Jovani u lind në fshatin Boboshticë të rrethit të Korçës, më 5 mars të vitit 1938 , në një familje të njohur për atdhetari e traditë. Ai erdhi në jetë nga dy prindër të thjeshtë , me jetë familjare të rregullt ku mes fëmijëve të shumtë sundonte edukata e shëndoshë , lidhje të forta mes tyre , te afermve dhe miqve e shokëve të shumtë dhe marredhënje tepër korrekte e dashamirëse me fqinjët.Familja e Jovanit , si shumë boboshticarë spikatnin për edukatë të shëndoshë e kulturë qytetare.Jovani , erdhi në jetë si fëmija i gjashtë i familjes; pas Elisabetës; Dhimitrullës; Vangjelisë; Todit dhe Vasilikës. Pas tij , u lind Gaqua , si për të shënuar mbylljen e lindjeve të çiftit Llazar e Guçe Kacorri. Llazi doli partizan dhe femijet e shumtë i mbeten nënë Guçes , për rritje dhe edukim. Fëmijët e mëkëmbur , nënë Guçja , si për ti ardhur në ndihmë te shoqit partizan , i aktivizoi për të shpërndarë trakte e komunikata . Jovani , aso kohe ishte ende i mitur e ishte i lumtur të qendronte pranë nënës. Në lojërat me moshatarët dhe në ngjitjen nëpër pemët e shumta të fshatit e për kapërcimin e gjerdheve që ndanin kopshtet , Jovani shfaqi zgjuarsi natyrale dhe shkathtësi fizike si dhe tipare të tjera që paralajmëronin të ardhmen e tij.
Mësimet e para , Jovan Kacorri i mori në fshatin e lindjes kurse për të kryer shkollën e mesme u fut në shkollën teknike “ Irakli Tërova”, të profilit bujqësor , në qytetin e Korçës. Në maturën e parë të kësaj shkolle , në vitin 1957, Jovan Kacorri ishte ndër nxënësit më të dalluar. Gjatë katër viteve të shkollës , ai u rrit e u fuqizua , u zbukurua e u burrërua , u bë më i shkathët , më i pjekur e më i thellë në mendime. Jovani vërtet mësonte shumë e kishte rezultate të lakmuara por sytë i kishte gjetkë; ai vështronte me kërshëri qiellin e kaltër e i shkrepi të bëhej roja i tij. Tradita e familjes e kërkonte trimërinë dhe burrërinë e pinjollëve të saj ; Jovani i gjeti ato tek profesioni i vështirë por trimëror i pilotit. Shkëndinë që lindi tek adoleshenti i parritur akoma Jovan Kacorri , e ndezi takimi me disa pilotë korçarë , të cilët kur vinin në qytetin e tyre , i jepnin dritë e bukuri bulevardit dhe tere qytetit. Jovani pa , kur vinin pranë familjeve , në Korçë: Vasil Trashën, Peço Polenën, Irakli Grazhdanin, Vasil QERAXHIUN, Andrea Stavren , Niko Papavangjelin, Niko Isakun , Kristaq Picin , Fillota Kurunin, Andon Koroveshin , Qirjako Trebickën etj. Kur i shikonte në rrugë , sytë e Jovanit mbërtheheshin sidomos tek uniforma e tyre e bukur dhe tek kapelja me aksesore , të artë. I riu Jovan Kacorri tek shikonte idhujt e tij mendonte:” Po unë , a mund të bëhem si ata , a mund të fluturoj , si zog” ? Dhe përgjigjen e gjeti në një ditë të bukur vjeshte , u nis për në Tiranë, ku u sistemua në shkollën e aviacionit , e cila sapo ishte çelur , me qëllim që të përgatiste pilotë.
Pas nkjë sërë analizash e këqyrjesh mjekësore , Jovani u gjet i përshtatshëm për tu bërë pilot , prandaj , në muajin tetor të vitit 1958 , ai dhe shokët e grupit të tij , nisën përgatitjet teorike. Pas disa muaj mësime teorike , kursantet e pare për pilote , nisën fluturimet vozitese , në aerodromin e Laprakës ( Tiranë), me aeroplanet me helikë, Jak-18 A. Shokë të kursit të tij ishin: Robert Marko, Baftjar Metaj, Myrteza Arapi, Sotir Majko, Servet Murati, Servet Muka, Divin Abazaj, Lirim Kokona , çerçiz zeka, Atllant Buzo, Pandeli Prifti, Niko Qendro, Muço Muçaj , Vaskë Nikolla , Raif Hoxha, Shuaip Nurja, Ali Islami , Petraq Qafëzezi dhe Panajot Gjikopulli. Instruktore të teknikës së pilotimit ishin: Thanas Gjiknuri ( komandant skuadrile ), Petrit Majlindi, Hektor Lako, Refit Jazoj dhe Agim Spahiu. I nisën fluturimet , por nuk u ecën mbarë. Në një fluturim vozitës , instruktorit Agim Spahiu , me kursantin Niko Qendro , në lartësi mjaft të vogël , motori i avionit u fik e avioni u përplas pas tokës. Fatmirësisht pilotët nuk morën plagë dhe avioni nuk u dëmtua rëndë. Megjithatë, shkolla e pilotëve u mbull , ende pa nisur nga puna. U desh iniciativa dhe autoriteti i kolonel Niko Hoxhes , si njeri qe e donte me shppirt aviacionindhhe morei përsipër rihapjen e shkollës , në një formë tjetër , të paparë. Brenda strukturave organizative të Regjimentit të vetëm të aviacionit shqiptar , ku ishte komandant Niko Hoxha , u formuan dy skuadrile , me detyrë përgatitjen e pilotëve të rinj. Njëra nga skuadrolet kishte komsndant pilotin e klasit të parë Thanas Gjiknuri dhe instruktorë: Flamur Mickaj ; Petrit Majlindi; Agim Spahiu; Refit Jazojdhe Hektor Lako. Kjo skuadrile ishte e pajisur me aeroplane te lehtë mësimorë , me helikë Jak-18 A dhe bënte stërvitjen fillestare të kursantëve për pilotë. Skuadrilja tjetër kishte komandant Tomorr Avdinë dhe instruktorë: Sokrat Priftin ; Hamdi Arapin,Agim Spahinë dhe Salih Dibrën .
Gjatë vitit 1959, në aerodromin e Qytetit “ Stalin”, kursantët për pilotë plotsuan programin e fluturimeve në avionët me helikë dhe morën “ vizën” për të fluturuar në reaktiv. Jovani , gjatë fluturimeve në Jak-18 A kishte instruktor Petrit Majlindin. Në përfundim të programit të fluturimeve në avionin me helikë , Niko Hoxha , i mori , në provim kursantët , një nga një dhe lejoi të kalonin në reaktiv , vetëm 16 prej tyre ; 4 të tjerë , të cilët ishin me teknikë pilotimi relativisht më të dobët nga shokët e tyre , u caktuan të përgatiteshin si instruktorë , në Jak-18 A. Kaluan nëpër mësimet teorike , në regjiment , të 16 kursantët dhe në verë të vitit 1960, nisën fluturimet në Mig -15, në aerodromin fushor tp Pishëporos. Instruktor i Jovanit , në Mig-15 ishte piloti Hamdi Arapi , i ardhur nga shkolla sovjetike e aviacionit. Jovan Kacorri , si në fluturimet me aeroplanin Jak-18 A dhe në ata Mig-15 ishte kursanti më i mirë. Ai i kapte shpejt elementët e fluturimit dhe i përvetësonte ata qendrueshëm. Dallohej për teknikë pilotimi të pastër.
Siç më dëftoi shoku i tij i grupit të kursantëve , veterani i aviacionit Baftjar Metaj, “ një ditë kur pilotoja në zonë , me Jak -18A, në kabinën e dytë , për të ruajtur ekuilibrin e avionit, erdhi Jovani. Mbasi kishja përfunduar ushtrimet , ai më tha: “ hiqi duart dhe këmbët , nga komandat se do të bëj unë , një kompleks! Ashtu bëra. Jovani e kreu kompleksin , me cilesi , madje më mirë nga instruktori ; “ I mbiu fare shigjetat”.Nuk u habita , e dija që Jovani ishte në i miri. Ai dhe shokët tanë të grupit: Lirim Kokona; Servet Murati; Muço Muçaj ; Divin Abazaj etj , merrnin më pak fluturime vozitëse dhe lëshoheshin , të parët , në fluturime, pa instruktorin në kabinën e dytë”. Shoku tjetër i frupit , veterani Servet Muka , gjatë intervistës , duke u përpjekur të sjellë në mendje portretin e Jovan Kacorrit , pa u mmenduar gjatë , më tha:”Ehu, ai ishte i përkryer në të gjithë drejtimet.Me atë fytyrë të bukur , me ato tipare ezmere , me vetullat te zeza , tëputhitura në mes të ballit , me atë zgjuarsi natyrale , me thellësinë e mendimit dhe me sjelljen tere edukate qytetare dhe me kulturë, qysh në hapat e parë të shkollës , jo vetëm spikati për tiparet e tij të përkryera , por dhe fitoi zemrat dhe respektin e shokeve e të shefave”. Më tej , si për të plotsuar diçka , të cilën nuk arriti ta thoshte më parë , Serveti shtoi:” Jovani e donte shumë profesionin dhepremtonte se do të bëhej pilot cilësor. E mbante të pastër , të rregullt e i rrinte bukur uniforma , sidomos ajo e daljes së lirë . I kishte për zemër aksesorët që zbukuronin uniformën e sidomos kapelen. Kopsat e tij shkelqenin në çdo kohë , tek këpucët e Jovanit mund të shikoje fytyrën , di në pasqyrë “. Duke e përfunduar rrëfimin , veterani, shok klase i Jovan Kacorrit , Servet Muka shtoi:” Jovani e donte dhe e respektonte të bukurën , shija e tij ishte shije e një artisti , të mbaruar. I donte mjaft prindërit , motrat e vëllezërit, të afërmit , shokët dhe miqtë e shumtë. Ishte mjaft i dashur dhe tolerant ; edhe kur i drejtohej dikush me ndonjë batutë , ai e priste me buzëqeshje”!
Në Pishëporo , gjatë fluturimeve me aeroplanet Mig -15 , dyvendësh dhe luftarakë, ashtu si në vitin e parë , Jovan Kacorri , u priu shokëve. Ai ishte jovetëm në nëngrupin , më të përparuar të skuadriles , por , ne shokët e tij e kishim si model dhe e respektonim shumë. Jo vetëm kaq ; Jovan Kacorri , me sjelljen dhe përkushtimin ndaj detyrës , ishte kthyer në një djalë aq të dashur , sa padashur na shkonte mendja se ishte “ i përkëdheluri i skuadriles dhe i shkollës”! Fjala e tij ngjiste dhe shëmbulli i tij ndiqej nga shokët ! Këtë mendim ma shprehën disa nga bashkëkohësit e tij kursantë, të të dyja skuadrileve . Ditët e fluturimeve pasonin njëra-tjetrën e programi i drejtohej fundit. Më 22 qershor të vitit 1960, skuadrilja reaktive e shkollës zhvillonte fluturimet e radhës. Kursantët më të përparuar fluturonin në pilotazh , në zonë. Jovan Kacorri u ngrit në ajër , rreth orës 10.oo, me aeroplanin luftarak , Mig-15 Bis , me numër anësor 115 , i cili menaxhohej nga tekniku i aviacionit Shyqyri Llangozi. Udhëheqësi i fluturimeve , kolonel Niko Hoxha , e dërgoi të kryente detyrën në zonën e pilotimit , mbi Patos, në lartësinë 4000 metra.Pas kryerjes së detyrës , Jovani kërkoi , me radio humbjen e lartësisë dhe kthimin në aerodrom. E mori lejen për t’u kthyer por nuk ndoqi rrugën e zakonshme ajrore. Ai humbi lartësi . më parë se vendi i rekomanduar dhe kaloi mbi Qytetin “ Stalin” , në lartësinë 1000m. U drejtua për në aerodromin e Pishëporos , por , mbi Urën e Kuçit, në lartësinë 1000m bëri një figurë pilotazhi , të vështirë , për nivelin e tij , dhe epërseriti kur ishte mbi urën e Mbrostarit. Gjatë plotsimit të figurës , e cila ka gjasa të ketë qenë një “ boçkë” horizontale, avioni i tij ka humbur lartësi e është përplasur me tokën . Si rezultat i tejkalimit të detyrës dhe nivelit individual të përgatitjes , ndodhi katastrofë ajrore , ku gjeti vdekjen , “ ylli “ i kursantëve për pilotë Jovan Llazi Kacorri e u shkatërrua plotësisht aeroplani i pilotuar prej tij.
Kur mësuan për katastrofën ajrore , shtangën , kursantët , instruktorët e tyre dhe i gjithë efektivi. E përjetoi rëndë komandanti i regjimentit , iniciatori i riçeljes të shkollës për pilotë , kolonel Niko Hoxha. Ai burrë , të cilit nuk i trembej syri nga asgjë, u ndje keq , kur mësoi , i pari, se iu vra kursanti që donte aq shumë , çapkëni i pakrahasueshëm , talenti i lindur për pilot , Jovan Kacorri. U bënë analiza , shkarkime nga detyra e pezullime; u bë përgatitje plotsuese me kursantët e u dhanë provime për të stabilizuar gjendjen. Të nesërmen e ngjarjes, më 23 qershor të vitit 1060, Jovan Llazi Kacorri , u përcoll , siç i takonte , me nderime e me shumë lot , në varrezat e Qytetit “ Stalin”, përkrah pilotit “As”, nga Dishnica e Korçës , Vasil Trasha , i cili , gjithashtu ishte vrarë , me avion , dy vjet më parë , në aerodromin e Qytetit “ Stalin” , në përpjekje për të marrë klasin e parë të pilotit.Pas gati një javë përgatitje e provime , në aerodromin e Pishëporos , me kursantet e skuadriles reaktive , akoma të tronditur nga ngjarja , rinisën fluturimet. Natyrisht , me një staf tjetër. Qysh në ditën e parë , kursanti Petraq Qafëzezi , përgjegjës i grupit , duke pilotuar në zonë, ra në iluzion e , me panik , braktisi aeroplanin , me katapulte. Falë veprimeve të sakta për tu hedhur dhe mirefunksionimit të sistemit të katapultimit , Petraqi u ul në tokë , shëndosh e mirë , por aeroplani , që ai pilotonte u shkatërrua plotësisht. Shkolla u mbyll përfundimisht dhe kursantët e të dy grupeve u dërguan në shkollën sovjetike të aviacionit . Disa u vendosën në Batajsk , ku e nisën çdo gje nga e para , të tjerë u dërguan në aerodromin e Kushovskajas , ku fluturuan në avionët Mig-17 dhe të tretët shkuan në Krasnodar , për të fluturuar në aeroplanin bombardues Il-28.
Në vitin 1970, Jovan Kacorri dhe Vasil Trasha , u shperngulen ne varrezat e qytetit të Korçës. Në vitin 2004 , mbasi u shpallën “ Dëshmorë të Atdheut” , me këmbënguljen e familjeve të tyre , Jovan Kacorri dhe Vasil Trasha , u rivarrosën në varrezat e dëshmorëve të Atdheut, të qytetit të Korçës. Pranë varrece të tyre është varri i një piloti tjetër: i cili , gjithashtu është vrarë ,në krye të detyrës dhe është shpallur “ Dëshmor i Atdheut” ! Jovan Kacorri , Vasil Trasha dhe Fluturim Molla , si për ti bërë nder asaj faltore trimash , janë njëherazi një faltore , për çdo Atdhetar që e do Shqipërinë!
Lavdi Kujtimit të ndritur të tyre; qoftë e përjetshme vepra e tyre heroike!
Shënim: Ky opinion , modest , ka përthithur kujtimet me vlerë të Gaqo Llazi Kacorrit ( vëlla i heroit); Valter Gjonit ( djalë i motrës së Jovanit);Robert Markos, Baftjar Metës dhe Servet Mukës ( shokë kursi të Jovanit); Bahri Përmetit ; Rrapo Kodhelit ; Bardhyl Lubonjës e Agim Ismailit ( bashkëkohës të Jovanit , kursantë për pilotë të një viti më pas) dhe ndihmesën e frytshme të Kujtim Seranaj ( vëlla i pilotit të talentuar , Azbi Seranaj , “ Dëshmor i Atdheut”, rënë në krye të detyrës). Ky opinion , me siguri do të ishte më i plotë , po të më kishte rënë në dorë blloku i xhepit ( autentik ) i Jovan Kacorrit , të cilin e ka ruajtur prej më se 50 vjet , shoku i tij i ngushtë dhe kursant i të njëjtit grup , i ndjeri Sotir Majko. Pati dhe ndonjë që ngurroi të më jepte kujtime ; nuk e mbaj mëri , ajo është çështje e tij ; Zoti e ndjeftë! Shpresoj ta kem ndriçuar sadopak figurën e ndritur të Jovan Kacorrit , kursantit për pilot , i cili u vra , në krye të detyrës , duke na lënë një përvojë me vlerë. E zgjata rrëfimin edhe për një arsyetjetër: Ka mjaft njerëz , madje dhe nga ata që kanë shërbyer në aviacion , të cilët nuk e njohin këtë histori lavdie.
Urime per shkrimin per Deshmorin Jovan Kocorri, por mendoj se ka nje pasaktsi ne kur flitet qe ka marre pjes ne lufte, gje e cila duket e pamundur po te marrim per baze faktin qe kur mbaroj lufta ai ishte vetem 6 vjec.