kreshpa; Muamer Alite; Aleksandër ( Sandri ) Sokoli; Ramadan Ramadani dhe vetë Çobua; plot 10 kandidatura, për t’u bërë pilotë.

Lundrimi, në drejtim të portit të Odesës ( BS ) nisi nga porti i Durrësit, në mbasditën e 11 shtatorit të vitit 1953, me anijen e Mbretit të Rumanisë. Mjeti lundrues ishte i paparë. Në anijen në fjalë, të rinjtë nga Shqipëria, gjetën kushte nga më të mirat e kohës dhe të papara e të paimagjinuara prej tyre. Ndalimin e parë kasndidatët për pilotë e bënë në portin e Varnës ( Bullgari). Në këtë qytet të bukur, Çobua dhe shokët e tij, mbërritën mbasdite dhe  fjetën atë natë. Të nesërmen  në mëngjes, anija rumune u nis dhe për udhë e ndalesën e radhës e bëri në portin e Kostancës ( Rumani). Aty, adoleshentët nga vendi ynë fjetën dhe një natë tjetër e, të nesërmen, morën drejtimin për në Odesa ( BS ), ku mbërritën pas një dite e gjysmë lundrimi. Përsëri një natë, në një shkollë ushtarake sovjetike dhe  rinisja me tren, për në Veri.

Kandidatët për pilotë të grupit ku bënte pjesë Çobua, përshkuan me udhë hekurudhore hapësirën ukrainase, nëpërmjet Kievit dhe mbërritën në Moskë, në kufijtë e mesditës. Në stacionin e trenit, në Moskë, kandidatët për pilotë i priti, Lisniçi; një oficer i shkollës së Aviacionit sovjetik të Borisoglebsit, me kombësi ukrainase ( hoholl ). Lisniçi i shoqëroi djemtë nga Shqipëria, në një restorant ku haej lirë, në qendër të metropolit, për të ngrënë drekë. Lisniçi qendronte në krye të tavolinës e njmëzakët rreth tij. Ai kish e bërë porosinë e ai paguante. Shqiptarët, merrnin bukë nga kanistrat që shkonin e vinin në duart e kameriereve simpatike, me duar. Oficeri sovjetik i cili kish tjetër mentalitet, e merrte bukën me pirun dhe, sa herë tanët zgjatnin dorën për të marrë bukë, ai i shponte me pirun.

Në Moskë, kandidatët për pilotë  fjetën, një natë, në një hotel ushtarak dhe të nesërmen shëtitën në Sheshin e Kuq. Ata shkuan në univermag ( depo universale); vizituan maozoleun, ku ishin të balsamosur Lenini dhe Stalini dhe shëtitën, nëpër metropol. Të nesërmen, me një tren me fjetje, ata rrugëtuan 3 ditë  (net), drejt qytetit Borisoglebsk, ku ndodhej shkolla e aviacionit sovjetik, që mbante emrin e të lavdishmit Valerij Çkallov. Kjo shkollë ishte nga ato shkolla aviacioni, ku ishin përgatitur disa mijëra pilotë, të cilët bënë histori në Luftën e Dytë Botërore. Shkolla ishte e mirënjohur në hapësirat sovjetike dhe më gjerë, për kushtet e të mësuarit, metodikën dhe nivelin shkencor që prezantonte.

Në stacionin e trenit të Borisoglebsit, djemtë u pritën nga kursantët për pilotë, të grupit pararendës ku bënin pjesë: Agim Spahiu; Bardhyl Taçi; Hamit Ulqinaku; Vasil Andoni; Anastas Ngjela dhe Andrea Stavre. Këta ishin të grupit të dytë të kursantëve shqiptarë që u përgatitën për pilotë, në atë shkollë, pas grupit ku bënte pjesë Kosta Neço Dede; Sulo Saliaj; Vullnet Aliaj; Tomorr Avdiaj etj. Grupi i kursantëve që gjetën në shkollë, u bënë jo vetëm udhërrefyes por luajtën një rol  me vlerë në akomodimin dhe udhëzimin e rishtarëve, për të nisur studimet. Ata, me shëmbullin e tyre, shërbyen si model i sjelljes të kulturuar e të qytetëruar në atë qytet të lashtë e me tradita të mira.

Rishtarët ishin të veshur me uniformën e pilotit, me shënja e aksesorë të tjerë, pa grada mbi supe. Komanda e shkollës, urdhëroi që ata të visheshin me uniformën ushtarake të kursantit sovjetik e ashtu u bë. Kursantët u ndanë në grupe fluturimi. Në një grup ishin 5 kursantë. Në njërin nga grupet, bënin pjesë:

  • Çobo Skënderi;
  • Selman Meçe;
  • Mahmut Hysa;
  • Halit Bulku;
  • Bajazit Jaho.

Instruktor fluturimi i këtij grupi ishte piloti sovjetik, me origjinë ukrainase- Ivan Vdovjenko; babai i të cilit kish qenë pilot e ishte vrarë në luftimet për mbrojtjen e Leningradit. Instruktorë të tjerë të pilotimit ishin: rusi Semjonov e Dokuçajev, etj. Komandant katërshe ( zvjene)  ishin: Ivan Sozin; Tkaçenko etj. Ljesniçi mbante gradën e nënkolonelit e ishte komandant nënreparti. Rusi Shollohov ishte komisar i shkollës. Pas ndarjes në grupe fluturimi, të sistemuar në fjetoren e katit të dytë, kursantët nisën proçesin mësimor. Ndërsa kursantët flinin në katin e dytë të shkollës, në katin e parë ishin: Dhoma e Leninit; klasat dhe kabinetet mësimorë, banjat dhe mjediset e përdorimit të përbashkët. Krevatët për fjetjen e kursantëve ishin njëkatësh.

Nën drejtimin e kursantëve  pararendës nga vendi ynë, rishtarët, edhe pse nuk kishin dalje të lirë, zyrtarisht, bënë një shëtitje, me lejen e komandës së shkollës, për t’u njohur me qytetin. Aso kohe, Borisoglebsi kish 350000 banorë, kryesisht të kombësisë ruse. Qyteti kapte një siërfaqe të konsiderueshme, por ngrehinat ishin izba, të ndërtuara me konstruksion të lehtë dhe me kashtë. Me konstruksion tulle ishin vetëm Universiteti; Shtëpia e kulturës e ushtarakëve ( DKA);  Kisha; kinoteatri dhe dy ndërtesat e Shkollës së Aviacionit.

Kushtet e të mësuarit të fluturimit dhe ato për jetesë ishin mjaft të mira e funksionale. Pedagogët dhe instruktorët e fluturimit ishin në nivele mjaft të lartë  shkencorë dhe dalloheshin si metodistë të spikatur. Kabinetet, klasat dhe biblioteka ishin të pajisura me literaturë e bazë materiale nga më të sofistikuarat e kohës. Një mësuese e re, me moshë rreth 27 vjeç, drejtonte mësimin e Gjuhës Ruse. Ajo quhej Ina Çistjakova  dhe  kishte 3-4 vjet që kish mbaruar universitetin në profilin e mësimdhënies . Mbasi përcolli mësimin e Gjuhës Ruse nga kursantët shqiptarë, ajo u martua në Kazakistan. Çobua, kur shkuan në Bashkimin Sovjetik, dinte diçka më mirë rusisht e ishte përgjegjës i grupit të kursantëve. Shokët e tij të grupit e flisnin rusishten  gjysma –gjysma.

Në muajin prill, të vitit 1954, pas ndarjes të grupeve të fluturimit, kursantët iu nënshtuan një komisioni ushtarako-mjekesor  vendas,i cili deklaroi të paaftë për të fluturuar ; Ramadan Ramadani n; Muamer Aliten dhe Aleksandër ( Sandri) Sokolin. Ata kaluan në profile të tjerë, në shkollat sovjetike të aviacionit. Në qytet nuk kishte dalje të lirë për të sapoardhurit. Ata, në shoqërinë e kursantëve që gjetën në shkollë, shkonin  për t’u argëtuar, të organizuar në Shtëpinë e Kulturës të Ushtarakëve, ku organizoheshin mbrëmje vallzimi, herë pas here, si dhe veprimtari të tjera kulturore – argëtuese. Shpërblimin muajor në të holla ( rubla), kursantët e merrnin, si rregull, në ditën kur jepej shpërblimi muajor i pilotëve instruktorë dhe kuadrove të tjerë të shkollës. Shtëpia e kulturës, ku shkonin kursantët shqiptarë, ishte rreth  60-70m larg, nga dera e shkollës.

Në atë muaj ( prill 1954), nisën fluturimet vozitëse  me kursantët shqiptarë të grupit ku bënte pjesë Çobua, në aerodromin fushor të Çigarakut, me aeroplanin Jak-18, me rrotë në bisht. Meqënëse sipërfaqja e aereodromit ishte e mbuluar nga bora, avionit i viheshin nën rrota, disa ski, të cilave, vendasit, në gjuhën teknike u thonin : Slita. Kur bora shkriu edhe slitat u hoqën.

Para se të nisnin fluturimet, sipas një rregulli të detyrueshëm, kursantët u hodhën me parashutë. Hedhja u realizua në datat 3 dhe 4 prill, të vitit 1954. Vendi i hedhjes ishte 3 km larg aerodromit të Çigarakut. Për këtë qëllim u përdor një aeroplan LI-2. Ishte hera e parë që djemtë nga Shqipëria u hodhën me parashutë. Të rrjeshtuar përbri njëri-tjetrit,  sipas peshës trupore, kursantët u ngjitën në aeroplan dhe, në çastin e hedhjes, mbasi jepej sinjali jeshil, i shoqëruar me një sirenë të vazhdueshme, ata që hezitonin, i shtynte instruktori parashutist, me një shkelm , në prapanicë. Çobo Skënderi dhe Halit Bulku, ishin me peshë trupore të përafërt, ndaj u hodhën njëri pas tjetirit. Mungesa e përvojës dhe rastësia, bënë që këta të dy të përplaseshin ( takoheshin) me njëri-tjetrin , 2 herë, në ajër, sikur të ishin deshë. Produkti i këtyre takimeve ishte vetëm ilariteti mes shokëve të grupit dhe instruktorëve të tyre.

Në muajin shtator të vitit 1954 grupi i kursantëve përfundoi programin e fluturimeve dhe iu nënshtrua provimit. Pas një përgatitje teorike të domosdoshme, në fund të tetorit , të atij viti, grupi i kursantëve u shpërngul në Povorino, 100 km, larg qytetit të Borisoglebsit, ku fluturuan rreth 1 muaj. Pas kësaj, ata, u çvendosën sërisht, në aerodromin  e Rodniçokut, 200 km. në Lindje të Borisoglebsit ku i zuri dimri. Në janar të vitit 1955, aeroplanët e fuqishëm me helikë Lla-5, për shkaqe konstruktive, mbasi kishin  marrë mjaft jetë pilotësh, u shkatërruan, në tokë, me vare. Kursantët shqiptarë, e panë, me sytë e tyre, këtë shkatërrim të organizuar e të justifikuar.

Dimrin e vitit 1954, kursantët e grupit të Çobos, bënë përgatitjen teorike për të kaluar në aeroplanin reaktiv Mig -15, i cili ishte një hap përpara, në krahasim me atë pararendës. Avioni Jak -11, ne të cilin ata fluturuan pas avionit Jak-18, shërbeu si kalimtar, në udhën e transformimeve teknologjike të aeroplanëve gjuajtës-bombardues. Në avionin Jak -11, tregues më rezultativë dha kursanti Gëzdar Veipi, i cili u lëshua i pari në fluturime pa instruktor në kabinën e dytë dhe me më pak fluturime vozitëse.

Në muajin maj të vitit 1955, kursantët e grupit ku bënte pjesë Çobua, nisën fluturimet në aeroplanin gjuajtës-bombardues reaktiv të tipit Mig-15. Ishte një aeroplan i kohës, me të dhëna taktiko-teknike të lakmuara dhe me të dhëna fluturuese relativisht më të preferuara. Komandimi i tij ishte më i lehtë  në krahasim me pararendësit e tij. Kursanti ndihej komod në kabinë dhe hapësira pamore ishte më e madhe. Futja e këtij aeroplani  në proçesin mësimor të fluturuesve ishte një “ revolucion” i vërtetë në tëmësuarit e teknikës së pilotimit. Ca më tepër që, ky avion u fut në armatim dhe, siç rezultoi më pas, u bë baza e aeroplanëve gjuajtës –bombazardues të aviacionit të ushtrive të Lindjes.

Fluturuan deri në muajin dhjetor, kursantët shqiptarë, deri sa ra bora e parë, e cila u pasua nga rreshje të vazhdueshme  bore, deri në pranverën e ardhshme. Nga  dita kur u ndërprenë fluturimet, çdo kursanti i mbetën, mesatarisht edhe 5 orë fluturim. Dimrin e vitit 1954-1955 grupi i kursantëve e përcolli në shkollën e pilotëve “ Çkallov”, ku nuk bënë as teori ; as praktikë. Të shumtën e kohës së mbetur, ata e kaluan në Shtëpinë e Kulturës të Ushtrisë, me pjesëmarrje të shpeshtë në veprimtaritë kulturore e në ato sportive.

Nën drejtimin e sipas shëmbullit të kursantit të “ shkëlqyer” Agim Nuredin Spahiu, i cili veçse ishte një pilot i talentuar, ishte dhe një fizkulturist e futbollist i spikatur, Çobo Skënderi dhe shokët e tij më të shkathët: Gëzdar Veipi; Mahmut Hysa; Manush Kreshpa, etj. të cilët luanin futboll cilësor, u formësua një ekip futbolli, emërmirë, i cili konkurronte suksesshëm në garnizon dhe mori pjesë në kampionatin  e futbollit të Bashkimit Sovjetik, të kategorisë të dytë. Në këtë ekip, Çobua zinte pozicionin e mesfushorit së bashku me Manush Kreshpën. Mesfushorin e luante dhe Vasil  Xoxi Andoni. Agim Spahiu, si kryesues i ekipit dhe talent e i fuqishëm, luante në çdo pozicion. Gëzdari sedërli dhe miku i tij i mirë, xhongleri  Mahmut Hysa, zinin pozicion kyç, në ekip e i jepnin tonin ekipit. Bukur luanin dhe kursantët: Anastas Ngjela; Bajazit Jaho dhe Aleksandër ( Sandri ) Sokoli.

Në muajin maj të vitit 1955, kur bora shkriu e gjelbërimi nisi të gjallërohej, kursantët rinisën fluturimet në aeroplanët Mig-15. Programin e fluturimeve, në këtë avion, kursantët e përfunduan në fund të muajit gusht 1955. Sipas rregullit, para se të diplomoheshin pilotë gjuajtës-bombardues e të titulloheshin oficerë, ata iu nënshtruan disa provimeve. Në këta provime ngjau diçka që në atë shkollë nuk ishte parë ndonjëherë: Kursanti Mahmut Hysa, nga fshati Maminas i rrethit të Durrësit, në katër vitet e shkollës kishte treguar nivel të lartë teoriko-praktik dhe kish zënë vend në tabelën e nderit të shkollës së aviacionit.  Në një lëndë, kur dha provim teorik, për kapriçio, pedagogu i vuri notën katër. Të gjithë dolën me rezultate “ shkëlqyeshëm” e u titulluan togerë; vetëm Mahmuti, i cili kishte një katër, u titullua nëntoger. Iu lutën shokët , si shokë, të rijepte riprovim; iu lutën dhe oficerët vendas por Mahmuti , nguli këmbë në të tijën e nuk u fut në riprovim. Kështu, ai erdhi në Shqipëri, me gradën e nëntogerit, kur, të gjithë erdhën me gradën e togerit.

Në fund të muajit shtator të vitit 1955, me anijen sovjetike “ Odesa”, oficerët fluturues, mbërritën në Durrës e më pas, në Tiranë. Atyre u dhanë emërimin në Regjimentin “ Peza”, të Qytetit “ Stalin” si i vetmi regjiment luftarak në vendin tonë. Bënë një muaj leje, shkuan pranë familjeve dhe në afatin e përcaktuar , u pararaqitën në detyrë. Çobua, i  veshur me uniformën e bukur të pilotit, me spaletat e togerit mbi supe e me pistoletë në brez, pas vizitës të të tijëve në qytetin e Tepelenës, të cilëtm aso kohe banonin në një shtëpi, brenda territorit të kalasë të lashtë, bëri një vizitë në fshatin e tij të lindjes, në Progonat. Në Tepelenë, Çobua u prit si “ hero”. Kur u nis nga Tepelena, ishte buzëmbrëmje. Babai e paralajmëroi, se do të mbërrionte në fshat, kur të kish rënë nata dhe i duhet të bënte kujdes, kur të trokiste në shtëpinë mikpritëse, mbasi në oborrin e saj, ishte një qen  i madh, e i egër, me trup sa një ujk, nga i cili ishte i shqetësuar gjithë fshati. Çobua, me entusiazmin e të riut, i cili gëzon se do të takojë njerëzit e dashur e do të shmallet me nostalgjinë e viteve të fëmijërisë, i dëftoi babait, pistoletën, që mbante në brez, duke nënkuptuar se nuk pyeste fare për çfarë do ti dilte përpara . Pas mbërritjes në fshat, Çobua, u ndodh përpara një surprize të këndshme. Qysh në trokitjen e parë të portës, qeni Balo, i egërsuar, u sul, me vrull, drejt saj. Po çfarë ndodhi, më tej? Sapo u hap dera, e Çobua u dha në prag të saj, Balua uli tempin, u qetësua e  u afrua, nxorri gjuhën, futi kokën mes çismeve të të ardhurit dhe  çudcditërisht u bë tjetër. Përse vallë ngjau  ky tjetërsim, tek qeni i egër Balo?

Në korrik të vitit 1953, kur nxënësit e Shkollës Ushtarake “ Skënderbej” shkuan në fushimin veror, në Voskopojë, Çobua, i  veshur me uniformën e bukur të Skënderbegasit, shkoi në Progonat , për të takuar të tijët, para se të nisej për në Bashkimin Sovjetik, në shkollën e pilotëve.  E kish marrë malli për gjyshen dhe për motrën e madhe. Vizitën e parë, ai e bëri në shtëpinë e Rrapos, vëllait të gjyshit, i cili e mbajti për darkë. E shoqja, Zelika, i tha nipit të burrit: “ Më ka dërguar Nazifi, nga mali qenin balo, i cili është i sëmurë e nuk ha. Po deshe, merre e hidhe nga buza; qeni është pas shtëpisë. E pa Çobua qenin të kapitur e me sytë mbyllur. Mori një copë tel, i lidhi një gur e ia hodhi qenit në qafë. Ai ish gati ti jepte një të shtyrë e qeni do të përfundonte poshtë, në humnerë, i pajetë. Para se ta shtynte kafshën, skënderbegasi zemërmirë e i ndjeshëm, e vështroi, balon, me vemendje dhe dalloi, në syrin e majtë të tij, një pikë loti. Menjëherë Çobua ndërroi mendim dhe e zgjidhi qenin. Ai porositi të zonjën e shtëpisë ta ushqenin me qunësht e ta trajtonin mirë Balon. Ashtu bënë të zotët e tij dhe qeni, jo vetëm u shërua, por, për nga egërsia i futi tmerrin fshatit. Për çudi, e cila është e vështirë të spjegohet, qeni e mbajti mend të mirën që i bëri njeriu, para katër vitesh dhe, heshti kur ai u shfaq tek porta e shtëpisë që ruante. Me instinktin shtazarak, qeni Balo e shprehu mirënjohjen për atë që e shpëtoi nga vdekja e sigurtë, duke zgjedhur heshtjen, përpara agresivitetit ndaj tij.

Pas  paraqitjes në detyrë, në Regjimentin “ Peza”, Çobo Skënderi dhe shokët e tij të grupit u caktuan pilotë shoqërues, në Skuadrilen e dytë të regjimentit, e cila drejtohej nga kolonjari  i talentuar si pilot – Haki Jupasi ( ndjesë pastë). Skuadrilja tjetër, e para, kishte  komandant, njërin nga pilotët më të mirë të kohës, talentin e lindur Vasil Trasha ( ndjesë pastë), i cili e mbylli jetën me një akt heroik, për lartësimin e shkallës së kualifikimit të pilotit. Komandant i Regjimentit “ Peza” ishte babai i aviacionit shqiptar, i paharruari Niko Selman Hoxha, kurse zëvëndës i tij, ishte Fari Bubësi ; një tjetër ikonë e aviacionit shqiptar.

Pilotët e rinj, sollën në regjiment, jo vetëm një cilësi të re, sa i takon të fluturuarit, por me sjelljen e tyre gjithë kulturë e korrektësi, prunë dhe një frymë të re, në marrëdhëniet ndërqytetëse. Mund të thuhet se  grupi i tyre ishte njëri nga grupet më me nivel  tekniko-profesional e me sjellje qytetare të të gjitha kohëve. Mësimet që morën në Shkollën e aviacionit “ Çkallov” të Borisoglebsit, nuk shkuan kot. Në detyrën e pilotit shoqërues, të prirë nga shëmbulli pozitiv i atyre që gjetën në regjiment, si Vasil Trasha; Agim Spahiu; Anastas ngjela; Tomorr Avdiaj; Fari Bubësi  etj. ata, brenda më pak se dy vitesh, u rritën, me ritme të shpejtuar në profesion e i dhanë tonin stërvitjes ajrore e atyre taktiko-fluturuese. Çobua, si pilot shoqërues ishte në çift me Goxho Kondin, djalin nga Kuçi i Kurveleshit të Poshtëm. Me korrektësinë e saktësinë që shfaqi në fluturim dhe me sjelljen e tij të pëlqyeshme dhe qytetare Ai shpejt fitoi zemrat e kolegëve, fluturues e jo fluturues dhe gjithë atyre me të cilët kishte të bënte.

Në fundmarsin e vitit 1958, kur Çobua dhe shokët e tij të grupit, stërviteshin për të marrë klasin e dytë të pilotit, një ngjarje e rëndë, me pasojë vdekjen në krye të detyrës të talentit Vasil Trasha, i tronditi si gjithë kolegët dhe popullin e zonës, tronditi e preku thellë edhe  këta talente të rinj, të cilët nuk e kishin përvojën e nevojshme por kishin dëshirën e mirë për të përparuar dhe mishëronin tiparet e nevojshme që e garantonin rritjen e tyre. Djali nga Progonati e kishte idhull Vasil Trashën dhe vdekja e papritur e tij, në një fluturim, natën kur shponte retë e ngzarkuara, poshtë  e preku madje e ligështoi, shumë, atë por, nuk e theu. Ai, së bashku me shokët, vijoi punën për ngjitjen në klasifikim e në tërësi, në profesionin e nderuar të pilotit.

Pranvera e vitit 1959, solli një kapërcim në jetën si fluturues të Çobo Skënderit. Një grup pilotësh, të përzgjedhur, për teknikë pilotimi të spikatur, u nisën për në Bashkimin Sovjetik, ku do të kalonin në aeroplanët e sofistikuar Mig-19 PM, të pajisur me, radiolokatorë dhe me 4 raketa të drejtuara  ajër- ajër dhe që fluturonin me shpejtësi supersonike. Nisja e tyre u realizua  me ngritje nga aerodromi i papërfunduar, i Rinasit, me një aeroplan të prodhimit e me ekipazh sovjetik TU-104. Në grupin e kalimit ishin pilotët:

  • Edip Ohri, kolonel, pilot i klasit të parë, përgjegjës i grupit.
  • Haki Jupasi , kapiten i parë, pilot i klasit të parë, zv/përgjegjës i grupit.
  • Kosta Neço Dede, kapiten i parë, pilot i klasit të dytë.
  • Lulo Musai ( Spahaj), kapiten i parë, pilot i klasit të dytë.
  • Anastas Ngjela, kapiten i parë, pilot i klasit të dytë.
  • Bardhyl Taçi, kapiten i parë, pilot i klasit të dytë.
  • Vasil Xoxi Andoni, kapiten i parë, pilot i klasit të dytë.
  • Çobo Hibro Skënderi, kapiten i dytë, pilot i klasit të tretë.
  • Gëzdar Riza Veipi, kapiten i dytë, pilot i klasit të tretë.
  • Bajazit Qani Jaho, kapiten i dytë, pilot i klasit të tretë.
  • Halit Bulku,kapiten i dytë, pilot i klasit të tretë.
  • Mahmut Dullë Hysa, kapiten i dytë, pilot i klasit të tretë.

Përveç pilotëve, për specializim, në të njëjtën kohë e në të njëjtën bazë ushtarke -ajrore, shkuan dhe teknikët e avionëve dhe specialistët përkatës.Nisja, nga aerodromi i Rinasit u realizua në fund të muajit prill, të vitit 1959. Pas një qëndrimi të shkurtër në Budapest ( Hungari), aeroplani me oficerë shqiptarë të aviacionit të profileve të ndryshëm , u ul në aeroportin Sheremetjevo, të Moskës  (BS). Pa kaluar një orë, në aeroport u ul një aeroplan transporti i tipit LI-2, i cili i transportoi kalimtarët në qytetin e Sevaslejkës , ku i shte qendra e kalimit e më pas  në qytetin Muran, 190 km, larg Moskës. Në atë qytet, në atë kohë ishte një qendër stërvitore ku pilotë nga vende të ndryshëm të “ Demokracive Popullore” kryenin përgatitjen teorike për të kaluar në aeroplanët Mig-19PM, i cili, u fut, me shumë bujë, dhe shpejt, në armatimin e ushtrive të vendeve të Traktatit të Varshavës, si kapës dhe asgjësues i aeroplanëve të frikshëm B-52, me të cilin ishin pajisur ushtritë e vendeve të NATO-s.

Në shkollën ku u bë përgatitja teorike, Edipi , si përgjegjës dhe Hakiu , si  zëvëndës i tij u sistemuan në dhoma të veçanta; të tjerët – në dhoma dyshe. Çobo Skënderit i ra shorti të ishte në një dhomë me mikun e tij , Mahmut Hysa, nga Maminasi i rrethit të Durrësit , me të cilin kish njohje  nga viti 1951, kur, të dy vazhdonin mësimet e shkollës së mesme, në gjimnazin “ elitë, të shkollës “ Skënderbej”, në Tiranë.

Përgatitja teorike e grupit të kalimit u krye në kohën: Prill 1959-20 gusht 1959. Pas përfundimit të programit teorik të kalimit, në bazën ajrore të Muranit, ku tanët u njohën me të veçantat e konstruksionit dhe të shfrytëzimit të aeroplanit të ri, më 20 prill, me një aeroplan transporti LI-2, të 12 pilotët, shkuan në Baku ( Azerbajxhan) dhe mbasi fjetën atje 1 natë, ata u çvendosën në qytetin  Krasnovodsk, ku funksiononin 2 aerodrome paralel; njëri ushtarak e tjetri civil.  Krasnovodsku është qytet nafte dhe shtrihet në deltën e madhe të lumit Vollga, atje ku ky lum “ gjigand”,  derdhet në Detin Kaspik. Aerodromet janë rreth 25 km larg qytetit . Në largësi  11 km më në jug të qytetit në fjalë, shtrihet kufiri shtetëror me Iranin. Kur pilotët tanë çoheshin në ajër, udhëheqësi i fluturimeve ( sovjetik), i paralajmëronte ata: “Kujdes, përpara “ muri”; rrotullohu”! Kjo ishte masë parandaluese, për të shmangur çdo keqkuptim me shtetin fqinjë.

Pilotët shqiptarë të grupit të kalimit, në Sevaslejkë iu nënshtruan një programi të shkurtër, 20 ditor fluturimi. Ata  fluturuan në rreth, në zonë e në rrugëkalim. Pastaj bënë përgatitje konkrete për të bërë qitje me raketa të drejtuara ajër-ajër. Instruktorët e pilotimit, ashtu si ata të përgatitjes teorike, ishin specialistë të elitës. Ata u spjeguan kalimtarëve, veçoritë e qitjes me raketa dhe mënyrën e lëshimit të tyre. Një raketë, në atë kohë kushtonte 80.000 rubla. Raketat e drejtuara mund të lëshoheshin : një nga një, dy nga dy dhe të katra bashkë. Shënja që përdorej për t’u goditur ishte një aeroplan pa pilot, me përmasat e aeroplanit Mig-15, të cilin e lëshonte një avion bombardues, në lartësinë 14000 m. Bombarduesi që mbante shënjën, ngrihej nga aerodromi 2 orë para se të ngriheshin avionët kapës. Pilotëve shqiptarë, për të realizuar qitjen, u vendosën në bortin e avionit 2 raketa të drejtuara.  Mënyra e zhvillimit të qitjeve me raketa ishte e tillë:

Ngrihej avioni bombardues, me një avion pa pilot, të varur, siç varen bombat, 2 orë para kapësve. Ngrihej instruktori, pas tij dhe pas instruktorit ngrihej çifti i avionëve kapës. Qitja realizohej me fluturim në drejtim të maleve Urale, në lartësinë 14.000 m. Çobua u caktua të fluturonte e të bënte qitje me raketa, në çift me Edip Ohrin ( në atë kohë komandant i aviacionit shqiptar). Ai i qëndronte komandantit të çiftit 100m anash dhe pak prapa. Në lartësinë e dhënë e në rajonin e caktuar, instruktori, i cili kishte lidhje me radio me pilotin e bombarduesit, jepte komandën për lëshimin e mjetit pa pilot. Ndërkohë që avioni pa pilot u lëshua, Edipi qëlloi, me të dyja raketat por nuk e goditi atë. Pas tij hapi zjarr Çobua, i cili e asgjësoi shënjën. Instruktori që fluturonte mbi ta, e pikasi këtë “ skenë”, falenderoi shoqëruesin dhe e urdhëroi  Çobon: “Rrotullohu majtas e ktheu në aerodrom”! Veprimet luftarake kryheshin në distancë rreth 300km larg aerodromit, distancë, në të cilën nuk funksiononte radiondërlidhja e dyanëshme mes udheheqësit të fluturimeve dhe pilotit në ajër.

Meqënëse kishte realizuar qitjen dhe për këtë u shpërblye me fletëlavdërimi, Çobua, që atë ditë,  thuajse çdo ditë shkonte në det, ku bënte banjë dielli e uji ose, më së shumti, në ditët kur shokët zhvillonin fluturime me qitje ajrore, ai qëndronte pranë udhëheqësit të fluturimeve, si vrojtuues e si ndihmës i tij. Kjo gjëndje vazhdoi rreth 2.5 muaj. Kur grupi i kalimit përfundoi qitjet, komanda e divizionit sovjetik që ishte dislokuar në atë qytet, meqenëse shqiptarët zunë vendin e dytë në qitje, pas grupit të pilotëve nga Çekia, organizoi një darkë, me shpenzimet e oficerëve të divizionit, ku ftuan orkestrën, estradën dhe bashkëshortet e kuadrove sovjetikë të aviacionit. U organizua një mbrëmje e madhe vallëzimi, për nder të pilotëve nga Shqipëria.

Të nesërmen e asaj mbrëmje vallëzimi të hareshme, në krasnovodsk u ul një aeroplan transporti TU-104, i cili i çoi pilotët shqiptarë në metropolin sovjetik. Në Moskë, pilotët e kalimit fjetën një natë, në hotelin e ushtarakëve dhe, të nesërmen , me një aeroplan TU-104, nëpërmjet Budapestit, mbërritën në Tiranë. Në ditët e para të muajit nëntor 1959, grupi i pilotëve të kalimit u vendos në Rinas. Me një vendim të posaçëm, në Rinas u formua Skuadrilja  Autonome me aereoplanë Mig-19 PM, të pajisur me raketa të drejtuara ajër-ajër, të destinuara, kryesisht për të mbrojtur hapësirën ajrore të vendit e në veçanti kryeqytetin Tiranë. Sovjetikët, kishin dërguar, në rrugë detare, 4 aeroplanë të tillë, të cilët ishin montuar, brenda një kohe rekord, në Rinas, nga efektivat që bënë kalimin në Sevaslejkë në bashkëpunim me specialistët sovjetikë, të cilët kishin ardhur në Shqipëri, posaçërisht.

Skuadrilja autonome e sapoformuar, kishte për komandant pilotin e klasit të parë Haki Jupasi dhe zëvëndës të tij vunjotin e lindur për të fluturuar, Kosta Neço Dede. Pilotë ishin: Lulo Musai  (Spahaj); Anastas Ngjela; Mahmut Hysa ( Uku); Halit Bulku; Bardhyl Taçi; Vasil Andoni; Çobo Skënderi; Gëzdar Veipi dhe Bajazit Jaho. Skuadrilja u pajis me 12 aeroplanë të sofistikuar Mig-19 PM, së bashku me pajisjet e nevojëshme të mirëmbajtjes e të shfrytëzimit.

Më 29 nëntor të vitit 1959, në qiellin e Tiranës u organizua paraadë ajrore, me rastin e 15 vjetorit të çlitimit. Fluturoi aeroplani i vetëm bombardues, i shoqëruar nga dy të tjerë gjuajtës-bombardues të tipit MIG-15 Bis, si dhe një skuadrile , me këtë ti avionësh. Për herë të parë , atë ditë kaluan mbi Tiranë dhe  3 aeroplanë Mig-19 PM. Deri sa të kompletohej skuadrilja e re, me avionë, pjesa dërrmuese e pilotëve, shkuan në Qytetin “ Stalin” , për të fluturuar me aeroplanët Mig-15 Bis. Lulo Musai ( Spahaj); Kosta Neço Dede dhe Çobo Skënderi , qëndruan në Rinas.  Urdhëri ishte: të fluturohej me kalim mbi bulevardin kryesor të kryeqytetit me aeroplanë Mig-19 PM, të vetmuar, në lartësi të vogël. Ishte hera e parë që demonstrohej përpara popullit të kryeqytetit, aeroplani i ri, i sofistikuar. Për të drejtuar fluturimet, në aerodrom, u thirr nga Qyteti “ Stalin” komandanti i skuadriles Haki Jupasi. Nga një radiostacion të vendosur në bulevard ( mbi Ministrinë e Mbrojtjes), fluturimet i drejtonte komandanti i aviacionit – Edip Ohri.

Në paradë morën pjesë 3 aeroplanë Mig-19 PM, me të cilët u kryen 2 ngritje kolaudimi, nga aerodromi në ndërtim, i Rinasit. Lulua u ngrit i pari; pas tij ungrit Kosta dhe i treti u ngrit Çobua. Fillimisht, kaluan  mbi bulevard aeroplanet Mig-15 Bis e mbas tyre ata Mig -19 PM, një nga një. Çobua, në atë kohë ishte i fejuar, me Farfurinë, e cila, në atë kohë, studionte, në fakultetin bio-kimi, të Universitetit të Tiranës. Pas kalimit, për paradë, Çobua fluturoi  ulët, mbi shkollën e të fejuarës, por Edipi, që e vuri re këtë shmangje nga detyra, i bërtiti pilotit dhe ai shkoi në ulje, në Rinas.

Deri në muajin maj të vitit 1960, pilotët e skuadriles autonome, u stërvitën  në Rinas, sipas një programi të menduar mirë dhe në përshtatje me destinacionin e repartit.  Mirëpo, në përfundim të programit ajror, pilotët duhet ta finalizonin përgatitjen, me qitje, me raketa të drejtuara, kundër shënjave ajrore. Kjo ishte e vështirë të kryhej në vndin tonë, për shkak të territorit të kufizuar të vendit tonë, i cili kishte dhe një hapsirë ajrore të kufizuar. Prandaj, në muajin maj të vitit 1960, të gjithë pilotët që fluturonin në aeroplanët Mig-19 PM, u nisën për në Bashkimin Sovjetik, me një aeroplan TU-104,nga Rinasi. Nëse një vit më parë, ata shkuan në Krasnovodsk, kësaj here, shkuan në Astrahan dhe qitjet me raketa të drejtuara do të zhvilloheshin mbi shkretëtirën e Karakumit, e cila ka hapësira të pamata, dhe është e papopulluar.

Kishte ndodhur mbledhja e Bukureshtit, e cila shënoi të çarën e parë të madhe, mes vendit tonë dhe vendeve të Traktatit të Varshavës. Në vajtjen e dytë, në Bashkimin Sovjetik, pilotët shqiptarë u pritën e u trajtuan ftohtë, nga vendasit. Në çdo hap e për çdo  mosrealizim të detyrave ajrore, sovjetikët, nxirrnin lloj-lloj justifikimesh, me qëllim që vajtja e tanëve, për të zhvilluar qitje, të dështonte. Një herë nuk punonin shënjestrat, herën tjetër bëheshin shkak për dështim mosfunksionimi i radarëve, në ndonjë rast , fajin e kishin distancat e mëdha dhe dobësitë e komplekseve të drejtimit, etj. Ndonëse qitësit ishin po ata që zunë vendin e dytë, një vit më parë, në vitin 1960, ata nuk rrëzuan asnjë shënjë ajrore. Ky fakt nuk i shqetësoi fare organizatorët, të cilët ishin skenaristë të këtij dështimi.

Aq e ftohtë ishte pritja dhe trajtimi i tanëve, sa që as në qytetin e Astrahanit, ata nuk lejoheshin të dilnin, me justifikimin absurd se mund ti vështronin punonjësit e Ambasadës Jugosllave, të akredituar në Bashkimin Sovjetik, të cilët, jo pa qëllim, e vizitonin shpesh këtë qytet. U desh një qëndrim burrëror i djemve tanë, më 7 nëntor të atij viti që pilotët shqiptarë, të paktën të lejoheshin të qarkullonin në qytetin e Astrahanit, si të tjerët. Ndodhia ka të bëjë me një fjalim që përgatitën atë natë Çobo Skënderi dhe Edip Ohri, duke përkujtuar festën e Revolucionit të Tetorit 1917, fjalim, i cili u lexua përpara efektivave të rrjeshtuar përpara mnsës e u duartrokit. Që atë ditë, pilotët tanë u lejuan të dilnin në qytetin e Astrahanit e të qarkullonin lirshëm në mjedisin ku ishin dislokuar.

Në muajin nëntor të vitit 1960, në kohën kur në Moskë ( Kremlin), u zhvillua Mbledhja e 81 partive komuniste e punëtore, në të cilën morën pjesë dhe  udhëheqësit kryesorë të Partisë të Punës të Shqipërisë dhe ku u shënua ndarja përfundimtare, pilotët tanë të grupit të kalimit, shkuan në metropolin sovjetik, ku duartrokitën dhe mbështetën qëndrimin e udhëheqjes shqiptare. Të nesërmen, me një aeroplan TU-104, ata u kthyen në Rinas, ku vijuan stërvitjen, sipas programeve.

Fillimi i vitit 1962, solli ndryshime të ndieshme në Regjimentin e Rinasit. Nga Kina erdhën 12 aeroplanë gjuajtës-bombardues reaktivë të tipit Mig 17F. U bënë kështu 2 skuadrile dhe, mbi këtë bazë u formua Regjimenti i Tretë i aviacionit gjuajtës –bombardues, me qendër në Rinas. Komandant i Regjimentit u emërua, babai  i aviacionit shqiptar, i lavdishmi Niko Selman Hoxha dhe zevendes i tij, kolonjari Haki Jupasi. Pas katastrofës ajrore, që ngjau në Regjimentin “Peza”, në mars të atij viti, në të cilën humbi jetën komandanti i skuadriles, përmetari Hektor Lako, në vend të tij, u emërua piloti nga Korça- Bardhyl Taçi. Së bashku me të, u transferua në Regjimentin “ Peza” dhe piloti tjetër, fieraku Vasil Xoxi Andoni. Të dy ishin pilotë që fluturonin në aeroplanët Mig-19 PM. Për të plotsuar nevojat organike të skuadriles së dytë, u transferuan nga skuadrilja e parë e regjimentit, brenda për brenda repartit, në të dytën, pilotët: Kosta Neço Dede  (komandant skuadrile); Gëzdar Riza Veipi ( zëvëndës komandant skuadrile dhe komandant zvene); Çobo Hibro Skënderi ( komandant zvene) dhe Bajazit Qani Jaho, ( komandant zvene). Kësisoj u paksuan pilotët që fluturonin në aeroplanët Mig-19 PM. Nën drejtimin  e pilotit të rrallë- Lulo Musai ( spaho), i cili u emërua komandant i skuadriles së parë, në vend të Haki Jupasit, i cili u komandua në Shkollën e Aviacionit, të sapohapur, në Vlorë, disa pilotëtë rinj, si Serafin Shegani; Sokrat Basha; Bilal Josja; Astrit Mersini; Vasil Kromidha; Nestor Dhaskali e më pas të tjerë, bënë kalimin në avionin Mig-19 PM, në Rinas, pa avion mësimor. Ky ishte eksperimenti i dytë, pas kalimit në këtë avion, në mënyrë autodidakte të komandantit të regjimentit, guximtarit Niko Hoxha.

Në çdo zvenë me katër aereoplanë ishin 4 pilotë. Në zvenën që drejtonte Çobua, vartës të tij ishin pilotët: Llazar Çupa; Bardhyl Lubonja; Ahmet Sulejmani dhe Mustafa Gjokutaj. I pari kishte përfunduar shkollën sovjetike të aviacionit, në Borisoglebsk e në Kushovskaja, kurse tre të tjerët ishin të diplomuarit e parë pilotë të Shkollës së Aviacionit, në Vlorë.

Disa opinione për Çobo Skënderin, si drejtues i zvenës së dytë të skuadriles së Dytë, të pajisur me aeroplanë Mig 17F.

E kam njohur në qershor të vitit 1963, kur, së bashku me 4 shokë: ( Dhori Zhezha; Andrea Toli; Adem Çeça dhe Bashkim Agolli ) mbasi përfunduam studimet e u diplomuam pilotë gjuajtës –bombardues në Shkollën e Tretë të Aviacionit Kinez, u emëruam në Regjimentin e Tretë të aviacionit shqiptar, në Rinas. Nuk isha në zvenën e tij, por në atë të talentit nga Picari, Gëzdar Veipi. Kjo vartësi organike, nuk mund të formonte “gardh”, as të më distanconte nga Çobua.

Që në ditët e para, ndoshta si asnjë tjetër, Ai na u afrua e u qas ndaj nesh me një dashamirësi të dukshme, e cila, veç të tjerave, u konkretizua me gatishmërinë e tij për të na ndihmuar, në udhën tonë të vështirë të ngjitjes profesionale dhe në çdo drejtim të jetës. Çobua, me fjalë të “ëmbël”, e me urtësi, na orientoi me detyrën dhe me regjimentin, na njohu me regjimin e pilotit dhe na u gjend pranë,  në përgatitje, i gatshëm për të na zbërthyer e sqaruar, elementë të ndryshëm të fluturimit, pavarësisht nga përkatësia në zvenë.

Disa tipare karakteristike të Çobos ishin të dukshme e na përshtateshin, pavarësisht se ai ishte disa vite më i lashtë. Tek Çobua, gjeta një mik të mirë, me të cilin më bashkonin mjaft gjëra. Ai, veç literaturës që lidhej me profesionin e fluturuesit, studionte shumë, madje ishte i pasionuar pas letërsisë botërore dhe shkruante në prozë e në vargje. Kultura e tij e gjerë, edukata e shëndoshë, e cila shpalosej kudo; kompetenca profesionale, gjuha e pastër, komunikimi i ngrohtë, sikur të njiheshim prej kohësh, urtësia, çiltërsia,serioziteti, korrektësia dh shpirti i mirë, ishin disa vlera që ia zbukuronin portretin. Në tokë e në ajër, Çobua ishte i qetë, i saktë, aspak tolerant, por rigoroz, kur bëhej fjalë për zbatimin e instruksioneve e të rregulloreve. Fjala e Çobos ngjiste dhe ishte ilaç që “ shëronte “ plagë. Ai nuk të fyente kurrë dhe ishte i duruar kur bisedoje me të; të vështronte në sy e të dëgjonte me vemendje. Çobua, si fjalëmbajtur, po -në e koshte po dhe jo –në; jo.

Çobo Skënderin e veçonte dashuria për avionin e për fluturimin dhe këmbëngulja për t’u ngjitur në majë të profesionit, si pilot. Horizonti i tij të bënte me turp. Thjeshtësia dhe ndershmëria ishin dy nga vlerat dalluese, të cilat, së bashku me pastërtinë e figurës morale, ishin si një magnet që na tërhiqte ne të rinjve të asaj kohe. Kur vështronim si ai qasej tek eprorët e tij; me atë korrektësi e çiltërsi të jashtzakonshme, skuqeshim, e ishim të shtrënguar të vepronim si ai.  Vlerat që më bashkuan me Çobon, ishin të qënësishme e të qëndrueshme, prandaj e kam ruajtur gjatë mendimin e mirë për atë njeri, edhe pse të paudhët u munduan, të sajonin lloj-lloj poshtërsish, për të njollosur figurën e tij të veçantë. Nuk kusehej kurrë komandant Çobua, për të dhënë tërë ndihmën e nevojshme, si në fushën e të fluturuarit dhe në jetën e përditshme. Ai të imponohej me logjikën e tij të shëndoshë, me sinqeritetin dhe pastërtinë e të sjellurit, me përkushtimin ndaj punës dhe miqësisë, me figurën e tij të rrallë.

Para se të shkonte në Bashkimin Sovjetik, për të kaluar në aeroplanin Mig-19 PM, në muajin tetor të vitit 1958, kur ai shërbente në Regjimentin e Qytetit “ Stalin”, Çobua shpalli fejesë me studenten e fakultetit të  Shkencave të Natyrës, dega e Bio-kimisë, të Universitetit të Tiranës, Farfuri Feim Gjokutaj, e cila është me origjinë nga fshati Kuç i Kurveleshit të Poshtëm. Lidhja u realizua mbi bazën e një rekomandimi që shërbeu më tepër si shtysë dhe njohjes personale që kishte Çobua me familjen e të fejuarës.

Me Çelon, vëllanë e Farfurisë nga Gjokutajt, Çobua njihej e ishte shok , nga viti 1946, kur të dy ishin nxënës të Shtëpisë të Fëmijëve, në Tiranë. Fillimisht ata ishin të vendosur në Laprakë; 1200 nxënës së bashku; më pas u çvendosën në rrugën e Kavajës. Në atë kohë, Çobua hynte e dilte në familjen e shokut të dhe u njoh, edhe me familjarët e tij. Në një vajtje në këtë familje, në vitin 1953, para se të nisej për studime aeronautike, në Bashkimin Sovjetik,  Çobos dhe shokut të tij, Haraq Çipa, nga Piluri i rrethit të Vlorës, kur Farfuria adoleshente u  serviri qerasjen, ai iu drejtua Çobos, me fjalët: “ Sa të kthehesh ti nga Bashkimi Sovjetik, ajo do të rritet; prite…”! I vinte rëndë Çobos, të ndryshonte raportet me Çelon, ndonëse rasti i pëlqeu. Prandaj iu përgjigj shokut:” Ik or dreq”! megjithatë, ngado që shkoi e me se nuk u mor, disa qindra kilometra larg  nga Tirana, për katër vjet me radhë, Çobos i mbeti mendja tek ajo vajzë e brishtë dhe e pafajshme, ende e parritur, e cila, kur pruri tabakanë me qerasje, sikur u fali mysafirëve të nderuar, gjithë mirësinë që mbante në shpirt. Ku ta dinte Farfuria, atëherë adoleshente se, do të lidhej përjetë me atë bukuroshin tërë energji e me sjellje disi të drojtur. Piloti i ardhshëm e mblojti, thellë në zemër propozimin e mikut të tij nga Piluri dhe, kur u kthye nga studimet, e mbajti vrapin në shtëpinë e Feimit nga Kuçi, me mendimin e maskuar për të takuar Çelon. Qëllimi i vajtjes, kuptohet, ishte të vrojtonte pak njomëzaken, e cila, gjatë mungesës së tij të gjatë, kish hedhur shtat e ishte hijeshuar me të gjitha hiret vajzërore.

Edhe pse u emërua në Qytetin “Stalin”, propozimin  e mikut të tij nga Piluri, Çobua nuk e nënvleftësoi. Ai,këtë mendim ia bëri të ditur dajos së tij, Karafilit, i cili kishte bashkëshorten, Faron, nga Kuçi dhe kishte njohje me familjen e Farfurisë. Karafili e gjeti  të mundëshme këtë lidhje dhe dha pëlqimin, si dajo. Fejesa u realizua në të dyja shtëpitë; në atë  të dajo Karafilit dhe në shtëpinë e Feimit, nga Kuçi, me këngë e me valle, sa u tund dheu. Çifti shkëmbeu unazën e fejesës dhe dhurata të tjera të ndërsjellta. Pas fejesës, dy të rinjtë morën “ vizë” për tu takuar e për të shëtitur, së bashku. Takimet  bëheshin kryesisht në shtëpitë respektive. Me raste shkonin në kinema, në teatër e në koncerte të ndryshëm. Në ndonjë rast, dilnin dhe në xhiron e madhe në bulevard ose shkonin në lulishtë, për të qenë në shoqërinë e njëri-tjetrit.

Dasma u bë më 26 korrik të vitit 1961, në Tiranë. Një fejesë e tejzgjatur, më në fund u kurorëzua me martesë. Ceremonia e martesës u krye në shtëpinë e motrës së Çobos, Gëzimes, e cila, aso kohe banonte në një ngrehinë brenda kalasë të Tiranës. Nga ana e dhëndrrit, me shpenzimet e tij u organizua një darkë ku u derdhën si lumë rakia, vera dhe birra. Mishi i pjekur, sipas traditës labçe, kundërmoi atë mëhallë. Në atë kohë, qyteti i Tiranës kishte vetëm dy makina taxi. Njëra prej tyre u prenotua për të marrë nusen. Së bashku me të shkoi dhe një makinë e vogël, e tipit  “Vollga” e cila ishte në shërbimin e dajos tjetër të Çobos, Hito Çakos. Nusja e re u sistemua në shtëpinë e Gëzimes, e cila, i lëshoi çiftit , një dhomë. Muajin e “ mjaltit”, Çifti e kaloi në konvaleshencën e ushtrisë, në Durrës; 21 ditë.  Në këtë institucion pushimi, Çobua trajtohej, me ushqim, si pilot, kurse Farfuria; si pushuese. Në Progonat, çifti i sapomartuar shkoi në fund të vitit 1963. Në shtëpinë e gjyshes ( nënës të dajo Karafilit), nuk u bë dasmë. Karafili ishte ndarë nga jeta e kish lënë pas 6 fëmijë. Kur takoi nusen e nipit, Farfurinë, gjyshja e Çobos, Dadja i tha atij: “ Po më erdhe vitin tjetër, me gjithë nuse, unë do tja marr vetë këngës e do ta prish zinë”!  I kishte shkuar thika në kockë Dadës; i biri , Karafili ishte ndarë nga jeta, fare i ri e kish lënë një tufë me fëmijë.

Fëmija i parë i çiftit u lind më 9 maj të vitit 1962. Ajo ishte e seksit femër dhe u emërtua Mimozë. Në vitin 1963 u lind djali, i cili u quajt Gjergj dhe në vitin 1975 u lind vajza e dytë e familjes- Mirela. Fëmijët u lindën e u rritën, të gjithë në Tiranë. Çiftit të sapomartuar, fillimisht i dhanë banesë në Tiranë të Re, pranë Stadiumit të futbollit me emrin “ Dinamo”, në katin e dytë, me pamje nga Jugu. Ngushtësia e familjes së re, edhe pa fëmijë, ishte e pranishme.  Çobua, si lexues i zellshëm, e kishte mbushur shtëpinë plot me libra. Vendin e parë e zinte literatura e shkrimtarëve rusë, si: Tolstoi, Pushkini, Gogoli, Lermontovi,Jesenin, Turgenievi; Çehovi; Gorki  etj.

Në pranverën e vitit 1964, nën drejtimin dhe me këmbënguljen e guximtarit, të paharruarit Niko Hoxha, në Regjimentin e Rinasit, 8 pilotë plotsuan kushtet dhe u çertifikuan me klasin e parë të pilotit ushtarak. Ky ishte një sukses mjaft i rëndësishëm për kohën dhe i dyti grup që u pajis me klasin më të lartë të pilotit, pas përpjekjeve të para të suksesshme që u bënë në Qytetin “ Stalin” në hyrje të vitit 1958, po me iniciativën e babait të aviacionit shqiptar, Niko Hoxhës.

Në fund të viteve ’60 të shekullit të  XX- të, Çobua nisi studimet në Shkollën e Lartë të Partisë “V.I. Lenin”, me shkëputje nga puna. Dy vjet me radhë, në atë shkollë, Çobua u shfaq, siç ishte: I vullnetshëm, këmbëngulës, pjesëmarrës aktiv në diskutime dhe me horizont  e me thellësi e qartësi  mendimi. Mendimi i tij i thellë u poq më shumë  e fitoi më tepër terren, mbi botën e mbi jetën, në tërësi.  Në përfundim të proçesit mësimor me tregues cilësorë nga më të lartët, drejtoria e shkollës dhe hallkat sipër saj, tentuan ta mbanin Çobo Skënderin, pedagog, por, ata që e kishin në kompetencë, nuk e dhanë pëlqimin. Pas kësaj, Çobua u emërua komisar i Skuadriles Autonome të transportit ajror me qendër në aerodromin e Laprakës ( Tiranë). Aso kohe, Skuadrilja numëronte 12 aereoplanë të lehtë transporti të tipit An-2; 1 aeroplan Jak-18 A ; 2 helikopterë Mi-4 të destinuar për transportimin e udhëheqësve dhe 1 aereoplan IL-14, i destinacionit për lëvizjen e udhëheqësit kryesor.

Në detyrën e komisarit të skuadriles autonome të transportit, Çobua qëndroi rreth 1 vit, por, gjat kësaj kohe, në jetën e efektivave të këtij reparti, ndodhën ndryshime të papara.  Ndryshimet ngjanë në organizimin e punëve, në drejtim e në raportet mes hallkave e në ato mes njerëzve. Format e edukimit, ai i drejtoi personalisht. Ato u bënë interesante. Metoda, thellësia e trajtimit, horizonti dhe forca argumentuese  si pjesë e “ bagazhit” të Çobos, i detyruan pjesëmarrësit të thelloheshin në literaturë e ta vinin theksin tek argumentimi i çështjeve, duke u larguar nga slloganet.

Me këmbënguljen e Çobo Skënderit dhe nën drejtimin e tij me shëmbullin vetjak mjaft pilotë që fluturonin në aeroplanët AN-2, plotsuan kushtet e u pajisën me klasin e dytë të pilotit ushtarak. Kjo ishte një arritje e paparë në historinë e repartit, po të mbajmë parasysh disa nga kushtet që duhet të plotsonte piloti, ku më i spikaturi ishte fluturimi me shikim vizual rreth 500m, ulja natën në aerodromet dhe fushat “operative” me ndriçim rrethanor ( me zjarre partizane) dhe fluturimet me ulje, pa përdorimin e mjeteve radioteknike të aviacionit.

Gjatë kohës kur skuadrilen e drejtonte Çobua, u përmirësua, ndjeshëm komunikimi mes njerëzve  e u forcuan marrëdhëniet shoqërore mes tyre, si dhe u gjallëruan veprimtaritë kulturore e ato sportive. Në një farë mënyre, u shkund plogështia dhe një lloj apatie që kishin zënë vend në praktikën e punës. Njerëzit u zunë efektivisht me punë e u luftuan, me sukses thashethemet e iu pre udha karrierizmit dhe cmirës.

Kemi dëgjuar dhe e besojmë sloganin, sipas të cilit, jeta e njeriut është shkollë. Për “heroin “ e këtij rrëfimi, ky “rregull”, mori një tjetër kuptim. Çobo Skënderi mbeti nxënës i zellshëm e i përjetshëm, si në auditorët e përegatitjes teorike dhe në startet e fluturimit.

Më 2 mars të vitit 1972, Çobua dhe  një grup kolegësh, të specialiteteve të ndryshëm,u nisën, për në Kinë, ku do të mësonin shfrytëzimin e aereoplanit të mesëm të transportit ajror- IL- 14. Bashkëudhëtarë të tij, në këtë rrugëtim ishin:

  • Fari Bubësi;
  • Koço Andoni;
  • Halit Bulku;
  • Llazar Çyçi;
  • Stillo Mëlica.

Këta do të mësonin pilotimin e aeroplanit IL-14. Në pozicionin e navigatorit ajror do të praktikoheshin:

  • Ramo Mejdiaj;
  • Zhulian Popa;
  • Flsamur Dede;
  • Luan Sinaj.

Veç këtyre, në grup bënte pjesë dhe Sulo Gorica, i cili do të mësonte shfrytëzimin e këtij aeroplani, në rolin e teknikut të bortit dhe Sadik Sadikaj, i cili do të praktikohej, në kushte të tjerë, në funksionin e radistit fluturues.

Grupi i përzierë u nis nga aerodromi i Rinasit, me një aeroplan të tipit TU-104, të prodhimit sovjetik që i përkiste shoqërisë gjermane të lundrimit ajror “Lufthansa”. Rrugëkalimi që ndoqi ky aeroplan ishte: Tiranë- Budapest ( me ulje) – Moskë ( me ulje ) Irkutsk ( Bashkimi Sovjetik) i cili shtrihet në bregun Perëndimor të liqenit Bajkal dhe ishte aerodrom ndërkombëtar. Në Irkutsk grupi u ngjit në një aeroplan tjetër TU-104, i cili i përkiste shoqërisë kineze të fluturimit. Me këtë aeroplan, aviatorët u ulën në aeroportin e Pekinit e, prej andej shkuan në hotel, ku fjetën 3 netë. Në ditën e katërt të qëndrimit në Pekin, grupi mix i fluturuesve nga vendi ynë, u nisën me tren, për në qytetin 10 milionësh të U Hanit, ku do të mësonin për të fluturuar në aeroplanin e transportit të mesëm IL-14.

Qyteti i U Hanit shtrihet në breglumin Jang Ce, atje, ku dikur kryetari Mao Ce Dun kaloi me not lumin. Kalimtarët u vendosën në juridiksionin territorial të një divizioni të Ushtrisë Çlirimtare të Kinës.Vendasit i sistemuan tanët në dhoma ku do të flinin. Fari Bubësi, si përgjegjës grupi dhe Çobo Skënderi, si zëvëndës i tij, u caktuan për të fjetur në dhoma më vete; të tjerët, u vendosën në dhoma dyshe.

Deri në ditët e para të muajit maj  të vitit 1972, grupi i kalimtarëve iu nënshtrua një programi teorik , ku vendin kryesor e zinte teoria e fluturimeve dhe aviodrejtimi. Në muajin maj të atij viti ( 1972), nisën fluturimet, me aeroplanin Il-14, sipas specialitetit përkatës. Aerodromi ku u zhvillua stërvitja ajrore e tanëve, ishte i kompletuar me të gjitha pajisjet e nevojshme të drejtimit dhe të navigimit të fluturimeve. Instruktor i teknikës së pilotimit, të Çobo Skënderit ishte piloti kinez me përvojë- Lin Si Hë. Ai kish ardhur nga shërbimi në Rtibet, nga qyteti La Çhan, i cili shtrihet në lartësinë 4000m mbi nivelin e detit.

Pilotët Fari Bubësi dhe Çobo Skënderi, të dy të çertifikuar pilotë ushtarakë të klasit të parë, në U Han fluturuan në të gjithë kushtet e kohës e të motit, ditën dhe natën. Halit Bulku, gjithashtu pilot i klasit të parë dhe Koço Andoni, i çertifikuar me klasin e dytë, fluturuan  ditën, në re dhe natën, në kushte të thjeshta të motit. Pilotët Stillo Mëlica e Llazar Çyçi u stërvitën në fluturime ditën dhe natën, në kushte të tjeshta të motit.

Më 20 dhjetor të vitit 1972, grupi i kalimit, kishte përfunduar programin e fluturimeve që kishin përgatitur pritësit dhe ishin në pritje të kthimit në Atdhe. Papritur, përgjegjësi i grupit, piloti Fari Bubësi, kërkoi një program shtesë fluturimesh ku përfshiheshin dhe shpimi i reve dhe ulja e aeroplanit, në kushtet kur shtresa e poshtme e reve ishte 50 m, mbi nivelin e detit. Kushte të tilla, gjendeshin me vështirësi , në hapësirën kineze. Në kërkim të kushteve të kësaj natyre dhe për të kryer 5 fluturime, nga çdo pilot që mbante klasin e parë, nisja për në Atdhe u shty, për të gjithë, deri në datën 26 shkurt, të vitit 1973. Megjithatë, Fari Bubësi, për shkak të një ndërhyrje kirurgjikale, në gishtin e dorës, nuk u kthye në Shqipëri, njëkohësisht  me të tjerët.

26 shkurti i vitit 1973, shënoi nisjen e grupit të kalimtarëve, për në Atdhe. Së bashku me ta, u bashkuan dhe 8 studentë shqiptarë, të cilët, gjithashtu duhet të ktheheshin. Aeroplani në të cilin u akomoduan, të gjithë dhe nisën udhën e kthimit, ishte i tipit TU-104; si ai me të cilin shkuan. Itenerari i lundrimit ajror, gjithashtu ishte i përafërt. Pas ngritjes nga Pekini, aeroplani i shoqërisë kineze të fluturimeve, e solli grupin e përzier, në aeroportin ndërkombëtar të Irkutskut (Bashkimi Sovjetik), ku ata ndërruan aeroplan dhe u ulën në një tjetër aeroplan të tipit TU-104, por që i përkiste shoqërisë ajrore sovjetike. Gjat rrugës për në Moskë, aeroplani në fjalë u ul në aeroportin e Ekaterinburgut, ku u furnizua me karburant e me lubrifikant. Pas ngritjes nga Ekaterinburgu, kur ekipazhi i ishte drejtuar Moskës, në lartësinë 10000 m, mbi nivelin e detit ndodhi diçka interesante, nga ato, të cilat, deri atëherë nuk kishin ngjarë në praktikën e marrëdhënieve mes dy vendeve tona  (Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë), edhe pse marrëdhëniet ndërpartiake e ato ndërshtetërore kishin mbërritur “në thikë e në pikë”! Më poshtë, më duhet ta shtjelloj e ta spjegoj këtë ndodhi të rrallë:

Pikërisht kur aeroplani kishte mbërritur në lartësinë stratosferike dhe ishte futur në kursin për në Moskë, stjuardesa bukuroshe dhe elegante ruse, një bionde gjithë nur e dritë, iu afrua kolltukut ku ishte ulur Çobua dhe i sygjeroi  atij: grupi i shqiptarëve, në Moskë, do të zbriste i pari, nga aeroplani e do të shkonte drejt e në autobus. Në dukje, një lexues i pavemendshëm mund të arrijë në përfundimin logjik: Normal, detyra e stjuardesës e tillë është; të kujdeset për pasagjerët dhe në këtë mes, çdo gjë është brenda rregullit. Po të gërmosh më thellë, nuk ka si të mos të të lerë shijë të hidhur fakti domethënës: Ku e dinte ajo shoqëruese e thjeshtë e aeroplanit, që grupi ishte me shqiptarë dhe përgjegjës i tij ishte pikërisht Çobo Skënderi? Dikush, me kokfortësi mund të thotë: Ajo është nisur nga mosha! Nuk qëndron si argument; Koço Andoni ishte më i lashtë e pa flokë; Çobua nuk shquante të ishte veç nga të tjerët. Kuptohet; prapa saj, dikush qëndronte, në hije.

Sapo u ulën nga aeroplani, dikush i drejtoi tanët, tek një autobus me xhama të zinj, i cili, priste në hyrje të hollit të stacionit të aeroportit Sheremetjevo. Duke dalë nga stacioni, nëpër sallë, u panë dy të panjohur me moshë mesatare. Njëri syresh ishte disi ezmer e i pakët nga shtati; teksa tjetri ishte më i gjatë e i mbushur. Dy aviatorë: Luan Sinaj dhe Ramo Mejdiaj, kur i panë burrat, vunë buzën në gaz, por nuk komunikuan me ta. Me sa duket, ata, të dy i njohën dy të panjohurit. Ata ishin: Ilija Kovaçi dhe Aristotel Poga, me të cilët kishin qenë në të njëjtin grup kursantësh për pilotë, në Pugaçov e në Batajsk. Pas përzënies nga territoret sovjetike të studentëve ushtarakë  ku bënin pjesë dhe ata për pilotë, Ilija dhe Teli, nuk u kthyen në Atdhe, si shokët, por kërkuan strehim politik, në Bashkimin Sovjetik.

Në Moskë, autobusi që i përcolli udhëtarët shqiptarë i priti tek shkallët e stacionit dhe, pa hapur dyert, i çoi në hotel. Ata fjetën një natë në Moskë. Të nesërmen, me një aeroplan TU-104, i  gjithë grupi i udhëtarëve, u kthye në Tiranë. Pas tyre, nga Kina, në rrugë ujore, erdhën  tre aeroplanë IL-14, të destinacioneve të ndryshme. U bënë 4 aeroplanë të tillë. Komandant i katërshes speciale, të përzier, u caktua Babaçe Faiku, njëri nga themeluesit e Aviacionit Shqiptar, pilot i sprovuar, i cili mbante klasin e parë të pilotit ushtarak. Ai u caktua dhe në detyrën e komandantit të ekipazhit të parë, avioni i të cilit mbante shënjën ALTRA dhe indeksin e pilotit =1509. Ky aeroplan ishte i destinacionit për të transportuar udhëheqësin kryesor të partisë e të shtetit; Enver Hoxhën. Në ekipazh, bënin pjesë:

  • Babaçe Faiku ( Komandant i ekipazhit dhe i katërshes speciale );
  • Hamit Ulqinaku ( pilot i dytë );
  • Çobo Skënderi ( pilot i dytë );
  • Shyqyri Kolli ( teknik borti );
  • Sulo Gorica ( teknik borti );
  • Sadik Sadikaj ( radist fluturues );
  • Ramo Mejdiaj ( navigator fluturues ).

Aeroplani i dytë i kësaj zvene ( katërshe) mbante shënjën ALTRB  dhe ishte i destinacionit për të transportuar anëtarët e Byrosë Politike të PPSH. Në përbërje të ekipazhit ishin:

  • Fari Bubësi, pilot i klasit të parë, komandant ekipazhi;
  • Irakli Grazhdani, pilot i dytë;
  • Zhulian Popa, aviodrejtues fluturues;
  • Stefan Sallaku, radist –fluturues.

Aeroplani i tretë ishte i destinacionit , për fotografim nga ajri. Anëtarë të ekipazhit ishin:

  • Llazar Çyçi;
  • Stillo Mëlica;
  • Flamur Dede;
  • Molotov Radhima.

Gjat kohës kur Çobo Skënderi ishte pjesëtar i ekipazhit të parë, me aeroplanin ALTRA, jo në një rast, fluturoi Enver Hoxha. Në kabinën e majtë, në rolin e komandantit të ekipazhit ishte Babaçe Faiku, kurse në të djathtë të tij ishte Çobua. Me cilësinë e Besnikut të sprovuar dhe me kokëshkretinë e tij tipike, Babaçja ialejoi komandat e avionit, Çobos duke hequr duart e këmbët prej tyre dhe fluturimi u krye, me sukses të plotë e brenda parametrave të mundshëm gjë që e kënaqi udhëheqësin  kryesor. Ai, pas uljes, falenderoi ekipazhin dhe bëri fotografi me të.

Me përgjegjësinë e njeriut  që di çfarë kërkon dhe që  nuk mund të qendrojë duarkryq si dhe  me kompetencën që i jepte detyra dhe shkalla e lartë e kualifikimit, Babaçja,”trokiti” ku duhej, për të çelur linja të rregullta ajrore, nga Tirana në Bukuresht  dhe me Barin; propozim që nuk u miratua. Arritje me vlerë duhen çmuar  uljet e aeroplanëve IL-14  në fushat e uljes lëndinë; në Shtoj  (Shkodër);  në Lumalas ( Korçë); në Vlorë ( qytet); në Valare ( Gjirokastër); në Bicaj (Kukës) etj. ditën, në kushte të thjeshtë të motit.

Një “kthesë” e beftë.

Vera e nxehtë e vitit 1974 e gjeti Çobo Skënderin në detyrën e komisarit të Regjimentit të Aviacionit, në Rinas. Ai e njihte aerodromin e Rinasit, qysh nga viti 1958, kur ky objekt ishte në ndërtim.  Çobua, ish ngritur e ish ulur, në brezin e betonuar të tij, me përmasa normale, në kohën kur pilotonte aeroplanët e sofistikuar  MIG-19PM e më pas, kur ishte në funksione drejtuese, në skuadrilen e dytë, me avionët MIG-17F. Madje, me këta të fundit, ai u çertifikua me klasin e parë të pilotit ushtarak, qysh në vitin 1974, kur Regjimentin e komandonte, “ babai” i aviacionit shqiptar, guximtari e vizionari i paparë, koloneli – Niko Selman Hoxha.

Çobua njihte mirë dhe disa kuadro të profileve të ndryshëm  me të cilët ndante përvojë me vlerë, pune dhe jete. Ai njihte detyrat luftarake që zgjidhnin efektivat e atij reparti, për të mbrojtur Kryeqytetin e Shqipërisë dhe hapsirën ajrore të të gjithë vendit.

Si punëtor Partie i kualifikuar, Çobua e ndërtoi punën edukative edhe mbi bazën e njohjes të mentalitetit dhe të psikologjisë të efektivave, me të cilët Ai kishte punuar, dikur. Me dëshirë të shtuar e me përkushtimin që e karakterizonte Çobua iu përfill punës, për të korrigjuar e ndrequr  edhe ndonjë mangësi  e cila ishte dukur në punën me njerëzit dhe në planëzimin e përgatitjes luftarake të repartit. Në këtë sipërmarrje, Ai gjeti përkrahjen dhe mbështetjen  e kuadrove të mirënjohur, fluturues e jo të tillë, të njohur për aftësi organizuese e drejtuese dhe për nivel të spikatur profesional.

Në atë kohë Çobo Skënderi sapo kishte shkelur në të dyzetin vit të jetës. Ishte i martuar me Farfurinë, të bijën e Feim Gjokutaj; një atdhetar i flaktë, komunist i viteve të parë dhe ishpartizan, me shumë merita e  pajisur me disa medalje e urdhra trimërie. Ajo kish mbaruar Fakultetin  e Shkencave të Natyrës,në degën kimi- biologji dhe jepte mësim në shkollën shtatëvjeçare “ Ylli i Kuq”, në Laprakë. Nga martesa mes tyre kishin ardhur në jetë dy fëmijë: Mimoza dhe Gjergji; Farfuria ishte shtatzënë, me fëmijën e tretë, në muajin e gjashtë të shtatzanisë. Familja e Çobos banonte në Laprakë, në një ngrehinë ku ishin strehuar disa aviatorë si: Agron Daci ( ndjesë pastë); Besnik Shahi  (ndjesë pastë); Mustafa Gjokutaj ( ndjesë pastë); Nestor Dhaskali, etj. Apartamenti i tyre ndodhej në katin e tretë të banesës i orientuar nga Jugu e nga Veriu.

Kaloi ajo verë me temperatura të larta dhe vendin e saj e zuri një vjeshtë me shira. Megjithatë, “temperaturat e larta”, vazhduan dhe në stinën e cila lipsej të ishte e freskët. Tetori i atij viti nuk erdhi si përherë, me shira të butë e të qetë por me rrebeshe. Çfarë them? Nuk ishin rrebeshe, por tajfunë shkatërrimtarë. Në qendër të asaj “ stuhie” të sajuar si në një laborator modern, krejt papritur u vu Çobo Skënderi, i cili, mori mbi supe “ ndëshkimin hakmarrës” të “ perëndive”! Çfarë ndodhi? Shkurt, mund të pohoj se ngjau ajo që kishte ngjarë dhe më parë, me të tjerë protagonistë, kur dikush i kishte shkelur në kallo hakmarrësit të pangopur, Enver Hoxhës dhe pasuesve të tij të cilët sajonin armiq, edhe atje ku ata nuk ndodheshin.

Në fund të vitit 1974 u etiketuan si “armiq të popullit”- drejtuesit e lartë të ushtrisë: Beqir Balluku; Petrit Dume dhe Hito Çako. Mirëpo e ashtuquajtura “ fshesë e hekurt”, nuk u ndal vetëm tek ata e tek familjarët e tyre, por u shtri dhe tek të afërmit, si një dukuri pa preçedent. Çobua ishte nip ( djalë i motrës) të Hito Çakos e si i tillë ai, sipas logjikës diktatoriale, nuk mund të mbetej i  pa ndëshkuar.  U shpall dhe nipi i dajos “ armik i popullit” e u ndëshkua rëndë, duke fituar statusin e “ fajtorit pafaj”. Masat që u morën ndaj Çobos dhe familjes së tij, ishin drakoniane, për nga ashpërsia dhe çnjerëzore,  për rrjedhojat që prunë. Le ti shtjellojmë ato, një nga një.

Pas shkarkimit nga funksionet të drejtuesve kryesorë të ushtrisë, Çobon, verbalisht e shkarkuan nga detyra e komisarit të Regjimentit të Rinasit dhe nuk e pyeste më asnjeri e për asnjë çështje që lidhej me detyrat e tij. Edhe kur në repart vinin ekipe kontrolli nga Mbrojtja Kundërajrore e Shtetit, nga ku kishte vartësi aviacioni, Çobon, si komisar, as nuk e pyeste, as nuk e dëgjonte njeri. Në fund të muajit tetor të vitit 1974, pas arrestimit të “ grupit puçist” në ushtri, Çobos i dhanë lejen e zakonshme, e cila, për fluturuesit, aso kohe ishte 45 ditë. Kur ditët e lejes së zakonshme përfunduan, Çobon e njoftuan: “ mos u kthe, në repart”. Faktikisht, ai ishte i shkarkuar nga detyra, pa një urdhër apo vendim me shkrim. Ankthi dhe padurimi, tek “ fajtori pa faj”, kapën pika kulmore. “Litarin ia kishin lënë zvarrë” e Ai nuk ishte; as në qiell; as në tokë!

Në muajin mars të vitit 1975, u mblodh organizata – bazë e Partisë e Shtabit, ku bënte pjesë Çobo Skënderi dhe Atë e përjashtuan nga radhët e PPSh dhe e propozuan për ta liruar nga ushtria, me motivacionin: “ Si nip i Hito Çakos”. Ajo mbledhje e stisur enkas, ngjante  sikur ishte  një sallë gjyqi ku spjegimet e atij që akuzohet, nuk dëgjohen e nuk merren parasysh. Çdo gjë ishte e paracaktuar, dhe  e formuluar në kanceleritë e specializuara që dinë të bëjënë vetëm punë të liga.  Në mbledhjen e organiztës –bazë u paraqitën dhe thënie të stisura, sikur Çobua, na i paskësh thënë një sigurimsi, se gjoja nuk e besonte ndërtimin e socializmit në vendin tonë, siç ishte shprehur udhëheqësi kryesor. Absurditete të ngjashëm, në atë kohë ishin të fabrikuar e hidheshin në veprim, sa herë urdhërohej shkarkimi i dikujt, pa të drejtë, nga detyra ose kur duheshin larguar nga skena, ata që përbënin “rrezik”, për kolltukun e një diktatori. Në praktikën shqiptare të eliminimeve politike, skena të ngjashme makabriteti , nuk ngjanin për herë të parë. Zemërligësia dhe hakmarrja, ishin bërë metodë pune.

Hakmarrja e zemërzinjve, nuk kurseu as familjen e Çobos. Atë vetë, e nxorrën në lirim, pa të drejtë pune e i akorduan një pension mjeran, sa për të mbajtur frymën. Mirëpo paksimi i ndjeshëm i të ardhurave, shkaktonte kufizime e privime tek pjesëtarët e tjerë të familjes, në veçanti  tek fëmijët, që ishin në moshën e rritjes e të zhvillimit. Pensioni: 600 lekë në muaj, në fakt ishte sa për të “larë gojën”. Farfurinë, e lanë në punë, në shkollën e Laprakës, jo nga keqardhja se ajo ishte shtatzanë, por, për të justifikuar veprimet barbare ndaj familjes së saj. Ajo që ngjau në vazhdën e masave represive që u morën kundër Çobos dhe familjes së tij nuk njohu fund e kufi. Fëmijët e familjes Skënderi, edhe pse ishin të “ shkëlqyer “ në mësime, nuk morën të drejtë studimi. Ata, si pinjollë të një “ armiku”, nuk mund të vijonin studimet në shkollë të lartë. A mund të bëhet fjalë, në këtë rast për të drejta të njeriut kur atij i mohon të drejtën bazë, atë të arsimimit? Mund të duket paradoksale, pas kaq vitesh, por, në atë kohë, kështu ka qenë.

Çobo Skënderi dhe familja e tij, u izoluan e u bojkotuan, plotësisht, nga ata që i rrethonin. Në shtëpinë e tyre, nuk hynte njeri, as nga gjitonët e mirë, me të cilët kishin hyrje-dalje, normale, më parë. Nuk mund të merrnin pjesë, në raste gëzimi apo në hidhërime.  Mund të thuhet, pa frikë se ata ishin të burgosur, në shtëpinë e tyre. E lus lexuesin e nderuar, ta përfytyrojë veten, qoftë dhe për një çast, në ata kushte mizore! Nuk bëhet fjalë për qetësi shpirtërore, as për kënaqësi të tjera. Çobua priste, në qetësi, madje përgatitej, që në çdo ditë e në çdo orë të trokiste dera e të vinin  “kompetentët” për  ta arrestuar. Nuk është e sajuar, por ka ndodhur në praktike, ajo që do tju rrëfej më poshtë:

Është e njohur praktika e dikurshme e përgjimit të atyre që viheshin në shënjestrën e pushtetarëve zemërkatran, sipas të cilës spiunët e zellshëm silleshin si hijena, rreth banesës apo shoqëronin, pa rënë në sy, atë që përndiqej. Kjo nuk mjaftonte. Çobua i njihte, ata që e përgjonin dhe e spiunonin. Një natë trokiti dera, rreth mesnatës. “ Kaq e pata , tha Çobua dhe bëri ritin e takimit me të tijët”. E hapi vetë derën dhe, pas saj, vuri re tre ushtarë. Ata, nuk e morën me vete, siç ndodhte rëndom në të tillë raste, por i kërkuan autorizimin që kish marrë para një jave, për të hyrë në shtëpinë e re, në afërsi të Bankës së Shqipërisë, në katin e katërt e ai ua dha. Shtëpinë që ishte caktuar për familjen e Çobos, e mori një oficer tjeter, i repartit. Një herë tjetër, kur ra dera e prapa saj  ishin përsëri tre ushtarë, ata i kërkuan të dorzonte veshjet speciale, të fluturimit, të cilat ia kishin dhënë kur ishte në Kinë, falas e pa kthim. Më posht do t’u rrëfej , këtë ndodhi të pandodhur.

Në një ditë të bukur vere, Çobua mbushi një thes  me veshjet speciale vetjake prej lëkure, dhe, për ti dorzuar ato, u paraqit në postabllokun e repartit të aviacionit, në Laprakë. Nënoficeri  roja njoftoi komandën por asnjerit nuk ia mbante të dilte. Spiunët do të përgjonin si të përndjekurin dhe atë që do të merrte veshjet. U urdhërua shefi i shtabit, si person zyrtar të dilte e të merrte thesin me veshje speciale. Ky doli dhe meqënëse  Çobon e njihte  prej kohësh, dhe kish marrëdhënie të mira shoqërore me të, e takoi, burrërisht, madje e përqafoi atë. Spiuni i zellshëm, që e pa skenën, jo vetëm që raportoi  menjëherë, por, siç ia donte puna, për të qënë më i besueshëm, sajoi absurditetin se shefi i shtabit, e puthi Çobon. Ndodhia, brenda së cilës ishte sajesa  u trajtua si nostalgji e padakortësi, me masën kundër tij. Punuan kanalet dhe shefi i shtabit doli përpara përgjegjesisë të partisë me akuzën se “ kishte puthur armikun e klasës”. Mbledhja nuk do të ishte mbyllur po të mos kishte deklaruar një anëtar partie, i besueshëm se e kishte parë me sy takimin dhe nuk kishte ndodhur puthje, por vetën takim duarsh e përqafim. Ju lutem mos u çuditni por më besoni se sajesa të tilla nuk ishin raste sporadike.

Skena të ngjashme, mund të numërohdn , pambarim por mendoj se nuk është vendi. Në një rast pikant, kur do ti dërgonin pagën Çobos, për ta ofenduar, nuk i dërguan financierin, në shtëpi, por  këpucarin e repartit. Mendojeni vetë, me se kemi të bëjmë në këtë rast.

Sipas logjikës të persekutorit, hakmarrja duhet të vazhdonte deri në çdo qelizë të familjes, madje të prekte dhe lidhjet e krushqisë e të miqësisë të “ viktimës”. Për ta materializuar këtë  hakmarrja duhet të shtrihej  dhe në anën tjetër të miqësisë, tek familja e vjehrrit, pavarësisht personalitetit të tij. I shtrënguar nga presioni i jashtzakonshëm dhe nga kërcënimi për të ndëshkuar dhe familjen e bashkëshortes, Çobua,u detyrua të tentonte për të “ shpëtuar “ një pjesë të familjes. Ai nuk dëshironte të ndërlikonte më tej situatën dhe ta linte në qetësinë e vet, vjehrrin e tij, Feim Gjokutaj , i cili edhe pse ishte me një tog merita, vetjake, rrezikohej nga lidhja me një dhëndërr të etiketuar “Armik i popullit”. Në një takim për kafe, në pallatin e kulturës, Çobua, me  dhimbje në zemër e me lot në sy, i tha bashkëshortes të shkonte në familjen e origjinës. E përcolli, Farfurinë, tek stacioni i autobusëve, dhe u nda me të, pa u përshëndetur. Me këmbët që nuk i bindeshin prej dëshpërimit, Çobua u çapit deri në shtëpi, ku dy ëngjëj, dy krijesa të pafajshme, ishin në gjumë të thellë e vështronin ëndrra të bukura. Ai u vonua, derisa mbërriti në shtëpi, i menduar e me hap të ngadaltë.

Trokiti në derë, në atë orë të vonë, i bindur se në shtëpi do të gjente vetëm Mimozën dhe Gjergjin, por u habit kur në korridor pa dritë. Derën ia hapi Farfuria, e cila, sapo pa të shoqin, u shkreh në vaj. Çfarë i kish ngjarë asaj gruaje kapedane, pas përjetimit të asaj që i ndodhi, në kafeteri, të cilën donte ta harronte, sa më parë?

Feimi, babai i Farfurisë, një atdhetar i flaktë që në gen, partizan i fillimit të vitit 1943, shok lufte i Avdul Hakiut, Mustafa  Matohitit e Memo Metos, i tha së bijës, i bindur se do tja dëgjonte fjalën: ” Ik në shtëpinë tënde, pranë burrit dhe fëmijëve dhe , po qe nevoja vdis së bashku me Çobon se ai nuk ështe “ armik”. Po të ishte i tillë, ai do të kishte ikur, me kohë”! E bindur në pafajësinë e të shoqit,Që e donte shumë, Farfuria qëndroi në krahë të tij dhe përjetoi gjithë presionin e madh që iu bë familjes së tyre.

Në vazhdën e presioneve, provokimeve dhe poshtërimeve, që ishin planifikuar ti bënin Çobos dhe familjes së tij, ndodhi ajo që ju rrëfeva për këpucarin. Qëllimi i këtij veprimi të padenjë ishte i llogaritur që Çobua të refuzonte dhe “ ustallarët e poshtërsive” ta shfrytëzonin rastin për llogaritë e punës së tyre të ndyrë.

Si njeri i ndjeshëm e i përgjegjshëm , Çobo Skënderi, në karrierën si pilot, kishte përcjellë , me dhimbje rënjen në krye të detyrës, në fluturim të karifejve të aviacionit : Vasil Trasha, në mars të vitit 1958; Sokrat Bashës, në gusht të vitit 1963 dhe të Niko Hoxhës, në muajin nëntor të vitit 1965. Në këta raste fatkeqësie,dhimbja vërtet ishte e pamatë, por atë  Çobua e ndau me shokë e miq të shumtë. E pakonceptueshme ishte dhimbja që Çobua përcolli , në ato ditë bojkoti, kur nuk i shkelte njeri në derë e ai nuk mund të hynte në familje të tjera veç të tijëve. As që merrej me mend përzjerja e tij , në mjedise ku ishin njerëz të aviacionit e në veçanti të njohur të tij.

I dhimbshëm e papreçedent ishte rasti i përcjelljes për në banesën e fundit të komandantit të Regjimentit të Rinasit, të talentuarit si pilot, Mahmut Dullë Hysa. Çobua njihej me Mahmutin, herët, që kur të dy, u ulën në bankat e Shkollës Ushtarake “ Skënderbej”, në vitin 1950. Së bashku mësuan fluturimin, në Borisoglebsk, fluturuan bashkë në Qytetin “Stalin”, bënë kalimin në Mig 19PM dhe shërbyen në të njëjtën “llogore”. Për kushtet e krijuara, edhe pse e kishte shok të afërt e jetëgjatë, Çobo Skënderi , nuk mund të rrjeshtohej as në kortezhin e përmortshëm e ti hidhte një dorë dhe, njeriut për të cilin i theri në zemër. Ai, me lot në sy e me gulç ( dënesë), e përcolli kortezhin, nga balkoni i shtëpisë. Me këtë rast, në vetmi e në hidhërim të thellë për humbjen e sivëllait, Çobua shkroi këtë poezi:

“… Në një klasë;

Në një bangë;

Në një katërshe;

Qemë, përditë;

Por Ai;

Para neshë;

Lart u ngjit;

Në Zenit.

Ky kërcim;

Për të gjithë;

Qe hare;

Qe gëzim;

Mallëngjim;

Krenari;

Nder, për mua;

Kombin tim.

Ai, sot;

Nuk na sheh;

Nga lart-poshtë;

Si një shef;

Edhe ne;

Nuk e shohim;

Nga poshtë-lart;

As me mëllef.

Ishim shokë;

Jemi prapë;

Se funksioni;

Është detyrë;

Ai, për të;

Nuk prish kurrë;

Miqësinë;

Vëllezërinë.”

Dashurinë e pamatë për sivëllanë e tij, Çobua e shprehu dhe në epitafin që shkrojti, kushtuar atij njeriu të rrallë.

Epitaf; vëllait tim Mahmut Hysa:

Një shqiponjë, këtu fle gjumë;

Një pilot, mjaft i talentuar;

Një zgalem që e deshi shumë;

Këtë qiell të praruar.

E ka mbrojtur, natë e ditë;

Që të kishte përjetë dritë;

Për të derdhi mund e djersë;

Ndaj i gjallë do të mbesë.

Kur mbushi moshën për të dalë në pension të plotë pleqërie, Çobua u paraqit në zyrat e shtetit ku plotsoheshin dokumentet e nevojshëm. Nëpunësi i kërkoi një vertetim që ai kish qenë pilot fluturues. Absurditete të kohës= edhe pilot ; edhe fluturues. Vajti hallemadhi Çobo, zyrë më zyrë e me shumë vështirësi e siguroi dokumentin që i kërkohej. Fillimisht ai trokiti në repartin ku kish punuar, si drejtues, por kompetenti  B.J. shok i tij prej 25 vitesh, në vazhdën e “qëndrimit klasor”, për të ruajtur prapanicën, kur mësoi  kush e kërkonte vertetimin u përgjigj: “ Kush është ky, nuk e njoh”!  Çudi e madhe; kush e tha këtë? Njeriu me të cilin, Çobua, nga viti 1950 kur nisën, së bashku shkollën ushtarake “ Skënderbej” , siç thonë; kish pirë një bot me çaj. Pafytyrësi! Emër tjetër, nuk arrij të formuloj, për këtë qëndrim  fasadë e zemërlig. Çdo njëri nga lexuesit, lehtësisht mund të bëjë krahasimin e dy rasteve, të ndryshëm në sjellje.

Qeni Balo, në fshatin Progonat, e njohu, pas 4 vitesh bamirësin që i shpëtoi jetën dhe e falenderoi me instinktin e një kafshe, duke zegjedhur ta mblonte përbrënda egërsinë e tij tipike dhe i futi kokën mes çismeve Çobos. Si  kafshë e në mënyrën e vet, ai e shprehu atë mirësi që përjetoi dikur; po shoku i tij i bangës së shkollës e i frontit të punës, vërtet nuk e njohu? Të paktën të ishte treguar në nivelin e një kafshe shtëpiake që vepron me instrinkte. Për fat të mirë,vertetimin e firmoi Bardhyl Taçi, një burrë- burrëror.

Në këtë monografi modeste, pa pretenduar se i dëftova të gjitha, mendoj se kam ngulur disa piketa për portretizimin e Çobo Skënderit, i cili, pa faj u bë fajtor e përjetoi një kalvar të paparë. Mëkot u përpoqa të hedh në letër atë e këtë, tipar të qënësishëm të tij , sipas rutinës: Shto miell e shto ujë. Doja të krahasoja dy pika uji, të marra  nga e njëjta rrjedhë gjë që është e pamundur. Nga hulumtimet, u binda dhe një herë se Çobo Skënderi, sido që ta kthesh, është po ai. Çobua -njeri, nuk ka ndryshim nga Çobua -pilot, por është e njëjta vlerë.

Kur mora në dorë penën e nisa të shkruaj, për të patur shumë “miell në magje” , pyeta e ku nuk pyeta, tërhoqa opinionet e bashkëkohësve të tij dhe të miqve  aktualë por mora të njëjtën përgjigje, të cilën, të formuluar mota mo, mund ta paraqes kësisoj:

-Musrafa Çiçi, pilot në pension, bashkëkohës i Çobo Skënderit, me fjalë të kursyera, u shpreh: “… Çobua është njeri i mirë; mirësia tek ai njeri është konstante dhe e qëndrueshme…”!

-Bashkim Kozeli, pensionist, njeri i letrave, ishaviator, kur mësoi se po shkruaj një monografi , kushtuar Çobo Skënderit, u shpreh: “… më gëzove që më the për monografinë e Çobos. Jam i sigurtë që do ta qash…”!

-Zeqo Camaj, ishushtarak, specialist aviacioni,njeri i letrave shqip, cilësore më shkrojti, me stil poeti, nga Kanadaja e largët” “ … Ta qëndisësh, Çobua  meriton…”!

– Alqiviadh Dede, pensionist, ish pilot, njeri i letrave shqip, më shkrojti, nga Bostoni: “ … Ky është lajm  i mirë; suksese…”!

Fjalët e shumta, ka thënë një mentar i lashtë popullor, janë fukarallëk e unë, po e përfundoj këtë rrëfim tepër interesant, për lexuesin e ndruar. Në jetë ndodh, jo rrallë, kur takojmë, qoftë dhe në udhë një njeri , për të cilin dimë fare pak gjëra, vetëm se mësojmë që ka qenë pilot klasi, e përshendesim e i heqim kapelen, në shënjë respekti e mirësie. Kështu ndodh dhe me Çobo Hibro Skënderin,i cili ,në atë shtat të pakët e të rrëgjuar nga koha, mblon  një shpirt e një zemër të madhe të paqtë, pavarësisht se është “plagosur “rëndë.

Çobo Skënderi, njëri nga të dy pilotët ushtarakë të klasit të parë, i cili është aktualisht në moshën e katërt, tek çapitet, jo pa vështirësi, për të pirë një kafe, me miqtë e tij të hershëm e të rinj, në kafeterinë e preferuar, përjeton gëzimin që të sjellin pinjollët e denjë dhe respektin e atyre që e kanë njohur, dikur por që nuk e kanë harruar e braktisur dhe të tjerëve që e respektojnë për atë që ka qenë e për atë që ka mbetur. Të shumtën e kohës e kalon i përfshirë në krijimtarinë letrare, pasioni për të cilën nuk ka mundur të tjetërsohet.

  • I uroj, mikut tim të kahershëm, shëndet të plotë, jetë të gjatë dhe të begatë, mes atyre që do dhe e duan!

 

Shkroi Niazi Nelaj, ish pilot                          

Në Tiranë, prill-maj 2017

One thought on “Çobani bonjak u ngjit në “majë të malit””

  1. Shume bukur e ke bere Niazi. E meriton Cobo Skenderi ish komandanti im i pare i katershes ne Rinas.Kam mendimet dhe pershtypjet me te mira per Cobon. Nje njeri shume i mire i thjeshte,i sjellshem,i edukuar iinteligjent…Nje pilot dhe komandant i mrekullueshem… E pershendes dhe i uroj nje jete te gjate me shendet dhe me te lumturi me familjen e tij…

Comments are closed.