Zgjodhi shoqërinë e yjeve

Rizai

Sa do të dëshiroja që muaji dhjetor të ishte pa ditën e fundit të tij. E kam marrë inat! Dikush mund të thotë: “ Qënke marrosur”! Jo, them unë, i vendosur,e këmbëngulës, në timen. E kam marrë inat atë ditë fundviti; jo më kot. Më mori, në udhën pa kthim, njërin nga miqtë e mi më të mirë: Riza Xhevdet Lahin, pilotin dhe eruditin e spikatur. Na iku Xakja ynë i mirë, pa kthim, pa na thënë as lamtumirë e pa e çliruar plotësisht, të gjithë dritën qëbartëte qënja e tij fisnike. Siç duket, miku im i mirë, u ndie ngushtë,në kuptimin e pamjaftueshmërisë, në mjediset tona, prandaj  përzgjodhi shoqërinë e yjeve. Se yll, yll ishte ai njeri; e çfarë ylli? Sa herë është i kthjellët moti, e retë nuk më pengojnë, dal e vështroj, lart, nga qielli i pamatë; dua të dalloj, mes yjve, cili është Xakja im por ata të gjithë ndriçojnë e janë të shkëlqyeshëm.Interesimi im , mbetet pa përgjigje. Këtë tit e përsërit sa herë diktoj transparence ajri, siç e dëshironte Ai, kur nisej në fluturim.

Riza Lahi, shkodrani me zemër të madhe, i cili e donte aq shumë vendlindjen e tij, ndoshta, duke qenë në shoqërinë e yjeve, atje lart, ka menduar se mund ta vrojtojë e ta shijojë më bukur qytetin që e donte aq shumë. Dikush tha se atë njeri  e ka parë vetëm duke qeshur. Po, konfirmoj bindshëm se Xakja nuk mund të ishte ndryshe; buzagazi i tij sikur ishte binjak e i pandarë nga Rizaja!

Më kuptoni e më ndjeni, miqtë e mi: kur shkrojta parathënien e librit të dytë të “ enciklopedisë “ të aviacionit : “Dinosaurët e fundit”, me kërkesën dhe miratimin e Rizait, Ai ishte në jetë e unë nuk e pata të vështirë të formuloja një grusht fjalësh, të zgjedhura, të cilat më dolën vetiu, nga shpirti. Tani, kur më duhet, ti bëj publike ato pak radhë, me një copë shkrim përcjellës, e paskam shumë të vështirë. Mendja sikur nuk më prodhon  e duart më dridhen, penën dhe fjalën e paskam të rëndë, për idhullin tim , ngashërimi më ka pushtuar të tërin. Nuk është vetëm nostalgjia që më ka kapluar, e lloj-lloj kujtimesh më ngacmojnë, por dhe inati që kam, për mos ta kujtuar atë ditë të trishtë, e cila është e tillë jo vetëm për mua.

Kaluan dy vjet, nga ndarja me mikun tim e kurrsesi nuk dua ta pranoj se më kaikur ai deli njeri. Inati më shtohet kur mendoj se ndonjëri, të cilit i ka hyrë vetja në qejf, gjë që në Shkodër është mallkim, përpiqet të  hedhë baltë mbi një gjëm së cilës balta nuk i ngjitet. Më zi  është për atë vetë. Siç duket qendrimi i tij lidhet me pamundësinë për të mbërritur në lartësitë që kapi Rizai. Duke u rrekur të baltosë, ai, në fakt rrëshqet e bie në llumin e batakut nga ka dalë.

U përpoqëm ta kujtonim, bashkarisht, të mirin tonë Riza Lahi; me familjarët e tij, me miq e shokë të ardhur nga ana e anës. E përkujtuam në ditëlindjen e tij  dhe mirë bëmë. Njerëz si  Riza Lahi, kanë vetëm një ditë; atë të lindjes ; ata nuk vdesin kurrë. Diçka bëmë, po ta organizonim më me kujdes, eventi do të ishte më i arrirë. Edhe ashtu , siç u bë, në sallë nuk kish vende e folësit vunë në dukje vlerat shumëdimensionale të Xakes; si poet, prozator, kritik letrar, përkthyes e njeri i letrave që flasin. Eventi u kthye në një ngushëllim të pazëvëndësueshëm, për nënën e tij 88 vjeçare, e cila më përngjan me një grua kreshnike, e cila ka zbritur nga podiumi i Eposit të të sajve. Ngushëllim ishte dhe për fisniken Afërditë, e cila, në kushtet kur nuk e ka më pranë njeriun e saj të zemrës, “mblidhet”, pas Arxhelsit, Ledias, vocërrakëve bukuroshë, të cilët , gjyshi i artë, i donte shumë e dëshironte ti shikonte të lumtur. Të njëjtën gjë, mund të themi dhe për  vëllezërit dinjitozë e për motrat, qëndrestare të rralla; për  gjithë miqtë e shokët,e shumtë e të gjithëanshëm  të tij.

Le të shërbejë ky shkrim, pa pretendime, një homazh dhe një premtim, kushtuar mikut tim të mirë!

Po ju paraqes, të plotë dhe besnikërishtpa ndryshime , parathenien qe kam shkruar, më 26 mars 2013, për librin e dytë të “ enciklopedisë”: “ Dinosaurët e fundit, e cila , për fat të keq, akoma nuk e ka njohur dritën e botimit:

“ Dy fjalë, për librin e Riza Lahit:” Dinosaurët e fundit”,pjesa e dytë”:

U ndieva mirë, kur lexova librin e kohëve të fundit, të shkrimtarit, poetit, publicistit dhe perkthyesit me emër: Riza Xhevdet Lahi: “ Dinosaurët e fundit”, libri i dytë. Faqet e këtij libri, më mrekulluan e më befasuan , me larminë, thellësinë e mendimit,kulturën e të shkruarit dhe me rrokjen gjithëpërfshirëse të dukuriveqë trajton. Çfarë punë kolosale, ka bërë autorii librit; çfarë durimi e vemendje të rrallë u ka kushtuar ai, ngjarjeve të largëta ; çfarë dashamirësie e bujarie, të cilat i burojnë nga shpirti , ka derdhur në çdo faqe libri e në çdo rrjesht të tij , ai njeri, njerëzor?

Nuk është e lehtë , të shkruash , për jetën e pilotëve ! Ata , siç dihet, janë të heshtur e nuk i dëgjon të flasin për vete.Pilotët , janë nga ajo rracë njerëzore , që e shkruajnë historinë e tyre , atje lart, në qiell , duke e gërvishtur hapësirën, me siluetin e aeroplanit dhe me qënien e tyre. Patjetër keni vënë re: kur sipër , në hapësirën qiellore , kalon ndonjë aeroplan, me vijën e bardhë apo me utërimën që le , pas? Njerëzit , instiktivisht ngrenë kokën , për ta parë e për ta përshëndetur , miqësisht. A nuk është ky , një nderim e respekt  që njerëzit e thjeshtë i bëjnë bijve të tyre, atyre fajkojve qiellorë , që e kanëbërë folenë , atje lart , në hapësirat e pamata qiellore? Ai që vetëlëvdohet , poshtë e lart me bujë e zhurmë , duke dëftuar bëma të pabëra ose të dëgjuara, s’është veç se një periferik i pavlerë. Xakja ynë (NN), ka marrë anën e rracës të guximtarëve, të cilës i përket. Ai, në këtë libër, na ka mbledhur tok, si dikur, të ikur e të gjallë; i lumtë mendja dhe pena , Xakut tonë kurajoz!

Libri i Riza Lahit: “ Dinosaurët e fundit” e trondit , thellë lexuesin. Ai ngjan me një sokëllimë, i shkon për shtat një proteste, është një apel , ngjan, gati-gati me një lutje e psherëtimë , e cila e ka burimin tek zemra e tij dhe bën thirrje për më tepër njerëzillëk. Deviza që përcjell mesazhi i tij është i thjeshtë: Të ruajmë atë që na ka mbetur ! Me mirësinë e njeriut kokëplotë e të ndjeshëm ndaj realitetit, Rizai, na bën thirrje: të shkundemi nga plogështia që na ka ngërthyer e të respektojmë historinë tonë të lavdishme.Ajo që ka mbetur, natyrisht, është pak , por, gjithsesi , edhe aq, mjafton , për të dëftuar nga keni ardhur e rrugën që na është dashur të përshkruajmë, për të kapur majat që u arritën.

Të faleninderit Riza Lahi, uroj të të burojë muza, si gurrë e pashtershme ,për të na prurë të tjerë shkrime me vlerë , si ky. Na duhen , e kemi mjaft nevojë , për sinqeritetin e shkrimeve të tua , për kulturën me të cilën i shtjellon ngjarjet, për atë qëmtim të kujdesshëm e të pastër , sikur të ishe një qëndistar cilësor. Duke bashkuar në një libër si ky, tërë atëmori njerëzish heroikë e ngjarjesh  mbresëlënëse , ke gdhendur , me daltë mjeshtërore përjetësinë e tyre. Dhe, siç dihet , kush punon për të përjetësuar të tjerët, e ka radhitur veten , me të përjetshmit.

Urime , miku im e me faqe të bardhë, në krijime të rinj, si ky?

Në Tiranë, më 26 mars 2013, Shkroi  Niazi Nelaj

One thought on “Zgjodhi shoqërinë e yjeve”

  1. Xaken e kisha midis shokeve qe nuk i dridhej qepallja te fliste edhe per tema imtime,sikur me vellain…Perpiqesha ti jepja kurajo ne frymezimet e tij poeteske viteve ’70 dhe punoi me pasion,arriti suksese te dukeshme.. Kariera ime ushtarake u ndal kur s’duhej,por ky “fat” nuk na largoi midis nesh.Madje edhe 25 vjet ne emigracion nuk i preva lidhjet me Xaken shpirtmire… E ruaj ne kujtimet e mia te pa harruar,Xaken

Comments are closed.