Një monografi ndryshe

Shumë herë jam përfillur për të shkruar diçka, për Hyrën, por jam sprapsur, jo pa shkak. Sa e vështirë është të përmbledhësh në një monografi jetën e një „gjigandi“ si ai. Një jetë që i ka të gjitha brenda. Hysa ndriti sa qe në jetë, vazhdon të ndritë dhe pas ndarjes nga jeta. Nuk e teproj po të them se Mahmut Hysa nuk ngjante me një njeri të zakonshëm; ai ishte një „yll dritëshumë“; ishte një „vegim“; një „engjëll mbrojtës“ që na erdhi si dhuratë nga yjësitë, për të na bërë pakëz dritë. Si yll që ishte, Mahmut Hysa mund të krahasohet vetëm me yjet dhe e ka vendin mes tyre, në përjetësinë e qiellit, në të cilin lundroi me të gjithë tipat e aeroplanëve që dispononte vendi ynë dhe mori klasin e parë të pilotit që është shkalla më e lartë e kualifikimit të pilotit.

Kanë shkuar shumë vite nga koha kur ai u largua nga ky mjedis, por gjurmët e jetës së tij trokasin e do të trokasin sa të jetë jeta. Se Hysa ynë nuk punoi për një ditë e për pak kohë, por e ngjiti lavdinë e armës që deshi aq shumë në majat më të larta e i dha asaj dhe vetes privilegjin e përjetësisë së merituar. Jo vetëm ata qindra pilotë që ka mësuar, në forma të ndryshme, por dhe ata të shumtë që vetëm sa kanë dëgjuar për bëmat e tij, nuk mund ta largojnë nga vëmendja, komandant Hysën; një njeri i jashtëzakonshëm e një mik i të gjithëve. Hysa, në çift me zj. e nderuar Nadire, solli në jetë dy „yje“, siç ishte vetë; Mimozën dhe Edin, të cilët u rritën me norma e u bënë dikushi dhe nderojnë e mbajnë lart vlerat e Babait të tyre të paharruar.

Mahmut Hysa nguli piketa e vuri gurë themeli në historinë e Aviacionit Shqiptar, të cilin e ngriti lart, mbi nivelin e fqinjëve dhe matej, me „Luanë“, jo me sorra. Është shkruar e komentuar, pa fund, për Hysën tonë; secili sipas aftësive dhe mundësive dhe nga këndi i tij i vështrimit. Mirë është bërë që është shkruar për Atë njeri, i cili na erdhi kur na duhej, si me porosi, për të na ndriçuar e iku përsëri andej nga erdhi, atje ku e ka vendin, në përjetësi. Siç kam vepruar në raste të ngjashme, u rreka të tërheq opinione për Hysën, por u sprapsa nga kjo rutinë, me mendimin se, këdo që të pyesësh, të njëjtat gjëra do të thotë për vlerat shumëplanëshe të Hysës. Megjithatë, 2 opinione të miqve më të ngushtë të Tij nuk mund t’i shmang. Një mik imi, kur e pyeta për Hysën, ndali frymën për një çast e me zë të mbytur nga ngashërimi, më tha: „Ah, sikur të gjithë të ishin si Mahmut Hysa mbasi ndryshe do të ishin punët dhe vetë jeta në aviacion“.

Më kot përpiqet ndonjë mjeran zemërlig të hedhë baltë mbi „të madhin e të paarritshmin Mahmut Hysa“. Ai ngjante me një mal të lartë tek i cili nuk mund të qasesh lehtë.

Jam i të njëjtit mendim me atë mentar që psherëtiu thellë, kur solli ndërmend Hysën dhe shtoj se idhulli im, për fat të keq, jetoi e punoi në një periudhë kohore, kur vlerat e tij të qenësishme ishin të detyruara të bashkëjetonin me antivlerat që shpaloste dikush tjetër. Për themelimin dhe për zhvillimin e Aviacionit Shqiptar kanë dhënë kontributet e tyre, në fusha nga më të ndryshmet e jetës aviacioniste, mjaft njerëz, disa të njohur e të tjerë më pak, ose aspak të njohur, jo për faj të tyre, por, me Mahmut Hysën, asnjeri nuk mund të matet e të krahasohet. Nuk e teproj, po të them se Hysa ynë nuk ishte njeri, por – Perëndi. Do të ndihesha keq, nëse dikush, nga panjohja apo nga ligësia e shpirtit do të tentonte të rrëmonte për të gjetur ndonjë të çarë në punën e atij njeriu, i cili meritoi statusin e mikut të të gjithëve. Nëse do të tentoja për të thënë ndonjë mangësi, me shumë mund e me dhimbje, do të pohoja dy gjëra: E para: Hysa ishte shtatshkurtër dhe e dyta: Ai ishte mik i të gjithëve dhe u besonte të gjithëve.

Mahmut Hysa u lind në fshatin Maminas të rrethit të Durrësit, më 1 prill të vitit 1936, në një familje autoktone shqiptare. Të parët e tij mbanin mbiemrin – Ukaj. Ata u ngulën në Maminas, kohë më parë, kur shtegtuan nga malësitë e Krujës, në ultësirën Perëndimore të vendit. Nëna Lule dhe Baba Abdullahu i mëkuan djalit të tyre dhe fëmijëve të tjerë të familjes vlerat e tyre dhe traditën e të parëve.

Briza që fryn nga kontinenti, e pleksur me flladin e erërave të ngopura me avuj të kripur që frynin nga hapësira detare, kaliti, që në fëmijëri, tek Hysa: shkathtësinë e fizikut, mprehtësinë e të pamit, rezistencën e shtatit dhe zhdërvjelltësinë e trupit.

Hysa „më ngjiti“ që kur e pashë. Ishte qershori i vitit të largët 1963 kur u sistemova në një dhomë të hotelit të beqarëve në Rinas, përballë dhomës së Tij ku Ai banonte, së bashku me legjendarin Gëzdar Riza Veipi. Tek Hysa pashë një të ri 27-vjeçar me shtat të shkurtër por të mbushur, me shumë muskuj, të shkathët e të mprehtë, dashamirës e me sy tërë jetë. Zgjuarsia dhe mençuria e kompletonin me tiparet më të mira të cilat i lipsen një njeriu për të qenë i mirë. Çmoj si vlerë autentike të Tij, mishërimin brenda figurës së një piloti të kualifikuar të psikologjisë dhe vijës së sjelljes së një katundari tipik të Shqipërisë së Mesme.

Hysa njihte e zbatonte në perfeksion: normat e sjelljes, doket, zakonet, traditat, mentalitetin dhe psikologjinë e një fshatari të mirëfilltë të cilat pasuroheshin me një edukatë e kulturë për t’u pasur zili. Kur uleshe e kuvendoje shtruar me Mahmut Hysën të linte ndjesinë sikur po bisedoje me një fshatar, i cili, sapo kishte ardhur nga Maminasi; por, kur biseda thellohej, njohuritë e Tij të bënin të skuqeshe. Horizonti, njohuritë, edukata e shëndoshë, kultura dhe toleranca që shpërfaqte Ai dhe mënyra e të thënit të gjërave ishin tejet interesante dhe origjinale. E donte shumë Maminasin ku ishte lerë, Ai deli djalë i atij fshati vlerashumë. Në jetë ka pasur dhe të tjerë pinjollë të një fshati, të cilët e kanë dashur shumë vendin ku janë lindur, por, më parë janë larguar, si era me shi, sesa kanë shkuar në fshat. Hysa ishte tjetërsoj.

E veçanta e Tij është jo kohëqëndrimi në fshat, por qasja e Tij e natyrshme dhe me dashamirësi ndaj njerëzve. Hysa, në çdo mjedis rrezatonte mirësi. Ai bëhej njësh me bashkëfshatarët dhe nuk e shquaje lehtë qenien e Tij në atë mjedis.

Vlerë më vete e Hysës është vazhdimësia e mbajtjes së lidhjeve të ngushta me të tijtë e me të njëjtët me ta. Një mik imi, kur ra fjala për Hysën, nuk la pa theksuar se: „Po të vishej me rrobat tradicionale të trevës, mes katundarëve të tij, Hysën nuk e shquaje dot lehtë“! Aq vërtetësi ka në këto fjalë, sa njeriu mbetej pa mend kur dëgjonte Hysën tek kuvendonte aq bukur, me elokuencë të rrallë, gjuhën e nënës. Një shoqërues (në kuptimin e mikut të Tij) kur i takonte të shkonte në Maminas, së bashku me Hysën, „bezdisej“ e i dukej udha e gjatë, kur përjetonte ndalesat e shumta të atij njeriu për të takuar e për të përshëndetur të njohur e të panjohur të shumtë. Të gjithë e njihnin, e donin e krenoheshin me birin e tyre, Mahmut Ukun zemërflori. Ndalonte Hysa, për të takuar çdo njeri që njihte, të vetmuar apo në grup fshatarësh.

Ata e vështronin në dritë të syrit dhe përpinin çdo fjalë që nxirrte nga goja piloti i tyre. Dhe Hysa jepte e merrte informacionin e nevojshëm prej tyre.

Kështu, Ai ishte në dijeni të zhvillimeve të jetës në trevën e tij dhe, kur fliste, mendimet i kishte të bazuara në realitetin e kohës. I donte dhe e donin shumë njerëzit Hysën, dhe jo vetëm të tijtë. Familjarët dhe të afërmit e Hysës ndienin jo vetëm mirësinë e birit të tyre, por dhe ndihmën materiale që u jepte Ai „engjëll mbrojtës“, sipas kushteve dhe mundësive që kish.

Kujtoj daljet tona në Tiranë, në vitet e luftës së ftohtë, kur, si të ishim ushtarë të shërbimit të detyruar, dilnim në dalje të lirë, sipas një grafiku që hartonte kryebeqari – Gëzdar Veipi, shok i afërt i Hysës. Me një autobus ushtarak 20 vendesh, dilnim në Tiranë e ktheheshim sërish në regjiment në një orë të caktuar. Hysa, si rregull, zbriste në Vore e, prej andej shkonte në Maminas; herë në këmbë, herë me makina të rastit e herë të tjera me qerre të tërhequr nga qe apo nga buaj. Ai shkonte me shumë dëshirë për të parë e për t’u shmallur me prindërit dhe me të afërmit, të cilët i kishte mjaft për zemër. I ndrinin sytë Hysës, kur merrte atë udhë. Me uniformën e aviatorit në trup dhe me aksesorët që e zbukuronin atë, Hysa ynë, edhe pse shtatshkurtër, binte në sy, së largu.

Hysa kishte dhe një motiv më tepër që e shtynte dhe e bënte shend e verë, kur merrte udhën për në Maminas. Pranë rrugës kombëtare që të çon në Durrës, diku, majtas, në shkollën e fshatit jepte mësim e bukura Nadire, të cilës, „shqiponja e ajrit“, çuni i Dulles të Ukajve i kish vënë syrin dhe e bëri shoqe të jetës. Historia e lidhjes dashurore të çiltër, mes zj. Nadire dhe Hysës tonë ndoshta përbën një rast unikal e të pangjashëm me dashuritë e panumërta të të rinjve. Në ditët kur Regjimenti i Rinasit organizonte fluturime dhe Hysa ishte në plantabele, Ai, rregullisht kalonte ulët mbi shkollën e Maminasit, për të përshëndetur dashurinë e tij, të parë e të vetme. Në ditët e fluturimit kur Hysa nuk zinte vend në plantabele, „detyrën“ për të kaluar ulët mbi shkollë ia „delegonte“, shoqërisht, mikut të tij të ngushtë - Cobo Skënderi, të cilin e kishte si vëlla dhe ndante me të edhe probleme të marrëdhënieve dashurore si kjo.

Mirëpo të dy motorët e aeroplanit reaktiv, në regjim pune gati maksimal utërinin shumë dhe vala goditëse që shkaktonte shpejtësia e çliruar prej tyre, bënte të fluturonin tjegullat, nga çatia e shkollës, dhe atëherë mësuesit dhe nxënësit të shtyrë nga kureshtja dhe nga zhurma dilnin në oborr për të vrojtuar atë mrekulli që përshëndeste nga qielli. Së bashku me ta, dilte, si me drojë e me ndjenjën e fajtorit pa faj edhe bukuroshja Nadire, e cila, gjithashtu përshëndeste me dorë.

Të kuptohemi: Kalimi në lartësi të vogël me fluturim, nuk kishte të bënte me shitmendje, por „heroi i rrëfimit“ – talenti i rrallë Mahmut Hysa, donte t’i vërtetonte opinionit dhe të zgjedhurës së tij, se këtë lidhje e kishte seriozisht, siç rezultoi dhe se për ta realizuar këtë ishte i gatshëm të bënte çdo sakrificë.

Fejesa mes dy të rinjve nuk zgjati shumë, për rrjedhojë edhe strehimi i Hysës në dhomën përballë qe afatshkurtër. Në hotel banonim pak pilotë beqarë dhe në mjaft raste i rrëfenim njëri-tjetrit edhe ndonjë të „fshehtë“. Theksoj se Hysa, në komunitetin tonë ishte nga më të afruarit dhe mjaft i çiltër. Një herë më bëri të ditur se i ati - Dulla, i kishte thënë: „Mr çun, darsmen tate e boj veta; ti gatit shpenzimet për nusen...“! Hysa kishte nisur të akumulonte të holla, por nuk i depozitonte në arkën e kursimeve. E pyeta, në intimitet: „Ku i ruan të hollat, O Hyse“? E ai më ftoi në dhomën e tij, ku nxori nga poshtë krevatit, disa palë këpucë, brenda të cilave kishte futur çorape të palara e në brendësi të tyre kishte futur kartëmonedha të prerjes së madhe (100-lekëshe).

Edhe në këtë çështje, Hysa kishte gjetur një zgjidhje origjinale, për të parandaluar ndonjë grabitje të mundshme.

Raporti mes Hysës, prindërve të tij dhe të afërmve ishte i pashembullt. Është e natyrshme që çdo njeri ka e duhet të ketë respekt e dashuri për ata që e kanë sjellë në jetë, por Hysa, edhe në këtë çështje ishte i veçantë. Të shumtë janë ata që thonë e përsëritin sloganin se: „prindërit e tij janë më të mirët në botë“, por kjo nuk mjafton. Hysa ishte nga ata të rrallë që kalonin nga fjalët në vepra dhe ishte konkret e i pashembullt. Dashuria dhe respekti i tij ndaj prindërve ishin tej kufijve të qasjes njerëzore. Deri më sot nuk e kam parë ta bëjë tjetër bir atë që bënte Hysa, i cili i lante këmbët Nënës së tij. Këtë veprim, Ai e kishte kryer dhe një natë para se të ndërronte jetë. Rri e mendoj: ç’të jetë vallë kjo mrekulli?

Herë më del përpara syve të mendjes një dashuri pa limite; herë të tjera një shfaqje konkrete dhe e ndjeshme e mirënjohjes për sakrificat e panumërta të Nënës, përkushtim e adhurim i birit të denjë për nënën e dhimbshme dhe në finale më dalin të gjitha së bashku.

Mahmut Hysa, siç e kam njohur, ishte tepër i ndjeshëm dhe me shumë edukatë e kulturë. Ai ishte rritur në një familje ku njëri flet, të tjerët dëgjojnë e përpijnë çdo fjalë të tij; ku respektohet mosha e ka hierarki familjare, por sundon dashuria dhe mirëkuptimi mes pjesëtarëve të familjes. Prandaj, edhe lidhjet e raportet e Hysës me cilindo e në veçanti me të afërmit e tij, ishin marrëdhënie respekti të ndërsjelltë, të pashoqe. E them me plot gojën se Mahmut Hysa ishte i dhimbsur, i brishtë e altruist. Dashuria dhe respekti për të tijtë nuk ndaleshin tek fjalët e mira por pasoheshin nga kontributet ekonomike e financiare, për t’i ndihmuar ata sa e si mundej. Cilin nuk ka ndihmuar e përkrahur, me të drejtë, Ai njeri?

Mjafton të përmend se në banesën e re, e cila është bashkëkohore, të ndërtuar nga vëllai i tij, në Maminas, kontributet e Hysës ishin të ndjeshme. Njëra nga dhomat e shumta të banesës është e Tij dhe njerëzit thonë: „Kjo është dhoma e Mahmutit“!

Mbasi përfundoi studimet e u kthye në Atdhe, Ai u emërua pilot, në Regjimentin „Peza“ të Qytetit „Stalin“. Meqenëse Hysa dhe Gëzdar Veipi luanin futboll cilësor, ish-shefi i klubit sportiv „Partizani“ mori udhën e i vajti Niko Hoxhës (në atë kohë komandant regjimenti), me kërkesën për t’i tërhequr në ekipin përfaqësues të klubit përkatës, të dy pilotët. Kërkesa e tij ndeshi në kundërshtimin e kolonelit, i cili gjykoi se për ta ishin bërë shpenzime kolosale dhe nevoja për pilotë cilësorë si ata, ishte eminente.

Hysa luajti futboll, lojë të cilën e kishte hobi, deri në fundin aksidental të jetës së tij. Për veprimtarinë fluturuese të Hysës, më mirë mund të thonë dy sivëllezërit e tij: Cobo Skënderi dhe Gëzdar Veipi (ndjesë pastë) të cilët e kanë përcjellë bashkëpunimin me të prej vitit 1949. Intervistat e tyre të viteve 2012 dhe 2013 janë autentike dhe pasqyrojnë, me vërtetësi jetën e Hysës kur ishte nxënës, në Shkollën Ushtarake „Skënderbej“, në shkollën sovjetike të aviacionit dhe si pilot i shkallës më të lartë të kualifikimit, në Shqipëri e në Kinë, mbajtës i Klasit të Parë të pilotit.

  1. Cobo Ibro Skënderi, (intervistuar më 23 tetor të vitit 2013). „... Hysa ishte fisnik; i thjeshtë e me moral. Ai ishte nga më të mirët e Klasës së Parë „A“, (të Shkollës Ushtarake „Skënderbej“).

Në vitin 1953, kur do të shkonim për studime aeronautike, në Bashkimin Sovjetik, ishim 12 vetë. Njërin e zbritën nga aeroplani. Në dhjetor të atij viti, sollën në grupin tonë – Hysën. Në shkollën e aviacionit të qytetit Borisoglebsk, gjatë katër viteve të studimeve, Hysa ishte në „tabelën e nderit“.

Kur mësonte në Shkollën „Skënderbej“, Ai luante futboll me ekipin e të rinjve të klubit sportiv „Partizani“. Hysa luante bukur futboll, ishte finok e driblonte lehtë. Driblimet i kishin lezet.

Në grupin tonë ishin: Mahmut Hysa; Cobo Skënderi; Celua (Gëzdar Veipi); Halit Bulku; Bajazit Jaho; Selman Mecaj; Sandri Sokoli; Ramadan Ramadani; Muamer Halite dhe Manush Kreshpa. I nisëm fluturimet me aeroplanin me helikë të tipit Jak-18U, i cili ishte i pajisur me slita nën rrota, të cilat shfrytëzoheshin për ngritje dhe për ulje, në aerodromin fushor të Rodnicokut.

Pas tij, fluturuam me aeroplanin Jak-11, në aerodromin fushor të Povorinos dhe në atë të Cigarakut. Në aerodromin e betonuar të Borisoglebsit fluturuam me aeroplanin reaktiv Mig-15 të të dy tipave. Shkollën e aviacionit, në profilin pilot, e nisëm në vitin 1953 dhe e përfunduam në vitin 1957. Në aeroplanin reaktiv Mig-15, Hysa u lëshua i pari vetëm, dhe provimin përfundimtar në ajër e dha me komandantin e shkollës.

Pas fluturimit provim, Hysa zbriti nga shkallët e aeroplanit dhe sipas rregullit, iu paraqit kontrolluesit, të cilit i kërkoi vërejtjet. Komandanti e dëgjoi e i tha: „Spasivo – zamjecatjelno“, që do të thotë: „faleminderit – ishte një mrekulli“! Pas provimit në fluturim, dhamë dhe provimet teorike. Në lëndën e teorisë së fluturimeve, me pedagog nënkolonelin Novikov, për një lapsus që bëri Mahmuti, pedagogu i vuri notën katër (në atë kohë sistemi i vlerësimit ishte me 5 ballë). Të tjerët, morën notën 5 dhe dolën me të gjitha pesa. Novikovi që e njihte mirë nivelin dhe aftësitë e Hysës, i kërkoi atij ta rijepte provimin, i sigurt se Hysa do të merrte 5, por Mahmuti nuk pranoi. Të gjithë ne të grupit të tij, dolëm me gradën e togerit; vetëm Hysa, për shkak të asaj katre, u titullua oficer, me gradën e nëntogerit.

Kur u kthyem nga Bashkimi Sovjetik, qëndruam një muaj në Skuadrilen e Tiranës. Me një aeroplan PO-2, bëmë nga një fluturim, për njohjen e rajonit të fluturimeve. Pilot i avionit që na voziti ishte Vasil Trasha (ndjesë pastë). Vasili, në pilotim ishte i jashtëzakonshëm. Pastaj shkuam në Qytetin „Stalin“ ku fluturuam në aeroplanët reaktivë Mig-15, për të cilët ishim përgatitur në shkollë. Komandant të Regjimentit gjetëm Niko Hoxhën. Hysa u caktua në Skuadrilen e Parë, ku ishte komandant Vasil Trasha (ndjesë pastë). Ai u caktua pilot shoqërues i Anastas Ngjelës (ndjesë pastë).

Në muajin prill të vitit 1959, shkuam për së dyti në Bashkimin Sovjetik, në qytetin e Sevaslejkës, në gubernën Muran. Vajtja jonë e dytë në atë vend kishte si qëllim kalimin në aeroplanët mbizanorë, Mig-19 PM, të pajisur me llokator dhe me katër raketa të drejtuara ajër-ajër. Edhe në këtë aeroplan të sofistikuar, Mahmut Hysa fluturoi i pari nga grupi i pilotëve prej 16 vetësh. Mbi hapësirën e shkretëtirës së Karakumit, bëmë qitje me raketa kundër shenjës ajrore që lëvizte. Ishim pilotë që mbanim klasin e tretë dhe mes polemikash, sovjetikët na përfshinë në këtë kalim. Pilotët e tjerë, të ardhur nga demokracitë popullore ishin me klasë më të lartë dhe në funksione drejtuese të rëndësishme. Hysa, në qitjen me raketa, e goditi shenjën ajrore që në futjen e parë.

Si grup u klasifikuam në vendin e dytë. Në vendin e parë u renditën çekët, me 10 goditje, kundrejt 8 tonave.“

Më vonë, Hysa shkoi akoma më në Lindje, në Kinë, ku mësoi fluturimin në aeroplanin më të sofistikuar të kohës; në Migun-21. Kur u nda nga jeta Mahmut Hysa, Cobo Skënderit nuk i lejohej as ta përcillte në kortezhin që e çoi në vendin „e shenjtë“. Aq e ashpër ishte e ashtuquajtura luftë e klasave sa ndau nga njëri-tjetri edhe ata që ishin rritur së bashku, si vëllezër të lindur nga e njëjta nënë. Cobua qëndronte në balkon e i therte zemra për Hysën e nuk i ndalte dot ngashërimet, kur kortezhi i përmortshëm kaloi pranë shtëpisë me arkivolin në krah që mbante brenda Hysën e pajetë. Në ato çaste vetmie të trishtë, Cobua gjeti forca e shkroi këto vargje, si ngushëllim e si dedikim për sivëllanë në ditën e asaj gjëme që përjetoi në vetmi:

„... Një shqiponjë, këtu fle gjumë;
Një pilot i pasionuar;
Një oficer që e deshi shumë;
Këtë qiell të praruar.

Me shpejtësi, si meteor;...
E ka mbrojtur - ditë e netë;
Me të zjarrtën dashuri;
Dhe kur flakë nxirrnin retë;

Dhe kur binte borë e shi;
Për të derdhi mund e djersë;
Ndaj i gjallë, përjetë do mbesë!“

Në një intervistë tjetër, të muajit dhjetor të vitit 2019, Cobua shton: „... Në shkollën e Borisoglebsit, fluturimet i nisëm në muajin shkurt të vitit 1954, me aeroplanin Jak-18U, i cili ishte me rrotë në bisht. Fluturonim me llizha (ski) nën rrota.

Kur aeroplani qarkullonte nëpër aerodrom, me motor të ndezur, e mbanim për krahu për ta shoqëruar. Kjo ndodhi në aerodromin fushor të Rodnicokut, vazhdoi deri në fund të prillit të atij viti. Ishim programuar të fluturonim në aeroplanët LlA-9, por, në prag të nisjes së fluturimeve, këta avionë u shkatërruan e u dërguan për skrap mbasi, gjatë stërvitjes, sidomos në ulje me këtë aeroplan, ishin katastrofuar mjaft pilotë. Atë ditë përjetuam festë të madhe në shkollën tonë. Fluturuesit në veçanti, e mirëpritën shkatërrimin e kësaj teknike ajrore. Thua se donin të hakmerreshin për gjëmat që kishin dëgjuar apo përjetuar?

Kur mësonim aeroplanin Mig-15, Mahmuti kishte instruktor të teknikës së pilotimit kapitenin Sozin.

Hysa ishte i dhënë dhe pas leximit të librave teknikoshkencorë, politikë dhe artistikë. Ai pëlqente, në mënyrë të veçantë shkrimtarët klasikë rusë. Për zemër kishte: Maksim Gorkin; Lev Tolstoin; Sergej Jeseninin; Anton Cehovion etj. Një herë vendosi të shkonte për të vizituar shtëpinë ku banoi Sergej Jesenini, por rezultoi e pamundur.

Kur luante futboll, Hysa mbi shpinë mbante numrin 9 dhe gjuante me të dyja këmbët. Hysa ishte „magjistar“ i topit. Atij lojtari, topi i ngjitej pas këmbës.

Kur luante Hysa, i gjithë stadiumi i Borisoglebsit çohej në këmbë e bërtiste: „Hjusa-Hjusa“! Portierin legjendë Lev Jashin, Hysa e kishte idhull.

Kur shkonte në DEKA, të pranishmit e dëftonin me gisht. Hysa luante futboll të kohës e me këpucë me taka; të përshtatshme për këtë lodër. Në artin muzikor Ai pëlqente këngët e Slushenkos dhe këndonte në rusisht.

Banjën ku laheshim e kishim larg dhe temperaturat e ajrit rrethues arrinin deri në -50 gradë Celsius. Për të pasur në sy njëri-tjetrin, ecnim në kolonë, për një. Hysa si i fuqishëm, ishte në krye të rreshtit.

Kur Ai lodhej, kalonte në fund të kolonës.

Më 20 shtator të vitit 1957, mbasi përfunduam përgatitjen e pilotit, u kthyem në vendin tonë, në rrugë ujore, me anijen me të cilën shkuam dhe në të njëjtën rrugë detare. Nuk zbritëm në asnjë port detar nga kalonte rruga ujore. Në pasditen e datës 20 shtator të atij viti, mbërritëm në portin e Durrësit. Në port na priti kuadri i lartë i ushtrisë – Skënder Majlindi. Lamë valixhet në Skuadrile dhe fjetëm në hotelin „Vollga“... Në Tiranë qëndruam një javë. Pastaj na çuan në Qytetin „Stalin“, me një autobus ushtarak... Bëmë një muaj leje dhe u kthyem në repart, ku nisëm fluturimet.

... Në vitin 1960 shkuam përsëri në Bashkimin Sovjetik, për të bërë qitje me raketa ajër-ajër. Shkuam me një aeroplan TU-104, në rrugëkalimin: Tiranë-Budapest-Moskë-Astrahan. Ishte vajtja e dytë për të njëjtin qëllim. Na pritën sikur të ishim fashistë. Kishte ngjarë Bukureshti.

Në këtë vajtje, nuk bëmë qitje me raketa. Si justifikim, vendasit na nxirrnin shkaqe fare absurde.

Kur përfundoi koha e caktuar, u kthyem në Moskë. Në stacionin e trenit na shoqëroi gjeneral Halim Ramohito, me qëllim që të përcillnim Enver Hoxhën, i cili kishte zënë vend në vagonin e fundit të trenit shumëvagonësh. Bënte ftohtë. Nuk na lanë të dilnim fare. Enveri ishte ulur së bashku me Mehmet Shehun dhe me Hysni Kapon.“

  • Gëzdar Riza Veipi (ndjesë pastë), pilot i klasit të parë, shok i ngushtë i Mahmut Hysës, nga viti 1949, deri në çastet e fundit të jetës së tij.

„... Së bashku kemi qenë skënderbegas që kur ishim 13 vjeç.

Kur u bashkuam ishte viti 1949. E kishja shok të ngushtë, derisa Ai u nda nga jeta. Në mësime ishte normal. Futbollisti „i vogël“, driblonte dynjanë; vetëm se nuk kishte fizik. Ishte kohë e shpërthimeve në Shqipëri. Luanim futboll në të njëjtin ekip. Hysa ishte mjaft i shkathët. Në jetë ishte disi i drojtur... Vendi i tij në lojën e futbollit ishte sulmues. Ai i driblonte të gjithë.

Kur ishim skënderbegas, të dy, luanim në ekipin e shkollës dhe në atë të të rinjve të „Partizanit“. Kur ishim për studime në Borisoglebsk, luanim me ekipin e futbollit të shkollës së aviacionit dhe me ekipin e parë të qytetit, i cili merrte pjesë në kategorinë e dytë të Bashkimit Sovjetik.

Gjatë kohës kur studionim për pilotë, nuk mund të vinim për pushime, në vendin tonë. Në një rast na çuan në qytetin e Leningradit dhe dy herë të tjera në atë të Moskës. Në të dy qytetet pamë ekspozitat, teatrot, cirkun, Teatrin Bolshoj etj.

Hysa ishte shumë i ndershëm. Fshatar, më të ndershëm se Ai, në tërë botën nuk gjen.

Në vendin tonë, kur ishim të rinj, luanim futboll, bashkë, me të rinjtë e „Partizanit“. Kur u kthyem nga Bashkimi Sovjetik, (në vitin 1957 NN) na caktuan në Qytetin „Stalin“. Në regjiment erdhi Besim Fagu (ndjesë pastë). Besimi kërkonte Hysën dhe mua të na merrte, që të luanim futboll, me „Partizanin“. Niko Hoxha (ndjesë pastë), në atë kohë komandant i regjimentit të aviacionit, i tha Besimit: „Nuk i pyes fare ata, a doni apo nuk doni; jam i sigurt që nuk duan. Ata kanë marrë një profesion, të cilin e duan shumë dhe e dinë se, për ta janë harxhuar „qimet e kokës“.“ ... Ishim njëzetvjeçarë e na mungonte stërvitja futbollistike mbi baza shkencore. Ekipi i futbollit të qytetit Borisoglebsk, ku luanim ne të dy, ishte në kategorinë e dytë të kampionatit të futbollit, në tërë Bashkimin Sovjetik.

Ai, (ekipi i Brisoglebskit) luante futboll më mirë se „Partizani“ dhe „Dinamo“ tek ne. Kur u nisëm për në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1953, në grup ishim 10 vetë. Njëri nga grupi ynë doli i paaftë.

Mirëpo në grup duheshin 10 e në vend të tij u caktua Hysa. Hysa iu bashkua grupit tonë, në muajin nëntor të vitit 1953. Na gjeti në shkollë ne të tjerëve që kishim shkuar që në muajin shtator të atij viti. Grupi ynë përbëhej nga: Gëzdar Veipi; Bajazit Jaho; Mahmut Hysa; Halit Bulku; Manush Kreshpa; Selman Meca; Cobo Skënderi; Ramadan Ramadani dhe Sandri (Aleksander NN) Sokoli. Qëndruam në Bashkimin Sovjetik 4 vjet e tre muaj.

Ishim kompaktë e të disiplinuar. Gjatë kohës së studimeve, asnjeri prej nesh nuk iku pa leje (në qytet NN). Ishim grup i puqur, me skënderbegas të përzgjedhur. Hysa fluturonte shumë mirë.

Kur u graduam, vetëm Ai doli nëntoger edhe pse meritonte më tepër. Më erdhi shumë keq për këtë. Ishte i qetë por kur shkelej e drejta nxehej. Nuk i duronte dot padrejtësitë. E kuptoja kur nxehej se i ngrihej delli i ballit. Hysën e kam njohur, njëlloj si vëllanë tim. Ishte shumë i zgjuar por nevrik.

Kur ne dilnim në Tiranë, Ai zbriste në Vore e shkonte në këmbë, në Maminas. U fejua me Nadiren.

Kur u fejuan, Ajo ishte arsimtare, në fshat. Flinim në një dhomë. Lekët që grumbullonte, i fuste në këpucët e vjetra të tij.

Së bashku me Hysën, kam kaluar në të gjithë tipat e aeroplanëve të parkut shqiptar të aviacionit. Ai ka marrë pjesë në uljen e detyruar të dy aeroplanëve amerikanë dhe të aeroplanit jugosllav, me pilot Bozhidarin. Hysa, plasi nga marazi, pas katastrofës ajrore të dy pilotëve njëherazi: Sabri Tocit dhe Armando Gjokës (NN).“

Të dy opinionistët: Cobo Skënderi dhe Gëzdar Veipi e kanë njohur Hysën që nga viti 1949, kur Ai nisi mësimet në Shkollën Ushtarake „Skënderbej“. Shoqëria e ngushtë mes tyre ka kaluar nëpër „fijen e perit“. Ajo përcolli e përballoi situata nga më të ndryshmet, me vështirësi të shumta, si në tokë dhe në ajër. Kam bindjen e patundur se cilindo që të pyesja për Hysën, vetëm fjalë të mira do të dëgjoja, për të. Jo për faktin se Hysa nuk është më në jetë, por për hir të jetës aktive të tij.

Pas ndarjes nga jeta të Mahmut Hysës, për jetën e tij kanë shkruar, nga kënde të ndryshme vështrimi e njohjeje, mjaft njerëz. Mirë kanë bërë. Edhe më shumë duhet shkruar për Hysën që bëri histori brenda Historisë së Aviacionit Shqiptar dhe u mësoi mjeshtërinë e pilotimit, dhjetëra pilotëve të niveleve të ndryshme.

Hysa, qyshse nisi udhën e ajrit, „shaloi“ aeroplanë të të gjithë tipave të parkut shqiptar të aviacionit; nisur nga aeroplanët Jak-18 U; Jak-18A; Jak- 11; UTI Mig -15; Mig-15 Bis; Mig-17F; Mig-19 Pm; Mig -19S dhe Mig- 21. Në detyrën e komandantit të regjimentit të Rinasit, ku drejtoi për shumë vite, Mahmut Hysa shpalosi nivel të lartë profesional dhe aftësi të rralla organizative. Tipar dallues i Tij ishte njerëzillëku; qëndrimi pranë njerëzve e në mes të tyre. Hysa, duke i dhënë përparësi punës së gjallë me njerëzit ishte kundër skematizmit, shkresurinave dhe burokratizmit. Për ta shtensionuar disi këtë monografi, më duhet të sjell në kujtesë rrëfimin e veteranit të aviacionit – Robert Marko, i cili më bëri me dije se: „Kur u emërua komandant regjimenti Hysa, shefi i sekretarisë sekrete i çoi në zyrë një shkresë. Hysa, i pamësuar me shkresurina, e lexoi përmbajtjen e saj, falënderoi kryesekretarin dhe bëri ta griste letrën, për ta hedhur në koshin e mbeturinave.

Mos, i tha Adili, shkresat, mbasi lexohen nga titullari, siglohen dhe protokollohen. Ku ta dinte Hysa pilot i talentuar këtë rregull shkresaxhinjsh?“

Hysa ishte mjaft i zgjuar e të lexonte me një të parë. Atë që kishte përballë, Hysa „e peshonte“, me kandarin e farmacisë dhe i jepte hakun.

Mirëpo në qëndrimet e tij të drejta, në raste të veçanta thyhej përballë logjikës së shëndoshë e gjykonte si prind i vërtetë. Në një rast, rrëfen vartësi i tij Gani Progonati, një punonjës i repartit kishte bërë një shkelje të rëndë në punë. Me të drejtë, Hysa, mbasi e gjykoi rastin, vendosi ta pezullonte nga puna punonjësin. Por, kur mësoi se punonjësi kishte një vatër me fëmijë, Hysa u fut në lëkurën e prindit dhe duke sjellë ndërmend vocërrakët që kishte lënë në shtëpi, e fali punonjësin në fjalë. Shpirti i mirë dhe toleranca ishin tipare dalluese të tij.

Hysa i respektonte dhe i mbronte vartësit. Për ta argumentuar këtë, më mjafton të sjell përpara jush, përvojën vetjake. Hysën nuk e kishja komandant të drejtpërdrejtë por e kishja idhull dhe „engjëll mbrojtës“. Më 4 qershor të vitit 1964, në procesin e ngritjes, lejova një gabim të rëndë, duke rrezikuar veten dhe aeroplanin që pilotoja. Premisa, për fat përfundoi pa rrjedhoja të rënda por më kushtoi 3 muaj ndalim nga fluturimi.

Një ditë, në kohën kur pilotët prisnin të drekonin përpara hotelit të ri, një koleg imi, i skuadriles së parë, vartës i Hysës, më ironizoi. Mahmut Hysa, i cili ndodhej midis pilotëve të pranishëm, e dëgjoi stigmatizimin; u ngrit, i revoltuar e iu drejtua tjetrit: „... Ti filan, mos m’i fol ashtu pilotit se, çdo pilot mund të gabojë...“ Ky është vetëm një rast, por Hysa e kishte lajtmotiv të sjelljes së tij „mosdhënien e kolegëve“, natyrisht, pa mbuluar gabimet e tyre të paqëllimshme. Opinionistët dhe kolegët e Hysës, ata që e kanë njohur dhe kanë punuar së bashku për shumë kohë, më sollën dëshminë se Hysa, në çdo kalim që bëri, në tipa të ndryshëm aeroplanësh, është lëshuar i vetëm në ajër, i pari i grupit. Kjo është një vlerë tjetër e tij.

Për thjeshtësi të paparë dëfton dhe fakti që Hysa nuk i zuri kurrë në gojë e nuk u kapardis me dekoratat që mbante. Jo se i nënvlerësonte meritat por i tillë ishte ai supernjeri. Ndoshta, të tjerë kanë qenë ata që kanë përfituar nga statusi i tij e kanë ecur në jetë, falë lidhjeve të pavërteta me Të.

Hysa ishte model i besnikërisë dhe i ndershmërisë. Lidhja e tij fatlume me dinjitaren Nadire dhe sjellja me të dy fëmijët që solli në jetë janë jo vetëm një rast tepër interesant, por dhe një pikë referimi e çdo kohe. Hysa ishte model i familjarit që në familje nuk fliste kurrë për çështje të punës, por vetëm për ato që i takonin familjes, teksa „bluante“ përbrenda vetes, çështjet e shumta që rridhnin nga detyra e lavdishme që kryente, sidomos kur diçka nuk ecte si duhej. Lajtmotivi i tij, në jetë ishte: „... jeta i ngjan vrapimit të kuajve; o i pari, o hiç...“. Duhet të rrëmosh shumë për të pikasur ndonjë ves të Hysës. Ai vajti tri herë në Bashkimin Sovjetik, në periudha kohore të ndryshme, mësoi për bukuri fluturimin në tipa të ndryshëm aeroplanësh, por vesin e të pirit nuk e mësoi dot.

Nuk ia pranonte karakteri i tij i pastër. Atë nuk e pa njeri të dehur. Edhe në një rast që e teproi me të pirët alkool, për hir të shokëve, nuk shkoi të flinte në shtëpi, por e përcolli natën tek motra, të cilën e donte dhe e respektonte shumë.

Në vend të humorit: Një ditë prej ditësh, Hysa nuk vajti në Maminas, si përherë, por erdhi në Tiranë. Me shokët e kishte bërë „nxehjen“ e ishte çakërqejf. Tek sheshi „Skënderbej“, i veshur me spaletat e kapitenit mbi supe dhe me kapelën e aviatorit mbi sy, serbes, i vajti drejtpërdrejt policit që drejtonte trafikun mbi një poltronë.

Kur pa spaletat e kapitenit, vetiu, polici mori drejtqëndrim, e nderoi, sipas rregullit e shtoi: „Si mund të të ndihmoj, shoku kapiten“? Hysa, qetë-qetë, i tha shtetarit: „Cila është ana tjetër e bulevardit“? „Ajo andej“, tha polici, pa të keq, i zënë ngushtë. „Po përse ai polici tjetër, më tha se ana tjetër e bulevardit është kjo“? Kush të dojë le të tentojë ta zbërthejë këtë ekuacion të thjeshtë por mjaft të zgjuar!

Hysa dëshironte të kish një familje të madhe; me dy djem që t’i ngjanin atij. Për fat të keq, kjo nuk ngjau, por, duhet thënë se të dy fëmijët që la, si vajza dhe djali u rritën për së mbari nën kujdesin e tij dhe të bashkëshortes dhe sot, kudo ku punojnë e ku jetojnë, ata, jo vetëm që janë krenarë për Babanë e tyre, por e nderojnë të nderuarin, dhe pas vdekjes, me punën dhe me sjelljen e tyre. Ndarja e punëve me bashkëshorten e nderuar, zj. Nadire, të cilën e donte dhe e respektonte mjaft, siç e meriton është tjetër vlerë e të papërsëritshmit Mahmut Hysa. Vetë Hysa, në raportet me fëmijët ishte një pedagog i vërtetë kurse zj. Nadire, kokë me kokë, me një grup grash të aviatorëve, priste në netët e gjata, kur bashkëshortët e tyre fluturonin dhe çlirohej nga ankthi, vetëm kur trokisnin dyert, afër agimit.

Në raportet me fëmijët, Hysa mbante pranë vetes të bijën, të cilën u orvat ta fuste në hullitë e letërsisë, por, për fat të keq nuk arriti ta vështronte letrare të shquar, siç u bë Ajo bijë krenare për babanë vlerashumë. Të birin, Hysa e mbante disi më larg dhe synonte ta bënte burrë, që t’i ngjante Babait dhe të trashëgonte tipare nga „rrënja“.

Ndarja nga jeta e Mahmut Hysës, më 6 prill të vitit 1980, rreth orës 21.20, ishte e beftë e i ngjante një aksidenti me pasoja fatale, që la pas, krahas emrit të mirë dhe mjaft brengë, dhimbje e hamendësi. Përcjellja për në banesën e fundit, në Sharrë, të nesërmen e ndodhisë fatkeqe, nga një kortezh i cili ngjante me një lumë njerëzish ishte nderim e mirënjohje për atë njeri lavdimadh. Hysa çmohet si njëri nga kontributorët më jetëgjatë e më në zë të Aviacionit Shqiptar. Ai punoi e sakrifikoi shumë, për ta çuar lart armën e tij të dashur ndaj mosharrimin e ka fituar para se të ndahej nga jeta.

Lavdi jetës dhe veprës heroike të Mahmut Hysës; i paharruar qoftë kujtimi i tij i ndritur!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, koleg dhe bashkëkohës i tij. Tiranë, mars-prill 2019