Xhirja (Rrëfenjë për një shpirt human, pa limit)

Bëhet fjalë për mjeken Haxhire Kananaj (Eshja) e cila ishte me origjinë nga Petrela dhe me kontribute të rralla,  në fushën e mjekësisë, në qytetin e Tiranës,  por jo vetëm. Urdhri i Hipokratit e ngarkonte me detyrimin human për ti shërbyer  jetes së njeriut,  kurse zemra bujare e saj  e obligonte t’u ndodhej pranë e të ndihmonte,  me çfarë të mundej njerëzit në nevojë.  Ajo shërbeu në detyrën e mjekut,  për shumë vite me radhë, gjithë jetën e përcolli në fushën e mjekësisë,  në Tiranë e në rrethina,  ku bëri emër,  falë shpirtit të saj bujar.  Nuk kemi të bëjmë me një bamirësi të thjeshtë apo me një keqardhje për atë që vuan por me një përkushtim të rrallë në shërbim të pacientit.

Veprimtaria  jetësore e Xhires nuk është zvilluar në ilegalitet,  por në dritën e diellit e në sy të njerëzve, por,  mjaft kolegë e shokë  tanët nuk kanë patur shansin ta njihnin,  për arsye të justifikuara.  Me dashamirësi e  me qëllim njohje,  për të gjykuar më saktë,  mbi individualitetin e Saj,  jam i shtrënguar të jap një opinion,  jashtë skemës të zakonshme të një shkrimi,  i cili,  gjithsesi është vetjak.

Kam patur shansin ta njoh të mirën Haxhire Eshja ( Kananaj),  si gjatë kohës kur shërbente në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak,  në Tiranë,  ashtu dhe në Repartin 5818,  në Tiranë,  kur ajo shërbeu në detyrën e mjekut;  si dhe  e kam patur  gjitone,  në pallatin ku banonim.  Opinioni që do të rrëfej për Xhiren, si njeri e si mjek është i formuar nga njohja e drejtpërdrejtë dhe nga afër,  prandaj jam i mendimit  se ato që shkruaj jam i gatshëm ti vërtetoj,  një nga një  e në çdo kohë.

Haxhire Eshja ( Kananaj),  ishte burrëreshë.  Për Atë njeri,  po – ja ishte po e jo – ja ishte –  jo.  Kompromis,  me Xhiren nuk bënte dot njeri. Ortakëria dhe akraballëku për Xhiren ishin terma të panjohur.  Ajo ka punuar vazhdimisht në mjedise burrash dhe mes tyre.  Besoj se nuk ështe aq e lehtë për një femër të shërbejë në  një mjedis mashkullor siç i ka ndodhur Asaj.  Xhirja,  merrte pjesë në të gjitha bisedat mes shokësh të punës,  madje dhe në shakatë që bëheshin rëndom por Ajo dinte ti jepte vendin cilitdo,  me dashamirësi e me buzëqeshje.

Për një njeri që ka çarë vetë në jetë,  dhe çdo arritje në profesion e në jetë mban vulën e saj,  vlerat janë të shtuara.  E lindur jetime dhe e rritur pa praninë e njërit nga prindërit ( Babait),  në vështirësi e në ngushtësi,  Ajo,  ka ditur të rrjeshtohet në ballë të klasës,  dhe të dallohej për rezultate të larta;  nga klasa e parë deri në maturë.  Në shkollën “ Hasan Vogli”,  ku Xhirja mori arsimimin shtatëvjeçar dhe në Gjimnazin “Qemal Stafa”, më pas,  nota 5-së nuk iu nda nga kolona me emrin e saj, në  regjistër.  Edhe në Fakultetin e Mjekësisë, ku puna e saj ishte e jashtzakonshme,  treguesit e lartë cilësorë që arriti studentja Haxhire  Eshja,  mbanin vulën e përpjekjeve të saj.

Jam i lumtur që kam patur shansin për të punuar,  nga afër e drejtpërdrejt me një njeri të atillë.  E kisha, vartëse,  shoqe,  gjitone dhe dashamirëse zemërbardhë.  Xhirja ishte e palëkundur në vendimet që merrte;  mbasi e kishte bluar mirë në kokë gjënë para se ta nxirrte fjalën nga goja..  Në shkollë e në punë,  Xhirja u formua si njeri e u poq si kuadër guximtar e i drejtpërdrejtë me njerëzit.  Ajo ishte e gojës dhe fjala e thënë nga goja e saj peshonte shumë e zinte vend në kuvend.  Xhirja ishte e flalës e “nuk ia hante qeni shkopin ” por ishte dhe e arsyes të shëndoshë e i peshonte mirë gjërat.  Ajo,  siç i thonë fjalës,  ishte “ hazër xhevap ” dhe ta kthente kuitancën aty për aty,  pa u menduar gjatë. Ishte kënaqësi të polemizoje me të,  madje dhe të grindeshe. Horizonti i saj dhe kompetenca në ato që nxirrte nga goja,  të bënin ti vije gishtin kokës,  para se të përgjigjeshe.

Meqënëse e kam patur dhe gjitone,  për një kohë të gjatë,  Atë grua e kam njohur dhe në jetën familjare. Xhirja dhe Lirimi,  në çift, sikur të ishin gatuar për njëri – tjetrin,  nuk i krijonin asnjeriu shqetësime; ata vështronin punën e tyre e nuk merreshin me punët e të tjerëve.  Çifti në fjalë rriti,  edukoi e shkolloi një djalë për kokën e djalit,  Andin të cilin e kishin si sytë e ballit.  Mund të pohoj me siguri se dashuria dhe respekti zinte vend të dukshëm në sjelljen njerëzore të Xhires dhe në tolerancën shëmbullore të Lirimit, kundrejt Nënës të Xhires dhe vëllait të saj  –  Ramazanit,  të cilët bashkëjetonin me ta dhe pleqëruan  nën  të njëjtën strehë.  Xhiren nuk e mbante vendi e nuk e gjeje lehtë në shtëpinë e saj.  Ajo,  me bujarinë e shpirtit si det,  u gjindej të gjithë hallexhinjve,  për raste mjekësore, por  dhe për nevoja të tjera.  Nuk kishte  koleg nga tanët dhe shokë të burrit,  të cilët,  po ti drejtoheshin Xhires për ndihmë,  Ajo bëhej copë deri sa të konkludohej nga mjeku specialist të cilit i drejtohej e nuk i ndahej lehtë.  Në pallat;  në bllok e më gjërë,  familja e tyre merrej si model e orientim për mirë.

Raporti i Xhires dhe i Lirimit, kur Andi i bëri gjyshër, me Jurin ( djalin e Andit) ishte i paparë. Dashuria dhe kujdesi i tyre për nipin i kapërcente kufijtë e një trajtimi njerëzor.  Ta kish ënda kur i vështroje të dy, Xhiren dhe Lirimin,  si prindër e si gjyshër të ndjeshëm,  sipër biçikletave,  për të shkuar në shtëpinë e Andit,  me mallin për nipin Juri;  birin Andi dhe nusen e tij,  me qëllim që të kontribuonin,  për mirërritjen e nipit dhe për edukimin e tij për së mbari.  Xhirja ishte një njeri i emancipuar,  me edukatë të shëndoshë familjare dhe e kulturuar.  Ajo kish shoqëri të ngushtë,  si me femra dhe me meshkuj. Shoqëria e Saj ishte “ elitë”! Vlerat e kësaj lloj shoqërie ishin të shumta. Nga bisedat,  analizat,  perfundimet,  shkëmbimi i informacionit,  pse jo dhe nga thashethemi dashamirë,  Xhirja jepte e merrte. Çfarëdo halli të kishte ai njeri,  nuk e vështroje kurrë të ngrysur,  por i qeshte nuri e të jepte kurajo,  me buzagazin e saj,   për të dalë nga çdo situatë e vështirë. Në rrethin shoqëror të saj bënin pjesë njerëz me nivel të ngritur kulturor dhe me reputacion në shoqëri. Nuk thonë mëkot: “ Më thuaj me kë rri; të të them cili je”? Shoqëri të ngushtë Xhirja kishte me:  Bashkim Bahollin;  Adelina Mazrrekun; Dhurata Nishanin;  Leni Millona;  Violeta Librazhdi;  Vace Zela;  Nexhi Plaku  (Skendaj );  Marjeta Ngjela etj.  Eshte interesant fakti qe shoqerine e gjimnazit dhe ate te femijerise,  Xhirja i ruante si gjë të shtrenjtë e “të shënjtë ”,  me fanatizëm e pastërti. Takimet herë pas here të shoqërisë të tyre,  ishin mjaft relaksuese dhe interesante.  Edhe në moshë të rritur e të thyer,  takimet mes tyre ruanin,  freskinë e viteve të rinisë,  fryma e të cilës vinte, “e gjallë ”, nëpërmjet rrëfimeve të protagonistëve.  Edhe pse Xhirja,  njihej e zinte shoqëri të re,  shoqet dhe shokët e kohës te adoleshencës të saj nuk i harronte. Nuk bëhej fjalë për ti braktisur ata . Një rastësi e këndshme, të cilën nuk mund ta le pa e përmendur. Lirimi, e ruan me fanatizëm shoqërinë e afërt të skënderbegasve të klasës dhe të paralelit. Të “ shenjtë ” Lirimi ka shoqërinë me Ahmet Zogun; me Fadil Nenaj; me Kristaq Citon; me Shyqyri Alushin; me Bashkim Kozelin; me Zenel Ballen e me te tjere shoke te gjimnazit. Vini re çfare vendi te veçantë zë tek Xhirja, shoqeria e shkollës së mesme dhe ajo e shtatëvjecares. Them se kjo koincidencë nuk mund të jet fare e rastësishme. Një lidhje e një paralelizëm mund të ketë në këtë çështje. Në anët tona,  besoj se e kanë nxjerrë nga përvoja e gjatë e jetës,  të provuar brez pas brezi thënien: “ Miqësia ngjan,  pa bënet”! Tjetër emër e vjegë kësaj koinçidence fatlume nuk mund ti vesh…! 

Jetëshkrimi 

Haxhireja,  të cilën,  ata që e njohën  nga afër ishin mësuar ta thërrisnin,  thjeshtë:  Xhirja,  ishte pinjoll i fisit të fismë Eshja të fshatit Petrelë,  në rrethin e Tiranës.  Ajo u lind në Tiranë,  më 4 dhjetor të vitit 1941,  nga dy prindër autoktonë  –  shqiptarë.  Prindërit e saj ishin:  zj. Sheqere dhe zoti Baki.  Ata,  të dy,  së bashku me familjet respektive,  zbritën në Tiranë,  në vitet ’30 të shekullit të shkuar.  Bakiu ishte pinjoll i një trungu atdhetarësh,  i pozicionuar kundër padrejtësive të kohës dhe  Mbretit Zog të Parë.  Në vitet e Luftës së Dytë Botërore,  kur Shqipëria ishte e pushtuar nga fashistët italianë,  për shkak të bindjeve të tij atdhetare,  Bakinë e eliminuan nga skena,  kur Haxhireja  ishte  ende në barkun e nënës dhe zj. Sheqere kishte një djalë –  Ramazanin të cilin,  çifti e vështronte në dritë të syrit e priste të shtohej.  Por,  fati e deshi të ndahej nga jeta kryefamiljari e Nëna Sheqere,  të mbetej grua e ve,  në moshë të re,  me dy fëmijë jetimë,  njërin nga të cilët ( Haxhiren ) e kishte në gji.

Në këtë mënyrë Nëna Sheqere ishte e detyruar ta përcillte e ta përballonte jetën e rëndë që pasoi duke kaluar nëpër fijen e perit nëpër kalvarin e vuajtjeve e të një jete të vështirë për të ushqyer,  tashmë tri frymë,  në kushtet kur nuk ishte kryetari i familjes.  Ardhja në jetë e Haxhiresë,  e cila nuk e pati fatin ta njihte Babanë,  nuk e dëshpëroi Nënë Sheqeren,  e cila ishte rritur në një mjedis tejet fanatik e mashkullor  –   fshatar të atyre viteve.  Ajo gjykoi thjeshtë por saktë se vajzën që solli në jetë,  vërtet që do ta rriste me vështirësi por do ta kishte pas vetes,  sikurse u bë në fakt:  bijë;  shoqe;  motër dhe në vend të nënës.

 Xhirja u rrit nëpër vështirësitë që solli koha e luftës  kur ishte e vështirë të gjeje punë në kryeqytet;  çmimet ishin të ngritura dhe pasiguria në rrugët e Tiranës,  e shtuar.  Ndarja nga jeta e Babait të Xhires,  pasoi me paksimin e krahëve të punës në familje dhe me shtimin e barrës e të halleve për zj. Sheqere.  Ajo,  tashmë,  me punë të rëndë e të rëndomtë,  duke punuar  nëpër dyert e të kamurve,  për të përftuar një pagë mjerane duhet të ushqente tri gojë. Por,  edhe pse i rriti fëmijët në skamje e në ngushtësi ekonomike,  Nënë Sheqerja,  si grua e traditës të shëndoshë shqiptare,  i mëkoi ata të ishin krenarë dhe,  pavarësisht vështirësive të jetës,  të bëheshin të zotët e vetes dhe të çanin vetë në jetë e të bëheshin dikush.

Mësimet fillestare dhe ato të shkollës unike,  Haxhireja i përcolli në shkollën “ Hasan Vogli” ( Dëshmor i Atdheut ),  e cila ndodhej pranë shtëpisë së tyre.  Së bashku me vëllanë,  Ramazan ( Xani ),  i cili ishte më i rritur në moshë,  të dy shkonin e vinin në shkollë,  me krenarinë e një fëmije që është,  i përparuar në mësime e nuk pret të kopjojë nga të tjerët,  detyrat e shtëpisë dhe si pinjollë të një famije, modeste, e cila nuk i kishte borxh askujt.  Pas përfundimit të mësimeve të shkollës unike ( shtatëvjeçare ),  të cilën,  Ajo e përfundoi me rezultate të “ shkëlqyera ”,  Xhirja pati shansin të kryente shkollën e mesme në gjimnazin “ elitë ” të Tiranës e të Shqipërisë,  në atë kohë, siç ishte ai “ Qemal Stafa”.  Në të katër vitet e gjimnazit,  Xhirja e ruajti trendin e të qënit “e shquar” në mësime dhe veprimtare e dalluar.  Në vitet e adoleshencës,  kur ishte gjimnaziste,  Vajza tironse hodhi shtat e u zhvillua fizikisht,  në shkollë mësoi më shumë për jetën dhe për botën duke u bërë një vajzë kryeqytetase e emancipuar.  Gjimnazi  “Qemal Stafa ”,  aso kohe qëndronte në ballë të shkollave të mesme të vendit dhe u mësonte nxënësve dije të plota dhe i përgatiste për të përballuar jetën, sido që të vinte.  Të qënit e përparuar në mësime dhe,  me edukatë të shëndoshë e me kulturën që përvetësoi,  Xhirja,  në atë kohë shfaqi dhe një prirje të veëçantë;  Ajo;  u ushtrua suksesshëm në atletikën e lehtë,  në vrapimet e shpejtësisë,  nën drejtimin e të madhit Rexhep Rama qysh se ishte fëmijë,  por që,  për fat të keq, nuk e vazhdoi .  Në garat e vrapimit,   për moshën,  Ajo,  duke u stërvitur me vullnet e këmbëngulje,  shfrytëzoi mundësitë dhe u shpall kampione e vendit,  në disiplina të veçanta.

Në vitin 1962,  bazuar në treguesit cilësorë në mësime,  nga shkolla shtatëvjeçare,  dhe në të katër vitet e gjimnazit si dhe në provimet e maturës,  me zotësi,  Xhirja fitoi të drejtën për të vijuar studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës.  E donte shumë mjekësinë Xhirja dhe e shfrytëzoi shansin që iu dha,  për ta shfrytëzuar,  me bereqet kohën pesëvjeçare të përcjelljes të studimeve duke u futur në labirintet e shumta të kësaj shkence.  Shoqe kursi,  në vitet e Fakultetit të mjekësisë Xhirja kishte:  Marjeta Ngjelën( ndjesë pastë  ), e cila ishte njëra nga vajzat “ bravo” të Tiranës të atyre viteve, të cilën e kishte patur dhe shoqe shkolle në Gjimnazin “ Qemal Stafa”.

Në vitet kur Xhirja kreu studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë,  Ajo nuk mësoi vetëm shkencën që dëshironte shumë,  atë të mjekësisë,  por zgjeroi horizontin e u kulturua dhe fitoi dije të domosdoshme, më të sakta,  për natyrën dhe për jetën në tërësi. Tashmë vajza e drojtur tiranase ishte rritur e kalitur dhe ishte shndërruar në një zonjushë me hire vajzerie e me kokën plot.  E kompletuar me njohuri dhe me kompetencë  shkencore duke disponuar dhe një diplomë,  ku sintetizohej përfundimi i studimit në mjekësinë e përgjithshme,  Xhirja,  së bashku me katër shoqe  si ajo,  u emërua në detyrën e mjekut të përgjithshëm,  në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak,  në Tiranë.  Shoqe të saj  në këtë emërim ishin: Mejte Bogdani;  Violetë Ristani;  Tatjana Milo dhe vetë Haxhireja.  Të katra mjeket e reja,  i caktuan në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak,  në Tiranë,  në reparte e në specialitete të ndryshëm.  Xhirja,  tashmë mjeke e përgjithshme ishte e kompletuar,  e pjekur,  e kulturuar dhe e emancipuar.  Pas disa kohësh,  të katër shoqet u veshën ushtarake e u titulluan oficere.  Ishin vajzat e para oficere të Ushtrisë Popullore. Xhirja,  tashmë mjeke,  meqënëse kish ushtruar sportin e atletikës,  u caktua të kujdesej për sportistet e reja.  Ajo ishte tashmë në terrenin e saj dhe i shkonte fjala dhe veprimet e saj ishin me kompetencë e me njohuri shkencore.  Kontributi i Xhires ne kete lëmë ishte me shumë vlerë dhe shërbimi që Ajo i bëri çështjes la gjurmë.  Një angazhim të veçantë pati dr. Haxhire Eshja me vajzat ushtarake që u përgatitën e u hodhën me parashutë,  nga aeroplani i lehtë i transportit An-2.

Në vitet ’60 të shekullit që përcollëm,  në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak u ndie nevoja e kompletimit me të gjithë specialitetet.  Në këtë institucion mjekësor,  nuk kishte repart të fizioterrapisë;  as mjek të specializuar,  posaçërisht nëkëtë specialitet.  U gjykua e domosdoshme të dërgohej një mjek ( mjeke ) e re,  në Republikën Popullore të Kinës,  ku shërbimi i fizioterrapisë ishte i zhvilluar,  për të mësuar nga përvoja e tyre,  të cilën do ta sillnin në vendin tonë . Nga radhët e mjekëve të Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak u përzgjodh dr. Haxhire Eshja,  e cila,  në vitet 1971-1972, u specializua në Pekin,  në specialitetin e fizioterrapisë.  Ajo, duke e njohur gjëndjen në mjekesinë tonë dhe faktin që ky specialitet nuk njihej e nuk ishte i zhvilluar,  u fut në detajet e specialitetit të ri dhe,  me t’u kthyer ne Shqipëri,  çeli,  për herë të parë repartin  (shërbimin) e fizioterrapisë,  si pavijon më vete,  në Spitalin e Përgjithshëm ushtarak.  Kompetenca shkencore që zotëronte dhe specializimi,  2 vjet në Kinë,  së bashku me aparaturat që erdhën posaçërisht,  garantuan një shërbim të cilësisë të lartë në këtë specialitet,  ku roli primar ishte aftësia dhe përkushtimi i Xhires.  Në këtë mënyrë,  mjekja Haxhire Eshja,  jo vetëm që nuk i shpërdoroi të dy vitet e specializimit në Kinë,  por,  me t’u kthyer në Atdhe,  ajo,  iu përfill punës,  me këmbënguljen e njohur të saj,  për ta vënë mbi binarë të sigurtë,  shërbimin e munguar të fizioterrapisë dhe njohuritë e marra,  ashtu si diplomën e specializantit,  nuk i mbajti si stoli,  por i vuri efektivisht në shërbim të pacientëve të shumtë,  të cilët paraqitnin  “ uri”,  për këtë specialitet.  Pas kthimit nga specializimi në Kinë,  dr. Xhirja,  sipas kritereve të kohës,  kërkoi të futej në radhët e Partisë të Punës të Shqipërisë dhe si intelektuale e mirëfilltë,  organizata – bazë e Partisë dhe organet më lart saj e caktuan të bënte stazhin e Kandidatit për anëtar Partie ( tre vjet),  në bazë,  në Repartin 5818,  në Laprakë,  i cili ishte repart azviacioni.

Pikërisht gjatë kësaj kohe,  pata fatin e mirë ta njihja nga afër e në mënyrë të drejtpërdrejtë personalitetin e dr. Xhires,  në të gjithë dimensionet.  Mbresa të pashlyera më ka lënë përkushtimi i saj në detyrë.  Nga tiparet më të qënësishme të saj,  mund të veçoj: Seriozitetin;  ndershmërinë;  në kuptimin e plotë të kësaj fjale;  drejtësinë e të gjykuarit dhe dashamirësinë,  pa kufi.  Mund të pohoj me tërë fuqinë e shpirtit se dr. Haxhire Eshja ishte “ partizan ” i së vërtetës dhe ishte tepër këmbëngulëse,  deri në kokëfortësi për të shkuar,  me guxim drejt saj.  Ajo nuk bënte lëshime,  si në detyrë dhe në jetën e përditshme.  As diferencimet dhe hatëret,  Ajo grua e rrallë,  nuk i njihte e nuk i pranonte.

Kam ndjekur,  për shkak të detyrës, punën e saj me pilotët si doktoreshë e tyre.  Dr. Xhirja,  e kishte bindje  të formuar,  jo të imponuar,  rrezikshmërinë dhe delikatesën që paraqet profesioni i nderuar i pilotit dhe i teknikut fluturues,  për mbarëvajtjen e stërvitjes ajrore;  prandaj nuk bëhej fjalë për lëshime kur gjykohej për gjendjen shëndetësore të tyre.  Po ta gjente fluturuesin me parametra shëndetësorë tej normave të lejuara për fluturim,  dr. Xhirja nuk firmoste dhe nuk gjendej njeri në botë që ta kthente Xhiren nga vendimi i marrë.  Sidomos, “armiqësi ” patologjike kishte dr. Xhirja ndaj servilizmit,  të cilit nuk donte ti dëgjonte as emrin.  Të vendosje për të ndërhyrë tek dr. Xhirja që Ajo të bënte ndonjë lëshim,  në drejtim të lejimit për të fluturuar,  jashtë normave e rregullave,  duhet të mateshe mirë dhe të bëje  llogari se do të ndesheshe me një mur betoni të pathyeshëm.

Ndryshe ishte puna kur një hallexhi ndodhej në kushtet e mbijetesës apo kur i drejtohej asaj për ta ndihmuar në lëmën e shëndetit.  Ajo angazhohej seriozisht e pa rezerva për të ndihmuar njeriun në nevojë dhe bëhej copë e çikë,  duke hedhur në lojë gjithe aftesitë e saj dhe njohjet që kish,  në sektorin e saj,  si në Spitalin e Përgjithsëm Ushtarak dhe jashtë tij duke vënë në lëvizje njohjet e shumta që kish dhe personalitetin e veçantë të saj,  si mjeke e si femër e respektuar,  në rrethet shoqërorë. E them me bindje se është e vështirë të gjesh një të dytë,  si Xhirja,  e cila të qepej e nuk të ndahej pa ta zgjidhur problemin.  Të predispozuar për të ndihmuar tjetrin,  në mjekësi ka shumë,  se vetë profesioni i mjekut është humanitar, por  përkushtimi dhe dashamirësia e dr. Xhires ishin aq të veçanta sa që pacienti,  apo nevojtari,  ndihej shumë i lehtësuar e i privilegjuar për mjedisin që kishte gjetur,  kur e ndihmonte dr. Xhirja.

Në vitin 1974, kur ishte duke kryer stazhin e Kandidatit për anëtar Partie, në repartin e aviacionit, në Tiranë ( Laprakë), dr. Xhirja u njoh, u dashurua dhe lidhi martesë me oficerin specialist të” elitës” në lëmënn e radiopajisjeve të aeroplanit; me njeriun e mirë- Lirim Arshi Kananaj ( Velaj). Lirimi është me origjinë nga fshati Sevaster i rrethit të Vlorës ; Ai rrjedh nga një familje atdhetarësh të spikatur dhe vetë ka kontribuar denjësisht e me kompetencë për mbajtjen e gatishmërisë luftarake të repartit ku ka shërbyer për shumë vjet. Lirimi nuk shquhet vetëm si kuadër ushtarak e specialist duarartë, por është dhe me horizont e me kulturë, i edukuar e i sjellshëm, me shpirt të mirë e me sjellje për t’u marrë shëmbull, në çdo drejtim. Tiparet të njëjta i shtynë dy kuadrot ushtarakë drejt njëri-tjetrit në një lidhje tejet njerëzore. Ata, duke pranuar njëri –tjetrin formuan një çerdhe të shëndoshë familjare, e cila , për nga vlerat që paraqiste, u bë shpejt e njohur dhe e respektuar , kudo, në rrethet shoqërore dhe në ato familjare dhe merrej si model i mirë. Lidhja e shëndoshë dhe marrëdhëniet e çiltra të ndërsjellta mes Xhires dhe Lirimit u bënë aq mbresëlënëse, sa shumëkush i vështronte me zili. Tek Lirimi,  Xhirja gjeti një shok jete,  besnik,  me kulturë,  me edukatë e me zemër të madhe, si vetë Ajo. Ata,  të dy;  Xhirja dhe Lirimi ngjanin si të ishin dy pëllumba, në të njëjtin kafaz. Nuk mund të le pa përmendur një dialog,   të shkurtër që zhvillova me parashutistin e klasit të parë –  Fadil Nenaj ( Braho),  shok i afërt i Lirimit. “ E takoja kur dilte me shoqet,  nga kodrat e liqenit artificial të Tiranës –  më tha Fadili.  E ndalova e i thashë: “ Xhire,  ma vështro një çikë Lirimin,  se është i pamundur dhe e kam vëlla”!  Ajo,  pa u menduar,  u përgjigj: “ Mos u merakos për Liron se e kam merak vetë; ti kufizoje pak kohën e punës,  se po rropatesh”!  Nga martesa  mes tyre erdhi në jetë i vetmi pinjoll i kësaj familje –  Andi,  i cili u rrethua e u rrit mes gjithë të mirave,  ku vendin e parë e zuri edukimi i shëndoshë,  shkollimi dhe kompletimi me të gjithë elementët e nevojshëm për një pinjoll që rridhte nga ata dy prindër të denjë e të formuar siç i takon prejardhjes së tij nga të dy polet.  Andi,  përveç që i ka nderuar e i nderon prindërit që e sollën në jetë dhe e edukuan për së mbari,  i lumturoi Ata,  duke i bërë gjyshër të nderuar.

Kapitull më vete e raport tejet interesant, është ai që u vendos midis Xhires dhe Lirimit nga njëra anë dhe Jurit të vogël në anën tjetër. Dashuria,  kujdesi dhe meraku i çiftit të gjyshërve të Jurit,  për ta parë djalin e djalit të rritej  më shpejt se koha e të bëhej siç e donin Ata ia vlen të shkruhet më vete dhe gjatë.

Një raport të rrallë e tepër interesant gjejmë në marrëdhëniet e Lirimit dhe të zj. Haxhire Eshja me Nënën e Xhires –  zj. Sheqere dhe me vëllanë e saj të vetëm  –  Ramazanin.  Familja e tyre ( familja Eshja ),  pas martesës të Xhires,  mbeti e vogël;  me dy pjesëtarë:  Me Nënën dhe vëlla Xanin.  U arrit në konsensus,  bashkimi i të dyja familjeve,  nën një strehë,  dhe,  së bashku me Andin,  u bënë pesë vetë.  Në marrëdhëniet mes Dhëndrrit dhe vjehrrës dhe në atë mes dy kunetërve,  ndonëse  jetonin nën të njëjtën çati dhe vinin nga treva jo të ngjashme për nga psikologjia dhe mentaliteti,  sado të rëmosh, është e vështirë të ndeshësh në ndonjë të çarë.  Aq mirë u përshtatën njerëzit e mirë me të mirat e njëri-tjetrit.  Ky është një tjetër argument që dëshmon për shpirtin e madh e të pastër dhe për mirësinë që mblon brenda tij Lirim Kanani ( Velaj ),  i cili,  si lab i mirëfilltë,  në dukje shfaqet disi i ashpër e jotolerant,  por në fakt,  është,  siç thonë në trevat tona: “ shpirt njeriu”.

Jeta ka ligjet e saj dhe përjetë nuk e ka mundësinë të jetojë asnjeri.  Në moshën e tretë,  kur çifti që kaloi së bashku mbi 40 vjet e si të thuash gjërat vajtën në vendin që u takonte,  dr. Xhirja,  ajo grua e fortë, e pamposhtur e krenare, u përkul përpara një sëmundje të gjatë e të rëndë. Lirimi, si njeri vlerashumë, i shërbeu në mënyrë të përkryer, ose siç më tha një miku im: Lirimi Harroi veten , përpara gjendjes të pamundur të dr. Xhires. Në mesnatën e 2 majit të vitit 2020, Haxhire Eshja, në duart e të birit, ndërroi jetë.  Më në fund, dua të them dy fjalë për këtë rast tragjik por jetësor: Njeriut i cili kishte një zemër e një shpirt human,  asaj gruaje flakërimë,  e cila nuk kursente as jetën e saj për tiu gjendur pranë çdo njeriu që vuante,  ndoshta nuk i takonte ta mbyllte jetën në këtë kohë pandemije,  kur,  fizikisht nuk mundëte ti vinte në ndihmë asnjeri.  Cili njeri nuk do të donte të ndahej nga ai “ ëngjëll” tjetërsoj:  të paktën duke i hedhur një dorë dhe,  mbi varr. Bukur e ka thënë populli ynë poet se: “ Fatkeqësia që në djep,  urtësi,  mençuri dhe mirësi të jep…”!

  • I paharruar qoftë kujtimi i saj i ndritur! E pastë të lehtë dheun e tokës Nënë! 

Shkrojti Niazi Xhevit Nelaj- shok e gjiton i Doktorreshë Haxhiresë! Në Tiranë, më5 Maj 2020.

Opinion nga Nexhi Plaku –  shoqe e dr. Haxhiresë:

 “ Për miken time Haxhirenë u mërzita shumë. Mërzitisë time iu shtua dhe pamundësia për të të përcjellë e për të të përshëndetur,  edhe në distancë,  në çastin kur “ dole ” nga shtëpia jote e dashur. Xhire!  Do të mbetesh në kujtesën time si njëra nga përfaqësueset e grave intelektuale tiranase që kam njohur në jetën time.

Në vlerësimin tim,  Ju ishit një grua dinjitoze e me personalitet të lartë.  Një tiranase e rehatshme  dhe e këndshme në biseda.  Argumentuese dhe me dije e aftësi dije të zbërtheje mirë si anët e mira dhe ato të errëta të personalitetit të një njeriu çka e bënte tepër interesante bisedën dhe ti rriste vlerat.

Mikja ime e mire Xhire!  Sinqerisht të them se më krijove boshllëk të madh,  nga koha kur ndiheshe e pamundur e nuk mund të dilje,  me shoqet.  Më mungon  shumë,  e dashur Xhire!  Rrallimi i takimeve tona më dha mundësinë ta ndjeja boshllëkun tënd.

Andi,  për mua do të mbetet përherë i dashur e i respektuar,  sepse Ai ishte jeta jote dhe një mik i mirë imi.  Do ta kem si një medalion kujtimi,  të personalitetit Tënd të rrallë!

Muaji maj i këtij viti,  të bashkoi me të voglën tënde,  të cilën nuk e harrove asnjëherë pa e përmendur me lotë në sy!

Sinqerisht,  vlerësoj burrërinë tënde dhe karakterin e fortë që kishje.  E desha fort Haxhirenë!  Për mua,  Ajo ishte një vlerë!

  • U prehsh në paqe,  mikja ime e mirë!

  Shoqja jote Nexhi Plaku- në Tiranë, më 15 maj 2020