Lamtumirë Adem Mahmut Çeça

Adem Ceca 1

U lind në fshatin Kllojkë të Malsisë të Tiranës, më 12 prill të vitit 1939, në një familje fisnikësh autoktone, me tradita atdhetarie. Fëmijërinë e hereshme, Ademi e kaloi në fshatin e lindjes i cili dallohet per bukuritë natyrore dhe njerëzore e për atë klimë shëndetsjellëse. Pranë nënë Xhemiles dhe baba Mahmutit, Ademi i vogël, mes motrave e vëllezërve që e donin shumë, dhe të afërmve, të cilët e rrethuan me shumë dashuri e kujdes, u rrit, hodhi shtat, si lisat e trevës që e lindi e u bë një djalë i edukuar, i sjellshëm e me karakter të fortë. Në moshën kur duhej të arsimohej, u fut në shkollën unike të fshatit, ku përfshihej dhe arsimi fillor, ku u veçua, për sjellje shembullore dhe rezultate shumë të mira në mësime. Zoti i dha bukurinë fizike dhe tiparet gjithë nur. Familja dhe të afërmit i dhanë edukatën e shëndoshë. Shkolla, të cilën e kishte mjaft për zemër, i dha dituritë fillestare.

Pas përfundimit, me tregues cilësore të shkollës së fshatit, Ademi zbriti në Tiranë e u fut në shkollën e mesme pedagogjike, nga ku doli arsimtar i ciklit të ulët. Ashtu si në shkollën unike dhe në atë të mesme, Adem Çeço, shtoi njohuritë për botën e shoqërinë, u njoh me kërkesat e Pedagogjisë të kohës dhe u rrit e u burrërua, duke u transformuar në një adoleshent të vetëdijëshëm për misionin human të mësuesit që mori përsipër. Djaloshi shtatlartë nga Kllojka, simpatiku Adem Çeço e nisi karrierën e mësuesit në shkollën fillore të fshatit malor të Bulçeçit, në trevën e Shupalitdhe në atë të fshatit të lindjes, Kllojkës së tij të dashur. Ademi 19 vjeçar, me drojën e moshës dhe pasigurinë e fillestarit, me shumë vullnet e këmbëngulje u dha mësimet e para vocërrakëve të sapoulur në bangot e shkollës, të cilët mezi mbanin në dorë penën, pëtr të zhgarravitur fletoren duke hedhur në të ato figurina të çuditshme, të cilat quheshin shkronja. Fëmijëve që kishin zënë vend në klasat e thjeshta , Ademi u mësoi të shkruanin e të lexonin por u dha dhe mësimet e edukatës qytetare që vetë manifestonte.

Më 26 gusht të vitit 1960, së bashku me 35 djem të zgjedhur, nga e gjithë Shqipëria, Adem Çeço, me një aeroplan sovjetik të tipit Tu-104, fluturoi nga aerodromi i Rinasit për në atë të Vnukovos, në Moskë. Pas 48 orësh rrugëtimi, me tren, ai dhe shokët e tij shkuan në  Kaukazin e Veriut, në qytetin e Rostovit mbi Don dhe u sistemua në regjimentin e Batajskut, të shkollës sovjetike të avacionit, me qendër në Krasnodar. Do të bëhej pilot gjuajtës- bombardues, Ademi dhe shokët e tij, për tiu shtuar aradhës të trimave që tashmë fluturonin në Atdheun e tyre; në Shqipëri. Pas sistemimit në shkollën e aviacionit sovjetik,në shoqërinë e  djemve nga Shqipëria: Koço Biku; Bardhyl Lubonja;Dhori Zhezha;Petraq Koroveshi; Roland Sofroni; Sefedin Tomçini; Sillo Mëlica; Thanas Papa; Pandeli Lëngu; Mustafa Gjokutaj;Bashkim Kozeli; Ahmet Zogu; Minush Karalliu; Agim Ismaili; Fadil Nenaj ( Braho) etj, Adem Çeçou përfill për të mësuasr teorinë e më pas fluturimin, në avionët e lehtë, mësimorë, me helikë –Jak 18-A. Në grupin e ngushtë të fluturimit, Ademi kishte Petraq Koroveshin. Instruktor i tyre ishte piloti i talentuar, metodisti i palodhur, çeçeni Aleksandër Rapajev.

Fluturoi në aerodromin fushor të Batajskut, me aeroplanët Jak 18-A, gati 100 orë e çdo gjë shkoi si në vaj. Por, pikërisht, në ditën e fundit, kur grupi i studentëve për pilotë ku bënte pjesë Adem Çeço do të jepnin provimin, në fluturim, një ultimatum monstruoz, bëri që djemtë shqiptarë të ktheheshin, në Atdhe, si persona non grata, me afat 48 orë; aq sa kohë duhej për të shkuar në Moskë, nga ku do të nisej aeroplani ogurzi i kthimit të detyruar. Por dhe kthimi , megjithse ishte i detyruar , nuk kaloi pa peripeci. Më e sofistikuara ishte rrethana qëu krijua pas një “ kurthi “ që na u kurdis në stacionin e trenit të qytetit të Voronezhit, ku Ademi dhe shokët e tij, edhe pse me moshë mjaft të re , dëftuan pjjekuri politike dhe atdhetari të lartë. Kësisoj Ademit iu pre në mes ëndrra për të fluturuar në tipa të tjerë avionësh,  por fati ishte në anën e tij. Pas një pushimi të shkurtër pranë familjes, Ademi dhe shokët e grupit të tij, u grumbulluan në një mjedis ushtarak, tek “ Rrapi i Treshit” në pritje  të një zgjidhje të përshtatshme për të ardhmen e tyre si fluturues. Tëpapunë, studentët e kthyer nga Bashkimi Sovjetik, e kalonin ditën me hamendësira e me biseda për të “vrarë” kohën. Ademi, duke iu përmbajtur linjës së tij, përzihej në bisedat mes shokësh por ishte fjalëkursyer.

Adem Ceca 2

Në dhjetditshin e fundit të vitit 1961 Adem Çeço, në krye të një grupi studentësh, nga të Batajskut u nis, nga porti i Durrësit, në një lundrim të gjatë, për në Kinë, me anijen oqeanike “ Durrësi” të shoqërisë të lundrimit “ ÇAL”, shoqëri, e cila ishte e përbashkët . I veshur si detar, me një palë kominoshe blu, Ademi lundroi plot 56 ditë, kaloi dete e oqeane, mes peripecish e mërzitis dhe më 8 janar të vitit 1962, zbriti në portin e Kinës Jugore, në Kanton. Pas disa ditësh rrugëtimi me trena të kategorive të ndryshme, grupi i studentëve shqiptarë të përzënë nga Bashkimi Sovjetik, u sistemua për të vijuar fluturimet, në shkollën e tretë të aviacionit kinez, me qender në qytetin Mançurinian të Çin Zhout. Shokë grupi të Adem Çeços, në këtëproçes mësimor ishin: Andrea Toli;Sherif Hajnaj (Bracki);Dhori Zhezha; Bashkim Agolli;Mihal Pano dhe Niazi Nelaj. Në qytet e në shkollë, studentët shqiptarë, të cilët ishin ushtarakët e parë që vinin nga shqipëria, në Kinë, u pritën si heronj. Ca më tepër që ata kishin statusin e të përzënit nga një vend si Bashkimi Sovjetik, me të cilin, kina kishte kontradikta të thella dhe merrëdhëniet mes shteteve e partive  ishin “në thikë e në pikë”. Për hir të së vërtetës, kushtet për jetesë, punë e argëtim, në shkollën kineze të asaj kohe ishin larg atyre që studentët lanë në Batajsk dhe ata u përshtatën me vështirësi në mjedisin e ri që gjetën.

Në aerodromin fushor të fshatit Liu Shi Bao, Ademi dhe shokët e tij fluturuan rreth 50 orë në avionët me helikë Jak-18 U, i cili ishte një hap prapa, në krahasim me aeroplanin Jak-18A, me të cilin ata kishin fluturuar në shkollën sovjetike të aviacionit.Në gjysmën e dytë të vitit 1962dhe në tremujorin e parë të vitit 1963,Ademi u shpërngul në qytetin bregdetar të Suixunit, ku fluturoi në aeroplanët gjuajtës-bombardues UTI-Mig 15 dhe në ata Mig 15 Bis. Në përfundim të programit mësimor, në muajin mars të citit 1963, ai u diplomua pilot dhe u nis për në Atdhe, pas një qendrimi të shkurtër në qytetin turistik të Cangonit, në Jug të Kinës. Në grupin fluturues, në të dy tipat e avionëve me të cilët u stërvit, Ademi ishte me Andrea Tolin dhe me Bashkim Agollin; të dy, studentë, të cilët kishin fluturuar në avionë reaktivë edhe në Bashkimin Sovjetik.

Grupi i studentëve shqiptarë për pilotë në të cilin bënte pjesë Ademi,shkoi në Kinë, në një kohë kur vendi aziatik kishte përjetuar tre vjetë me radhë fatkeqësi natyrore. Mungesa për një kohë të gjatë e rreshjeve, dhe thatësira e shkaktuar prej saj, kishin paksuar dukshëm të korrat dhe kjo ndihej në gjithë jetën e vendit.Në Shkollën e Tretë të aviacionit kinez, ku u sistemuan për të studiuar, djemtë nga Shqipëria u përshtatën me vështirësi me kufizimet e përkohëshme që ndikonin jo për mirë në kushtet e jetesës, ushqimit, argëtimit e në tërësi ndjenin ndryshimin e metodës së punës, krahasuar me metodën që kishin përjetuar në shkollën sovjetike të aviacionit. Flinim në një dhomë; ushqeheshim në të njëjtën mensë, me ushqime të gatuara jo sipas shijës tonë, fluturonim në të njëjtat kushte e me kërkesa të njëjta. Siç mund të ndodhë rëndom me djemtë e moshës tonë ( ishim 19-20 vjeçarë), vinim nga një vend me kushte jetese, mësimi e argëtimi të tjera, siç ishte Bashkimi Sovjetik, gjat kohës që qendruam në hapsirat kineze, i lejuam vetes edhe ndonjë marrëzi të moshës, nga papjekuria. Por Adem Çeço , të cilin e kishim zgjedhur përgjegjës , me mirëkuptimin e të gjithë shokëve të grupit , si më i pjekur, na “frenonte “ me këshillat e tij të ndiera. Ai na thoshte shpesh:” Çfarë bëni e çfarë kërkoni; nuk e shikoni gjendjen që kanë shkaktuar faktorët natyralë dhe vështirësit me të cilat përbasllet vendi”? Kur diskutonim shoqërisht, nuk linim pa nxjerrë në pah vlerat e gjykimit të matur, të urtë e të pjekur të Ademit, të cilin e kishim jo vetëm vëlla më të madh. “ Faktori frenues”dhe sjellja, në përgjithësi e Ademit, na bënte të mendonim:” Nuk e paskemi zgjedhur mëkot përgjegjës”!

Adem Ceca 3

Në çështjet e teorisë e të praktikës së fluturimit, sidomos në avionin Mig-15, Ademi renditej në nivelet mbi mesataren; por sa i takon pjekurisë dhe tipareve të karakterit, ai qendronte mbi ne të tjerët. Tek i riu Adem Çeço ishin të spikatura disa tipare njerëzore të qënësishme  të cilat, na bënin ta donim e ta respektonim. Në figurën e shokut tonë   vinim re qendrime të matura e sjellje të shëndosha  të një njeriu të formuar mirë, i cili di të gjykojë me qetësi e me drejtësi. Një njeri, që bënte e mbante shaka, mes shokësh, madje dhe nga më të rëndomtat e moshës të paarrirë. Nuk mërzitej kurrë ai njeri; shakatë i kuptonte e i mirëkuptonte dhe i përcillte me buzëqeshjen e tij karrakteristike, të ëmbël.

Kushtet e jetesës,  gjatë proçesit teorik e atij praktik ishin të vështirë. Derisa u gjet një kuzhinier  i cili kishte punuar me specialistet sovjetikë dhe dinte të gatuante sipas shijës sonë, kishte raste kur ngrihesdhim në ajër mbasi kishim konsumuar disa biskota, një copë trangull apo një kokërr domate. Kishte raste kur  revoltoheshim e protestonim, sipas mënyrës tonë, ballkanike, rrëmbimthi e zhurshëm. Ademi, me qetësi e maturi, i duruar, si ai, na këshillonte e, me fjalën e gjetur, bënte ti ulnim tonet e protestës tonë sporadike. E dëgjonim dhe i besonim fjalës së tij, mbasi vinim re sinqeeritet e dashamirësi, në ato që thosh e në tërësi në çdo qendrim e veprim të tij. Nuk ishte diferenca e moshës që e bënte të mundur këtë (Ademi ishte 2 vjet më i rritur nga ne), por edukata e shëndoshë me të cilën ishte formuar në familje dhe ndikimi i arsimimit pedagogjik që kishte marrë  ai njeri , në  fëmijëri e në rininë e herëshme të tij.

Adem Ceca 4

E kam ruajtur shoqërinë me Adem Çeçon qyshse u njohëm , për herë të parë,më 26 gusht të vitit 1960, deri sa ai u nda nga jeta, më 1 dhjetor të vitit 2014. Nuk është pak. Ndoshta nuk është e lehtë të ruash shoqërinë, me të njëjtin njeri, për 54 vjet, që është një jetë njeriu. Nuk e pashë, gjat kësaj kohe, “të bënte fjalë” apo të konfliktohej me njeri. Ishte mjaft tolerant shoku im dhe mosmarrëveshjet me shokët e miqtë përpiqej ti zgjidhte me urtësi, mënçuri e me kompromise të padëmshme. Kishte një ndjesi të veçantë Adem Çeço për shoqërinë; ishte mjaft i përkushtuar e dashamirës për tiu gjendur tjetrit . Ai “ bëhej copë” kur dikush i kërkonte ndihmë dhe ishte këmbëngulës për tja zgjidhur hallin që kish. E kisha parë si gëzohej e lumturohej kur takonte shokët e miqtë e tij, të shkollës e të punës. Figura e tij ishte e pastër dhe shokët i zgjidhte si vetja. Adem Çeëo ishte shumë besnik e ndihej mirë kur ishte midis shokësh. Shok të afërt e jetëgjatë kishte Petraq Koroveshin.  Shoqëria mes tyre, ndoshta mund të jetë një model i miqësisë të çiltër e pa interes. Së bashku u shkolluan, bashkë punuan dhe ja, jeta e solli të ishin bashkë edhe në pension, në moshën e pleqërisë. E përvëlonte malli për shokët e shkollës, disa nga të cilët nuk i kishte parë prej më se 50 vitesh. Sa shumë gëzoi ai njeri, në takimet që bëmë kohët e fundit, me shokët e grupit të Batajskut  (1960). Në këta takime, më ngjante sikur Ademi  donte ti pushtonte shokët e ti mbante ashtu, të përqafuar, pas trupit të tij të bëshëm.

Pas diplomimit pilot gjuajtës-bombardues, në Kinë, Ademi dhe shokët e tij të grupit të studentëve , me anijen oqeanike  “ Vlora”, pas 20 ditësh lundrimi , mbërritën në portin e Durrësit , me 1 maj të vitit 1963. U shmall me familjarët dhe të afërmit dhe , në qershor të atij viti , u emërua pilot në Regjimentin Rinasit, i cili, në atë kohë kishte komandant, pilotin legjendar Niko Selman Hoxha . Të pesë shokët: Adem Çeço; Andrea Toli; Dhori Zhezha; Bashkim Agolli dhe Niazi Nelaj u caktuan pilotë shoqërues në skuadrilen e dytë ku komandonte piloti i talentuar, Vunjoti Kosta Neço Dede. Në këtë skuadrile , Ademi fluturoi me avionët Mig 17-F, por pas një viti, u përzgjodh për të kaluar në aeroplanët më të sofistikuar që kishte aviacioni shqiptar, Mig 19PM, i cili kishte shpejtësi më të madhe nga ajo e zërit dhe ishte i pajisur me kater raketa të drejtuara ajër-ajër, i destinacionit gjuajtës – kapës, i aftë për të interceptuar edhe avionët bombardues strategjikë B-52. Shokë të grupit të kalimit u bënë pilotët: Andrea Toli; Agron Daci dhe Besnik Shahi. Ishte grupi i dytëi pilotëve që kalonin nga një aeroplan reaktiv deri në shpejtësinë e zërit, në një tjetër, me shpejtësi supersonike, në kushtet e vendit tonë, pa patur avion dyvendësh. Kjo është një tjetër dëshmi e kualiteteve të Adem Çeços, si fluturues. Dhe kur e bëri kalimin në këtë avion të sofistikuar? Kur kishte pak orë fluturimi dhe vetëm ditën, në kushte të thjeshta të motit; kur sapo kishte marrë klasin etretë të pilotit ushtarak dhe kur nuk kishte më tepër se një vit në regjimentin luftarak.

Pas mbarimit të periudhës së kalimit në Mig -19PM, Ademi u fut në formacionin luftarak të skuadriles së parë, me komandant pilotin me cilësi të rralla Lulo Musai ( Spahaj). Në vitin 1978, kur avionët Mig-19 PM u hoqën nga shfrytëzimi dhe vendin e tij e zuri sivëllai Mig-19 S, i cili, shpejt u bë avioni bazë i flotës luftarake –ajrore të vendit tonë, Ademi fluturoi, me sukses në këtë avion, dhe rriti shkallët e kualifikimit si pilot, duke marrë klasin e dytë të pilotit. Duhet theksuar fakti se Adem Çeço fluturoi gjatë në aeroplanët supersonikë dhe kreu të gjitha detyrat luftarake që kreu regjimenti, si pilot, në formacion luftimi.

Shpejt erdhi viti 1980.Intensiteti i lartë i punës, ngarkesa e pazakontë psikologjike që sjell fluturimi dhe mosha,me efektet e saj, tek Adem Çeço, si tek të gjithë pilotët, kishin bërë të tyren. Si për të marrë pak frymë, në prag të pensionit, ai u transferua në Skuadrilen e Transportit, në Tiranë, ku fluturoi në aeroplanët me helikë të tipit An-2, Në detyra të ndryshme, në shërbim të ekonomisë, për mbrojtjen e shendetit të njerëzve e në veprimtari të tjera, sipas destinacionit të avionit, deri sa doli në pension pleqërie, si pilot, në vitin 1989. Qendroi në krye të detyrave ajrore, plot 30 vjet; një jetë të tërë dhe nuk solli asnjë shqetësim apo ngjarje të jashtzakonshme . Po të gërmonim në faktorët që e bene këtë të mundur, kërkimet do të na çonin tek disiplina rigoroze që zbatonte Ademi, në tokë e në ajër, ku ishte i spikatur “ fanatizmi” i tij, për të zbatuar një për një kërkesat e rregulloreve e instruksioneve; qetësia e tij në fluturim dhe korrektësia në përgatitje të detajuar për detyrën e dhënë. Vetë jetëgjatësia e tij në fluturim është mjaft domethënëçse. Këtu duhet ta kërkojmë arsyen pse ai u nda nga avioni e nga fluturimi, i nderuar e faqebardhë.

Piloti Adem Mahmut Çeço, lidhi martesë me krenaren Lirikë, nga fisi i Terezëve, me të cilën lindi dy fëmië: Albën dhe Endrin, të cilët u rritën e u edukuan në frymën e prindërve të tyre, njëri më i mirë se tjetri. Vitet e fundit, kur Ademi ishte në pension, tek ai u shfaqën një sërë semundjesh, disa nga të cilat me pasoja për shëndetin dhe jetën e tij. Ai u sëmur vetë, përjetoi dhe sëmurjen e të shoqes , Lirikës. Falë kujdesit të jashtzakonshëm të së bijës, Albës, e cila zëvëndësoi dhe dashurinë e kujdesin e të vëllait të mërguar larg, për babanëe tij, dëftoi, me veprime konkrete se është bijë e denjë e dy prindërve të nderuar. Ademi ishte një model i rrallë i lidhjeve të ngushta me familjen, si me atë të origjinës dhe me tjetrën, atë që formoi vetë. Ndoshta kemi të bëjmë me një rast tipik të lidhjeve të ngushta mes njerëzve që i lidh gjaku, në këto kohë të vështira.

Sëmurja e rëndë dhe e zgjatur që përjetoi në vitet e fundit, e ndau Adem Çeçon nga jeta, në datën 1 dhjetor të vitit 2014. Po atë ditë, trupi i tij i pajetë u përcoll në varrezat e Tufinës, në Tiranë, i nderuar nga familjarët, shokët dhe miqtë e tij të shumtë; me nderimin dhe respektin që meritonte. Ademin nuk do ta kemi më mes nesh por ngushëllohemi me kujtimin dhe figurën e mirë që na ka lënë pas. Kujtimi i njeriut të mirë si Adem çeço, nuk humbet por transmetohet nga brezi në brez, me dashuri e nderim!

Lamtumirë Adem Mahmut Çeço!
I paharruar qoftëkujtimi yt; o burrë i ndershëm e i drejtë; o model i thjeshtësisë e përkushtimit!
U linde në Kllojkë të rrethit të Tiranës, më 12 prill të vitit 1939, në një familje fisnikësh, autoktonë, me tradita atdhetare. Pas shkollës unike, në vendlindje, kreve shkollën pedagogjike dhe punove, si arsimtar, në fshatrat e Shenpalit dhe ne vendlindjen tënde të dashur.
Në vitin 1960, së bashku me 36 shokë, me një aeroplan TU-104,shkove në Moskë e më tej, me tren, udhëtove për në Rostov mbi Don, ku u sistemove në Shkollën e Aviacionit, të qytetit Batajsk, për të nisur fluturimet. Ditën e fundit, kur do të jepje provim, një ultimatum ogurzi ta preu ëndrrën në mes dhe ti u detyrove, së bashku me shokët të ktheheshe në Atdhe. Fati e deshi të mos ndodhte profecia dashakeqe e urdhërdhënësve e ti, me nje pjesë të grupit të Batajskut, shkove ne Kinë, ku vazhdove programin e fluturimeve dhe u diplomove pilot gjuajtës-bombardues, në Shkollën e Tretë të Aviacionit Kinez.
Në shkollën e aviacionit sovjetik e ne atë kinez dhe në Regjimentin e Rinasit, fluturove ne disa tipa avionësh, deri në ata supersonikë dhe në kushte të ndryshme të kohës e të motit dhe more klasin e dytë të pilotit ushtarak. Fluturove , me pak orë fluturimi e me një përvojë të pakët ajrore në avionët e sofistikuar Mig 19-Pm dhe në ata Mig 19-s, për shumë vite e në detyra të ndryshme komanduese. Je nga të paktët pilotë që kalove nga tipi në tip i avionëve supersonikë, pa patur avion dyvendësh. Në vitet e fundit, si për të marrë pak frymë, kalove në aeroplanët e transportit, me helikë, në Skuadrilen e Tiranës, ku dole në pension pleqërie, si pilot, në vitin 1989.
U lidhe, me martesë, me fisniken Lirikë, nga Familja Terezi e Bilishtit. Nga kjo lidhje mbi baza të shëndosha, u lindën dy fëmijë: Alba dh Endri; njëri më i mirë se tjetri. Lidhja jote me familjen e origjinës e me atë që formove vetë ishte impresionuese; kujdesi yt, për fëmijët dhe familjen ishin te rralla.
Në kohën kur prisnim të qetësoheshe e të shlodheshe pak dhe të shkarkoje streset e akkumuluara në vite, si rezultat i profesionit të vështirë që përjetove; një sëmundje e rëndë dhe e zgjatur në kohë, të ndau nga jeta. Do të na mungosh, o i miri Adem Çeço! Lirika, Alba dhe Endri njerëzit e tu të dashur, nuk do ta kene më fjalën dhe këshillën tënde të mënçur. Motrat Nexhmije e Sajde dhe vëllezërit, gjithë pinjollët e tyre dhe fisi yt, nuk do ta kenë më ngrohtësinë dhe buzëqeshjen tënde të çiltër, në kuvendet ku të dëgjonin e të çmonin shumë, për mendimet e pjekura që shfaqje. Mungesën tënde do ta përjetojë, me dhimbje, vëllai yt pararendës, Hakiu, i cili ishte mjaft i lidhur pas teje. Nuk do të kemi më as ne shokët e tu, të shkollës e të jetës, të që të kishim në krye të tavolinës e të shoqërisë dhe të donim e na doje shumë. Undave nga ne kur do te donim të të kishim gjatë mes nesh.
Ndarja jote na hidhëroi shumë, e atë do ta ndiejmë gjatë, por kemi me çfarë të ngushëllohemi.Do të ruajmë, përjetë imazhin tënd të mirë; do të të kujtojmë , siç ishe: të urtë, të qetë,të çiltër, të dashur, kurajoz e gojëmjaltë.E tillë është jeta , ajo të godet kur nuk e pret. Na ngushëllojnë kujtimet dhe mbresat e ndiera që ke lënë pas!
-Lamtumirë , Adem Mahmut Çeço, u prehsh në paqë !-Ju ftoj të mbani një minutë heshtje! I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Mbajti Niazi Nelaj, shok grupi.