Historisë nuk i shmangesh dot

Lutfi Jaho

Ajo që dua t’ju dëftoj ka ngjarë dikur, larg në vite, por është e vërtetë. Shumëkush e ka dëgjuar, si ndodhi, por, është e mundur mos ta ketë të qartë e të saktë si ka ngjarë. Është një histori njerëzore, e vërtetë, e cila, mbasi rezultoi fatlume, u anashkalua, pa marrë jehonën e duhur. Dikush e nënçmoi, një tjetër e përçmoi apo e anatemoi, me keqdashje. Kish dhe të tjerë, të cilët u përpoqën ta linin në harresë, me qëllim që koha të mbulonte gjurmët dhe njerëzit mos ta mësonin të vërtetën. Pati dhe ndonjë orvatje për ta tjetërsuar ngjarjen, e për ti hyrë në pjesë tjetrit, dujke menduar se mund të merrnin meritat e protagonistit të vërtetë. Sido që dikush, apo shumëkush, me dashakeqësi u përpoq ti futej tjetrit në pjesë, historia bëri të sajën edhe pse me vonesë. Ky rrëfim bën pjesë në ato përpjekje që synojnë të nxjerrin nga skutat ku është futur, të vërtetën e vetme, mbi ngjarjen dhe protagonistin.

Kemi mësuar se historia është e drejtë, e rreptë por e paanëshme. Ajo, në fund të fundit i jep gjithkujt atë që i takon, atë që është e tij e nuk i ngjitet, tjetrit. Për mndimin tim,historia i ngjan asaj shoshës, e cila bën seleksionimin e drithit dhe i ndan kokrrat , sipas madhësisë e vlerës që kanë. Nëse dikush, me ligësi e dashakeqësi përpiqet ti lerë në harresë apo ti mbulojë bëmat e njerëzve, i nisur nga motive të ndryshme, historia, i nxjerr ato nga rrëzat ku fshihen e i shpalos përpara njerëzve, duke hedhur dritë mbi të vërtetën.

Historia e këtij rrëfimi zë fill më 12 gusht të vitit 1966, në orën 08.30, në aerodromin fushor të Pishëporos. Atë ditë, në këtë aerodrom, të veshur me tapet ranor e të mbuluar me bar kënete, të rrallë, i cili gjendet pranë kripores së lashtë e pishnajave që zbresin deri në anë të detit,zhvilloheshin fluturime mësimore, me kursantët e vitit të tretë, për pilotë. Fluturohej me aeroplanët reaktivë Mig-15, të të dy varianteve; mësimorë e luftarakë. Kursantët e këtij kursi, ishin në vitin e fundit të Shkollës së Aviacionit. Ata, në atë fundviti do të titulloheshin oficerë e do të diplomoheshin pilotë gjuajtës-bombardues dhe do ti linin lamtumirën shkollës së tyre të dashur.
Kursantët e vitit të tretë ishin një komunitet , i cili numëronte 20 djem, njëzetvjeçarë, të zgjedhur. Shumica e tyre vinte nga Shkolla e Mesme Ushtarake “ Skënderbej”. Të gjithë ishin të shëndetshëm, të zhvilluar e të arsimuar në njërin nga gjimnazet elitë të vendit, në atë kohë. Në atë shkollë, nxënësit pajiseshin me njohuri të mjaftueshme mbi shkenca të ndryshme dhe për jetën. Nota në dëftesë, justifikonte dijenitë e tyre.

L. Jaho, B. Hoxha, I. Arapi, A. Alla

Në këtë grup bënin pjesëgjimnastë me perspektivë, si : Petrit Bebeçi e Alqiviadh Dede; atletë si Sabri Toçi ( Dëshmor i Atdheut), i cili renditej mes hedhësve më të mirë të vendit; futbollistë cilësorë si Luto Sadikaj ( Dëshmor i Atdheut), i cili, kur ishte skënderbegas, luante me të rinjtë e “ Partizanit” dhe gjuante fort e shënonte shpesh; volejbollistë të shkathët, si : Lutfi Hyseni ( ndjesë pastë); Stiljan Tanka ( dëshmor i Atdheut); Ethem Aliaj etj. Në atë grup ishte dhe i gjithanëshmi Bego Isa Hoxha (Dëshmor i Atdheut), i cili “ shkëlqente “ në çdo drejtim dhe i ndizte” zjarr” të gjitha veprimtaritë e shokëve. Grupi i kursantëve të atij viti, ishte ndoshta njëri nga grupet më të mirë që kanë kaluar në atë shkollë speciale.
Disa prej tyre, pas diplomimit pilotë gjuajtës-bombardues dhe titullimit oficerë, kur shkuan në repartet e aviacionit, morën në dorë drejtimin e skuadrileve, reparteve dhe njësisë. Mund të përmendim pilotët: Ethem Aliaj; Luto Sadikaj; Bilal Sinaj; Delo Seraj; Sabri Toçi; Petrit Bebeçi; Vangjel Koroveshi etj. të cilët, u rritën shpejt e u kualifikuan, në nivele të lartë të klasifikimit të pilotit. Luto Sadikaj ( ndjesë pastë); Sabri Toçi( ndjesë pastë) e Stiljan Tanka ( ndjesë pastë), në këto përpjekje, dhanë dhe jetën e u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”, duke zënë vend në panteonin e pavdekësisë. Mes tyre, njëri ishte 24 karat gjirokastrit. Me trup mesatar, por muskuloz e të lidhur mirë, Lutfi Jaho, të cilit i kushtohet ky shkrim, përmbushte kërkesat pë t’u bërë pilot, si nga trupi dhe nga tiparet e tjera të qënësishme. Si gjithë ata që kalonin në “filtrin”e Shkollës së Mesme Ushtarake “ Skënderbej”, Lutfiu kishte hobi sportin dhe aktivizohej në të gjithë llojet e tij. Atij, i pëlqente më tepër futbolli lojë, në të cilën ishte “ shtyllë” dhe i pakalueshëm. Por, sporti nuk ishte i vetmi hob i tij. Lutfiu u fut , me dëshirë në udhën e ajrit, e u dha, me mish e me shpirt, pas fluturimit. Atij iu shtua dhe një hobi tjetër, fluturimi, i cili u bë pjesë e qënësishme e jetës së tij.

Lutfi Jaho,nga natyra është i zgjuar, i shkathët e mentar.Kur ndodhej mes shokëve, një njeri që nuk e njihte, e kishte të vështirë ta ientifikonte. Kursantët që përbënin grupin ku Lutfiu u ingranua ngjante me një orkestër të zgjedhur me kujdes e të akorduar mirë. Lutfi Jaho merrte pjesë aktive, në të gjitha veprimtaritë e grupit. Edhe në fluturim, nga pozicioni i kursantit për pilot, ai renditej mes të përparuarve. Manovrat me aeroplan, sidomos akrobacitë në ajër, i kish mjaft për zemër dhe në ulje, profilin e kish të rregullt e të qendrueshëm. Uljet, prekjen me tokën në dy pika, i jepnin kënaqësi kur i realizonte tek “ Koka” e “T”-së, ç’ka është domethënëse për një pilot. Në ajër ishte i qetë, i saktë, në veprime dhe guximtar. Këto dhe tipare të tjera, të cilat i mishëronte, ia shtonin vlerat, si njeri e si pilot i ardhshëm.

Kursantët ishin të shpërndarë nëç pesë grupe, me nga 4 kursantë sejcili. Instruktorë të teknikës së pilotimit ishin pilotët: Guri Demir Merkaj; Harilla Siko Rjebi; Zija Shyqo Memi; Avdi Kutel Gjomemaj dhe Niazi Xhevit Nelaj. Të gjithë të shkollës sovjetike dhe asaj kineze të aviacionit. Komandant katërshe ishte Telo Rako Dedi; zevendëskomandant skuadrile ishte Kostandin Sadikaj dhe komandant – Salih Dibra.

Në dy vitet e parë të shkollës, kursantët kishin kryer fluturime në aeroplanët e lehtë mësimorë Jak-18A ( varianti kinez i aeroplanit mori emërtimin:Tip-61) dhe në ata Mig -15, të të dy varianteve. Natyra e fluturimeve ishte individuale; në rreth, në zonë, në çift, në rrugëkalim dhe me instrumentë, në kabinë të mbyllur. Programi i fluturimeve të vitit të tretë parashikonte ushtrime individuale, në rreth e në zonë për freskimin e shprehive të fluturimit, para se të kalonin në veprimet për marrjen e njohurive fillestare në luftim ajror, në kapje, sulme tipike dhe në qitje, me zjarr, kundër shënjave në tokë.
Kursantët për pilotë të këtij viti ( kursi), kishin mes tyre një unitet e kompaktësi për t’u patur zili. Ata ishin mjaft të lidhur me njëri-tjtrin dhe donin, respektonin e përkrahnin shoku-shokun, në çdo veprim të drejtë e të dobishëm. Disiplina e tyre, gjithashtu ishte shëmbullore. Le ti referohemi rastit tonë heroik, i cili u bë shtysë për këtë shkrim pa pretendime:

Gushti i vitit 1966 rezultoi vendimtar për stërvitjen ajrore të kursantëve të grupit ku bënte pjesë Lutfi Jaho. Gjithë stafi i Shkollës së Aviacionit dhe efektivat e skuadrils reaktive e kishin hedhur vështrimin tek “ të korrat” e Pishëporos, ku pritej përfundimi i shkollës dhe diplomimi i 20 kursantëve për pilotë. Të gjithë pjesëmarrësit në aerodrom ishin të përkushtuar e të tensionuar, në pritje të treguesve cilësorë, siç ishte i ngjeshur vetë programi i fluturimeve, në atë muaj vendimtar.

Në datën 12 gusht, të vitit 1966, efektivi i skuadriles reaktive të shkollës, kishte dalë në aerodrom, qysh në agim, për të zhvilluar fluturime. Detyra ajrore e asaj dite ishte praktikimi i kursantëve për të perfeksionuar elementët e fluturimit në çift avionësh , para se të nisnin stërvitjen në “luftim ajror”. Dita ishte e bukur e me diell. Qielli nuk kishte re, por në mëngjes, siç ndodh rëndom në muajin gusht, aerodromi dhe zona përrreth tij ishte e mbuluar nga një mjergull, e dëndur, e cila niste nga sipërfaqja e tokës, deri në lartësinë rreth 200m, mbi nivelin e detit. Kur dielli “ nxorri synë”, mjergulla u shpeshtua e shikimi horizontal u përkeqësua. Në tokë e në lartësinë deriku shtrihej mjergulla, nuk frynte erë, e cila mund ta dhpërndante mjergullën.

Efektivat e skuadriles reaktive kishin dalë në aerodrom herët, por nisja e fluturimeve u vonua për shkak të mjergullës së dendur. Në pritje të nisjes së fluturimeve, ishin dhe gjithë të ardhurit nga Vlora . Pranë udhëheqësit të fluturimeve, tek makina ku zakonisht vendoset një radiostacion tokë-ajër RSIU-3M dhe mjete të tjera drejtimi, përveç komandantit të skuadriles reaktive, pilotit Salih Dibra, i cili ishte në detyrën e udhëheqësit të fluturimeve, ishin dhe zëvëndëskomandanti i skuadriles, shtylla kryesore e këtij reparti- Kostandin Sadikaj; inxhenieri i skuadriles – Novruz Koçileri; sinoptikani – Bashkim Kozeli; shefi i parashutizmit – Enver Isufi dhe disa kuadro e ushtarë të specialiteteve të ndryshëm. Ata, thuajse të gjithë ishin këshilltarë të udhëheqësit të fluturimeve.
Rreth orës 07.45, u ngrit në ajër,me një aeroplan Mig-15 Bis, komisari i Shkollës së Aviacionit, piloti famëmadh Babaçe Faiku ( Imeraj), i cili, aso kohe fluturonte me tipat e avionëve që dispononte Shkolla e Aviacionit dhe ishte komandant ekipazhi, në aereoplanin IL-14, i destinacionit, për udhëheqjen e partisë-shtet. Komisari ndoqi itinerarin që përfshinte gjithë rajonin e fluturimeve dhe u ngjit në lartësinë 4000m. Ai vrojtoi hapësirën ajrore të rajonit, praninë e mjergullës dhe transparencën e ajrit, praninë e erës dhe ndikimin e saj në ajër e në ulje dhe, mbasi u ul, në tokë,u dha udhëzimet e nevojshme, pilotëve, teknikëve dhe gjithë atyre që merrnin pjesë në organizimin dhe zhvillimin e ditës së fluturimeve të asaj dite. Sapo u kryen “ ritet” e nevojshme të udhëzimeve, mjergulla u davarit, deri në atë shkallë sa mund të nisnin fluturimet, sipas plantabelës.
Në orën 08.30 i erdhi radha të ngrihej në ajër çiftit: Guri Merkaj- Lutfi Jaho. Komandant çifti ishte instruktori i teknikës së pilotimit, piloti i talentuar Guri Demir Merkaj, me origjinë nga Armeni i rrethit të Vlorës; pilot i shkollave të Lindjes ( Bashkimit Sovjetik dhe Kinës). Guri, me pak orë fluturim dhe kur mbante klasin e tretë të pilotit, kreu kalimin në aeroplanët supersonikë Mig-19PM kur në vendin tonë nuk kishte aeroplanë dyvendësh, të këtij tipi. Ai kish teknikë pilotimi të pastër, ishte mjaft i saktë në veprime e i guximshëm. Ishte viti i dytë që Guri bënte instruktorin e teknikës së pilotimit në aeroplanët Mig-15, me të njëjtët kursantë. Në grupin e tij të fluturimit ishin kursantët:
– Lutfi Jaho;
– Sabri Toçi;
– Petrit Bebeçi;
– Stiljan Tanka.

Instruktor Guri dinte mirë veçoritë dhe prirjet vetjake të kursantëve të grupit të tij dhe, vetë ata, ishin të familjarizuar me “dorën” dhe metodën e punës të instruktorit të tyre “ babaxhan”.
Lutfiu, doli në brezin e ngritjes, në çift, si shoqërues i instruktorit të tij dhe, të dy, realizuan ngritjen, në çift. Pas zenjes të qendrës së zonës Nr.3, në Derdhjen e Viosës, në lartësinë 4000m, Guri, si komandant çifti, në ajër, i kërkoi leje udhëheqësit të fluturimeve për plotsimin e detyrës dhe mori përgjigjen se lejohej të plotsonte detyrën. Në përgatitjen për fluturim, të një dite më parë, të dy, instruktori dhe kursanti e kishin përpunuar radhën e veprimeve në zonë dhe mënyrën e plotsimit të detyrës. Fillimisht përpara doli Lutfiu e Guri kreu manovrat, sipas radhës; pastaj doli instruktori përpara dhe kursanti plotsoi ushtrimin. Të dy avionët kishin të varur rezervuarët e nënkrahut, pa karburant. Plotsuan detyrën dhe, me lejen e udhëheqësit të fluturimeve, çifti humbi lartësi e u fut në rreth, tangent me kthesën së dytë, në lartësinë e rrethit=500m. Guri u ul i pari, normalisht, dhe priste në vendqendrim,uljen e kursantit të tij : Lutfi Jaho.

Mbasi u fut në rreth e vendosi të ulej, Lutfiu, në travers me shënjën “T”, kur ishte duke fluturuar paralel me shënjat e uljes, në planin horizontal,lëshoi rrotat, verifikoi daljen e tyre, nëpërmjet ndezjes të llampave të sinjalizimit dhe dëftuesve mekanikë, dhe kur u bind se rrotat ishin lëshuar i kërkoi leje , për ulje, ulje udhëheqësit të fluturimeve: “ 46, rrotat i lëshova; më lejoni uljen”! Udhëheqësi i fluturimeve, nbasi çmoi kushtet e në tokë, i lejoi Lutfiut uljen: “ 46: ju lejoj uljen, era në tokë 2-3 m/sek, përpara- djathtas”! Pas këtij çasti, kur Lutfiu po i afrohej kthesës së tretë, ndodhi e papritura. Prej atij çasti, deri sa avioni preku tokën, mes kursantit Lutfi Jaho, në ajër dhe udhëheqësit të fluturimeve, Salih Dibra, në tokë, u zhvillua ky dialog:
Lutfi Jaho: Unë 46-ta, para kthesës së tretë, në lartësinë 500m, m’u fik motorri!

Udhëheqësi i fluturimeve: Ç’farë thua ? 46-ta!
Lutfi Jaho ( përsërit): M’u fik motorri!
Udhëheqësi i fluturimeve: Hap ventilin e izolimit!
Lutfi Jaho: E kam hapur ventilin e izolimit!
Ndërkohë, xhirot e motorrit ranë në zero dhe zhurma e motorrit pushoi. Aeroplani vazhdonte të humbiste lartësi, energjikisht.Rrotat e avionit ishin të lëshuar; Lutfiu, menjëherë mblodhi rrotat dhe lëshoi flatrat e bishtit. Ai vendosi të kalonte në ulje të detyruar, jashtë aerodromit. Ndërhyri udheheqësi i fluturimeve:
Udhëheqësi i fluturimeve: Ç’farë do të bësh 46-ta? Do të hidhesh me katapultë?

Lutfi Jaho: Jo, nuk do të hidhem me katapultë; do të bëj ulje të detyruar!
Udhëheqësi i fluturimeve: Mblidh rrotat!
Lutfi Jaho : I kam mbledhur !
Udhëheqësi i fluturineve: Lësho flatrat e bishtit!
Lutfi Jaho: I kam lëshuar!

Siç dëfton vetë Lutfiu, për të kryer uljen e detyruar, jashtë aerodromit, “Zgjodha një shesh, në anë të vaskave me ujë të kripur. Vazhdoja të humbisja lartësi. Kisha vendosur të ulesha tek disa barishte, në hapësirën mes dy vaskave të kripës. Duke vrojtuar, me më shumë vemendje në tokë e cila, me afrimin e avionit tek ajo dukeshin më mirë hollësitë, për një çast diktova se ato që më ishin dukur si barishte ishin njerëz. Ata ishin punëtorë të ndërmarrjes së kripës, të cilët po hanin mëngjesin, së bashku, në hapësirën që zgjodha për t’u ulur. Punëtorët u turrën me vrap, në drejtime të ndryshme, kur panë që aeroplani u drejtua nga vendi ku ata ishin ulur. Njëri nga punëtorët, i cili kishte kryer shërbimin ushtarak nënjërin nga repartet e aviacionit, i paralajmëroi shokët që të largoheshin dhe ata e dëgjuan. Vazhdimisht më vinte në kufje zëri i qetë i udhëheqësit të fluturimeve, i cili, edhe pse nuk më kishte në fushën e të pamit, më fliste, vazhdimisht, duke më kujtuar veprimet që duhet të kryeja”.

Kemi të bëjmë me një rast të jashtzakonshëm, në të cilin ndërhyrja e udhëheqësit të fluturimeve kthehet në faktor ndihmues, jo ç’orientues për pilotin që ndodhet në situatë të vështirë, në ajër. Rastit tonë duhet ti shtojmë dhe faktorin me kuptim se piloti nevojtar ishte akoma kursant, i padiplomuar.
Ndihma që i jep udhëheqësi i fluturimeve, pilotit që ndodhet përpara një rasti fatkeq, është e drejtpërdrejtë dhe efektiviteti i saj është i pallogaritshëm. Arsyet janë: Uhëheqësi i fluturimeve, si rregull është njëri nga pilotët në të kualifikuar e me funksione drejtuese, në komunitetin e pilotëve të atij grupimi. Konkretisht: Salih Dibra, aso kohe mbante klain e dytë të pilotit gjuajtës-bombardues dhe kishte stazh e përvojë të gjatë fluturimi, në aeroplanët reaktivë Mig-15. Ai qëndron në tokë, mes specialistëve që e rrethojnë e vështron zhvillimin e ngjarjeve nga pozitat e njeriut të qetë, edhe pse është i impenjuar me ngjarjen dhe ndjek me shumë përgjegjësi dinamikën e saj.

Përse të mos ta themi, udhëheqësi i fluturimeve, në urdhrat që jep, ka parasysh veçoritë e formimit të pilotit në nevojë. Përgjithësisht, kur udhëheqësi i fluturimeve flet qartë, qetë dhe thot fjalë të kursyera e ato që duhen, kthehet në një shok, mik, qetësues, inkurajues, dhe pilotit i duket sikur nuk është i vetëm, në ajër, por, së bashku me udhëheqësin e fluturimeve do ta kapërcejë rrezikun. Salih Dibra, në atë situatë alarmante, duke ruajtur gjakftohtësinë e duke i folur vazhdimisht pilotit, sikur e ka ndarë me të fatkeqësinë dhe është bërë palë në atë ngjarje, duke influencuar pozitivisht.
Ndërkohë, Lutfiu planëronte, drejt sheshit; i qetë e i ngjante sikur po luante një lodër. Ai ruajti gjakftohtësinë e nuk u hutua, në këta çaste kritike për jetën e tij. Po të bënim pak përpjekje për ë analizuar, sadopak, qoftë dhe në sipërfaqe rastin duke shtruar pyetjen : Çfarë e mundësoi qëndrimin e Lutfiut të qetë, gjakftohtë dhe të saktë në veprimet për uljen e detyruar? Besoj, kushdo që do të rrekej ta bënte këtë, mesiguri që do të arrinte në një emërues të përbashkët se erdhi rasti e u shpërfaq, tek kursanti Lutfi Jaho trimëria, qendrueshmëria përballë rrezikut dhe karakteri i tij i fortë, burrëror.
Duke shkruar këto radhë, më vijnë në mend fjalët që ka thënë J.V Stalinit, i cili kur përkufizoi pilotin: “ si koncentrim vullneti, karakteri he aftësie , për të shkuar në rrezik…” i ka “ rënë pikës”! Po ti çvendosim në kohë, këto fjalë, në rastin trimëror që shpalosi Lutfiu, nuk është vështirë të arrijmë në disa përfundime logjike se: E para, brumi nga i cili ishte gatuar Lutfiu ishte i kualitetit të lartë; heroi ynë u brumos me karakter të fortë e me aftësi vepruese për ta parë rrezikun” në sy”; pa iu dredhur qerpiku. E dyta, rasti që u paraqit, vuri në provë serioze kualitetet e brendshme, të akkumuluara me kohë tek Lutfi Jaho si guximi, iniciativa , sedra e mirë dhe karakteri i papërkulur.Duhet thënë se këto tipare, nuk ishin të rastësishme tek ai, por ishin rritur, tok me të, që nga fëmijëria.

E treta, në daljen faqebardhë e fitimtar të kursntit Lutfi Jaho në këtë rast delikat, nuk mund të anashkalojmë, as të nënçmojmërolin e udhëheqësit të fluturimeve. Në rastin tonë, pavarësisht se raportimi nga kursanti për fikjen e motorrit të aeroplanit, në ajër,atij i ra si bombëe fillimisht u orientua me vështirësi,udhëheqësi i fluturimeve u fut në rolin që i takonte dhe i bëri “ shoqëri” atij që ishte në emergjencë e shkonte në ulje të detyruar, pa motorr, si atëherë kur e kish në fushë të të pamit dhe kur nuk e shikonte fare.
Lutfiu, e dëgjonte, me vemendje udheheqësin e fluturimeve në udhëzimet që i jepte atij dhe vepronte, me qetësi e siguri, sipas atyre që dëgjonte në radio. Më duhet të pranoj se kursantit në gjendje emergjence i dukej sikur e kishte udhëheqësin e fluturimeve, në kabinën e avionit e nuk ishte i vetëm në ajër, por vetë i dytë. Të kuptohemi, faktori bazë, ai që vendosi për fatin e vet e të aeroplanit që drejtonte, ishte vetë Lutfiu; bota e brendshme dhe personaliteti i tij, por dhe orientimet që merrte ishin ndihmesë me vlerë në vendimet që ai mori.

Duke gjykuar mbi bazën e radiokëmbimit mes të dyve; duket, fare qartë se veprimet e kursantit ishin, një hap përpara udhëzimeve që mori nga udhëheqësi i fluturimeve. P.sh: Kur mori urdhër për të lëshuar flatrat e bishtit, Lutfiu i ktheu kuitancën ( përgjigjen): “ I kam lëshuar”! Kështu dhe për rrotat etj.
Vendin ku do të kryente uljen e detyruar, Lutfiu e zgjodhi vetë, e në autonomi të plotë. E përkthyer në një gjuhë më të kuptueshme, Vendimi që mori, na dëfton kompetencën dhe vetveprimin për të marrë vendime, në vetmi, edhe kur i kërcënohet jeta. Për të mbërritur fiks, në vendin që zgjodhi, ai bëri rrëshqitje ( një manovër gjatë së cilës avioni humbet shpejt lartësi; përdoret për saktësimin e llogaritjes dhe në luftën kundër erës anësore) në anën e majtë të boshtit të uljes dhe ia arriti qëllimit. Ky veprim, dëshmon dhe për aftësi e guxim dhe për autonomi veprimi.
Në lartësinë e rrafshimit të aeroplanit, për ta nxjerrë atë nga këndi i planërimit e për ta vendosur paralel me sipërfaqen e tokës, kursantit i doli përpara një pengesë e paparashikuar. Dekovili, me vagonat që transportonin kripën, nga vendi i nxjerrjes në atë të grumbullimit,ishte i ndalur. Avioni që pilotohej nga Lutfiu, e kaloi dekovilin, siç dëshmuan ata që e panë ndodhimë, në lartësinë rreth 30cm. Kur pa se vaska që kish zgjedhur për t’u ulur ishte katrore, në formë dhe me përmasa të përshtatshme, e rrotulloi, me pedale avionin, në mënyrë që të shfrytëzonte, për ulje, gjërësinë e saj dhe i dha avionit pozicion dypikësh, me kënd më të madh se zakonisht. Këto veprime, dëshmojnë aftësitë e mira tekniko-profesionale dhe se kursanti e shikonte mirë tokën.

Në vaskën me ujë të kripur, kishte mjaft llurbë ( llucë), thellësia e së cilës arrinte deri tek gjunjët. Avioni preku sipërfaqen e ujit të kripur, diku nga mesi i vaskës. Avioni me numër anësor 480 “ lundroi “ nëpër ujin e kripur, rreth 94m. Fillimisht, me ujin u takuan rezervuarët varës, nën krahë, të cilët ishin bosh. Prania e tyre në avion , e mbrojti sipërfaqen e poshtme të trupit dhe krahët e avionit, nga goditja e parë. Avioni takoi lehtë e Lutfiu ndjeu një goditje, lehtësisht të përballueshme nga kursanti, e cila rezultoi, pa ndonjë dëmtim. Rripat e kabinës, të cilët i kishte shtrënguar, fort, e ruajtën nga ndonjë goditje e mundëshme, me aparaturat e kabinës, në veçanti me shënjestrën. Rezervuarët varës, nga goditja që morën, u ndanë në katër pjesë. Për fat , avioni nuk pësoi shëmtime e deformime.
Kuptohet, të parët erdhën nëvendin e ngjarjes ata që ishin më pranë dhe më të shpejtët. I pari shkoi pranë avionit tekniku Gjin Gjini, e, pas tij, të tjerët.Mes grupit të të parëve ishin : Kursanti Azis Alla, shok kursi i Lutfiut dhe mjeku specialist i aviacionit Lulzim Bilbili. Luli, me trup të shkurtër e të rrumbullakosur, kishte vrapuar shumë dhe e kishin mbuluar djersët. Si profesionist me përvojë në të tilla ngjarje, doktorr Lulzimi, nuk kishte harruar të merrte me veta aparatin e matjes së tensionit. Duke përqafuar Lutfinë, mjeku, fillimisht i mati pulsin, me dorë, pastaj e ndihmoi të përvishte mëngën e kominosheve dhe i mati tensionin. Në rrëmbat e Lutfi Jahos, për habinë e të gjithëve, tensioni arterial ishte 120/80 mm të tubit të zhivës; aq sa ishte përpara së kursanti të çohej në ajër. Një rast me domethënie.

Lutfiu, kur aeroplani i tij ndaloi, bëri ç’hermetizimin e kabinës, hapi fanarin dhe doli nga kabina e u hodh në ujë. U largua pak, nga aeroplani dhe e vështroi atë, me vemendje, se mos, nga goditja e parë ishte shkaktuar flakë. Mbasi u sigurua se kjo nuk kishte ngjarë, Lutfiu u afrua sërish tek avioni, u ngjit mbi krahë dhe qendroi në pritje të ardhjes së njerëzve. Distanca, nga aerodromi ishte jo e vogël. Të parët duhet të vinin ata që ndodheshin pranë udhëheqësit të fluturimeve. Pas pak, për tek avioni u turrën dhjetra njerëz ; kurreshtarë dhe për të ndihmuar. Lutfiu u bërtiti, me zë të qartë e të fortë:” Mos u afroni, se avioni është plot, me municion luftarak”! Punëtori që kishte kryer shërbimin ushtarak në një repart aviacioni, pyeti:” A ka njerëz të tjerë në avion”? “Jo”! u përgjigj Lutfiu dhe i kërkoi punëtorit të njohur një cigare dhe një shkrepse, për ta ndezur. Punëtori u afrua, e përqafoi kursantin, dhe i përlotur i ofroi dy pketa me cigare “ Partizani” dhe shkrepsen.

“ Po unë një cigare rë kërkova; merri paketat”!- i tha Lutfiu bujarit!Por ai nguli këmbë, që Lutfiu ti mbante paketat e ai nuk ia prishi. E ndezi cigaren Lutfiu, e thithi, thellë, i shijoi e iu gjend, si shok. Në jetën e tij, Lutfiu, një pirës duhani i traditës shkollore, u kënaq e iu duk sikur, atë ditë duhani ishte i ëmbël, si rrallëherë. Cigarja që piu e shlodhi e sikur ia largoi atë siklet. Kot thonë se “ duhani është shok i keq” Ja që edhe shoku i keq, në ndonjë rast, nuk është pa gjë. Mbërritën, duke gulçuar, nga vrapi që kishin bërë oficerë dhe ushtarë të Shkollës së Aviacionit. Ishin tetë vetë.
Lutfi Jahon, e habiti dhe e mrekulloi,ardhja tek ai e instruktorit të tij të fluturimeve, Guri Demir Merkaj, të cilin ai e kishte në vend të prindit dhe e donte mjaft. Habia e Lutfiut lidhej me kohën e shkurtër të ardhjes së instruktorit. Ai, kur dëgjoi se kursanti i tij ndodhej në vështirësi, uli avionin, tek kërkohej, e çoi atë në vendqëndrim dhe, me vrap, nxitoi për tek avioni me defekt. Gjithë ai Guri, i ngjallur e i shëndetshëm, “si ari polar”, kishte bërë tërë atë rrugë, me vrap. Qënja e tij, dikur, gjimnast ccilësor, siç duket e kishte ruajtur “ vlagën”. Gjat tërë kohës, kur njerëzit merreshin me heroin e këtij rrëfimi, sipër tij, në lartësi të vogël, bënte xhiro një aeroplan luftarak, piloti i të cilit, siç duket vrojtonte situatën dhe raportonte. U tha se me këtë avion, fluturonte komandanti i zvenës “katërshes), lunxhioti- Telo Rako Dedi.

Siç e kujton rastin, vetë Lutfiu; kur erdhën shokët e tij , ai zbriti nga krahu i aeroplanit ku qendronte në pritje, u takua e u përqafua, me shokët. Ata, mes lotëve të gëzimit, e uruan shokun e tyre për guximin dhe trimërinë që dëftoi dhe për saktësinë e veprimeve. Për shokët e Lutfiut dhe instruktorët e tyre çdo gjë u bë e qartë dhe shpejt. Kishim të bënim me një rast fatkeq, i cili, falë aftësive vepruese të kursantit Lutfi Jaho, përfundoi, pa pasoja të rënda.
Po atë ditë, nga Tirana, me një helikopter Mi-4, erdhën ata që do të bënin ekspertizën e ngjarjes dhe do të përpilonin përfundimet e saj.Ata ishin të profileve dhe specialiteteve të ndryshëm, nga kuadrot më kompetentë të njësisë. Ekspertët këqyrën vendin e ngjarjes; kontrolluan aeroplanin me numër anësor 480, biseduan me pilotin, pyetën udhëheqësin e fluturimeve dhe, në përfundim, arritën në konkluzionin: “ Aeroplani me numër anësor 480, atë ditë, ishte lëshuar në fluturim, pa patur furnizim të plotë me karburant”!
Të nesërmen, në aerodromin e Pishëporos erdhi komandanti i Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit, Bejto Isufi ( në atë kohë, aviacioni ishte në përbërje të strukturave të Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit dhe në vartësi të saj).Ai dëgjoi regjistrimin e ndodhisë, në magnetofon, pyeti kursantin hero, instruktorin e tij, udhëheqësin e fluturimeve dhe komandën e Shkollës së Aviacionit. Komandanti i Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit, takoi e përqafoi Lutfiun, e uroi atë për ç”ka bëri e i tha:” Me këtë që bëre, që sot, do të diplomohesh pilot gjuajtës –bombardues e do të titullohesh oficer”! Por kjo ishte vetëm një deklaratë emotive e nuk arriti të kthehej në një urdhër të detyrueshëm, për t’u zbatuar. Rasti u anashkalua e nuk e zuri më njeri në gojë. Lutfiu, si gjithë të tjerët, vijoi progranim e iu nënshtrua proçedurave legale.

Mbi rastin “ heroik” të kursantit Lutfi Jaho, i cili, po ta thuash siç ishte, në atë kohë ishte rast unikal në botë, shkrojti, në shtypin e kohës, vetëm Bashkim Kozeli, i cili ndodhej pranë udhëheqësit të fluturimeve dhe e vrojtoi rastin në gjithanëshmërinë e tij. Nuk di, përse, kjo ngjarje e jashtzakonshme kaloi ashtu; sikur nuk kishte ngjarë asgjë; me tendencën për t’u harruar. Vetëm në fundin e atij viti, kur grupi i kursantëve u diplomua, pilotë gjuajtës-bombardues, në ceremoni mori pjesë dhe Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku. Një ndodhi gazmore e asaj ceremonie, ndoshta do të zbukurojë fundin e këtij rrëfimi. Tek ndanin diplomat, shtetarët që ndodheshin në presidium, i dorzonin çdo kursanti, diplomën dhe, shpallnin, me zë të lartë, funksionin që do të kryente. Komisari i shkollës, Babaçe Faiku ( Imeraj), diçka i pëshpëriti, në vesh Ministrit e ai, i habitur, ose bëri sikur nuk dinte gjë, vuri buzën në gaz. Se si u zhvilluan ngjarjet më tej, këtë e rezervoj për t’ua dëftuar, më pas…

Ka ndodhur dhe kështu:

Ishte fundviti 1966. Ishin mbledhur “të korrat”, edhe në Shkollën e Aviacionit e po ndahej” prodhimi”! Kursantët ishin të gëzuar e në delir. Ata do të diplomoheshin; kush pilotë gjuajtës-bombardues, kush teknik e specialist aviacioni. Mjediset e Shkollës së Aviacionit ndrisnin nga pastërtia e rregulli. Sejcili nga drejtuesit e sektorëve, ishte në lëvizje e në punët e tij. Babaçe Faiku (Imeraj), topolaku plot gjallëri dhe entusiazëm, nuk qendronte në një vend. Përveç gëzimit të diplomimit të “ fëmijëve” të tij të rritur, ai kish dhe një gëzim tjetër: Do të priste e do të përcillte miq, nga Tirana, shtetarë të lartë si Beqir Balluku ( në atë kohë Ministër i Mbrojtjes ) dhe të tjerë kuadro të lartë, të Ministrisë Mbrojtjes, Komandës së Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit dhe asaj të aviacionit.

Në kinemanë e shkollës ishin bërë përgatitje serioze. Kuqëlonte salla e shkëlqenin karriget. Për të nderuar praninë e të ardhurve, në skenën e kinemasë ishte ngritur një presidium. Në qendër të tij ishte një kolltuk, i veçantë, për Ministrin. Gati 30 minuta para se të niste ceremonia, salla ishte plot me kursantë e kuadro dhe ndonjë punonjës të dalluar a ushtar të tillë. Kursantët “ fluturonin “ nga gëzimi e krenaria. Në sallë hyri Ministri, i cili u prit me ovacione e brohoritje frenetike. Nisi procesi i diplomimit. Kur erdhi radha e Lutfi Jahos, Babaçja i pëshpëriti diçka, në vesh Ministrit. Siç u mor vesh më vonë, Komisar Babaçja i kish pëshpëritur shtetarit të lartë se “ Ky është ai kursanti që uli avionin, pa motorr”. Ministri bëri të habiturin dhe i dorzoi Lutfiut diplomën, me një të qeshur, vesh më vesh. Në shënjë stimulimi “ material”, Ministri i Mbrojtjes i dhuroi kursantit, një pako. Me zor e hapi kutinë e kartonit Lutfiu, aty, në mes të sallës. Ç’të vështronte: një kokërr patate, e madhe, e bardhë nga ato që bëhen në Kukës! Plasi gazi, në sallë. Për ta lezetuar e justifikuar dhuratën “e çmuar”, Ministri, me buzën në gaz e me vështrimin nga portreti i Udhëheqësit Nr.1 që ishte varur në mur, tha: “Do ta prodhojmë bukën në vend”! Kësisoj u mbyll ajo ceremoni, e cila u dëftua, jo pa humor, nga gjithë të pranishmit dhe ata që morën dijeni, më vonë.

Nuk shkrojti e nuk foli njeri, për këtë rast heroik, i cili mund të jetë unikal në botë. Një kursant, akoma pa u diplomuar pilot, kreu një akt heroik; uli avionin reaktiv, jashtë aerodromit, me motorr të fikur. Dikush, i cili mund ta bënte propagandimin e rastit, me zemërligësi, e la atë në heshtje, me qëllim që trimërinë e Lutfi Jahos, ta mbulonte pluhuri i harresës e për atë, të mos mësonte gjë njeri. Po të mbaronte me kaq, kjo punë edhe mund të spjegohej me atë që u tha më lart. Ligësia, ashtu si e mira, nuk ka anë e fund.Dikush e anatemoi; një tjetër u mundua ta tjetërsojë. Njëri, njeri i letrave që shkrojti në gazetë “ heroit” i vuri emër tjetër dhe ngjarjen ia atribuoi atij; madje dhe fotografia nuk ishte e Lutfiut. Po kësaj, çfarë emri ti vemë? Ndonjëri që mundej e kishte për detyrë ta ngrinte çështjen, në mjetet e komunikimit e në forume, nuk e tha fjanën, me forcën e nevojshme që akti hroik të dëgjohej e të propagandohej, siç i takonte. Të thuash vetëm zemërligësi, në këtë rast, mesiguri nuk i ke thënë të gjitha.

Rasti që u rrëfeva, i mbeti, “në kurriz”, historisë dhe historia nuk heshti, por foli. Ajo është si ai tërmeti, i cili, vetëm sa lëkund, për ti çuar gjërat në vendin e vet, pa shkaktuar shkatërrime. Sado kohë të ketë shkuar, ato ndodhi, të cilat, disa njerëz kanë tentuar t’i mbulojnë, historia , kur shkruhet me paanësi, i nxjerr në dritë e i bën të njohura, botërisht. Nuk bëhet fjalë për rehabilitim. Protagonisti i kësaj ngjarje, Lutfi Jaho, edhe në ato kushte, të vështira për të, çau përpara, e gjeti veten në detyra të tjera të rëndësishme, me aftësitë e tij dhe tani gëzon moshën e pjekurisë, duke kujtuar, me nostalgji atë që bëri, në rininë e tij dhe dënon, me neveri, nëpunësit zemërligj. Është rehabilitim moral dhe një kënaqësi e merituar pohimi i vlerave që ai ka shpërfaqur.

Duke shkruar këto radhë, mendoj se kryej një obligim për atë që nuk munda ta bëj, më parë. Lutfiu është në pension pleqërie dhe mesiguri do të ndihet mirë kur njerëzit që nuk e kanë ditur, do të mësojnë të vërtetën e asaj ngjarje heroike, të cilën e ka kryer ai e jo dikush tjetër.

Një vështrim i shkurtër biografik
Lutfi Vesel Jaho, u lind në qytetin e Gjirokastrës, më 2 shkurt të vitit 1943. Babai i tij, Veseli, ishte fermer; e ëma, Katerina, ishte shtëpiake. Çifti lindi pesë djem dhe një vajzë. Tre nga djemtë e tyre u bënë oficerë. Fëmijërinë e herëshme dhe moshën shkollës shtatëvjeçare, Lutfiu i kaloi, në Gjirokastër, pranë prindërve të tij. Në fëmijëri, ai shquhej, mes moshatarëve, në lojërat që zhvilloheshin në mëhallë, si djalë i shkathët, i shkuar, me shokët dhe natyralisht i zgjuar.U rrit e u mbrujt me gëzimet dhe kënaqësitë e moshës. Lidhja e ngushtë me shokët dhe dashamirësia e tij , ndaj tyre, ia shtoi vlerat djalit të parritur akoma, në sytë e mëhallalinjve. Dëshira e tij ishte të qendronte mes shokëve e të luante, me ta, gjithë ditën. Për shkathtësi, nuk ia kalonte njeri. Lutfiu hidhej e kapërecente mure e gjerdhe, në mëhallë, por nuk ishte grabitqar.

Në shkollë, Lutfiu shkonte, me dëshirë e ishte i sjellshëm, i disiplinuar, i rregullt e me rezultate mbi mesataren e klasës. Në vitet 1958-1962, ai kreu Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “ Skënderbej”, në Tiranë.Në këtë shkollë, e cila, në atë kohë ishte nga gjimnazet më të mirë të vendit, Lutfiu u pajis me njohuri, për jetën e për botën dhe me kulturë, si dhe iu nënshtrua rregullit e disiplinës ushtarake . Aty, ai u njoh me shumë shokë, të ardhur nga vise të ndryshëm të vendit; prej të cilëve, Lutfiu mësoi mjaft.
Me një regjim të fortë ditor dhe duke ushtruar sporte të ndryshëm ku futbolli ishte në plan të parë, Lutfiu u formua si trup i lidhur e muskuloz dhe i kaloi, me lehtësi testet e nevojshme ushtarako-mjekësore e u rrjeshtua me kandidaturat e djemve që do të shkonin në Shkollën e Aviacionit, për tu pilotë.

Në vitin 1962, Lutfiu hyri në Shkollën e Aviacionit, të cilën e përfundoi në vitin 1966. U diplomua pilot gjuajtës-bombardues e u titullua oficer. Vitin 1967, ai e përcolli, në Regjimentin e Aviacionit, në Qytetin “ Stalin”, ku fluturoi në aeroplanët reaktivë Mig-15. Në vitin 1968, Lutfiu u caktua instruktor i teknikës së pilotimit, në Shkollën e Aviacionit, nga ku kishte dalë një vit më parë.
Viti 1972, e çoi Lutfi Jahon në Akademinë Ushtarake ( Fakulteti i Aviacionit), në Tiranë, të cilën e përfundoi pas dy vitesh. Në këtë shkollë të lartë ushtarake, Lutfiu u pajis me horizont të ri e me më shumë kulturë ushtarake, të nevojshme për të. Pas përfundimit të Akademisë, ai u caktua shef i stërvitjes dhe shef operativ, në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë.

Në vitet 1975-1978 Lutfi Jaho, shërbeu në detyrën e zevendeskomandantit të Shkollës së Aviacionit përsa i takon proçesit mësimor.Vitet e fundit të karrierës ushtarake 1988-1992, Lutfiu ucaktua në detyrën e shefit të shtabit, të Shkollës së Aviacionit dhe në vitin 1992, doli në pension.
Në vitin 1967, në kohën kur ishte instruktor i teknikës së pilotimit , në shkollë, Lutfiu lidhi martesë me zonjën Afërditë. Nga matresa e tyre erdhën në jetë dy djem, si drita: Arbeni, në vitin 1968 dhe Adriatiku , një vit më vonë. Së bashku me fisniken Afërditë, Lutfi Jaho rriti dhe edukoi dy djem, të denjë për ata dy prindër të mirë, të cilët i kanë bërë vend vetes, në komunitetin ku punojnë e jetojnë.
Aktualisht, Lutfi Vesel Jaho jeton vitet e moshës së tretë; i rrethuar nga fëmijët e tij dhe nga fëmijët e fëmijëve , apo , siç më pëlqen ta them : “ Nga mjalti i mjaltit”.

J. Jaho, N. Nelaj, G. Merkaj

I uroj , me këtë rast: Jetë të gjatë, shëndetplotë , të qetë e të begatë!

One thought on “Historisë nuk i shmangesh dot”

Comments are closed.