Grimca kujtimesh, për të papërsëritshmin Azbi Ramadan Seranaj

Shkrimet e porositura e futin në vështirësi atë që shkruan. Ai, që të “ gatuajë” siç duhet, ka nevojë të rëmojë e të qëmtojë tipare e virtyte të heroit, për ti hedhur në letër. Me Azbi Ramadan Seranaj, çështja paraqitet disi ndryshe. Tiparet dhe virtytet e tij, ishin aq me tepri sa letrarit nuk i paraqitet alternativa të bëjë kërkime, e hulumtime. Çdo të mirë që të shkruash për të, ngjit.  Mendimet për atë njeri; çfarë them? Për atë supernjeri, janë endur sheshit e koha nuk i ç’bën dot. “Pena të forta” kanë shkruar, për jetën dhe veprën e tij. Mirë kanë bërë. Mendoj se nuk është shkruar sa duhet. Figura e tij është shumëdimensionale e druaj se nuk janë bërë të njohura, publikisht, të gjitha vlerat e tij. Ishte i veçantë Azbiu; ai ishte” një kokë mbi shokët”! Këtë e kam bindje e nuk e theksoj thjesht për kortezi.

Në këta rrjeshta, do të përpiqem të sjell, disa grimca kujtimesh, vetjake, të cilat, me gjithë varfërinë e tyre, shpresoj të shtojnë ndriçimin e asaj figure  vlerashumë:

Në vitin 1963, Azbi Seranaj, ishte përzgjedhur, instruktor i teknikës së pilotimit, me kursantët të kthyer nga Bashkimi Sovjetik, të cilët i vazhduan e i përfunduan fluturimet, në aerodromin fushor të Poros, në aeroplanët reaktivë, gjuajtës-bombardues Mig-15.  Azbiut i besuan të përgatiste katër kursantë. Njëri syresh ishte shtatlarti Bardhyl Tom K. Lubonja. Për shkak se kishte shtat të lartë,” kompetentët”, nuk donin ta lejonin Bardhin të fluturonte në aeroplanë gjuajtës-bombardues, reaktivë. Bardhyli u mërzit mjaft nga kjo, për arsyen e thjeshtë se fluturimin në këta tipa, e kishte ëndërr dhe pasion të jetës. Azbiu, me mirësinë e shpirtit të tij, të gjërë si det, iu bë jatak, nxënësit të tij vullnetmirë dhe e përkrahu, në ëndrrën e tij sublime.

Me buzagazin tipik, instruktor Azbiu, me dashamirësi i përkëdhelte shpatullat Bardhit dhe e inkurajonte atë. Ai, me kujdesin atëror, i shtonte optimizmin, Bardhit, me fjalët: ” Mos u ver në siklet, “ Gjatosh”; do të fluturosh në avionët gjuajtës-bombardues reaktivë”! Dhe Bardhi, fluturoi, në ata avionë, siç i tha instruktori, madje kapi maja, sa i përket teknikës së pilotimit.

Kam patur privilegjin të njihem me një karakteristikë fluturuese, të përpiluar nga Azbi Seranaj, për kursantin e tij- Bardhyl Tom K. Lubonja. Nga ajo sivi, më ka mbetur në mendje formulimi “ brilant” e pastërtia e paarritshme. Çfarë saktësie e kompetence profesionale është derdhur në ato radhë, për të çmuar çdo element të fluturimit? Çfarë kulture e pastërti gjuhësore ka në ato përcaktime mjeshtërore? Çfarë pastërtie profesionale gjendet në atë dokument? Çfarë horizonti ravijëzohet në atë formulim? Sa bukur e saktë e ka parashikuar ecurinë dhe perspektivën fluturuese të nxënësit të tij, të cilin e donte dhe e çmonte aq shumë?

Në një rast tjerër, në pranverën e vitit 1972, fluturoja në aeroplanët e lehtë të transportit An-2. Me dy avionë, të këtij tipi, ishim dislokuar në lëndinën e aerodromit të Qytetit “ Stalin”, nga ku kryenim fluturime për spërkatjen e të lashtave, në Myzeqenë e Lushnjës. Azbiu, thuajse çdo mëngjes, kalonte, me hap të shpejtë, pranë avionëve An-2, në segmentin: çifti roja- pika e drejtimit të avionëve. I qeshur, fjalëëmbël, i veshur me uniformë fluturimi, e cila rrinte bukur në atë shtat, mesatar, por të lidhur mirë e të zhdërvjellët, me shlemafon në dorë, të futur në një çantë mushamaje, të cilën e tundëte para-mbrapa, si lavjerës; me kapele, të vendosur pak mënjëanë, i thjeshtë e i qeshur, na përshëndeste. Kur më drejtohej, nuk harronte të interesohej, me fjalët:” Ç’kemi patriot? Si po u shkojnë punët”? dhe, kur kishte më tepër kohë, si për t’u shlodhur pak, nga ajo ecje me hap te shpejtë, më thoshte: “ Na e hodhi Bashkimi Sovjetik”!

Në pranverën e vitit 1966, Azbiu, komisar i Grupit Ajror  të regjimentit, drejtonte formën e edukimit në parti të pilotëve. Ishim në klasën tonë, në aerodrom, pranë uzinës së vjetër. “Mësuesi i edukimit”, ideo-politik, Azbi Seranaj po spjegonte tezën mbi rolin e punës, për shndërrimin e majmunit, në njeri. Në klasë mbretëronte heshtja. Atë e prishi, një shoku ynë, çapkën. Në esencë, ai u çua, dhe tërë seriozitet, tha:” Nuk e besoj këtë tezë, po qe se “X”-i, i cili është dembel, nuk transformohet në majmun. Nuk gjenim vend të futeshim. Të deklaroje kështu, në atë kohë, ishte, blasfemi. U ndjemë keq. Azbiu, si psikolog i spikatur dhe njohës i thellë i realitetit, i dha çështjes nota humori dhe, me buzëqeshjen e tij të çiltër, na çliroi nga ngërçi që na kish kapluar.  Ajo ndodhi, nuk u dëgjua më në të pastajmen; ajo u tret mes vedit.

Azbi Seranaj, i gjykonte gjërat me pastërti e mendjekthjellëtësi dhe nuk “ i jepte” njerëzit, por vështronte ecurinë e tyre. Le ti shtojnë këto radhë mjerane, pak dritë, figurës së tij, të pastër e të papërsëritshme!

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij i ndritur!

Në Tiranë, më 5 shkurt 2017                                                 

Shkroi Niazi Nelaj