Kam shkruar dhjetëra monografi, kushtuar shokëve dhe kolegëve aviatorë. Jam përqendruar, në veçanti tek monografitë “lapidar”, kushtuar atyre që nuk janë më në jetë. Nuk më ka shkuar në mendje se dikur kujtesa do të më mjegullohej e dora do të më dridhej, siç po më ngjan me Petrika Kostanin, të cilin e kam njohur e kam zënë miqësi me të në kohë të vështira për të dy dhe për ata që ishin në të njëjtat kushte, në kohën kur studionim për t’u bërë pilotë. Megjithatë, jam i vendosur e do të shkruaj, siç mundem por dhe siç dëshiroj të shkruaj për Atë njeri, i cili i meriton të gjitha nderet.

Bëra mjaft intervista e tërhoqa shumë opinione shokësh të cilët e kanë njohur nga afër ose kanë punuar, së bashku me Petriken dhe që e kanë njohur mirë e kanë çfarë të dëftojnë për Të. Qëllimi ishte të kujtohet e të nderohet edhe pas vdekjes jeta dhe puna “titanike” e Atij njeriu, i cili, nuk ngjante me njerëzit e zakonshëm. Mund të kisha tërhequr dhe mendime të tjera; por, duke parë se të gjitha opinionet konvergonin në një pikë e u bënin jehonë vlerave të tij morale e aftësive profesionale, mendova se ishte e mjaftueshme puna e bërë deri atëherë. Në dëshmitë e bashkëkohësve të Petrika Kostanit, secili, me fjalë të thjeshta zemre por me vërtetësi e me saktësi matematike, gdhendi figurën e pavdekshme të Petrika Kostanit, jo me fjalë të bukura sa me shpirt e me zemër bujare, në dorë. Nuk më habit pohimi se Petrika Kostani, nuk ishte një njeri i zakonshëm, por një “Perëndi”.

Tunda kokën, në shenjë habie kur miku im i mençur, i cili ishte dhe mik i ngushtë i “Heroit” të këtij shkrimi, piloti veteran Bahri Meshau (Permeti), kur i kërkova opinion për të ndjerin, të cilin e kishte më shumë se shok e mik, shkroi deri në njëfarë mase, pastaj, më tha: “Nuk mund të vazhdoj, mbasi, për atë njeri më mbyt ngashërimi.” Tani që po e provoj dhe vetë, nuk e tund më kokën si atëherë dhe i jap plotësisht të drejtë, mikut tim të mençur. Nuk di nga t’ia nis rrëfimit; çfarë të shkruaj e çfarë të lë pa shkruar. Çdo tipar e vlerë e Petrika Kostanit është si vazhdim i njëra-tjetrës e njeriu nuk di: Çfarë t’i kujtojë e çfarë t’i harrojë atij “Engjëlli”?

Petrika Kico Kostani, nuk shquhej për trup të madh por kishte shpirtin dhe zemrën të mëdha. Ai ishte një “Engjëll” me fytyrë e me tipare engjëllore. Me ata sy larushë, tek të cilët, si në pasqyrë reflektohej tërë bota e tij e brendshme; ajo fytyrë e pastër e “buçko”, me nuancë të kuqërremtë, të rregullt e me harmoni të plotë me pjesët e tjera të kokës; buzëqeshja e tij e brishtë e dashamirëse, pa kufi; balli i lartë si shprehje e fisnikërisë; fjala e tij e ëmbël që ngjiste si me zamkë; qetësia, maturia dhe dashamirësia në komunikim së bashku me mirësinë që rrezatonte gjithandej, ishin komponentë të një sjelljeje të cilët, për nga kujdesi me të cilin hidhte hapin, i ngjanin atij dashit që i prin kopesë në sheshe e në monopate. Ato nuk ka si të harrohen, as nuk mund t’i ngjiten ndonjë tjetri. Pertika Kostani nuk mund të harrohet se nuk punoi për t’u harruar. Ai punoi për kohën kur jetoi e për brezat që vijnë.

Njerëzit, në këtë botë që ngjan me një “stafetë”, vijnë e ikin duke lënë gjurmë të ndryshme apo pa u ndjerë. Gjurmët që ka lënë Petrika nuk janë rastësi por përbëjnë një vazhdë; ato nuk mund të shlyhen, sa të jetë jeta.

Përveç emrit të mirë që la pas, Petrika Kostani, na ka lënë si kujtim e për të mos u harruar, dy “yje”, siç ishte dhe Ai vetë, Klean dhe Landin, të cilët i rriti e i edukoi për së mbari, që të bëheshin të mençur e të urtë si Ai, me edukatë e me kulturë qytetare, të cilat vetë Petrika i reflektoi gjatë gjithë jetës. Peçi ka lënë dhe dhjetëra nipër e mbesa, të cilët, me figurën dhe karakterin e tyre, e nderojnë gjyshin, dajën apo xhaxhanë e mirë. Petrika, la pas bashkëshorten e nderuar, zonjën Adriana, e cila ndau jetën me Të, solli në jetë dy fëmijë të rrallë dhe i shërbeu, si ajo bashkëshortit deri në grahmat e fundit. Nëse Petrika Kostanit iu dha mundësia të shpaloste, me efektivitet vlerat e tij të rralla, duhet theksuar se një meritë të pakontestueshme ka dhe bashkëshortja e tij mentare dhe burrëreshë e rrallë - Adriana, e cila, në përvjetorin e dytë të ndarjes nga jeta të bashkëshortit nuk ngurron të pohojë se: “Me Petriken kam kaluar si në përrallë!” Petrika Kostanin e kujtojnë dhe e nderojnë kolegët, miqtë dhe shokët e tij të panumërt, studentët e shumtë që mësoi si të jenë qytetarë të devotshëm e profesionistë të aftë e të përkushtuar; e kujton vepra e tij shumëplanëshe dhe e ndritur, e cila rrezaton e flet vetë.

Petrika Kostani u lind në qytetin e bukur e me shumë “thesare” të Korçës, më 5 maj të vitit 1941, në një familje qytetare të shquar për tradita atdhetarie e të besës. Babai i tij - Kicua ishte kasap. Ai ishte esnaf në zanat dhe një njeri me reputacion të spikatur mes zanatçinjve korçarë. Kicos i zinte vend fjala, e ishte mendjendritur e mendjehapët në shoqërinë ku bënte pjesë. Nënë Andromaqi, e cila ishte bijë në fshatin Orman Ciflig të Fushës së Korçës, ishte shtëpiake. Fisi dhe familja e saj ishin të lidhur ngushtë dhe me kontribute me vlerë në të gjitha lëvizjet me karakter atdhetar që synonin ruajtjen e tërësisë tokësore të territoreve shqiptare.

Ajo, në lidhjen martesore me Kicon, solli në jetë tre fëmijë dhe u bë një nënë e përkushtuar për fëmijët dhe një gjitone me vlera, e respektuar në mjedisin ku jetonte. Andromaqi solli në jetë: Petriken; Liriken dhe Tatjanën, të cilët i lindi por nuk pati fatin t’i rriste e t’i gëzonte.

Në vitin 1946, Nënë Andromaqi u sëmur rëndë, lëngoi e u nda nga jeta. Ajo la pas bashkëshortin Kico, në hidhërim të thellë dhe tre fëmijët të parritur: Petriken – 5 vjeç; Liriken – 2 vjeç dhe Tatjanën – 6 muajsh. Zija dhe hidhërimi mbuluan derën fisnike të Kico Kostanit. I zoti i shtëpisë mbeti pa bashkëshorten e tij të denjë dhe tre fëmijët mbetën jetimë, pa nënë. Fëmijët, të tre ishin të parritur e nuk mund të kujdeseshin as për veten e tyre. Më i madhi, Petrika kish nevojë për kujdesin e nënës dhe për shërbimet e saj.

Ca më tepër dy të tjerët, të cilët ishin edhe më të vegjël. Kicos i iku e zonja e shtëpisë e çfarë zonjë, e zotëruar; atij i ra përsipër një fatkeqësi e rëndë dhe iu shtua barra edhe për t’u përkujdesur për fëmijët, të mbetur pa nënë, të cilëve u mungonte dashuria e nënës, e cila nuk është e lehtë të zëvendësohet. Ndihma që ofruan të afërmit dhe gjitonët e Kicos, e tërë shoqëria dhe miqësia e tij ndikuan për të mirë, por nuk prunë ndonjë përmirësim të dukshëm. Ishte viti 1946, kur Korça, si e gjithë Shqipëria vuante rrjedhojat që kish lënë pushtimi fashist i vendit dhe përjetonte skamjen dhe zymtësinë që la ai regjim i urryer, gjë që nuk e bënte aq efektiv solidaritetin njerëzor.

Situatën tejet të rëndë që u krijua në familjen e Kico Kostanit, e zgjidhi vetë Kicua, me personalitetin e tij të spikatur e me ndikimin e fuqishëm që kishte në shoqëri, i ndihmuar nga miqtë e shumtë që kishte bërë; në Korçë e në rrethina. Në fshatin Dishnice, në rrëzë të malit të Moraves, jo shumë larg nga fshati Orman Ciflig dhe nga Korça, në rrethin miqësor të gruas së tij të ndjerë Andromaqit, jetonte një vejushë, e cila quhej Gjeorgji. Ajo rridhte nga një familje fshatare fisnike e me traditë atdhetarie. Fati i saj i trishtë e kishte lënë të ve, me një vajzë trevjeçare e cila quhej Donika. Burri i saj kishte rënë dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare dhe e kishte lënë në hidhërim të thellë bashkëshorten Gjeorgji (Jorgji) dhe vajzën e tyre – Androniken (Doniken).

Pas përpjekjeve të shumta të ndërmjetësve të besueshëm nga të dyja palët, Gjeorgjia, më në fund pranoi të bëhej bashkëshorte e burrit të ve – Kico Kostani, i cili kishte nga martesa e parë jo fatlume tre fëmijë të parritur. Situata në familjen Kostani, pas martesës së dytë të Kicos, u ndërlikua së tepërmi. Përfytyroni një situatë familjare në të cilën Gjeorgjia gjeti në shtëpinë e burrit tre fëmijë të vegjël, të cilët, Ajo mori përsipër t’i konsideronte e t’i trajtonte si të lindur prej saj. Shtojmë këtu faktin që Gjeorgjia, kishte lindur me burrin e parë, të ndjerin Thanas Piperi, vajzën - Andronike të cilën e kishte shumë të dhembshur. Po të kemi parasysh faktin që, si Kicua dhe Gjeorgjia ishin të rinj dhe nga lidhja e tyre do të vinin në jetë të tjerë fëmijë, situata në familje do të bëhej edhe më e vështirë për t’u menaxhuar.

Vështirësitë që lindën në familjen Kostani u zgjidhën falë mençurisë, fisnikërisë dhe vlerave morale të të dy bashkëshortëve dhe, pa diskutim, në saje të shpirtit të tyre të gjerë e human. Jorgjia, vajzën e lindur me burrin e parë, kur erdhi në shtëpinë e Kicos, në Korçë, e la për të banuar në shtëpinë e xhaxhait të saj. Kjo situatë zgjati gati 2 vjet. Kico Kostani, njeri tejet human e me zemër të madhe, nuk mund të duronte që vajza e Gjeorgjisë të jetonte larg Nënës që e kishte sjellë në jetë, e cila u bë gruaja e tij fatlume.

Një ditë, Kicua iu drejtua Gjeorgjisë me fjalët e një njeriu tolerant e me individualitet të spikatur: “… Çupa të vijë këtu, në shtëpinë tonë, të rritet e të jetojë pranë teje e në mes të fëmijëve të tjerë…!” U tha; u bë. Donika, në ditët më të afërta, me një bohçe me petkat e saj më të domosdoshme, e shoqëruar nga xhaxhai i saj dhe nga një dërgatë prej Kicos, erdhi në Korçë, pranë Nënës që e kishte lindur dhe pranë Kicos e fëmijëve të tij. Fillimisht çupa rrinte e drojtur dhe disi e hutuar, por kur ndjeu mirësinë e Kicos dhe dashurinë e ledhat e Nënës, si dhe u gjend në mes të fëmijëve të dashur e të sjellshëm të asaj shtëpie, u gjallërua ditë pas dite dhe ndjeu se ishte në shtëpinë e saj ku, të gjithë e donin shumë e kujdeseshin për të.

Le të shkëputemi pak nga ky komunitet i ri për të rrëfyer historinë e mbetjes jetime të Donikes minorene: Më 29 nëntor të vitit 1943, në fshatin Orman Ciflig të rrethit të Korçës, pushtuesit gjermanë kryen një masakër mbi popullsinë e fshatit, e cila ishte e lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare dhe ishte shndërruar në bazë të fuqishme të saj. Banorët e këtij fshati, si të mjaft fshatrave të tjerë të zonës ishin tepër aktivë në këtë luftë çlirimtare, të rreshtuar në radhët e njësiteve partizane ose në forcat territoriale të zonës. Në të njëjtën ditë, u pushkatuan 60 burra, gra dhe fëmijë. Masakra në fjalë njihet si Masakra e Orman Cifligut dhe ishte nga më mizoret që përjetoi popullsia e rrethit të Korçës. Shtëpia e tezes së Petrikes, u shkrumbua nga nazistët. U dogjën edhe shtëpitë e Coceve e të Kitallareve.

Shtatë fëmijë mbetën të pastrehë. Të gjithë i strehoi në shtëpinë e tij, në Korçë, i miri Kico Kostani, baba i Petrikes dhe dhëndër në atë fshat. I thanë shokët e miqtë, Kicos, para se t’i merrte fëmijët e pastrehë në shtëpinë e tij, se do ta kishte të vështirë të ushqente, njëherazi 10 fëmijë: (Petriken me të dyja motrat dhe shtatë fëmijët e ardhur nga Orman Cifligu). Këtë parashikim, dashamirët e Kicos nuk e bënë për të “larë gojën” apo për t’i “dalë borxhit” Kicos, por e kishin të bazuar në përvojën e jetës shoqërore të trevës dhe në atë vetjake.

Mirëpo Kico Kostani, i njohur për shpirtin e tij human, u përgjigj: “Tek të hamë ne, le të hanë dhe ata, hallexhinj …” Siç rrëfen Llazi, i cili, në atë kohë ishte 7 vjeç: “Një ditë, kur erdhi në shtëpi, Kicua kishte sjellë disa ëmbëlsira. Petrika i vogël e kanakar, zgjati dorën drejt Andromaqit, me kërkesën për të marrë i pari, pjesën që i takonte. Jo, i tha Kicua, shpirt njeriu e tepër human të shoqes: ‘Jepu më parë bujtesve, pastaj Petrikes!’ Dhe Andromaqi, e njohur si nënë e përkushtuar ndaj fëmijëve, bëri, siç i tha i shoqi. Fëmijët nga Orman Cifligu, njerëz të afërt të Andromaqit, vajtën në shtëpitë e tyre të rindërtuara, pas 2 vjetësh.”

Në kohën kur ngjau masakra e Orman Cifligut, Kryetar i Këshillit Antifashist të fshatit ishte Marko Kita. Ai ishte baxhanak i Kico Kostanit dhe kishte studiuar në Liceun Francez të Korçës. Markoja ishte i lidhur me dashuri të ndërsjelltë me baxhanak Kicon. Në ditën e masakrës, fshati Orman Ciflig u rrethua nga fashistët. Brenda rrethimit ishte dhe Marko Kita, së bashku me partizanin Thanas Piperi - burrë i Gjeorgjisë e baba i Donikes. Ata, e çanë rrethimin, por u kthyen sërish në fshatin e rrethuar, për t’u dhënë zemër e për t’u dalë në mbrojtje fshatarëve. Nazistët i kapën e i pushkatuan, të dy luftëtarët, në mes të fshatit. Thanas Piperi la pas fisniken Gjeorgji dhe vajzën e parritur Doniken 3-vjeçare.

Gjeorgjia, në lidhje martesore me Kicon, solli në jetë katër fëmijë. I madhi i tyre ishte Midhi, i cili mori emrin e vëllait të ndjerë të Kicos, i cili, mbasi dogji zyrat e Fashos, së bashku me guerrilasin tjetër korçar Kico Greco, u kapën nga fashistët italianë e u varën në mes të Korçës. Me qëllim që të përjetësonte kujtimin e vëllait guerrilas, Kicua i vuri emrin djalit të parë që rezultoi nga martesa e dytë e tij.

Pas Midhit, erdhën në jetë: Vasili; Thomai dhe e fundit – Ida. Kësisoj, në familjen e nderuar të kasapit Kico Kostani u bënë tetë fëmijë, me tre barqe. Nga këta, katër ishin me nënë e me baba të njëjtë (Gjeorgjine e Kico Kostanin); tre të tjerë ishin vëllezër e motra nga martesa e parë e Kicos dhe njëra nga vajzat – Donika ishte e ardhur pas nënës (Gjeorgjisë). Kico Kostani u ndodh me fat. Fatlume rezultoi martesa e tij e dytë. Fëmijët e shumtë, me barqe të ndryshëm brenda një kohe të shkurtër gjetën kohezionin dhe dashurinë për njëri-tjetrin.

Gjeorgjia fisnike dhe e mençur bëri realitet premtimin se do t’i trajtonte fëmijët e gjetur në vatrën fatkeqe të Kicos, me të njëjtin kujdes e dashuri, sikur të lindurit prej saj. Prandaj, Petrika dhe dy motrat e tij bonjakë e thërrisnin atë, plot gojën - Mama, edhe pse e dinin që një grua tjetër i kishte sjellë në jetë. E meritonte ta thërrisnin kësisoj Jorgjine, fëmijët e gjetur mbasi Ajo grua kapedane ishte nënë e dhembshur dhe e përkushtuar dhe u shërbente jetimëve si të ishte nëna e tyre. Jo për hir të lidhjes që bëri me Kicon, por për faktin e thjeshtë se Ajo ishte Nënë dhe e njihte dhembshurinë e nënës për fëmijët dhe e kishte të qartë ç’do të thotë të mbetesh pa nënë. Jetimët u ndodhën me fat.

Babai i tyre, pas ndarjes nga jeta të së ndjerës Andromaqi, nënës së tre fëmijëve të tij, u lidh me një grua me zemër të madhe e me shpirt njeriu.

Duke u rritur, Petrika më tepër e motrat e tij Lirika dhe Tatjana më pak, e ndjenë mungesën e lidhjeve shpirtërore që kishin me Nënën e ndjerë por nuk u mungoi dashuria dhe kujdesi i njerkës (e cila në zhargonin e ditës, ka komutacion negativ) që e zëvendësoi Atë. Siç rezulton nga të gjitha rrëfimet e njerëzve, të cilat munda të qëmtoj, fëmijëria e Petrika Kico Kostanit nuk erdhi aq e mbarë, siç ishte djali topolak i të birit të xha Kicos. Ai dhe dy motrat e tij jetime patën fatin e keq të rriteshin me njërin prind. Dashuria dhe kujdesi i Jorgjise për ta e kompensoi bukur por nuk mundi ta zëvendësonte tërësisht vendin dhe rolin e Nënës biologjike të tyre. Siç rrëfejnë bashkëkohësit e tyre; kur Midhi dhe shoku i tij i armëve – Kico Greco, ndodheshin në burgun fashist; Midhi, i cili e donte shumë Petriken, kërkoi t’ia çonin nipin, në burg që ta vështronte nga dritarja e qelisë. Siç duket, prania e Petrikes prapa hekurave, i shtonte frymëzimin guerrilasit për të qëndruar, burrërisht, siç qëndroi, deri në fund.

Pas ndarjes nga jeta të Nënës së tij biologjike, Andromaqit, Petrika i vogël u end, natyrshëm për të gjetur atë pjesë të munguar të lidhjeve e të dashurisë biologjike për Nënën që nuk ishte më në jetë. Atë e gjeti, në radhë të parë tek Babai i tij - Kicua të cilin, Petrika e vështronte si perëndi. Duke ndjerë përgjegjësinë e fëmijës më të rritur ndaj më të vegjëlve, Petrika ende i parritur, edhe pse kishte nevojë për kujdes e shërbime jetike, vetjake, përpiqej t’i ndodhej pranë Babait të tij të dashur, në punët e rënda që Ai kryente.

Kur familja e Kico Kostanit u shtua e u bë me shumë fëmijë (8 fëmijë), katër nga të cilët ishin jetimë, me kërkesë të Kicos, pushteti i asaj kohe, si përjashtim nga rregulli i përgjithshëm për qytetarët, i dha Kico Kostanit 3 dynyme tokë (3000 m/katrore), në afërsi të arave të fshatarëve të Ravonikut, në Jugperëndim të qytetit të Korçës. Xha Kicua, këtë ngastër toke e mbillte me jonxhë, të cilën e kosiste dhe, me sanën e mbledhur ushqente dhentë. Ai mbarështonte një tufë me dhen, me rreth 50 krerë, të cilat i mblidhte në plevicë, kurse në kullotë i nxirrte një bari, i cili kujdesej për to. Ndoshta kemi të bëjmë me një rastësi interesante pa lidhje; Dhentë e Kicos i ruante, kundrejt shpërblimit, babai i thoma Leres - Leksi. Në vitet e gjimnazit, Petrika u lidh me shoqëri të ngushtë me Maqon; të birin e çobanit të dhenve të xha Kicos.

Si më i rrituri i fëmijëve, Petrika ngrihej herët, në mëngjes dhe, me një bidon xingato në krahë, në njërën anë të sheshtë, e hidhte në shpinë, sikur të ishte çantë ushtari dhe e mbante vrapin tek stani i dhenve, ku Babai i tij, Kicoja kishte shkuar që më natë; kishte mjelë qumështin e u kishte hedhur dhenve sane. Aso kohe Petrika nuk ishte me moshë më tepër se 10 vjeç. Ai, me bidonin në shpinë në të cilin mbante rreth 10 litra qumësht, çdo ditë përshkonte, në këmbë udhën, nga shtëpia në plevicë, e cila ishte rreth 3 km. Por, Petrika ende i parritur, nuk i vinte në ndihmë familjes vetëm duke transportuar qumështin. Ai, çdo ditë, në muzg, shkonte tek bagëtitë, takonte babanë dhe e ndihmonte atë në punët e vështira të mbarështimit të tyre. Kico Kostani, për të përballuar nevojat ushqimore të familjes me shumë fëmijë, mbarështonte dhe rreth 100 krerë pula fushë pranë plevicës dhe një derr. Derrin e mbante të mbyllur, në një kthinë të ndërtuar posaçërisht, pranë shtëpisë dhe e mbante për mish.

Si për derrin dhe për shpendët, me mundësitë që kish në atë moshë, kujdesej Petrika bonjak.

Kico Kostani, ishte njëri nga kasapët më të mirë të qytetit të Korçës. Para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ai bënte pjesë në shoqërinë e kasapëve esnafë të qytetit të Korçës ku fjala e tij zinte vend.

Pas çlirimit të vendit Ai u ingranua në Ndërmarrjen e Grumbullimeve e të përpunimit të mishit (në thertoren e qytetit) ku, si kasap me përvojë të gjatë pune në këtë lëmë ishte njëri nga drejtuesit teknikë të asaj ndërmarrjeje. Kicua bënte “tualetin” e mishit të therur përpara se ai të shkonte tek mjeku veteriner për të marrë lejen për t’u tregtuar, në dyqanet e shtetit.

Babai i Petrikes, Kicua ishte njohës mjaft i mirë i anatomisë së trupit të bagëtive. Ai e copëtonte mishin e therur sipas anatomisë.

Në këtë kuptim, “tualeti” që i bënte Kicua mishit kish të bënte me heqjen e laprave, dhjamushkave dhe pjesëve të tjera, të cilat nuk janë aq të preferuara nga njerëzit.

Petrika i çonte ushqimin Babait të tij, në çdo mesditë. Ai shfrytëzoi vajtjen e shpeshtë në thertore, çdo ditë, dhe në çdo vajtje, duke vënë në punë zgjuarsinë karakteristike, vrojtonte proceset e manipulimit të mishit. Duke përftuar nga zemërgjerësia e kasapëve korçarë dhe nga toleranca e Kicos drejtues i tyre, sa herë shkonte për t’i çuar ushqimin Babait të tij, Petrika mësonte diçka të re, nga mënyra e therjes, rjepjes dhe copëtimit të mishit. Pas një kohe të shkurtër, Petrika u bë kasap i kualifikuar.

Me ndikim jo të pakët ishte dhe fakti që Kicua, çdo javë, dilte në treg dhe blinte një dele kur nuk kishte ndonjë bagëti për të skartuar nga tufa e tij e dhenve dhe e bënte kasap (e therte, e ripte dhe e copëtonte) në shtëpinë e tij. Petrika, duke i qëndruar afër, të atit, mësoi mjaft nga “operacioni” i prerjes, rjepjes dhe copëtimit të mishit. Me mprehtësinë dhe zgjuarsinë natyrale që e karakterizonin, Petrika “i vodhi” Babait zanatin e u bë, si Ai, usta i vogël, akoma pa shkuar në shkollë. Aq i kualifikuar ishte djali i madh i xha Kicos, në këtë fushë sa, kur i hapte barkun berrit, nuk i ngatërronte, organet e brendshme por i ndante: veç plëncin; zorrët; shpretkën, mëlçinë, temthin e organet e tjera nga njëra-tjetra. Duke vrojtuar Babanë, Petrika bënte dhe kukurec, me të brendshmet e presë (viktimës) së tij, të cilat i mbështillte me zorrët e saj. I piqte vetë, në zgarë, me prush poshtë dhe kukureci që përgatiste Petrika, bëhej mjaft i shijshëm.

Kur i fuste kukurecit erëza e piperëza, dhe e piqte atë me merak, ata që e provonin lëpinin gishtat nga kënaqësia.

Petriken, në mjedise të ndryshme e thërrisnin me emra jo të njëjtë. Baba Kicua, meqenëse e kishte djalin e madh dhe, si i thonë fjalës, e kishte “bukën e parë”, me përkëdheli i drejtohej, kur donte ta thërriste, me emrin e shkurtuar Peti. Kështu i flisnin Atij të gjithë pjesëtarët e familjes Kostani. Siç duket, ndikimi i kryetarit të familjes ishte i fuqishëm, tek pinjollët e tij. Në shkollë, Petriken, shokët e klasës dhe të tjerët e thërrisnin me emrin e plotë: Petrika, kurse në mëhallë, sidomos në lojërat fëmijërore, shokët, bashkëmoshatarët e tij e thërrisnin, thjeshtë - Peçi. Nga sa mbaj mend, edhe ne, shokët e tij, në shkollën e aviacionit, në Cin Zhou e në Sui Xun e thërrisnim Peçi.

Në shkollën e Aviacionit, në Vlorë dhe në Regjimentin “Peza”, shokët, kolegët dhe eprorët e tij e thërrisnin, me emrin e plotë, Petrika.

Pak histori

Petrika Kico Kostani u lind në Lagjen nr. 3 të qytetit të Korçës, e cila, në atë kohë emërtohej: “Mehallla e Lumit”! Në shtëpinë ku erdhi në jetë, Ai banoi deri në moshën 9 vjeç.

Sipas kalendarit Gregorian, kjo moshë i përket vitit 1950. Në vitet që vijuan, Petrika dhe familjarët e tij u vendosën në një shtëpi tregtari, të shtetëzuar, e cila, më parë i përkiste një tregtari të madh korçar. Banesa ndodhej në rrugën: “Sotir Peçi”, e cila e ka “kokën” tek kinema “Morava” e zgjatet deri tek Mitropolia e vjetër e Korçës. Shtëpia e re ku u vendos për të banuar familja e Kico Kostanit ishte shtëpi pasunari. Ajo ishte shtëpi qytetëse me dy kate; me mure guri e me çati të mbuluara me tjegulla të bëra me dorë (tjegulla tradicionale të kohës).

Muret e gurtë ishin të lidhur me llaç gëlqereje e me breza druri, në çdo 70 centimetra lartësi. Shtëpinë e rrethonte një mur guri, i fortë, me lartësi rreth 2 m; brenda të cilit ishte një oborr, i shtruar me plloça guri. Në mes të oborrit ishte një lulishte ku vegjetonin trëndafilë erëmirë dhe lule të tjera. Një çezmë, në oborr shërbente për të pirë ujë e për të larë teshat. Dhomat ishin të ndara nga njëra-tjetra, jo me mure por me çatma prej druri. Në katin përdhes të shtëpisë ishte një qilar (bincë), i rrethuar nga një mur guri, si sofat, i lartë 50 cm.

Sofati i kishte shërbyer tregtarit të madh për të vendosur butet (fuçitë prej druri) me verë. Qilari ishte i pajisur me një hambar ku depozitohej gruri, i ndërtuar me llamarinë të trashë, i cili kishte një fole në pjesën e poshtme nga ku rridhte drithi, për konsumin familjar dhe për shitje.

Pranë shtëpisë së Kico Kostanit ishte ajo e Misto Dardhes, i cili kishte 2 djem. Nikua, ishte bashkëmoshatar me Petriken dhe shok i tij. Së bashku me Kicon dhe me familjarët e tij, nën të njëjtën çati, deri në vitin 1965, jetonte vëllai i tij – Llazari, beqar i rritur, i datëlindjes 1922. Ai ishte vëllai i vogël i Kicos. Më pas, Llazari u martua e u vendos me banim në Tiranë. Kicua, i “kishte duart vazhdimisht në mish”. Ai, si dhe shokët e tij zejtarë, tok më të dashurit e zemrës, për hatër të shoqërisë, pinte ndonjë gotë me raki rrushi, të bërë vetë, por nuk ishte qejfli pijesh të forta. Kico Kostanin, në asnjë rast nuk e kishin parë sarahosh, të dehur apo të alkoolizuar.

Një vëlla i Kicos, Midhi Kostani, ishte guerilas, në qytetin e Korçës. Ai, pasi dogji, së bashku me shokun e tij të idealit e të aksionit luftarak, Kico Grecon, zyrat e fashios, fashiste, u kapën e të dy u varën në mes të Korçës, ditën për diell. Sipas dëshmive të bashkëkohësve, mbledhjet guerrilasit i zhvillonin në shtëpinë e Vangjel Vangjelit, e cila ndodhej pranë shtëpisë së Kico e Midhi Kostanit.

Petrika Kostani, si në vitet e vegjëlisë të tij dhe kur u bë burrë e nisi karrierën ushtarake, nuk e zuri kurrë në gojë këtë rrethanë pozitive, në mënyrë që të përftonte prej saj. Madje edhe shokët e tij të grupit, si në rastin kur studionte aeronautikë, në Bashkimin Sovjetik dhe kur këtë punë e vazhdoi në Kinë, shokët e afërt nuk i dinin lidhjet e Petrikes me xhaxha Midhin guerrilas dhe me aktin e tij heroik. Ai donte dhe ia arriti të ecte me këmbët e veta, pa “ombrellë” mbi kokë e pa marrë njeri për dorë.

Petrika Kostani u rrit pa praninë e Nënës së tij biologjike, por u ndodh me fat që bashkëshortja e dytë e Kicos, njerka e tij - Gjeorgjia kishte tipare aq të mira sa nuk la vend bosh në raportet me fëmijët e gjetur. Ajo diti të shndërrohet në një Nënë të vërtetë duke i rrethuar me kujdes e me dashuri prej nëne fëmijët e burrit. Kjo ishte gjë e madhe dhe Petrika ndihej mirë nën përkujdesjen e saj. Dashuria dhe mirësia që u përcillte e mira Gjeorgji fëmijëve të Kicos ishte domethënëse, me vlera jetësore dhe e prekshme. Sikur të ishte vetëm kjo zemërmirësi e saj, pa llogaritur vlerat e tjera të asaj gruaje “engjëll”, do të mjaftonte për të habitur ata që e rrethonin dhe të tjerë që e njohën. Nuk ishte parë, deri atëherë që një njerkë të qasej ashtu ndaj fëmijëve të gjetur.

Megjithatë, Petrika nuk i ndahej Babait të tij, në asnjë çast. Kjo gjë është e natyrshme dhe pjesë e përpjekjeve të një fëmije, të cilit i është ndarë nga jeta Nëna biologjike. Ai e kërkon pjesën e dashurisë prindërore të munguar tek prindi që jetonte; konkretisht tek Kicua. Ajo që i mungonte Petrikes ishte aroma e Nënës; ledhat e saj, dashuria tjetërsoj e asaj që e kishte mbajtur nëntë muaj në bark dhe e kishte çdo fjalë e çdo ledhatim, “të ëmbël”. Dy motrat që e ndjera Andromaqi la jetime, si Petriken, ishin më të vogla e nuk arrinin t’i konceptonin përmasat e gjëmës që u kishte rënë mbi kokë. Ato u përshtatën më shpejt e më lehtë me situatën e re që u krijua pas martesës së dytë të Babait të tyre. Ndryshe qëndronte puna me Petriken; Ai e kishte ndjerë më gjatë dashurinë dhe përkujdesjen e Nënës biologjike; aromën e saj dhe e ndjente më tepër boshllëkun që la pas ikja e saj. Prandaj, Petrika e kërkonte tek Kicua dashurinë e munguar; atë pjesë, të cilën e kishte marrë me vete e ëma.

Gjeorgjia, me karakterin brilant dhe me tiparet e saj të rralla, kur pranoi të bëhej bashkëshorte e Kicos me tre fëmijë në vatër, diti të ngrihej në nivelin e nënës së jetimëve, pa i lënë ata me kokë mënjanë. Njëra nga cilësitë e veçanta të Gjeorgjisë, të cilën e pëlqenin jo vetëm familjarët e saj por dhe gjithë tarafi e miqësia dhe ata që e kishin shijuar, ishte të gatuarit që dilte nga duart e saj. Ajo përgatiste gatime të shijshme dhe tepër të ushqyeshme; si për fëmijë dhe për të rritur.

Kur Jorgjia piqte kernacka, i gjithë sokaku kundërmonte erë të mirë, nga aroma që përhapej prej tyre. Kalimtarët, të cilët e njihnin këtë aromë, por dhe të rastësishëm po të qenë, sa herë u rastiste të kalonin nga rrugica pranë shtëpisë së Kicos dhe që e ndjenin aromën e kernackave, thoshin, plot krenari: “Po gatuan e Kicos”! Dashuria dhe kujdesi i Gjeorgjisë për jetimët, pa i veçuar ata nga fëmijët e saj biologjikë, i përcollën ata si në fëmijëri dhe kur u rritën e u bënë madhorë. Është vlerë më vete, të cilën nuk e kanë të gjitha gratë të kesh aftësinë dhe zemrën për t’u ngjitur mbi ndasitë e gjenit dhe natyrën e ndryshme biologjike që shkakton ai. Kjo përbën një rast të rrallë në jetën e atij komuniteti dhe në kohën kur Ajo jetoi. Fuqishëm ndikoi formimi i individualitetit të asaj gruaje dhe nëne, i cili theu tradita, zakone e doke, për këtë çështje dhe nxori në dritë një risi të paparë, e cila mund të jetë dhe unikale.

Të gjithë panë tek personaliteti i Jorgjise, shëmbëlltyrën e një njeriu të edukuar, të qytetëruar e me shkallë të lartë emancipimi, si dhe një zemër të madhe e një shpirt të gjerë.

Dikush mund edhe të mos jetë i një mendjeje me mua për këto që po shkruaj duke u mbajtur fort pas argumentit: “Gjeorgjia, vetë, me bindje të plotë e në moshë madhore, pranoi të bëhej bashkëshorte e Kicos dhe e dinte që Ai kishte tre fëmijë në shtëpi…”. Them jo; jo, e sërish jo! Këmbëngul në timen për faktin se Historia e njerëzimit është plot me shembuj pozitivë e negativë ku dominojnë sjelljet dyqëndrimshe të njerkës. Njëri nga qëndrimet është i ëmbël, i butë, përkëdhelës e tolerant, kur u drejtohet fëmijëve të barkut dhe qëndrimi tjetër: i vrazhdët, i rreptë, kërkues, denigrues e aspak tolerant, i cili u rezervohej fëmijëve të gjetur. Në rastin tonë kemi të bëjmë me një përjashtim nga rregulli. Jorgjia nuk ishte grua e nënë e zakonshme por një “engjëll” e një rast i rrallë.

Ftoj ata që do të mund të prononcoheshin rreth këtij problemi të gjykojnë me mendje të ftohtë e paanshmëri duke i mëshuar fort objektivitetit.

Le të kthehemi tek fëmijëria e Petrika Kostanit. Karakteri i tij i formuar si tip shoqëror e dashamirës, patjetër që nuk u formua në një ditë, por çdo ditë e pak nga pak. Mirësia e shpirtit të tij ishte reflektim jashtë mureve të shtëpisë dhe përtej oborrit të banesës ku jetonte, i atij kohezioni që sundonte në vatrën me shumë fëmijë të Kico Kostanit, si njëra nga familjet më të qeta, më të rregullta e më dashamirëse, ku lidhjet dhe marrëdhëniet mes pjesëtarëve të familjes ishin normale dhe me reciprocitet. Petrika i donte e i respektonte njëlloj, si motrat dhe vëllezërit e nuk bënte diferencime mes tyre. Ai ishte vëlla i madh i fëmijëve të shumtë të familjes dhe e ndjente “përgjegjësinë” për më të vegjlit e “kujdesej” për ta. Ia vlen të dëftojmë marrëdhënien e veçantë të Petrikes, me Doniken, vajzën e prurë me vete, të Gjeorgjisë, të cilën, Ai e kishte motër të ftohtë: (as me nënë e as me baba).

Ajo u rrit mes vëllait e motrave të gjetura dhe të tjerëve që lindi e ëma me Kicon. Petrika u jepte përparësi veprimeve që ishin në të mirë të motrës së “ftohtë”. Mes të gjithë fëmijëve të Kicos, lindën e u forcuan lidhje të ngushta shpirtërore, të cilat ndikuan fuqishëm që ata të rriteshin me shpirtmirësinë që u falën Gjeorgjia dhe Kicua si dhe nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Petrikes, si i pari i fëmijëve në atë familje.

Po ku qëndronte përparësia që i jepte Petrika çdo veprimi dashamirës që kishte të bënte me motrën Donike? Qëllimi i këtij qëndrimi të diferencuar nga ana e vëllait më të madh në moshë ishte, ndonëse i padeklaruar, sjellja tejet humane që “e ardhura” Donike të mos ndihej, në asnjë rast si e huaj në shtëpinë e Kico Kostanit. Petrika, me fjalën e ëmbël që nuk lëndonte njeri dhe me sjelljen e tij të pëlqyer kishte ndikuar fuqishëm për arritjen e kohezionit në atë familje të nderuar. Për hir të së vërtetës, duhet pranuar që në mëhallë e në atë lagje, familja Kostani shquhej si një çerdhe e qetë e mjaft e rregullt. Prindërit jo se jo, por as fëmijët e kësaj familjeje nuk kishin krijuar sherre apo mosmarrëveshje me gjitonët e më tej. Korrektësinë dhe dashamirësinë e kësaj familjeje, e kishin “shijuar” jo vetëm gjitonët dhe fisi, por sidomos rrethi miqësor i saj; krushqia dhe gjithë ajo shoqëri e zgjeruar e familjes Kostani.

Donika u rrit e u martua nga ajo derë e madhe. Lidhjet e Petrikes me Doniken, me bashkëshortin dhe me familjen e saj, nuk u ndërprenë kurrë; ato vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, kur Petrika Kostani nuk është më në jetë. Në lidhjet që mbante me motrat, marrëdhëniet me Doniken zinin vend të veçantë. Duhet thënë se pas ndarjes së Petrikes nga jeta, Bashkëshortja Adriane dhe fëmijët e Petrikes; vëllezërit dhe motrat e tij i ruajnë raportet miqësorë dhe përparësinë e lidhjeve me simotrën e Petrikes dhe me pinjollët e saj. A nuk është ky një shembull i mirëfilltë fisnikërie? Padyshim që po.

Si në kohën kur Petrika Kostani ishte në jetë dhe fëmijët e Donikes e njihnin atë për dajo e i thërrisnin Dajo Petrika dhe tani që Ai nuk është më midis nesh, lidhjet e ngushta mes familjarëve të të dy krahëve, vijojnë si më parë. Në këtë çështje, ndihet i fuqishëm roli i Adrianes, e cila, duke bashkëjetuar për një kohë të gjatë, si dy bashkëshortë të denjë për njëri-tjetrin, me Petriken e veçantë, ka nxënë mjaft prej tij dhe di t’i ruajë lidhjet miqësore; si të vjetrat dhe të rejat.

Petrika Kostani, në fëmijërinë e tij, kishte disa pasione e prirje të pëlqyeshme. Ai kishte hobi kujdesin për kafshët dhe ishte shumë i dhënë pas mbarështimit të tyre. Përveç dhenve të xha Kicos, të cilave u shërbente si e me sa mundte, por me përkushtim e me motiv të veçantë, Petrika mbarështonte në mjediset pranë banesës një tufë me lepuj, shumë pëllumba dhe qenin besnik me emrin Norma. Ky qen ishte mjaft besnik ndaj të zotit. Ai, për besnikërinë e tij ishte bërë i njohur, jo vetëm në mëhallë e në rrethet shoqërore të fëmijërisë së Petrikes.

Kur Petrika zhvishej për të luajtur futboll me shokët dhe teshat i linte grumbull, në një cep të fushës, Norma qëndronte në roje, pranë teshave të Tij e asnjeri nuk guxonte të afrohej pranë tyre jo më të tentonte për t’i rrëmbyer. Norma trupvogël, por mjaft e zgjuar dhe e shkathët, bënte punë të mëdha.

Midis mureve të shtëpisë së Kicos dhe asaj të gjitonit, ishte një arallëk (vend bosh që shërben për rrjedhjen e ujërave të çative). Në lartësi, poshtë pullazeve Petrika kishte varur disa kafaze, në të cilët mbarështonte pëllumba; në tokë kishte ndërtuar “fole” ku gjallonin lepuj të butë. Me kalimin e kohës lepujt dhe pëllumbat, me përkujdesjen e Petrikes u shumuan e Ai ndihej mirë për këtë. Petrika kënaqej me rezultatin e punës së tij pasionante dhe, përveç krenarisë që ndjente i shtohej dhe dëshira për t’u marrë akoma më mirë me mbarështimin e tyre. Lepujt, Petrika, nuk i përdorte si ushqim por i falte; kujt donte e kujt të mundte.

Angazhimet e Petrikes në punët e familjes, me synimin për të ndihmuar sadopak Babanë e tij - Kicon, i cili rropatej për të mbajtur tërë atë familje, nuk e shmangën Atë nga pjesëmarrja aktive në lojërat e fëmijërisë. Me shokët e një moshë, të mëhallës e të rrugicës, Petrika luante shpesh lojën me cingla; atë dërrakthi; kikidhi e perustidhi, kalanë dibrançe, lojën me fugë, me ashikë, me detka, syllambyllazi, e ka, kush e ka, hapa dollapa etj. Në çdo lojë, Petrika, me zgjuarsinë dhe me shkathtësinë e tij, ishte tepër aktiv, madje dhe lider. Në të gjitha lojërat fëmijërore dhe në jetën e përditshme, Petrika nuk e ndante nga vetja, vëllanë më të vogël, me babë, të cilit, Kicua i kishte vënë emrin e vëllait të tij, të ndjerë, Midhit, rënë Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare.

Meqenëse Kicua ishte kasap dhe therte, çdo ditë, bagëti, për mish, Petrika, në lojën fëmijërore me ashikë, i kishte mundësitë për t’i zgjedhur onomate, “djathtas”, siç i pëlqenin. Ashikët që përdorte Petrika zgjidheshin të ishin të mëdhenj dhe, siç i thoshin në atë kohë – pazierko: d.m.th. të pazier. Petrika, onomate që zgjidhte në thertoren ku punonte Kicua, i shponte me një gozhdë e i mbushte me plumb, të shkrirë, që të rëndonin. Ai, plumbin e shkrinte vetë, në shtëpi dhe në rrugë artizanale.

Petrika Kostani, qysh kur ishte fëmijë shquhej si bamirës dhe e kishte të theksuar shpirtin human. Këtë e vëmë re jo vetëm tek fakti që lepujt dhe pëllumbat që mbarështonte, të cilët, u shumuan shpejt e me ritme të papara, Ai i falte, tek shokët, dhe tek gjitonët pranë por në të gjithë vijën e sjelljes së tij të mëvonshme. Nëse konsumonte, për të ngrënë ndonjë prej tyre, kjo ndodhte për të “ndërruar shijën”; jo për t’u ngopur me mish, me të cilin ishte i velur.

Mirëpo me çështjen e mbarështimit të pëllumbave, dikur, Petrikes i ngjau një mosmarrëveshje me Babanë e tij, me Kicon: Pëllumbat strehoheshin poshtë pullazeve dhe gugatnin, papushim, ditën dhe natën. Kicua nuk i duronte dot gugatjet e tyre. Ai, kishte dhe njëfarë bestytnie, lidhur me këtë shpend. Ai, rritjen dhe gugatjen e pëllumbave të butë, pranë banesës së tij, e merrte si ogur të zi. Në mendjen e tij, padrejtësisht kishte zënë vend opinioni i gabuar se kapja dhe varja e të vëllait, nga fashistët italianë, Midhi Kostanit, kishte ndodhur pikërisht si rrjedhojë e mbarështimit dhe gugatjes së pëllumbave. Në këto kushte, Petrika, dalëngadalë i largoi pëllumbat nga shtëpia dhe, për hir të Babait, braktisi njërin nga hobet e tij.

Petrika i largoi, gradualisht pëllumbat nga shtëpia, por nuk mundi të braktiste, tërësisht hobin e tij për shpendët. Ai u zgjua pas shumë vitesh, kur ishte oficer e pilot, me shërbim në Qytetin “Stalin”. Siç rrëfejnë bashkëkohësit e tij, kur ishte në shërbim në çiftin roja dhe në ditë të tjera, Petrika u hidhte për të ngrënë pëllumbave që ishin pranë çiftit roja dhe që ishin të mësuar të ushqeheshin nga pilotët e shërbimit: roja, në çiftin roja, në aerodrom.

Kur ishte fëmijë, Petrika Kostani kishte dhe një hobi të veçantë; të ndryshëm nga prirjet e bashkëmoshatarëve të tij korçarë. Petrika ishte mjaft i dhënë pas menaxhimit të kuajve vrapues dhe pas kalërimit. Si vend më të përshtatshëm për të mbarështuar kuajt e vrapit dhe për të bërë hipizëm, Petrika kishte përzgjedhur fshatin e Nënës së ndjerë, Orman Cifligun, i cili ndodhet në Fushën e Korçës dhe rreth fshatit ka plot livadhe, me bar ku mund të kullosin kuajt, në natyrë; në pranverë e në stinën e thatë. Njëri nga këto livadhe, i cili është dhe më cilësori, ruhet nga fshati dhe kuajt lejohen të kullosin vetëm në ditët e Pashkes. Disa djem të moshës së tij, të cilët Petrika i kishte kushërinj, nga fisi i Nënës Andromaqi, gjithashtu kujdeseshin mjaft për kuajt dhe ishin të thekur për të ushtruar hipizmin. Mos kujtoni se hipizmi i atyre viteve ishte si ai që zhvillohet sot.

Hipizmi që ushtronte Petrika dhe kushërinjtë e tij nga Orman Cifligu ishte bio. Jo vetëm se zhvillohej në natyrë, pa pajisjet e kësj kohë, e me kuaj që ushqeheshin në natyrë, me bar livadhi të pashkelur e pa spërkatje por dhe për faktin se kalorësi nuk i kishte aksesorët që ka sot një kalorës i kohës. Petrika dhe të tjerët kalëronin duke u hipur kuajve në zhapët (mbi lëkurë), pa pasur, as shalë; as samar. Petrika i donte shumë kushërinjtë dhe kushërirat nga nëna dhe ata e donin, gjithashtu. Më i afërt me Petrikan ishte kushëriri me emrin Llazi, të cilin e kishte jo vetëm të një moshe, por duheshin si vëllezër binjakë e nuk ndaheshin nga njëri-tjetri. Petrika, mes shumë kushërinjve kalorës, të cilët i kishin të përcaktuar kuajt që përdornin për hipizëm, preferonte dorinë e tij, të cilit djemtë e fshatit i kishin vënë emrin Bardho.

Nuk mund të mos shkruaj disa fjalë, për lidhjen fantastike të Petrikes me kalin e tij të preferuar – Bardhon. Kuaj ka e do të ketë shumë, në vendin tonë por kalë si Bardhua i Petrikes, me siguri që janë të rrallë. Po çfarë kishte të veçantë ky kalë? Ai ishte i bukur në të parë; më i bukuri kalë në atë zonë. Bardhua ishte besnik, siç janë në përgjithësi kuajt, por ishte dhe i urtë, pa xanxë dhe kishte një ecje, sikur të udhëtoje mbi një makinë të kohëve të fundit, në një rrugë të asfaltuar bukur e me të gjitha parametrat e nevojshëm. I lartë, në shtat, me këmbë të gjata, elegant; me krifë e bisht të bukur e të dendur, i zgjuar, i qetë e pa huqe.

Bardhon e merrnin si dori për të mbajtur mbi shpinë nuset e reja, jo vetëm në Orman Ciflig, por dhe në zonën përreth.

Interesant është një fakt: Për Bardhon kujdeseshin kushërinjtë e Petrikes; madje ata e kishin rritur dhe e ushqenin, por kali, njihte e donte të kishte mbi shpinë, pa samar e pa shalë, vetëm Petriken. Më rrëfyen një ndodhi, e cila flet, për të gjitha tiparet e Bardhos. Petrika vinte shpesh nga Korça, në Orman Ciflig, me motivin të shmallej me njerëzit e Nënës së ndjerë dhe për t’u marrë me kalërim, mbi Bardhon e tij të preferuar. Pushimet e shkollës, në verë, Petrika, thuajse i kalonte në Orman Ciflig, pranë kushërinjve dhe Bardhos së tij. Ata që e dinë pozicionin e fshatit dhe të livadhit ku kulloste Bardhua me kuajt e tjerë, e kanë më të lehtë për ta përfytyruar këtë që do t’ju rrëfej. Sapo afrohej Petrika, pranë livadhit ku hante bar kali i tij i preferuar, Bardhua ngrinte kokën, kthente fytyrën andej nga çapitej kalorësi dhe i bënte të dy veshët “bige” e hingëllinte.

Thuajse gëzonte që po i vinte i preferuari? Një gëzim e ndjente kafsha e zgjuar dhe besnike; atë e shfaqte kësisoj. Sapo vinte, Petrika dhe e përkëdhelte kalin e tij, në gjoks, edhe ai, ulej pak, që të ngjitej më lehtë kalorësi sipër shpinës së tij lakuriqe dhe, me t’u ngjitur Petrika mbi të, pa i rënë kafshës me këpucë, tek brinjët, kali bëhej erë e veri. Fluturonte Petrika mbi kalë dhe kushërinjtë e pranishëm, të cilët nuk e arrinin dot, i thoshin: “Ti, or kushëriri ynë, me siguri që do të bëhesh pilot, se ke qejf fluturimin!” Sikur ta parashikonin e ta parandjenin ata adoleshentë ecurinë e kushëririt të tyre, i cili u bë pilot e çfarë piloti?

Petrika Kostani, djalë Korçë e nip Orman Cifligu, ndihej mirë në fshatin e Nënës së ndjerë. Mes njerëzve të fisit të Andromaqit, Ai thithte, tok me ajrin e pastër të livadheve, pak aromë nga ai mjedis ku jepte e merrte shumë dashuri. Prandaj Petrika gëzonte sa herë merrte udhën për në atë fshat të dashur ku njihte çdo rrugicë, çdo livadh apo pemëtore, njerëzit e moshës së tij dhe më të rriturit të cilët e donin dhe e respektonin shumë nipin e tyre bonjak. Në pushimet e verës, përveç që nxirrte Bardhon në kullotë dhe kënaqej kur e vështronte atë të lumturuar, pas kalërimit, në grup, së bashku me djemkat e fshatit që e shoqëronin dhe e donin shumë, siç i donte dhe ai; lahej në pellgjet e formuara nga gropat e hapura nga punonjësit e bonifikimit, por dhe në gjuhëzën që formonte Këneta e Maliqit. Në veprimtaritë që bënte gjatë pushimeve verore, të cilat, për hir të së vërtetës, Petrika mezi i priste, shokë të ngushtë e të besës kishte kryesisht kushërinjtë nga Nëna, sidomos: Llazin, të cilin e kishte djalë tezeje dhe të një moshe; Bertin; Gaqon; Ilon; Vasken e mjaft të tjerë. Disa nga këta mbanin mbiemrin Kita e të tjerë cilësoheshin me mbiemrin Coci.

Të gjithë të lidhur me njëri-tjetrin në forma të ndryshme, siç janë fshatarët e kësaj ane. Këta kujdeseshin për Bardhon kur nuk ishte në fshat Petrika dhe vetëm kur vinte ky, kali lumturohej e fluturonte nën të. Kali dhe kalorësi ishin të lidhur me njëri-tjetrin me një miqësi e kimi të çuditshme dhe ndiheshin mirë në praninë e njëri-tjetrit.

Nuk mund të anashkaloj një dukuri interesante e cila jo vetëm që më pëlqen, tej masë, por dhe e ndeshim shumë rrallë në ditët tona. Kanë shkuar më se 70 vjet nga koha kur është ndarë nga jeta, e mira Andromaqi, Nëna biologjike e Petrika Kostani. Mjaft ndryshime kanë ngjarë e të tjera do të ndodhin, por lidhjet mes familjarëve e pinjollëve të familjes Kostani në Korçë, me pasardhësit e fisit të së ndjerës, në Orman Ciflig, apo kudo që kanë shkuar, lidhjet, madje të ngushta vijojnë sot e kësaj dite dhe do të vijojnë edhe në të ardhmen. Edhe në këtë çështje, duken qartë gjurmët e asaj pune plot dashuri e frymëzim nga geni, të të paharruarit Petrika Kostani. Ndihem mjaft i lumturuar, kur bisedoj me Midhin, me Landin, me Adrianen e me të tjerë njerëz të atij fisi të fismë, të cilët më rrëfejnë për vazhdimësinë e lidhjeve të ngushta që ka themeluar Petrika; Kocua, Gjeorgjia, të cilat i vazhdojnë ata që janë në jetë.

Kjo, mendoj se është medalioni më i mirë që mund t’u atribuohet atyre arkitektëve mendjendritur e shpirtmirë, të cilët çimentuan këto lidhje tejet njerëzore e të domosdoshme. Njerëzit vijnë e ikin; ky është ligji i jetës mbi tokë; disa bëma të tyre fshihen si shkrimet me shkumës në dërrasën e zezë, kur ato janë të pashkruara e disa të tjera janë aq rezistente sa koha nuk ka çfarë t’u bëjë. Edhe po të jenë të pashkruara, kur njerëzit që vijnë pas, i duan, i qarkullojnë ato gojë me gojë e nga njëri brez tek tjetri dhe mbeten të paharruara. Ato lidhje njerëzore e të sinqerta që themeloi Andromaqi zemërmirë, Kicua, dhe vetë Petrika, më ngjajnë si hyjnore e nuk mund të shuhen lehtë nga mendjet e njerëzve të mirë.

Në këto ditë, kur po shkruaj këtë monografi, kushtuar Petrikes tonë të paharruar, vëllai i tij Midhi Kostani (i riu), i cili banon në qytetin e Korçës, vajti në Orman Ciflig, dy herë radhazi, për të takuar kushërinjtë dhe farefisin e Petrikes por dhe me një qëllim të veçantë: Të takonte Llazin, kushëririn e parë të Petrikes dhe moshatar të tij, për t’i uruar ditën e emrit dhe për të mbledhur disa të dhëna plotësuese, për fëmijërinë e “heroit tonë”. A nuk janë të rralla ngjarje si kjo dhe njerëz të veçantë si ata të sojit të Petrikes? Kush të dojë le të rreket, duke i bërë thirrje kujtesës dhe t’i referohet aktualitetit e të na dëftojë: kush e bën këtë që bëri vëllai i Petrikes? E them me bindje se njerëzit e mirë nuk janë mbaruar! Ata vërtet që i ndeshim rrallë por janë e do të jenë, sa të rrojë raca njerëzore. Dhe nuk kemi të bëjmë me një njeri të shkëputur apo me një grup familjarësh që rrjedhin nga i njëjti gjen.

Zj. Adriana, fëmijët e saj; vëllezërit dhe motrat e Petrikes, e kanë të mëkuar këtë vijë sjelljeje dhe nuk e bëjnë as për rit; as për dukje. Ata e kanë mirësinë në shpirt dhe kjo i shtyn t’i ruajnë lidhjet e vjetra, pavarësisht se kanë krijuar raporte të tjera.

Njëra nga prirjet më të spikatura të Petrika Kostanit, që në fëmijërinë e hershme të tij, ishte dashuria për natyrën dhe lidhjet e ngushta me të. Petrikes i “zihej fryma” e kishte zagushi po të mos dilte jashtë mureve të shtëpisë dhe oborrit të saj. Rrugicat ku luante me bashkëmoshatarët ishin të ngushta për djalin e madh të xha Kicos; Ai e ndjente veten, të lirë e të lirshëm, kur shëtiste në natyrë, kur bëhej njësh me të. Lidhja e ngushtë e Petrikes me natyrën, ishte shprehje konkrete e dashurisë pa kufi dhe konstante të tij për tokën mëmë. Dimë që Atdheu nis nga pragu i shtëpisë, vijon në rrugicë e në mëhallë, vazhdon në qytet e shtrihet në tërë vendin. Natyra e bukur e njerëzore e korçarëve dhe konteksti fiziko-gjeografik i trevës, ushqyen tek i biri i Kicos, një ndjesi të veçantë e një dashuri të pastër për qytetin dhe për rrethinat.

Ai ishte tepër krenar që ishte korçar e kjo nuk ishte një privilegj, as mburrje e as përparësi dashurish krahasuar me trevat e tjera të vendit. Për t’i njohur nga afër, duke i shkelur me këmbë pjesët e trevës së Korçës, Petrika mendonte se e shtonte dashurinë për to. Prandaj, Ai shpesh dilte nëpër vende të bukura dhe i kërkonte ato, me këmbëngulje.

Në këtë kuptim, Petrikes iu kthye në prirje të këndshme, shkelja e çdo pëllëmbe të trevës së Korçës. Ku nuk kishte shkelur këmba e Atij njeriu, besnik i tokës mëmë?

Në ditët me mot të mirë, pavarësisht nga stina, Petrika, në shoqërinë e bashkëmoshatarëve dhe atyre me të cilët luante, me një çantë në krah, e vështroje, herë tek Guri i Çapit, herë në Cardhak; një ditë tjetër shkonte në Bozdovec apo në Dardhë e deri në Voskopojë. Nuk bëhet fjalë për vendet që ndodhen më pranë qytetit të Koeces, si Mborja, Drenova, Boboshtica, Qatromi, Polena, Barci, Dishnica etj. Shëtitjen në natyrë, Petrika e kishte kthyer në ritin më të rëndësishëm të ditës. Ai ishte pasionuar e i “thekur”, pas piknikeve. Me shumë dëshirë e merrte udhën për të shkuar tek shendellia e Mborjes dhe në të gjitha kishat e shumta të qytetit e të rrethinave, për t’u njohur me kulturën e lashtë autoktone të njerëzve të shquar të trevës.

Në fund të verës, në kohën kur piqeshin lajthitë, Peçi, me një çantë ushtarake në krahë, nisej herët nga shtëpia dhe ngjitej në Malin e Moraves, nëpër monopatet e gurtë me shkurre anash, me misionin fisnik për të mbledhur lajthi, të cilat i sillte në shtëpi, në mbrëmje. Petrika ishte shumë bujar dhe si vëlla i madh i asaj familjeje, Ai ndjente një lloj përgjegjësie për ata që ishin lindur pas tij në kohë. Prandaj, lajthitë që mblidhte, me të ardhur në familje, ua ndante fëmijëve të familjes, në mënyrë të barabartë. Kësisoj, Ai kënaqte dhe plotësonte një detyrim që i kishte vënë vetes, për të kënaqur sadopak vëllezërit dhe motrat e të tri lidhjeve martesore të familjes. Rendja pas “gjahut” të lajthive i jepte mundësi konkrete Petrikes shpirtmirë të njihte terrenin, në detaje e të kalitej fizikisht por dhe të dhuronte tek më të vegjlit e familjes, me shumë dashuri e mirësi. Në shëtitjet që ndërmerrte për të eksploruar natyrën e zonës, Petrikes, nuk i ndahej, hap pas hapi, shoku i tij i afërt i fëmijërisë dhe i shkollës Thoma Lera.

Ata ishin të së njëjtës moshë, dhe veprimtaritë e përbashkëta, si ajo e mbledhjes së lajthive, si dhe lojërat e tjera të përbashkëta e forcuan më tepër shoqërinë që kishin. Fakti që babai i Thoma Leres- Leksi ishte çoban me bagëtitë e Kicos qe faktor me ndikim pozitiv në kiminë që gjalloi mes dy të rinjve. Aq e ngushtë u bë lidhja mes tyre sa, Petrika konsiderohej djalë i familjes Lera dhe Thomai- djalë i familjes Kostani.

Në stinën e nxehtë, në verë, kur nxënësit liroheshin nga detyrimi shkollor i pjesëmarrjes së detyruar në mësim, Petrika shkonte në Orman Ciflig ku shmallej me të tijtë e luante me ta. Ai merrte pjesë në kullotjen e kuajve, kalëronte, lahej, luante me bashkëmoshatarët e të njëjtit gen dhe ndihej i kënaqur. Rrugës për në Orman Ciflig, të cilën, zakonisht e përshkonte në këmbë, Petrikes i përkiste të kalonte nëpër disa fshatra të Fushës së Korçës, t’i shkelte e t’i njihte ata dhe shumë nga banorët e tyre. Kishte çfarë të mësonte Petrika nga njerëzit e mirë të trevës, nëpër fshatrat ku kalonte. Vetëm kaq, ndonëse ishin me interes, kërkesat e Petrikes nuk përmbusheshin. Ai ishte vizitor i rregullt i panaireve që zhvilloheshin; si të atyre në sfondin religjioz dhe në ata me natyrë laike.

Në Orman Ciflig, Petiken gjeje aktiv në festën religjioze të Shën Thomait, që përkon një javë pas Pashkeve. Ai shkonte dhe në fshatin Ravonik, në pjesën Jugperëndimore të qytetit të Korçës dhe në Boboshtice, më 15 gusht, në festën e Shën Merise e në evenimente të tjera. Në ndonjë rast, udhëtimi i Petrikes shtrihej deri në Pogradec, ku Ai freskohej në ujërat e freskëta të gjolit dhe shijonte bukuritë e rralla të bregut të tij e të rrethinave.

Mirëpo, mjetet e transportit urban, në atë kohë ishin të kufizuara e mundësitë praktike të djalit të Kicos, për të vajtur në Pogradec ishin praktikisht të vështira.

Duke gjykuar nga lartësia e viteve që mbaj mbi shpinë dhe nga rrjedhja e ngjarjeve, derisa Petrika u bë pilot, më lind e drejta të pohoj, se qysh në fëmijërinë e Tij, u dukën disa premisa që dëftonin se djali i madh i Kico Kostanit do të merrte udhët e qiellit e do të dashurohej me hapësirën e pamatë qiellore. Këtë nuk e shkruaj kot. Nga sa kam hulumtuar për këtë monografi, më del që, në fshatin Orman Ciflig, kur Petrika kalëronte mbi Bardhon e tij elegant e të bukur, i cili, në garë me kuajt e tjerë, fluturonte gjithnjë në krye të pjesëmarrësve në garë, vazhdimisht me galop, bashkëmoshatarët i thoshin djalit të Kicos se në të ardhmen do të bëhej pilot. Çfarë gojë e sa parashikues paskan qenë ata njerëz “të leshtë” (pa prapësi në shpirt)?

Në qytetin e Korçës e në rrethina djemtë adoleshentë, në vijimësi kanë aspiruar qiellin dhe vazhdimisht kanë ushqyer ëndrrën për të qenë eksploratorë të tij. Korça, si qytet i përparuar, krahasuar me shoqet në vitet e adoleshencës së hershme të Petrika Kostanit ishte një qytet i vogël por i zhvilluar, sidomos në pikëpamje kulturore. Qytet i vogël, Korça ishte për nga sipërfaqja e nga numri i popullsisë por jo nga vlerat e shumta që bartte. Nuk ishin më kot në Korçë, e në rrethina tre aerodrome, në vitet e gjysmës së parë të shekullit të shkuar, kur vendi ynë ishte shumë i varfër e i pazhvilluar. Pas Luftës së Dytë Botërore, në të cilën Korça dhe trevat përqark saj u renditën në anën e frontit antifashist dhe nxorën mjaft partizanë e shumë atdhetarë, një numër djemsh të zgjedhur më së shumti nga radhët e ish-partizanëve, u rreshtuan në radhët e atyre që vajtën fillimisht në Jugosllavi e më pas në Bashkimin Sovjetik, për të mësuar shkencën e vështirë por shumë të lakmuar prej tyre të aeronautikës.

Nuk është rasti për të bërë evidencë, por, disa të rinj të veçantë, me shëndet të mirë e me nivel më të ngritur arsimor, mund t’i përmend. Petraq Polena; Vasil Trasha; Irakli Grazhdani; Niko Papavangjeli; Sotiraq Sevo; Andon Koroveshi; Vaske Kosti; Vasil Qeraxhi; Qirjako Trebicka; etj. Etj, përqafuan idenë e fluturimit e të shërbimit inxhiniero-teknik të aviacionit.

Kur djemtë korçarë, ktheheshin nga studimet që kryenin në Bashkimin Sovjetik rrjedhojë e moshës së re, fizikut të përzgjedhur me kujdes të shoqëruar me bukurinë mashkullore si dhe uniformës së aviacionit ku shndritnin aksesorët dhe ngjyrat, bënin mjaft efekt në qytet dhe ishin një grishe e hapët e rinisë korçare për t’u bërë si ata. Ndonjë pilot, kur kryente manovra fluturimi, në lartësi të vogël nga toka, gati mbi pullazet e shtëpive, aq sa piloti në kabinën e aeroplanit, mund të vështrohej me sy të lirë, dhe me utërimën e motorëve shastiste qytetin mbarë kishim të bënim me një thirrje të hapët për ta ndjekur shembullin e tij e për t’u bërë pjesë e aviacionit shqiptar. Reflektimi i disa të rinjve ishte i menjëhershëm. Mjaft prej tyre, më të rinjtë në moshë, me të përfunduar mësimet e shkollës së mesme, sidomos ata të gjimnazit “Raqi Qirinxhi” drejtoheshin me kërkesën për të kryer lundrime ajrore, në shkollat ushtarake të aviacionit në Bashkimin Sovjetik. Koço Andoni, Bardhyl Taçi, Nehar Jazexhi, Kristaq Pici, Niko Isak, Fillota Koruni, etj. Ishin disa prej atyre që ndoqën shembullin e paraardhësve të tyre.

Më pas u rendit dhe Petrika me bashkëmoshataret që plotësonin kushtet e kohës për të qenë pjesë e aviacionit ushtarak të Shqipërisë; anëtare e Grupimit të Traktatit të Varshavës.

Petrika Kostani e donte shumë vendlindjen, Korcen aq shumë të dëgjuar si djep i kulturës kombëtare dhe vend i njerëzve të gjezdisur e të parë. Ai donte shumë familjen e origjinës, dhe atë që formoi vetë në vitet që pasuan; donte me shpirt vëllezërit e motrat me të cilët u rrit duke shfrytëzuar pelenat dhe petkat e njëri-tjetrit e duke ndarë çapën e bukës. Dashuria e tij për tokën e të parëve dhe për bukuritë e rralla të natyrës shqiptare, ishte emocionuese dhe e rrallë. Vajtjet, për t’u freskuar anës gjolit të Pogradecit, shëtitjet në natyrë për të cilat “vdiste” dhe shkelja me këmbë e trevës së Korçës, e frymëzuan e i çelën horizont djaloshit të xha Kicos, për të parë dhe bukuritë e rralla të trevave të tjera të vendit. Duke shfrytëzuar pjerrësinë natyrale të kodrave mbi qytet dhe të dy rrugëve që “varën” teposhtë nga kodrat e Shën Thanasit, në stinën e ftohtë, kur qyteti ishte i mbuluar nga bora dhe nga akulli, Petrika rrëshqiste mbi ca slita, të cilave vendasit u thonë “qeroska” ose, rëndom, quheshin “ski bythe”. Një emërtim të tillë, slita e merrte nga fakti i thjeshtë se fëmijët që rrëshqisnin mbi to, uleshin, ndenjur e ashtu rrëshqisnin.

Sportet dimërore, të cilat, në atë kohë ushtroheshin më tepër me dëshirë sa me mjete, ishin të preferuarat e Petrikes buçko, të shkathët e guximtar. Zaten, sportet dimërore, aq të preferuara për rininë Korçare, në këtë trevë e kanë “folenë” e ushtrohen masivisht. Patinazhi, rrëshqitja me slita primitive dhe me ski, të cilat ishin luks, për atë kohë e me zor gjendeshin, në familjet e të kamurve ose të atyre që vinin nga emigracioni në vendet e zhvilluara Perëndimore.

Në verë, kur edhe në Korçë të përvëlon vapa, djemkat korçarë, nuk e duronin dot vapën dhe freskoheshin në vendin e quajtur “Gryka” ku, rinia vendase, duke ngritur prita, kishte krijuar kushte për grumbullimin e ujërave që buronin nga përrenjtë që formohen në faqen Perëndimore të Malit të Moraves dhe nga burimet malore përqark. Bazë mëhallë dhe sipas shoqërisë, djemtë adoleshentë korçarë, mes tyre dhe Petrika, kalonin disa orë duke u freskuar në ujërat e pastra që buronin nga mali e ktheheshin në ujëmbledhës artificial.

Mirëpo, kur ngjitej në mal për shëtitje, apo kur shkonte për të mbledhur lajthi, si dhe në ditët e nxehta, Petrika kthehej në shtëpi, kur vapa kishte rënë e moti ishte freskuar. Kur afrohej mbrëmja e Petrika nuk ishte kthyer në shtëpi, të tijtë merakoseshin shumë e shqetësoheshin. Xha Kicua, Nënë Gjeorgjia, motrat dhe vëllezërit, të shqetësuar nga vonesa e vëllait të madh (i cili, në atë kohë nuk ishte aq i rritur), pritnin ardhjen e tij, tërë ankth e mërzi. Kishte raste kur, nga padurimi i pritjes së gjatë, Kicua dhe Jorgjia dilnin nëpër mëhallë e pyesnin nëpër familjet e shokëve të Petrikes, nëse ishte kthyer me shokët djalka i tyre dhe ku e kishte lënë Petriken. Përmasat e shqetësimit, në disa raste merrnin përmasa të mëdha e situata normalizohej kur Peçi, i lodhur e i raskapitur, “i përhumbur” pas lodrave ose shëtitjeve në natyrë, trokiste në derën e oborrit e shfaqej përpara familjarëve të shastisur nga meraku për të.

Kur i jepej mundësia, Petrika bënte ski këmbë, me ski të ardhura kryesisht nga Amerika. Bilardua ishte një hobi tjetër për Petrika Kostanin. Ai luante mjaft mirë bilardo, sidomos në shoqërinë e Thoma Leres. Aso kohe, në qytetin e Korçës, funksiononin mjaft bilardo dhe Petrika ishte frekuentues i rregullt i tyre.

Pasionin për të rrëshqitur me patina e me ski, Petrika e ushtroi më tej, në kohën kur vajti në Shadrinsk (Bs) ku gjeti kushte më të mira për ta zhvilluar më tej e për ta ngritur cilësisht këtë lloj sporti. Duhet thënë se Petrika, gjatë kohës kur studionte aeronautikë, në Shadrinsk e më pas, në Krasnodar, ishte instruktor i rrëshqitjeve mbi akull e mbi dëborë, për shokët e grupit ku bënte pjesë. Për fat të Tij dhe të shokëve, edhe në Mancuri ku Petrika vajti për të mësuar teknikën e pilotimit, mundësitë për të bërë patinazh ishin mjaft të mira dhe pjesëmarrja e njerëzve në këtë lloj sporti dimëror ishte masive. Si në Cin Zhou dhe në Sui Xun, krahas mësimit të fluturimit, Petrika ushtroi dhe sportin e rrëshqitjes mbi akull. Them të rrëshqitjes mbi akull, për arsye se në atë trevë, ndonëse temperaturat e mjedisit arrinin në -25 gradë celsius, dëbora ishte vizitore e rrallë.

Le t’i kthehemi fëmijërisë dhe procesit mësimor që përcolli Petrika Kostani, në qytetin e tij të lindjes; në Korçë: mësimet e shkollës fillore, Petrika i përcolli në mëhallën e lumit e më pas në shtëpinë e re ku u strehua familja e tij. Ai i nisi mësimet e shkollës fillore në vitin 1948; fillimisht në shkollën me emrin “8 nëntori” e kur kjo shkollë u bashkua me atë “24 Maji”, Petrika vazhdoi të mësonte në shkollën e bashkuar. Në shkollën e re, të bashkuar, Petrika ndoqi mësimet fillore dhe ato shtatëvjeçare (unike), siç thuhej në atë kohë. Mësimet e shkollës së mesme, Petrika Kostani i përcolli në gjimnazin e qytetit të Korçës, i cili mbante emrin: “Raqi Qirinxhi” dhe ishte shkollë “elitë” në vendin tonë. Djali i madh i Kicos, gjatë viteve të gjimnazit, ashtu si dhe më parë, kishte tregues të lartë cilësorë, falë zgjuarsisë së tij natyrale e cila i jepte Atij mundësi t’i kapte mësimet që në kohën kur i shpjegonte pedagogu dhe, me një përsëritje të thjeshtë në shtëpi, ishte i gatshëm të përgjigjej, kur ta pyeste pedagogu, të nesërmen. Më tepër se rezultatet në mësime, tek Petrika Kostani, binte në sy ndjenja e tij komunitare dhe sjellja adekuate.

Petrika ishte mjaft i sjellshëm, në mjediset e shkollës dhe i donte, ashtu siç e donin shumë shokët e shoqet e klasës dhe të shkollës, por Ai nuk ishte “ujë i ndenjur”. Në kohën e lirë, pas mësimit, Petrika, në përbërje të shokëve, ishte mjaft aktiv në veprimtaritë që zhvillonte klasa e tij dhe gjimnazi “Raqi Qirinxhi”. Fiziku, shkathtësia, sjellja dhe kontributet që jepte në lojërat e ndryshme, i jepnin Atij pozicione lideri, të cilat nuk para i kishte qejf.

Ardhja në shkollën e mesme të Korçës e Thoma Leres (Maqos), të cilin Peçi e kishte shok fëmijërie dhe mik të familjes, e gjallëroi së tepërmi jetën sociale të Petrika Kostanit. Ata nuk ndaheshin kurrë nga njëri-tjetri dhe së bashku mësonin, tok luanin e bënin prapësi të moshës. Në vitet e gjimnazit, dy të rinjtë me karaktere të përafërt, u lidhën më fort me njëri-tjetrin dhe, siç i thonë rëndom: “ishin vazhdim e plotësim i njëri-tjetrit”. Petrika duke luajtur vazhdimisht bilardo u bë lojtar cilësor e matej me të rinjtë më të mirë të qytetit të Korçës.

Në biseda mes tyre, duke u frymëzuar nga një situatë proaviacionit që sundonte në radhët e të rinjve të qytetit të Korçës, të dy shokët e ngushtë: Petrika Kostani dhe Thoma Lera shpesh flisnin për aeronautikën dhe i pohonin njëri-tjetrit vullnetin për t’u bërë aviatorë. Meqenëse dëshirat e tyre puqeshin, një ditë me fat për ta, ata iu drejtuan, me kërkesë të shkrojtur organeve kompetente të Ushtrisë Popullore në rreth, që t’u krijohej mundësia për të shkuar në shkollën ku mësohej shkenca e aeronautikës. Organi ushtarak i rrethit e përcolli më tej kërkesën e dy të rinjve dhe një ditë të bukur ata morën njoftimin se kërkesa e tyre ishte pranuar dhe se, brenda muajit gusht të vitit 1959, mbasi të kishin kryer analizat dhe këqyrjet mjekësore në Tiranë, do të niseshin për të studiuar në shkollat sovjetike të aviacionit ku do të bëheshin aviatorë. Kaq mjaftonte që njoftimi i gëzueshëm të pushtonte mëhallën dhe të bënte të gëzuar dy protagonistët, familjet e tyre dhe gjithë farefisin e të dy djemve – shokë të pandarë. Atyre u buzëqeshi fati; të dy nuk do të ndaheshin as në të ardhmen dhe se do të studionin së bashku. Ishte muaji gusht i vitit 1959.

Shtëpia e Kico Kostanit u shndërrua në një arenë entuziazmi e gëzimi të paparë. Gëzonte vetë Petrika, i cili nuk dinte si ta shfaqte atë që ndjente përbrenda. Herë kërcente pupthi, herë përqafonte Baba Kicon, Mama Gjeorgjine, motrat dhe vëllezërit më të vegjël. E dinte se malli do ta kaplonte shpejtë, por kur mendonte se kur të kthehej do të ishte më i rritur, më i pjekur e më i bukur. Prandaj, nuk e fshihte gëzimin, ajo fytyrë e qeshur e gjithë nur. Petrika e përjetoi hareshëm këtë njoftim fatlum dhe bërtiste e qeshte, me të madhe, duke dhuruar një atmosferë festive tek të gjithë familjarët që ishin të pranishëm.

Petrika ishte në “qiellin e shtatë” e nuk dinte ke të falënderonte për këtë mirësi. Ai gëzohej jo vetëm për faktin se do të studionte në një vend më të zhvilluar e në një profil të dëshiruar, por dhe për faktin se nuk do të ndahej nga shoku i tij i ngushtë, nga Maqua, ndonëse, siç rezultoi, do të studionin në profile të ndryshëm.

Në mes të gushtit të vitit 1959, të dy shokët, të përcjellë me dashuri e me urimin që të dilnin mirë në vizitat mjekësore, u nisën për në Tiranë, ku do t’i nënshtroheshin vizitave dhe analizave mjekësore e në përfundim do të kalonin përpara komisionit ushtarak mjekësor, i cili do të përcaktonte aftësinë e njërit dhe të tjetrit, duke përcaktuar dhe profilin e secilit. Siç rezultoi nga konkluzionet e komisionit ushtarako-mjekësor Petrika Kostani do të studionte për aviodrejtues ajror kurse Thoma Lera, do të studionte për t’u bërë specialist i aviacionit në fushën e instrumenteve tregues të aeroplanit.

Ishin vitet kur Shqipëria bënte pjesë në vendet e Traktatit të Varshavës. Sipas planeve ushtarake të këtij grupimi aviacioni shqiptar, në përbërje dhe në shërbim të aviacionit luftarak të vendeve të këtij grupimi, do të zgjerohej e do të furnizohej me aeroplanë të rinj. Petrika u caktua të fluturonte si aviodrejtues ajror, në aeroplanët bombardues të frontit, të tipit Il-28. Shkolla për mësimin e këtij profesioni delikat ndodhej në qytetin Siberian të Shadrinskutt, i cili ndodhej në Lindje të maleve Urale. Bashkimit Sovjetik, në atë kohë, dhe vite më parë i ishte bërë reklamë e madhe, nga partia në pushtet si vendi drejtues i Kampit të Socializmit e, për rrjedhojë, çdo i ri i vendit tonë, i mikluar nga reklama marramendëse e asaj kohe, ëndërronte dhe e ndjente veten të privilegjuar të studionte në këtë vend.

Pas analizave dhe këqyrjeve mjekësore, të cilat u kryen në gjysmën e dytë të muajit korrik 1959, kandidaturat për t’u nisur për studime ushtarake në shkollat sovjetike të aviacionit u grumbulluan në një repart ushtarak, në periferi të metropolit shqiptar, ku qëndruan 3-4 ditë, në pritje të nisjes për atë lundrim të paprovuar, drejt “tokës së premtuar”. Në grupin ku bënte pjesë Petrika Kostani numëroheshin 16 kandidatura, të përzgjedhura me fizik të mirë e me shëndet siç kërkohej dhe, domosdo me biografi të përshtatshme. Në këtë grup djemsh azganë, bënin pjesë: Petrika Kostani; Zhulian Popa; Flamur Dede; Hivzi Minxha; Perlat Lako; Mentor Rrugia; Sabri Ciku; Besnik Hashorva; Ylber Laknori; Llazi Rrapi; Spiro Mocka; Jorgo Tabaku; Jorgaq Çipi; Viktor Vangjeli; Kozma Sinjari dhe Enver Muca. Djemtë 18-19-vjeçarë ishin përzgjedhur nga radhët e maturantëve të shkollave të mesme të 10 rretheve të vendit. Prej tyre, 3 djem adoleshentë vinin nga rrethi i Korçës. Atë vit shkuan në Bashkimin Sovjetik edhe të tjerë djem korçarë si: Vangjel Llazari; Vangjel Baba; Niko Lubonja; Thoma Lera; Anesti Pojani; Pandi Buci etj. Farën e dashurisë për aviacionin, tek të rinjtë korçarë e kishin mbjellë në vite disa nga “korifejtë” e aviacionit shqiptar si Vasil Trasha; Peço Polena; Vaske Kosti; Vasil Qeraxhi; Niko Papavangjeli; Raqi Sevo; Andon Koroveshi; Stefanaq Stratobërda; Dhimitraq Terpini; Qirjako Trebicka; Niko Isak; Kristaq Pici; Fillota Koruni; Guri Panariti; Petrika Manastirli; etj, etj. Dëshira për të fluturuar tek mjaft të rinj nga Korça e atyre viteve ishte shndërruar në një puhizë të lehtë, e cila i ngjante një epidemie që rroku mjaft adoleshentë.

Në gjysmën e dytë të muajit gusht të vitit 1959, grupi i Petrikes dhe kandidatë të tjerë për studentë të profileve të tjerë, me një kamion ushtarak, të pajisur me stola druri e me një mushama sipër, si tendë, u nisën për në qytetin port të Vlorës. Ato ditë, në prag të nisjes për atë lundrim të gjatë, në një mjedis ushtarak, përpara djemve mbajti një fjalim patetik, një ushtarak me gradë të lartë, i cili mbante funksione drejtuese në Ushtrinë Popullore.

Në atë ligjëratë oratori u mëshoi fort lidhjeve miqësore të pathyeshme që ekzistonin midis Vendit tonë dhe mikut të madh. Në këtë fjalim patetik me superlativa u evokua roli i themeltarëve të kësaj miqësie. Kandidaturave, si djem të rinj e pa përvojë jete, shtetari u dha udhëzime, si ta ruanin këtë miqësi, si gjënë më të shtrenjtë dhe si të silleshin në shkollë e në qytetin ku do të shkonin. Oficeri i lartë, nuk la pa përmendur profesionin e vështirë por të lavdishëm të aviatorit, dhe e vuri theksin tek domosdoshmëria e impenjimit e tek perfeksionimi i tyre në këtë ndërmarrje të nderuar.

Pas këtij “karikimi” shpirtëror dhe kur kishin marrë këshilla me vlerë nga një i besuar i Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë Socialiste, grupi i 18-vjeçarëve, në buzëmbrëmjen e 17 gushtit të vitit 1959, të ngarkuar në anijen ushtarake sovjetike “Irgiz”, e cila transportonte kryesisht mallra dhe turistë sovjetikë, u nisën nga porti detar i Vlorës në drejtim të portit sovjetik të Odesës, i cili ndodhet në bregdetin Verior të Detit të Zi. Ishte koha kur midis kampit socialist e atij kapitalist, të udhëhequr nga dy superfuqitë zhvillohej një luftë e ftohtë, herë e tensionuar e herë më e zbutur, me synime të caktuara revanshiste nga të dy krahët. Djemtë do të kalonin disa porte detare, disa nga të cilët i përkisnin njërës palë e të tjerë palës së kundërt. Kuptohet, qëndrimi i kandidatëve për studentë ushtarakë nuk mund të ishte i njëjtë në porte të ndryshme.

Ndalesën e parë anija “Irgiz” me studentët shqiptarë në bord e bëri në portin e Pireut; në Greqi. Qëndrimi i anijes u bë thjesht për furnizimin me karburante dhe me ujë. Adoleshentët nga vendi ynë meqenëse ishin ushtarakë dhe me status të veçantë, nuk u lanë të zbrisnin në port, madje as të dilnin në kuvertë, me shqetësimin se mos pala greke do t’i pikaste që ishin ushtarakë dhe se do të mësonin destinacionin e lundrimit të tyre. Më tej, anija kaloi Dardanelet dhe ngushticën e Bosforit ku qëndrimi i pasagjerëve ishte i padëshiruar. Në portin e Varnës e në atë të Kostancës, të cilët u përkisnin dy vendeve socialiste me të cilët vendi ynë ishte i lidhur me miqësi të ngushtë, ashtu si me Bashkimin Sovjetik, djemtë tanë gëzonin tjetër status; atë të “mikut”. Pas një lundrimi relativisht të gjatë, katër ditë e netë bashkë, anija “Irgiz” u ankorua në portin detar të Odesës dhe djemve tanë, u dha mundësia të zbrisnin në breg e të akomodoheshin në një shkollë ushtarake sovjetike, e cila shërbente si “shtëpi pritje” për të sapoardhurit në territorin e Bashkimit Sovjetik.

Petrika Kostani, ashtu si shokët e tij në atë lundrim “shprese”, deri atëherë nuk kishte bërë ndonjë rrugë ujore analoge, por, falë fizikut të tij të mirëformuar, shëndetit të plotë dhe “statusit” të sportistit cilësor, e supertoi mjaft mirë lundrimin e gjatë dhe nuk pati problem me shëndetin, sikur ngjau me ndonjë bashkudhëtar të tij.

Në shkollën ushtarake sovjetike të Odesës, e cila shërbente dhe si reklamë e atij vendi, të ardhurit rishtas për të studiuar në profile të ndryshëm e për t’u diplomuar oficerë të Ushtrisë Shqiptare, kaluan disa ditë dhe patën mundësi të njiheshin me qytetin bregdetar e me vlerat e tij muzeale. Ajo që i bëri më shumë përshtypje, Petrikes në atë shkollë ishin: rregulli, pastërtia, disiplina dhe kërkesa e fortë e llogarisë, të cilat, djemtë tanë i përjetuan me kënaqësi të paparë e disi me drojë të justifikuar. Sipas grupeve të specialiteteve ku do të përfshiheshin, të cilët ishin përcaktuar, akoma pa u nisur nga Shqipëria, studentët e ardhshëm, me një oficer sovjetik në ballë, i cili kryente detyrën e përkthyesit e të shoqëruesit dhe si ciceron, shëtitën nëpër qytetin e bukur e të bardhë të Odesës, i cili ka qenë port i hyrjes në territoret ruse që në lashtësi. Shqiptarët, kohë më parë, e kanë eksploruar këtë port, ku kanë gjetur kushte të përshtatshme për punë e për jetesë dhe kanë formuar ngulime shqiptarësh në këtë qytet të lashtë e të bukur, të ndërtuar duke respektuar orientimin e qytetit nga Deti i Zi, me rrugica të drejta, të gjëra e të pastra, me banesa të ngritura me gurë të bardhë, e me lartësi më të madhe se banesat që lanë në qytetet nga kishin ardhur, përfshi dhe Tiranën. Duhet thënë se adoleshentët shqiptarë, nuk e disponuan kohën e mjaftueshme për t’i parë mirë ato bukuri të rralla të qytetit port të Odesës, mbasi, sipas planeve të mikpritësve, ata duhet të niseshin sa më parë në destinacion e të nisnin vitin mësimor 1959-60 i cili “trokiste në derë”.

Herët në mëngjes, Petrika Kostani dhe shokët e grupit ku Ai bënte pjesë, zunë vend në një tren udhëtarësh të kohës e u nisën, me udhë të hekurt, për në Veri. Ata shkuan në Moskë, nëpërmjet Ukrainës. Udha e hekurt ishte e zgjatur (3 ditë e 3 netë), treni ishte i pajisur me vagona për fjetje. Shqiptarët u mërzitën disi nga rrugëtimi i gjatë, por patën shansin të vrojtonin fushat e pamata të pjesës Europiane të Rusisë dhe pjesën Lindore të Ukrainës. Djemve nga vendi ynë, të cilët ishin rritur apo kishin parë male të larta, “me kokë tek retë” në vendin tonë, tani u çelej përpara një tjetër panoramë. Ata vështronin fushë të pamatë e rrallë ndonjë lartësi që nuk i kalonte parametrat e një kodre nga ato të vendit tonë.

Në Moskë, në stacionin e trenave që vinin nga Jugu i priste një oficer, përfaqësues i Shkollës së Aviacionit të Shadrinskut, i cili do t’i shoqëronte studentët nëpër Moskë, ku fjetën 3 netë, në hotelin “Miqësia”. Oficeri sovjetik, i cili luante rolin e shoqëruesit dhe të ekonomistit do t’i përcillte djemtë nga Shqipëria, nëpërmjet hekurudhës, për në qytetin në Lindje të Uraleve. Aq sa ishte e mundur, djemtë e “padalë” shëtitën nëpër metropolin sovjetik, vizituan Mauzoleun Lenin – Stalin; panë Universitetin Lomonosov, Sheshin e Kuq e vende të tjera, të cilat i kishin parë vetëm në revista e nëpër filma propagandistikë të kohës. Ishte koha kur sovjetikët kishin rrëzuar një aeroplan zbulimi amerikan, të tipit U-2, të pilotuar nga piloti amerikan Pauers. Copat e aeroplanit të rrëzuar, i panë kandidatët për studentë dhe u karikuan. Të “karikuar” nga ato që panë dhe me interesin se do të shkonin në një shkollë të veçantë ku do të mësonin mjaft gjëra të reja, kandidatët për studentë, u nisën, po me udhë të hekurt, për në qytetin Siberian të Shadrinskut.

Petrika dhe shokët e tij të grupit do të studionin aerodinamikë në Shkollën e Aviacionit në qytetin e Shadrinskut, i cili ishte një qytet me përmasa të vogla, në anën Lindore të vargmaleve Urale. Zona ku shtrihej qyteti ku shkuan 18-vjeçarët shqiptarë i përkiste pjesës siberiane të Rusisë. Ishte fundgushti dhe në qytetin e Shadrinskut, si në të gjithë Siberine, kishte filluar të ndihej fresku i vjeshtës. Dimri po trokiste me të gjitha prurjet e tij. Tanët ishin të pamësuar me të ftohtit që po afronte dhe u përshtatën, me vështirësi e ditë pas dite. Në Shadrinsk, dimri është i egër e i tejzgjatur në kohë.

Si në të gjithë hapësirën siberiane. Djemtë nga Shqipëria, të mësuar me klimën mesdhetare, e kishin dëgjuar e tani po e provonin ashpërsinë e dimrit Siberian; ata u familjarizuan me vështirësi me këtë risi për ta, falë moshës së re të djemve dhe kushteve tejet të përshtatshme, për jetesë, për të studiuar e për t’u stërvitur, adoleshentët nga Shqipëria ruajtën vitalitetin, u familjarizuan shpejt me kushtet dhe me njëri-tjetrin.

Sipas shijeve dhe karaktereve, ata, duke ruajtur unitetin dhe kompaktësinë si grup, shpejt formuan nëngrupe më të vogla shoqërore, të cilët, me kalimin e ditëve, e justifikuan veten dhe u konsoliduan.

Shkolla e Aviacionit e qytetit të Shadrinskut, ishte e vetmja e këtij lloji në tërë hapësirat ruse. Ajo përgatiste oficerë, aviodrejtues ajrorë për Aviacionin Shqiptar, i cili, në planet e qarqeve drejtuese ushtarake të Traktatit të Varshavës vështrohej me perspektivë e si faktor fuqizimi të Aleancës ushtarake. Besoj se është e panevojshme të përshkruaj kushtet e jetesës, të studimit e të argëtimit, që sundonin në institucionin arsimor ku studionin tanët. Duke gjykuar nga kushtet që ishin të pranishme në shkollat e tjera dhe në atë ku kam qenë i pranishëm, si dhe nga rrëfimet e Petrikes e të shokëve të tij të grupit, shpreh bindjen e plotë se edhe në shkollën e aviacionit të Shadrinskut, nuk kishte gjasa të kishte kushte më të dobëta. Këtë mendim ma përforcon kujdesi i jashtëzakonshëm që bënin rusët për ushtrinë e tyre e në veçanti për aviatorët dhe nga fakti se studentët e kësaj shkolle ishin nga një ushtri e nga një vend tjetër, anëtar i Traktatit të Varshavës.

Ndoshta do të më duhet të theksoj e të sqaroj në disa rreshta, për kureshtarët, një lloj “garë” të heshtur që zhvillohej mes studentëve të të njëjtit grup, të cilët, në fund të fundit ishin shokë e bashkatdhetarë në një vend të huaj, si e si të tërhiqnin, në shoqëri të ngushtë Petrika Kostanin. E dini përse? Ua them unë dhe me siguri të plotë: Petrika Kostani ishte qytetar i mirëfilltë dhe kishte një kimi çuditërisht vepruese e të lakmuar. Ai ishte lindur e ishte rritur në Korcen e mirënjohur nga të gjithë. Si qytetar korçar- 24 karat, Petrika përfaqësonte një adoleshent të mirëedukuar e me kulturë të mirëfilltë qytetare. Për shkak të rrethanave të vështira të rritjes (pas humbjes së Nënës biologjike), Petrika Kostani kishte pasur shansin të piqej para kohe dhe këtë e reflektonte, si në paraqitje dhe në sjellje.

Kryefjalë e qëndrimit të tij në shoqëri ishte sinqeriteti, dashamirësia dhe korrektësia.

Shokët e tij të grupit, me disa përjashtime; (Enver Muca- tirons dhe Jorgaq Çipi- korçar) ishin të ardhur nga fshati dhe sollën me vete psikologjinë dhe mentalitetin e fshatit të tyre dhe të krahinës nga kishin ardhur. Ata mësuan nga Petrika: si të visheshin bukur; si të silleshin në klasë; në shkollë e në qytet; si të vallëzonin e si të kishin marrëdhënie njerëzore me vajzat etj.

Shkenca e aeronautikës është jo vetëm e gjerë por dhe e vështirë për t’u përvetësuar. Në të pleksen disa disiplina shkencore të cilat kërkojnë njohuri e rigorozitet shkencor gjatë zbatimit në praktikë. Prej Petrikes, shokët e grupit mësuan dhe si të ishin kërkues për t’u futur thellë në literaturën shkencore, duke shfrytëzuar bibliotekën e pasur të shkollës dhe për të përftuar nga niveli tepër i lartë i pedagogëve të cilët ishin shkencëtarë të mirëfilltë. Petrika dinte të lante e të hekuroste teshat; me kohë mësoi dhe të riparonte e të qepte, nga e para, petkat e tij dhe të shokëve. Siç është e njohur, adoleshentët e moshës së Petrikes shkonin me shumë dëshirë në mbrëmjet e vallëzimit që organizoheshin herë pas here, sidomos në mbrëmjet e të shtunave në Shtëpinë e Kulturës së ushtrisë e gjetkë. Ata, në këto mbrëmje ku pjesëmarrja e vajzave të moshës së tyre dhe më të rritura në moshë, prezantoheshin e zinin shoqëri me kategori të ndryshme vajzash.

Janë të njohura tendencat e vajzave ruse të pamartuara, për t’u njohur e për t’u shoqëruar, pse jo, po t’u ecte dhe për t’u martuar me të huaj. Për shkak të disa afërsive dhe psikologjisë së përafërt me djemtë tanë, në sytë e vendaseve, shqiptarët ishin të preferuar. Shprehja: “Me ty shkoj edhe në fund të botës”, tek vajzat e qytetit të Shadrinskut ishte e pranishme rëndom. Adoleshentët nga vendi ynë, shkonin në këto mbrëmje vallëzimi, të pastër, të rregullt në paraqitje, të kapardisur e me shumë aksesorë që zbukuronin uniformën e daljes së lirë. Qëllimi i vetëm ishte të ishin sa më të pashëm e të binin në sy të vajzave që frekuentonin këto veprimtari kulturore. Nga djemtë e grupit të studentëve ku bënte pjesë Petrika Kostani, nuk ngjau asnjë martesë e ndonjërit prej tyre, me vajza vendase, siç ngjau në grupe të tjerë.

Në qytetin e Shadrinskut e në rrethina, njerëzit i përcillnin ditët më të shumta të vitit, duke vrojtuar e duke ecur mbi qilimin e bardhë të dëborës, e cila nuk shkrinte veç në verën e shkurtër. Kësisoj, në atë ftohtësirë të acartë, në rrugë vështroje shumë pak njerëz, të veshur trashë e të mbështjellë brenda xhupave të tyre të ngrohtë, tek nxitonin për në punë apo në vende ku bënin tregti. Vetëm në sallat e mbyllura e në vende të ngrohta dhe në sheshet ku bëhej patinazh e ku njerëzit rrëshqitnin me ski, vendi gëlonte nga zhurma dhe nga dinamizmi i të rinjve dhe i të rejave. Falë qenies nga Korça dhe zgjuarsisë e shkathtësisë vetjake, Petrika Kostani i zotëronte në perfeksion sportet dimërore dhe, në njëfarë mënyre Ai ishte trajner i shokëve të tij të grupit. Në kushtet e sallave të mbyllura e të ngrohta dhe në stinën e shkurtër të ngrohtë, Petrika, ushtrohej, cilësisht në lojërat e tjera sportive. Atij, në veçanti i pëlqente të luante volejboll, basketboll dhe të ushtrohej në vegla gjimnastikore.

Sapo u akomoduan në shkollë e veshën uniformën e kursantit sovjetik të aviacionit, Petrika dhe shokët e tij kërkuan të dilnin në qytet, për t’u orientuar me rrugët dhe për të mësuar vendndodhjen e institucioneve të ndryshme qytetëse. Të gjithë djemtë ishin të interesuar të mësonin vendndodhjen dhe oraret e punës së postë-telegrafës së vetme që ishte në atë qytet. Pikë postare kishte dhe në shkollë, por adoleshentëve nga vendi ynë u dukej, sikur, po t’i postonin letrat në postën e qytetit, ato do të shkonin më shpejt në destinacion. Teknika e celularëve, në atë kohë akoma nuk njihej dhe lidhja telefonike midis dy vendeve, thuajse ishte e pamundur, nga qyteti i Shadrinskut. Shtojmë këtu dhe mundësitë financiare të pakta të studentëve dhe pamundësia e komunikimit telefonik bëhej më e pranishme. Si praktikë, komunikimi nëpërmjet letrave, me Shqipërinë, në atë kohë zgjaste rreth 2 javë.

Si të shkëputur rishtaz nga familjarët dhe nga të dashurit e tyre, studentët nga vendi ynë, akoma pa nisur mësimet e vitit të parë dhe pa mësuar Gjuhën Ruse, siguruan letër, zarfa dhe mjete të tjera shkrimi dhe puna e tyre e parë, rezultoi të shkruanin e të nisnin letra për në Atdhe. Dërgimi i letrave në Shqipëri mori karakter fushate dhe i ngjante një epidemie, ku secili ishte i angazhuar për të shpalosur mallin që e digjte për ata që ishin më të dashurit e tyre. Veç të kishe mundësinë për t’i parë si mbusheshin tavolinat ku mësonin studentët nga vendi ynë, me letra e me zarfa të bukur, nga ata me anësi të zbukuruar me shirita dhe me stemën e bukur të shërbimit ajror, të stampuar mbi zarf. Kujt nuk i shkruanin letër rishtarët? Në ditët e para dhe në muajt e parë të shkollës, të shkruarit dhe dërgimi i letrave në Atdhe, ishte më i shpeshtë; me kalimin e kohës, në plan të parë dolën të tjera probleme. Djemtë u familjarizuan me shkollën dhe me regjimin e të mësuarit dhe iu përkushtuan më tepër këtyre angazhimeve.

Prandaj intensiteti i të shkruarit dhe i nisjes së letrave ra disi, por nuk u pakësua meraku për të mësuar, me imtësi, mbi shëndetin e familjarëve, të shokëve dhe në tërësi, mbi punët dhe jetën në vendin tonë.

Petrika Kostani ishte tepër i ndjeshëm. Jeta e Tij kishte rrjedhur jo siç do ta donte dhe e ndryshme nga jeta e shokëve që e rrethonin. Ai, vërtet rrugëtoi mijëra kilometra larg Korçës së tij të dashur ku u lind e u rrit, por mendjen e kishte atje. Pyeste në letra e për kë nuk pyeste. Letrat kolektive (drejtuar familjarëve të tij) dhe ato individuale ishin të mbushura me pyetje interesante lidhur me familjarët dhe shokët që kish lënë në Korçë si dhe për kushërinjtë që banonin në Orman Ciflig, ku Peçi ishte nip. Dhembshuria që ndjente Petrika Kostani si i rritur pa praninë e nënës biologjike, e bënte atë të interesuar për të ditur shëndetin e Nënë Gjeorgjisë dhe të Baba Kicos; pyeste për motrat e për vëllezërit më të vegjël, për xhaxha Llazon, vëllanë beqar të Kicos, i cili banonte së bashku me familjen e të vëllait; pyeste për motrat dhe vëllezërit më të vegjël, të cilët i donte shumë.

Vend të veçantë në letrat e Petrikes zinte interesimi i tij për Doniken, vajzën e Gjeorgjisë, të cilën Ajo e kish prurë me vete, dhe Petrika e trajtonte më mirë se motrat biologjike dhe ato nga Babai. Dobësi kishte Petrika për vëllanë 3-vjeçar, Thomane të cilin e donte mjaft, si më i vogli i shtëpisë e i vëllazërisë. Në letrat që dërgonte nga Shadrinsku e nga Krasnodari, Petrika Kostani, jo vetëm që pyeste për çdo gjë që lidhej me Thomane, por jepte porosi që, kur familjarët e tij t’i dërgonin letra, në to, të vizatonin në një fletë me vete dorën e Thomait dhe ta pyesnin Atë: çfarë lodre i pëlqente më shumë. A nuk kemi të bëjmë në këtë rast me një shembull që të frymëzon ku dashuria; dhembshuria dhe kujdesi i vëllait më të madh për më të voglin i kalon caqet e vëllazërisë? Interesante, plot dashuri e mall ishin letrat që Petrika u dërgonte kushërinjve nga Nëna, në Orman Ciflig. Njerëzit e Nënës biologjike; të së ndjerës Andromaqi, Ai nuk i ndante nga ata që kishte në Korçë.

Letrat që u drejtoheshin atyre njerëzve të mirë, kushdo që i lexonte, e kishte të vështirë t’i përballonte ato që shpaloseshin në faqet e shkruara, të cilat, nuk shkruheshin me penë, por me zemër. Nuk kishin të mbaruar letrat e Tij; Petrika pyeste jo vetëm për njerëzit por për çdo gjë që kishte të bënte me ta. Në letrat që dërgonte në Orman Ciflig, Nipçja që kishte shtegtuar larg, nuk harronte të pyeste dhe për Bardhon e tij të dashur; deri dhe për livadhin “Merga” ku kullosnin zakonisht kuajt e fshatit, nëse ishte rritur bari; për pellgjet ku freskoheshin në verë, për shtëpitë e rindërtuara, për pemët frutore mbi të cilat kacavirrej për të marrë kokrra, kur ato ende nuk ishin pjekur e për çdo gjë. Deri atje shkonte interesimi i Petrikes kur u shkruante letra familjarëve në Korçë sa pyeste edhe për qenin e tij besnik- Normen dhe për shokët me të cilët luante në rrugicat e mëhallës dhe për ata që i bashkëngjiteshin në pikniket e shumtë që bënte. Malli për vendlindjen dhe për Atdheun, në përgjithësi, jo vetëm që e mbante të lidhur Petriken me Shqipërinë, por shërbente dhe si motiv i shëndoshë, që e shtynte përpara në udhën që kishte zgjedhur.

Në çështjet e të thelluarit në studimin e teorisë së aeronautikës të cilën Petrika e kishte shumë për zemër, dukeshin qartë përpjekjet e tij përvetësuese, në ballë të shokëve. Ai, fluturimin e kishte ëndërruar që në fëmijërinë e tij, sidomos kur kalëronte me galop, mbi kalë e ishte në krye të karvanit, në përbërje të shokëve të tij, në livadhet e bukura të Orman Cifligut, mbi shpinën e Bardhos të tij bukurosh. Kushtet në shkollën e aviacionit të Shadrinskut, ishin nga më të mirat e mundshme dhe lejonin të thellohej në brendësinë e ligjësive që rregullojnë shkencën e lundrimit ajror. Kabinetet mësimore ishin të organizuara e të pajisura më së miri, me mjete e me objekte që të grishnin për të studiuar në mënyrë të thelluar ligjet e shkencës e të teknikës, biblioteka e pasur me literaturë shkencore nga shumë fusha të dijes, pedagogët me nivel të lartë shkencor e metodistë të përkryer dhe vetë mjedisi imponues, u përshtateshin më së miri dëshirave dhe prirjeve të adoleshentëve shqiptarë për t’u futur në hullitë e shkencës së lundrimit ajror.

Drejtuesit sovjetikë të procesit mësimor, që në fillim të vitit mësimor, ua bënë të qartë studentëve se ata do të përgatiteshin për të qenë aviodrejtues të ajrit; pra, puna e tyre do të ishte e mirëfilltë, punë inteligjente. Ata do të drejtonin fluturimet, duke u ndodhur vetë në ajër, në kabinën e aeroplanit dhe në kushte kur mjetet ndihmëse do t’i kishin të kufizuara. Them kështu mbasi vështroj sa të sofistikuara janë mjetet e sotme të orientimit ajror dhe sa të lehtë e bëjnë instrumentet ndihmëse, përllogaritjen e elementëve të ndryshëm të fluturimeve. Ata që e njohin këtë lloj shërbimi, nuk e kanë të vështirë të konkludojnë, po të bëjnë krahasimin, sa vuante një navigator ajri për të përcaktuar vendndodhjen e aeroplanit, mbi det, p.sh., duke pelenguar dy radiostacione të huaja. Shkenca me mundësi të pakufizuara, sot e ka thjeshtuar mjaft punën e navigatorit ajror; etj. Në kushtet konkrete të asaj kohe, porosia e drejtuesve të procesit mësimor ishte: “kërkohet ta keni kokën plot e reflekset vetëtimë, në mënyrë që të jeni në gjendje të orientoheni e t’i jepni zgjidhjen e duhur, çdo situate ajrore, në pak sekonda”.

Për ta bërë të mundur arritjen e këtij objektivi final, pedagogët shkencëtarë, të cilët drejtonin disiplina të ndryshme e vinin theksin, fort tek përpunimi i reflekseve të shpejtë dhe tek kryerja e përllogaritjeve të sakta, në ajër, përmendësh. Zgjuarsia natyrale dhe dëshira e zjarrtë për të fluturuar, ishin faktorë në anën e Petrika Kostanit. Prandaj, djali i madh i Kicos iu përfill punës për studimin e shkencës aeronautike pa neglizhuar asnjë element e në mënyrë të thelluar. Ai “shkëlqeu” në çështjet teorike të aviodrejtimit dhe, efektivisht meritoi pozicionin e liderit të pashpallur të grupit, vend, të cilin e kishte uzurpuar një partiak, i caktuar nga qendra. Në fakt, me vlerat që shpalosi edhe në studimin serioz të teorisë komplekse e të vështirë të lundrimit ajror, Petrika Kostani, shpejt, me meritë, mori në dorë frenat dhe, me punë e me sjellje konkrete Ai fitoi zemrat e shokëve të grupit, të cilët e donin e ia dëgjonin fjalën.

Në shkollën e aviacionit të qytetit të Shadrinskut, Petrika dhe shokët e tij të grupit qëndruan vetëm një vit. Gjatë kësaj periudhe, ata mësuan Gjuhën Ruse dhe përcollën procesin teorik për rritjen e nivelit të tyre shkencor. Në fund të vitit të parë, ata iu nënshtruan provimeve teorike dhe, me qëllim që të pushonin në grup i çuan në Stalingrad e në rrethina, për t’u njohur me atë qytet heroik, i cili, në vitet e Luftës së Dytë Botërore, me betejën e pashembullt në historinë e njerëzimit shënoi kthesën e luftës që zhvillonte koalicioni antifashist kundër hordhive naziste. Vajtja në Stalingrad, nuk ishte një shëtitje e thjeshtë për relaks por një pushim i menduar mirë e i organizuar deri në detaje. Djemtë panë natyrën e bukur, lumin ujëplotë e të lundrueshëm, Vollga e cila, në atë kohë ishte e ngrirë; muzetë që evokonin atë luftë heroike dhe dëgjuan rrëfimet e luftëtarëve që kishin marrë pjesë në Luftën e Madhe Patriotike të popujve sovjetikë. Vajtja në Stalingrad dhe veprimtaritë që përcollën atje, ngritën adrenalinën e djemve dhe rritën frymën e atdhetarisë tek adoleshentët nga vendi ynë, e cila u kthye në mobilizim për arritje të reja në vitin pasardhës, i cili do të kishte më tepër ngarkesë.

Në kohën kur djemtë do të nisnin vitin e dytë të shkollës, situata brenda Kampit Socialist kishte pësuar ndryshime cilësore. Partia e Punës e Shqipërisë kish dalë kundra “kopesë”, në disa drejtime të planit ideologjik e politik e nuk ishte dakord me vijën që ndiqte partia “mëmë” dhe ata që e pasonin qorrazi. Me qëllim që studentët ushtarakë të aviacionit nga Shqipëria, t’i kishin nën një regjim më të fortë kontrolli, studentët shqiptarë të të gjithë profileve, i grumbulluan në Krasnodar, ku u vendos të ishte qendra e shkollës së aviacionit dhe tre regjimentet të vareshin prej saj, edhe pse fluturimet në tipa të ndryshëm aeroplanësh dhe helikopterësh, zhvilloheshin larg qendrës.

Studentët e grupit ku bënte pjesë Petrika Kostani, në qytetin e Krasnodarit, do të nisnin vitin e dytë të shkollës, i cili ishte kryesisht vit i fluturimeve në rolin e aviodrejtuesit ajror, fillimisht në aeroplanët me helikë të tipit Li-2, e një vit më pas, në ata Il-28. Krisja që kishte nisur mes dy vendeve tona vinte duke u thelluar sikur të kishim të bënim me një thërrmim të një shkëmbi gëlqeror, nga lëkundjet dhe paslëkundjet e një tërmeti disaballësh. Nga rrafshi ideologjik, mosmarrëveshjet u shtrinë dhe në atë politik e shtetëror dhe nisi hakmarrja e “më të fortit” ndaj “më të dobëtit”. Petrika dhe shokët e tij, me “mendje të ngritur”, mbasi u hodhën jo një po dy herë me parashutë, nga një aeroplan An-2, mbi fushën e gjelbër të Krasnodarit, nga lartësia 800 m.

Në atë kohë, por edhe sot, aeroplani i lehtë i transportit An-2 mbetet avioni më i mirë për desantim nga ajri. Petrika nuk ishte trupmadh e me peshë trupore të madhe që të zinte vend në ndenjëset e para të bortit të aeroplanit por ishte diku nga mesi i grupit të desantimit prej 10 studentësh dhe doli nga dera e aeroplanit pa shqelmin e instruktorit të parashutizmit, në prapanicë. Gjatë përgatitjes në tokë ku mësuan elementët më të domosdoshëm të hedhjes me parashutë, duke filluar nga mënyra e veshjes së parashutës, nga mënyra e vendosjes së studentëve në avion, teknikën e hedhjes, manovrat në ajër me litarët e parashutës në situata të ndryshme ajrore, teknika e prekjes me tokën, mbledhja e litareve dhe e parashutës etj.

Hedhja e parë ishte e vështirë dhe e paprovuar dhe adoleshentët shkonin drejt së panjohurës, ca me qejf e ca prej zorit. Ajo rezultoi e suksesshme dhe Peçi e përballoi me dinjitet. Hedhja që pasoi, rezultoi më e vështirë. Studentët e kishin shijuar një herë atë “gjellë” e i dinin veçoritë dhe vështirësitë e asaj pune. Siç rrëfen njëri nga ata që u hodhën me parashutë atë ditë, studenti Flamur Dede, një tirons i qetë por që shpërthente papritur; mbasi iu hap parashuta, në hedhjen e dytë, nxori një cigare, nga pakëta që mbante në xhep, e ndezi dhe e piu me shije të veçantë. Dikush nga shokët, i sigurt se po shkonte drejt tokës, me kupolën e parashutës mbi kokë, nisi të fishkëllente; një tjetër u bërtiste shokëve; një i tretë tundëte shlemafonin në ajër etj. Emocionet dhe ngurrimi për t’u hedhur, tashmë kishin mbetur prapa, në kohë.

Pas këtij “riti” të domosdoshëm për fluturuesit, nisën fluturimet stërvitore. Në kabinën e aeroplanit mësimor Li-2, studentët e grupit të aviodrejtuesve kryen lundrime ajrore, në detyra të ndryshme e në distanca të largëta nga aerodromi i ngritjes, duke praktikuar bërjen e llogaritjeve të fluturimit, në ajër.

Kushtet klimateriko-tokësore që gjetën në Bregun Verior të Detit të Zi, i cili i përkiste rajonit Jugor të Kaukazit të Veriut, në hapësirat sovjetike, ishin më të buta e afroheshin me ato të vendit tonë Mesdhetar. Në shkollën e aviacionit në Krasnodar ishin grumbulluar dhe mjaft studentë të tjerë shqiptarë, të ardhur nga qyteti i Borisoglebsit, ku ishte mbyllur, për shqiptarët shkolla që mbante emrin e legjendarit Valerij Çkallov e cila përgatiste pilotë që fluturonin në aeroplanët gjuajtës-bombardues të tipave Mig. Një grup studentësh, të profilit teknik kishin ardhur nga shkolla teknike e Harkovit ku mësonin për t’u bërë teknikë helikopteri, radistë, armëtarë etj. Një grup pilotësh që kishin ardhur nga Shqipëria, pas mbylljes së Shkollës së Aviacionit në vendin tonë, pas dy katastrofave ajrore, do të mësonin pilotimin e aeroplanit bombardues Il-28, si dhe nga Regjimenti i Batajskut kishin ardhur një grup i vogël studentësh për pilotë, të piketuar për të fluturuar në aeroplanët e sofistikuar Jak-25. Studentët që u grumbulluan në shkollën sovjetike të aviacionit, në Krasnodar, vërtet vinin nga qytete që ndodheshin në rajone të ndryshëm të hapësirave sovjetike ku klima ishte e ndryshme, por, të gjithë, ishin shqiptarë dhe kishin në zemër Shqipërinë. Në radhët e tyre sundonte atdhetarizmi dhe ishin të thekur për të përfaqësuar denjësisht vendin e tyre dhe për të mbrojtur interesat e tij, në çdo rrethanë.

Studentët shqiptarë, të mbledhur në shkollën e aviacionit, në Krasnodar, u lidhën shpejt me njëri-tjetrin dhe siç ndodhte rëndom në ato vite, me ata që ndodheshin larg vendit të tyre, sapo njiheshin me njerëzit, vërshonin pyetjet: “Nga të kemi?” “A e njeh ‘x’ e ‘y’?” etj., etj. Disa, për shkak të rrethanave të njëjta njiheshin me njëri-tjetrin qysh më parë. Studentët që ishin në procesin e të mësuarit të pilotimit në aeroplanët bombardues të frontit: Robert Marko; Vaske Nikolla; Shuaip Nurja; Baftjar Metaj; Myrteza Arapaj etj, të cilët e kishin nisur karrierën e pilotit qysh në vendin tonë kur fluturonin me aeroplanët Mig-15, në Poro dhe më parë, në aerodromin e Qytetit “Stalin”. Ata njiheshin dhe me studentë të tjerë që kishin kaluar nga e njëjta udhë por, pas disa muajve qëndrimi në Krasnodar, kaluan në qytetin provincial të Kushovskës, ku ishte vendosur një regjiment i shkollës së Krasnodarit dhe studentët për pilotë gjuajtës-bombardues të cilët fluturonin në aeroplanët Mig-17. Disa prej tyre ishin nga qyteti i Korçës. Të tillë ishin: Niko Lubonja; Vangjel Llazari; Vangjel Baba; Pandi Buci; Anesti Pojani; etj.

Petrika Kostani, i cili vijonte procesin e të mësuarit të profesionit të nderuar e shumë të domosdoshëm të aviodrejtuesit ajror, falë tipareve të njohura e të mirëpranuara nga studentët shqiptarë, shumë shpejt u bë i lakmuar nga interesimet e studentëve të profileve të ndryshëm për t’u lidhur me miqësi shokësh, me djalin e madh të Kico Kostanit. Kjo dukuri pozitive i kapërceu kufijtë e grupit të shturmanëve e u shtri edhe tek studentët e profileve të tjerë. Të interesuarit për shoqëri me të ishte rezultat i njohjes së drejtpërdrejtë e të shpejtë të tyre me Petriken por dhe i opinionit të shëndoshë që sundonte në komunitetin e studentëve aviacionistë, për atë njeri.

Ndërkohë, Petrika dhe shokët e tij të grupit, pas një përgatitjeje të shkurtër teorike dhe pas hedhjes me parashutë, dy herë, nga lartësia 800 m mbi nivelin e detit, me aeroplanin An-2, si kusht sine qua non, kishin nisur fluturimet me aeroplanët dymotorësh me helikë Li-2. Aeroplani në fjalë ishte i përshtatshëm për të mësuar aeronavigimin nga ajri dhe për ajrin, për vetë karakteristikat e tij fluturuese dhe duke gjykuar nga pajisja e tyre me mjete navigacioni, në bord. Disa të dhëna taktiko-teknike të tij ishin: Shpejtësia instrumentale = 500 km/orë; tavani praktik i realizuar = 7000 m. Etj. Në hedhjen e dytë me parashutë, nën drejtimin e instruktorit sovjetik të parashutizmit, me studentët e grupit të Petrikes, ndodhi një habi, e pangjarë më parë. Tiransi Flamur Dede, një njeri tepër interesant e misterioz, i cili anonte nga menefregua, një duhanpirës klasik e i thekur, ndezi dhe e piu cigaren, gjatë rënies në tokë.

Nga kjo që ngjau, nuk mbeti njeri pa bërë të habiturin, kur e mësoi këtë ngjarje të pazakontë. Atë ditë, nuk u hodh me parashutë vetëm studenti durrsak Perlat Lako, i cili u pikas nga mjeku gjatë vizitës mjekësore para hedhjes se ishte me hipertension.

Prilli i vitit 1961, ishte muaj i fluturimeve intensive. Herët në mëngjes, fusha e blertë e aerodromit të Krasnodarit, gumëzhinte nga zhurma e motorëve të aeroplanëve Li-2, të cilët, kur viheshin në regjimin e ngritjes e më pas në atë të marrjes së lartësisë, e shtonin utërimën dhe gjëmimin sa zgjonin qytetin të tërë dhe rrethinat afër tij. Studentët shqiptarë të grupit të Petrikes, ata që nisën fluturimet, qysh në ngritjet e para në ajër dëftuan se ishin të përgatitur seriozisht, nga ana teorike, për të përballuar lundrimin ajror, jo thjesht si një pasagjer kurioz, por si shturmanë ajrorë, të cilët duhet të bënin përllogaritje të fluturimit, të sakta e të shpejta mbi bazën e kërkesave shkencore. Detyra e shturmanit fluturues është komplekse e nuk mund të kryhet nga kushdo. Përgatitjes serioze teorike të djemve u përgjigjej dhe një zgjuarsi e shkathtësi e lindur e shoqëruar me shumë përkushtim. Ndryshe nuk mund të kryhej detyra e vështirë e përcaktimit shpejt të vendndodhjes së aeroplanit, me mënyra të ndryshme dhe me mjetet që ishin në dispozicion, në kohën kur toka nuk dukej dhe kushtet e motit ishin të ndryshueshme.

Një shturman ajror i saktë, duhet të dinte të shfrytëzonte në perfeksion mjetet tokësore të navigacionit: prurëset, pelengatorët, llokatorët dhe përvojën e fituar. Një shturman i tillë, në çastin e duhur i dëfton pilotit (ekipazhit) në ajër drejtimin e nevojshëm të fluturimit dhe mënyrën e korrigjimit të shmangjeve të mundshme, mbi bazën e shpejtësisë dhe të drejtimit të erës. Gjatë zbatimit të detyrave të përdorimit luftarak të aviacionit, detyrë kryesore e shturmanit ajror është nxjerrja e ekipazhit mbi objekt, në kohën dhe në drejtimin e nevojshëm dhe përpunimi i manovrës për të bërë qitje e bombardime me precizion. Në zhargonin e përditshëm, shturmanët, me të drejtë janë cilësuar si inteligjencia e ajrit, për arsyen e thjeshtë se puna e tyre është me mend e me llogari të sakta, me ndihmën e instrumenteve dhe me mend.

Petrika Kostani, i veçuar për inteligjencë të lindur dhe i pajisur me bagazhin teorik që akumuloi në procesin teorik që zhvilloi në shkollën e aviacionit në Shadrinsk e në Krasnodar dhe me dëshirën pakufi për të fluturuar, i përcolli fluturimet ajrore me seriozitet maksimal dhe me tregues cilësorë pozitivë. Petrikes dhe shokëve të tij të grupit u takoi fati i keq, të mos e shkelnin vendin tonë, dy vjet rresht. Në pushimet që kishin gjatë procesit mësimor, atyre, pa përjashtim u mungonte shumë Shqipëria, qyteti apo fshati i tyre i lindjes, familja, farefisi dhe shoqëria. Ata i çuan për të pushuar e për t’u relaksuar në qytetin heroik të Stalingradit dhe në vende të tjera. Kushtet për të mësuar e për të jetuar në shkollë, ishin të niveleve të larta, studentët nga Shqipëria ishin, siç thuhet: “Si veshka në mes të dhjamit”, por atyre nuk u hynin në sy; malli për të tyret i kishte përvëluar ata prandaj sa herë u shkonte mendja tek ata që kishin lënë në Shqipëri, lotët u buronin çurkë e psheretima nuk u pushonte. Këtë e vështroje, në qëndrimin e tyre të tulatur e në letrat plot mall që dërgonin.

Më shumë e vuanin këtë gjendje ata që e kishin ndjeshmërinë më të madhe dhe në veçanti ata që kishin ndonjë brengë në zemër, siç ishte rasti i Petrika Kostanit. Adoleshentët e grupit të Petrikes, ashtu si gjithë të ngjashmit, tek çdo shok grupi vështronin Shqipërinë, dhe malli për të tyret, i afronte e i lidhte më fort djemtë me njëri-tjetrin.

Në kulmin e përgatitjes ajrore, pikërisht në kohën kur studentët e grupit të shturmanëve fluturues, po përfundonin programin ajror të fluturimeve me aeroplanët Li-2 dhe po përgatiteshin për të kaluar në aeroplanët reaktivë Il-28, një urdhër i papritur ogurzi i udhëheqjes qendrore sovjetike, në mënyrë ultimative, urdhëronte ndërprerjen e procesit të stërvitjes dhe nisjen për në Shqipëri, të të gjithë studentëve ushtarakë shqiptarë. Sipas Këtij ultimatumi, të gjithë studentët shqiptarë të aviacionit, brenda 48 orëve, duhet të kishin lënë hapësirat sovjetike. Marrëdhëniet ideologjike dhe ato politike, të ndera, ishin shtrirë dhe në planin shtetëror midis vendit tonë dhe Bashkimit Sovjetik. Një paudhësi e paparë, një krim monstruoz, pasojat e të cilit binin drejtpërdrejt, mbi supet e adoleshentëve, të cilët u masakruan duke u ndërprerë studimet e për rrjedhojë – të ardhmen e tyre. Planet ushtarake të Traktatit famëkeq të Varshavës, për të ngritur baza ajrore të fuqishme në vendin tonë, për llogarinë e tyre, kishin marrë fund, njëherë e mirë. Ëndrra e djemve që përgatiteshin për t’u bërë shturmanë fluturues ashtu si dhe synimet e studentëve të profileve të tjerë, kishin pësuar “fiasko”.

Politika e nënshtrimit e “fuqisë së madhe” e cila, deri atëherë kishte ushqyer të çarën, tashmë e kishte hedhur helmin e ndarjes.

Në mbrëmjen e 13 shtatorit të vitit 1961, studentët shqiptarë të shkollës së Krasnodarit, zunë vend në trenin e udhëtarëve që shkonin nga Jugu i Bashkimit Sovjetik, për në Moskë. Aty i priste një aeroplan i posaçëm pasagjerësh i tipit Tu-104, i cili, pas gati 2 orësh nga koha e ngritjes, u ul në pistën e aerodromit të Rinasit, në afërsi të Tiranës. Kjo ngjau në mesditen e 16 shtatorit të vitit 1961. Studentët e shumtë që kishin mbushur aeroplanin e madh të transportit ajror, në atë mbrëmje fillimvjeshte populluan kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, e cila, si asnjëherë më parë, atë mbrëmje llamburiti nga uniformat e paradës të mbuluara nga aksesorët e bukur që ngjanin si margaritarë.

Gjatë rrugëtimit me tren dhe me mjet ajror, Petrika, me sytë e mendjes përfytyronte veten mes përqafimeve dhe puthjeve të Nënë Gjeorgjisë; Baba Kicos; motrave dhe vëllezërve, për të cilët e kishte përvëluar malli. Ai do të merrte në krahë, do ta përqafonte fort e do ta puthte me tërë afshin e dashurisë së vëllait të madh për më të voglin, Thomane, si dhe vështronte me sytë e mendjes, atë takim, të përmallshëm, me Doniken, të cilën e donte shumë dhe për të cilën rezervonte një vend të padëftuar në zemrën e tij. Mbasi të takohej me familjarët, gjitonët dhe me shokët e afërt, Petrika do ta mbante vrapin në Orman Ciflig, tek njerëzit e zemrës, të cilët i kishte të një gjaku nga Nëna dhe kishte luajtur e kishte bredhur në shoqërinë e tyre, nëpër bahçet e tyre dhe në livadhet e fshatit.

Në të vërtetë, ngjau ashtu siç e kishte përfytyruar Peçi. Pas një qëndrimi fare të shkurtër në Tiranë, tek i ashtuquajturi Hotel i Ministrit të Mbrojtjes, i cili gjendej në zonën e Rrapit të Treshit, djemtë u shpërndanë në rrethet përkatës, për t’u takuar me familjarët dhe për të pushuar. Përpara nisjes, në një sallë të Ushtrisë një gjeneral, u foli djemve të sapoardhur nga “kurbeti”, mbi situatën e brendshme e të jashtme, duke e vënë theksin tek “prishja” e marrëdhënieve mes dy partive e dy vendeve me qëllim që të ngrinte lart moralin e djemve. Shtetari nuk harroi t’i thurte himne e të ngrejë lart rolin historik të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe udhëheqësit të saj legjendar – Enver Hoxhës, si dhe u dha porosi studentëve si të silleshin e të kishin kujdes gjatë rrugëtimit për në familje dhe gjatë kohës së pushimeve. Petrika së bashku me djemtë e tjerë nga Korça dhe me ata nga Kolonja e nga treva të tjera në atë rajon Juglindor të vendit, me autobusin e linjës: Tiranë-Korçë, u nis për udhë.

Takimi me Nënë Jorgjine, me Baba Kicon, me motrat e me vëllezërit, me xhaxha Llazon e me tërë ata që njihte ishte tepër prekës. Në familjen e Kico Kostanit, atë ditë u derdh shumë mall e rrodhën shumë lotë dashurie. Nuk mund të përshkruhet takimi i Pecit me motrën Donike dhe me vëllanë e vogël-Thomane. Ata ishin më tepër se takime. Të gjithë ishin të gëzuar e si të hutuar. Nuk dinin si ta shfaqnin gëzimin që ndjenin veç bërtisnin e kërcenin pupthi.

Kicon e kishte këputur malli për të birin, por, si i pari i asaj shtëpie, nuk e jepte veten por e gëlltiste mallin. Pas takimit të parë, Petrikes shëndetplotë, të cilit i kishte hipur një nur i bukur e ishte skuqur në fytyrë i gufonte zemra nga gëzimi e nuk i mbante dot lotët.

Të nesërmen, në këmbë, Petrika, i veshur me uniformën e bukur të studentit të aviacionit, u nis për në Orman Ciflig, i shoqëruar nga Baba Kicua. Do të takonte djemtë me të cilët kishte ndarë mjaft kohë nga fëmijëria dhe familjarët e të ndjerës, Nënës së tij biologjike. Udhës për në Orman Ciflig, ata që e ndeshnin Petriken, e nderonin e u mbetej koka prapa.

Qëndroi Petrika së bashku me të Atin, në Orman Ciflig sa takoi të dashurit e tij por nuk pati kohë të çmallej me ta. Ai nxitonte për t’u kthyer në Korçë, për dy arsye të justifikueshme. E para, në atë udhëtim çmalljeje, e shoqëronte Kicua, i cili kishte lënë në Korçë një vatër me fëmijë, të cilët kishin nevojë për shërbimet e tij. E dyta, Petrika vërtet ishte me pushime, por vetëm si fizik, se mendjen e kishte gjetiu. Ai dhe shokët e tij të grupit, të përzënë nga Krasnodari ku studionin për t’u bërë aeronavigatorë ajrorë, kishin humbur perspektivën. Ushtria Shqiptare, në kushtet e reja nuk do të kishte më nevojë për aq shumë specialistë të tillë mbasi nuk dispononte më tepër se 1 aeroplan bombardues Il-28.

Studentët që kishin shkuar në Bashkimin Sovjetik për t’u bërë shturmanë, gjendeshin përpara alternativës: ose të ndërronin profil; ose t’i thoshin lamtumirë aviacionit e të gjenin tjetër strehë. Petrika dhe shokët e tij të një qyteti apo të së njëjtës zonë, i mbanin veshët ngrehur dhe prisnin me padurim çfarë do të vendosej nga lart, për fatin e tyre. Kësisoj, ato pushime nuk ngjanin me pushime por ishin një torturë pritjeje se çfarë do të vendosej për fatin e tyre. Ishte vendim që lidhej me jetën e tyre; jo një shëtitje turistike apo një shaka e rëndomtë.

Në Orman Ciflig, Petrika i takoi, të gjithë ata që dëshironte, bisedoi me ta, por nuk pati kohë, as për të kullotur kuajt; as për të kalëruar e as për t’u larë në pellgjet ku ishte larë më parë. Interesant ishte takimi i Petrikes me kalin e tij të preferuar – me Bardhon e bukur i cili, me largimin e të zotit, kishte gjetur një tjetër kujdestar i cili ishte mjaft i mirë, por jo si Petrika. Tashmë Bardhua ishte 2 vjet më i rritur dhe po i afrohej me shpejtësi degradimi. Edhe pse kishin kaluar dy vjet, pa kalorësin e tij të preferuar, kali Bardho nuk e kishte harruar të zotin. Ai e njohu shpejt Petriken dhe mbasi ky i fundit i fërkoi gjoksin e i përkëdheli krifën e bukur, nuk u ndje, por fluturoi, me galop, siç dinte ai, kur Petrika e shalonte, si dikur, në zhapët dhe fluturoi, në ballë të kuajve të tjerë. Petrika, i kënaqur nga kjo sjellje e kalit të tij, atë ditë fluturoi, me mendje edhe mbi Bardhon, siç fluturonte hipur mbi aeroplanin dymotorësh me helikë Li-2.

Koha rrodhi e Djalit të Kicos, së bashku me të Atin i duhej të linte fshatin e Nënës për t’u kthyer në Korçë. Përcjellja nga shokët dhe nga të afërmit e tij, në Orman Ciflig mori formën e një mitingu, me duar që zgjateshin drejt Petrikes dhe me lotë në sy që rridhnin nga të gjithë të pranishmit. Petrika, i detyruar të largohej, mori udhën nga kishte ardhur, por koka dhe dora i mbetën pas; duke vështruar e duke përshëndetur kushërinjtë që ishin grumbulluar për ta përcjellë.

Në Korçë, djali i madh i Kicos pati dhe disa ditë kohë për t’u shmallur më të dashurit e tij. Ato ditë, në qytetin e tij ndodhej, me pushime edhe Thoma Lera, shoku i tij i ngushtë, i cili, si Ai ishte kthyer nga Krasnodari dhe ndodhej me pushime, pranë familjes. Herë pas here, ata, të dy takoheshin me njëri-tjetrin, kujtonin shokët dhe shoqërinë e fëmijërisë, qanin hallet dhe shëtitnin e provonin të luanin me shokët e dikurshëm. Por, mosha disi më e rritur, përvoja e jetës që kishin fituar dhe uniforma ushtarake, e bukur që kishin në trup, sikur i kufizonin, e ata nuk e patën mundësinë të shpalosnin të gjithë aftësinë që kishin për të qenë në lartësinë e nivelit të arritur më parë. Një njoftim fatlum bëri që të dy shokët, me uniformë aviacioni veshur, të ndërprisnin pushimet, akoma pa rrjedhur afati e ata u nisën për në Tiranë. Nga të dhënat gojë me gojë, Petrika mësoi se studentët e grupit të tij, të cilët, deri atëherë kishin studiuar e kishin fluturuar në rolin e navigatorit ajror, do të niseshin për në një vend tjetër ku do të profilizoheshin në rolin e pilotit gjuajtës-bombardues.

Fijet që lidhnin e ushqenin aviacionin shqiptar me specialitete të ndryshëm në shkollën sovjetike të aviacionit, tashmë ishin këputur dhe vendit tonë nuk i duheshin më shturmanë fluturues. Një rreze shprese lindi dhe për ata që e radhitën veten me të paperspektivët. Situata e vështirë dhe mjegulla që kishte mbuluar me tis të errët të ardhmen e tyre, po qartësohej. Më së fundi, ankthi i pritshmërisë enigmatike, u shndërrua në shpresë.

Në ditët e fundit të muajit nëntor të vitit 1961, Komanda e lartë e ushtrisë, vendosi që Petrika dhe disa nga shokët e grupit të tij me një anije tregtare, e cila ishte emërtuar “Durrësi” dhe ishte në përbërje të një grupi me tri anije oqeanike transporti, kishte formuar shoqërinë e lundrimit shqiptaro-kineze me emrin konvencional “Chal” të niseshin për në Kinë. Në anijen “Durrësi” djemtë studentë të aviacionit u maskuan si të ishin detarë dhe morën detyra të ndryshme në përbërje të ekipazhit lundrues. Ata u nisën në udhë detare, larg territorit sovjetik, mbasi e kishin të pamundur të rrugëtonin nëpërmjet Moskës ku kishin dosjet përkatëse. Me qëllim që gjatë lundrimit të gjatë të mos binin në sy, studentët u pajisën me kominoshe, ngjyrë qielli, me trup. Në të njëjtën anije ishin dhe disa studentë të grupit të Batajskut, të cilëve u ishte ndërprerë fluturimi në ditën e fundit të programit, kur kishin dalë në start, për të dhënë provimin vjetor, në ajër. Së bashku me ta ishin dhe disa oficerë, të cilët shkonin në Kinë, për të fluturuar në avionët gjuajtës-bombardues, mbasi ishin praktikuar në fluturime stërvitore në rolin e pilotit bombardues, në avionët Il-28.

Disa nga bashkëlundruesit e Petrika Kostanit në atë lundrim të gjatë e të rrezikshëm ishin: Myrteza Arapi; Baftjar Metaj; Vaske Nikolla; Robert Marko; Zhulian Popa; Adem Çeça; Sherif Hajnaj; Dhori Zhezha; Andrea Toli; Mihal Pano; Bashkim Agolli; Niazi Nelaj; Gëzim Picari; Shuaip Nure; Cerciz Zeka; Lili Xharo; Dalip Xhixha etj.

Ditët kalonin njëra pas tjetrës dhe monotonia e të lundruarit përmes kaltërsisë së dyfishtë, (detit dhe qiellit), përveç kënaqësisë, shkaktonte dhe mërzi. Të ndarë në dy grupe, veç studentët e veç oficerët, ushtarakët e të dyja kategorive e shtynim kohën duke luajtur me letra. Oficerët luanin me stimuj materialë dhe nuk i pranonin studentët në të njëjtën lojë. Shpjegimi ishte fare i thjeshtë: “Ju, studentët, – thoshin ata, – në Kinë do të keni rrogë të vogël, kurse ne, oficerët do të shpërblehemi më mirë!” I kishin bërë llogaritë gabim të graduarit rishtaz dhe pa e shoqëruar gradimin e tyre, me pagën që meritonin. I lanë në mes të udhës, drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes së vendit tonë këta deli djem, të cilët, në Kinë, shpallën bojkot dhe rrjedhojat dihen nga të gjithë.

Aviacioni shqiptar humbi 20 pilotë, disa nga të cilët ishin talente të vërtetë, në fluturim dhe e donin, pa masë aeroplanin dhe ajrin. Oficerët i paraqitën kërkesat në rrugë ligjore dhe me logjikë të shëndoshë: Tek e fundit, mund të bëhej dhe ndonjë kompromis; një pjesë të pagës, ta merrnin vetë oficerët, atje ku studionin, në Kinë, kurse pjesën tjetër ta përfitonin familjet e tyre, në Shqipëri.

Mirëpo një orientim i ish-komandantit të Aviacionit Shqiptar dhënë administratorëve kinezë, sipas të cilit: “Tanët, trajtojini si tuajët”, nuk linte shteg të hapët për dialog e kompromis.

Në Shkollën e Tretë të Aviacionit Kinez, në qytetin e ftohtë e të largët mancurian të Cin Zhout, Petrika u bashkua me shokët e grupit të Shadrinskut, të cilët kishin lundruar me një mjet tjetër dhe kishin mbërritur në shkollë, disa ditë më parë. Pas mbërritjes së pjesës së grupit ku bënte pjesë Petrika Kostani, grupi i ish-shturmanëve u kompaktësua dhe nisi mësimet teorike, me rolin e pilotit fillestar, sipas programit ajror për t’u bërë pilotë gjuajtës-bombardues.

Lundrimi nga Durrësi për në portin jugor të Kinës, Kanton, ishte jo vetëm tepër i gjatë në ditë (netë), por dhe i mbushur me mjaft të papritura, disa syresh të mbarsura me rreziqe iminente. Megjithatë, parë në tërësi ai ishte një lundrim fantastik. Petrika dhe shokët e tij të lundrimit të gjatë, ndonëse mes peripecive u kënaqën nga lundrimi dhe akumuluan përvojë me vlerë. Zaten, Petrika nuk e provonte për herë të parë lundrimin, ndonëse jo kaq të gjatë, në kohë. E them që në krye të herës se ai lundrim interesant zgjati 56 ditë (netë). Anija oqeanike “Durrësi” shpejtësinë maksimale, me të dyja kaldajat në punë, nuk e realizonte as 12 milje detare, në orë dhe kapacitetin bartës e kishte rreth 8000 tonë.

Anija çonte në Kinë, mineral hekur – nikeli, mbi vetitë e të cilit, siç thoshin në atë kohë, ishin ngritur posaçërisht uzina shkrirje në Kinë dhe sillte andej, në vendin tonë teknikë, kryesisht ushtarake dhe pajisje. Ishte lundrimi i dytë i largët që kryente kjo anije, në përbërje të flotiljes së vogël me emrin “Ch-Al”. Kjo flotilje, nëse mund të quhet e tillë, ishte formuar me dy anije oqeanike shqiptare të cilat mbanin emërtimet: “Durrësi” dhe “Vlora”. Anijet e tjera në përbërje të flotiljes ishin kineze. Të gjitha anijet e kësaj Shoqërie lundruese, mbanin në kiç dhe në oxhak flamurin shqiptar dhe ishin të regjistruara në portin detar të Durrësit.

Në atë kohë, Kina nuk ishte anëtare e Kombeve të Bashkuara e nuk mund të lundronte me flamurin e saj. Prandaj u gjet kjo zgjidhje oportune. Anija “Durrësi”, me të cilën lundronte për në Lindjen e Largët, Petrika dhe “bashkëvuajtësit” e tij, për shkak të shpejtësisë së vogël (rreth 12 milje detare në një orë), mbetej prapa, simotrave që lundronin në karvanin e anijeve të pasagjerëve ose atyre që transportonin mallra, nëpërmjet korridorit ujor të njohur ndërkombetarisht. Diferenca në këtë “garë” të pashpallur e brengoste Petriken dhe shokët e tij. Kjo ishte njëra anë, por edhe teknologjia e ndërtimit të anijes, e cila mbante stampën e portit polak të Gdanskut, ku ndodhej kantieri i ndërtimit të anijeve, ishte relativisht e prapambetur. Anijen e zhvendosnin përpara dy kaldaja të cilat ishin vazhdim i teknologjive të kohës së shkuar.

Kur zbritën në portin e Kantonit, Petrikes dhe shokëve të tij jo vetëm që u dhimbnin muskujt e këmbëve, të cilët ishin të çmësuar me ecjen, por dhe ndiheshin të plogësht e me marrje mendsh. U deshën disa ditë që gjendja e tyre të stabilizohej e t’u kthehej dëshira për të ecur në këmbë. Duhen shumë faqe për të përshkruar peripecitë e atij lundrimi fantastik e befasues. Diku, gjetkë, e kam përshkruar, ndoshta në detaje atë aventurë; këtu do të mjaftohem me kujtesën për disa çaste e ndodhi të pakëndshme.

Deti Mesdhe, ndonëse i mbyllur, mund të jetë njëri nga detet dallgëshumë e të shqetësuar, në hapësirat ujore të globit. Mbaj mend, pjatat, plot me gatim, të cilat shkonin nga njëri cep i tavolinës me bordurë, tek tjetri e askush nuk guxonte të çohej nga pozicioni horizontal, për t’i kapur, jo më për t’u ushqyer. Përafërsisht i kësaj natyre ishte dhe Deti i Kinës Jugore. Të dyja këto hapësira ujore, anija jonë i përshkoi brenda 4 ditëve (netëve), secilën prej tyre dhe gjatë kësaj kohe, njeriu ndihej në një tollovi të çuditshme.

Pas katër ditësh lundrimi nëpër Mesdhe (disa, pa u ngritur nga krevati), mbërritëm në Port Said të Egjiptit. Duhet të kalonim një natë, në atë port, për të hyrë në karvanin që kalonte nëpërmjet Kanalit të Suezit dhe Detit të Kuq, në bregun Lindor të Afrikes, duke anashkaluar Sanen (Jemen) dhe me një pushim njëditor, në Aden (bazë ushtarake potente angleze).

Mirëpo, në të gdhirë, kur anija jonë do të bëhej gati për lundrim, mbasi të mblidhte spirancën, detarët dhe studentët për pilotë, të cilët, ishin në gjumin e rëndë të mëngjesit, papritur u zgjuan nga një kërcitje e fortë e pasuar nga një tronditje e madhe. Çfarë kishte ngjarë?

Spiranca e anijes sonë, duke u mbledhur për në folenë ku qëndron, ishte e pleksur me atë të një anijeje franceze rreth 30000-tonëshe, që donte të futej në kanalin e Suezit, ashtu si anija jonë. Mirëpo anija e huaj, me peshën e saj gjigande, disa herë më të madhe se pesha e anijes “Durrësi”, e kishte tërhequr “zvarrë” anijen tonë dhe e kishte goditur e shtypur në bash. Shqetësim i madh pushtoi ekipazhin e anijes me të cilën udhëtonim dhe doemos- studentët, të cilët kishin drojën se mos, anija “Durrësi”, për shkak të dëmtimit në bash, mund të kthehej mbrapsht e atëherë ëndrra e tyre fluturake do të zhbëhej. Anija “Durrësi” rrezikohej seriozisht të ndalohej për të vijuar lundrimin, në ato kushte. Një komision ndërkombëtar hetoi ndodhinë dhe nën ndikimin e ndërhyrjes së tanëve, natyrisht, në mënyrë kompromentuese, komisioni firmosi vazhdimin e lundrimit të mëtejshëm. Derisa kaloi Adenin dhe Bririn e Afrikes e doli në det të hapët (në Oqeanin Indian) përpara –majtas anijes me ekipazh miks, u shfaq një ishull jo i vogël, për të cilin ekipazhi ishte orientuar ta anashkalonte në distancë të madhe, mbasi në të, thuhej se ishin grumbulluar e mjekoheshin lebroze, nga e gjithë bota.

Disa orë, anija “Durrësi” u akostua në kalatat e portit detar të Adenit, i cili, aso kohe ishte bazë e fuqishme ushtarake e ish-kolonizatorëve anglezë. Studentët për pilotë, nuk u lejuan të zbrisnin në tokë, mbasi nuk dispononin dokumentet e nevojshme, por qëndruan në kuvertën e anijes dhe soditën tezgat me mallra të ndryshme angleze që vendosën tregtarët vendas dhe mallrat që blenë marinarët tanë gjatë daljes në qytet. Një shok i Petrikes të cilin e quanin Xhulian, qejfli orësh, shkëmbeu orën e tij të dorës, të markës së njohur superatlantik me një orë dore angleze, mjaft të bukur, por me mekanizma prej letre. I thanë bashkudhëtaret Xhulit se ora që mori, i kishte mekanizmat prej letre, por, Ai u përgjegj: “Punë e madhe”, mua mjafton që më pëlqen; do ta ndërroj sërish, sapo të mbërrijmë në portin e radhës. Mirëpo, profecia e tij nuk doli, për arsye se në portin e Kolombos ku anija u akostua e qëndroi 2 javë, nga halli, çmimet e orëve të dorës ishin “astronomike”.

Sapo anija la pas Bririn e Afrikes e u drejtua për në Kolombo (Ceilon), refuzoi njëra nga kaldajat. Pas disa orësh lundrim në Oqeanin Indian, me njërën kaldajë refuzoi dhe ajo. Anija mbeti në mes të oqeanit, ku thellësia ishte tepër e madhe, në mëshirën e erës, e cila e spostonte anijen sipas drejtimit dhe shpejtësisë së saj. Studentët e grupit të Petrikes, gjatë dy viteve të studimit për aeronavigatorë ajrorë, në Bashkimin Sovjetik, kishin mësuar diçka për orientimin në det të hapët, me mënyrën e pozicionit të planeteve në orbitë. Meqenëse ata kishin njohuri për orientimin astronomik, për të shuar kureshtjen dhe me qëllim që të ndihmonin për të përcaktuar vendndodhjen e anijes, në hapësirën ujore të Oqeanit Indian, afroheshin shpesh pranë kapitenerisë ku nuk i kursenin pyetjet dhe hamendjet. Ata, shpesh i ndërhynin, me sugjerime e mendime me vlerë edhe oficerit kinez i cili bënte përllogaritjet, të cilin e thërrisnin “Cif”.

Në atë kohë, nuk mungoi një fonogram, nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë, me anë të të cilit, “shefat partiakë”, të ulur në kolltuket e ngrohtë, e në zyrat që shkëlqenin nga luksi, u dërgonin përshëndetje e u jepnin kurajo atyre që ishin me torbë në kokë e në rrezik iminent.

Në kushtet tejet të vështira ku ndodheshin, ekipazhi i përbashkët shqiptaro-kinez, vendosi të bënte riparimin e njërës nga kaldajat që kishin refuzuar. Falë vetëmohimit të detarëve, përfshi dhe specialistët kinezë si dhe heroizmit të pashoq të detarit shqiptar me origjinë nga Saranda, i cili quhej Gjike, i njohur si kokëshkretë, e kokëshqiptari, riparimi i pjesshëm u krye në njërën nga kaldajat e anijes me defekt serioz. Ky Gjika, një burrë me shtat mesatar por mjaft muskulor, me flokë biondë e me guxim të rrallë, baba i dy fëmijëve të mitur; Rites dhe Raxhit, u vesh me rroba amianti e u fut në kaldajën e nxehtë, të cilën e riparoi, në kushtet e temperaturave të larta. Kaldaja u riparua e u fut në punë, por ajo nuk mund ta çlironte plotësisht gjithë fuqinë tërheqëse, prandaj menaxhimi i saj u bë me një kujdes të shtuar e me vrojtim të pandërprerë.

Me gjysmë forcë, anija u shty deri në Kolombo (Ceilon), ku u ankorua në portin gjigand të këtij qyteti dhe qëndroi 16 ditë derisa u riparuan të dyja kaldajat me defekt teknologjik. Pavarësisht se anija dhe ekipazhi miks qëndruan në atë port dy javë, ushtarakët veshur me kominoshe blu nuk zbritën në tokë se u mungonin dokumentet e identifikimit dhe vizat. Një përfaqësi detarësh, kryesisht njerëz të elitës së anijes, shkuan në ambasadën kineze të metropolit ceilonez, për të festuar një festë kineze dhe u kthyen prej andej me disa dhurata për ata që nuk mundën të shkonin në festë. Dhuratat ishin më tepër fruta ekzotike si bababe, ananase etj., të cilave, u bë reklamë e madhe, si një dashamirësi që i kapërcente kufijtë e miqësisë së zakonshme. Mërzi të madhe përjetuan në ato ditë “ngujimi portual” Petrika dhe shokët e tij.

Brenda mërzisë, djemtë ushtarakë përjetuan dhe çaste relaksi e kënaqësie. Anijet e shumta dhe kroceret që bënin rrugën ujore nga Perëndimi në Lindje dhe përshkonin dete e oqeane për të shkuar në Kinë, në Japoni, në Indonezi e në Australi, ndalonin në Kolombo, për të kaluar natën e për t’u furnizuar. Në kuvertat e krocereve gjigande, gjithë natën, çifte të rinjsh, vallëzonin gjysmë të zhveshur nën tingujt e muzikës së hareshme. Studentët dhe oficerët shqiptarë të aviacionit, të rinj 20-vjeçarë, të cilët kishin përjetuar mënyrën sovjetike të jetesës, vështronin, nga anija e tyre, tërë kureshtje e zili, jetën e natës që bënin të rinjtë të ardhur nga Perëndimi, e cila, tek ne, në atë kohë ishte e panjohur. Më në fund, pas më tepër se dy javësh qëndrimi në port, anija “Durrësi” u nis për udhë, e përshëndetur, sipas traditës detare, nga të gjitha anijet e akostuara, në drejtim të Lindjes.

Bukuri të rralla, soditën Petrika dhe shokët e tij në ujërat që ndajnë Gadishullin e Indokines nga Indonezia, fantastik dukej Singapori, natën; përrallore ishte pamja në deltën e Lumit Mekong, ku çdo familje jetonte në një barkë me vela dhe dukej sikur trarët që mbanin velat, dukeshin si shtiza që çajnë qiellin. Etj. Etj. E pashembullt për nga bukuria ishte lodrimi i tufave të delfinëve, të cilët i bënin shoqëri anijes dhe lodronin prapa e anash saj, sikur donin të thoshin, vazhdoni lundrimin, se në mbrojtje jemi ne. Një burrë, i hipur mbi një varkë me rrema, lundronte nga Veriu (indokina) për në Jug, në gjirin e Malejzise, nëpër shiun që binte si litarë (shi tropikal), kishte një pamje mjaft të bukur e dukej sikur ishe në ëndërr.

Në qytetin e Kantonit, Studentët ushtarakë dhe tërë grupin ku bënte pjesë Petrika, i pritën me nderime të mëdha e i trajtuan si delegacion qeveritar. Meqenëse ishin ushtarakët e parë që vinin nga shkolla sovjetike e aviacionit dhe për shkak të koniunkturave do të studionin në Kinë, studentëve u rezervuan një protokoll të veçantë, siç dinë të bëjnë kinezët. Të përzënë nga Bashkimi Sovjetik, në mes të programit të fluturimit, studentët e grupit të Petrikes dhe të grupeve të tjerë, që lundruan me të njëjtën anije, u pritën me bankete, me koncerte e me fjalime patetike, të cilat ishin vetëm fasadë. Duke udhëtuar për në Veri, fasada nisi të shpërbehet dhe djemtë nuk u rrethuan me atë pompozitet që u pritën në Kanton. Në Pekin, Petrika dhe shokët e tij u pritën me “tamtame” e me fjalime ku dominonte fryma politike e kohës. Dreka në restorantin luksoz e të veçantë, “Rosa e Pekinit”, që shërbente për të pritur e për të përcjellë “miqtë e shtrenjtë”, ishte preludi i zbehjes së kujdesit dhe privilegjeve të fillimit.

Nga Pekini, në Cin Zhou studentët rrugëtuan nëpërmjet hekurudhës. Në këtë segment ata u akomoduan në një tren të klasit të dytë, të pajisur me kolltukë të butë, por jo si ata me të cilët kishin përshkruar rrugën, nga Kantoni në Pekin.

Pritja në shkollën e tretë të aviacionit, në qytetin mancurian të Cin Zhout, ishte me të vërtetë një butafori e zhurmshme. Në të dyja anët e udhës së brendshme, brenda territorit të shkollës, ishin rreshtuar ushtarakë e civilë vendas, me ca uniforma të çuditshme, disa me këpucë me qafë, të tjerë me këpucë gjysma, një pjesë kishin mbathur papuçe prej rrobe e të tjerë me lepitka. Veshja e tyre ishte e shumëllojtë dhe interesante. Shumica e ushtarakëve (femra e meshkuj) ishin me disa xhupa, si pelicet tona njëherë e një kohe, të thurur me dorë e të mbushur brenda me pambuk. Pjesëmarrësit mbanin në duar vegla muzikore tradicionale, ku të vriste veshët zhurma e ca disqeve metalike prej bronzi dhe e gongeve tradicionale. Pritja nuk zgjati shumë se studentët duhet të njiheshin me mjediset ku do të pushonin, ku do të studionin, ku do të ushqeheshin e ku do të argëtoheshin.

Studentët shqiptarë që kishin mbërritur disa ditë më parë në atë shkollë, ishin të veshur me uniformën kaki, me shenja të Ushtrisë Kineze e të mbathur me papuçe. Kushtet e jetesës e të stërvitjes, në shkollë ishin të diferencuara; veç për oficerët e veç për kursantët. Orientimi i Komandantit të Aviacionit tonë, i cili kishte qenë më parë në Kinë e kishte marrë takim me palën vendase, sipas porosisë së të cilit, “Tanët t’i trajtoni si tuajët”, kishte ndikuar negativisht për zbehjen e kujdesit me të cilin kinezët nisën t’i trajtonin studentët dhe oficerët tanë. Në themel të atij orientimi qëndronte ajo prapësi e pangjarë më parë e revoltës së oficerëve, për çështje të trajtimit financiar të tyre. Ata, rreth 20 oficerë pilotë, shumica e të cilëve ishin të lindur për të fluturuar, e donin profesionin dhe dikushi do të bëheshin në karrierë, u kthyen në Atdhe, “pako postare” por aviacioni dhe Ushtria jonë humbën talente, përzënia e të cilëve nga fluturimi i kushtoi shtrenjtë aviacionit tonë të brishtë.

Pas një përgatitjeje teorike rreth 6 muajsh, studentët që kishin studiuar për aeronavigatorë fluturues dhe u orientuan për të ndryshuar profilin, u përgatitën, me program të reduktuar, për të nisur fluturimet si pilotë. Ndryshimi i profilit nuk ishte i lehtë. Nëse djemtë navigatorë ajrorë, deri atëherë ishin përgatitur për të mbajtur mbi supe përgjegjësi për llogaritjet në ajër, tashmë, në rolin e pilotit, do të përgjigjeshin për ekzekutimin e drejtpërdrejtë të fluturimit. E veçanta, ajo që bënte ndryshimin, ishte fakti se në aeroplan, tashmë nuk do të kishim të bënim me një ekipazh, në ajër por me një pilot të vetëm dhe ata do të përgatiteshin pikërisht për këtë specialitet. Përgatitja e shkurtër teorike, e tyre kishte të bënte me të mësuarit e veçorive të pilotimit, përfshi dhe navigimin ajror, për të cilin, ata ishin të kualifikuar.

Në pranverën e vitit 1962, studentët e grupit të Petrikes lanë kabinetet mësimore e dolën në startet e fluturimit. Si fillestarë në fushën e pilotimit, ata do të fluturonin rreth 100 orë, në aeroplanët fillestarë me helikë, të tipit Jak-18U. Përgatitja e studentëve për pilotë, në atë kohë, në Bashkimin Sovjetik dhe në vende të tjera të kampit të Lindjes (Traktatit të Varshavës), niste nga aeroplani Jak-18 A, i cili teknologjikisht ishte më i përparuar. Aeroplani Jak-18U, ishte me rrotë në bisht e pilotohej në lartësinë 1500 m mbi nivelin e detit dhe në shpejtësi më të vogla. Stërvitja ajrore nisi në fushën e blertë të aerodromit fushor në fshatin Liu Shi Bao, i cili ndodhej rreth 10 km, në Verilindje të qytetit të Cin Zhout. Fusha e blertë mbi të cilën ngriheshin e uleshin aeroplanët mësimorë ishte e mbuluar nga bari, por në përbërje të sheshit kishte dhe mjaft guricka lumi.

Sheshi ishte me drenim të mirë veç kishte një pjerrësi të vogël në drejtim të Lindjes.

Me instruktorin e teknikës së pilotimit në kabinën e dytë, Petrika dhe shokët e tij, pas daljes në fluturime vetëm, i kaluan të gjitha detyrat ajrore, një nga një dhe dhanë edhe provimin në fluturim. Ata u treneruan për ngritje dhe ulje, kryen fluturime në rreth e në zonë, bënë figura pilotimi të parashikuara në program, u stërvitën për drejtimin e aeroplanit me instrumente në kabinë të mbyllur, fluturuan në formacion çift e në rrugëkalim, pastaj iu nënshtruan provimit në ajër. Petrika, me tipare karakteristike të një djali të hedhur e të zgjuar, nuk e pati të vështirë përvetësimin e pilotimit të aeroplanit të lehtë mësimor me helikë Jak-18U, ku dëftoi tregues praktikë mjaft të mirë dhe u lejua të kalonte në një shkallë më të lartë përgatitjeje ajrore, në aeroplanët reaktivë Mig-15 me një motor dhe me shpejtësi parazanore. Petrika, nëpërmjet pilotimit vetë, jo vetëm që kuptoi ndryshimin cilësor të ndenjjes në kabinë, si llogaritari përpara makinës llogaritëse, por pa e provoi si ndihet aeroplani, në çdo etapë të fluturimit dhe si u bindej veprimeve të tij të pilotimit.

Pas përfundimit të programit ajror në aeroplanin Jak-18 U, grupi i studentëve ku bënte pjesë Petrika, u dërgua për të pushuar në një vend klimaterik, në bregdetin e Detit të Verdhë, në qytetin bregdetar të Talinit (Dalnij). Pushimet ishin të organizuara e të programuara në perfeksion; ato synonin përtëritjen e forcave për të nisur një betejë të re, atë të diplomimit pilotë gjuajtës-bombardues, në avionët reaktivë Mig-15.

Sipas programit të hartuar nga drejtuesit e shkollës së tretë të aviacionit, grupi i studentëve, do të notonte në ujërat e detit të Verdhë, do të bënte banje dielli, në rërën e pastër të atij bregdeti dhe do të bënte shëtitje në natyrë. Një vend të rëndësishëm në programin e pushimeve aktive, zinte loja e ping-pongut, e cila, në Kinë ishte mjaft e përhapur. Ndonjë dorë bilardo, për Petriken qejfli bilardoje dhe lodra me letra sipas modelit kinez të kësaj lodre ku më e përhapur ishte lodra “njanja dhe huansha” i lezetonin mbrëmjet e pushimeve verore. Në ato vite, në Kinë, ndryshe nga regjimi në vendin tonë, lodra me letra ishte jo vetëm e lejuar, por dhe masive.

Mirëpo, në ndryshim nga sa shfrytëzohej kjo lodër në vendin tonë, kinezët nuk e përdornin për bixhoz, por e luanin për qejf e për të kaluar kohën.

Pushimet kaluan shpejt e studentët u kthyen në kabinetet teorike e në startet e fluturimeve. Kësaj here, ata do të shtegtonin në aerodromin e betonuar të përmasave standarde 2500X50 m, të pajisur me të gjitha mjetet e drejtimit e të pelengimit. Disa studentë, për shkaqe të ndryshme, nuk u lejuan për të fluturuar në këta aeroplanë dhe u kthyen, në kohë të ndryshme, e me mjete lundrimi të radhës, në Shqipëri. Petrika dhe shokët e tij të grupit, ata që mbetën nga seleksionimi i fortë, pas një përgatitjeje të shkurtër teorike, për të mësuar veçoritë e shfrytëzimit, në tokë e në ajër të aeroplanit gjuajtës-bombardues reaktiv Mig-15, dolën në startet e fluturimit. Meqenëse moti në atë rajon (pranë Mongolise të Brendshme), ishte pa re e pa shira, madje as dëborë nuk binte, edhe pse temperaturat e ajrit rrethues arrinin deri në -25 gradë celsius dhe era e ftohtë të thante, aq sa nuk mund të qarkulloje pa maskë prej garze se të çaheshin buzët e të fshikeshin hundët; fluturohej gjatë gjithë vitit. Pengesa kryesore për zhvillimin e fluturimeve në tërësi e me studentët e huaj (shqiptarë) në mënyrë të veçantë, ishte transparenca e dobët e ajrit.

Erërat që frynin nga Veriperëndimi, me forcën që përmenda më lart, sillnin nga Shkretëtira e Gobit dhe nga Mongolia e Brendshme, e cila ishte mjaft afër, rërë të ngritur deri në lartësitë e pilotimit në zonë 3000-4000 e më tepër metra gjë që përbënte pengesë, si për orientimin vizual të përgjithshëm dhe për të përcaktuar vendndodhjen e aeroplanit. Mirëpo ky grup studentësh, të cilët 2 vjet kishin mësuar aeronavigacion, ishin të kualifikuar në këtë drejtim e nuk paraqitën problem.

Meqenëse studentët për pilotë ishin të huaj (shqiptarë), për sigurimin e fluturimeve të tyre kujdesi nga ana e organizatorëve shtohej. Sidomos kur zhvilloheshin fluturime në rrugëkalim, ku distancat e fluturimeve, nga aerodromi i ngritjes ishin të përfillshme dhe fluturohej mbi rajonin e Mongolise të Brendshme, ku ishte qendra e lindjes dhe fuqizimit të erërave. Për të siguruar parrezikshmërinë e fluturimeve të këtij lloji, drejtuesit e stërvitjes ajrore të studentëve merrnin masa shtesë. Në vendin nga ku drejtoheshin fluturimet (Skp) qëndronte një përkthyes i Gjuhës Ruse. Përfytyroni për një çast; Drejtuesi i fluturimeve fliste pilotit në ajër, në radio kinezisht; përkthyesi e përkthente në rusisht dhe studenti shqiptar e përpunonte në gjuhën tonë. Mirë kur fluturimet shkonin “fiolle”, po kur ishim përpara ngjarjeve të veçanta, siç ndodhi në një rast, por në një aerodrom tjetër, ku studenti shqiptar (Lm), humbi pjesërisht orientimin e u detyrua të ulej në një aerodrom tjetër.

Për fat të mirë, por dhe si rrjedhojë e nivelit të ngritur të përgatitjes serioze të studentëve, me shokët e grupit të Petrikes, nuk ngjau asgjë e ngjashme.

Për të shtuar sigurinë e fluturimeve në rrugëkalim, vendasit organizatorë të përgatitjes ajrore, ndërmorën dhe një masë shtesë: Në të njëjtin rrugëkalim, sipas të cilit fluturonte studenti shqiptar, në lartësinë 1000 m mbi fluturimin e avionit të studentit shqiptar, fluturonte një pilot kinez (si rregull instruktor), nga më të përgatiturit, i cili vrojtonte, aq sa e lejonte transparenca e ajrit, fluturimin e shqiptarit dhe ishte në gjendje të ndërhynte, në kohë, natyrisht, me ndërhyrjen e drejtuesit të fluturimeve, për të shmangur të papriturat. Po si vepronte kolegu kinez, kur shqiptari ngatërronte objektet tokësore mbi të cilat fluturonte? Ai (kinezi), në raste të domosdoshme, pa shkëputur vrojtimin nga aeroplani në emergjencë, zbriste në nivelin e fluturimit të tij, afrohej në formacion në çift, me interval të dyfishtë, dilte përpara, dhe i thosh studentit: më ndiq! Dhe e sillte atë në aerodromin e ngritjes.

Ashtu si në procesin e zhvillimit të programit të përgatitjes ajrore, në aeroplanët me helikë, edhe gjatë përvetësimit të aeroplanit reaktiv Mig-15, Petrika u shqua si student sistematik dhe cilësor. Ai, për shkak se e donte shumë ajrin dhe lundrimin ajror, i përvetësoi një nga një, pa nënvlerësuar asnjë detaj, të gjithë elementët e shfrytëzimit të aeroplanit Mig-15, në tokë e në ajër. Në procesin më të vështirë të fluturimit; në ulje, Petrika Kostani, ndërtonte manovër të saktë, respektonte çdo etapë të sigurimit të uljes dhe kishte vështrim të saktë të lartësisë nga toka. Në kryerjen e figurave të pilotimit, sidomos të atyre në rrafshin vertikal, ku dhe vështirësia është më e madhe, Petrika ishte shumë rigoroz dhe guximtar. Në përfundim të kryerjes së programit të përgatitjes ajrore dhe pasi iu nënshtrua provimeve përkatëse, Petrika Kostani u diplomua pilot gjuajtës-bombardues dhe tok me shokët e grupit (ata që ia dolën), me anijen shqiptare “Vlora” u kthye në Shqipëri. Meqenëse Regjimenti “Peza” kishte “uri” për pilotë, i gjithë grupi, në përbërje të të cilit ishin: Petrika Kostani; Viktor Vangjeli; Perlat Lako; Mentor Rrugia; Jorgo Tabaku; Jorgaq Çipi; Besnik Hashorva dhe Dalip Xhixha, u emëruan në detyrën më të ulët të pilotit, në atë të shoqëruesit, në Regjimentin “Peza”, të Qytetit “Stalin”.

Petrika dhe shokët e tij studiuan në Shkollën e Tretë të Aviacionit Kinez, në rajonin e Mancurise, në dy aerodrome, prej muajit shkurt të vitit 1962, deri në fund të vitit 1963; pra gati 2 vjet. Aq sa studiuan dhe në Bashkimin Sovjetik, po në dy qytete. Në dy vitet e fundit të studimit, përpara studentëve nga vendi ynë dolën disa vështirësi, nga të cilat mund të përmend: E para, ishin vende të ndryshme; me nivel material e me mënyrë jetese që nuk përkonin me njëra-tjetrën. Djemve tanë, të cilët ishin rreth 20-vjeçarë, të mësuar në një vend ku kushtet e jetesës e të fluturimit ishin më të përparuara, u desh të përshtateshin me kushtet e reja dhe t’i përballonin ato. Aeroplani me të cilin ata nisën fluturimet për t’u bërë pilotë, ai Jak-18U, ishte i nxjerrë nga skena e stërvitjes së studentëve për pilot, në hapësirat sovjetike, ku ata kishin studiuar deri atëherë, për shkaqe teknologjike. Edhe aeroplanët Mig-15, të cilët më së shumti ishin të prodhuar në uzinat sovjetike të aviacionit, ose të bazuar në atë teknologji prodhimi, konsideroheshin të kapërcyer në kohë.

E dyta, studentët shqiptarë duhet të përshtateshin dhe me metodologjinë e përgatitjes së pilotëve, në kushte të tjera. Në metodë, kinezët, ishin të ndryshëm dhe ajo u përshtatej nivelit, mentalitetit dhe psikologjisë së studentëve kinezë. Temperamenti i shqiptarëve, të lindur e të rritur në Pellgun e Mesdheut, ishte i ndryshëm nga ai i aziatikëve. Ky faktor, vërtet që nuk është determinues, por ndikim negativ, sadopak ka pasur. E treta, Petrika dhe shokët e tij nuk kishin njohuri e nuk e zotëronin Gjuhën Kineze. Ky ishte faktor goxha frenues.

Vetë fakti që mësimet teorike dhe ato të fluturimit kryheshin në gjuhën Ruse; të cilën studentët e zotëronin dhe përkthyesi kinez i kësaj gjuhe bënte përkthimin, nga gjuha Kineze, në të cilën fliste pedagogu apo instruktori i fluturimit, në atë ruse e zbehte çështjen. Duke kaluar nëpër tri gjuhë, nuk është e vështirë të merret me mend, firua që pësonte ideja e shprehur nga mësimdhënësi kinez. E katërta, gjatë kohës së studimeve në Kinë, Petrika dhe shokët e tij të grupit, praktikisht e kishin të pamundur komunikimin me të tyret, me mënyrat e komunikimit të asaj kohe. Jo vetëm se largësia mes dy vendeve tona është rreth 12000 km, por më tepër se teknologjia e asaj kohe nuk e përcillte komunikimin, as nëpërmjet telefonëve, as nëpërmjet letrave të cilat, praktikisht nuk mbërrinin në destinacion. Shtoj se edhe valët e radios, se për ato televizive nuk bëhej fjalë nuk mbërrinin deri në Cin Zhou e në Sui Xun.

Në këtë kuptim, malli i Petrikes për pjesëtarët e familjes; për Nënë Gjeorgjine dhe për Baba Kicon, për vëllezërit e motrat e tij, në veçanti për Thomane e vogël, kishte kapluar tërë qenien e Petrikes e Ai mezi priste të merrte udhën e kthimit.

Edhe pse reshjet e dëborës në rajonin ku banonte Petrika dhe shokët e tij, (në Mancuri) ishin të rralla, si në qytetin e Cin Zhout dhe në garnizonin e Sui Xunit; Petrika gjeti kushte të përshtatshme për të bërë patinazh (në mjedise të ndërtuara artificialisht). Rrëshqitja me patina, ishte sporti dimëror nga më të pëlqyerit për Petriken dhe aty Ai, jo vetëm ruajti shprehitë e të rrëshqiturit me patina, por e rriti, më tej, shkallën e kualifikimit. Rolin e instruktorit të patinazhit, edhe këtu, Petrika e ushtroi, rendshëm, dhe kjo i jepte kënaqësi të dytë, pas fluturimit, por, tashmë “nxënësit” nuk i kishte më fillestarë, si në Shadrinsk. Si vend ku sporti i pingpongut është mjaft i përhapur, madje është shndërruar në art, i jepte Petrikes një kënaqësi tjetër, të paparë. Gjatë dy viteve të studimeve në Kinë, Petrika u perfeksionua në sportin e pingpongut dhe së bashku me shokët e tij të grupit: Perlat Lako, Mentor Rrugia, Jorgo Tabaku, etj. Ai u bë “mjeshtër” i përdorimit të raketave të pingpongut.

Kthimi në Atdhe, i studentëve të grupit ku bënte pjesë Petrika Kostani, u krye në pragun e vitit të Ri 1964. Ata u nisën nga porti kinez i Can Gonit, në Jug të vendit aziatik, me anijen e shoqërisë shqiptaro-kineze “Vlora” e cila ishte anije e kohës, me motor me naftë, e prodhuar në kantieret italiane të prodhimit të anijeve, sipas një teknologjie të përparuar. Rrugëtimi i tyre u krye në rrugë ujore, në atë korridor ujor ndërkombëtar, si dy vjet më parë, kur shkuan në Kinë. Ky lundrim zgjati rreth 20 ditë dhe nuk i pati ato peripeci që përjetoi Petrika, gjatë vajtjes në Lindjen e Largët. Duke lundruar vazhdimisht drejt Perëndimit, Petrika ndjente gjithnjë e më tepër erën e njohur e të dëshiruar të Pellgut të Mesdheut dhe aromën e vendit të tij të dashur.

Pas zbritjes në portin detar të Durrësit, djemtë u përcollën për në Tiranë, ku fjalimet e rastit nga ushtarakë të lartë, u pasuan nga një urdhër në bazë të të cilit, pilotët e rinj u titulluan oficerë (të gjithë nëntogerë) dhe u pajisën me lejen e zakonshme, me qëllim që të shkonin për të takuar e për t’u shmallur me familjarët dhe me të afërmit e tyre. Petrika shpejtoi, “me një frymë” të shkonte sa më parë në Korcen e tij të dashur, me një autobus të linjës Tiranë- Korçë. Rrugës që përshkoi me autobus, nga Tirana, në Korçë, (rreth 200 km), e cila në atë kohë përshkohej përafërsisht, brenda 4-5 orëve, Petrika, me mallin që kishte në gji, mendonte e përfytyronte çastin fatlum të takimit me të tijtë. Ku e si do ta takonte Baba Kicon? Ku do ta takonte e çfarë do t’i dëftonte më parë Nënë Gjeorgjisë, kur ta takonte? Çfarë do t’u thosh motrave dhe vëllezërve?

Sa do të ishte rritur Thomai dhe motra e tij e veçantë Donika etj. Etj. Ai ishte i malluar për cilindo e për çdo gjë.

Pas festimit në mënyrë madhështore, me gëzimin e kthimit e me veçoritë e të festuarit të kësaj feste në Korçë, në shtëpinë e tij dhe pranë atyre që i donte dhe e donin aq shumë; Petrika, pas festës së vitit të ri, vrapoi në fshatin e Nënës së tij biologjike, në Orman Ciflig, ku nuk qëndroi gjatë. Petrika Kostani, kur u kthye në Tiranë, veç titullimit oficer, mori dhe emërimin si pilot, gjuajtës-bombardues, në Repartin e aviacionit me numër 1875 në Qytetin “Stalin”.

Si në Korçë dhe në Orman Ciflig, Petrika u rrethua nga sy kureshtarë, të cilët e vështronin me sy kënaqësie dhe nuk ia ndanin pyetjet gjithfarëshe. Bashkëbiseduesit e Tij, ishin krenarë për Peteiken, njeriun e gjakut, i cili, tashmë ishte rritur, në moshë e si personalitet. Ai ishte diplomuar pilot e kishte veshur uniformën e bukur të aviatorit, me shumë aksesorë që shndritnin dhe me spaletat e nëntogerit mbi supe. Petrika jo vetëm që u shmall e u lumturua tej masë, si në Korçë dhe në Orman Ciflig por, mori me vete shumë përqafime e urime. Ai, si njeri dashamirës dhe i lidhur ngushtë me kafshët shtëpiake, nxori dhe merakun që kishte për kalin e tij të dashur - Bardhon. Petrika e dinte që Bardhon do ta gjente në fshat, se kuajt jetojnë rreth 30 vjeç e aq kohë nuk kishte kaluar, por mësoi dhe kush ishte kujdesur për të gjatë kohës që Ai kishte munguar, kush e kishte shaluar, si ishte shfrytëzuar Bardhua për të qenë pjesë e karvanit të krushqve, me nusen mbi shpinë etj. Mbasi priti ardhjen e vitit të Ri, në atmosferën e gëzimit e të haresë që sjell festa, e cila e shtoi gëzimin dhe harenë me ardhjen e njeriut të shumëpritur e të dashur, i cili kishte munguar për dy vite me radhë në shtëpi dhe pas vizitës në Orman Ciflig, pa e kuptuar sa shpejt rrodhi koha, Petrikes i duhej të nisej për në detyrën ku ishte emëruar.

Ai, së bashku me korçarin - Jorgaq Çipi dhe me shokun e ngushtë Viktor Vangjeli, i cili kishte ardhur nga Qafezezi i Kolonjës dhe me Jorgo Tabakun, të ardhur nga Hocishti i rrethit të Korçës, u nis për të qenë në krye të detyrës, në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin”, në kohën e përcaktuar.

Kudo ku shkeli këmba e tij, la e mori gjurmë dashurie. Një dashurie të paparë, të ngrohtë, të pastër; një dashuri që buronte nga shpirti i tij dhe nga zemrat e të dashurve të tij. Këtë dashuri, Petrika “e paketoi” dhe e mori me vete për ta mbajtur si një medalion, i cili do të përhapte aromën e këndshme të mirësisë e do të shërbente për të ruajtur gjatë vlagën që mori në ato ditë fatlume, të cilat, nuk i kuptoi si rrodhën. Një jetë tjetër e priste Petrika Kostanin, tashmë pilot, mes aviatorëve të Regjimentit të Qytetit “Stalin”, i rrethuar nga një tjetër dashuri e respekt i merituar. I vetmi kundërshtim që hasi në ato ditë të lumtura që përcolli në Korcen e tij të dashur dhe gjatë vajtjes në Orman Ciflig, ishte pamundësia e tij për të shëtitur në ato vende ku kishte shkelur në fëmijërinë e tij, të cilat, ishin shumë të çmuara për të dhe i ngjallnin kujtime e nostalgji. Petrika donte që leja e tij të mos mbaronte kurrë e koha të ndalej në vend por nuk e kishte fuqinë e nevojshme.

Me qëllim që të çtensionohet disi leximi i këtij jetëshkrimi faqeshumë, më duhet të ndaj me ju, një ndodhi vetjake, jo pa humor. Me Petrika Kostanin, shkuam në Kinë, me të njëjtën anije. U sistemuam në të njëjtën shkollë, flinim pranë e pranë, ushqeheshim në të njëjtën mensë dhe fluturonim në të njëjtat kushte.

Kur shkuam në Cin Zhou, ishim të veshur me uniformë si të mundnim. Atje, na veshën uniformën e kursantit kinez të aviacionit. Në qytet dilnim në kohën e lirë dhe me grupe. Dilnim me petkat tona, civile të cilat ishin të ndryshme. Megjithëse me veshje të ndryshme nga ato që mbanin vendasit, kur shkonim në qytet, kujdesi ynë për të mos rënë në sy rezultoi i paefektshëm. Nuk i shpëtuam dot vrojtimit të rreptë dhe kurioz të fëmijëve të qytetit, të cilët, sapo na pikasnin, na shoqëronin, kudo ku shkonim, në grup, i cili ngjante me një miting spontan.

Me qëllim që të kishim të njëjtën veshje, vendasit, na qepën nga një kostum, me stof të hollë leshi, bojëqielli. Ata e lanë në dëshirën tonë, t’i prisnim kostumet, si të dëshironim vetë; monopete ose dopiopetë. E ndamë mendjen me Petriken; do t’i pritnim kostumet dopiopetë. E dini pse? Ramë dakord me njëri-tjetrin kësisoj, bazuar në planet tona fantaziste sipas të cilave, kur të martoheshim, xhaketat tona dopiopetë, do të mund t’i vishnin dhe bashkëshortet tona.

Tani që po shkruaj këto radhë më vjen të qesh me mendimin tim të asaj kohe, por e vërteta kështu ka qenë. Edhe atëherë qeshëm me “zbulimin tonë”, por nuk ua dëftuam shokëve. Edhe ashtu, nuk guxonim të dilnim në qytetin provincial të Cin Zhout, ku europianët shkelnin për herë të parë. Lëre pastaj për shqiptarët. Vendasit as që dinin ku binte Shqipëria dhe ç’ishin shqiptarët. Dilnim në qytet, për të shëtitur e për të bërë ndonjë Pazar mjeran, me ato pak para që dispononim, të kursyera nga paga e kursantit, por gjenim belanë.

Sapo na pikasnin fëmijët vendas, të cilët, nuk ishin të paktë, na mblidheshin e na rrethonin. Ata ishin me qindra, flisnin në gjuhën e tyre, nga e cila kishim arritur të mësonim disa fjalë, të shkëputura. Ata bërtisnin, të gëzuar, sikur të kishin zbuluar një specie të re, të rrallë e të panjohur deri atëherë, dhe dëftonin me gisht nga ne e qeshnin (zgerdhiheshin). Shquanim vetëm fjalët: “Pixe ta; nemen ta” dhe “Khan i khan, nemen ta pixe”! U linte përshtypje fakti që ne e kishim hundën më të madhe se e tyre. Petrika, me ata sy bojëqielli e me ata flokë gështenjë të lëpirë, dhe me fytyrën disi të kuqërremtë, doemos që, me buzagazin e tij të çiltër u bënte përshtypje.

Edhe në këto raste, qetësia olimpike e Petrikes nuk shkaktonte asnjë lloj irritimi tek vendasit që na rrethonin; përkundrazi, Ai, të qeshurave u përgjigjej me të qeshura. Fëmijët, sikur të ishin të përgatitur për “aksionin” diskriminues të “hundëmëdhenjve”, nxirrnin nga xhepat kallepet me shkumës të bardhë dhe vizatonin, në asfalt, disa hundë të mëdha. Mbushej bulevardi me ca si grepa të mëdhenj që ngjanin me hundët tona. Kjo histori, jo aq e këndshme, mori fund pas largimit të grupit të Petrikes nga qyteti i Cin Zhout, në atë të Sui Xunit.

Jeta e Petrikes në përbërje të Regjimentit të aviacionit në Qytetin “Stalin” përbënte një rast fatlum për Të, e cila i krijonte Atij mundësinë të shpaloste vlerat e tij njerëzore dhe profesionale dhe të niste me këmbë të mbarë udhën e gjatë të karrierës, në një detyrë të vështirë por të lavdishme, në atë të pilotit luftarak. E theksoj që në fillim se karriera ushtarake dhe ajo profesionale e Petrika Kostanit, i ngjet një ngjitjeje mali, e cila, me oshilacionet e kohës, njohu vetëm të përpjetë, e arriti maja, të cilat as që i kishte përfytyruar. Për Petrika Kostanin, i cili nuk ishte karrierist, mjaftonte fakti që të fluturonte, së bashku me shokët e të ishte në formacion luftarak mes tyre. Të tjerat erdhën vetë por jo kot se koti, as të përkrahura nga ndonjëri me post më të lartë ose bazuar në biografi. Tiparet njerëzore dhe aftësitë profesionale, Petrika, në kushte të reja i ngjiti më lart dhe çdo shkallë ngjitjeje e tij kishte vulën e meritës individuale. Fillimisht, Ai u caktua në Skuadriljen e Parë të Regjimentit, ku komandant ishte i paharruari e i lavdishmi Tomorr Avdia, njëri nga pilotët më të hershëm e më cilësorë të vendit; një njeri, i cili ta impononte respektin, jo me sjellje të shtirur apo me brutalitet, por duke udhëhequr me shembullin vetjak, në çdo veprim; si në tokë dhe në ajër.

Mbasi u njoh me repartin, me qytetin, me shokët dhe me gjithçka që i interesonte, Petrika nisi përgatitjen tokësore në funksion të stërvitjes ajrore, ku u shqua që në fillim, si një pilot (komandant ekipazhi) me dashuri për fluturimin, për avionin dhe për shokët. Kishte nga kush të mësonte, piloti i përkushtuar. Në regjiment militonin kuadro me vullnet si ai dhe të përkushtuar në detyrat që u kishte caktuar Atdheu. Pa u rrekur të bëj evidencë, më duhet të theksoj, se në atë Regjiment “elitë” dhe themeltar të aviacionit luftarak reaktiv, Petrika gjeti “korifejtë” e aviacionit si: Fari Bubësi (Xhaferi); Koço Andoni; Tomorr Avdia; Bardhyl Taçi; Vasil Andoni; Sokrat Prifti etj. Dhe të rinj të talentuar si Azbi Seranaj; Bardhosh Hasani; Kostandin Sadikaj; Vangjel Llazari; Lutfi Mishkeri; Qirjako Dhima; Faslli Begaj etj. Në teknikën fluturuese shërbenin disa nga “baballarët” e këtij shërbimi si Qirjako Trebicka; Nasi Themeli; Sotiraq Sevo; Muhamet Farka; Shaqo Hoxha; Novruz Kocileri; Nexhip Nanushi; Ismail Harizaj; etj. Etj. Në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin” pilotët e rinj që përbënin grupin e Petrika Kostanit, ishin të mirëpritur, mund të them edhe të mezipritur të bëheshin efektivë të këtij regjimenti. Pas largimit të disa pilotëve, me në krye të Madhin Niko Hoxha, në Regjimentin e sapoformuar të Rinasit dhe të tjerëve si instruktorë fluturues në Shkollën e Aviacionit, ata që kryenin shërbimin e gatishmërisë luftarake, në çiftin roja, ku ishin në gatishmëri Nr-2 dhe të tjerë që ndodheshin pranë familjeve të tyre, në Qytet, kishin mbetur të paktë në numër e u takonte të caktoheshin shpesh në këtë lloj shërbimi.

Siç ishte rregulli i përgjithshëm në aviacion, por jo vetëm, detyra e parë, e një kuadri të sapoardhur nga shkolla e aviacionit ishte më e ulëta. Në Regjiment, pas përfundimit të shkollës së aviacionit në Kinë, diplomimit pilot gjuajtës –bombardues dhe titullimit oficer (nëntoger), më 24 dhjetor të vitit 1964, Petrika u emërua komandant ekipazhi në skuadriljen e parë të Regjimentit “Peza” të Qytetit “Stanin”. Nën drejtimin e komandantit të çiftit, të katërshes dhe të skuadriljes, së bashku me shokët e grupit, Ai iu përfill punës, me seriozitetin dhe me vullnetin që e karakterizonte, për të njohur veçoritë e teknikës fluturuese dhe të asaj që siguronte fluturimet, sistemin e drejtimit të fluturimeve, nga starti dhe nga vendkomanda e regjimentit si dhe nga Vendkomanda Qendrore e Mbrojtjes Kundërajrore të shtetit, iu përkushtua maksimalisht punës për njohjen e territorit të Republikës së Shqipërisë, në hartë, në fluturim dhe nëpërmjet rikonicioneve të organizuara nga komanda eprore. Domosdo, njohja dhe familjarizimi me kolegët, me eprorët dhe me vartësit, me tërë efektivin e regjimentit, ku Petrika nuk bënte dallim dhe e kishte betejë të fituar falë tipareve të karakterit të tij ishte drejtim nga më kryesorët që i dilte përpara protagonistit të këtij rrëfimi.

Në pranverën e vitit 1964, në Regjimentin e Qytetit “Stalin” erdhën nga Shkolla e vetme e Aviacionit të vendit tonë, e cila u riçel, në Vlorë, pas një ndërprerjeje prej gati 2 vjetësh, katër pilotë të diplomuar në vendin tonë. Ata kishin studiuar më parë në Batajsk, dhe kishin fluturuar në aeroplanët fillestarë me helikë të tipit Jak 18 A. Të përzënë, nga shkolla sovjetike e aviacionit, më 16 shtator të vitit 1961, pa mbaruar programin, sipas parashikimit programor, u kthyen, si Petrika dhe shokët e tij, në Shqipëri e në pamundësi për të lundruar drejt Kinës, u ulën në bankat dhe në startet e shkollës së aviacionit në Vlorë ku u diplomuan pilotë gjuajtës-bombardues në fundvitin 1963, e u caktuan, shumica në Regjimentin e Rinasit. Katër vetë, u emëruan në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin”, në detyrën e komandantit të ekipazhit në aeroplanët reaktivë Mig-15. Ata ishin: Bahri Meshau (Permeti); Thanas Papa (ndjesë pastë); Pandeli Lëngu dhe Vangjel Baba. Me ardhjen e pilotëve të rinj, nga shkolla e aviacionit, Petrika, si i veçuar për teknikë të mirë pilotimi dhe sjellje shembullore, u emërua komandant çifti dhe, si i tillë, u stërvit në përbërje të katërshes e të skuadriljes luftarake ku bënte pjesë.

Kompletimi i regjimentit me pilotë, nxori një problem, i cili, sido që i pandjeshëm, duhej pasur parasysh. Pilotët ishin të tri shkollave të ndryshme. Pjesa dërrmuese e tyre kishte kryer shkollën sovjetike të aviacionit, në qytetin e Borisoglebsit; disa të tjerë, përfshi grupin ku bënte pjesë Petrika Kostani dhe të tjerë pilotë si Harilla Rjebi; Vangjel Llazari; Lutfi Mishkeri etj. Kishin ardhur nga shkolla kineze e aviacionit. Ardhja e katër djemve që kishin studiuar në shkollën shqiptare të aviacionit, në kushte të vështira, e shtoi gamën e pilotëve të ndryshëm dhe nxori në evidencë nevojën e njësimit të praktikave fluturuese. Si bazë e stërvitjes dhe në përbërje të elementëve të pilotimit, ishte përvoja sovjetike, megjithatë disa nuanca specifike që nxirrnin kokë herë pas here duheshin sheshuar. Problemet që lindën kishin të bënin kryesisht me metodën e përgatitjes dhe të stërvitjes në ajër, jo me elementët e fluturimit, të cilët, në fund të fundit, bazohen në shkencë e kryhen mbi baza shkencore.

Në vitet që pasuan 1964 -1968, Petrika shërbeu në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin”, në detyrën e komandantit të ekipazhit dhe në atë të çiftit. Në vitin 1966, Ai, bazuar në ligjin ekzistues dhe në rregullin e klasifikimit të pilotëve ushtarakë, mbasi dha disa provime teorike dhe kishte plotësuar programet e fluturimeve që kërkoheshin, u klasifikua me titullin e nderit “Pilot ushtarak i klasit të tretë”, lëshuar nga Komanda e Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit. Pas marrjes së këtij titulli, në vitin pasardhës 1967, Petrika duhet të fillonte stërvitjen ajrore, sipas një programi të caktuar, për të marrë klasin e dytë të pilotit ushtarak, që ishte një shkallë më e lartë kualifikimi. Në program, për këtë qëllim parashikoheshin fluturime ditën në re; natën në kushte të thjeshta të motit dhe ditën, në kushte të thjeshta të motit, me ushtrime e detyra të përdorimit luftarak të avionit.

Në pranverën e vitit 1966, në Regjimentin e Aviacionit të Qytetit “Stalin”, u transferua, nga Regjimenti i Rinasit, një skuadrilje, me 12 aeroplanë gjuajtës-bombardues, reaktivë të tipit Mig-17F dhe disa pilotë. Ishte teknikë luftarake me teknologji më të përparuar, nga aeroplani Mig-15 dhe i panjohur për pilotët e Regjimentit të Qytetit “Stalin”, përfshi dhe vetë Petrika Kostanin. Në të njëjtën kohë, në këtë regjiment erdhi dhe seria e aeroplanëve gjuajtës-bombardues, mbizanorë, të pajisur me dy motorë reaktivë të tipit Rd-9B; Mig-19 S, i cili u montua dhe u kolaudua, nga pilotët e këtij regjimenti; në aerodromin e Qytetit “Stalin”. Regjimenti “Peza” u bë me 3 skuadrilje luftarake. E para, e pajisur me aeroplanë Mig-19S; e dyta me Mig-17F dhe e treta, e cila, në fakt i përkiste Shkollës së Aviacionit, me avionë Mig-15 të të dy tipave (Uti Mig-15 dhe Mig 15Bis). Petrika, dhe shokët e grupit të tij, së bashku me kolegët e tyre të regjimentit, bënë kalimin në avionin Mig-17F dhe fluturonin me të dy tipat; si me avionët e ardhur nga Rinasi dhe me ata të Shkollës së Aviacionit.

Viti 1967 ishte vit i përgatitjes së shokëve të grupit ku bënte pjesë Petrika Kostani për të marrë klasin e dytë të pilotit ushtarak. Përpara nisjes së kësaj përgatitjeje, kandidaturat iu nënshtruan një komisioni ushtarak, të specializuar për mjekësinë e aviacionit, ku Petrika Kostani rezultoi me një diagnozë të justifikueshme për të mos u lejuar në fluturimet e natës. U konfirmua se Petrika kishte mangësi në përcaktimin e ngjyrave. Në shkencën e mjekësisë, kjo lloj sëmundjeje njihet me emrin daltonizëm. Prej kësaj sëmundjeje, nëse mund ta quajmë kështu, edhe më parë janë deklaruar të paaftë për të fluturuar, disa pilotë e studentë. Duke qenë kështu, karriera e pilotit për Petrika Kostanin rezultoi e kufizuar.

Ai nuk mund të lejohej të fluturonte natën. Mbi të pasionuarin pas fluturimeve dhe më të dashuruarin pas ajrit, ra një fatkeqësi e re e madhe. Nuk mund të mendohet se Petrika ishte karrierist e në këtë rast do t’i ndërpritej karriera, por bëhet fjalë për të ndërprerë një vrull e për t’i prerë udhën një pasioni të rrallë.

Përballë një vështirësie të re, të paparashikuar, Petrika Kostani, me optimizmin që kishte si tipar dallues, “nuk e dha veten” e nuk kaloi në pesimizëm. Ai mendonte se me siguri që do të gjendej një variant i pranueshëm që Ai të mos mbetej “pa shijuar ajrin”, të cilin e donte shumë. Bazuar në nivelin teorik dhe praktik të Petrika Kostanit dhe në garancitë morale të sjelljes së tij të njohur, Komanda e regjimentit, në bashkëpunim me Komandën e Aviacionit dhe me atë të Shkollës së Aviacionit, vendosën që pilotin e talentuar dhe njeriun e mirë, Petrika Kostani ta caktonin instruktor të teknikës së pilotimit, në skuadriljen reaktive të Shkollës së Aviacionit, ku studentët për pilotë fluturonin vetëm ditën, në kushte të thjeshta të motit. Sipas kërkesave të veçanta kundrejt pilotit instruktor, Petrika zotëronte qasjen e pranueshme ndaj studentëve për pilotë dhe kishte aftësinë për të transmetuar, natyrshëm, ato që dinte vetë, tek ata që mësonte. Përpara Petrika Kostanit u çel drita jeshile, për të kthyer “borxhin” ndaj mësuesve të tij, nëpërmjet mësimit të fluturimit tek më të rinjtë; siç e kishin mësuar atë instruktorët rusë dhe ata kinezë.

Në detyrën e vështirë të instruktorit të pilotimit në aeroplanët reaktivë, Petrika Kostani e priti me entuziazëm caktimin në këtë detyrë dhe e nisi punën “shtruar” duke shpalosur vlerat e tij morale dhe ato profesionale. Mbi të gjitha tiparet e tij prevalonte: Petrika njeri. Këtë tipar të domosdoshëm mendoj se duhet ta kuptojmë e ta realizojmë saktë. Instruktorët e teknikës së pilotimit, si rregull, përzgjidhen nga pilotët me teknikë pilotimi të pastër e të saktë. Këtë tipar të qenësishëm, “heroi” i këtij rrëfimi e kishte shpërfaqur jo në një rast, por ditë për ditë, gjatë punës së tij në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin”, në vitet 1964-1968 ku mori pjesë, në cilësinë e pilotit shoqërues dhe të komandantit të çiftit, në detyra të ndryshme ajrore, sipas kursit të përgatitjes luftarake dhe programit vjetor të fluturimeve. Ajo që e vulosi aftësinë e Petrikes për të merituar caktimin e tij në detyrën e instruktorit ishte teknika individuale e pilotimit.

Kuptohet, fillimisht, si çdo detyrë e re, edhe ajo e instruktorit, për Petriken nuk ishte gjë e lehtë. Atij i duhej të praktikohej për të fluturuar në aeroplan dyvendësh – Mig-15, me studentin në kabinën e parë, të cilin duhet ta mësonte, si të plotësonte çdo element të fluturimit, duke nisur nga futja në kabinë, lëvizja nëpër aerodrome, ngritja, marrja e lartësisë, fluturimi horizontal, kryerja e detyrës sipas ushtrimit, llogaritja dhe ulja. Vështirësia kryesore ishte njohja e personalitetit të çdo studenti dhe ndërtimi i punës sipas specifikës së tyre. Të numërosh, tiparet fluturuese të instruktorit, jo vetëm që nuk është e lehtë, por, po të kemi parasysh fluturimet me student në kabinën e parë, në kushtet e Poros, ku pluhurin njerëzit që shërbenin atje, të çdo specialiteti e hanin tok me ushqimin; vapa përvëluese ishte e pranishme gjatë gjithë kohës dhe mushkonjat e bezdisshme ishin gati të të “shqyenin” në çdo çast. Vetëm ata që e kanë provuar këtë kalvar, mund ta rrëfejnë.

Në detyrën e instruktorit të teknikës së pilotimit, Petrika Kostani, qëndroi 2 vjet (1968 dhe 1969). Në këto vite, ai përgatiti, në çdo vit 2 studentë të cilët e vijuan karrierën në regjimentet e aviacionit, duke u ngjitur hap pas hapi e shkallë-shkallë. Përveç që u mësoi djemve rishtarë, shfrytëzimin e aeroplanit gjuajtës-bombardues Mig-15, Petrika u kualifikua dhe vetë. Ai përsosi aftësitë e tij të rralla për të dëftuar, me saktësi çdo element të teknikës së pilotimit, duke fituar siguri më të madhe në ato që thosh e që bënte. Kryerja e detyrës së instruktorit të teknikës së pilotimit, shërbeu për Petrika Kostanin si një trampolinë, për t’u hedhur më tej. Puna e instruktorit të teknikës së pilotimit, në veçanti në fushën ranore të Poros, me intensitet të lartë pune dhe në kushte aspak komode, e kaliti djalin e madh të xha Kicos, për të përballuar situata nga më të ndryshmet, të cilat rridhnin nga puna tërë tension për të punuar, me durim të madh e me përkushtim të rrallë duke shpjeguar, jo një herë por disa herë, aq sa ta kuptonte studenti, atë që do të bënte, në ajër.

Në përbërje të grupit të instruktorëve të fluturimit, në atë kohë, bënin pjesë: Konstandin Sadikaj; Avdi Gjonmemaj; Guri Merkaj; Fazlli Begaj; Ahmet Sulejman Zogu; Stillo Melica dhe më të rinjtë: Bujar Tollkuçi; Isa Arapi; Përparim Zykaj dhe Sabri Toçi. Studentë për pilotë ishin: Klement Aliko; Musa Kame; Mane Bulluti; Garito Vito; Veiz Kovaçi; Novruz Kotorri; Shyqyri Tabaku; Arif Gaxhe; Luan Jaupi; Filip Çyço etj. Në vitin pasardhës, edhe studentët për pilotë që fluturuan e u diplomuan në Poro, për të shfrytëzuar aeroplanin gjuajtës-bombardues, Mig-15 ishin të tjerë.

Nuk po futem tek orari i punës i instruktorit të teknikës së pilotimit, i cili ishte i tendosur; nga agimi deri në orët e vona të mbasditës. Ata që kanë punuar në Poro, e kanë të qartë punën e instruktorit, i cili, paradite fluturonte me studentët e grupit të tij, kurse mbasdite përgatitej për detyrën e nesërme. Në kushtet e një lodhjeje ekstreme, atij i duhej të ruante nervat dhe fuqitë për të marrë pjesë të nesërmen në fluturimet e radhës. Dhe kjo punë përsëritej në çdo ditë.

Sot, pas rreth tri dekadash, nga ajo punë e nga ato kohë heroike, në “skëterrën” Poro, ka mbetur vetëm një kujtim i trishtë e nostalgjik, tek ata që kanë marrë pjesë në atë heroizëm, pavarësisht se nuk janë trajtuar siç e meritonin. Koha që ka kaluar që atëherë; mosha e protagonistëve e rritur; ndryshimi i kushteve sociale, në vend dhe përjetimi i statusit të pensionistit nga kontributorët, e kanë zbehur disi ndjesinë mbi sakrificat. Për të pasur një farë njohurie, sido që është e cunguar, e atyre që nuk e kanë imazhin e asaj pune, po ju servir një tip programi të punës ditore të instruktorit të teknikës së pilotimit në ato kohëra që nuk kthehen më: Instruktori i teknikës së pilotimit, të atyre viteve (kur Petrika Kostani ishte në këtë detyrë), zgjohej, çdo ditë, në orën 04.30 minuta.

Pas tualetit vetjak që zgjaste rreth 15 minuta, shpejt e shpejt, instruktorët hanin mëngjesin e parë (pavarësisht se ndonjërit nuk i shkonte poshtë ushqimi) dhe dilnin në aerodrom. Nën drejtimin e Udhëheqësit të Fluturimeve, instruktorët e teknikës së pilotimit, merrnin pjesë në shtrimin e startit, ku futen shenjat e uljes dhe të ngritjes dhe përcaktoheshin rrugët e mundshme të lëvizjes së aeroplanëve, nëpër aerodrom. Gjatë kësaj kohe, studentët bënin një trenazh (imitonin veprimet që duhet të kryenin), në kabinën e aeroplanit me të cilin do të fluturonte secili, atë ditë. Trenerimi drejtohej nga instruktori përkatës. Studenti në kabinë e instruktori i tij në krahun e aeroplanit ose mbi shkallë, i vinte në dukje studentit gabimet që kishte lejuar në fluturim, në ditën e mëparshme dhe kjo ishte një lloj analize e shkurtër e fluturimeve të ditës së shkuar. Në orën 07.00 udhëheqësi i fluturimeve, me një aeroplan nga ata që ishin caktuar për të fluturuar atë ditë, bënte zbulimin e kohës; përcaktonte motin faktik dhe tendencat e zhvillimeve të tij në ditën e fluturimeve.

Ai përshkonte të njëjtin rrugëkalim siç do të zhvilloheshin ushtrimet sipas plantabelës. Rrugëkalimi, lartësia dhe drejtimi i fluturimit “zbulues”, ishin të njëjtë me atë që do të ndiqte studenti i radhës. Ngarkesa fluturuese e një instruktori të teknikës së pilotimit, në një ditë fluturuese, as që mund të krahasohet me ngarkesën e një piloti të thjeshtë në regjimentet luftarake, madje dhe të atyre që kishin të drejtën e kontrollit, në ajër mbi vartësit e tyre. Nëse një instruktor i teknikës së pilotimit ngrihej e ulej 12 herë, kur u jepte fluturime vozitëse studentëve të tij, ose bënte në një ditë 2 zona pilotazhi apo kryente 5 fluturime në formacion, kjo dëfton se ngarkesa fizike e tij ishte tepër e lartë.

Në orën 14.00 të ditës, starti mbyllej e fluturimet mbaronin. Natyrisht, kur plantabela e fluturimeve ishte realizuar plotësisht, ose kur nuk ekzistonin shkaqe të justifikuara për ta lënë atë pa zbatuar. Mbasi vendoseshin aeroplanët në vendqëndrimin e tyre; në start, me studentët bëhej një analizë e shkurtër, nga komanda e skuadriljes e pas saj edhe nga komanda e shkollës së aviacionit. Deri në orën 16.00 të asaj dite, kryheshin veprimet për të ngrënë drekën dhe pushimi i mesditës. Orët 16.00- 17.30 ishin të planifikuara për të bërë përgatitje për fluturimet e ditës së nesërme, në grup fluturimi (me një instruktor). Deri në orën 18.00, përgatitja për fluturim bëhej bazë katërshe dhe drejtohej nga komandanti i katërshes, me pjesëmarrjen e instruktorëve të teknikës së pilotimit.

Përgatitja në katërshe shërbente dhe për të shkëmbyer përvojën brenda katërshes dhe brenda saj bëhej një lloj analize. Më në fund, 30 minuta vijonte përgatitja bazë skuadrilje ku jepeshin udhëzimet përkatëse dhe pjesëmarrësit merrnin dijeni për plantabelën e fluturimeve të ditës së nesërme.

Pas kësaj, çdo studenti i lihej në dispozicion 1 0re, për t’u përgatitur individualisht, në detaje, nën drejtimin e instruktorit të teknikës së pilotimit. Kësisoj, nga zgjimi deri në pushimin e mbrëmjes, i cili zakonisht bëhej rreth orës 22.00 e gjithë koha ishte e programuar dhe nën kontrollin e hallkave më të larta.

Duke njohur vendin dhe rolin e ngjarjeve të jashtëzakonshme që mund të ndodhin kur piloti fluturon, të cilat, Petrika i kishte mësuar që në ditën e parë të përgatitjes vetjake, për fluturim, kur ishte student dhe që i zotëronte fare mirë, Ai diti të ushqente me ndjenjën e të mësuarit të tyre përmendësh dhe në të gjithë parashikimin e mundshëm. Theksin e vinte tek argumentimi i çdo dukurie negative që mund të ndodhte, duke parashikuar shumë raste dhe sidomos tek sqarimi i prejardhjes, mënyrës së konstatimit, rrezikshmërisë që paraqet rasti dhe mënyrën e veprimit të shpejtë nga ana e pilotit, me qëllim që të minimizohen pasojat. E veçanta në aftësitë pedagogjike të Petrikes ishte forca e analizës së dukurive të ndryshme, në tokë e në ajër. Me forcën e logjikës dhe me horizontin që kish, Petrika ishte i aftë të detajonte proceset që ndodhnin në aeroplan, kur ai ishte në fluturim dhe çante rrymat e ajrit, nën ndikimin e tyre. Komunikimi njerëzor, me takt e modesti, “pa rrahur gjoksin”, ishte “arma” më e fortë në morinë e tipareve të qenësishme të Petrika Kostanit. Si gjatë kohës kur Ai ishte instruktor i thjeshtë i teknikës së pilotimit dhe kur u ngrit në detyrën e komandantit të skuadriljes e më pas në funksionin e lartë, të nderuar të komisarit të Shkollës së Aviacionit, Petrika Kostani shquhej për marrëdhënie të ngrohta, të hapëta, të çiltra e të drejtpërdrejta me “shefat”; me kolegët dhe me vartësit.

Ptrika nuk i njihte diferencimet e nuk mbante asnjeri “nën ombrellë”; për Atë, të gjithë ishin të barabartë e nuk bënte diferencime tek njerëzit. Çdo njeri, për Petriken, ishte kontributor me vlerë, dhe zinte një vend të caktuar në procesin e përgatitjes teorike dhe në atë të praktikës fluturuese.

Me vlerë të pamatë ishte shpirti i sakrificës që shfaqte, çdo ditë Petrika. Në Poro, zakonisht, fluturonin dy tipa aeroplanësh; ata reaktivë; Mig-15 dhe avionët me helikë; Tip-61; në dy turne. Petrikes, si drejtues kryesor, i shkollës së aviacionit, i takonte të ishte në krye të punëve, si në start, në kabinën e aeroplanit dhe në shkollë; gjithë ditën. Ai fluturonte e lodhej, në aeroplanët Mig-15, duke u dhënë fluturime kontrolli studentëve për pilotë, për të kaluar nga njëra detyrë në tjetrën, ose për t’i marrë ata në provim, dhe sapo drekonte, herë në mensë e herë në start, në mes të pluhurit e në nxehtësinë e padurueshme të muajve të nxehtë, nën pickimin e mushkonjave të ashtuquajtura pidheza e pas 10 korrikut të mushkonjave të zakonshme. Djersa i shkonte çurkë, gjatë gjithë ditës e nuk ndahej nga starti ku zhvilloheshin fluturime, komisar Petrika.

Jeta personale

Njihet fakti, i lidhjeve të pilotëve me martesë në moshë të re; kur ata janë akoma adoleshentë. Kjo ka shkaqet dhe shpjegimet e veta të cilave nuk po u futem. Veç një gjë dua ta theksoj: Oficerët në përgjithësi e aviatorët në veçanti, e kam fjalën për ata që janë të përkushtuar në detyrë, e kanë kohën të kufizuar për të shëtitur e për të përzgjedhur bashkëshorten. Aviatorët, për shkaqe të njohura janë të preferuarit e vajzave, kandidate për t’u lidhur me martesë. Vështirësitë shtohen kur djali, siç është rasti i Petrikes, i cili ndodhej larg familjes biologjike dhe synonte të lidhej me një vajzë, e cila të ishte e rritur dhe e formuar me psikologjinë dhe me mentalitetin e zonës së tij.

Petrika u emërua pilot, në Regjimentin e Aviacionit të Qytetit “Stalin” i cili ndodhet dhjetëra kilometra larg vendlindjes së tij. Në familjen e tij biologjike, për shkak të detyrave të gatishmërisë luftarake, i rastiste të shkonte rrallë. Ai e çmonte të domosdoshëm formimin e familjes vetjake dhe dëshironte të lidhej me një vajzë të zonës së Korçës. Fati i erdhi në ndihmë edhe në këtë rast.

Nëna (kështu e thërriste Petrika Gjeorgjine edhe pse nuk ishte i lindur prej saj), kishte një motër shpirtmirë, si vetë Jorgjia. Ajo njihte Adrianen, një vajzë për së mbari, e cila kishte kryer shkollën pedagogjike dhe punonte arsimtare në fshatin Progër të rrethit të Korçës. Adriana, ishte nga rrethi i Korçës, me të gjitha tiparet e një vajzë adoleshente bashkëkohore: me kulturë dhe me edukatë të shëndoshë e me sjellje mjaft të mira, në familje e në shoqëri. Motra e Gjeorgjisë, e cila e dinte dashurinë që ushqente e motra për Petriken dhe për tiparet e këtij të fundit; mbasi njihte mirë dhe Adrianen, mendoi dhe vendosi të bëhej rekomanduese, për t’u bërë mirë të dy njerëzve të mirë. Përpjekjet e saj nuk shkuan më kot. Dy të rinjtë, u panë e u pëlqyen dhe vendosën të lidheshin me martesë.

Adriana ishte lindur e ishte rritur në një familje të shëndoshë fshati, me norma morale dhe me kërkesa të larta dhe me një edukatë që të linte mbresë qysh në takimin e parë. Familja e saj, ashtu si dhe ajo e Petrikes, ishte e shquar për qëndrime atdhetarie dhe me kontribute me vlerë në çështjen kombëtare. Ky ishte një faktor plus, për Petriken, i cili ishte fluturues dhe dihen kërkesat e asaj kohe për këtë kategori njerëzish. Të dy të rinjtë: Adriana dhe Petrika, u fejuan me njëri-tjetrin në muajin shkurt të vitit 1966, kur Petrika ishte me shërbim në Regjimentin “Peza”, të qytetit “Stalin”. Situatat konkrete dhe pamundësia e Petrikes për të vajtur shpesh tek e fejuara, ishin ndër faktorët që e shpejtuan martesën, e cila u konkretizua fill pas një viti, pra, në vitin 1967.

Dasma, në të dyja familjet ishte me pjesëmarrjen e njerëzve të familjes, të fisit dhe me miqtë e shtëpive respektive. Siç ngjan në të tilla raste, gëzimi që përshkoi të dyja familjet ishte i pamatë. Gëzim kishin të gjithë por më së shumti gëzonin protagonistët e dasmës, apo siç i thonin rëndom në atë kohë: sebepçinjtë; Nënat dhe baballarët. Ishte një lidhje martesore e ujdisur mirë. U puqën dy njerëz të mirë, të cilët, sikur të ishin të lindur për njëri-tjetrin.

Sipas traditës vendore, Adriana nuse, u vesh me petka të bardha e ashtu vajti në familjen ku hyri nuse. Për të marrë nusen, në shtëpinë e prindërve të Adrianes, në Progër, vajti një dërgatë me krushq, në krye të së cilës ishte dhëndri i ri, Petrika Kico Kostani. Krushqit, për t’i dhënë rëndësi këtij gëzimi, vajtën në shtëpinë e nuses me dy makina të vogla (taksi). Në përbërje të krushqve, përveç Petrikes ishte motra Lirike dhe të tjerë; gra e burra. Dasmën në shtëpinë e Petrikes, e organizuan dhe e menaxhuan Gjeorgjia dhe Kicua, të cilët ishin në qiellin e shtatë e nuk dinin si ta shfaqnin gëzimin.

Në qytetin e Korçës, çifti i sapomartuar, qëndroi vetëm një muaj; në shtëpinë prindërore të Petrikes. Detyra e thërriste dhëndrin e ri të vinte në plan të parë gatishmërinë luftarake dhe programin që kishte nisur për aftësimin e mëtejshëm të tij, si pilot. Në Qytetin “Stalin”, çifti, fillimisht u sistemua në një dhomë, në katin e dytë të Hotelit të Oficerëve. Gjiton, në këtë mjedis, ata kishin shokun e Petrikes, Viktor Vangjelin, i cili, gjithashtu ishte i martuar por nuk kishte mundur të sistemohej në ndonjë shtëpi. Në ndërtim ishte një pallat, në qendër të Qytetit “Stalin”, i cili po ngrihej për të strehuar, kryesisht, familjet e kuadrove që shërbenin në aviacionin e Regjimentit “Peza” dhe të tjerë. Në hotel banonin dhe kuadro të tjerë të njohur, por ata ishin të pamartuar.

Kuptohet, jetesa e një çifti të sapomartuar në një hotel beqarësh, ishte një zgjidhje e detyruar dhe emergjente. Shpejt, Adriana dhe Petrika, u strehuan në godinën e ndërtuar posaçërisht për kuadrot ushtarakë. Transferimi i çiftit, nga Hoteli i oficerëve në banesën e përfunduar rishtaz, u krye pas një muaji. Në banesën e re, çifti Adriana dhe Petrika Kostani u strehuan në katin e dytë.

Në këtë banesë, ata kishin sërish gjiton Viktor Vangjelin. Edhe në këtë rast dy shokët e ngushtë nuk u shkëputën nga njëri-tjetri. Marrëdhëniet mes dy familjeve, ishin mjaft të ngrohta dhe Viktori me Petriken ishin si dy vëllezër. Për fat, edhe dy bashkëshortet e tyre, ishin nga ato vajza, të cilat shpejt u bënë shoqe të mira dhe kuptoheshin me njëra-tjetrën, ashtu si bashkëshortët e tyre; shokë prej një kohe të gjatë.

Në atë banesë u strehuan dhe: Allaman Isaku (ndjesë pastë); Shkelzen Kokomiri (ndjesë pastë); Jorgaq Çipi (ndjesë pastë); Kapo Selmanaj; Harilla Rjebi etj. Të gjithë ushtarakë të repartit të aviacionit.

Adriana dhe Petrika Kostani, pas martesës me njëri-tjetrin, u shtuan shpejt, me fëmijë. Ata sollën në jetë vajzën Klea, e cila u lind në Korçë kurse i biri, Erlandi, u lind në Qytetin “Stalin”. Petrika Kostani, ishte një bashkëshort, prind e vëlla shembullor. Të flasësh për lidhjet dashurore, gjatë e pas martesës së zj. Adriana me Petrika Kostanin, nuk do të mjaftonin romane të tërë. Ajo që e bënte të veçantë këtë lidhje mes dy njerëzve të mirë, të cilët më parë nuk e njihnin fare njëri-tjetrin është shkrirja në një e dy të rinjve, në të gjitha fushat e jetës. U puqën dy shpirtra të begatë dhe ky ishte fat i madh për të dy këta “engjëj”.

Nëse mund të bëhet fjalë për një çift bashkëshortësh “të përkryer” nuk është e nevojshme të shkojmë e të kërkojmë larg. Strehëza e ngrohtë që ngriti çifti i përbërë nga zj. Adriana dhe nga i ndjeri Petrika Kostani, na jep shëmbëlltyrën e një foleje të qetë ku mbretëron dashuria e ndërsjelltë, mirëkuptimi dhe harmonia në të cilën jeta rrjedh qetë-qetë dhe vetë familja rrethohet nga mjaft miq e shokë të çiltër. Pa u rrekur t’i hyj analizës së kësaj dukurie, nga lartësia e viteve që kanë rrjedhur dhe nga sa kam dijeni, mund të pohoj, jo pa kompetencë se në atë familje edhe ndonjë grimcë kundërshtie mes dy bashkëshortëve të denjë për njëri-tjetrin, kishte më tepër gjasa të ngjante lidhur me mënyrën e trajtimit të dy “yjeve” që sollën në jetë, në përpjekjet për t’i rritur e për t’i edukuar ata, me norma e sjellje qytetare. Dihet; Petreika e kishte ditën mjaft të ngjeshur e orët e punës të tejzgjatura. Kësisoj, barra kryesore e monitorimit dhe e kujdesit për fëmijët, binte, kryesisht mbi zj. Adriana, e cila, për hir të së vërtetës, nuk është se ushtronte ndonjë profesion të lehtë; përkundrazi, vetëm ai që ka qenë mësues me siguri i ka njohur e i njeh vështirësitë e saj, në shkollën ku jepte mësim. Edhe Ajo vinte e lodhur dhe e dërrmuar nga puna dhe me kokën që i zjente nga paudhësitë e moshës së nxënësve të saj. Si Nënë e si amvisë, me të ardhur në shtëpi, Asaj i përkiste të kujdesej për fëmijët dhe për shtëpinë. Pa marrë anën e asnjërit, jam i detyruar të pohoj se “engjëlli mbrojtës”- Petrika Kostani, edhe pse vinte në familje ashtu siç u tha më sipër, vonë e i lodhur tej masë, prapëseprapë i duhej të mendonte zgjidhje të përshtatshme për punët e së nesërmes. Ai, edhe në këto kushte, e gjente kohën dhe mënyrën për ta ndihmuar bashkëshorten, lidhur me edukimin e fëmijëve dhe për zgjidhjen e problemeve familjare, me qetësinë e admirueshme të tij; pa ngritur zërin e pa dhunë... Nuk e teproj fare, po të nënvizoj se fëmijët e tij, tek Babai i denjë për këtë emër, vështronin figurën që duhet të ndiqnin. Ata kishin kujt t’i ngjanin.

Ardhja në jetë e dy fëmijëve, të cilët sollën gëzimin e jetës në familjen e re të zj. Adriana me shokun tonë të pastër e të pjekur, i dha gjallëri familjes së re dhe asaj të origjinës. Rritja dhe edukimi i këtyre dy “melaiqeve”, u bë me kontribute të përbashkëta të të dy bashkëshortëve, por roli determinues në këtë çështje i takon zj. Adriana. Këtë nuk mund ta vërë asnjeri në dyshim. Rritja e shpejtë e Petrikes në detyrë, përveç kënaqësisë dhe krenarisë që ndjente bashkëshortja dhe fëmijët, pruri dhe ngarkesën e madhe të punëve për Babanë e ri.

Për hir të së vërtetës, Petrikes i mbetej fare pak kohë për t’u marrë me edukimin e fëmijëve. Ai kishte mjaft gjëra pozitive dhe vlera për t’u transmetuar pasardhësve, por puna shumorëshe e tij në Pisheporo dhe në shkollën e aviacionit, e lodhte tej masë dhe kur kthehej në familje, ishte i lodhur e i raskapitur, praktikisht në pamundësi fizike për t’u marrë me fëmijët. Këtë pamundësi të Petrikes, zj. Adriana nuk e linte bosh, por e kompensonte me kontributet e saj. Ishte fat i madh që specialiteti i saj kishte të bënte me edukimin e brezit të ri. Ajo ishte arsimtare në profesion dhe, si e tillë, zotëronte jo vetëm njohuri teorike, por njihte mirë pedagogjinë dhe ishte bartëse e vlerave më të mira të njeriut.

Vështroni fëmijët e Petrikes, për të cilët Ai kujdesej me merak të madh që Ata të arsimoheshin për së mbari dhe të bëheshin dikush në jetë. Sot, ata, të dy, janë të rrethuar nga dashuria dhe respekti i atyre që kanë pranë, në punë e në mjediset ku jetojnë. A ka vlerë më të madhe se të nderosh prindërit me qenien tënde, e cila u ngjan vlerave të tyre, madje i çon ato më lart?

Kur u bë pilot dhe u titullua oficer, Petrika, jo vetëm që nuk i harroi familjarët e tij, por me mundësitë që kish, kontribuonte jo vetëm moralisht por dhe ekonomikisht për mbarëvajtjen e punëve të njerëzve të tij të zemrës. Edhe mbasi formoi familje me vete, Petrika e çoi më lart traditën e ndihmës ekonomike dhe financiare për njerëzit e tij, të cilët jetonin në kushte më të dobëta nga ato që jetonte Peçi. Më mirë e më saktë se bashkëshortja e tij, zj. Adriana, e them me përgjegjësi se ndoshta askush tjetër nuk mund ta përshkruajë jetën bashkëshortore dhe përkushtimin e Petrikes, ndaj familjes dhe fëmijëve të tij. Me mjaft vështirësi, munda t’i shkëput disa fjalë asaj gruaje të rrallë, qëndrestare si ajo, në çastet e dhimbjes së thellë që e ka kapluar pas ndarjes nga jeta të të ndjerit bashkëshortit të saj, lidhjen me të cilin e ruan si një kujtim të bukur të një jete në çift, si në përrallë. Mes të tjerave, zj. Adriana, mes dhimbjes dhe lotëve, më solli disa kujtime të shtrenjta si: “… Petrika ka pasur dëshirë që të shkonte në shkollë, për t’u bërë aviator. U grumbulluan në shkollën ‘Skënderbej’ dhe dëshira iu realizua.

Në vitin 1959 ka shkuar në Bashkimin Sovjetik ku ka studiuar për shturman fluturues. Studimet u ndërprenë, për shkak të prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe u kthye më 16 shtator të vitit 1961. Vitin e parë ka qenë në Shadrinsk; vitin e dytë – në Krasnodar.

Në vitet 1961-1963, ka studiuar në Kinë, për pilot… Rreth gjashtë vitet e fundit të jetës, Petrika filloi të kishte disa shqetësime në shëndetin e tij. Shqetësimet ishin të përballueshme. Ai ishte optimist dhe i fortë psikologjikisht. Dilnim, së bashku dhe me fëmijët: me nipërit dhe me mbesat. Gëzimi i tij ishte i papërshkrueshëm kur i ledhatonte, e i përkëdhelte, me dashuri fëmijët. Edhe ata e donin shumë Atë.

Vitet rridhnin e sëmundja përparonte. Petrika u rëndua në dy vitet e fundit; derisa u nda nga jeta, më 11. 05. 2017. Ndarja e tij nga jeta na shkaktoi një hidhërim të madh në familje. Asnjëherë nuk iu ndamë; i qëndruam pranë dhe e kuptonim që Ai e kërkonte praninë tonë. Njëkohësisht edhe shokët e tij interesoheshin dhe e vizitonin. Bisedonin për kohën që kishin kaluar së bashku, në shkollë e në jetë.

Unë humba bashkëshortin, shokun tim të jetës; fëmijët humbën Babanë e tyre të shtrenjtë; motrat dhe vëllezërit humbën Vëllanë; njeriun e tyre më të dashur; shokët humbën një koleg të dashur e të respektueshëm, ku, së bashku shërbyen për një kohë të gjatë në detyrën e shenjtë, me aftësitë profesionale dhe kontributin e dhënë në zhvillimin e Aviacionit Shqiptar sidomos për përgatitjen e brezave të rinj të pilotëve. Edhe pse ishte i sëmurë, shokët iu gjendën pranë Petrikes; diskutonin për probleme nga më të ndryshmet e jetës e i jepnin kurajo për të përballuar të keqen që e kishte pllakosur. Falënderoj të gjithë personelin e Forcave Ajrore që morën pjesë në ceremoninë mortore, në momentin më të dhimbshëm të familjes dhe të afërmve të tij, duke i dhënë lamtumirën e fundit. Ai u nderua nga të gjithë; nuk më mbeti asnjë merak; përkundrazi, prania e tyre ma lehtësoi dhimbjen e thellë. Adriana, si bashkëshorte, fëmijët: Klea; Erlandi; Rozi, motrat, vëllezërit, mbesat dhe nipërit e ndjejmë veten krenarë për gjithçka që na dhuroi Petrika gjatë jetës…”

Kjo monografi do të ishte e pamundur të formulohej, pa kontributet e përbashkëta të familjarëve, të kolegëve, të shokëve e të miqve të panumërt që bëri Petrika, gjatë gjithë jetës. Pa dyshim vendi i parë i përket bashkëshortes së nderuar të tij, zj. Adriana Kostani, e cila, jo vetëm që përcolli një jetë me Petriken, në një lidhje dashurore si në përrallë, por dhe solli në jetë dy “yje” të rrallë: Klean dhe Erlandin, njëri më i mirë se tjetri, pinjollë të denjë të dy prindërve shembullorë. Ata, me figurën e tyre dhe me personalitetin që kanë formuar, falë edukatës që u kanë mëkuar prindërit dhe kulturës që kanë marrë, në familje e në shkollë, janë të rrethuar nga respekti dhe mirësia në mjediset ku punojnë e ku jetojnë, por dhe u bëjnë nder prindërve të tyre. Në rastin tonë, ata nderojnë kujtimin e Babait të ndjerë, të madhit Petrika Kico Kostani.

Kësaj monografie i dha jetë, duke e ndriçuar figurën e Petrikes, vëllai i tij; Midhi Kico Kostani, i cili mban emrin e “Heroit” të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, guerrilasit të qytetit të Korçës, të paharruarit Midhi Kostani, në kujtim të të cilit, Baba Kicua, i vuri emrin e të vëllait, të cilin e varën fashistët italianë, në mes të qytetit të Korçës, së bashku me Kico Grecon, mbasi ata dogjën zyrën e fashios. Kontributet e Midhit të Ri, nëpërmjet kujtimeve vetjake dhe qëmtimit të mbresave të bashkëkohësve të Petrikes, tashmë të moshuar janë kontribute të paçmuara. Sikur të donte të kompensojë mospraninë e tij në ceremoninë mortore të vëllait të tij, Petrikes, për shkaqe, të cilat nuk vareshin prej tij (në ato ditë, Midhi i Ri ndodhej përtej Oqeanit Atlantik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës), Midhi, i cili e donte dhe e çmonte shumë vëllanë e ndjerë, tani që Petrika nuk është më në jetë, po bën çmos që Ai të mos harrohet. Si rrallë vëlla, pas ndarjes nga jeta të vëllait, Midhi, i cili është bartës i vlerave më të spikatura të familjes Kostani, jo vetëm që mban gjallë traditën e mirë të trungut nga e ka rrjedhën, por po bredh e po qëmton, kujtime e mbresa të bashkëkohësve të Petrikes, në Korçë, në Orman Ciflig e në fshatra të tjerë. Midhi, njeri me vlera e virtyte si të vëllait të ndjerë, po përpiqet të mbajë gjallë lidhjet dhe miqësitë që ka pasur Petrika. Vajtja e tij në Orman Ciflig, ku Petrika ishte nip dhe bisedat e tij me të afërmit e Petrikes, në fakt janë fisnikëri e pastër dhe bujari e shpirtit të tij.

Puna e palodhur e Midhit bëri të mundur zgjimin e kujtesës së të moshuarve bashkëmoshatarë të Petrikes si Llazi Kita, i cili është djalë i tetos së Petrikes, por dhe mjaft të tjerëve me të cilët ka shkuar kohën e pushimeve, kur vinte në Orman Ciflig, Peçi, ose kur kalëronte mbi Bardhon e tij të preferuar. Vlerat e familjes Kostani, të cilat janë të njohura në qytetin e Korçës e në rrethina, Midhi po i mban gjallë e po i përtërin, në kushtet e reja që përjetojmë. Është meritë e drejtpërdrejtë e Midhit fakti i ruajtjes së lidhjeve miqësore dhe të dashurisë e respektit që ushqente Petrika për njerëzit. Opinionet që më ka servirur Midhi, si ato vetjake dhe ato të bashkëkohësve të vëllait të ndjerë, po përpiqem t’i grupoj e t’i paraqes në material, me vërtetësi. Për fat të keq, mjaft nga shokët dhe bashkëkohësit e Petrikes, tashmë, ose nuk janë në jetë, ose e kanë të vështirë të kujtojnë ato kohë kur ata kanë qenë në shoqërinë e Petrika Kostanit.

Në vend të Epilogut

Dihet, njeriu nuk mund të jetë i përjetshëm fizikisht. Ajo që nuk zhduket me largimin e një njeriu nga jeta, ka të bëjë me rolin që luan dhe vendin që zë njeriu, në histori. Tipari dallues, tek Petrika, mes shumë të tjerëve ishte thjeshtësia. Ai nuk e nxirrte kurrë gjoksin e të bërtiste: “Këtë e atë punë i kam bërë unë!” Kjo ishte natyra e tij. Petrika Kostani nuk punoi për lavdinë vetjake, por lavdia e ndoqi pas.

Sot, shumëçka ka mbetur në kujtesën e njerëzve dhe është fiksuar në memorien e tyre. Edhe mbasi brezi që punoi me Petriken, dhe ata të shumtë që mësuan prej tij, nuk do të jenë më në këtë jetë, me siguri, gjurmët e tij nuk mund të shuhen, as nga koha, as nga keqdashësit tendenciozë. Vetëm një njeri që nuk ka sy ose që nuk do të vështrojë, mund të mos i pikase, piketat që vuri Petrika Kostani, në organizimin, drejtimin dhe zhvillimin e përgatitjes teorike dhe të praktikës së fluturimit, në institucionin e vetëm shkencor të aviacionit që ka pasur vendi ynë. Nuk mund të jem i një mendjeje me ndonjë plakarruq të roitur, i cili i shumëzon të gjitha përpjekjet njerëzore të aviacionistëve, siç shkruan një miku im, me zero dhe i njeh vetes edhe ato që kanë bërë të tjerët.

Vetëm fakti që Petrika Kostani fluturoi për rreth 30 vjet, radhazi e ka një domethënie. Ai ishte komisari më jetëgjatë që ka shërbyer në këtë detyrë të lartë e shumë të nderuar. Dhe çfarë komisari ishte? Monografia, me gjithë mangësitë, besoj se i përshkruan bëmat e tij, pa bujë e pa zhurmë, siç ishte i tillë Petrika Kostani. E them, me bindje, se Petrika Kostani jetoi një jetë të vështirë dhe intensive. Fatkeqësia e rëndë që i ra mbi kokë kur ishte ende fëmijë dhe rritja jo me pekule por nëpërmjet vështirësive, si dhe profesioni i vështirë i aviatorit që përzgjodhi, kalitën tek djali i madh i xha Kicos tipare të rralla të cilat u shpalosën në jetë ditë pas dite.

E donin dhe i donte të gjithë njerëzit; pa asnjë interes, e këtë privilegj nuk e gëzojnë të gjithë. Ata që e kanë përcjellë, jo si spektatorë por si aktorë aktivë jetën dhe veprimtarinë drejtuese shumëvjeçare të komisar Petrikes, nuk ka se si të mos kenë pikasur si ndrinte Shkolla e si gëzonin njerëzit, kur shfaqej përpara tyre komisar Petrika, të cilin e donin dhe Ai i donte shumë. Kështu ndodhte dhe në startet e fluturimit. Shfaqja, pa bujë e Petrikes, i jepte gjallëri e gëzim të ri gjithë efektivit që merrte pjesë në ditën e fluturimeve; u shtonte fuqitë dhe shpresën atyre “heronjve”. Më thoni, ju lutem; a kam të drejtë të mendoj se Petrika Kostani nuk ishte thjeshtë një pilot në detyrën e komisarit të Shkollës së Aviacionit, por një “engjëll”, i ardhur në gjirin e tyre, për t’i drejtuar me urtësi e për t’i “mbrojtur” nga e keqja e mundshme?

Pas një sëmundjeje të rëndë, më 11 maj të vitit 2017, Petrika Kico Kostani, kur sapo kishte mbushur 76 vjeç, u nda nga jeta, në shtëpinë e tij, në Tiranë. Tek koka e Tij qëndronte e jashtëzakonshmja zj. Adriana dhe rreth tij fëmijët, familjarët dhe të afërm të shumtë. Një ikje e parakohshme nga kjo jetë e një njeriu të pazakontë. Përcjellja për në banesën e fundit u bë po atë ditë, në varrezat publike të Shtishtufines, në Tiranë. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit, bashkëshortit, prindit, vëllait, shokut e mikut të ngushtë, atë ditë, në kortezhin e përmortshëm, vargu i njerëzve të “helmuar” nuk kishte të mbaruar.

Erdhën e nga nuk erdhën; u dyndën, sapo mësuan gjëmën, njerëzit për t’i dhënë lamtumirën e fundit të mirit Petrika Kostani. Kishin ardhur njerëz nga Korça, nga Vlora, nga Qyteti “Stalin”, nga Rinasi, nga Gjadri, nga Farka dhe nga Tirana. Pa përfillur atë vapë përvëluese dhe moshën e thyer, u dyndën, të ardhurit nga larg si i moshuari Kostandin Sadikaj; Viktor Vangjeli; Bahri Meshau (Permeti); Drini Shtylla; Kapo Selmanaj; Servet Murati; Telo Dedi etj. Etj. Fjalën e lamtumirës mbajti shoku, kolegu dhe vartësi i Tij, instruktori “legjendë” i Pisheporos, piloti veteran Ahmet Sulejman Zogu. Një fjalë lamtumirë dinjitoze, për Atë dinjitar, në të cilin ishin skalitur si me daltë skulptori vlerat e padiskutueshme të të ndjerit. Pesha e autoritetit dhe dashuria e respekti i njerëzve për Petrika Kostanin, bënë që ajo ceremoni mortore të veçohet nga shumë të tjera që kemi parë e do të mbahet mend gjatë.

Pas përcjelljes, për familjarët, të afërmit dhe shokët e miqtë e shumtë që morën pjesë në ceremoninë funebre, u shtrua një drekë lamtumire e merituar për Atë mbinjeri, në lokalin me emrin “Tris”; i cili përdoret rëndom për të tilla raste. Në ato çaste të rënda të ndarjes, nuk di përse m’u kujtua një thënie e lashtë e popullit tonë, të cilën e kishte shumë për zemër, i lavdishmi kryepilot, kolonel Niko Hoxha: “… buza e plasur nuk qesh kurrë…!” Unë do ta parafrazoja disi më ndryshe. Gjykuar nga jeta që përcolli Petrika, e cila ishte plot me gëzime e mërzi, do të thoja: “… I mbeturi jetim që në fëmijëri, e ka të vështirë edhe fundin…!” Petrika Kostani, u nda nga jeta, para kohe, dhe la pas dy pasardhës të denjë, të hidhëruar por krenarë për Atin e tyre, i cili bëri sakrifica të pazakonta për t’u dhënë nga vetja tiparet e tij të rralla dhe u kujdes që ata të arsimohen e të kulturohen, të piqen e të maturohen dhe do ta mbushin vatrën me cicërima fëmijësh!

I paharruar qoftë kujtimi i të paarritshmit Petrika Kico Kostani!

Të rrojnë ata që la pas!

Kualifikimet dhe vlerësimet

Në vitin 1966, Petrika, në bazë të kushteve për klasifikimin e pilotëve, të asaj kohe, plotësoi kushtet, iu nënshtrua provimeve teorike e praktike dhe u deklarua: “Pilot ushtarak i klasit të tretë”! Kushtet për të merituar këtë titull nderi mes të tjerash ishin: Piloti duhet të kishte kryer programin e përgatitjes luftarake të vitit të parë të jetës në regjiment, pas diplomimit pilot; të kishte përcjellë, elementët e përgatitjes luftarake si kapje, sulme tipike, imitim të luftimit ajror, qitje kundër shenjave tokësore, fluturim në tavanin praktik të aeroplanit përkatës dhe fluturim në përbërje skuadrilje me 12 aeroplanë, në stratosferë. (Lartësia përcaktohej sipas tipit të aeroplanit).

Në Paradën Ajrore të vitit 1969, Petrika Kostani ishte në formacionin parakalues, mbi bulevardin qendror të Tiranës, me një aeroplan të tipit Mig-15 Bis.

Petrika Kostani për shkak se kishte teknikë pilotimi të pastër dhe ishte nga pilotët më me horizont e guximtarë ishte përzgjedhur si pilot kolaudator. Ai bënte provën në tokë e në ajër të aeroplanëve të tipit: Mig- 15 e të atyre Mig- 17f. Besoj se janë të shumtë ata që e dinë, se vetëm pastërtia e teknikës së pilotimit, nuk mjafton për të qenë kolaudator. Nuk mund të anashkalohet, as niveli i lartë teorik, as intuita shkencore, as guximi, trimëria dhe qetësia në ajër, për të qenë i kompletuar, si pilot që mund të bënte provën në ajër të një aeroplani, i cili kishte kaluar në riparim, periodik ose pas ndonjë defekti që mund të ishte shfaqur.

Në vitin 1968 Petrika u caktua në detyrën e instruktorit të teknikës së pilotimit. Me qëllim që aftësitë profesionale të tij të ishin në nivelin e kërkesave të kohës, Ai u trenerua për të fluturuar nga kabina e dytë e avionit gjë që nuk ishte e njëllojtë me pilotimin nga kabina e parë ose nga fluturimet me aeroplan njëvendësh. Studentët që mësoi Petrika u bënë drejtues të nënreparteve dhe reparteve të aviacionit, fluturuan në tipa aeroplanësh më të sofistikuar, siç është aeroplani Mig-19 S dhe Mig-21, si dhe u stërvitën në kushte të ndryshme të motit e fituan shkallë më të lartë kualifikimi. Studenti Mane Bulluti, p.sh. në Regjimentin “Peza” ku fluturoi për një kohë të gjatë, u ngjit në funksione drejtuese dhe në Komandën e Aviacionit, ku mbajti pozicione të lakmuara drejtimi, siç ishte ai i instruktorit të qitje-bombardimeve, të cilin Manja e ushtroi disa vite. Nëse, piloti veteran, Filip Çyço, një “gjigand”, në shtat e në ajër, u bë komisar skuadrilje, në Gjadër, kur fluturonte me aeroplanët Mig-19S, zanafilla e arritjeve të tij është fluturimi në Pisheporo, me instruktor Petrika Kostanin e paharruar.

Në vitin 1977, Petrika Kostani kreu studimet në Shkollën e Lartë e Partisë “V. I. Lenin”, në Tiranë dhe në vitin 1982 kreu Kursin e Lartë të Filozofisë, pranë Shkollës së Lartë të Partisë “V. I. Lenin”, në Tiranë.

Petrika Kostani zotëronte Gjuhën Ruse, me të folur e me shkrim. Ai lexonte shumë; lexonte literaturë artistike, ku në vend të preferuar ishin shkrimtarët klasikë rusë, në veçanti Maksim Gorki, të cilin nuk e ndante nga dora. Petrika lexonte mjaft literaturë tekniko-shkencore ku në vend të parë ishte teoria e fluturimeve, aeronavigacioni dhe rastet e veçanta në fluturim. Literaturën politike, sidomos filozofinë, si shkencë me prioritet, e kishte mjaft për zemër. Për shkak të detyrës, studionte dhe literaturë politike bashkëkohore. Leximi kishte ndikuar mjaft për zgjerimin e horizontit të Petrikes, gjë që reflektohej në praktikë, ku Ai, jepte mendime të bazuara e propozonte zgjidhje konkrete.

Urdhrat dhe medaljet

Në vitin 1973, Petrika Kostani u nderua me Urdhrin e “Shërbimit Ushtarak të klasit të Tretë”.

Në vitin 1980, Petrika Kostani u nderua me Urdhrin “Ylli i Kuq i klasit të Dytë”.

Disa opinione

Ahmet Sulejman Zogu

Koleg i Petrikes, bashkëpunëtor i tij për një kohë mjaft të gjatë. Si shok i afërt i Tij, Ahmeti përgatiti dhe lexoi fjalën e lamtumirës. Në fjalën e tij theksohet:

Të nderuar pjesëmarrës! Zoti apo natyra po na ndëshkon në mënyrë të pamëshirshme kohët e fundit, duke na marrë njëri pas tjetrit jetët e shumë shokëve të aviacionit. I tillë është edhe rasti i sotëm ku, me dhimbje të madhe jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit shokut tonë të dashur e të shtrenjtë Petrika Kostani. Petrika u lind në qytetin e Korçës, më 5 maj të vitit 1941, në një familje qytetare korçare, me tradita të hershme patriotike, kulturore dhe atdhetare. Mjafton të themi që Petrika ishte nip i Midhi Kostanit. Mbasi mbaroi shkollën fillore, atë shtatëvjeçare dhe të mesmen, në Korçë, me rezultate shumë të mira, në vitin 1959, iu bashkua grupit të studentëve shqiptarë që shkuan për studime në Bashkimin Sovjetik, për t’u përgatitur si aviodrejtues ajri në Aviacionin Luftarak Shqiptar; në kuadrin e planeve të shtetit shqiptar si anëtar i Traktatit të Varshavës.

Prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik bëri që grupi i Petrika Kostanit, si shumë grupe të tjerë të shkojnë në Kinë për t’u përgatitur për pilotë. Në vitin 1963, mbaroi programin teorik e atë praktik, u kthye në Shqipëri dhe u emërua në Regjimentin luftarak të Kucoves. Gjatë gjithë kohës, nëpër shkollat që ka kryer, Petrika ka pasur rezultate shumë të mira teorike dhe praktike dhe duke shërbyer në këtë regjiment, u kalit e u forcua më tej profesionalisht duke fituar eksperiencën e nevojshme për të përballuar me sukses të gjitha detyrat luftarake që iu ngarkuan. Në vitin 1968, Petrika u transferua në detyrën e instruktorit pilot, në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë. Për rezultate të shkëlqyera në punën me studentët, komunikim tepër të ngrohtë dhe vëllazëror, pas dy vitesh, Ai u emërua komandant i skuadriljes reaktive në Shkollën e Aviacionit në Vlorë. Në vitin 1977, u emërua komisar i Shkollës së Lartë të Aviacionit, detyrë të cilën e kreu për një kohë të gjatë, derisa doli në pension, në vitin 1992.

Gjatë gjithë karrierës së tij si pilot dhe si komandues, asnjëherë, nuk i është larguar fluturimit, por ka kryer të gjitha llojet e detyrave, në rolin e instruktorit, në rolin e kontrolluesit, në eksperimentimin dhe në kolaudimin e avionëve, në detyra speciale, në kuadrin e stërvitjeve të mëdha në shkallë ushtrie, me qitje e bombardime, në terren malor dhe fushor. Çelësi i suksesit në punën e tij ishte komunikimi njerëzor e vëllazëror dhe human, me njerëzit, përkujdesja dhe përkushtimi me të gjitha kategoritë, që nga ushtari, tekniku e specialisti e në veçanti me studentët dhe me kolegët pilotë. Petrika ka qenë unikal në thjeshtësinë dhe në modestinë e tij. Si askush tjetër, pa asnjë shenjë egoizmi e mendjemadhësie. Ai ka pasur detyrën e komisarit, por nuk dinte të bënte leksione politike e filozofike; Ai dinte të komunikonte aq mirë e aq thjeshtë dhe aq ëmbël me njerëzit. Fjalët e Tij ngjitnin si me zamkë bre, siç thoni ju korçarët, në shpirtrat dhe në zemrat e njerëzve.

Petrika dhe bashkëshortja e tij Adriana, një mësuese e mrekullueshme kanë lindur e kanë rritur dy fëmijë të mrekullueshëm: vajzën Klea dhe djalin – Landi, me dashuri për shkollën dhe për punën. Ata, sot kanë krijuar familjet e tyre, me nipër e mbesa të dashur e të respektuar për Gjyshin dhe për Gjyshen të cilët kanë sakrifikuar aq shumë për rritjen dhe për edukimin e tyre. Ata do të krenohen me gjyshërit e tyre të mrekullueshëm.

Kurrë nuk më kishte shkuar në mendje, as në imagjinatë, se do të kisha nderin të thoja këto fjalë, në emër të shokëve, përpara trupit tënd të pajetë.

O shoku ynë i shtrenjtë Petrika Kostani! Unë shfrytëzoj rastin, për të të kërkuar falje publike që nuk ta plotësova kërkesën tënde të vazhdueshme kur më thoshje: “shkruaj për Pishe Poron; shkruaj për punën e madhe e të jashtëzakonshme që kemi bërë, sepse asnjë nuk mund ta imagjinojë e ta shkojë nëpër mend, as nga vetë kolegët e aviacionit shqiptar se ç’bëhej atje.” Ngarkesa maksimale gjatë gjithë ditëve të javës fillonte në orën 5 të mëngjesit dhe përfundonte në orën 21 të darkës. Është një rast unikal, në aviacion, natyra e punës në Shkollën e Aviacionit ku punohej me turne. Paradite, punohej me skuadriljen reaktive; mbasdite – me skuadriljen me helikë. Petrika Kostanit i binte që brenda ditës të kryente detyrën si udhëheqës fluturimi dhe të fluturonte me studentët, si kontrollues si dhe të ishte drejtues dhe kontrollues i përgatitjes për fluturim, për të nesërmen.

Duke pasur këtë proces pune dhe duke zbatuar, me rreptësi rregulloret dhe instruksionet, prandaj dhe ngjarjet e jashtëzakonshme në shkollë kanë qenë minimale, për të mos thënë fare. Është meritë e familjeve tona; e Adrianes, në rastin konkret që, në mungesë të babait në shtëpi, krahas punës së shtetit rritën dhe edukuan fëmijët e tyre.

I dashur shoku ynë Petrika! Kurrë ne dhe të gjithë ata që të njohin, shokët, nuk do të harrojmë humorin tënd të këndshëm dhe buzëqeshjen tënde të ëmbël. Kjo buzëqeshje do të mbetet gjithmonë në sytë tanë. Koha e gjatë, në atë punë të vështirë dhe jeta jonë së bashku, ditë e natë, për vite të tëra e kalonin termin shokë dhe afroheshin më shumë me atë: vëllazëri. E kam shumë të vështirë të ndahem me ty, Petrika jonë i dashur. Me shumë dhimbje të themi: Lamtumirë përgjithmonë shoku ynë. I përjetshëm qoftë kujtimi juaj! U prehtë në paqe shpirti juaj i mirë dhe i pastër!

Në shenjë mirënjohjeje ju ftoj të mbani një minutë heshtje!

Mbas fjalës së lamtumirës u lexua telegrami i ngushëllimit, drejtuar familjes Kostani, nga Ministri i Mbrojtjes, nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe nga komanda e Forcave Ajrore. Në telegram shkruhej:

Të dashur familjarë të Petrika Kostanit! Me hidhërim të thellë, mësuam lajmin e ndarjes nga jeta të ish-kolegut tonë, pilotit të Aviacionit Luftarak Shqiptar Petrika Kico Kostani. Gjatë karrierës së tij, Petrika u shqua si pilot i talentuar dhe një komandant që, me aftësitë e tij profesionale dha kontributin e tij, në Shkollën e Aviacionit ku punoi me përkushtim e dëshirë të jashtëzakonshme në përgatitjen e shumë brezave të rinj pilotë. Me vdekjen e tij, Adriana humbi bashkëshortin e saj të jetës; fëmijët humbën babain e tyre shembullor; shokët dhe miqtë humbën një koleg të dashur e të respektuar. Në këtë moment të dhimbjes së thellë për familjen dhe të afërmit, duke u ndjerë pjesë e kësaj dhimbjeje, në emër të personelit të Forcave Ajrore dhe në emrin tim, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta.

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Bahri Meshau (Permeti)

Koleg, shok i afërt, për shumë vite, i Petrika Kostanit.

… E vështirë qenka të shkruash për një shok, mik e vëlla, me të cilin ke jetuar e punuar për një kohë, mbi gjysmë shekulli, por që fatkeqësisht është ndarë nga jeta, vetëm fizikisht… Kur shoku ynë Niazi Nelaj më kërkoi të shkruaj disa kujtime nga jeta e të ndjerit, shokut tonë Petrika Kostani, e prita me kënaqësi, por, duke hedhur në letër disa copëza kujtimesh, ndihem ngushtë mbasi është e vështirë t’i përmbledhësh ato, në pak rreshta, prandaj dhe ndihem i trishtuar.

U njoha me Petriken, kur nisën ndryshimet, cilësisht, në marrëdhëniet mes Vendit tonë dhe Bashkimit Sovjetik. Ishte koha kur Qeveria Sovjetike përzuri nga shkollat sovjetike të aviacionit studentët shqiptarë, të cilët, në pritje për të vijuar studimet në mundësi të tjera, u sistemuan për të jetuar në Hotelin e Ministrit, në Tiranë, në kushte optimale. Këtu u njohëm mirë, me të gjithë të kthyerit dhe me Petriken. Më ra në sy e më pëlqeu djali çapkën, i thjeshtë e dashamirës dhe me humor, qytetari i mirë korçar - Petrika Kostani.

Petrika i përkiste grupit të “aviodrejtuesve fluturues” të cilët kishin fluturuar dy vite, në Bashkimin Sovjetik; më pas u dërguan në Republikën Popullore të Kinës. Petrika dhe një pjesë e grupit ku bënte pjesë, u kthyen nga Kina pilotë gjuajtës-bombardues e u emëruan në Regjimentin e Qytetit “Stalin”. Ata u bashkuan me katër pilotë të këtij lloji, të cilët ishin të diplomuar në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë; Të ndjerin Thanas Papa; Pandeli Lengun; Vangjel Baben dhe Bahri Meshau (Permeti).

Mua dhe Petriken na caktuan në Skuadriljen e Dytë të këtij regjimenti, ku ishte komandant, i paharruari Tomorr Avdia. Komandanti ynë, në dukje dukej autoritar e serioz, por, në fakt ishte mjaft i butë, i ndershëm, i dashur e i respektuar nga të gjithë. Që në fillim, me Petriken krijova marrëdhënie të sinqerta shoqërore. Petrika, i lindur e i rritur në një familje punëtore - qytetare korçare, manifestonte kulturë, thjeshtësi, qytetari dhe edukatë të shëndoshë familjare.

Është e natyrshme që çdokush, i ka shokë, të gjithë ata me të cilët punon, por, midis tyre ka përjashtime. Njeriu, për shok gjen atë që i përshtatet; në sjellje dhe si karakter. Petrika manifestonte cilësi, të cilat e bënin Atë, të dallueshëm nga të tjerët. Ai vinte nga një familje punëtore qytetëse, të edukuar më së miri. Në karakterin e Petrika Kostanit binte në sy sinqeriteti në marrëdhëniet me shokët; thjeshtësia dhe fryma komunitare.

Në kohën kur, të dy, ishim pilotë të thjeshtë; në Regjimentin “Peza”, jeta sportive dhe ajo kulturore ishin të gjalla e të larmishme. Në veprimtaritë sportive Petrika ishte aktiv. Ai luante shumë mirë ping-pong, si të gjithë ata që kishin studiuar në Kinë. Kur luaja kundër tij, dilja gjithmonë i humbur; me përjashtim të rasteve kur Petrika më toleronte. Në kryerjen e detyrave luftarake, me aeroplan, Petrika ishte i dalluar e rezultativ.

Në detyrën e instruktorit të teknikës së pilotimit, në shkollë, Ai, me punën dhe me sjelljen e tij, shpejt, fitoi dashurinë dhe respektin e studentëve dhe të kolegëve të tij. Në detyrën e Komandantit të Skuadriljes reaktive të Shkollës së Aviacionit, Petrika, mjaft shpejt fitoi aftësitë komanduese. Në vitin 1975, Petrika u dërgua për studime, në Akademinë Ushtarake ku i rriti mjaft aftësitë organizuese e drejtuese.

Në çdo kohë e për çdo punë Petrika karakterizohej nga durimi dhe nga gjykimi i shëndoshë për zgjidhjen e problemeve që shqetësonin efektivin e Shkollës së Aviacionit. Petrika Kostani është komisari më jetëgjatë në Shkollën e Lartë të Aviacionit Shqiptar. Ai do të mbahet mend si kuadri më dashamirës, më i rregullt e më i përpiktë në detyrë. Mbi të gjitha, Petrika ishte tepër njerëzor kur ishte puna për të zgjidhur hallet e njerëzve. Ai i njihte vartësit me emër e me mbiemër, madje dinte dhe prejardhjen e tyre, që nga kreu, deri tek ushtari më i thjeshtë. Me studentët dhe me ushtarët, Petrika sillej, pa fodullëk, por si një prind i vërtetë i tyre.

Vetëm ai që ka punuar në Shkollën e Aviacionit mund ta dijë ngarkesën e madhe që ka, si në procesin mësimor dhe në praktikën e fluturimit. Petrika ishte nga ata kuadro drejtues, të cilin, asnjeri nuk dëgjoi të thosh: “U lodha!” Ishte vlerë e tij, e padiskutueshme, aftësia për të bashkëpunuar me ekipin drejtues të repartit 9011, sidomos me fluturuesit: Kostandin Sadikaj; Isa Arapi; Bahri Meshau (Permeti); me drejtuesit e katedrave mësimore si: Drini Shtylla; Nehar Jazexhiu; Halil Bello, etj, si dhe me drejtuesit e skuadriljeve: Admir Fllaga; Skënder Mesiti; Arqile Kosta; Ahmt Sulejmani; Kristaq Mileti (ndjesë pastë); Aleksandër Bubullima etj.

Petrika Kostani nuk iu nda kabinës së aeroplanit, që nga dita e parë kur provoi të fluturonte, derisa doli në pension, po nga kabina e fluturimit. Petrika Kostani, gjatë gjithë karrierës ushtarake në aviacion, u shqua për punë të palodhur e pa pretendime. Ai veçohej si kuadër me cilësi të spikatura të një njeriu me sjellje të kulturuar e aftësi profesionale, njerëzor e të sakrificës. Këto dhe tipare të tjera tek personaliteti i tij, bënë të mundur krijimin e një familjeje të shëndoshë, e cila ishte shembull, në çdo drejtim. Marrëdhëniet mes dy familjeve tona ishin të sinqerta e të shëndosha; pa kurrfarë interesi, të gatuara me thjeshtësi e respekt të ndërsjelltë. Adriana Kostani (Trajani), ka qenë e është një Zonjë e vërtetë, jo vetëm për familjen e saj shembullore, por dhe në marrëdhëniet e punës ku ishte një kuadër drejtues i jashtëzakonshëm.

Petrika nuk e shfrytëzoi, asnjëherë, prejardhjen e tij familjare, për qëllime përfitimi personal; për të zënë një qoshe të rehatshme, në Tiranë, siç bënin të tjerë. Ishin të paktë ata që e dinin se Petrika ishte pasardhës i “Heroit të Popullit” - Midhi Kostani, i cili, në moshën më të bukur, kur ishte vetëm 23 vjeç, u flijua, në litar nga fashistët italianë, për interesat e Atdheut.

Petrika u nda nga jeta në moshë jo aq të madhe, duke lënë në pikëllim: Shoqen e tij të jetës - Adrianen; fëmijët: Klea dhe Erland; nipërit dhe mbesat, gjithë të dashurit e familjes si dhe neve, shokët që e donim e na donte dhe na respektonte aq shumë. Personalisht, kam humbur, vetëm fizikisht, shokun tim më të mirë, të cilin e kisha jo vetëm shok e mik, por edhe vëlla. Në një vizitë familjare, në shtëpinë e tij, nuk do t’i harroj kurrë, fjalët me të cilat m’u drejtua kur më pa të përlotesha përpara tij, për shkak të momenteve të vështira që kishte kaluar, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale: “Ne, nuk jemi vetëm shokë, por më tepër se vëllezër; i jemi ndodhur pranë njëri-tjetrit, si në të mira dhe në vështirësi; kemi qenë më afër se vëllezërit. Ne vëllezërit i kemi larg, prandaj kemi qenë pranë njëri-tjetrit, në çdo rast”.

Nuk jam besimtar e nuk u besoj ëndrrave që më shoqërojnë vazhdimisht, por, nuk i shpjegoj dot ato. Petrika më shfaqet shpesh në ëndërr, por, jo siç ishte: Gazmor e i hedhur, por, i përmbajtur e i heshtur. Aq shpesh më shfaqet në gjumë, i paharruari, sa, një herë (në gjumë), iu drejtova disa shokëve: “Mos e mërzitni komisarin, se nuk ka qenë mirë, nga shëndeti…”

  • I paharruar qoftë shoku ynë i mirë; shoku, miku e vëllai im i dashur, Petrika Kostani!

Enver Muca

Shok grupi i Petrika Kostanit, në Shadrinsk, në Krasnodar dhe në Mancuri: Pas përfundimit të Universitetit në Pekin, u bë përkthyes i Gjuhës Kineze dhe u largua nga aviacioni:

… Duhet të ketë qenë fundi i gushtit të vitit 1959. Mbasi kishim qëndruar 3 apo 4 ditë në një repart ushtarak, në periferi të Tiranës (ndoshta tek i ashtuquajturi “Rrapi i Treshit”), më në fund, në një karroceri të një kamioni me targa ushtarake, “na nisën” për në Vlorë. Ishim 16 vetë e mezi pritnim për të nisur studimet në një shkollë (uçilishe) ushtarake të aviacionit, në ish-Bashkimin Sovjetik… Me të mbërritur në Vlorë, pas përshëndetjes nga një ish-ushtarak i lartë, ashtu, si të ishim dele, na ngarkuan në një anije të vogël (“Irgis”) quhej, me sa më kujtohet, e, pas 4 ditësh “na shkarkuan” në portin e Odesës. E që andej, më pas, me tren, udhëtuam drejt Moskës e, më tej, po me tren, drejt një qyteti të vogël, “në atë anë” të Uraleve, në Shadrinsk. Kështu nisi aventura e grupit tonë prej 16 kursantësh… Do të studionim për shturmanë të avionit Il-28, gjuajtës-bombardues (bombardues i mesëm fronti, N. N.).

U njoha me Petriken (Kostani), përgjatë atyre 4 ditëve të lundrimit drejt Odesës. Më bëri përshtypje; gati “me shikimin e parë”, ndjeva se me të do të më “hahej muhabeti”, më shumë se me të tjerët. Në atë grup, siç e thashë, ajo fytyrë e plotë, e qeshur e që, tek fliste me atë dialektin e korçarëve të thekur, merrte një të skuqur të lehtë… E kam dashur Korcen, që në fëmijërinë time të hershme; por edhe korçarët, me të folurën e tyre karakteristike, zhargonin që përdornin kur bënin humor, zërat e tyre të bukur, tek këndonin ato serenatat e famshme. Petrika ishte i tillë. Në fytyrën e tij, plot dritë e jetë, gjithçka ishte e skalitur si nga dora e një skulptori… kulmin e arrinin sytë e tij të qielltë…

Nuk u desh të kalonte shumë kohë e në procesin e njohjes me njëri-tjetrin, Petrika zuri vend në “elitën” e asaj gjashtëmbëdhjetëshe çunash. E donim, të gjithë… Ishte ngahere i gatshëm të na ndihmonte për mbajtjen pastër e me dinjitet të uniformës ushtarake. Petrikes i vinte ndorësh, të hekuroste, po se po, por edhe të qepte e të riparonte këmishët, apo edhe pantallonat tona… E them, me gjithë zemër; në saje të Petrikes, në mbrëmjet e vallëzimit që organizoheshin në sheshet e vallëzimit (në tancplloshadkat) e atij qyteti të vogël (në atë anë të Uraleve – në Lindje të tyre N. N.), ne binim në sy si djelmosha të veshur pastër e të kollarisur. Petjan (Petriken) e kishim ndërkohë edhe instruktor në mësimin e patinazhit apo në rrëshqitjet me ski. Ai nuk kursehej për të na ndihmuar, neve, “agallarëve”, që nuk merrnim vesh nga ajo punë. Kështu na ngacmonte, me shpoti, i rralli Petrika Kostani.

Siç e thashë, jeta ime mori një drejtim krejt tjetër. Me Petjan (Petriken e paharruar) u ndava, për të mos u takuar për dhjetëra vite radhazi. Humbja e tij (ikja e tij nga kjo jetë), më ka lënë pikëllim të madh. E kujtoj, ngahere, me dashuri e me respekt. Nuk e pata fatin që edhe unë të vijoja udhën e bukur që ndoqi Petrika, në armën e aviacionit; ama, ajo kohë e pakët (për afro 3 vite) më ka lënë në kujtesën time, të ngulitur thellë njeriun e mirë, djaloshin fytyrëqeshur, shokun e respektuar nga të gjithë, kursantin korrekt i cili, më pas do të bëhej komandant e komisar i shquar e një pilot i jashtëzakonshëm i Forcave Luftarake Ajrore.

Petrika ishte një djalosh, me të vërtetë modest. Po ju rrëfej një fakt tepër domethënës: Krejt rastësisht, mësova nga miku i afërt i tij, Viktori (Vangjeli N. N.) se një xhaxha i Petrikes… ishte Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare; madje dhe një shkollë e qytetit të Korçës, mbante emrin e tij. Kishte në grupin tonë djem “me biografi të mirë”, siç thuhej asaj kohe, por, ama, Petrika nuk e përmendi, qoftë edhe një herë emrin e tij e nuk u mburr kurrë me këtë fakt, siç ndodhte rëndom, në ato vite…

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Shënim: Shokun e grupit, në datën 7 nëntor të vitit 2018, e takova rastësisht, në një rrugë të kryeqytetit tonë. Si për të plotësuar opinionin e tij, e pyeta: A kaluat ndonjë natë, në Moskë e çfarë pate në atë metropol? Sikur të ishte kthyer, dje, nga Moska, Enveri më bëri me dije se kishin fjetur një natë në Moskë e u ishte dhënë mundësia të vizitonin Mauzoleun Lenin-Stalin, Universitetin “Lomonosov” etj. Atij i kishte lënë mbresë, fakti që wc e qytetit ishin pa dyer dhe të gjithë uleshin në radhë, si të ishin në një shikim rreshtor … (N. N.).

Viktor Vangjeli

Shok grupi i Petrika Kostanit, në Shadrinsk, në Krasnodar, në Mancuri dhe në Qytetin “Stalin” e më pas:

… Petrika Kostanin e kam njohur nga muaji gusht, i vitit 1959, derisa u nda nga jeta. Më 23 gusht të vitit 1959, u nisëm nga Tirana, për në Vlorë, nga ku do të hipnim në anijen sovjetike “Irgis”, për të lundruar drejt portit detar sovjetik të Odesës, në Jug të Bashkimit Sovjetik. Në Odesë, u ndamë si grup. Do të studionim për shturmanë ajrorë, në shkollën e aviacionit të një qyteti të vogël, në anën Lindore të maleve Urale; në Shadrinsk.

Në fillim, qemë të drojtur. Thuajse të gjithë vinim nga shkollat e mesme civile të vendit. I vetmi ish-skënderbegas, në grupin tonë, ishte Besnik Hashorva. Njohja dhe afrimi me njëri-tjetrin u bë gradualisht e dita-ditës, por jo me të gjithë njëlloj. Njohja me shoqi-shoqin dhe formimi i shoqërive të ngushta u bë, pa bujë e pa zhurmë, sipas mentaliteteve dhe sipas karaktereve të secilit. Brenda grupit të madh, me të gjithë ishim shokë.

Shokët tanë që vinin nga qyteti ishin më të hedhur; ne që ishim nga fshati ishim më të drojtur. Petrika, në pamje të parë, sipas mendimit tim, paraqitej një i ri i qeshur e dashamirës dhe me një humor të këndshëm. Shakatë e tij i pëlqenin të gjithë; mblidheshim e kënaqeshim me rrëfenjat e tij. Në pamje të parë, për një njeri që nuk e njihte, Petrika linte përshtypjen sikur nuk e “çante kokën”; por, kur u afruam e u miqësova me të, doli ndryshe.

Petrika rridhte nga një familje qytetare korçare, me qëndrime atdhetarie, e lidhur ngushtë e me kontribute të shquara në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Xhaxhai i Petrikes, Midhi, një guerrilas i qytetit të Korçës, u var, nga fashistët italianë, në qendër të qytetit, pasi dogji zyrat fashiste të fashios, së bashku me Kico Grecon. Familja e Petrikes, pas Luftës së Dytë Botërore përbëhej nga 8 fëmijë.

Në atë familje punonte vetëm Babai i tij- Kicua me profesion kasap. Petrika mbeti jetim nga e ëma që kur ishte 6 vjeç dhe i ati u martua sërish.

Në këtë kuptim, Petrika nuk qe i rritur në bollëk, por në ngushtësi. Që kur ishte adoleshent, Ai ishte futur në hallet e familjes dhe ishte i prirë të ndihmonte vëllezërit dhe motrat. Familja Kostani, mezi priste të rritej vëllai i madh, Petrika.

Kur diskutonim për çështje të ndryshme, mes shokësh, Petrika jepte mendime të pjekura dhe i kishte të qarta detyrimet ndaj familjes. Duke parë që na puqeshin mendimet, u afruam shpejt me njëri-tjetrin dhe krijuam marrëdhënie të ngushta, personale dhe familjare, të cilat i ruajtëm, derisa Ai mbylli sytë. Dy vjet, në Bashkimin Sovjetik dhe dy të tjerë në Kinë ishim, së bashku, në një klasë, pushonim në të njëjtën fjetinë e ushqeheshim në të njëjtën mensë. Petrika, jetën e vështronte me optimizëm; këtë tipar karakteristik të tij, sikur na e injektonte edhe neve shokëve të tij. Në situatat e vështira që kemi kaluar, sidomos gjatë studimeve në Kinë, ku situatat e vështira pasonin njëra-tjetrën, Petrika, në çdo rast na krijonte mjedis optimist e na shtonte krenarinë e na “mbante gjallë”… Ai, më ngjante me një njeri që të merr për dore e të çon nëpër shtigje të pashkelura.

Petrika Kostani e donte profesionin e pilotit dhe ishte mjaft i përkushtuar. Jeta e gjatë si pilot, e vërtetoi plotësisht këtë pasion të tij. Ai, me përpjekje të jashtëzakonshme arriti nivele të larta e u bë pilot cilësor. Petrika fluturoi në të gjitha kushtet, me cilësi dhe pati arritje me vlerë në karrierë, deri në detyrën e lartë e të nderuar të Komisarit të Shkollës së Lartë të Aviacionit. Pavarësisht se u deklarua i paaftë për të fluturuar natën, për motive shëndetësore, Ai fluturoi në aeroplanët reaktivë gjuajtës-bombardues të tipit Mig-15, fillimisht në Skuadriljen e tretë të Regjimentit “Peza” të Qytetit “Stalin” e më pas, në Pisheporo, me studentët për pilotë, duke kryer detyrën e vështirë të mësuesit të fluturimit dhe atë të komisarit të Shkollës së Aviacionit.

Petrika Kostani, në veprimtarinë shumëvjeçare si pilot e si drejtues, në çdo rast shfaqi virtytet më të vyera të familjes prindërore dhe të qytetit ku u lind e u rrit. Në jetën e tij, Petrika, kurrë nuk përgojoi e nuk përçmoi njeri, por shpalosi vlera morale të qenësishme, me durim, pa u nxituar për të dhënë mendime të pjekura e të sakta. Mbi të gjitha, Petrika ishte i drejtë, me të gjithë dhe tepër njerëzor në marrëdhënie me njerëzit. Cilido që e ka njohur Petrika Kostanin, veç fjalë të mira mund të thotë për atë njeri. Në raportet shoqërore, Petrika reflektonte kulturën qytetare të korçarit të kulturuar.

Kur Petrika vajti në Shkollën e Aviacionit, u ndamë nga njëri-tjetri, por edhe pse larg, takoheshim herë pas here, si vëllai me vëllanë. Ruaj në kujtesë një ndodhi nga marrëdhëniet tona të ngushta, të cilën dua ta ndaj me ju: Më caktuan të shkoja në Shkollën e Partisë “V I Lenin”. Iu drejtova ish-komisarit të aviacionit, që ta bisedonte me Sekretarin e Komitetit të Partisë dhe të vendosej që, edhe Petrika të dërgohej në këtë shkollë, me qëllim që të ishim të dy, bashkë. Të njëjtën gjë, u tha dhe Petrika drejtuesve të njësisë, kur u caktua për të kryer Kursin e Lartë të Filozofisë.

Petrika, si kuadër drejtues dhe si pilot, ka kontribuar denjësisht, si gjatë kohës kur ishte në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin” dhe kur shkoi në Shkollën e Aviacionit, sidomos në kushtet tejet të vështira të punës e të jetesës në Pisheporo. Ai ishte i brumosur që në vegjëli, nga familja e tij, me ndjesinë e të punuarit.

Sipas Petrikes, njeriu në jetë, duhet të dashurojë punën. Prandaj Ai njeri, nuk iu kursye punës por iu përkushtua asaj me vullnet dhe fluturoi, si ditën dhe natën. Përveç kësaj, Petrika, që në fëmijëri ishte i brumosur, me ndjenjën e atdhedashurisë. Shkollimi, vërtet i dha njohuritë e nevojshme, por jeta dhe puna e vështirë e pilotit, si në regjiment dhe në Shkollën e Aviacionit e burrëruan dhe e aftësuan duke e pajisur me të gjitha kualitetet, si kuadër me vlera të shumta. Për kontributet që ka dhënë, në zhvillimin e aviacionit tonë, në veçanti kur kushtet e stërvitjes ajrore u vështirësuan mjaft, pas vitit 1978, Ai e ka vendosur veten aty ku i takon, në piedestalin e Aviacionit tonë ushtarak.

Edhe sot, kur ka kaluar njëfarë kohe, asnjëherë nuk dua ta mendoj largimin e tij nga kjo jetë. Petrika Kostani, me sjelljen dhe me punën e tij, ka vulosur pavdekësinë.

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Kostandin Sadikaj

Koleg dhe shef e vartës i Petrika Kostanit; njëri nga pilotët që ka punuar më gjatë me Petrika Kostanin. Kur i kërkova të më thoshte diçka për Petrika Kostanin, në datën 25 tetor të vitit 2018, Kostandini, të cilin shumëkush e quan “Legjenda” e Pisheporos, jo vetëm që u entuziazmua por, menjëherë, më tha:

“Shkruaj, shkruaj për Petriken, shkruaj çfarë të duash, të gjitha i meriton Ai njeri”, dhe vazhdoi:

…Petrika Kostanin e kam njohur në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë dhe në Regjimentin e aviacionit “Peza” të Qytetit “Stalin”. Njohja ime me të ka nisur qysh nga koha kur Petrika u kthye nga Kina, në fundvitin 1963, ku ishte diplomuar pilot gjuajtës-bombardues, i specializuar për të fluturuar në aeroplanin e tipit Mig-15. Kam punuar e kam jetuar pranë tij për shumë vite. Tek Petrika Kostani kam parë një njeri me intelekt të rrallë, të sjellshëm e të edukuar. Petrika punonte shumë me të rinjtë që përbënin pjesën dërrmuese të efektivit të Shkollës së Aviacionit dhe 100% të studentëve. Shtoj se në Shkollën e Aviacionit, ishin të rinj, si studentët dhe instruktorët e pedagogët.

Tek Petrika, ata vështronin afërsinë, ngrohtësinë, ëmbëlsinë e fjalës dhe buzëqeshjen dashamirëse të tij. Petrika i përshtatej moshës së re dhe vartësit e donin dhe e respektonin shumë. Në opinionin tim Petrika Kostani ka qenë njëri nga komisarët më të mirë që ka pasur Shkolla e Aviacionit, që prej formimit të saj.

Shtoj se Petrika Kostani shquhej jo vetëm për sjellje qytetare dhe edukatë të shëndoshë por kishte dhe nivel të lartë teoriko-praktik dhe metodik, si fluturues e si kuadër drejtues i shkollës. Petrika punoi gjatë në Vlorë, e në veçanti në aerodromin fushor të Pisheporos. Në kushtet e atij aerodromi të vështirë, Petrika fluturonte në dy tipa aeroplanësh; në avionët me helikë Tip-61 dhe në ata reaktivë Mig-15. Ai fluturonte me studentët, për t’i kaluar nga njëri ushtrim në tjetrin, por fluturonte dhe me instruktorët e fluturimit, për të parë aftësitë profesionale dhe metodike të tyre. Petrika Kostani përballonte, me shpirt sakrifice e përkushtim të rrallë stërvitjen ajrore, në të dy tipat e aeroplanëve dhe përgatitjen e studentëve për fluturim. Ai përcolli, denjësisht punën me dy turne.

Kur është dashur, Petrika Kostani ka kryer dhe detyra luftarake ajrore, në sfondin taktik, ku është shquar për disiplinë e cilësi të lartë. Unë, Kostandin Sadikaj, si koleg në profesion dhe shok e mik i tij; në detyrë, në jetën shoqërore e familjare, e çmoj Petrikan, për karakterin, sjelljen dhe qëndrimin e tij korrekt e dashamirës kudo ku ndodhej e në çdo vend ku punonte.

Ngushëlloj familjen e tij, për humbjen e njeriut të tyre të shtrenjtë dhe mikut tim të rrallë, të bukurit komisar të Shkollës së Aviacionit.

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Me respekt; Kostandin Sadikaj, pilot, koleg i Petrika Kostanit!

Servet Murati

Pilot, ish-komandant i Shkollës së Aviacionit, koleg i Petrika Kostanit:

… Petrika Kostanin e kam njohur, kur, të dy ishim studentë për pilotë, në Bashkimin Sovjetik. Në shkollën e aviacionit të Krasnodarit, unë studioja për t’u bërë pilot gjuajtës-bombardues e Ai, së bashku me grupin në të cilin bënte pjesë, kishin nisur studimin në Shadrinsk, dhe e vazhduan atë në Krasnodar ku dhe fluturuan, në rolin e shturmanit fluturues, në aeroplanët dymotorësh me helikë- Li-2. Qëndruam së bashku, në stinën e vjeshtës dhe në atë të dimrit; në pranverë u ndamë. Unë, me shokët e grupit ku bëja pjesë dhe me ata para nesh, të cilët kishin studiuar në Borisoglebsk, u zhvendosëm në qytetin provincial të Kushovskës, ku u stërvitëm si pilotë gjuajtës-bombardues, në aeroplanët reaktivë – Mig-17. Petrika dhe shokët e tij të grupit qëndruan në Shkollën e Aviacionit, në Krasnodar ku fluturuan në rolin e shturmanit fluturues, në aeroplanët dymotorësh me helikë, të tipit Li-2.

Në vitin 1962, Petrika Kostanin e njoha dhe në Kinë, ku Ai dhe shokët e grupit të tij u rikualifikuan për të mësuar pilotimin e aeroplanit gjuajtës –bombardues Mig-15. Në Shkollën e Tretë të Aviacionit Kinez Petrika dhe shokët e tij u diplomuan pilotë gjuajtës-bombardues.

Pas përfundimit të Shkollës së Tretë të Aviacionit Kinez, Petrika u emërua në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin”, ku dhe unë u emërova pilot, si ai. Kishim dhe raport vartësie me njëri-tjetrin. Kam punuar, së bashku me Petriken 12 vjet, në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë: Ai- komisar e unë komandant i shkollës. Në këto funksione drejtuese u lidhëm aq shumë me njëri-tjetrin dhe kishim unitet të shëndoshë mendimi e veprimi, aq sa, ata që na vështronin jo vetëm që bënin të habiturin por dhe na kishin zili. Ne, asnjëherë të vetme, nuk e kundërshtuam njëri-tjetrin por ishim si një trup i vetëm. Nuk ishim, as konformistë, as nuk i hapnim krahun njëri-tjetrit për t’u dukur sikur kishim unitet.

Jo! Ne, ishim në fakt në një mendje se i gjykonim gjërat objektivisht dhe punonim në të njëjtat kushte. Kam bindje se ky unitet, jo formal e jo i sipërfaqshëm, yni, ishte më tepër rrjedhojë e tipareve të karakterit të Petrikes, i cili, as donte; as ngjallte “sherre”.

Petrika Kostani ishte njeri shumë i dashur. Ai rrezatonte vetëm dashuri e mirësi. Këtë vijë sjelljeje, Petrika e kishte konstante, të vazhdueshme dhe me të gjithë njëlloj. P trika nuk dinte të mbante mëri apo të prishte qejf me njeri. I qetë, i zgjuar, shumë komunikues, me edukatë qytetare dhe mjaft i kulturuar. E donte shumë profesionin e pilotit dhe, ato që dinte vetë, kishte aftësi t’ua transmetonte të tjerëve.

Petrika ishte i çiltër dhe i hapët, me këdo. Ai u shmangej konflikteve dhe nuk provokonte kurrë mosmarrëveshje. I donte dhe i respektonte si vartësit, kolegët dhe eprorët; sillej korrekt e me dashamirësi. Prandaj e donin dhe e respektonin të gjithë dhe gëzonte shumë simpati, në shkollë e jashtë saj. Si njeri me shpirt sakrifice, Petrika përgatitej për fluturim dhe fluturonte në të dy turnet; si me aeroplanët reaktivë dhe në ata me helikë. Secilit i jepte hakun e ia thosh të vërtetat në fytyrë.

Këto tipare të mira që kishte vetë, Ai i kultivoi dhe tek studentët e shkollës, të cilët e vështronin në dritë të syrit dhe dëgjonin me endje e zbatonin, pa hezitim këshillat dhe udhëzimet që jepte komisar Petrika.

Petrika Kostani formoi një familje të shëndoshë. Ai, së bashku me zj. e nderuar Adriana, sollën në jetë dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Të dy, të mrekullueshëm. Figura e tij e pastër, pa vese, reflektonte kudo. Buzagazi i tij i çiltër, nuk iu nda nga fytyra e bukur. Edhe kur luante volejboll, lojë të cilën e donte shumë e ishte ngritës cilësor, kur bënte ndonjë “gabim” dhe e kalonte topin, pa dashje, në fushën e kundërshtarit, me të qeshur e si i zënë në faj thosh: “E pisanjosa!”... Kur donte që thëniet e tij t’i besonin të tjerët, shprehje e tij e preferuar ishte: “Më vdekshin, të gjithë!” Ishte mjaft i lidhur me njerëzit; nuk ndahej prej tyre.

Petrika Kostani kishte mbaruar gjimnazin “Raqi Qirinxhi” të Korçës, i cili, në atë kohë ishte shkollë “elitë” dhe rrezatonte kulturë të mirëfilltë qytetare korçare. Për të dëftuar mirësinë e shpirtit të tij, nuk ekziston njësi matëse. Ndarja e tij, para kohe nga jeta, më ka befasuar e më ka trishtuar shumë.

Qoftë i paharruar kujtimi i tij; t’i rrojnë ata që ka lënë pas!

Do të më marrë malli për atë fytyrë të bukur e të qeshur!

Servet Murati, pilot, veteran i aviacionit, koleg i Petrika Kostanit.

Në Tiranë, më 31 tetor 2018

Vangjel Llazari

Pilot veteran, koleg pune dhe shok i shkollës së mesme të Petrika Kostanit:

… Me Petrikan jemi rritur, në qytetin e Korçës. Banonim në lagje të ndryshme. Edhe shkollën shtatëvjeçare e kemi bërë në shkolla të ndryshme. Shkollën e mesme, të dy, e kemi përcjellë në gjimnazin qytetas, me emrin: “Raqi Qirinxhi”. Ishim në klasa paralele. Kur ishim në vitin e tretë të gjimnazit të mësipërm, u ndamë. Kur në shkollën tonë erdhi Thoma Lera, nga shkolla e mesme ushtarake “Skënderbej”, i cili ishte shok fëmijërie i Petrikes, të dy (Petrika dhe Thomai), u bashkuan e më s’u ndanë. Të dy luanin bilardo, në mjediset e shumta të bilardos, që kishte Korça e asaj kohe. Luanin dhe në mëhallën tonë. Petrika luante shumë bukur bilardo.

Babai i Petrikas, Kicoja ishte kasap. Ai, në Korçë kishte popullaritet dhe ishte njeri i muhabetit e i shoqërisë. Kur mblidheshin esnafët korçarë, Kicos i ecte fjala e i zinte vend mendimi. Petrika kishte shumë shoqëri me çobenët e Korçës, por vetë nuk ishte çoban.

Petriken e mbaj mend kur erdhi në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin” ku unë ishja në detyrën e pilotit gjuajtës-bombardues. Ishte fundi i vitit 1963. Ai ishte një djalkë mjaft i qetë, i afrueshëm, i dashur e nuk krijonte konflikte. Petrika ishte i shkathët e i zgjuar; Ai aktivizohej në sporte të ndryshme. Më tepër i pëlqenin: Volejbolli, basketbolli dhe luante bukur lojën e ping-pongut. Aftësia e tij për t’u afruar me njerëzit e për të qëndruar gjithnjë pranë e në mes të tyre, ishte mbresëlënëse.

Në një komision mjekësor me mjekë specialistë të aviacionit, u konstatua se Petrika nuk i shquante mirë ngjyrat, ndaj u deklarua i paaftë shëndetësisht, për të zhvilluar fluturime natën. Kjo u bë shkak që Petrika Kostani të mos vazhdonte më tej, kualifikimin për të marrë titullin: “Pilot Ushtarak i Klasit të Dytë”, por u shkëput nga grupi i pilotëve ku bënte pjesë dhe u caktua në detyrën e instruktorit të teknikës së pilotimit, në aeroplanët reaktivë të tipit Mig-15, në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë. Puna e tij në aerodromin fushor të Pisheporos, ishte me të vërtetë “heroike”. Në detyrën e lartë të komisarit të Shkollës së Aviacionit, Petrika u ngjit, me meritë dhe mbasi kishte kaluar nëpër shkallët më poshtë saj. Në këtë detyrë fisnike, Petrika kishte kolegë të denjë e të sakrificës si Kostandin Sadikaj, Ahmet Sulejman Zogu dhe Bahri Daut Meshahu (Permeti) me të cilët, Ai kishte shumë shoqëri.

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Në Tiranë, më 03.11.2018 Vangjel Llazari pilot veteran, koleg i Petrika Kostanit.

Telo Rako Dedi

Pilot veteran, ish-sekretar i Komitetit të Partisë të Shkollës së Lartë të Aviacionit, koleg i Petrika Kostanit:

… Petrika Kostanin e kam njohur qysh kur ishja student për pilot, në Bashkimin Sovjetik. Ai dhe grupi ku bënte pjesë, erdhën nga qyteti i Shadrinskut (Siberi) ku kishin shkuar për t’u përgatitur në rolin e shturmanit fluturues. Ai dhe shokët e tij, përcollën në Bashkimin Sovjetik dy vite, fluturuan dhe në aeroplanët dymotorësh me helikë të tipit Li-2, por, më 16 shtator të vitit 1961, me një urdhër të dhënë në mënyrë ultimative, u kthyen në vendin tonë dhe pas më tepër se dy muajsh, u nisën për në Kinë, ku do të kryenin një rikualifikim, duke kaluar nga detyra e shturmanit fluturues, në atë të pilotit gjuajtës-bombardues.

Petriken e kam njohur nga afër, si në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin” dhe gjatë viteve që shërbeu në Shkollën e Aviacionit, në detyra të ndryshme, nisur nga puna e instruktorit të teknikës së pilotimit e më pas në atë të komandantit të skuadriljes reaktive dhe së fundmi, në detyrën e lartë të Komisarit të Shkollës së Aviacionit. Në grupin ku militoi Petrika student dhe më vonë pilot, kishte dhe korçarë të tjerë, por Petrika ishte interesant e ndryshe nga bashkëqytetasit e tij. Petrika Kostani nuk nxiste konflikte e nuk merrte pjesë në to. Ai, as nuk shuante konflikte e mosmarrëveshje. Nuk mund ta identifikoje me një indiferent, mbasi nuk ishte i atillë, por vështronte punët e tij, pa u ngatërruar me punët e të tjerëve. Këtë tipar, Petrika e ruajti gjatë gjithë jetës.

Petrika Kostani rridhte nga një familje me tradita atdhetarie e ishte nip i Midhi Kostanit, njërit nga guerrilasit e qytetit të Korçës, Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare i varur në mes të qytetit të Korçës, pas një aksioni luftarak që përfundoi me djegjen e zyrave të Fashios të pushtuesve italianë. Në Korçë e në rrethina, një këngë i bën jehonë këtij akti trimërie. Avantazhet e kësaj lidhjeje familjare, Petrika i ka shfrytëzuar me modesti, pa bujë e pa zhurmë.

Kur Ai banonte në qytetin e Vlorës, ishim gjitonë. E kam njohur dhe në këtë plan. Mund të pohoj, me bindje, se Petrika Kostani ishte shok e mik i të gjithëve. Ai, me figurën e pastër morale, gjatë jetës dhe punës kishte bërë mjaft miq të sinqertë. Si familje ishte me norma të forta. Vajzën dhe djalin i rriti dhe i edukoi qytetarë të rregullt e zemërmirë. Në fluturim ishte kërkues; i rregullt e kurajoz. Për çdo gjë, më kërkonte konsulencë, mua dhe kolegëve të tjerë; konsultimin e kishte metodë pune.

Petrika Kostani punoi gjatë, në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë dhe nuk mbahet mend të ketë lënduar njeri. Tendenca e tij ishte t’i transferonte problemet. Vdekja e parakohshme e tij, shkaktoi shumë brengë e hidhërim, tek të gjithë ne, shokët e kolegët e tij dhe tek të njohurit e shumtë.

I paharruar qoftë kujtimi i Tij!

Në Tiranë, më 27 tetor 2018

Telo Rako Dedi, veteran pilot, koleg i Petrika Kostanit.

Drini Shtylla

Pedagog i filozofisë, në Shkollën e Lartë e Aviacionit, vartës i Petrika Kostanit:

… Me Ptrika Kostanin jam njohur në vitin 1964. Në atë kohë, Ai ishte pilot gjuajtës-bombardues e unë pedagog i lëndës së Teorisë së Fluturimeve, në Shkollën e Aviacionit. Fillimisht kishim njohje në distancë, sit e një anë e si kolegë të së njëjtës armë. Më vonë mësova se Petrika, kishte qenë shok klase me vëllanë tim, në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” të qytetit të Koeces.

Kur Petrika erdhi në skuadriljen reaktive të shkollës, me Petriken u njohëm më mirë; këtë na e mundësoi puna e përbashkët me studentët. Petrika ishte mjaft i interesuar për ngritjen e nivelit teorik të studentëve dhe mbante lidhje të ngushta me pedagogët e katedrave të ndryshme. Në takimet që bënim me instruktorët e teknikës së pilotimit, Petrika këmbëngulte në atë që pedagogët të ishin prudentë lidhur me lidhjen sa më të ngushtë të teorisë me praktikën fluturuese.

Kur Petrika Kostani u emërua në detyrën e komisarit të Shkollës së Aviacionit, të cilën shumëkush e ëndërronte dhe e kishte zili, Atij iu krijuan kushtet për të shpërfaqur vlerat e tij të vërteta.

Dy fëmijët që solli në jetë çifti: Adriana e Petrika Kostani, një vajzë e një djalë u rritën me edukatë të shëndoshë familjare dhe u bënë qytetarë të kulturuar, ashtu si prindërit dhe si rrënjët e tyre korçare. Ata u bënë dikushi në jetë dhe në mjediset ku punojnë e ku jetojnë, me sjelljen dhe me kontributet e tyre për shoqërinë, nderojnë veten dhe prindërit që i sollën në jetë. I rrallë është raporti që kanë krijuar me paraardhësit e tyre, ku respekti i ndërsjelltë është i pëlqyer dhe i dëshiruar. Tregues konkret i këtij raporti të rrallë është mirënjohja dhe respekti i fëmijëve për prindërit; për sakrificat që kanë bërë zj. Adriana dhe Petrika Kostani, në mënyrë që t’u gjenden pranë fëmijëve të tyre, për mirërritjen dhe edukimin e nipave dhe mbesave. E rrallë është sjellja e zj. Adriana dhe e Petrikes tonë të paharruar, për të ndihmuar vajzën e tyre që ajo të mbaronte studimet universitare në shtëpinë prindërore. Si prind e si i moshuar, më duhet t’u shpreh falënderimet e mia dhe të bashkëshortes sime, për këtë shembull që ata japin, për të mbajtur gjallë raportet prindër-fëmijë, të cilat, në kohët që po përcjellim po shpërbehen dita-ditës.

Kohët e fundit, mbasi u sëmur nga një sëmundje e pashërueshme, Petrika, të cilin e kam njohur për optimizmin e tij të rrallë, sikur nisi të mbyllej në vetvete, prandaj takoheshim më rrallë por bisedonim herë pas here, në telefon. Respektin që gëzonte Petrika, në rrethet shoqërore, tek kolegët dhe tek miqtë e shumtë që bëri, e pamë në përcjelljen dinjitoze që iu bë, në atë përcjellje të dhimbshme por dinjitoze, siç e meritonte, për në banesën e fundit. Për mua dhe për të gjithë ata që e kanë njohur, Petrika Kostani do të kujtohet përherë si një shok e mik i drejtë, i ndershëm, i sinqertë, i qeshur e me shpirt njeriu.

  • I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Në Tiranë, më 04.11.2018 Drini Shtylla, mik dhe pedagog; koleg i Petrika Kostanit.

Dhori Mërtiri

Pilot veteran, ish-student për pilot, në shkollën e aviacionit në Vlorë, në kohën që atje drejtonte Petrika Kostani:

… Më mallëngjejnë kujtimet për komisar Petriken dhe e kam të vështirë të shkruaj për të, tani që nuk është midis nesh. Petrika Kostani është skalitur në kujtesën time si njeri i drejtë, i ditur, i mirë dhe që punonte me shumë përkushtim me brezin e ri. Atë njeri e gjeje kudo: Me studentët, duke u shpjeguar filozofinë, me shokët dhe me kolegët, duke pirë ndonjë kafe, pas punës së lodhshme, me eprorët tanë për të mbrojtur studentët kur bënin ndonjë prapësi të moshës, ose në shkollë, duke u interesuar për ecurinë e procesit mësimor dhe për punët e ditës, etj.

Në Pisheporo, Petrika fluturonte me studentët për pilotë, me të dy tipat e aeroplanëve; si me ata Mig-15 dhe me ata Tip-61. Ai i merrte në kontroll studentët për t’i kaluar ata nga njëra detyrë në tjetrën, si dhe i merrte në provim. Komisar Petrika fluturonte, paradite dhe mbasdite. Fjala e tij, dëgjohej dhe zinte vend. Nga puna dhe nga të jetuarit pranë komisar Petrikes, kam shumë kujtime. Po ju rrëfej njërin prej tyre: Në një takim rutinë, kur po bisedonim lirshëm, për çështje të punës por jashtë orarit të saj, Ai më pyeti: “Sa të papunë ka Amerika?”

“Shumë”, u përgjigja dhe i thashë një numër të madh. Petrika, mbasi u mendua disa sekonda, ma priti: “Avash ti, o t’u mbyllte e mendjes; e di që i ke inat por nuk janë aqë shumë; më pak janë”.

Kur erdhi me shtëpi në Tiranë, kisha kënaqësi të madhe kur ulesha për të pirë një kafe, në shoqërinë e tij. Petrika Kostani mbetet njeri i dashur e shumë i respektuar.

  • I paharruar qoftë kujtimi i Tij!

Në Tiranë, më 11 maj 2019 Dhori Mërtiri, pilot veteran, ish-student i Petrika Kostanit

Aleksandër Bubullima

Pilot veteran, ish-komandant skuadrilje në aeroplanët Mig-15:

… I ndjeri Petrika, mendoj të trajtohet në tre dimensione: 1) Si njeri; 2) Si specialist (pilot) dhe 3) Si drejtues institucioni. Si njeri, Petrika kishte tiparet e një njeriu të mirë; të dashur e të ndjeshëm, me humor, korrekt dhe përherë mes shokëve, studentëve dhe kolegëve. Personalisht ruaj konsideratë të lartë për atë njeri. Si pilot, instruktor e kontrollues ishte një metodist i shkëlqyer e një kontrollues që ta bënte fluturimin të lehtë dhe të krijonte një mjedis shumë miqësor në fluturim. Sjellja e tij e veçantë i largonte studentit emocionet gjë që vlen shumë. Si drejtues dhe organizator, Petrika Kostani ishte një shembull talenti e përkushtimi të rrallë.

Në çdo moment, edhe në çaste të vështira, kur lodhja e njerëzve ishte në kulmin e mundshëm, Petrika dinte të tërhiqte njerëzit drejt vazhdimit të punës, duke prirë me shembullin vetjak.

Petrika Kostanin e kam njohur prej vitit 1976, kohë kur nisa të fluturoja si student (1976) e Ai u emërua komisar i Shkollës së Aviacionit, në Vlorë. Nën drejtimin e tij, kreva, për shumë vite detyrën e vështirë të komandantit të skuadriljes reaktive të Shkollës së Aviacionit. Petrika ishte i edukuar e i kulturuar, i dashur me njerëzit e tepër i ndjeshëm ndaj interesave të tyre. Humori i tij ishte i këndshëm dhe relaksues. Korrektësia e tij ishte shembullore. Nuk mund të konceptohej mosqenia e tij larg njerëzve.

Në fluturim, Petrika ishte metodist i përparuar. Ta kishte ënda të fluturoje me komisar Ptrikn në kabinën e dytë. Në ato kushte tejet të vështira, kur vapës përvëluese dhe fluturimeve intensive, i shtohej pluhuri i hollë që futej në çdo skutë dhe pickimi i pidhezave të padurueshme, komisar Petrika na jepte kurajo e forcë dhe na printe me shembullin vetjak. Nëpërmjet këtij shembulli dhe me shpirtin e tij të sakrificës, me durim e me optimizëm, Petrika luajti rol vendimtar për përgatitjen e kuadrove të rinj, të profileve të ndryshëm. Njëri syresh kam qenë edhe unë.

I nisa fluturimet si student për pilot, në vitin 1976, kur Petrika Kostani sapo ishte emëruar komisar i Shkollës së Aviacionit. Petrika dinte t’i çmonte ata që punonin dhe secilit i jepte atë që i takonte. Në detyrën e lartë që mbante, Ai punoi vazhdimisht për të përsosur metodën e punës me studentët e të gjithë profileve dhe për përmirësimin e artit të drejtimit. Në qëndrimet e tij, Petrika ishte konstant. Tek Ai njeri kam parë si sakrifikohet për një çështje të madhe, siç është ajo e përgatitjes së kuadrove të profileve të ndryshëm. Kam dhe një rast kur pashë të shpalosur shpirtin e tij të gjerë dhe metodën e punës, me tolerancë që të jepte kurajo: Sapo ishja emëruar Komandant i Skuadriljes Reaktive të Shkollës së Aviacionit.

Skuadrilja që drejtoja, në fund të verës, ishte kthyer nga Pisha, në Bazën Ajrore të Qytetit “Stalin”. Për shkak të motit, programi ajror me studentët për pilotë nuk ishte realizuar plotësisht. Përgatitjen për të bërë qitjen kundër shenjave tokësore në Derdhjen e Vjosës e kishim kryer por qitjen reale nuk e kishim realizuar, për shkak të motit të papërshtatshëm. Komanda e Shkollës së Aviacionit kishte vendosur të vijonim plotësimin e programit ajror, përfshi dhe qitjet kundër shenjave tokësore, në aerodromin e Qytetit “Stalin”.

Atë ditë ishja në detyrën e udhëheqësit të fluturimeve. Nuk e kisha përvojën e nevojshme për të drejtuar një stërvitje ajrore të tillë dhe ndjeja vështirësi konkrete. Atë ditë, fluturohej me aeroplanë dyvendësh. Disa studentë bënin imitim për qitje, mbi aerodrom e disa të tjerë, po mbi aerodrom por në lartësi të ndryshme jepnin provim, në pilotim vertikal. Në dorë mbaja dy mikrofone. Njërin për ata që bënin imitim për qitje; tjetrin për ata që jepnin provim në pilotim, në zonë.

Më duhej të drejtoja me të dy mikrofonet. Intensiteti i fluturimeve u shtua. Puna drejtuese e fluturimeve zgjati rreth 4 orë, pa ndërprerje. Nga intensiteti dhe vazhdimësia e të drejtuarit të fluturimeve, u lodha shumë. Po gulcoja, nga lodhja por dhe ndjeja kënaqësi të paparë. Pranë kisha komisar Petriken.

Ai më vrojtonte dhe qeshte, me gjithë shpirt kur vështronte impenjimin tim duke manovruar me dy mikrofone, sikur të ishja aktor cirku. U gajas së qeshuri me atë drejtim interesant të fluturimeve nga ana ime. Petrika ndërhyri, jo pa humor e me buzën në gaz: “Ama ce ndihmove avionin që vinte në ulje!” Unë kisha ngatërruar mikrofonet dhe në vend që të udhëzoja pilotin që vinte në ulje, i flisja atij që ndodhej në zonën e pilotimit, në 4000 m lartësi. “Nuk ka gjë, – vijoi Komisari, – ti sot e kreve shumë mirë detyrën dhe për këtë të falënderoj!” Më dha krahë e më bëri të ndihesha mirë!

  • I paharruar qoftë kujtimi i Tij!

  • Në Tiranë, më 28 tetor 2018 Aleksandër Bubullima, pilot veteran, ish-komandant skuadrilje.

Hivzi Minxha

Veteran i aviacionit, shok klase i Petrika Kostanit, në Shadrinsk, në Krasnodar dhe në Mancuri:

… Petrika Kostanin e kam njohur qysh në vitin 1959, kur shkuam në Bashkimin Sovjetik, për të studiuar në rolin e shturmanit fluturues dhe e kam vazhduar njohjen me të edhe kur shkuam në Kinë (Mncuri) për t’u rikualifikuar në detyrën e pilotit. Tek Petrika kam parë një njeri të mirë; të rregullt e shumë korrekt. Si në teori dhe në praktikën fluturuese, Petrika veçohej, për nivel të lartë dhe veprime praktike të sakta e të pastra. Figurën e tij e zbukuronte vullneti dhe këmbëngulja për të studiuar, shpirti i mirë dhe gatishmëria për të ndihmuar shokët; guximi, trimëria dhe iniciativa. Megjithëse u ndamë, pa mbaruar akoma shkollën e unë kalova në profilin e shturmanit të drejtimit nga toka, me Petriken, si shok, kam mbajtur korespondencë të pandërprerë.

Kur ishte me detyrën e komisarit të shkollës së aviacionit në Vlorë, shkoja, shpesh, për ta takuar. Petrika punonte mjaft për ngritjen e nivelit kulturor e të atij profesional qysh në shkollë. Ai shfrytëzonte për këtë qëllim, edhe kohën e lirë.

Mbresëlënëse ishte puna e tij me librin. E vështroja si e sa studionte literaturë profesionale dhe artistike. Peçi nuk ndante nga dora Maksim Gorkin dhe ishte i pasionuar pas kinemasë. Nga sportet i pëlqente më shumë volejbolli dhe luante bukur ping-pong.

Vdekja e tij e parakohshme, më ka hidhëruar shumë.

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Hivzi Minxha, veteran i aviacionit, shok grupi i Petrika Kostanit

Bardhyl Tom Lubonja

Pilot veteran, njëri nga “divat” e aviacionit, bashkëkohës dhe koleg i Petrika Kostanit.

Petrikan e kisha dy herë të afërt: Si koleg dhe si bashkëqytetar – korçar. Ishte i mrekullueshëm, në të gjitha drejtimet. Shpirt njeriu ishte Ai njeri me zemër të madhe. Jemi rritur në të njëjtën mëhallë në Korçë e më bie ndër mend, fare mirë fëmijëria e tij. E mbaj mend, një djalkë të shkathët, të zgjuar, çapkën, i përparuar në mësime e i dhënë shumë pas shoqërisë. Ay i luante të gjitha lodrat e fëmijërisë e ishte mjaft i pjekur në gjykim. Kur u bëmë oficerë, pilotë, jemi takuar disa herë dhe e kisha ndjekur ecurinë e tij të shkëlqyer në anën profesionale dhe si njeri. Vështirë t’ia gjesh shokun atij njeriu. Ndarja e tij nga jeta, më ka dhembur shumë.

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Bardhyl Tom Lubonja, pilot, veteran i aviacionit, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shokët e grupit të Petrika Kostanit

  1. Petrika Kostani (ndjesë pastë)

  2. Viktor Vangjeli

  3. Kozma Sinjari (Ndjesë pastë)

  4. Hivzi Minxha

  5. Enver Muca

  6. Xhulian Popa (Ndjesë pastë)

  7. Flamur Dede (Ndjesë pastë)

  8. Perlat Lako

  9. Sabri Ciku (Ndjesë pastë)

  10. Llazi Rrapi (Ndjesë pastë)

  11. Ylber Laknori (Ndjesë pastë)

  12. Mentor Rrugija (Ndjesë pastë)

  13. Jorgo Tabaku (Ndjesë pastë)

  14. Jorgaq Çipi (Ndjesë pastë)

  15. Besnik Hashorva (Ndjesë pastë)

  16. Spiro Mocka

Shënim: Këtij grupi iu bashkëngjitën: Lili Xharo (ndjesë pastë); Dalip Xhixha (ndjesë pastë) dhe Xhevit Kabella. Këta u bashkuan me të tjerët kur studionin në qytetin e Krasnodarit, në Bashkimin Sovjetik dhe, pas kthimit në Shqipëri, shkuan në Shkollën e Tretë të Aviacionit të Kinës, për t’u rikualifikuar si pilotë gjuajtës-bombardues, por nuk u bënë dot pilotë dhe u caktuan në shërbime të tjera ose u çmobilizuan nga Ushtria.

Kanë dhënë opinione

  1. Adriana Kostani;

  2. Erland Kostani;

  3. Midhi Kostani;

  4. Ahmet Sulejman Zogu;

  5. Bahri Meshahu (Permeti);

  6. Kostandin Sadikaj;

  7. Servet Murati;

  8. Telo Dedi;

  9. Viktor Vangjeli;

  10. Enver Muca;

  11. Vangjel Llazari;

  12. Drini Shtylla;

  13. Aleksandër Bubullima;

  14. Dhori Mërtiri;

  15. Hivzi Minxha;

  16. Bardhyl Tom Lubonja.

Shënim: Për të saktësuar e për të plotësuar çështje të veçanta kanë kontribuar me kujtimet dhe me mbresat e tyre dhe mjaft të tjerë. (N. N.)

Aeroplanët me të cilët ka fluturuar Petrika Kostani, kur studionte për shturman fluturues, në shkollën e aviacionit të Krasnodarit dhe kur studionte për t’u bërë pilot gjuajtës-bombardues, në Shkollën e Tretë të Aviacionit Kinez, si dhe kur u bë pilot e më vonë drejtues, në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin” e në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë ku mbylli karrierën si fluturues:

  1. Li-2; aeroplan i mesëm transporti, me dy motorë me helikë, me të cilin Petrika fluturoi dhe studioi për t’u bërë shturman fluturues, në aerodromin fushor të Krasnodarit, në Bashkimin Sovjetik, gjatë vitit 1961.

  2. An-2; aeroplan i lehtë transporti ajror, i cili ndër dhjetë destinacionet është cilësuar si njëri nga aeroplanët më të mirë të të gjitha kohëve, për desantim nga ajri. Me këtë tip aeroplani, Petrika dhe shokët e tij të grupit u hodhën 2 herë, me parashutë, nga lartësia 800 m mbi nivelin e detit, në aerodromin e qytetit të Krasnodaarit (Bashkimi Sovjetik).

  3. Jak – 18 U; aeroplan i lehtë mësimor, me helikë, i destinuar për të përgatitur pilotë gjuajtës-bombardues, në fazën fillestare të përgatitjes. Me këtë tip aeroplani, Petrika fluturoi në aerodromin fushor të fshatit Liu Shi Bao, në Mancuri (Kinë), në vitin 1962.

  4. Mig - 15 Uti; aeroplan reaktiv, dyvendësh, i pajisur me një motor reaktiv: Rd - 48 ose Vk - 1 A, i destinuar për të përgatitur pilotë gjuajtës-bombardues. Me këtë tip aeroplani, Petrika ka fluturuar në aerodromin e betonuar të qytetit të Sui Xunit, në Mancuri (Kinë), në vitin 1963 dhe në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin”, në vitet 1964; 1965; 1966; 1967; duke pilotuar nga kabina e parë; kur mësonte e kur kontrollohej dhe nga kabina e dytë, në rolin e instruktorit të teknikës së pilotimit apo në rolin e kontrolluesit, kur jepte fluturime kontrolli për të kaluar nga një detyrë apo ushtrim në tjetrin, në aerodromin ranor të Pisheporos, në vitet 1968 - 1991.

  5. Mig-15 Bis, aeroplan luftarak reaktiv, me një kabinë, i destinuar për të përgatitur pilotë gjuajtës-bombardues. Ka fluturuar në aerodromin e betonuar të qytetit Sui Xun, në Mancuri (Kinë), në vitin 1963 dhe në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin” në vitet 1964; 1965, si dhe në aerodromin ranor të Pisheporos, në vitet 1968-1991.

  6. Mig-17F, aeroplan luftarak, reaktiv, me një kabinë, i destinacionit gjuajtës-bombardues. Ka fluturuar në aerodromin e betonuar të Qytetit “Stalin” në vitin 1966- 1967.

  7. Tip-61, aeroplan i lehtë mësimor me helikë, variant kinez i aeroplanit sovjetik të tipit Jak-18A. Ka fluturuar nga kabina e dytë, në rolin e kontrolluesit me studentët për pilotë dhe me instruktorët e tyre, gjatë viteve kur ishte komisar i Shkollës së Aviacionit, në vitet 1968-1991.

Diçka për portretin dhe për tiparet dalluese

Petrika Kostani nuk ishte shtatlartë por me trup të ngjeshur atleti, muskuloz e të shkathët. Shtatlartësia e tij nuk kalonte 165 centimetra. Flokët i kishte gështenjë, të lëpirë, të cilët i ndante anash. Ngjyra e flokëve ishte si ajo e fytyrës – gështenjë. Në fytyrën e tij me përmasa të rregullta të organeve nuk ishte vështirë të shquaje buzagazin e tij të çiltër dhe dy sy larushë, të cilët shndritnin e përhapnin mirësi. Petrika, kur bisedonte, artikulonte gjuhë shqipe të pastër; gjuhë letrare, me nuancë të një gjuhe korçare, të ëmbël e të llastuar, e cila i kishte hije.

Veshjen, petkat e trupit, i kishte shumë për zemër. Ai vishej bukur, sipas stinëve dhe i kombinonte, bukur, petkat që vishte. Petrika, nuk dilte nga shtëpia i pahekurosur e i palustruar. Atij i kishin lezet edhe petkat ushtarake, të cilat shndritnin në trupin e tij. Ngjyra e preferuar e Petrika Kostanit, ishte bluja. Një ngjyrë blu, me nuancë bojëqielli, siç është qielli, në agim.

Është e vështirë të përshkruhet kjo ngjyrë, pa e përcjellë atë vizualisht. Nëse mund të bëj një krahasim të rëndomtë, ngjyra e preferuar e Petrikes ishte ajo e syve të tij larushë, të pastër dhe e zemrës së tij, të gjerë, si det dhe një përzierje e përzgjedhjes së ngjyrës së qiellit, të cilin, Petrika e dashuroi, marrëzisht.

Petrika Kostani ishte nga ata njerëz, të cilëve nuk mund t’u atribuosh, asnjë ves. Ai nuk pinte duhan e nuk ishte përdorues i pijeve të forta alkoolike. Urrente “bredharakët” e nuk i afronte në rrethin e tij shoqëror. Nuk ishte hamës e konsumonte të gjitha gatimet, pa pretenduar përparësi. Mishi i pjekur i qengjit ishte nga ushqimet më të preferuara të tij.

Në vitin 1967, kur Petrika ishte me shërbim në Regjimentin e Qytetit “Stalin”, herë pas here, sidomos në fundjavë, bashkohej me shokët më të afërt me të cilët kishte marrëdhënie familjare; dilte në tregun e gjësë së gjallë, blinte një qengj; të cilin e therte, e ripte vetë dhe e copëtonte sipas anatomisë dhe e ndante me shokët. Petrika e bënte shumë mirë detyrën e kasapit, të cilën e kishte të trashëguar nga Babai i tij - Kicua.

Kur themi se Petrika Kostani ishte njeri i kulturuar e me horizont të gjerë, kemi parasysh librat e shumtë që lexonte, sidomos në netët e gjata të dimrit dhe në kohën e lirë. Pa thënë horizontin që i çelte gërmimi në literaturë politike, artistike dhe tekniko-shkencore, leximet e shumta dhe me tendencë ia kishin “zbutur” shpirtin dhe e kishin bërë atë që ishte, si tip e si karakter. Të preferuara për Petriken ishin poezitë dhe proza, të cilat e “thithnin” në botën e tyre dhe e tjetërsonin dalëngadalë. Humbiste Petrika në faqet e librave që lexonte dhe dilte prej tyre më i mençur e me “armën e dijes majëkrahut”.

Horizonti shkencor që qëmtoi komisar Petrika, falë studimit sistematik të literaturës dhe përvojës së gjatë si pilot i kulturuar, i shërbeu, bindshëm Atij, jo vetëm gjatë punës së përditshme, për drejtimin dhe mbajtjen nën kontroll të përgatitjes ajrore të studentëve dhe instruktorëve të tyre, por dhe gjatë fluturimeve kolauduese të aeroplanëve Mig-15 dhe Mig-17 që dilnin nga Uzina e Aviacionit, pas kryerjes së punimeve të ndryshme regllamentuese. Petrika nuk ishte vetëm pilot me intuitë shkencore por dhe me aftësi të rralla për të kapur, në kohë parregullsitë e mundshme në avion dhe për të depërtuar thellë, në brendinë e dukurisë negative. Kjo i shërbente Atij, për të qenë i qetë e i sigurt se me ndërhyrjet apo me veprimet e tij të sakta e në kohën e duhur, do t’ia dilte mbanë.

Ka dhe një problem tjetër mjaft të mprehtë i cili duhet ditur e kërkohet të mbahet parasysh. Petrika ka qenë instruktor i teknikës së pilotimit, në aeroplanët reaktivë të tipit Mig- 15, që fluturonin në Pisheporo. Më vonë, kur u ngrit në funksione të ndryshme e u bë drejtues i punëve, i takonte të jepte kontroll, në fluturim dhe, doemos të bënte analiza, pas kryerjes së detyrës. Padyshim, çdo pilot që ka “shijuar” frytet e punës së instruktorit dhe të kontrolluesit të teknikës së pilotimit, e ka të qartë vlerën e pallogaritshme që ka forca e analizës së fluturimit. Të kuptohemi; bëhet fjalë për forcën e argumentit që bind. Një student apo një instruktor i teknikës së pilotimit, të beson në vërejtjet që i bën, kur i vë “gishtin plagës”, e i thua të vërtetën bindëse, siç bën mjeku i mirë kur përcakton diagnozën e pacientit.

Ashtu dhe mjeshtri i pilotimit (kontrolluesi), dëfton ku janë defektet e atij që kontrollon, zbërthen natyrën e tyre, shfaqjen konkrete dhe mënyrën e eliminimit. Petrika, në këtë drejtim, nuk kapej pas dukurisë por thellohej në shkaqet, pasojat dhe në mënyrën e korrigjimit. Kësisoj edhe besimi i vartësve të shumtë, tek “shefi” shtohej e respekti për të, gjithashtu. Mënyra e të thënit të gjërave, natyrshëm, ëmbël dhe me dashamirësi, siç vepronte Petrika ia rritte Atij figurën përpara vartësve, prandaj ata e donin me gjithë shpirt.

Parë kronikisht, Petrika Kostani i kaloi shkallët e ngjitjes, një nga një, deri në detyrën e lartë të komisarit të Shkollës së Aviacionit, e cila ishte detyra më e lartë dhe më e lavdishme, në karrierën e tij ushtarake. Në çdo detyrë e në çdo funksion organik, Petrika mbeti një njeri i dashuruar pas qiellit dhe fluturimit nëpër hapësirat ajrore të Atdheut, në roje të tij. Ai nuk iu nda fluturimit, derisa mbushi moshën ligjore për të dalë në pension. Një gjë është më se e qartë: Veprimtaria e shquar drejtuese e Petrikes nuk ishte një akt i mbyllur e i kufizuar por një rrjedhë logjike e një pune në dritën e diellit e në mes të njerëzve, të cilët i vështronin e i çmonin realisht vlerat e tij. Mbi bazën e këtyre vlerave, të shpalosura në sjelljen e tij të përditshme dhe në vlerat e veçanta, Petrikes iu dha mundësia të dëftonte çfarë ishte në gjendje të bënte, ose e thënë me fjalë të tjera, i dhanë çelësin për të hapur dyert e ngjitjes.

Në muajin maj të vitit 1991, kur Petrika Kostani mbushi 50 vjeç, sipas ligjit për fluturuesit, Ai doli në pension të plotë pleqërie dhe për të përcjellë vitet e pensionit, familja e tij u vendos në Tiranë, me banim tek vendi i quajtur “Berryli”. Energjitë dhe aftësitë, të cilat nuk i kishin shterrur, në vitet e pensionit, si Ai dhe zj. Adriana i transferuan tek kujdesi për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve të fëmijëve të tyre. Kjo nuk është as pak, as një punë e lehtë e pa vështirësi.

Qytetet ku ka mësuar dhe ku ka fluturuar

  1. Shadrinsk, (Bashkimi Sovjetik); ka mësuar një vit, teorinë e aeronautikës, në cilësinë e studentit që përgatitej për t’u bërë shturman fluturues, në vitet 1959 - 1960.

  2. Krasnodar, (Bashkimi Sovjetik) ka mësuar teori, është hedhur, 2 herë me parashutë dhe ka fluturuar, për të mësuar funksionin e detyrave të shturmanit fluturues me aeroplanin e transportit të mesëm Li - 2, të pajisur me dy motorë me helikë.

  3. Cin Zhou, në Mancuri (Kinë) ku ka fluturuar, në aeroplanin e lehtë mësimor me helikë të destinuar për mësimin e fluturimeve me studentët fillestarë për pilotë: Jak – 18U; në fshatin Liu Shi Bao i cili ndodhet 7 km në veriperëndim të qytetit Cin Zhou të provincës Liao Nin. Fluturimet, në këtë aerodrom fushor, pak të pjerrët në drejtim të jugperëndimit u zhvilluan në pranverën dhe në verën e vitit 1962.

  4. Në aerodromin e betonuar të qytetit të Sui Xunit, i cili ndodhet pranë ishullit San Hae Guan, i cili i përket njërit nga regjimentet e shkollës së tretë të aviacionit Kinez, Petrika dhe shokët e tij të grupit, fluturuan në aeroplanët reaktivë, gjuajtës-bombardues me një motor reaktiv Vk1 –A ose Rd - 48, të vendosur në avionë të tipit Mig -1 5, me shpejtësi parazanore të të dy varianteve (dyvendësh dhe luftarakë, me një vend). Në këtë regjiment të Shkollës së Tretë të Aviacionit Kinez, Petrika u diplomua në specialitetin e pilotit gjuajtës-bombardues; i aftë për të pilotuar aeroplanët reaktivë parazanorë të tipit Mig - 15 të të dy varianteve (mësimorë e luftarakë), në të gjithë elementët e përdorimit luftarak të këtij tipi, ditën, në kushte të thjeshta të motit siç janë: kërkimi ajror; kapjet; sulmet tipike; imitimi i luftës në ajër me aeroplanë të vetmuar; qitjet e bombardimet në terrene të ndryshme (në fushë e në mal) dhe fluturimet në formacion të madh aeroplanësh, (në katërshe e në skuadrilje), fluturimet në lartësi stratosferike etj.

  5. Pas përfundimit të shkollës së aviacionit dhe kthimit në Atdhe, Petrika u emërua pilot gjuajtës-bombardues, në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin”, ku fluturoi në aeroplanët Mig – 15 të të dy varianteve, fillimisht në ata mësimorë, dyvendësh, duke pilotuar nga kabina e parë dhe në ata njëvendësh (luftarakë). Pas ngritjes në përgjegjësi, në hallkat më të larta, Ai u kualifikua për të pilotuar nga kabina e dytë e aeroplanit Uti – Mig - 15, në rolin e kontrolluesit.

  6. Me ardhjen në Regjiment të 12 aeroplanëve gjuajtës-bombardues reaktivë parazanorë të tipit Mig-17 F, në pranverë të vitit 1966, aeroplan i të njëjtës teknologji e me të dhëna të përafërta taktiko - teknike me paraardhësin Mig - 15 Bis, në vitin 1966, si pilot me teknikë pilotimi të mirë, Petrika, kaloi në pilotimin e avionit të ri, ku u specializua për të pilotuar, ditën, në kushte të thjeshta të motit, në detyra të ndryshme ajrore dhe si kolaudator.

  7. Për shkaqe të njohura, në vitin 1968, Petrika Kostani u caktua instruktor i teknikës së pilotimit, në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, ku për dy vite me radhë mësoi të pilotonte aeroplanin reaktiv Mig - 15, nga kabina e dytë ku përgatiti 8 studentë të cilët u diplomuan pilotë gjuajtës-bombardues. Pas përfundimit të Shkollës së Aviacionit, studentët që mësoi Petrika, mes të cilëve: Mane Bulluti; Maksim Rexha etj., fluturuan në tipa aeroplanësh më të sofistikuar, si aeroplani supersonik Mig -19S, me dy motorë reaktivë të tipit: Rd - 9 B. Petrika, si gjatë viteve kur kryente detyrën e lavdishme të instruktorit të teknikës së pilotimit dhe më pas, kur Ai, u ngrit në detyra më të larta, gjithnjë në sferën e fluturimit, siç ishte detyra e komandantit të Skuadriljes Reaktive të Shkollës së Aviacionit dhe në atë të Komisarit të këtij institucioni mësimor, i takoi të fluturonte më së shumti në aeroplanët Mig - 15 dyvendësh, në rolin e mësuesit apo të kontrolluesit, e më pak në aeroplanët luftarakë, Mig - 15 Bis.

  8. Gjatë viteve kur Petrika kryente detyrën e lartë të Komisarit të Shkollës së Lartë të Aviacionit, për shkak se kishte në vartësi, dy skuadrilje mësimore, njëra nga të cilat e pajisur me aeroplanë mësimorë me helikë të prodhimit kinez: Tip - 61; (një variant kinez i aeroplanit të përafërt Jak - 18 A), ku mësonin pilotimin studentët në fazën fillestare të përgatitjes për pilotë, Petrika Kostani fluturoi dhe në këtë aeroplan, në funksionin që kryente, duke kontrolluar studentët dhe instruktorët por dhe për faktin se e donte ajrin dhe fluturimin dhe kërkonte të eksploronte edhe pilotimin në këtë tip avioni.

  9. Petrrika Kostani kishte teknikë pilotimi të përshtatshme dhe vlera të tjera të qenësishme si pilot; prandaj Ai, kryente dhe detyrën mjaft të vështirë të pilotit kolaudator, në aeroplanët reaktivë: Mig – 17 F dhe Mig - 15, pas daljes së avionit nga punimet regllamentuese, në Uzinën e Aviacionit apo në repartin e punimeve regllamentuese të ofiçinës së mirëmbajtjes së aeroplanëve.

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij i ndritur!

  • Të rrojnë ata që ka lënë pas!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; shok shkolle dhe jete i Petrika Kostanit; Tiranë, më 06. 06. 2019