Shoku im Petraq Koroveshi

Petraq Koroveshi

Njihemi nga 26 gushti i vitit 1960, ditë kur u nisëm për studime në Bashkimin Sovjetik, deri më sot. Plot  55 vjet njohje, në punë të përbashkët. Nuk janë pak. Ishim njomëzakë e na kanë mbuluar thinjat. Shkuam në një vend të huaj, larg vatrave tona, për t’u bërë pilotë. Dy ngjarje të jashtzakonshme, në verën e vitit 1960, ku u shkatërruan dy aeroplanë reaktivë Mig-15 Bis dhe humbi jetën një student për pilot, u dhanë fund përpjekjeve të tanëve për funksionimin e shkollës së aviacionit në vendin tonë. Alternativa e vetme  për të përgatitur pilotë, për aviacionin tonë, u gjet dërgimi i djemve të zgjedhur, në shkollën sovjetike të aviacionit. Ishim 36 shokë; të ndryshëm për nga fiziku e origjina, por sejcilit i vlonte në gji dëshira e zjarrtë për t’u bërë pilotë ushtarakë, në shërbim të mbrojtjes së Atdheut  tonë të dashur.

Petraq Koroveshi  ishte nga të paktët djem kryeqytetas, e neve,  që vinim nga provincat, se si na dukej, tjetër njeri. Ai kishte trup pak nën mesataren, por të ngjeshur e të shkathët, siç kërkohet të jenë pilotët. Faqet i kishte “ buçko”, flokët kaçurrela, të zinj sterrë e tiparet e fytyrës- simpatike.  E thënë pak ndryshe, bukuria fizike e Petraqit, e hijeshonte grupin tonë djaloshar. Petraqi u gjend në shoqëri të afërt me Adem Çeçon, e me Sefedin Tomçinin dhe u lidh ngushtë e ishte në harmoni me të gjithë ne të tjerët. Ai, shpejt e pa bujë, u bë njëri nga studentët më cilësorë të nëngrupit që do të përgatitej  për pilotë gjuajtës-bombardues.

Me instruktorin sovjetik Rapajev, i cili ishte metodist i përkryer, Petraqi fluturoi në aeroplanin msimor, me helikë Jak-18 A, me tregues cilësorë të lartë. Ai ishte njëri nga studentët e grupit tonë, që shquhej, për rregullsi e ishte i disiplinuar, në çdo drejtim. I mprehtë, i zgjuar, me aftësi për ti kapur  shpejt e për ti ruajtur gjatë, shprehitë në fluturim, Petraqi, pak nga pak e ditë pas dite, përvetësoi  me tregues të lartë, programin mësimor e u formua për të ndjekur rrugën e vështirë të pilotimit.

Pas kthimit të detyruar, në Atdhe, pa përfunduar programin e shkollës së aviacionit, më 16 shtator të vitit 1961, Petraqit i “ ra llotaria”, të vijonte studimet e të diplomohej pilot, në Shkollën Shqiptare të Aviacionit, në Vlorë, e cila u rihap, në vitin 1962. Petraq Koroveshi ishte me fat, që pati instruktor të teknikës së pilotimit njërin nga pilotët më të kompletuar e më të shquar të Aviacionit Shqiptar të asaj kohe, Bardhosh Shevqet Hasanaj. Petraqi dhe shokët e tij, hynë në histori si prodhimi i parë i pilotëve të shkollës tonë të aviacionit. Së bashku me 15 studentë  të nëngrupit të Batajskut, në fundvitin 1961, mbasi një pjesë e grupit u nis për në Kinë, Petraqi iu drejtua shkollës shqiptare te aviacionit, të cilën e përfundoi në fundvitin 1963 duke u diplomuar pilot gjuajtës-bombardues , i kualifikuar për fluturime, luftarake  në avionët Mig-15. Plotsimi i programit teorik, në auditorët e Shkollës së Aviacionit, në Vlorë dhe zhvillimi i fluturimeve, nëaerodromin fushor të Pishëporos, e kalitën Petraqin dhe shokët e tij të grupit për të kaluar në tipat e tjerë, më të sofistikuar të aeroplanëve të këtij lloji.

Në pranverë të vitit 1964, Petraqi u emërua pilot, në Regjimentin e Aviacionit, në Rinas, ku ishte komandant, legjendari  Niko Hoxha. Aty, në përbërje të Skuadriles së Dytë, të komanduar nga “akrobati i ajrit”, Vunjoti- Kosta Neço Dede, Petraqi fluturoi në aeroplanët reaktivë, gjuajtës-bombardues Mig-17F dhe mori titullin : “ Pilot i klasit të Tretë”!

Me transferimin e Skuadriles të pajisur me aeroplanë Mig-17 F,në Regjimentin e Aviacionit të Qytetit “ Stalin”, Petraqi, në pranverë të vitit 1966, së bashku me shokët e tij pilotë: Stillo Mëlica; Bashkim Agolli dhe Nazmi Dautaj, u transferua në këtë regjiment. Fluturoi ai, në përbërje të Regjimentit” “Peza”, në aeroplanët Mig-17 F, ku plotsoi kushtet dhe mori  titullin “Pilot Ushtarak i Klasit të Dytë”!

Rikthimi në Regjimentin e Rinasit  dhe kalimi i tij në aeroplanët supersonikë, gjuajtës-bombardues Mig-19S, i dhanë mundësi  Petraqit të kryejë disa detryra luftarake, në formacione të ndryshme e në kushte meteorologjike të ndryshme, sipas shkallës së kualifikimit. Duke qenë në detyrën e zëvëndëskomandantit të skuadriles, për 14 vjet radhazi, Petraqi u formua e u perfeksionua si pilot gjuajtës-bombardues, ku dha një ndihmesë me vlerë për kualifikimin e pilotëve të rinj. Kush nuk e ka njohur e nuk e ka ndjerë rolin përcaktues të   Petraq Koroveshit, si drejtues i çështjeve të fluturimit, në skuadrile dhe si instruktor  fluturues, apo si kontrollues i teknikës së pilotimit, në kushte të ndryshme të situatës e të motit.

I papërtuar, për të kryer çdo detyrë, nga më komplekset e me shkallë të lartë vështirësie, Petraqi , për një kohë të gjatë, jo vetëm kreu detyrat individuale si pilot i kualifikuar, por, në masë të ndryshme kompensoi dhe ndonjë boshllëk të krijuar. Kur flet për Petraq Koroveshin, si pilot, lipset të mbahet parasysh ajo ngarkesë e pazakontë që ka përballuar, gjatë zgjidhjes të detyrave ajrore nga më të ndryshmet, pa pretendime, si dhe kapërcimin e disa ndodhive të pazakonta, në ajër, të cilat i ka zgjidhur me qetësi, kompetencë e parrezikshmëri. Petraqi ka përballuar, me sukses disa të meta teknike që i janë shfaqur gjatë pilotimit, duke dalë fitimtar e faqebardhë mbi rreziqet që i kanoseshin.

Duhet theksuar se Petraq Koroveshi është nga pilotët e pakët që ka mbaruar Shkollën Shqiptare të Aviacionit dhe është 100% pilot i “markës “ shqiptare. Ai është nga të rrallët pilotë, të cilët kanë dalë në pension të plotë, drejtpërdrejt nga kabina e aeroplanit mbizanor, Mig-19S. Edhe tani që është në pension, Petraq Koroveshi, i cili është mësuar me punë, nuk mund të qendrojë duarkryq e të shtyjë ditët, duke u tërhequr mënjanë, larg shqetësimeve të kohës. Ai është i angazhuar vullnetarisht, me kontributet vetjake, në një punë tejet të lavdërueshme që ka për  qëllim t’u bëjë të njohur njerëzve vlertat e aviacionit shqiptar dhe protagonistët e ngjarjeve të mëdha. “ Marubi i aviacionit”, siç e ka pagëzuar eruditi i rrallë, Riza Lahi i paharruar, me shumë kujdes e aftësi, po qëmton e po na nxjerr në dritë kontributet e njerëzve të aviacionit, pavarësisht nga pozicioni dhe specialiteti, atyre që i kanë dhënë  aviacionit tonë  gjithshka kanë patur. Kësisoj, Petraqi, falë sjelljes së tij “ të butë”, është bërë mik i të gjithëve dhe ka fituar simpatinë e shumëkujt.

Me shumë durim e këmbëngulje, me vullnet e durim të paparë, Petraq Koroveshi, pa bujë e pa zhurmë, punon, përditë, me orë të zgjatura, për të na servirur njerëz, ndodhi apo procese jetësore  nga bota e aviatorëve. Vullneti  i tij është jo vetëm i pashterrur, por dhe për t’u patur zili. Ai u përshtat mjaft shpejt me aparaturat dhe teknologjinë e komunikimit bashkëkohor dhe kjo është një vlerë tjetër e tij. Kemi të bëjmë me një rast tipik e unikal, për moshën që ka Petraqi.

Në datën 1 prill të vitit 2015, Petraq Koroveshi, mbushi 75 vjeç. Dëshiroj e i uroj shokut tim jetëgjatë  të rrojë sa të dojë vetë e sa të dëshirojnë të tijët, me vitalitet e prodhimtari, si deri më sot!

Ky është një rast i mirë për t’u drejtuar gjithë atyre njerëzve që kanë shërbyer në aviacion dhe ruajnë fort e me xhelozi eksperienca të papërsëritshme, të gjejnë rrugë e mënyra për ti afishuar ato , në mënyrë që vlerat e tyre të bëhen pronë e të tjerëve.

Në Tiranë, më 24 prill 2015

Formuloi Niazi Nelaj