Jurij Gagarin u lëshua në hapësirën kozmike

Yuri Gagarin

Më 12 prill të vitit 1961, në orën 9, nga kozmodromi i Baikonurit të Bashkimit Sovjetik, me një raketë hapësinore tip: “Vostok 3KA-3”,  u lëshua në orbitë, piloti kozmonaut sovjetik Jurij Gagarin. Kjo ndodhi e veçantë ishte ndoshta ngjarja më spektakolare e atij viti. Për herë të parë, në historinë e njerëzimit, një njeri u hodh në orbitë, e kreu disa rrotullime rreth globit tokësor. Ishte një arritje e paparë e shkencës dhe teknikës së fluturimit. Jurij Gagarin, në rrotullimet rreth globit tokësor, brenda kapsulës kozmike, këndoi, në gjuhën ruse, disa kpëngë patriotike, të cilat u ndoqën, me kufje nga miliona njerëz. Ndodhia ishte e afërt me profesionin tonë, të pilotit, kësisoj kishim një motiv më tepër për t’u ndierë  krenarë.

Jurij Gagarin, një pilot i zakonshëm, u përgatit, posaçërisht për këtë fluturim ndërplanetar dheu bë njeriu i parë në botë që mposhti forcën e gravitacionut universal e u ngjit lart, në hapësirën e pamatë,  ku toka nuk kishte më fuqi ta tërhiqte dhe fluturoi në atë lartësi ku nuk kishte qenë asnjeri deri atëherë. Ishte dita e parë e javës e dhjetditëshit të dytë të atij prilli fatlum të vitit 1961. U ndodhëm në aerodromin fushor të Batajskut, qarku i Rostovit mbi Don, rajoni i Kaukazit të Veriut. Vendi ku ndodheshim ne ishte tepër larg nga poligoni ku u krye hedhja e kozmonautit. Kishim dalë në aerodrom, për të fluturuar me aeroplanët e lehtë mësimorë, me helikë, Jak-18A, në “rreth”. Grupi i studentëve të shërbimit të radhës, të cilët shtronin startin ( shënjat e lëvizjes të aeroplanëve në tokë ), e kishin kryer detyrën dhe, të gjithë ishim në pritje të fillimit të fluturimeve.

Një urdhër “nga lart” bëri të anulloheshin fluturimet, gjë që ndodhte rrallë. Ishim tepër kuriozë të mësonim shkakun që bëri të na anulloheshin fluturimet. Padurimi ynë për të mësuar ndodhinë e pazakontë pleksej me një farë inati e pakënaqësie. Mendonim se po na bëhej një padrejtësi e qëllimshme. Disa nga shokët tanë ishin në prag të lëshimit vetëm, me aeroplan dhe ndërprerja e fluturimeve, qoftë edhe për një ditë, mund të sillte vonesa në këtë eveniment me rëndësi jetike për ne. Grupi i shërbimit të startit mblodhi shënjat dhe i çoi parashutat në depo; aeroplenët u parkuan në stojankë ( vendqëndrim  ) e u mbyllën. U grumbulluam rreth një altoparlanti  të fuqishëm, aty, në start, të ulur mbi barin që kishte bujisur dëndur, në atë pranverë të begatë. Aty, në shesh u improvizua një minimiting. U mblodhën mjaft ushtarakë, të aviacionit dhe të specialiteteve në shërbim të fluturimit. Pjesëmarrësit në minimiting ishin të kombesive të ndryshme por të gjithë kuptonin rusisht. Mes tyre kishte rusë, shqiptarë, hungarezë, kubanezë, vietnamezë, Laosjanë, ukrainas dhe nga republikat e Jugut, të Bashkimit Sovjetik. Grumbulli mori ngjyrat e një tubimi ndërkombëtar. Folësi i njohur i Radio Moskës, çifuti Levitjan, me atë zë kumbues, me të cilin çoi peshë njerëzit e hapësirave sovjetike, në vitet e Luftës së Dytë Botërore njoftoi lajmin historik: “Piloti i focave ajrore sovjetike, Jurij Gagarin, ishte hedhur, me sukses në hapësirën kozmike”.

Njerëzit që ishin grupuar, si kishin mundur, në atë shesh mbuluar nga bari i njomë, duartrokisnin e brohorisnin parreshtur. Të gjithë ishin të gëzuar e kënaqësia e tyre nuk kishte kufi. Kishte ndodhur ajo që dëshirohej e pritej, prej kohësh.  Shkenca dhe teknika hapësinore sovjetike ishin tëpërkushtuara seriozisht, për ta zgjidhur çështjen e rrugëtimit të njeriut, në kozmos dhe ja, tek ndodhi. Ndonëse pritej, ajo ngjarje historike na erdhi në mënyrë të beftë e na surprizoi. Për ne, studentët shqiptarë, që po përgatiteshim për t’u bërë pilotë luftarakë, atë pranverë e emërtuam fatlume se na erdhi me nisjen e udhës ajrore. Gëzimit që na solli fillimi i flutiurimeve, sot iu shtua një tjetër kënaqësi, tashmë me përmasa globale: lëshimi i një piloti, në orbitë.

Mbasi e dëgjuam kronikën, ashtu, në eufori, të rrëmbyer nga ai sukses i padiskutueshëm i shkencës dhe teknikës ndërplanetare sovjetike, të cilën e llogaritnim dhe si arritjen tonë, shkuam në dhomën e kulturës, e cila ndodhej brenda mjediseve të banimit. Erdhën dhe studentët shqiptarë që fluturonin në helikopterët MI-4 e MI-1, nga heliodromi, në Mokrij Batajsk. Tashmë, në sallë kishte vetëm studentë shqiptarë, të grumbulluar përballë sparatit televiziv, bardhë e zi, 21 polësh. Në atë kohë teknika televizive nuk e kishte zhvillimin që ka marrë sot dhe ai aparat ishte i vetmi, në përdorimin  tonë. Me qëllim që ndodhinë spektakolare, ta shikonin në transmetim të drejtpërdrejtë edhe njerëzit, në rajonet më Jugore të Kaukazit të Veriut, u ngrit në ajër një aeroplan, me aparatura të posaçme që emetonin valë televizive. Nga kjo përfituam dhe ne. E ndoqëm kronikën.

Kozmonauti i parë, Jurij Gagarin kishte zbritur në tokë, brenda një kapsule kozmike, e cila zbriti, së bashku me Jurin e varur në një parashutë. Zbritja u realizua në rajonin e Semipalatinskut, por heroi i asaj dite, Jurij Gagarin, atë ditë duhet të vinte në Moskë, ku e priste një miting madhështor, në të cilin morën pjesë disa  qindramijë qytetarësh. Dita “po thyhej “ e mitingu ishte gati. Në tribunën gjigande, pranë mureve të Kremlinit, përballë njerëzve të shumtë që kishin mbushur Sheshin e Kuq, qendronte, hijerëndë udhëheqja më e lartë e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe pushtetarët më të lartë të vendit. Pritja që u organizua me atë rast ishte, me të vërtetë madhështore, spektakolare, siç ishte ai fluturim i parë i njeriut, në orbitë.

Kozmonauti Jurij Gagarin, erdhi në Moskë, nga rajoni i Jugë-Lindjes, ku kishte zbritur në tokë, me një aeroplan transporti TU-104, i cili shoqërohej, nga afër, prej 5 aeroplanëve gjuajtës – bombardues  të sofistikuar MIG-21. Aeroplani që solli Gagarinin u ul në aeroportin qeveritar të “Vnukovos “, në buzëmbrëmjen e datës 12 prill të vitit 1961. Njeriu që u kthye nga kozmosi, i zbriti shkallët e aeroplanit TU-104, me një krenari të ligjëshme, serbes e me kokën lart. Kishte veshur një kapotë ushtarake e cila i qendronte bukur, në atë trup  të gjatë dhe elegant.  Me kapelen e bukur të aviatorit në kokë e me spaletat e majorit, në supe, Juri Gagarin ngjante me një yll, i cili ishte shkëputur nga yllësitë, për të na ndriçuar me dritën e tyre kozmike. Kozmonauti ishte hedhur në orbitë me spaletat e kapitenit të dytë dhe zbriti prej andej me gradën e majorit. Ishte graduar në ajër dhe ky përbënte një sensacion për ne.

Jurij Gagarin, iu afrua tribunës qendrore, nderoi ushtarakisht dhe u takua me udhëheqjen e lartë të partise e të shtetit. E takuan dhe e përqafuan, të gjithë, me radhë, sipas pozitës që mbanin  në parti e në pushtet. Jurij zuri vend në tribunën qendrore, pranë udhëheqësve kryesorë. Afër tij ishin dhe familjarë të heroit. Fjalën përshëndetëse e mbajti Nikita Sergejeviç Hrushovi, në atë kohë Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Ai evidencoi vlerat e fluturimit të parë të njeriut në kozmos, theksoi faktin që ky njeri ishte sovjetik dhe i thuri lavde guximit e trimërisë që tregoi heroi i kësaj ndodhie. Mbaj mend, oratori falenderoi kolkozianët e rajonit ku zbriti kozmonauti, të cilët e kishin punuar mirë tokën dhe i siguruan ulje të butë Juri Gagarinit.

Një mesazh të veçantë falenderimi, Hrushovi u dërgoi grave dhe nënave ruse, cilësoi me emër nënën e Gagarinit, për kontributin e tyre për rritjen dhe edukimin e heronjve si Juri Gagarin. Ajo ngjarje spektakolare dhe pritja madhështore që pasoi, prunë mjaft gëzim dhe entusiazëm, në mbarë hapësirat sovjetike, e më gjërë. Ato patën ndikime pozitive e prunë mobilizim të ri, edhe në radhët tona. Ishim në valën e “aksionit “ për t’u lëshuar në fluturime vetëm e kjo ndodhi na bëri mirë.

Gagarin

Ndodhia e paparë u përcoll me komente e opinione marramendëse. Superfuqia sovjetike, në garë të ethëshme me superfuqinë amerikane, për zotërimin e kozmosit, kishte fituar një farë epërsie  e cila u konkretizua me lëshimin në orbitë të njeriut të parë. Të papara e të papritura ishin dekorimet dhe vlerësimet për heroin që bëri xhiro rreth globit tokësor. Jurij Gagarini u shpall “ Hero i Bashkimit Sovjetik”, u gradua para kohe, madje kur ishte akoma në ajër, iu akorduan tituj të çuditshëm si “mjeshtër sporti”, për mbajtjen e ndërlidhjes në distanca të largëta, nga kozmosi etj. Atij iu atribuan tituj e lëvdata të merituara e të sajuara. NJë eufori e paparë dhe e shfrenuar pasoi atë sukses të padiskutueshëm të shkencës hapësinore sovjetike.

Siç duket, euforia e pabazuar, zbriti deri në nivelet më të ulët të reparteve e njësive të aviacionit dhe u shoqërua nga shkujdesje e nënvleftësime, të dëmshme. Nuk kam kapacitetet as dëshirën të bëj analistin por një gjë e them fort : vrasja e Jurij Gagarinit,  në atë fluturim rutinë, natën, kur pilotonte  në zonë, vetë i dytë, me një aeroplan mësimor reaktiv të tipit Mig-15, më 27 mars të vitit 1968, ishte fare e pajustifikueshme e më ka hidhëruar, pa masë. Për të nxjerrë në dritë shkaqet e katastrofës ajrore, ka kohë që flitet e përflitet. Janë ngritur komisione e grupe pune, me ekspertë nga më të mirët  shpsh të kryesuar nga funksionarë të lartë, por deri më sot, e vërteta bindëse nuk ka dalë në shesh e hamendësitë e njerëzve vazhdojnë. Shumë hipoteza qarkullojnë e mjaft komente janë në qarkullim; të gjitha qendrojnë larg të vërtetës, të cilën, siç ka ndodhur rëndom në praktikë e ka marrë me vete viktima. Nuk përjashtohet versioni i një intrige dashakeqe, me motive xhelozie, siç kemi dëgjuar të ndodhin në korridoret dhe zyrat e Kremlinit.

Pas vdekjes, heroit të kozmosit, iu bënë nderime të shumta e të merituara. Trupi i tij u dogj e hiri u vendos ne Murin e Kremlinit, atje ku prehen komandantët legjendarë të Rusisë. Nderimet janë një gjë; përcaktimi i shkaqeve të katastrofës ajrore që shkaktoi vdekjen e heroit, eshte domosdoshmëri. Gruaja e Juri Gagarinit, Valentina dhe dy vajzat e tij: Helena dhe Galina, si dhe të afërmit e tij, ka kohë që presin e duan të dinë të vërtetën. Ka kohë që fluturimi i parë i njeriut në orbitë u krye e u pasua nga të tjerë fluturime të kësaj natyre. Mirëpo Jurij Gagarin ishte i pari dhe njësh është vetëm një. Fluturimi i tij i parë, në hapësirën kozmike frymëzoi e frymëzon  mjaft të rinj e të reja për akte heroizmi në lëmin e fluturimeve nderplanetare. Jurij Gagarini ishte i pari që u hodh në orbitë dhe do të kujtohet përjetë si i tillë.

Në fundvitin 1993 u ndodha në Moskë. Në një vend të dukshëm, afër qendrës të metropolit rus,  pashë një përmendore gjigande, kushtuar Jurij Gagarinit. NJë raketë kozmike, drejtuar nga qielli,  me fytyrën e Gagarinit në qendër, hijeshonte atë mjedis e përjetëson veprën e heroit të kozmosit. Nuk e fsheh dot respektin për veprën së tij heroike dhe nostalgjinë për figurën e tij të ndritur. E vrojtova gjatë atë kompleks artistik, të përkryer dhe nuk ngopesha duke e parë. Në heshtje  ( ndoshta dhe me zë ) theksova : “ Hallall” atyre që e kanë projektuar e realizuar këtë madhështi. Nuk e paskan harruar njeriun e parë, i cili idëftoi botës se çfarë është në gjendje të bëjë një tokësor. Polemikat dhe hamendësitë rreth vrasjes të Jurij Gagarinit, nuk mund ti errësojnë vlerat e aktit të tij heroik të tij; përkundrazi, ato i përjetësojnë arritjet e atij fluturimi historik, sikundër bën dhe kjo përmendore  gjigande.

Më në fund dua t’ju bëj me dije dhe një kuriozitet: Kur zbriti në tokë, në poligonin e Semipalatinskut, në një parcelë të punuar bukur, Juri la kabinën kozmike, e cila, siç dihet është bartëse e rrezeve radioaktive dhe doli në rrugën automobilistike që kalonte pranë. Ishte i veshur me kostumin e kozmonautit dhe kjo u bëri përshtypje kalimtarëve. I nxorri dorën një makine kolkozi e shoferi e ndaloi mjetin. Kozmonauti i ngjit në karroceri dhe i dha urdhër shoferit të bëjë përpara. Ndaloi në një bateri raketash , zbriti nga kamioni e vrapoi drejt çentralit telefonik për të njoftuar në qendër, zbritjen e tij në tokë. Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes kishte çuar një helikopter  për ta marrë Gagarinin e për ta çuar në Moskë. E kërkoi ekipazhi i helikopterit Jurin, nëpër fushat përqark vendit të rënjes por nuk e gjeti dot. Juri Gagarini u transportua me një aeroplan transporti TU-104, nga baza ajrore më e afërt.

One thought on “Jurij Gagarin u lëshua në hapësirën kozmike”

  1. Niazi,kete fotografi qe kemi dale ne autobus,e mora nga libri i Agim Ismailit,qe me dha mua ne 2012. Ai duhet ta kete origjinalin i thuaj ta jape nje kopje dhe ndroje kete.Agimi duhet te kete dhe te tjera. Une ato qe kam i kam vene ne FB. Une mendoj se Dhori dhe te tjeret duhet te kene me shume. Pse mos imbledhim te gjitha dhe te bejme nje album per grupin tone.

Comments are closed.