U lind në fshatin Kllojkë të Malsisë të Tiranës, më 12 prill të vitit 1939, në një familje fisnikësh autoktone, me tradita atdhetarie. Fëmijërinë e hereshme, Ademi e kaloi në fshatin e lindjes i cili dallohet per bukuritë natyrore dhe njerëzore e për atë klimë shëndetsjellëse. Pranë nënë Xhemiles dhe baba Mahmutit, Ademi i vogël, mes motrave e vëllezërve që e donin shumë, dhe të afërmve, të cilët e rrethuan me shumë dashuri e kujdes, u rrit, hodhi shtat, si lisat e trevës që e lindi e u bë një djalë i edukuar, i sjellshëm e me karakter të fortë. Në moshën kur duhej të arsimohej, u fut në shkollën unike të fshatit, ku përfshihej dhe arsimi fillor, ku u veçua, për sjellje shembullore dhe rezultate shumë të mira në mësime. Zoti i dha bukurinë fizike dhe tiparet gjithë nur. Familja dhe të afërmit i dhanë edukatën e shëndoshë. Shkolla, të cilën e kishte mjaft për zemër, i dha dituritë fillestare. Lexo të plotë
Anastasi – Homazh për Anastas Ngjelën
Nuk e kam të lehtë të shkruaj për figurën komplekse, shumëdimensionëshe të Anastas Ngjelës, njërit nga protagonistët e aviacionit shqiptar, të mirit të pafat, i cili na iku aq shpejt e papritur. Jeta e heroit të këtij rrëfimi rrodhi e qetë, por shpejt u kthye në një tallaz, siç ndodh rëndom me racën e fluturuesve por u soll me të në mënyrë të padrejtë, duke shëmbur ato që ai ngriti me aq sakrifica e përkushtim. Lufta e klasave, e nxitur artificialisht dhe e zhvilluar me egërsi tek ne, shkaktoi mjaft prapësi e viktima të pafajshme. Njëra nga këto viktima u bë njeriu i mirë, ëngjëlli mbrojtës i të gjithëve, piloti bëmëmadh, burri e prindi i rrallë Anastas Ngjela. Mbi shpinën e tij, padrejtësisht ranë barrë të rënda, të cilat nuk i përkisnin atij njeriu i cili i kishte shokët të rrallë. Lexo të plotë
Zina me flokë të kuqërremtë
Në shoqërinë tonë nuk kishte vetëm djem të rinj, por, në shumicë shoqërinë tonë e përbënin vajzat. Vajzat ruse, të cilat, në kushtet e krijuara pas Luftës së Dytë Botërore, ndiheshin me fat kur arrinin të lidheshin me djem, sidomos kur ata vinin nga vende të tjerë. Disa vajza, të cilat nuk arrinin të krijonin lidhje serioze e nuk martoheshin, plakeshin të vetmuara. Të tilla vajza të mbetura pa u martuar, në zhargonin e përditshëm, vendasit i thërrisnin “Baba”. Lexo të plotë
Zhenja Vollkov
Në qytetin e Batajskut, ku u vendosëm për të jetuar e për tu stërvitur u njohëm e u miqësuam me shumë njerëz, me të rritur e me të mitur të gjinive e profesioneve të ndryshëm. Në qytetin e garnizonit ku ishin përqëndruar objekte shkollore dhe socialkulturore, funksiononte një uzinë e nënëdheshme, për të cilën kishim dëgjuar se ishte një uzinë mekanike, me profil aviacioni. Kaq dinim ne. Lexo të plotë
Jurij Gagarin u lëshua në hapësirën kozmike
Më 12 prill të vitit 1961, në orën 9, nga kozmodromi i Baikonurit të Bashkimit Sovjetik, me një raketë hapësinore tip: “Vostok 3KA-3”, u lëshua në orbitë, piloti kozmonaut sovjetik Jurij Gagarin. Kjo ndodhi e veçantë ishte ndoshta ngjarja më spektakolare e atij viti. Për herë të parë, në historinë e njerëzimit, një njeri u hodh në orbitë, e kreu disa rrotullime rreth globit tokësor. Ishte një arritje e paparë e shkencës dhe teknikës së fluturimit. Jurij Gagarin, në rrotullimet rreth globit tokësor, brenda kapsulës kozmike, këndoi, në gjuhën ruse, disa kpëngë patriotike, të cilat u ndoqën, me kufje nga miliona njerëz. Ndodhia ishte e afërt me profesionin tonë, të pilotit, kësisoj kishim një motiv më tepër për t’u ndierë krenarë. Lexo të plotë
Një internacionale e vogël
Në Batajsk, ne qytezën e aviacionit, u vendosëm e banuam në një godinë dykatëshe, me çati, në mes të pyllit. Përpara godinës dhe në anën Perëndimore të saj, ndodhej një shesh, i madh i betonuar. Aty bënim stërvitje rreshtore dhe mblidheshim, të rreshtuar, në çdo rast. Lexo të plotë
Mësuam, por dhe nuk u pajtuam
Shkuam në Bashkimin Sovjetik me qëllim që të mësonim shkencën e vështirë të fluturimit. Kjo ishte kryefjala e vajtjes tonë në atë vend me hapësira të pamat e me atë zhvillim, nga më të fuqishmit e kohës. Si na shkuan fluturimet, i kam përshkruar hollësisht në rubrikat e mësipërme. Nuk mund të anashkaloj dhe disa fusha të tjera ku mësuam gjëra të papara e të pajetuara më parë. Është fjala për ato mësime të cilat nguliten fort e lënë gjurmë të pashlyera. Ose kur janë të dobishme e të duhen gjatë gjithë jetës. Me bindje them se, ne, shkuam në Bashkimin Sovjetik, për tu bërë pilotë ushtarakë por nuk u kufizuam vetëm me këtë. Ne atje mësuam dhe mjaft gjëra me vlerë, falë mundësive dhe kushteve optimalë që gjetëm. Ishim në atë moshë kur truri i njeriut thith shumë e i përvetëson ato që mëson brenda një kohe të kufizuar. Sidomos kur është fjala për disa fusha të jetës ku dijenitë tona ishin të varfra.
Prapësitë tona
Jeta dhe veprimtaria jonë mësimore, në shkollën e aviacionit, në Batajsk, edhe pse nuk pati ndonjë vazhdimësi kushedi çfarë, nuk mund të kalonte e qetë, si “në vaj”. Jemi popull mesdhetar e shquhemi për temperament e karakter shpërthyes, ndryshe nga banorët që gjetëm të cilët, në shumicë, ishin të qetë e naivë të mirë. Ne vërtet shkuam për të mësuar teorinë dhe praktikën e fluturimit, por, si adoleshentë që ishim dhe pa përvojën e nevojshme të jetës, pa dashje e nga papjekuria jonë, krahas sjelljeve e punëve të mira, lamë dhe ndonjë shijë të pakëndshme. Duhet thënë se ndonjë prapësi e moshës, e cila u duk, në raportet me të tretët, kishte vetëm karakter vetjak, e nuk mund “ti vishet “ gjithë grupit të djemve nga Shqipëria. E nënvizoj këtë çështje, mbasi edhe kur shfaqej ndonjë sjellje a veprim, jo sipas normave të kohës, shokët e grupit, në tërësi, jo vetëm që nuk e përkrahnin, por, sipas rastit e mundësive, i kundërviheshin asaj. Ndodhte si me atë njeriun, i cili udhëton në një terren me baltë e i ngarkohen këpucët. Me të gjetur rast ai përpiqet ti pastrojë ato, duke larguar prej tyre baltën, e cila nuk është e tij. Gjithsesi, grupi i 6-të i studentëve për pilotë, nga Shqipëria, deri në fund mbeti kompakt e i pa-kompromentuar. Lexo të plotë
Guri Demir Merkaj
Rrëfimin tim për heroin e këtij shkrimi do ta nis thjeshtë, siç ishte e tillë jeta e tij, e cila u soll ashpër me mikun tim të mirë. Guriu u lind në fshatin Armen të rrethit të Vlorës, më 25 mars të vitit 1939, në një familje tejet të farfër. Babai i Guriut, Demiri punonte yzmeqar, derë më derë, për të nxjerrë bukën e gojës për familjen e tij, me punën e argatit, në arat e bashkëfshatarëve. I martuar me Feruzenë, kujdestaren e asaj çikë ekonomie mjerane, xha Demiri pruri në jetë dy fëmijë: motrën – Tufane dhe Gurinë. Familja e Demir Merkaj, në Armen të Vlorës jetonte nëvarfëri të thellë. Lexo të plotë
Fluturimi i parë vetëm
Bëhet fjalë për fluturimin e parë, pa pasur instruktorin në kabinën e dytë. Kjo gjë ndodh vetëm një herë në jetën e pilotit. Është ndoshta ndodhia më e spikatur e më fatlume. Ndjesitë që të sjell fluturimi i parë vetëm janë të shumta e komplekse. Ato janë thjesht vetjake e përjetohen vrullshëm, vetëm në një kohë të shkurtër, (6-7 minuta) aq sa është kohëzgjatja e një fluturimi, në rreth, por nuk shlyhen kollaj nga memoria. Ato pushojnë së ekzistuari kur pushon vetëdija e njeriut konkret; sa të ketë njeriu jetën. Përjetimi i atyre minutave nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër; madje njeriu që i ka provuar ato çaste, e ka të vështirë t’ia njohë vetes e ti kujtojë. Në këtë rast, çiltërsia, transparenca e njeriut ngërthehet me egon, dashurinë për vetveten dhe prirjen për ti larguar gjërat nga vetja. I tillë është njeriu, kompleks, i vështirë, i paparë e i padeshifrueshëm. Lexo të plotë