Tafili u lind në fshatin Komar të rrethit malor të Tepelenës, më 10 janar të vitit 1950.Ai ishte fëmija i parë i familjes të përbërë nga 5 motra e 2 vëllezër. Familja dhe te afërmit e Tafilit, u lidhën ngushtë e qysh në fillim me Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, duke u bërë pjesë aktive e saj.Pushtimi fashist i vendit, më 7 prill të vitit 1939, preku thellë ndjenjat atdhetare të familjes, fisit dhe rrethit miqësor e shoqëror të Niazi Agajt. Lexo të plotë
Monthly Archives: August 2015
Njeriu që ta rrëmbente punën nga dora
Është fjala për një njeri, specialist i mirëfilltë në fushën e aeronautikës me kontribute të jashtzakonshëm në aviacionin shqiptar, sa i takon përgatitjes te pilotëve. Emrin e tij e dinë gjithë ata që kanë kaluar nga startet e shkollës së lartë të aviacionit dhe janë diplomuar pilotë,puro shqiptarë. Të gjithë ata që e njohin Kostandin Sadikaj, i heqin kapelen, atij burri, për punën e jashtzakonshme që ka bërë, për shumë vite, në kabinën e aeroplanit dhe për karakterin e sjelljen e tij të pakritikueshme.
Kostandini, sot mbushi 80 vjec. Nuk mjafton vetëm urimi: “ ta ketë jetën të gjatë”, në këtë përvjetor , i cili , sikur nuk më ngjan me përvjetorë të tjerë.. Me nje urim, sido të jetë ai, nuk besoj të shprehet ajo mirenjohje, e pakufishme që ruajnë, specialistët e ndryshëm , fluturues e jo fluturues, ata qe kane kaluar nga dera e ” shtrungës ” së tij, të nderuar, të cilët vërshuan e mbushën radhët e reparteve të aviacionit.
Kostandini i takon brezit të pilotëve që është vendosur në ” mesin e artë ” të prurjeve të pasluftës së dytë botërore. Ai u bë pilot gjuajtës- bombardues, në Shkollen sovjetike te aviacionit, të qytetit të Borisoglebsit, qarku i Voronezhit, në ish Bashkimin Sovjetik. Shkolla ku studioi Kostandini, mbante emrin e pilotit të lavdishëm të viteve ’30, të shekullit të kaluar- “ Heroit të Bashkimit Sovjtik”- Valerij Çkallov. Në atë shkollë jepnin mësim pedagogë në nivele akademikësh dhe u mësonin fluturimin studentëve për pilotë,instruktorë me përvojë, mjeshtër të fluturimit si Safronov, Glinka etj. Shokë grupi të Kostandinit ishin: Mustafa Çiçi; Kapo Selmanaj ; Dalip Shabanaj; Avdi Gjonmemaj; Naun Todo dhe Nehar Jazexhi.
Katër vjet i vazhduan studimet, për pilotë, djemtë nga Shqipëria, të ardhur në këtë shkollë të ndierë në hapsirat sovjetike , për të mësuar aeronautikën, Kosta dhe shokët e tij të grupit. Atje fluturuan, në startet dhe pistat e shkollës së Borisoglebskit, studentët shqiptarë, në avionët e lehtë mësimorë, me helikë- Jak-18A dhe më pas, në ata reaktive; Mig-15, në të dy variantet; fillimisht në sparkë, me instruktorin në kabinën e dytë e , më pas , në avionët luftarakë të këtij tipi- Mig-15 Bis.
E nisën shkollën për pilotë, në vjeshtën e vitit 1956 dhe e perfunduan atë në fundvitin 1959. Në shkollë, kostandini dhe shokët e tij të grupit, plotsuan programin e plotë të fluturimeve, sipas Kursit të përgatitjes së pilotëve gjuajtës-bombardues, përfshirë dhe përdorimin luftarak (kapjet, sulmet tipike, luftimin ajror, qitjet me top dhe bombardimet) me aeroplanin Mig-15 Bis. Në përfundim të shkollës, ata udiplomuan pilotë gjuajtës- bombardues.
Në fundvitin 1959 pilotët e sapoardhur në Atdhe, u titulluan oficerë, me gradën e nëntogerit dhe u emëruan në të vetmin regjiment luftarak që kishte aso kohe vendi ynë, në Qytetin ” Stalin”. Ata u bënë pjesë e skuadriles ku komandonte piloti me pervoje, kolonjari Koço Andoni. Kostandini, dallohej ndër shokët e tij, për teknikë pilotimi të pastër, metodikë dhe aftësi për t’u transmetuar të tjerëve,ato që dinte vetë, prandaj u përzgjodh për të qenë instruktor i teknikës së pilotimit, në Shkollën e Aviacionit. Me kthimin e detyruar, nga shkollat sovjetike të aviacionit të stiudentëve për pilotë, kryesisht të grupit të Batajskut, në shtator të vitit 1961, një grup pilotësh, të regjimentit ” Peza”, të Qytetit ” Stalin”, ku ishte efektiv Kostandini, nisën përgatitjen për të fluturuar nga kabina e dytë, në rolin e instruktorit.
Koleget e tyre Sokrat Prifti; Agim Spahiu; Hamdi Arapi etj, kishin qenë instruktorë, me grupin e studentëve ku ndodhi katastrofa ajrore e Jovan Kacorrit, e cila u bë shkak për mbylljen e shkollës tonë të aviacionit. Por, kur u kthyen, të detyruar, pa përfunduar programin, studentët, për shkak të numërit të madh të tyre, rilindi nevoja e u krijua mundësia për të nisur serish fluturimet, në shkollë. Kësisoj u formua skuadrilja e tretë e regjimentit dhe Kostandini u caktua instruktor; së bashku me Salih Dibrën, Sokrat Priftin; Telo Dedin; Fazlli Begën etj. Fluturimet, në stinën e lagësht zhvilloheshin në aerodromin e betonuar të Qytetit “Stalin”, kurse në verë, kur stina ishte e thate, eshelloni tokësor dhe ai ajror shpërnguleshin në Poro. Ne vitin 1963, kur në Poro fluturuan djemtë e grupit te Koço Bikut; Bardhyl Lubonjës; Roland Sofronit; Petraq Koroveshit; Bahri Përmetit; Stillo Mëlicës etj. Kosta ishte zv/komandant i skuadriles. Instruktorë të teknikës së pilotimit ishin: Mustafa Çici; Mahmut Hysa; Bardhosh Hasanaj; Azbi Seranaj dhe komandant i skuadriles – Salih Dibra.
E kam njohur Kostandinin nga afër, në punë të përbashkët.E kam patur shok, koleg, mësues,frymëzues dhe kritik dashamirës. Nëse mund të qepeshin, e të formonim një varg, të vetëm, me fjalët e mira që meriton Kostandini, them se vargu do të ishte i pafund. Po të mundja, këtë gjë do ta bëja, me shumë dëshirë për Kostandin Sadikaj. Një miku im, kur lexoi opinionin tim, për Kostën, shfaqi rezerva për njohjen time me të. Ai ka të drejtë, mbasi ka punuar më gjatë me Kostën. Por unë, mund të provoj se edhe aq sa kam punuar unë me atë njeri, është plotësisht kohë e mjaftueshme, për të thënë, me kurajo, ato gjëra që kam pikasur në portretin e tij. Nuk thonë mëkot në anët tona se : “ Dita e mirë duket që në mëngjes”. Kush e njeh më mirë Kostandin Sadikaj, është i lutur të shkruajë e të dëftojë ato që di.
Po i mëshoj fort një cilësie e cila bën beli e nuk ka nevojë për komente. Kostandini është njeri i punës, jo i fjalëve pa bukë. Me këtë dua të theksoj, e përsëris, të theksoj, se punët e shumta e të vështira në skuadrilen reaktive të shkollës së aviacionit, ku ishte kostandini zëvëndës komandant dhe që nga viti 1975 deri në kohen kur doli në pension ishte komandant të gjitha punët i bente ai dhe mbanin firmën e tij. Aftësitë teknike, organizuese e drejtuese të Kostandin Sadikaj , ishin të dukshme , të kapshme mbasi veprimet ai i kryente ne sy të të gjithëve.Në ajër, Kostandini ishte absolut. Pastërtia e tij në pilotim të bënte të skuqeshe. Ai i ngjiste shigjetat, kur ishte fjala për të dëftuar një figurë pilotazhi apo një kompleks figurash.
Nuk e teproj, aspak, po të them se Kosta, ishte një metodist i rrallë. Ai nuk të linte të largoheshe nga përgatitja për fluturim, ai njeri, pa ti zbërthyer e argumentuar të gjithë elementët e ushtrimit që do të plotsoje në ajër, një nga një e në tërësi. Kosta kishte një veçori, të cilën rrallë e gjen tek të tjerët. Ai ia transmetonte studentit, thuajse 100% të atyre që dinte vetë. Kjo është dhunti, tek njeriu, ajo nuk mësohet në shkollë apo me të thëna.Këtë dhunti të çmuar, Kostandin Sadiku e zoteronte në perfeksion.
Tek Kostandin Sadiku kam parë një pilot, i cili, në çdo punë e për çdo rast udhehiqte, me shembullin vetjak. Jo se nuk i dinte ai njeri pehlivanlleqet dhe shkeljet e disiplinës ajrore që mund të lejonte një pilot, kur ishte në kryerjen e detyrës ajrore. Por Kostandin Sadikaj, gjithnjë mbante parasysh se ishte mësues dhe, si i tille e kishte të qartë detyrën për të qenë model , ose pasqyrë , tek nxënësi i tij. Kostandini kishte kuptuar se detyra e tij ishte tu mësonte nxënësve anën më të mirë të çështjes; në rastin tonë- të fluturimit.
Kostandin Sadikaj ishte kundërshtar i papajtueshëm me megalomaninë. Ai nuk e duronte dot kapardisjen, autoritetin falso e të tjera vese që e cënojnë figurën e një piloti. Ai gëzonte respektin e të gjithë atyre që mësonte dhe të vartësve, në tërësi. Autoriteti i tij ishte i padiskutueshëm, por ai ishte nje autoritet tjeter, i vullnetshëm, jo i imponuar. Autoriteti i Kostës kishte në themel qëndrimin e tij dinjitoz; figurën e tij të pastër. Çdo njeri ka huqet dhe veset e tij. Eshtë mirë të mos i ketë ato; por kjo nuk bëhet me urdhër. Nëse do të kërkoje një njeri të pastër në karakter; pa izma e vese të këqija, ky ishte, pa frikë se mos turpërohesh; Kostandin Sadikaj. Udhëheqja me shëmbullin vetjak ishte tipari dallues i tij. I përpiktë në zbatimin e kërkesave të instruksioneve e rregulloreve ushtarake e të fluturimit; njeri i sakrificës dhe i shkrirë me masën. Kostandin Sadikaj është modeli i njeriut të edukuar, të kulturuar e të qytetëruar. Po të doni polemizojmë:Jam i gatshëm në çdo kohë, ta bëj këtë. Më gjeni një tjetër pilot, instruktor, që të ketë rezistuar aq gjatë në kushtet e fluturimeve e të jetesës në aerodromin fushor te Poros? Unë e them , me kompetencë seata janë të rrallë.Po te pyesësh në repartet e aviacionit, ( e kam fjalën për të kaluarën se e tashmja nuk ngjan me të ), pilotët do të të rrefejnë se ata i ka mësuar për të fluturuar Kostandin Sadikaj dhe Ahmet Zogu.
Thjeshtesia, është një tipar tjetër i qënësishëm i Kostandin Sadikaj. Shikoni sa interesante është kjo çëeshtje: Kush nga ju e ka ditur qe Kosta, sot kishte ditelindjen? Mesiguri askush. Po përse ngjet kështu? Se Kostandin Sadikaj është njeri i punës dhe nuk ka nevojë ti bëjë reklamë vetes. Ai vështron punën dhe puna flet për atë. Dua të ve në dukje dhe nje tipar tjetër të tij; vetem mos u bezdisni nga fakti se problemi është folur e përfolur dëndur. Kosta e donte shumë avionin dhe fluturimin. Ai e kishte bërë moto të punës së tij, mësimin që na dhanë instruktorët e fluturimit , dikur, të cilët nënvizonin se : ” Aeroplani nuk të njeh; qofsh ti kush të duash; ai të kërkon të jesh korrekt me zbatimin e ligjeve të shkencës së fluturimit dhe kërkesave të rregulloreve e instruksioneve.Kush e ka njohur Kostën, në praktikë, mesiguri ka parë tek ai një “shtojcë” të instruksionit të teknikës së pilotimit. Nuk të falte Kosta, kur bëhej fjalë për të zbatuar një rregull. I lumtë për vullnetin, këmbënguljen dhe durimin që ka. Në përfundim, mund të them se: tek Kostandin Sadikaj kam parë një mësues, me M të madhe, i cili ia kushtoi jetën aviacionit reaktiv, në ato kushte të vecanta, tejet të vështirë, për të mësuar, siç duhet djemtë e zgjedhur të popullit, të cilëve u ishte besuar të ngjiteshin në lartësitë e qiellit tonë!
Kostandin Sadikaj, sot mbushi 80 vjec. Ka fluturuar gjatë, në aeroplanët reaktivë, në detyrën e vështirë të instruktorit dhe është ndarë me detyrën, për shkaqe thjeshtë fizike, i nderuar e i respektuar nga të gjithë ata që e njohin. Uroj, nga zemra, që Kostandin Sadikaj të jetojë gjatë, sa të dojë vetë e sa të duan të tijët! Rëndësi ka shëndeti dhe vitaliteti, por dhe begatia, nuk është pa gjë. Kostandini i mençur, siç edukoi e kaliti breza të tërë pilotësh, ka edukuar me së miri femijët e tij, të cilët janë të nderuar e të respektuar në komunitetet ku jetojnë. Rasti i Kostandin Sadikaj mund të jetë unik, jo vetëm tek ne, por dhe më gjerë. Lavdia u takon atyre që u bënë shtrat për t’u ngjitur, në lartesitë e njohura, të paimagjinuara më parë!
Shkurt 2015
Punoi Niazi Nelaj