Lamtumirë Elmas Hadër Hasamataj!

Lamtumirë,  o  njeri  i  mirë!

Të  qoftë  i  lehtë  dheu  i  tokës  mëmë!

lamtumire-elmas-hasamataj

Të nderuar pjesëmarrës!

Ardhja juaj, në këtë ceremoni mortore është  nderin tuaj dhe e lehtëson dhimbjen që la pas kjo humbje e madhe, e  cila la pas mjaft brengë e lot. Ju shpreh mirënjohje, në emër të veteranëve të aviacionit  dhe Shoqatës së Aviatorëve.

Elmasi u lind në Smokthinë të rrethit të Vlotës, më 18 shkurt të vitit 1928; në një familje tejet atdhetare, me histori luftarake. Akoma i parritur, ai hodhi në krah pushkën partizane e doli malit, për liri. Pas çlirimit të vendit, kreu shkollën ushtarake “ Skënderbej” e më pas studioi në Novosibirsk, për pilot bombardues, së bashku me Qemal Mërtirin; Hektor Lakon; Goxho Kondin; Flamur Mickaj; Haki Jupasin etj. Fluturoinë disa tipa aeroplanësh gjuajtës-bombardues, përfshi dhe Migun – 15 Bis.

Elmasi kreu Akademinë e Aviacionit, në Moskë dhe shërbeu, për gati 20 vite, në detyrën e nderuar të Shefit të Shtabit të Aviacionit . Në vitin 1959, lidhi martesë me fisniken Kano, me të cilën lindën 2 fëmijë, të cilët janë të nderuar, kudo ku punojnë e jetojnë.

Elmas Hasamataj do të kujtohet si njëri nga kontributorët më në zë, për konsolidimin dhe rritjen e aviacionit shqiptar. Ai, në vite, pikoi gjithë diturinë dhe përvojën e fituar, në fushën e organizimit e të drejtimit të aviacionit tonë. Figura e pastër e tij, të bënte me turp. Cilido që punoi e jetoi pranë tij,  do ta kujtojë Elmasin, si një njeri pa vese, të zgjuar e të mënçur, me takt e shumë miqësor; i qeshur,  hokatar, të sinqertë e të shkuar, me të gjithë, parimor e i përkushtuar në detyrë, i gatshëm për të ndihmuartë tjerët; mik i të gjithëve dhe familjar i përkryer.

Për të nderuar kujtimin e tij, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje!

Ipaharruar qoftë kujtimi i tij; të rrojnë e ta kujtojnë ata që la ëas!

Në Tiranë, më 26 tetor 2016-10-30

Shkroi e lexoi Niazi Nelaj

Shënim: Kjo fjalë u mbajt në ceremoninë funebre për të përcjellë, në banesën e fundit, pilotin në pension Elmas Hadër Hasamataj (N N).