E kam menduar gjatë por nuk kam mundur të arrij në një përfundim të qartë e bindës; si u bë i mundur ai kohezion, në marrëdhëniet mes nesh, adoleshenteve nga Shqipëria e largët dhe vendasve që gjetëm, në shkollën e aviacionit e në atë qytet. Kohët e fundit kam biseduar me disa shokë, të atyre viteve të largët, të cilët i kanë përjetuar nga afër ato kohë e kanë pasur lidhje të ngushta me ata njerëz. Në tërësi konvergojmë në një pikë por kemi dhe kundërshti. Njëra nga pikat ku nuk konvergojmë është: Nëse u afruam ne tek ata; apo ata u qasën tek ne ?
E çfarë rëndësie ka, kush e hodhi hapin i pari? Në opinionin tim, ne, i hipëm aeroplanit TU-104, lamë vatrat tona e shkuam 2000 km larg, për të mësuar fluturimin. Kudo ku shkuam e këdo që takuam, nga vendasit, të gjithë na rrethuan me interesim, na pritën ngrohtë e na dhuruan dashamirësie miqësi. Në fund të fundit: ne ishim vajtësit e ata; pritësit. Mes të dyja palëve u krijua një lidhje e ngushtë, miqësore, interesante.
Siç dihet, në një lidhje janë dy anë të cilat nuk bëjnë dot pa njëra – tjetrën. Nuk them ndonjë gjë të re, mbasi kjo është e njohur; interes paraqet fakti si u arrit kjo lidhje e ngushtë ? Ta themi troç: vendasit; rusë apo individë të popujve të tjerë, me të cilët kishim të bënim, na donin e na respektonin më shumë se studentët e vendeve të tjerë, të cilët, nga ana gjeografike ishin më pranë kufijve të Bashkimit Sovjetik. Përse ndodhte kështu? Ku e kishte bazën kjo vijë sjellje e vendasve kundrejt nesh? Nga buronte kjo ndjenjë afrimi e respektimi të ndërsjellët? Nuk e gjej të lehtë tu përgjigjem këtyre pyetjeve, megjithatë do të tentoj, pa hezitim e rezervë se dikush mund ti kundërshtojë bindjet e mija. Ato janë thjesht individuale. Parë historikisht, mund të kemi të tillë panoramë:
Dy popujt tanë, në shekuj kanë jetuar në distancë njëri me tjetrin. Historikisht dhe nga ana gjeografike, shqiptarët janë ndodhur larg njerëzve të trevës ku u vendosëm ne, për të jetuar e për t’u shkolluar. Kemi qenë larg e të ndryshëm në të folur, në doke, zakone, mentalitete, psikologji, kushte të jetesës, praktika e vijë sjellje. E ndryshme ka qenë dhe gjuha e niveli kulturor i njerëzve të të dy vendeve. Distancave të largëta u shtohej pamundësia e kontakteve mes njerëzve dhe shkëmbimet e kufizuara kulturore mes tyre. Kësisoj edhe mundësia për të mësuar mbi mënyrën e jetesës, këngët, vallet, muzikën, veshjen, të ushqyerit, festat pagane dhe ato fetare të njëri – tjetrit, kanë qenë të kufizuara. Disa ikanakë nga Shqipëria, të cilët u vendosën e formuan komunitete homogjene, në hapësirat ruse e më tej, gjithsesi mbetën të izoluar, e u ndrydhën në guaskën e tyre, përballë atij ”deti” sllav, me prirje nacionaliste. Ata, kur janë shpërngulur nga Shqipëria, formuan enklava e kane meritën e patjetërsueshme që kanë ruajtur, aq sa kanë mundur, gjuhën dhe zakonet e vendit amë. Kjo është një shprehje konkrete e vitalitetit të shqiptarëve, të cilët edhe pse qindra vjet larg vendit të origjinës i kanë rezistuar asimilimit e kanë mbijetuar.
E përafërt ishte ajo që ndodhi me ne. Ishim aq të largët, me vendasit e papritur, një ditë u ndodhëm mjaft afër. Nuk them se mes nesh nuk kishte te veçanta por, mes nesh, ndryshimet esenciale sikur u ”fshinë” me fshesë e kohezioni nuk vonoi. Ishim te ndryshëm e papritur, në një ditë të mirë u gjendëm ”të njëjtë”.
Dhamë e morëm nga njëri – tjetri vlerat tona autentike. Tek vendasit gjetëm “veten” e ata panë tek ne, diçka nga e tyrja. Dikush më tha se këtë punë e ka bërë politika dhe ideologjia. Me këtë nuk jam plotësisht dakord. Më duket se kemi të bëjmë me një gjë që buron së brendshmi, jeton në shpirtin e njerëzve dhe qëndron gjatë brenda njeriut. Politika dhe ideologjia ndikojnë, patjetër, por në sipërfaqe dhe përkohësisht. Le ti referohemi praktikës tonë, të studentëve për pilotë, të Batajskut. Në regjimentin e shkollës tonë nuk ishim vetëm ne, shqiptarët, por kishte studentë nga Hungaria, nga Kuba, nga Vietnami dhe nga Laosi. Po të shtojmë mjaft ushtarë, nënoficerë e oficerë të republikave jo ruse, mund të them që kishim të bënim me një ”ujem” njerëzish, të ndryshëm. Politika dhe ideologjia, tek të gjithë ishte po ajo, me nuanca e individualitetet përkatëse por ato nuk ndikonin njëlloj tek të gjithë dhe qëndrimi i vendasve ndaj të huajve ishte i ndryshëm. Ne studentët shqiptarë, në marrëdhënie me vendasit ishim më të preferuarit e më të dëshiruarit. Përse ndodhte kështu? Ku e gjente frymëzimin qëndrimi miqësor i vendasve, ndaj nesh? Studentët e kombësive të tjera, ishin më të shkolluar, më të kulturuar (në veshje e në sjellje), kishin ardhur në atë shkollë mbasi kishin kaluar në kurse klubesh e aeroklubesh dhe e njihnin ajrin. Ishin, më në fund edhe më të kamur nga ne, e rusët e kishin muhabetin ”më të ëmbël”, me ne të vajturit nga Shqipëria.
Po të pyesje një të ri (të re) apo një të moshuar: çfarë dinte për Shqipërinë dhe shqiptarët, (këtë gjë e kemi përjetuar në takime e biseda të drejtpërdrejta), ata të përgjigjeshin, jo pa lëkundje në ato që pohonin, se: ”Ndoshta Shqipëria është njëra nga republikat e Jugut të Bashkimit Sovjetik, e mund të ndodhet në Kaukaz, atje ku banojnë popuj myslimanë”. Kur i kundërshtonim e i bënim me dije se vendi ynë ndodhet në Pellgun e Mesdheut e shtrihet përgjatë bregdetit të Adriatikut, e se në Shqipëri ka shumë diell, bashkëbiseduesit i shtohej kureshtja dhe pyeste, me çiltërsi për të mësuar diçka më tepër. Pra, Shqipëria dhe shqiptarët, për vendasit ishin thuajse të panjohur. Studentët për pilotë të cilët kishin jetuar e mësuar një vit para nesh, për arsye që do ti rendis më poshtë, kishin krijuar, më tepër një imazh negativ, i cili, siç dihet nuk kalon pa lënë gjurmë. Kësisoj kishim detyrë të dyfishtë, për të krijuar një imazh të ri, më të mirë, duke e paraqitur vendin tonë dhe veten, siç ishim në të vërtetë, duke e prishur atë shëmbëlltyrë të keqe e të pamerituar, që ishte e pranishme në përfytyrimet e vendasve për Shqipërinë e për shqiptarët. Me vendasit kishim disa pika të përbashkëta, të cilat na afruan e na miqësuan.
Sa u takon vendasve, mund të them se të gjithë njerëzit që ishin caktuar për të punuar me ne, në teori e në praktikë dhe atyre që ishin ngarkuar me krijimin e kushteve të jetesës, për ne, ishin të përzgjedhur me kujdes, bazuar në nivelin arsimor, kulturor, pedagogjik e psikologjik të tyre. Kuadrot drejtues të shkollës e të regjimentit, pedagogët, instruktorët e fluturimit, oficerët e thjeshtë, nënoficerët, madje dhe ushtarët ishin nga kualitetet më të spikatur të zonës. Pedagogët dhe instruktorët e fluturimit ishin njohës të mirë të pedagogjisë, psikologjisë, kishin kulturë të gjerë dhe dinin ta ndërtonin punën mbi bazën e kërkesave individuale të secilit prej nesh. Mbi bazën e njohjes të veçorive tona individuale, ata ditën të ruanin personalitetin e secilit, pa prekur krenarinë tonë, të dukshme. Mes nesh dhe mësuesve e kujdestarëve tanë u krijua një besueshmëri e ndërsjellët. Të dyja palët ishim të hapët me njëri – tjetrin, gjë që mundësoi shembjen e mureve të mosbesimit e dyshimit. Kjo na pëlqente neve; u vinte për hosh dhe atyre. Ma do mendja të pohoj se kjo ishte ajo që na afronte e na bashkonte me ta.
Në anët tona, që në kohët e lashta, ka qarkulluar një thënie e mençur, sipas të cilës: ”Një vjehrrë, e donte dhe e respektonte shumë nusen e djalit. Nusja, gjithashtu, jo vetëm e donte vjehrrën por ia përpinte çdo mësim të saj. Një ditë, nusja, e kënaqur që kishte mësuar mjaft gjëra, në atë shtëpi, i tha vjehrrës: rrofsh moj nënë që më mësove. Vjehrra u përgjigj: ”rrofsh moj nuse që më dëgjove”! Edhe mes nesh lidhja ishte e ndërsjellët. Prandaj, ata na mësuan e ne mësuam prej tyre. Mund të mos kishte ndodhur kështu, në qoftë se njëri do ti binte gozhdës e tjetri potkoit. Nga jeta jonë në atë mjedis do të zhvendos në kohë dy episode, të thjeshtë, por me kuptim, të cilët më kanë lënë mbresë e nuk mund ti harroj:
Në dhomën tonë të kulturës, ku qëndronte i vetmi televizor bardhë e zi, ne, studentët shqiptarë, po ndiqnim, në grup, një ndeshje futbolli. Luante skuadra e qytetit të Rostovit mbi Don, në përbërje të së cilës ishin, kryesisht lojtarë ushtarakë dhe emrin e kishte: ”Ska Rostova na Danu”, me një ekip të huaj futbolli. Rostovasit kishin ekip elitë dhe në përbërje të tij luanin futbollistë me emër si Viktor Ponjedjelnik, Oleg Karpov, etj. Futbollistët nga Rostovi mbi Don, po luanin më mirë e kishin shënuar. Rezultati ishte 1:0, për vendasit. Në atë kohë televizioni ishte në hapat e parë e nuk jepej rezultati, me titra, si sot. Në sallë u fut një oficer sovjetik, i cili pyeti: ”Si po shkon loja”? Mirë, i thamë ne, njëzëri, vendasit luajnë më mirë e kanë shënuar. Oficeri vazhdoi të pyeste: ”Si është rezultati”? Nuk m’u durua, u përgjigja menjëherë:”1:0, për tanët”! Oficeri sovjetik, siç duket e dinte që ne ishim të huaj dhe u habit kur dëgjoi përgjigjen time ”tanët”. Mbasi qëndroi edhe disa çaste me sytë nga ekrani, i habitur, por i kënaqur, buzëqeshi, tundi kokën, në shenjë habie, e duke u larguar tha: ”Mirë djema, u priftë e mbara”, e u largua i gëzuar. Jo vetëm nga rezultati i lojës së futbollit. Rasti tjetër është i përafërt por në role të kundërt me të parin.
Prisnim, në aerodrom të hidheshim me parashutë. Studentët hungarezë, të cilët u ngritën në ajër, për tu hedhur, para nesh, tek dera e avionit hezituan e nuk u hodhën. Data 15 prill e vitit 1961 nuk rezultoi me fat për hungarezët. Po vrojtonim nga toka, këtë eveniment, së bashku me mjaft ushtarakë të kombësive të ndryshme. Moshedhja e studentëve hungarezë shkaktoi zemërim e një farë revolte tek ata që prisnin të shikonin në ajër parashutat e tyre. Një oficer sovjetik, i cili nuk punonte me ne, por, siç duket ishte nga kuadrot që ishin caktuar për të kryer shërbimet e aerodromit, i revoltuar, u drejtua nga ne, shqiptarët e pyeti, pa ditur nga ishim: ”Po ju, tanët, a do të hidheni”? Njëzëri u përgjigjëm në gjuhën ruse:”Konjeçno, budjem prigat”!; thënie e cila në gjuhën tonë tingëllon: ”natyrisht që do të hidhemi”! Atëherë, ushtaraku sovjetik, duke u larguar mërmëriti, me urrejtje: ”Trusi, ispugalis, nje prignuli”! (dmth: Frikacakët, u trembën, nuk u hodhën”), e iku. Ky bashkëbisedim i shkurtër e spontan, sikur na dha zemër e ne, si ballkanas që marrim zjarr shpejt, krenarë e rrëmbyeshëm rrahëm gjokset e thamë: ”Do të na shikoni, si shqiponja mali do të fluturojmë, nga dera e avionit”! Dhe e mbajtëm fjalën, u hodhëm, një nga një, pa as më të voglin hezitim.
Nuk është e vështirë të nxjerrësh përfundime, qoftë edhe prej këtyre dy shembujve të thjeshtë. Për mua, ne me sjelljen dhe qëndrimet tona kishim fshirë kufijtë e ndryshimeve dhe, gjërat e tyre na dukeshin si tonat, sikundër problemet tona, shpesh i ndanim me vendasit. E kam fjalën për marrëdhëniet me njerëzit e thjeshtë mbasi, po ti referohemi qëndrimit të qeverive, ka plot fakte tronditëse, të cilët nuk dëshmojnë partneritet po të kundërtën. Në aerodromin e Batajskut, dergjeshin në shi e në diell qindra aeroplanë reaktivë të tipave MIG-15 BIS dhe IL-28 ( bombardues fronti). Ata edhe mund të përdoreshin, por Traktati i Varshavës i kishte zëvendësuar me aeroplanë të tjerë, më të sofistikuar. Notonin në bollëk ”aleatët tanë”; i copëtonin avionët edhe pse ishin të rinj e në gjendje pune, i sharronin e i dërgonin për skrap, ose u vinin flakën e pastaj thërrisnin zjarrfikësit, për t’u stërvitur. Ishin të kamur aleatët tanë e notonin në bollëk avionësh, por nuk kujtoheshin për vendin tonë, i cili, në atë kohë jetonte në ngushtësi mjetesh ajrore dhe bënin çudira gjatë shfrytëzimit të tyre. Shqipëria, në atë kohë kishte vetëm një avion bombardues dhe pilotët shqiptarë fluturonin me avionë të luftës së Koresë, disa nga të cilët, në vend të çelësave elektrikë kishin disa butona, ose kishin gjurmë predhash lufte. Aleatët tanë të kamur nuk i jepnin vendit tonë të varfër as ”të zezën e thoit”. Ç’të ishte vallë: ”Miqësi” me hile, armiqësi e pashpallur. Të tilla ishin marrëdhëniet mes dy qeverive. Nexhipi, Qirjakua, Novruzët, Mistoja, Guri, Sokrati, Kadriu, Hyqmeti, Ismaili, Raqi etj, ata që janë në jetë e ata që janë ndarë prej saj, me atë përkushtim të paparë për detyrën e lavdishme të teknikut të aeroplanit me siguri e kanë ditur dhe kanë qenë të ndërgjegjshëm kur i kanë përcjellë në ajër pilotët e pashembullt shqiptarë, me aeroplanë, tubat e të cilëve ishin të lidhur me ”ushkurë”, si dyfekët e luftëtarëve të lirisë, në Luftën e Vlorës, të vitit 1920 e në Luftën e Dytë Botërore.
Me njerëzit e thjeshtë të zonës ku u vendosëm, përreth Batajskut e në të dy brigjet e Donit, ku në shumicë banojnë kozakët, kemi disa cilësi të përafërta. Prandaj ata na donin e na respektonin. Dashamirës ishte dhe vendosja jonë ndaj tyre. Trimi e do dhe e respekton trimin, dhe kjo nuk vihet në diskutim. Janë historikisht të njohura cilësitë e atij populli ku çmohet burrëria, guximi e trimëria, besa dhe mbajtja e fjalës, bujaria dhe shpirti i sakrificës, qëndresa e vetëmohimi, etj. A nuk ngjajmë ne, me ta, në këto çështje? Zor se ndonjë me mend në kokë do ti kundërshtojë këto pika takimi. Unë e them, me bindje se vendasit na donin e na respektonin sikur të ishim të tyret dhe ne ndiheshim mirë midis tyre.
Duke diskutuar për këtë çështje, njëri nga miqtë e mi, kur e pyeta, si është e mundur që u ambientuam aq shpejt, më tha: ”Politika dhe ideologjia e kohës ishin të përziera keq në punët dhe jetën e njerëzve”. Deri – diku i jap të drejtë mikut tim, por jo për të gjitha çështjet. E them këtë, mbasi, në Batajsk e më gjerë, pashë me sy e fola goja – gojës, me njerëz të ndryshëm, të cilët jo vetëm nuk e donin por kishin urrejtje për regjimin Hrushovian dhe për udhëheqësin e tyre kokëzbathur. Mjaft syresh shprehnin hapët pakënaqësinë. Natyrisht, mes të përzgjedhurve të pushtetit të asaj kohe, disa prej të cilëve ishin caktuar të punonin me ne kishte njerëz, të cilët i qëndronin besnikë rrogës që merrnin dhe ”bukës së qeverisë”, por edhe mes ushtarakëve kishte jo pak të pakënaqur. Kapiteni Korzhenkov, majori Bondarev, majori Stepanov, gjenerali që qau kur pa në dhomën tonë portretin e Stalinit etj, nuk ishin të vetmit nostalgjikë të kohës së Stalinit. Disa prej tyre, në intimitet na thoshin: ”kujdes nga këta, se janë spiunë”! Edhe ne, 18 vjeçarët nga Shqipëria, atë emër të merituar u kishim vënë puthadorëve të regjimit.
Është i njohur fakti që popuj të ndryshëm kanë vlera të ndryshme. Ata i ruajnë vlerat e tyre, me xhelozi e nuk lejojnë njeri tua shkelë apo tua përdhosë. Njëherazi, ai që bart disa vlera kërkon partnerë të përafërt. Kuptohet, ekuivalencë të plotë në këto punë nuk mund të kërkohet. Banorët e Kaukazit të Veriut e të brigjeve të Donit gjetën tek ne njerëz të drejtpërdrejtë dhe të çiltër. Dredhitë, prapaskenat, intrigat, konformizmin, servilizmin e pocaqi të tjera të karakterit, ata nuk i pëlqejnë; prandaj na donin, ndoshta ca më tepër se studentët e vendeve të tjerë.
Me hungarezët, përveç problemeve të vjetra, si pjesëmarrja e reparteve hungareze përkrah ushtrisë hitleriane, kundër Ushtrisë të Kuqe dhe prejardhjes perandorake e cila kishte lënë gjurmë racizmi e race elitë, vendasit nuk pëlqenin ftohtësinë dhe fudullëkun e tyre. E thoshin hapët ata, (natyrisht, me ne ), se kolegët tuaj ( lexo hungarezët ), janë ”fritza”. Ne ishim të thjeshtë dhe kjo respektohej. Ata silleshin me fodullëk e kjo nuk shkonte tek ata njerëz. Në një gosti, ku në një familje ruse ishte i ftuar një student hungarez, si miku i vajzës të asaj familje, kur u shtrua tavolina, i huaji kërkoi thikë, të cilën e zonja e shtëpisë nuk e dispononte. U fye rëndë vajza, nga sjellja, pa takt e mikut të saj. Studentët hungarezë ishin djem të pashëm, visheshin me shije e me prerje elegante, ishin të kulturuar e korrektë por, ftohtësia e tyre nuk para ngjiste me tiparet e vendasve. Ndryshe ndodhte me ne shqiptarët.
Një ditë kishim dalë në qytet, për të shëtitur e për të blerë ndonjë gjë në dyqane. Dilnim me grupe 5 – 6 vetë se na kishin thënë që, në këtë qytet ka shumë huligane e keqbërës. Në fakt, të jem i sinqertë, nuk më zuri syri asnjeri të ngjashëm me ta. Mbaruam punë e do të ktheheshim në shkollë. Hipëm në një autobus urban, të mbushur plot me qytetarë. Shumë njerëz qëndronin në këmbë, të mbështetur pas njëri – tjetrit. Një burrë, me moshë e trup mesatar, na pyeti: ”nga jeni ju çuna”? Ne, gjithë krenari u përgjigjëm: ”Jeni nga Shqipëria”! Siç duket, i panjohuri dinte diçka për vendin tonë dhe vazhdoi arsyetimin: ”Dukeni ju, u shkëlqejnë sytë, si kokrra ulliri” dhe na tha: ”Davajtje rjebjata, poidjomdamoj u menja, budjem pit vodku, vi druzja maji” !Do përpiqem ta përkthej, fjalë për fjalë thënien e atij bujari: ”Hajdeni me mua djema, do të shkojmë në shtëpinë time, do të pimë vodkë, ju jeni miqtë e mi”. U lumturuam nga fjalët e tij dhe na gëzoi ftesa që na bëri. E falënderuam burrin e panjohur për bujarinë që tregoi e për vlerësimin që na bëri dhe e bëmë me dije se, e kishim të pamundur vajtjen në shtëpinë e tij atë ditë, për shkak se orari i daljes së lirë ishte sosur. E lamë për tjetër herë e miku ynë nuk kundërshtoi.
Ndodhinë me atë burrin e panjohur, në autobusin urban të Batajskut e përjetuam lumturisht dhe e çmuam seriozisht, si bujari, me shpirt. U ndjemë mirë, mbasi kishim gjetur ”shpirtin binjak” atje larg vendit tonë, ku bujaria mund të ketë shtëpinë. Na ftoi tjetri në shtëpi, të pinim e të qëndronim së bashku pa pasur ndonjë njohje, qoftë dhe të përciptë për ne. Një gjest fisnik bujarie. Në Shqipëri jo çdo njeriu i hapet dera e shtëpisë, pa e njohur e pa ditur asgjë për të. Ca më tepër kur ai është i huaj. Na besonte ai burri, prandaj na ftoi në shtëpi, me bujari. Ka dëgjuar, patjetër ai për karakterin e shqiptarit, ka vëzhguar dhe sjelljen tonë e i është mbushur mendja se jemi seriozë, të besës e të nderit, prandaj na hapi dyert e zemrës me dashamirësi. Si ky rast mund të numërojmë të tjerë, pambarim, por nuk është ky qëllimi. Të gjithë rastet, veç e veç dhe së toku, dëshmojnë se tek banorët e trevës ku u vendosëm po formohej një imazh i ri për Shqipërinë e për shqiptarët. Vendasit, na pranonin, siç ishim, pa mburrka e vetëlavdërime, besonin tek përsosmëria jonë e thjeshtë.
Faktor me vlera e me peshë, që ka luajtur një rol të fuqishëm për afrimin tonë me banorët vendas, ishte, padyshim lidhja e djemve shqiptarë, me vajzat ruse dhe të kombësive të tjera të asaj treve. Mosha e re dhe temperamenti ballkanas, ishin dy faktorë që e bënin të domosdoshme lidhjen e këtij lloji. Djemtë nga Shqipëria ishin simpatikë e të preferuar nga vajzat vendase. Gjykuar nga pamja e jashtme, shpesh vendasit na ngatërronin me gjeorgjianët dhe na pyesnin, pa të keq: ”Ju jeni gruzinë apo azerë”? Ne u përgjigjeshim shkurt e qartë: ”Jo, na ngatërroni, ne jemi shqiptarë”! Dhe nxirrnim gjoksin. Korrektesa në sjelljen tonë me vajzat e kishte rritur respektin dhe dashurinë për sojin tonë. Në Rusi e në republikat sovjetike, Lufta e Dytë Botërore kishte vrarë mjaft burra, të moshës më vitale dhe femrat mbetën në shumicë. Vajza që martohej ishte me fat ndër shoqet e saj. Ca më tepër kur ajo lidhej e përfundonte me një të huaj. Por nuk ishin të paktë rastet kur brenda dramës lindte një tjetër dramë. Disa djem premtonin shumë por nuk realizonin asgjë nga ato që premtonin. Shqiptarët ishin disi të ndryshëm. Ata, kur e jepnin fjalën, dinin dhe ta mbanin atë. Kjo e rriti reputacionin e bashkatdhetarëve tanë, në sytë e vendasve.
Kur flasim për marrëdhëniet me femrat vendase, kemi parasysh faktin që çdo vajzë e lidhur me një shqiptar, kur shkonte në familje apo në shoqëri e në punë, bënte propagandë për sjelljen e partnerit të saj. Formohej e përhapej shpejt opinioni i mirë, ashtu si dhe e kundërta. Nga shokët e grupit tonë nuk u kurorëzua asnjë lidhje vajzë – djalë, me martesë. Disa duan ta shpjegojnë me moshën tonë të re; të tjerë i mëshojnë faktit që ne qëndruam në atë shkollë për pak kohë. Të dyja qëndrojnë. Mendoj se këto nuk janë kryesorja. Më duhet të besoj se shokët e mi e kishin ndarë mendjen të ktheheshin në Atdhe, siç shkuan për studime e nuk u morën me pazare femrash, duke mashtruar e premtuar sa majtas djathtas. Ndonjë lidhje sporadikë që u krijua, ishte e çiltër dhe korrekte, pa mashtrime e premtime banale. Shokët e mi ishin bij të familjeve fisnike, të cilat nuk e kishin në gjak matrapazllëkun me femrat, por e dënonin çdo nëpërkëmbje të nderit të femrës. Edhe ndonjë ”mufkë” që u lëshua nga një shoku ynë, kur mbërritëm në Moskë se: ”Bëni qejf tani, se për këtë kemi ardhur”, mbeti si tullumbace, në ajër.
Gjuha shqipe nuk është e ngjashme me gjuhën e rusëve, përkundrazi. Por, ne shqiptarët e kishim më të lehtë ta mësonim Rusishten dhe e flisnim atë me theksin e nevojshëm e me elokuencë. Studenti i vitit të tretë për pilot Mikel Janku, i la pa gojë pjesëmarrësit në një ”miting” miqësie, me rusishten e tij brilante. Por Mikeli nuk ishte i vetmi nga shqiptarët, i cili e fliste bukur gjuhën ruse. Gjuha, sidomos kur flitet bukur është mjet efektiv i afrimit e miqësimit mes njerëzve. Kur shkuam në Batajsk, Rusishtja jonë, ”e çalë”, më tepër na pengonte të merreshim vesh dhe nga padija kishim raste keqkuptimi. Nën drejtimin e mësueses tonë të Gjuhës Ruse, durimmadhes Nina, brenda një kohe të shkurtër arritëm të komunikojmë lirshëm me rusishtfolësit vendas. Studentët e grupit tonë: Vaso Pesha, Minush Karalliu, Agim Ismaili, Dhori Zhezha, Pandeli Lëngu, Koço Biku etj, shumë shpejt mësuan ta flisnin Rusishten bukur e pastër.
Një vit para nesh, në shkollën e aviacionit për pilot, ishin një grup tjetër studentësh. Po ta themi me emrin e vërtetë, niveli kulturor, arsimor dhe edukata qytetare e tyre linte mjaft për të dëshiruar. Nga radhët e tyre ishin të paktë ata që kishin përfunduar shkollën e mesme, të plotë. Shumica kishin kryer ndonjë shkollë profesionale të profilit të ulët teknik, në degët: elektricist, mekanik, marangoz, hidraulik etj. Mes tyre kishte studentë me sjellje mjaft vulgare, si Selmani, Skënderi, Nazmiu, Dhimoua, etj. veprimet e të cilëve kishin lënë shijë të keqe tek opinioni shoqëror i atjeshëm. Na duhej ta shkallmonim këtë imazh e, në vend të tij të krijonim të tjera opinione, të shëndosha e të denjë për të përfaqësuar vendin e popullin tonë. Kishte dhe mes nesh individë të prapambetur si Xheviti nga Tragjasi, i cili, kur e pyesnin për portretin e Gorkit, të varur në mur, thoshte se është portreti i Stalinit. Gjithsesi ai ishte vetëm një përjashtim. Në grupin tonë kishte studentë si Minush Karalliu, i cili kishte lënë vitin e dytë të Universitetit, për t’u bërë pilot apo Roland Sofroni, i cili në orët e matematikës, në fazën përgatitore, nuk e kishte të vështirë të operonte me integrale e diferenciale. Në radhët tona nuk kishte asnjë student që të mos kishte marrë maturën. Edhe nivelin kulturor e kishim më të ngritur dhe edukatën më të shëndoshë. Të gjitha këto kushtëzuan sjelljen e shokëve tanë, e cila përmirësoi imazhin e shqiptarëve.
Shokët tanë, në forma të ndryshme u integruam në veprimtari kulturore dhe sportive, të cilat janë me efekte të pazëvendësueshëm popullarizimi e shoqërizimi. Në regjimentin e Batajskut, studentët e grupit të 6 – të dhe ata që fluturonin në helikopterët MI – 4e MI – 1, kishim formuar një grup artistik cilësor dhe me pjesëmarrje masive. Kompleksi i studentëve shqiptarë, i drejtuar me amatorizëm të pasionuar, nga studenti i vitit të tretë, korçari Aristotel Poga, ishte mjaft i pëlqyer. Kishim dhe solistë të mirë. Studenti nga Tirana Minush Karalliu, me këngën italiane: Marina, e cila në atë kohë ishte në modë, njihej e ishte i pëlqyer në të gjithë mjediset; si në shkollë dhe në qytet. Studenti i vitit të tretë nga Vlora, Luan Sinaj, me këngën e qetë ruse: Vjerish? Nje vjerish? gjithashtu ishte i duartrokitur e i mirëpritur. Populli ynë njihet si popull që e pëlqen dhe e kultivon këngën, e ne, nuk kishim si të bënim përjashtim. Këngët rreshtore që këndonim në grup, kur bënim shëtitjen e mbrëmjes, me rresht e hap rreshtor, ishin marciale dhe melodike. Pavarësisht se, në ndonjë rast e tepronim me tekstet e tyre, të cilët i vulgarizonim. Kur kalonim ne në qytet, me hap rreshtor dhe me këngë, kalimtarët ndalonin, kthenin kokën, dëgjonin me vëmendje dhe nuk ngurronin të bënin ndonjë elozhe, të rastit si: ”Vot, zdorovo pajut allbanci ! Malladjec”! Në gjuhën tonë, kjo thënie, e cila e ka brenda vlerësimin, do të thotë: ”Ja, sa bukur këndojnë shqiptarët ! Bravo”! Sipas vullnetit dhe veçorive të zërit, në mbrëmje, me grupe shokësh, shëtisnim nëpër rrugicat, në pull dhe këndonim këngë popullore të trevave të ndryshme, të cilat, gjithashtu pëlqeheshin. Në këtë drejtim, sjellja jonë ishte mjaft qytetare, e afruar me vendasit dhe kalonte e sfidonte studentët e kombësive të tjera.
Të rinjtë e Batajskut e të rrethinave, luanin futboll dhe kjo lojë ishte mjaft e preferuar prej tyre. Në vendin tonë, në ata vite, loja e futbollit ishte mjaft popullore dhe ne, e luanim bukur e me mjaft dëshirë futbollin. Nuk e teproj po të ve në dukje faktin që, disa studentë për pilotë si: Mikel Janku, Agim Nanaj, Roland Sofroni, Ethem Mehmeti, Vangjel Nasto, Sefedin Tomçini etj, shquheshin për lojë të bukur e korrekte, me top. Dy portierë i kishim mjaft cilësorë: Mikel Jankun, i cili, vite më pas mbrojti portën e ekipit kombëtar të futbollit, të vendit tonë dhe rezerva i tij ishte studenti i vitit të dytë, drenovari Mihallaq Nole. Ekipit tonë të futbollit nuk i dilte asnjë ekip, në tërë shkollën e aviacionit. Nga ky fakt, vendasit, të cilët e konsideronin veten të pamposhtur, në futboll, nuk ndiheshin fort mirë. Ekipi ynë i futbollit dilte gjithnjë fitimtar. Në sporte të tjerë, kualitetet tona ishin poshtë nivelit të partnerëve.
Ne vërtet nuk shkëlqenim në sporte të tjerë, si volejbolli, basketbolli, gjimnastika, mundja, atletika e lehtë, boksi, peshëngritja, noti etj. por edhe për to nuk na mungonte vullneti dhe inati. Si ballkanas, nuk na vinte mirë kur shikonim rezultatet e tyre, më të larta nga tonat. Ishte mjaft e lavdërueshme puna që bënë studentët Sherif Çelo Hajnaj (Bracki) dhe Bardhyl Kozma Lubonja, të cilët, me stërvitje intensive e punë këmbëngulëse, me nerv, arritën tregues cilësorë në garat e kërcimit së larti; madje përfaqësuan shkollën e aviacionit, në spartakiadën që u zhvillua në qytetin Jugor të Krasnodarit. U përfshiva në ekipin e garnizonit ushtarak që stërvitej në sportin e rëndë të peshëngritjes. Stërvitjen e zhvillonim kryesisht në orët e mbrëmjes, kur dhe studimin e lëndëve që kishim të nesërmen i kisha përfunduar. Trajner kisha një rus nga ata që i quajnë ”Bogatirë”, me gjatësi trupore rreth 200 cm e me peshë mbi 100 kg. Atë e quanin Vladimir dhe, për shkurt i thërrisnin Vollodja. Ky gjigand, me trupin tërë muskuj e flokë të verdhë, me një fytyrë të qeshur e tepër këmbëngulës, ngrinte të gjithë boshtin olimpik të shtangës. Në një festival që u zhvillua në pallatin tonë të kulturës, i përfshirë në ekipin që do të tregonte, kur pesha e trupit tim ishte 54 kg. në shtangë ishin vendosur 90 kg, aq sa mjaftonte për të marrë kategorinë e dytë të peshëngritësit, në hapësirat ruse. Mirëpo në skenën e festivalit bëra një numër, sa dramatik, aq dhe humoristik.
Kisha veshur një kostum shtangisti me ngjyrë të kuqe, i cili më pëlqente mjaft. I mbërthyer me rripa lëkure, të gjerë e të fortë, në bel e tek qafat e duarve, mbasi më prezantoi folësi, u afrova tek shtanga. E rrëmbeva hekurin, siç më kishte mësuar trajner Vollodja, e tërhoqa afër trupit dhe e çova, në gjoks. U mbusha me frymë, një çast, mblodha forcat dhe e shtyva shtangën lart. E çova peshën lart por nuk munda ta fiksoja. Nisa të vallëzoj nëpër skenë, me shtangën lart. Salla shpërtheu në gaz: trajneri im, prapa kuintave më tha: ”Ule shpejt, shtangën, se na fike”! Ashtu bëra, ula shtangën, më mirë të themi e përplasa në pedanë dhe u largova, i duartrokitur nga afërsisht 500 shikues. Me ndihmën e një shtangisti nga Odesa, i cili ngjante më tepër me një rul se me njeri dhe ishte shofer (ushtar) autoboti, të cilin e quanin Viktor, e unë shkurt e thërrisja Vitja, korrigjova disa defekte që kisha në peshëngritje dhe arrita tregues të mirë.
Ne shqiptarët, në ndryshim nga studentët e kombësive të tjera të shkollës, ishim fytyrëçelur, jo nursëzë e të ngrysur. Natyrisht, jo karagjozë, por seriozë e të pjekur. Ne krenoheshim me kombësinë tonë, në rrugë ecnim krenarë, me kokën lart e shikimin drejt, të kapardisur por jo mendjemëdhenj; as arrogantë. Një nga vlerat tona të padiskutueshme ishte sjellja korrekte dhe me dashamirësi, në publik. Kur dilnim në qytet, në Batajsk e në Rostov mbi Don, ishim tepër korrektë me njerëzit e i shikonim ata me dashamirësi. Uniforma jonë ishte si e vendasve gjë që në ndonjë rast na ngatërronte me ta. Shkonim në koncerte, asistonim në shfaqje të ndryshme, vizitonim qendra pune e prodhimi e në institucione shkencore vendase.
Një ditë shkuam në Spitalin e përgjithshëm të Rostovit mbi Don, vizituam dhe Institutin mjekësor, i cili ndodhej pranë të parit. Një student i mjekësisë performoi, në sallon, me një kitarë, një këngë të muzikës së lehtë, me një zë brilant. Pamë në një tip muzeu, në vazo, një tumor, me peshë 250 gr, të cilin e kishin nxjerrë me operacion nga koka e një vajze 18 vjeçare, e cila punonte në uzinën ”ROSTSELMASH” të qytetit. Vajzën nuk mundëm ta shikonim por, siç na thanë mjekët që e kishin operuar, vajza, dy javë pas operacionit, kishte shkuar në punë. Mandej na çuan në një sallë ku dergjeshin, të shtruar, pacientë, të moshave të ndryshme. Të gjithë, absolutisht, të gjithë mbanin në duar nga një libër dhe lexonin. Lexojnë shumë rusët. Ata, ndoshta janë nga popujt që lexojnë më tepër. Femrat, në çantat e dorës, përveç sendeve të tjera vetjake, mbanin, domosdoshmërish një libër; meshkujt, në xhepa kishin një libërth xhepi. Dhe nuk i mbanin më kot: kur u jepej rasti, madje ne radhe, në tren, në trolejbuz etj, nuk e kalonin kohën kot por nxirrnin librin dhe lexonin. E krahasonim me gjendjen në vendin tonë, këtë dukuri e bënim të habiturin. Leximin e librave e kishin pjesë të edukatës qytetare ata njerëz, në dukje të ”leshtë”.
Daljet në qytet i shfrytëzonim për të njohur vendin dhe për të na njohur vendasit. Silleshim mirë, në mënyrë të qytetëruar, respektonim rregullat e lëvizjes nëpër qytet dhe ishim dashamirë me njerëzit e të gatshëm për t’u ardhur në ndihmë atyre. Kontaktet e shumta me vendasit na kishin shtuar reputacionin tek vendasit të cilët na shikonin ngrohtë. Edukata që na kishin dhënë familjet tona, e donte që ne, të rinjtë të respektonim më të moshuarit. Sipas traditës tonë, (nuk ka rëndësi nëse ishte fshatareske), kur vinte një më i moshuar, më i riu çohej, në këmbë, në shenjë respekti. Këtë vijë të sjelluri ne e respektonim, për hir të traditës dhe praktikës tonë, e kjo u bënte përshtypje të mirë vendasve. Në qytezën ku banonim, në rrugën kryesore, në Veri të saj ishin ndërtuar disa shtëpi banimi, me 3 – 4 kate. Në këto banesa ishin strehuar kryesisht pensionistë, ish ushtarakë, të rangjeve të ndryshëm. Ata i kishin dhënë vendit, jetë, nga jeta e tyre e tani shijonin pleqërinë. ”Vdisnin”, për të veshur uniformë ushtarake. Vetëm gradat nuk vinin dhe kjo i dallonte nga oficerët aktivë. Shumicën e kohës e kalonin duke luajtur kazjoll ( një lojë në domino, të cilën e fiton ai që mbyll lojën duke vënë dopio gjashtën. Këta veteranë ishin njerëzit më të dashur e më të respektuar tanët, gjë që atyre u pëlqente mjaft.
Së fundi, shkolla jonë ndodhej në një rajon jugor të Bashkimit Sovjetik, në Kaukazin e Veriut. Popullsia e vendit, për arsye që dihen, ishin nostalgjikë për kohën kur udhëhiqte Stalini dhe për atë vetë. Meqenëse, në Shqipëri, edhe pas Kongresit të XX të Stalini u dënua me vonesë dhe sa për sy e faqe, vendasit besonin se ne ishim nostalgjikë, si ata, prandaj afroheshin me ne. Në të vërtetë, ne mbanim anën e tyre jo për të mbrojtur Stalinin, por për të treguar se ishim kundër politikës që ndiqte Hrushovi kundrejt vendit tonë, e në tërësi, ndaj problemeve të kohës.
Jetuam e u stërvitëm në atë vend, në një situatë mjaft të vështirë, për dy vendet tanë dhe popujt e tyre, kur marrëdhëniet shtetërore ishin në ”thikë e në pikë”. Koha e qëndrimit tonë atje nuk qe e gjatë por e mjaftueshme për të dhënë e për të marrë. Dhamë atë që kishim, vlerat më të mira të popullit tonë, mjaft nga të cilat përkonin me vlerat e tyre më të mira. Pra; dhamë e morëm, lamë atje një pjesë të rinisë tonë. Ato që dhamë ishin të natyrshme, të thjeshta, pa bujë, me dashamirësi e sinqerisht. Mësuam teorinë dhe praktikën e fluturimit. Kjo ishte në radhë të parë, por jo e vetmja. Ne mësuam disiplinën ushtarake, të cilën rusët e kanë në gjak, mësuam nga kultura e tyre, mësuam si të ushqehemi shëndetshëm, si të ushtrohemi në sporte të ndryshëm, deri dhe si të ecim në rresht e me hap rreshtor. Ndonjëri nga ne, edhe pse jashtë natyrës të moshës e traditës mësoi dhe përdorimin e alkoolit, ( i kufizuar në pak njerëz).
U larguam nga Bashkimi Sovjetik ashtu siç nuk do ta dëshironim; me ultimatum, siç nuk duhet të ndodhë mes njerëzve që e respektojnë identitetin e njëri – tjetrit. Kur u ndamë, një shoku ynë, pa u thelluar, i tha instruktorit të vet:”Dosfidanije, na frontje”!Instruktori, me qetësi e pjekuri reagoi me fjalët:”Nje daj Bog; tolko etovo nje mozhet bit”! Koha vërtetoi drejtësinë e mendimit të instruktorit. Po ti përkthenim në gjuhën tonë këto ”batuta”, do të kishim këtë panoramë: Studenti, në shenjë lamtumire i tha mësuesit të tij: ”mirupafshim në front”; kurse tjetri, si më i pjekur u përgjigj: ”Mos e dhëntë Zoti, vetëm kjo nuk mund të ndodhë”! U larguam nga ai vend e nga ata njerëz, jo me dëshirën tonë, as të njerëzve të thjeshte rusë, por të detyruar, në mënyrë ultimative, duke e ndërprerë në mes ëndrrën tonë rinore, fluturimin, për të cilin kishim marrë atë udhë të largët. Ishim me fat që nuk e lamë rrugën në mes. U gjetën shtigje të rinj e ne, pas kthimit në Atdhe, më 16 shtator të vitit 1961 e vazhduam realizimin e aspiratës tonë, në kushte të tjera. Është e kuptueshme që kushtet nuk i kishim si ato që lamë por për ne kryesorja ishte të vazhdonim të fluturonim dhe kësaj ja mbërritëm. Secili prej nesh, natyrisht e kujton me nostalgji e me dhimbje atë kohë të ”artë” që kaluam në atë vend, të rrethuar nga një përkujdesje e shtuar, por, siç thonë krutanët e hershëm: ”Të mbajtë jotja”!