Hedhja me parashutë

Hedhja me parashute

Hedhja me parashutë e studentit për pilot, para nisjes së fluturimeve me aeroplan është domosdoshmëri. Kemi të bëjmë me një ndodhi, ndoshta nga më të rëndësishmet e më seriozet në jetën e një piloti. Është fjala për hedhjen e parë, pa të cilën, studenti nuk mund as ti afrohet kabinës së aeroplanit. Në hedhjen e parë me parashutë, piloti i ardhshëm, provon diçka të cilën, më parë as që e ka përfytyruar. Ai shkon drejt të panjohurës misterioze. Vetëm ai që e ka provuar këtë gjë mund të ketë shijuar kënaqësitë dhe të papriturat që e përcjellin atë dukuri. 

Veç ka një problem: Edhe ata që e kanë perceptuar në mënyrë të plotë ngjarjen, e kanë të vështirë ta përshkruajnë atë. Ndijimi dhe perceptimi, nuk janë të mjaftueshme për të treguar tërë atë ngjarje; duhet dhe një penë ”e fortë” e një gjykim i ftohtë. E kam mjaft të vështirë, pas një gjysmë shekulli, të riprodhoj atë që ka ndodhur atë ditë e para saj. Në këtë shkrim do të mundohem të sjell, në kujtesën time e të shokëve të mi atë përjetim të veçantë, i cili është ngulitur fort në kujtesë e nuk shlyhet lehtë. Është e qartë se këto janë vetëm përjetimet e mija, individuale. Çdo koleg imi ka mbresat e veta dhe e ka përjetuar ndodhinë në mënyrën e vet. U kërkoj falje atyre që do ta lexojnë materialin, nëse koha e gjatë që ka kaluar, e ka mbuluar me tisin e harresës ndonjë detaj, i cili edhe pse mund të mos jetë aq i përfillshëm, gjithsesi nuk mund të jetë pa peshë. Hedhja me parashutë, është, në çdo rast një ngjarje e re e sjell risi në jetën e pilotit. Kush mendon të kundërtën, nuk dëfton të vërtetën.

Kishim përfunduar përgatitjen teorike në klasë dhe atë në tokë, me instruktorin. Bëmë dhe një përgatitje të shkurtër teoriko-praktike të posaçme, në lëndën e parashutizmit. Instruktor i parashutizmit ishte një major thatim, me nofull të thyer e me buzë të prerë. Mosha e tij ishte rreth 35 vjeç. Ai kishte eksperiencë të gjatë në sportin e parashutizmit; kishte kryer, mbi2000 hedhje me parashutë dhe mbante titullin ”mjeshtër sporti”. Majori ynë ”enigmatik”, na bëri përgatitje, në klasë mbi njohuritë e domosdoshme për sportin e parashutizmit dhe u praktikuam, në terren, për pjesët materiale të parashutës, mënyrën e paketimit, veshjes dhe përdorimin e sajnë ajër. Majori, emrin e të cilit, për fat të keq nuk e kujtoj dot, në kohën e lirë, na dëftoi ndodhi interesante, nga sporti i parashutizmit në hapësirat sovjetike. Në rrëfimet e tij, vendin kryesor e zinte heroizmi i atyre njerëzve guximtarë, të cilët kishin ”vrarë” frikën e kishin triumfuar mbi të. Një ditë, në aerodrom, majori na erdhi së bashku me djalin e tij 10 vjeçar, Aljoshën. Djali simpatik por shumë çapkën i mjeshtrit të parashutizmit kishte një histori tepër interesante, e cila na bëri për vete, kur na e dëftoi i ati. Mjeshtri i parashutizmit, me pak fjalë e me një rusishte të pastër, ngadalë, që ta kuptonim atë që dëftonte na evokoi një ndodhi të rrallë, të cilën e kishin përjetuar ata, të dy: babë e bir.

Djali i parashutistit me emër në atë vend, Aljosha, kur ishte 8 vjeç, ishte mjaft trazovaç e nuk linte ”dy gurë bashkë”. Ai bënte shumë prapësi në familje, bezdiste dhe gjitonët. Me prapësitë e tij, natyrisht, të moshës, Lonja kishte sjellë shqetësime mbasi nuk linte njeri pa ngacmuar. Prindërit e tij, burrë e grua, të nderuar në mjedisin ku jetonin, e kishin të vështirë ta kthenin djalin e vetëm nga prapësitë e tij. Majori kishte vendosur ti bënte një ”surprizë – presion” Aljoshës, në kuadrin e masave ”për ta korrigjuar” djalin e pabindur. Do ta hidhte me parashutë, pa dijeninë e mamasë së dhimbsur e tolerante e cila, po ta dinte, nuk do ta lejonte të shoqin, ta bënte këtë shaka me rrjedhoja për djalin e tyre të vetëm. Megjithatë Aljosha, u hodh që u hodh, me parashutë.

Më kujtohet si instruktori ynë i parashutizmit, përpara se të niste të na shpjegonte mësimin e radhës, përsëriste slloganin: ”Parashutnij sport – horoshij sport” që, në shqip do të thotë: ”Sporti i parashutizmit është sport i mirë”! Ne, e besonim këtë thënie të tij; mosha që kishim e shikonte si interesant këtë sport, edhe për arsye se, në atë kohë kishim pak njohuri për të. Por, kur vërenim që majori e kishte buzën të prerë e nofullën të thyer prej këtij sporti e kishte pësuar e tashmë kishte vështirësi në të folur. Kur ai shpjegonte, ne, shikonim njëri- tjetrin, me bisht të syrit dhe qeshnim, nën buzë, me qesëndi. Dikush, nga shokët tanë tha, në shqip: ”Shumë i bukur është sporti i parashutizmit, por nofullën ia paska shtrembëruar shefit tonë”! Ne komunikuam në gjuhën e nënës, e rusi nuk e kuptoi shpotinë tonë. Ndërkohë majori dëftonte për ndodhinë e pazakonte me të birin 8 vjeçar, Aljoshën. E përgatiti të birin instruktori i parashutizmit dhe në një ditë të bukur, kur në aerodrom bëheshin hedhje, i veshi djalit parashutën e desantit dhe e hipi në aeroplan. Meqenëse djali ishte me peshë trupore më të vogël (rreth 30 kg) nga grupi i desantëve, vendi i Aljoshës, në aeroplan ishte në kolltukun e fundit. Ky rregull nuk kishte të bënte me moshën por me peshën trupore. Sipas rregullit të përgjithshëm, më të rëndët hidhen të parët, në mënyrë që ata të mos ngatërrohen në ajër me shokët e tyre që peshojnë më pak. U hodhën parashutistët para tij e i erdhi radha Ljoshës 8 vjeçar. Nuk e njihte frikën fëmija me emrin Aljosha dhe kur i erdhi radha, u afrua tek dera e avionit. Aty nuk u mor vesh; e rrëmbyen rrymat e ajrit djalin apo e shtyu përjashta shqelmi i instruktorit i cili, në rastin tonë ishte babait të djalit. Ljosha u hodh e parashuta u hap normalisht, por djali po binte (zbriste drejt tokës) mjaft ngadalë. Sipërfaqja e parashutës, mbi kokën e Ljoshës ishte rreth 84 m2 kurse pesha e djalit vetëm 30 kg. Në ato kushte, rrezikonte që Ljoshës ti takonte të zbriste mbi det ose mbi objekte të rrezikshëm, të paparashikuar, si mbi linja tensioni, mbi shtylla telefoni, mbi ndërtesa etj. Babai i tij, mjeshtër sporti në parashutizëm, kompetent në këtë lloj sporti, nuk i kishte bërë mirë llogaritë. Majori, i shqetësuar reagoi shpejt për të ndrequr gabimin. Ai u tha pilotëve të bëjnë një kalim tjetër dhe kur u ndodh mbi parashutën e hapur të të birit, u hodh, me parashutën luftarake që mbante të veshur, të cilën e hapi, vetë, me vonesë, në mënyrë që ti shkonte pranë të birit. U bashkua, në ajër me Ljoshën dhe, të dy u ulën në tokë, shëndoshë e mirë.

Kjo që përshkrova më sipër mund të ngjajë me ato përrallat me heronj të çuditshëm të cilat përdoren nga prindërit për të vënë në gjumë fëmijët kryeneçë. Ju siguroj se është ngjarje e vërtetë, e jetuar nga dy njerëz, të cilët i kam parë me sy e kam biseduar me ta. Vërtetësinë e tregimit të majorit rus, nuk e vë në diskutim, në asnjë aspekt, por e besoj dhe e sjell tek ju siç e kam dëgjuar në atë kohë, nga goja e majorit rus. Mund të shtoj dhe diçka tjetër, me rëndësi: Pas asaj që ndodhi, Aljosha çamarrok sillej më mirë, ishte më i vëmendshëm ndaj këshillave të prindërve dhe më i bindur. Në raportet me moshatarët dhe me fqinjët ishte më korrekt e nuk i bezdiste më me prapësitë e tij. Kur erdhi përpara nesh, së bashku me të atin, jo për të na dhënë zemër por si provë e gjallë e asaj që kishte ndodhur, rrinte urtë, si “i bukuri shejtan”, me ata flokë të verdhë, të ”lëpirë” anash e me ca sy bojëqielli, me të cilët na shikonte drejt. Majori na jepte udhëzimet e fundit e ne përpinim çdo fjalë që dilte nga buza e tij e prere. Ljosha vetëm pohonte, duke lëvizur kokën, nga lart – poshtë, siç veprojnë në të tillë raste rusët dhe disa popuj të tjerë.

Erdhi dhe dita jonë për t’u hedhur me parashutë. Ishte 15 prilli i vitit 1961. Ditë e bukur, pranverë, me diell, e ngrohtë, mëngjes, pa zënë dielli dhenë, nuk frynte erë. Hedhjet me parashutë, zakonisht planifikohen herët, në mëngjes, kur temperatura e ajrit është rreth 15 gradë celsius dhe presioni barometrik, në bregdet është 760 mm të tubit të zhivës. Këto vlera janë të përafërta me ato të aerodromit të Batajskut, i cili ndodhet pranë bregdetit të Azovit. Meqenëse ishim studentë të një vendi tjetër, komanda e shkollës bëri shumë kujdes që të shfrytëzoheshin kushtet klimaterike, të asaj dite, të cilat ishin optimale për desantim nga ajri. Për të realizuar hedhjen, nga Krasnodari, ku ishte vendosur qendra e shkollës së aviacionit erdhën dy aeroplanë të lehtë transporti, me helikë, të tipit LI-2. Në atë kohë, aeroplani LI-2 konsiderohej nga më të përshtatshmit avionë desasntimi. Hedhja me parashutë do të kryhej mbi aerodromin fushor të Batajskut, i cili kishte përmasa të konsiderueshme, ndodhej larg qytetit dhe ishte i mbuluar nga bari, gjë që e bënte më të butë prekjen e tokës nga parashutistët. Si lartësia më e mirë për t’u hedhur ishte përcaktuar 1000 m mbi nivelin e aerodromit. Komanda e shkollës dhe ajo e regjimentit kishin marrë masa të plota organizative dhe teknike për një desantim të suksesshëm. Aeroplanët LI-2 të ardhur nga larg, ishin kapardisur, në aerodrom e na dukeshin sikur ”shisnin mend”, me ato përmasa e me dy motorë, me helikë. Me atë ngjyrën e gjelbër, të errët, avioni në fjalë, na dukej i frikshëm, por për çudi nuk e morëm inat. Ai do të na hidhte nga 1000 m lartësi e na u duk si ”kushëri”, sikur ishte ”yni”, teksa instruktorin e parashutës, atë nofullthyerin, e shikonim si ”Perëndi”.

Sa na takon neve, ”protagonistëve” të asaj dite të shënuar, po ta themi ”pastër”, kishim kaluar një natë të shqetësuar, thuajse pa gjumë. Kur ra zilja për t’u zgjuar, kapteri, i cili kishte ardhur në fjetinë, si zakonisht, ndoshta për të parën herë, nuk e pati të vështirë të na ngrinte. Hymë në mensë por jo të gjithë hëngrën mëngjes. Emocionet bënë të vetën. Në aerodrom dolëm më herët se në ditët e zakonshme. Zumë vendin që na caktuan, në start, pranë radiostacionit ku qëndronte udhëheqësi i fluturimeve e po kujdeseshim për parashutat tona. Ndërkohë, aeroplanët që do të kryenin desantimin, ishin me motorë të ndezur e po prisnin, në xhirot e ngrohjes, që temperatura e kokës së cilindrave dhe ajo e vajit të arrinin në shifrat e rekomanduara. Studentët për pilotë të kombësisë hungareze, të cilët ishin caktuar të hidheshin para nesh, kishin zënë vend në aeroplan dhe makina fluturuese u ngrit në ajër. Ne, studentët nga Shqipëria, së bashku me instruktorët tanë dhe me personelin që shërbente në aerodrom, po vrojtonim, me kërshëri, me sytë nga qielli, në pritje të asaj që do të ndodhte. Ishim tepër kuriozë të shikonim si parashutohej e sa bukur dukeshin parashutat të hapura, duke zbritur në tokë. Aeroplani me parashutistë u ngjit në lartësinë e caktuar, 1000 m, e po fluturonte në drejtimin tonë (në mes të aerodromit), me drejtimin Perëndimor.

Pamë që u hap dera e aeroplanit dhe po prisnim, gjithë kureshtje e ankth, daljen e parashutistëve jashtë avionit, por kjo nuk ndodhi. Studentët hungarezë për pilotë, nuk u hodhën, në kalimin e parë. Nuk kishim përvojë e nuk e kuptuam çfarë ndodhi, kur dëgjuam komentin e një rusi, i cili vrojtonte si ne. Ai tha: ”Trusi, bajalis, nje prigalis’ parashutom”! Në gjuhën tonë, thënja e rusit do të thotë: ”Frikacakë, u trembën, nuk u hodhën me parashutë”! Nuk u ndjemë mirë, madje u revoltuam. Tek ushtarakët që ishin rreth nesh pamë shfaqje nervozizmi e pakënaqësie. Ata, në përgjithësi nuk i kishin aq për zemër hungarezët; i ndryshëm ishte qëndrimi i tyre në raport me ne, shqiptarët. Rusi që u prononcua para pak sekondash, e vazhdoi ligjëratën me pyetjen e çiltër: ”A vi, nashi, budete prigat”? Dmth: ”Po ju, tanët, do të hidheni”? Nuk e njihnim, se ai nuk punonte me ne, por se si e ndjemë ”të afërm” atë oficer rus i cili na quajti ”tanët” prandaj iu përgjigjëm, si në kor: ”Konjeçno”! Që do të thotë: ”Natyrisht”! dhe rrahëm gjoksin, sikur donim të thoshim: ”Do të na shikoni”! Në kalimin e dytë studentët hungarezë, dolën nga dera e aeroplanit, një nga një, dhe, me parashuta të hapura zbritën në tokë njëri pas tjetrit. Prej asaj që pamë, e cila na la shijë të hidhur, u zgjua tek ne geni i krenarisë kombëtare, i cili, deri atëherë qëndronte disi i tulatur e në ”gjumë”. Sikur u tendosëm e morëm zemër; revolta na mobilizoi më shumë. Mbaruan studentët hungarezë e radha na erdhi neve.

Ishim të rreshtuar pranë parashutave, të cilat i kishim paketuar, një ditë më parë, me dorën tonë, nën drejtimin e instruktorit parashutist. I veshëm të dyja parashutat, kryesoren dhe atë rezervë; po bëheshim gati të ngjiteshim në aeroplan. Majori me nofull të thyer, kaloi, si në paradë përpara rreshtit tonë, duke vrojtuar parashutat që kishim veshur. Secili prej nesh i kishte mbërthyer sytë tek majori i parashutizmit dhe dukej sikur i thoshte atij: ”Pa hidhi dhe një sy parashutës time”! Hipëm në aeroplan. Zumë vend, në dy rreshta ndenjësesh prej duralumini, përballë njëra – tjetrës. Ata që kishin peshë trupore më të rëndë do të hidheshin më përpara. Ky është një rregull i padiskutueshëm në parashutim. Më i rëndi, zbret më shpejt; po të hidhet i fundit, ai mund të bjerë mbi parashutën e më të lehtit. Nuk e mbaj mend skemën e vendosjes të shokëve në avion, por kujtoj që Adem Çeça, Vaso Pesha, Bardhyl Lubonja, Koço Biku etj, u hodhën të parët. Sipas peshës trupore, meqenëse bëja pjesë në të imëtit, u hodha diku nga fundi i grupit. Përjetimet janë individuale; unë do të dëftoj ato që më përkasin mua.

Isha si i tulatur e si i mpirë. Ashtu, i përgjumur e në ankth, me një farë mendësie: ”Le të bëhet çfarë të bëhet”, përjetoja gjendjen time emocionale dhe ndiqja, jo pa kuriozitet përjetimin e shokëve që ishin në avion. Më kujtohet si u çuam, si me sustë, në çastin kur dëgjuam zilen për t’u zgjuar. Çfarë zgjimi ishte ai? Siç duket, të gjithë shokët, ashtu si unë, kishin kaluar një natë të pagjumë. Bënim sikur flinim, për ti fshehur njëri-tjetrit shqetësimin. Vetëm se, në paraqitje, të gjithë ishim të gëzuar e nxitonim. Nuk di për se e për ku, nxitonim. Dihet që kur shkon drejt të panjohurës, e cila e ka brenda misterin, të tërheq ajo, të grish, të ndjell, për ti shkuar pranë, që ta shikosh e të shuash kureshtjen edhe pse e mistershmja është e frikshme. Kjo ndodhi dhe me ne. Shkonim drejt një të panjohure, me rëndësi jetike. Nuk e kishim provuar ndonjëherë atë ndjesi, ndaj shkonim me nxitim drejt saj. Donim ”ta hiqnim qafe”, sa më parë. Ajo që ishte nisur, le të ndodhte.

Para se të hipnim në avion, veshëm dy parashuta. Njëra (kryesorja), me sipërfaqe 84 m2, vendosej në shpinë; tjetra (rezerva), me sipërfaqe më të pakët, në gjoks. Atë, e hap parashutisti, në rast emergjence, kur nuk funksionon parashuta kryesore. Dorën e djathtë, parashutisti e vendos pranë një doreze metalike, me ngjyrë të kuqe, e cila po të tërhiqet fort, anash, hap parashutën rezervë. Parashuta kryesore, e cila hapet pas 3 sekondash nga shkëputja e parashutistit nga bordi i aeroplanit, është e mbërthyer, me ndihmën e një litari të fortë, i cili përfundon me një ganxhë që kapet tek kavoja prej çeliku e bordit të avionit. Parashuta rezervë është parashutë shpëtimi e hapet nga parashutisti, në raste avari. Nuk dua ta mërzit lexuesin, duke u ndalur në hollësira teknike, këtë çështje po e trajtoj fare shkurt.

Mbasi desanti shkëputet nga avioni, litari i parashutës kryesore, së bashku me ganxhën, mbeten në bordin e avionit. Koka e litarit, e lidhur me një gjilpërë, duke e nxjerrë nga foleja këtë të fundit, ka çliruar ”kyçin” tek i cili bashkohen rripat mbështjellës të parashutës e ajo hapet. Trupi i parashutistit, brenda 3 sekondash, duke bërë ”kollotumba”, zbret, drejt tokës, me rënie të lirë duke humbur rreth 150 m lartësi. Shpejtësia e rënies të lirë të trupit të desantit, nuk është shifër konstante. Ajo varet nga pesha e trupit, forma e tij, dendësia e ajrit, temperatura e mjedisit, lartësia e hedhjes, prania e erës etj. Vetëm forca tërheqëse e gravitetit mbetet e pandryshuar, pra 9.81 m/s².

Mbasi zumë vendet përkatëse, në avion ra një heshtje e pazakontë. Asnjeri nuk ”pipëtinte”. Ne që në ditë të tjera gumëzhinim si zgjoi i bletës, tani rrinim ”sus” e secili ishte ”mbështjellë” në lëkurën e vet. Secili nga ne përjetonte, në vetmi, atë ndodhi të rrallë në pritje të asaj që do të ndodhte pas pak. Po të ishin instaluar në avion aparatura regjistrimi, si ato që janë sot e ti kishin fiksuar atë çaste interesante, sot, me siguri do të dispononim ”perla” të rralla, me larmi sjelljesh e përjetimesh. Pas hipjes në avion, të gjithëve na hipi një seriozitet i madh. E kishim përqendruar shikimin tek dera e aeroplanit, vrojtonim instruktorin e parashutizmit e nuk reshtnim së pari ganxhën metalike, me të cilën ishte fiksuar litari i parashutës, pas kavos prej çeliku të bordit. Me siguri, secili nga ne e shikonte jetën të lidhur ngushte me atë nyje dhe dukej sikur, me vështrim lutës i thoshim instruktorit: ”Kontrolloje dhe një herë litarin tim, a është i fiksuar si duhet”?

Dikush u bë më llafazan, nga sa ishte zakonisht. Ai që mezi e zbërthente gojën edhe kur i luteshim të fliste, tani i nxirrte fjalët njëra pas tjetrës, pa pushim e kot më kot. Shumica e shokëve qëndronin të heshtur dhe e përjetonin situatën ajrore në mënyrën e vet. Secili, brenda botës së tij, të veshur me tisin e misterit meditonte, natyrisht, pa e pasur mendjen ”në mësim”. Ndiqnim, në heshtje, ndryshimin e mimikës të njëri-tjetrit dhe, si për tu gjendur në ”bisedë”, shkëmbenim ndonjë buzëqeshje, e cila më shumë ngjante me ngërdheshje. Ndonjëri fishkëllente lehtë ndonjë melodi të njohur, të cilën, pa dashje e përziente me të tjera nota e melodi. Nuk them ndonjë gjë të veçantë kur them se, sikur të ishte i regjistruar zëri i tij, me siguri nuk do ta njihte as ai vetë. Nuk e kuptoja atëherë; e kam të vështirë ta konceptoj edhe tani, përse shoku im që nuk kishte kënduar kurrë, tani kishte zgjedhur rrugën e këngës. Njëri ia mori një kënge, nën zë, me tematikë nga këngët partizane. Njëri nga shokët, i cili nuk njihej si hokatar, përpiqej të bënte shaka, të cilat nuk e kishin pikën e kripës. Kishte dhe nga ata që përpiqeshin të dukeshin indiferentë e moskokëçarës. Ama, secilit i dukej shqetësimi në sy. Vetëm se një gjë nuk mund ta mohojmë: edhe pse mjaft të rinj në moshë, tek secili nga ne gjallonte, geni i krenarisë kombëtare. Ngurrimi i studentëve hungarezë sikur na e ngacmoi genin e mirë e ne, nga revolta e brendshme që patëm e nga fjala që dhamë, publikisht, kur rrahëm gjoksin e thamë: ”Do të na shikoni neve”, siç i thonë një fjale, i kapërcyem emocionet, me guximin tonë që buronte më tepër nga krenaria kombëtare sa nga individualiteti vetjak. Një shoku im, të cilin e kisha afër, emocionet i shprehte në mënyrë krejt origjinale. Ai lëvizte, në karrigen ku ishte ulur dhe, sikur të mos ishim puqur me njëri-tjetrin, kushedi ku do të përfundonte. Për ne që nuk e kishim idenë e hedhjes me parashutë, ta thuash siç ishte, emocionet kishin filluar me kohë, por në forma të tjera, më të ”largëta”. Kur zhvillonim mësime parashutizmi, në klasë apo praktikime, në kabinetin metodik, shumëkush, nga ata, të cilët nuk njiheshin si shfletues të literaturës plotësuese, e gjeje përpara banakut të bibliotekës së shkollës, dukë kërkuar literaturë për parashutizmin. Në shkollë kishim dhe studentë të viteve më të lartë, të cilët fluturonin në helikopter dhe ishin hedhur nga një deri dy herë, me parashutë. Të paktën, në javën e fundit, para hedhjes, temë qendrore e bisedave tona me ta ishte hedhja me parashutë. Pyesnim e donim të dinim edhe hollësitë më të vogla. Për të kompensuar paditurinë tonë. Brenda çdo pyetjeje ishte shqetësimi, kujdesi për jetën sa kurioziteti. Se hedhja me parashutë nuk është ndonjë shaka e rëndomtë, si hedhjet nga trampolina, ne ujë, bie fjala. Kjo ka të bëjë me kokën, e cila i dhimbset kujtdo, edhe më trimit. Janë motive të brendshme që e nxitin dhe e ushqejnë kujdesin e personit për jetën. Nëse shumëkush, bënte sikur nuk e kishte problem; ju siguroj se kjo ishte vetëm në aparencë. Vetë kamuflimi i shqetësimit e ka me vete dashurinë për veten.

Aeroplani LI-2, mbasi u ngjit në lartësinë 1000 m, u drejtua për nga aerodromi, me kursin Jug- Perëndimor, andej nga ndodhet deti i Azovit. Fluturonim në vijë të drejtë e në pozicion horizontal. Poshtë dukej aerodromi, më tej qyteti i Batajskut, ai i Rostovit mbi Don, lumi Don e plot fshatra me fushat të punuara për qark. Askush nuk e kishte mendjen të shijonte atë peizazh të bukur që të shfaqet nga ajri, të cilin nuk e ndesh përditë. Të gjithë e kishim përqendruar vëmendjen tek dera e aeroplanit, në pritje të asaj që nuk e dinim si do të ishte. Nga sa na kishin treguar gjatë përgatitjes në tokë, ne vetëm kishim një përfytyrim të mjegullt për hedhjet me parashutë. Përvoja dhe ndjesia individuale na mungonte. Kabina e pilotëve ishte e ndarë nga ajo e parashutistëve dhe ne nuk komunikonim dot, as me dy pilotët, as me teknikun e bordit i cili qëndronte mes tyre, në këmbë. Prisnim sinjalet. Pritje e gjatë. Apo ashtu na u duk neve ? Instruktori i parashutizmit doli tek dera e aeroplanit dhe e hapi atë. Turbulenca e ajrit që krijohej tek dera na vinte e freskët, aty ku ”kishim mbirë”, në ndenjëset tona, por ne nuk na bënte fare përshtypje kjo. Erdhi çasti final dhe dramatik, në të njëjtën kohë.

Një llambë e kuqe, prapa krahëve të pilotëve, u ndez, e shoqëruar me një sinjal alarmi, të çuditshëm i cili nuk kishte të ndërprerë. Llapma e kuqe na u duk shumë e madhe e me dritë të fortë. Menduam se nuk ishte ndriçimi i një llambe alarmi por sikur avionin tonë e kishte goditur rrufeja, sikur një lëmsh i zjarrtë doli nga kabina e pilotëve. E pamë me inat, ndonëse e prisnim të ndodhte. Qetësinë na e prishi një sinjal tjetër më i zgjatur, i cili pasoi shfaqjen e ”lëmshit” të kuqërremtë. Ishte sinjali i alarmit, i cili na fliste në ”gjuhën e tij”; gjuhë, domethënien e të cilës na e kishin rrëfyer në tokë. Ajo na ftonte të vepronim siç na kishin mësuar. Sinjali i zgjatur: Taaa, na shkundi e na mobilizoi. Secili prej nesh ”i thirri mendjes” e u kujtua çfarë duhej të bënte. U çuam në këmbë e u kthyem me fytyrë nga dera e hapur, ku na priste instruktori ynë me nofull të thyer dhe misteri i hedhjes.

Nuk vonoi shumë e, në vend të sinjalit të kuq, të zgjatur, u ndez një dritë jeshile, të cilën e pasoi një sinjal i ndërprerë, i cili, në veshët tanë vinte: Ta, Ta, Ta, e zgjatur. Tjetër gjuhë kjo, edhe pse burimi ishte po ai. Tingujt e kësaj ”muzike”, aspak të këndshme, na thoshin: ”çfarë bëni ju aty? Akoma në avion do të rrini? Hidhuni! Apo do të veproni si ata që ishin para jush?” Njëri pas tjetrit, me hap e dëshirë, apo duke u shtyrë, këtë nuk e mbaj mend, shkuam tek dera, ku na priste instruktori ynë i shkathët e guximtar i parashutizmit. Shikoja një pamje të çuditshme të atij njeriu. Ai kishte hapur këmbët në gjerësinë e gjoksit të tij, duart i mbante të përthyera, si ai boksieri në ring, kur pret me parakrahë goditjet e kundërshtarit. Çdo student që afrohej tek dera e avionit, ai e shoqëronte me një shqelm bythëve, që të dilte sa më shpejt. Nga përvoja e tij e ajo botërore, instruktori i parashutizmit, i cili mbante mbi supe më tepër se 2000 hedhje, e dinte se, tek dera e avionit, ata që hidheshin për herë të parë, si puna jonë, edhe mund të stepeshin e të ngurronin për të kaluar atë ”kufi ferri”, prandaj ”i ndihmonte”, duke i shtyrë ose me një goditje me shqelm bythëve. Unë pashë ata që ishin para meje, por, jam i sigurtë se e njëjta gjë ka ngjarë dhe me mua që isha diku nga fundi i grupit.

Erdhi radha ime. Dola tek dera e aeroplanit dhe pashë poshtë. Toka dukej mirë nga lartësia ku ndodhesha. Nuk m’u duk aq e bukur por e frikshme. Nuk e di si më shkoi në mendje të pyesja veten time, me habi, me emocion, pse jo dhe me frikë: ”Ku do veç o derëzi”? Nuk e mbaj mend, nëse u hodha, më shtyu instruktori apo më rrëmbyen rrymat e fuqishme të ajrit. Gjithsesi ndjeva se isha në ajër nga rrymat e freskëta që rrethuan trupin tim të mpirë dhe qenien time të tronditur. Bëra disa kollotumba në ajër në rënie të lirë. Nuk e fiksova dot nëse sytë i kisha të hapur apo të mbyllur. Për të parë nuk pash asgjë, në ato 3 sekonda ”ferri”. Papritur, më zgjoi e më shkundi një tërheqje mjaft e fortë, e cila më erdhi nga lart. E pashë veten të mbërthyer me rripa, të fortë dhe instinktivisht vështrova lart, nga qielli. Mbi kokën time, vura re një kupolë të madhe, të bardhë në bezhë, me të cilën isha i lidhur e mbahesha i varur në disa litarë, shumë litarë, të cilët bashkoheshin në një pikë, prapa kurrizit tim. Më ”shkriu” gjaku dhe erdha në vete. Gjendja e ”shokut” kishte kaluar. Anash dhe poshtë pashë disa kupola të tjera, të bardha në bezhë, si imja, poshtë të cilave lëkundej, si lavjerrës një gjë e zgjatur, e ngjashme me trupin e një njeriu. Ishin shokët e mi të kursit, të cilët ishin hedhur me parashutë, së bashku me mua, nga i njëjti aeroplan. Ishim larg njëri – tjetrit e nuk i dalloja mirë tiparet e fytyrës të shokëve të mi. Ajo skenë tepër interesante që u krijua, në ajër, pas hapjes të disa ”ombrellave”, të bardha në bezhë, me përmasa gjigande, ishte e paparë e zor se mund të dëftohet.

Nga gëzimi që ndjente secili, mbasi u hapën e u mbushën parashutat me ajër, dhe u siguruam se po uleshim, drejt tokës, çdo student, e shfaqi çlirimin nga ai ankth i madh, në mënyrën e vet. Njëri fishkëllente me gishta të futur në gojë, një i dytë bërtiste sa i hante fyti; një i tretë këndonte e sokëllinte etj. Dikush, duke tundur në ajër kokoren e pilotit, të cilën e hoqi nga koka që të çlirohej nga sikleti, dukej sikur bënte ”kilizi”, si ata fëmijët e vegjël që duan tu shesin mend shokëve të tyre, me një gjë, të cilën e kanë vetëm ata. Më dukej sikur shokët e mi, pranë, po zbrisnin drejt tokës, kurse unë qëndroja në të njëjtën lartësi. Kur zbritëm në tokë e biseduam me njëri-tjetrin, kuptova se edhe shokët e mi, në ajër kishin pasur të njëjtën ndjesi. Duke rënë, nisëm të dallojmë mirë fytyrat e njëri – tjetrit e filluam të komunikojmë me emra e me zë të fortë. Kur mbërritëm në lartësinë afërsisht 100 m, pamë se, në tokë, disa njerëz, me megafona në dorë, të drejtuar nga qielli, bërtisnin. Ata diçka thoshin por ne nuk i dëgjonim. Ishin instruktorët tanë të fluturimit, të cilët na jepnin udhëzime, si te manovronim me litarët, si të mblidhnim këmbët, në mënyrë që prekja me tokën të bëhej, me të dyja këmbët dhe me kënd, afërsisht 45 gradë. Fillimisht nuk e merrnim vesh çfarë nxirrnin nga goja ata njerëz, të cilët, nga lartësia ku ishim, na dukeshin tmerrësisht të shkurtër, si liliputë. Me zbritjen tonë, më afër tyre, edhe artikulimi i fjalëve të tyre u bë më i qartë e ne nisëm të kuptonim udhëzimet që na jepnin.

Një nga çastet më të rëndësishëm të hedhjes me parashutë është prekja e parashutistit me tokën. Mësimet dhe trajnimi që kishim bërë, para hedhjes, na i kishin bërë të qarta veprimet; çështja ishte ti vinim në jetë ato që kishim mësuar. Këtë synonin dhe udhëzimet që na vinin nga toka. Dikush nga ata që flisnin me megafona na kujtonin: ”bëhuni gati për të prekur tokën, mblidhni këmbët, mbyllni e shtrëngoni nofullat, tendosni muskujt, manovroni me litarët, për ti kthyer shpinën erës” etj. Diku, në aerodrom pashë një shtëllungë të bardhë tymi e cila nuk shpërndahej por lëvizte paralel me tokën. Shërbimi tokësor i aerodromit kishte ndezur kuti tymuese për të parë forcën dhe drejtimin e erës. Ishim ngritur para 15 minutash, kur në tokë nuk frynte erë e tani që po zbrisnim me parashutë, era ishte forcuar disi. Në këto kushte na duhej të vepronim disi ndryshe, jo si në kushtet pa erë.

Prekja me tokën nuk është e fortë, po të ulesh në tokë me të dyja këmbët, të bashkuara. Në të kundërt ngarkesën e prekjes me tokën do ta marrë vetëm njëra këmbë e mund të ndodhë që ajo të thyhet, të kriset ose të ndrydhet ajo. Prekja me tokën është afërsisht aq e fortë, sikur të hidhesh nga një mur, 2 metra i lartë. Këtë na e kishin mësuar në klasë dhe e kishim provuar në këndin e trajnimit. E preka tokën, papritur, me të dyja këmbët të mbledhura. Pas prekjes me tokën, parashuta ime, rrëshqiti disa metra, andej nga e çonte era, pastaj, gradualisht u ”fishk”, siç fishket kokrra e fikut, në degë. Era që frynte nga toka, në det me forcë 2-3 m/sek. e zhvendosi kupolën, disa metra e unë vrapova pas saj, që të mos rrëzohesha. Në një çast të përshtatshëm e lëshova parashutën dhe, për inerci, vazhdova të vrapoj pas saj. Shoku im i mirë Bashkim Dervish Kozeli, u tregua i pakujdesshëm gjatë takimit me tokën. Ai nuk i mbajti të bashkuara të dyja këmbët dhe e preku tokën me një këmbë. Ra rëndë shoku im dhe e ndrydhi kaviljen e njërës këmbë. Kjo ndodhi, u bë shkak që më vonë, shoku im i zgjuar e i shkathët, i qeshur e me humor të këndshëm, u privua nga e drejta e fluturimit e nuk u bë dot pilot. Ai iu fut një tjetër profesioni të nderuar, të lidhur ngushtë me aviacionin, siç është puna e bukur e sinoptikantit, por, gjithsesi ëndrra e tij u ndërpre.

Gjirokastriti Vaso Leko Pesha, njëri nga shokët tanë më të mirë, mbasi preku tokën, kur vuri re që kishte erë, nuk i lëshoi litarët e parashutës, siç na kishin udhëzuar dhe parashuta e tërhoqi zvarrë. Hunda e tij, sikur të ishte plug gërvishti tokën. Pas kësaj ndodhie, ne, si shokë të mirë të tij, pa të keq, ia kujtonim rastin. Për dreq, kjo ndodhi më solli në kujtesë finalet e kampionatit botëror te futbollit, te vitit 1958, i cili u zhvillua në Suedi. Në finale, qendërsulmuesi suedez, Ange Simonson shënoi një gol, me hundë. Aso kohe, shtypi botëror shkroi, me germa të mëdha: ”Goli u shënua por hunda u dëmtua”. Qeshnim të gjithë me rastin tonë, edhe pse shokët nuk e kishin idenë çfarë kishte ngjarë në Suedi. Dy shokë të grupit tonë, studentët: Hysen Hyka, nga Kruja dhe Agron Balashi, nga Elbasani, kur na vizitoi doktor Meleshko, një ditë para hedhjes me parashutë, kishin paraqitur ankesa. Doktori, brenda kompetencave që i jepte rregullorja, i pezulloi, të dy, e ata nuk u hodhën me parashutë së bashku me ne. Hedhja e tyre u bë e mundur disa ditë më vonë, atë ditë që u hodhën me parashutë studentët nga Kuba.

Aksioni për hedhjen tonë me parashutë ishte kurorëzuar me sukses të plotë. Ato që ndodhën ishin gjëra ”të vogla” e ”pa peshë” në krahasim me atë arritje të madhe, e cila na futi në udhën e gjatë e të vështirë të fluturimeve. Në biografinë e studentëve shqiptarë të grupit të 6-të të pilotëve, u çel një dritare e cila nuk do të mbyllej, gjatë. Faktor i rëndësishëm, i cili e bëri të mundur këtë, përveç kualiteteve tona shqiptare, ishin dhe serioziteti e kujdesi i veçantë që përshkoi përgatitjen tonë, të përgjithshme e atë speciale nga ata që u caktuan të na drejtonin, me kompetencë e përkushtim, si dhe profesionalizmi i lartë i ekuipazheve të aeroplanëve LI-2.

Kur kishim rënë të gjithë në tokë, të gëzuar, në eufori të shfrenuar, rendëm tek njëri – tjetri; u përqafuam e u puthëm, jo vetëm mes shokësh por dhe me kë na doli përpara: me ushtarë, nënoficerë e oficerë, vendas e të huaj. Ne, nuk dinim si ta shprehnim gëzimin që na dha hedhja e parë me parashutë, por dhe instruktorët tanë, të parashutizmit e të fluturimit nuk dinin si të na uronin e të na përgëzonin. Kishim dhënë një provë serioze e kishim kaluar një test të qenësishëm guximi. Vijuan gjatë komentet pozitive, për ngjarjen e madhe. Të gjithë ishim të gëzuar e krenarë. Kishim hedhur një hap me vlerë e ishim të gatshëm për të nisur fluturimet me aeroplan. Ato që kishin ndodhur atë ditë, në aerodrom, kishin marrë dhenë; i gjithë garnizoni ushtarak ishte njohur me arritjet dhe defektet e asaj hedhje. Mendimi për ne, shqiptarët ishte pozitiv e në anën tonë. Të gëzuar ishim të gjithë, të lumtur ishin dhe instruktorët tanë të fluturimit, të cilëve u shtua besimi dhe optimizmi se do të kishin punë me studentë të guximshëm.

Ndoshta nuk është vendi për një krahasim të rëndomtë; për këtë të më falni. Përgatitja e studentit për pilot është si puna e atij brumit që gatuan amvisa, në magje. Sa më cilësor të jetë mielli e mjeshtëria e amvisës aq më i mirë del brumi. Instruktorët tanë, të cilët ishin përzgjedhur nga pilotët më cilësorë të atij rajoni, kur panë me sytë e tyre që studentët e tyre ishin djem të rinj, të shëndetshëm e të guximshëm, të zgjuar e seriozë, e nisën më me dëshirë punën si mësues të fluturimit. Këtë e pamë në sytë e tyre gjithë besim, në vullnetin dhe mobilizimin që pasoi dhe në tërësi në të gjithë sjelljen e kujdesin që na rrethoi. Pas hedhjes me parashutë, vumë re që edhe opinioni i njerëzve të thjeshtë, në garnizon e jashtë tij, në raportet me ne, kishte ndryshuar për të mirë. Këtë do të përpiqem ta dëftej në shkrimet në vijim, i cili i kushtohet marrëdhënieve që u krijuan mes nesh dhe vendasve.

Thonë se hedhja e dytë me parashutë paraqet disa vështirësi të tjera dhe vendin e misterit për të panjohurën e zënë përshtypjet pozitive e negative që ka akumuluar studenti për pilot, nga përvoja vetjake. Në hedhjen e mëpasshme, parashutisti nuk shkon më drejt të panjohurës, por prek edhe një herë atë qe e ka provuar dhe e di ç ‘është. Ata që e kanë shijuar këtë proces, me siguri mund të thonë më tepër.