Jeta e njeriut i përngjan një gare vrapuesish në një pistë vrapimi, me pengesa. Atletët garojnë me njëri-tjetrin, për të mbërritur në finish sa më parë të jetë e mundur. Në udhën e jetës, njeriu nxiton e vrapon,për të mbërritur diku e për të arritur diçka. Rrugëtimin, ai nuk e përshkon i vetëm. Në krah të tij garon fati, i cili i bëhet shok e mik dhe e përcjell e i vjen në ndihmë ose i bëhet pengesë duke ia bërë udhën të vështirë, në mos të pamundur.
Në praktikë kanë ngjarë të dy rastet; si atëherë kur fati, i ndodhur në anën e protagonistit ia ka bërë të lehtë çështjen e arritjes të synimeve dhe në ndonjë rast, si ky që do tju rrëfej, kur fati e ka braktisur bashkëudhëtarin, në një kohë kur ai nuk e priste dhe, pa e prekur si duhet synimin e jetës së tij. Shumëkush, mund të nxitohet e të thotë: “ Fatin, si ta kërkosh; e gjen”! Atij mentari që e gjykon kësisoj gjënë, duke u mbështetur tek përvoja e tij e jetës, i jap të drejtë, por kam dhe ndonjë rezervë. Jo në çdo rast ngjan kështu. Pjesëmarrësit në një garë, siç është jeta e njeriut, vërtet e nisin vrapimin në të njëjtit kushte, por rrugëtimi, nuk u ecën, të gjithëve njëlloj. Disa ecin, e ecin, teksa të tjerë ngecin e pësojnë atë që nuk e dëshirojnë.
Rasti, të cilin dua tju rrëfej, ka të bëjë me një njeri, me shumë vlera, i cili, me vullnet e këmbëngulje, kapërceu kufizime e pengesa, arriti të bëhej pilot, por që fatin nuk e pati përkrah e në ndihmë dhe jeta e tij u pre në mes të udhës, tok me ëndrrat që kish thurur. Bëhet fjalë, për të vetmin pilot, nga fshati Krahës i Tepelenës; Nazif Halit Dokaj, me një jetë modeste por tejet interesante.
Kur vendosa të bëj këtë shkrim monografi, me nxitjen e Shoqatës Atdhetare të Krahësit të Tepelenës, kisha parasysh, ti ngre një “ lapidar” atij djali akoma të parealizuar, në mënyrë që të njihet nga ata që nuk e kanë njohur dhe të mos harrohet, prej atyre që e kanë ndeshur , në udhën e jetës. Në rastin që do tu rrëfej, harrimi është mjaft i rëndë e i pamerituar. Prandaj nuk e dëshiroj të ndodhë, në përgjithësi e ca më tepër tek heroi i këtij rrëfimi.
Nazif Halit Dokaj, u lind në fshatin Krahës i Sipërm i rrethit të Tepelenës, më 12 shkurt të vitit 1950. Prindërit e tij, vinin nga dy treva të ndryshme të rrethit. Nënë Dilikua ishte bijë në fisin Memaj të fshatit Xhaxhaj kurse i ati, Haliti ishte nga fshati Matohasanaj, i cili i përket krahinës së Lopësit, po i rrethit të Tepelenës. Haliti, la fshatin e lindjes, e u vendos në trojet e dajos ( vëllait të nënës) në mëhallën Demaj, të fshtit Krahës i sipërm. Dajua i tij quhej Hamza Sheme Dokaj. kur u vendos në Krahës, ai la mbiemrin e origjinës – Rroshaj dhe mori mbiemrin e dajos- Dokaj. Në Dokaj u lind e u rrit Nazifi, heroi i këtij rrëfimi.
Ma do mendja, babai i Nazifit përzgjodhi për të banuar Krahësin, i shtyrë, jo vetëm nga dashuria dhe respekti për të tijët, por dhe i mikluar nga klima e butë, mesdhetare dhe natyra e bukur e bujare e kësaj treve. Në Krahës rritet e jep prodhim të begatë ulliri e mjaft pemë të tjera, të cilat vegjetojnë në klimën e butë mesdhetare të fshatit. Prodhimet e arave dhe bimët e tjera, në Krahës, gjithashtu janë të begata. Blegtoria dhe gjëja e gjallë, në këtë trevë, kanë kushte të përshtatshme për tu rritur e për tu shumuar. Mbase duhet thënë se edhe njerëzit që e rrethuan Halitin, në trojet e dajove, e trajtuan atë si nipin e tyre, me kujdes e dashamirësi dhe e rrethuan me respekt të merituar.
Halit Muka një njeri i zgjuar, i edukuar e me kulturë, u bë një tregtar i vogël, i nderuar e i respektuar, nga gjithë fshatarët e Krahësit. Banorët vendas çmuan natyrën e ëmbël të personalitetit të tij; fjalën e mënçur e të gjetur, ndershmërinë dhe dashamirësinë e tij. Në shtëpinë e re, kur u bë për nuse, të tijët e martuan me fisniken Diliko, nga një familje e njohur dhe e nderuar, jo vetëm në fshatin e saj, në Xhaxhaj, por dhe në tërë trevën përqark. Martesa e tyre, pruri në jetë katër fëmijë: Djalin e madh- Xhelon ( ndjesë pastë; Nazifin, djalin e dytë ( ndjesë pastë); Përparimin dhe të vetmen motër- Havakon e cila mbante emrin e nënës së Halitit.
Nazifi e kaloi fëmijërinë, në fshatin e lindjes, pranë dy prindërve të mirë dhe vëllezërve e motrës, si dhe në shoqërinë e ngushtë të bashkëmoshatarëve të tij, të cilët i donte, si vëllezërit, e ndahej prej tyre vetëm kur i duhej të flinte. Kam qenë me fat që takova e bisedova, gjatë, me njërin nga bashkëmoshatarët e Nazifit, mësuesin në pension Shaho Zeka; vjeç 66, i cili më rrëfeu disa “ perla”, nga jeta e heroit tonë, pa të cilat, mesiguri do ta kisha të vështirë ti dija e ti shkruaja këto hollësi.
Shtëpia ku u lind e u rrit Nazifi, ishte një banesë e zakonshme fshati, përdhese, e ngritur në anë të përroit të Rripës të Selës , afër atij të Mamushtrovës. Shtëpia e prindërve të tij, ishte e thjeshtë, me mure të gurtë, e mbuluar me pllaka guri, të zeza; pa tavan dhe e pasuvatuar, si të gjitha banesat e fshatit të tij. Vite më vonë, shtëpisë të vjetër, pinjollët e familjes Dokaj, i shtuan edhe një kat dhe ndërtuan shkallë guri, nga jashtë. Para se të hidhej kati i dytë i shtëpisë, familja e xha Halitit shfrytëzonte për të gatuar një kasolle, me mur guri, të mbuluar me kashtë, e cila ishte pranë shtëpisë. Arishta e familjes ( bahçeja) ishte e pozicionuar me vështrim nga Jugu e nga Jug-Perëndimi. Atë e “ rrihte”, thuajse gjatë gjithë ditës dielli i Jugut gjë që favorizonte kultivimin, me rendiment e cilësi të mjaft pemëve e bimëve që kërkonin shumë ditë me diell.
Në atë faqe vargkodrash gjallonin ullinjtë, prodhimtarë e të shijshëm, shegët, ftonjtë, fiqtë, arrat, bajamet, kumbullat, manat, madje dhe thanat. Nga drurët pyjorë, në shumicë ishin përralli, lofata, koçimarja( diçka më larg), ndonjë bredh apo pishë. Mjaft të përhapura ishin ferrat, drizat, xana, bexga, paliçja etj. Familjarët, në ekonomitë vetjake, mbanin kuaj, gomerë e ndonjë mushkë. Lopë me qumësht kishte në çdo çdo shtëpi. Si bagëti të imëta, më të preferuarat ishin delet, kurse, nga shpendët, me shumicë të zinte syri pulat e detit, të cilat, në Krahës janë mjaft të shijëshme, për shkak se ushqehen, në natyrë e me ullinj dhe pulat e fushës ( shqirake). Halit Muka, i cili e kishte rrënjën nga Matohasanajt, ku blegtoria është mjaft e dëshiruar; mbante rreth 10 krerë dele, aq sa e lejonte ligja e kohës. Ai mbarështonte dhe një lopë, për të plotsuar nevojat e familjes, me qumësht.
Babai i Nazifit, tek gjitonët e më gjerë njihej për tipare të qënësishme njerëzore. Ai konsiderohej babai i të gjithëve, më tha mësuesi Shaho Zekaj. Kur punonte për çeljen e rrugës automobilistike Vlorë- Tepelenë, në vitin 1920, Halitit iu dha mundësia të përvetësonte, me një të folur brilante, Gjuhën Italiane. Kjo e favorizoi atë në bisedimet e partizanëve, të zonës, me kolonelin italian, në Fratar, në vitin 1943, ku shërbeu si përkthyes, për të shpëtuar fshatin nga djegja, prej fashistëve italianë.
Ai ishte mjaft i ëmbël, në komunikim e na trajtonte, të gjithëve, sikur të ishim fëmijët e tij,tha Shahua. Haliti nuk punonte në kooperativën bujqësore të fshatit, por ishte i punësuar në ndërmarjen shtetërore, të Tepelenës. Kur vinte në familje, na sillte sheqerka, nga ato që bëheshin të gjata, si shufra dhe të lyera, me bojë. E dinim, ne fëmijët e mëhallës, ditën kur do të na vinte xha Haliti dhe “mpreheshim” për të shijuar ëmbëlsinë e sheqerkave të tij. Fisnikëria e tij ishte pa limite.
Para se të hynte në shtëpi, kur vinte nga Tepelena, xha Haliti, ndalonte, në anën Jugore të përroit të Rripës të Selës, mbështetej pas ndonjë ulliri dhe i copëtonte sheqerkat, në aq porcione, sa fëmijë ishim. Para se ti jepte të birit, Nazifit dhe fëmijëve të tjerë të tij, ai na i shpërndante neve të ëmblat që mbante në torbën e bukës. Ditën e Sulltan Novruzit, xha Haliti, therte, sipas traditës bektashiane, qëngjin me të mirë të tufës, atë që ishte rritur me qunësht, të cilin e bënte kurban. Me gjakun e berrit, na lyente faqet dhe ballin, e ne qeshnim me njëri-tjetrin, pa e parë fytyrën tonë.
Halit Muka, babai i Nazifit, ishte këngëtar me zë të ëmbël e të qartë. I lindur e i rritur në Matohasanaj, të krahinës së Lopësit, ai e këndonte bukur, labçen, sipas versionit të trevës nga kish ardhur. Veç ta shikoje e ta dëgjoje si këndonte ai; shtruar, i ulur, këmbëkryq mbi shilte, në një trapezë burrash, ku kënga i shkonte “ gjym”, e shoqëruar me një lëvizje elegante të dorës së tij, sikur të ishte dirigjent. Kënga e tij e zemrës ishte:
“… Moj Adria ( Adriatik), ndrikull ndierë;
Pse s’bën dallgë, Këtë herë?
Dallgë, valë dhe furtunë;
Se ty Vlorënë ta zunë…”
Kënaqeshin ata që e dëgjonin këngën e Halit Mukës, me nuanca të të kënduarit të labçes në trevën e Lopësit.
Rrëfimi i mësues Zekos, më dha mundësi të njihem me jetën e një fëmije fshati, të viteve ’50, të shekullit të shkuar, deri në vitin 1964, kur Nazifi mori udhën për në shkollën e mesme, në Tiranë. Nën ndikimin e fuqishëm të nënë Dilikos e të Baba Halitit, mes vëllezërve e motrës së vetme dhe bashkëmoshatarëve të tij, Nazifi, u rrit, u edukua e u formua si një djalë i mbarë, i cili, me shumë dëshirë, me vullnet e këmbëngulje, u ngrit mbi mentalitetin dhe psikologjinë e kohës e të fshatit duke bërë të vetat, disa tipare të rralla të karakterit si ndershmëria, drejtësia, çiltërsia, dëshira për t’u arsimuar e për t’u bërë dikush, shpirti i sakrificës dashuria për shokun, mikun, gjitonin dhe për bashkëfshatarët e tij.
Nga nënë Dilikua, Nazifi trashëgoi brishtësinë e sjelljes, shëndetin e plotë, të qënit i thjeshtë, larg kapriçiove lidhur me të ushqyerit, të veshurit me sqimë dhe dashurinë e kujdesin për të lindurit pas tij. Halit Muka, siç më tha mësues Shahua, për ne të vegjëlit e asaj kohe ishte babai i të gjithëve. Ai njihej si burri “ më i ëmbël”, në mëhallë e më gjerë. Pikërisht, ëmbëlsinë e të folurit dhe të sjelljes, Nazifi e trashëgoi nga i ati. Përveç kësaj, babai i Nazifit ishte një burrë mjaft i sjellshëm e i kulturuar. Ai zotëronte, në mënyrë të përkryer Gjuhën Italiane, fakt që i kish çelur horizont atij burri.
Shkollën fillore, Nazif Dokaj e kreu në fshatin e lindjes, në Krahas të sipërm, në krye të fshatit, pranë xhamisë të herëshme. Shok klase kish Shaho Zekon e të tjerë. Në klasë dhe jashtë saj, tek djali i dytë i xha Halitit, binte në sy edukata e shëndoshë familjare dhe disiplina për të kryer atë që duhej bërë. Nazifi ishte i urtë e i qetë, i zellshëm në mësime dhe nuk i krijoi, asnjëherë shqetësime, mësueses të parë të tij, Hava Kalo Xhaferaj, e cila ishte vajzë e fshatit të tij dhe bijë e njërit nga luftëtarët partizanë, më në zë, të trevës, atdhetarit Kalo Brahim Xhaferaj. Nazifi hyri në klasën e parë të shkollës fillore të fshatit të tij, në vitin 1957.
Para se të shkonte në shkollë , ai, si gjithë moshatarët e asaj kohe, së bashku me shokët me të cilët ishte rritur, luante lojërat e fëmijërisë, ku shquhej lehtësisht nga shokët. Lojërat e tij të preferuara ishin: Cingëli; dokthi; dërrasash; syllambyllazi; me top, të bërë vetë, me lesh kau e me pështymë; korroile;” ta lashë”; kacavirrej nëpër pemë dhe në arishtat përqark shtëpive, ngrinte gracka e lidhte leqe, për të zënë zogj fluturakë e kafshë pylli ( lepuj, dhelpra, kunadhe etj.). Për të provuar shkthtësinë dhe rezistencën, nuk ishin të pakta vrapimet, në ajër të pastër, në formën e garave të krosit. Nazifi, falë shalëve të gjata, garonte suksesshëm, në këtë fushë.
Pranë shtëpisë të Nazifit ishte një kishë e lashtë, e cila mbante emrin e Helenës. Prania e saj dëshmon se dikur, treva ka qenë e krishterë dhe vetëm pas dyndjeve osmane, popullsia vendase, ka tjetërsuar përkatësinë fetare. Rreth gërmadhave të kishës, edhe sot gjinden varre e koka varresh, me pllaka të bardha, e kryqe, të gdhendur. Përqark kishës së moçme, gjinden drurë përralli, të lashtë, të lartë e të degraduar. Banorët vendas, shkojnë për të prerë dru zjarri , deri në Reçol, afër Kamçishtit e nuk i kanë prekur këta drurë, të cilët, sipas një gojëdhëne, ishin “ të shënjtë”! Po ti priste dikush këta drurë, besohej se Zotat do të hakmerreshin kundër tij.
Në klasën e dytë të shkollës fillore, Nazifi kishte mësuese, bijën e vendit: Sofije Pashaj; në klasën e tretë – Minushe Muharrem Hysenaj, nga Levani dhe në të katërtën- Kleanthi Cacin, nga minoriteti grek, në Shqipëri. Në shkollën fillore, Nazifi ishte mjaft i suksesshëm dhe me sjellje të pëlqyeshme.
Të dy prindërit e Nazifit, sikur ishin të lindur për njëri-tjetrin. Po ta shprehja me zhargonin që përdoret në fshatin tim; “ U shkëput një skifter, nga përtejasi, ra në Xhaxhaj e mori vajzën më të mirë; Dilikon”. Në Xhaxhaj, por jo vetëm, vajzat e vogla, akoma pa rritur shtatin, mësojnë si të gatuajnë, si të lajnë e si të mbajnë shtëpinë. Prandaj, ato, kur behen nuse, me punën dhe sjelljen e tyre, nderojnë veten, familjen dhe fisin nga vijnë. E tillë ishte nënë Dilikua. Nëse fëmijët e saj ishin shëndetplotë, ajo ka një kontribut të çmuar, si nënë e kujdesshme dhe si amvisë. Gatimet e saj, pëlqeheshin nga komuniteti, prandaj, në çdo dasmë apo gosti, Dilikon e kishe në grupin e grave që tëhollnin petë e që gatuanin gjellë.
Shkollën shtatëvjeçare ( unike), Nazifi e kreu në shkollën e fshatit krahës, në mes të fushës, pranë përroit të Fushës dhe teqes të “ Baba Zotos”. Mësimet e klasës së pestë i filloi, në vitin 1961. Mësuesit e shkollës shtatëvjeçare, në ata vite, ishin nga minoriteti grek në Shqipëri. Qysh në nisje të kësaj shkolle, tek Nazifi, mësuesit vunë re, prirjen e tij drejt matematikës. Ai bënte pjesë në “elitën” e klasës së tij dhe të shkollës. Shokë klase kishte: Shaho Zekon; Guri Dodën; Liljana Shehun; Shkëmbor Shehun etj. Midis 24 nxënësve që kishte klasa e tij, Nazifi, llogaritej, në “ bërthamën” e pesë më të përparuarve. Ai kishte privilegjin, të njihej, ndër të parët nxënës, të cilëve u ra në dorë libri i parë jashtë shkollor, prej mësuesit të paharruar Medin Ç ela, nga Visoka, i cili , në kohën kur Nazifi ishte në klasën e gjashtë, nuk kish diferencë moshe më tepër se 4 vjeç ,nga nxënësit e tij. Mirëpo mësues Medini ishte një “ shënjtor” e jo mësues , prandaj fëmijët e donin dhe e respektonin mjaft.
Edhe pse Haliti nuk punonte në kooperativën bujqësore të fshatit, ku vlera e ditës së punës ishte mjaft e ulët dhe kishte mundësi ekonomike relativisht më të mira, fëmijët e tij, nuk dallonin prej bashkëmoshatarëve të tyre, sa i takon veshjes. Të gjithë jetonin në skamje dhe kjo reflektohej edhe në veshjen e nxënësve, ku Nazifi nuk bënte dallim. Uniforma me të cilën ai shkonte në shkollë, ishte: Një palë opinga llastiku, me rrripa, të mbathura, pa çorape; pantallona prej bezeje, të prera e të qepura, ne dorë, nga e ëma; një këmishë( konde) prej pëlhure të bardhë, gjithashtu e prerë dhe e qepur, me dorë. Nëna i kishte thurur një “ peliçe” nga ato që mbusheshin përbrenda me pambuk, që të mos futej era dhe nga të dyja anët ( nga jashtë e nga brenda ) ishin me beze. Kjo lloj veshje, e mbronte fëmijën nga era e nga të ftohtit, por, kur ajo lagej, kthehej në të kundërtën; bëhej si plënc dhe e plevitoste fëmijën.
Nxënësit, në shkollën shtatëvjeçare,në ndryshim nga ajo fillore, qëndronin më gjatë në mjediset e shkollës. Ata, konsumonin ushqimin që u kishin futur nënat, në torbën e librave dhe derisa ktheheshin në shtëpi, i merrte uria. Nazifi dhe shoku i tij i klasës, Shahua,në rrugën për në shtëpi, e cila nuk ishte aq e shkurtër, shkulnin korçanë gjëmbaçi, pështeteshin pas një mullari, me kashtë, i pastronin ata, si të mundnin, më shumë i fshinin me dorë, pas vshjeve dhe i hanin, për të “thyer” urinë.
Në vitet e shkollës shtatëvjeçare, djali i xha Halitit, Nazifi, u formua një adoleshent, me trup të zhdërvjellët, i gjatë e i shkathët, i shëndetshëm, i zgjuar e me shpirt të ndjeshëm. Para se të përfundonte këtë shkollë, ai e kishte “piketuar” udhën e së ardhmes së tij dhe e kishte ravijëzuar perspektivën. Shkollën shtatëvjçare, Nazifi e përfundoi në vitin 1962 dhe siç ishte në traditën e fshatit të tij, djemtë që rriteshin e synonin për shkollë më të lartë, prindërit i dërgonin në shkollë ushtarake, për t’u bërë oficerë. Këtij rregulli të pashkruar, nuk i shpëtoi dot as heroi ynë i këtij shkrimi, Nazifi i Halit Dokaj. Ai, e përfytyronte veten një kuadër ushtarak, të denjë për ti shërbyer Atdheut, me devotshmëri, prandaj kërkoi e mori të drejtën e studimit, për të vazhduar Shkollën e mesme Ushtarake “ “Skënderbej”, në Tiranë.
Me Nazifin, Krahësit të Sipërm, do ti shtohej një oficer më shumë, grupit të më se tetëdhjetë kuadrove ushtarakë, të këtij fshati ( Sipas Historikut të fshatit Krahës, botim i vtit 2015, faqe 130-131). Përzgjedhja e karrierës ushtarake, tek djemtë nga Krahësi, nuk lidhej me ndonjë lehtësi, por me dëshirën e tyre, për të qenë në roja të Atdheut, gjë që buronte nga atdhetaria e tyre.
Në verën e vitit 1964, Nazifi, përfundoi, me tregues shumë të mirë, mësimet e shkollës shtatëvjeçare të fshatit dhe mori udhën për në Tiranë. Ishte hera e parë që djaloshi 14 vjeçar, nga Krahësi i Tepelenës, do të shkonte, nga një zonë rurale e largët , në mes të kryeqytetit dhe do të kryente shkollën e mesme, në njërin nga gjimnazet më në zë të vendit. Për Nazifin, pas këtej do të niste një jetë e re, ndryshe nga ajo e deriatëherëshme. Ishte vetëm 14 vjeç; akoma i parritur e i paformuar. I lindur e i rritur në një mjedis fshatar, me kufizimet dhe veçoritë e asaj kohe. Atij i duhej të përballej e të përjetonte sfida të tjera të jetës. Nuk ishte gjë e lehtë të çvendoseshe nga Krahësi në kryeqytetin e vendit ku jeta gjallonte me të tjerë ritme.
Pas mbërritjes në Tiranë, i shoqëruar nga i ati, Nazifi, trokiti në dyert e Shkollës Ushtarake “Skënderbej”, ku, pas disa formaliteteve të domosdoshme, u vesh me uniformën e bukur të skënderbegasit, e cila nxorri në pah trupin e tij shtatlartë e të zhdërvjellët. Drejtuesit e shkollës e caktuan atë në një kompani dhe oficerët e njohën me mjediset e përdorimit të përbashkët. Djalit nga Krahësi i Tepelenës, i lanë mbresë, në veçanti: klasat; mensa. fjetinat, palestra, laboratorët dhe terrenet sportive, si dhe çdo gjë tjetërqë pa, në atë mjedis ushtarak, ku rregulli e disiplina mbretëronin kudo. Ai u njoh e u miqësua me shokët e klasës, të togës e të kompanisë. Ardhja në Kryeqytet, ishte një kapërcim i madh, për Nazifin, nga Krahësi. Ai ishte rritur në një mjedis familjar, i mbyllur dhe vinte nga një trevë relativisht e prapambetur sa i takon zhvillimit dhe kulturës. Brishtësia dhe sinqeriteti i spikatur i tij, i dhanë mundësi adoleshentit provincial, të integrohej shpejt në jetën e komunitetit skenderbegas.
Në 1 shtator të vitit 1964, Nazifi u ul në bankat e Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”, në kushte shumë më të favorshme, krahasuar me ato që la në fshatin e tij të lindjes. Auditorët, pedagogët,baza materiale, dora e “ shtrënguar” në vlerësim, ishin të tjerë. Shokë klase, të tij ishin: Llazar Ndini; Osman Kushta; Janaq Jorgji etj. Si nxënës, Nazifi u klasifikua në nivelin mesatar. Një farë “rënie” e justifikuar, u duk në treguesit cilësorë tek nxënësi dikur i “ shkëlqyer “, në mësime.Dihet se mësimet në gjimnaz janë më të vështira se ato të shkollës shtatëvjeçare. Në gjimnaz, Nazifi u njoh me dituri mbi shkenca egzakte, të cilat ai i kishte për zemër, me njohuri mbi botën, si astronimia, letërsia, kimia, fizika, biologjia etj. Në lëndët egzakte, edhe në shkollën e mesme Nazifi paraqiste stabilitet. Përpjekjet e tij për t’u ngjitur në nivele të përparuar ishin të jashtzakonshme. Ai ishte sedërli dhe sedra e tij ishte me kahje pozitive.
Kur u fut në Shkollën e Mesme Ushtarake “ Skënderbej”, Nazfi, edhe pse me shtat ishte si shokët, e me shëndet të plotë, në praktikat stërvitore, paraqiste një lloj ngathtësie. Bëhet fjalë për ushtrimet gjimnastikore e në veçanti për veglat sportive ( hekur gjimnastikor; paralele; kapërcim i kalit; unaza gjimnastikore etj.). Mirëpo tek ai ishte në zhvillim geni i rritjes dhe me punë këmbëngulëse, duke shfrytëzuar jo vetëm orët e mësimit por dhe kohën e lirë, adoleshenti nga Krahësi i Tepelenës, brenda një kohe të shkurtër, kapi nivelet e shokëve.
Në vitet e shkollës së mesme, Nazifi, nuk mësoi vetëm shkenca të ndryshme, ku veçohej prirja e tij drejt lëndëve egzakte, por, mbi të gjitha, ai u formua me ndjesinë e jetës komunitare. Në shkollën “Skënderbej”, ai nuk kishte vetëm dy vëllezër e një motër, si në familjen nga vinte por kish disa dhjetra të tillë, të ardhur nga gjithë trevat e vendit, të cilët mësonin e jetonin në të njëjtët kushte. Në familje, Nazifi ishte djalë pekul dhe nën kujdesin e nënë Dilikos e të baba Halitit, flinte kur i flihej, hante me e pa orar, kur i haej e përftonte nga përparësitë e të qënit jashtë detyrimeve të sjelljes sipas kërkesave të disiplinës e të rregullit ushtarak. Rregulli dhe disiplina që sundonin në Shkollën “Skënderbej”, e rritën, e burrëruan dhe e kalitën djaloshin nga Krahësi i Tepelenës me kërkesën ndaj vetes, për të mësuar e për të jetuar sipas normave të detyrueshme që sundonin në atë institucion arsimor.
Në përfundim të katër viteve, mbasi dha provimet e maturës, Nazifi iu nënshtrua testeve përkatëse mjekësore dhe, së bashku me njëgrup shokësh, u çmua i përshtatshëm ( i aftë), për tu bërë pilot. Këtë vendim, ai e priti me shumë gëzim e entusiazmë. I qeshnin sytë dhe e gjithë qënia e tij, kur mësoi se do të futej në Shkollën e Aviacionit e do të mësonte një profesion të veçantë, tepër burrëror e të lakmuar aq shumë nga të rinjtë e moshës së tij.
Në vjeshtën e vitit 1968, Nazif Halit Dokaj, u paraqit në mjediset e Shkollës së Aviacionit, në Vlorë. Aty do të studionte aeronautikën e do të fluturonte, me aeroplan. Aso kohe, Shkolla e Aviacionit ishte konsoliduar si e tillë dhe ishte futur në shinat e një institucioni shkencor ku merrej arsimi i lartë. Auditorët, pedagogët, literatura, metodika e mësimdhënjes dhe çdo gjë që lidhej me të mësuarit ishin ngjitur në nivele bashkëkohore. Ato, çelnin horizonte të rinj, për të marrë njohuri të reja, të cilat, kursantët që erdhën nga shkolla e mesme, nuk i kishin njohur deri atëherë.
Meqënëse kërkesat e reparteve të aviacionit, për pilotë ishin shtuar dhe parashikohej hapja e reparteve të rinj të aviacionit, edhe kontigjentet e kursantëve që vërshuan në shkollën e aviacionit, pësuan shtimin e pritshëm. Kësisoj, u formuan dy skuadrile fluturuese, të pajisura me aeroplanë të lehtë mësimore, me helikë, të tipit Jak-18 A, të modifikuar si Tip-61 ( prodhim kinez). Njëra nga skuadrilet, ajo ku ishte efektiv Nazifi, drejtohej nga piloti me përvojë të gjatë në përgatitjen e kursantëve për pilotë, devolliu Nehar Jazexhi. Skuadrilja tjetër kishte komandant, myzeqarin dorështrënguar, në përcaktimin e vlerësimit të elementëve të fluturimit- Naun Todo. Të dy, falë përvojës dhe përpjekjeve vetjake, ishin bërë metodistë të mirë dhe mjeshtër në çështjen e të mësuarit të fluturimit.
Me qëllim që të përballohej ngarkesa e madhe me fluturime, nga Regjimenti i aviacionit “ Peza”, i cili ishte i dislokuar në Qytetin “Stalin” dhe shërbente si urë kalimi, nga aeroplanet reaktivë parazanorë në ata supersonikë, u transferuan në Shkollën e Aviacionit, në vlorë, në cilësinë e instruktorit të fluturimit, disa pilotë, me të dhëna fluturuese të spikatura. Njëri syresh, ishte piloti i ri, nga Gramshi, Skënder Mesiti, i cili u bë instruktor i Nazifit. U caktuan grupet e fluturimit, me nga 4 kursantë, në çdo grup. Në krye të çdo grupi ishte instruktori i tyre. Në grupin ku bënte pjesë Nazifi, me instruktor Skënder Mesitin ishin: Ilija Dhrami; Thanas Kura dhe Llazar Ndini. Nazifi u caktua përgjegjës i grupit. Ai, ishte i edukuar, i kulturuar, i sjellshëm e i disiplinuar. Si i tillë, djali nga Krahësi i Tepelenës punoi, me mish e me shpirt, që edhe grupi që drejtonte të jetonte, të stërvitej e të fluturonte, sipas kërkesave të instruksioneve e rregulloreve ushtarake e teknike.
Të dyja skuadrilet fluturuese, u dislokuan në aerodromin e Qytetit “ Stalin”, ku nisën e përfunduan programin e stërvitjes ajrore, gjatë pranverës dhe verës të vitit 1969. Para fillimit të fluturimeve, të gjithë kursantët dhe instruktorët e tyre, nën drejtimin e mjeshtrit të parashutizmit Shaban Danaj dhe me pjesëmarrjen e parashutistëve : Enver Isufi; Nevruz Duraj, Fadil Nenaj etj,u hodhën me parashutë nga aeroplani An-2, në lartësinë e fluturimit 800 m, mbi nivelin e detit. Hedhja me parashutë ka qenë dhe është kusht sine qua non, pa të cilin nuk mund të ketë ngritje në ajër, për fluturim.
Mendoj të ndalem për të bërë të qartë një çështje e cila, them se ia vlen: Proçesi i të mësuarit të fluturimit, nuk është si ai i të nxënit në auditor. Postulatet e një libri apo elementët e një eksperimenti laboratorik, po ti përsëritësh mjaft herë, ke shans ti aplikosh, në praktikë, pa ndonjë vështirësi të madhe. Mësimi i të fluturuarit, për shkak të disa veçorive, që i ndeshim vetëm aty e bëjnë atë të mos ngjajë me disa proçese të tjerë të të nxënit. Në analizë të fundit, aftësia e njeriut për të fluturuar është një dhunti. Në këtë lëmë, gjen vend, shprehja e mënçur e popullit se, proçesi i mësimit të fluturimit, më shumë se me të thënë, është me të dhënë. Le të përpiqemi ta vendosim këtë thënie në shtratin e vet:
Në praktikën e të mësuarit të fluturimit, ndodh, afërsisht kësisoj: Instruktori i fluturimit, i ulur në kabinën e dytë të aeroplanit, i dëfton, një nga një, duke i bërë vetë i pari veprimet, kursantit që i mëson pilotimin, i cili ulet në kabinën e parë të avionit. Njëri nga kursantët ka prirjen ti kapë e ti përvetësojë më shpejt veprimet që duhen kryer, teksa një i dytë i kap ato më me ngadsalë dhe paraqet vështirësi. Sado i aftë të jetë instruktori për të përcaktuar, me anë të vrojtimit, aftësitë e kursantit, në praktikë, ai e ka thuajse të pamundur ta bëjë këtë, të saktë, pa u ngritur në ajër. Qënia në nivele të përparuar teorikisht; shkathtësia fizike, mprehtësia e kursantit, dashuria për avionin dhe fluturimin etj, nuk janë veç disa premisa që dëftojnë kahjen pozitive të tij, por nuk janë gjithçka. Në fund të fundit është praktika ajo që bën diferencën. Rastet, në të dy krahët, nuk kanë munguar.
Instruktori i pilotimit, qysh në fluturimet e parë vozitës, i përcakton, me përafërsi prirjet dhe aftësitë praktike të kursantëve të tij. Mbi këtë bazë nis avancimi i tyre, duke i kaluar ata, nga ushtrimi në ushtrim, mbi bazën e aftësive që manifestojnë në fluturim. Kështu ngjau dhe me kursantët për pilotë të Shkollës së Aviacionit të vitit 1969, kur ata, ende ishin duke fluturuar në aeroplanët e lehtë mësimorë, me helikë Jak-18 A. Disa syresh u klasifikuan për të fluturuar, më tej, në aeroplanët reaktivë, parazanorë dhe supersonikë, teksa të tjerët, u caktuan të vijonin fluturimet në aeroplanët e transportit An-2 dhe në helikopterët e mesëm Mi-4. Nazif Dokaj, dhe pesë shokë të tij, u caktuan të bënin kalimin në aeroplanët e lehtë të transportit ajror, An-2, i cili është i destinuar të kryejë 10 proçese ajrorë.
Vjeshta e vitit 1969 e solli Nazifin dhe shokët e tij, nga Vlora, në Tiranë. Ai do të mësonte teknikën e pilotimit dhe shfrytëzimin e aeroplanit An-2, të pajisur me motorr me helikë ASh – 62 IR. Ishin ende kursantë, për pilotë dhe, si të tillë, u sistemuan në mjediset, aspak komode të Skuadriles së Transportit, në Laprakë. Shokë grupi të Nazifit ishin, kursantët: Riza Lahi; Ylli Sinaj; Vladimir Treska; Selaudin Sukniqi dhe Thanas Kura. Ata ishin në moshën njëzetvjeçare. U shkëlqenin sytë e mezi prisnin të nisnin mësimin e një aeroplani të ri, siç ishte “ jetëgjati” e “ toleranti”, AN-2.
E kishin të qartë kursantët, se ky avion, i konstruktorit sovjetik Antonov, ishte prodhuar mjaft vite më parë, por e kish justifikuar veten, duke kryer detyra të destinacioneve të ndryshëm, si varianti për transport pasagjerësh, transportimi i të sëmurëve dhe i të aksidentuarve; hedhja e parashutistëve ( është njëri nga avionët më të mirë në botë); variantet në shërbim të ekonomisë e të shëndetësisë; për shuarjen e zjarreve nga ajri; për ndërlidhe me radio; në rolin e shënjës ajrore, për stërvitjen e artilierëve kundërajrorë etj.
Në vendin tonë, aeroplani i lehtë i transportit AN-2, u soll, nga Kina, në fillim të vitit 1963 e u vendos në aerodromin e Laprakës, ku funksiononin dy breza, për uljen dhe ngritjen e tyre. Njëri nga brezart ishte lëndinë, i drenazhuar, më së miri; tjetri ishte i asfaltuar por i degraduar. Gjatësia e brezit të ngritjes dhe uljes ishte 1000m. Në këtë aerodrom, u montuan e u ngritën në ajër, gati 20 vite më parë, aeroplanët reaktivë Mig-15, të cilët u shpërngulën në aerodromin e Qytetit “ Stalin, nga pilotë sovjetikë.
Fillimisht, nga Kina erdhën 13 aeroplanë AN-2. Dy të tillë; me numër anësor 20 dhe 21 ishin të destinacionit “ special”, me të cilët do të fluturonin funksionarë të lartë të partisë shtet. Veçori, e konstruksionit të tyre ishte izolimi nga zhurmat dhe përzgjedhja e ekipazheve. 10 aeroplanë të tjerë, ishin të destinacionit të përzier; njëri, ai me numër anësor 14 ishte i pajisur me aparatura për spërkatje e pluhurosje, nga ajri. Avionët u montuan e u kolauduan në aerodromin e Laprakës, me teknikë e specialistë të përzier: Shqiptarë dhe kinezë dhe në ajër u provuan nga pilotë vendas.
Me aeroplanët AN-2, të sapoardhur dhe me të vetmin avion të tipit IL-14, me destinacion “ special”, për udhëheqjen e lartë të cilëve iu bashkëngjitën 1 avion Jak-18, në dispozicion të komandantit të aviacionit dhe inspektorit të tij, si dhe 4 helikopterë të mesëm MI-4 , të prodhimit sovjetik, u krijua Reparti i Transportit Ajror, i mirënjohur i Skuadrilja e Tiranës. Në atë kohë, aviacioni, nuk ishte më vete, por bënte pjesë në strukturat e Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit.
Pilotët, teknikët e specialistët e të gjithë niveleve ishin me stazh të gjatë në fluturime dhe në shfrytëzimin e avionëve të ndryshëm.Të tillë mund të përmendim: Irakli Grazhdanin (ndjesë pastë); Petrit Majlindi; Zebo Durmishi; Hamit Ulqinaku; Llazar Çyçi; Daut Xhaferi; etj. pilotë dhe shfrytëzuesit e profilit teknik: Andon Koroveshi ( ndjesë pastë); Kleanthi ( Prof) Hanxhari; Stavri Gërdupi ( ndjesë pastë) ; Andrea Peçi ( ndjesë pastë); Kristo Pulla ( ndjesë pastë) etj. Nga pilotët e helikopterëve mund të përmendim: Sejdo Kamberin ( ndjesë pastë); Manush Kreshpën ( ndjesë pastë); Selman Meçaj; Hetem Mehmeti; Ndue Logu ( ndjesë pastë) etj. etj. Për të plotsuar nevojat organike, me pilotë, në aeroplanët AN-2, u aktivizuan dhe disa pilotë helikopteri të diplomuar, në shkollën sovjetike të Batajskut ( B.S) dhe të tjerë, të cilët i kishin lënë studimet në mes. Të tillë ishin: Albert Shkurti; Ramo Mejdiaj; Vangjel Postoli ( ndjesë pastë); Luan Sinaj; Muharrem Hida( ndjesë pastë) etj.
Në territorin e repartit u ngritën angarët, ku futeshin aeroplanët AN-2, mbulesa e të cilëve përbëhej nga beze speciale. U organizua puna dhe ekipazhet nisën të fluturonin, sipas destinacionit të avionit. Fillimisht, ata nisën të çonin shtypin e ditës dhe atë periodik, në qytete të largët, ku kishte fushë ulje të përshtatshme për avionin e ri. Si më i largëti e më i vështiri, u përzgjodh aerodromi i Kukësit (Bicaj) dhe ai i Korçës ( Drenovë). Fluturimet me ulje jashtë aerodromit të bazimit, u shtrinë dhe në fushën e Gjirokastrës, aty ku është dhe sot; në fushën e Shtoit; në aerodromin e Vlorës; në atë të Qytetit “ Stalin” e gjetkë. U bënë përpjekje e prova, për ta shtrirë transportin ajror, edhe në fushën e pasagjerëve, por nuk di përse kjo veprimtari e dobishme, nuk u shtri më tej e nuk mori zhvillimin e pritshëm, i cili ishte plotësisht i mundshëm.
Hap pas hapi e me maturi, aeroplanët AN-2 u pozicionuan në detyra konkrete, sipas destinacionit, në veçanti u orientua nga punët në dobi të bujqësisë e në ruajtje të shëndetit të popullit. Vërshimi, në Skuadrilen e Transportit i disa pilotëve, nga Regjimenti i Rinasit dhe ai i Qytetit “ Stalin”, sidomos pas “fshesës” që ra mbi efektivin pilot, pas katastrofës ajrore që ndodhi në Rinas, ku humbi jetën Kolonel Niko Hoxha, pruri në drejtimin e Skuadriles së Transportit, pilotin e klasit të parë, organizatorin e talentuar Lulo Musai ( Spahaj). Falë përvojës së tij shumëvjeçare të fluturimeve, në disa tipa avionësh e në kushte të ndryshëm të motit e kohës dhe disa aftësive të veçanta që manifestonte në fushën e organizimit të punëve, ai e vuri stërvitjen ajrore në shinat e një organizimi bashkëkohor dhe reparti mori një pamje e hije tjetër; atë të një reparti ushtarak.
Nisën fluturimet natën dhe u praktikuan uljet e ekipazheve, ditën dhe natën, në rrjetin e fushave të uljes, në rrethe të ndryshëm të vendit. Përpjekje të frytshme u bënë dhe për uljen e ekipazheve, natën, në fusha e aerodrome të tjerë, pa shfrytëzimin e mjeteve radioteknike dhe me ndriçim rrethanor ( zjarre partizane).
Për herë të parë, e pashë aeroplanin AN-2, në pranverën e vitit 1963, kur një ekipazh u ul në aerodromin e Rinasit. Sapo ishin montuar ekzemplarët e parë e u ishte bërë prova teknike në ajër. Me shokët, bazë skuadrile e në regjiment, ishim duke zhvilluar përgatitje për fluturim. Njëri nga “shefat” tanë, e pa, me përçmim avionin”primitiv” dhe komentoi, me nota negativiste, për ekipazhet e tij. I gëlltiti, ato që tha, kur, pas disa vitesh iu desh të fluturonte vetë në këtë tip aeroplani.
Fati e solli, që, në pranverën e vitit 1767 të filloja fluturimet me aeroplanët AN-2. Isha deklaruar i paaftë për të fluturuar në avionët reaktivë dhe, i aftë për të drejtuar ata me helikë. Instruktor, për kalimin në këtë tip avioni kisha të paharruarin Refit Jazoj ( ndjesë pastë), i cili kishte jo vetëm përvojë të gjatë në fluturim, por dhe një bagazh të pasur, për mësimin e teknikës së pilotimit, në rolin e instruktorit. Le ti shmangemi pak kronikës, për tu ndalur në një çështje, për të cilën mendoj se ia vlen.
Në dhjetor ( 5 dhjetor) të vitit 1967 u formua Regjimenti i Helikopterëve, me 36 makina luftarake MI-4, të ardhur nga Kina. Regjimenti kërkonte mjaft pilotë. Ata që fluturonin në AN-2 por që e njihnin helikopterin, dhe të tjerë, të ardhur nga regjimentet e aviacionit, u mblodhën në regjiment e nisën fluturimet . Në Skuadrilen e Transportit u krijua një vakum e “uri”për pilotë. U gjet e udhës, të silleshin kursantë, 20 vjeçarë, të cilët kishin fluturuar vetëm në avionët Jak-18A, në shkollë, për të mësuar pilotimin e avionëve AN-2. Gjykuar nga pozicioni aktual, pas më se 40 vjet, kur aviacioni ynë është katandisur siç e keni parë, them se, në atë kohë mund të ishte gjetur një zgjidhje më e mënçur e më e justifikuar. Skuadrilja e Transportit ajror dhe aeroplanët AN-2, them se mund të ishin “kursyer”, disi. E kam fjalën se mund të ishin rezervuar vende, për të prurë aty pilotë, teknikë e specialistë aviacioni, nga repartet e tjerë të aviacionit, nga radhët e atyre që ishin “lodhur”, prej punës intensive që kishin bërë, në repartet e mëparëshme, ku u ishin dobësuar dhe reflekset nga mosha; për të “ marrë pak frymë”, në prag të daljes në rezervë.
E kam të qartë dhe e pres që dikush të ma kundërshtojë, këtë ide. Mirëpo kam me vete praktikën, e cila është tepër kokëfortë dhe e drejtë. Ajo e ka vertetuar, plotësisht këtë ide, të vonuar. Në vitet ’80 të një shekulli më parë, në Skuadrilen e Transportit erdhën pilotë, të cilët, deri atëherë kishin drejtuar reparte të ndryshëm aviacioni: në Gjadër; në Qytetin “ Stalin”; në Shkollën e Lartë të Aviacionit etj. Ata ishin, disa janë ende në jetë, njerëz e specialistë shumë të nderuar e me një bagazh të pasur veprimtarish, si fluturues e si drejtues, të cilët kishin dhënë, atje ku kishin drejtuar gjithë çka kishin e, në fund të karrirës, para se të dilnin në rezervë, sipas ligjës, “morën pak frymë”. Kjo është fare normale dhe e pranuar nga kushdo. Kundërshtimi më së shumti mund të ketë të bëjë me një farë “xhelozie” të pabazuar nisur nga pozicione vetjake: “Përse ai e jo unë”? etj.
Të tillë ishdrejtues, mjaft nga të cilët janë ende në jetë, kur erdhën për të fluturuar në aeroplanët AN-2, me thjeshtësi e pa komplekse, pa pretenduar se ishin ashtu e kështu, iu përfillën punës, seriozisht, për të përvetësuar avionin e ri, për ta, pa e shtruar pyetjen se ky tip ishte prodhim i shumë viteve të shkuar dhe karakteristikat e tij fluturuese tolerojnë më tepër nga aeroplanët reaktivë me të cilët ata kishin fluturuar deri atëherë. Si pilotë me përvojë të gjatë në ajër, ata e çmuan seriozisht aparatin e ri fluturues, i cili, pavarësisht se me të dhëna të tjera, derisa ngrihet në ajër, ai që e piloton atë, duhet të zbatojë, një për një kërkesat e rregulloreve e të instruksioneve përkatëse. Është i njohur fakti se aeroplani i bindet atij që zotëron veçoritë e shfrytëzimit të tij e i zbaton ato, me përpikëri shkencore. Pa marrë asnjë anë e pa u bërë palë, çmoj, sinqerisht rolin e këtyre kuadrove, të cilët, duke punuar me përkushtim, në repartin e transportit ajror, pavarësisht se ishin në moshë të pjekur, sollën freski, dhe përvojë të re, në të gjithë drejtimet e punës. Nejse, kjo është temë e gjerë e cila kërkon studim e analizë të gjithanëshme, të cilat, mesiguri do të bëhen realitet, në një të ardhme jo të largët. Le të kthehemi tek çështja jonë, tek përgatitja e kursantëve për pilotë.
Fillimisht, të gjashtë kursantët për pilotë, iu nënshtruan një programi të shkurtër teorik. Ishte e domosdoshme të mësonin veçoritë e shfrytëzimit të aeroplanit AN-2, të cilin , ata nuk e njihnin.
Teoria e fluturimeve, pjesën teorike e kishte si ajo që kishin mësuar në Shkollën e Aviacionit kurse, në çështjet praktike, ndryshimet ishin esenciale. Aq sa qe e mundur, në ata kushte, kursantët freskuan njohuritë për aeronavigacionin dhe për lëndë të tjera teorike. Theksi u vu tek mësimet teknike të teorisë të motorrit dhe konstruksionin e tij si dhe për lëndët analoge të konstruksionit të avionit. Konstruksioni i avionit AN-2, me veçoritë e shfrytëzimit të parakrahëve, si faktor stabilizimi dhe njohja e shfrytëzimit të motorrit ASH- 62 IR ishin pika referimi , me vlerë. Pata rastin e mirë të drejtoja, në cilësinë e pedagogut, lëndët : Aerodinamikë dhe aeronavigacion, të cilat janë me peshë në proçesin teorik.
Komanda e repartit dhe grupi i pedagogëve, u përpoqën për të krijuar kushte të përshtatshme, për mësimin e teorisë; megjithatë , kushtet mbetën larg atyre që kish në Shkollën e Aviacionit. Mund të pohoj se me punë këmbëngulëse dhe me përkushtim, tekniku Gani Vlashi, shpalosi aftësi e vlera të shumta. Mjaft të përkushtuar ishin dhe teknikët: Dhimitraq Stillo ( ndjesë pastë); Niko Gambeta; Stefanaq Stratobërda ( ndjesë pastë); Mihallaq Puleri etj. Qëllimi i synuar, nga të gjithë, u arrit.
U përcaktuan instruktorët e teknikës së pilotimit. Kursantët u ndanë në dy grupe: Në grupin e parë, u caktua instruktor, myzeqari Llazar Çupa, njëri nga pilotët më të përgatitur të repartit. Kursantë të tij ishin: Nazif Dokaj ( ndjesë pastë); Vladimir Treska dhe Ylli Sinaj. Grupin e dytë ia besuan bashkautorit të këtij shkrimi. Kursantë të këtij grupi ishin: Thanas Kura; Riza Lahi ( ndjesë pastë) dhe Selaudin Sukniqi. Nuk di ku u bazuan drejtuesit e Skuadriles të Transportit që më caktuan në detyrën e instruktorit të teknikës së pilotimit, kur përvojën në avionin konkret e kisha te pakët. Ndoshta ka ndikuar fakti që kisha qënë instruktor, i teknikës së pilotimit, në shkollën e aviacionit, në të dy tipat e avioneve.
Pas disa ditësh përgatitje në tokë, ku mori përparësi puna me aparaturën e kabinës së avionit, për shkak të ndryshimeve të ndjeshme midis dy tipave, nisën fluturimet, me ngritje dhe ulje në brezin e gjelbër të aerodromit të Tiranës. Si metodë pune u përdor klasikja, të cilën ata e njihnin: Kalimi nga elementët e thjeshtë në ata më të vështirët. U deshën disa fluturime që kursantët të mësoheshin me veçoritë e orientinit dhe për mbajtjen e drejtimit, në ngritje; sidomos në ulje, si dhe punës, në kushtet kur avioni komandohet me ndihmën e timonit dhe shkëputja e tij realizohet me tri pika, ashtu si dhe ulja e tij.
Vështroja, jo pa interesim, ndoshta dhe me një dozë zilie, zellin e madh dhe vemendjen e seriozitetin, përkushtimin dhe thjeshtësinë e Nazifit, i cili, dëgjonte, me vemendje dhe pranonte, pa kundërshtime e polemika të kota, verejtjet që i bënte instruktori i tij kompetent, Llazar Miti Çupa (ndjesë pastë). Binte në sy, pa vështirësi vullneti dhe këmbëngulja e tij për të përvetësuar çdo detaj që lidhet me shfrytëzimin e aeroplanit, në kompleks, si në tokë dhe në ajër. Në portretin e tij nuk ishte e vështirë të shquaje të qënit i rregullt e i disiplinuar, i vemendshëm e i dëgjueshëm. Sikur i kishte rrëmbyer e i mbante për vete, ai djalë, tiparet e mira të një njeriu që ka si objektiv të nxënit.
Kanë kaluar mjaft kohë që atëherë, por, disa tipare fizike të Nazifit, i kam të gjalla e të freskëta dhe të skalitura, në mënyrë të pashlyeshme. I gjatë, rreth 180 cm, me shtat të rregullt, me krahë e shalë të gjata, me bel të hollë e me uniformë që e mbante të pastër e të rregullt. E donte ushtrinë dhe disiplinën e saj, Nazifi ynë. Sytë i kish të zinj e të ndritshëm, si ullinjtë që rriten në trevën e Krahësit. Fytyrën e kish të mprehtë, tipart e fytyrës i kish të rregullta dhe flokët të drejtë, bojë kafe. Nazifi ishte i qeshur e i gëzuar, por ai nuk qeshte kot së koti e për tu bërë qejfin të tjerëve. Ai qeshte kur duhej qeshur dhe, me shpirt. Atë njeri, nuk e vështroje kurrë të vrejtur e të mërzitur, edhe kur kish çështje që e turbullonin qënien e tij. Në botën e tij kish mjaft buzagaz e optimizëm.Shpirti i tij i mirë dilte mbi tiparet e tij pozitive. Shpirti i tij i mirë i kapërcente pritshmëritë e moshës . Komunikimi i ëmbël e me dashamirësi ishte refleks i edukatës dhe kulturës familjare të tij.
Nazif Dokaj, lidhej shpejt me shokët, falë çiltërsisë të karakterit dhe të qënit i drejtpërdrejtë. Ai nuk bënte dallim; nëse tjetri ishte pilot, teknik, specialist, punëtor apo ushtar. Për të, vlerë kishte mirësia e shpirtit. Vetë ai rrezatonte vetëm mirësi. Nuk ishte tip sportiv, por, kur futej në lojë, jepte maksimunin e mundshëm, në të mirë të grupit. Shoqëri e miqësi, Nazifi kish me të gjithë ata që kish pranë, por më tepër e më ngushtë ai u lidh me birin e Lunxhërisë; fisnikun Mihallaq Puleri, i cili kish portret të përafërt me atë të heroit të këtij rrëfimi.
Në fundvitin 1972, Nazifi dhe shokët e tij të grupit, përfunduan progranin e kalimit në avionët AN-2 dhe u emëruan pilotë të dytë, në Skuadrilen e Transportit Ajror, në Tiranë. Si pilot i ri e pa përvojën e nevojshme në ajër, Nazifin e caktuan në ekipazh, me pilotë me përvojë, të cilët kishin fluturuar, jo vetëm në një tip aeroplani. Në përbërje të ekipazhit, ai kreu detyra të ndryshme ajrore, sipas destinacionit të avionit AN-2, ditën dhe natën, në terrene të ndryshëm dhe në kushte, sipas tipit të avionit. Komandant i ekipazhit, në çdo detyrë caktohej, një pilot me klasë e përvojë të gjatë, në ajër, si Llazar Çupa; Skënder Kanina; Agim Vodopi; Besnik Shahi etj. Nën komandën e tyre, Nazifi mori pjesë aktive në të gjithë aksionet që kreu Skuadrilja e Transportit, në veçanti, për desantimin nga ajri, në shërbim të bujqësisë, për mbrojtjen e shëndetit të popullit etj. Pjesëmarrja në aksione dhe roli i tij, në këta fluturime, ndikoi, pozitivisht në kualifikimin e tij.
Në praktikë, hera herës e tek njerëz të veçantë, ndeshim opinionin e pabazuar se detyra e pilotit të dytë është: Të dublojë komandantin e ekipazhit. Ky përfundim, është e nuk është i saktë. Në ajër, të dy pilotët përbëjnë të njëjtin ekipazh, i cili, po të mos jetë i kompaktësuar, nuk mund ti kryejë detyrat e ngarkuara. Piloti i dytë, dikur quhej, pilot navigator dhe detyra e tij, nuk ishte thjeshtë dublimi i veprimeve të pilotit të majtë, por ai mbante përgjegjësi, për fluturimin, sidomos, për orientimin e fluturimit, për mbajtjen e regjimit të punës së motorrit dhe për shfrytëzimin e aparaturave të ndryshme të kabinës së avionit. Ka dhe një gjë tjetër, të cilën duhet ta theksojmë: Që të dublojë veprimet e komandantit të ekipazhit, piloti i dytë lipset të jetë i aftë për ta bërë këtë. Jo në një rast, në praktikë ka ngjarë që piloti i dytë, me veprimet e tij të sakta, ka ndërhyrë e ka korrigjuar, shpejt, veprimet e pkomandantit të tij, duke e bërë vazhdimin e fluturimit të sigurtë.
Në vitin 1974, Nazifi u lidh me matresë me Leonora Sami Shametaj, me origjinë nga Dorza e Tepelenës. Kështu, edhe për zgjedhjen e shokut të jetës, ai nuk u largua nga treva së cilës i përkiste. Nga kjo lidhje lindën tre fëmijë: Vajza e parë- Armanda; djali i vetëm- Rediani dhe vajza e dytë- Fatjona. Një familje, me tre fëmijë njëri pas tjetrit, në kushtet kur strehimi ishte i kufizuar dhe ngushtësia ekonomike ishte evidente, Nazifit nuk i ndihej zëri. Ai, në gjykimin e gjërave e të punëve, arsyetonte brenda opinionit të kohës. I paparë ishte përkushtimi i tij për familjen e re dhe kujdesi për edukimin e mirërritjen e fëmijëve. Edukatën e shëndoshë që kish marrë në familjen e origjinës, Nazifi e përcolli dhe tek pjesëtarët e familjes së re; në veçanti tek fëmijët.
Një nga vlerat më të qënësishme që e zbukuronte portretin e Nazifit, ishte mbajtja e lidhjeve, të vazhdueshme të tij me fshatin ku u lind e u rrit dhe me ata njeerëz të mirë e bujarë. Ai nuk u largua nga Krahësi duke “ hedhur një gur, prapa” por shkonte, herë pas here, tek të tijët, si kur ishte i pamartuar dhe pas martesës. Ldhjet me familjen e origjinës, dashuria e tij për nënë Dilikon,baba Halitin, vëllezërit dhe motrën e vetme ishin emocionuese e frymëzuese. Që kur zbriste nga autobusi, në qendër krahës, deri sa ulej në vatrën familjare të tij, Nazifin e shikoje duke u përqafuar me të dashurit e tij apo të ulur, shesh –besh, mes fshatarëve, me të cilët kuvendonte shtruar e qante hallet e kohës, me ta. Ai kish dashuri të veçantë e nderim, për më të moshuarit, mendimet e të cilëve i nguliste fort në mendje dhe, mbasi i filtronte, i kish si orientime me vlerë. Babai i tij, Halit Muka, një burrë zakoni e tepër fisnik, kur vinte re se po i vinte djali, në mënyrë të beftë, me fjalën e tij të ëmbël i thosh:” Erdhe ti, zogu i natës…”? Dhe vijonin bashkbisedimin, babë e bir, siç dinin ata.
Ulej, në çdo vatër Nazifi, jepte e merrte dashuri, nga pleqtë e plakat e mëhallës, të cilët i donte mjaft dhe kish çfarë të mësonte prej tyre. Nuk pritnin sa të çmallej me të tijët, kur shkonte Nazifi në familje, por mëhallalinjtë, sapo mësonin se ai kish ardhur, njoftonin njëri-tjetrin dhe, krejt natyrshëm e mbushnin shtëpinë e xha Halitit me gëzim e dashuri. Bashkbisedimi me fshatarët e tij, shpesh kthehej në një arenë të gëzuar ku jepej e merrej dashuri dhe informacion të ndërsjelltë. Bashkbiseduesit e vështronin Nazifin, në dritë të syrit dhe, duke u bërë sy e veshë, pritnin të mësonin diçka të re, prej të ardhurit nga kryeqyteti.
Më sipër u tha se shok të afërt, në Skuadrilen e Transportit, ku shërbeu, Nazifi, kish Mihallaq Pulerin. Pas një kalvari lëvizjesh në emigracion, aktualisht, Mihallaqi, banon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai, jo vetëm që nuk e ka harruar shoqërinë me Nazifin, por, kohët e fundit, i ka përtërirë lidhjet me fëmijët dhe bashkëshorten e të ndjerit. Ja si e shpreh pëimionin për Nazifin, miku i tij i mirë, Mihallaq Puleri:
“… Mbasi përfundova Shkollen e Aviacionit, më emëruan në detyrën e teknikut të aeroplanëve AN-2, në Repartin e Aviacionit të Transportit, në Tiranë. Puna e përbashkët, më njohu e më miqësoi, me disa moshatarë të mi; pilotë, teknikë e specialistë aviacioni. Midis tyre, mu afrua një djalë i ri, i gjatë, me trup të hedhur e simpatik. Ai ishte, me origjinë nga Krahësi i Tepelenës dhe e donte shumë ushtrinë e në veçanti aviacionin. Profesionin e pilotit, ai e kish shumë për zemër dhe vija re që bënte përpjekje të shumta, për të ecur, me hapin e shokëve.
Duke parë tek ai, disa tipare të veçanta të karakterit, ku veçoj çiltërsinë, thjeshtësinë, dashurinë dhe respektin për shokët, si dhe vullnetin për të mësuar, u afrova e u miqësova me të. I rritur në një familje me edukatë të shëndoshë, ku pjesëtarët e saj ishin të lidhur ngushtësisht me njëri-tjetrin dhe harmonia e respekti i ndërsjelltë ishin rregulli numër një, Nazifi, në shoqëri, u shfaq një njeri i edukuar e i kulturuar, pa ego e pa komplekse dhe që respektonte mendimet e të tjerëve. Prandaj e bëra shok e u lidha me të, që në ditët e para të njohjes. Dita – ditës, duke punuar së bashku,miqësia e sinqertë dhe respekti i ndërsjelltë për njëri-tjetrin, u shtuan. Nazifi ishte pilot i ri dhe si mjaft kolegë të tij, kish dëshirë të fluturonte me aeroplanin që menaxhoja unë, i cili mbante numërin anësor: 34.
Nazifi kish besim të plotë tek përgatitja dhe gatishmëria e aeoplanëve, për fluturim. Atë njeri nuk e pashë, kurrë, të shfaqte ndonjë shënjë pasigurie. Natyrisht, ishte i ri në profesion e nuk e kish përvojën e nevojshme, si shumëkush nga të njëjtit shokë grupi. Me qëllim që të mësonte e të konsolidonte shprehitë e të fluturuarit në AN-2, drejtuesit e hallkave të ndryshme të repartit e kishin caktuar Nazifin, në ekipazh, me pilotë të kualifikuar e me përvojë në fluturime të shumtë, në disa tipa aeroplanësh. Të tillë ishin pilotët: Besnik Isuf Shahi ( ndjesë pastë), nga Shijaku; Agim Hamdi Vodopi, nga Shkodra; Skënder Mersin Kanina, nga Braçani i Devollit etj.
Si të gjithë, ne që shfrytëzonim, në tokë e në ajër, një teknikë fluturuese, të thjeshtë në dukje, por që funksiononte sipas ligjeve të shkencës aeronautike universale, kur zbatonim me sukses detyrat e ngarkuara, jo vetëm që lumturoheshim e bëheshim me fletë, por dhe festonim; sipas mënyrës tonë. Pas punës së lodhëshme, e me përgjegjësi, të çliruar nga detyrimet, mbasi linim, në gatishmëri të plotë avionët, uleshim në ndonjë lokal, rrokullisnim ndonjë shishe birrë, madje dhe ndonjë gotë raki cilësore, nga ajo që na dërgonin tanët, nga fshati im, apo nga Krahësi i Nazifit. Kur vinte radha për të paguar, Nazifi ishte mjaft korrekt e i rregullt. Atë njeri, kur pleksej në shoqëri, nuk e kishe, as “dorëshpuar”; as “ dorështrënguar”!
Me Nazifin, qendronim në shoqërinë e njëri-tjetrit, me orë të tëra. Së bashku, qanim hallet e thurnim ëndrrat e moshës, për të ardhmen. Kur isha i mërzitur, për ndonjë çështje vetjake, Nazifi më kuptonte, më afrohej, më pyeste, mësonte shkaqet e brengës time e me fjalë të ëmbël më thoshte: “ Mos u mërzit; Llaqi, kjo situatë e padëshiruar për ty, do të kalojë shpejt e ti do të ndihesh i çliruar prej saj”! Ai më jepte kurajo e unë e dëgjoja, me vemendje dhe e besoja. Nazifi ishte kurajoz dhe bisedonte çiltër, si me mua dhe me të tjerët. Vitet kalonin e miqësia jonë u bë më e fortë.
Në vitin 1974, ai u martua. Familja e tyre e re, shpejt u bë, me trefëmijë: dy vajza e një djalë. Pas kësaj, miqësia jonë u shtri dhe mes familjeve tona. Hynim e dilnim në familjet e njëri-tjetrit, si vëllai me vëllanë. Që atëherë kanë kaluar mjaft vite, por e kam të freskët e më troket fort, në kokë, një porosi që Nazifi i dha bashkëshortes së tij, Leonorës: “ Llaqin e kam si vëlla dhe dua të ma trajtosh si të tillë…”! Më gëzonin e më lumturonin, pa masë, këto fjalë zemre. Ato mbanin brenda gjithë botën, mbarë! Një vlerësim si ky, nuk e kisha parë, as nuk e kisha dëgjuar, ndonjëherë, në jetën time. I tillë ishte Nazif Halit Dokaj; një njeri i përmasave “ hyjnore”.
Vitet rrodhën, shpejt, e ne, të gjithë, prisnim nga Nazifi që të ngjitej, më lart, në të gjithë drejtimet: Si pilot, si oficer e si njeri. Por, mjerisht, pranvera e “ditëve me diell”, për mikun tim nuk zgjati shumë. Jeta e tij u shkurtua, pa pritur e pa kujtuar. Një sëmundje e rëndë e serioze, pruri, në mënyrë të përshpejtuar, degradimin e tij, si në fushën e pilotimit të aeroplanit dhe në komunikimin me shokët e tij. U egzaminua e iu nënshtrua analizave të detajuara, sipas mundësive të asaj kohe. Mjekët shfqën dyshime serioze, për një sëmundje të rrallë. Papritur, truri i tij, aq i kthjellët nisi të shfaqë mungesë e kuilibri dhe artikulimi i fjalëve, për të, u bë i vështirë.
Nazifi ishte i çiltër, me të gjithë, veçanërisht me mua . Ai mi dëftonte,të gjitha hallet, e unë i rrëfeja gjithçka, nga jeta ime. Kishte shumë besim, tek unë e ma dëgjonte fjalën. Ishte optimist, për jetën dhe optimizmin e ruajti edhe në atë kohë kur pasiguria për jetën, në qënien e tij u shtua. Optimizmi i tij buronte nga besimi që kish për jetën dhe prej dashurisë që ushqente për aeroplanin dhe për të fluturuar. Por, për fat të keq, kur e keqja, në trupin e tij avancoi dhe ngërçi u shtua, Nazifi, me çiltërsinë tipike të tij, një ditë, në intimitet, më tha:” Llaqi; nuk po e ndjej veten mirë, kam shpërqëndrim të vemendjes, po, ti, mos ma ver re këtë gjë”! E dija gjendjen e tij shendetësore, por nuk doja ti bija në sy. Në biseda të lira, pa i rënë në sy, i jepja kurajo, e ai, me mirësinë e tij, më përqafonte, me dashri. Sëmundja që iu shfaq, e paspjeguar plotësisht, çoi, derisa po i merrej goja e nuk artikulonte dot, qartë. Në fluturim, ai shfaqi dobësi të theksuara.
Drejtuesit e asaj kohe, duke e ditur dëshirën e tij për të fluturuar i shtuan, disa fluturime kontroll. Mjerisht, sëmundja e kishte bërë të vetën. Në njërin nga fluturimet shtesë, Nazifi, realizoi një ulje, mjaft të dobët. Kur doli nga kabina e avionit, u afrua e më tha, shumë miqësisht:”Llaqi; sot e katranosa fare; nuk jam më, i zoti për të fluturuar”! E kish kuptuar, edhe vetë pamundësinë e tij për të fluturuar; madje edhe të ardhmen e jetës e vështronte me ngjyra të errëta. Një ditë, më ligështoi pa masë, kur më tha: “ “Unë, nuk e kam të gjatë; si mik të shtrenjtë që të kam, po të le amanet të kujdesesh për fëmijët, kur të kesh mundësi…”!
Nazif Dokaj ,u nda nga jeta në moshë mjaft të re. Kjo më hidhëroi, pa masë. E përjetova keq, këtë gjëmë. U mundova ta përmbaja veten, para kësaj humbje të madhe. Bëra çmos tu jepja kurajo bashkëshortes, fëmijëve, të tijëve,shokëve e miqve të shumtë që ai kishte bërë, të cilët e ndjenë, me shpirt këtë fatkeqësi.
Vitet shkuan e ne u lashtuam. Emigracioni i gjatë na largoi disi, por unë Nazifin nuk e kam harruar, kurrë. Ai, me sjelljen e tij humane, ka bërë vend, në zemrën time, si askush tjetër. Deshi Zoti e, pas mjaft vitesh, përtëriva lidhjet me fëmijët e me bashkëshorten e tij, me të cilët më lidh një miqësi e kahershme. Nazifi u fut në zemrën time e nuk mund të dalë andej; unë, atë, nuk mund ta harroj, për vlerat e shumta që kish… Ai mu gjend, si vëlla e shkuar vëllait. E ndjej të freskët përqafimin e tij të ngrohtë; fjalët e tij, plot çiltërsi; shpirtin e tij, të gjërë, si det; tërë qënien e tij humane!
– I paharruar qoftë kujtimi i tij!
– Ti rrojnë ata që ka lënë pas “!
Mihal Puleri.6610 ; wind Ridge RD ; Merilend. U. S. A.
… Në vitin 1982, pas një situate të vështirë, për të, Nazifi u sëmur e u shtrua në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, në Tiranë, për observim e për tu diagnostikuar. Diagnoza, fillimisht u klasifikua si “ Enchepalitis”, në trurin e vogël. Më vonë, atij iu shfaq “ parkinsons ( PD)” i pasuar nga dridhja e duarve dhe humbja e ekuilibrit. Megjithë mjekimet, sëmundja avancoi, më tej. Asaj iu shtua “ Multiple Sclerosis ( MS) ose Encephalomyelitis disseminate”, e shoqëruar me humbje të kujtesës.
Nazifi, i sëmurë, qëndronte vazhdimisht në shtrat. Mjekimet sollën një farë përmirësimi, të përkohshëm por, nga fundi i vitit 1985, tek Nazifi u shfaq “ Hepatis cerroze”, prej së cilës, ai nuk mundi të shpëtohej.
Më 24 shtator, të vitit 1987, Nazif Dokaj, ai goxha djalë, në moshën 37 vjeçare, kur ishte në kulmin e aftësive fizike dhe të pjekurisë intelektuale, u nda nga jeta, duke hidhëruar fëmijët, akoma të parritur, bashkëshorten, miqtë e shokët e shumtë, të cilët e donin aq shumë. Rasti i tij, nuk u ngjan atyre që u vranë në fluturim, në krye të detyrës. Nazifi u “ shua” në shtrat; mbas një lëngimi të gjatë. Ai u ndanga jeta, me brengën se nuk arriti të bënte aq sa duhej për të kapur synimet e tij modeste.
Nazif Halit Dokaj, u përcoll, me të gjitha nderimet, siç e meritonte, në varrezat publike të Sharrës, në Tiranë, të nesërmen, më 25 shtator të vitit 1987, mes pikëllimit e lotëve… I kuptimtë është fakti që, në përcjelljen e tij, erdhën, nga Krahësi i Tepelenës, fshatçe, gjithë gjitonët dhe bashkëfshatarët e tij fisnikë. Bashkëshortja e tij, Leonora, siç do ta dëshironte Nazifi, mblodhi fëmijët, rreth vetes, i rriti e i edukoi ata, të rrethuar nga një kujdes i shtuar, dhe, në kushtet e vështirë të emigracionit, ndikoi pozitivisht për tu bërë ata që janë!
– I paharruar, kujtimi i tij, i ndritur!
Shkroi Niazi Nelaj dhe Mihal Puleri, shokë pune të Nazifit. Janar- Shkurt 2016.
Falenderim: Ky shkrim do të ishte i pamundur, pa ndihmesën e:
– Historikut të fshatit Krahës të Tepelenës, datë 20 shtator 2012, faqe: 130-131.
– Opinionit vetjak të Mihal Pulerit, me banim në Merilend, USA.
– Përparim Dokaj, vëlla i Nazifit.
– Edi Dokaj- djalë i vellait të Nazifit.
– Shaho Zeko – mësues në pension, bashkëmoshatar i Nazifit.
– Sajmir Zeka, dalë i Shahos.
– Llazar Ndini- shok klase i Nazifit.
– Osman Kushta- shok klase i Nazifit.
– Shpëtim Baxhaj- shok klase i Nazifit.
– Janaq Jorgji – shok klase i Nazifit.
– Budjon Tollkuçi – shok pune i Nazifit.
– Gani Vlashi – shok pune i Nazifit.
– Flamur Mickaj , marrë nga libri i tij: “ Mes qiellit e tokës mëmë”
– Rait Ramaj- bashkëautor i historikut të fshatit Krahës të Tepelenës.
I falenderoj këta mentarë, humanë, për ndihmesën e pakursyer që më dhanë!
I dashur Niazi.Nga thellesia e shpirtit ju falenderoj per kete shkrim te persosur per shokun tone te perbaskete Nazif Dokaj. Duke lexuar shkrimin e kisha te veshtire te perqendrohesha, se lotet me rridhnin curg per mbi tastiere.Me hoqe nje brenge qe kishte shume vite ne zemren time, dhe me kete shkrim jam me i qete. Zoti te dhente shendet, sic eshte shpirti juaj i paster dhe i dashur me shoket.Familjes se Nazifit dhe te afermeve te tij ,te ndjehen te qete e krenar per Nazifin tone te paharruar qe nuk del nga zemra ime deri sa te shkoj prane tij
Megjithese kane kaluar shume vte,qe nga koha kur Nazifi nisi rrugen e fluturimit,shoku yne Niazi ,e solli ne kujtesen e atyre qe e kane njohur e punuar me te, me shume mjeshteri e dashuri. Nuk qe e thene ,qe Nazifi te mos ndahej nga kjo jete aqe shpejte. Qofte i paharruar per familjen,qe la mbrapa,te dashurit dhe shoket,qe e kujtojne me respekt.