Një internacionale e vogël

Batajsk 1961Në Batajsk, ne qytezën e aviacionit, u vendosëm e banuam në një godinë dykatëshe, me çati, në mes të pyllit. Përpara godinës dhe në anën Perëndimore të saj, ndodhej një shesh, i madh i betonuar. Aty bënim stërvitje rreshtore dhe mblidheshim, të rreshtuar, në çdo rast.

Rreshtimi na u qep e nuk na u nda. Ne, shqiptarët banonim në katin e parë; në katin e dytë banonin studentët për pilotë nga Hungaria dhe ata nga Kuba. Mjediset e përdorimit të përbashkët dhe ato vetjake i kishim veç e veç. Ushqeheshim në të njëjtën mensë, studionim, së bashku, në bllokun mësimor, ushtroheshim në këndin e gjimnastikës, njëlloj dhe fluturonim në aerodromin e vetëm të atij qyteti, në turne apo në ditë të ndryshme. Në të njëjtin regjiment, erdhën për të mësuar fluturimin studentë nga Vietnami e nga Laosi. Në shkollë shërbenin, në funksione e shërbime ndihmëse punonin mjaft punonjës, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të kombësive të ndryshme, të cilët kishin qytetarinë e Bashkimit Sovjetik. Disa ishin nga Ukraina e u thoshin hohollë, disa ishin nga Gjeorgjia e u thoshin çeçenë, kishte nga Armenia dhe nga disa republika të Jugut. Formonim kështu një amalgamë banorësh me kombësi të ndryshme. Ndoshta mund të themi se kishim të bënim me një Internacionale të vogël. Ishim të ndryshëm dhe “të njëjtë”, njëkohësisht. Aq sa mundem, do të përpiqem të sjell në këtë shkrim të përbashkëtat dhe disa dukuri të veçanta, të cilat spikatnin dukshëm sa u përket vlerave njerëzore dhe atyre profesionale të banorëve të asaj qyteze interesante:

Në plan të parë dilnin studentët për pilotë nga Shqipëria. Në Batajsk, kur shkuam ne, në muajin gusht të vitit 1960, gjetëm studentë shqiptarë të vitit të dytë, të cilët ishin në përfundim të programit të stërvitjes ajrore. Ata po zhvillonin disa fluturime që shërbyen si “nxemje “, përpara provimit, në fluturim. Dhanë dhe disa provime teorike, në lëndët: Aerodinamikë; Aeronavigacion; Konstruksion aeroplani e motori; etj. Niveli teorik e sidomos niveli kulturor i tyre linin mjaft për të dëshiruar. Ata, me sjelljen e tyre, thuajse “harbute”, na lanë “trashëgim”, të trishtë e një bagazh negativ, të cilin me zor e përmirësuam. Kur hymë për herë të parë në klasën e aerodinamikës, njërës nga lëndët kryesore me karakter teoriko-shkencor, të cilën e drejtonte një goxha shkencëtar, në dërrasën e zezë gjetëm, të shkruar me shkumës, një “citat “, tepër domethënës por jo aq të bukur. Shkrimin në fjalë, i cili, më pas mori vlerat e një “citati”, e kishte shkruar shkruar studenti paraardhës nga Kuçi i Kurveleshit, Nazmi Reuf Dautaj, i cili dallohej për nivel teorik të ulët e sjellje prej arrakati. Në këtë “citat” shkruhej, në një rusishte copë – copë: “Sejças ubjedillsa, çto nada uçitsa”! Interesantja e kësaj shprehje qendronte në atë se grupi i tij përfundoi programin e vitit të parë e Nazmiu nuk e kishte mbledhur mendjen për domosdoshmërinë e të mësuarit. Shokët e mi të grupit, ata që e kanë lexuar aso kohe, kur ta rilexojnë këtë “xhevahir “, mundet edhe të mërziten por u them: Asnjeri nuk mund ta përfaqësojë të gjithë komunitetin. Në fshatin tim, qyshse kam qenë fëmijë, kam dëgjuar një shprehje të mënçur e cila më duket sikur është formuluar enkas për këtë rast. Atje thuhet edhe sot e kësaj dite se: ” çdo berr (bagëti), varet për këmbët e tij”! Besoj, çdo koment do të ishte i panevojshëm.

Nëse do ti portretizonim studentët shqiptarë për pilotë, ata nuk mund të kapërxenin natyrën e  popullit nga kishin dalë. Si ballkanas, veëoheshim si shpërthyes dhe të drejtpërdrejtë. Atë që kemi, ne ta themi në sy, pa u bërë merak si do ta presësh. Veç se jemi disi të paduruar, e tepër krenarë për origjinën tonë të lashtë e për dashurinë që kemi për Atdheun. Guximi, trimëria, iniciativa, shkathtësia, zgjuarsia e vlera të tjera të rralla, të pleksura me një dashamirësi, të natyrshme (jo të shtirur), e me bujarinë karakteristike të shpirtit – ja tiparet dalluese të njerëzve tanë. Ato, edhe pse jo aq të kultivuara, për shkak të moshës së re që kishim, u shpalosën fuqishëm në sjelljet tona. Duke bërë një “përmbysje “të sjelljeve krahasuar me paraardhësit tanë (studentë për pilotë), ne krijuam, në atë mjedis, një tjetër opinion shoqëror, prandaj ishim të mirëpritur nga vendasit. Studentët shqiptarë që erdhën nga Pugaçovi e Sizrani, për të fluturuar në helikopterët MI-4 e në MI-1, për hir të së vërtetës, me ndonjë përjashtim, kishin sjellje korrekte e ishin më të kulturuar, në krahasim me pzrarendësit tanë.

Në çdo aktivitet, shqiptarët ishin të veçantë. Nuk ishte e vështirë të dalloje studentin shqiptar nga të tjerët. Pa i bërë qejfin vetes, ne, në krahasim me studentët e vendeve të tjerë ishim mjaft të afruar e silleshim thjeshtë e me korrektesë me vendasit. Zgjuarsia dhe shkathtësia jonë dukej dhe në faktin që i kapnim shpejt problemet, si ato që lidheshin me fluturimin dhe në jetën reale, të përditshme. Tipar dallues i shqiptarëve ishte orientimi shpejt dhe sakte ne situatat që krijoheshin rreth nesh. Ne dallonim qartësisht nga studentët e tjerë, të huaj, lidhur me përvetësimin e Gjuhës Ruse dhe komunikonim lehtësisht nëpërmjet saj. Një shqiptar, e fliste Rusishten, pastër, me theksin përkatës dhe lirshëm, krahasuar me një hungarez, me një  kuban, ca më tepër me një vietnamez. Mirëpo gjuha të lidh më shpejt e më ngushtë me njerëzit. Më kujtohet sa shumë e sa gjatë e duartrokiti salla e mbushur plot e përplot me njerëz, studentin Mikel Janku, i cili i çoi peshë pjesëmarrësit në një miting, me atë Rusishten e bukur e të rrjedhshme, kur përshëndeti në emër të studentëve shqiptarë të Batajskut. Ky nuk ishte i vetmi rast. Ne, përgjithësisht i donim e i mësonim përmendësh këngët ruse dhe i këndonim ato, nëpër territorin e qytezës ushtarake e jashtë saj, duke i qendruar besnikë tekstit dhe vijës melodike, të cilat na pëlqenin mjaft.

Mes mësimeve të shumta e të vështira, të cilat i zhvillonim në Gjuhën Ruse, shpejt bëmë tonat dhe disa anektoda, barcaleta, këngë humoristike (çastushka), fjalë të urta, madje dhe të shara. Na vinte për hosh e shara e lehtë: “Jollki pallki, v ljes gustoj”; urimin me të cilin përcilleshin gjahtarët dhe peshkatarët: ” Ni puha, ni pjera”; batutën: “çjem dalshje v ljes, tjem bolshje drov”; ose “Tishje jezdesh, dalshje budjesh “; “Nje daj Bog”; fjalët e urta: ”Nje govori vsjegda, çto znajesh, a znaj çto govorish”; “Djerzhis kazak, atamanom budjesh”; shprehjet justifikuese: “Mallo çto bivajet “; “Na vsjakij slluçaj”; “Mjezhdu nami djevoçki govorjat” si dhe të sharat vënçe, siç thoshin ata vetë, si këpucarë: ”Job tvoju mat”; “Jedri tvoju mat”; “Idi na huj”! “Idi k’çjortovoj materi”; “Jobana v rot “; “Jebis konjom”; ”sukin sin”etj. Mësuam dhe shprehi negative, nga zhargoni i prapë i vendasve. në Këtë kategori mund të futen bashkbisedimet: ” Kaj djella ? Kak v Polshe; u kavo po bolshe, u tavo i proshe”. ose: “çjem çjort nje shutit, kogda Bog spit” etj. Si pa dashje, këto fjalë e shprehi, u bënë pjesë e të folurit tonë të përditshëm.

Ndonjëri ka të drejtë të pyesë: Vetëm anë pozitive kishit ju ? Natyrisht, nuk mund të ishim jashtë ndikimeve të mjedisit e traditës shqiptare. Edhe tani nuk e kam të qartë: kush ishte përgjegjës i grupit tonë të studentëve të vitit të parë? Lutfiu thoshte: “jam unë”; Rrapoja, gjithashtu njihej si përgjegjës; Surriu, Agimi dhe “i kamufluari” Skënderi famëmadh pretendonin se ishin ata, të parët e atij komuniteti. Nuk e shtrij çështjen tek studentët e helikopteriot MI-1, të cilët i kishin spaletat plot me viza, të cilat shënonin shkallë hierarkie, në shkollë. Këtë çështje e kam trajtuar posaçërisht, më lart, prandaj nuk po zgjatem. Veçse, për këto sjellje tonat, e kam një opinion: Nuk mendoj se shokët tanë rendnin me ngut drejt shkallëve të hierarkisë ushtarake, mbasi për këtë ishte ende herët, por ishte një sjellje e çastit që kishte të bënte më tepër me shpërblimin që jepej kundrejt atyre vizave, të cilave ne, me shpoti u thoshim “makarona”. Ndryshonte megalomania e ndonjërit, e cila buronte dhe nga padituria e tij.

Në katin e dytë të ndërtesës që shërbente si fjetinë, ishin sistemuar studentët hungarezë për pilotë. Ishin rreth 25 djem të rinj, moshën e kishin si tonën por nuk ngjasonin me ne. Ata vinin nga një vend me të kaluar perandorake. Hungaria ka qenë pjesë e perandorisë Austro- Hungareze, e cila, në kohën e egzistencës të saj ka luajtur një rol përcaktues, në qendër të Europës. Nga tradita e vendit të tyre, studentët hungarezë ishin më të shkolluar e më të kulturuar. Ishin të zgjedhur, me kujdes e binin në sy për pamjen e jashtme, të hijëshme. Trupat e tyre ishin të gjatë, të lidhur mirë, elegantë e të pashëm. Ata visheshin me një uniformëtë bukur e nga stof i shtrenjtë, të ushtrisë të tyre, teksa ne ishim të veshur me uniformën e Ushtrisë Sovjetike. Kostumi i tyre i daljes së lirë ishte me pantallona të gjata, me ngjyrë bezhë, i qepur me masë, sipas trupit, prej një stofi të hollë, të leshtë, mjaft kualitativ.

Studentët hungarezë ishin të paqëm, në trup e sa i takon uniformës, ecnin rrugës me elegancë e delikatesë dhe silleshin me edukatë. Ata, në vendin e tyre kishin kryer fluturime me aeroplanë sportivë, në klubet e sportit e në ushtri. Në çështjet e teorisë së aeronautikës, studentët hungarezë kishin më tepër njohuri se sa një pjesë e mirë e shokëve tanë. Si tipa, ishin të rëndomtë e “të ftohtë. ” Ftohtësinë e tyre e ndjenim ne që i kishim pranë, sidomos kur komunikonim me ta, por e ndjenin dhe vendasit, në të gjithë mjediset e përbashkëta. Rusët nuk ushqenin simpati për ta, përkundrazi, me përbuzje u thoshin: “Fritza”, duke i njësuar me forcat më regresive të nazistëve. Jo vetëm se, gjatë Luftës së Dytë Botërore, disa reparte të Ushtrisë Hungareze ishin vënë në shërbim të gjermanëve dhe kishin bërë krime të njohura nëradhët e popullsisë ruse, por dhe për sjelljen e ftohtë të tyre, në mjediset vendase. Na binte në sy e nuk e duronim dot përdorimin prej tyre, masivisht, si ushqim tradicional të sallos (dhjamit ) të tymosur. Kur ata tymosnin sallon, mbushej me tym dhe erë të keqe e gjithë banesa e përbashkët.

Studentët hungarezë ishin të sjellshëm por indiferentë. Përgjegjësi i tyre, me emrin Kish, ishte deli djalë. Ai mbante mbi supe spaletat e kapterit dhe kishte zënë shoqëri me disa studentë shqiptarë. Në grupin e studentëve hungarezë bënin pjesë dy vëllezër, binjakë, të cilët mbanin mbiemrin Mesarosh. Mbiemrat më të shpeshtë, në grupin e tyre ishin: Ishtvan; Llajosh; Nemët; Llorant etj. Më kujtohet që në korridorin e fjetinës së përbashkët, në katin e sipërm ishte varur një parrullë masive e shkruar me bojë të bardhë mbinjë beze të kuqe. Sipër saj shkruhej: ”Rroftë miqësia e madhe mes ushtrive të kampit socialist”! Ne që e dinim si ishin punët, e lexonim atë parrullë mashtruese, tundnim kokën e pëshpëritnim mes nesh, me zë të ulët: kamp i thënçin; krimbi i përçarjes prej kohësh e kishte brejtur atë përbrenda; vetëm fasada i kishte mbetur, si hije e frikshme.

Më pas, aty nga muaji nëntor i vitit 1960, në shkollën tinë erdhi një grup të rinjsh nga Republika e Kubës. Ata do të fluturonin në helikopterët MI-4 dhe, me emergjencë do të shkonin në vendin e tyre, në Kubë, në mbrojtje të revolucionit të Fidel Kastros (Ruz). Ishte koha kur kishin ndodhur përplasjet në plazhin Zhiron dhe Kuba kishte kaluar në sferën e influencës sovjetike. Kubanët që erdhën në shkollë ishin dy llojesh. Një pjesë e tyre e kishin ngjyrën e lëkurës të errët (mulatë); pjesa tjetër e kishin ngjyrën të bardhë, si ne. Mulatët, në përgjithësi ishin djem të shkathët, të zhurmshëm, u pëlqente muzika, dhe ishin rrëmujaxhinjtë mëdhenj. Më të rrëmujshëm se ne, shqiptarët. Përgjithësisht, atyre u mungonte edhe edukata e thjeshtë qytetare. Njoha një student kuban, nga ata me ngjyrë. Ai ishte i gjatë e i hollë, si hosten; flokët i kishte sterrë të zinj dhe me onde. Emrin e kishte Ponse kurse mbiemrin-Anibali. Ponsja ishte atlet i mirë. Ai vraponte shpejt. Në një garë atletike ku mora pjesë dhe unë, si përfaqësues i shqiptarëve, vrapova në korsinë ngjitur me Ponsen, por më la mjaft mbrapa në garën e 400 metrave. Njëri nga kubanezët ishte i bardhë; çuditërisht atë e quanin Lenin. Thuhej se ky Lenini, nga Kuba ishte zëvëndës i Raul Kastros, vëllait të Fidelit. Përgjegjës i kubanezëve ishte mulati Ramirez, një tip atleti me trup të lidhur e muskuloz, ndryshe nga shokët e tij të grupit, ai ishte djalë i sjellshëm e me edukatë.

Studentët nga Kuba, sapo erdhën në shkollë, pyetën: “Kur e kemi radhën për të shkuar në shtëpinë publike”? Siç duket ishin mësuar në vendin e tyre, ku mes aktiviteteve kulturore të tyre, vajtja në këto shtëpi hynte në regjimin ditor të tyre. Kishin dhe një rit fetar interesant: Në ditë të caktuara dhe kur ishin përpara evenimenteve të rëndësishme, zhvisheshin nudo, lyenin trupin me baltë, mbuloheshin me një peshqir dhe bënin një xhiro rreth ndërtesës ku banonim. Habiteshim kur i shikonim ashtu, si qoftëlarg por ata besonin se ky rit u sillte fat e mbarësi. Me ne shqiptarët afroheshin e na konsideronin “të tyret”. Me rusët, gjithashtu ishin të afruar. Vajzat ruse i kishin shumë të preferuar mulatët nga Kuba, për shoqëri, madje dhe për t’u martuar me ta. Vajzat ruse “vdisnin” për t’u lidhur me një mulat nga Kuba. Sa për zhurmë, kubanezëve zor se u gjendej shoku. Kishja dëgjuar oficerë rusë të cilët, në rrethe shokësh, në intimitet, mes njëri-tjetrit thoshin: ” dy shqiptarë janë boll për të bërë të gumëzhijë klasa teksa mjafton vetëm një kuban për të bërë rrëmujë” ! Epërvetësuan si e përvetësuan helikopterin dhe ikën, siç thonë në Veri: “roma përtoma” e shkuan me ngut në Atdheun e tyre. Atdhetaria e studentëbve nga Kuba ishte njëra nga vlerat më të spikatura të tyre. Ata e donin shumë vendin e tyre.

Në shkollë na erdhën dhe studentë nga Vietnami e nga Laosi. Si aziatikë tipikë, ata nuk dallonin shumë nga njëri- tjetri, prandaj nuk po i trajtoj veç e veç. Ata ishin të shumtë në numër, krahasuar me ne. Siç më kujtohet numëri i tyre ishte 60 ose 70vetë. Të urtë, të qetë, të nënshtruar, si të “mekur” ecnin pranë njëri – tjetrit, në grupe të vegjël, pa zhurmë e pa tangërllik, të bindur e të urdhërueshëm. Vishnin uniformën e ushtrisë të tyre, e cila u rrinte në trup sikur të ishin futur në thes. Në brez mbanin një pagure, me ujë të ngrohtë, të cilës nuk i ndaheshin gjithë ditën. Gjuhën ruse nuk e zotëronin e nuk e flisnin mirë. Në kujtesë më vjen një episod interesant nga jeta e përbashkët në atë qytezë. Na kishin caktuar pjesë të territorit për ta pastruar nga mbetjet urbane. Pjesën tonë të territorit ua linim vietnamezëve për ta pastruar. Ata i mblidhnin mbeturinat e ne u vinim zjarrin. Gjatë kohës kur studentët vietnamezë pastronin territorin ne hipnim nëpër pemët anës sheshit të betonuar, fishkëllenim e bënim qyfyre. Na dukej vetja superiorë ndaj tyre, pavarësisht se edhe ata ishin studentë për pilotë, si ne.

Këta ishin studentët që mësonin për t’u bërë pilotë nga vende të ndryshëm te Kampit Socialist. Por, në komunitetin tonë ushtarak të atij garnizoni ishin dhe mjaft ushtarë, oficerë apo punonjës të kombësive të ndryshme të hapsirave sovjetike. Të shumtë ishin ushtarët që vinin nga trevat e Jugut, me popullsi muslimane. Afroheshin me ne shqiptarët edhe për shkak të përkatësisë fetare. Nuk e dinin fanatikët muslimanë se ne, në përgjithësi nuk besonim, në asnjë lloj feje.

Politika e kohës, në atë bashkësi kombesh siç ishte Bashkimi Sovjetik, e kërkonte që nacionalitetet të trajtoheshin si të barabartë. Në dukje ishin të barabartë por në fakt një farë epërsie, rusët e donin dhe e mbanin. Këtë e vinim re dhe na bënte përshtypje. Fakti që jorusët kishin vende të dorës së dytë e të tretë në hierarkinë ushtarake e më tej, në fakt ishte diskriminuese.

Jeta jonë në shkollën e aviacionit, në qytetin e Batajskut, ishte, ndoshta njëra nga etapat më të bukura të jetës e të të mësuarit. Atje u formuam e u zhvilluam, mendërisht e fizikisht, u rritëm në moshë e u pajisëm me ato kualitete të rëndësishme të cilat na shërbyen, si bazë e shëndoshë për më pas. Nëse tani, në kufirin kur ndahen moshat e “pjekura” dhe bashkëkohësit e mi janë në prag apo i kanë kapërcyer të shtatëdhjetat, i kujtojmë me nostalgji ato kohë. Por, për fat të keq, ato vite nuk mund të kthehen, edhe pse i kujtojmë me nostalgji, sido që ishin, me pluset e minuset e tyre. Këto kujtime, sido që të largëta, me vërtetësinë që përmbajnë, mund ta bëjnë më të lehtë përcjelljen e asaj që ka mbetur nga koha jonë.

One thought on “Një internacionale e vogël”

  1. kujtime te bukura dhe interesanteTreguar me c ve re me vertetesi..Kam degjuar edhe nga shume te tjere te flitej per jeten studentore ne rusi(.Vecoj Maqo Leren,i cili shprehte vetem kenaqesi per jeten ne BS.Maqua dinte permendsh vargje ne rusisht dhe ne shqip nga Pushkini,Esenini e Lermontovi,te cilat i recitonte rjedhshem dhe bukur fare.)Nje gje me bente pershtypje,per shume te tjere,sharjet e medha qe benim per sovjetiket ne opinion,dhe nostalgjine e madhe qe fshihej ne shpirt,dhe ndonjeher shprehej,INKONJITO,mes miqsh

Comments are closed.