Hektor Eftim Lako, “Dëshmor i Atdheut”, 1929-1962

Hektor Lako

Prolog

Atë ditë kur kaloi Vjosën, së bashku me skuadrën partizane, e doli malit, për liri, ishte fillimviti 1943. Hektori nuk i kishte mbushur të 14 vjeçët. Nëna e tij, Margarita, një grua e dhimbsur, me tipare burrërore, e ndoqi pas, djalin e dytë, me lutjen që ai të kthehej, në shtëpi, se partizanë, përpara tij kishte dalë vëllai i madh- Koçua dhe motra –Leonorë. Ajo, vetë ishte aktiviste e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, në terren. Por, Hektori e kishte ndarë mendjen dhe vijoi udhën e të parëve; doli partizan e u bashkua me çlirimtarët.

Pas Luftës Çlirimtare, kur vendi u çlirua, Ai iu kthye shkollës, atje ku e kishte lënë e, më pas, u bë pilot. Djali  i nënë Margaritës, fluturonte në hapësirat qiellore, si zogjtë fluturakë. Nëna, në dejet e së cilës rridhte gjak atdhetari, kur mësoi planet e të birit, e bekoi atë, me shpirt  dhe i uroi: “ “Të qoftë udha e mbarë dhe e paç jetën të gjatë, bir-o”!

Vitet rrodhën e nëna u lashtua. Hektori u bë burrë e shpalosi tiparet e një njeriu të gatuar prej brumi të veçantë. Nëna, e lodhur nga vitet dhe nga brengat, nuk e ndiqte dot të birin pilot, në udhët e qiellit ku ai shtegtonte përditë. Ajo e dinte se profesioni që zgjodhi i biri, ishte i mbarsur me rreziqe, në çdo hap, por nuk mund ti thoshte atij: “ Kthehu, bir-o”! Nënë Margarita e priste djalin e dytë, ti vinte në shtëpi, së bashku me bashkëshorten e tij- Filloretin, me një bebe në krah, por Ai u kthye, siç ajo nuk do ta dëshironte kurrë. Nata e mallkuar e 23 marsit të vitit 1962, kur sedërliu Hektor Lako, fluturonte për të marrë klasin e dytë të pilotit, duke zbritur në aerodromin e Qytetit “ Stalin”, u përplas me kodrat ku humbi jetën. Komandanti i Skuadriles së parë, simpatiku me zë bilbili, atë natë, nuk iu kthye familjes, si përherë.

Kur e pa të birin të pajetë, të rrethuar me nderim prej shokëve, kolegëve dhe vartësve të tij, të mbuluar me flamurin kombëtar, simbolin dhe nderin e shqiptarizmës, me kpelen e bukur përsipër arkivolit të kuq, Nënë Margarita bëri, atë që ishte në nderin e saj: mblodhi veten, edhe pse dhimbja ishte e pamatë e u dha kurajo, të sajëve dhe gjithë atyre që ishin mbledhur për ta përcjellë –Hektorin. Të gjithë ishin të tronditur e të shokuar nga ky “ kurth” që kishte rezervuar jeta. Nëna e përcolli të birin, duke derdhur, mbi atë vend të “ shenjtë”, më tepër lotë se dhe. Ajo, sa qe gjallë, e ruajti, 4 vjet me radhë, një varr për Hektorin, përbri vendit që kishte porositur, për vete dhe e solli të birin, në Tranë, në vitin 1968.

E donte ta kishte pranë të birin, si atëherë kur e kishte të vogël dhe e pushtonte, në krahët e saj, me afshin e nënës, që të mos i ftohej, kur flinin. Mirëpo  “ shtegtimi “ i Hektorit, edhe i pa jetë, nuk kishte të sosur. Ai gjeti qetësi vetëm atje, në kodrën përmbi Tiranë, ku prehen shokët e tij të Luftës dhe kolegët e fluturimit. Atdheu i mblodhi tok, si dikur,  në Luftën Ç lirimtare dhe kur fluturonin nëpër llogoret qiellore të Atdheut. Ata janë në piedestalin e nderit, atje ku u takon të prehen, me lavdinë që i ka mbuluar, përjetësisht. Hektori ka pranë: Niko Hoxhën; Azbi Seranaj; Bego Hoxhën; Luto Sadikaj; Idriz Hoxhën etj; ata trima, me fletë që i dhuruan Shqipërisë jetë nga qënja e tyre. Ashtu, krah për krah, atyre u duket sikur marshojnë, së bashku, në të njëjtën llogore e në të njëjtin formacion luftarak, si dikur. Me veprën e tyre heroike, sot e sa të jetë jeta, do të krenohet mbarë Shqipëria e cila uron: ”E paçin të përjetshme lavdinë e u kujtofshin në përjetësi!

Jeta dhe veprimtaria e Hektor Eftim Lakos:

Hektor Lako, u lind në fshatin Leusë të rrethit të Përmetit, më 11 qershor të vitit 1929, nga dy prindër shqiptarë; atdhetarë të shquar, pinjollë të lindur në një truall të begatë e të spikatur, për atdhetari e shqiptarizëm. Eftimi, babai i Hektorit ishte arsimtar, i shkolluar në Selanik të Greqisë. Pas titullimit mësues, ai u caktua të jepte mësim  në shkollat e fshatrave : Bënjë, Kosinë e Leusë dhe në qytetin e Përmetit. I formuar me dashuri për Shqipërinë dhe për gjuhën e bukur amëtare, Eftimi, i mëkoi nxënësit e tij, të cilët i trajtonte si fëmijët që kish në vatër, me dashurinë për çdo gur e për çdo shkurre  të trojeve të të parëve, me dëshirën për të mësuar e për të folur gjuhën e shqiptarfolësve  dhe me respektin e ndërsjelltë, për njëri-tjetrin, si tipar dallues i përmetarit.

Ishin vite të vështirë, kur kriza botërore kërcënonte popujt me emigrim e më pas, i çoi ata në luftë të përbotshme. Në vitin  1922 Eftimi lidhi martesë me fisniken Margaritë, vajzën e At Staf Melanit, i cili ishte klerik i niveleve të lartë, nga fshati Melan i rrethit të Përmetit. At Staf Melani ishte nga ata klerikë ortodoksë, me atdhetari e burrëri të rrallë, i cili, në ato kushte errësire dhe terrori shovinist,të paparë, falte meshë,vetëm në Gjuhën Shqipe. Si klerik i niveleve të lartë, ai falte meshë, në kisha të veçanta, ku niveli besimtarëve ishte, relativisht i ngritur, sidomos në qytetin e Përmetit. Veçanti e shërbesës së tij, ishte, kryerja e riteve fetare, në Gjuhën Shqipe. Ai nuk pranonte, kurrsesi të meshonte në gjuhë tjetër. At Staf Melani ishte bërë pengesa kryesore për depërtimin dhe ndërhyrjen në ritet fetare vendase të fqinjëve shovinistë të Jugut, prandaj Mbreti i Greqisë kish dhënë urdhër ta asgjësonin atë, fizikisht.

Për atdhetari të shquar, kundërshtarët e tij fetarë të cilët nuk e donin autoktoninë e vendasve por kërkonin ta asimilonin atë, e burgosën dhe e internuan në burgjet greke, në shënjë hakmarrje, për shqiptarizmën e tij, të cilën e shpaloste, kudo e kurdoherë. At Staf Melanin, për pikëpamjet kombëtare e burgosën dhe e internuan edhe në Itali, nga ku e nxorri Patriarkana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë çështje, ndihmoi Imzot Fan Noli, Kryepeshkopi shqiptar, me banim në Boston, me të cilin  ai ishte i lidhur me miqësi të sinqertë.

At Staf Melani, në hyrje të shekullit të njëzetë, ndodhej në Amerikë, në shoqërinë e të madhit Fan Noli. Mirëpo priftin e Melanit, emigrimi larg vendit dhe të tijëve ia kishte  shtuar dashurinë për Atdheun dhe për njerëzit e tij, të dashur. Noli, shoqërisht e këshilloi të mos kthehej, në vendlindje, mbasi shovinistët grtekë ia kishin bërë “benë” e, mesiguri do ta asgjësonin. Mirëpo At Staf Melani, trim i rrallë, nuk e dëgjoi këshillën e mikut të tij dhe, me një grusht para që kish fituar, me Biblën në dorë e me Flamurin Kombëtar Shqiptar, në gji, mori udhën ujore e u kthye në Atdhe. Pas disa ditë udhë të mundimshme, ai mbërriti në Melan, ku puthi tokën që e kishte lindur dhe e  kishte rritur.

Brenda disa ditësh, nga kthimi në Atdhe, kleriku i lartë At Staf Melani u çmall me të tijët dhe me fshatin e lindjes, të cilin, ai  donte shumë, dhe me kishën, të cilën e kishte kthyer në një vatër të fuqishme të ndërgjegjësimit atdhetar të besimtarëve. Mbretit të Greqisë nuk i kishte dalë inati dhe e kishte mblojtur ndjenjën e hakmarrjes. Spiunët e njoftuan mbretin mbi mbërritjen e At Staf Melanit, në fshatin e lindjes dhe ai dha porosi ta likujdonin klerikun rrebel.  Kokën e tij,mbreti shpirtkazëm, kërkoi tja çonin në oborr, që ta besonte. Mbreti katil, kishte urdhëruar vrasjen e klerikut atdhetar, por nuk u besonte killerëve që kishte ngarkuar me këtë mision makabër. Madje, ai nuk i kishte paguar ata dhe do ti shpërblente, vetëm kur ti çonin kokën e priftit atdhetar. Të njohur për kurthe, andartët grekë, i thurën një grackë At Staf Melanit. Klerikun e ftuan të falte një meshë, në kishën e fshatit të tij. Ai e pranoi ftesën e u nis për udhë, por, në Qafën e Lushnjës, pranë Përmetit i bënë pritë dhe e egzekutuan, me prerje koke. Pas masakrës, koka e klerikut shkoi në oborrin e mbretit të Greqisë, kurse trupi i tij, u varros, në Melan, pa kokë, me nderimet që i përkisnin, nga njerëzit e thjeshtë të trevës.

Populli i Rrëzës Dhëmbelit dhe jo vetëm, në shënjë nderimi për At Staf Melanin, i kushtoi atij njeriu të rrallë një këngë, e cila, u këndua, në çdo fshat e në çdo vatër ; këndohet edhe sot e kësaj dite. Teksti i këngës përmetare, kushtuar klerikut atdhetar, i bën jehonë jetës dhe veprës së tij të ndritur. Njerëzit e thjeshtë i kënduan, me dashuri Atit të tyre të cilin e ruanin në thellësitë e zemrës. Kënga thotë:

“… Ike nga Amerika, erdhe në Shqipëri;

Me Ungjill në dorë, me flamur në gji;

Në Qafën e Lushnjës, të zunë pusi;

Ky Josif Soropulli, me shokët e tij;

Seç ta prenë kokën, ta çuan në Greqi …”

Nga lidhja martesore mes Eftim Lakos me Mrgaritën e At Staf Melanit, erdhën në jetë pesë fëmijë: Koçua; Leonora; Hektori; Arqilea dhe e mbylli serinë- Ylli. U formua, kësisoj, një çerdhe e vërtetë atdhetarie, ku vlonte dëshira për ta parë vendin të lirë e të begatë, në të cilin njerëzit të flisnin e të shkruanin, lirshëm, gjuhën e bukur Shqipe, të lëvruar, aq bukur, e me shumë dashuri, nga Frashërlinjtë mendjendritur e Atdhetarë.

Sipas të thënave të Arqile Lakos, vëlla i Hektorit, shtëpia e tyre, në Leusë, për shkak të qendrimeve të pjesëtarëve të saj kundër pushtimit të vendit, ishte shtëpia e parë në rrethin e Përmetit, e cila u dogj, egërsisht, nga fashistët italianë. Të mbetur pa strehë, xha Eftimi dhe nënë Margarita, i çuan fëmijët dhe atë pak katandi që mbeti nga shkrumbimi mizor, në shtëpinë e bashkëfshatarit të tyre- Dhionisit, i cili nuk u kërkoi as shpërblim, për qendrimin, në shtëpinë e tij.  Siç kujton Arqilea, shtëpia e familjes Lako, në Leusë, para se të digjej, nga fashistët, ishte, në mes të fshatit dhe me dy kate.  Shtëpia prindërore, ku u lind Hektori, ishte me çati, të mbuluar me plloça guri bojëgri dhe muret i kishte prej guri, të lidhur me llaç gëlqere e me breza druri.

Ngjitja në katin e dytë të banesës bëhej nëpërmjet shkallëve të brendshme prej druri, dhe shkallëve prej guri, të gdhendur, nga jashtë. Kati i sipërm shërbente si odë, për njerëzit e shtëpisë dhe për mysafirët; në katin e parë qendronin bagëtitë e imëta, kuajt dhe lopët, në kthina të veçanta. Përpara shtëpisë ishte një oborr, i madh, në të cilin mund të futeshe nëpërmjet një porte, prej druri, me dy kanata. Në hyrje të oborrit ishin dy sofatë prej guri. Porta ishte e madhe, e mbuluar nga një çati e vogël. Në oborrin e madh, të rrethuar prej një muri të gurtë, me lartësi 2-2.5 m, sipër të cilit ishin vendosur pllaka guri, ishin mbjellë disa pemë frutore. Një hereke, mbante një hardhi pjellore, me rrush të zi; një shegë; një ftua dhe një fik i bardhë. Fëmijët e kësaj familje, në stinën kur piqeshin frutat, nuk e ndjenin nevojën për të dalë nga oborri i tyre e nuk bëheshin ziliqarë, për frutat e gjitonëve. Në ata vite, në Leusë, si në të gjithë trevën, grabitja, madje edhe e frutave ishte një dukuri e pamundur. Banorët e këtij fshati ishin mjaft paqësorë e dashamirë, në marrëdhënie me njëri-tjetrin. Edhe sot, është efiçent konstatimi i lashtë: “ Kush ka gjiton një përmetar, është i qetë e i lumtur”! Djemtë çapkënë, si Hektori mund të vinin dorë në pemët në pronësi të askujt, vetëm për të marrë ndonjë kokërr caracë, buzë përroit ose, ndonjë kokërr arrë, kur ato piqeshin.

Ujin për të pirë, për të gatuar e për t’u larë, Nënë Margarita, si shoqet e saj në mëhallë, e mbushte në dy çesma. Njëra syresh ishte mbi shtëpinë e familjes Lako, rreth 70m kurse tjetra ishte nën shtëpi, afërsisht, po kaq larg. Siç ka qenë traditë, historikisht në trevën e Përmetit, fshati Leusë, është dëshmi e gjallë e kulturës së lashtë të banorëve të tij. Shtëpitë e fshatasrëve, të vendosura në largësi prej njëra- tjetrës, që të mos i zinin diellin dhe dritën shoqja – shoqes; kalldrëmet e drejtë e të shtruar, me gurë, ndërtesat me dy e me tre kate, vijat e ujit pa penguar gjitonin, gurët e gdhendur me të cilët ngriheshin faqet e jashtme të mureve të shtëpive, tavanet me ornamente të bukura, prej druri të gdhendur hijëshëm, nga dora e mjeshtërve vendas, me shiprt artisti, e plot vlera të tjera, dëshmojne qytetërim të lashtë. Çesmat e Leusës kishin ujë të bollshëm, të freskët, të pastër e të shëndetshëm. Nuk kanë pas thënë mëkot:

“… O Përmet, o xhenet; bukë pak, por ujë – det…”

Mamaja e Hektorit, e mira Margaritë, mbushte ujë në çesmat e fshatit, me gjyma. Për shkak të punëve të shumta të shtëpisë, të cilën e mbante të pastër e me mure të lyer me gëlqere; teshat i mbante të pastra, si akull, ajo lodhej e rropatej, edhe për të siguruar ujin, për të pirë, për të gatuar e për t’u larë. Hektori, si djalë që po rritej me shpirt të mirë, i dashur e i sjellshëm në familje e jashtë saj, dashurinë për mamanë e tij pastërtore, e shprehte dhe nëpërmjet ndihmës që i jepte, për të mbushur ujë. Me dy gjyma në duar, Hektorin e shikoje të bënte, disa herë në ditë, rrugën për të mbushur ujë, në çesmat e fshatit dhe kjo ishte lehtësi e madhe për nënën, me shumë meshkuj në familje.

Hektor Lako, fëmijërinë e kaloi në fshatin e lindjes, në Leusë, në gjirin e familjes, ku u mëkua me edukatë morale të shëndoshë e me kulturën autentike që sundonte në mjediset përmetare. Në Leusën e tij të dashur e të bukur, ai mori mësimet e para; njohuritë për botën dhe për njerëzit e mirë të trevës. Në ato vite, shkolla e fshatit, në Leusë dhe më gjerë ishte sipas sistemit me katër klasë. Hektori i mori mësimet e para, nga mësuesi Spiro Izgari, i cili ishte lindur në qytetin e Përmetit. Mësimi i Historisë Përmetare, me heronjtë e shumtë të saj, në fushën e Atdhetarisë, ku pikë referimi ishte dhe gjyshi i tij: At Staf Melani dhe njerëzve të mëdhenj, dishepuj të dijes e të kulturës e mbrujtën djalin e ri me krenarinë e ligjëshme për Përmetin e bukur, për traditat e shkëlqyera të krahinës, për qënjen përmetar.

Meqënëse klasa e katërt ishte më e larta në fshat, prindërit arsimdashës të tij, e çuan djalin e zellshëm në mësime, të vazhdonte e të mbaronte klasën e pestë, në qytetin e Përmetit. Ai mësoi më shumë e mori kulturë më të gjerë, në shkollën e Shënkollit, e cila ndodhej pranë kishës me të njëjtin emër. Hektori shkonte në shkollë, me shumë dëshirë e ishte i vëmëndshëm në mësime. Ai e përfundoi shkollën me tregues të “ shkëlqyer”. Hektori ende fëmijë kishte prirje për lëndët egzakte dhe i pëlqente kënga. Ai këndonte; në shkollë, në faamilje e në mjedise të tjerë, me zë të qartë, të lartë e të bukur. Hektori ishte një artist i lindur! E them këtë, nisur nga fakti se pa mbaruar ndonjë shkollë arti, ku të merrte mësime kantoje, ai ishte një tenor i lindur e cilësor.

Në familjen Lako, këndonin, me zë të qartë, të lartë e të bukur, të gjithë pjesëtarët e saj. I ati, Eftimi;  Koçua, Mamaja, motra, Arqilea, dhe Hektori, këngën e kishin dhunti, pasion dhe trashëgim. Burimin e frymëzimit, Hektori  e merrte nga natyra e bukur përmetare, nga bëmat e njerëzve të shquar të trevës dhe e kishte në gen. Ai këndonte në shtëpi, në shkollë e në rrugë; në çdo kohë e në çdo vend.  Kur mblidheshin të gjithë pjesëtarët e familjes Lako, ia thoshin këngës përmetare. Ai që dëgjonte këngën e tyre, kënaqej, me atë “simfoni” të rrallë. Këngë të preferuar kishin atë që i bënte jehonë atdhetarisë të At Staf Melanit, të cilin e kishin gjysh, nga Mamaja; këngët përmetare, si:  “Falma synë e zi”; “ Trëndafili fletë-fletë”; “ O borzilok” etj. këngë lirike. Edhe nëpërmjet  teksteve të këtyre këngëve me theks atdhetar, Hektori gjente burimin e frymëzimit, gjë që e burrëronte atë, dita –ditës.

Tek piloti i ardhshëm Hektor Lako, fëmijëria erdhi me karakteristika të veçanta. Ai, edhe kur ishte akoma i parritur, kaloi, me sukses, disa “ teste trimërie”. Nëna e tij, Margarita, një grua  me tipare burrërore, nënë e dhimbsur, por dhe e rreptë, për ta vënë në provë djalin e saj çapkën, Hektorin, e dërgonte, në mes të natës, të vetëm, në stan, tek çobanët që rruanin bagëtitë, i cili ndodhej larg shtëpisë e jashtë fshatit, me porosi  të rëndomta. Nga verifikimi që ajo bënte të nesërmen, duke pyetur barinjtë e tufës, Nëna bindej se Hektori e kishte kryer porosinë. Si shumë nga moshatarët e tij, Hektori ngjitej në pemët e larta e të vështira, me arra ose në caracat, buzë përroit, fruta të cilat nuk i kishte në oborrin dhe në kopshtin e familjes. Ai, si guximtar, u ngjitej më lart pemëve, se shokët e tij.  Hektori e shpaloste guximtarinë edhe kur “ i binin në qafë”. Ai përleshej , jo vetëm me moshatarët por dhe me të tjerë, në moshë më të rritur e më të fuqishëm se ai.

Lodrat më të preferuara të fëmijërisë të tij ishin ato të bashkëmoshatarëve si: lodra me top, të përgatitur me lecka, me qime demi, të “ presuar”;  lodrën “ prerazi”; vraponte me shokët, kacavirrej nëpër pemë dhe lodra të tjera, të improvizuara, aty për aty. Në çdo lodër, ai, me sedër të zhvilluar kërkonte të dilte, i pari, kudo, e në çdo kohë. Kur kacavirrej në pemët e larta, Hektori parapëlqente t’u ngjitej degëve më të larta, në majë të tyre. Në një rast, u grind me të vëllanë, Arqilenë, i cili ishte 18 muaj pas tij dhe e rrahu atë. Mamaja, kur mësoi këtë sjellje të mbrapshtë të tij, e ndëshkoi, pa ngrënë dhe e veçoi në një vend, jashtë shtëpisë. Arqilesë i vinte keq për vëllanë. Ai merrte nga shtëpia ushqim, fshahurazi nga Mamaja e tyre dhe ia çonte Hektorit kryeneç. Nënë Margarita, si mjaft gra përmetare dallohej për gatime  të larmishme dhe me shijë. Fëmijët e saj, veçoheshin, në mëhallë e në fshat, për pastërti, shëndet e sjellje të mira.

Në ekonominë familjare të Eftim Lakos, gjallonin rreth 30 krerë bagëti të imëta; më tepër dhen e më pak dhi të cilat i ishin besuar për ruajtje çobanit të fshatit; me shpërblim. Vajtja në stan, ditën dhe natën, bisedat me çobanin dhe njohja me jetën baritore sidomos me vështirësitë e çobanërisë, ishin pjesë e edukimit qytetar dhe e formimit të Hektorit me ndjenjën e bukur të dashurisë për natyrën e rrallë të fshatit të tij dhe me bukurinë e shpirtit të bashkëfshatarëve të cilët, vërtet ishin të varfër por ndiheshin krenarë e ishin atdhetarë të vendosur.

Hektori, u formua si djalë me edukatë të shëndoshë, i dashur e i shoqërueshëm me moshatarët e tij dhe me humor të këndshëm. Ai nuk i duronte padrejtësitë dhe në raste të veçantë shfaqej rrbel e i sertë. Ai nuk ishte nazeli në të ngrënë. Hante radhë e nuk u bënte naze gjellëve të shijëshme që përgatiste Mama Margarita. Gjellë të preferuara për të ishin: Byreku; fasulet; petët; trahanaja; koleja; djathi i bardhë, likorat e më pak bollguri e gjiza. Kur ndonjë gjellë nuk i pëlqente dhe këtë e shprehte hapët, Mamaja, pa i bërë lëshime, i thoshte: “ Ja tek e ke gjellën; po deshe haje, po s’deshe,  rri pa ngrënë”!

Shtëpia e Eftim dhe Margarita Lakos, në Leusë të Përmetit, pavarësisht se u dogj e u shkrumbua nga fashistët, fatin e të cilës e ndoqën më pas edhe mjaft shtëpi të tjera në trevë, mbeti një bërthamë e shëndoshë shqiptarie. Edhe kur banonin në shtëpinë e bashkëfshatarit të tyre, bujaria karakteristike përmetare, shkëlqeu e u shpalos, në ato ditë të vështira të pushtimit e të luftës për liri. Dera e familjes Lako, priste e përcillte, me nderime, jo vetëm miqtë e shumtë të saj dhe të fisit, por dhe luftëtarët e lirisë. Ajo ishte e hapët, 24 orë në ditë,  për njerëz të thjeshtë, të mirë e sidomos për ata që kishin të njëjtët ideale. Në atë derë zjente, në çdo kohë, biseda rreth Luftës Çlirimtare. Tema e Luftës për liri ishte temë e ditës; ajo prevalonte bisedat me tema të tjera.

Në pranverën e vitit 1943, në shtëpinë e xha Eftimit, trokiti një partizan të cilin e pasonte një skuadër luftëtarësh të lirisë. Për njerëzit e Luftës Çlirimtare, ajo shtëpi ishte e preferuar dhe e sigurtë. Në mal, partizan i orëve të para, ishte vëllai i madh i Hektorit, Koço Lako dhe motra Leonorë. Babai dhe Nëna e Hektorit, ishin aktivistë në terren. Prandaj në atë çerdhe lufte për liri, partizanët hynin e dilnin si në shtëpinë e tyre.

Partizani që trokiti në derë, ishte komandant i një skuadre, të shkëputur nga formacioni luftarak i Brigatës së Parë Sulmuese të Ushtrisë Nacional çlirimtare. Në armatimin e këtij njësiti partizan ishte një top i çmontueshëm, të cilin e përdorte vetëm komandanti i skuadrës. Ai ishte nga Korça dhe quhej Lluka Misha. Skuadra partizane kishte me vete dhe 3-4 mushka trupmëdha italiane të cilat i përdornin për ngarkesë. Partizani Lluka kishte me vete një kitarë dhe, në kohën e lirë këndonte serenata korçare e këngë atdhetare, të shoqëruara nga tingujt e instrumentit të tij.

Skuadra partizane, me komandant Llukën erdhi në shtëpinë e familjes Lako 3-4 herë. Hektori dhe Lluka, u miqësuan njëri me tjetrin edhe si këngëtarë. Të dy pëlqenin këngën dhe këndonin bukur. Kënga atdhetare dhe partrizane, e ndezi më shumë atmosferën dhe frymën luftarake tek pjesëtarët e familjes Lako. Një ditë, skuadra partizane mori urdhër të kalonte Vjosën, të hidhej në Veri të saj dhe të bashkohej me njësinë të cilës i përkiste. Hektori, në atë kohë nuk i kishte mbushur të katërmbëdhjetë vjeçët por ishte mjaft i shkathët, shtatlartë e çapkën. I mikluar dhe nga fakti që komandanti i skuadrës partizane ishte këngëtar i mirë e i binte kitarës, ai e ndoqi pas gjurmëve skuadrën partizane që po ikte, e mbërriti, para se ajo të kapërcente lumin dhe, tok me partizanët, kaloi në Veri të Vjosës. Në rrethana disi të veçanta për të, akoma i parrituri i Nënë Margaritës, u bë pjesë e skuadrës partizane dhe nuk iu nda asaj, në kundërshtim me kundërshtimin e Llukës dhe me lutjet e nënës, e cila e ndoqi skuardën, pas, dhe i lutej Hektorit të kthehej. Ajo, meqënëse dy vetë nga familja e tyre ishin në mal dhe vetë Nëna, së bashku me xha Eftimin ishin aktivistë të lëvizjes çlirimtare, në terren, mendoi se i biri, nuk ishte rritur akoma për të dalë në mal, dhe se veprimtaria atdhetare, në Leusë e në krahinë ishte e ndezur. Megjithatë Hektori sedërli, nuk lëvizi nga vendimi që kishte marrë dhe doli partizan.

Viti 1943, kur Hektor Lako, 14 vjeçar u rrjeshtua në formacionet partizane ishte kohë e vërshimit të luftëtarëve të lirisë, në formacionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare partizane dhe e luftimeve të ashpra kundër pushtuesve nazistë. Hektori, pas shumë përpjekjeve e kërkimesh, e gjeti dhe u bashkua me të vëllanë e madh, Koço Lakon, i cili ishte jo vetëm më i madh në moshë por dhe  partizan i regjur, me përvojë të gjatë luftimesh. Koçua ishte partizan i Brigatës së Tetë të Ushtrisë Nacional Çlirimtare. Për vëllanë, pas tij në radhë, Hektorin, Koçua ishte një lloj  “këshilltari” dhe kujdestari të cilit i përcolli eksperiencën e tij në luftime e në jetën partizane. Kur ndodhej në Poliçan, Brigata e tetë u rrethua nga forcat gjermane të cilët, në një luftim , kapën rob 5-6 partizanë, me moshë si të Hektorit dhe i pushkatuan. Hektori, me shkathtësinë tipike që kishte, për të mos rënë në duart e armiqve, kaloi prapa një bregoreje dhe shpëtoi.

Pushtuesit nazistë, e kishin piketuar familjen Lako, si çerdhe e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, për ta internuar, në kampet e përqëndrimit, në Gjermani. Komanda e Vendit, ku bënin pjesë dhe xha Eftimi; Nënë Margarita dhe Arqilea adoleshent, e çuan këtë familje në Sheperin malor, ku ishte vend i sigurtë, për ta. Hektori, vëllai i madh, Koçua dhe motra Leonorë qendruan në radhët partizane e luftuan, trimërisht, deri në çlirimin e plotë të vendit.

Fillimi i vitit 1945, e gjeti Hektorin, si shumë ishpartizanë të moshës së tij, në bangat e Shkollës së Kadetëve e cila sapo ishte hapur. Meqënëse Hektori, para se të dilte partizan, kishte kryer pesë klasë të shkollës qytetëse, sipas programit të asaj kohe, i vijoi mësimet, atje ku i kishte lënë, me programin e ri. Më 1 prill të vitit 1945, Hektori dhe shokët e tij, ishpartrizanë nisën mësimin e rregullt në këtë shkollë. Ishin bërë përpjekje të shumta, për të gjetur mësues të lëndëve të ndryshme, mbasi, siç dihet, niveli arsimor e kulturor i popullatës, në atë kohë ishte mjaft i ulët dhe rrjeti i shkollave që përgatitnin mësues ishte  i kufizuar vetëm me Normalen e Elbasanit.

Në orën e parë të mësimit, kur djemtë e kthyer nga mali ishin ulur në bangat e shkollës, në klasë u fut mësuese Kadrie Kopliku, një zonjë grua, e mençur e me kulturë, nga qyteti i Shkodrës. Ajo do të drejtonte mësimin e historisë. Pas saj në klasë u fut mësuesi i gjuhës, Selam Tafaj, nga Tirana, e kështu me radhë mësuesit e tjerë. Thuajse të gjithë mësuesit kishin kryer studimet në shkollat perëndimore e ishin pajisur me kulturë Oksidentale. Kadetët, ishin me uniformën që kishin dalë nga lufta dhe qendronin 24 orë, me armatimin personal, në krah. Në ditët e para të korrikut, të vitit 1945, Komandanti i Përgjithshëm urdhëroi që kadetët të dorzonin armatimin personal, në depon e shkollës.

Në Shkollën e Kadetëve u krijua një situatë jo aq e këndshme. Ishpartizanët, i kishin mbajtur pranë vetes, disa vite me radhë armët e tyre, ishin rritur e burrëruar me to, ishin mbrojtur e kishin sulmuar armikun. Arma, për ta ishte shndërruar si një pjesë e trupit e ishte bërë mjaft e dashur. Ndarja prej armës ishte si të ndaheshe nga një njeri i afërt e i dashur, siç janë pjesëtarët e familjes. Dikush që e ka përjetuar atë skenë, dëfton se i vështroje kadetët, të mbledhur galuç, nëpër cepa, të vetmuar, të menduar e të përlotur, tek puthnin armën, përpara se ta dorëzonin atë në depon e shkollës. Shoku i grupit të mëvonshëm të Hektorit, trimi i rrallë Refit Jazoj, i cili ruante nën jastëk dy bomba, nuk i dorzoi ato, por u hoqi sigurecën e i hodhi në oborrin e shkollës. Ishte urdhri i Komandantit të Përgjithshëm, autoriteti i tij i padiskutueshëm që e futi në hullinë e domosdoshme dorzimin e armëve prej kadetëve.

Pas dorzimit të armëve personale, kadetët mësuan të mbanin në duar libra, fletore e lapsa të cilët u shërbenin për proçesin mësimor. Ata do të armatoseshin me dije  e do të merrnin njohuri shkencore, e cila do t’u nevojitej për të shaluar tanke, anije lufte, aeroplanë të tipave të ndryshëm dhe mjete të tjera lufte, aq të domosdoshme për të modernizuar mbrojtjen e vendit të dalë nga lufta çlirimtare.  Më 10 korrik të vitit 1945, u zhvillua një paradë ushtarake. Kadetët, parakaluan me kuadrate. Hektori ishte me trup të derdhur e i shkathët. Ai u bë pjesëtar i kësaj parade, në kuadratin e kadetëve të veshur me tesha partizane. Ai parakaloi denjësisht, siç i kishte hije. Pas paradës, kadetët shkuan me leje, pranë familjeve dhe Hektori shkoi në Leusë, pranë prindërve dhe vëllezërve të tij. Rrugëtimi për në familje, ishte tejet i gjatë, 12-14 orë, nëpërmjet një rruge të dëmtuar vende –vende, nga lufta, me një “ satë” nga ato që i ishin marrë shtetit italian , në kuadrin e reparacioneve të luftës ose që kishin mbetur në vendin tonë, si mbeturina të fashizmit. Rruga automobilistike, tërë gropa dhe e pa shtruar, kalonte nga qyteti i Beratit, ngjitej në një terren malor, të vështirë, nga Ballabani, Këlcyra dhe si pikë të fundit kishte qytetin e Përmetit. Prej andej, Hektori, me dëshirë udhëtonte, duke fërshëllyer nga kënaqësia, deri në Leusën e tij të dashur. Rruga e gjatë nga Tirana, në Përmet zgjatej dhe për arsye se  fatorinoja, në çdo lokalitet ndalonte për të lënë gazetën dhe postën. Në qytetin e Beratit, autobusi ndalonte rreth një orë që pasagjerët të hanin diçka, e kjo e shtonte vonesën. Në dimër, kur rruga malore nga Berati , në këlcyrë mbulohej nga dëbora ose zinte akull, në Ballaban, shoferi u thoshte pasagjerëve:” Zbrisni; ecni në këmbë se udha është e vështirë; po të rrëzohet autobusi, të paktën le të vritem unë që e kam zanat”! Në dimër, fatorinoja ngrihej herët dhe, me një mangall me prush, ngrohte motorrin e autobusit që të qarkullonte  vaji.

Përgatitjet për paradën e madhe të çlirimit, që do të zhvillohej më 29 nëntor të atij viti, e ngjeshën programin mësimor të kadetëve. Ata bënin 4-6 orë mësim të pandërprerë, çdo ditë dhe mbasditeve bënin përgatitje rrjeshtore. Në paradën e 29 nëntorit 1945, kadetët parakaluan në një kuadrat, me ishpartizanë pionierë. Kur kuadrati i kadetëve, ndodhej përpara tribunës qëndrore, spikeri i Radio Tiranës, i cili transmetonte evenimentin, ngriti tonin e deklaroi: “ Tani parakalojnë skënderbegasit”. E prisnin çlirimtarët e vegjël që shkolla e tyre të merrte emrin e Heroit të Kombit dhe kjo ndodhi. Pjesëmarrësit në paradë dhe, gjithë kadetët që nuk ishin në kuadrat, u gjallëruan e u bënë më krenarë dhe parada e tyre mori një shkëlqim tjetër, më të madh. Vitin e Ri 1946, që pasoi, mjaft skënderbegas, të cilët i kishin familjet në vise të largët e nuk mund të shkonin, pranë tyre, për vështirësitë që dihen, e kaluan atë natë në shkollë, me dhuratat e qytetarëve të Kryeqytetit. Hektori, së bashku me Koçon, me vështirësitë e rrugëtimit, për të gëzuar prindërit dhe familjarët e tjerë shkuan në Leusë.

Në vitin 1946, komisar i shkollës tashmë “ Skënderbej”, u emërua Koço Lako, vëllai i madh i Hektorit. Në një farë mënyre, si dje, në luftë, edhe tani, pas saj, “kujdestaria, brenda familjes”, e Koços për të vëllanë, vazhdoi. Urtësinë, thjeshtësinë, kujdesin, pse jo dhe dashurinë që shpaloste komisar Koçua, për skënderbegasit, e përjetoi dhe i  vëllai, të cilin e donte dhe e çmonte mjaft. Në atë vit, në shkollën “ Skënderbej” erdhën disa oficerë të rinj, për të drejtuar dy batalionet që u formuan , me nga 2-3 kompani. Mes oficerëve të rinj që u caktuan në shkollë ishin: Rexhep Rama; Sabri Godo; Jorgji Papagjini; Petrit Gaxhi; Enver Shehu etj. Në fund të vitit 1946 e në fillim të vitit 1947, Shkolla  “Skënderbej” u shndërrua në një repart ushtarak, me detyrë luftarake, e përbërë nga djem që e mbanin lart frymën e Luftës Nacionalçlirimtare.

10 korriku i vitit 1947, i pajisi skënderbegasit ishpartizanë me dekoratat që kishin fituar në luftën partizane. Hektori, si mjaft nga shokët e tij,  i cili ishte dalluar në luftime, për guxim e trimëri, u dekorua me urdhra e medalje lufte, të cilët ia zbukuruan gjoksin dhe ia shtuan krenarinë , atij djali çapkën e simpatik. Sa shumë u gëzuan familjarët e tij, kur e panë Hektorin, pranë tyre, në atë verë,  me gjoksin plot me dekorata. E kishte ëndërruar Nënë Margarita,  ti kthehej djali i dytë, si dhe dy fëmijët e saj, më të rritur, nga lufta çlirimtare ku u nis, me kokëfortësi e këmbëngulje, fitimtar e me lavdi dhe ia mbërriti asaj dite.

Në pranverën e vitit 1947, në Shkollën “ Skënderbej”, u kryen vizita mjekësore të specializuara ku u përcaktua kondicioni fizik dhe gjendja psikologjike e skënderbegasve, me qëllim që të përcaktohej e ardhmja profesionale e tyre. Në komisionin mjekësor ishin : Kryetar- Dr Grigor Konomi dhe anëtar-Jani Theodhosi. Ky komision, pas vizitave, analizave dhe testeve përkatës, të cilët nuk ishin parë asnjëherë, në ato mjedise, konkludoi se Hektor Eftim Lako plotsonte kriteret për t’u bërë pilot. Pas bekimit që kishte marrë nga Nëna, Hektorit iu shtua dhe një tjetër bekim, ai i komisionit mjekësor.

Pas festimit të 10 korrikut të vitit 1947, skënderbegasit, të organizuar në toga, kompani e batalione, shkuan në malësinë e Bizës, në një pushim veror, trijavor. Ky fushim i afroi, më tepër njëri me tjetrin skënderbegasit, të ardhur nga krahina të ndryshme dhe që në jetën e malit, kishin marrë pjesë në formacione të ndryshëm luftarakë. Ato ditë, djemtë e shkollës së mesme ushtarake, mesuan dhe dsisa rregulla e kryen një sërë veprimesh ushtarake, të cilat nuk i dinin.

Fillimi i vitit 1948, dërgoi në Jugosllavi dy grupe skënderbegasish, shumica ishpartizanë. Njëri nga grupet e djemve do të përgatiteshin si xhenjerë të ardhshëm; në grupin tjetër ishin djem që do të bëheshin aviatorë. Mes tyre kishte nga ata që u piketuan për t’u bërë pilotë dhe të tjerë që do të specializoheshin në profesione, pranë e në shërbim të fluturimeve. Tek skënderbegasit që mbetën në shkollë, u shtua shpresa e u çel një dritare për të ardhmen e tyre në specialitete të ndryshëm, në fushën e mbrojtjes.

Më 6 mars të vitit 1948, në mjediset e shkollës “ Skënderbej”, qarkulluan fjalë se, në vijim të dërgimit të studentëve për specializim në shkollat ushtarake të Lindjes e pikërisht në Bashkimin Sovjetik do të niseshin për studime, jashtë vendit , disa skënderbegas. Atë ditë, në kinemanë e shkollës, u mblodhën shumë skënderbegas. Kapiteni Ilo Trebicka, ishpartizan, i dërguar nga sektori i kuadrit i Ministrisë të Luftës, lexoi emrat e skënderbegasve që do të shkonin, për studime në Bashkimin Sovjetik. Për shkak se marrëdhëniet ndërshtetërore dhe ndërpartiake, mes Jugosllavisë dhe vendit tonë, kishin marrë tatëpjetën, specializimi i ushtarakëve do të vijonte në shkollat sovjetike. Kapiteni Ilo Trebicka edhe më parë kishte lexuar të tilla lista përpara skënderbegasve, prandaj ata nisën ta thërrisnin kapitenin, me nofkën:”Oficeri i listave”.

Të mbledhur në kinemanë e shkollës, Skënderbegasit, i mbanin sytë tek dosja me fjongo të kuqe që shpalosi kapiten Iloja, në pritje, me frymë të mbajtur, leximin e emrave. Djemtë ushtarakë u qetësuan vetëm kur dëgjuan emrat e skënderbegasve: Bajram Hitaj; Elmaz Hasamataj; Riza Ramadani; Gani Selami ( Gjondedaj); Flamur Mickaj; Qemal Mërtiri; Hektor Lako; Refit Jazoj; Lulo Musai ( Spahaj); Shaqo Hoxha, të cilët do të niseshin, në ditët që vinin, për t’u bërë pilotë, në shkollat sovjetike të aviacionit. Po merrte udhë, një ëndërr e vjetër e Hektor guximtarit, për t’u bërë shok me zogjtë e qiellit.

Në mëngjesin e datës 7 mars, të vitit 1948, në orën 09.oo, Hektori, së bashku me shokët e tij të grupit të aviatorëve të ardhshëm, me një aeroplan transporti të Uashtrisë Sovjetike, u nisën nga aerodromi i Tiranës ( Laprakë) dhe, brenda ditës mbërritën në Moskë; pas një qëndrimi të shkurtër, në Budapest e në Lvov. Në këtë aeroplan ishin dhe dhjetë skënderbegas, të cilët ishin caktuar të ndiqnin studimet në shkollat sovjetike të ndërlidhjes. Gjatë fluturimit, disa nga djemtë, për arsye se ngriheshin në ajër për herë të parë, u turbulluan; Hektori e përballoi mirë fluturimin. Në aerodromin ku zbritën, në Moskë, djemtë nga Shqipëria i priti një oficer i dërguar nga Ministria e Mbrojtjes e Bashkimit Sovjetik dhe Atasheu ynë ushtarak, në Moskë. Nga aerodromi, i shoqëruan në stacionin e trenit, që shkonte në Novosibirsk. Kandidatët për pilotë do të  udhëtonin më tej, me tren për të shkuar, më në Lindje, në hapësirat e akullta të Siberisë, në qytetin “ Engels”, ku ndodhej shkolla e aviacionit sovjetik, që përgatiste pilotë bombardues, e cila mbante emrin e njërës nga gratë pilote,  “Heroinë e Bashkimit Sovjetik”, në Luftën e Dytë Botërore “ Maria Raskova”. Mirëpo u bë natë e djemtë nga Shqipëria u sistemuan për të kaluar natën në trenin që shkonte në lindje, të nesërmen mbasdite.

Fjetën të ngjeshur pas njëri-tjetrit si dikur, kur ishin partizanë. Oficeri sovjetik që ishte ngarkuar ti shoqëronte kandidatët për pilotë, deri sa ti dorëzonte në shkollën e aviacionit, e njihte faktin që të gjithë ata kishin qenë partizanë, prandaj nuk ua kishte merakun se mos ftoheshin atë natë. Të nesërmen, që në mëngjes, grupi i kursantëve shqiptarë, për pilotë, zunë radhë për të hyrë në Mauzoleun e udhëheqësit të Revolucionit Socialist të Tetorit, Vladimir Iliç Leninit. Radha, për ta parë maozeleun ishte e gjatë, por tanët shfrytëzuan dhe statusin e të huajit, ndaj të cilit vendasit ishin mjaft dashamirë e tolerantë. Përpara gjeniut të tetorit, djemtë nga Shqipëria përjetuan çaste emocionesh të forta. Pas kësaj, respekti për jetën dhe veprën e Leninit, tek ata 18 vjeçarë, u rrit më tepër.

Kur u nisën nga Tirana, temperaturat e ajrit ishin + 10 gradë celsius; në Moskë, i gjetën ato – 10 gradë celsius. Një ndryshim i ndjeshëm në lëmën e temperaturës, të cilin djemtë tanë e ndjenë por e përballuan, falë moshës së re dhe përvojës së malit. Më datën 8 mars të vitit 1948,në mbrëmje, në orën 23.oo, të dhjetë kandidatët për pilotë, shkuan në stacionin e trenit dhe pas pak, u nisën, për në Novosibirsk ( Siberi). Rrugëtuan me hekurudhë, plot 48 orë dhe  në mesnatën e datës 10 mars zbritën në stacionin e trenit të qytetit “ Engels”, mbi lumin Vollga. Për t’u uruar rishtarëve mirëseardhjen, në stacion kishte dalë Niko Hoxha, i cili, së bashku me Edip Ohrin kishte ardhur nga Akademia e Kuadrove Drejtues të Aviacionit, në Moskë. Ata ishin në vitin e fundit të shkollës së kuadrove drejtues dhe kishin ardhur në Shkollën “ Maria Raskova” për të zhvilluar praktikën fluturuese.

Data 10 mars e vitit 1948, shënon regjistrimin zyrtar të kursantëve për pilotë të grupit ku bënte pjesë Hektor Lako, si efektivë të Shkollës Sovjetike të Aviacionit Sovjetik “ Maria Raskova”, ku do të mësonin shfrytëzimin, në tokë e në ajër të aeroplanëve bombardues. Të nesërmen, djemtë nga vendi ynë u akomoduan në strukturat mësimore të shkollës dhe u njohën me kuadrot drejtues, të saj, me të cilët do të mësonin. Komandant i togës u caktua togeri Çernikov dhe kujdestar; kapteri Kapillov. Interesante ishte përbërja e trupës pedagogjike. Mësimin e Gjuhës Ruse  do ta drejtonte gruaja autoritare- Llarionova, e cila punoi me shumë dashuri e përkushtim, për t’u mësuar djemve nga Shqipëria e largët  gjuhën e bukur e të vështirë ruse. Për formimin e përgjithshëm të kursantëve për pilotë, programi mësimor parashikonte mësime në lëndët fizikë; kimi; matematikë, astronomi etj. Pedagogët ishin me nivel të lartë si përsa u takon njohurive shkencore dhe në metodën e mësimdhënies. Pedagog i kimisë ishte Mushkinin; një shkencëtar i vërtetë, me origjinë çifute.  Ai ishte vazhdimisht i vrenjtur e nuk i qeshte buza kurrë. Ky pedagog drejtonte dhe mësimet e fizikës. Lëndën e matematikës e drejtonte çifuti tjetër, me mbiemrin – Petroçuk, i cili krijonte përshtypjen sikur ishte vëlla i Mushkininit.

Të dhjetë kursantët ishin të sistemuar në të njëjtin batalion, komandant i të cilit ishte majori Uljanov; një kuadër ushtarak me edukatë e me kulturë, i sjellshëm e me kërkesë të lartë llogarie. Shef i shtabit të batalionit ishte majori Shazov. Në fjetinë, kursantët shqiptarë, u sistemuan në mjedise të përbashkët me një grup kursantësh nga Jugosllavia. Me këta kursantë, tanët ndërtuan marrëdhënie  normale, pavarësisht se marrëdhëniet mes dy vendeve tona kishin marrë plasaritje të pariparueshme. Kur përfunduan shkollën e aviacionit e u titulluan oficerë ( pilotë), jugosllavët nuk u kthyen në vendin e tyre, por qendruan në Bashkimin Sovjetik.

Në muajin nëntor të vitit 1948, në Shkollën e Aviacionit “ Maria Raskova”, me 10 kursantët nga Shqipëria, u bashkuan, kursantë të tjerë, të cilët i kishin nisur fluturimet në shkollën jugosllave të Zemunit, por ndërprerja e marrëdhënieve, ua kishte lënë programin ajror të pa përfunduar. Ata ishin: Haki Jupasi; Goxho Kondi; Refat Kasimati; Sejdo Kamberi; Seo Trola dhe Mersin Minxha. Ata, të gjithë, kishin qenë partizanë dhe pas Çlirimit të vendit u ulën në bangat e shkollës së kadetëve. Në  fillim të vitit 1948, ata shkuan në Jugosllavi, për të studiuar e ushtruar aeronautikën. Pritësit njiheshin, për së afërmi me të ardhurit nga Jugosllavia, prandaj nuk e patën të vështirë integrimin me njëri-tjetrin.

Mbasi u kompletuan si grup, kursantët nga Shqipëria nisën proçesin normal teorik, sipas programit të përcaktuar. Në shkollën “ Maria Raskova”, ata gjetën kushte mjaft të mira, për të mësuar e për të jetuar. Ata u pajisën me uniformën ushtarake dhe u sistemuan në fjetinë, në mensë, e në klasat ku mësuan teorinë nëpërmjet mësimeve të përgjithshme e atyre speciale. Disa shërbime, siç ishte ai i brendshmi, në fjetinë, djemtë nga Shqipëria, sipas rregulloreve të Ushtrisë Sovjetike, i kryenin dyshe; ata dublonin njëri-tjetrin. Një natë, grafiku nxorri në shërbimin postë fjetine, Hektorin dhe shokun e tij të grupit, Flamur Mickaj, nga Nivica e Kurveleshit të Sipërm. Në mëngjes, kur shokët u ngritën nga shtrati e do të bënin fizkulturë, njëri nga kursantët shqiptarë ( G. Gj), hapi portofolin dhe e shkundi atë.” Më kanë marrë nga portofoli 250 rubla”, deklaroi ai. Situata u elektrizua. Shokët e hodhën vështrimin tek dy kursantët që atë natë kishin qenë në shërbimin postë fjetine. Flamuri, me bindjen se nuk kishte dorë në këtë grabitje, qëndronte i kapardisur e bënte karshillëk. Tjetri ishte Hektori sedërli. E preku në sedër Hektorin, vështrimi dyshues i shokëve. Ai u hoq pak mënjanë nga shokët e, i prekur në sedër, u përlot, prej inatit që e kaploi. Përmetarit me edukatë të shëndoshë familjare e me kulturë, asqë i binte ndër mend kjo poshtërsi. Në fshatin e tij, në Leusën e njerëzve të dashur e të sjellshëm, që nuk dinin të bërtisnin, edhe dyert e shtëpive i mbanin pa çelësa dhe portat e avllive ishin të hapura 24 orë. Mirëpo këtë koklavitje e zgjidhi, me mençurinë dhe autoritetin e tij, Niko Hoxha. U vendos të kompensohej i dëmtuari e shokët të mbeteshin, siç ishin: shokë e miq, të mirë, pa paragjykime e dyshime për njëri-tjetrin.

Kursantët Shqiptarë, derisa mësuan të komunikonin, lirshëm në Gjuhën Ruse dhe derisa u familjarizuan me qytetin e me veçoritë e popullatës vendase, nuk u lejuan të qarkullonin nëpër qytet. Kohën e lirë, ata e shfrytëzuan për të bërë përgatitje fizike, në mënyrë që të përballonin ngarkesën e paprovuar të  fluturimeve që do të fillonin, së shpejti. Vitin 1948, me ngarkesën e mësimeve teorike dhe të nxehtit e pazakontë të verës të atij viti, Hektori dhe shokët e tij të grupit e përcollën me përgatitje në klasë. Në fund të vitit, sipas rregullores të shkollës, ata iu nënshtruan provimeve, për të testuar asimilimin e programit që kishin kaluar. Treguesit kualitativë të grupit ishin në nivele të përparuara dhe, për këtë u ndienë mirë si kursantët dhe pedagogët e tyre. Tashmë, djemtë shqiptarë që do të stërviteshin, në fluturime, për t’u bërë pilotë, mbasi ata ishin të  kompletuar me njohuri të përgjithshme, dhe ishin formësuar si ushtarakë, sipas kërkesave të Ushtrisë Sovjetike, rregulloret e së cilës nxirrnin, në plan të parë, rregullin dhe disiplinën ushtarake.

Gjatë vitit 1948 dhe në vitin pasardhës, kursantët shqiptarë të grupit të pilotëve, ku bënte pjesë Hektori, nuk shkuan me leje në Shqipëri por u angazhuan në proçesin teorik, për të përvetësuar lëndët speciale, të profesionit të pilotit.  Nga më kryesoret, ishin lëndët që spjegonin çështjet e Teorisë të Fluturimeve; Konstruksioni dhe Teoria e motorrëve me helikë; konstruksioni i aeroplanit; ndërlidhja me radio; pajisjet elektrike dhe ato speciale të vendosura në aeroplan; njohuri mbi karburantet dhe lubrifikantët që përdoren në aviacion etj. Të gjitha këto lëndë dhe të tjera, jo vetëm që ishin të lidhura drejtpërdrejt e në shërbim të përgatitjes ajrore, por dhe që kërkonin mjaft impenjim nga kursantët, niveli teorik i të cilëve, krahasimisht me kërkesat, ishte larg pritmërisë të pedagogëve “shkencëtarë” që drejtonin mësimet.

Pas përfundimit të programit teoriko-special, grupi i kursantëve iu nënshtrua provimeve. Në këto provime, ata vunë re një risi, të cilën nuk e kishin ndeshur më parë. Provimet i ndoqën, me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë dhe disa kuadro, fluturues ( pilotë), të cilët nuk i njihnin. Ata ishin kuadro drejtues të skuadriles ku do të shkonin kursantët, pas kalimit të proçesit teorik, me qëllim që të kryenin praktikën fluturuese. Provimet i ndoqën: Komandanti i skuadriles, kapiteni- Milkov; komandanti i katërshes – Gallkin; instruktorët e fluturimit: Mitrofonov e Korniliçin dhe tekniku i avionëve Gavrillov, me të cilin kursantët nga Shqipëria u miqësuan shpejt dhe e ruajtën gjatë miqësinë me të.

Në pranverën e vitit 1949, grupi i kursantëve shqiptarë, për pilotë kaluan në vartësi të skuadriles mësimore, e cila përgatiste pilotë për të fluturuar në aeroplanë bombardues. Dy javë rrjesht, nën drejtimin e instruktorëve të fluturimit, Hektori dhe shokët e tij të grupit zhvilluan përgatitje intensive,  në tokë, në mjedise me terrene dhe me mjete didaktike të përshtatshëm për të imituar fluturimin. Sipas metodikës të shkollës sovjetike të aviacionit, para se të ngjiteshin në aeroplan e të ngriheshin në ajër pilotët e ardhshëm duhet të përpunonin, deri në automatizëm, veprimet me motorrin e avionit, drejtimin e aeroplanit, si dhe veprimet e pilotit, kur në ajër ndodhnin raste të pazakontë. Sfilitëse ishte përsëritja i veprimeve në gabinën e  aeroplanit. Kursantit i duhej të qendronte, me orë të zgjatura, brenda hapësirës të kufizuar të saj, duke përsëritur, deri sa ta mësonin përmendësh, si vjershë, çdo veprim e çdo detaj, në tokë e në ajër.

Para përgatitjes në tokë, komanda e shkollës nxorri një urdhër për ndarjen e grupeve të fluturimit dhe përcaktimin e instruktorit fluturues, për çdo grup. Përcaktimi i instruktorëve ishte një domosdoshmëri për ecurinë e mëtejshme të përgatitjes të kursantëve. Shkolla e aviacionit “ Maria Raskova” kishte marrë emrin e pilotes me të njëjtin emër e cila mbante titullin e “ Heroinës të Bashkimit Sovjetik” dhe kishte merita të veçanta në zhvillimin e aviacionit sovjetik. Ajo, së bashku me një grup aviatorësh ishte pjesëmarrëse në fluturinet e gjata, nga njëri kontinent, në tjetrin. Në Luftën e Dytë Botërore, në këtë shkollë u përgatit një regjiment aviacioni i pajisur me aeroplanë fronti të disa destinacioneve të tipit Po-2, i cili kishte në përbërje, vetëm vajza pilote.

Hektor Lako, së bashku me Bajram Hitaj;Lulo Musai ( Spahaj); Refit Jazoj dhe Qemal Mërtiri, u caktuan në grupin fluturues ku ishte instruktor përvojëshumi Mitronov. Piloti instruktor Mitronov, ishte njëri nga instruktorët më të përgatitur, si në fushën e  teorisë dhe në metodikën e mësimit të fluturimit. Ai ishte i qetë, në tokë e në ajër, dhe kishte shumë durim për të spjeguar, disa herë një element apo një dukuri ajrore. Piloti Mitronov, ishte shumë këmbëngulës në kërkesën që nxënësit e tij të kuptonin të gjitha psetë dhe domosdoshmërinë e plotsimit të çdo elementi që lidhej me fluturimet. Ai ishte i thellë e argumentues, kur zbërthente dhe analizonte gabimet e kursantëve të tij, pas çdo fluturimi.

Në dhjetëditorin e parë të vitit 1949, kursantët për pilotë u hodhën me parashutë. Hedhja me parashutë ishte veprim i domosdoshëm, i cili u paraprinte fluturimeve. Ky rregull, i cili funksiononte në atë kohë, është veprues edhe sot e kësaj dite si rregulli numër një, në aviacion. Ky rregull, nga i cili nuk mund të shmanget asnjeri, ka të bëjë me faktin se piloti mund të fluturojë gjatë e asnjëherë të mos i paraqitet nevoja të verë në përdorim parashutën, ashtu si, mund të ndodhë që të jetë i detyruar të braktisë avionin, me parashutë, qysh në ngritjen e parë në ajër. U bënë të gjitha përgatitjet, për t’u hedhur, u morën dhe udhëzimet përkatëse nga kolaudatori dhe në një mëngjes të përshtatshëm, në një avion nga më të mirët e kohës për desantim nga ajri, hipën kursantët nga vendi ynë dhe disa kursantë sovjetikë që përgatiteshin për t’u bërë pilotë. Në çastin kur avioni kishte marrë lartësinë e rekomanduar 1000 m mbi nivelin e detit dhe komandanti i ekipazhit urdhëroi hapjen e derës së avionit nga ku do të hidheshin djemtë, një rrymë e fuqishme ajri i rrëmbeu njërën këpucë kursantit shqiptar  Qemal Mërtiri, përgjegjësit të grupit, e ai u ul në tokë, me njërën këmbë të mbathur. Derisa u hap parashuta, kursantët nuk kuptonin asgjë. Ata shkonin drejt tokës me shpejtësi marramëndëse e me rënie të lirë. Pas hapjes së kupolës së parashutës e mbasi ajo u mbush me ajër, situata ndryshonte krejt. Siç ndodh rëndom në këta raste, ai që bie me parashutë kujton se po qëndron, në të njëjtën lartësi, kur e bën krahasimin me shokët që janë si ai, në ajër. Ai e kupton se po bie, kur krahasimin e bën me objektet tokësorë të cilët i vështron në madhësi variabile.

Pas hedhjes me parashutë, tek kursantët lindën ndjesi të tjera. Ata e ndjenin veten më të formuar, më të sigurtë e më të burrëruar dhe fituan një lloj besimi se ishin futur në një rrugë që ta shtonte burrërinë, dita –ditës. Nisën fluturimet, me instruktorin në kabinën e dytë. Fillimisht ata i nisën fluturimet me aeroplanin bombardues, mësimor UT-2, i cili kishte të dhëna të mira si makinë fluturuese, por kushtet, sidomos për atë që mësonte, nuk ishin aq komode. Kabina ku ndodhej kursanti dhe instruktori i tij, ishte e hapët dhe  ata, të dy ishin vazhdimisht në kontakt me rrymat e ajrit. Trupi i aeroplanit ishte me gabarite të theksuara, kurse krahët e tij  ishin krahasimisht të vegjël. Rrotat e avionit, nuk mblidheshin, pas shkëputjes nga toka dhe  për këtë shkak avioni realizonte shpejtësi progresive të kufizuar. Rezistenca ballore ishte e madhe. Mes dy kabinave nuk kishte ndërlidhje të brendshme dhe kursanti komunikonte me instruktorin, me vështirësi e me zë të lartë. Instruktorët e shkollës sovjetike të aviacionit, historikisht kanë komunikuar me kursantët me fjalor të ngarkuar e me zë të lartë. Në këtë avion, instruktorit i duhej të bërtiste, kurse kursanti, mes asaj tollovije, shpesh nuk e kuptonte ku i kishte mangësitë.

Dita kur zhvilloheshin fluturime, për kursantët që u futën në udhën e ajrit, ishte tejet e ngarkuar e sfilitëse. Ata, gjatë gjithë ditës së fluturimit, i kryenin veprimet  thuajse duke vrapuar, gjë që kërkonte mjaft energji. Çoheshin nga gjumi, si rregull, në orën 3.30 ose në orën 04.00, të mëngjesit dhe, pa hapur akoma sytë  vraponin në mensë, për të konsumuar ushqimin e mëngjesit të parë. Pastaj vraponin për në depon e parashutave dhe më tej, në angarin ku ishin vendosur aeroplanët, të cilët, i nxirrnin prej andej me të shtyrë. I nxirrnin në brezin e rulimit ( qarkullimit, nëpër tokë), po me krahë.  Vrapimi i tyre vazhdonte për të ngarkuar në makinën e transportit materialet e startit dhe përsëri vraponin, rreth 40 minuta, për të shkuar në fushën e katërt ku zhvilloheshin fluturimet. Të njëjtët veprime, kursantët i kryenin dhe në fund të ditës së fluturimeve e kjo i lodhte e i stërmundonte mjaft. Përgatitja fizike, në këta kushte merrte vlera të veçanta. Ata vinin, të gjithë, nga Shkolla Ushtarake “ Skënderbej”, ku ishin kalitur fizikisht, por, kushtet e reja, kërkonin më shumë energji e rezistencë.

Më 12 prill, të vitit 1949, kursantët kryen fluturimin e parë, me karakter njohës.  Në kabinën e parë të avionit bombardues UT-2, ishte ulur  Hektori; në të dytën, instruktori i tij, piloti sovjetik, metodisti i fluturimeve Mitronov. Fluturimi i parë ishte prezantues dhe zgjati rreth 15 minuta. E kishte ëndërruar, djali nga Leusa, këtë fluturim dhe e kishte përgatitur veten, për ta përballuar atë. Qëllimi i kësaj ngritje të parë ishte që Hektori, si të gjithë shokët e tij, të njiheshin me ajrin; të përjetonin  “sjelljen” e avionit, në çaste e në pozicione të ndryshëm fluturimi si: ecja nëpër tokë, ngritja, marrja e lartësisë, ngjitja në lartësinë e caktuar, kthesat ,në të dyja anët , me kënde të vegjël animi, vështrimi i objekteve në tokë, nga lartësi të ndryshme, ndryshimi i regjimit të punës së motorrit dhe rritja e paksimi i shpejtesisë ajrore, kryerja e fluturimit drejtvizor me koordinim lëvizjesh, humbja e larrtësisë dhe veprimet në ulje. Të gjitha veprimet i kryente instruktori; Hektori, vetëm sa mundohej të dublonte mësuesin e tij dhe i dukej sikur ai po e drejtonte avionin. Në këtë fluturim dhe në të tjerët që pasuan atë, kursantët, dita-ditës, gradualisht, përvetësuan elementët e fluturimit dhe në javën e parë të korrikut 1949, njëri pas tjetrit u lëshuan në fluturime vetëm. Vendin e instruktorit, në fluturimet vetëm e zinte një thes me rërë , pesha e të cilit ishte e përafërt me atë të instruktorit. Kjo masë, është përdorur, deri vonë, si në shkollën sovjetike të aviacionit dhe ne atë të vendit tonë, pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik.

Pas përfundimit të programit të fluturimeve, me avionët bombardues UT-2, kursantët shqiptarë, sipas rregullave të shkollës, iu nënshtruan një kontrolli mjekësor të thelluar e të specializuar. Rezultatet e këtij kontrolli nuk ishin aq të dëshiruara për grupin nga vendi ynë.  U deklaruan të paaftë për të fluturuar kursantët shqiptarë: Shaqo Hoxha; Riza Ramadani dhe Gani Gjondedaj  (Selami). Hidhërimi, pushtoi cilindo nga shokët e grupit. Hektori e përjetoi keq ndarjen nga shokët, me të cilët e lidhte miqësi e vjetër. Ata u ndanë nga grupi i kursantëve për pilotë e shkuan në shkolla të tjera, ku do të mësonin në të tjerë specialitete, në shërbim të fluturimeve.

Në fund të muajit shtator 1949, shkolla e aviacionit ku përgatiteshin pilotë bombardues, u furnizua me aeroplanë JAK-18 U, i cili ishte më i përparuar, në krahasim me aeroplanin përpara tij. “Çakalli”, siç e kishin emërtuar vetë sovjetikët aeroplanin UT-2, u hoq nga qarkullimi. Thuajse të gjithë disavantazhet që paraqiste avioni i mëparshëm, JAK-u 18U i kishte të korroigjuar. Ai ishte më komod për fluturime me fillestarët, më i manovrueshëm dhe “të falte” më shumë. Pas largimit të tre shokëve, nga grupi i kursantëve për pilotë, në ndarjen e grupeve të fluturimit u bënë ndryshime. Në grupin me instruktor fluturimi Mitrofonov, me Bajram Hitaj dhe Hektor Lakon , u bashkua Flamur Mickaj. Pas këtij riorganizimi, Flamuri u ndie më mirë e më ngrohtë krahasimisht me qënien e tij në grupin e mëparshëm.

Fundi i tetorit të vitit 1949, i çoi kursantët, sërish në auditorët e teorisë. Kursantëve u duhej të mësonin teorinë e shfrytëzimit, në tokë e në ajër të aeroplanit bombardues UTB-2, i cili kishte marrë pjesë në betejat ajrore të Luftës së Dytë Botërore. I pajisur me dy motorrë të fuqishëm, i armatosur me dy topa e me një mitraloz dhe me kapacitet bartës 500 kg bomba e bënin atë të fuqishëm. Ky tip aeroplani ishte përshtatur për përgatitjen e pilotëve të rinj bombardues. Heqja e armatimit dhe e pajisjeve për bombardim, e kishin bërë atë, më të lehtë në peshë e më të manovrueshëm. Programin teorik, për të përvetësuar avionin e ri, kursantët shqiptarë e përcollën së bashku me instruktorët e fluturimit. Ky lloj organizimi, ua bëri më të lehtë përvetësimin e teorisë voluminoze që pasoi. Lëndëve teorike të mëparshme u shtua dhe teoria e qitjeve ajrore dhe teoria e bombardimeve.

Mbilodhja e kursantëve për pilotë që përcolli proçesin e fluturimeve në avionin fillestar UT-2, diktoi rishikimin e përgatitjes fizike.  Në shkollën “ Maria Raskova”, kursantët, vërtet gjetën kushte më të përshtatshëm për kalitjen fizike, duke e krahasuar me ato që ishin në Shkollën “ Skënderbej”, por prapseprap, ato nuk ishin të mjaftueshme. Djemtë nga Shqipëria ishin në moshë të re e, siçi thonë fjalës, “u ziente gjaku”, prandaj ata, edhe në fjetinë vendosën një hekur dhe paralele, për të bërë stërvitje plotsuese, në kohën e lirë ; madje dhe natën.

Fluturimet në avionët me dy motorrë UTB-2 u plotsuan në një aerodrom të njohur për kursantët tanë dhe ku orientuesit karakteristikë, në tokë, gjithahtu ishin të njohur. Me sukses u plotsuan dhe fluturimet e largëta, në rrugëkalim, në të cilët kursantit i duhej të largohej mjaft nga aerodromi i ngritjes, deri në 120km distancë. Fluturimet në këtë tip avionësh krijuan lehtësi e shërbyen si parapërgatitje  për të kaluar në avionin bombardues luftarak PE-2, i cili ishte më i fuqishëm e më i sofistikuar.

Sapo mbaruan programin e fluturimeve në avionët bombardues PE-2, komanda e shkollës njoftoi se kursantët shqiptarë, të cilët nuk i kishin parë familjet prej tre vitesh, do të niseshin për në Atdhe. Gëzim i madh përfshiu radhët e kursantëve. Ata, kishin mall e mezi prisnin të takoheshin me njerëzit e tyre të zemrës. Vitin e Ri 1950, Hektori dhe shokët e tij e kaluan në anijen sovjetike “ Çitauri” dhe më 4 janar të vitit 1950, zbritën në Durrës. Në Ministrinë e Mbrojtjes i priti, me përzemërsi Haxhi Lleshi, në atë kohë drejtor i përgjithshëm i Ministrisë të Mbrojtjes. Ai i përgëzoi djemtë, për treguesit e lartë që kishin arritur, në fluturim e në disiplinë dhe i njoftoi se tash e tutje, nuk do të vijonin studimet për t’u bërë pilotë bombardues por do të kalonin në programin për t’u bërë pilotë gjuajtës. Se si u erdhi kandidatëve për pilotë bombardues; kalimi në profilin e ri, në atë të pilotit gjuajtës, kërkonte tjetër përkushtim e më shumë punë profesionale, teorike dhe praktike, por, gjithsesi ishte më i lakmuar nga të rinjtë.

Hektori, si dhe shokët e tij, e mbajtën vrapin pranë familjeve të tyre, në rrethet përkatës. Rrugën, nga Tirana, në Përmet, Hektori e bëri copa-copa; herë në këmbë e herë me makinë. Ajo rrugë e pashtruar mirë që rrihej rrallë nga makinat e bëri heroin e këtij tregimi të përvuajtur e i rezervoi shumë të papritura. Pa u shmallur mirë me të tijët, Hektorit iu desh të kthehej, përsëri në Tiranë, për t’u nisur, andej nga erdhi, me anijen “ Çitauri”.  Me një ndryshim: Pas lundrimit katerditor, nga Durrësi, në Odesë, kursantët për pilotë do të rrugëtonin nëpërmjet linjës hekurudhore, për në Novosibirsk e më tej, do të shkonin në qytetin “Engels”, ku kishin fluturuar e kishin mësuar, tre vjet. Ndërkohë komanda e shkollës kishte marrë masa për transferimin e kursantëve shqiptarë në  shkollën e aviacionit gjuajtës, e cila mbante emrin e pilotit famëmadh “ Pokrishkin” i cili ishte dekoruar tri herë me titullin e lartë të “ Heroit të Bashkimit Sovjetik” për trimërinë dhe aftësitë që shpalosi gjatë Luftës së Dytë Botërore, kundër avionëve të hordhive naziste. Kjo shkollë ndodhej në Siberi, 30 km në Jugë-Lindje të qytetit Novosibirsk. Kursantët shqiptarë u ndanë me dhimbje, nga kuadrot mësimdhënës dhe nga ajo shkollë ku qendruan e mësuan 3 vjet. Në ata tre vjet, ata ishin rritur e kishin hedhur shtat, ishin burrëruar e ishin kulturuar, tashmë ishin më të mënçur e më krenarë dhe  dinin të ngriheshin me aeroplan në ajër e të ktheheshin përsëri në tokë. Hektori, me mandolinën e tij dhe me zërin brilant ishte bërë i njohur e kishte fituar simpatinë e efektivave të shkollës së aviacionit “Maria Raskova” dhe të qytetarëve të qytetit “ Engels”.

Në kudrin e 1 majit të vitit 1950, grupi i kursantëve shqiptarë, u njoh e u familjarizua me shkollën e re të aviacionit gjuajtës, me mjediset e saj, të cilat, për hir të së vëretetës ishin më komode e më funksionale, krahasuar me shkollën që lanë pas. Mirëpo, çështja nuk ishte aq e thjeshtë. Komandat e të dyja shkollave, kishin koordinuar dhe programet mësimore teorikë dhe ata të fluturimit. Problemi kryesor ishte kalimi nga aviacioni bombardues, për të cilin ata kishin bërë tre vjet mësim e stërvitje, në aviacionin gjuajtës, i cili, në një farë mënyre ishte përsëritje e programit të kaluar, me veçoritë e të mësuarit të akrobacive në ajër dhe të tjerë probleme që i takonin shfrytëzimit të gjuajtësve , në tokë e në ajër. Veçoritë e aeroplanëve gjuajtës, të cilët kishin si “ dollibash” avionin JAK-9P do ti mësonin në auditorët e shkollës “ Pokrishkin”; kurse praktikën fluturuese do ta zhvillonin në aerodromin fushor, i cili ndodhej 30 km në Jugëlindje të Tollmaçovos. Kursantët shqiptarë, u vendosën në  qendër të shkollës; ata banonin në një godinë cilësisht më të mirë nga ajo e mëparshme. Tanët u akomoduan në fjetinë së bashku me kontigjentin e kursantëve hungarezë, të cilët, ishin më të përparuar. Megjithë diferencat,  palët kalonin mirë e  mirëkuptoheshin me njëra-tjetrën.

Në shkollën e re, ndodhi një e papritur. Kursanti Qemal Mërtiri, nga Tragjasi i Vlorës, njëri nga djemtë më të mirë të grupit të shqiptarëve, për tre vjet me radhë ishte përgjegjës i grupit dhe të gjithë shokët e donin dhe e respektonin, papritur dha dorëheqjen nga detyra e përgjegjësit të grupit. Kush do ta zëvëndësonte? Kjo nuk ishte punë e lehtë. U mblodhën shokët e grupit  për të zgjedhur, në rrugë demokratike përgjegjësin e ri. Cilido nga shqiptarët, mund ta kryente këtë detyrë por grupi, unanimisht vendosi kursantin brilant nga Starja e Kolonjës, Haki Jupasi. Kalimi në avionët gjuajtës, solli dhe një vështirësi të re për kursantët; atyre do tu u shtohej koha e qendrimit në shkollë edhe një vit. Kjo nuk ishte e vetmja pengesë. Komanda e shkollës “ Pokrishkin”, vendosi që para se të kalonin në avionin gjuajtës luftarak Jak-9P, kursantët të fluturonin në avionët Jak-11 e më pas, në  Jak-9V (mësimorë), me qëllim që ata të ishin të parapërgatitur, për të kaluar në avionin luftarak Jak-9P, të pajisur me armatime.

Të pakënaqur nga ky ndryshim, kursantët shqiptarë ndërmorën një bojkot të pashpallur. Ata nuk çoheshin në mëngjes, si përherë, nuk dilnin në fizkulturë e nuk shkonin në mësim. Kuadrot e shkollës, bënë të paditurin e i lanë gjërat, në rrjedhën e tyre. Kursantët shqiptarë, e pleqëruan mirë situatën dhe arritën në përfundimin logjik se kësisoj, ata dëmtonin veten. Prandaj i dhanë fund bojkotit të pashpallur, siç e nisën. Për të kapur kohën e humbur, kursantët iu kthyen mësimit dhe jetës normale, kësaj here me më shumë vrull, dhe rezultatet nuk munguan. Brenda dy muajve, ata përfunduan mësimet teorike të aeroplanit JAK-9P e ishin gati, për të nisur përgatitjen në ajër.

Në muajin shtator të vitit 1951 në shkollën “ Pokrishkin” erdhën nga Moska, ku vazhdonin studimet e larta, në Akademinë e Aviacionit, pilotët shqiptarë: Niko Hoxha dhe Edip Ohri. Ata do të mësonin pilotimin e aereoplanit gjuajtës JAK-9P. Përveç mësimit të fluturimit ata shijuan dhe temperaturat e ulëta, deri në -45 gradë celsius të dimrit të ashpër siberian. Hektori dhe shokët e tij të grupit përjetuan me dhimbje, përcjelljen në banesën e fundit, nën dëborën e ngrirë siberiane, shokun e tyre të mirë Qemal Mërtiri , i cili humbi jetën në një fluturim në zonë, duke kryer pilotim vertikal. Vrojtuesi Haki Jupasi, i cili ndiqte, nga toka fluturimin e shokut, i alarmuar, mes tmerrit që e kaploi, njoftoi udhëheqësin e fluturimeve dhe shokët se Qemali u vra. E përcollën shokët dhe thuajse i gjithë qyteti i Novosibirskut këtë bir nëne shqiptare, me dhimbje e lotë. Mbi varrin e tij, në mungesë të familjarëve të Qemalit, foli një nënë siberiane, djali i të cilës ishte flijuar në Gjermani, në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Pranvera e vitit 1952 i nxorri kursantët shqiptarë në startet e fluturimit për t’u stërvitur në ajër, me aeroplanët gjuajtës JAK-9P, mbasi kishin fluturuar me aeroplanët JAK-11 dhe JAK-9V. Për të qenë të kompletuar e të gatshëm për të shërbyer si roja të ajrit në Shqipëri, ata zhvilluan dhe qitje e bombardime, nga ajri, kundër shënjave në tokë. Dhanë dhe provimet “ e lirimit” e dolën në urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes të Bashkimit Sovjetik, Vasilienko, i cili i titullonte ata oficerë (nëntogerë) dhe i cilësonte pilotë gjuajtës.

Më 29 gusht të vitit 1952, nëntogerët e sapodiplomuar të grupit të pilotëve ku bënte pjesë Hektor Lako, hipën në trenin që të çonte nga Novosibirsku, në Moskë e më pas në Odesa,  ku mbërritën pas 5 ditëve. Në stacionin e trenit i përcolli nënkoloneli sovjetik Kosarev. Përsëri me anijen “Çitauri”. Në Varna, u bë pjesë e pasagjerëve të anijes,  partiaku i lartë Gogo Nushi, i cili u foli djemve të rinj, për vendin tonë dhe për hallet që kalonte Shqipëria e dalë nga lufta çlirimtare. Pas katër ditë lundrim, në të rënë të dellit, anija “Çitauri” u akostua në kalatat e portit të Durrësit, e oficerët e rinj zbritën prej saj. Në port i priti Niko Hoxha dhe Edip Ohri, të cilët ishin kthyer më parë, nga Bashkimi Sovjetik.

Në aerodromin e Tiranës, në Laprakë, më 24 prill të vitit 1951, ishte krijuar i pari repart luftarak i aviacionit shqiptar, me komandant Niko Hoxhën e me komisar Edip Ohrin. Shef i shtabit ishte emëruar Fari Bubësi dhe pilotë ishin: Peço Polena; Vasil Trasha; Masar Aga; Areteo Konomi; Thanas Gjiknuri; Sazan Xhelo; Irakli Grazhdani; etj. Ardhja e pilotëve të rinj, i gëzoi kolegët e tyre, të cilët ishin inkuadruar në gatishmëri roja dhe kryenin shërbim shpesh. Ishte vendosur shërbimi roja, në aerodrom, me një çift avionësh. Peço Polena dhe Vasil Trasha, në ditët e para të paraqitjes në repart,  i ngritën në ajër kolegët e tyre rishtarë, me avionë PO-2, në një fluturim që kishte si qëllim njohjen e rajonit të fluturimeve dhe të terrenit shqiptar. Pas pak kohe mbërritën në repart aeroplanët gjuajtës JAK-9P, të cilët, pasi u montuan, u futën në gatishmëri e në programin stërvitor, duke zëvendësuar avionët PO-2. Nga uzinat sovjetike të aviacionit erdhën 12 aeroplanë luftarakë JAK-9P dhe 1 avion JAK-9V( mësimor).

Hektori, qyshse kreu fluturimin e parë në aeroplanët gjuajtës JAK-9P, në shkollën sovjetike të aviacionit që mbante emrin e pilotit të lavdishëm “ Pokrishkin”, u dashurua pas tij dhe bëri progres, nga fluturimi në fluturim. Aeroplani JAK-9P ishte aeroplani më i sofistikuatr i kohës, me  fuqi e shpejtësi ajrore të admirueshme dhe me manovrim të përkryer. Hektori e gjeti burimin e frymëzimit dhe mbështetjen e pakursyer tek pilotët më me përvojë dhe që kishin fluturuar në mjaft tipa aeroplanësh, si Niko Hoxha; Edip Ohri; Vasil Trasha; Fari Bubësi; Peço Polena; Areteo Konomi etj etj. Ai u përpoq t’u ngjante këtyre themeluesve të aviacionit shqiptar.

Pilotët, në kushtet kur aviacioni ynë ishte në hapat e parë, u stërvitën dhe e organizuan aktivitetin e tyre, sipas rregulloreve e instruksioneve të huazuara  nga viacioni sovjetik, të përshtatura në kushtet e vendit tonë. Të paktën një herë në vit, pilotët hidheshin me parashutë, nga aeroplani PO-2. Këtë aktivitet, Hektori e plotsonte me shumë dëshirë e merrte kënaqësi prej saj. Edhe në kushtet e në nivelin që dihet, efektivi fluturues, u nënshtrohej, periodikisht, kontrollit dhe analizave mjekësore, për të përcaktuar kondicionin fizik.  Që në fillimet e fluturimeve në vendin tonë, testet mjekësore kishin përcaktuar tek disa pilotë, si: Flamur Mickaj;  Refit Jazoj dhe Hektor Lako hipertension arterial. Dikush nga shokët e grupit shqetësohej për këtë; teksa Refiti dhe Hektori nuk i kushtonin shumë rëndësi por fluturonin. Ndoshta ky qe njëri nga faktorët që e privuan Hektorin për të shkuar në Groznij ( BS ), në vitin  1954, së bashku me kolegët e tij, për të bërë kalimin në aeroplanët reaktivë Mig-15 Bis, të cilët u bënë, më pas, për mjaft kohë, bërthama e aviacionit gjuajtës të flotës ajrore të Shqipërisë.

Hektor Lako, së bashku me Refit Jazojn; Agim Spahiun; Petrit Majlindin; Irakli Grazhdanin, Flamur Mickaj  etj. u caktuan për të qenë instruktorë të praktikës fluturuese, me kursantët e grupit të parë për pilotë, në skuadrilen shkollë të drejtuar nga Areteo Konomi. Flamuri; Refiti dhe Hektori, ishin të grupit të Novosibirskut dhe e njihnin mirë e kishin shoqëri, me shoku shokun. Stafi instruktor kishte përvojë në fluturimet vetjake me aeroplanin  mësimor fillestar me helikë të tipit JAK – 18 U,me të cilët do të fluturonin kursantët e tyre, por kishin dobësi në anën metodike dhe u mungonte përvoja e mësimdhënies. Prandaj, komanda organizoi, me këta pilotë instruktorë, mësime plotsuese, teoriko-praktike dhe metodike, ku luajtën rol parësor pilotët me përvojë: Areteo Konomi ; Pertef Myftari etj. U hapën fletoret që kishin mbetur, me shënime nga jeta e tyre si kursantë për pilotë, në Bashkimin Sovjetik.

Ndërkohë, kursantët vijonin përgatitjen teorike, në të ashtuquajturit kabinete mësimorë. Niko Hoxha, me iniciativën e të cilit u formësua kjo bërthamë e shkollës për pilotë, vinte thuajse përditë për të parë e për të biseduar me kursantët. Kursantët e parë që nisën të fluturonin me avionët JAK-18U, në aerodromin e Laprakës ishin: Aristotel Poga; Agron Galanxhi; Astrit Mersini; Aranit Tartari; Bilal Josja; Nestor Dhaskali; Niko Qendro; Ilija Kovaçi; Lili Laçka; Luan Sinaj; Muharrem Hida; Llazar Çupa; Burhan Nurja; Nase Leka; Gaqo Rrapi; Pandi Buci ; Iljaz Kelo; Skënder Kanina; Vangjel Nakuçi; Thanas Naçi; Gëzim Picari; Vasil Kromidha etj. Instruktorët e teknikës së pilotimit, në takime e biseda, të njëpasnjëshme me kursantët e vinin theksin tek domosdoshmëria e plotsimit të detyrave ajrore, pa nënvleftësuar asnjë element, me disiplinë të lartë teknike dhe shkencore. Ata, në forma të ndryshme u zbërthenin kursantëve kuptimin e vërtetë të qënjes pilot, si koncentrim vullneti, karakteri dhe aftësie, për të shkuar në rrezik, me vetëdije të plotë.Në grupin fluturues ku caktua instruktor Hektori bënin pjesë kursantët: Baftjar Metaj; Myrteza Arapi; Lirim Kokona dhe Çerçiz Zekaj.

Hektori, në vitin 1954, ishte martuar me bukuroshen nga Borova e Kolonjës, Filloreti Kosta, me të cilën u lidh ngushtë dhe e donin shumë njëri-tjetrin. Siç thosh tekniku i aeroplaneve Syrja Nebiu  (ndjesë pastë) “Si familjar, nuk ia gjeje shokun; Hektorin nuk ta zinte kurrë syri, pa të shoqen për krahu…”. Ndërkohë, familja e tij, po atë vit ishte transferuar nga Leusa e Përmetit, në Tiranë. Siç kujton ishpiloti Servet Muka, njëri nga kursantët e grupit të parë të “ shkollës së aviacionit”:”Hektori ishte gjithnjë i qeshur e këndonte. Ai ishte njeri me kulturë, uniformën ushtarake e donte dhe e mbante të pastër. Ishte elegant dhe i pashëm. Ai kishte një grua shëmbëllore, të cilën e respektonte shumë e nuk ndaheshin kurrë nga njëri-tjetri. Filloreti, vishej me të zeza dhe flokët i lidhte prapa, si topuz; vishej me elegancë e sillej me delikatesë. Ishin të dy, burrë e grua, si të lindur për njëri-tjetrin. Me kursantët, Hektori  sillej mirë e ishte korrekt. Hektori ishte sedërli e kishte një xhelozi, me sens të mirë. I vinte inat, kur kursantët e një grupi tjetër fluturonin më mirë se kursantët e grupit të tij”. Kur i caktuan të mësonte për të fluturuar Baftjar Metën dhe Myrteza Arapin, të cilët ishin në moshë më të rritur nga shokët e tyre, Hektori, në kofidencë tha, i pakënaqur: “ Ku mi gjetën mua këta dy pleqtë. Shoqëri kishte me të gjithë kolegët por më tepër qendronte me Tomorr Avdinë; Agim Spahiun dhe me Petrit Majlindin…”.

Fluturimet me kursantët nisën në aerodromin e Tiranës, në pranverën e vitit 1958. Mbas disa ditë fluturimesh, dhe mbas premisës për ngjarje të jashtzakonshme që lejoi instruktori Agim Spahiu me kursantin Niko Qendro, i gjithë grupi i kursanteve dhe instruktorët e tyre, e shpërngulën stërvitjen ajrore, në fushën e Shijakut, ku kushtet natyrore ishin më të përshtatshme. Mbas përfundimit të programit të fluturimeve në avionin JAK- 18U, një pjesë e grupit shkuan për të mësuar helikopterin, në Pugaçov; pjesa tjetër shkoi në Borisoglebsk, për të përvetësuar avionët reaktivë gjuajtës –bombardues.

Në vjeshtën e vitit 1958, në regjimentin e Qytetit “ Stalin”, u formua një bërthamë shkolle për pilotë me kursantë të tjerë. Në këtë grup ishin: Servet Muka; Servet Murati; Baftjar Metaj; Jovan Kacorri; Divin Abazi; Çerçiz Zeka; Atllant Buzo; Petraq Qafëzezi; Muço Muçaj; Shuaip Nurja; Lirim Kokona; Raif Hoxha etj. Ata fluturuan në avionin Jak-18A, me program të plotë dhe në verën e vitit 1960, fluturuan në Pishëporo, në avionët reaktivë Mig-15. Ndërkohë kursantët për pilotë: Bardhyl Lubonja;  Bahri Meshau ( Përmeti); Stillo Mëlica; Thanas Papa; Vaso Pesha; Rrapo Kodheli; Lutfi Islamaj; Agim Ismaili, Surri Barbullushi; Sazan Abibi; Koço Biku; Lili Xharo etj. gjatë vitit 1959, fluturonin në Repartin 1875, në avionët JAK-18A. Ata fluturuan gjatë pranverës dhe verës të vitit 1959, në fushën e blertë të aerodromit të Qytetit “ Stalin”. Instruktorë të teknikës së pilotimit ishin: Flamur Mickaj; Irakli Grazhdani; Refit Jazoj , Admir Fllaga , Nehar Jazexhiu etj. Komandant i shkollës u caktua Thanas Gjiknuri, pilot i klasit të parë, i deklaruar i paaftë për të fluturuar në aeroplanët reaktivë dhe i aftë , për të fluturuar, në ata me helikë.  Hektor Lako nuk e pati shansin për të qenë instruktor i teknikës së pilotimit, me këta grupe kursantësh, mbasi komisioni ushtarako-mjekësor, në një kontroll rutinë, për shkak të hipertensionit i ndaloi atij ngritjen në ajër, për një kohë të caktuar.

Tek vështronte aeroplanët të fluturonin, Hektorit të ndjeshëm i vlonte gjaku e i ndizej “ llampa”, për t’u ngritur në ajër. Vëllai Arqile, një njeri me kulturë e i sjellshëm, në një bisedë mes vëllezërish, në intimitet,  i tha Hektorit: “ Boll fluturove, lëre avionin dhe ajrin e kryej një detyrë tjetër, në tokë…”! Por Hektori ishte i dashuruar pas ajrit e nuk u bind, përballë sygjerimit të vëllait . Ai i deklaroi Arqilesë, prerë: “ Jo; jo; jeta ime është fluturimi; unë do të fluturoj në aeroplanët reaktivë”.  Dhe u paraqit përpara komisionit ushtarako-mjekësor, për të përcaktuar gjendjen shëndetësore që do ta favorizonte për të fluturuar në aeroplanët reaktivë Mig – 15 Bis. Ky ishte synimi i tij, i kahershëm. Kaloi të gjithë testet e u shpall i aftë për të fluturuar, si në aeroplanët me helikë dhe në ata reaktivë. Doemos që do të ndodhte kështu. Hektori, i cili e dëshironte shumë, fluturimin në aeroplanët reaktivë, mezi e priste këtë përfundim, ndaj dhe u gëzua e u lumturua shumë. Me përkrahjen e Niko Hoxhës, i cili e donte shumë Hektorin, ai nisi programin e kalimit, fillimisht në avionë dyvendësh e më pas në ata me një vend, të tipit Mig 15.

Në muajin shkurt të vitit 1962, në aerodromin e Rinasit erdhën 12 aeroplanë Mig-17 F. Deri atëherë , në Skuadrilen Autonome të Rinasit ishin 12 aeroplanë mbizanorë Mig-19PM. Ardhja e aeroplanëve të rinj , nga Kina, të tipit Mig-17F, çoi në krijimin e Regjimenti të Tretë të aviacionit, me qendër në Rinas, në përbërje të të cilit ishin dy skuadrile luftarake, njëra me Mig 19 PM; tjetra me Mig-17 F.  Komandant i regjimentit u emërua koloneli i aviacionit, piloti i klasit të parë Niko Selman Hoxha, i cili u transferua nga Regjimenti i 23 të të aviacionit , me qendër në Qytetin “ Stalin”, në atë të Rinasit.

Nikua, edhe pse u largua nga regjimenti “Peza”, prapseprap e ndiqte me vemendje e me nostalgji, vepimtarinë e efektivit të tij , me të cilin kishte akumuluar përvojë të pasur , disavjeçare. Ai, me shumë vemendje, ndiqte e inkurajonte rritjen e mjeshtërisë të pilotimit dhe avancimin e Hektor Lakos. Kishin diçka të përbashkët ata dy pilotë. Ndoshta i lidhte të qënit trima e guximtarë të papërmbajtur. Këtë veçori të Hektorit, koloneli e kishte pikasur qyshse e kishte njohur, në shkollën e aviacionit me emrin “ Pokrishkin”, në Novosibirsk e më pas , në vendin tonë. Koloneli kishte mjaft për zemër vullnetin dhe këmbënguljen e Hektorit për të fluturuar. Hektori, shumë shpejt, u ngrit, në detyrën e komandantit të Skuadriles së parë të regjimentit “ Peza”. Detyra e komandantit të kësaj shkalle hierarkike, kërkonte dhe një shkallë kualifikimi më të lartë të pilotit. Detyra  e donte që ai të fluturonte në ato kushte, në të cilat fluturonin vartësit e tij, të të njëjtit profesion. Hektori, kishte nisur të fluturonte natën në kushte të thjeshtë të motit, me program të përshpejtuar.

Në datën 23 mars, të vitit 1962, në një natë me hënë të plotë, kur objektet tokësorë mund të vrojtoheshin nga ajri, edhe me sy “të lirë”, pas kryerjes së detyrës në zonë, duke humbur lartësi për të shkuar në ulje, aeroplani me të cilin fluturonte Hektori, u përplas, pas kodrave  në Jug-Lindje të Qytetit “Stalin”, duke shkaktuar katastrofë ajrore. Aeroplani u shkatërrua, plotësisht dhe piloti Hektor Lako, komandant i Skuadriles së parë, humbi jetën. Në regjiment e në aviacion u krijua një situatë e tensionuar dhe e ngarkuar, me dhimbje e me hidhërim. Katër vjet, më parë, në atë aerodrom, duke shpuar retë, poshtë, kishte humbur jetën piloti trim e me talent, qiellori- Vasil Trasha dhe ja tani ndodhi një katastrofë tjetër ajrore. Më pas, muaji mars, u bë si “ mace e zezë” për aviacionin dhe  mori jetën e disa  pilotëve të tjerë. Nuk mund tja lemë fajin muajit mars; ndonëse fqinjët e përtej Adriatikut e quajnë marsi i marrë. Marrëzia e tij, kësaj here, na goditi ashpër. Ai na mori atë deli djalë, komandantin e skuadriles së parë, pilotin me shpirt artisti, të kulturuarin e të edukuarin, buzagazin- Hektor Lako.

Rrethanat në të cilat ngjau katastrofa ajrore dhe shkaqet që çuan në këtë ndodhi të rëndë:

Në datën 23 mars të vitit 1962, Regjimenti i Aviacionit në Qytetin “Stalin” zhvillonte fluturime natën, në kushte të thjeshta të motit. Kushtet meteorologjike ishin të përshtatshme për nivelin e pilotëve që fluturuan atë natë. Nata ishte me hënë të plotë dhe, nga toka, sidomos nga ajri objektet tokësorë dukeshin normalisht. Detyra e asaj nate ishte: Të zhvilloheshin fluturime  në zonë, në lartësinë 4000m, mbi nivelin e detit. Komandanti i Skuadriles së Parë, Hektor Eftim Lako, u ngrit në ajër, me një aeroplan luftarak Mig-15 Bis, në orën 19.30. Mbasi zuri qendrën e zonës dhe kërkoi leje për plotsimin e detyrës, mori leje për të vepruar, nga drejtuesi i fluturimeve, në tokë. Udhëheqës i fluturimeve ishte komandanti i regjimentit “ Peza”, kolonel Fari Bubësi, pilot i klasit të parë, njëri nga themeluesit e aviacionit shqiptar. Piloti Hektor Lako, gjat gjithë kohës së fluturimit kishte radiondërlidhje të dyanëshme me udhëheqësin e Fluturimeve, në tokë. Në kohën kur Hektor Lako gjendej në fluturim, në ajër ishin, në detyra të ndryshme, edhe pilotët: Koço Andoni e Salih Dibra.

Në orën 19.44, piloti Hektor Lako, raportoi se kishte kryer detyrën e caktuar dhe kërkoi leje për të humbur lartësi e të kthehej, në aerodrom. Udhëheqësi i fluturimeve e lejoi atë të humbiste lartësi, në qendër të zonës së pilotimit dhe të dilte mbi prurësin e largët, në distancën 4 km, larg nga fundi i pistës, së betonuar, në lartësinë 600m, mbi nivelin e detit. 30 sekonda, pas kërkesës për humbjen e  lartësisë, pilotët që ndodheshin në ajër dhe udhëheqësi i fluturimeve, si dhe  gjithë sa ishin në aerodrom panë një gjuhë të gjatë flake, dhe dëgjuan një shpërthim, jo si zhurma e zakonshme e avionit reaktiv.  Ekipazhet në ajër dhe udhëheqësi i fluturimeve i bënë thirrje, nëpërmjet radios, Hektorit, por mëkot. Aeroplani reaktiv Mig-15 Bis, me të cilin fluturonte Hektor Lako, ishte përplasur  150m, nën lartësinë 799m, ishte shkatërruar, plotësisht dhe piloti kishte gjetur vdekjen.

Të nesërmen, në mëngjes ( kur zbardhi dita), në vendin e ngjarjes, në orën 06.00 shkoi komisioni hetimor, i përbërë nga specialistët më në zë, nga Regjimenti i Qytetit “ Stalin “, nga ai i Rinasit dhe nga Komanda e Aviacionit, të të gjithë profileve. Komisioni i ekspertëve mbasi këqyri vendin e ngjarjes dhe studioi e analizoi rrethanat, arriti në përfundimet:

  • Pas kryerjes së detyrës ajrore të përcaktuar në plantabelën e fluturimeve, piloti Hektor Lako, në proçesin e humbjes së lartësisë, është ulur më poshtë se lartësia 2000m mbi reljevin i cili është kodrinor.
  • Gjatë humbjes së lartësisë, meqënëse nata ishte e ndriçuar nga hëna e plotë, piloti ka pilotuar avionin vizualisht, jo me instrumentët e pilotimit, siç e kërkon rregulli.
  • Piloti, gjatë manovrimeve është shmangur nga qendra e zonës së pilotimit, në një terren malor.

Komisioni i ekspertëve, nga studimi i dokumenteve që bëjnë fjalë për përgatitjen e asaj dite për fluturim  dhe dëshmive, mbasi u njoh dhe me dokumentet përkatëse, vetjake të pilotit Hektor Lako  konkludoi:

-Përgatitja e pilotit, për detyrën konkrete të fluturimit është bërë sipas kërkesave të Rregullores dhe instruksionnit përkatës.

  • Aeroplani, me të cilën ndodhi katastrofa ishte në gjendje të mirë teknikisht.
  • Gjendja shëndetësore e pilotit ka qenë e mirë; në parametra normalë.
  • Kushtet meteorologjike ishin të përshtatshme, për zhvillimin e fluturimeve, sipas nivelit dhe aftësive të pilotëve pjesëmarrës në fluturim.
  • Analiza e karburantit dhe lubrifikantit u përgjigjet standarteve shtetërore.
  • Organizimi dhe drejtimi i fluturimeve ishte sipas kërkesave të rregulloreve përkatëse të fluturimeve.
  • Hektori, deri atë natë kishte fluturuar698 orë; nga të cilat: 143 orë ,në aeroplanët reaktivë. Ai kishte fluturuar 16 orë, ditën në re dhe 12 orë natën , në kushte të thjeshta të motit. Ai ishte pilot , në skuadrilen e parë të Regjimentit të Qytetit “ Stalin” nga viti 1959 dhe në janar të vitit 1961, u lejua të fluturonte vetëm, në avionët Mig-15 Bis. Hektori u planifikua dhe nisi fluturimet për të marrë klasin e dytë, në vitin 1961, pas proçesit të kalimit. Provimet teorike i dha me vlerësim “ shkëlqyeshëm”.
  • Avancimi në program dhe në detyrë i Hektorit, u bë i përshpejtuar.
  • Në komisionin e ekspertëve nuk u thirr asnjë mjek dhe kjo përbën mangësi.

Në muajin shkurt të vitit 1962, ai u emërua komandant i skuadriles së parë dhe në 23 mars, të po atij viti, pra , pas gati një muaji, për fat të keq, u nda nga jeta. Kesisoj ai ishte stërvitur pak, dhe brenda një kohe të shkurtër dhe nuk ishte tërësisht i gatshëm për të fluturuar natën, me shfrytëzimin e instrumentëve të pilotimit e navigacionit, që disponon avioni në të cilin do të ngrihej në ajër. Mungesa e përvojës së nevojshme dhe vetëkënaqësia, e mikluar nga ndonjë drejtues, ishin faktorë që “u përkundën”, në shtratin  që çoi në katastrofë ajrore.  Prandaj ai e hoqi vemendjen nga drejtimi i avionit me instrumentë dhe u mundua ta drejtonte atë,  me sy të lirë.

Hektor Lako ishte tip artistik. Ai luante bukur në mandolinë dhe kishte një zë tenori brilant. Ishte njeri i formuar, me edukatë të shëndoshë e me kulturë, i shkuar me kolegët, me vartësit dhe me shokët. Nga viti 1954 ishte i martuar, me të bukurën Filloreti Kosta, nga Borova, me të cilën, jetoi 8 vjet, në harmoni, me dashuri e respekt të ndërsjelltë, por, për fat të keq çifti nuk u bë me fëmijë fiziologjikë edhe pse e dëshironin shumë një gjë të tillë. Të dy, burrë e grua, i donin shumë e i përkëdhelnin fëmijët. Kur dilte në qytet, Hektori merrte me vete mbesën Elda; vajzën e Koços. Mos pasja e një fëmije ishte njëri nga pengjet më të mëdhenj për Hektor Lakon.

Sa u renditën më lart, kanë të bëjnë me opinionin zyrtar për katastrofën ajrore ku humbi jetën piloti Hektor Lako e u shkatërrua , plotësisht aeroplani Mig-15 Bis i drejtuar prej tij. Ato, sado të sakta të jenë, prapseprap mbeten të përafërta e mund të shërnbejnë për studiuesit, analistët , shkrimtarët dhe për ata që duan të pasurojnë erudicionin e tyre. E vërteta mbetet enigmë; atë, e ka mbuluar dhe e mbulon dheu. Pas saj, deri më sot, nuk kanë pushuar hamendësitë e njerëzve të ndryshëm, të profilit e jashtë tij. Në gjykimin e problemit, sejcili sipas kapacitetit, informacionit që ka dhe leverdisë, gjykon, shpesh , ndryshe nga të tjerët. Katastrofa ajrore e datës 23 mars 1962, ku humbi jetën poloti Hektor Lako, nuk është as e para; as e fundit në aviacion. Për t’u theksuar është se në të gjithë rastet, e vërteta e pastër, mbi shkaqet dhe premisat që çuan në ngjarje  kanë mbetur enigmë. Ato, zakonisht, i kanë marrë ne vete “ të ikurit”. Për të përmbyllur dokumentet dhe për t’u prerë udhën spekulimeve, ështe gjetur një formulim, i përafërt, ndoshta jo ashtu siç ka rrjedhur ngjarja  dhe faji është cilësuar njerëzor. Do të thoja se njerëzore është paaftësia për të depërtuar në brendinë e dukurisë, prandaj, shfrytëzohet rruga më e shkurtër.Mbase një thellim në të dhënat shëndetësore të të ndjerit mund të kishte hedhur dritë dhe në mundësinë e një ataku kardiak, akut, nisur nga fakti se të gjithë pjesëtarët e familjes të Hektorit  janë larguar nga jeta, nga goditje në zemër.

Epilog

Katastrofa ajrore në të cilën humbi jetën komandanti i skuadriles së parë, Hektor Eftim  Lako, si ngjarje që bëri shumë bujë, në aviacion e më gjerë, shkaktoi një gjendje tejet të trishtuar në regjiment. Më të vështirë e patën ata që duhet të ngriheshin në ajër. Tekniku i aeroplanit Mig-15 Bis,  i cili u shkatërrua, specialisti i urtë e me duar të arta Nevruz Zaçe ( ndjesë pastë), ndonëse raporti i ekspertëve nuk linte asnjë hije dyshimi për punën e tij dhe kolegët e tij i dinin mirë aftësitë e tij, në fushën e shërbimit teknik,ato ditë e më pas, rrinte mënjanë, i heshtur, si i zënë në faj, i ngarkuar shpirtërisht e rast pas rasti ia shkrepte të qarit. Për të  shpërndarë atë plogështi e atë ngathtësi që u vu re; nga regjimenti i Rinasit, u transferua, në Regjimentin e Qytetit “ Stalin” piloti Bardhyl Taçi, i njohur si guximtar e organizator i fortë. Ai u emërua komandant i skuadriles së parë, duke zëvëndësuar në detyrë, Hektor Lakon. Bardhyli i njihte efektivat e regjimentit dhe kushtet e punës; iu përvesh punës , me përkushtim e aftësi dhe  brenda një kohe të shkurtër, amullia u kapërcye e jeta në regjiment u fut në hullinë e rrjedhës së normale të saj.

Të nesërmen, më 24 mars të vitit 1962, u organizua ceremonia e përcjelljes të Hektor Lakos, në banesën e fundit. Pas homazheve që u zhvilluan, në Shtëpinë e Ushtarakëve të Qytetit, arkivoli me trupin e pajetë të Hektorit u përcoll në varrezat e Madranasit, pranë legjendarit Vasil Trasha, të rënë në krye të detyrës, katër vite më parë. Pilotit Hektor Lako që u flijua në rrugën e ngjitjes profesionale, ishpartizanit 14 vjeçar, bashkëshortit të përkryer, shokut, mikut, komandantit korrekt e me kulturë, të sjellshmit nga Leusa, iu bënë të gjitha nderimet që i takonin. Përpara arkivolit me trupin e tij të pajetë, bënë rojë nderi, me radhë: kolegët, vartësit dhe kuadrot kryesorë të repartit, të njësisë të aviacionit e të Ministrisë të Mbrojtjes dhe nga terreni. Siç rrëfejnë bashkëkohësit e tij, për të nderuar Hektorin, erdhi, me urgjencë, nga Rinasi, ku shërbente, Niko Hoxha, i cili bëri roja nderi. Duke e nderuar, ushtarakisht, kolegun e pajetë, të cilin e donte shumë, edhe në këtë rast solemn, të dhimbshëm, koloneli, siç e kishte në karakter, shpalosi burrëri e sinqeritet të pashoq, kur tha: “Të vrava te u “! Me një mjet të Ministrisë të Mbrojtjes, u soll nga Tirana , nëna e Hektorit, Fisnikja – Margaritë, babai i tij –Eftimi; vëllezërit Arqile e Ylli dhe të afërm të tij. Motra Leonorë, nuk mundi të vinte për të përcjellë të vëllanë , mbasi ishte me studime , jashtë vendit. Nëna e Hektorit, e njohur si burrëreshë, qëndroi në ceremoninë mortore të të birit, si ato kreshniket qëmoti. Ajo, me qëndresën e saj të paparë u dha kurajo të sajëve dhe shokëve të Hektorit.

Së bashku me Filloretin, të venë e djalit të ndarë nga jeta, Margarita, sa kohë varri i Hektorit ishte në Qytetin “ Stalin”, udhëtonte nga Tirana, në Qytetin “ Stalin”, e vendoste buqeta me lule të freskëta mbi varrin e të birit.  Kolegët dhe shokët e  hektorit  i dinin ditët kur ato do të vinin tek ai vend  “i shënjtë” dhe i shoqëronin, me radhë, që të mos ishin të vetme. Kjo ngjau derisa varri i Hektorit u transferua në varrezat publike të Shishtufinës, në Tiranë, në vitin 1974. Sot Hektori prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, përkrah kolegëve të rënë si ai dhe bashkëluftëtarëve të tij që ranë në Luftën Nacionalçlirimtare. Kater vjet e rezervoi, për vete, “një vend”, në varrezat publike të  Shishtufinës, trimëresha Margaritë, që të prehej pranë të birit, por ai shtegtoi sërish.

Filloreti, jetoi, së bashku me familjen Lako, plot tre vjet, në Tiranë. Pas kësaj kohe, nëna me zemër të madhe, Margarita, iu drejtua asaj, drejtperdrejt, me fjalët:” Të kam nusen e djalit, e kam të qartë sa jeni dashur me njëri-tjetrin, por nuk qe fat të plakeshe përkrah tij e të rritnit një fëmijë. Po të jetë për mua, unë jam gati të jetojmë së bashku gjithë jetën, por, ti je e re dhe shiko jetën tënde…” A nuk kemi të bëjmë dhe në këtë rast me një fisnikëri shqiptare si ato që rrefehen në mjedise atdhetarësh.

  • Lutem që shpirti i Hektorit të ketë paqë të përjetshme dhe kujtimi i tij të mos shuhet kurrë!

Shkroi Niazi Nelaj, Mars- prill 2016.

Ndihmuan:

-Arqile Eftim Lako, vëlla i Hektorit

– Flamur Mickaj ( ndjesë pastë), shok grupi i Hektorit, autor i librit autobiografik: “ Mes qiellit dhe tokës mëmë”.

– Çobo Skënderi, pilot i klasit të parë , bashkëkohës i Hektorit.

– Llazar çyçi( ndjesë pastë), pilot , autor i librit me biografitë e pilotëve të rrënë në krye të detyrës, me titull”:” Fluturimi i fundit” , faqe 26;27;28 dhe 29.

– Gezdar Veipi, pilot i klasit të parë, bashkëkohës i Hektorit.

– Bardhyl Taçi( ndjesë pastë), pilot , ish komandant i aviacionit shqiptar.

– Skënder Dusha, veteran , ishteknik aeroplani, bashkëkohës i Hektorit.

– Baftjar Metaj, pilot, veteran, ish kursant i Hektorit, në aeroplanin Jak 18 U, në vitet  1958- 1959.

-Telo Dedi, pilot, veteran i aviacionit, bashkëkohës i Hektorit, dëshmitar okular.

– Kostandin Sadikaj, pilot, veteran i aviacionit, bashkëkohës i Hektorit.

– Mati Baba( ndjesë pastë), ish pilot, drejtues i paligonit të aviacionit, autor i librit Historiku i aviacionit.

– Idajet Jahaj, shkrimtar, autor i librit “ Shqiponja që çau retë”.

-Servet Muka, veteran, ishkursant, në kohën kur Hektori ishte instruktor në avionin me helikë Jak- 18 U.

– Bardhyl Lubonja, pilot, veteran, ish kursant për pilot, në kohën kur Hektori ishte instruktor.

– Allaman Isaku, veteran i aviacionit, pilot, bashkëkohës i Hektorit, dëshmitar okular i ceremonisë të përmortshme, kushtuar pilotit Hektor Lako.

– Bahri Meshau ( Permeti), veteran, pilot, bashkekohes i Hektor Lakos.

– Syrja Nebiu ( ndjese pastë)  teknik aeroplni, bashkekohes i Hektor Lakos.

– Kapo selmanaj, veteran i aviacionit, ishpilot, bashkëkohës i Hektorit.

Të gjithë ata që janë në jetë i falenderoj për prurjet e tyre të begata, pa të cilat, do të ishte i pamundur ky shkrim. Të larguarve nga kjo jetë, u përulem, përpara kujtimit të tyre, me nderim e respekt, të pamatë, për vlerat që kanë shpalosur edhe në këtë rast.

Autori, në Tiranë, në muajt mars-prill 2016

2 thoughts on “Hektor Eftim Lako, “Dëshmor i Atdheut”, 1929-1962”

  1. NIAZIU,SHOKU YNE,NEPERMJET NJE PUNE TE PALODHUR ,E KA SJELL TE GJALLE JETEN E PILOTIT APASIONANT HEKTOR LAKOS,NE KETE SHKRIM MBRESLENES..ME TE GJITHA TIPARET QE E KARAKTERIZONIN HEKTORIN. HEKTORI IKU NG KJO BOT ,SHUME I RI,POR ME NJE AKTIVITET TE LARMISHEM JETESOR. ASNJE TJETER ME MIRE SE NIAZIU ,NUK MUND T’NA I SILLTE ME KAQE VERTETESI JETEN E LARMISHME TE “DESHMORIT TE ATDHEUT” HEKTOR LAKOS.QOFTE I PAHARRUAR ! NIAZIUT ,NUK NGELET ,VECSE T’I UROJME GEZIME E MBARESI ,SI DHE SUKSESE NE NISIATIVEN E BUKUR ,QE KA MARE.

  2. Të lumtë mendja dhe dora Niazi Nelaj! Kontributi jot është jashtëzakonisht i vlefshëm për ne dhe brezat që vijnë të cilët do kërkojnë ta njohin Aviacionin Heroik Luftarak Shqiptar, tashmë të vrarë nga Politika Shqiptare. Flm

Comments are closed.