Regjimenti i Helikopterëve, në historinë e vet ka përshkuar një udhë të lavdishme heroizmi, masiv, derisa u ngjit në piedestalin e “ Repartit elitë” të Ushtrisë Popullore. Në këtë rrugëtim të vështirë, kanë lënë mundin e djersën, dijet dhe përkushtimin, breza të tërë oficerë, ushtarë e punonjës të profileve e specialiteteve të ndryshëm. Në këtë marshim lavdie, kanë mbetur si pika referimi apo si gurë kilometrikë, disa detyra të vështira ajrore, njëra syresh, është ajo që do t’u serviret në vijim.
Shkrimi është bazuar në rrëfimin e veteranit të aviacionit, pilotit të helikopterëve Mi-4- Janaq Jorgji, i cili, në atë ditë fluturimi, tejet të vështirë dhetë mbarsur me rreziqe ishte njëri nga protagonistët. Ishte 6 shkurti i vitit 1981. Vendi përjetonte një dimër të acartë. Në zonat malore të vendit, sidomos në ato Veri- Lindore të tij, rreshjet e borës vijonin të binin, prej disa ditësh e mbi sipërfaqet e maleve ishin formuar disa shtresa të ngrira.
Në Malin me Gropa, në vendin e quajtur Feken, ku lartësia mbi nivelin e detit është 1000m.kursantë dhe oficerë të Shkollës së Bashkuar “ Enver Hoxha”, ishin në fushim dimëror, në kampingun e ndërtuar posaçërisht. Një ortek bore, papritur “ sulmoi” vendfushimin dhe ushtarakët që ishin në aktivitet. 30 ushtarakë u plagosën dhe 19 të tjerë humbën jetën, duke luftuarkundër masës së bardhë vdekjeprurëse, e cila, rrokullisej, me zhurmë, nga lartësitë e Malit të Miçekut. Në kamping u krijua një situatë e nderë. Vdekja ishte ulur “ këmbëkryq”. Ministria e Mbrojtjes dhe gjithë strukturat e Ushtrisë , u vunë në alarm. Helikopterët Mi-4, si shpëtimtarë të sprovuar, u thirrën për të evakuar të dëmtuarit e për të shpëtuar jetët në rrezik. Ja si e kujton piloti Janaq Jorgji, njëri nga pjesëmarrësit drejtpërdrejt në atë aksion shpëtimtar:
“… Ishte ora 12.00, e datës 6 shkurt, të vitit 1981. Po bëhesha gati për të dorzuar, sipas rregullit, detyrën e pilotit të gatshëm. Ndodhesha në dhomën e gatishmërisë fluturuese. Kisha qenë në detyrë 24 orë, pa rreshtur e do të shkoja për të pushuar, pranë familjes, në Tiranë. Papritur, në dhomën e gatishmërisë u fut, rrëmbimthi, komandanti i Regjimentit të Helikopterëve- Hetem Mehmeti. Ai më dha urdhër të merrja pajisjet vetjake të pilotit ( shlemafonin, planshetin, hartën etj.) dhe të shkoja, me shpejtësi, pranë helikopterit të gatshëm, në vendqëndrimin e helikopterëve.
Rrugën, nga dhoma e gatishmërisë, deri tek helikopteri i gatshëm, Mi-4, me numër anësor 6-46, e përshkova, thuajse me vrap. Rrugës, hamendësova se diçka e rëndë kishte ngjarë, derisa erdhi vetë komandanti i regjimentit. Detyrën konkrete nuk e dija, por e përmblodha veten e “u futa në rol”. Në vendqëndrim, pranë helikopterit me numër anësor 6-46 gjeta menaxherin e tij, teknikun fluturues Viron Troqe. Ai ishte njëri nga bortteknikët më të zotë e më të shkathët që kishte Regjimenti. Kontrolluam, rishtaz, shkallët, vinçin, barelat dhe pajisjet e tjera shpëtuese. Ndërkohë erdhi Hetemi; si gjithmonë, serioz e fjalëpak. Ai kishte marrë detyrën konkrete dhe aty, ma bëri me dije edhe mua.
Në vendqëndrim, pas komandantit të regjimentit ishte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Veli Llakaj dhe 4-5 oficerë shoqërues të tij. Ai ia kishte transmetuar urdhrin komandantit tim të ekipazhit. Do të vinte në Feken, për të parë situatën, nga afër së bashku me shoqëruesit. Ata hipën në helikopter. Veliu u ul pas meje. Lëshuam motorrin dhe bëmë provën e plotë të tij dhe të agregatëve të tjerë, sipas kërkesave për t’u ulur në lartësi, me ngarkesë.
U ngritëm në ajër dhe morëm lartësinë 1100-1200m, deri në Grykën e Tujanit. Deri atje, moti ishte ipërshtatshëm për të fluturuar; shikimi horizontal ishte i pranueshëm, binte një vesë shi, e cila nuk na pengonte. Frynte erë elehtë, në parametra normalë. Kur u futëm në Grykën e Tujanit, ramë në lëkundje ajri, të papara. E-po, gryka i ka turbulencat, thamë, dhe vijuam fluturimin, por nuk ishte plotësisht ashtu. Përvoja na kishte gabuar. Era dhe turbulencat nuk ishin si ato që kishim provuar. “Era do të jetë mjaft e fortë”; na tha Hetemi, e ashtu doli. Ndërtuam manovër për të dalë prapa antenës së Dajtit. Ndërkohë vështirësitë e komandimit të helikopterit u shtuan.
Komandanti i ekipazhit, Hetem Mehmeti, ai që bënte pilotimin e drejtpërdrejtë të helikopterit, iu drejtua Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, me fjalët: “… Fluturimi do të jetë shumë i vështirë; shpejtësia e erës është jashtë limiteve të rekomanduara për këtë tip helikopteri…”. Pa u futur në kampetencat e specialitetit të pilotit, Veli Llakaj i sygjeroi Hetemit: “ … Vlerësoje vetë situatën; ti je specialist. Nëse nuk është moti i përshtatshëm, edhe mundtë kthehemi, nuk ka përse të shtojmë viktima të reja…”. Hetemi më pa në sy, dhe pa fjalë, m’u duk sikur më pyeti: “ Si thua ? Të vazhdojmë fluturimin, apo të kthehemi…? U morëm vesh, pa fjalë, vetëm me një vështrim. Ia dija kokën dhe aftësitë , komandantit tim; prandaj rashë dakort, pa fjalë. Vendimi u mor: Do të vazhdonim fluturimin e do të uleshim, duke rrezikuar. Si ekipazh, dëftuam kompaktësi e u shprehëm në unanimitet. Vijuam fluturimin, në kushte tejet të vështira.
Etapa e fluturimit, nga antena e Dajtit në Feken, ishte një “ vorbull e vërtetë”. Nuk më vjen për mbarë të them se ishte një skëterrë. Përpara kishim një mur e shkonim drejt tij. Fluturonim drejt së panjohurës. Mali i Miçekut, nuk dallohej fare. Na duhej të uleshim në qendër të asaj “vorbulle” të errët, pa ditur ku shkonim. Era vinte nga mali; ajo ishte brizë dhe duke kapërcyer malet, shtonte “vrapin” e zbriste, tatëpjetë e azdisur. Briza, përveç spostimit nga vija rrugore, shoqërohet me lëkundje, jo të vogla. Vendi ku duhet të uleshim ishte diçka, pa mbërritur në kamping, në kurrizin e një lartësie rreth 1000m., nbi nivelin e detit, në vend të pa eksploruar, me përmasa tepër të kufizuara.
Hetemi, kur po shkonim në ulje, më paralajmëroi se në krahun tim ( në të djathtë), ndodhej një pemë (kumbull) e lartë 4-5 m. e cila pengonte dhe nuk dukej nga larg, për shkak të shikimit horizontal të dobët. Shpejtësia ajrore, sipas instrumentit në kabinë ishte 160 km/orë. Në instruksionet përkatës, helikopteri Mi-4 lejohet në fluturim, kur shpejtësia e erës, në tokë është jo më tepër se 18 m/sek, dmth- 65 km/orë. Vështirësitë e pilotimit të helikopterit ishin të papara por edhe njerëzit në rrezik, duheshin shpëtuar. Na mbetej vetëm një alternativë: të uleshim, me çdo kusht, qoftë edhe duke rrezikuar veten.
“ Mblodha” veten. U tendosa, pas komandave. Në veten time kishja një lloj sigurie, edhe pse ulesha për herë të parë në atë vend. Sigurinë ma shtonte prania e Komandantit të Regjimentit, në kabinën e majtë. Jo si funksion, por si specialist i fluturimeve të vështira. Hetem Mehmeti, njihej si njëri nga pilotët më të përgatitur e më guximtarë të helikopterit Mi-4. Vitaliteti i tij; guximi, trimëria, iniciativa vepruese dhe talenti i rralllë si fluturues, sikur, m’u ngjitën, siç përhapet një epidemi gripi. Mora zemër e u përfilla për të dhënë ndihmesën time në këtë sipërmarrje të rrezikshme.
Situata faktike kërkonte teknikë pilotimi të përsosure veprime të sakta. Çdo minutë, sillte një situatë të re, më të vështirë. Shtuam syçeltësinë për të kapur në kohë, çdo ndryshim të situatës sinoptike dhe për të vepruar në përgjigje të ndryshimeve. Përcaktuam drejtimin dhe shpejtësinë e erës, në vendin e uljes. Kjo është detyrë e parë, për çdo ekipazh, por, për ne, merrte rëndësi të veçantë. Për shkak të erës, nuk mund të kalonim në rreth të dytë. Çdo pasaktësi në llogaritje, mund të pasohej nga rrjedhoja të paparashikuara. I kujtuam njëri-tjetrit veprimet që lipseshin. Dubluam njëri-tjetrin, pa e penguar dhe u ulëm, në kurrizin e një lartësie, siç e kishim paraparë. Motorrin nuk e fikëm; e mbajtëm me xhiro maksimale e nuk guxonim ti ulnim ato, nga droja se mos, helika mbajtëse, takonte me bishtin e helikopterit. Ulja e krye mbi sipërfaqen e bardhë, trashësia e borës së re arrinte rreth 20 cm. Në ulje, stuhia e borës së re, nuk na pengoi të përcaktonim lartësinë nga toka. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, dhe shoqëruesit e tij, zbritën nga helikopteri e shkuan drejt kampingut.
Pritëm rreth 40 minuta, me motorr të ndezur, derisa u sistemuan në helikopter, të aksidentuarit. Sistemimi i 6 të plagosurve, disa nga të cilët – tëndë, nuk ishte gjë e lehtë. Ata që ishin më rëndë, u vendosën në barrela; të tjerët, ata që mund të qendronin të ulur, u vendosën në karrige. Gjatë marrjes të të aksidentuarve, shpërthyen vlerat fizike dhe fryma luftarake, e pleksur me humanizëm e bortteknikut Viron Troqe, i cili, i vetëm, përballoi, atë situatë të vështirë e të rrezikshme. I kallkanosur, me duar e fytyrë të mavijosura, Vironi, u tregua një hero i vërtetë. Kush e ka përjetuar, një situatë të ngjashme, e di mirë rolin e teknikut të bortit dhe sakrificat e tij.
U ngritëm, si u mgritëm. Ishim me fat që era nuk ndryshoi drejtimin. Pas ngritjes, e patëm shumë të vështirë të rrotulloheshim, për t’u futur në Grykën e Tujanit. Në lartësinë e kalimit të saj, era ishte anësore e ne, na duhej të rrotulloheshim, me hile, si “ vjedhurazi’. Të aksidentuarit i ulëm në oborrin e Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak, në Laprakë. Pa fikur motorrin, u ngritëm e shkuam sërish në Feken, ku na pritnin fatkeqë të tjerë. Moti ishte siç e lamë, por, shikimi horizontal ishe përkeqësuar. Atë ditë, u ulëm në Feken, 4 herë. Evakuam rreth 30 të aksidentuar. Në çdo ulje pasardhëse, Hetemi, me veprime të përpikta i takoi rrotat me tokën, në të njëjtin vend. Kjo është vlerë e tij, e pa kundërshtueshme. Fluturimi i katërt u krye thuajse në muzg.
Kur po bëheshim gati për të shkuar në Feken, për të tretën herë e ndodheshim në oborrin e Spitalit Ushtarak, Hetemin e kërkoi në telefon Ministri i Mbrojtjes, Kadri Azbiu. Mes tyre u zhvillua një dialog i ashpër. Ministri:” Të jap urdhër të mos ngrihesh më! Nuk kemi përse të shtojmë viktimat, mjaft janë ato që na mori orteku…”. Hetemi: “… Shoku Ministër; …jo vetëm që do të shkoj se në vendin e ngjarjes ndodhen shumë të aksidentuar që duhen evakuar, por jam i sigurt se do të shpëtoj shumë jetë të rrezikuara seriozisht; nesër e sqarojmë çështjen e urdhrit…” Kishte një motiv domethënës Hetemi që mendonte e vendosi ndryshe. Të aksidentuarit, edhe pse në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore e shpirtërore, kur dëgjonin zhurmën e helikopterit që afrohej, mblidhnin forcat, u shtohej optimizmi për jetën dhe shpresonin në “fuqinë magjike të helikopterit”. Këtë, aviatorët e kishin parë në mjaft raste të ngjashme.
Të nesërmen, i njëjti ekipazh, u ul edhe një herë tjetër në Feken, por tashmë moti ngjante me një pranverë të vërtetë. Ky fluturim, i cili ishte nga më të vështirët në historinë e helikopterëve Mi-4, në vendin tonë, u studiua e u fut në programin e uljeve jashtë heliodromit. Ekipazhi Mehmeti- Jorgji-Troqe, me sakrificën që bënë, ndikuan në përmirësimin e jetës të atyre që shpëtuan nga ai rrezik iminent. Përballë vlerave të tyre, kushtet e motit “ u dorzuan”; ata që kontribuan në plotsimin e këtyre fluturimeve dolën fitimtarë. Ulja në Feken, në ata kushte, i shtoi Regjimentit të Helikopterëve një hallkë tjetër në gjerdanin e lavdisë kolektive.
Shkroi Niazi Nelaj
Në Tiranë, Janar 2017
Si perhere, Pena Brilante sjell Heroizma Brilante