Çobua i Zeqo Camës është i besueshëm

Gurrën e letrave të Zeqo Camës, e kam lexuar herët e më ka pëlqyer. Miku im, i ka të spikatura shkrimet; në veçanti poezitë dhe shkrimet biografike. Tani po kënaqem dhe me tregimet e tij, të arrira. Ndihem mirë që miku im, njeriu i letrave Zeqo Cama, ka prurje të pashterrura e të maturuara. Me këtë rast, uroj ta ketë të pandalur rrjedhën e ujrave të tij të begatë e me larmi prurjesh.

Halli e ka degdisur larg, shumë larg, përtej oqeanit, kolegun tim të dikurshëm e nuk e pimë dot nje kafe, së bashku, për të folur e për të qarë hallet; por me mbush me gëzim fakti që ai ka mbetur burrë i fortë, siç e njoh unë, si mali i lartë që ka mbi shpinë  Fushëbardha e tij, e dashur. Zequa ruan gjuhën e bukur tradicionale, me theks të ëmbël lab dhe ka mblojtur, në thellësitë e zemres, të paprekura traditat dhe zakonet e mira qindravjeçare të trevës me histori trimash. Bën mirë që shkruan për shokët e mirë të cilëve u rrinë mirë në trup krijimet e tij cilësore. Kujtimet e autorit, për shokët e miqtë e tij, sido që të largëta, na vijnë të freskëta e të vërteta. I lumtë pena Zeqo Camës, për këtë dhuratë që po na përcjell, tek e cila vërshon, si një ujëvarë gjigante gurra dhe frymëzimi atdhetar!

Çobua e Zeqo Camës është i vërtetë dhe i besueshëm.Ata që e kanë njohur Çobo Skënderin, në punë e në jetë, kur lexojnë tregimin që i ka kushtuar Zeqo Cama, sjellin në mend ata vite të largët,  kur bonjaku nga Progonati i Kurveleshit te Siperm, u fut në udhën e dijeve dhe ,me ngulm, bëri të tijën teorinë dhe praktikën e fluturimeve . Çobua, si një lab model, me kokën plot dhe  tërë dëshirë e  inat, për t’u dalë “ zot”hapësirave qiellore të Atdheut, duke u stërvitur në mënyrë konstante e në vijimësi, me meritë, kapi shkallën më të lartë të kualifikimit të pilotit ushtarak : “ Klasin e Parë”.

Por, në kulmin e vitalitetit e të ngjitjes në profesion e në karrierë, Çobo Skenderi u bë  “kurban”i luftës për pushtet e “iu pre “ jeta në udhë. Me ashpërsinë tipike të “ udhëheqjes” të kohës, Çobua u privua, në mënyrë të pamerituar edhe nga të drejtat më elementare, jetësore të njeriut. “Fajtori, pa faj”, bashkëshortja dhe fëmijët e tij, kaluan nëpër “vrimën e gjilpërës”dhe përjetuan kufizime të papara, vetëm për shkak të lidhjeve të gjakut, me një kuadër të lartë të ushtrisë, i cili u shpall “ puçist”. Goditja e rëndë dhe e pamerituar që pësoi, nuk bëri që Çobua “të  dorzohej “ e të “ ulte kokën”, siç donin ndëshkuesit e tij. Ai e vështroi diktaturën, në sy e u ndesh me të dhembë për dhëmbë, duke dëftuar, jo thjesht  mosbindje, por tirmëri e qëndresë burrash stoikë, si Bilbilejtë e historisë të asaj treve, nga të cilët ai ka prejardhjen.

Kufizimet që rrethuan Çobon dhe familjen e tij, nga pushtetarët ishin të rënda e jashtë natyrës njerëzore.Më të rënda e të padurueshme ishin bojkotimi e pabegenia e disa shokëve, me të cilët ai ish rritur e kish parë kushedi sa herë vdekjen, me sy. Nuk e përcjell të plotë, po ta quash, të pamerituar, anashkalimin e disave, për të mos u takuar apo për mos t’u ndodhur në të njëjtin mjedis,  me “ fajtorin pa faj”. Çobo Skënderi nuk i ka bërë keq, asnjeriu, prandaj, askush nuk ka përse ta shikojë shtrembër atë! Zeqo Camës, me kurajon qytetare që ka dhe me artin që ka derdhur në faqet e shkrimit, kushtuar Çobo Skënderit, i them se e ka radhitur veten mes autorëve më me peshë e më të guximshëm, të letrave shqip.Dukuritë interesante që ka përshkruar dhe arti i përdorur prej tij, ua rritin dukshëm vlerat shkrimeve të këtij autori, jo si të gjithë!

Uroj që Çobua ta ketë jetën, të gjatë e të begatë; Zeqos i buroftë gurra, si burimet, ujëplotë e të freskët të Fushëbardhës!

Shkroi Niazi Nelaj, maj 2014

 

2 thoughts on “Çobua i Zeqo Camës është i besueshëm”

  1. Me pelqeu ky shkrim,qe eshte edhe nje vleresim i bukur ne publik per pilotin e talentuar Cobo Skenderi,per te cilin ruaj konsiderata te larta e respekt ndonse une ato vite kam qene shume i ri ne detyre dhe drejte per se drejti kam pasur pak lidhje pune. Por,piloti e kuadri Cobo Skenderi me ka lene mbresa edhe per inteligjencen e larte dhe karakterin vital;vleresimet e fjalet e mira atij i rrine kurore

  2. Fjalet me te mira shtoj edhe per autoret e shkrimeve,intelektualet e degjuar ,pilotet e kuadrot e nderuar,qe kane dhene e bere emer jo vetem ne fradhet e F.L.A,,respektivisht Zeqo Cama e Niazi Nelaj

Comments are closed.