Prapësitë tona

Jeta dhe veprimtaria jonë mësimore, në shkollën e aviacionit, në Batajsk, edhe pse nuk pati ndonjë vazhdimësi kushedi çfarë, nuk mund të kalonte e qetë, si “në vaj”. Jemi  popull mesdhetar e shquhemi për temperament e karakter shpërthyes, ndryshe nga banorët që gjetëm të cilët, në shumicë, ishin të qetë e naivë të mirë. Ne vërtet shkuam për të mësuar teorinë dhe praktikën e fluturimit, por, si adoleshentë që ishim dhe pa përvojën e nevojshme të jetës, pa dashje e nga papjekuria jonë, krahas sjelljeve e punëve të mira, lamë dhe ndonjë shijë të pakëndshme. Duhet thënë se ndonjë prapësi e moshës, e cila u duk, në raportet me të tretët, kishte vetëm karakter vetjak, e nuk mund “ti vishet “ gjithë grupit të djemve nga Shqipëria. E nënvizoj këtë çështje, mbasi edhe kur shfaqej ndonjë sjellje a veprim, jo sipas normave të kohës, shokët e grupit, në tërësi, jo vetëm që nuk e përkrahnin, por, sipas rastit e mundësive, i kundërviheshin asaj. Ndodhte si me atë njeriun, i cili udhëton në një terren me baltë e i ngarkohen këpucët. Me të gjetur rast ai përpiqet ti pastrojë ato, duke larguar prej tyre baltën, e cila nuk është e tij. Gjithsesi, grupi i 6-të i studentëve për pilotë, nga Shqipëria, deri në fund mbeti kompakt e i pa-kompromentuar.

Le ta nisim këtë rrëfim, nga fjetorja jonë, e cila përbëhej nga disa dhoma. Njëra nga dhomat ishte e madhe, një tip salle. Atje flinim shumica e studentëve të skuadriljes mësimore, që do të fluturonte në avionët me helikë JAK-18A. Një ditë, teksa kryente detyrën e postës roja të fjetores, njëri nga shokët tanë, në kohën kur ne, të tjerët ishim në mësim, në klasë, vuri re se në depon ku pastruesja mbante veglat e pastrimit të fjetores  (kova, lecka, fshesa etj.) qëndronte, i mbështetur  pas murit, i braktisur e i mbuluar nga pluhuri një portret i bukur, me ngjyra i Josif Visarioniviç Stalinit. Bëhet fjalë për një portretet, cilësor me ngjyra, i cili u punua, pas fitores mbi Nazi-fashizmin, në Luftën e Dytë Botërore. Me dijeninë e gruas ruse, që pastronte, e cila kishte luftuar, në Betejën e Stalingradit, me gradën e kapterit e tani fshinte dyshemetë e fjetores tonë, studenti shqiptar, e mori portretin në fjalë, e shkundi, me kujdes që të mos dëmtohej, nga pluhuri që i kishte rënë përsipër dhe e vari, në murin e fjetores, në mes të saj. Kur erdhëm për të fjetur, e pamë ndryshimin, u gëzuam shumë dhe e mbështetëm, pa mëdyshje veprimin “revolucionar “ të shokut tonë. Në vendin tonë kishim lënë një opinion shoqëror e partiak  prostalinist. Ashtu ishim formësuar edhe ne.

Ne u gëzuam e nisëm të krenohemi me atë që ndodhi, por, në anën tjetër, vendasit (lakenjtë e regjimit hrushovian), u tërbuan e turfulluan. . . Na bënë lloj – lloj presionesh e propozimesh hileqare,  që ta hiqnim andej atë portret, si vjetërsirë, të dalë jashtë kohës. Por askush prej tyre nuk guxonte ta prekte me dorë portretin. Në emër të studentëve shqiptarë, përgjegjësi i grupit, shkodrani Surri Myrto Barbullushi, i cili ishte dhe anëtar i Partisë së Punës të Shqipërisë, duke patur me vete opinionin e të gjithë shokëve, mori guximin dhe  e kundërshtoi propozimin e komandës për ta hequr portretin e Stalinit, me argumentin: “Fjetina jonë është territor shqiptar e kurrsesi nuk mund të preket”! Në regjiment e në skuadrilje, na përkrahnin disa oficerë,  nënoficerë e ushtarë të cilët, si ne ishin nostalgjikë të kohës së Stalinit e figurës së tij. E mbajtëm të varur, në murin e fjetores, atë portret, derisa u arrit një kompromis me puthadorët e Hrushovit e të regjimit të tij; hoqëm portretin e Stalinit e, në vend të tij vendosëm atë të Gagarinit. Kjo zgjidhje na erdhi “pas midesë”, për arsye se Jurij Gagarini, si pilot kozmonaut, ishte afër profesionit tonë të pilotit dhe fluturimit të tij në hapësirë, aso kohe iu bë një propagandë e shfrenuar. Këtë ndodhi e futa në radhën e prapësive tona, nisur nga fakti se ai vinte ndesh me rrjedhën e zakonshme të gjërave. Veçse ky nuk ishte i vetmi veprim prej çamarroku, në sjelljen e shokëve të grupit tonë të studentëve për pilotë.

Në dhomën tonë të kulturës, e cila ndodhej përballë fjetores, në katin e parë të godinës me dy kate, ku ne kalonim  kohën e lirë, pas ditës së punës dhe kohës të caktuar për studim, një pasdite ngjau diçka e paparë, në ato mjedise.  Në faqen ballore të kësaj dhome, në një vend të dukshëm ishte vendosur një radhë me portrete të udhëheqësve të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Në qendër të portreteve  të udhëheqësve ishte portreti i Nikita Hrushovit, udhëheqësit kryesor të partisë e të shtetit sovjetik. Me kokën “ zbathur” me ata sy të shpëlarë, me buzë të varura e me veshë llapushë, i shëmtuar deri në bezdi, Nikita Sergejeviçi, krekosej në atë fotografi, si kaposhi në majë të plehut. Njëri nga studentët shqiptarë të vitit të tretë, i cili fluturonte në helikopterët MI-4, gjirokastriti i shkathët, i papërmbajtur e guximtar Agron Asaf Galanxhi, mori një pushkë sportive dhe, si gjahtar i mirë që ishte, shënjoi mbi portretin e Hrushovit. E shkrepi armën sportive nga jashtë dritares të sallës Goni dhe e goditi qyqarin në lule të ballit. Si të gjithë ne, edhe Agroni, me gjak nga i Galanxhinjve të Gjirokastrës, e urrente sharlatanin karagjoz i cili, me budallallëqet e tij e kishte ulur shumë prestigjin e udhëheqësit të një vendi superfuqi botërore. Ndodhia u ra rëndë pasuesve të Hrushovit që ishin njëkohësisht kundërshtarë të vendit tonë.

U bënë analiza e mbledhje të gjata, u quajt “provokacion “ e kundërshtim i hapët antisovjetik ai veprim i shkëputur i studentit shqiptar e u bënë komente politike, pa fund. Kuptohet këndvështrimet e njerëzve ishin të kundërt, në vartësi nga pozicionet e tyre kundrejt politikës së asaj kohe. Autori i “ krimit”, studenti Agron Galanxhi, e kaloi lehtë këtë çapkënllëk të tij, me një autokritikë në kolektivin e studentëve shqiptarë dhe në organizatën e Rinisë. Ajo që kishte më tepër vlerë, ishte mesazhi që morën hrushovianët nga kjo ngjarje se: ” Ne, jemi këtu, një copë Shqipërie dhe nuk puqemi as me  ideologjinë as me politikën që ndjek partia dhe qeveria sovjetike kundër popullit e vendit tonë”! Ne, shokët e Agronit, veprimin e tij nuk e cilësuam si huliganizëm, ashtu siç donin ta kanalizonin partiakët sovjetikë të shkollës sonë, por e theksuam, me forcë se, në rastin konkret kemi të bëjmë me një shqiptarizëm të kulluar e të guximshëm. Pas kësaj, radhët tona u forcuan e u kompaktësuan, më tepër. Duhet të theksoj se në mbledhjen e organizatës së rinisë ku u diskutua rasti, studentët shqiptarë të grupit të Agronit, diskutuan me terma e gjuhë të ashpër, kuptohet, sa për sy e faqe, në mënyrë që agjentët e famëkeqit shërbim inteligjent të vendasve të besonin se ne kishim reaguar në drejtimin që dëshironin ata. Mirëpo e hëngrën sapunin për djathë.

Ishte rregull, i parashikuar në rregulloret ushtarake, që, në mbrëmje, para se të shkonim në shtrat, ne studentët ushtarakë duhet të bënim një shëtitje të shkurtër, me rresht, me hap rreshtor e me këngë rreshtore. Këndonim, në gjuhën shqipe, me ritëm e ton rreshtor dhe kënga na shkonte “gjym”. Zërat tanë ishin të fuqishëm e harmonikë, me njëri- tjetrin. Pa u mburrur, mund të theksoj se, në atë garnizon ku shumica e banorëve ishin ushtarakë në rezervë, kënga jonë rreshtore pëlqehej më tepër se kënga e studentëve që ishin nga vende të tjerë të Lindjes. Këngët tona rreshtore e kishin marrë tematikën dhe melodinë nga këngët partizane. Kishte dhe ndonjë “këngë” e cila ishte transformuar e bastarduar, por këndohej me ritëm e temp rreshtor dhe dëgjohej me ëndje nga vendasit. Njëra nga këngët, të cilës i kishim përshtatur një tekst kot së koti, pa asnjë lidhje me detyrën tonë serioze ishte:

O iriq ? Mos ha fiq,

Se ke odën, plot me miq,

O iriq – O. . .!

Kjo, dhe një tjetër këngë, e përshtatur, me tekst vulgar, fjalët e të cilës më vjen zor ti përmend, ashtu si i këndonim ne, ishin të pëlqyera nga vendasit dhe kolegët tanë të vendeve të tjerë. Këngët i këndonim në gjuhën tonë dhe vinim re që vendasit i duartrokisnin ato, pa ditur përmbajtjen e tekstit të tyre.

Në ndonjë rast, i lejuam vetes dhe ndonjë “shaka “ të rëndomtë, mes njëri-tjetrit. Në vjeshtën e vitit 1960, në shkollën tonë erdhën disa studentë të vitit të dytë, nga Sizrani, për të fluturuar në helikopterët Mi-1. Ata, në Siberinë e ftohtë kishin fluturuar më parë në avionët me helikë JAK-18A. Në këtë grup bënin pjesë studentët për pilotë:

  • Vangjel Postoli, nga qyteti i Beratit.
  • Mihallaq Nole, nga Drenova e rrethit të Korçës.
  • Namik Agolli, nga qyteti i Durrësit.
  • Halil Gashi, nga Kukësi.
  • Cen Cenaj, nga Kukësi.
  • Theodhori Zotaj, nga Saranda.
  • Bektash Bebeçi, nga qyteti i Gjirokastrës.

Ata u vendosën në një dhomë, në katin e parë të fjetores. Dhomën e kulturës dhe banjat i kishim të përbashkëta. Në ditën kur erdhën në Batajsk, i pritëm, së bashku, në grup, me dashuri, siç priten bashkatdhetarët, në një vend të huaj. Ishim të grumbulluar, bashkërisht, “rishtarë” e” të lashtuar”, në hollin përpara fjetores tonë. Njëri nga të sapoardhurit, kuksiani Halil Gashi, me pamje kapadaiu, sikur të ishte fitimtar e ne pre e tij, na u drejtua, në gjuhën Ruse të gjithëve, njëkohësisht: “Nu, kak rjebjata, kak djella na sçjot bab”?  Dikush nga shokët tanë të grupit u përgjigj, po në rusisht: “ Niçjevo, zhivjom i zdrastvujem, po tihonjku”! I sapoardhuri, me të cilin po zhvillonim kuvendimin e parë, pa na njohur fare, si për të na “ shumëzuar me zero,  me mospërfillje, me pamjen e një njeriu koket, i cili di vetëm të “ shesë “mend, hapi valixhen prej kartoni bojë kafe, aty, në mes të hollit dhe zbrazi prej saj një numër fitografish, ku binin në sy, pa mundim, portretet e vajzave të bukura ruse. Ranë në dyshemenë e hollit fotot e Halilit, dhe qejfliu, me mburrje, deklaroi: “  Vot, u menja 26 shtuk, malladije i krasivije djevushki”! Në atë valixhe kishte vetëm fotografi vajzash; ato u shpërndanë në pllakat e dyshemesë e “ i zoti i tyre “ i mblodhi sërish. E para gjë që na shkoi në mendje ishte përshtypja se kishim të bënim me një Don Zhuan, shitmendës.

Prej asaj që pamë e nga sa dëgjuam prej, atij bastardi, ne nuk u ndjemë aspak keq e nuk u ofenduam; përkundrazi e pamë atë me neveri dhe e morëm inat. Djaloshi nga Kukësi, siç duket ishte qejfli femrash e “bredharak “, pas fustaneve. Me veprimet e tij aventureske, të cilat, kurrsesi nuk i miratonim, atij “i doli boja “ edhe mes banorëve vendas. Miku ynë “huligan”, Zhenja Vollkov, njëri nga djemtë trendi të atij qyteti, me kitarën e tij, sajoi një çastushkë, me të cilën ironizonte sjelljen e studentit shqiptar. Vargjet satirë të çastushkës bënin një ironi të këndshme, vargjet e të cilës, kanë rrojtur në kujtesën time, deri më sot. Ato thoshin:

Djevki nashi, dajtje Gashi,

Gashi, tozhe hoçjet jet,

Jesli Gashim nje daditje,

Gashi mozhjet umeret. . . .

Këngën e mësuam dhe e këndonim në mjediset tona, me mllef e ironi, njëkohësisht.

Studentët e vitit të dytë që erdhën nga Sizrani, të shtatë ishin me grada në supe. Dikush kishte qepur në kapotë  spaletat e tetarit; një tjetër, ato të rreshterit e, “më i zoti”, mbante spaletat e kapterit. Nga studentët e grupit tonë, edhe pse ishim 36 djem, jo më pak të aftë se ata, asnjëri nuk mbante grada. Na vinte inat e ishim të pakënaqur nga kjo. Na dukej sikur kolegët tanë, duke u kapardisur me grada mbi supe, na shisnin mend. Ishte dimër e vishnim kapota leshi. Natën, kapotat qëndronin  të varura, në një varëse druri, e cila ishte vendosur në hollin e fjetores dhe ruhej nga shërbimi i brendshëm i studentëve. Një natë, shokët tanë të shërbimit kishin bërë “ një aksion  degradimi”. Ata u kishin hequr gradat të gjithë kolegëve tanë dhe spaletat e tyre kishin mbetur “ fushë”, pa shenjat e gradimit. Kur u çuam në mëngjes, në holl u bë një rrëmujë e këndshme. Studentët e vitit të dytë, nuk gjenin dot kapotat e tyre. Në mbrëmje i lanë me grada e natën, një dorë e padukshme i kishte hequr ato. Plasi e qeshura. Theodhoriu, një student nga minoriteti grek në Shqipëri, i shkurtër rreth 160 cm. I cili mbante gradën më të lartë, atë të starshinasë, (kapterit kujdestar), u prek mjaft e u ankua. Ne, studentët e vitit të parë, të bindur se prapësia ishte kryer nga shokët tanë, të shërbimit të brendshëm, e kaluam ndodhinë, si një shaka të rëndomtë, me dashamirësi. Komanda e shkollës, nuk mori dijeni për ngjarjen; ajo u mbyll mes nesh, shqiptarëve. Në këtë çështje, ne, siç duket e kishim në gen të mos i bënim objekt diskutimi në mjedis ndodhitë tona.

Nëpër territorin e garnizonit ushtarak ku banonim, qarkullonte një qen, i bardhë, i madh, me lëkurë të lëmuar e me qime të shkurtra. Shoku ynë nga Rroskoveci, Rrapo Kodheli, pa u konsultuar me asnjë nga shokët, mendoi të bëjë një prapësi, e cila u trajtua  nga ana e vendasve (nga partiakët) si provokacion. Një ditë, kur Rrapoja ishte në shërbimin e postës së fjetores, e gaboi qenin  dhe e futi në dhomën ku pastronim çizmet. I dha diçka për të ngrënë qenit, “e zbuti “atë e nisi të zbatojë “planin “ që kishte menduar. Me një furçë e me bojë këpuce, të zezë, shoku ynë i shkroi qenit në kurriz, me shkronja latine fjalën: “ Tulla” dhe e la të lirë. Qeni doli përjashta dhe s’la vend pa shkelur, në garnizonin ushtarak e përtej postbllokut. Kalimtarët e shikonin parullën e çuditshme lëvizëse, ndalonin pak, vinin buzën në gaz, pa ditur përse bëhej fjalë e shkonin në punën e tyre. Disa  e kuptonin atë fjalë, e cila stigmatizonte udhëheqësin kryesor të partisë e të shtetit të atij vendi, Nikita Sergejeviç Hrushovin, i cili ishte kokëzbathur. Të tjerët, ata që nuk kuptonin shqip, “qeshnin  pas berihajt” dhe, kur gjenin rast pyesnin për domethënien e asaj fjale enigmatike.

Lakenjtë e Hrushovit e të regjimit të tij, u alarmuan e u tërbuan.  Ata, diçka të keqe kuptonin, por “nuk i jepnin dum”. Disa pyetën shokët tanë, individualisht; bënë dhe premtime se informacioni do të mbetej i fshehtë, thirrën në komandë përgjegjësin e grupit Surri Myrto Barbullushi dhe një student tjetër, përdorën lloj – lloj manovrash, të rafinuara, por të vërtetën nuk e mësuan dot. Atëherë gjetën si zgjidhje zhdukjen e qenit rrugaç. Shoku ynë nga Fieri, Dhori Nasi Zhezha, i cili ishte i dhënë pas fotografive, kishte blerë dhe një aparat fotografik “Zorkiij-S” dhe një laborator, për këtë qëllim, e fotografoi qenin e bardhë rrugaç, me parullën lëvizëse, në kurriz. Ne u kënaqëm që kishim gjetur një mënyrë origjinale për të shfryrë dufin e inatit që na ziente kundër Hrushovit e sporës (racës) së tij.

Në aerodromin e Batajskut zhvilloheshin fluturime, vetëm (pa instruktor në kabinën e dytë). Gjatë përgatitjes teorike, në klasë, kishim mësuar alfabetin “mors”. Për të dalluar radiostacionet e shumtë që ishin instaluar në rajonin tonë të fluturimeve,  përvetësimi i këtij alfabeti ishte domosdoshmëri. Mësuam të njihnim shkronjat (tinguj) dhe të jepnim e të merrnim mesazhe. Disa studentë ishin më të përparuar. Me qëllim që kualifikimi ynë të ishte në përgjigje të detyrave ajrore  të ardhshme, të cilat i përkisnin pilotimit në zonë, në rrugëkalim, në formacion, me kabinë të mbyllur etj, ushtrimin e “morsit “ e vazhduam dhe gjatë kohës kur zhvillonim fluturime në aerodrom. Për këtë qëllim ishim pajisur me disa aparate transmetimi, portativë, të vegjël e mjaft të ndjeshëm.

Po prisnim përmirësimin e kushteve të motit, me qëllim që të rifillonim fluturimet e ndërprera. Nën drejtimin e instruktorëve tanë, po merreshim me sqarimin e situatave të ndryshme ajrore. Drejt startit (vendit ku grumbullohet efektivi që merr pjesë në fluturime ), po afrohej instruktori i “ morsit”. E pamë dhe, për ti bërë qejfin, u shtirëm sikur po treneroheshim në lëndën e tij. Futa aparatin që emetonte tinguj, poshtë kominoshes së fluturimit dhe, me ndihmën e muskujve të barkut, nisa të transmetoj disa shkronja e tinguj. Instruktori dëgjonte tingujt por nuk po i zinte syri aparatin e transmetimit. Kërkoi ta zbulonte, me sy, duke rrotulluar kokën sa majtas; djathtas por e pati të pamundur të zbulonte vendndodhjen e tij. . U habit oficeri rus, kur nxora aparatin që poshtë kominoshes. Qeshi,  së bashku me ne, bëri të habiturin, me kokë por nuk u nxeh. Edhe këtë rast e kaluam si shaka.

Aty nga mesi i muajit gusht 1961, kur fluturimet tona u bënë intensive e ne na takonte të çoheshim në ajër njëri pas tjetrit, në bazë të plantabelës që hartonte komanda e skuadriljes, duke menduar se kishim kohë, deri sa të na vinte radha për tu çuar në ajër, së bashku me shokun tim të ngushtë nga Gjirokastra, Vasil Leko Pesha, hymë në një  parcelë me luledielli, brenda territorit të fushës së gjelbër  të aerodromit tonë. “Kuleçët” e bimës ishin bërë sa një “ saç” e farat kishin arritur pjekjen ekonomike. U vonuam duke zgjedhur, ato që ishin më të bëra. Na kishte ardhur radha për të fluturuar e shokët na kërkonin. Papritur, të dy, dolëm nga parcela me luledielli,  me nga një “ kulaç” në dorë dhe, si “ i bukuri shejtan”, u drejtuam tek avionët që na pritnin. Mbasi plotësuam detyrën e fluturimit e u kthyem në tokë, pamë, në gazetën e startit një goxha karikaturë, me diçiturën përkatëse, e cila i kushtohej veprimit tonë të prapë; largimit nga vendi i punës. Në diçiturën që shoqëronte karikaturën shkruhej, në gjuhën ruse:

Vaso Pesha i Nelaj,

Ubirajut urozhaj. . .

Gazeta e startit mbante titullin: ” Druzheskij sharzh”. Ajo fshikullonte, nëpërmjet karikaturave shoqërore dhe diçiturave, shkeljet e ndryshme që viheshin re në praktikën e stërvitjes kur ndodheshim  në aerodrom.

Për të qeshur ishte dhe rasti i studentit për pilot  Hysen Hyka, nga Kruja. Ceni ishte duke kryer pilotazh, në zonë, me një aeroplan JAK-18 A, në rajonin e Mokrij Batajskut, në lartësinë 1500 m. Shikimi horizontal ishte i dobët dhe, shoku ynë, duke u marrë me figurat e pilotimit, humbi orientimin në hapësirë e nuk dinte ku ndodhej aerodromi. Raportoi me radio. E dëgjoi udhëheqësi i fluturimeve, i cili po merrej posaçërisht me të, por e dëgjuam dhe ne që e kishim radion te hapët. U shqetësuam të gjithë e po pritnim në ankth, të kthehej shoku ynë, në tokë. U shqetësua shumë udhëheqësi i fluturimeve, i cili mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë, për zhvillimin normal të stërvitjes ajrore. Me qëllim që ta orientonte e ta ndihmonte pilotin, në ajër, i cili ishte në kushtet e emergjencës, Majori Tirsin, i cili ishte në drejtimin e fluturimeve  e  pyeti Cenin: ” çfarë shikon poshtë”? I tronditur, e disi i hutuar, shoku ynë u përgjigj: “ Poshtë shikoj një traktor, duke punuar “! Mes shokëve plasi një gaz i madh. Traktorët, në atë kohë, në arat e pamat të kolkozeve ishin me dhjetëra e me qindra  e nuk mund të përbënin objekt të veçantë për të rivendosur orientimin e humbur. Sa herë e kujtojmë atë ndodhi, edhe pas kaq vjetësh, qeshim me njëri- tjetrin. E orientoi, qetë – qetë e me saktësi Cenin, komandanti i skuadriljes dhe e solli mbi aerodrom. Kur ai erdhi sipër nesh dhe pa aeroplanët reaktivë, gjuajtës- bombardues Mig-15 Bis e ata bombardues IL-28, të cilët “dergjeshin “ në fushën e blertë të aerodromit, shoku ynë e njohu folenë dhe u ul, pa probleme.

Do të dëftej edhe një prapësi, e, besoj se mjaft janë për këtë shkrim modest. Kishim dalë në qytet  (Batajsk), pa leje. Liridaljet nuk na mungonin, për në Batajsk e për në Rostov mbi Don, por ashtu na shkrepi në kokë e donim të provonim si është të dalësh pa leje nga shkolla. Shkuam në qytet e u sorollatëm disa orë. Ishim një grup me 5-6 shokë. Mungesa jonë në skuadrilje ra në sy. “Aratinë “ tonë e mori vesh dhe komandanti i regjimentit, koloneli Vollkov. Si autoritar që ishte, koloneli u vu në ndjekjen tonë, me një makinë të vogël, të tipit  Gaz- 69. Ne ecnim në grup, sipas porosisë që na kishin dhënë, për t’u ruajtur nga huliganët dhe ishim të veshur me uniformë ushtarake. Binim shpejt në sy e komandanti ynë nuk e pati të vështirë të na pikaste. Ai na doli përpara në hyrje të një nyje hekurudhore. Na ndaloi e, me ton ushtarak, koloneli Vollkov, “Hero i Bashkimit Sovjetik”, na dha urdhër: “ Marrsh, në repart”! “Jest, tavarish pollkovnik “, pasoi përgjigja jonë, njëzëri.

U nisëm për në shkollë; herë me vrap e herë me hap të shpejtë. Koloneli me makinë e ne në këmbë, mbërritëm tek sheshi përpara fjetores, para tij. Atje e gjetëm skuadriljen të rreshtuar, në dy radhë. Kapter  “Nokja “, (kështu e kishim pagëzuar ne kujdestarin flokëkuq ), ishte duke bërë verifikimin e prezencës të studentëve. Pa u ndierë, siç futet hajduti në stan, zumë vendet tona, në rresht e nuk u ndiem. Erdhi koloneli,  i kapardisur e i sigurtë se vendet tona  në rresht do ti gjente bosh. Kujdestari e pa dhe i raportoi  ushtarakisht: “ Tavarish pollkovnik, podrazdjeljenije nastrojena, otsutstvije njet”! Koloneli, kur i pa të dy rreshtat plot, ndoshta ndonjërin prej nesh e kishte të fiksuar, bëri të habiturin e tha: “ Interesno, kak uspjeli”! Dhe u largua duke turfulluar, me vete. Ai ishte nga ata ushtarakët me dinjitet, që nuk merren me çikërrima, prandaj nuk na e përmendi asnjëherë, atë ndodhi të pazakontë, në të cilën e sfiduam.

Po të nisim të numërojmë rastet dhe ndodhitë, kur jemi treguar “ të prapë “, ato janë të shumta në numër e nuk i ngjajnë njëra – tjetrës. Në një tregim si ky, është e vështirë ti përfshijmë të gjitha. Këto që u rrëfeva, ndoshta janë më të spikaturat e më të njohurat. Shokët e mi, të cilët, në mjaft raste  kanë qenë protagonistë, me siguri dinë më tepër e do ti hedhin në shkrimet e tyre. Kështu tabloja do të bëhet më e plotë. Një gjë jam i detyruar ta pohoj, me çiltërsi e seriozitet. Asnjëra prej këtyre ndodhive, sido që e kishin brenda nëntekstin, nuk u krye në marrëveshje shokësh por rrodhi krejt natyrshëm, siç i shkrepi në mendje njërit apo tjetrit autor. Vendasit, gjithsesi nuk na i morën për ters, edhe kur i kuptuan apo kur ranë në gjurmët e domethënies së tyre.

One thought on “Prapësitë tona”

  1. Ngjarje shume interesante dhe te bukura. Jeni pene e forte.Respekt

Comments are closed.