Mësuam, por dhe nuk u pajtuam

MiG

Shkuam në Bashkimin Sovjetik me qëllim që të mësonim shkencën e vështirë të fluturimit. Kjo ishte kryefjala e vajtjes tonë në atë vend me hapësira të pamat e me atë zhvillim, nga më të fuqishmit e kohës. Si na shkuan fluturimet, i kam përshkruar hollësisht në rubrikat e mësipërme. Nuk mund të anashkaloj dhe disa fusha të tjera ku mësuam gjëra të papara e të pajetuara më parë. Është fjala për ato mësime të cilat nguliten fort e lënë gjurmë të pashlyera. Ose kur janë të dobishme e të duhen gjatë gjithë jetës. Me bindje them se, ne, shkuam në Bashkimin Sovjetik, për tu bërë pilotë ushtarakë por nuk u kufizuam vetëm me këtë. Ne atje mësuam dhe mjaft gjëra me vlerë, falë mundësive dhe kushteve optimalë që gjetëm. Ishim në atë moshë kur truri i njeriut thith shumë e i përvetëson ato që mëson  brenda një kohe të kufizuar. Sidomos kur është fjala për disa fusha të jetës ku dijenitë tona ishin të varfra.

Jetuam, mësuam, fluturuam, dëfryem, jo në amulli e pa rregull  por me disiplinë të fortë ushtarake. Në shkollë e jashtë saj, çdo veprim, nga zgjimi, deri në pushim kryhej me orar, me rregull e disiplinë. Erdhëm nga vise e profesione të ndryshëm, disa kishin kaluar në filtrin e shkollave ushtarake, shumica vinin nga shkollat e mesme të profilit civil. Jetën në komunitet, ishin të paktë ata që e kishin jetuar. Atje mësuam si të jetojmë bashkë e vazhdimisht;  madje dhe të flinim në të njëjtën fjetore. Kësisoj u edukuam me frymën e komunitetit, ku çështjet e njërit bëheshin jo vetëm objekt diskutimi por dhe veprimi, në bashkësi. Duke jetuar e mësuar së bashku, përfituam nga përvoja e njëri- tjetrit. Zumë shoqëri, me dikë të ngushtë e me dikë tjetër normale. Me shokët, në konfidencë, hera – herës ndamë dhe intimitetet e moshës. Atje mësuam të çoheshim  në mëngjes, me orar, jo me diell, si në fshat, as kur të na dilte gjumi vetvetiu. U mësuam të ushqeheshim në orar, të mësonim e të stërviteshim, në orar, të pushonim e dëfrenim, në orar, deri dhe të merrnim fjalën  me radhë e me leje të eprorëve. Ata që pinin cigare duhet të qëndronin në vendet ku lejohej duhani dhe mbeturinat nuk mund ti hidhnin ku e si të donin. Mësuam të ecnim në rresht, kur qarkullonim në rrugë, si nëpër repart dhe në qytet. Gjatë shëtitjeve të mbrëmjes, ishte e detyrueshme të këndonim këngë rreshtore e në raste të veçantë të ecnim me hap “ të shtrirë”. Sipas një slogani, i cili ka qarkulluar gjatë në vendin tonë: “ Në ushtri duhet të hash, kur nuk të haet, të flesh  kur nuk të flihet dhe të pushosh kur nuk të pushohet “. Kjo nuk ka të bëjë fare me mungesën e lirisë e të vetëveprimit por me kërkesat e disiplinës ushtarake, pa të cilën nuk mund të ketë ushtri të rregullt e të disiplinuar. Rusët, lidhur me zbatimin e kërkesave të disiplinës ushtarake ishin tepër ekzigjentë, madje ekstremisht të rreptë. Vetëm se disiplina ushtarake ishte një dhe e detyrueshme për të gjithë ata që vishnin uniformën e ushtarakut.

Në shkollë gjetëm kushtet dhe kërkesën për të mbajtur një higjienë personale dhe kolektive të përkryer. Na kërkohej, nga kujdestari i kompanisë, por jo vetëm, të rregullonim shtratin, të mbanim pastër ambientet e përdorimit të përbashkët si: klasën, palestrën, mensën, fjetore, banjat,  lavamanët, dhomën e kulturës, madje dhe territorin ku banonim. Në fjetore kishim kushte për hekurosjen e veshjeve dhe për bojatisjen e çizmeve, në komodinë duhet të ndodheshin sendet e higjienës vetjake: sapunë, furçë e pastë dhëmbësh, vegla rroje etj. Çdo send duhet të ishte i pastër dhe i vendosur në vendin e vet. U mësuam me të gjitha këto rregulla, me vullnetin tonë e përkushtimin karakteristik shqiptar dhe falë kontrolleve të vazhdueshme që na bënin eprorët tanë. Mësuam të qepim e të mbanim të pastër qaforen e bardhë;  mësuam të lidhim pecet e bardha, në mënyrë që çizmet  të mos na shtrëngonin e dëmtonin këmbët.

Mosha jonë ishte në fazën kur fiziku i njeriut shpërthen e zhvillimi tij bëhet i  vrullshëm. Të ushqyerit mirë dhe drejt është njëri nga komponentët bazikë që e bëjnë të mundur këtë zhvillim të fizikut të tij.  Andej nga kishim ardhur, ishim ushqyer si e me çfarë kishim mundur. Sipas traditës tonë ushqimi vërtet ishte bio por, në të njëjtën kohë ishte i varfër dhe  asortimenti e  cilësia e gatimit linin për të dëshiruar. Byreku, buka, petullat, rishtetë (makarona të bëra vetë), bollguri,  lakrori, mishi i pjekur, revania, gjalpi e djathi dhe bulmetrat e tjerë, kanë qenë disa nga ushqimet tipike shqiptare, me variacione sipas trevave. Por ato ishin ushqime të njëanshme dhe në menynë e përditshme. Në dietën e ditës ishin të pakta frutat dhe perimet. Në shkollën ku kishim hyrë e në specialitetin e pilotit, ushqimi ishte jo vetëm i zgjedhur por dhe shkencërisht i argumentuar.

Në Batajsk mësuam të ushqehemi mbi baza shkencore, e  shëndetshëm. Pavarësisht se kuzhina ruse dhe ajo e trevës ku jetuam ne është kuzhinë orientale, disi e rënduar me dhjamëra e yndyrë, nisur dhe nga fakti se moti është i ftohtë e  ushtarakët ushtrohen fort fizikisht. Por  ushqimi ynë ishte i veçantë e mbi baza laboratorike. Në Batajsk mësuam të hanim borshe dhe shi, dy supë të panjohura në vendin tonë por mjaft të dobishëm për tretjen  dhe me vlera ushqimore. Aty njohëm e mësuam të ushqeheshim me supë malloçnoje (me qumësht), gjellët me mish e perime të stinës, etj. Në vendin tonë njihnim si pije freskuese dhallën dhe bozën;  atje mësuam të pimë kvasin (një pije freskuese që përgatitej në kushtet e familjes, me kore buketë tharë) e shijshëm dhe akulloret, të cilat vendasit i konsumonin edhe  në palcë të dimrit.

Na tërhiqte mjaft përgatitja fizike, ushtrimi fizik. Mosha e re e kërkonte dhe e përballonte mjaft mirë ngarkesën fizike. Në shkollën e aviacionit gjetëm kushte mjaft të përshtatshme dhe cilësore, për t’u ushtruar, në fushën që na pëlqente dhe nën kontrollin e trajnerëve të specializuar. Shumica e shokëve preferonin futbollin, si loja më e pëlqyer në vendin tonë. Ushtrimet në vegla ishin të detyrueshme, ato parashikoheshin në programin e përgatitjes fizike dhe drejtoheshin nga specialisti. Në palestrën e shkollës ishin të instaluara vegla të pasura e  një fushë basketbolli, e cila përshtatej lehtë për të luajtur volejboll. Në territorin e garnizonit kishim një pishinë, me përmasa olimpike, një stadium, i cili kishte të gjithë aksesorët, një kënd të larmishëm veglash sportive  të cilat shfrytëzoheshin nga studentët shqiptarë. Përgatitjes tonë fizike i vinte në ndihmë terreni i mbuluar nga një pyll i dendur, i lartë, me rrugica të shumta, të asfaltuara. Duhet theksuar se ne, si ballkanas, lidhur me ushtrimin e sporteve, nuk shquhemi për eksigjencë të spikatur. Madje  do të shtoja se na ka karakterizuar një farë dembelizmi e ndjesia e rendjes pas rehatisë. Atje, ca me dëshirë e ca me detyrim, u futëm në hullinë e përgatitjes fizike. Mjediset e përshtatshme na impononin e na grishnin të bënim si vendasit.

I lidhur ngushtë me përgatitjen fizike, ishte kontrolli i vazhdueshëm e rigoroz mjekësor. Thuajse përditë na këqyrte mjeku i përgjithshëm. Me doktor Meleshkon ishim bërë miq të mirë. Ku kishim parë ne, të na ndiqte mjeku nga pas e të na detyronte të konsumonim ushqimin ditor, siç bënin nënat tona kur na ndiqnin me copën e bukës në dore, në fëmijërinë tonë. Periodikisht kalonim në sitën e specialistëve të mjekësisë të aviacionit. Në fillim e  patëm disi të vështirë të ishim transparentë me mjekun. Fillimisht hezitonim për të ndarë me mjekun problemet e gjendjes tonë fizike. Mjeku interesohej edhe për imtësitë më të vogla të treguesve shëndetësorë e fizikë. Në kuadrin e kujdesit për shëndetin tonë, në shkollë kishte kondita mjaft të mira për t’u mbajtur të pastër. Dushet, me ujë të ngrohtë nuk mungonin kurrë. Edhe në aerodrom, në kushte fushore ishte ndërtuar një impiant me ngrohje diellore, i cili na favorizonte për të bërë dush në çdo kohë. Bëhej alarm, në rast se merrej vesh që dikush nga ne nuk kishte konsumuar racionin ditor ose nuk kishte kaluar në dush.

Në kursin e shkurtër të gjuhës ruse, me pedagoge Ninën e palodhur dhe sidomos në mësimet teoriko-praktike, në klasë, mësuam Gjuhën Ruse, me të folur e me të shkruar, gramatikën e saj të vështirë dhe disa veçori të të folurit në vise të ndryshëm. Gjuhën Ruse e mësuam, në veçanti në kontaktet e ngushta që patëm me djem e vajza vendase. Shoqërimi me femra, ishte ndoshta faktori më i fuqishëm për të mësuar gjuhën e për t’u futur në brazdën e sjelljes të kulturuar. Mosha jonë ishte e re dhe shoqërinë e zinim me të rinj. Avantazhi i shoqërimit me të rinj  ishte i dukshëm. Vajzat dhe djemtë adoleshentë e flisnin pastër gjuhën dhe kjo ishte në të mirën tonë. Zura shoqëri me dy djem, adoleshentë: Valerin dhe Sashën, të cilët ishin vëllezër, me diference të vogël moshe, bij të një oficeri me kombësi ruse. Rusët njihen si njëri nga popujt që lexon më tepër. Kudo ku mund të shkosh, në çdo mjedis: në autobus, në tren, në tramvaj, në metro, në spital, duke pritur radhën  për të blerë mallra e kudo gjetkë, njerëzit, në veçanti femrat nxjerrin nga çanta librin dhe lexojnë. Mirëpo libri është kulturë e horizont. Mjetet moderne të komunikimit masiv nuk mund të zëvendësojnë efektet e librit.

Qëndrimi në Batajsk dhe kontaktet që krijuam me njerëzit  na sollën një lloj tjetërsimi të figurës e personalitetit tonë njerëzor. Vinim nga një vend me popullsi ku fanatizmi ishte dukuri masive, sidomos lidhur me femrën dhe trajtimin e saj. Atje gjetëm një mjedis tjetër, më tolerant e më liberal, si në marrëdhëniet burrë-grua dhe në ato mes anëtarëve të familjes. Nuk na u ngjitën dot ato gjëra që nuk “shkonin “ në mjediset shqiptare, por shoqërimi me vajza, disi na zbuti e na kulturoi sjelljen. Nuk mund të mohohet një fakt, të cilin e vinte re, pa vështirësi një i huaj që shkelte, në atë kohë në hapësirat sovjetike. Vajzat ishin më të sjellshme e më të kulturuara, krahasuar me meshkujt.  Djemtë që pamë e njohëm ne, kishin shfaqje të theksuara vandalizmi në marrëdhënie me vajzat.

Ne studentët shqiptarë, ishim mjaft të afruar e komunikues me vendasit. Mësuam të njohim e të respektojmë traditat, zakonet, kulturën e çdo gjë të mirë që pamë atje. Na pëlqente muzika dhe mësuam mjaft këngë e melodi, të cilat ishin në modë në ato vite. I mësuam e i këndonim, kur na jepej rasti ato këngë të bukura, shumëkush i këndon edhe pas kaq vitesh. Këngë si “Katjusha”, ”Pod moskovnije vjeçjera“, “ zhazhda”, “Ja ljublju tjebja zhizn”, “Rjabina“, “Kalinka“, “marinari nga kometa“, ”Na ulicah Saratova”, “Miashka, mishka, gdje tvaja ullibka”, etj etj morën vlerën e hiteve. Pëlqenim, vijën melodike dhe tekstet aq të ndrequr të këngëve ruse. I këndonim ato e na shkonin, për bukuri. Edhe kënga u bë një pikë takimi e rëndësishme, mes nesh dhe vendasve.

Në përfundim mund të them, pa droje se, me qëndrimin tonë atje, jo të njërit, individualisht por përgjithësisht të gjithë grupit të studentëve për pilotë, e rritëm prestigjin tonë e të vendit nga kishim ardhur, deri atëherë pak të njohur në hapësirat e atij vendi të madh. Me sjelljen tonë korrekte e dashamirëse, me edukatën e shëndoshë e sjelljen qytetare, jemi të bindur se i sollëm një shërbim me vlerë Shqipërisë dhe çështjes shqiptare. Por, në atë mjedis e tek njerëz të veçantë pamë dhe disa gjëra që nuk na pëlqyen e “na vranë sytë”. Pa pretenduar të bëj kritikun, gjë që nuk është në natyrën e në mundësitë e mija, do të rendis disa nga ato që nuk më vinin “për shtat” e nuk më pëlqyen, jo vetëm mua. Kam biseduar dhe me shokë të cilët i kanë përjetuar intensivisht ato situata. Mjaft syresh kanë të njëjtët mendime e opinione. Po çfarë nuk na pëlqeu, nga sa përjetuam në qytetin e Batajskut e më gjerë? Cilat janë disa nga praktikat dhe mentalitetet e vendasve, me të cilat nuk u pajtuam? Le të renditim, në këtë shkrim, disa syresh:

E para, vendasit, sidomos ata me kombësi ruse, shanin shumë, e kishin gojën “ të pistë”. E shara e tyre mund të ishte  me shkak e pa shkak. Të sharën, pavarësisht se tjetri mund të lëndohej, disa vendas e kishin në majë të gjuhës. Në mjediset ku jetuam e punuan  e them me kompetencë se ishin të rrallë ata që nuk shanin. Më lart kam theksuar se ata që punonin me ne ishin të edukuar, të kulturuar e të sjellshëm. Kjo është shumë e vërtetë por, po aq e vërtetë është dhe pjesa e errët e saj;   ata njerëz aq të mirë, me edukatë të shëndoshë e me kulturë, gjithashtu shanin dhe e shara e tyre na binte  rëndë. Instruktorët tanë, të cilët i kishim mjaft të afërt e i shikonim si “perëndi”  na shanin. Po të shprehem me emra, nuk ma kundërshton dot njeri se më tepër nga të gjithë shante majori Stepanov, i pasuar nga  majori Razinkov, kapiteni Ukollov e kapiteni Bobikov etj. Por nuk kisha dëgjuar asnjëherë të sharë nga goja e instruktorit tim, kapitenit Zhenja Tjuterev, nga majori Bondarev, nga majori Tirsin  e nga ndonjë tjetër. E shara, në ato mjedise pune e mësimi ishte kthyer në një epidemi, e cila kishte prekur cilindo nga vendasit që kishin të bënin me ne. Të sharat më të shpeshta u drejtoheshin nënave. Nënat tona u bënë ( në kuptimin virtual )si ato biçikletat që jepen me qera, e mund ti përdorë kushdo. Të sharën “Job tvoja mat” dhe “Jedri tvoju mat”, e dëgjonim në çdo cep rruge e në çdo mjedis të përbashkët. Në Shqipëri, ti shaje nënën tjetrit, në atë kohë duhet ti bëje mirë llogaritë mbasi mund të  ndesheshe, për jetë a vdekje. Ku ta dinin rusët këtë mentalitet. Në Batajsk, para, të paktën dy vjetëve, nuk kishin shkelur shqiptarë. Ne ishim grupi i dytë që shkuam në atë qytet. Kur dëgjonim të na shanin nga nëna, edhe ne, nuk e kalonim në heshtje, por ose shanim me zë të ulët;  ose shanim, në shqip, me shprehje ekuivalente  e me zë të lartë. Nga mënyra si e shprehnim mllefin, ata diçka kuptonin dhe na pyesnin: ”çto, çto skazall”? Ne mundoheshim ta kalonim situatën, në shaka.

Kisha vënë re se edhe disa vendas, nuk i përballonin kollaj të sharat. Ata i peshonin ato, me peshoren e edukatës qytetare, jo me atë të fyerjes të individualitetit. Më tepër kisha dëgjuar t’i drejtoheshin atij që shante, me fjalët: “çjevo ti rugajesh kak sapozhnik“?  Siç duket këpucarët, në Rusi ishin në  ballë të sharamanëve.

E dyta, vendasit kishin një ves mjaft të keq e shumë të përhapur: pinin shumë;  e tepronin me përdorimin e alkoolit. Pija nuk ishte ves vetëm i meshkujve; pinin, disa herë rëndshëm dhe mjaft femra. Ishim me fat që nuk u futëm në atë udhë. Jo vetëm se ishim mjaft të rinj, por për faktin se nuk na pëlqente. Mjedisi mësimor dhe përgatitja ajrore, ishin të monitoruara dhe ata që ishin pranë nesh nuk ishin përdorues të alkoolit. Ndonjëri prej shokëve tanë, më vonë, shumë më vonë, kur ishin në Shqipëri u fut në udhën e përdorimit sistematik të alkoolit, por kjo nuk mund të merret si transfertë “vesi”. Ata e gjetën këtu shtratin, të ngrohtë, e u pleksën me shoqëri pijetarësh.  Tek i shikonim njerëzit të dehur e të shtrirë në rrugë, na ngjallej neveri për ta e nuk shkuam në udhën e tyre. Nëse shpëtuam nga ajo epidemi fatkeqe, kjo është ndoshta një dhuratë e çmuar e traditës së mirë të  popullit tonë, pastërtisë gjenetike të tij, sqimës  shqiptare. Një shqiptar normal  është mësuar të ecë drejt rrugës, i kapardisur e me vështrimin drejt, jo të zvarritet këmbadoras duke u kapur pas anës të mureve e rrëzë gjerdheve. Jo se në vendin tonë nuk ka pasur e nuk ka pijanikë, por shoqëria jonë nuk i numëron ata  si elitë të saj por si fundërrinë.

E treta, në raportet mashkull- femër, vendasit ishin mjaft liberalë e tolerantë, gjë që neve, shqipove, nuk na shkonte për shtat. Toleranca e tyre në këtë drejtim shtrihej si në marrëdhëniet burrë-grua dhe në ato mes tyre dhe fëmijëve;  në familje. Martohej burri, në një vend, lindte fëmijë me një femër, ikte andej, martohej me një tjetër, me të cilën, gjithashtu lindte fëmijë e kjo quhej normale. Duke u martuar me disa gra ( jo nën një çati ), me lindjen e fëmijëve nga martesa të ndryshme, bëhej një amalgamë fëmijësh, të ardhur nga disa martesa, gjë që bëhej burim mosmarrëveshjesh  lidhur me fëmijët, si dhe “nuk e merrte vesh qeni, të zonë” Ne vinim nga një vend me të tjera tradita. Tradita jonë e kahershme në lidhje me trajtimin e femrës, në shoqëri e në familje, mund të cilësohej konservatore dhe e prapambetur por ajo ishte jona;  me atë mentalitet ishim rritur dhe e donim e e respektonim. E çmonim si të papranueshme praktikën e familjeve të tyre  sipas të cilës vajza, derisa merrte maturën monitorohej nën kujdesin e nënës të saj dhe mbasi mbaronte shkollën e mesme, prindërit i vinin orën në dorë dhe e quanin të zonjën e vetes, pas këtej vajza quhej e ritur e përgjigjej vetë për sjelljen e saj; familja nuk e monitoronte më.

Na bënin përshtypje jo të mirë e nuk i miratonim disa sjellje të ushtarakëve vendas. Njëra nga ato ishte larja, bërja dush, të zhveshur nudo, në të njëjtin mjedis. E provuam këtë qysh në ditën e parë të mbërritjes në Batajsk. Na vunë të laheshim, së bashku por neve na vinte turp nga njëri – tjetri e nuk dinim si të bënim që të mos dukeshin organet gjenitale, edhe pse të gjithë ishim të të njëjtit seks.

Nuk mund të kontestohen kushtet që gjetëm për punë e jetesë, të cilat nuk u krijuan vetëm sa për të na pritur por i kishim në vazhdimësi. Nuk ndiheshim mirë, kur WC të fushore ishin kolektive. Në kuptimin që, shkoje për të kryer nevojat vetjake, në një të tillë e atje gjeje një oficer madhor, mundet të ishte edhe gjeneral, i cili bënte të njëjtën gjë. Turpëroheshim e në mjaft raste, largoheshim nga ai mjedis. Në fshatrat tanë, atje ku ishim lindur e jemi rritur, në përgjithësi, në ato vite, nevojat vetjake njerëzit i kryenin, kryesisht në natyrë por, individualisht, ruanim intimitetin. Ndoshta për ata ishte një gjë normale, të shikonte prapanicën e tjetrit,  në ato çaste, por, për ne kjo ishte e papranueshme, ndaj ndiheshim keq. Jo në pak raste shokë nga tanët iknin nga starti e shkonin në fjetore apo në bllokun e teorisë, kur u duhej.

Dihet, çdo popull e secili vend ka disa avantazhe e ndonjë disavantazh  lidhur me sjelljen dhe mënyrën e jetesës. Ne shkuam në Bashkimin Sovjetik, për të mësuar fluturimin, atë që nuk e realizonim dot në vendin tonë. Gjithë vëmendjen e kishim të përqëndruar tek detyra kryesore; por në procesin e saj morëm me vete dhe ndonjë “mikrob” të padëshiruar. Mjedisi tjetër që gjetëm  në vendin tonë, bëri që, me kohë, pluhurat që na ranë përsipër në atë kohë t’i shkundim nga vetja e të vishemi me petkun tonë tradicional.